28.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Visar Zhiti: Revansh i frikshëm i atyre që bënë diktaturën dhe ushtruan dhunë!…

– Mesazh i shkrimtarit Visar Zhiti, ish i burgosur politik i Spaçit dhe Qafë Barit, drejtuar bshkëvuajtsve dhe organizatorëve të veprimtarisë të Revoltave të Spaçit dhe Qafë Barit në Washington D. C., pranë monumentit të Lirisë kushtuar viktimave të komunizmit-

– ZHITI: …Ju po përkujtoni, po nderoni qëndresën duke ngritur lartë atë frymë që i parapriu pranverës demokratike në Shqipëri, që solli ndryshimin e madh, që në themele ka martirizimin e të përndjekurve, vuajtjet e të gjithë shqiptarëve.

….Nuk mund të rrimë pa e thënë se ndodh që pikërisht kjo harrohet dhe nuk janë të paktë përfituesit nga vuajtja e të tjerëve, parti dhe institucione dhe shtoj me keqardhje dhe shqetësim, se ka dhe shenja të një revanshi të frikshëm nga ata që bënë diktaturën dhe që ushtruan dhunë apo pasuesit e tyre….*

Të dashur bashkëvuajtës,

Organizatorë të Veprimtarisë së Shqiptarëve të Amerikës në përkujtim të dy revoltave të të burgosurve politikë

I nderuar Fondacion për Viktimat e Komunizmit në Washington D.C.

E nderuar Vatër, Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA” dhe Gazeta e saj”DIELLI”,
Bashkatdhetarë të dashur,
Miq në Amerikë

Është akt i lartë dhe me rëndësi që ju mblidheni në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Washington .D.C të superfuqisë më të madhe, kampion i lirisë dhe i demokracisë dhe i mbrojtjes së tyre kudo në botë, që të përkujtoni dhe të nderoni pranë Memorialit të Lirisë, kushtuar viktimave të komunizmit, dy revolta të të burgosurve politik në një vend të vogël dhe të largët, në Shqipërinë tonë.

Dy revoltat në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe të Qafë Barit tronditën diktaturën së brendshmi dhe ishin të vetmet kryengritje në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste.
Të burgosurit u ngritën jo vetëm kundër dhunës së rëndë, po dhe kundër mbylljes së Atdheut në bunkerin e diktaturës, duke kërkuar liri, me ëndrrën që Shqipëria të bëhej demokratike.

Regjimi diktatorial i Enver Hoxhës i mbyti këto revolta me gjak dhe hekur, duke vrarë dhe ridënuar të burgosur, madje duke dënuar dhe vetë burgjet. Ne ishim të dënuar në vendin e dënuar.

Dhe ju po përkujtoni, po nderoni qëndresën duke ngritur lartë atë frymë që i parapriu pranverës demokratike në Shqipëri, që solli ndryshimin e madh, që në themele ka martirizimin e të përndjekurve, vuajtjet e të gjithë shqiptarëve.

Nuk mund të rrimë pa e thënë se ndodh që pikërisht kjo harrohet dhe nuk janë të paktë përfituesit nga vuajtja e të tjerëve, parti dhe institucione dhe shtoj me keqardhje dhe shqetësim, se ka dhe shenja të një revanshi të frikshëm nga ata që bënë diktaturën dhe që ushtruan dhunë apo pasuesit e tyre, që tani janë pasuruar apo kanë detyra gjithandej a kanë emigruar në botën Perëndimore, jo në Lindje, jo, nostalgjikë të asaj që historia e hodhi tej duke arritur deri aty sa të guxojnë të persekutojnë sërish të persekutuarit e tyre të dikurshëm në forma të tjera mashtruse.

Ne shpesh ndihemi të nëpërkëmbur e të braktisur, edhe nga vetvetja e lodhur, prandaj kjo që bëni ju sot është dhe shpresë, dhe moral, dhe qortim, dhe qytetari e lartë, mbrojtje e bashkëvuajtësve tuaj në Atdhe.

