26.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Basha në Durrës: Ora e ndryshimit po vjen, ky bashkim popullor nuk është parë që në ditët e përmbysjes së diktaturës

Lideri i opozitës, Lulzim Basha po zhvillon një takim entuziast me mijëra qytetarë dhe mbështetës të opozitës në qytetin e Durrësit.

Në fjalën e tij z. Basha theksoi se kauza dhe përbetimi ynë është për të mos hedhur asnjë hap pas në betejën tonë kombëtare, europiane, për Shqipërinë si gjithë Evropa.

Pjesë nga fjala e kryetarit Basha

Dje nuk u përmbajtja dot nga emocionion që më shkaktoi prija e jashtëzakonshme në Berat, sot jam i shtangur dhe i pafjalë nga ky uragan.

Ky uragan që nisi në Maminas me pritjet madhështore të rinisë durrësake dhe ja ku jemi sot nga zerat tuaj, nga kraharorët e durrësakevë të lire, po troketat ora shpresëplotë e ndryshimit të madh që po vjen.

Ditë për ditë sytë e shqiptarëve janë në pasditet ku ne bashkohemi në salla dhe sheshe në numrat të paparë me nje kauzë dhe përbetim për të mos hedhur asnjë hap pas në betejën tonë kombëtare, europiane, për Shqipërinë si gjithë Evropa.

Një bashkim i tillë popullor nuk është parë që në ditët e përmbysjes së diktaturës, që bashkuan shqiptarët në ditët e lirisë.

30 vite kanë kaluar, ëndrra jonë është mbushur me sakrifica, askush më mirë se durrësakët nuk e dinë kur ikën si refugjatë në korrik 1990 ku mijëra të tjerë kapërcyën detin, për nje jetë më të mirë.

U bënë njësh me Europën dhe ndihmuan familjet e tyre në shtrengesë të tmerrshme mjerimi, por ne e dinim atëherë se rrugë tjetër përveç Europës nuk kishte, dhe sot e dimë që nuk ka rrugë tjetër përveç Europës

Dhe shqiptarët e dinë se nuk do ikin më kokëulur që të ushqehet banda në pushtet, kryebanditi dhe më i korruptuari në krye të saj.

Tani e asnjë minutë më vonë ka ardhur koha për një betëjë vendimtare për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa.

Durrësi pritje madhështore Bashës, autokolona e makinave e shoqëron në autostradë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur në autostradë nga qindra automjete dhe qytetarët që mbanin flamujt e Partisë Demokratike.

Basha e ka cilësuar si të jashtëzakonshme këtë pritje, pas asaj që iu bë duitën e djeshme në Berat.

“Ditë e mrekullueshme plot me diell, me shpresë drejt Durrësit. E shikoni se si në Maminas, shpresa e shqiptarëve te ndryshimi ka shkaktuar këtu në hyrje të Durrësit, një hyrjë të paparë në turin tim në Shqipëri, por si dje në Berat.

Është një uragan shprese që po rritet. Kjo që shikoj këtu në hyrje të Durrësit pranë Maminasit do të thyejë çdo parashikim. Numri i automjeteve që kanë dalë të presin është i jashtëzakonshëm. Janë mbi 200 anëtarësime të reja në aktivin e Durrësit”, thotë Basha në një videomesazh që u dërgon live qytetarëve.

Gepostet von Lulzim Basha am Mittwoch, 22. Mai 2019

Thirrja e studentes drejtuar të rinjve: Ata janë askushi, ne jemi rinia që zgjon shpresën…

Klea SPAHO

Deshtake nuk ishim ne qe u çuam, ne qe reaguam per te ardhmen tone por ti, ti qe s’e le oren e mesimit per nje mungese …
Deshtak je ti qe hap rrjetet sociale dhe komenton ne mos nje student tjetrin.
Je ti qe mendon se te ikesh nga Atdheu eshte me mire se te reagosh e protestosh per te ardhmen aty ku ke lindur…
Nuk jam une deshtake as miqte e mi qe sot reaguan, qe sot u rebeluan per kerkesat qe nuk na u plotesuan.
Per arsimin qe po perdhoset çdo dite.
Per studentet qe marrin valixhet e largohen.
Per nje te ardhme me te suksesshme dhe te mire.
Une SHPRESE e quaj edhe sikur te ishte vetem 1 person, edhe 10 apo e 100, mjafton fryma pozitive qe percjell.
TI DESHTOVE SEPSE TI LEJON QE TE TE KENE PUSHTETARET NE DORE, E JO T’I KESH TI ATA…
Ata jane askushi por ti je RINIA ajo qe zgjon ndjenjen e SHPRESES.
Eshte vetem fillim sepse nje shprehje thote: Gure-gure ndertohet kalaja.
Atehere le te vazhdojme punimet …
#REAGOSTUDENT
#REAGOPEDAGOG
#REAGOPRIND

 

Studentët, 24 orë afat Ramës: Nëse nuk plotëson 14 pikat do të ngrihemi edhe më fuqishëm…

Studentët i kanë lënë 24 orë kohë qeverisë të miratojë kërkesat e tyre ndryshe do të dalin edhe më të fuqishëm në protestat në vazhdim.

