29.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Pse është e rëndësishme të hani fibra dhe drithëra çdo ditë?

Ata që hanë shumë fibra dhe drithëra të plota çdo ditë kanë një rrezik më të ulët për sëmundje të ndryshme kronike jo-ngjitëse dhe janë përgjithësisht më të shëndetshëm, sipas një studimi të ri shkencor të kryer në emër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Hulumtimet tregojnë se konsumimi i të paktën 25 gramëve fibra në ditë shoqërohet me një ulje prej 15% deri në 30% të vdekshmërisë së parakohshme nga çdo shkak, krahasuar me ata që hanë sasi të vogla të fibrave të tilla dietike.

Në mënyrë specifike, konsumimi i shumtë i fibrave shoqërohet me një ulje prej 16% deri në 24% të rrezikut të sëmundjeve koronare të zemrës, goditjes në tru, diabetit të tipit 2 dhe kancerit të zorrës së trashë. Gjithashtu shoqërohet me peshë më të ulët trupore dhe nivele më të ulëta të kolesterolit.

Për çdo tetë gramë rritje të konsumit ditor të fibrave, rreziku i sëmundjeve të zemrës, diabetit të tipit 2 dhe kancerit të zorrës së trashë zvogëlohet me 5% në 27%, ndërsa ka mbrojtje më të mirë kundër goditjes në tru dhe kancerit të gjirit.

Gjithashtu, çdo rritje prej 15 gramësh në konsumin ditor të drithërave të plota çon në një ulje prej 2% deri në 19% të vdekshmërisë së parakohshme, sëmundjeve koronare të zemrës, diabetit të tipit 2 dhe kancerit të zorrës së trashë. Drithërat e plota janë të pasura me fibra, gjë që shpjegon efektin e tyre mbrojtës.

Studiuesit, të udhëhequr nga Profesor Jim Mann i Universitetit të Otagos në Zelandën e Re, i cili publikoi artikullin përkatës në revistën mjekësore “The Lancet”, vlerësuan (meta-analizë) të gjitha hulumtimet e disponueshme (gjithsej 243 studime) që janë kryer deri më tani në të gjithë botën mbi fibrat dhe drithërat e plota.

Shumica e njerëzve në mbarë botën konsumojnë më pak se 20 gramë fibra në ditë, ndërsa studimi i ri, i cili do të çojë në rekomandime të reja nga OBSH-ja, këshillon 25 deri në 30 gramë çdo ditë, ndërsa edhe një sasi më e madhe ofron përfitime shtesë shëndetësore.

Studimi i ri zbuloi gjithashtu se një dietë me ushqime që kanë një indeks të ulët glicemik dhe ngarkesë të ulët glicemike ofron vetëm mbrojtje të kufizuar kundër diabetit të tipit 2 dhe goditjes në tru. Këto ushqime mund të përmbajnë sheqerna, yndyrna të ngopura dhe natrium (kripë), gjë që zvogëlon përfitimet e tyre shëndetësore.

Qeverisje me bazë të gjerë apo manovër politike?