Nga SHBA gjithëmonë na ka ardhë mbështetja ekzistenciale si komb, frymëzimet për lirinë dhe prosperitetin e vendit. Aq më tepër tani, që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe SHBA-ja e shikon popullin shqiptar si aleat strategjik.

Me kurorat e luleve që keni sjellë sot, lutem që të bashkoni fjalët dhe urimet e mia!
Juaji
Visar Zhiti
Shkrimtar
Ish i burgosur politik i Spaçit dhe Qafë Barit.
Tiranë, maj 2019

* Mesazhi i Shkrimtarit dhe ish të burgosurit politik Visar Zhiti u përcoll gjatë ceremonsië nga Editorja e Gjuës angleze të Gazetës “DIELLI” Rafaela Prifti.

/Vatra/

Malaj kritika të forta Ramës: Vendi nuk qeveriset pa opozitën, duhet qeveri teknike

Ish- ministri socialist i Financave, Arben Malaj, një ndër figurat e rëndësishme në PS i kërkon publikisht Ramës të tërhiqet përkohësisht dhe të japë një zgjidhje për situatën ku po kalon vendi. I ftuar në emisionin “Tempora” mbrëmjen e 21 majit në Oraneës, Malaj tha se Rama duhet të mendojë për trashëgiminë e tij politike dhe të ofrojë një zgjidhje.

Arben Malaj: “Unë publikisht ia kërkoj Edi Ramës. Nuk jam nga ata prapa shpine që ta godasë. Ai duhet të mendojë për trashëgiminë e tij politike. Ai mund të mbijetojë përmes konflikteve por për atë që do të lërë pas, nesër do i vijë turp.

Ai duhet të ofrojë zgjidhje. Zgjidhja, është nëse kemi ngecur dhe ekonomia përditë e më shumë po përkeqësohet dhe kërkohet një qeveri teknike dhe atij nuk i thuhet ik nga kryetar partie, ik nga deputet por i thuhet krijo një spacio për disa muaj, që vendi të fitojë një besim tjetër nga politika, sepse akuzat nga të gjitha krahët, jo vetëm PD ndaj PS por dhe PS ndaj PD, i gjithë ambienti politik ka arritur në një pikë që kredibiliteti publik i njerëzve tek politika është minimale. Të tërhiqet përkohësisht.

Më tej i kujton zgjedhjet e 2005 kur PS u tërhoq për të mirën e vendit.
Arben Malaj: Apeli im publik edhe për Ramën. Ai mund të bëjë çfarë të dojë me pushtetin e tij por nuk qeveriset më pas zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës. Në 2005 PS kishte mundësinë të merrte mandatin e tretë dhe është lëvizur për 2-3 vota dhe në balotazh.

Ne kemi diskutuar brenda PS-së – dhe ishte koha që ne vajtëm në zgjedhje me protesta, nuk u votuan ministrat e PS-së, vendi ishte në një situatë të vështirë politike, dhe gjëja më e mirë për vendin ishte rrotacioni politik sesa mbijetesa jonë me mandat të tretë. Kjo është përgjegjshmëri qytetare dhe politike.

Malaj tha se iku me dëshirën e tij nga PS: “Mes karriges dhe lirisë për të menduar i lirë zgjodha lirinë. Ika vetë nuk më përzunë. Unë do isha anëtar i thjeshtë”

Revolta e studentëve, thyhen xhamat e Ministrisë…

Studentët vijojnë të protestojnë para Ministrisë së Arsimit ndërkohë që kanë hedhur gurë dhe tymuese përpara godinës.

Gjithashtu studentët kanë publikuar edhe listën me 14 kërkesat e tyre, një pjesë e të cilave ngjasojnë me ato të muajit Dhjetor, kur nisën dhe protestat masive studentore, që lëkundën jo pak pozitate qeverisë.