Nga 9 kërkesa që parashtruan fillimisht, Këshillat Studentorë kanë parashtruar aktualisht 14 pika, ku kanë shtuar edhe kërkesa të reja të cilat nuk kanë qenë në fillim.

Ndër pikat më të rëndësishme të listës së kërkesave është ulja me 50% të tarifës së Masterit, heqja e tarifave shtesë për provimet e prapambetura, kriteri i gjuhës së huaj të ruhet, por të jepet si provim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja me tarifë të përballueshme prej tyre.

Nga ana tjetër ata kërkojnë gjithashtu investime urgjente në laboratorë e kabinete, rritjen e peshës së votës studentore në 25% por edhe rritjen e pagës për pedagogët.

Ose demokraci, ose alternativa tjetër është kaosi dhe anarkia

Bujar NISHANI

Duke ju falenderuar për ftesën, dëshiroj të shpreh kënaqësinë time për pjesëmarrjen në këtë event të Qendrës Evropiane për Çështjet e Sigurisë të Qendrës Marshall dhe, posaçërisht, për privilegjin që më dhatë për të adresuar në këtë panel.

Tradita e shkëlqyer që është krijuar me takimet e të diplomuarve në Qendrën Marshall duke sjellë në një tryeze të përbashkët diskutimi, shkëmbimi pikëpamjesh dhe adresimesh të përbashkëta, lider politik, aktorë të jetës publike e civile, të vendeve të rajonit tonë dhe politikbërësve Amerikan dhe Gjerman është një shans i mrekullueshëm për të kuptuar më mirë sfidat që na kërcënojnë, realitetet që kemi dhe për t’u qartësuar edhe më shumë në angazhimet e përbashkëta në interes të sigurisë, zhvillimit të demokracisë dhe proceseve të integrimit euro-atlantik të Ballkanit.

Personalisht ruaj kujtimet më të bukura dhe impresionin e madh nga vizita ne Qendrën George Marshall, në Garmish-Partenkirchen në pranverën e vitit 2006 ne cilësinë e sekretarit të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Situata e sotme në Ballkan ishte e paimagjinueshme rreth një dekade më parë kur luftërat, urrejtja, masakrat, genocidi e spastrimi etnik ishte teatri i jetës reale të vendeve dhe popujve të këtij rajoni por edhe në sytë e të gjithë botës.

Konfliktet e përgjakshme në Ballkan ishin ura zjarri me potencial të madh rreziku edhe për vete Evropën. Trafiku i armëve, aktiviteti i lartë krimit të organizuar, flukset e refugjateve përplaseshin e zgjateshin drejt Evropës.

Terreni i pakontrolluar dhe nën konflikt i hapësirës Ballkanike ishte teatri më i favorshëm i të gjithë aktorëve që synonin në fakt destabilitetin dhe krizën e përhershme në gjirin e Evropës.

Marrëveshja e Dejtonit dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë vendosi përfundimisht kursin e normalizimit e nisjen e proceseve pajtuese dhe asociuse të vendeve e popujve të këtushëm në dimensionin e botës dhe kulturës perëndimore.

Sot shumica dërrmuese e vendeve të Ballkanit janë anëtar të NATO-s, proces që me siguri do vijojë të zgjerohet edhe për vendet e tjera të mbetura ende jashtë kësaj familje të madhe transatlantike.

Të gjitha vendet janë të përfshira në procesin e integrimit evropian, një destinacion i natyrshëm dhe pa alternative i këtij rajoni.
Sot bota, mbare njerëzimi dhe rajoni ynë përjeton sfida, kërcënime e rreziqe të ndryshme.

Në tërësi në fondament të këtyre sfidave qëndron urrejtja, mungesa e respektit, mungesa e tolerancës dhe, mbi të gjitha minimi i demokracisë. Zhvillimi, prosperiteti dhe siguria jonë vijojnë të mbeten të sfiduara.

Varfëria, hendeku i zhvillimit kulturor, dobësimi i shtetit ligjor, institucionet e dobëta, kalcifikimi i kulturës se korrupsionit dhe platforma e terrorizmit përbejnë sot sfidat kyçe. Aleanca Trans Atlantike, NATO, rezultoi mekanizmi më efikas dhe më garantues i sigurisë së nevojshme.

