30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Krimet e komunizmit/ Tufa lexon raportin në Kuvend: Ish-sigurimsat të largohen nga administrata, shpërthejnë socialistët

Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit gjatë paraqitjes së raportit vjetor në Parlament ka kritikuar krerët e institucionet shqiptare se nuk kanë marrë masa për të larguar ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit nga postet drejtuese.

Sipas Tufës, ish-oficerëve të Sigurimit po u krijohet mbrojtje dhe po u lejohet të mbajnë postet drejtuese në administratën shtetërore.

Sipas drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, institucionet shtetërore nuk denjojnë të kthejnë përgjigje për ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit, qoftë dhe për përputhshmërinë e diplomave që mbajnë postet drejtuese.

Për Agron Tugën për këto ish-oficerë kërkoi të ndiqet shembulli i Gjermanisë.

“Mënjanimi i ish-oficerëve të Sigurimit të shtetit të cilët janë në institucionet shumë të rëndësishme që financohet nga buxheti i shtetit, kanë arritur një nivel tejet të lartë, absurd dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike.

Me përjashtim të fare pak institucioneve në varësi të Kuvendit apo Kryeministrit, pjesa dërrmuese e institucioneve të varura dhe të pavarura të shtetit, as denjojnë t’i binden ligjit për informimin, duke shkelur kështu çdo të drejtë Kushtetuese mbi informimin.

Ne jemi të bindur se krerët e këtyre institucioneve i mbrojnë haptazi, e madje me arrogancë ish oficerët e sigurimit në poste drejtuese, kjo është e amoralshme sepse ky kontingjent nuk e ka vendin në institucionet e shtetit tonë demokratik, qoftë edhe për pa përputhshmëri diplome.

Në mënyrë të ngjashme ka vepruar Gjermania e cila e ka bërë fakt këtë edhe pa ligj lustracioni, duke mos i njohur diplomat e kësaj kategoria dhe praninë e tyre në administratë”, tha Agron Tufa në Parlament.

Tufa i ka kërkuar Parlamentit që të bëjë një ligj të veçantë për largimin nga administrate publike të të gjithë ish-sigurimsave. Ai përmendi ligjin gjerman që laroi nga sistemi të gjithë agjetntët e sigurimit. Propozimi i Tufës ka ngjallur reaime të ashpra tek deputetët socialist.

Tufa ka bërë publike të gjithë veptimtaritë e ISSK, ku ka shtuar se janë botuar disa libra dhe janë bërë dhjetra aktivitete për të njohur periudhën e kominizmit.

“Botimi i 11 librave të rinj, me dokumente shkencore. Botimi i vëllimit të kolanës së 7-të të fjalorit enciklopedik të viktimave të komunizmit”, tha ndër të tjera Tufa.

Raporti vjetor i ISK-së është prezantuar në Komisionin e Ligjeve rreth një muaj më parë, ku Agron Tufa shpjegoi veprimtarinë e institucionit për vitin 2018 si edhe zbatimi i rekomandimeve të lëna për atë vit. Komisioni i Ligjeve, në një seancë tjetër, mori në shqyrtim rezolutën për Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ku ishte hartuar edhe një rezolutë.

DEBATI

Raporti vjetor i Agron Tufës është pritur me debate në Parlament. Konflikti ndërmjet tij dhe maxhorancës nisi pas qëndrimit që Spartak Braho mbajti në Komisionin e Ligjeve, ku theksoi se Tufa e ka kthyer institutin në seksion të Ballit Kombëtar dhe se do të propozonte shkarkimin e tij.

“Ky institut me Agron Tufën në krye është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, përfshirë Luftën, heronjtë. Nuk ka asgjë shkencore në analizat që ka bërë ky institut. Ky është thjesht një institut studimi, s’ka pse të ngatërrohet me politikën. S’ka pse operon me terminologji lustracioni, sepse lustracioni është i ndaluar me ligj. Ka shumë helm në veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte, nuk e votoj këtë rezolutë, madje do kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes”, ka deklaruar Braho gjatë shqyrtimit të rezolutës së parë në Komisionin e Ligjeve.

Agron Tufa, nga ana e tij, e cilësoi këtë si një kërcënim që iu bë atij publikisht. Kësisoj pritet që debati të vijojë edhe ditën e sotme në seancë plenare.