Nga Ardi Stefa

Kryeministri Edi Rama në takimin festiv me 83 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, por edhe me të gjithë kandidatët për deputetë të PS, ka analizuar fitoren. Përtej ironive të pritshme me kundërshtarët në opozitë, Rama ka përcjellë edhe disa mesazhe, që mund të lexohen përmes rreshtave, por që në fakt kishte nisur t’i zbatonte qysh më parë.
Cilat janë mesazhet?
– Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime në qeverinë e re!
“Kemi garantuar drejtësinë, forcuar sigurinë, rritur reputacionin dhe kemi bërë histori me vendin tonë brenda kësaj dekade. Kemi mësuar se për t’i arritur këto suksese, duhet një punë e madhe me veten.
Duhet ta nisim nga vetja për të ndarë mendjen si duhet mbi disa gjëra që duhen parë ndryshe, dhe duhet të bëjmë disa gjëra ndryshe.
Duhet që të bëjmë disa lëvizje në udhëheqjen e partisë dhe në qeveri. Na duhet një mirëkuptim i plotë mes nesh dhe me familjen tonë europiane, sepse do ta përdorim fuqinë e mandatit të katërt”.
– Mandatin e katërt PS si fillim duhet ta përdorë për vetëkorrigjim.
“Partia nuk është qëllim, por mjet për të luftuar për qëllimet. As fitorja nuk është qëllim. Por për të arritur qëllimet duhet të fitosh zgjedhjet.
Fitoret nuk na duhen për të mundur të tjerët. Por për të përmbushur misionin historik që kemi për të ndryshuar përgjithnjë Shqipërinë duke zhvilluar ekonominë, garantuar drejtësinë përmirësuar arsimin e shëndetësisë, forcuar sigurinë, rritur reputacioni ndërkombëtar të atdheut dhe bërë histori me anëtarësimin ën be brenda kësaj dekade.
Na duhet një punë me veten në radhë të parë. Edhe këtë herë do ta nisim nga vetja për ta ndarë mendjen si duhet me disa gjëra që duhen parë, kuptuar e bërë ndryshe në nivelin e udhëheqjes së partisë, grupit parlamentar dhe qeverisë padyshim.
Na duhet mirëkuptim i plotë brenda nesh për të siguruar popullin shqiptar dhe familjen europiane me fjalë të përputhura me veprat se ne do përdorim mandatin katër si fuqi e madhe vetëkorrigjuese.
Jemi ngjitur aq lart sa askush nuk e ka besuar dhe duke u përpjekur të reflektoj unë besoj se mbi të gjitha kjo ka ndodhur sepse kemi arritur të nxjerrim më shumë nga vetja pas çdo fitoreje.”

– Deputetët e vjetër sërish në fushatë, të rinjtë në shkollë.
Shefi i qeverisë deputetëve rishtarë në Kuvend u kërkoi t’u rikthehen “studimeve” në Akademinë Politike të PS, ndërsa veteranëve, që drejtuan socialistët në qarqe gjatë fushatës së 11 Majit u bëri thirrje të përgatiten për zgjedhjet lokale.
“Udhëheqësit politikë të nisin punën për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky mandat që sapo kemi marrë nuk është piedestal për t’i parë të tjerët nga lart poshtë.”
Rama kërkoi që të organizohen “disa mbledhje të mëdha pune me grupet kyçe të interesit dhe të flasim për sfidat e mandatit të katërt”.

Interpretimet?
Në rast se lexohet me vëmendje fjala e Ramës, gjuha e trupit dhe mesazhet e përcjella, vërehet se edhe mesazhi i fjalimit të fitores ishte në vazhdën logjike të strategjisë së fushatës elektorale.
Gjuha ironike ishte masakruese për opozitën dhe Berishën, por kryefjala ishte integrimi në BE.
Si duhen lexuar mesazhet për vetëkorrigjim dhe ndryshime në parti e qeverinë e re?
U përpoq të qetësonte deputetët e ngelur jashtë parlamentit, duke u kujtuar se janë aset i PS dhe do të vlerësohen në pozicione të tjera. Duket se u preu rrugën edhe pakënaqësive që mund të shprehen lart e poshtë për listat e mbyllura dhe personat anonimë të përfshirë në to. Por edhe për të parandaluar ndonjë zë pakënaqësie bremda partisë në lidhje me anonimen e Elbasanit me lumë votash apo Zegjinenë e Fierit me memet për Gazin.
Gjithsesi Rama ka dalë jashtëzakonist i fuqishëm nga këto zgjedhje. 83 deputetët dhe ndonjë që mund t’i bashkohet më pas i krijojnë mundësinë që shumë shpejt të bëjë ndryshime kushtetuese. Nga ana tjetër, duke pasur një kontroll absolut mbi partinë, u tregon socialistëve se ai është në gjendje të marrë vendime edhe pa miratimin e partisë.
Dhe Rama e bëri një eksperiment me Vlorën.
Kur në listat e deputetëve vendosi dy “demokrate”, të cilat realisht nuk kishin asnjë impakt në elektorat dhe as vota i shtuan PS.
Sikundër edhe kur afroi me bujë të madhe në PS disa ish- drejtues të ish- FRPD, që edhe këta përveç fjalëve, votave të tyre e disa familjarëve të tyre, nuk i shtuan vota fare PS.
Rama luajti me strategjinë e afrimit të “kundërshtarëve” në kulmin e fushatës, kur partia mund t’i kthehej kundër dhe fitoi.
Çfarë e pengon tani që është lideri absolut dhe që sheh se edhe burimet njerëzore të PS po shterojnë, të “hapë” partinë dhe, në emër të integrimit në BE dhe prezantimit me një fytyrë të re, të afrojë opozitarë të moderuar?
Apo në qeveri të fusë edhe teknokratë, qoftë edhe nga parti të tjera apo të paangazhuar?
Hipoteza janë, por, PO SIKUR?
Koha do ta tregojë…