Integrimit evropian ku të gjitha vendet tona janë përfshirë është jo vetëm rruga e duhur por dhe alternative e vetme për zhvillimin ekonomik, prosperimin shoqëror dhe maturimin e civilizimit të kësaj gjenerate që po merr tashmë në dorë me shpejtësi fatet e vendeve, popujve dhe shoqërive tona.

Tashmë shembujt pozitivë janë ndër nesh, vullnetet pozitive janë dëshmuar. Por siç historia na ka mësuar, asgjë nuk mund të merret e garantuar, çdo arritje mbetet e sfiduar. Jo çdokush ka interes në sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni.

Jo të gjitha platformat dhe doktrinat përputhen me mirëkuptimin, respektin e ndërsjellë dhe bashkëjetesën. Në rrugëtimin dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne u ballafaquam me tentativa destruktive të minimit të atij procesi nga aktor anti NATO, deri në akte terroriste dhe destabiliteti të sigurisë publike, fqinji ynë, Mali i Zi u sfidua gjithashtu në këtë proces me tentativen e grushtit të shtetit, po ashtu, fqinji ynë tjetër Maqedonia e Veriut u agresua me kolapsin shtetëror dhe institucional për të stopuar aksesin e saj në aleance, Kosova mbahet ende e izoluar përmes lobimeve fragmentare, interesi strategjik i të cilave del jashtë shinave trans-atlantike.

Agresioni anti-perëndim dhe destruktiv sot në Ballkan nuk është më ushtarak dhe militar, por po aq kërcënues dhe i rrezikshëm sa ai, në forma dhe platforma më të sofistikuara dhe që konkurrojnë me sfidat që ndeshen sot shoqëritë tona.

Aleanca Transatlantike dhe Bashkimi Evropian kanë nevojë për aleatë të fortë në sensin e demokracisë, shtet të fortë ligjor dhe të së drejtës, institucione funksionale dhe transparente, ekonomi në zhvillim dhe kapital të shëndetshëm, rend publik garantues të lirive dhe drejtave themelore, standarde të larta dhe të njehsuara të civilizimit dhe kulturës humane.

Për fat të keq, demokracia dhe standartet e saja sot janë targeti kryesor i agresionit destabilizues. Duke nxitur e promovuar modelet autoritariste ne politike, është realizuar më së miri infektimi i sistemit të demokracisë funksionale.

Promovimi dhe nxitja e kulturës së korrupsionit, minimi i institucioneve demokratike, prishja e balancave midis pushteteve, kontrolli politik i medias dhe drejtësisë po rrisin modelet autoritare dhe po i çojnë shoqëritë tona me shpejtësi drejt përçarjes, destabilitetit shoqëror e social.

Kjo tashmë është qartazi një platforme dhe doktrinë që minon thellësisht standardet e kërkuara që aleanca trans-atlantike dhe familja e përbashkët evropiane kërkon.

Nëse vendet dhe shoqëritë tona në Ballkan do vijojnë të mbeten në situatën me institucione të dobëta, ku mungon garancia e mekanizmave ligjore dhe të kolauduar nga standardi perëndimor, ku kultura e pandëshkueshmërisë ndaj korrupsionit dhe filtrimit me botën e krimit të organizuar tolerohet e kthehet në një profil të bashkëudhëtimit me kohën, neve rrezikojmë të humbasim betejën ndaj aktorëve që materializojnë në këtë rast platformën dhe doktrinën e tyre të destabilitetit, prapambetjes dhe shoqërive joimune.

Për fatin e mirë, në dekadën e fundit si rezultat i drejtpërdrejtë i angazhimit amerikan dhe evropian në rajonin tonë është dekurajuar kultura e urrejtjes, luftës, përplasjeve të dhunshme dhe ndarjes etnike.

Dialogu, bashkëpunimi dhe pranimi i tjetrit është kontrastuar më shumë, si vlerë dhe si realitet përfitues për të gjithë.
Jetësimi i këtij modeli është nxitur dhe promovuar veçanërisht në dialogun dhe procesin stabilizues midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke qenë se ky dialog Kosovë-Serbi u kthye në simbolin e një procesi të themelimit të vlerave perëndimore edhe në Ballkan mesa duket u targetua për tu infektuar, dramatizuar, stopuar dhe devijuar tërësisht nga gjeneza e tij e për t’u shndërruar në një mutacion që çonte jo drejt paqësimit e bashkëjetesës por drejt “Kutisë së Pandorës”.

Unë besoj plotësisht se vendet dhe shoqëritë tona në Ballkan tashmë i kanë të gjitha kapacitetet për të identifikuar qartë sfidat që na kërcënojnë, i kanë padyshim dëshirat dhe aspiratat më normale të mundshme për prosperitet e civilizim, kanë në tërësinë e tyre orientimin e duhur për t’i adresuar ato por janë në pamundësi për ti sfiduar të vetëm ato.

