30.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

ZDF, reportazh për studentët shqiptarë: Do të vijojmë protestat, na kërcënuan me…

Teksa studentët kanë paralajmëruar rikthimin e protestave si kundërpërgjigje ndaj injorimit që qeveria po u bën kërkesave të tyre, të bëra publike gjatë protestave masive të muajit dhjetor dhe janar, rrjeti publik televiz gjerman, ZDF, ka publikuar një reportazh të gjatë dedikuar rinisë dhe studentëve shqiptarë, një bashkëpunim mes Arte dhe ARD.

Reportazhi në fjalë është mjaft prekës dhe trajton problemin e madh të vendit: Largimin masiv të të rinjve.

“Nga fundi i komunizmit, Shqipëria ka humbur thuajse gjysmën e popullsisë. 4 milionë shqiptarë jetojnë jashtë. Në vend janë diku më pak se tre milionë. Përse ikin të rinjtë shqiptarë? Sepse ka korrupsion, mungesë pune, mungese e të ardhmes.

Një në 2 shqiptare po mendon të largohet. Kjo po shkatërron bazën e shoqërisë, familjen,” thuhet ndër të tjera në reportazh.

Në qendër të reportazhit janë dy studentët, Erisa Zhupa dhe Enrik Shehu, si dhe pedagogu Ervin Goci.

Duke u ndalur tek protesta masive e studentëve në dhjetor, Enrik Shehu që ishte një prej organizatorëve thotë se do vazhdojnë të protestojnë më tej për të drejtat e tyre.

Sipas ZDF, qeveria nuk i mori seriozisht protestat në fillim, madje u tallën. Në reportazh thuhet se korrupsioni ka lulëzuar edhe nën qeverisjen e Edi Ramës, duke theksuar se mes tij dhe studentëve ka pasur përplasje.

“E vërteta është se nuk jemi kënaqur me atë që arritëm nga protesta, por na kërcënuan me humbjen e vitit shkollor”, thotë Shehu.

Për ZDF, askush nga studentët nuk mund të përballojë humbjen e vitit shkollor, pasi kostot janë të larta.

Në reportazhin e mbushur me momente emocionuese, me lot prindërish që nuk duan të shohin fëmijët e tyre duke braktisur vendin, flitet edhe për betonizimin e Tiranës, për korrupsionin e përhapur në sektorin e ndërtimit dhe për protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Në fund të reportazhit thuhet se studentët janë të bindur se do vazhdojnë lëvizjen e tyre.

“Ata mendojnë se tani është koha e duhur për protesta,” thuhet në reportazhin e ZDF.

Kujtojmë se protesta e rradhës e studentëve do të zhvillohet më datë 22 maj, ora 12:00, para Ministrisë së Arsimit.

Denoncimi tek Berisha: Të kërkuarit nga Iterpoli rrahin dy policë, Lleshi fsheh ngjarjen

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar disa mesazhe denoncuese të qytetarëve dixhitalë, të cilët shkruajnë se Policia e Shtetit vijon të  mospublikojë rastet që ndodhin në vend.

Sipas tij, në Peqin, dy efektivë të Policisë Rrugore të Elbasanit janë rrahur nga dy persona, që sipas tij, janë në kërkim nga Interpol për vrasje në Itali.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Fshehja e krimeve, tipar i Narkopolicise se Vasal Kimikut dhe Edvin Mashtrimit! Miq, çdo dite qytetaret denoncojne narkopolicine per fshehje te krimeve.Shkaku kryesor i ketij qendrimi kriminal eshte sepse narkos me uniforme jane autore te tyre ose krimet jane kryer nga bandat e partise.

Prsh Doktor, ka ndodhur nje ngjarje e rende, ne qytetin e peqinit ku jan rrahur barbarisht 2 police rrugore te elbasanit, ngjarja mbahet e fshehte nga policia elbasanit dhe peqinit. te dy personat qe kan rrahur policet jan ne kerkim nga interpoli per vrasje ne itali.

Basha: Rama dhe banda në pushtet dhunon shkencën dhe artin njësoj si demokracinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka denoncuar manipulimin e zgjedhjeve që po bëhen në Akademinë e Shkencave, ku po gatuhet zgjedhja e Gjinushit.