Arrestohet në Abu Dhabi Dritan Gjika, kreu i mafies shqiptare në Ekuador

Është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dritan Gjika, i njohur edhe si kreu i mafies shqiptare në Ekuador.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Brendshme e Ekuadorit, e cila me anë të një postimi në X thotë se arrestimi i Gjikës u bë gjatë një operacioni ndërkombëtar të zhvilluar sot (26 maj).

Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.

Sipas autoriteteve ekuadoriane, 47-vjeçari shqiptar drejtonte një organizatë kriminale që vepronte në Ekuador dhe Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha droge në Amerikën Qendrore dhe Evropë.

Ministria e Brendshme tha në një deklaratë se “Dritan Gjika është bërë një nga burrat më të kërkuar në vend” për trafikimin e drogës, pastrimin e parave dhe operacionet e krimit të organizuar.

Në shkurt të vitit 2024, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ekuadorit e quajti atë udhëheqësin e operacioneve të mafias shqiptare në vend, por ai nuk mundi të gjykohej sepse ishte i arratisur.

Në janar të këtij viti, një gjykatë ekuadoriane kundër korrupsionit dënoi tetë persona me afërsisht 17 vjet burg. Ata ishin pjesë e një organizate kriminale të lidhur me mafian shqiptare.

A ka fuqi vetëkorrigjuese pushteti i shumtë?

Nga Namir Lapardhaja

“Do ta përdorim mandatin e katërt si fuqi vetëkorrigjuese” – u shpreh Edi Rama në festën e organizuar me rastin e marrjes së mandatit të katërt.

Në po të njëjtën ditë “Eurostat” raportoi se është rritur ndjeshëm numri i kartave blu për shtetasit shqiptar në vendet e BE-së. Për ata që nuk e dinë, nuk është gjë tjetër vetëm se leje pune për punonjësit me kualifikime të larta, të cilët, në pamundësi për të gjetur vetveten nën qeverisjen e ‘ndritshme‘ të Edi Ramës, marrin rrugët, edhe pas investimit të madh për arsimim që kanë bërë në vendin e tyre.

Pavarësisht këtij fakti, le t’i kthehemi analizës sonë, që ka të bëjë me aftësinë vetëkorrigjuese të pushtetit. A mund ta ketë këtë aftësi një pushtet kaq i gjatë? Përgjigjen më të mirë të kësaj pyetjeje e ka dhënë Balzaku te « Lëkura e shagrenit », sipas të cilit, pushteti sado i madh që të jetë, nuk të mëson se si ta përdorësh atë, sepse ai të lë ashtu siç je prej natyre.

Jo vetëm kaq, por pushteti, në vetvete, ka aftësi korruptuese, ndërsa një pushtet i shumtë këtë aftësi e ka edhe më të madhe.

Në këtë kuptim, mandati i katërt i Edi Ramës nuk do të prodhojë vetëm se aftësi më të madhe korruptive, arrogancë më të madhe dhe eksod të vazhdueshëm të njerëve me kualifikime të larta, por edhe pa to.

Me këmbë në tokë

Muajin maj, Shqipëria e përjetoi si një skenë e madhe europiane: samiti i lartë i Procesit të Europës Politike, mbajtja për herë të parë e disa etapave të Giro d’Italia, ndezën atmosferën në kryeqytet, Durrës dhe Vlorë.

Shqipëria u shfaq në ekranet ndërkombëtare si një vend me ritëm dhe ambicie. Ishte një muaj i mirë për imazhin – dhe kjo nuk është pak për një vend të vogël që kërkon të dëshmojë se është pjesë e rrjedhave europiane.

Por ndërkohë që dritat dhe spektaklet e rrugës krijuan ndjesinë e një Shqipërie të re, energjike dhe të buzëqeshur, pasi u shuan, u kthyem sërish me këmbë në tokë.

Ekonomia shqiptare, si edhe përpara shfaqjes së mësipërme, është larg të qenët e qëndrueshme. Euro e dobët po dëmton eksportuesit e vegjël dhe prodhuesit vendas, ndërkohë që paketa e ndihmës për ta është ende e paqartë.

