16.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Ata nuk duan të të rrëzojnë

Red VARAKU

Tashmë je thjesht një i mjerë dhe i çmendur për fatkeqësinë e këtij vendi, që do të kesh një fund të keq. Por përpara se kjo të ndodhë ti duhet të përballesh me krimet e tua që si thika pas shpine ja ngule këtij kombi , pastaj duhet të përballesh me makthet e tua. Ti e di që dita e llogarisë është afër. Por, unë e di që kjo për ty nuk është asgjë.

Sepse, makthi yt më i madh, ajo që ty të kall datën më shumë, është fakti se përballë ke pikërisht ata që nuk do të doje kurrë ti kishe. Ata që nuk e kanë personale me ty.

Ata që nuk duan të të rrëzojnë, por duan të varrosin trashëgimine tënde dhe të etërve të tu. Ke pikërisht ata që zgjodhën të të qëndrojnë përballë, jo sepse të urrejnë ty apo sepse i urdhëron partia , por si qytetarë, që e duan lirinë dhe e urrejnë tiraninë.

Ata janë njerëz, që nuk flenë dhe zgjohen me ëndrrat për ndërtimin e monumenteve të lavdisë për veten. Por njerëz, që derdhen shesheve vetëm nga një thirrje e brendshme, pa patur nevojë për platforma mediatike moderne dhe shumë të komplikuara dhe as ndonjë logjistikë të sofistikuar.

Njerëz që e kanë refuzuar me përbuzje dhe neveri kultin e vetes, atë mendimin joshës, që të fton vetëm për interes, për një vend pune ose favore të tjera. Njerëz, që me fisnikëri kanë vendosur të përballen me banda të armatosura, duke e njohur që fuqia e këtyre bandave i tejkalon ata disafish.

Ata janë njerëz të ndershëm, të shkolluar, intelektualë me integritet, përfaqësues tipikë të shtresës së mesme, të cilët sistemi i kalcifikuar që ndërtove ti, i pengon me pa të drejtë të marrin atë që u takon sipas të drejtës dhe meritës, pra të ngjisin shkallët e karrierës dhe shoqërisë, i pengon të realizojnë aspiratat e tyre.

Ata janë artistë me dinjitet, por të nëpërkëmbur, të flakur në rrugë, ndaj të cilëve shfaqet hapur neveria dhe përbuzja. Ata janë profesorë, mësues të fyer dhe të përbuzur. Ata janë avokatë të diplomuar shkëlqyeshëm, që kanë refuzuar të bëhen pjesë e sistemit të kalbur të drejtësisë ose janë përjashtuar nga e drejta për të qenë pjesë e tij.

Ata janë doktorë, infermierë që janë të detyruar të braktisin familjet e tyre të dashura, vendin e tyre të shtrenjtë, për shkak se vetëm jashtë Shqipërisë mund të ushtrojnë profesionin me dinjitet dhe pa u ndjerë të fyer dhe rrezikuar.

Ata janë gazetarë të talentuar dhe fisnikë, të përjashtuar nga e drejta për të shkruar pikërisht sepse janë besnikë të së vërtetës. Ata janë njerëz që nuk pranojnë të udhëhiqen nga hajdutë dhe të korruptuar.

Janë makthi yt, sepse ti e di mirë, që kur kjo ushtri zgjohet dhe e merr seriozisht kërcënimin që i vjen nga ky sistem i kalcifikuar politik dhe shoqëror, atëherë këtij regjimi i ka ardhur fundi . Sepse vetēm këta njerëz dinë të ndërtojnë ekplozivin e vërtetë që mund të hedhë në erë këtë sistem të kalbur fund e krye.

Dhe ty të shqetëson pikërisht kjo gjë. Ti mund të pajtohesh dhe të armiqësohesh me këdo, por kjo kategori njerëzish janë makthi yt. Ata ti nuk i mund dot. Sepse, bardhësia e qëllimit të tyre, e nxjerr fort në pah të zezën e qëllimeve të tua.

Të shqetëson beteja për liri, sepse ti e di mirë që nuk ka shpëtim prej saj. Do të doje shumë që ata ta kishin personale me ty, por ja që betejën e tyre nuk e kanë me ty, por me atë që ti përfaqëson . Të siguroj, që nuk i mund dot. Sepse për këta njerëz, paratë me të cilat kërkon t’i blesh dhe kamzhiku me të cilin kërkon t’i trembësh, janë gjëra që nuk i llogarisin.

Ti e ke me ata, sepse ndryshe nga ata me të cilët ti bëre aleancë, ata nuk janë qelbësira. Ti e di që ata nuk janë aty për të marrë hak ndaj teje. Ti e di mirë që ata kanë jetën e tyre. Ata janë njerëz që nuk merren gjithë ditën me ty, dhe kjo ty të shfazon. Ata kanë pjesën tjetër të jetës të mbushur me plot pasione dhe ndodhi.

Fakti që nuk e kanë me ty si njeri, ty të çmend. Kjo është një simptomë e një sëmundjeje shumë të rëndë që kërkon mjekim dhe të këshilloj të vizitohesh për tu shëruar.

Ata nuk duan të të rrëzojnë . Ata nuk duan të të përmbysim. Ata nuk janë si ty. Ata duan të të mundin, por nuk do të dënojnë, por ata do t’i vënë flakën asaj që ti i druhesh më së shumti, madhështisë tënde qesharake që qëndron majë plehut të tranzicionit shqiptar.

Ti e di, që vetëm një protestë me njerëz të tillë mund ta trondisë nga themelet dhe më pas shkulë me rrënjë ty dhe këtë të keqe, ndaj u shfaqe i terrorizuar në konferencën për shtyp.

Ata janë makthi yt, sepse ata të kujtojnë shembullin e më të mirëve, “burrave dhe grave”, që përmbysën etërit e tu . Shembullin e atyre, që e kishin harruar veten nga dashuria për vendin e tyre , e kishin harruar veten nga dehja e pasionit për liri ,për demokraci.

Si ndikon në trup sheqeri që gjendet në alkool

Fakti se pijet alkoolike janë të mbushura me kalori boshe dhe nuk kanë vlera ushqyese është lajm i keq sepse kjo nënkupton që shtoni peshë të tepërt. Por, njerëzit nuk e kanë në konsideratë as faktin se pijet alkoolike mund të jenë të mbushura me sheqer.

Një gotë e caktuar alkool mund t’i përmbajë deri në pesë lugë çaji sheqer – sasi pothuajse aq shumë sa Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon të mos e kaloni në ditë. Veç kësaj, alkooli në mënyrë negative i ndryshon nivelet e sheqerit në gjak dhe kontribuon në diabet.

Si ndikon sheqeri në trup
Sasia e tepërt e sheqerit është e dëmshme për shëndetin në shumë mënyra. Fillimisht, ka shumë kalori dhe konsumimi i tepërt mund të shpie në shtim të pashëndetshëm të peshës.

Mbipesha mund t’ju bëjë më të rrezikuar nga problemet afatgjate shëndetësore, siç janë edhe sëmundjet e zemrës.