REZOLUTA E KUVENDIT PËR INSTITUTIN PËR STUDIMET E KRIMEVE DHE PASOJAVE TË KOMUNIZMIT

Pikë e shtuar te “Vlerësimi i veprimtarisë” Duke konstatuar nevojën për ndryshime lidhore për miratimin e strukturës dhe organikës së institutit nga Kuvendi, në mbështetje të mbarëvajtjes së punës së institutit;

Pikë e ndryshuar te detyrat e lëna për vitin 2019

Ishte: Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politike realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë, me termin “Armik i popullit” dhe qartësimin e rolit të organizatave të masave në këtë përçarje të popullsisë.

Bëhet: Të studiojë mekanizmat që u përdorën nga organet shtetërore dhe partiake për të krijuar hendekun ndërmjet kundërshtarëve politikë realë apo potencialë me pjesën tjetër të popullsisë.

Pikë e shtuar te detyrat e lëna për vitin 2019:

Të qëndrojë strikt në qasjen e institutit drejt studimit, duke shmangur interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike.

 

Protesta/ Minatorët përplasen me policinë para Parlamentit

Një grup minatorësh po zhvillojnë një protestë para Parlamentit. Ata kërkojnë miratimin e statusit, ndërsa janë kundër projekt ligjit që pritet të miratohet sot në Parlament.

Ndërkohë ata janë përplasur edhe me forcat e policisë të vendosura para Kuvendit të cilat nuk i kanë lejuar protestuesit ti afrohen godinës.

Minatorët protestojnë lidhur me “statusin e minatorit” për të cilin thonë se janë mashtruar dhe nuk janë vlerësuar në raport me punën që kanë bërë.

“Ne kërkojmë djersën, ne kërkojmë hakun”, ishin disa nga thirrjet e minatorëve.

Shembet Komisariati nr.6, u inagurua nga Lleshi në janar

Hyrja e godinës së Komisariatit numër 6 në kryeqytet është shembur ditën e djeshme, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Ndërkohë sot janë vendosur skelat dhe po punohet për rikonstruksionin e pjesës hyrëse ku ndodhi dhe incidenti. Ky komisariat u inaugura rreth 4 muaj më parë, në janar të këtij viti nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Drejtori Veliu do të deklaronte se godina e re e Komisariatit, u ndërtua me fondin e buxhetit të shtetit prej 239 milion lekë me një sipërfaqe ndërtimore prej 2619m², të cilat do të shërbejnë për rreth 150 punonjës policie.

Ikje nga kolera, Shqipëria e para në botë me rrudhjen më të madhe të popullsisë

Varfëria dhe më pas liria për të lëvizur e kanë nxitur një pjesë të popullsisë së Ballkanit të emigrojë, por në Shqipëri kjo tendencë është shumë më e lartë, pas viteve ’90, ndonëse vendi ynë nuk ka pasur konflikte lufte, si pjesa më e madhe e shteteve fqinjë. Për më tepër dëshira për të ikur është ringjallur dukshëm vitet e fundit, siç tregojnë dhe kërkesat e larta për azil, ku Shqipëria në vitin 2018 ishte e para në botë për numrin e popullsisë (6.6 aplikime për 1,000 banorë, dhe e dyta pas nesh është janë gjeorgjianët, me 4.6 aplikime për 1000 banorë, të ndjekur nga sirianët, me 4.4 aplikime).

Në total nga viti 2001, rreth 214 mijë persona kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, duke kulmuar në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, sipas të dhënave të mëparshme të Eurostat.

Kjo mani për të ikur po reflektohet dhe në shifrat e popullsisë.

Të dhënat e fundit të Eurostat për vendet potenciale kandidate për në Bashkimin Europian tregojnë se Shqipëria ka shënuar tkurrjen më të madhe të popullsisë nga migracioni neto në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, për të dy vitet që janë marrë referencë, si në 2007 ashtu dhe në 2017, teksa më shumë persona ikin, sesa kthehen.

Shqipëria, së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi është një nga tre vendet që raporton normë negative të migracionit netor për vitin 2017, por Eurostat thekson se kjo tendencë është shumë më e lartë në Shqipëri, me një migracion netor prej −5.2 për 1 000 banorë, e ndjekur nga Kosova me rreth -3 për 1000 banorë dhe Mali i Zi me më pak se -2 (shih grafikun).

