15.5 C
Tirana
E martë, 2 Shtator, 2025

Maqedonia e Veriut vazhdon kursin properëndimor

Pas përvojës së viteve të kaluara, Maqedonia e Veriut ka nevojë tani për një president normal e të drejtë. Të shpresojmë që Stevo Pendarovski është një president i tillë, komenton Boris Georgievski.

Në Maqedoninë e Veriut u zhvilluan zgjedhjet presidenciale dhe qytetarët e dhanë një sinjal të qartë – jo turbulenca politike, vazhdim i kursit properëndimor. Zgjedhja e Stevo Pendarovskit si presidenti i pestë i republikës së vogël ballkanike është mbështetje edhe për socialdemokratët që qeverisin në Shkup.

Ata ishin pro kandidatit politolog që kishte koordinuar përpjekjet për anëtarësimin e vendit në NATO. Balotazhi ishte një garë mes forcave proeuropiane dhe nacionalistëve. Sepse shoqëria është ende e përçarë për shkak të ndryshimit të emrit pas ujdisë me Greqinë. Pas vitesh grindjeje, në shkurt vendi ndryshoi zyrtarisht emrin në Maqedoni e Veriut. Një hap që hapi dyert e NATO-s dhe drejt BE.

Gjatë fushatës Pendarovski dhe rivalja e tij Gordana Siljanovska-Davkova kishin qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me këtë çështje. Por që të dy premtuan në rast të fitores të kudjeseshin për probleme më urgjente: Ekonominë në stanjacion, papunësinë e lartë, korrupsionin e përhapur dhe nepotizmin, si edhe një administratë funksionuese. Në një kohë që presidenti ka në Maqedoni funksion përfaqësues.

Presidenti të luajë rol korrektues
Për Pendarovskin vjen edhe një detyrë e re, që paraardhësi i tij, Gjorge Ivanov e injoroi vazhdimisht: të luajë rolin e korrektuesit për qeverinë në Shkup. Presidenti i deritanishëm ishte më shumë një shërbëtor i nacionalistëve të VMRO-DPMNE, që qeverisën më parë.

Ivanov e shndërroi postin e presidentit në një pikë grumbullimi të sentimentalizmave nacionalë dhe dallgëve antiperëndimore dhe e torturoi vendin me paaftësinë dhe frikën e tij. Kështu ai nënshkroi në vitin 2016 një amnisti për të gjithë politikanët e ndjekur penalisht, vetëm për të mbrojtur Nikola Gruevskin, atëherë kryetar i qeverisë në Shkup.

Gruevski ndërkohë (në një formë aventureske) iku në një ekzil të kërkuar vetë në Budapest, ku jeton në mbrojtjen e kryeministrit, Viktor Orban. Vërtet disa muaj më vonë, Ivanov pas presionit ndërkombëtar e tërhoqi amnistinë e tij, por dëmi i shkaktuar nuk riparohej aq shpejt.

27 prill 2017 – një pikë kulmore e turpshme
Një vit më vonë gabimi tjetër presidencial: Ivanov refuzonte t’i jepte mandatin shumicës parlamentare për krijimin e qeverisë. Me këtë ai e zgjati krizën politike në vend me disa muaj, e cila më 27 prill 2017 arriti një pikë kulmore të turpshme: Një turmë nacionalistësh mësyu parlamentin, sepse shumica parlamentare e deputetëve socialdemokratë zgjodhi si kryetar të parlamentit një shqiptar.

Në fund të mandatit të tij, BE dhe shtetet perëndimore i kthyen kurrizin presidentit Ivanov: Ai e kishte bllokuar qeverinë, duke refuzuar të nënshkruante ligje të rëndësisme me emrin Maqedoni e Veriut.

Presidenti i ri Stevo Pendarovski ka tani detyrën t’i rikthejë dinjitetin dhe respektin presidencës. Kjo nuk është ndonjë dëshirë shumë e madhe pas përvojave të viteve të kaluara, dhe pritshmëritë jo të mëdha nga presidenti i ri. Askush nuk kërkon gjëra spektakolare nga presidenti i sapozgjedhur. Maqedonia e Veriut ka nevojë tani thjesht për një president normal, president të drejtë – të shpresojmë që tani e ka.

Vucic: Serbia ka humbur, Kosova do të jetë e pavarur në tërë territorin e saj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në të ardhmen Kosova do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e saj, jo pse ai do ta njohë, por për shkak se dështoi zgjidhja e ofruar prej tij, duke mos e thënë qartazi se cila ishte ajo ofertë.