Një dietë me sasi të lartë të sheqerit mund të shpie edhe në tipin 2 të diabetit, e cila ndodh kur nivelet e sheqerit në gjak të një personi janë shumë të larta. Përveç dëmeve që i shkakton në trup, sheqeri është po ashtu edhe shkaktari kryesor i prishjes së dhëmbëve.

Sheqeri në alkool
Të gjitha pijet alkoolike përmbajnë sheqer, mirëpo verërat e fortifikuar, likeret dhe sherit janë në veçanti shkaktarë të konsumimit të tepërt të sheqerit.

Është gjithashtu e rëndësishme ta keni në konsideratë se me çfarë i përzieni pijet alkoolike, pasi që edhe pijet të cilat kombinohen me alkool shpeshherë kanë përmbajtje shumë të lartë të sheqerit.

Alkooli dhe sheqeri në gjak
Sidoqoftë, nuk është vetëm përmbajtja e lartë e sheqerit në alkool ajo që ndikon në trup – konsumimi i tepërt është dëshmuar se ka efekt negativ edhe te sheqeri në gjak.

Kur një person konsumon alkool, trupi i reagon si një toksine dhe tërë energjinë e përqendron në largimin e tij. Kjo nënkupton se pengohen edhe proceset tjera – përfshirë prodhimi i glukozës dhe hormoneve që nevojiten për ta rregulluar atë.

Kjo më së shumti vërehet te konsumuesit e mëdhenj të alkoolit, të cilëve me kohën u zvogëlohet efikasiteti i insulinës, gjë e cila pastaj shpie në nivele të larta të sheqerit në gjak.

Alkooli dhe diabeti
Efektet e alkoolit te sheqeri në gjak, në veçanti hipoglicemia, mund ta bëjnë konsumimin e tepërt të alkoolit të rrezikshëm për çdo njeri me diabet. Alkooli gjithashtu mund t’i bëjë edhe ilaçet hipoglicemike më pak efikase, që nënkupton se pacientëve me diabet u nevojitet kujdes ekstra kur konsumojnë alkool.

Përveç kësaj, alkooli te personat me diabet mund të shpijë edhe në rreziqe më të larta të aritmisë kardiake, të dëmtimit të trurit dhe infarktit miokardial.

Si Rama mbush listën e kandidatëve të Patozit, i jep trafikantin që drejtoi Qarkun Kukës për ta kandiduar

Meqë Bindja nuk ka emra për të kandiduar në zgjedhje, atëhere është Rama që po mbush listën e kësaj partie të krijuar ditët e fundit nga kreu i qeverisë. Vetë Rama po shpall edhe kandidatët e vet edhe ato të Bindjes së Patozit, një veprim që tregon edhe një herë sa qesharake është kjo aventurë me emrin Bindja.

Partia e Patozit ka publikuar sonte edhe emrat e kandidateve te saj per bashkite. Ata jane 25 emra. Nje prej kandidateve eshte edhe Abedin Orici, ish- kryetar i qarkut Kukes. Ai ka qene edhe ish-kryetari socialist i Komunes së Kolshit në Kukës.

PD e denoncoi kete zgjedhje pasi sipas saj “Edi Rama ka dërguar në krye të këshillit të qarkut të Kukësit, një person me të shkuar problematike”.

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka tha se Oruci është personazh i kronikave të zeza, mjafton të fusni në google emrin e tij për të parë sa të pasur e ka CV-në, dhe pikërisht për shkak të aktiviteteve të paaligjshme u shkarkua nga qeveria e mëparshme nga detyra e kryetarit të komunës Kolsh.

Por Abedin Oruçi ushtroi edhe dhunë ndaj sekretarit të këshillit të market, e po ashtu, mori me dhunë zyrën e kreut të këshillit të qarkut, pas një mbledhjeje të paligjshme. Kryetari i Komunes Kolsh, Abedin Oruçi, në tetor të viti 2011 ka hapur zjarr me pistoletë ndaj turmes se njerezve qe protestonin per një minierë të hekur-nikelit në Mamëz.

Oruci është shkarkuar dy herë nga Kryeministri Berisha si kryetar komune por dy here është rikthyer nga gjykata.
Abedin Oruçi është ndaluar edhe në Prizren në korrik 2008 me akuzë për përfshirje në trafiqe por edhe atje është liruar nga gjykata e qytetit gjë që solli edhe shkarkimin e tij te menjehershem ne Shqiperi.Për këtë rast Kryeministri ndërmori shkarkim të mënjehershëm, por pak kohë më vonë Gjykata e Kushtetuese e ktheu në punë.

Në janar të 2010 Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) e kallëzoi penalisht kryetarin e Komunës Kolsh, Qarku Kukës, Abedin Oruçi, për fshehje të pasurisë në shifrat mbi 30 milionë lekë të reja.

Oruçi, kishte fshehur në deklarim: 3 objekte banimi, me sipërfaqe totale ndërtimi 1020 m²; troje me sipërfaqe të përgjithshme 3614 m²; si edhe një pikë karburanti, të gjitha në territorin e qarkut Kukës. Sërish është shkarkuar nga detyra me një vendim të kryeministrit të atëhershëm Berisha, por sërish Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në punë.

Eretz Israel. Hebrejtë kthehen në Tokën e Premtuar

Më 14 maj të vitit 1948 u mbyll drama mijëvjecare e diasporës hebreje.

“Shiko Tokën e Kanaanit, thotë Zoti, që unë do ua jap në zotërim bijve të Izraelit… kjo është toka që unë ia besova Abrahamit, Isakut e Jakovit duke thënë “Unë do t’ia jap sojit tuaj”. Është ora 16 pasdite e 14 majit 1948 dhe këto fjalë, që Moisiu i dëgjoi nga lartësitë e Malit Nebo përpara se të vdiste, duket se derdhen mbi turmën që ngjishet në një sallë të Muzeumit të tel Avivit. Për popullin hebre, i dënuar të bredhë nëpër botë prej shekujsh, i persekutuar, i poshtëruar, i burgosur nëpër getot monstruoze dhe të pista, i privuar nga të drejtat më elementare të njeriut, viktimë e masakrave të kryera nga legjionet romake, nga radhët e kryqëzatave dhe së fundmi nga ajo makinë kriminale e përfaqësuar nga SS-ët gjermanë, ky është një çast mallëngjimi i thellë dhe i patreguar. Sot lind Shteti i Izraelit.

I rrethuar nga një heshtje fetare, David Ben Gurion lexon shpalljen e pavarësisë. Zëri i tij është i tendosur, i prekur nga emocioni. “Eretz Izrael” (Toka e Izraelit) qe djepi i popullit hebraik. Qe këtu që u plazmua identiteti i tij shpirtëror, fetar e politik. Qe këtu që hebrenjtë formuan shtetin e tyre, krijuan vlera të rëndësisë kombëtare e universale dhe i dhanë botës Librin e Librave. Pasi është mërguar me forcë nga toka e tij, populli hebraik e ruajti besnikërinë e tij për të gjithë diasporën dhe nuk reshti kurrë së luturi e së shpresuari se një ditë do të mund të kthehej në atdheun e tij dhe të rifitonte lirinë e tij politike”.