Basha shkruan në profilin e tij në Twitter se, nuk do të ketë asnjë hap pas, duke i bërë thirrje qytetarëve ti bashkohen protestës së madhe të opozitës që do të mbahen më 25 maj, për Shqipërinë si gjithë Evropa.

“Ashtu si “zgjedhjet” e tjera fallco edhe në Akademinë e Shkencave po gatuhet “zgjedhja” e Gjinushit. Rama dhe banda në pushtet dhunon shkencën dhe artin njësoj si demokracinë, pronën, qytetarin, ekonominë, të drejtat politike, drejtësinë.

Asnjë hap pas! #ShqipëriaSiEuropa #25Maj”, shkruan Basha.

Hahn: Maqedonisë së Veriut t’i hapen negociatat, Shqipëria ka mbetur prapa…

Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, përmes një postimi në rrjet kërkon hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Madje Hahn shkon edhe më tej duke u shprehur se negociatat me këtë vend nuk mund të penalizohen me atë që shtete të tjera mund të kenë mbetur prapa.

Në fakt duket se mesazhi i Hahn në rrjetet sociale i drejtohet Shqipërisë, pavarësisht se nuk përmendet drejtpërsëdrejti.

Por ajo që dihet është fakti se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin dy vendet që prisnin hapjen e negociatave me BE-së që në maj të 2018-ës, por që u shtynë me 1 vit.

Të dy vendet shpresonin që në fundin e majit 2019 apo qershorin e këtij viti t’i hapej drita jeshile për negociatat, por duket se vetëm Maqedonia e Veriut do të ketë fatin për të çuar procesin një hap përpara.

Procesi i Zgjerimit të BE-së, sipas Hahn, bazohet në merita, duke vlerësuar përparimin individual, ndërsa shton se nuk do të ishte e drejtë që të kishte penalizime për shkak të të tjerëve që mbeteshin prapa.

Dyshohet se është përdorur në ngjarje kriminale, i vihet zjarri makinës së drejtoreshës

Policia e Shtetit fsheh një ngjarje të rëndë të ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Shkodrës.

Në qytetin më të madh në veri të vend, i cili prej kohësh vuan nga kthetrat e krimit, është djegur makina e një drejtoreshe.

Sipas denoncuesit, që shkruan në profilin e ish kryeministrit Sali Berisha, makina në fjalë mund të jetë përdorur në disa ngjarje kriminale në këtë qytet.

Postimi i plotë i ish-kryeministrit Berisha

Fshehja e krimeve, tipar i Narkopolicise se Vasal Kimikut dhe Edvin Mashtrimit!

Miq, çdo dite qytetaret denoncojne narkopolicine per fshehje te krimeve.
Shkaku kryesor i ketij qendrimi kriminal eshte sepse narkos me uniforme jane autore te tyre ose krimet jane kryer nga bandat e qeverise.

Pershendetje zoti Berisha, vetem ju jeni zeri i se vertetes. Te henen date 6/5/19 ne oret e para te mengjesit ne Shkoder nje drejtoreshe shkolle i eshte grabitur e djegur me dashje ne periferi vetura dhe ne menyre te cuditshme policia e ka fshehur ngjarjen a thua se po bashkepunon me krimin duke mos e shenuar as ne raportin ditor te ngjarjeve e as ne media. Nji zot e di se cfare krimi mund te jete kryer me ate mjet e narkoshteti ne Shkoder mbulon e nuk zbulon. Anonim.

Një gënjeshtër tjetër e Kryeministrit në Opinion, ndoshta e fundit…

Andi Bejtja

Mbëmë, në një debat me Kryeministrin Edi Rama në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, e pyeta Kryeministrin nëse kishte dijeni në lidhje me një gjyq të humbur nga qeveria shqiptare me Agon Channel në një shumë mbi 100 millionë euro. Kryeministri u përgjigj se nuk mund të fliste për këtë pasi e pengonte një klauzolë konfidencialiteti. Jo vetëm unë por dhe shqiptarët nuk morrën një përgjigje.