Ndërkohë që edhe pse më pak në numër krahasuar me tubimet e tyre të mëparshme, studentët gjatë kësaj proteste kanë treguar më shumë vendosmëri dhe agresivitet. Siç raportohet, ata kanë goditur drejt godinës së Ministrisë edhe me gurë duke thyer edhe xhamat e dritareve.

Ish-ministri godet Ramën: Kur ti flet të gjithë qeshin, ti prapë përsërit si papagall çfarë të shkruajnë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama këtë të mërkurë, në një konferencë ku u fol për përdorimin e “E-Learning” në Mjekësi.

Në një postim në Facebook, Vasili shprehet se, Rama me sebepin e e-learning këputi folklor analfabetesh sa mundi.

Lidhur me deklaratat e kreut të qeverisë se, mjekësia tanimë s’ka të krahasuar me atë të 5-6 vjet përpara, Vasili shprehet se, “të tijtë e tallin si gjithmonë dhe ky përsërit si papagall çfarë i shkruajnë”.

Në një status në Facebbok, ish-ministri rendit edhe deklaratat, sipas tij, të gënjeshtra të shefit të ekzekutimit:

Reagimi

Kur flet Shkollepaku per shendetesine te gjithe qeshin!!

Sot shkollepaku ne kuturisjen e tij te çartur te radhes u shfaq te fliste prap per shendetesine.

Sa here qe ky flet per shendetesine te gjithe vetem qeshin,disa me ze te forte,disa me ze te ulet,disa me nje buzeqeshje te brendeshme,por ama te gjithe qeshin dhe shume bile.

Sot shkollepaku me sebepin e e-learning keputi folklor analfabetesh sa mundi.

Tha qe po lufton hilet e mjekeve ne edukimin ne vazhdim, mire qe nuk tha do ti fusim ne burg ata mjeke, qe nuk permbushin edukimin ne vazhdim.

Na tha shkollepaku,qe kjo mjeksia e tij s’ka te krahasuar me ate te 5-6 vjet perpara.

Por meqe te tijte e tallin si gjithmone dhe ky perserit si papagall cfare i shkruajne, hajt ti kujtojme ca gjera.
Se eshte turp i madh qe Shqiperia te kete nje elifmatrak te tille ne krye te qeverise,qe vetem genjen dhe keput brockulla per shendetesine.

Shkollepak:

Se pari: Edukimi ne vazhdim u ideua dhe filloi te funksionoje qe ne vitin 2008 dhe qe ne gusht 2010 ishte funksionues: “Plani kombëtar dhe planifikimi individual i aktiviteteve të edukimit në vazhdim për punonjësit e shëndetësisë”.

Se dyti edukimi ne vazhdim nuk eshte thjesht nje detyrim,por shume me shume se kaq ai eshte fryme teresore sistemike per t’ju rikthyer fort dijes mjeksore ne te gjitha format e pervehtesimit te saj.

Se treti E- learning eshte vetem nje prej instrumenteve,ndersa puna individuale dhe ajo kerkimore shkencore eshte nje bote kaq e madhe dhe e larmishme dhe me kaq shume forma, sa qe uleritja analfabete e kryeministrit per vetem njeren prej tyre, e ben te duket si indianet e amerikes,qe habiteshin dhe shkembenin nje cope xhami me flori.

Se katerti: e- learning nuk eshte xhandari i sistemit te edukimit ne vazhdim, por eshte e perseris nje instrument ne funksion te sistemit.

Se pesti: shkollepaku foli edhe gjoja per botime gjithefaresh te mjekeve, qe sipas tij nuk kane vlere dhe qe jane kot.Ky analfabet nuk e di qe cdo reviste mjeksore ka rankimin e saj pra vleren e vet ne graduatorin shkencor te vleres.
Pra vleren e nje botimi nuk e cakton shkollepaku ne Shqiperi dhe qeveria e tij,por standarti boteror i njejte dhe i barabarte per te gjithe.