Për Turqinë norma neto e migracionit ishte pozitive (1.6 për 1.000 banorë),  ndërsa për Maqedoninë, Bosnjën dhe Serbinë, flukset migratore pothuajse nuk kanë ndryshuar.

Në kahun tjetër, Shqipëria vijon të ketë një shtesë natyrore pozitive, ndonëse minimale, me lindjetqë i kalojnë vdekjet dhe norma natyrore e ndryshimit të popullsisë ishte rreth 3 për 1,000 banorë.

Shtesa natyrore e popullsisë është veçanërisht e lartë në Kosovë dhe Turqi, ku norma natyrore e ndryshimit të popullsisë ishte 11.4 për 1 000 banorë në Kosovë dhe 10.8 për 1 000 banorë në Turqi. Në kontrast, vdekjet në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi i kalojnë lindjet dhe si rrjedhojë shtesa natyrore e popullsisë ra me 2.0 për 1 000 banorë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe me 5.5 për 1 000 banorë në Serbi.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria ka një normë bruto të lindjeve prej 10.7 për 1,000 banorë, duke u renditur e katërta pas Kosovës (16.8), Turqisë (16.1), Malit të Zi (11.9), ndërsa në fund renditet Bosnja (8.3).

Për vdekjet kryeson Serbia me 14.8 vjekje për 1,000 banorë, ndërsa Shqipëria renditet e katërta, pas Malit të Zi (10.5), Bosnjës (10.4), Maqedonisë së Veriut (9.8). Norma më e ulët e vdekjeve është në Kosovë (5.4).

Serbia ka dhe popullsinë më të plakur, me 20% të saj që është mbi 65 vjeç, por ky tregues mbetet i lartë dhe për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi me rreth 15.16%. Më e ulëta, pesha e popullsisë mbi 65 vjeç është në Kosovë dhe Turqi, me rreth 10%.

Turqia dhe Kosova kanë dhe popullsinë më të re, me 23-25% të saj që e zënë të rinjtë nën 15 vjeç, ndërsa në Shqipëri, pesha e atyre që janë nën 15 vjeç ishte rreth 185 në 2017-n. /MONITOR

Deutsche Welle: Përse Shqipërisë mund t’i shtyhen sërish negociatat!

Nga Anila Shuka, Virtyt Gacaferri

Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë.

Nga Deutsche Welle

Në Gjermani kanë dalë në pah kohët e fundit dallimet mes Partisë Socialdemokrate dhe Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial. Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Welle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane. Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje. Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para do kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progresraporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

Shumica e Bundestagut pro anëtarësimit të Ballkanit në BE

Që shumica e Bundestagut është pro perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor në BE, kjo u vu re edhe nga një debat që u zhvillua para ca kohësh (9 maj) në plenum, kur Bundestagut iu desh të merrej me një kërkesë të partisë populiste djathtiste Alternativë për Gjermaninë (AfD). Partia në fjalë kërkonte që Ballkanit Perëndimor të mos i ofrohej anëtarësim, por vetëm “partneritet i privilegjuar”.

Siegbert Droese, folës i grupit parlamentar të AfD-së për çështje të jashtme, tha se sidomos në rastin e Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhej “të ndërgjegjësohej për prejardhjen e saj si një bashkësi ekonomike” dhe të orientohej në ekspertizën ekonomike”. Sipas AfD-së, Ballkani nuk i sjell asnjë përfitim ekonomik tregut evropian.”

Kërkesa e AfD-së tani është duke u shqyrtuar nga komisionet përkatëse, por në bazë të deklaratave të deputetëve mund të thuhet se këtë propozim nuk e mbështet asnjë parti e Bundestagut. “E Majta” është në përgjithësi kritike ndaj politikës së BE-së në Ballkan dhe për pasojë edhe kundër negociatave. Sevdim Dagdelen, deputetja e kësaj partie, e akuzoi BE-në se e trajton Ballkanin si “shesh konfliktesh ndërmjet fuqive të mëdha” dhe jo si “partner me të drejta të barabarta”.

