27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Deklarata e fortë e Presidentit: Reforma në drejtësi një formë e re e kapjes së sistemit…

Presidenti Ilir Meta ka zhveshur petakun e politikanit diplomat këtë të mërkurë, në fjalën që mbajti në konferencën me temë: “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”. Pjesëmarrës ishin edhe ish-presidenti Bujar Nishani, Ahtifete Jahjaga, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, por dhe kolonel nga NATO.

Kreu i shtetit u shpreh mes të tjerash se reforma në drejtësi është një formë e re e kapjes së sistemit si dhe se parlamenti ka qenë jofunksional edhe para se opozita ta bojkotonte. Për këto, Meta bëri me faj aktorët e politikës vendase si dhe ndërkombëtaret.

Bashkimi Shqipëri-Kosovë – “Unë marshallist nuk jam, por kam gruan marshalliste dhe besoj se ajo do i përdor shumë mirë ato që ka mësuar. Dëgjoj shpesh të thonë pse të mos bashkohen shqiptarët, po natyrshëm vjen pse mos të bashkohen dhe gjithë serbët, gjithë kroatët apo dhe boshnjakët. Këto janë delirime të politikanëve që flasin me heroizma dhe me nacionalizma të politikanëve që duan të shmangen nga përgjegjësitë e tyre të brendshme”.

Parlamenti jo funksional

“Në vitin 2008 kishim një Kushtetutë me balanca dhe kontrolle, por për dy ditë atë kushtetutë e zhbënë dhe nga një republikë parlamentare sot kemi sërish republikë por është partiake. Prandaj kemi arritur këtu ku jemi sot në një krizë të thellë. Ai parlament ka qenë jo funskional dhe para djegies së manadateve të opozitës dhe tani që opizita nuk është në Kuvend”, tha Meta.

Reforma në drejtësi

“Kam 3 vite e kam shmangur të flas për reformën në drejtësi. Nuk do them nëse është sukses apo dështim, por nëse do ishte sukses, Shqipëria nuk do të ishte asnjë minutë pa Gjykatë Kushtetuese. Kur isha kryetar Kuvendi, thashë po, Vetting për të gjithë, por kujdes se nuk duhet të cënohet funksionimi i insititucioneve. Gjykata Kushtetuese, me përjashtim të disa individëve ka histori pozitive. Reforma bëhet me standarte, jo me retorikë apo me emra. Janë forma të reja të kapjes së institucioneve. Ndalemi tek Gjykata, se s’jam i qetë pa e ndarë këtë merak me ju. Në dhjetor të 2016, mora një iniciativë për ndarjen e shortit të KED. Është institucioni kryesor, kam bërë përpjekjet më të mëdha, që kjo të ishte gjëja më e mirë. Herën e dytë, si president, asnjë s’mbante përgjegjësi, përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë. Kam kërkuar angazhimin e EURALIUS, për të parë ecurinë e Reformës në Drejtësi. Kam folur hapur, dua të hedh shortin, por ne e dimë shumë mirë çfarë ndodhi një vit më parë. Të shohim çfarë po ndodh, të unifikojmë një qendrim të përbashkët, pasi jemi në një situatë ekstra ligjore.

Po të jetë për debate, unë ia kaloj parlamentit, se është përgjegjësi e tyre, dhe ditën e fundit, EURALIUS na kthen përgjigje që ne nuk vimë dot në takim pasi jemi mision teknik. Pra, mision teknik, me porosi politike. Akoma nuk dihet kush e dha atë porosi. Unë jam presidenti, më duhet të di porosia. Si e jep EURALIUS, një vërtetim për një kryetar Komisioni në kundërshtim me reformën në drejtësi. Reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime”.

 

Studentët e Korçës nisin protestën, bojkot dhe bashkim në Tiranë!

Studentit e universitetit “Fan S. Noli” i janë bashkuar protestës kombëtare të studentëve. Studentët kanë bojkotuar mësimin duke u grumbulluar tek Korpusi Universitar. Një pjesë e studentëve janë nisur drejt Tiranës, për të marrë pjesë në protestën e orës 12:00. Ndërkohë, në disa fakultete, studentët kanë vijuar normalisht mësimin.

Studentët e Korçës kërkojnë unifikimin e kartës së studentit në rang kombëtar, të paguhet periudha e stazhit, të rankohen programet e studimit si dhe portali i transparencës të bëhet funksional. Po ashtu pesha e votës së studentëve të rritet me 25 përqind si dhe përfaqësuesi i studentëve në Bordin e Administrimit të zgjidhet nga studentët jo nga Ministria.

Mësohet se anëtarëve të këshillit studentor iu është bërë presion të mos marrin pjesë në protestë. Raportohet se presione ka pasur ndaj familjarëve të studentëve, sidomos për atë që janë në marrëdhënie pune shtetërore.

Sot në orën 12:00 studentët rikthejnë protesta kombëtare, pasi siç pretendojnë ata qeveria nuk ka përmbushur kërkesat edhe pse lançoi “Paktin për Universitetin” në muajin janar, dokument i cili shoi protestën studentore dhe riktheu normalitetin në fakultete.

Pakti nuk u përmbush!

Mijëra të rinj nga të gjitha universitetet publike të vendit do të protesojnë sot përpara Ministrisë së Arsimit. Pas një pauze disamujore, protestat stduentore rikthehen pasi Pakti për Universitetin i premtuar nga kryeministri Edi Rama nuk u përmbush.

Në të gjitha universitetet dje janë zhvilluar takime të studentëve. Në takimin e të rinjve të universitetit “Fan Noli” në Korçë u vendos si më poshtë:

Sot me datë 20/05/2019 u mblodhën përfaqësuesit e studentëve të Universiteteve të Shqipërisë në Universitetin “Fan S.Noli” Korçë. Në fund të mbledhjes u konstatua se pakti për universitetin nuk është përmbushur siç u premtua.

Në konstatuam dhe kërkojmë pikat si vijojnë më poshtë

Portali i transparencës të bëhet funksional

Pesha e votës të studentëve për zgjedhjet e dekanëve dhe rektorëve të rritet në 25 %

Zgjedhjet e universiteteve dhe studentët kërkojnë që organet kompetente të njohin vullnetin e studentëve, pra të njohin si përfaqësues në Bordin e Administrimit kandidatin e votuar

Karta e studentit të jetë e unifikuar dhe të ketë vlefshmëri në rang republike, për të gjithë studentët njësoj

Stazhet të paguhen të plota

Rankimi i programeve të studimit

Përmirësimi i kurrikulave mësimore

Sondazhi Kombëtar i Studentëve dështoi

Afrimi i provimit  të licencës (1 muaj mbas stazhit)

Ndaj, ditën e mërkurë, më 22 maj 2019, do t’i bashkohemi protestës studentore kombëtare, kundër sistemit dhe në funksion të pikave të mësipërme. ?do universitet do të ketë formën e tij të protestimit, por theksojmë se ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pa u lëkundur drejt kërkesave tona. Në rast se pikat e mësipërme nuk do të merren parasysh, do të përshkallëzojmë protestën tonë studentore.

46 vjet nga Revolta e Spaçit/ Publikohen informacionet sekrete të Komitetit Qendror…

Në burgun e Spaçit, mëngjesin e 21 majit të vitit 1973 nisi një revoltë e cila agravoi deri në pushkatimin e katër të burgosurve dhe ridënimin e 66 të dënuarve të tjerë që ishin përfshirë në këtë ngjarje të paprecedentë për regjimin komunist.

Dokumentet që sjellim zbulojnë ankthin e regjimit, ndërsa në Komitetin Qendror në ditët që pasuan këtë ngjarje të rëndë analizohej me kujdes çdo detaj e informacion që mbërrinte, deri tek reagimet e popullit.

Sipas dokumenteve të kohës, ngjarja kishte nisur në mëngjes herët (ora 5:00) kur n/oficeri Mark Tuci, kishte shkuar për t’i hequr batanijet të dënuarve në dhomat e izolimit sipas rregullores. Ndërmjet të dënuarve që ishin ndëshkuar, ishte edhe Pal Gjergj Zefi nga Rrushkulli i Durrësit, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë, i cili ishte ndëshkuar nga komanda me një muaj vuajtje dënimi në dhomat e izolimit për arsye se kishte shkelur rëndë rregullat e vendosura në repart.