Presidenti serb në një intervistë për televizionin Pink, tha të dielën se “ajo që kishte ofruar nuk kaloi për shkak të trysnisë së tmerrshme të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre të zbulimit, që vunë në lëvizje agjenturat e plota, politike, mediale e të tjera nëpër vende të ndryshme”.

Ai i cilësoi “dyfytyrësh” ata që sipas tij, ndonëse pohuan se nuk kanë dëgjuar se cili ishte propozimi dhe zgjidhja e tij, e megjithatë e kanë kritikuar atë.

Ai tha se kishte organizuar një dialog të brendshëm në të cilin ishin ftuar të gjitha shtresat e shoqërisë. Shumë veta folën tha ai, duke nënvizuar se disa kërkuan ndarjen, disa konfliktin e ngrirë, ndërsa opozita përveç që ishte kundër tij, nuk tha asgjë.

“Dhe unë ju pyes, cila është zgjidhja përveç që Kosova në të ardhmen, jo me dëshirën time dhe jo që unë do ta njohë, do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e saj.

Pastaj do të pyes ata që kanë protestuar dhe kanë folur për shumë gjëra, përse e keni pse e keni bërë këtë dhe si është e mundur që nuk e patë realitetin dhe që e penguat mundësinë që Serbia të nxjerrë diçka për popullin dhe vendin?”, tha presidenti serb.

Dy ditë më parë, presidenti serb tha se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve ka rënë tashmë dhe kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.

Komentet e tij pasuan takimin e Berlinit të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron me vendet e Ballkanit Perëndimorë më 29 prill, ku temë kryesore ishte çështja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Takimi nuk arriti të sigurojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara para një gjysmë viti për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vënë tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Takimi i Berlinit përfundoi me pajtimin që të mbahet një takim i ri më 1 korrik në Paris, në një përpjekje për rifillimin e procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas një pjese të pjesëmarrësve por edhe vëzhguesve, takimi i Berlinit u dha fund ideve për prekjen e kufijve si rrugë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sekretari Pompeo: Presidenti Maduro i ka ditët e numëruara

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha të dielën se Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro është në pushtet vetëm “për momentin” megjithë dështimin këtë javë të përpjekjeve për të rrëzuar udhëheqësin aktual dhe për ta zëvendësuar atë me udhëheqësin e opozitës, Juan Gaido.

Shefi i diplomacisë amerikane tha për emisionin Fox News Sunday, se Presidenti Maduro i ka ditët të numëruara, megjithëse nuk foli për plane kohore. Ndërkaq, shtatë oficerë venezuelianë kanë gjetur vdekjen, pasi helikopteri i tyre u përplas për një shpat mali.

Helikopteri me dy lejtnant kolonelë dhe katër ushtarakë më të ulët si dhe një pilot, po udhëtonte dje nga kryeqyteti Karakas drejt qytetit San Karlos, ku Presidenti Nicolas Maduro po takohej me trupat në një akademi ushtarake. Nuk është e qartë nëse helikopteri ishte pjesë e delegacionit presidencial që po shkonte në San Karlos.

Presidenti Maduro u shfaq përkrah trupave në akademinë ushtarake, duke sinjalizuar se nuk ka dezertime në ushtri, siç shpresonte opozita. Dje në Karakas një protestues i dorëzoi një polici një apel me shkrim për mbështetje nga ushtria. Polici e dogji letrën në sy të protestuesve dhe para kamerave.

Ishte një gjest që simbolizon ngërçin që ka ngërthyer Venezuelën pas një jave të trazuar që u shqëruar fillimisht me shpresa të mëdha për dezertimin e ushtrisë dhe rrëzimin e Presidentit Maduro.

Situata ka detyruar vendet perëndimore që mbështesin udhëheqësin e opozitës Juan Guaido të shqyrtojnë alternativat e mëtejshme në përgjigje të precipitimit të situatës politike dhe humanitare në Venezuelë.

Histori e ngatërruar kjo e jona!

Mimoza Leskaj

Dje ishte 5 Maji!
Për gjysmën e shqiptarëve përkujtohet dita e dëshmorëve, gjysma tjetër vuan akoma për dëshmorët e krijuar nga gjysma tjetër që përkujton.

Duket lojë fjalësh, por jo vetëm nuk është, përkundrazi është një mallkim i rëndë që mbajmë në supet tona. Lexova dje me vëmendje të dy palët, se helbete nëpërmjet Facebook kemi miq të dy palëve dhe s’mundemi kurrsesi të mendojmë njëlloj.