Katër partitë e tjera të përfaqësuara në parlamentin gjerman janë më të moderuara dhe për pasojë pro çeljes së negociatave, edhe pse kanë përfytyrime të ndryshime përsa i përket momentit të nisjes së negociatave dhe shpejtësisë së zhvillimit të tyre.

Liberalët janë më neutralët në këtë pikë dhe nuk hyjnë në debatin se kur duhen çelur negociatat: Thomas Hacker, deputeti i kësaj partie, lavdëroi arritjet e Shqipërisë në procesin e Vetingut: Fakti që mbi 100 gjyqtarë janë kualifikuar, do të thotë se kjo reformë nuk është një tigër pa dhëmbë,” tha ai duke shtuar se “kjo dëshirë për reforma duhet marrë seriozisht”.

Të Gjelbrit, partia më e vogël opozitare, por që sipas sondazheve të deritanishme, pritet të pësojnë rritje në zgjedhjet e Parlamentit Evropian janë gjithashtu, sikurse edhe ministri Roth, ndër përfaqësuesit më të flaktë të çeljes së negociatave: “Besueshmëria e BE-së është e lidhur me mundësinë faktike për të bërë hapa drejt Evropës”, tha raportuesi i kësaj partie për Ballkanin, Manuel Sarrazin. “Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedonisë qysh brenda këtij viti do të jetë prova e lakmusit”, tha Sarrazin.

Veç të Gjelbërve, ministri gjerman i shtetit gëzon edhe mbështetjen e kolegëve të partisë së tij, socialdemokratët, të cilët, siç i tha DW-së, në një intervistë raportuesi i kësaj partie për Ballkanin Perëndimor, Metin Hakverdi, janë për një trajtim njëherazi të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Skeptik ndaj rekomandimit të Komisionit

Këtë e kundërshton Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial, grupi parlamentar i të cilit është më i madhi  në Bundestag: Siç mësoi Deutsche Welle pranë qarqeve të këtij Unioni, ai është marrë vesh brenda vetes që kjo temë të trajohet më 23 shtator, pra, jo në qershor.

Argumenti zyrtar, të cilin e përdori gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama në fund të prillit edhe zëvendëskryetari i këtij grupi parlamentar, Johann David Wadephul, dhe që ai e tha edhe në një intervistë me Deutsche Wellen është mungesa e kohës për të shqyrtuar me kujdes progres-raportet që do të dalin më 29 maj.

Komisioneri Johannes Hahn ishte javën e kaluar personalisht në Berlin, por nuk arriti t’i bindte kolegët e CDU/CSU-së që ta ndryshonin mendimin, duke marrë parsysh rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave qysh në qershor që pritet të jetë si rezultat i raportit. Deputetët konservatorë gjermanë janë në përgjithësi skeptikë ndaj  rekomandimeve të komisionit. Sipas tyre, rekomandimet e zbukurojnë gjendjen objektive që pasqyrohet në raporte. Prandaj edhe deputetët e CDU/CSU-së kërkojnë më shumë kohë për t’i mbledhur të gjitha faktet, që përmban raporti i Komisionit dhe për të nxjerrë konkluzionet, bëhet e ditur nga qarqet e CDU/CSU në Berlin. Të njëjtat burime nuk e përjashtojnë mundësinë që, ndërsa Maqedonia e Veriut të marrë një „po“ të plotë, Shqipërisë t’i formulohen disa kushte, që duhen plotësuar deri sa të çelet kapitulli i parë i negociatave. Edhe komisioneri i zgjerimit la të nënkuptojë në një intervistë me DW se Maqedonia e Veriut nuk mund të penalizohet, për  shkak të Shqipërisë.

Koordinim me Francën

Siç ka ndodhur edhe më parë, deputetët gjermanë të partisë CDU/CSU, pritet ta formulojnë mendimin e tyre edhe pasi të jenë konsultuar më parë me Francën. E kjo është shumë skeptike sidomos ndaj Shqipërisë, bëjnë të ditur, burime të DW në Bruksel. Në parim, Franca, sikurse edhe Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial në Gjermani, duan që njëherë të bëhet konsolidimi i brendshëm i BE-së, e më pas zgjerimi. Po ashtu Franca e sheh zgjerimin si një çështje të brendshme të BE-së, e jo si çështje të jashtme e të sigurisë. Kjo u vu re edhe në Samitin e Berlinit, ku me insistimin e presidentit Macron, zgjerimi nuk u tematizua dhe nuk u ofrua si instrument për zgjidhjen e problemeve në rajon. „Franca është për negociata të shkurtra e efektive, në mënyrë që shtetet aspiruese të jenë më të përgatitura, kur të hyjnë në negociata”,  iu  tha DW-së nga qarqe diplomatike në Bruksel.