Në kohën që n/oficeri kishte çelur derën për t’i hequr batanijet, ai kishte ikur dhe ishte bashkuar me turmën e të dënuarve që ishin në oborr. Ai kishte marrë një shufër dhe duke refuzuar të kthehej në dhomën e izolimit kishte kërcënuar se do të qëllonte me të këdo që do t’i afrohej. Pas shumë tentativash për ta kthyer në dhomën e izolimit, pasi ishin munduar ta merrnin me forcë, ai kishte qëlluar një të dënuar që tentoi t’i ndihmonte policët e burgut, të cilët kishin arritur ta arrestonin. Por në atë çast, për ta mbrojtur ishin ngritur një grup të dënuarish të tjerë.

Me gjithë përpjekjet për të vendosur rregull, deri në orën 15:30 gjendja ishte e nderë. Pas ardhjes së përforcimeve, vetëm në orën 17:00 ishte arrestuar i dënuari Pal Zefi, edhe pas kundërshtimeve të të dënuarve të tjerë. Më vonë në kamp ishin bërë edhe 5 arrestime të tjera, por kjo shkaktoi një revoltë të re.

Të dënuarit, të revoltuar, kishin tentuar të kapnin dhe të mbanin peng brenda në kamp hetuesin dhe prokurorin që ishin në infermieri të të dënuarve dhe pasi ata i kishin nxjerrë nga një rrugë tjetër, të dënuarit kishin shpërthyer me thirrje kundër regjimit: “Ja vdekje ja liri”, “Ne nuk punojmë”, “Ju jeni katilë” etj. Deri mbrëmje vonë situata kishte agravuar më tej. Të dënuarit kishin shpërthyer dhomat i izolimit dhe thirrjet ishin ashpërsuar.

Dokumentet ku raportohet kjo ngjarje dëshmojnë se në këto moment revolte të dënuarit thërrisnin:

“Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ja vdekje ja liri”, “Ne nuk punojmë as sot as mot”, “Ju jeni katilë dhe kini lyer duart me gjakun tonë”, “Ushtria është me ne”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Shokë ushtarë dorëzoni armët”, “Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Europa e lirë” etj.

Gjendja vijoi e tillë deri në orët e mëngjesit të datës 22 maj, kur në kamp kishte mbërritur zv. Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, për të vendosur rregull dhe zbatuar rregulloren e brendshme. Por demonstruesit ishin kundërpërgjigjur me një listë kërkesash: Të mos dënohet asnjë fajtor, të mos punojmë asnjëherë në minierë por të na kaloni në ndërtim, të bëhen amnisti sepse që kur u prishët me B.S. nuk kini bërë, të shikohet çështja e jonë për të na liruar sepse jemi pa faj.

Pas shumë kundërshtimesh, dhe duke parë se të dënuarit nuk tërhiqeshin, regjimi përforcoi masat e sigurisë në Spaç.

“Si rezultat i masave të marra dhe i ardhjes së reparteve të policisë dhe të ushtrisë nga Tirana, që shkaktuan një presion psikologjik tek të dënuarit ata përfundimisht në orën 9.00 të datës 23.5.1973 pranuan kushtet e vëna nga organet tona dhe në këtë mënyrë revolta u mposht dhe të gjithë të dënuarit u lidhën e u vunë nën kontrollin tonë. Nuk pranuan të dënuarit Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Jorgji Pepa e Dervish Bejko që me hekura e dërrasa në duar hypën mbi tarracë dhe fillimisht nuk iu nënshtruan thirrjes duke bërtitur dhe ofenduar organet që kryejnë veprimet e përmendura. Organet e policisë duke vepruar me forcë dhe me të njëjtat mjete iu kundërvunë atyre dhe forcërisht i lidhën dhe i mposhtën”.

Kështu e përshkruan fundin e revoltës një nga raportet e hartuara nga Spaçi menjëherë pas ngjarjes.

Dy dokumentet që sjellim sot mbi këtë ngjarje dëshmojnë gatishmërinë e gjithë kupolës së regjimit pas kësaj ngjarje të paprecedentë, duke u marrë deri me detajet më të imëta për të mos lejuar të ndodhe një rast i dytë si ai. Të dy dokumente janë informacione nga Spaçi të mbledhura gjatë ditëve pas revoltës dhe të dy raportet dërgohen në komitetin Qendror të PPSH. Informacioni i parë është i datës 24 maj 1973, pra vetëm një ditë pas revoltës dhe informacioni i dytë më 30 maj 1973. Dokumentet pajisen edhe me shënime që janë vendosur në zyrat e Komitetit Qendror dhe i sjellim të zbardhura të plota bashkë me faksimilet.

Informacion një ditë pas ngjarjes

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË I RRETHIT MIRDITË

Nr. extra

Rrëshen, më 24.05.1973

LANDA: Informacion paraprak mbi shtypjen e revoltës kundërrevolucionare të të dënuarve në kampin e Spaçit.

KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH.

(SH. Qemal Myrseli)

TIRANË

Siç jeni në dijeni, në datën 21 maj 1973 nga të dënuarit politikë në kampin e riedukimit Spaç u zhvillua një revoltë kundërrevolucionare e cila u shtyp në datën 23.05.1973 dhe në datën 24 gjendja u normalizua, të dënuarit filluan punën në prodhim.

Komiteti i Partisë me anën e shokëve Jovan Bardhi sekretar i parë dhe Preng Pepa kryetar i Komitetit Ekzekutiv ndoqën në vend gjatë gjithë kohës punën dhe mori masa së bashku me kuadrot të ngarkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të kryesuar nga shoku Feçor Shehu zëvendësministër i Punëve të Brendshme për shtypjen e revoltës.

Ngjarja nisi në orën 5 të mëngjesit të datës 21 maj 1973. Si pretekst u shfrytëzua thyerja e rregullave të kampit nga një i dënuar (Pal Gjergj Zefi) i cili u largua nga biruca pa kryer dënimin dhe pa urdhër të komandës. Gjatë tentativës së efektivit për ta kthyer në birucë shpërtheu veprimi i 16 të dënuarve të tjerë në mbrojtje të të dënuarit Pal Zefi dhe kundër oficerit e nënoficerëve të shërbimit deri në goditje. Historikun nga ana kronologjike nuk po e zhvillojmë pasi jeni të informuar.

Ngjarjet që rrodhën treguan se kishim të bënim me revoltë kundërrevolucionare me karakter thellësisht politik dhe jo për çështje të thjeshta të rregullit të punës e të jetesës. Ata filluan të veprojnë në masë të gjithë, duke përdorur parulla reaksionare “Ja vdekje ja liri”, “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Ju jeni katilë, keni lyer duart me gjakun tonë”, “Rroftë Evropa e lirë”, “Poshtë komunistët”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Populli është me ne dhe është kundër jush”.

U bënë thirrje ushtarëve të dorëzonin armët. Ngritën një flamur të përgatitur dhe të vizatuar prej tyre. Zhvilluan mbledhjet e përfaqësuesve sipas krahinave. Përpunuan platformën për të koordinuar veprimet në vazhdim të revoltës. Nxorën kërkesa për lëshime, të lirohen nga burgu si të pafajshëm, të mos punojnë asnjëherë nën tokë, të mos dënohet më asnjë njeri. Grisën dhe dogjën këndin e emulacionit, shkruan parulla me përmbajtje kundërrevolucionare.

Pra kishim të bënim me revoltë të organizuar thellësisht politike kundërrevolucionare.

Kjo situatë vazhdoi deri në datën 23 maj 1973 në mëngjes, kohë në të cilën masat tona që u morën gjatë datave 21 dhe 22 maj 1973 u vunë plotësisht në veprim dhe shpartalluan e likuiduan plotësisht revoltën.

Gjatë veprimeve gjendja morale dhe mobilizimi i efektivit i ngarkuar për sigurimin e kampit si edhe të efektivëve të tjerë që erdhën me urdhër nga lart qe mjaft i mirë, vepruan energjikisht, përballuan lodhjen, pagjumësinë etj., dhe kryen me sukses detyrën.