Personalisht nuk kam përkujtuar kurrë 5 Majin dhe askush nuk më detyron ta bëj. Natyrisht as nuk më bëjnë duart t’u përkushtoj vargje siç bënë disa nga miqtë e mi poetë. Dhe arsyet janë të shumta, por në njerëzoren që mbaj brenda vetes nga edukimi që më kanë dhënë, para atyre që nuk më përgjigjen dot, sepse nuk janë më, jam mësuar të hesht, ndaj ky status është për të gjallët që lanë pas dhe e katandisën këtë popull të ndarë përgjysëm!

Po jap shembull konkret për kujtesë: Djegien e shtëpive të dy prindërve të mi e bënë partizanët! Plaçkitjen në mënyrë barbare e bënë partizanët! Burgimet dhe internimet i bënë po ata, pas të ashtuquajturit fitore pas lufte!

Të drejtën për të jetuar dhe arsimuar si njerëz, po ata na e hoqën! Pra, një jetë mes persekutimesh dhe terrori varfërie ekonomike dhe psikologjike të bërë po nga ata, të cilët mbajnë të njëjtin emër që mbaj unë, ti, ne, o SHQIPTARË!

Mund të mar përgjigje nga çdokush – dhanë jetën për liri! Për cilën liri? Shumë flasin: pse nuk kërkuat falje?! Unë faljen nuk e konceptoj dot me fjalë, por me vepra, ku të vihet në vend dinjiteti kombëtar për këta të rënë të gjysmës që ju i masakruat!
Lavdi të gjithë atyre që dhanë jetën për Shqipërinë!

Histori e ngatërruar kjo e jona, derisa të dalin shqiptarë të vërtetë dhe të denjë t’i nderojnë emrin!

Peskara, Itali

Ish-ministri: Rama po i hedh benzinë zjarrit…

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se, ndërhyrja në mënyrë të njëanshme në Kodin Zgjedhor, Kodin Penal apo edhe në Kushtetutë, zhbën përfundimisht çdo produkt konsensual që, mirë apo keq pluralizmi prodhoi. Përmes një postimi në facebook, Manjani shkruan se kjo është benzinë e pastër që i hidhet zjarrit.

“Këto ndërhyrje që ka programuar qeveria moniste në dokumentat ligjorë themelorë të shtetit, do të zyrtarizonte MONIZMIN si realitet politik sundues.

Postimi i plotë

Ndërhyrja në mënyrë të njëanshme në Kodin Zgjedhor, Kodin Penal apo edhe në Kushtetutë, zhbën përfundimisht çdo produkt konsensual që, mirë apo keq pluralizmi prodhoi.

Këto ndërhyrje që ka programuar qeveria moniste në dokumentat ligjorë themelorë të shtetit, do të zyrtarizonte MONIZMIN si realitet politik sundues.

Praktikisht kjo është benzinë e pastër që i hidhet zjarrit…

E përsëris: Shqipërisë i duhet ri-zyrtarizimi i PLURALIZMIT politit në Parlament. Pastaj bëhen reformat, përfshi dhe atë zgjedhore. Duhet vetëm një datë zgjedhjesh politike. Kaq!

4 arsye përse duhet të pini ujë menjëherë pas zgjimit

A mund ta imagjinoni një ditë të shpenzuar pa konsumuar ujë, çaj apo ndonjë lëng? Nëse po, atëherë keni probleme serioze! Konsumimi i pamjaftueshëm i lëngjeve jua thanë fytin dhe ju do të filloni t’i vëreni disa simptoma.

Kjo ndodh çdo herë që shkoni në shtrat. Ju nuk konsumoni lëngje dhe trupi dehidratohet. Kështu, ju zgjoheni me gojë të tharë në mëngjes. Tani e dini përse ndodh kjo!

Prandaj, është e rëndësishme që të pini mjaftueshëm ujë përgjatë ditës në mënyrë që trupi të funksionojë siç duhet. Uji luan rol të rëndësishëm në trup dhe merr pjesë në thuajse çdo proces të mundshëm.

Megjithatë, konsumimi i ujit në mëngjes, menjëherë posa të zgjoheni, është diçka krejt ndryshe sepse sjell shumë përfitime shëndetësore!

Ju re-hidraton
Trupi është i dehidratuar në mëngjes, prandaj duhet të pini ujë posa të zgjoheni. Kjo e përmirëson rrjedhën e oksigjenit dhe e mbështet prodhimin e masës muskulore dhe të qelizave të gjakut.

E shpejton metabolizmin
Një gotë me ujë të ftohët më mëngjes e përmirëson shkallën metabolike deri në 24% dhe ju ndihmon ta rregulloni peshën.

E detoksikon trupin
Shprehia e konsumimit të ujit jua pastron zorrët, gjë e cila e lehtëson absorbimin e vlerave ushqyese. Gjithashtu e përmirëson edhe funksionin e veshkave.