Vëmendja dhe angazhimi Euro-Atlantik në hapësirën lindore të Evropës dhe në krahun juglindor të sigurisë trans-atlantike mbeten jetësore dhe të pazëvendësueshme.

Platformat terroriste nuk janë zhbëre plotësisht, veprimtaria e krimit të organizuar është bërë më agresive, zhvillimi ekonomik mbetet i brishtë dhe i agresuar nga kaosi, gjenerata e re e rrethuar me shumë dilema sociale e shoqërore, ekstremet e majta dhe të djathta politike tentojnë të gjenerojnë sa më shumë të jetë e mundur populizmin pa zgjidhje, oligarkia financiare tenton të dominoje shoqëritë me demokraci hibride.

Në këtë kontekst Demokracia mbetet në gjykimin tim çelësi i suksesit në përballjen e sfidave. Demokracia nuk mund të dështojë, alternative e saj e vetme është kaosi dhe anarkia. Në një ambient ku do të prevalojë kaosi dhe anarkia autoret e doktrinave të destabilitetit dhe minimit të perspektivës euro-atlantike të rajonit tonë do të dilnin fitues.

Ndaj duke ruajtur dhe konsoliduar gjithmonë e më shumë demokracinë si vlere, si dimension, si mjet dhe si realitet do te kemi krijuar ambientin më të përshtatshëm që të gjitha qasjet dhe mekanizmat tanë të funksionojnë dhe garantojnë prosperitetin dhe civilizimin perëndimor edhe në këtë anë të Evropës.

Berlini i shqetësuar për zgjedhjet europiane

Partitë në pushtet në Gjermani i ka zënë nervoziteti. Në zgjedhjet europiane ato do të humbasin. E qartë është kush do të fitojë. Por e paqartë është si do vazhdohet më tutje.
Koalicioni i madh që qeveris Gjermaninë, ai midis kristiandemokratëve, kristiansocialëve dhe socialdemokratëve mund të humbasë shumë në zgjedhjet europiane që pritet të mbahen ditën e dielë.

Vërtet që zgjedhjet janë për parlamentin europian, por rezultati i tyre “do të ndiqet me vëmendje në nivel kombëtar,” thotë Ursula Münch, drejtoreshë e Akademisë për Formimin Politik në Tutzing. Ajo mendon se CDU, CSU dhe SPD do të pësojnë rënie. Prandaj nervoziteti është i madh.

“Këta janë ata që do të humbasin”
Sidomos socialdemokratët rrezikohen të kenë rënie tjetër. SPD pati marrë në zgjedhjet e fundit europiane 27 përqind, kësaj here në sondazhe ata kanë nivel më të ulët. Përveç kësaj, për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, socialdemokratët nuk do të jenë më një nga dy partitë që marrin maksimumin e votave në zgjedhje që zhvillohen në nivel federate.

Për SPD kjo do të ishte “dramë e pakrahasueshme”, thotë Ursula Münch. Partia më e vjetër e Gjermanisë do të shihet me syrin “këta janë humbësit”. Në parti do të shpërthejnë diskutimet e reja për personelin, drejtimin e partisë dhe pjesëmarrjen në Koalicionin e Madh.

Münch nuk mendon se SPD do të largohet nga qeveria. “SPD mund të nervozohet vetë ose të shohë se si mund t’i ngrejë nervat CDU-së.” Sepse edhe kristiandemokratët i ndjekin me shqetësim sondazhet. Disa prej tyre mendojnë se kursi konservator i shefes së re të CDU, dhe mbase pasardhëses së Merkelit,

Annegret Kramp-Karrenbauer është i gabuar, kurse të tjerët mendojnë se qëndrimi i gjatë i Merkelit në postin e kancelares e dëmton partinë, prandaj bëjnë thirrje për ndryshime. E sigurt është se pas zgjedhjeve do të ketë ndryshime në disa poste ministrash.

Ndryshim i kancelares pa zgjedhje të reja?
Pasigurinë e CDU e treguan edhe fjalët që dolën javën e kaluar. Shumë vetë mendojnë madje se Merkel mund të shkojë në Bruksel dhe postin e saj mund ta marrë Kramp-Karrenbauer. Merkel i përgënjeshtroi menjëherë këto fjalë, por Ursula Münch mendon se as SPD nuk do të pranonte ndryshimin e parakohshëm të kancelares.

Pra ajo që mbetet janë zgjedhjet e reja, për t’i dhënë fund erës së Merkelit? “Nëse CDU fillon të humbasë nervat,” thotë Münch, atëherë do të ekzistonte edhe një mundësi tjetër. Në lojë do të futeshin Të Gjelbërit.