Pas shtypjes së revoltës byroja e Komitetit të Partisë të rrethit veç informimit gjatë zhvillimit të ngjarjeve, në datën 24 maj 1973 u mblodh posaçërisht dhe u informua në mënyrë më të plotë dhe po ndjek analizat në organizatat e partisë dhe në organet e punëve të brendshme, në Degë dhe në Repartit 303 për të nxjerrë shkaqet që lejuan të zhvillohet kjo revoltë, përgjegjësinë kolektive dhe personale për gjendjen e krijuar si edhe mësimet që do të nxirren nga kjo gjendje e rëndë dhe masat për përmirësimin e saj.

Pas këtyre analizave, byroja e Komitetit të Partisë do të ndalet në mënyrë të veçantë për t’u kërkuar llogari shkaktarëve, për të përcaktuar përgjegjësit e organizatave bazë të partisë të Degës së Punëve të Brendshme e Repartit 303 si dhe përgjegjësinë e sekretariatit dhe të vetë byrosë. Për këto do t’i raportojmë hollësisht Komitetit Qendror të Partisë. Gjatë këtyre ditëve do t’ju mbajmë vazhdimisht në dijeni mbi gjendjen atje dhe mbi masat e mëtejshme për forcimin e saj.

Ngjarja është marrë vesh edhe në zonat e tjera të rrethit pasi aty ka pasur punëtorë të cilët u larguan nga miniera, rrugëtarë që kanë kaluar e kanë parë etj. Me të dhënat që kemi jehona është e mirë. Njerëzit janë shprehur me urrejtje ndaj armiqve dhe kanë shfaqur mendimin se armiqtë duan plumbin.

Ne do të shfrytëzojmë rastet jo të posaçme që në mbledhjet e takimet e ndryshme nëpër zona të sqarojmë gjendjen e masat tona si veprime të diktaturës së proletariatit kundër armiqve të klasës duke i lidhur me tezat e dhëna nga shoku Enver në fjalën e 15 marsit 1973.

Shënojmë se masat e forta që u morën për shtypjen e revoltës, vendimi i gjykatës speciale ndaj 12 të gjykuarve, dhe ekzekutimi i këtij vendimi brenda datës 24 maj 1973 ka bërë efektin që armiqtë të nënshtrohen dhe të futen në punë.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

 (JOVAN BARDHI)

 (vula, firma)

Myzaferit

Për shokun Hysni.

01.06.1973

(firma)

U pa (firma)

02.06.1973

Informacion një javë pas ngjarjes

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI I PARTISË I RRETHIT MIRDITË

Nr. 335 Prot.

Rrëshen, më 30.05.1973

LANDA: Informacion mbi gjendjen në kampin e riedukimit Spaç për periudhën 24-29 maj 1973.

KOMITETIT QENDROR TË P.P.SH.

(SH. Qemal Myrseli)

TIRANË

Përveç problemeve për të cilat ju kemi folur, sipas informacioneve që kemi nga Dega e Punëve të Brendshme tani në kampin e riedukimit Spaç paraqitet kjo gjendje:

Së pari, si rezultat i masave që u morën tani gjendja është stabilizuar, të dënuarit dalin rregullisht në punë, nuk ka thyerje të disiplinës dhe në përgjithësi realizojnë e tejkalojnë normën. Kështu p.sh. në datën 28 maj dy turne ndonëse me mungesë të fuqisë punëtore dhe të ajrit të kompremuar për mungesë të energjisë elektrike, plani u realizua në pirit 81% dhe në bakër 77%. Kështu në qoftë se nuk do të kishte mungesë ajri plan ditor do të realizohej.

Së dyti, qëndrimet në radhët e të dënuarve paraqiten në këtë mënyrë:

– Pjesa më e madhe e tyre tani i dënojnë shkaktarë që nxitën dhe morën pjesë në revoltë, shumë prej tyre u janë kundërvënë elementëve që ishin pjesëmarrës dhe nxitës të revoltës, bile kërkojnë të merren masa edhe më ndaj tyre.

– Një pjesë e konsiderueshme mbajnë qëndrim indiferent, këta dalin rregullisht në punë, zbatojnë rregullat e disiplinës por në çështjet e tjera qëndrojnë indiferentë.

– Pjesa tjetër që përbëjnë pakicën në forma të maskuara vazhdojnë të përhapin parulla armiqësore. Kështu p.sh. disa shprehen “neve do të qëndrojmë të papërkulur ashtu siç kemi qëndruar”, ndërsa i dënuari Xhemal Bali nga Konispoli, dënuar dy herë për krime ndaj shtetit thotë: “Neve nuk na duhet më gjë jeta që të jetojmë”, ndërsa dy të tjerë shprehin urrejtjen kundër masave që u morën nga organet tona për arrestimin dhe dënimin e shkaktarëve të revoltës. Nëpërmjet këtyre ka edhe nuanca për hakmarrje sidomos kundër disa të dënuarve që dolën dëshmitarë dhe denoncuan organizatorët kryesorë të revoltës dhe në forma shumë të maskuara urrejtja më e madhe shprehet kundër kuadrove që morën pjesë në stabilizimin e gjendjes.

Me qëllim që të bëhet spastrimi dhe stabilizimi i mirë i gjendjes nga organet e Brendshme dhe të Drejtësisë janë arrestuar edhe 5 veta në datën 27 maj pjesëmarrës të revoltës dhe vazhdues të veprimtarisë armiqësore.

Organet e Degës së Punëve të Brendshme vazhdojnë përsëri punën e tyre në drejtim të zbulimit, demaskimit dhe të punës edukative me qëllim që të thellohet më tej diferencimi brenda radhëve të tyre.

SEKRETARI I PARË I KOMITETIT TË PARTISË TË RRETHIT

(JOVAN BARDHI)

(firma, vula)

Shënim:

Sipas porosisë së shokut Hysni u bisedua me shokët e MPB dhe çështjet u shtruan në mbledhje të kolegjiumit. Nga kjo mbledhje dolën edhe të metat e punës dhe u morën masat e nevojshme.

23.06.1973

 (firma)

/Observatorikujteses.al

Kukullat e oligarkëve, 2.2 miliard euro shifra e frikshme që shqiptarët paguajnë për koncesionet

Jorida TABAKU

PPP janë një nga krimet më të mëdha të kësaj qeverie dhe një nga fushat e korrupsionit masiv. Pasojat e të cilave do t’i vuajë buxheti i shtetit për vite me rradhë. Të konvertuara në kontrata të personalizuara fitimiprurëse për qeverinë Rama si dhe oligarkët pranë saj, këto projekte janë kthyer në gangrenën financiare dhe infrastrukturore të buxhetit.

Shqiptarët kanë sot një borxh publik të fshehur që shkon në mbi 80% si pasojë e PPP-ve të shpërndara që në total janë të barabarta me 2.2 mld euro, sa 13% e GDP-së vjetore. Një shifër alarmante për cilindo ekonomist qoftë edhe të vetëshpallur në gjashtë vitet e drejtimi të qeverisë nga rilindja socialistëve.

Arkitektët që ideuan këtë skemë mafioze dhe plotësisht oligarkësh, të gjendur përpara abuzimeve të turpshme vendosën që të dorëzojnë në parlament një ligj të ri për PPP-të. Ligji përpiqej që të paktën në letra ta kthente në më serioz procesin e PPP-ve si dhe gjithashtu e përqëndronte gjithë pushtetin e PPP-ve në duart e një ministrie dhe kryeministrit.

Thënë më shkurt, nga disa arkitektë që do të ideonin PPP-të më interesante për t’u kthyer në kontrata personale përfitimit, do të ishte ministria e financave dhe kryeministri që do të komandonin këtë proces.

Megjithëse këto ndryshime iu shitën faktorit ndërkombëtar si një proces që do të frenojë PPP-në me ofertë të pakërkuar pa garë, ndonëse e dorëzuan në kuvend, e diskutuan në komisione dhe e vunë në rend dite në fund të shkurtit, marifetçinjtë e PPP-së duket se e kanë tërhequr nga diskutimet në seancë plenare dhe votimi në të. Përse?