Se gjashti:me qe ky permend telemjeksine si veper te tij.
Telemjeksia eshte nje projekt kombetar i insuguruar qe ne shtator 2011 me mbeshtetjen e financimin e SHBA nepermjet USAID dhe nuk eshte bere nga ky shkollepak.

Se fundi:
per shkollepakun shendetesia eshte nje hicgje,pa vlere dhe pa rendesi aë sa edhe e katandisi nga nje Ministri e plote dhe funksionuese ne nje kat mizerabel brenda Ministrise se Punes.

Kaq per sot shkollepak, se edhe kaq veshtire se i kupton ti.

P.S.shkollepak ke edhe me foto VKM e 2008 per ngritjen e Edukimit ne Vazhdim dhe foton e Inaugurimit te Telemjeksise.
Te tallin… je nja 10 vjet prapa…

Studentët rrethojnë Ministrinë e Arsimit, shashka dhe tymuese drejt zyrës së Shahinit

Studentët para godinës së Ministrisë së Arsimit po demostrojnë pakënaqësitë e tyre ndaj premtimeve të qeverisë të cilat, sipas tyre, nuk janë mbajtur. Shashka dhe tymuese janë hedhur në drejtim të zyrës së ministres së Arsimit.

Studentët u shprehën se nuk janë mbajtur shumica e premtimeve të qeverisë dhe kryeministrit Rama tqë bëra në kuadër të të ashtuquajturit “Pakti për Universitetin”.

Studentët i kanë nisur protestat e tyre që prej Dhjetorit të vitit të kaluar dhe fillimisht ato zgjatën për reth dy muaj pasi u ndërprenë pas propozimit të paktit nga ana e Ramës.

Ata janë rikthyer në rrugë duke treguar se shumica e kërkesave të tyre nuk janë plotësuar si dhe kanë bërë thirrje për pjesmarrje masive të të rinjve.

Ndërkohë në murin rrethues të godinës së Ministrisë janë vendosur pankarta ku janë shkruajtur kërkesat e tyre si dhe mesazhe për politikën dhe qeverinë.

Gjithashtu studentët kanë hedhur në drejtim të godinës shtetërore edhe flakadanë, shishe plastike dhe parulla në shenjë revolte ndaj premtimeve të pambajtura ku janë thyer edhe disa xhama të institucionit.

Një student bën thirrje të fuqishme me megafon:

‘Ju luftoni për karrige

Për studentët jeni armiqë!

Ju po vidhni vendin tuaj

Asnjë punë për 6 muaj!’

Studentët kanë mbledhur letra shuk me të cilat “godasin’ ministrinë, të zhgënjyer që Pakti për Universitetin i premtuar nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria nuk sollën asnjë ndryshim në jetën e tyre.

Nis protesta tek Ministria e Arsimit, 14 kërkesat e studentëve

Studentët kanë niosur protestën e tyre kundër qeverisë për mosplotësimin e kërkesave të ngritura në protetën e dhjetroit të vitit të kaluar.

Të gjendur përballë mosmbajtjes së premtimeve nga ana e qeverisë, studentët, ashtu siç kishin paralajmëruar,  kanë nisur protestën orën 12:00 tek Ministria e Arsimit. Gjithashtu, është siguruar edhe lista me 14 kërkesat e tyre, një pjesë e të cilave ngjasojnë me ato të muajit Dhjetor, kur nisën dhe protestat masive studentore, që lëkundën jo pak pozitate qeverisë.

Ndër pikat më të rëndësishme të listës së kërkesave është ulja me 50% të tarifës së Masterit, heqja e tarifave shtesë për provimet e prapambetura, kriteri i gjuhës së huaj të ruhet por të jepet si provim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja me tarifë të përballueshme prej tyre.

Ata kërkojnë gjithashtu investime urgjente në laboratorë e kabinete, rritjen e peshës së votës studentore në 25%, por edhe rritjen e pagës për pedagogët. Ende nuk dihet çfarë përmasash do të marrë portesta e sotme, ndërsa priten edhe studentë nga rrethet.