Këtë e konfirmon Ralf Fücks, drejtor i Qendrës për Modernen Liberale dhe ish-politikan i gjelbër. Në afrimin e Të gjelbërve me Aleancën liberale “Renaissance në Europë” të presidentit francez Macron, ai sheh një shanc që del nga “mënyra e moçme e të menduarit”. Kjo krijon mundësi për të patur “alternativë kundrejt Koalicionit të Madh”. Fücks mendon se si në Bruksel ashtu edhe në Berlin mund të ketë aleanca të Të Gjelbërve me liberalët dhe konservatorët ose socialdemokratët.

Fryma e kohës është e gjelbër
Presupozohet se Të Gjelbërit do të dalin shumë entuziastë nga zgjedhjet europiane, sepse për ta çdo gjë është duke ecur drejt triumfit. “Fryma e kohës i jep prioritet Të gjelbërve”, thotë Fücks. Lëvizja “Fridays for Future” e ka kthyer klimën në temë të rëndësishme të politikës në Gjermani.

Të gjitha partitë kanë folur kohët e fundit për ambientin, por vetëm Të Gjelbërve u besohet se edhe do ta bëjnë atë që thonë. Münch mendon se sfida për partinë ekologjike do të jetë “të mos triumfojë dhe aq shumë”.

Por, çfarë do të bëjnë Të Gjelbërit në politikën e brendshme gjermane kur të marrin një rezultat të mirë në zgjedhjet europiane? Fücks beson se Të Gjelbërit do të marrin më shumë mbështetje për temat e tyre, të cilat duhet t’i fusin në axhendën politike.

Por që vërtet të venë diçka në jetë, ata duhet të marrin pjesë në qeverisje. Sipas Ralf Fücks nuk mund ta imagjinojë që Të Gjelbërit “të kthehen në ndihmësa për të marrë shumicën në rast se do të ndryshohet kancelarja, pa zhvilluar zgjedhje të reja.”

Faktikisht në zgjedhjet europiane, Të Gjelbërit mund ta dyfishojnë rezultatin e marrë në zgjedhjet e fundit gjermane më 2017, prej 8,9%, duke lënë mbase mbrapa edhe socialdemokratët.

Por meqenëse të gjitha partitë e tjera do të kenë rezultate më të këqija se 2017, Ursula Münch thotë shkurt dhe saktë: “Të Gjelbërit janë të interesuar të ketë zgjedhje të reja, por asnjë nga partitë e tjera.” As populistët e djathtë të Alternativa për Gjermaninë (AfD), që doli me fitim më 2017.

AfD është njollosur shumë
Dy vjet më parë përfituesi i frymës së kohës ishte AfD. Politika ndaj refugjatëve e Angela Merkelit, diskutimet për terrorizmin dhe sigurinë e brendshme përcaktuan atmosferën politike. Tema e refugjatëve, që ka qenë temë kryesore e AfD, ka humbur rëndësinë në Gjermani për shkak të rënies së numrit të migrantëve.

Po ashtu AfD ka probleme të tjera si afera e sponsorizimeve të partisë, afërsia me ekstremistët e djathtë, “partia thjesht është njollosur shumë”, thotë politologia Münch. Kjo largon shumë zgjedhës.

Por zhvillimet e temave për AfD duhet të jenë mësim edhe për Të Gjelbërit, mendon Münch: “Pak kohë më parë ne nuk patëm menduar se tema e refugjatëve do binte kaq shumë.” Ralf Fücks mendon se Të Gjelbërit duhet të kenë kujdes që pas zgjedhjeve të justifikojnë “kthimin e tyre historik në urë lidhëse” midis “lëvizjeve për klimën dhe institucioneve politike”.

Edhe pas zgjedhjeve është shumë e rëndësishme që brezi i ri të tregojë “aftësinë për të vepruar në demokraci parlamentare.”

Austri, “skenar krize për sistemin politik”

Në Austri kancelarit, Sebastian Kurz mund t’i duhet të lerë postin. Nëse shumica e parlamentit nuk i jep votëbesimin, ai duhet të largohet, por ky nuk do të ishte fundi i karrierës për të, mendon politologu Thomas Hofer.

aDeutsche Welle: Ditën e hënë parlamenti austriak do të votojë ndaj një mocioni mosbesimi kundër kancelarit Sebastian Kurz. Çfarë do të ndodhë nëse ai nuk e merr votëbesimin?
Thomas Hofer: Atëhere qeveria do rrëzohej. Kështu edhe ministri Kurz nuk do të ishte më kancelar. Presidenti duhet të ngarkojë me krijimin e qeverisë një ekspert ose një zyrtar, i cili do të vazhdojë të kryejë detyrën në këtë post. Ky person do të qëndrojë në post deri në krijimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, që do të mbahen në muajin shtator

Kjo nuk ka ndodhur kurrë në Austri dhe do të ishte një skenar krize për sistemin politik. Prandaj tani në sfond është duke u bërë një tërheqje strategjike, janë duke u bërë përpjekje për të ushtruar presion mbi socialdemokratët që të mos e lejojnë heqjen e votëbesimit.

Të gjithë ministrat e partisë FPÖ janë larguar nga qeveria pasi ministri i Brendshëm Herbert Kickl, duhet të dorëzonte postin si pasojë e aferës Ibica. Tani duhet të krijohet një qeveri ekspertësh deri në zgjedhjet e reja të shtatorit. Sa i aftë është një kabinet i tillë për të qeverisur?
Qeveria e përbërë nga ekspertët ka qenë ide e kancelarit Kurz, në mënyrë që ai dhe ministrat e tij nga partia ÖVP të mbajnë postet dhe që postet e mbetura bosh të zihen nga ekspertë ose zyrtarë të tjerë. Nuk pritet të ketë këtu ndonjë bazë të madhe ligjore. Sepse Austria nuk ka përvojë as me qeveri të krijuar nga pakica. Anëtarët e partisë FPÖ ndodhen tani në qëndrim refuzues, sepse janë dëbuar nga qeveria. Prandaj një qeveri e tillë nuk do të ishte e aftë për të vepruar.

Cilat janë pasojat e heqjes së votëbesimit për jetën politike të Austrisë?
Shumë projekte reformuese, që kancelari Kurz ishte duke i shitur si të tilla bashkë me partnerët e FPÖ, do të dështojnë. Nuk duhet harruar se SPÖ është goditur shumë, sepse nismat ligjore janë vënë në jetë me rezistencë të madhe të socialdemokratëve. Projekte që ndodhen tani në procese të kthimit në ligje, do të jetë e vështirë të zbatohen deri në fund.

Shumë gjëra do ktheheshin në zero dhe do të ishte e vështirë të niseshin iniciativa të reja.
Për Kurzin pyetja simbolike do të ishte: A do të shkojë ai në zgjedhje si kancelar apo vetëm si shef i fraksionit të partisë së tij? Kjo do të sillte ndryshime në prezantimin e tij. Dhe kjo sigurisht është një pikë ku SPÖ duhet të ketë kujdes, sepse ajo nuk do që t’i japë Kurzit mundësinë që ta inskenojë veten sërish si kancelar.

Kryetarja e SPÖ, Pamela Rendi-Wagner kërkon që e gjithë qeveria të japë dorëheqjen dhe të zëvendësohet nga një kabinet kalimtar i përbërë prej ekspertëve, pra që të largohet edhe Kurz dhe ministrat e tij nga ÖVP. Sa e mundshme është që të ndodhë kjo?
Kjo varet nga dhënia e mosbesimit. SPÖ ka treguar se ka si tendencë që të përkrahë heqjen e mosbesimit ose që të bëjë vetë një kërkesë për heqjen e votëbesimit. Ka shumë mundësi që një skenar i tillë të bëhet realitet.

Atëherë do i kërkohej presidentit që të ushtrojë edhe më shumë presion mbi SPÖ, në mënyrë që ajo të marrë përgjegjësinë për mbajtjen e shtetit dhe të përkrahë krijimin e kabinetit me pakicën. Por nëse SPÖ nuk do më që Kurz të jetë kancelar, atëherë ajo do të përkrahë heqjen e votëbesimit. Sepse është relavitisht e mundshme që të krijohet një kabinet i përbërë vetëm nga ekspertët. Kjo do të ndodhte për herë të parë në historinë e Austrisë.

Për të përkrahur qeverinë e krijuar nga pakica do të duhej ndihma e SPÖ ose FPÖ. FPÖ nuk e pranon këtë. Mbetet atëherë që të shihet vetëm roli i SPÖ. Heqja e votëbesimit kërkon shumicën, e cila aktualisht ekziston sepse SPÖ dhe FPÖ janë kundër kancelarit Kurz.

Kë mund të emëronte kancelar të përkohshëm presidenti Alexander Van der Bellen?
Kjo nuk është e qartë. Do të duhej të ishte një personalitet i respektuar, që të gëzonte në publik imazhin e një figure mbipartiake. Nuk ka shumë vetë që e plotësojnë këtë kërkesë. Ish presideneti Heinz Fischer e ka bërë të ditur, se nuk do të donte të bënte një gjë të tillë. Ky është një skenar, me të cilin publiku do të merrej kur të bëhet e qartë se Kurz nuk do i mbijetojë kërkesës për të vënë në provë votëbesimin.

Nëse mocioni i votëbesimit do të kishte sukses, do të ishte hera e parë që një kryetar qeverie të hiqej nga posti në këtë mënyrë në Austri. A do arrijë Kurz të përfitojë nga ky dëm politik apo do të jetë ky fundi i karrierës së tij politike?
Nuk mund të flitet për fundin e karrierës. Ai do të vazhdonte të ishte kandidati kryesor i partisë së tij popullore dhe sipas mendimit tim, nuk do të kishte shanse të pakta që të dilte sërish në krye të linjës. Ai do të mundohet të dalë me rolin e viktimës. Nëse SPÖ do të përkrahë heqjen e votëbesimit ndaj tij, atëherë ai do e akuzojë atë se nuk i përgjigjet rolit shtetmbajtës në një situatë krize.

Heqja e votëbesimit ka natyrisht edhe një shans. Pyetja është a ushtrohet sa duhet presion mbi socialdemokracinë dhe se a do të mund ajo të mos refuzojë. Kjo bën pjesë në lojën politike të shahut, ku lëvizja e fundit nuk është bërë ende?
Kjo pyetje do të shtrohet në shtator, kë do të besojnë austriakët më shumë për t’i dhënë të ardhmen e vendit në dorë. Me imazhin që ka Kurz është ende mirë dhe madje mund të shtoje ende pikë nëse i merr ato nga FPÖ. Por është ende herët për të thënë se si do të përfundojnë zgjedhjet, sepse situata është aq e pasigurt sa që është e pamundur të bëhen prognoza të sakta.

Theresa May: Shansi i fundit për të votuar Brexit-in

Kryeministrja britanike, Theresa May u ofroi ligjvënësve një shans për të votuar në një referendum të ri lidhur me daljen e vendit nga Bashkimi Evropian, por vetëm nëse mbështesin planin e saj për Brexit-in.

Zonja May tha të martën se një ligj që ajo parashikon t’ia paraqesë parlamentit muajin e ardhshëm do të përfshijë një klauzolë për të votuar nëse duhet mbajtur ose jo një referendum i dytë për të dalë nga BE-ja, një kërkesë kyçe e shumë ligjvënësve të opozitës.

Kryeministrja britanike ofroi gjithashtu marrëveshje më tërheqëse tregëtare me BE-në si një stimul për atë që ajo e quan “një shans të fundit” për të finalizuar planin e Brexit-it.

Stimujt janë lëshime madhore nga zonja May dhe pjesë e fushatës së saj të fundit për të siguruar mbështetjen në Parlmentin e përçarë dhe për të lënë detyrën me një trashëgimi pozitive.

Një marrëveshje e mëparshme që zonja May e kishte arritur me BE-në, është hedhur poshtë nga ligjvënësit tre herë. Ajo ka në plan t’u kërkojë ligjvënësve të votojnë përsëri javën e 3 qeshorit.

Britania votoi për të dalë nga BE-ja para tre vjetësh dhe ishte parashikuar të shkëputej më 29 mars, por blloku prej 28 anëtarësh e shtyu afatin deri më 31 tetor.

Meta shigjeton Ramën: Politikanë autoritarë po kërkojnë ndryshimin e kufijve

Presidenti Ilir Meta ritheksoi qartësisht se është kundër rishikimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. “Nuk ka komb në Ballkan që ka përfituar më shumë nga rënia e perdes së hekurt.

Ne atë kohë ishim si Korea e Veriut. Dëgjojmë pse mos bashkohen të gjithë shqiptarët? Por pse të mos bashkohen të gjithë serbët, kroatët, boshnjakët dhe këto delirime gjoja patriotike më shumë sesa folklorizëm janë diabolizëm i gjallë.

Është përpjekje e politikanëve autoritarë për t’u shmangur nga llogaria e brendshme për të larguar vëmendjen e opinionit. E bëjnë si në volejboll, njëri pason dhe tjetri zhyt dhe cfarë ndodh? Ikin të rinjtë.

Dëgjojmë që serbët dhe shqiptarët janë popujt kryesorë të rajonit, është tjetër të thuash atë që bëri Franca me Gjermaninë që pas luftës nxorën mësime dhe është tjetër të thuash këtë të Ballkanit, pasi në Ballkan cdo popull është më i madhi, askush nuk pranon.

Nuk rivizatohen kufijtë aq kollaj. Ne e dimë sa marrëdhënie të mira janë mes Malit të Zi dhe Kosovës, por për një marrëveshje demarkacioni e dimë mirë se cfarë ndodhi.

Një pakicë e vogël e bllokoi dhe bëhet fjalë për disa pyje që as qentë nuk jetojnë në dimër dhe jo ku jetojnë njerëz dhe ku ka varre, kisha dhe xhami e amanete. Dua të bëj të qartë, ne i kemi të gjitha mundësitë sikur e kemi treguar që të jemi faktor stabilizues. Kush thotë se do të kufizojmë Tiranën për serbët na fton të shikojmë atë filmin që e kemi parë në Ballkan”.