Ata që kanë ndërtuar gjithë këtë strukturë grabitqare financiare, që ideuan me djallëzi Korporatën e Investimeve Shqiptare dhe që po implementojnë një sërë rregullash anti biznes. Kanë vendosur që të shtyjnë edhe më vendosjen e këtij ligji, fasadë në të vërtetë, vetëm e vetëm për të përfunduar koncesionet e radhës në formën e PPP-ve. Në qendër të vëmendjes janë PPP-të e rrugës me synimin e aksit Milot-Balldren dhe gjithashtu Porti i Jahteve në Orikum. Të dy projekte që kanë kosto fiktive të fryra, të dyja me ofertë të pakërkuar dhe të lidhura ngushtë me të dyshuarit e përhershëm.

Në 6 vite nuk ka pasur asnjë reformë, thjesht rritje cmimesh për energjinë për ujin, rritje taksash dhe kjo që e quajtën reformë në letra thjesht do të bëhet kur të ndahet e gjithë tepsia.

Një arsye më shumë për të mos qenë pjesë e atij parlamenti që përdoret thjesht si noter, sa herë i duhet qeverisë. Një institucion që është kthyer në veglën e qeverisë për të ulur e ngritur duart për çdo gjë që kryeministri sjell. Një produkt grotesk dhe pa asnjë përmbajtje që ka konvertuar përfaqësuesit e popullit në një grup qytetarësh pa mendim personal, që ulin kokën edhe kur qeveria e tyre i përbuz deri në këtë pike.

Që i detyron të votojnë ligje që nuk i zbatojnë, që sillen me Kushtetutën sikur të jetë një copë letër pa vlerë dhe që e marrin në konsideratë vetëm kur ajo i hyn në punë skemave të tyre, Një mazhorancë që I bindet një qeverie që nuk njeh as shtet e as rregulla është një mazhorancë anti-parlamentare. Një vegël përmes të cilës qeveria justifikon të keqen e madhe që ka kapluar këtë vend!

Raporti i ri nxin Ramën: Qytetet dhe portet kryesore që janë qendra prodhimi dhe trafikimi droge

Të gjithë qytetet dhe portet kryesore të Shqipërisë shërbejnë si qendra për prodhimin ose kalimin e lëndëve narkotike drejt vendeve europiane.

Prej disa vitesh, Shqipëria është kthyer në një pikë të rëndësishme tranziti në Ballkan për trafikimin e heroinës, kokainës, si dhe vazhdon të jetë vendburimi kryesor për kanabisin që trafikohet drejt BE-së.

Këto veprimtari kriminale drejtohen nga bandat e çdo qyteti, njohur si ndër bandat më të egra në Europë. Shumë prej këtyre bandave kriminale shqiptare kanë lidhje të forta me politikën. Ata kanë ndërtuar skema për pastrimin e parave përmes bizneseve të ndërtimit, karburanteve, hoteleve etj.

Këto janë disa nga përfundimet kryesore të raportit “Zonat Problematike të Krimit të Organizuar në Vendet e Ballkanit Perëndimor”, publikuar sot nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, si pjesë e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GIATOC).

Raporti bën një skanim të qyteteve dhe porteve kryesore në vend që shërbejnë si pika të rëndësishme për trafikimin e kanabisit, kokainës dhe heroinës nga bandat kriminale. Exit.al sjell më poshtë një përmbledhje të raportit:

Shkodra është zonë problematike për krimin e organizuar si pikë e rëndësishme për trafikimin e kanabisit. Grupet kriminale në qytet janë të përfshira në trafkimin e qenieve njerëzore, para me fajde me interesa të larta, vënia gjobash, si dhe trafkimin e drogave dhe emigrantëve.

Ka të paktën katër klane të fuqishme kriminale në këtë qytet, dhe shumica e pjesëtarëve të këtyre grupeve kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin. Këto familje kriminale të stilit mafoz mendohet se kanë lidhje të forta me grupe kriminale në zona të tjera të vendit, si dhe në Kosovë, dhe Mal të Zi.

Ato mendohet se janë të lidhura me grupe të diasporës në Evropën perëndimore, si dhe me politikanë e parti politike. Nga fundi i vitit 2018, pesë persona u vranë dhe dy u rrëmbyen në Shkodër, duke shënuar edhe valën më të fundit të dhunës në këtë qytet.

Porti i Durrësit është një pikë hyrëse për kalimin e kontenierëve që vijnë me anije nga Amerika Latine. Drogat kalojnë për në Itali të fshehura në autobuzë, makina dhe kamionë, ndërsa ngarkesat e mëdha të drogës arrijnë me kontenierë. Tani së fundmi, një shofer kamioni u arrestua më 28 mars 2019 me dy kilogramë heroinë të pastër që i kishte fshehur në trup.

Në shkurt 2018, policia shqiptare konfskoi një ngarkesë me 613 kilogramë kokainë që vinte nga Kolumbia në një kontenier plot me banane. Përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i pajisjeve skanuese (duke përfshirë edhe Njësinë e kontrollit të portit që mbështetet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën – UNODC) mund të krijojë mundësi për një kontroll më efikas të portit nga policia dhe dogana, por nga ana tjetër një punonjës dogane tha në një intervistë se zyrtarët e lartë nganjëherë i “dekurajojnë” vartësit e tyre nga kontrolli i makinave të caktuara.

Vlora është porti i dytë më i madh në vend. Afërsia me Italinë e ka bërë këtë zonë si pikë nisje për skafet e shpejta që përdoren për trafkim, veçanërisht për kanabis, që deri këto kohët e fundit kultivohej në sasi të mëdha në këtë krahinë. Që prej shumë vitesh kriminelë nga Vlora janë transferuar drejt Italisë dhe Spanjës, ku vazhdojnë të merren me aktivitete të paligjshme.

Së fundmi, ky qytet është tronditur nga një sërë vrasjesh (duke përfshirë edhe vrasjen e kreut të një grupi kriminal, Edision Harizaj në nëntor 2018), që duket se kanë ardhur si rezultat i luftës për kontrollin e tregjeve jashtë Shqipërisë, si dhe vrasje për hakmarrje midis grupeve kriminale. Mendohet se aktivitetet kriminale në Vlorë dhe rethina përftojnë edhe nga bashkëpunimi midis kriminelëve dhe policisë, si dhe nga mbrojtja e disa politikanëve.

Saranda thuhet se është qendër trafkimi dhe veprimtarish të paligjshme. Trafkantët përdorin edhe mushka për të kaluar drogë (kryesisht kanabis) përtej kufrit në Greqi. Burime të ndryshme thonë për GI, se policia vendore dhe zyrtarët e policisë kuftare e dinë se cilët janë trafkantët kryesorë, por kanë marrë urdhëra nga shefat e tyre që të mos i ndalojnë.

43 Trafkantët mendohet se kalojnë drogë – kryesisht heroinë dhe kokainë – nga kufri në Qafë Botë / Sagiada, ku mungojnë pajisjet skanuese. Ka zëra se pjesa më e madhe e këtyre drogave shkon drejt portit grek të Igumenicës, dhe më pas i drejtohet Italisë së jugut.

Grupet kriminale në Elbasan janë përfshirë në trafkun e kanabisit, heroinës, dhe kohët e fundit edhe me trafkun e kokainës. Në vitin 2015, në një fshat të bashkisë Elbasan u zbulua një laborator droge që përdorej për përpunimin e kokainës. Policia sekuestroi 115 kilogramë kokainë, 359,000 euro, armë, si dhe u arrestuan 11 persona – përfshi edhe dy kolumbianë.

Thuhet se qyteti është baza e dy prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, dhe që të dyja bandat janë të përfshira në trafkun e kokainës drejt Evropës perëndimore dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Fieri lidh Shqipërinë e mesme me jugun e vendit. Thuhet se grupet kriminale nga kjo krahinë janë të lidhura ngushtë me rrjete kriminale jashtë shtetit (veçanërisht në Evropën perëndimore dhe Amerikën latine), si dhe me politikanë në Shqipëri. Disa nga grupet kriminale karakterizohen edhe nga lidhje të forta familjare dhe shoqërore.