“Të lidhur me këto nga këto detyrime historike e tradicionale, brez pas brezi, hebrenjtë luftuan për t’u stabilizuar në atdheun e vjetër. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit janë kthyer në masë. Pionierë, maapilim (emigrantët e ardhur në Izrael duke shkelur ligjet ndaluese) dhe mbrojtës kanë bërë të lulëzojë shkretëtira, e kanë sjellë në një jetë të re gjuhën hebraike, ndërtuar fshatra e qytete dhe krijuar një komunitet të begatë që kontrollon ekonominë dhe kulturën e vet, që e do paqen, por që është në gjendje ta mbrojë atë, që ua ndan përfitimet e progresit të gjithë banorëve të vet dhe aspiron për pavarësi… Me 29 nëntor 1947, Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që sanksiononte ndërtimin e një shteti hebraik në Eretz Israel; Asambleja e Përgjithshme u kërkoi banorëve të Eretz Israel-it të kryenin të gjitha hapat që do ishin të nevojshme nga ana e tyre për ta zbatuar një rezolutë të tillë.

Njohja nga ana e Kombeve të Bashkuara e të drejtës së popullit hebraik për themelimin e shtetit të tij “është e parevokueshme”. “Kjo është një e drejtë natyrore e popullit hebraik: e drejta që ta zotërojë fatin e vet, si të gjithë popujt e tjerë, në shtetin e vet sovran”. “Prandaj ne, anëtarët e Këshillit të Popullit, përfaqësues të komunitetit hebraik të Eretz Israel-it dhe të Lëvizjes Sioniste, jemi mbledhur këtu në ditën e skadimit të mandatit britanik mbi Eretz Israel-in dhe në virtyt të së drejtës sonë natyrore e historike dhe në konformitet me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklarojmë ngritjen e e një shteti hebraik në Eretz Israel që do të quhet Shteti i Izraelit”. Në pjesën përfundimtare të diskutimit, David Ben Gurion, që do të jetë kryeministri i parë (1948-1954) i shtetit të ri, deklaron vullnetin e paqes të vendit të tij”. “Ndërsa ngrihen armiqësi të drejtpërdrejta kundër nesh prej muajsh, do t’u kërkojmë banorëve arabë të Shtetit të Izraelit të qëndrojnë në paqe dhe të marrin pjesë në ngritjen e Shtetit mbi bazën e barazisë së plotë e të drejtës së shtetësisë dhe me pjesëmarrjen e përshtatshme në të gjitha institucionet e përkohshme dhe të përhershme.

U shtrimë dorën të gjitha shteteve fqinje dhe popujve të tyre në një ofertë paqeje dhe fqinjësie të mirë si dhe u kërkojmë atyre të vendosin raporte bashkëpunimi dhe asistence reciproke me popullin sovran hebraik që jeton që jeton në territorin tonë. Shteti i Izraelit është i gatshëm të japë kontributin e tij në një përpjekje të përbashkët për progresin e krejt Lindjes së Mesme”. Kur Ben Gurioni mbylli diskutimin e tij dhe deklarata u firmos nga anëtarët e Këshillit të Popullit, në sallë u mbajt një lutje: “Që t’i qofsh i lëvduar, Zotëri, Zoti ynë, Mbret i Universit, që na ke mbajtur në jetë, na ke mbrojtur dhe na ke lejuar të shohim këtë ditë”. Por momenti i paqes nuk kishte ardhur akoma për popullin e Izraelit.

Pak orë pas deklaratës së pavarësisë filluan në stil të gjerë sulmet e pandërprera kurrë kundër komunitetit hebraik në Palestinë. Këtë radhë – me 15 maj – u formua një “armatë e madhe” në të cilën e grumbulluan ushtritë egjiptiane, jordaneze, irakene, siriane dhe libaneze, të shoqëruar nga një kontigjent i Arabisë Saudite. Me agresionin masiv, të çuar në brendësi të shtetit të ri, arabët donin të demostronin në mënyrë të bujshme refuzimin e tyre ndaj Planit të Ndarjes të miratuar nga OKB-ja në nëntor të 1947.

Lufta, që u luftua me raunde të ndryshme, zgjati 13 muaj. Forcat izraeliane të mbrojtjes, që qenë të armatosura keq dhe inferiore numerikisht, por mjaft mirë të stërvitura, e përzunë “armatën e madhe” jashtë kufijve të Eretz Israel-it dhe në korrik të 1949, Shteti i ri nënshkroi marrëveshje të veçanta me Egjiptin, Jordaninë, Libanin dhe Sirinë. Si ka mundur ky David Izrael – 650 mijë banorë, një ushtri popullore prej disa dhjetëra mijëra ushtarësh – të përballojë goditjen e Goliathit arab? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është e domosdoshme të tërhiqesh në kohë me më shumë se njëqind vjet.

Fillimet e tij

Fillojmë nga viti 1840, që e sheh Izraelin akoma të përfshirë në perandorinë otomane tashmë në rënie. Kushtet e jetës së hebrejve që kanë mbetur në tokën e tyre të origjinës – janë disa mijëra – përmirësohen me ngadalësi dhe situata favorizon emigracionin drejt Evropës. Lindin vendbanime të reja por Jeruzalemi, Nablusi dhe Haifa vazhdojnë të jenë pole të mëdha tërheqjeje. Me ndihmën e hebrenjve që janë përhapur në të gjithë botën blihen terrene të ndryshme bujqësore. Nuk janë sigurisht toka të “mira”: efendijtë, latifondistët që jetojnë në Kajro, Damask apo Bejrut shesin me çmim të lartë vetëm duna dhe këneta, jo tokat pjellore të Samarias. Por dalëngadalë këto fonde transformohen dhe puna e rëndë e pronarëve të rinj i bën pjellore.

Për ta vendosur aktivitetin në mënyrë më racionale dhe për të shtuar kështu prodhimtarinë u themelua në Mikveh Israel shkolla e parë bujqësore. Është periudha në të cilën formohet skeleti i Yshuvit, ose vendbanimit të organizuar hebraik. Në vitin 1860 u shfaq edhe shtypi i parë hebraik. Ky moment i ngadaltë dhe i vuajtur historik është matrica nga e cila lind “ëndrra e madhe”: ndërtimi i një shteti. Propozimi i parë hidhet nga Sër Moses Montefiore, një financier hebre anglez me origjinë italiane, që u kontribuon bujarisht përpjekjeve të vëllezërve të tij të fesë, të cilët çdo ditë kryejnë mrekullinë e lulëzimit të jetës nga rëra armike e shkretëtirës. Nëse jo shtet – thotë Sër Moses – të paktën një komunitet autonom. Por ai që bëri kurdisjen e mekanizmit të papërmbajtshëm që do të çojë në realizimin e ëndrrës – sa e vjetër! – është gazetari hebre Theodor Herzl.