Basha përkujton revoltën e Qafë-Barit: “E keqja qëndron akoma ndezur”!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka kujtuar ditën e sotme revoltën e Qafë Barit kundër diktaturës enveriste.

Basha shkruan në një psotim në Facebook se, e keqja e asaj dite vazhdon të jetë akoma e ndezur në vend.

Mesazhi i kryetarit Basha

35 vjet më parë, me 22 maj 1984, revolta e Qafë Barit tronditi diktaturën dhe përhapi kushtrimin anembanë se liria nga dhuna e egër dhe gjakatare do të vinte. Sot përulemi para heroizmit prekës të martirëve të Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, të cilët ramë theror për liri!

35 vjet më vonë, protagonizmi i xhelatëve të komunizmit është një kambanë alarmi për gjithë kombin. Vatra e së keqes është akoma e ndezur, drejtësia akoma nuk e ka bërë detyrën e saj, liria dhe demokracia janë akoma të brishta, dhe e ardhmja e Shqipërisë është në udhëkryq!

Të frymëzuar nga rezistenca e martirëve të Qafë-Barit, me amanetin e sakrificës së tyre në zemër, jemi sot më të bashkuar dhe të vendosur se kurrë, për të mos lënë asgjë dhe askënd të mposhtë lirinë dhe demokracinë e të shkatërrojë të ardhmen europiane të shqiptarëve. Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit! #ShqipëriaSiEuropa

Qytetarët nuk do të lejojnë që zgjedhjet e 30 qershorit të kthehen në një farsë të demokracisë

Lezha ishte ndalesa e radhës e ‘Grupimit të qendrës së djathtë’. Krerët e 5 partive aleate historike të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ, zhvilluan një bashkëbisedim të hapur me strukturat dhe simpatizantët e partive që drejtojnë.

Në këtë organizim, që tashmë njihet si ‘Forumi për Zgjedhje të Lira’, u diskutua për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi.

‘Mbas 30 vitesh tranzicion, ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe të barabarta, me një ‘qeveri Tranzitore’ pa Edi Ramën kryeministër’.

Krerët e partive opozitare deklaruan se qytetarët nuk do të lejojnë që zgjedhjet e 30 qershorit të kthehen në një farsë të demokracisë.

Duke i bërë apel të gjithë elementëve të përgjegjshëm të shoqërisë dhe politikës shqiptare, për të shmangur përplasjen dhe konfliktin, theksuan se’ është e domosdoshme krijimi i kushteve politike për ngritjen e një qeverie tranzitore; e cila do të çlirojë zgjedhjet, ekonominë dhe rrugën europiane të Shqipërisë, si dhe, pas tri dekadash, t’i japë fund trazicionit të tejzgjatur’.

Ata e mbyllën takimin duke u bërë thirrje qytetarëve të angazhohen jo vetëm në moslejimin e zgjedhjeve farsë, por edhe në pjesëmarrjen sa më të gjerë në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar në datën 25 maj.

Ish-Presidentja e Kosovës kundër Thaçit, Ramës e Vuçiçit: I rrezikshëm ripërcaktimi i kufijve…

Për herë të parë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka folur për idenë e shkëmbit të territoreve. Jahjaga nga Tirana ka thënë haptazi se kjo ide është e rrezikshme, duke u pozicionuar kundër idesë së presidentit Hashim Thaci, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nga Tirana tha se ripërcaktimi i kufijve është një retorikë e rrezikshme.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar për “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Jahjaga tha se diskutimet për korrigjimin e kufijve është një temë shumë e ndjeshme, që nënkupton kthimin në të kaluarën.

“Rajoni jonë është ekspozuar ndaj një retorike të rrezikshme rreth ripërcaktimit të kufijve. Një temë që është tejet e ndjeshme dhe ky diskutim nënkupton kthimin tonë në të kaluarën të shënuar me periudha të dhunshme të vuajtjes dhe të përçarjeve”, deklaroi ajo.