Truri është 76% ujë
Truri nuk e kryen mirë punën e vet nëse trupi është i dehidratuar. Nëse s’keni konsumuar mjaftueshëm ujë, ju do të ndiheni të lodhur, të dehidratuar dhe do të keni luhatje besimi. Gjithashtu mund të keni edhe dhimbje koke.

Eksperti gjerman i CDU: Ja pse mbështes idenë e Bashës për qeverinë tranzitore…

Këshilltari ekonomik i Grupit Parlamentar CDU në Bundestagun gjerman, Martin Henze, komentoi në një intervistë për gazetën “Panorama” aktualitetin politik dhe perspektivën integruese të Shqipërisë. Sipas Henze, kriza politike në Shqipëri mund të gjejë zgjidhje nëse krijohen kushtet për garantimin e besimit të të gjitha partive.

Ai theksoi se duhet miratuar një reformë zgjedhore, e cila duhet aprovuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Këshilltari i CDU-së theksoi gjithashtu se mbështet idenë e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për krijimin e një qeverie tranzitore për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, Henze kritikoi politikat e jashtme të qeverisë shqiptare, duke theksuar se po krijohen teza nacionaliste për të shkëputur vëmendjen nga problemet e brendshme.

Si i shikoni zhvillimet e fundit në rajon dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor?

Në muajt e fundit, konfliktet politike në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Shqipëri janë bërë më akute. Aktorët politikë po flasin përsëri për një lëvizje etno-nacionaliste në Shqipëri, duke tentuar të bëjnë presion ose “kërcënuar” Europën, që është totalisht e gabuar. Kryeministrin Edi Rama – i mbështetur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi – ka artikuluar disa herë tezën e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që është një non sens, pasi e ardhmja e Kosovës dhe Shqipërisë duhet dhe është Europa. Mund të them që janë dy arsye përgjegjëse për këto zhvillime shqetësuese: një, është faktori i brendshëm dhe, dy, i politikës së jashtme. Faktori i brendshëm në Shqipëri është se qeveria dëshiron të shkëpusë vëmendjen nga problemet e shumta dhe shqetësuese politike të vendit.

Sipas jush, cilat janë këto problematika shqetësuese?

Me lejoni të them diçka. Në Shqipëri, sipas të gjitha vlerësimeve të brendshme e të jashtme, në 5 vitet e fundit qeveria e kryesuar nga zoti Rama nuk ka arritur të sjellë një zhvillimin politik dhe ligjor në Shqipëri. Përkundrazi, korrupsioni në nivele të frikshme, kriminaliteti, varfëria, shkalla e lartë e papunësisë, eksodi masiv i të rinjve nga Shqipëria, borxhi i lartë publik, projekte të papranueshme dhe qartësisht korruptive të PPP-ve, bëjnë të qartë se në 5 vitet e fundit Shqipëria ka bërë hapa pas. Raporti i publikuar kohët e fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit mbi korrupsionin dhe trafikimin e drogës është shumë i qartë dhe është jo vetëm një kambanë alarmi, por një realitet tashmë.

Në situatën aktuale ku është Shqipëria, a po funksionin sistemi demokratik?

Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është sistemi ligjor, që është jofunksional, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë më shumë se një vit që nuk funksionojnë, pra, një kontroll i vendimeve të qeverisë dhe Parlamentit nuk mund të kryhet, opozita nuk ka asnjë mënyrë për të kontrolluar veprimet e qeverisë e të Parlamentit, apo vendime antikushtetuese, nuk ekziston asnjë mënyrë për të apeluar ose kërkuar të drejtën kushtetuese dhe kjo është tragjike.

Edhe në qoftë se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë do të bëhet aktive përsëri, aktualisht janë rreth 40,000 raste të pazgjidhura të mbledhura në kohë. Ky grumbullim i rasteve është i mjaftueshëm për të neutralizuar në vitet e ardhshme veprimtarinë e gjyqësorit shqiptar. Ekzekutivi është i korruptuar, sipas opinionit ndërkombëtar dhe jo vetëm. Shkeljet e mundshme të Kushtetutës shqiptare nga qeveria shqiptare nuk mund të korrigjohen nga asnjë gjykatë, një situatë e papranueshme për një vend demokratike. Ndarja e pushteteve, një nga parimet bazë të demokracisë, është jofunksionale. Kjo nuk i përmbush standardet minimale për një sistem demokratik. Në këtë drejtim, mund të thuhet me bindje se Shqipëria nuk ka një demokraci parlamentare funksionale.

A ndikon kjo në procesin integrues të Shqipërisë dhe në zhvillimin ekonomik?

