20.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Trump paralajmërin Iranit: “Lufta me SHBA-të është fundi juaj”

Presidenti amerikan, Donald Trump, lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj Iranit duke kërcënuar me shkatërrimin e tij nëse ai sulmon Shtetet e Bashkuara apo interesat e tyre.
“Nëse Irani dëshiron të luftojë, ky do të jetë fundi zyrtar i Iranit”, shkroi ai në rrjetin twitter. “Kurrë më mos i kërcënoni Shtetet e Bashkuara”.

Vetëm tre ditë më parë, presidenti Trump u duk më i tërhequr nga qëndrimi i tij i ashpër ndaj Iranit, duke thënë se ai do të ishte i gatshëm të fliste me Teheranin. I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse Shtetet e Bashkuara do të luftojnë me Iranin, presidenti Trump tha “shpresoj që jo”.

Por, nuk ka pasur ndonjë rënie të dukshme të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara, aleatëve rajonalë dhe Iranit. Departamenti i shtetit tha se një raketë e “vogël” ra të dielën në Zonën e gjelbër në Bagdad, afër ambasadës amerikane. Nuk pati njoftime për dëme në njerëz apo dëme materiale.

Zëdhënësi i komandës qendrore amerikane, kapiteni Bill Urban, tha se Pentagoni kishte njohuri për një shpërthim jashtë ambasadës, duke shtuar se “nuk kishte dëme në personelin amerikan apo të koalicionit dhe forcat irakiane të sigurisë janë duke hetuar incidentin”.

Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sulme të tilla dhe do të mbajnë Iranin përgjegjës nëse “sulmet e tilla janë veprime të milicive të mbështetura prej tij”.
Arabia Saudite po fajëson rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen për një sulm me dronë në dy stacione naftëmbajtëse të Arabisë Saudite javën e kaluar.

Shtetet e Bashkuara dyshojnë se Irani qëndron para sabotimit të katër anijeve naftëmbajtëse në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe javën e kaluar. Dy nga anijet janë të Arabisë Saudite. Sauditët thanë po ashtu se nuk do të tolerojnë agresionin iranian.

“Mbretëria e Arabisë Saudite nuk dëshiron luftë në rajon dhe nuk përpiqet për këtë”, tha të dielën ministri i Punëve të Jashtme, Adel al-Jubeir. “Por në të njëjtën kohë, nëse pala tjetër zgjedh luftën, Mbretëria do të luftojë këtë me gjithë forcën dhe vendosmërinë dhe do të mbrojë veten, qytetarët e saj dhe interesat e saj”.

Mbreti saudit, Salman, ka ftuar në një takim emergjent udhëheqësit e vendeve arabe dhe atyre të Gjirit, më 30 maj, për të diskutuar situatën në rajon.

Një agjenci iraniane e lajmeve citoi shefin e Rojave Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, të ketë thënë se vendi nuk dëshiron luftë, por “nuk ka frikë” prej saj.
Pentagoni tashmë ka dërguar bombarduesit në rajon.

Tensionet me Iranin u shtuan që kur presidenti Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Teheranin.

Sipas marrëveshjes, Irani duhej të frenonte programin e pasurimit të uraniumit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Kufizimet kishin për qëllim që Irani të mos zhvillonte armë bërthamore, gjë që Irani mohonte se është duke e bërë.

Presidenti Trump, në një intervistë për Fox News, që ishte regjistruar gjatë javës së kaluar dhe u transmetua të dielën, tha se “nuk dëshiron të luftojë”, por kur flitet për Iranin “nuk mund të lejojmë që të ketë armë bërthamore”.

Sanksionet e rivendosura amerikane e kanë lënë ekonominë iraniane në gjendje të rëndë dhe Irani ankohet se ende nuk ka parë përfitimet e premtuara ekonomike nga vendet që janë ende pjesë e marrëveshjes bërthamore si Britania, Kina, Franca, Gjermania dhe Rusia.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, tha dy javë më parë se po tërhiqej nga një pjesë e marrëveshjes bërthamore dhe do të rifillonte pasurimin e uraniumit, nëse nuk do të kishte përfitime ekonomike deri në fillim të korrikut.

Udhëtimi me shokë është gjëja më e mirë që mund ta bëni për shëndetin

Mblidhni shokët! Sipas hulumtimeve të reja, udhëtimi me shokët është gjë shumë e mirë për shëndetin mendor dhe fizik. Arsyeja?

Epo, studimet tregojnë se që të dyja – shpenzimi i kohës me shokët dhe pushimi – jua zvogëlojnë rreziqet e sëmundjeve kardiovaskulare dhe jua shtojnë jetëgjatësinë,.