Atifete Jahjaga ngriti edhe shqetësimin e ndikimit rus në rajon, nëpërmjet aleatit të saj, Serbisë.

“Rusia, në një sistem vlerash të kundërta nga ato të BE vazhdon të ketë influencë të madhe në Ballkan, sidomos përmes aleatit të saj në rajon, Serbisë. Rusia vazhdon të ushtrojë ndikim të madh në rajonin tonë, sidomos në vende si Serbia duke përdorur mjete ekonomike, politike e kulturore. Edhe përmes nxitjes së sedimenteve nacionaliste.

Qëllimi i tyre është i njohur, zvogëlimi i BE dhe NATO-s në Ballkan si forca për promovimin e vlerave demokratike”, tha ajo.

Zgjedhjet farsë në Akademinë e Shkencave duhen ndaluar! Akademikët të refuzojnë këto zgjedhje…

Myqerem TAFAJ

Zgjedhjet farsë në Akademinë e Shkencave duhen ndaluar! Opinioni publik pret që Akademikët të denoncojnë dhe të refuzojnë këto zgjedhje.

Ky eksperiment antidemokratik që po bëhet me Akademinë është një shkelje flagrante e Kushtetutës, sepse po asgjësohet, jo vetëm de facto por edhe de jure, autonomia e institucionit më të lartë shkencor të vendit, e cila do të vijohet me asgjësimin e lirisë së kërkimit dhe asaj akademike.

Akademik Artan Fuga e shpjegon qartë se aktualisht gjithë drejtimi dhe veprimtaria e Akademisë ka dalë jashtë kuadrit ligjor në fuqi. Më së pari, antarësia është në kundërshtim flagrant me ligjin. Sipas ligjit, vetë kandidati për kryetar i Akademisë nuk e gëzon statusin e antarit, sepse është kryetar i një partie politike. Antarë të tjerë të Asamblesë janë në kundërshtim me ligjin. Kryesia de facto dhe de jure nuk ekziston dhe, për rrjedhojë, cdo vendim, në emër të kryesisë së Akademisë, është nul.
Si mundet që, në këto kushte, Akademia të futet në zgjedhje?!

Institucionet që janë përgjegjëse për veprimtarinë e Akademisë si institucion autonom, janë Presidenti i Republikës, i cili e dekreton Kryetarin e Akademisë, Kuvendi i Shqipërisë që mbikqyr funksionimin e Akademisë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, dhe Këshilli i Ministrave që gëzon të drejtën e nismës ligjore për rregullimin e veprimtarisë së Akademisë dhe e mbështet financiarisht atë.

Të gjithë institucionet po tregohen indiferent për këtë situatë tërësisht jashtë ligjit e Akademisë si dhe për zgjedhjet farsë të planifikuara pas dy ditësh.

Shumica qeverisëse me ekzekutivin e saj, qeverinë, dhe shumicën legjslative që kontrollon Kuvendin, duket se është e vendosur për ti bërë këto zgjedhje farsë.

Në këto kushte mund të shprehet Presidenti i Republikës, i cili do të duhet të dekretoj një kryetar të zgjedhur në kundërshtim me ligjin!

Por, ajo që është një kambanë alarmi, jo vetëm për Akademinë dhe komunitetin tonë akademik, por edhe për shoqërinë tonë, është nënshtrimi i paimagjinueshëm i akademikëve. Do të ishte jo vetëm në dinjitetin e tyre akademik dhe qytetar, por edhe në interesin e tyre si antarë të Akademisë, që të denoncojnë dhe të refuzojnë publikisht këto zgjedhje farsë. Këtë pret opinioni publik dhe shoqëria jonë nga Akademikët që janë antarët e Asamblesë së Akademisë. Madje, ky do të ishte një detyrim që kanë ata në mbrojtje të autonomisë së institucionit më të lartë shkencor të vendit, antarë të të cilit ata janë.