Janar – prill 2025, investimet kapitale në nivelin më të ulët që nga 2010-a
Të dhënat e fundit të muajit prill treguan se shitjet jashtë vendit iu rikthyen rënies me 4.5%, pas një tendence pozitive që zgjati shumë pak.

Kullat që ngrihen me shpejtësi në qendër të qytetit mund të jenë spektakël arkitektonik, por ato nuk flasin domosdoshmërisht për rritje të mirëqenies së përgjithshme. Ato shpesh janë dëshmi më shumë e grumbullimit të kapitalit sesa e shpërndarjes së tij.

Turizmi, që mbetet një nga sektorët më të përfolur dhe më të shfrytëzuar në retorikën zyrtare, ka ende një rrugë të gjatë përpara për t’u bërë vërtet cilësor dhe elitar.

Rritja e numrit të turistëve nuk duhet të na mashtrojë në lidhje me cilësinë e shërbimeve, mungesën e infrastrukturës, transportin publik që lë për të dëshiruar, apo mbingarkesën e trafikut urban – që këtë maj ishte një “ferr” më vete në qytetet e mëdha.

Çmimet e lira të akomodimit dhe të bareve e restoranteve, në raport me shtetet e tjera të Europës, mbeten avantazhi kryesor që po tërheq të huajt në vend, – krahas bukurive natyrore, – por shtrenjtimi i vazhdueshëm i tyre mund ta bëjë sektorin të paqëndrueshëm.

Përtej statistikave zyrtare, varfëria mbetet e lartë, veçanërisht në zonat rurale.

Të dhënat e fundit të INSTAT dhe Eurostat treguan se Shqipëria kryesoi Europën për nivelin e lartë të popullsisë, rreth 42%, që është në rrezik për të qenë e varfër, pasi vuan nga një formë e rëndë e përjashtimit social më 2024.

Të dhënat referojnë se më shumë se 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë, në një tregues se rritja e deritanishme nuk ka prodhuar mirëqenie dhe ka shtuar pabarazinë.

Në kontrast me kullat e projektuara nga archistar, qytetarët shqiptarë, sot, vijojnë të paguhen më pak në Europë, dhe duhet të punojë shumë më tepër se një dekadë më parë për të blerë një apartament. Për ironi, edhe kjo (shtrenjtimi i fortë i apartamenteve) quhet arritje!

Rënia e lindjeve është një tjetër alarm që nuk mund të injorohet – një pasojë e drejtpërdrejtë e pasigurisë ekonomike, emigrimit dhe mungesës së perspektivës afatgjatë.

Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se ritmet e rënies së lindjeve janë përshpejtuar dukshëm, duke paralajmëruar një krizë demografike në të ardhmen.

Edhe në kryeqytet, i vetmi që ka pasur rritje të popullsisë për shkak të migrimit të brendshëm, rëniet ranë me 18% në tremujorin e parë 2025.

Në këtë kontekst, duhet të kuptojmë se fasadat dhe festat janë të rëndësishme për moralin dhe imazhin, por jo të mjaftueshme.

Politikat duhet të shkojnë përtej dekorit: të prekin ekonominë reale, jetën reale, të japin zgjidhje për familjet që sot shpenzojnë gjysmën e të ardhurave për t’u ushqyer, për bizneset që nuk eksportojnë dot më me fitim, për të rinjtë që nuk lindin më në këtë vend, por zgjedhin të lindin një jetë të re jashtë tij.

Shqipëria e këtij fillim maji ishte e bukur – po. Por që ta bëjmë vërtet të jetueshme për të gjithë, duhet ta shohim me një mendje që shkon përtej spektaklit./Monitor

Parashikim i zymtë i ish-kancelares Angela Merkel mbi të ardhmen e BE-së

Europa mund të shkatërrohet. Është ky parashikimi i zymtë që ka bërë ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në prezantimin e librit të saj me kujtime, të titulluar “Freedom”. Ish zonja e hekurt ka thënë se shtrëngimi i politikave të migracionit dhe kufijve në nivel kombëtar mund të kërcënojë seriozisht mbijetesën e Bashkimit Evropian, duke komentuar lëvizjet e fundit të Berlinit për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve.