Në vitin 1896 ai shkruan një libërth, që megjithëse i pritur nga dikush apo nga ndonjë ambient si një dokument i dyfishtë, një kuriozitet historik më shumë se një program veprimi, ra si shkëndijë në një situatë mjaft inkandeshente. Yshuvi po forcohet. Në vitin 1878 ka filluar të marrë një fizionomi të saktë me themelimin e Petah Tikvas, nëna e vendbanimeve bujqësore hebraike. Në vitin 1887 popullsia shtohet ndjeshëm me arritjen në masë të hebrenjve të aliá-së së parë (fjalë për fjalë “ngjitja” në tokën e premtuar): janë njerëz që u ikin pogromeve të mëdha të shpërthyera në Rusi e Rumani kundër komunitetit “jude”, pogrome që paraqiten si “furi spontane të popullit”, por që në realitet janë të frymëzuara nga autoritetet për të shkarkuar gjendjet e këqija të një popullsie të keqtrajtuar nga tirania e pamëshirshme e Carit.

Dhe këto “furi spontane” lënë pas dyqane të shkatërruara, shtëpi të djegura, sinagoga të shkatërruara e të plaçkitura, gra të dhunuara, të vdekur e të vrarë; nga 1881 në 1921 llogariten më shumë se 2000 pogrome, 2000 masakra, 2000 lumenj gjaku që përmbytin shoqëritë civile e të gjithë botës. Komuniteti i larguar nga ferri rus hallakatet në fshatrat bujqësore ekzistuese dhe themelon të reja në Judea (Rishon le Zion, Ekron, Edera), në Samaria (Zikron Ya’akov) dhe në Galilean e Sipërme. Një pjesë shkon të jetojë në qytet. Puna për rindërtimin e identitetit kombëtar e personal fiton impuls edhe falë këtyre refugjatëve të përvëluar në trup, por edhe në shpirt, pasi në getot e tyre mjerane kanë mbajtur të ndezur flakën e kulturës kombëtare, të besimit fetar, kanë vazhduar t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën e thellë hebraike, historinë e lavdishme të mbretërive dhe të mbretërve të tokës antike të Izraelit.

Në Yshuv, hebraishtja kthehet të jetojë për të gjithë dhe bëhet element unifikues, zbulimi i hebraizmit. Në vitin 1892, një asamble mësuesish fikson termat hebraike për t’u përdorur në matematikë e shkenca natyrore dhe projekton një plan studimesh shkollore të unifikuar. Pas rreth dhjetë vjetësh, hebraishtja bëhet gjuha kryesore e një komuniteti që më parë komunikonte me vështirësi me anë të dialekteve të ndryshme apo asaj neogjuhe të përfaqësuar nga yidish, një koktej i hebraishtes me gjermanishten lindur në diasporë. Prapë se prap, Yshuvi jeton një jetë të vështirë. Popullsia është e pamjaftueshme dhe e shpërndarë, komunikacionet dhe transportet të dobëta dhe të pasigurta, pjesa më e madhe e tokës akoma në një gjendje braktisjeje, malarja është endemike prej pranisë së shumë kënetave, qëndrimi i administratës turko-otomane është armiqësor dhe shtypës.

Në fillim të vitit 1892 del një ligj që ndalon vendosjen e hebrenjve të Europës Lindore. Blerja e tokave u nënshtrohet detyrimeve, bëhet e pamundur ngritja e ndërtesave pa një leje të posaçme që duhet të kërkohet në Kostandinopojë. Politika shtypëse e qeverisë otomane e bën edhe më të vështirë zhvillimin bujqësor e prodhues të Yshuvit, por nuk arrin ta frenojë. Përkundrazi. Situata është një terren pjellor për rritjen e idesë së lëshuar nga Herzl në libërthin e ironizuar që vrapon në botë me atë titullin e tij të ekzaltuar” Shteti hebraik”. .

Lindja e sionizmit dhe Deklarata Balfour

Në vitin 1897, Theodor Herzl organizon kongresin e parë sionist dhe themelon në Bazel Organizatën Botërore Sioniste. Në këtë lëvizje organizohet dhe merr forcë pulsioni mijëvjeçar i popullit hebraik për t’u kthyer në tokën e tij. Sionizmi, lëvizje e çlirimit kombëtar, bëhet përgjigjja moderne ndaj shekujve të diskriminimit dhe pengimit, opresioneve dhe persekutimeve vrastare, si dhe ndaj ndërgjegjes në rritje që populli hebraik mund të çlirohej vetëm me vetëvendosje. Qëllimet e OBS-së janë të sakta: kthim i hebrenjve në tokën e Izraelit, rilindje e jetës kombëtare hebraike, arritja e një vendi të njohur dhe legalisht e siguruar hebrenjve në atdheun e tyre historik. Nga ky vit, marshimi drejt fitores finale bëhet më i shpejtë. Yshuvi merr një limfë të re me ardhjen e mijëra hebrenjve, që të zhgënjyer nga dështimi i revolucionit rus i 1905, përbëjnë valën e dytë të emigrimit në vend. Socialistë e sionistë entuziastë vënë qëllim që t’i japin jetë një klase punëtore hebraike, ta çlirojnë tokën me “djersën e ballit” dhe të impenjohen në çdo lloj pune dore me qëllim që të ngrenë një shoqëri plotësisht produktive dhe të vetëmjaftueshme.

Influenca e grupeve socialiste është përcaktuese: komuniteti hebraik fillon të japë një organizim politik. Kibbutz-i i parë (kështu quhet kolonia bujqësore kolektive e përmasave të mëdha) themelohet më 1909 në bregun jugor të Liqenit Kinneret (Tiberiade) mbi tokën e blerë nga Keren Kayemet (Fondi Kombëtar Hebraik). Pothuaj në të njëjtën kohë, themelohet edhe grupi i parë hebraik i vetëmbrojtjes, Hashomer (Gardiani) që merr mbi vete përgjegjësinë e sigurisë së fshatrave të reja hebraike nga sulmet e arabëve. Është embrioni i një ushtrie të ardhshme që do t’u japë leksione taktike strategjie një botë të tërë. Pak kohë më vonë, mbi dunat në veri të Xhafas, lindi Tel Avivi. Jeta e njerëzve të Yshuvit është e rëndë, si pionierësh; shumë prej të ardhurve të rinj nisen në kërkim të një kushti më pak stresues, por shumica mbetet të luftojë. Është viti 1914 dhe në Eretz Israel janë 85 000 hebrenj. Në 1800 qenë 10 000. 1914 është një vit i mbrapshtë për komunitetin hebraik që jeton në tokën e Izraelit.

Shpërthen Lufta e Parë Botërore që prek edhe Lindjen e Mesme, ku janë në lojë interesa të mëdha evropiane: një nga më të rëndësishmit përfaqësohet nga Kanali i Suezit. Dhe situata emergjente – janë në marshim trupat ruse, angleze e franceze – bën të shpërthejnë masave paraprake. Në dhjetor të 1914 qeveria turke jep urdhër të deportohen hebrenjtë e huaj, në pranverën tjetër sionizmi nxirret jashtë ligjit dhe mbështetësit e tij dënohen me mërgim. Midis njerëzve të përzënë janë David Ben Gurioni dhe Jitzhak Ben – Zevi, Presidenti i ardhshëm i republikës. Në fund të 1915, rreth 12000 hebrenj shtrëngohen të braktisin Eretz Israel. Pjesa më e madhe përfundon e grumbulluar në kampet e refugjatëve të Egjiptiti, 500 prej tyre mobilizohen në Trupën Sioniste Kafshare që lufton me aleatët në Gallipoli. Nuk është vetëm kontributi që hebrenjtë japin në luftën kundër turqve. Në trupën ekspedicionare angleze të komanduar nga Gjeneral Allenby, bën pjesë edhe legjioni hebraik, i formuar nga dy batalione pushkatarësh mbretërorë (38-i London dhe i 39-i American). Është edhe një batalion i tretë, i formuar nga 850 vullnetarë lokalë, “First Judean”. Më 11 dhjetor 1917 këta ushtarë bashkë me hebrenjtë e të gjithë botës jetojnë një tjetër prej momenteve të mëdha që në harkun e pak vjetëve do të modifikojnë fatin e “popullit endacak”: Gjenerali Allenby hyn në Jeruzalem në krye të njerëzve të tij. Pas katër shekujsh, perandoria otomane duhet të heqë dorë nga dominimi mbi Tokën e Shenjtë. Kjo fitore shënon një kthesë. Qysh në muajt e parë të luftës, Herbert Samuel, një ministër i qeverisë Asquith, u kish demonstruar kolegëve të tij se Anglia dhe hebrenjtë kishin një interes të përbashkët për ta shkëputur Palestinën nga perandoria turke, arësye për të cilën aspiratat sioniste duheshin inkurajuar. Në vitin 1917 Ministri Jashtëm britanik Lordi Balfour, formulon deklaratën e famshme të tij në të cilën njihet lidhja historike e popullit hebraik me Palestinën dhe që e impenjon Anglinë të mbështesë vendosjen në Palestinë të një national home (vatre kombëtare) këto pika miratohen edhe nga qeveri të ndryshme aleate dhe në qershor të 1922 theksohen edhe në një rezolutë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Në korrik të po këtij viti, Shoqëria e Kombeve i jep zyrtarisht Britanisë së Madhe një mandat, në të cilën Deklarata Balfour përbën pjesën integrante.

Arabët shpërthejnë luftërat, Izraeli i fiton dhe ndërton një shtet të fortë e modern

Edhe pse vazhdimisht në gjendje alarmi prej inkursioneve dhe aksioneve shqetësuese të arabëve, Yshuvi, ose vendbanimi i organizuar hebraik, vazhdon të ndërtojë një atdhe. Midis 1919 dhe 1929, popullsia hebraike thujase dyfishohet, duke arritur kuotën e 160 000 banorëve. Janë blerë 120 000 hektarë tokë dhe nga Metulla në veri dhe nga Be’er Tuvia në jug është një fashë e vazhdueshme territori që e populluar prej hebrenjsh përbën një territor kombëtar në kuptimin e vërtetë të fjalës, edhe pse në përmasa të reduktuara. Dalëngadalë, vendbanimi merr tiparet e një shteti të vogël të organizuar. Kultura klasike dhe shkencore (që hebrenjtë e diasporës e kanë konsideruar gjithmonë si një vlerë parësore, një vlerë që ka qenë një instrument i çmuar mbijetese morale e materiale) kultivohet si në ethe dhe me të njëjtën kujdes me të cilën kultivohen fushat që i shkëputen shkretëtirës. Letërsia, gazeta dhe teatro hebraike janë në aktivitet të plotë. në vitin 1927, Yshuvi njihet si entitet në vete dhe për pasojë krijon institucionet tipike të një shteti demokratik: asambleja përfaqësuese dhe ajo ekzekutive, këshilli kombëtar, anëtarët e e të cilit zgjidhen nga asambleja përfaqësuese. Agjencia hebraike, duke përdorur fondet e mbledhura jashtë, financon emigracionin, siguron sistemin shkollor, i jep impuls të fortë bujqësisë, industrisë e tregtisë dhe koordinon punën e organizatës mjekësore Hadassah, arka sëmundjeve, dhe organizatave të tjera shëndetësore. Në vitin 1920 themelohet Hagnaá, një organizatë e re e vetëmbrojtjes, për të mbrojtur komunitetin gjatë revolatave arabe të Jeruzalemit dhe të Haifas: vendim i domosdoshëm, po  të marrësh në konsideratë se Yshuvi nuk mund nuk mund të mbështetej në mbrojtjen e trupave angleze, duke parë që qeveria britanike e momentit u jepte përkrahje revoltave arabe.

Pikërisht prej pozicioneve kontradiktore të mara nga anglezët gjatë mandatit, hebrenjtë e Eretz Israel-it fitojnë bindjen se për të fituar pavarësinë duhet të mbrohen në dy fronte. Në fakt, terrorizmi arab nuk njeh pengesa: më 24 gusht 1929, ditë e shtunë, grupe myslimanësh vrasin me gjak të ftohtë 67 hebrenj nga Hebroni – burra, gra  e fëmijë – dhe shkatërrojnë sinagogat, duke i dhënë fund pjesëmarrjes së komunitetit hebraik në këtë qytet patriarkësh ku kish jetuar për dymijë vjet. Kurse për sa i përket qeverisë angleze, i dorëzohet gjithnjë e më shumë agresivitetit të arabëve dhe arrin limitin kur bllokon emigracionin e hebrenjve në Palestinë, duke arritur deri aty sa kanë ndaluar zbarkimin 4 500 të mbijetuarve nga kampet e shfarosjes naziste të mbërritur përpara bregut palestinez, përpara Tokës së Premtuar, në bordin e piroskafit të pagëzuar në mënyrë simbolike “Exodus 47”. Anija u kthye mbrapsht nën shoqërim në Hamburg. Një fakt që do t’i linte të shushatur vetë gjermanët. Një episod që e çon Yshuvin në vendimin e pashmangshëm: të organizojë rezistencën për çlirimin e territorit nga dominimi anglez. Është e vetmja mënyrë për të fituar pavarësinë përfundimtare dhe për t’u dhënë një mënyrë hebrenjve të diasporës dhe refugjatëve të ndryshëm të kthehen në Izrael. Rezistenca është e ashpër dhe e vendosur: e udhëheqin Haganá, Irgun Zvai Leumi (Organizata Ushtarake Kombëtare) dhe Lohamei Herut Ìsrael (Luftëtarët për Liri të Izraelit). Organizatat veprojnë në mënyrë të pavarur, por secila prej tyre drejton me mjeshtëri një guerrilje e cila, prej lëvizshmërisë së rrufeshme të komandove, prej inteligjencës taktiko – strategjike me të cilat kjo task – forcë lëviz në terrene më të vështira, gjunjëzon trupat angleze dhe çon në atë ditë të madhe që është 14 maji i vitit 1948. Nga këto tre organizata, kur shteti i sapolindur hebraik gjendet përballë sulmit arab, lindin Forcat e Mbrojtjes Izraeliane.

Siç e kemi parë, edhe pse të pajisura me fuqi zjarri dhe mjete jashtëzakonisht më të vogla respektivisht “armatës së madhe” së ndërsyer kundër izraelit, kanë në favorin e tyre shpejtësinë e ndërhyrjes dhe një lloj stërvitjeje të çmuar: jo atë të fituar në kazerma apo në shkolla ushtarake, por atë të fituar në fushat e betejës. Ja pra arsyet e kësaj fitoreje të pabesueshme. Pas përplasjes së 1948, Izraeli gëzon për disa vjet një paqe relative dhe i kushtohet përsosjes së institucioneve të tij dhe organizimit në përgjithësi, njihet e drejta e çdo hebreu për të jetuar në Izrael. Është një pikë themelore e ligjit të shtetit hebraik: “ligji i kthimit” të 1950 i akordon shtetësi të plotë dhe automatike çdo emigranti të ri hebre. Në fund të 1951, Yshuvi dyfishon popullsinë me mbërritjen e më shumë se 750000 personave: gjysma janë hebrenj të ikur nga vende myslimane. Përballë këtij shtimi masiv të popullsisë, pionierizmi bujqësor bëhet një nevojë, kështu që i jepet një impuls mjaft i fortë bujqësisë dhe shkencave funksionale me këtë sektor produktiv. Vendi demonstron një aftësi të madhe krijuese në përpunimin e teknikave të çdo lloji për kalimin e pengesave të shkaktuara nga një terren i thatë dhe që askush më parë nuk kish tentuar ta bënte (dhe në këtë drejtim duhet kujtuar një dokument i vitit 1937 i hartuar nga komisioni anglez Piel, në të cilin konstatohej se Palestina, tradicionalisht vend i migracionit arab, ishte shndërruar në një vend imigrantësh arabe për shkak të zhvillimit të shpejtë ekonomik hebraik). Zgjidhen probleme të ndryshme sociale. Knesseti (parlamenti) miraton si masë të parë ligjin mbi arsimin e detyrueshëm dhe në 1951 sanksionohet barazia e të drejtave të grave. Është periudha që ka si Kryeministër Ben Gurion dhe President të Republikës Çhaim Veizmann, shkencëtar i shquar që kish jetuar në Angli dhe që ka pasur një ndikim të madh mbi Lordin Balfour, autor i të famshmes deklaratë. Tjetër hap i rëndësishëm, krijimi i shkollës së shtetit. Kjo periudhë paqeje dhe pune intensive, që sheh të impenjuar çdo izraelian në rritjen e vendit, nuk do të zgjasë shumë. deri në ditët tona do të pasojë një periudhë luftërash dhe trazirash që ende nuk duket se janë zgjidhur.

(nga Storica)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Presidenti Trump shtron iftar në Shtëpinë e Bardhë me ambasadoren e Kosovës në krah

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka shtruar iftar në Shtëpinë e Bardhë. E prezent në këtë darkë të iftarit ka qenë edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila ishte ulur përkrahë presidentit Trump.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Çitaku, e cila ka falënderuar presidentin Trump për këtë darkë.
“Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në darkën e iftarit të shtruar në Shtëpinë e Bardhë të isha e ulur përkrah Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Donald J. Trump. Presidentit Trump i tregova se në shtetin tonë sekular, ka një kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se me presidentin Trump kanë diskutuar edhe për përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme për Kosovën.

“Po ashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat ballafaqohemi aktualisht në Kosovë dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri.

Në darkë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të administratës Amerikane, Zv Presidenti Pence, Sekretari i Mbrojtjes Shanahan, Sekretari i Thesarit Mnuchin, Ambasadorë,”, ka shkruar Çitaku. /Telegrafi/

Shaqiri mund t’i shkaktojë probleme Liverpoolit…

Në një shkrim të grupit të tifozëve të Liverpoolit, Rousing the Kop, parashikohet se Xherdan Shaqiri do t’i shkaktojë probleme Liverpoolit gjatë afatit kalimtar të verës, pasi klubi anglez do ta ketë të vështirë t’i bindë lojtarët e tjerë t’i bashkohet skuadrës së tyre duke marrë parasysh mundësitë e pakta që i janë dhënë këtë sezon Shaqirit.

Minutat që iu ofruan Xherdan Shaqirit këtë sezon mund ta bëjnë transferimin e lojtarëve të rinj një detyrë të vështirë gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, shkruan Rousing the Kop, transmeton Gazeta Express.

Është e qartë që Liverpooli është i lumtur me ekipin e parë. Formacioni i parë është i mbushur me lojtarë të cilët e kanë besimin e plotë të trajnerit Jurgen Klopp, i cili këtë verë nuk po kërkon lojtarë të tjerë të ekipit të parë.

Liverpooli dëshiron ta përforcojë bankën rezerve për t’u bërë rival i denjë i Manchester Cityt, që për shembull i ka katër sulmuesit anësorë më të shtrenjtë në historinë e Premierligës në skuadër.

Në anën tjetër, Liverpooli e transferoi Xherdan Shaqirin për 13.5 milionë funta gjatë verës së kaluar. Edhe pse golat e Shaqirit, veçanërisht gjatë pjesës së Krishtlindjeve rezultuan të jenë vendimtare, ai nuk ka luajtur për shumë minuta.

Përfaqësuesi zviceran me prejardhje nga Kosova ishte titullar në vetëm dy ndeshje të Premierligës gjatë vitit 2019, apo katër në përgjithësi. Ai u inkuadrua nga stoli në shtatë ndeshje të tjera, por vetëm për pak minuta para fundit të ndeshjeve.

Duke marrë parasysh se Liverpooli dëshiron të transferojë lojtarë për ta përforcuar bankën rezervë, aktivizimi i Shaqirit gjatë këtij sezoni mund jetë shqetësues.

Lojtarët e tjerë mund të mos e duan transferimin për shkak se Kloppi preferon të luajë me të njëjtin formacion të parë në ndeshjet e tij dhe lojtarët e rinj duhet të garojnë kundër Shaqirit dhe të tjerëve që tashmë janë në skuadrën e Liverpoolit.

 

Haradinaj godet “Devollin”, grupin që sponsorizon Baton Haxhiun dhe Klan Kosovën

Kuvendi i Kosovës është duke e mbajtur seancën për gjendjen e Telekomit të Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës së vitit 2018 lidhur me gjendjen finanfiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur në seancë dhe ka thënë se interesin publik nuk e dëmton për hatër të Blerim Devollit, i cili është pronar i Z-Mobile.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tregoi për hapat që i ka marrë qeveria për përmirësimin e gjendjes në Telekom.
“Unë kam përgatitur një shpjegim prej rezolutës deri sot. Është mirë ta themi që MZHE-ja ka fillu një proces të rikonstrukturimit me EBRD, nga bordi aktual ka fillu procedurë shkarkimi për dy anëtarë që ka përfunduar me dorëheqje, pra njërin e dini për punësime familjare” tha ai.

Tutje i pari i qeverisë tha që qeveria ka krijuar mekanizëm juridik për të vlerësuar kontratën me Z-mobile.
“Për t’iu shmangur një arbitrazhi të dytë, është kriju një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Kontrata është e lidhur me licencë që e ka afatin deri në korrik të vitit 2019, dhe janë angazhuar një grup i ekspertëve për të parë arsyeshmërinë e kontratës, pas këtyre vlerësimeve ne do të marrim vendim”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj tha që pavarësisht respektit për Blerim Devollin, drejtuesin e Z-Mobile, nuk do të lejojë dëmtimin e Telekomit si dhe u zotua që nuk do të lejojë keqpërdorime nga bordi aktual.

“Unë e njoh Blerim Devollin e respektoj shumë, djali i Ibrahim Devollit, sipërmarrës boll i zoti, punëson njerëz, edhe paguan tatime, mirëpo interesin publik nuk e kam nijet me e çu në dëm për hatër të një sipërmarrësi. Nëse drejtori aktual nënshkruan kontratë të dëmshme, ai merr përgjegjësi ligjore, çdokush që merr vendime që i sjell dëme kompanisë, ata mbajnë përgjegjësi ligjore”, tha ai.

Grupi Devolli ka në pronësi Klan Kosovën ndërsa Drejtor të këtij televizioni ka Baton Haxhiun. Ky grup është një nga ekpsortuesit kryesorë të grurit nga Serbia në drejtim të Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas raportit të doganave të Kosovës kjo kompani ka importuar mallra nga Serbia në një vlerë doganore 3.6 milionë euro. Nga prodhimi vendas në Kosovë, “M &Sillosi” mblodhi maksimalisht 30 mijë tonë grurë nga bujqit vendorë. Nevojat e Kosovës janë 410 mijë tonë grurë.

Pra asaj i është dashur që për Kosovën të marrë 400 mijë tonë grurë nga Serbia. Në korrjet – shirjet 2014 u grumbulluan maksimalisht 225 mijë tonë grurë. Atëherë lind pyetja ku e gjen miellin për ta eksportuar në Shqipëri e gjetke “M&Sillosi” kur në Kosovë me shumë se gjysma e nevojave mbetet pa u plotësuar nga prodhimi vendas?

Nga vjen gruri në hambarin e “M&Sillosit”? Padyshim nga importet me Serbinë e vende të tjera lindore. Por më e bukurë nuk është kjo, por fakti që pronare e këtij sillosi është njëherësh edhe pronarja e Klan Kosovës, kompania “Devolli” e vëllezërve Shkëlqim dhe Blerim Devolli nga Peja, e diversifikuar më shumë e shumë fusha, nga ndërtimtaria tek birra, nga telekomunikacioni tek import-eksportet, nga mielli tek mediat etj.

Unë jam armiku, zoti kryeministër!

Leon LEKAJ

Po! Tashmë unë jam armiku!

Prej asaj mbrëmjeje, ku besnikët e tu, miqtë e Tahirit e të Xhafës, dhe shërbëtorët e leshit të “të palarë” gjeneral Lleshit, iu kundërvunë popullit “me zjarr e me hekur” për mua nuk mbeti gjë tjetër veç se të pohoj me zë të lartë:

Unë jam armiku zoti kryeministër!

Dhe natyrisht mbas kësaj deklarate, prej logjikës së ngjarjeve vjen rrjedhimisht mendimi tjetër: Që prej asaj mbrëmjeje, ju pushoni së qeni kryeministri im.

Dy kampe tashmë, zoti kryeministër, juaji, ai i lakmuari, i njeriut të aftë për të bërë e zotëruar gjithçka, i liderit orator e gëjëmbël (oligarkët, kriminelët, vjedhësit e votave, vrasësit profesionistë, janë aset e padukshme nën mëngë), dhe kampi im, ai i njerëzve që provuan burgun në kohën kur ati yt varte në mes të sheshit Havzi Nelën, ai i njerëzve që provuan burgun për 30 mijë lekë, apo i atyre, që e provuan atë për një faturë qesharake tatimore.

Unë jam armiku, zoti kryeministër, sepse duke parë gjithë makinën ushtarake të shtetit, tek derdhej mbi popullin tim me shkopinj gome dhe me gaz lotsjellës, kërkova një vend ku të fshihesha. E kërkova atë vend, sepse këtu, jashtë atdheut, ku ne bëjmë çmos që të ngrejmë sa më lart figurën e emgrantit shqiptar, (detyrë jo fort e lehtë kjo, qysh prej kohës që ju e bëtë krejt të blertë hartën e vendit tim prej kanabisit) pamjet filmike, të cilat shumë shpejt u bënë virale në rrjetet sociale, më bënin të ndihesha me turp.

Dhe mu kujtua në çast viti kur ti triumfator (nuk do flas për mënyrën se si fitove karrigen e kryeministrit), hoqe gardhet e kryeministrisë, për ti shpjeguar popullit tim, se standarti yt prej lideri modern dhe të afërt me popullin, nuk i pranonte ato. I vure përsëri. Dhe këtë radhë nuk ishte urdhëri yt ai që i hoqi. JO! Ishte populli opozitar, i cili në mënyrën më të mundëshme të qetë i hoqi ato, për të dhënë mesazhin se turmat e irrituara, nuk kishin asgjë me policët e thjeshtë, por me kupolën e krimit, që prej kaq kohësh varfëron çdo ditë e më shumë popullin e saj.

Unë jam armiku, zoti kryeministër, sepse duke parë një skenë rreqethëse, të denjë për vendet e botës së tretë, apo për ato vende, ku ende sundojnë etërit e tu shpirtëror, ku një funksionar i opozitës vetëm me një telefon në dorë, trajtohet në mënyrë çnjerëzore. prej njerëzve të gjeneral Lleshit, (apo prej një urdhëri tuaj) nuk kam se si të mos deklarohem. Le të shkojnë në çdo vend tjetër europian, ku ne pretendojmë të hyjmë, e ta provojnë “trimat” e tu të rrahin një qen rrugësh, ashtu siç trajtuan një të pambrojtur e do të shofim se çfarë mund të ndodhë.

Nëse ajo skenë do të ishte për një prej atyre, që me lekët e pista të drogës, krimit, apo të korrupsionit blenë votat, sigurisht që sërish nuk do të ndihesha mirë, pasi çdo kush prej njerëzve që jetojnë në një shtet demokratik, ka të drejtat e tij të mbrojtjes. Por tek ne ndodh e kundërta. Ata hyjnë dhe dalin me kokën lart, sepse pas çdo veprimi të tyre fshihet një prej sejmenëve të tu. Edhe ministri duhet të matet mirë para se të flasë me ta.