Madje sot po të flasim në gjuhë juridike, mund të themi se ishte një devijim i plotë nga e vërteta. I pasqaruar mirë nga kjo përgjigje e Kryeministrit, jo vetëm unë por gjithë publiku shqiptar, m’u desh për pak minuta të bëhem edhe jurist.

U futa në faqen e ICSID dhe pashë nenet e Konventës, e cila është e thjeshtë dhe e kuptueshme për këdo. Si konkluzion, më rezulton që secila nga palët në arbitrazh është e lirë sipas vullnetit të saj të bëjë publike në çdo moment vendimin e gjykatës.

Pra Kryeministri i vendit, nqs donte të ishte transparent me shqiptarët që fatkeqësisht do të paguajnë këtë dëm të vendosur nga Gjykata ndërkombëtare ICSID, i gjithi si pasojë e veprimeve dhe hakmarrjes së tij personale ndaj Agon Channel dhe biznesmenit Francesco Becchetti, kishte mundësi ta bënte këtë që mbrëmë.

Madje sipas Konventës, vendimi i arbitrazhit ICSID është një vendim përfundimtar, menjëherë i ekzekutueshëm dhe i pa apelueshëm në rrugë të zakonshme, përveç rasteve të jashtëzakonshme të lidhura me difekte të rënda procedurale dhe me formimin e rregullt të gjykatës, por që nuk aplikohen për rastin në fjalë.

Me sa duket kjo ishte një gënjeshtër tjetër nga shumë gënjeshtra të tjera që u thanë mbrëmë nga Kryeministri në Opinion. Meqë nuk është problem konfidencialiteti ndoshta mund të kthehemi prap në Opinion, Kryeministri të sjellë vendimin me shifrën e detajuar përkatëse dhe të bëjmë transarencë në sy të opinionit publik shqiptar.

Basha në Parlamentin britanik: Vendi ndodhet në krizë të rrezikshme!

Gjatë vizitës së punës në Londër, Kryetari i Partisë Demokratike dhe delegacioni që e shoqëron u prit nga Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Britanik Tom Tugendhat. Në takim u diskutua për gjendjen politike dhe situatën në Shqipëri e rajon, si dhe për krizën e rrezikshme ku ndodhet vendi.

Në këtë takim, lideri i opozitës konfirmoi angazhimin e Partisë Demokratike dhe të gjithë opozitës së bashkuar për një zgjidhje politike të krizës, që do të garantojë zgjedhje te lira dhe të ndershme, duke ndarë politikën nga krimi, duke i zgjidhur duart drejtësisë që të vërë para ligjit politikanët e përsfshirë në shitblerje votash me krimin e irgsnizuar si dhe afera të tmerrshme korruptive.

Reformë e thellë politike për fuqizimin e rolit të qytetarit sipas praktikave më të mira të vendeve demokratike perëndimore është angazhimi ynë,- theksoi zoti Basha.

Lideri i opozitës theksoi rolin e rëndësishëm të Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me partnerët e tjerë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Gjithashtu, z.Basha e falenderoi z. Tugenthat për qëndrimin e qartë dhe të prerë të Britanisë së Madhe dhe Parlamentit Britanik kundër ndryshimit të kufijve dhe copëtimit të Kosovës, çka do të ishte nje precedent i rrezikshëm kundër paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Gjatë takimit u diskutua mbi prioritetet e bashkëpunimit të ardhshmëm midis Shqipërisë dhe qeverisë britanike në fushat e bashkëpunimit strategjik të sigurisë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare.

Banka e Shqipërisë: Rënie e pëndërprerë e rritjes ekonomike, Spaho: Ekonomia po mbaron

Banka e Shqipërisë sapo ka njoftuar se rritja ekonomike e vendit vazhdon të bjerë pa ndërprerje që nga tetori i vitit 2018. Arsyeja kryesore është rënia drastike e investimeve të huaja.

Deri tani kontribuesit kryesore në rritjen ekonomike ishin investimet e mëdha që siguroi PD. Me përfundimin e punimeve në gazsjellësin TAP dhe Hidrocentralin e Devollit, ka rënë edhe rritja ekonomike e vendit.