Një burim që e njeh mirë zonën shpjegon: “Këto grupe janë shumë të dhunshëm, kanë një organizim të sofstikuar, dhe kanë lidhje të ngushta me politikën, dhe të gjithë këto faktorë bëjnë që organizatat kriminale në Fier të jenë të paprekshme.’

Aktivitetet kryesore të paligjshme të grupeve kriminale në këtë zonë përfshijnë trafkimin dhe përpunimin e drogës (thuhet se në këtë qytet ka disa laboratorë heroine), shantazh (duke përfshirë edhe foto apo video kompromentuese të politikanëve me prostituta apo duke marrë drogë), dhe pastrim ësh (veçanërisht me pika karburanti, kazino, bare, restorante dhe hotele) në Fier dhe në bregdet.

Zona e Kurbinit ndodhet përgjatë autostradës që lidh Tiranën me Lezhën, dhe një nga fshatrat e kësaj zone, Fushëkuqe, ndodhet në bregdetin e Adriatikut. Kjo e bën këtë krahinë një vend ideal për trafkimin e drogës drejt Italisë. Një nga qytetet më problematike në krahinën e Kurbinit është Laçi. Kriminelë nga ky qytet kanë marrë namin si persona të egër dhe të dhunshëm, dhe duket se grupet e tjera të krimit në Shqipëri nuk u zënë besë kriminelëve nga Laçi.

Lezha ka dalje në Adriatik, duke përfshirë edhe portin e Shëngjinit. Grupet kriminale nga Lezha kanë qenë aktive në trafkimin e qenieve njerëzore, trafkimin e drogës dhe shitjen e armëve. Disa prej tyre janë aktive edhe jashtë vendit, veçanërisht në Itali dhe Hollandë. Këto grupe i pastrojnë paratë në këtë zonë, veçanërisht me investime në pasuri të paluajtëshme, turizëm, bare, restorante dhe pika karburanti.

Kjo zonë njihet gjithashtu edhe për familje të përfshira në aktivitete kriminale dhe të lidhura ngushtë me politikën. Thuuhet se disa deputetë nga kjo zonë janë të implikuar me krimin e organizuar, dhe madje njëri prej tyre u përjashtua nga Kuvendi për këtë arsye. Në mars 2018, kryetari i bashkisë së Lezhës dhe 11 zyrtarë të tjerë u arrestuan me akuzën e shitjes së paligjshme të tokave në bregdet, me qëllim përftimin e shumave të mëdha.

Tirana konsiderohet si pikë takimi dhe kontakti, ku grupet kriminale nga zona të tjera të vendit takohen për të krijuar lidhje me njëri – tjetrin, apo me zyrtarë nga qeveria dhe forcat e ruajtjes së rendit. Grupet kriminale në Tiranë funksionojnë më shumë si mbështetje për aktivitete kriminale jashtë vendit, kryesisht në Hollandë, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Gjermani, Itali, Kosovë, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por kanë edhe lidhje në Turqi dhe Amerikë latine. Aktivitetet kryesore të këtyre grupeve janë trafikimi i drogës, shantazhi, lojëra fati të paliçensuara, pastrim parash, gjoba biznesi, dhe vrasje me pagesë.

“Exit.al”

Bujar Leskaj do të vazhojë të ushtrojë detyrën e kreut të KLSH

Bujar Leskaj do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), deri kur të zëvendësohet nga një drejtues i ri. Kreu i KLSH-së, pas përfundimit të mandatit të tij, ia kishte deleguar kompetencat zëvendëskryetares së këtij institucioni, Lindita Lati Milos.

Në vendimin e bërë publik ditën e sotme, Leskaj ka firmosur për heqjen e delegimit të kompetencave të tij tek zv.kryetarja Milo, e cila mësohet se është tërhequr për arsye personale nga ushtrimi i detyrës të kryetarit.

Sakaq, në vendimin e firmosur, Leskaj thekson se do të shërbejë në krye të KLSH-së deri në zëvendësimin e tij, me synim garantimin e vijueshmërisë së veprimtarisë së këtij organi të rëndësishëm.

Basha: Nuk e dorëzojmë demokracinë, partnerët me sytë nga Shqipëria, nëse nuk tërhiqen…

Berati i ka rezervuar një pritje madhështore Kryetarit të opozitës Basha në turin e nisur në prag të protestës të së shtunës. Basha ka bërë të qartë se nuk do të ketë zgjedhje me 30 Qershor ndërsa ka deklaruar edhe se sytë e partnerëve të Shqipërisë po vëzhgojnë regjimin.

Pikat kryesore të fjalimit të Bashës
Pritja madhështore e Beratit është mesazhi më i qartë e më i vendosur ndaj atyre që mbajnë peng Beratin dhe Shqipërinë se më 30 Qershor nuk do të ketë zgjedhje me krimin e me hajdutët.

Ne e kemi nisur këtë betejë madhështore jo për pushtet, por për idealin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Do ta bëjmë këtë, bashkë me aleatët tanë euro-strategjikë. Asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit dhe despotizmit lindor.

Zgjedhje me 30 qershor nuk do të ketë! 30 qershori është një tentativë për një grusht shteti kushtetues. Grushti i shtetit do të ndalet! Me çdo çmim, me çdo kusht, me çdo sakrificë do të mbrojmë lirinë dhe demokracinë!

Bashkimi ynë është i vetmi bashkim kushtetues. Kundër Kushtetutës është Edi Rama, që ka asgjesuar çdo institucion që garanton të drejtat dhe zgjedhje demokratike, që shkel Kodin për të emëruar opozitën fallco për të mbajtur me dhunë pushtetin që grabit shqiptarët.

Kundër kushtetutës është të kapësh prokurorinë nga tmerri se dosjet 184 e 339 zbulojnë se porositësi, ekzekutori dhe garantuesi i prishjes së zgjedhjeve, siç e publikoi edhe media evropiane, është Edi Rama, kryebanditi në krye të qeverisë bandite.

Edi Ramës po i numërohen orët mbrapsht. Kërcënimet nuk pinë më ujë. Dhuna barbare nuk jep më efekt. Vetëm sa i shton radhët dhe vendosmërinë e shqiptarëve për të mos e lënë Shqipërinë peng të krimit dhe kryeministrit më të korruptuar në historinë e pluralizmit.

Nderim të veçantë për të arrestuarit dhe të burgosurit politikë të këtij regjimi në grahmat e fundit. Sakrifica e asnjë shqiptari të bashkuar në këtë betejë nuk do të shkojë kot. Ora e drejtësisë për ata që vunë dorë mbi ju, po vjen. Dhunuesit do të marrin atë që meritojnë.

Nuk mundet dhe nuk mund të humbë Shqipëria e shumicës, Shqipëria e shpresës, Shqipëria e dëshirës për një jetë me dinjitet në shtëpitë tona, Shqipëria që do të zgjedhë platformën më të mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike që ka pllakosur.

Nuk ka Europë pa zgjedhje të lira. Nuk ka zgjedhje të lira pa votë të lirë. Nuk ka zgjedhje të lira pa opozitën.

Ky është verdikti i popullit të bashkuar. Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka pazar me Edi Ramën.

Pazar me Edi Ramën, kurrë më! Largimi i tij është i panegociueshëm për t’i hapur rrugë vullnetit popullor, garës së ndershme, ndryshimeve politike, kushtetuese dhe zgjedhore, për ta krhyer procesin politik nga një makth për qytetarët në një shërbim për shqiptarët

Kam një paralajmërim të qartë për atë që bëhet gati të konsumojë veprën penale të grushtit të shtetit dhe tradhtisë ndaj atdheut, duke zëvendësuar zgjedhjet e lira e të ndershme me një proces të korruptuar ligjor e të inkriminuar politikisht: Mos guxo!

Asnjë shqiptar nuk e kursen sakrificën për liri dhe demokraci! Unë i pari dhe gjithë shqiptarët do të jemi në ballë për të ndaluar aktin kriminal dhe do ta ndalojmë këtë grusht me çdo çmim! Kjo është një betejë për jetë a vdekje!

Taulant Balla, Damian Gjiknuri! Tabulatet tuaja janë depozituar tek partnerët ndërkombëtarë, mdërsa u bëni presion 4 anëtarëve të KQZ-së që të marrin një vendim të paligjshëm për të eliminuar anëtarët e opozitës nga KZAZ-të, për të kryer një tjetër krim kushtetues.

