27.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

“Ecim përpara”, Inzagi për largimin nga Interi: Mund të them vetëm se…

Inzagi është përfolur për kalimin nga Interi tek Al Hilal. Për këtë është pyetur edhe sot, ndërsa ka lënë gjithçka hapur me përgjigjet e tij pavarësisht fokusit te finalja e Champions.

 

Interi është në javën e finales së Champions. Kujtojmë se zikaltrit do të përballen me PSG-në të shtunën, për trofeun më të rëndësishëm europian.

“Mund të them vetëm se për fat të mirë klubi më njeh mirë. Është e njëjta gjë çdo vit, kur isha te Lacio dhe te Interi. Ka kërkesa nga Italia, nga jashtë dhe nga Arabia, por do të ishte çmenduri të mendohej tani për këtë. Siç tha presidenti, një ditë pas ndeshjes ose pasnesër do të ulemi dhe do të flasim me një objektiv të vetëm, që është e mira e Interit.

Nëse ekzistojnë kushtet, ne do të ecim përpara në harmoni siç kemi bërë vitet e fundit. Por të flasësh për të sot do të ishte si të flisje për kampionatin, do të ishte çmenduri të flisje për diçka që nuk ekziston, duke marrë parasysh atë që na pret të shtunën.

Do të nis nga ajo që thashë më parë. Bashkimi që ekziston mes nesh, mes meje dhe klubit, ekziston. Unë kam një kontratë me Interin, jam shumë i lumtur këtu. Ne do të flasim, fokusi kryesor është gjithmonë Interi. Si çdo vit do të ulemi dhe do të flasim me të mirën e Interit në radhë të parë”, u shpreh Inzagi.

Qindra miliona euro të pezulluara dhe disa të humbura, analiza e REL: Çfarë pësoi Kosova nga masat e BE-së që po hiqen pas dy vitesh

Që nga qershori i vitit 2023, Kosovës i janë vendosur disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Tani, gati dy vjet më vonë, ato më në fund po largohen dalëngadalë – me shumë paqartësi. Por, dëmi i shkaktuar deri më tani arrin qindra miliona euro.

euro

Një raport i publikuar sot, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, thotë se masat i kanë kushtuar Kosovës rreth 615 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera në afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur pasi janë tejkaluar afatet e lejuara.

“Këto vonesa në fillimin e zbatimit të projekteve nënkuptojnë shtyrje ose humbje të mundësive për rritje, zhvillim dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht perspektivën për integrim evropian”, thuhet në komunikatën e Institutit GAP.

Pse u vendosën masat dhe si po hiqen ato?

BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të Qeverisë së Kosovës në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Që atëherë, liderët politikë të Kosovës kanë bërë thirrje të vazhdueshme për heqjen e këtyre masave, duke i quajtur ato të padrejta.

Javën e kaluar, gjatë vizitës së saj në Prishtinë, shefja e diplomacisë e BE-së, Kaja Kallas, tha se blloku evropian ka nisur t’ia heqë dalëngadalë masat Kosovës, por me kusht që ajo t’i ulë tensionet në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Por, edhe ky lajm ka sjellë paqartësi, pasi që ende nuk dihet se cilat masa saktësisht po hiqen dhe në çfarë afatesh kohore.

Radio Evropa e Lirë mësoi nga burimet e saj në Bruksel se masat që janë hequr kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian, dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Ndërkohë, Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se “BE-ja do të fillojë së shpejti me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të MSA-së me Kosovën”.

Çka saktësisht humbi Kosova nga masat?

Masat, sipas raportit të Institutit GAP, prekën rreth 395 milionë euro mjete në kuadër të WBIF-së – që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor – dhe rreth 218 milionë euro në kuadër të programit IPA – program që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në.

1

 

Këto mjete ishin planifikuar të shpenzoheshin për realizim të projekteve, të cilat do të financoheshin përmes granteve dhe kredive.

2

Edhe pse marrëveshja për IPA të vitit 2024 nuk ishte lidhur dhe nënshkruar, projektet që ishin planifikuar në kuadër të saj arrinin vlerën prej gjithsej 56.4 milionë eurosh.

 3

Por, më shumë se nga fondet e programit IPA, Kosova ka humbur në vlerë monetare nga masat që kanë prekur projektet në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

“Aplikimet e Kosovës në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) të dorëzuara gjatë viteve 2023 dhe 2024, nuk kanë kaluar më tej për miratim. Si pasojë, disa projekte kyçe, të cilat ishin të bashkëfinancuara nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), Banka Gjermane për Zhvillim (KFW) dhe institucione të tjera ndërkombëtare, nuk janë duke u realizuar”, thuhet në raportin e Institutit GAP.

Projektet e pezulluara në vlerë prej 395.5 milionë eurosh përfshinë, ndër tjerash: shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në Prishtinë, impiantin për trajtimin e ujërave në Ferizaj, linjën ndërlidhëse energjetike Kosovë–Shqipëri, ndërtimin e infrastrukturës kundër përmbytjeve dhë për ujitje.

“Pezullimi i investimeve të tilla ka sjellë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata, si vonesa në ndërtimin e infrastrukturës, humbje të mundësive për punësim, përkeqësim të kushteve të jetesës dhe pengesë në përmbushjen e objektivave mjedisore e integruese”, thuhet në raportin e Institutit GAP./rel

Nëna dhe tre fëmijët i dhanë fund jetës duke u mbytur në lumin Buna, dënohet me 4 vite burg bashkëshorti Erdgys Arrazi

Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 4 vite burg Erdgys Arrazin, i cili akuzohet se përmes dhunës fizike dhe psikologjike nxiti bashkëshorten e tij, Alma Arrazi dhe tre fëmijët ti jepnin fund jetës duke u mbytur në lumin Buna.

 

Gjyqtari i Shkodrës, Orgent Nazaj ka deklaruar fajtor dhe dënuar me 6 vite burgim Arrazin, për akuzën e “Shkaktimit të vetëvrasjes”. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim është ulur me 2 vite, duke dënuar Arrazin përfundimisht me 4 vjet heqje lirie.

Ngjarja tragjike e një viti më parë tronditi mbarë opinionin.

Alma Arrazi dhe tre fëmijët e mitur u gjetën të mbytur në lumë, ndërsa fajtor dhe përgjegjës ishte vetëm një, kryefamiljari, Erdgys Arrazi.

E rëndë, drejtori sportiv i dy futbollistëve të Kombëtares pëson sulm në zemër

Tomas Rociski përfundoi në spital javën e kaluar, pasi pësoi sulm në zemër. Drejtori sportiv i Spartës së Pragës u vendos në kujdes intensiv.

 

Vetë Sparta njoftoi se drejtori i tyre vuajti nga disa probleme me zemrën. Pasi kujdesit në spitalin e Pragës, u kthye në shtëpi për shkak se nuk kishte nevojë për ndërhyrje.

44-vjeçari është drejtor sportiv i Pragës nga viti 2018. Aktualisht pjesë e klubit çek janë disa futbollistë shqiptarë. Ndër të tjerë edhe dy futbollistë të Kombëtares, Tuci dhe Laçi.

Rociski ka luajtur më parë te Sparta e Pragës, Dortmundi dhe Arsenali. Pozitën e drejtorit sportiv e ka mbajtur vetëm te Sparta. Këto të fundit, falë golit të Laçit që solli barazimin me Sigma Olomouc, siguruan një vend në Europë.

Tirana bëhet e vështirë për familjet e reja, kryeson qarqet me rënien më të madhe të lindjeve! Nga kostot e larta të jetesës, tek… fakorët që ndikuan

 

Tirana është i vetmi qark në rang vendi që ka rritje popullsisë, si një qendër graviteti që tërheq emigracionin e brendshëm, por nga ana tjetër Kryeqyteti kryesoi qarqet me rënien më të madhe të lindjeve në tremujorin e parë të vitit 2025.

 

 

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në qarkun e Tiranës lindën 1750 foshnja në tremujorin e parë 2025 me rënie 18 % në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Tirana u rendit e dyta pas Kukësit për ritmin e lartë të rënies nga 12 qarqet e tjera. Nga ana tjetër popullsia e qarkut të Tiranës ndërmjet dy censeve 2011 dhe 2023 është rritur me 7.3 për qind.

 

Faktorët për rënien e lindjeve në Tiranë lidhen me kostot e larta të jetesës për çiftet e reja dhe çmimet e larta të kujdesit për fëmijët.

 

Çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me shumë se 60% që nga viti 2018-ta sipas të dhënave zyrtare, ndërsa stoku i banesave sociale mbetet në vendnumëro. Qiraja dhe kredia zënë më shumë se 35 për qind të ardhurave mujore duke i shtyrë çiftet të kufizojnë lindjet. Për të rinjtë që duan të krijojnë familjet kostot e banesave dhe qirave pothuajse janë dyfishuar. Qiraja mesatare tani në zonat kryesore në Tiranës varion nga 300-80 euro në muaj, më shumë se dyfish nga viti 2019 ku qiratë ishin nga 150 deri në 300 euro në muaj. Gjithashtu çmimi i një metri katror banesë në periferi këtë vit është 100-1200 euro ndërsa në zonat brenda unazës së dytë më shumë se 2000 euro, gati dyfish me para pandemisë.

 

Tirana ka një kontribut të madh në numrin e lindjeve pasi në kryeqytet projektojnë të jetojnë shumica e të rinjve shqiptare që nuk duan të ikin nga vendi. Në vitin 2024 në Tiranë lindën 8495 bebe, të cilët zunë 38 për qind të totalit të lindjeve në rang vendi, por teksa popullsia rritet, lindjet po bien ne pikiatë.

 

Arbana një e re që është eksperte e komunikimit dhe mediave sociale po rrit 2 fëmijë. Kishte dëshirë të lindte edhe një të tretë, por kostot janë bërë të papërballueshme, thotë ajo. Në krahasim me vitin 2016 kur lindja fëmijën e parë kostot janë shtuar më shumë se dyfishi. Paketa e lindjes nëse shkon në spital privat është rritur nga 1000 euro në 2600 euro aktualisht. Gjithashtu veshjet, ushqimet dhe ë gjitha infrastruktura për fëmijët është rritur më shumë se dyfishi.

 

”Që kur kam lindur fëmijën e dytë unë dhe bashkëshortin im të dy me paga mbi mesataren nuk arrijmë të kursejmë. Madje nuk arrijmë të blejmë veshje të reja dhe të tjera gjëra për vetën tonë si më parë. Kemi limituar shpenzimet e argëtimit dhe daljet me miqtë, pasi vit pasi tarifat që nga çerdhet kopshtet dhe kontrollet mjekësore po rriten përditë. Kryesisht për arsye të rritjes së kostove kanë lënë mënjane planet për të lindur fëmijën e tretë që aq shumë e kemi dëshiruar”, tha ajo.

 

Pas lindjes, prindërit përballen me shpenzime të ndryshme për kujdesin e foshnjës, të cilat janë dyfishuar në 5 vite. Brenda një 5 vjeçari, çmimet e kurseve private kanë pasur një ndryshim çmimi me thuajse 40%.

 

Për kurse sportive apo muzikore, çmimet mesatare kanë qenë 3500 lekë, aktualisht janë 5000 lekë. Ndërsa rritjet më të lartë me mbi 50% e kanë pësuar kurset e gjuhëve të huaja për fëmijët 5 vjeç e lart. Me të njëjtat ritme janë rritur edhe çmimet e mallrave të tjera dhe shërbimeve për fëmijë.

 

INSTAT raportoi pak ditë më parë se në tremujorin e parë të këtij viti në të gjithë vendin lindën 4662 foshnja me rënie 14% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023./ Monitor

Sulmet ruse në Ukrainë, Trump: Putin është çmendur fare, po vret shumë njerëz dhe kjo s’më pëlqen aspak

Donald Trump e ka kërcënuar Rusinë me më shumë sanksione pas një serie sulmesh vdekjeprurëse në të gjithë Ukrainën, ndërsa tha për Vladimir Putinin: “Çfarë dreqin po ndodh me të?”

 

Presidenti amerikan u shfaq i tmerruar nga sjellja e homologut të tij në Kremlin pas sulmeve me dronë dhe raketa në Kiev dhe qytete të tjera ukrainase që lanë 12 persona të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Duke folur me gazetarët në një aeroport në Neë Jersey përpara një fluturimi për në Uashington DC, Trump tha: “Nuk jam i kënaqur me Putinin. Nuk e di se çfarë nuk shkon me të. Ai po vret shumë njerëz. Nuk jam i lumtur për këtë.”

Trump, i cili tha se gjithmonë ka shkuar mirë me Putinin , u tha gazetarëve se do të shqyrtonte më shumë sanksione kundër Moskës.

Ai po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz, dhe kjo nuk më pëlqen aspak“, tha ai.

Më vonë, në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan shkroi se ai “gjithmonë ka pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur fare!”

Trump kritikoi gjithashtu Volodymyr Zelensky-n, duke thënë se presidenti ukrainas “nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në atë mënyrë. Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme, nuk më pëlqen dhe më mirë të ndalet”.

Ukraina tha se breshëria e sulmeve gjatë natës deri të dielën ishte sulmi më i madh ajror i luftës deri më tani, me 367 dronë dhe raketa të qëlluara nga forcat ruse.

Kjo ndodhi pavarësisht se Trump foli vazhdimisht për shanset e një marrëveshjeje paqeje. Ai madje foli me zotin Putin në telefon për dy orë javën e kaluar.

Dosja ‘Metamorfoza’, shtyhet seanca ndaj të akuzuarve, ja kur do të mbahet gjyqi i radhës

Është shtyrë procesi ndaj të akuzuarve të dosjes ‘Metamorfoza’.

Të pandehurit, Pëllumb Gjoka, Behar Bajri, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardit Hasanbegaj, Oltian Bistri, Xahevahir Lita, nuk ishin të pranishëm.

Në këtë proces është zëvendësuar gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka. Gjoka ka marrë lejen e zakonshme.

Në trupë gjykuese është zëvendësuar nga gjyqtari i posaçëm Erjon Çela.

Për shkak të mungesës së avokatëve të të dy të pandehurve seanca u shty për në datën 30 maj.

Në Ballkan nis stërvitja më e madhe ushtarake e udhëhequr nga SHBA-ja, merr pjesë edhe Shqipëria me Kosovën

Rreth 12.000 trupa ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet aleate të saj, përfshirë Kosovën, janë mbledhur në Ballkan, në kuadër të fazës së dytë të stërvitjes “DEFENDER 25”, të udhëhequr nga ushtria amerikane.

 

Ushtrimi, i quajtur “Immediate Response 25”, që zhvillohet nga 26 maji deri më 9 qershor, ka për qëllim të testojë se “sa shpejt dhe sa efektshëm” mund të dislokohen trupat amerikane në Evropë për ta mbrojtur Krahun Lindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) me aleatët dhe me partnerët.

Kosova është një ndër tetë vendet ku do të zhvillohet stërvitja që, sipas Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, synon të forcojë mbrojtjen kibernetike dhe të demonstrojë kapacitetet e sigurisë të SHBA-së dhe aleatëve.

Pjesë të ushtrimit do të mbahen edhe në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka thënë se, gjatë periudhës sa do të zgjatë stërvitja ushtarake, në Kosovë “do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës”.

FSK-ja, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, “do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit”.

“DEFENDER 25” është stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane në Evropë, me përfshirjen e më shumë se 25.000 trupave nga SHBA-ja dhe 25 vende aleate dhe partnere./rel

Ministri i brendshëm gjerman me projektligj për kufizimin e ribashkimit familjar për refugjatët

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt (CSU) planifikon t’ia paraqesë kabinetit të mërkurën projektligj për të kufizuar ribashkimin familjar për disa kategori refugjatësh.

 

Ministria e Brendshme i konfirmoi agjencisë gjermane të lajmeve dpa (Deutsche Presse-Agentur) një informacion për këtë çështje të botuar nga gazeta Bild am Sonntag. Siç është rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit qeveritar mes CDU/CSU dhe SPD, refugjatët me status të kufizuar nuk do të lejohen për dy vjet të sjellin në Gjermani pjesëtarët e familjes së tyre. Përjashtohen rastet jashtëzakonisht të rënda.

Aktualisht, në kuadër të ribashkimit familjar, çdo muaj janë lejuar të vijnë në Gjermani 1000 pjesëtarë të familjeve të refugjatëve, edhe kur këta refugjatë nuk kanë pasur qëndrim të përhershëm në Gjermani, por një status mbrojtjeje plotësues (subsidiar). Kjo mbrojtje zbatohet kur një person nuk pranohet si refugjat, por përballet me rrezik serioz në vendin e tij të origjinës. Dobrindti shtoi se duhet të bëhet e qartë se politika e migrimit në Gjermani ka ndryshuar.

“Deri tani, në Gjermani janë pranuar 1000 vetë në muaj. Tani kjo merr fund”, i tha Dobrindti gazetës Bild. “Ne duhet t’i zvogëlojmë ndjeshëm faktorët tërheqës drejt Gjermanisë. Në këtë mënyrë, ne demonstrojmë gjithashtu se politika e migrimit në Gjermani ka ndryshuar.”

Ribashkimi familjar i mundur që nga viti 2018

Ribashkimi familjar për refugjatët pa status azili ishte pezulluar midis marsit 2016 dhe korrikut 2018 nga koalicioni midis konservatorëve (CDU/CSU) dhe Socialdemokratëve (SPD). Arsyeja e dhënë në atë kohë ishte shmangia e mbingarkesës në pritje dhe në integrim. Që nga gushti 2018, një numër prej 1000 personash në muaj janë lejuar të hyjnë në Gjermani si pjesëtarë të familjeve të personave me këtë status mbrojtjeje.

Protestë nga organizatat joqeveritare

Marrëveshja e koalicionit e vitit 2021 midis SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së në fakt përcaktonte që ribashkimi familjar do të ishte i mundur përsëri pa kufizime për njerëzit në këtë grup. Megjithatë, ky plan nuk u zbatua kurrë. Më shumë se 30 organizata joqeveritare i kanë bërë thirrje qeverisë federale të braktisë planet për të kufizuar ribashkimin familjar për refugjatët dhe në vend të kësaj ta zgjerojë atë./DW

VIDEO/ Agim Baçi: Doktor, të ka shkarkuar statuti, neni “Basha”

Humbja dramatike e Partisë Demokratike, mesa duket nuk po lexohet si e tillë nga shumica e drejtuesve demokratë. Në analizën e Agim Baçit, nuk është thjesht Berisha ai që duhet të mbajë peshën e përgjegjësisë, por ka ardhur koha që drejtuesit, deputetët dhe anëtarët e forumeve drejtuese të marrin përgjegjësinë që u takon dhe të kenë kurajon për t’i thënë Berishës të vërtetat, pa u fshehur pas emrave të mëdhenj apo retorikës boshe.

Partia Demokratike nuk mund të pretendojë ringritje, nëse vijon të sillet si një grupim që mbrohet pas historisë.

“Nuk ka më justifikime që fshihen pas emrit të Berishës,” thotë Baçi, duke theksuar se Berisha ka qenë një figurë qendrore në historinë e demokracisë shqiptare, ka meritat e veta, dhe askush nuk mund t’ia mohojë rolin në pluralizëm, por koha kërkon ndryshim, dhe udhëheqësit e vërtetë dinë kur është momenti për të hapur rrugë.

Berisha duhet ta lërë të lirë Partinë Demokratike. Duhet të kuptojë se një lider nuk është i pavdekshëm politikisht – ai është i madh kur di të largohet në kohën e duhur, me dinjitet. Sepse nëse nuk fiton dot më besimin e shumicës, atëherë duhet të krijojë hapësirë për dikë tjetër, për një frymë të re, për një model tjetër komunikimi me qytetarët.

Nga ana tjetër, asnjë reformim nuk mund të ndodhë nëse pjesa tjetër e lidershipit nuk tregon kurajo për të folur hapur. Ata që sot heshtin, ose mbështesin verbërisht për shkak të llogarive personale politike, nuk janë pjesë e një zgjidhjeje. Një parti demokratike nuk ndërtohet mbi kultin e një njeriu, por mbi aftësinë për të krijuar një kulturë debati dhe reflektimi të brendshëm.