Për fat të keq, mund të thuhet se mungon mbizotërimi i ligjit. Si mund të zhvillohen aktualisht zgjedhje demokratike në një sistem parlamentar jofunksional. Prandaj, në këto kushte, nuk kanë se si të hapen negociatat e pranimit me BE. Për shkak të kësaj situate, dhe investitorët e huaj hezitojnë dhe nuk pranojnë të vijnë në Shqipëri, kjo është e kuptueshme, e kjo çon në një përfshirje më të madhe të investitorëve nga vendet jodemokratike, të tilla si Kina, Turqia dhe Rusia, të cilat, në fund të fundit, vetëm sa e shkëpusin dhe e largojnë më shumë Shqipërinë nga Europa.

Ju përmendët vende si Kina dhe Rusia. Çfarë pasojash mund të ketë rritja e ndikimit të tyre në Shqipëri?

Vende si Rusia dhe Kina po përpiqen të shtojnë ndikimin e tyre në Ballkan. Për rusët, Ballkani është interesant për të arritur të destabilizojnë kufirin e BE-së. Ata përpiqen, si në Ukrainë apo Gjeorgji, që të zgjerojnë sferën e tyre të influencës edhe më shumë. Dhe këtu, sigurisht, Serbia ka një rol kyç. Për kinezët, Ballkani është interesant për arsye ekonomike.

Ata duan të çojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor në një “kurth borxhi”, nga i cili nuk arrihet të dilet nëse bie brenda. Kina dëshiron të krijojë ndikim politik në Europë. Marrëveshjet që qeveria socialiste e Ramës ka kryer me Republikën Popullore Komuniste, si në PPP, burimet natyrore, rrugë, aeroport, IT rrjet, veçanërisht në sektorin e infrastrukturës strategjike, janë për BE-në dhe SHBA-të diçka shumë delikate dhe problematike, të cilat padyshim kanë dhe koston e tyre në raport me BE-në dhe SHBA-të.

Çfarë mendimi keni për samitin e Berlinit dhe qëndrimet e Francës dhe Gjermanisë?

Perspektiva e vetme e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është dhe duhet të jetë vetëm anëtarësimi në BE. Berlini dhe Franca kanë thënë në mënyrë të qartë në konferencën e Ballkanit që një jorespektim i kufijve kombëtarë në Ballkan është i papranueshëm. Kryeministri shqiptar ishte mjaft i pasuksesshëm në këtë drejtim. Për Shqipërinë, tani është shumë e rëndësishme zgjidhja e problemeve të brendshme.

Kjo sigurisht që mund të arrihet vetëm me konsensus midis të gjitha partive demokratike dhe grupeve shoqërore. Në një demokraci, mjeti për të zgjidhur problemet, pa dyshim, janë pasja e koncepteve të mira praktike dhe zgjedhjet demokratike dhe duke pasur parasysh gjendjen ekonomike, në të cilën ndodhet Shqipëria, duhet reaguar shume shpejt.

Sipas jush, cilat janë pikat ku duhet punuar më shumë për të tejkaluar këtë situatë që, siç e thatë ju, ka pasoja edhe në ekonominë e vendit?

Qëllimi është që Shqipëria të ketë qëndrueshmëri dhe për të hedhur themelet për një qëndrueshmëri dhe gjithëpërfshirje. Për të ardhmen e Shqipërisë, gjëja më e rëndësishme janë vendet e punës, vendet e punës dhe përsëri vendet e punës. Duke pasur qëndrueshmëri, bëhet e mundur që ekonomia e Shqipërisë të bëhet konkurruese dhe atraktive për BE-në dhe në këtë mënyrë shkurtohet ndjeshëm dhe rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por akoma më e rëndësishme është se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë vetë në dorë fatet e tyre.

Por kjo mund të arrihet vetëm duke shkulur dhe luftuar problemet e shumta që mbizotërojnë në Shqipëri, si papunësia, mungesa e sistemit ligjor, institucione të dobëta dhe te korruptuara, trafikut të drogës, varfërinë, ikjen masive të të rinjve, krimin e organizuar. Në këtë situatë, opozita dhe një pjesë e madhe e qytetarëve, me të drejtë, kërkojnë një ndryshim rrënjësor. Dhe duhet thënë se zgjedhjet janë gjithmonë një sistem demokratik për të zgjidhur situata të vështira.

A mund të mbahen zgjedhje në Shqipëri në kushtet aktuale? Po kërkesa e opozitës për të krijuar një qeveri tranzitore?