Ekonomia shqiptare po mbaron.
Qeveria “Rama” në këto 6 vjet ka sjellë zero investime të reja te huaja dhe nuk ka hapur vende të reja pune.
Paraja kriminale po përzë paranë e ndershme dhe, me përjashtim të kantiereve të pastrimit të parave me ndërtime luksoze në qendër të Tiranës, kantieret e vërteta të punësimit nuk ekzistojnë.

Kriminalizimi dhe klientelizimi i ekonomisë po shkatërron të ardhmen e vendit: sot vetëm kriminelët dhe klientët mund të punojnë duke pastruar para dhe vjedhur pasuritë e vendit.

Fotografia me e qartë e gjendjes së mjeruar ekonomike të vendit janë radhët pa fund të të rinjve shqiptarë në Ambasadën Gjermane për viza të përkohshme punësimi. Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria e Edi Ramës.

I vetmi investim që ka bërë ndaj tyre Edi Rama është blerja e gazit helmues për të shuar protestat kundër rrënimit që u ka bërë Rama. E vetmja rrugë për rikthimin e shpresën në këtë vend, për të kthyer investimet, punësimin dhe mundësitë ekonomike është bashkimi me opozitën për t’i dhënë fund qeverisë së mjerimit të vendit.

Shkrimi i “Monitor”

Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit, e ndikuar nga faktorë të tillë si rënia e prodhimit të energjisë, tkurrja e investimeve të huaja nga mbarimi i projekteve të mëdha. Në kahun tjetër edhe ambienti i jashtëm po përkeqësohet, duke bërë që banka Qendrore Europiane të shtyjë vendimin për politikën monetare.

Banka e Shqipërisë prezantoi sot raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti. Sipas ekspertëve të bankës, rritja ekonomike në tremujorin e parë 2019 do të ketë ecuri të ngjashme me tremujorin e katërt 2018, çka do të thotë se ritmet e rritjes do të jene disi më të ngadalta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, në tremujorin e fundit 2018, rritja ekonomike ishte 3.1%. Në raport me tremujorët e mëparshëm, rritja është shumë më e ulët. Në tremujorin e parë 2018 ekonomia u rrit me 4.42%, në të dytin me 4.32% dhe në të tretin me 4.48%, e nxitur nga prodhimi i energjisë nga reshjet e bollshme.

Banka vlerëson që mungesa e prodhimit të energjisë dha një efekt të dyfishtë si në rritjen ekonomike dhe në zgjerimin e deficitit tregtar në tremujorin e parë të këtij viti.

Sipas raportit, zhvillimet ekonomike e financiare në vend mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik vijon të rritet, kapacitetet e pashfrytëzuara në tregun e punës e kapitalit janë reduktuar dhe tregjet financiare janë të qeta. Presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, por efekti i mbiçmimit të kursit të këmbimit ka frenuar rritjen e inflacionit drejt objektivit.

Ritmi i rritjes ekonomike në tremujorin e katërt të vitit 2018 dhe norma e inflacionit në tremujorin e parë të vitit 2019 u ngadalësuan. Kjo ecuri ishte në përputhje me pritjet tona, por treguesit rezultuan në nivele më të ulëta sesa parashikimet.

Inflacioni vjetor shënoi vlerën mesatare 1.6% për tremujorin e parë të vitit 2019, duke u reduktuar nga tremujori paraardhës. Rënia e tij pasqyroi kryesisht shuarjen e efektit të rritjes së çmimeve të qerasë dhe ujit një vil më parë dhe reduktimin e fortë të inflacionit të produkteve bujqësore në muajin mars.

Ecuria e inflacionit është diktuar kryesisht nga faktorë të ofertës, ku veçojmë mbiçmimin e kursit të këmbimit dhe ngadalësimin e inflacionit me partnerët tanë tregtarë, i cili ka qenë më i madh në tremujorin e parë të 2019. Ai pritet që të reduktohet gradualisht në tremujorët pasues.

Ecuria e inflacionit ka gjetur mbështetje nga zgjerimi i kërkesës, i pasqyruar më tej në përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve prodhuese. Megjithatë, nivelet e ulëta të inflacionit bazë sugjerojnë se presionet inflacioniste afatmesme janë të ulëta.

Prodhimi i brendshëm bruto u rrit me 3.1 % gjatë tremujorin të katërt dhe me 4.1 % për vitin 2018. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe ritmet më të ngadalta të rritjes në sektorin e shërbimeve sollën ngadalësimin e rritjes ekonomike në tremujorin e fundit.

Në këndvështrimin e kërkesës, rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e brendshme private, ndërsa eksportet neto e ndikuar negativisht atë. Të dhënat paraprake sugjerojnë se rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2019 do të vijojë me ritme të përafërta me ato të tremujorit të kaluar.

Kredia për ekonominë është rritur me 6 % në tremujorin e parë, e zhveshur nga kursi i këmbimit dhe efekti i fshirjes nga bilancet të kredive të këqija. Zhvillimet ekonomike në vend janë mbështetur, ndër të tjera, nga politika monetare lehtësuese.

Niveli i normës bazë të interesit, orientimi i tregjeve mbi ecurinë e ardhshme të politikës monetare dhe injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit në tregun ndërbankar, kanë ulur kostot e financimit të sektorit privat, duke nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve. Ritmi i kreditimit të sektorit privat është përmirësuar në tremujorin e parë të 2019, i mbështetur nga rritja e kredisë në lekë dhe nga rritja e kredisë për biznese.

Politika monetare stimuluese ka krijuar kushte për kthimin e inflacionit në objektiv. Perspektiva afatmesme ekonomike është pozitive. Aktiviteti ekonomik dhe kërkesa agregate pritet të vijojnë rritjen me ritme të qendrueshme në vitet e ardhshme.

Zgjerimi i kërkesës agregate do të mundësojë rritjen e mëtejshme të punësimit, shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve prodhuese dhe rritjen më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Këto zhvillime do të mundësojnë kthimin e inflacionit në objektiv në fillim të vitit 2021, pak më vonë se në parashikimin e kaluar.

Kjo shtyrje në kohë e arritjes së objektivit është ndikuar më së shumti nga përkeqësimi i parashikimeve për ekonominë e Eurozonës, të cilat përfshihen në parashikimin tonë.

Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm, por intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Rreziqet rreth parashikimeve bazë në afatin e mesëm anojnë në kahun rënës të treguesve.

Materializimi i faktorëve të rrezikut, mund të kërkojë shtyrjen në kohë të normalizimit të politikës monetare, ose rritjen e mëtejshme të stimulit monetar.

Nishani: Pse e kam injoruar deri tani Topin e paçes, i vetmi vend ku investoi në Presidencë ishte…

Nuk kam preferuar kurrë ti kundërpërgjigjem provokimeve dhe sulmeve të ndërsyera të Bamir Topit vetëm për një arsye.
Duke e njohur mirë atë njeri, që për shkak të kompleksit të thellë të inferioritetit që e karakterizon, është përpjekur gjithë jetën e tij vegjetative të ndërtojë kontraste haluçinante me të tjerët që e mundonin me qënien e tyre.

Nuk i jam kundërpërgjigjur Bamiri kur si i vetmi ish-President keqpërdorej nga Edi Rama për të sulmuar Presidentin në detyrë.
Jo pse, këtë mision e merrte vetëm ky ndër të gjithë ish Presidentët e vendit por për një arsye fare të thjeshtë. Kisha parasysh nivelin që përfaqësonte Edi Rama, imagjino pastaj një bufon që përdorej nga Rama.

Nuk kam reaguar as kur mora detyrën e Presidentit të Republikës dhe u skandalizova kur e gjeta institucionin më të lartë të Shtetit Shqiptar të kthyer në një vend ku kalbeshin mbeturina të hedhura prej vitesh, e ku vendi më i investuar ishte kuzhina e gatimit dhe menca e ngrënies.

Në fakt nuk mund ta mendoja më parë se si zyra e Kryetarit të Shtetit të kthehej në kuzhinë gatimi e ngrënie. Natyrisht që e ktheva urgjentisht atë ambient në një bibliotekë e dhomë për median dhe të gjithë ambientin e Presidencës në një vend dinjitoz për shtetin e qytetarët.