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, e cila së paku ka arritur të fitojë pikë me arritjen e marrëveshjes së emrit me Greqinë dhe shmangien e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, duke u bërë kështu edhe vendi i vetëm në rajon pa konflikte me fqinjët, Shqipëria, në sytë e Francës, ka humbur pikë, thonë diplomatët. Kjo, së pari, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të azilkërkuesve nga ky vend. Sipas statistikave të Eurostatit, në vitin 2018 Shqipëria ishte vendi i dytë i prejardhjes së azilkërkuesve në Francë, me 9600 azilkërkues, pas Afganistanit (10 270).

Së dyti, për shkak të „imazhit të keq“ të krijuar nga kontrolli i tregjeve ilegale në Evropë dhe lidhjet e “mafies shqiptare” me trafikime, bëjnë të ditur burimet diplomatike. Kjo është një gjë të cilën Maqedonia Veriore nuk e ka. Prandaj edhe qarqet diplomatike nga Brukseli, thonë se, nëse vjen deri te ndonjë vendim i negociuar politikisht, atëherë çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të jetë më e mundshme se ajo me Shqipërinë.

 

Ish-ministri: Vendi ka nevojë për një Parlament pluralist që bëhet me zgjedhje dhe jo për letra publike…

Kryeministri Rama i drejtoi sot një letër publike kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ku i kërkonte këtij të fundit dialog për zgjidhjen e  situatws politike. Por ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, e ka cilësuar këtë letër publike një tallje dhe muhabet koti.

Manjani u shpreh pwr Ora News se, ftesa për dialog nuk bëhet me letra publike, teksa theksoi se e vetmja gjë që duhet të bëjë Edi Rama dhe që nuk po e bën, është caktimi i një date zgjedhjesh politike.

‘Është tallje. Ftesa për dialog nuk bëhet me letra publike, të jemi pak më seriozë. Ftesa për dialog ka një axhendë, ka një tryezë, ka një datë, ka një orë, ka një gjithëpërfshirje, nuk është vetëm Lulzim Basha. Asgjë e sinqertë, një teatër për të kënaqur ndonjë zëvendësambasador apo ambasador. Muhabet kot. Por theksoj se asgjë të keqe nuk ka nga dialogu. Ajo që i duhet vendit sot është një datë zgjedhjesh.

Këtë e ka në dorë Edi Rama, të mos shkruajë letra fare. Nuk ka asgjë në dorë as Presidenti, as opozita.

Opozita po bën detyrën e vet, dikujt i pëlqen, dikujt jo por kjo është jeta politike. Fundi i historisë është kjo.Shqipëria ka nevojë për një parlament pluralist, parlamenti pluralist bëhet me zgjedhje, asgjë tjetër.

As me deklarata, as me dialog, as me letra publike dhe as me shtëpi publike. Bëhet fare thjesht duke caktuar një datë zgjedhjesh politike, vendi të hyjë në zgjedhje, ta vendosë populli se kush është përbërja pluraliste e parlamentit. Kjo i duhet Shqipërisë”, tha Manjani.

Haradinaj: Nuk flas me Thaçin, është bashkëpunëtor i Aleksandër Vuçiçit…

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për raportet e tij me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Haradinaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se me Thaçin tashmë nuk komunikon.

Shefi i ekzekutivit ka deklaruar se është “i prishur” me Thaçin, por ka theksuar se nuk e ka “personale”.

Haradinaj në emisionin Pressing ka komentuar përplasjet e ashpra mes Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishën.

Haradinaj, kur pyetet nëse mendon se Berisha ka qenë “argat i Millosheviçit”, ashtu siç e quan Thaçi, thotë se kjo nuk mund të qëndrojë aspak.