Në një situatë që sistemi ligjor është jofunksional, dhe, si pasojë, dhe Parlamenti nuk mund të jetë funksionale, duhet me patjetër që të krijohen kushtet themelore për zgjedhje demokratike, të ketë garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike. Duhet një reformë e gjithëpranuar zgjedhore dhe të krijohen kushtet që këto ligje mund të verifikohen nga Gjykata Kushtetuese. Kjo i jep garanci të mjaftueshme qeverisë dhe opozitës. Por për të arritur këtë duhet një konsensus dhe një gjithëpërfshirje.

Një format i mundshëm, me siguri, do të ishte një qeveri tranzitore. Propozimi i zotit Lulzim Basha, i cili, për më tepër, në Europë ka një reputacion të lartë, është goxha interesant dhe problemzgjidhës. Askush në Shqipëri nuk dëshiron të shohë të bëhen zgjedhje pa një sistem ligjor funksional dhe pa respektuar rregullat demokratike dhe pa marrëveshje gjithëpërfshirëse me opozitën.

Ju më parë folët edhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. A ka potencial për të pasur një zhvillim të prekshëm nga qytetarët?

Shqipëria ka shumë përparësi, veçanërisht vendndodhja e saj strategjike, po ashtu dhe forca punëtore, dëshira për të punuar, që në Shqipëri mund të preket kudo. Unë me të vërtetë besoj se Shqipëria do të jetë në gjendje të përfitojë nga revolucioni i katërt industrial në të njëjtën mënyrë siç bënë dhe vendet baltike në vitet ‘90. Ekonomitë më të vogla shpesh kanë avantazhin e të qenurit në gjendje të bëjnë ndryshime të mëdha me më shumë gatishmëri dhe fleksibilitet sesa shtetet më të mëdha.

Shqipëria ka nevojë për një ndryshim thelbësor politik dhe ekonomik në vitin 2019, përndryshe çdo gjë do të jetë shumë e vështirë. Qeveria e tanishme ka treguar se nuk është në gjendje që të çojë Shqipërinë ekonomikisht dhe politikisht përpara. Në Bruksel ekziston vullneti i qartë për të 6 vendet e Ballkanit për t’i integruar në BE. Reformat e përmendura duhet të ndiqen nga shqiptarët, janë thelbësore – pa marrë parasysh nëse një fermer shqiptar në veri, ose një peshkatar nga Shqipëria e Jugut, ose profesor universiteti nga Tirana, shqiptarët, dhe jo të BE-së, duhet të vendosin se çfarë duan, një të ardhme me perspektiva, apo një të ardhme si në vitet e fundit.

Shumica e familjeve shqiptare nuk duan të ndahen nga fëmijët, nuk duan të humbasin fëmijët e tyre jashtë vendit, shqiptarët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, në atdheun e tyre. Por për këtë kanë nevojë për perspektiva ekonomike dhe mundësi reale në Shqipëri dhe këto mund të jepen vetëm me politika të mirëmenduara ekonomike. Pra, në radhë të parë, zgjidhja dhe dëshira për t’u anëtarësuar në BE duhet të vijë nga vetë shqiptarët. Më lejoni të them dhe diçka në fund, në ditët e sotme, gjëja më e rëndësishme është të mësojmë dhe të kuptojmë popujt e tjerë. Dhe jo vetëm muzikën e tyre, por edhe filozofinë e tyre, qëndrimin e tyre, sjelljen e tyre. Vetëm atëherë, kombet mund të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të përfitojnë nga njëri-tjetri, ekonomikisht dhe madje, edhe kur bëhet fjalë për paqen.

 

Mënyra më e mirë për t’u ushqyer gjatë agjërimit

Kur është fjala për rëndësinë e agjërimit, ai pos kënaqësisë shpirtërore për besimtarët ka edhe përparësitë fiziologjike. Njëri ndër benefitet themelore të agjërimit, është pushimi i organizmit dhe detoksimi i cili përgatit të gjitha organet dhe sistemet organike për periudhën e ardhshme.

Një hulumtim ka treguar që një ditë agjërimi mundëson eliminimin e toksinës e cila është grumbulluar gjatë 10 ditëve. Nëse këtë e shumëzojmë me 30 ditë, do të fitojmë 300 ditë dhe nëse shtojmë edhe gjashtë ditë të rekomanduara agjërimi në muajin seval, do të fitojmë llogarinë e cila thotë që agjërimi i tillë pastron organizmin nga toksina e grumbulluar gjatë gjithë vitit.

Agjërimi ndikon pozitivisht në uljen e shtypjes së gjakut, pastrimin e enëve të gjakut, zvogëlimin e peshës trupore, sëmundjen e sheqerit dhe rezistencën e insulinës, nivelin e yndyrës në gjak, në disa sëmundje nervore, lëkurë, sëmundje kronike infektive, pengesa të tretjes, ngarkesa të veshkave etj.