“Nuk besoj se mund ta luftojmë me vendosmëri migracionin e paligjshëm në kufirin gjermano-austriak ose gjermano-polak… Gjithmonë kam qenë në favor të zgjidhjeve evropiane”, tha Merkel, duke komentuar masat e miratuara së fundmi nga kabineti i kancelarit Friedrich Merz.Masat e reja, të cilat u prezantuan nga Ministri i Brendshëm gjerman në fillim të majit, ndalojnë paraqitjen e kërkesave për azil në të gjitha kufijtë tokësorë të Gjermanisë, shkruan A2 CNN. Kjo është një kthesë e mprehtë nga politika e hapur e vitit 2015, e cila u zbatua më pas nga Merkel. Përjashtime bëhen vetëm për fëmijët, gratë shtatzëna dhe kategoritë e tjera vulnerabël.

Merkel vlerësoi se ky vendim vë në pikëpyetje lirinë e lëvizjes brenda BE-së dhe stabilitetin e zonës Shengen, e cila lejon udhëtimin pa viza në shumicën e shteteve anëtare. “Nëse kjo praktikë vazhdon, mund të dëshmojmë shpërbërjen e Evropës”, paralajmëroi ish-kancelarja.

Politika e dyerve të hapura e Merkelit e vitit 2015 u kritikua ashpër kur më shumë se një milion refugjatë hynë në Gjermani gjatë krizës së emigrantëve. Sot, Gjermania mbetet destinacioni kryesor për azilkërkuesit brenda BE-së – vetëm në vitin 2023, u paraqitën më shumë se 237,000 aplikime, një e katërta e totalit në nivel të Unionit.

Kancelari aktual Friedrich Merz premtoi të shtrëngojë kontrollet kufitare gjatë fushatës përpara zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit, në një kohë kur Alternativa për Gjermaninë (AfD) e krahut të djathtë ka parë një rritje të fortë të mbështetjes për politikat e saj anti-imigracion.

Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi?

Nga Alban Daci

Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që e mori partinë me pretendimin për ta riformuar e në fakt nuk bëri asgjë përveç se rikonfermoi?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që nuk bëri asnjë lloj tentative për listat e hapura, por hyri në zgjedhje me lista të mbyllura duke mbrojtur status-quon?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që miratojë këtë Kod Zgjedhor duke i dhënë “primin” Qeverisë që i ka dhuruar në tavolinë më shumë se 13 mandate që nuk pasqyrojnë përfaqësimin në raport të drejtë me votuesit?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që mori partinë me pretekstin se paraardhësi nuk e munde dot dhe këto do e rrëzonin për 6 muaj e fakt nuk ndodhi?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që thoshte se do e mundte Ramën me “Mosbindjen” civile dhe do të merrnin qeverinë teknike dhe nuk ndodhi?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që akuzonte paraardhësin për tradhtar dhe bashkëpunëtor me Ramën, kur në fakt me këtë të fundit bënë Amnistinë dhe aprovuan Kodin Zgjedhor?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që për luftuar paraardhësin e tij futi në Statut “Nenin Basha” që ai që humb zgjedhjet jep dorëheqjen dhe largohet e në fakt nuk po ndodh?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që e mori Partinë me idenë se do të bënin protesta të mëdha dhe të ashpra e sipas tyre ndryshe nga paraardhësi që i “fikte” e në fakt pjesëmarrja e protestat është gjithnjë e më e vogël?
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që thoshte do e marrim PD dhe nuk do të hyjmë në zgjedhje me Ramën e në fakt hynë dhe humbën!
Pse duhet t’i imponohemi një lidershipi që mori partinë me garancinë që do të mbronte votën e qytetarëve dhe sot kauzë kryesore të humbjes së zgjedhjeve ka pikërisht faktin se: “Rama ka vjedhur zgjedhjet”?
Çështja e lidershipit nuk është më një mekanizëm as statusor as demokratik, por imponim përmes ekuilibrave të forcave duke dëshmuar se ata përtej gjithçkaje do e mbajë partinë, sepse munden ta bëjnë?
Përderisa nuk ka më asnjë logjike as statute e as realiteti, atëherë është e kotë që të përpiqemi të gjejmë zgjidhje brenda atij subjekti përderisa ky i fundit nuk konsiderohet më një grupim vullnetar, por thuajse një pronë private me të drejta vetëm për ata që posedojnë.
Politika nuk është monopol e nuk mund të jetë e drejtë ekskluzive e vetëm disave! Kushdo ka të drejtë të hyjë në politikë aktive dhe të bëj ofertën e tij politike. Nuk ka tradhtar në politikë, por ka politikanë!