Tashmë Bamiri më paska bërë edhe pompist karburanti !!! Të punosh pompist nuk është ndonjë gjë e keqe aspak. Kam respektin dhe nderimin tim më të madh për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që bëjnë atë punë.

Ajo është shumë më e ndershme se sa p.sh. ti ushqesh fëmijët me paratë që ju merr si gjoba gjyqtarëve e prokurorëve.
Por mua nuk më është dashur të punojë kurrë si pompist. Nëse do ta kisha të nevojshme atë punë do ta bejë pa asnjë problem.

Në fak mua më është dashur të punoj në sektorin privat si administrator në tre bisnese të ndryshme, për disa vite, pasi megjithëse kisha vetëm një vit kur isha kthyer nga studimet pasuniversitare në një prej akademive më prestigjoze në Kaliforni të SHBA, u pushova nga puna në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u largova nga Forcat e Armatosura prej ish-enveristëve të Shkollës së Bashkuar që u rikthyen në krye të asaj ministrie dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në shtatorin e vitit 1997.

Kjo periudhë më ndihmoi të diplomohesha më pas edhe në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Nuk ja vlen ti përgjigjesh gënjeshtrave ordinere të Bamirit që sipas tij më paska futur në PD duke më propozuar për Sekretar i PD për Tiranën.

Në fakt ky nuk e ka njohur dhe nuk ka ditur kurrë se çfarë bëhej në Partinë Demokratike. Përpara se të zgjidhesha Sekretar i Përgjithshëm për Tiranën e përpara se të drejtoja komisionin që bëri Bamirin deputet, unë isha zgjedhur kryetar i degës 3 për Tiranën.

Ishte ajo gara ime e parë brenda PD, madje duke fituar edhe përballë kandidatësh që atë kohë ishin personalitete të rëndësishme të PD. Në fakt nëse ka një kontribut për karrierën e tjetrit në politikë ai është i imi.

Nëse nuk do të ishin ato sakrifica të mëdha të miat përballë kërcënimeve të pushtetit të kohës dhe kalimi i netëve përgjatë një jave i mbyllur në ambientet e Gjimnazit Çajupi për të ruajtura të paprekura kutitë e votimi, Bamiri nuk do mund të ishte bërë dot deputet me ato (72) vota avantazh që kishte mbi kandidaten socialiste.

Demokratët e kujtojnë fare mirë betejën e pabarabartë që bëmë deri në Gjykatën Kushtetuese ku fituam përfundimisht mandatin për Bamirin. Nëse nuk do të ishte futur në Parlament në vitin 2001, Bamiri do të ishte harruar në politikë e do të gjesdiste sot me vulën e veterinerit në dorë nëpër thertoret e Tiranës.

Nuk ka vlerë të shpjegosh sot pse u bë Bamiri, President Republike ? Bamiri as e ka kuptuar e as e kupton dot as sot.
Dështimi i zgjedhjes së Presidentit në atë periudhë shpërndante Parlamentin dhe e çonte vendin 3 herë në zgjedhje të reja parlamentare.

Shqipëria ishte në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe përballë përpjekjeve të faktorëve anti NATO për ta stopuar proçesin e anëtarësimeve në Ballkan ne nuk do lejonim këtë skenar.

Duke qenë Ministër i Brendëshëm në atë kohe dhe informacionit që disponoja për influencat e huaja kam mbajtur vetëm një fjalë në mbledhjen e grupit parlamentar.

I jam drejtuar drejt Bamirit duke i thënë : “nëse ti i ke votat (84) për tu zgjedhur President neve na ke të gjithëve në rrjesht pas teje, por nëse ti e çon Parlamentin drejt shpërndarjes dhe vendin në zgjedhje të parakohëshme tre herë rradhazi, duhet të marrësh përgjegjësi politike personale”!

U tmerrua nga kjo që i thashë, u ngrit në këmbë dhe tha se votat duhet ti gjente Sali Berisha dhe jo ai. Ne fakt duheshin një duzinë votash nga socialistët për të kaluar situatën e për këtë duhej kandidat dikush që ishte “as mish e as peshk” që të mos viheshin në pozitë shumë të rëndë ata socialistë që do të votonin kandidatin tonë për President.