Haradinaj, taksë 100% “Ramës” nëse nuk heq barrierat ndaj Kosovës

Shqipëria dhe Kosova mbyllen dje një takim për lehtësimin e tregtisë, por duket se në vend të lehtësimit një luftë e re tregtare dhe më e ashpër është shfaqur në sfond.

Angazhimi sipërfaqësor i qeverisë shqiptare për të lehtësuar tregtinë nuk ka funksionuar teksa Kosovës i ka humbur durimi. Nëse Shqipëria nuk heq barrierat penguese për miellin, birrën dhe pataten në dy muajt në vijim qeveria e Kosovës do të aplikojë reciprocitetin në marrëdhëniet tregtarë me Shqipërinë, duke lajmëruar një taksë 100 për qind për prodhimet shqiptare, pohoi Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Tiranës.

Jaka tha se qeveria e Kosovës ka marrë angazhim që të heqë të gjitha pengesat për eksportet shqiptare në Kosovë, por qeveria shqiptare nuk po i plotëson angazhimet e veta në lidhje me disa kërkesa emergjente të konsideruara nga bizneset e Kosovës. Në një sondazh të zhvilluar me bizneset e Kosovës në lidhje me klimën e tregtisë me rajon, Shqipëria është renditur e dyta pas Serbisë për barrierat e larta tregtarë që aplikon më Kosovën. Madje autoritetet atje kanë deklaruar se Shqipëria u rendit gati njësoj se Serbia për barrierat tregtare ndaj mallrave nga Kosova.

Të lodhur nga premtimet boshe, teksa në realitet barrierat tregtare vetëm sa shtohen, qeveria e Kosovës i ka lënë afate Shqipërisë. Nëse për dy muaj nuk lehtësohet tregtia dhe nuk hiqen taksat mbrojtëse për birrën, pataten dhe miellin nga Kosova do të rriten tarifat për të gjitha produktet shqiptare, shkruan monitor.al

Marrëdhëniet tregtare ndërmjet Shqipërisë Kosovës kanë evoluar ngadalë, por përfituese ka qenë më së shumti Shqipëria.
Eksportet drejt Kosovës kanë shënuar një rritje të fortë në pjesën e parë të këtij viti, sidomos gjatë muajit prill, të nxitura nga dy grupe, ai i mineraleve e lëndëve djegëse (kryesisht naftës) dhe materiale ndërtimi e metale, të cilat së bashku zunë 74% të eksporteve drejt këtij shteti për janar-prill 2019.

Sipas të dhënave të INSTAT, në periudhën janar-prill janë shitur në vendin fqinjë mallra me vlerë 8.9 miliardë lekë, me një rritje prej 52% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kosova renditet në këtë mënyrë në destinacionin e dytë të eksporteve, pas Italisë, me 9% të totalit, nga 5.8% që ishte kjo peshë në katërmujorin e parë të vitit të kaluar.

Rritja më e madhe ishte në muajin prill, kur eksportet kërcyen me 70%. Efektin kryesor në këtë rritje e ka pasur grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, që janë katërfishuar për 4 mujorin, duke arritur në 2.3 miliardë lekë. Ky grup ka zënë 26% të totalit të eksporteve.

Rritja e tij lidhet me rifillimin e aktivitetit të rafinerisë ARMO, e cila një pjesë të naftës së përpunuar e çon në Kosovë. ARMO ka rritur prodhimin në vend në muajt e parë të këtij viti, teksa ka marrë më shumë naftë të papërpunuar nga Bankers Petroleum dhe ky i fundit ka ulur eksportet drejt shteteve të tjera.

Grupi më i madh eksportues është “materiale ndërtimi dhe metale”, kryesisht metalet. Eksportuesi më i madh është Kurum, që e ka Kosovën një nga destinacionet kryesore të eksporteve të veta.

Për 4 mujorin, eksportet e materiale ndërtimi dhe metale ishin 4.1 miliardë lekë, me rritje 18% me bazë vjetore. Ky grup zë peshën më të madhe, me 46% të totalit të eksporteve drejt Kosovës.

Shqipëria nuk duket të ketë përfituar shumë nga vendosja e taksës 100% që Kosova i vuri mallrave serbe, pasi rritja e këtyre dy grupeve është ndikuar më shumë nga faktorë të brendshëm, si psh rifillimi i punës së ARMO.

Gjithsesi dhe produktet e tjera kanë shënuar rritje, ndonëse nisur nga një bazë e vogël. Eksportet e ushqimeve e pijeve, ndonëse janë rritur me 38%, duke përbërë rreth 10% të totalit. Produktet kimike dhe plastike u rritën me 60% për katër mujorin, duke zënë 6.2% të totalit.