Rritja e çmimeve të shportës dhe kostoja e jetesës, Shqipëria e dyta në Ballkan!

Në një renditje prej 40 vendesh të analizuara, Shqipëria pozicionohet në vendin e 10-të për rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve gjatë dhjetë viteve të fundit.

Pavarësisht ritmeve pozitive të rritjes ekonomike, të reflektuara në projeksionet e institucioneve makroekonomike ndërkombëtare, qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballen me vështirësi në përballimin e kostove bazë të jetesës.

Sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, që nga viti 2015, indeksi i çmimeve për shportën e konsumit në Shqipëri është rritur me 167%.

Ky nivel e rendit Shqipërinë të dytën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas Serbisë, ku çmimet janë rritur me 175%.

Kosova pason me një rritje prej 154%, ndërsa Mali i Zi shënon një rritje prej 153% për të njëjtën periudhë.

Në krye të listës ndodhet Turqia, me një rritje dramatike prej rreth 1.600% të çmimeve të produkteve bazë që nga viti 2015.

Në të kundërt, Zvicra është vendi me stabilitetin më të lartë të çmimeve, duke regjistruar vetëm 105% rritje në dhjetë vite.

Pas Zvicrës, vendet me tregje më të qëndrueshme janë Irlanda, Qipro dhe Finlanda, ku rritja e çmimeve të ushqimeve nuk ka kaluar pragun e 120%.

Ndërkohë, paga mesatare bruto në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, është rreth 77.500 lekë ose 770 euro në muaj.

Në krahasim, në Serbi kjo shifër arrin në 1.150 euro, duke reflektuar një dallim të ndjeshëm në fuqinë blerëse.

Presionet inflacioniste të shkaktuara nga pandemia dhe lufta në Ukrainë kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen globale të çmimeve.

Megjithatë, masat fiskale dhe politikat monetare të zbatuara nga qeveritë dhe bankat qendrore kanë përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nivelin e ndikimit tek konsumatorët në secilin vend./EuronewsAlbania

Macron: Trump po fillon t’i kuptojë gënjeshtrat e Putinit për Ukrainën

Donald Trump po fillon të kuptojë disa “aspekte të gënjeshtrave të udhëheqësit rus Vladimir Putin në lidhje me Ukrainën”, theksoi Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Vietnam.

 

Presidenti francez e bëri këtë deklaratë pas një postimi të Trump në rrjetet sociale, në të cilin Presidenti amerikan vlerësoi se Vladimir Putin është “çmendur plotësisht” , duke u pozicionuar kështu për sulmet masive ajrore ruse kundër Ukrainës gjatë fundjavës.

Ai shtoi se shpreson që zemërimi i Trump ndaj Putinit “të shndërrohet në veprim“.

Osmani në Asamblenë Parlamentare të NATO-s: Paqja nuk vjen duke qëndruar e izoluar, por përmes aleancave

Marrëdhëniet e dëmtuara me SHBA-në gjatë qeverisë Kurti, madje të cilësuara nga Richard Grenell, emisar për misione të posaçme të administratës Trump, si më të këqijat në 35 vitet e fundit, duket se po përpiqet ti ribalancojë presidentja Vjosa Osmani.

Paqja nuk vjen duke ecur vetë apo duke qëndruar e izoluar, por përmes partneriteteve dhe aleancave. Ky ishte mesazhi i Osmanit nga darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Osmani shprehu mirënjohje për rolin e shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.

“Mbi të gjitha, ne i detyrohemi një falënderim burrave dhe grave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, edhe ata në uniformë, edhe diplomatët në kostum, që qëndruan me neve në momentet më të vështira. Ushtarët e SHBA-së dhe NATO-s erdhën jo vetëm si paqe-bërës, por si heronj, si mbrojtësit tanë dhe si shokët tanë. Në momentet tona më të brishta, prezenca e tyre u bë strehë jo vetëm për shtëpitë tona por edhe ëndrrat tona, sepse falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një komb i tërë pati guxim të ngrihej nga hiri”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë në ato qe i quajti orët më të vështira të historisë se Kosovës.

“Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO; përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë”, është shprehur ajo.

Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, edhe pse Kosova nuk është ende pjesë e Aleancës ushtarake.