Ky ishte Bamiri. Kur e kam njohur, fillimisht më vinte keq dhe nuk e kuptoja se përse elita e partisë e përbuzte dhe nuk e afronte. Rrinte gjithmonë i vetmuar tek një kioskë përballë selisë së PD. Më merrte në telefon dhe fillimisht shkoja ti bëja shoqëri.

Kur pashë se rrinte aty veç të hante një pjatë me paçe e një tas me pilaf dhe largohej pa paguar, mu pështiros.
Pronarët e lokalit mund t’ja kishin ofruar “privilegjin” e paçes dhe pilafit falas por unë nuk e “gëlltisja” dot atë sjellje.

Ndaj nuk ja vlente që unë ti kundërvihesha një njeriu që kishte veç tre karakteristika ; gënjeshtar, burracak dhe qelepirxhi.
Këto janë në fakt karakteristikat e një individi me kompleksin e fortë të inferioritetit të cilit sot nuk i afrohen as vëllezërit e tij.

Mbi 10 mijë kërkesa për azil nga Shqipëria drejt vendeve të BE nga Janari në mars

Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku ka vënë alarmin sot për dramën e rëndë që po përjetojnë shqiptarët sërish pas viteve  ’90, largimin masiv nga vendi dhe për këtë ikje akuzon vetëm qeverisjen në pushtet që ka kapur të gjitha rekordet në këtë drejtim.

“Kjo mazhorancë po e bjerr Shqipërinë nga shqiptarët. Shqipëria e para në rajon dhe e treta në botë për numrin e azilkërkuesve! – shkruan Tabaku në Fb, duke analizuar gjithmonë shifart zyrtare të institucioneve.

“Sa më e zhurmshme bëhet propaganda e qeverisë aq më shumë shqiptarët largohen nga gjoja parajsa e rilindjes që shfaqet në ekranet e televizive apo median personale tëkryeministrit. Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare raportojnë se Shqipëria është vendi i parë në rajon sa i takon azilkërkuesve.

Nga janari i këtij viti deri në mars janë 6267 shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e BE ndërkohë që rastet e mbajtura në shqyrtim i kalojnë 10 mijë kërkesave për azil. Sipas statistikave shqiptarët përbëjnë 4% të totalit prej 55 mijë azilkërkues për marsin 2019.

Kjo plagë e thellë dhe e dëmshme për shoqërinë tonë dhe për të ardhmen e vendit vazhdon të dëmtojë popullatën e vendit duke e bjerrur atë përditë e më shumë. Janë 43 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil nga viti 2017 deri në 2018 ndërsa numrat në rritje për vitin 2019 na rendisin si vendi me më shumë azilkërkues pas Irakut, Iranit dhe vendeve të tjera që janë në konflikt.

Janë këto shifra që nuk blihen dhe as nuk paguhen nga opozita që ofrojnë panoramën më dramatike të Shqipërisë sonë. Një vend që lëngon dhe tkurret përditë e më shumë nga largimi i shqiptarëve sepse nuk shohin shpresë. Gjendja e rënduar ekonomike, gjendja e rënduar e qeverisë së korruptuar, përqëndrimi i çdo pushteti ekonomik në duart e oligarkëve si dhe atij politik në duart e një mazhorance të korruptuar, ka zhbërë në themel mobilitetin shoqëror dhe mundësinë për të jetuar në Shqipëri.

Beteja e Partisë Demokratike është kthimi i besimit tek secili prej nesh. Çlirimi i ekonomisë nga kthetrat e oligarkëve që kanë mbytur ekonominë e tregut duke e centralizuar. Çlrimin e politikës nga inkriminimi dhe betejë e pakompromistë ndaj korrupsionit dhe krimit. Unë e di që duhet të merren vendime të rëndësishme, e di që nuk do të jetë e lehtë për te rikthyer shpresën, por zgjidhje tjetër nuk ka! Ose ta ndërtojmë këtu Europën tonë, ose ta lëmë Shqipërinë të degradojë në një rrugë pa kthim! Shqiptarët do të zgjedhin të parën!’ përfundon shënimin e saj Jorida Tabaku.