Sytë e opozitës, sytë e shqiptarëve, sytë e partnerëve tanë euroatlantikë po ju vëzhgojnë çdo minutë! Ju, o sejmenë të Edi Ramës, nuk keni asnjë shans të kryeni grushtin e shtetit! Tërhiquni sa nuk është vonë! Përndryshe, Kushtetuta dhe sovrani do t’ju gjykojnë! Do të merrni dënimin e merituar!

FJALA E KRYETARIT LULZIM BASHA NË TAKIMIN E BERATIT

Zonja dhe zotërinj!
Të rinj dhe të reja të Beratit!

Me fjalë nuk i shpreh dot emocionet e kësaj pritjeje madhështore që, në fakt, është mesazhi më i qartë, më i vendosur, më i prerë, mesazh ndaj atyre dhe atij që e ka mbajtur Beratin peng, ka mbajtur qytetarët e Beratit peng që, me krimin, me oligarkinë, i ka vjedhur, i ka varfëruar, i ka shpronësuar, i ka shpunësuar, i ka dërguar në emigracion dhe që guxon të mendojë se do t’i hedhë kularin në fyt Beratit me 30 qershor.

Nuk do të ketë zgjedhje me krimin, me hajdutët.

Dëgjojeni Beratin, shikojeni Beratin, Beratin e shpresës, Beratin e lirisë, Beratin e demokracisë! Berati dhe beratasit janë në këmbë për dinjitet, për liri, për demokraci, për Shqipërinë si e gjithë Evropa.

Më lejoni ta them këtu nga Berati. Pas vizitës sime në Perëndim, se bashkë me aleatët tanë euro-strategjikë, do ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa. Asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit, drejt despotizmit me frymëzim lindor. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë. Ne e kemi nisur këtë betejë madhështore jo për pushtet, jo për karrige, po për një ideal që frymon prej ditës tonë të parë si demokratë: ne do ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa.

Vëllezër dhe motra!

E kam të vështirë kur mesazhet i jep salla, i japin njerëzit, i japin qytetarët, i jep populli. E kam të vështirë të nguroj me këto mesazhe, që ngrohin dhe ngrenë peshë shpirtat e shqiptarëve me shpresën e madhe që po mbulon si bekim anembanë vendin, për një ndryshim të madh e të thellë që po vjen. Por, më lejoni, në respektin tuaj dhe të mijëra të tjerëve që na ndjekin me sytë dhe veshët e shpresës, me shpirtin pezull dhe me vendosmërinë për të shkuar deri në fund të betejës tonë për Shqipërinë si e gjithë Evropa, të ndajmë bashkë disa mesazhe të qarta për të gjithë.

Zonja dhe zotërinj!

Në këtë betejë jemi bashkuar si kurrë më parë. Balli i betejës i takon opozitës, u takon demokratëve, por kurrë më parë nuk kam parë kaq shumë qytetarë të ngrenë gishtat e të përshëndesin, jo thjesht si simbol i një partie politike, por si simboli global i fitores, i fitores së shpresës mbi frikën, i fitores së kurajos, i fitores së qëndresës, i fitores së idealit evropian dhe vlerave të patjetërsueshme të dinjitetit të njeriut, të fjalës së lirë, të votës së lirë, të lirisë për të punuar, prodhuar e jetuar me djersën e ballit, të barazisë para ligjit, të zgjedhjeve të lira e të ndershme, themeli i Shqipërisë Evropiane.

Kurrë nuk ka qenë më i madh një bashkim popullor sesa ky, kurrë nuk ka qenë më e tmerruar, më e çoroditur, më në panik pakica që kemi përballë, pakica e Edi Ramës, e një grushti banditësh dhe horrash, e një grushti oligarkësh hajdutë dhe hyzmeqarësh, të cilët për 6 vite me radhë ishin padronët, ishin zotërit në shtëpitë e shqiptarëve, kapën të gjithë pushtetet, u ulën në sofër krimin, asgjësuan drejtësinë e pavarur dhe shkatërruan, kësisoj, qindra, mijëra ekonomi familjare, i zhytën në mjerim, i larguan për në kurbet dhe i kthyen shërbimet e shtetit në një ferr të vërtetë, me taksa të larta dhe zero shërbime, me hajdutëri rekord. Një pakicë e vogël, e kapur duke vjedhur zgjedhjet, e kapur duke vjedhur shqiptarët, e cila kërkon, më kot të organizojë grushtin e shtetit më 30 qershor.

Zgjedhje me 30 qershor nuk do të ketë! Grushti i shtetit do të ndalet! Me çdo çmim, me çdo kusht, me çdo sakrificë do të mbrojmë lirinë dhe dmeokracinë!

Paniku dhe çoroditja që derdhet në çdo fjalë e në çdo broçkull të Edi Ramës, tregon se çeta e tyre e shpartalluar ka humbur arsyen, ka humbur qetësinë. Dhe e ka mbërthyer paniku. 30 qershori nuk mund të jetë ditë zgjedhjesh. 30 qershori është një tentativë për një grusht shteti kushtetues. Dëgjojeni pak të çoroditurin, të cilit populli i ka futur frikën në palcë me bashkimin dhe qëndresën e jashtëzakonshme gjatë këtyre javëve dhe muajve, se çfarë thotë: nuk i shtyj zgjedhjet se nuk më lë kushtetuta.

Ta harrojmë për një çast se dy herë i shtyu zgjedhjet më 2007-ën sepse kërkoi që çdo votues të sillte me vete çertifikatën e lindjes. 2 herë i shtyu zgjedhjet, ndërsa tani thotë se s’më lë kushtetuta.

Kundër kushtetutës nuk është shtyrja e një procesi kriminal si ky që mendon se do të ekzekutojë me 30 qershor.
Kundër kushtetutës është të emërosh kandidatë me rekorde kriminale, trafikantë, vrasës dhe përdhunues, siç bëri Edi Rama.
Kundër kushtetutës është të shantazhosh dhe të kapësh drejtësinë për të mos lejuar zbardhjen e krimit elektoral të vitit 2017-ës.
Kundër kushtetutës është të detyrosh qytetarët të shkojnë drejt një grushti shteti me 1.4 milionë karta identiteti fallco, me 1.4 milionë karta identiteti të skaduara.
Kundër kushtetutës është të fusësh duart dhe të manipulosh regjistrin e gjendjes civile, të manipulosh regjistrin e adresave.
Kundër kushtetutës është të shkelësh Kodin Zgjedhor për të emëruar opozitë fallco e kandidatë fallco.
Kundër kushtetutës është të emërosh kandidatë për kryetarë bashkie njerëz të cilët duhet të kishin dalë jashtë për shkak se i kap Ligji i Dekriminalizimit.
Kundër kushtetutës është që në vend që të shkojnë në burg, ata që vodhën votën e shqiptarëve, në bashkëpunim me krimin në vitin 2017 dhe në zgjedhjet e Dibrës në vitin 2016, ata promovohen dhe u besohet një proces pseudoelektoral, që, në fakt, është një tentativë për grusht shteti, në bashkëpunim me krimin e organizuar.

Edi Rama është kundër kushtetutës, kundër lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Kundër kushtetutës është të asgjësosh gardianin e kushtetutës, Gjykatën Kushtetuese, të asgjësosh Gjykatën e Lartë.
Kundër kushtetutës është të kapësh prokurorinë vetëm e vetëm nga tmerri se dosjet 184 e 339 zbulojnë se porositësi, ekzekutori dhe garantuesi i prishjes së zgjedhjeve, siç e publikoi edhe media evropiane, është vetë Edi Rama, kryebanditi në krye të qeverisë bandite.

Bashkimi ynë është i vetmi bashkim kushtetues.

Është detyra jonë të mos rrimë duarkryq, por të ndalojmë me të gjitha mënyrat dhe mjetet këtë grusht shteti kushtetues, të cilin Edi Rama dhe krimi e mendojnë si alternativën e vetme për të mbajtur pushtetin me dhunë dhe për të vazhduar për të vjedhur e grabitur shqiptarët e pafajshëm, ndërkohë që vetë pasurohet, duke u renditur mes politikanëve më të korruptuar e më të pasur ndër despotatet e Lindjes.