“Thaçi është bashkëpunëtor i Aleksandër Vuciçit”, ka thënë Haradinaj.

Ai më tej ka treguar një histori që ia ka rrëfyer Berisha për lidhjen e tij me Kosovën që kur ka qenë fëmijë.

“Sali Berisha ma ka treguar një histori me agjin e tij. Më ka treguar se kur ka qenë i vogël ka ecur deri në një kodër në zonës ku ka jetuar. Prej atje ku shihej Kosova. Agja i ka thënë se atje është Kosova dhe ajo është zemra e Shqipërisë”, ka treguar Haradinaj.

Sipas Kryeministrit, kjo tregon se lidhja e Berishës me Kosovën është e thellë dhe ai nuk mund të shihet si bashkëpunëtor i Serbisë asnjëherë.

Haradinaj: Le të qesë Thaçi çkado që ka për mua

Kryeministri Ramush Haradinaj i është përgjigjur akuzave të shpeshta të Presidentit Thaçi për takimet me të ashtuquajturin ‘kokën e Veriut”, Milan Radojçiç.

Thaçi ka folur vazhdimisht për takime të fshehta me Radojçiçin, duke aluduar në Kryeministri Haradinaj.

Haradinaj në emisionin Pressing thotë se nuk ka pasur takime të fshehta me Radojciqin dhe se me të ka bashkëpunuar si zyrtar i Listës Serbe.

“Me pas pasur diçka për mua, m’i kishin qitë. Hashimi cka ka për mua le te qet në tavolinë. Jo vec ai po edhe të tjerët”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk ka ma zyrtar se Vuciqi”, ka shtuar ai.

Sipas Haradinajt, Thaçi po e sulmon pasi po i druhet besimit që ai po ka.

“Është rritur besimi për Ramush Haradinajn dhe për AAK’në”, ka thënë Haradinaj në Pressing.

Përkujtohet 35 vjetori i Revoltës së Qafë Barit…

35 vjet nga revolta e Qafë-Barit, e organizuar më 22 maj 1984, pranë ish-burgut famëkeq ku vuajtën dënimin qindra të dënuar politikë, u vendos sot një memorial në kujtim të këtyre të dënuarve dhe atyre që humbën jetën nga puna e rëndë, apo torturat dhe pushkatimet pas revoltës. Memoriali u vendos gjatë  një pelegrinazhi përkujtimor të organizuar nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK), në bashkëpunim me Fondacionin Kujto.al dhe Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunistë, në ish-burgun e Qafë-Barit në Fushë-Arrëz, ku morën pjesë dhe dhjetëra ish-të burgosur të Qafë-Barit.

Po me nismën e Fondacionit Kujto.al dhe themeluesit të saj, Z. Agron Shehaj, Bashkia Fushë-Arrëz miratoi emërtimin “Revolta e Qafë-Barit” të rrugës që bashkon rrugën nacionale me ish-burgun famëkeq.

Në fjalën e rastit Agron Shehaj i bëri homazh vuajtjeve çnjerëzore, por edhe qendrës heroike të të burgosërve politikë. Duke folur për punën e jashtëzakonshme të Fondaciopnit Kujto.al që ka hulumtuar dhe bëë publike mbi 52 mijëprofile viktimash të komunizmit, të pushkatuar, burgosurapo internuar, ai u shpreh se është detyrë e shtetit shqiptar të zbardhë dhe zbulojë të gjitha viktimat e komunizmit, në mënyrë që jetët e tyre të jenë pjesë e njohur e hsitorisë sonë.

Ndër të tjera Zoti Shehaj u shpreh:

“Sulmet dhe kërcënimet e eksponentëve të lartë socialistë kundër Agron Tufës janë akte agresive që dihet të dënohen në mënryën më të rreptë. Por ato tregojnë se pranimi dhe reflektimi ndaj krimeve të komunizmit është detyrim jo vetëm ndaj viktimave të së shkuarës tonë komuniste, por edhe domosdoshmëri për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike.

Rikthimi në pushtet i njerëzve drejtpërdrejt përgjegjës për krimet nëkomunizëm apo i pinjollëve të tyre krenarë për veprën e baballarëve duhet të jetë alarm për shoqërinë tonë që tregon se kur e keqja tolerohet dhe nuk dënohet ajo kthehet sërish për të na përndjekur.”

Revolta e Qafë-Barit përfundoi me pushkatimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës dhe torturat dhe ridënimin e rreth 10 të burgosurve të tjerë, duke treguar një nga fytyrat më çnjerëzore të pushtetit komunist, përballë të rinjve që refuzuan ridaljen në punë të detyruar, duke organizuar një prej të paktave akte rezistence gjatë viteve të terrorit komunist.

Mjeku Kalo: Na gënjeve për pagat, 1 milionë shuplakat ja ktheve shqiptarëve në fytyrë

Mjeku i mirënjohur Tritan Kalo e ka cilësuar si një tallje të kryeministrit Rama premtimin e tij për tu rritur rrogat me 10 përqind mjekëve.

Një një postim në profilin e tij në facebook, Kalo shkruan se Rama është tallur me mjekët ku pavarësisht se do i rriste me 10 për qind pagat, asgjë deri më tani nuk është reflektuar në llogarinë e tyre të pagave.

Për të vërtetuar këtë gjë, mjeku Kalo krahas shkrimit të tij, ka publikuar edhe faturat dhe të dhëna zyrtare të pagës së tij
“TALLJEN nuku ua kemi për borxh.

Prej Nëntorit 2018 nuk pushuan së rreshturi tamtamet qeveritare për rritjen më të madhe të pagave, prej 10% që prej fillimeve të zhvillimeve Demon-kratike në vendin tonë, efekti i së cilës do të reflktohej në pagën e muajit Prill 2019.

”U mbars mali dhe nuk u polli së paku edhe një mi”, dhe e gjitha kjo tamtamajë rilindase përfundoj në rritjen prej ZERO qindarkash të pagës sime, që jam i sigurtë se pasqyron edhe pagat e mijra e mijra gojëkyçurve/oportunistë/konformistë….

Për të mos dyshuar se bëhet fjalë për një shkrim të një “Kadriu” të “Mediave të Kazanit”, media të cilat kanë mbi 1.5 vite që mi kanë mbyllur dyert e tyre, dhe të bazuar në hamendësi, keni këtu të bashkëngjitura

VKM-në,2- Shtesën e pagës për një Mjek Infeksionist, si dhe 3- Dokumentin Bankar ta pagës sime për muajin Prill 2019….Me përgjegjësi morale dhe juridike ju them sa këtë pagë unë firmos prej shumë e shumë vitesh, dhe ajo NUKU është ndikuar në rritjen e saj aspak ose vetëm “një kafe”, nga VKM-të e pas 23 Qershorit 2013, gjoja se “mjekëve me tituj shkencorë nuk u rritet paga”, EDHE pse po në këto VKM flitet për një shtesë page prej 8.000 lekësh për Mjekët Infeksionistë.

NE nuku qënkemi mjekë si të tjerët, dhe përpjekjet tona për t’u kualifikuar më tej qënkan të ndëshkueshme në sytë e kësaj Qeverije.….Ku janë ato pagat e njëjta me mjekët gjermanë, për të cilat na flet KM-ja…..O tempora, o mores….

Me këtë politikë vlerësuese të punës dhe përpjekjeve të ndërgjegjësuara të MANTELBARDHËVE, nuku do të jetë e largët dita që në tregun e punës së Shëndetësisë Publike dhe jo vetëm, vështirë se do të mbeten mjekë të mirë-kualifikuar për të mbuluar nevojat e Përkujdes mjeksor ndaj populates.

JU faleminderit që ja mbritët t’ua ktheni Shqiptarëve në fytyrën e tyre ato 1.000.000 shuplakat e 23 Qershorit 2013, të cilat ata jua ofruan për të goditur me to fytyrnxirët e Korrupsionit, të Krimit, të Keq-qeverisjes, të Nepotizmit, të Grabitjeve të pasurivë kombëtare, të Kanabizimit të vendit, të Pasigurisë për jetën, të Legalizimit të pronave të grabitura, të zëna apo të vjedhura, të Emigrimit të detyruar nga pamundësija e punësimit si dhe mungesa e zhvillimeve të qëndrueshmë ekonomike të vendit, etj, etj…..Quo vadis Shqipëria ime!!!”-shkruan Kalo.