Nëse besimtari nuk ha ushqim gjatë gjithë ditës, ajo nuk është humbje e veçantë e organizmit, sepse ai, krahas energjisë e cila krijohet me marrjen e ushqimit, nga teprica krijon edhe rezerva vetjake energjie në formë të indeve yndyrore.

Uria është vetëm ndjenjë, ndërkaq ajo nuk do të thotë që personi me arsye është i rrezikuar.
Kur është fjala për shtatzënat dhe nënat me fëmijë në gji, nga ana fetare, as nuk është urdhëruar as nuk është ndaluar agjërimi, por është vendim individual i çdo besimtareje. Për çdo rast, shëndeti i nënës dhe i fëmijës janë vënë në vend të parë.

Ajo që është themelore e që do të jetë treguesi më i mirë i gatishmërisë së shtatzënës apo nënës me fëmijë në gji që të agjërojnë është se si ndihet. Sa i përket shëndetit të nënës, ajo mund të jetë i rrezikuar vetëm nëse i ndodhë dehidratimi.

Nëna e cila e ushqen fëmijën me gji duhet kushtuar kujdes këtyre gjërave: etjes së fuqishme, e cila nuk qetësohet me kalimin e kohës, urinës së errët e të koncentruar me aromë të fortë, ndjenjës së dobësisë së madhe dhe marramendjes, dhembjes së fuqishme të kokës apo llojeve të tjera të dhembjeve.

Në raste të tilla me siguri fjala është për dehidratimin, kështu që duhet të ndërpresë agjërimin dhe t’i kushtojë kujdes pirjes së lëngjeve. Shëndeti i fëmijës nuk do të jetë i rrezikuar, sepse ai nga organizmi i nënës do të marrë nutrienët e nevojshëm.

Gjatë Ramazanit duhet të shmangni kafen, çajin e zi dhe pijet e gazuara. Humbja ditore e lëngjeve në përqindje një deri në dy për qind nuk do të ndikojë negativisht në organizëm, mirëpo humbja më e madhe mund të jetë e rrezikshme.

Pra, është e nevojshme të shfrytëzohet periudha nga iftari deri në syfyr dhe të pihen lëngje të mjaftueshme, qoftë me pirjen e ujit apo në ushqim.

Artikujt të cilët përmbajnë mjaft lëngje janë supat, gjellët, pemët: shalqiri, pjepri, pjeshkat, mollët, dredhëzat, por edhe perimet: kastravecët, domatet, sallatat, kungulleshat etj.
Për iftar, me racionin me të cilin ndërpritet agjërimi, duhet ngrënë ngadalë edhe racionet të cilat treten shpejt, në mënyrë që deri në syfyr të mund të hani edhe nga diçka, derisa për syfyr duhet ngrënë ushqim që tretet më ngadalë.

Më së miri është të pini ujë gjatë çdo racioni. Kafja dhe çaji i zi i kontribuojnë dehidratimit si edhe pijet e gazuara, tepër të njelmëta, tepër të ëmbla dhe ushqimi i fërguar.

Gjatë ditëve të ngrohta të agjërimit është lejuar (edhe pse kjo nuk është e rekomanduar, kur nuk agjërojmë) për iftar të hani bukë të bardhë dhe brumëra të bardha, patate, oriz, pemë të qëruara, ushqim me pak fibra, ndërsa për syfyr rekomandohet e kundërta.

Për syfyr duhet të hani ushqim të pasur me fibra, në mënyrë që sa më parë të tretet dhe që të qëndrojmë sa më gjatë të ngopur. Për syfyr duhet ngrënë edhe ushqim më të yndyrshëm, sepse yndyra tretet mjaft ngadalë.

Si edhe zakonisht duhet shmangur produkteve të mishit, margarinës, supës së gatshme dhe gatesave të tjera, lëngjeve të sheqerosura, ushqimit të përpunuar e të paketuar. Ky është i gjithë ushqimi i cili është plot aditivë dhe do të duhej përgjithmonë ta eliminojmë nga ushqimi.

Kur bëni iftar në faza, shmangni ngrënien e tepërt. Besimtarët të cilët agjërojnë duhet t’i kushtojnë kujdes të veçantë, pos artikujve, edhe mënyrës së ngrënies.

Nëse hani shpejt dhe tepër shumë, mund të shfaqen ndjenja të pakëndshme, dhembje në stomak, krupa, dhe djersitje e madhe, ndjenjë e plogështisë, prandaj ushqimi i cili në atë mënyrë konsumohet nuk do të tretet mirë dhe nga ai nuk do të ketë kurrfarë dobie, pos që do të zbusë urinë.