Sipas raportit nga Universiteti i Harvardit, dalja me shokët jua ulë në mënyrë drastike faktorët e rrezikut të vdekjes.

“Lidhjet shoqërore si këto jo vetëm se na sjellin kënaqësi, por edhe ndikojnë në shëndetin tonë afatgjatë në mënyra po aq të fuqishme sa gjumi adekuat, dieta e mirë dhe mos konsumimi i duhanit”, kanë shpjeguar hulumtuesit e Harvardit.

Shumë studime kanë treguar se ata që kanë lidhje të kënaqshme me familjarët, miqtë dhe komunitetin e tyre janë më të lumtur, kanë më pak probleme shëndetësore dhe jetojnë më gjatë.

Reagimi nga Gjermania për studentët: Koha e duhur për protesta

Rrjeti publik televiz gjerman, ZDF, ka publikuar një reportazh të gjatë për rininë shqiptare.
Reportazhi titullohet ‘Rinia rebele e Shqipërisë’ dhe vjen pikërisht kur studentët kanë paralajmëruar një tjetër protestë. Reportazhi në fjalë është mjaft prekës dhe trajton problemin e madh të Shqipërisë: Largimin masiv të të rinjve.

“Nga fundi i komunizmit, Shqipëria ka humbur thuajse gjysmën e popullsisë. 4 milionë shqiptarë jetojnë jashtë. Në vend janë diku më pak se tre milionë.

Përse ikin të rinjtë shqiptarë? Sepse ka korrupsion, mungesë pune, mungese e të ardhmes. Një në 2 shqiptare po mendon të largohet. Kjo po shkatërron bazën e shoqërisë, familjen,” thuhet ndër të tjera në reportazh.

Në qendër të reportazhit janë dy studentët, Irisa Zhupa dhe Enrik Shehu, si dhe pedagogu Ervin Goci.
Duke u ndalur tek protesta masive e studentëve në dhjetor, Enrik Shehu që ishte një prej organizatorëve thotë se do vazhdojnë të protestojnë më tej për të drejtat e tyre.

Sipas ZDF, qeveria nuk i mori seriozisht protestat në fillim, madje u tallën. Në reportazh thuhet se korrupsioni ka lulëzuar edhe nën qeverisjen e Edi Ramës, duke theksuar se mes tij dhe studentëve ka pasur përplasje. Për ZDF, askush nga studentët nuk mund të përballojë humbjen e vitit shkollor, pasi kostot janë të larta.

Në reportazhin e mbushur me momente emocionuese, me lot prindërish që nuk duan të shohin fëmijët e tyre duke braktisur vendin, flitet edhe për betonizimin e Tiranës, për korrupsionin e përhapur në sektorin e ndërtimit dhe për protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. “Ata mendojnë se tani është koha e duhur për protesta” mbyllet reportazhi.

Allegri zbulon arsyet e ndarjes me Juventusin

Massimiliano Allegri është i etur ta gjejë një klub të ri për sezonin e ardhshëm, pasi i ndau rrugët me Juventusin disa ditë më parë.

Juventusi vendosi të ndahej me trajnerin italian pas diskutimeve me të për të ardhmen e klubit, sipas Allegrit, transmeton Gazeta Express.

Por pasi i fitoi pesë tituj radhazi në Serie A, Allegri këmbëngul se nuk është duke kërkuar një vit pushim, prandaj është i etur të nisë një projekt të ri nga sezoni i ardhshëm.

“Ideja është ta gjej një projekt që më bind mua. Jeta është plot befasi prandaj duhet të jesh i gatshëm për gjithçka”, tha Allegri, i cili kishte kontratë deri në verën e vitit 2020 me Juven.

“Fola me presidentin (Andrea Agnelli) pas ndeshjes me Ajaxin (në Ligën e Kampionëve) dhe planet i kishim për të vazhduar së bashku, por në gjashtë javët e fundit u takuam dhe morëm vendimin e përbashkët”, shtoi ai.

“Ne nuk i diskutuam kontratat apo gjëra të tilla, por e kuptuam se për të mirën e Juventusit, ishte më mirë të bëheshin ndryshime dhe t’i vazhdonim secili rrugët tona”, shpjegoi ai.

Galatasaray dëshpëron Erdoganin, fiton titullin kampion

Pas Kupës së Turqisë, skuadra e Galatasarayt ka fituar sot matematikisht titullin kampion për të 22-tën herë në historinë e klubit nga Stambolli.

Suksesi 2-1 ndaj Basaksehirit në ndeshjen direkte ia dhuroi atyre titullin.

Dhe, duke parë rezultatet në përballjet direkte mes verdhekuqëve dhe skuadrës së Erdoganit, atëherë ekipi i Tehrim, edhe nëse humbet ndeshjen e fundit dhe Basaksehir fiton, sërish do të jetë kampion.

Skandali, Rama bëri marrëveshje me Bechetin për t’i paguar 110 milionë euro, paguajnë shqiptarët

Prej ditësh, media raporton për humbjen e shtetit shqiptar në Arbitrazhin ndërkombëtar përballë biznesmenit italian, Francesko Beketi, të cilit tashmë i duhen paguar 110 milionë euro.

Në fakt, situata është edhe më e rëndë. Nuk bëhet fjalë thjesht për “humbje”. Qeveria shqiptare e Edi Ramës ka miratuar Marrëveshjen e ofruar nga Beketi, duke pranuar në këtë mënyrë se ka gabuar në veprimet e saj përballë kompanive të tij në Shqipëri.

Burime konfidenciale qeveritare deklaruan për “Boldneës.al” se Avokatura e Shtetit dhe arbitri i pajtuar nga pala shqiptare për procesin në Arbitrazhin Ndërkombëtar, janë orientuar drejt një Marrëveshjeje me biznesmenin kontrovers.

Në bazë të rregullave Arbitrazhit Ndërkombëtar, palët në proces mund të gjejnë një akord mes tyre, para se çështja të mbyllet. Në përgjithësi, pala paditëse (Beketi në rastin konkret) mund t’i afrojë një Marrëveshje palës së paditur (qeverisë shqiptare).

Edi Rama dhe qeveria e tij, nëse do të ishin të bindur në veprimet që kanë ndërmarrë ndaj Beketit, nuk do të pranonin Marrëveshjen. Por, fakti që është pranuar Pakti i ofruar nga biznesmeni italian, dëshmon që qeveria shqiptare ka pranuar se ka vepruar në mënyrë abuzive ndaj tij.

Po ashtu, edhe fakti që Rama fshihet pas “konfidencialitetit” për të mos bërë transparent këtë rast, është një dëshmi më shumë se shteti shqiptar dhe Beketi kanë arritur Marrëveshje. Vendimet e Arbitrazhit ndërkombëtar janë të ngjashëm me ato të gjykatave, të cilat bëhen publike.

Ndërkohë që Marrëveshjet përfshijnë terma konfidencialë, publikimi i të cilave kërkon miratimin e palëve. Fakti që Rama e konsideron çështjen “konfidenciale”, krijon idenë e qartë se Gjykata e Arbitrazhit nuk ka marrë një vendim në themel, por e ka mbyllur çështjen pasi palët kanë miratuar Marrëveshjen mes tyre.

Por, a është e vërtetë që autoritetet shqiptare kanë vepruar në mënyrë abuzive, në dëm të Francesko Beketit?
Disa dokumenta hetimore, të siguruar nga “Boldneës.al” dëshmojnë se Francesko Beketi është përfshirë në një skemë mashtruese me koncensionarin e Kalivaçit, “KGE”.

Në bazë të një hetimi të Prokurorisë së Tiranës, nisur nga referimi i Anti-krimit ekonomik në Policinë e Shtetit dhe Drejtorisë së Tatimeve, në qershor 2015, gjykata vendosi masën e arrest për Francesko Beketin, nënën e tij, Liljana Condomiti, si edhe për bashkëpunëtorin e tyre Mauro de Renzi.

Sipas hetimeve, disa kompani, të gjitha nën emrin e Beketit dhe njerëzve të tij të afërt, kanë kryer faturime fiktive për njëra-tjetrën, duke përfituar rreth 40 milionë euro.

Më konkretisht, kompania “Energji”, e cila kontrollohej në shumicë absolute nga Liljana Condomiti, kishte bërë fatura fiktive për punime të parealizuara në hidrocentralin e Kalivaçit, i cili ishte marrë me koncension nga kompania “KGE” e djalit të saj, Francesko Beketi.

Prokurorët arritën të siguronin qindra materiale dokumentare e fatura fiktive, nëpërmjet të cilave arritën të provonin skemën e ngritur nga Francesko Beketi dhe bashkëpunëtorët e tij.

Beketi dhe njerëzit e tij të afërt nuk u arrestuan asnjëherë, pasi ata ishin larguar nga Shqipëria. Nga Anglia, ku qëndronte rezident, biznesmeni italian iu drejtua Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku i kërkonte penalizimin e shtetit shqiptar, për shkak të atyre që ai e konsideronte si “veprime abuzive kundër biznesit” të tij.

Në gjykimin në Arbitrazhin Ndërkombëtar, shteti shqiptar ka pasur të gjithë mundësinë për të dalë fitues përballë Francesko Beketit. Dokumentat e siguruar gjatë hetimit penal të Prokurorisë dukeshin të mjaftueshëm për të bindur arbitrat ndërkombëtarë se padia e Beketit ishte e pabazuar.

Por, kryeministri Rama dhe përfaqësuesit e tij kanë zgjedhur që të luajë rolin e “humbësit” dhe të pranojë Marrëveshjen 110 milionë euro, të prezantuar nga Francesko Beketi.

Arsyet se përse Rama ka zgjedhur këtë rol, ndërkohë që mund t’i shpëtonte qytetarëve shqiptarë 110 milionë euro nga taksat e tyre, ndoshta do të duhet kohë që të dalin në dritë.

“Boldnews.al”

Pija magjike që largon toksinat e trupit

Mënyra e keqe e jetesës dhe konsumimi i ushqimeve të pashëndetshme shpijnë në akumulimin e panevojshëm të shumë helmeve në trup.

Këto toksina padyshim se janë të dëmshme për neve dhe i pengojnë proceset normale të trupit.
Megjithatë, ekspertët tregojnë se ka mënyra natyrale se si mund t’i largoni këto toksina nga trupi dhe të përfitoni shumë.

Disa prej përfitimeve që i keni nga largimi i toksinave nga trupi janë:
– Rritja e disponimit
– Zvogëlimi i rrezikut të kancerit në zorrë

– Lirimi nga gazi, dhimbjet dhe fryrja e barkut
– Ndihmon në humbje të peshës
– E forcon sistemin e imunitetit

– I rritë nivelet e energjisë
Më poshtë e keni një recetë për pastrimin e zorrëve.

Përbërësit:
– Gjysmë gote ujë
– Gjysmë luge çaji kripë deti
– Një lugë gjelle lëng xhenxhefili

– Një gotë lëng molle
– Dy lugë gjelle lëng limoni

Instruksionet:
Në një pjatë, përzieni të gjithë përbërësit (përveç kripës) dhe i nxehni. Kur fillojnë të dalin fluska, largojeni nga nxehja dhe vendoseni në një gotë.

Shtojani kripën dhe përziejeni prapë.
Pijeni një gotë të këtij ilaçi çdo mëngjes në stomak të zbrazët dhe sigurohuni që gjatë ditës të pini mjaftueshëm ujë.

VËREJTJE: Para se të konsumoni çfarëdo recete të mjekësisë alternative, është e rekomandueshme të konsultoheni me doktorin paraprakisht.

Zidane nuk i dha mundësi Bale të përshëndetet me tifozët: “Më vjen keq”

Zidane thotë se i vjen keq që nuk ia dha disa minuta Gareth Bale, në ndeshjen që mund të kishte qenë e fundit për uellsianin.

Bale qëndroi në stol për 90 minuta në humbjen 0-2 të Realit në Bernabeu nga Real Betis, duke e mbyllur kështu sezonin ashtu edhe sic e nisi – në mënyrën më të keqe të mundshme.

Mediat në Spanjë raportojnë vazhdimisht se Bale ka luajtur sezonin e fundit në Madrid dhe i pyetur nga gazetarët pse nuk ia dhuroi disa minuta në ndeshjen që mund të kishte qenë lamtumirëse dhe përshëndetëse me tifozët, Zizu u përgjigj: “Është e vërtetë, më vjen keq. Por nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Unë shikoj ditë pas dite dhe marrë vendime edhe nëse diçka s’më pëlqen”.

Bale është pjesë e Realit që nga viti 2013.

Për shkak të lëndimeve të shumta, ai ka bërë 231 paraqitje dhe ka shënuar 102 gola.

Bale e ka të pamundur të qëndrojë në Real

Gareth Bale e ka të pamundur të qëndrojë në Real Madrid për shkak të probleme dhe marrëdhënieve të këqija me trajnerin dhe tifozët, sipas ish-presidentit të klubit madrilen, Ramon Calderon.

Përfaqësuesi i Uellsit u rikthye në planet e Zinedine Zidane për ndeshjen e ditës finale kundër Real Betisit në La Liga të dielën, por u la në bankën e rezervistëve në një humbje tjetër që Santiago Bernabeu e përjetoi, transmeton Gazeta Express.

Pas ndeshjes, Zidane theksoi se i duhet të veprojë patjetër në interes të klubit, pasi Bale u injorua edhe pse besohet se ndeshja ndaj Betisit ka mundur të jetë ajo e lamtumirës për të.

Calderon beson se Zidane nuk e do uellsianin dhe se ai e ka të pamundur qëndrimin në Madrid.

“Zidane nuk e do atë: është një marrëdhënie që do të marrë fund”, tha Calderon për BBC.

“Duket se ajo ishte ndeshja e fundit për të në Real Madrid. Zidane, kur u largua vitin e kaluar, ai mendonte ta mbajë Ronaldon dhe ta shesë Bale dhe klubi vendosi kundër kësaj”, shtoi ai.

“Duket e pamundur për Bale të jetë këtu për shkak të marrëdhënieve me trajnerin dhe të tifozët. Gjëja më e mirë për të është të largohet”, theksoi ai.

Rritja e notës mesatare për maturantët, kufizim i lirisë për arsim!

Albana VOKSHI

Rritja e notës mesatare për maturantët që duan të ndjekin universitetin është kufizim i #lirisë për #arsim.

Këto ditë, kam marrë shumë mesazhe shqetësimi nga prindër të nxënësve maturantë, por edhe mësues gjimnazesh të ndryshme në vend, në lidhje me vendimin e marrë së fundmi nga Këshilli i Ministrave për rritjen e notës mesatare për pranimet në Universitete.

Kështu për vitin akademik 2019-2020:

– Nota mesatare rritet nga 7 në 7.5 – për maturantët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë;

– Nota mesatare rritet nga 6 në 6.5 – për të gjithë maturantët që duan të ndjekin programet e tjera të studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë.

Ky vendim keqdashës, abuziv, antikushtetues, i marrë vetëm pak ditë para përfundimit të maturës, tregon qartësisht që Rama-Shahini nuk e kanë Arsimin prioritet.

Ky vendim ndryshon rregullat e pranimit në Universitete, duke mos i dhënë mundësi asnjë maturanti të mund të përmirësojë notën mesatare, e duke përjashtuar shumë prej tyre nga mundësia për arsimim.

Duke ju mohuar të drejtën për arsimin, Rama po kërkon të largojë nga Shqipëria pjesën më vitale, më të talentuar të shoqërisë.

Në këto kushte, maturantët kanë të gjithë të drejtën të #bojkotojnë #provimet#maturës.

Maturantët të #protestojnë për të drejtat e tyre kushtetuese e për të ardhmen e tyre në Shqipëri.

#Rama#ik!!

Në gjyq pse denoncoi përfitimin e 3 miliardë lekëve nga kompania e burrit të deputetes së PS

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji akuzoi sot nga Gjykata Penale e Tiranës mënyrën sesi qeveria apo deputetë të Rilindjes po përdorin gjykatat si varrmihëse të skandaleve të tyre.

Salianji u përball sot në një proces me ligjvënësen e PS-së, Klotilda Ferhati, për shkak të akuzave mbi kompaninë e burrit apo familjarëve të saj, që me ardhjen e Rilindjes në pushtet përfituan mbi 3 miliardë lekë.

“Jam sot në një tjetër rast, ku po përdoret gjykata si një rast varrmihëse për skandalet e qeverisë dhe deputetëve të saj.

Nga sot do të paraqitem në çdo gjyq që do të kem për t’i rithënë akuzat që kam ndaj qeverisë dhe deputetëve të saj.

Në rastin konkret jam në një gjyq për akuzat ndaj kompanisë Selcom, e cila me ardhjen e Rilindjes në pushtet ka rilindur. Nëse në 2012 kompania në fjalë kishte një bilanc negative, me ardhjen e Rilindjes në pushtet, xhiroja ka arritur në mbi 3 miliardë lekë.

Bashkë me avokatët e mi po shohim mbi tenderat që ka fituar kjo kompani, ku në një rast janë fondet që ka përfituar nga Bashkia e Librazhdit.

Në këto kushte jemi në një rast të ngjashëm si ai i ish-deputetit Koço Kokëdhima, që humbi mandatin e deputetit, por sot ne nuk kemi Gjykatë kushtetuese për të shkuar dhe për të parë nëse deputetja Bushati ka konflikt interesi apo jo”, tha Salianji.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka humbur asnjë gjyq lidhur me akuzat që ka bërë ndaj Rilindjes, duke shtuar se do të jetë i pranishëm në çdo seancë për të denoncuar dhe ri-denoncuar skandalet e qeverisë.