Ndaj shqiptarët janë bashkuar.

E kuptojnë fare mirë, kjo nuk është një fushatë elektorale. Kjo nuk është një fushatë partish, as një betejë partish.

Kjo është një betejë e të gjithë shqiptarëve kundër një kupole, një pakice që, pasi ka asgjesuar drejtësinë, pasi ka asgjësuar parlamentin, pasi ka kthyer qeverinë në një vegël grabitëse të oligarkëve grabitqarë dhe të krimit të organizuar, tani do të çimentojë pushtetin e krimit, duke shkelur të gjithë ligjet dhe Kodin Zgjedhor duke shkelur kushtetutën, për të imponuar një proces fallc, një proces pa garë, kundër rregullave, pa asnjë garanci për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të emërojë në bashkitë e vendit kriminelë apo të emëruar të kriminelëve. Kjo nuk mund të ndodhë, kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Krimit dhe Edi Ramës në bashkëpunim me të po i numërohen orët mbrapsht.

Asnjë kërcënim nuk pi më ujë, asnjë dhunë barbare nuk jep më efekt. Vetëm sa i shton radhët tona, vetëm sa e bën edhe më të prerë vendosmërinë tim, të Partisë Demokratike, të Opozitës së Bashkuar dhe të shqiptarëve të bashkuar.

Nuk do ta lëmë Shqipërinë peng të krimit dhe hajdutërisë.
Nuk do ta lëmë Shqipërinë peng të kryeministrit më të korruptuar, më të dështuar, më të paaftë e më të inkriminuar në historinë 29 vjeçare të pluralizmit.

Nuk ka asnjë forcë që na ndal në kauzën tonë të drejtë.

Nderim dhe mirënjohje për ju vëllezër e motra që i mposhtët ditët e errësirës, ditët e dëshpërimit. Ky diell i shpresës është, në radhë të parë, fryt i kurajos tuaj, i gjithësecilit prej jush, i qindra e mijëra shqiptarëve që u bashkuan dhe ndezën pishtarin e shpresës në errësirën e shtypjes.

Nderim të veçantë për të arrestuarit dhe të burgosurit politikë të këtij regjimi në grahmat e fundit. Sakrifica juaj nuk do të shkojë kot.

Sakrifica e asnjë shqiptari të bashkuar në këtë betejë nuk do të shkojë kot. Andi Refat Begën, Driton Hydajet Çelën, Sami Bajram Çelën dua t’i përshëndes nga kjo sallë dhe t’ju them: Ju jeni heronj! Ju jeni të burgosur politikë. Ora e drejtësisë për ata që vunë dorë mbi ju, po vjen. Dua t’ju garantoj ju dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, se shumë shpejt do të vendoset drejtësia në vend dhe se dhunuesit do të marrin atë që meritojnë. Kushtetuta dhe ligji, do t’ju rikthejnë ju, dinjitetin, nderin dhe mirënjohjen e thellë të një kombi për sakrificën tuaj për liri dhe demokraci. Përshëndetje edhe Idejat Çelës, babait të Aleksandrit. Përshendetje Aleksandrit!

Asgjë nuk na tremb, asgjë nuk na ndal, sepse ne luftojmë për një kauzë të drejtë.

Ne luftojmë për t’u rikthyer shqiptarëve parlamentin e marrë peng nga krimi.
Ne luftojmë për t’u rikthyer shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur dhe shkarkuar qeveritë me votën e tyre dhe jo me diktatin e krimit.
Ne luftojmë që nesër parlamenti të mos jetë peng as i trafikantëve, as i oligarkëve, por të jetë peng i qytetarëve shqiptarë.

Në fund të kësaj beteje, e cila do të përfundojë me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër, do të nisë menjëherë çmonitimi i strukturave kriminale, vënia e tyre para drejtësisë. Me të gjithë qytetarët shqiptarë do të nisë një konsultim kombëtar për të vendosur sëbashku sistemin zgjedhor, për të kufizuar pushtetet, për të ndarë dhe balancuar degët e veçanta të pushteteve, për t’u rikthyer shqiptarëve të drejtën për të vendosur me referendum për të gjitha çeshtjet kryesore që kanë të bëjnë me sigurinë, jetën dhe shendetin tuaj.

Kushtet për një reformë të tillë do të krijohen vetëm pasi të kemi fituar betejën kushtetuese, të kemi ndalur tentativën për grusht shteti, të kemi kthyer mbrapsht falangat e krimit dhe të kemi larguar sëmundjen më të keqe në këto 29 vjet, të keqen më të madhe në këto 29 vjet: Edi Ramën dhe skuadrën e tij kriminale.

Ndaj për këtë betejë ia vlen çdo sakrificë.
Ndaj shqiptarët janë bërë bashkë si asnjëherë tjetër.

Nuk mundet dhe nuk mund të humbë Shqipëria e shumicës, Shqipëria e shpresës, Shqipëria e dëshirës për një jetë me dinjitet në shtëpitë tona, Shqipëria që do të zgjedhë platformën më të mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike që ka pllakosur.

Ju e dini se ne demokratët kemi zgjidhjet për ekonominë, ne kemi zgjidhjet për njerëzit në nevojë, ne kemi zgjidhjet për studentët dhe sipërmarrjen, ne kemi zgjidhjet për fermerët. Ne duam që zgjidhjet tona, të kenë përballë një kundërshtar politik dhe shqiptarët të vendosin me votë. Platforma jonë do të ndalë menjëherë krizën ekonomike, duke u kthyer shqiptarëve qindra million euro që sot u grabiten nga oligarkët, përmes masave të forta ndëshkuese, për ta shkëputur Shqipërinë nga thonjtë e oligarkëve, duke anulluar kontratat e tyre abuzive dhe korruptive.

Qindra million euro, që sot grabiten nga ata, do të kthehen në rritje rrogash dhe pensionesh. Do të kthehen në financim për studentët, do të kthehen subvensione për fermerët. Do të kthehen në ndihmë ekonomike për të gjithë njerëzit në nevojë. Do të kthehen në masa që do të nxisin investimet, duke ulur që ditën e parë çmimin e naftës, duke eleminuar taksën Rama 300 lek për litër, duke ulur çmimin e energjisë., duke e kthyer Shqipërinë në fashën e vendeve konkuruese me rajonin dhe Europën.

Por miqte e mi, kjo është një betejë idesh, vizionesh, frymëzimi, deshire, pasioni, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe kjo është detyra jonë në fushatën elektorale.
Por, fushatë elektorale dhe zgjedhje nuk ka për të patur, sa kohë që Edi Rama dhe kriminelët janë ulur në sofrën e qeverisë, të babëzitur, të vendosur për të çuar në fund planin e tyre antikushtetues. Ne kemi një detyrë më madhore, një detyrë jetike për demokracinë dhe për lirinë. Sa mirë e keni bërë këtë detyrë deri më sot. Në tre muaj është zgjuar bota perëndimore dhe i ka parë të vërtetat e Shqipërisë dhe ka dëgjuar zërin, klithmën e një populli që i do standardet e Europës dhe që është në dashuri me lirinë dhe demokracinë amerikane. Një populli europian, një populli atlantik, që nuk do ta pranojë kurrë duvakun oriental të një despoti të falimentuar dhe të inkriminuar, si Edi Rama.

Nuk ka Europë pa zgjedhje të lira.
Nuk ka zgjedhje të lira pa votë të lirë.
Nuk ka zgjedhje të lira pa opozitën.
Ky është verdikti i popullit të bashkuar.
Nuk ka kompromis me të keqen.
Nuk ka pazar me Edi Ramën.

Këtu nga kjo sallë, 4 muaj më parë, u zotova se, nëse ligji për vettingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar dhe do t’i bindej sovranit, do t’i digjte mandatet. Kjo ndodhi!

Këtu nga kjo sallë ju them sonte: Pazar me Edi Ramën, kurrë më! Largimi i tij është i panegociueshëm për t’i hapur rrugë vullnetit popullor, per t’i hapur rrugë garës së ndershme, për t’i hapur rrugë ndryshimeve politike, kushtetuese dhe zgjedhore, që do të rikthejnë garën politike për të çliruar edhe PS nga sundimi i krimit dhe për ta krhyer procesin politik nga një makth për qytetarët në një shërbim në funksion të shqiptarëve dhe të mirës së tyre të përgjithshme materiale, shpirtërore, kulturore si komb, si shoqëri, si familje, si ndividë. Kjo, pra, miqtë e mi është beteja!

Në pak muaj kjo vendosmëri, kjo qartësi shpirtrash dhe mendjesh për të mos qenë kurrë më skllevër të krimit, për të mos pranuar më zot në shtëpinë tonë mrimin dhe Edi Ramën bashkë me të, për të qenë zotër të fateve tona në shtëpitë tona, në shkollat e fëmijëve tanë, në spitale, në sipërmarrje, për të bërë këtë të mundur duhet që kjo betejë të shkojë deri në fund.

Këtë të shtunë, një bashkim tjetër i madh zemrash dhe mendjesh do të zbarkojë në Tiranë. Nuk ka nevojë të ma thoni, unë e dëgjoj, që Berati do të jetë në krye, bashkë me gjithë shqiptarët e ndershëm për ta çuar këtë betejë deri në fund.

Kam një paralajmërim të qartë për atë që bëhet gati të konsumojë veprën penale të grushtit të shtetit dhe tradhtisë ndaj atdheut, duke zëvendësuar zgjedhjet e lira e të ndershme me një proces të korruptuar ligjor e të inkriminuar politikisht. Mos guxo! Asnjë shqiptar nuk e kursen sakrificën për liri dhe demokraci! Unë i pari dhe gjithë shqiptarët do të jemi në ballë për të ndaluar aktin kriminal dhe do ta ndalojmë këtë grusht me çdo çmim! Nuk e dorëzojmë Kushtetutën, nuk e dorëzojmë demokracinë!

Por dijeni, ju, një grusht njerëzish që për përfitimiet tuaja apo rekordet tuaja të zeza kriminale jeni mbledhur si një grusht me këtë pakicë se, nëse tentoni grushtin e shtetit më 30 Qershor, do t’ju arrestojmë dhe t’ju çojmë para drejtësisë, nga ku buron forca e pposhtur e popullit për liri për demokraci, për shtet ligjor.

Kjo është nje betejë për jetë a vdekje! Do të prevalojë diktati i krimit, diktati i të korruptuarve deri në palcë, shkelja e kushtetutës, shkelja e Kodit Zgjedhor, emërimi i kandidatëve me rekorde kriminale dhe pastaj fallsifikimi masiv më 30 Qershor, për të cilin kanë filluar përgatitjet që sot?

Po po! Taulant Balla, Damian Gjiknuri, tabulatet tuaja anë depozituar tashmë tek partnerët ndërkombëtarë, teksa u bëni presion 4 anëtarëve të KQZ-së që të marrin një vendim të paligjshëm për të eliminuar anëtarët e opozitës nga KZAZ-të, për të kryer një tjetër krim kushtetues. Mendoni se nuk ju sheh njeri? E keni gabim!

Mendoni se shktaërruat Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, kapët Prokurorinë? E keni gabim!

Sytë e opozitës, sytë e shqiptarëve, sytë e partnerëve tanë euroatlantikë po ju vëzhgojnë çdo minutë! Ju, o sejmenë të Edi Ramës, nuk keni asnjë shans! Rama ik!

Nuk keni asnjë shans të kryeni grushtin e shtetit!

Tërhiquni sa nuk është vonë! Përndryshe, Kushtetuta dhe sovrani do t’ju gjykojnë! Drejtësia e pavarur do t’ju japë atë që me Kod Penal, me Kushtetutë dhe me nder të flamurit kuq e zi, i takon çdo tradhëtari, dënimin e merituar me ligj!

Këto janë sfida historike, te cilat kërkojnë kurajo dhe vendosmëri historike. Të bekuar janë kombet që, në momente të tilla, kanë burra dhe gra, të rinj dhe të reja si ju që keni mbushur këtë sallë, si ata qindra e mijëra që mbushin sheshet e protestës.

Kur kjo betejë të përfundojë, kur shqiptarëve t’u kemi kthyer lirinë dhe dinjtetin, demokracinë dhe shtetin ligjor, barazinë para ligjit;

Kur, së bashku, të kemi reformuar sistemin politik, të kemi ndarë e balancuar pushtetet;

Kur të kemi kthyer, pra, të gjitha kushtet europiane për të jetuar me dinjitet në një vend të pasur, por të vjedhur, ku hajdutët nuk gradohen e promovohen, por shkojnë para drejtësisë dhe ku puna e ndershme nuk prodhon mjerim, por mirëqenie, nder, dinjitet, kënaqësi për baballarët, nënat, të rinjtë dhe të rejat, do të shikojmë pas e do të themi: kjo ishte ora fatlume, kur shqiptarët e i thanë jo errësirës, kur shqiptarët e veanë frikën, kur gjithkush gjeti brenda vetes kurajon me te cilën na frymëzon i madhi Zot, që ka krijuar gjithësecilin prej nesh në shëmbëlltyrën e tij dhe jo kokëulja skllavërore, as depersonalizimi, as servilizmi, as frika, por kurajo, kurajo për të luftuar, për të qëndruar, për të fituar.

Zoti e bekoftë Beratin’

Zoti e bekoftë orën e ahoresës, orën e ndryshimit që po vjen!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!

Fitore!

Mesazhi i studentit për Ramën para protestës: Fasada dhe propaganda nuk bëjnë më punë…

Studenti Arlind Hoxha, nga studio e emisionit “Tempora” në RTV Ora, i adresoi një mesazh kryeministrit Edi Rama, disa orë para zhvillimit të protestës kombëtare studentore.

Hoxha tha se propaganda e qeverisë nuk bën më punë tek studentët.

“Fasada dhe propaganda nuk bëjnë më punë tek studentët. Duhet të ulet realisht të punojë për arsimin, sepse arsimi nuk është as i djathtë dhe as i majtë. Është i rinisë shqiptare. Nuk duhet ti lëmë të cunguar brezat në një arsim jo cilësor, por duhet të arrijmë një arsim cilësor dhe të ecë përpara”, tha ai.

Bllokohet vettingu i partisë deri në tetor, do t’i duhen edhe 8 vite të tjera të përfundojë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve nuk do të hapë asnjë dosje të re për rivlerësim në muajt maj, korrik dhe shtator të këtij viti. Ky vendim u mor më 7 maj nga KPK.

Në janar dhe mars 2019, KPK hapi 72 dosje të reja, përfshirë ato të kandidatëve për SPAK dhe Gjykatën Kushtetuese. Këto vendime u bënë publike vetëm pasi faqja zyrtare e KPK-së u azhurnua dhe shtoi një rubrikë të re në menu, me titullin “Shorti”, opsion që më parë nuk ka qenë.

KPK argumenton se ngarkesa aktuale, si dhe procedurat e përshpejtuara të vetingut, të nevojshme për kandidatët e SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese, nuk e lejojnë atë të hapë më shumë dosje dhe të marrë më shumë raste për shqyrtim.

Duhet theksuar se përbërja aktuale e KPK-së, katër ekipe vlerësuese me nga 3 anëtarë secili, fillimisht ishte projektuar të punonte me ngarkesë më të lartë. Por mesatarja e vendimeve të KPK-së është 1,87 vendime në javë, që do të thotë se do të duhen të paktën 8 vjet për të përfunduar vetingun e të gjithë sistemit gjyqësor.

Fakti që KPK-ja nuk është në gjendje të përballojë ngarkesën e punës për procesin e vetingut me një ritëm të arsyeshëm, mund të thotë dy gjëra: 1) vlerësimi fillestar i ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS ishin totalisht jorealist, duke dhënë një pikturë shumë rozë se si do të zbatohej reforma në drejtësi; 2) shkurtimet e buxhetit për reformën e drejtësisë të miratuar nga qeveria Rama kanë pasur një efekt përkeqësues në aftësinë e institucioneve të reformës së drejtësisë për të bërë punën e tyre siç duhet. Më shumë gjasa, është një kombinim i të dyjave.

“Exit.al”