Për të shmangur ngrënien e tepërt, iftarin mund ta konsumojmë në faza, në këtë mënyrë: të bëni iftar me hurma dhe ujë, pastaj të hani një pemë apo sallatë pemësh, pas pauzës për namaz të hani supë dhe ndonjë ushqim të lehtë si p.sh. mish pule me perime, makarona me perime.

Nëse megjithatë, nuk dëshironi të pini kafe, do të jetë veprim më i mençur ta pini së paku për një ose dy orë më vonë.

Studimi, ja përse nuk duhet të hani mish

Në ditët e sotme, duket se shumë po bëhen gjithnjë e më shumë të përqendruar në ngrënien e një ushqimi me bazë bimore dhe duke lënë jashtë produktet e kafshëve. Por një hamburger nuk do të ishte keq një herë në disa kohë apo jo?! Sidomos për ata që ndjekin një dietë vegjetariane ose vegane mund që janë në rrezik për të humbur nga këto lëndë ushqyese.

Për fat të keq për adhuruesit e mishit, një studim i ri ka gjetur një lidhje midis sasisë së mishit të një personi dhe rritjes së rrezikut të vdekjes së parakohshme.

Sipas studimit të botuar në American Journal of Nutrition Clinical, njerëzit që hëngrën më shumë mish të kuq, mish të përpunuar ose thjesht morën më shumë proteina të kafshëve sesa proteinat me bazë bimore në dietën e tyre kishin një shans më të madh për të vdekur nga një sëmundje kronike.

Studimi i ri shikonte të dhënat nga Studimi i Faktorit të Rrezikut të Sëmundjeve Ishemike, një studim i cili po ndjek faktorët e rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare mes meshkujve të moshës mesatare nga lindja e Finlandës, një popullsi që renditet me normat më të larta të sëmundjeve të zemrës në Evropë.

Popullsia studimore përbëhej nga 2,641 burra finlandezë të cilët ishin midis moshës 42 dhe 60 vjeç kur filloi studimi midis 1984 dhe 1989.

Pas 20 vjetësh – 1.225 prej tyre kishin vdekur. Ata që hanin shumë mish të kuq ose të përpunuar çdo ditë – ose kishin shumicën e proteinave të tyre nga mishi – kishin një rrezik 23 për qind më të lartë të vdekjes së parakohshme.

Megjithatë, jo të gjitha proteinat e kafshëve ishin të lidhura me rrezikun e vdekshmërisë: burrat që morën proteinën e tyre përmes vezëve, peshkut ose qumështit shmangën rrezikun; sigurisht, burrat që hanin më shumë proteina bimore se mishi priren të mbijetojnë më gjatë.

Kush është efektivja shqiptare që humbi jetën në Letoni nga shpërthimi i minës

Një efektive e forcave të armatosura shqiptare ka humbur jetën në Letoni, si pasojë e shpërthimit të një mine. Si pasojë e shpërthimit të minës kanë mbetur të plagosur edhe dy efektivë të tjerë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bardhyl Kollçaku dha në një deklaratë për shtyp se, efektivja e FA që humbi jetën nga mina në Letoni është nëntetare Zarife Muharrem Hasanaj, 27 vjeçe, kurse kolegët e plagosur janë Major Klodian Nikolla Tanushi dhe rreshter Julian Xhevat Kapaj. 

Efektivët e forcave të armatosura, pjesë e grupit xhenier për demontimin e minave, po marrin pjesë në misionin e NATO-s në Letoni për demontimin e minave luftarake.

Xhenierja shqiptare Zarife Hasanaj, e cila humbi jetën e vrarë nga mina në Letoni, dëgjohet në një video tek tregon për detyrën e saj dhe uron Shqipërinë për 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO.

Ministria e Mbrojtjes e ka publikuar disa javë më parë, këtë video për efektivët shqiptarë në Letoni. Ata vetë tregojnë për punën e tyre: “Prej 2 vitesh, djemtë dhe vajzat e Forcave të Armatosura kontribuojnë në Letoni, në kuadër të Mbrojtjes Kolektive të Aleancës.”

Presidenti Meta ngushëllon familjen e ushtarakes Hasanaj

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me hidhërim të thellë është informuar për ngjarjen tragjike të ndodhur me kontigjentin e Forcave të Armatosura, në kuadër të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive në Letoni, ku ka humbur jetën në krye të detyrës Nëntetare Zarife Hasanaj si dhe kanë mbetur të plagosur Komandanti i Kontingjentit, Major Klodian Tanushi, si dhe dhe Rreshteri Julian Kapaj.

Presidenti Meta i shpreh ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni.

Presidenti Meta po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj.