16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

BERZH flet qartë: Ekonomia e rrezikuar nga borxhet e qeverisë, rritja ekonomike do ulet

BERZH parashikon se rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë 3.9 për qind këtë vit dhe më 2020. Rezultatet e reja të parashikimit u dhanë sot në raportin për Perspektiven Ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Këto ritme janë pak më të ngadalta se ato 4.1 për qind që u arritën më 2018. Raporti tregon për rreziqet e vazhdueshme në kahun rënës, të lidhura me ngadalësimin ekonomik në partnerin kryesor ekonomik të Shqipërisë, eurozonën.

Rreziqet e brendshme për Shqipërinë përfshijnë borxhin e lartë publik si dhe krizën e brendshme politike në vazhdim.
BERZH thotë se, në Bosnje dhe Herzegovinë, ekonomia ka vazhduar të jetë e qëndrueshme kundrejt një ngadalësimi të reformave dhe pasigurisë politike të vazhdueshme.

Në vitin 2018, PBB-ja u rrit me 3.1 për qind. Ekonomia pritet të vazhdojë të rritet me 3.0 për qind në 2019 dhe 2020. Megjithatë, parashikimi i vitit 2019 është rishikuar poshtë me 0.5 pikë përqindjeje nga raporti i mëparshëm i vitit 2018, për shkak të vonesave si në formimin e qeverive të reja pas zgjedhjeve të tetorit 2018 dhe një programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Rritja relativisht e fortë ekonomike vazhdoi në Kosovë në vitin 2018 për të katërtin vit me rradhë. Pas rritjes prej 3.7 për qind në vitin 2017, PBB-ja u rrit me 3.9 për qind në vitin 2018, të nxitur nga investimet dhe konsumi. Rritja në vitin 2019 dhe 2020 pritet të qëndrojë në 4.0 për qind, me kërkesën e brendshme që vazhdon të jetë drejtuesi kryesor.

Në Malin e Zi, rritja ishte e befasuese sipas BERZH. Në vitin 2018, ekonomia u zgjerua me afërsisht pesë për qind, e mbështetur nga ndërtimi i autostradës, projekteve të pasurive të patundshme në bregdet, një sezoni jashtëzakonisht të fortë turistik dhe një rritje të mëtejshme të konsumit privat.

Përfundimi i projekteve të mëdha investuese dhe konsolidimi i vazhdueshëm fiskal do të çojë në një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes në 2.8 për qind në 2019 dhe 2.6 për qind në vitin 2020.

Pas rritjes pothuajse zero në Maqedoninë e Veriut në vitin 2017, ekonomia u rrit me 2.7 për qind në vitin 2018, e mbështetur nga rritja e fortë e eksporteve dhe rimëkëmbjes së konsumit privat dhe publik. Rritja pritet të rritet lehtë në 2019 në 3.0 për qind prapa një rikthimi të pritshëm në investime, dhe të vazhdojë me të njëjtin ritëm në vitin 2020.

Rritja në Serbi u ngjit në 4,3 për qind në vitin 2018 pas rritjes prej vetëm 2.0 për qind në 2017, si rezultat i rikuperimit të mëtejshëm të kërkesës së brendshme dhe eksporteve të forta.

Rritja pritet të ngadalësohet në 3.5 për qind në 2019 dhe pastaj të kthehet deri në 3.8 për qind në 2020, me konsumin privat, investimet dhe eksportet që mbeten udhëheqësit kryesorë të rritjes, me efektet kompensuese që vijnë nga importet më të larta.

Shaqiri: Do ta shikoj veten edhe një herë duke e mposhtur Messin e Barcelonën

Xherdan Shaqiri është shprehur shumë krenar me Liverpoolin, pas suksesit të arritur dje në përballjen me Barcelonën, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku Shaqiri luajti që nga minuta e parë e ndeshjes.

Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.

Xherdan Shaqiri kishte qenë pjesë e formacionit të parë të Liverpoolit, që mbrëmë kërkoi ta bëjë mrekullinë kundër Barcelonës. Përveç që katalonasit e kishin epërsinë prej tri golave, Liverpoolit i mungonin edhe dy nga lojtarët më të mirë të skuadrës, Mohamed Salah dhe Roberto Firmino.

Edhe pse 27-vjeçari e kishte përjetuar ndjenjën e arritjes në finale të garës më prestigjioze të Evropës edhe një herë tjetër, sa ishte lojtar i Bayern Munichut, ai u shpreh po aq i ngazëllyer edhe për këtë herë.

“Është e vështirë ta përshkruash me fjalë. Është e mrekullueshme. Jam i tronditur. Kemi arritur diçka të paimagjinueshme. Mendoj se do të më duhet ta shikoj edhe një herë në shtëpi këtë ndeshje, sepse kam qenë dhe jam plot adrenalinë. Jam shumë krenar me këtë skuadër”, ka thënë Shaqiri.

“Ne kemi luajtur shumë mirë gjatë gjithë sezonit, veçanërisht lojtarët që ju i përmendët [Salah, Firmino]. Kushdo që futet në lojë e jep maksimumin e vet. Nuk ishte e lehtë për ne. Ne [Shaqiri dhe Divock Origi] nuk luajtëm shumë këtë sezon, por e pritëm rastin dhe na erdhi. Mua më duket se e kemi shfrytëzuar mirë. Kemi arritur diçka të mrekullueshme”.

Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.

Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.

Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi.

Me shishe kokës Batonit në studio nga Mesila Doda, shpëton, por e mbyll squpin më pas

Baton Haxhiu i ka shpëtuar një goditje me shishe kokës nga Mesila Doda gjatë debatit televiziv në Klan. Debati u bë i nxehtë pasi Batoni i përmendi Dodës bashkëshortin ku ajo e paralajmëroi se do ta godiste me shishe kokës. Kaq ka mjaftuar dhe Batoni e ka mbyllur squpin edhe për punën e Kosovës jo më për të tjerat.

Ish-deputetja Mesila Doda dhe gazetari Baton Haxhiu kanë debatuar ashpër në “Opinion” për çështjen e korrigjimit të kufijve të Kosovës dhe përplasjen në distancës mes kryeministrave Rama dhe Haradinaj.

Sipas ish-deputetes Doda në darkën e Beogradit ideja e shkëmbimit të territoreve u hodh fillimisht nga ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç dhe më pas ka patur një takim Rama-Vuçiç ku u diskutua për këtë temë.

Haxhiu e kundërshtoi dhe tha se ai ka qenë vetë i pranishëm në darkën e Beogradit dhe nuk ka patur asnjë diskutim të tillë.

Ja debati i plotë:
Baton Haxhiu: Gjashtë vetë kanë qenë në takim, dhe unë po të them që nëse ka ndonjë krenari të z.Rama karshi delegacionit serb… Meqë po flasim, z.Rama ka refuzuar kategorikisht të flasë për këtë temë dhe z.Vuçiç nuk e ka hapur fare temën e ndryshimit të kufijve dhe është turp të flitet…Unë kam thënë që Gjermania asnjëherë nuk e ka përkrahur Pavarësinë e Kosovës.

Mesila Doda: Gënjen, gënjen
Baton Haxhiu: Ti mundesh vetëm bashkëshortit tënd t’i thuash gënjen.

Mesila Doda: Bashkëshorti im nuk gënjen, ti gënjen. Edhe herë tjetër mos guxo më të më flasësh mua. Ti je rrugaç me mua flit mirë. Është duke gënjyer.
Baton Haxhiu: Ti vetëm bashkëshortin tënd mundesh të gënjesh.

Mesila Doda: S’ke punë ti se e di çtë bëj apo jo (momenti kur merr shishen)… Guxo dhe njëherë të më flasësh mua me këtë gjuhë dhe kjo shishe të përfundon në kokë. Rrugaç, gënjeshtar ordiner. Ti që na fton në studio (Fevziut), mësoji të kontrollojnë fjalën njerëzit që janë këtu në studio. Dëgjoje se çfarë tha.
Blendi Fevziu: Çfarë tha? Nuk e dëgjova.

Mesila Doda: Ai që thotë ti vetëm mund t’i thuash tët shoqi gënjeshtar dhe që s’duhet të flasësh. Po gënjen kur flet për asociacionin, po gënjen kur flet për Gjermaninë, po gënjen kur flet për kufijtë. Ky ka qenë brenda pazarit.
Blendi Fevziu: Po ai thotë s’kam qenë.

Mesila Doda: Absolutisht po! Ai e di dhe e ka thënë.
Blendi Fevziu: E ke thënë ti Baton që është bërë marrëveshja aty?

Baton Haxhiu: Lere mo, kjo është pa lidhje. Më vjen turp që jam në studio Fevzo.
Mesila Doda: Edhe mua më vjen të jem me një si puna jote, i neveritshëm. Të bie me shishe kokës…

Gafa e rëndë e Rudinës në Parlament: Në Letoni u vranë 3 ushtarakë shqiptarë

Të thuash që është e painformuar, është pak! Deputetja dhe kryesuesja e opozitës së re Rudina Hajdari ka bërë sot në Kuvend një gafë të pafalshme, teksa ka thënë se në Letoni humbën jetën 3 ushtarakë shqiptarë.

Pavarësisht se u kundërshtua nga kolegët e saj socialistë, Hajdari isistonte me të vetën: Kanë humbur jetën 3 persona, mund tiua them emrat! Pas kësaj dhe një momenti pauze, ajo e rimorri veten duke thënë se 1 prej ushtarakeve kishte humbur jetën, dhe dy të tjerët ishin plagosur.

Gafa e pafalshme duket që e bëri deputeten në një moment të linte edhe fjalën në mes, po insistimi i Gramoz Ruçit, ”mund të vazhdoni zonja Hajdari!”, bëri që ajo të vijonte.

Në një kohë kur ngjarja e Letonisë tronditi të madh dhe të vogël në Shqipëri, duket se deputetja Hajdari ka qenë e painteresuar për fatin e ushtarakëve, e megjithatë ajo beson se ka në dorë opozitën e shëndetshme të vendit.

Kujtojmë se nga shpërthimi në Letoni humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj, ndërsa mbetën të plagosur major Klodian Tanushi dhe reshteri Julian Kapaj.

Një person i armatosur terrorizon nxënësit e shkollës, policia nuk ndërhyn!

“Një person i armatosur po terrorizon banorët dhe nxënësit e shkollës në Bradashesh, ndërkohë që policia nuk ndërhyn”. Denoncimi bëhet nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili thotë se i referohet një mesazhi ardhur në adresë të tij.

Në një status në Facebook, Berisha shkruan:
“Terror ndaj nxenesve dhe banoreve ne Bradashesh nga banditi i narkopartise! Narkopolicia nuk nderhyn, eshte i yni! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb

Pershendetje dr terror ne bradashesh ne elbasan nji i armatosur me kallashnikov po terrorizon banoret dhe nxensit e shkolles policia nuk ndërhyn”.

Haradinaj nxjerr letrat: “Thaçi-Vuçiç-Rama kanë biseduar për ndarjen e Kosovës”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj,  ka folur për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe ndër të tjera ka pranuar se ekziston një dyshim me baza të forta se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, President ii Kosovës Hashim Tahaçi dhe President  serb Aleksandër Vuçiç, kanë biseduar për shkëmbin territoresh, raporton “Zëri.info”.

“Ekziston një dyshim i bazuar, se Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve se bashku nën udhëheqjen e Përfaqësueses së lartë, Frederika Mogerinit. Ekziston ky dyshim pavarësisht se unë nuk mund ta konfirmoj”,- tha Haradinaj.

Meqenëse kjo ide është tashmë e vdekur sipas kryeministrit Haradinaj, një gjë e tillë vetëm ka humbur kohën e tre liderëve të lartë përmendur.

Çfarë i ndodh trupit nëse zëvendësoni çdo pije me ujë?

490178830

Uji i pastër është ilaçi i parë në botë dhe më i miri që ekziston.
Shumica e njerëzve e konsiderojnë konsumimin e ujit si një dush për brendësinë e trupit. Është edhe dëshmi shkencore se njerëzit të cilët konsumojnë mjaftueshëm ujë, kanë përmirësim në mirëqenien fizike dhe mendore.

Konsumimi i mjaftueshëm ditor i ujit (tetë gota në ditë) jua hidraton trupin dhe e mbush me energji të nevojshme për t’i kryer funksionet e veta pa ndonjë problem. Uji mund të klasifikohet si ilaç për shumë probleme dhe çrregullime shëndetësore.

Përdoret për stimulimin e sistemit të tretjes, për forcimin e sistemit të imunitetit, për shpejtimin e metabolizmit, për proceset e eliminimit të toksinave, për përmirësimin e qarkullimit, etj. Më poshtë i keni disa arsye se përse duhet të provoni ta zëvendësoni thuajse çdo pije tjetër me ujë.

Konsumimi i ujit ju bën të humbni peshë
Nëse pini vetëm ujë për 9 ditë, numri i kalorive që i humbni mund të jetë i barabartë me 8 kilometra vrapim në ditë.

Jua rritë nivelet e energjisë dhe e shpejton metabolizmin
Fillojeni ditën duke pirë ujë posa të zgjoheni nga gjumi dhe kështu do ta rritni metabolizmin.

Truri funksionon më mirë
Është fakt se truri përbëhet nga 75-85% ujë, që nënkupton se gjithmonë duhet të furnizohet me ujë. Prandaj, konsumimi i ujit jua përmirëson përqendrimin dhe funksionin e përgjithshëm të trurit.

Ju ndihmon të hani më pak
Duke konsumuar ujë, ju e shtypni apetitin dhe e nxitni humbjen e peshës.

Me ujë, trupi i largon toksina më shpejt
Substancat e dëmshme mund të pastrohen me ujë dhe rrjedhimisht të ngadalësohet procesi i plakjes.

Uji e zvogëlon rrezikun e shumë sëmundjeve
Disa prej këtyre sëmundjeve janë ato të fshikëzës urinare, hipertensioni, etj.

Zemra funksionon më mirë kur pini mjaftueshëm ujë
Duke i konsumuar 5 gota ujë në ditë ju mund ta ulni rrezikun e sulmit të zemrës deri në 42%.

Lëkura është më e mirë
Uji e ka aftësinë për ta hidratuar dhe pastruar lëkurën. Prandaj, duke konsumuar mjaftueshëm ujë, ju do të keni një lëkurë të butë e të pastër.

Tre problemet që ju çojnë drejt vdekjes së parakohshme

Në studim kanë marrë pjesë disa punëtorë me tension të lartë të gjakut të cilët janë vëzhguar pothuajse 18 vjet. Stresi në punë, gjumi i keq dhe tensioni i lartë i gjakut – mund të jenë recetë për vdekje të hershme, lajmërojnë hulumtuesit gjermanë.

Në studim kanë marrë pjesë disa punëtorë me tension të lartë të gjakut të cilët janë vëzhguar pothuajse 18 vjet, ndërkaq ata të cilët kanë deklaruar që kanë punë stresuese dhe gjumë të keq tri herë kanë pasur probabilitet më të madh që të vdesin nga sëmundjet e zemrës se ata të cilët kanë bërë gjumë të mirë dhe të cilët nuk kanë pasur probleme në punë, kanë zbuluar hulumtuesit.

Madje 50 për qind e të rriturve kanë shtypje të lartë të gjakut. Ky është faktor i rrezikut për sulm në zemër, sulm në tru, ndërprerje të zemrës, sëmundje të veshkave dhe vdekje të hershme kardiovaskulare.

“Studime të shumta kanë zbuluar lidhshmërinë e stresit të shtuar në punë dhe rrezikut të mëvonshëm nga sëmundjet kardiovaskulare. Çrregullimi i gjumit gjithashtu është i lidhur me rrezikun e shtuar”, thotë dr. Gregg Fonarow, profesor i kardiologjisë.

Në studimin e ri hulumtuesit kanë arritur në konkluzionin që mes personave me hipertension, ata të cilët kanë pasur stres në punë kanë pasur dyfish rrezik më të madh nga vdekja nga sëmundjet kardiovaskulare, si edhe ata të cilët kanë deklaruar që kanë vetëm gjumë të keq.

Sipas hulumtuesit kryesor, dr. Karl Hajnc Ludwig, gjumi do të duhej të ishte koha për pushim dhe përtëritje të energjisë. Nëse keni stres në punë, gjumi ju ndihmon që të këndelleni.

“Fatkeqësisht, gjumi i keq dhe stresi në punë shpesh shkojnë njëri pas tjetrit, ndërkaq në kombinim me hipertensionin, efektet janë edhe më fatale”, ka shtuar dr. Ludwig.

Pini çaj për të jetuar më gjatë

Tani ju sjellim një prej lajmeve më të mira të këtij viti: një studim e ka konfirmuar se konsumimi i çajit faktikisht mund t’jua shtojë jetëgjatësinë. Hulumtuesit australianë kanë analizuar mënyrën e të ushqyerit të mbi 1,000 femrave të vjetra, të cilat kanë qenë në vitet e tyre të 70’ta dhe 80’ta.

Studimi ka zbuluar se ato të cilët kanë konsumuar çaj çdo ditë kanë qenë 40% më të prira të jetojnë më gjatë.

Hulumtuesit kanë qenë duke analizuar ndikimin që konsumimi i flavanoideve e kishte pasur në rrezikun e vdekjes te femrat nga cilido shkaktar përgjatë pesë viteve të ardhshme – flavanoidet janë përbërës të cilët gjenden në ushqime të ndryshme, duke përfshirë çajin, kafen dhe çokollatën.

Shkencëtarët kanë zbuluar se 88% e femrave kishin qenë ende të gjalla në përfundim të studimit pesëvjeçar dhe se ato të cilat kishin konsumuar sasi më të mëdha të flavonoideve kishin pasur rrezik më të ulët të vdekjes.

Autorët e studimit thonë se normalisht që nuk keni nevojë të pritni deri në moshë të shtyrë për t’i shijuar përfitimet e çajit, pasi që konsumimi i çajit ua ulë rreziqet e sëmundjeve të zemrës edhe të rriturve. Çaji gjithashtu përmban sasi modeste të kafeinës dhe rrjedhimisht e rritë përqendrimin.

Ka dështuar Bashkimi Europian konstruktivist i Maastricht, jo ideja e Europës

Një intervistë me Corrado Ocone

Corrado Ocone, filozof, gazetar dhe eseist, është një prej intelektualëve më të gjallë e më heterodoksë që ekzistojnë në Itali. Liberal kundërrrymë, shpesh jo në linjë me mjediset e liberalizmit italian. Para pak kohësh ka botuar për Historica librin “Europa – L’Unione che ha fallito”, një vëllimth i vockël, por shterrues, që shpjegon në mënyrë të qartë e të plotë arsyet e dështimit të Bashkimit Europian.

Sipas jush, kur ka dështuar Europa?

Parasëgjithash, unë besoj se ka dështuar Bashkimi Europian, jo ideja e Europës. Kjo e fundit ekziston qysh përpara Bashkimit Europian, që në zhvillimin e tij nuk e ka mbajtur aspak parasysh, dhe do të ekzistojë edhe më pas. Një pikë kthese ka qenë Traktati i Maastricht, i firmosur në vitin nel 1992. Qysh nga ai moment, Bashkimi Europian e ka theksuar më tek aspektin e tij racionalist dhe konstruktivist. Është transformuar në një projekt të ndërtuar, në tavolinë nga lartë dhe i është “imponuar” europianëve, ku vendet më të forta ua imponojnë rregullat e tyre atyre më të dobëta. Qysh atëhere, Europa nuk është konceptuar më si tërësie e atyre vlerave që ne e quajmë “Perëndim”, por si një tërësi rregullash abstrakte, të përcaktuara një herë e përgjithmonë. Natyrisht, e gjitha kjo shkon kundër me atë që është ndjenja europeiste, që duhet të konkretizohet në institucione politike të krijuara nga poshtë.

Çfarë e ka mundësuar Bashkimin Europian të transformohet në këtë Leviatan?

Ka dy motive historike. Ne europianët jemi çinteresuar për atë që ndodhte në Bruksel, duke i përjetuar zgjedhjet europiane si një rregull dhe duke mos e kuptuar se çfarë rolesh delegoheshin në institucionet e Bashkimit Europian. Jemi gjendur kështu në këtë kafaz të çeliktë të menaxhuar nga kjo elitë burokratike e teknokratike. Një kafaz nga i cili është e vështirë të dilet, siç po e demonstron rasti Brexit. Në radhë të dytë, kemi arritur në këtë pikë për shkak të dy ideologjive të lindura duke filluar nga vitet ’80. Nga e majta ka lindur ideologjia liberale dhe nga e djathta ideologjia liberiste. Këto kanë përfunduar duke u konvergjuar, duke krijuar kështu një lloj mendimi unik “liberal – liberist”. Kjo konvergjencë i ka dhënë jetë një teknokracie që në e gjejmë në të gjitha institucionet mbikombëtare. Një studim i botuar nga Oxford University Press, me të dhëna empirike, tregon sesi njerëz që janë në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kalojnë nga Bashkimi Europian, për të kaluar më pas në Organizatën Botërore të Tregtisë etj.. Megjithëse duke lindur në gjirin e liberalizmit, këto dy ideologji janë absolutisht iliberale.

Për çfarë motivi sipas jush?

Pika e konvergjencës e këtyre dy ideologjive është antipolitika. Politika e nënkuptuar si dialektikë (edhe konfliktuale) midis forcave në fushë është dobësuar. Kjo sepse ideologjia liberale duke monopolizuar kulturën, nën mësimet e politikisht korrektes, ka krijuar një lloj të drejtë të eticizuar sipas normash abstrakte, të konsideruara të drejta apriori, që u janë imponuar vendimeve politike. Kurse liberizmi abstrakt ja nënshtron ekonomisë raportet politike. kurse liberalizmi klasik është fuqimisht politik. Ai i referohet parimit të realitetit, sipas mësimit të Niccolò Macchiavelli, dhe kuptimit historik, sipas mësimeve të Giambattista Vico. Liberalizmi i Alexis de Tocqueville, i Benjamin Costant dhe i Benedetto Croce nuk zbret nga lart sipas rregullash abstrakte të etikë së juridicizuar apo të ekonomisë, por krijohet nga poshtë sipas raporteve të forcës të zbritura në realitetin historic dhe kontigjent, nëpërmjet krijimit të numrit më të madh të hapësirave të mundshme të lirisë. Hayek ka qenë kritiku më i ashpër i mentalitetit konstruktivist. Liberizmi i Thatcher dhe i Reagan ishte fuqimisht i lidhur me traditat, ishte liberalizmi i komuniteteve politike ekzistuese, shumë i lidhur me idenë e kombit, pa shtetin apo autoritetet e tjera nga lart të ndërhyjnë me individin. Mund ta quajmë “liberalizmi i prodhuesit” dhe jo “liberalizmi i financës”.

Në Kapitullin e V të librit pyetet nëse Manifesti i Ventotene është praktikisht një model për ne apo jo. Pse ky dyzim?

Natyrisht që edhe ky Manifest duhet konsideruar në kontekstin e tij historik. Ai donte të ishte vetëm një pamflet beteje politike. Premisa e Manifestit të Ventotene qëndron në diferencën substanciale midis nazifashizmit dhe komunizmit, kështu që sipas Altiero Spinelli socializmi duhej të përfaqësonte të ardhmen, ndërsa liberalizmi përfaqësonte atë të kaluar që kishte çuar pikërisht tek fashizmi. Ky vision është avancuar si nga komunistët, ashtu edhe nga ata të Partisë së Aksionit, që nuk qenë komunistë, por nuk qenë as antikomunistë dhe shikonin një asimetri midis komunizmit dhe nazifashizmit. Ndërsa liberalët e Luftës së Ftohtë, si Hannah Arendt apo Raymond Aron, e kanë evidentuar këtë simetri. Qartazi, manifesti i Ventotene synon në krijimin e një Europe socialiste. Altiero Spinelli dhe Ernesto Rossi mendojnë për një supershtet socialist që promovon idealet abstrakte të progresit, të drejtësisë, etj.. Nuk mendojnë për një bashkim diversitetesh siç mund ta mendojë një liberal. Unë e shkruajta këtë kur Matteo Renzi e çoi Angela Merkel në Ventotene.

Në diskutimin e mbajtur në Universitetin e Zyrihut, Winston Churchill foli për Shtetet e Bashkuara të Europës, ama duke ju referuar një confederate sipas modelit zviceran që nuk mund të bëjë pa një raport miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa sot Bashkimi Europian mendon që se mund të bëjë pa të. E njihni veten në këtë concept të dytë?

Jam shumë dakord me modelin zviceran. Europa duhet ta kërkojë një unitet të sajën, ama nuk duhet të shkojë kundër identitetit të saj të përbërë nga diversitete, bile edhe të konsiderueshme. Veçantitë duhen theksuar. Për sa i përket raportit me Shtetet e Bashkuara, edhe në këtë rast kemi qenë viktimë e mendimit liberal – liberist, sipas të cilit Bashkimi Europian duhet të jetë mike me Shtetet e Bashkuara kur ishte Obama dhe tani që është Trump nuk duhet të ekzistojë më. Si mund t’ia dalë Europa pa Shtetet e Bashkuara pa investuar as edhe një qindarkë në mbrojtje? Duhet thënë edhe se tashmë e kemi kuptuar se Donald Trump nuk është budallai që është munduar të paraqesë një pjesë e medias tonë. Ai përfaqëson një Amerikë të ndryshme nga ajo e elitave amerikane, se dëshiron që të ndjehet pesha e tij në një dialektikë që përshtatet me një demokraci të madhe të shtrirjes së tij dhe këtë mendimi liberal nuk e duron dot. Shtetet e Bashkuara janë Europa, janë Europa përtejoqeanit, janë të dyja nga e njëjta nënë që quhet “Perëndim”.

Në kapitullin e fundit të librit tuaj ju flisni për një Europë tjetër të mundur, cilat duhet të jenë karakteristikat e saj?

Në thelb duhet të jetë një Europë e mbështetur mbi ato vlera që në i quajmë, pikërisht, “Perëndim”. Vlera të pranuara si dinjiteti i njeriut, i demokracisë dhe i lirisë. Vlera që kanë edhe një origjinë kristiane, pavarësisht nga fakti se mund të besohet ose jo. Sipas doktrinës kristiane jemi të gjithë të barabartë në specificitetin dhe në diversitetin tonë. Një diversitet që i duhet dhënë vlerë dhe jo të asgjësohet, duke fshira edhe kujtesën tonë historike, në shenjën e homologimit. Një bashkim kulturor që nuk mund të shkëputet nga ruajtja e shteteve kombëtare, që duhet të ndërveprojnë demokratikisht midis tyre. Më shumë se Shtetet e Bashkuara të Europës, duhet të aspirojmë për një Europë të Bashkuar të Shteteve ose, më mirë, për një Europë të Bashkuar të Popujve.

Në përfundim, është e pamendueshme që të flaken tej shtetet kombëtare.

Ju lutem, shteti është një krijesë e epokës moderne dhe, ashtu si ka lindur, mund edhe të vdesë. Por duhet të ekzistojë një alternativë që ta zëvendësojë në detyrën për t’ju garantuar një përfaqësim të duhur qytetarëve dhe popujve. Me të gjitha difektet e tij, shteti kombëtar është megjithatë ai që ka mishëruar konkretisht lirinë, që përndryshe do të ishte abstrakte, dhe korniza brenda të cilës është zhvilluar dhe vazhdon të mbijetojë demokracia perëndimore. Mund edhe ta shfuqizojmë shtetin, por ama jo në favor të një supershteti. Një supershtet federal ku gjithçka është e centralizuar i bën keq demokracisë dhe i bën keq liberalizmit. I bën keq demokracisë, e cila jeton derikur përfaqësimi është në duart e një komuniteti të kufizuar politik, bashkuar nga e njëjta histori dhe i njëjti fat; i bën keq liberalizmit, pasi bëhet fjalë për diçka që zbret nga lart. Hapësirat e lirisë dhe demokracisë duhen rritur e jo zvogëluar, duke i ngritur gjithnjë e më shumë. pastaj duhet ndalur mbi kritikën ndaj nacionalizmit që bëhet sot. Është një kritikë që i përket pikërisht kohës së Kartës së Ventotene që e sheh nacionalizmin si burim lufte dhe mendon se ilaçi i vetëm janë forcat antinacionaliste, si puna e komunizmit, forcat e vetme që mund të sjellin paqen. Koncepti i kombit mund të ketë një rezultat si pozitiv, ashtu edhe negativ. Sigurisht, agresiviteti i shteteve kombëtare ka çuar në dy luftëra botërore, por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se nën hijen e shtetit kombëtar të ‘800 është zhvilluar liberalizmi. Nën hijen e kombit ka lulëzuar edhe liria.

(nga Atlantico)

Përgatiti

ARMIN TIRANA