Dhe me që ra fjala për gjeneral Lleshin, largojeni atë!(e mira është të largohesh ti vetë) E di që odiseja juaj me ministrat e brendshëm, është ajo e turpit, por zgjedhja e tij në krye të dikasterit të “diktaturës së proletariatit” është e gabura. Mjaftoj të të kujtoj, zoti kryeministër, se profili i tij të kujton tenenten Giovanni Groto, tek “Shkretëtira e Tartarëve” të Buzzati-t, i cili e shkoi një jetë duke pritur armiqtë (tartarët).

E me që gjeneral Lleshi, në gjithë karrierën e tij ushtarake i ëndërroi armiqtë, por (nga frika!!!) ata kurrë nuk iu shfaqën, atij nuk i mbeti tjetër veç se ti shpikë ata. Pak rëndësi ka për të, se armiqtë janë nga populli i tij, përballë faktit që ai ka zbuluar armiq. Për një ushtarak, që gjithë jetën është ndeshur me armiq imagjinarë, ky fakt e çon atë në ekstazë.

Edhe unë jam një prej tyre, zoti kryeministër! Sepse mendoj krejt ndryshe nga ti dhe nga ministri yt i zellshëm, i cili pa as më të voglin dyshim një ditë do të përgjigjet për ato çka po bën.

Jam me ata që po vidhen, me ata që po braktisin vendin, me ata që po mashtrohen, jam me ata që mbajnë frymën gjallë vetëm me tre euro në ditë, jam me ata, të cilëve, prej shtypjes, vjedhjes, blerjes së zgjedhjeve nga sejmenët e tu, iu është çveftësuar vota. Jam armik i batutave të tua të paskrupullta, armik i mënyrës se si ti trajton mediat që janë kundra teje, armik i shprehjes së paktuptimtë, të cilën ti e përdor kaq shpesh se me gjasë ty nuk të mund dot kush me votë, prandaj bëjnë kështu.

Një arsye më shumë, që ju të “shpartalloni” armiqtë si unë. Krejt thjesht, ashtu siç është në praktikën e liderve perëndimorë, ju mund të provokoni zgjedhje të parakohëshme dhe t’i fitoni ato.

Por ju e dini tashmë fare mirë, se ajo karrige nuk iu përket më.

Tashti ju e mësuat se çfarë armiku i rrezikshëm jam unë. E mësuat se sa herë jam armik unë. Ah, kam edhe një “arsye” tjetër që të jem i tillë. Jam nga veriu, të cilin ju aq shpesh e anatemoni. Kurse ju, ju lideri global, jeni vetëm një herë armik.
Armik i lirisë.

Leon Lekaj, Athinë 13-5-2019
Botuar në ALBANIA POST UK

Ka raste që duhet dëgjuar edhe çfarë thotë Rama…

Edi PALOKA

Do e kisha edhe si thirrje kete per ata qe flasin gjithe kohes per “dhune te opozites”.
Shumica absolute e shqiptareve, te pakten 80% sipas sondazheve, te djathte e te majte, perfshi antare te PS, sot, per 1001 arsye (qe nuk po i perseris),duan qe Rama te largohet. Ne nje vend normal kjo do duhej te realizohej pas zgjedhjeve demokratike, por ne Shqiperine e Rames kjo eshte provuar qe nuk mund te ndodh pikerisht sepse Rama nuk lejon te zhvillohen zgjedhje te lira e te ndershme.

Ne keto kushte shumica, e jo vetem opozita, eshte ngritur ne protesta per te larguar Ramen e minimalisht te krijoje kushtet qe shqiptaret te zgjedhin lirisht nje qeveri qe te jete afer interesave te qytetareve.

Dy protestat e fundit kombetare, te zhvilluara brenda pak oreve; qofte per pjesmarrjen, qofte per vendosmerine dhe duke marre parasysh te gjitha rrethanat dhe situatat qe u krijuan, do te benin te reflektonte cdo njeri normal.

Po cfare thote Rama pas kesaj?!

“Qeveria nuk rrezohet me kapsolla…E humbet autobuzin e qershorit…”

Ne fakt asnje “autobuz” nuk eshte humbur se qershori dhe 30 qershori ne vecanti me sa di une, nuk kane ardhur e jo me te kene ikur.

Po mbase Rama duhet degjuar kur thote se qeveria nuk iken me kapsolla dhe xhiro boshe. Kete duhet ta degjojne dhe 80 % e shqiptareve po ta kuptojne dhe ata qe vazhdojne te permendin “dhunen e opozites”. A e kane pyetur Ramen se ku po kerkon te na çoje, apo kjo nuk ju intereson…?

Lampard këshillon Chelsi-n të shesë Hazard

Ish-mesfushori legjendar i Chelseat, Frank Lampard, e ka këshilluar klubin londinez që t’i respektojë dëshirat e Eden Hazardit kur vjen fjala te afati kalimtar i verës. Sipas Lampardit, Chelsea nuk duhet t’ia bllokojë rrugën belgut nëse ai dëshiron të largohet.

Spekulimet se 28-vjeçari Eden Hazard do të transferohet në Real Madridi këtë verë janë intensifikuar edhe më shumë tani që sezoni është shumë afër fundit dhe së shpejti do të hapet afati kalimtar i verës, transmeton Gazeta Express.

Hazardi nuk e ka lënë aspak sekrete dashurinë e tij për Real  Madridin dhe e ka pranuar se dëshiron ta testojë veten në Spanjë në mënyrë që ta ketë më të lehtë ta fitojë Topin e Artë.

Ai po i afrohet 12 muajve të fundit në kontratën me Chelsean dhe nuk ka treguar asnjë shenjë se dëshiron ta pranojë ofertën e klubit anglez për ta rinovuar kontratën.

SI rezultati i kësaj, Chelsea e ka para vetes në vendim të madh sa i përket të ardhmes së Hazardit. Situatën e komplikon dënimi i FIFA-s që ia pamundëson Chelseat të transferojë lojtarë gjatë dy afateve të ardhshme kalimtare.

Legjenda Frank Lampard beson se “The Blues” duhet ta lejojnë yllin e tyre të largohet, nëse ai e dëshiron një gjë të tillë, pasi i qëndroi besnik Chelseat për shtatë vjet.

“Unë do të thosha se gjatë shtatë vjetëve këtu, Eden Hazardi e ka ngritur veten në nivelin e lojtarëve më të mirë në histori të Chelseat, pa asnjë dyshim, sa i përket gjërave që ai i ka bërë në fushë”, ka thënë Lampard.

“Do të ishte një fatkeqësi për Chelsean dhe për Premierligës që ta humbasin një lojtar si ai. Por, ne duhet t’i kuptojmë edhe dëshirat dhe nevojat individuale në fushë dhe gjërat që i dëshirojnë lojtarët”.

“Unë e njoh Edenin dhe më pëlqen ai. Do të bëja çfarëdo që ai dëshiron”.

Hazardi i ka bërë mbi 350 paraqitje për Chelseat, gjatë të cilave i ka shënuar 108 gola. Gjatë kësaj kohe, ai i ka fituar dy tituj të Premierligës, një titull të League Cup, një titull të FA Cup dhe një titull të Ligës së Evropës.