23.5 C
Tirana
E enjte, 11 Shtator, 2025

Ramës i ka hyrë frika në palcë, edhe kur fle gjumë, fle me FNSH-në

“Rama edhe kur fle gjumë, fle me FNSH”. Ironia epike është bërë nga ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, në një postim të tij në rrjetet sociale.

Balliu shkruan se “ankthi që e ka kapur Ramën nga revoltat popullore është i kuptueshëm dhe forca qytetare i ka futur tmerrin deri në palcë”.

postimi i plotë i Balliut

RAMA EDHE KUR FLE GJUMË, FLE ME FNSH

Edhe në Elbasan me FNSH shkove?!

Kudo që shkon, merr me vete forcat FNSH. Më thonë se ke filluar të flesh edhe gjumë me FNSH në krevat.

Ankthi dhe tmerri që të ka kapur nga revolta popullore është i kuptueshëm.

Nuk të mbajnë më nervat dhe paniku i forcës qytetare të ka futur tmerrin deri në palcë.

Nuk ke më ditë të qeta Edvin, as ti dhe as partnerët e tu të krimit.

Ylli Rakipi: Patozin e rregjistroi Rama pa vendim gjykate, kjo parti nuk e dëmton PD-në

Në studion e emisionit “Kjo Javë” gazetari Ylli Rakipi komentoi edhe protestat e opozitës, përshkallëzimin e tyre, si edhe krijimin e partisë së re “Bindja Demokratike” e cila u votua sot nga KQZ.

“Opozita nuk po kërkon të ndërrojë kokë për kokë, Edi Ramën me Lulzim Bashën. Nuk po thotë njeri të ikë Edi Rama, ai t’i lerë vendin një qeverie tranzitore që do të çojë vendin, me një paketë reforme, në zgjedhje të lira e të ndershme, për herë të parë, pas 30 vjetësh, dhe Edi Rama merr meritë në këtë rast. Opozita mund të humbë në zgjedhje dhe nëse ai ka siguri absolute sikundër thotë se votat e tij janë rritur, bujrum bëj proceset normale, bëj reformat, shko në zgjedhje, fito, rri 20 vjet në pushtet. Kjo opozitë, sipas meje këtë po kërkon”, u shpreh Rakipi.

“Ne jemi një popull interesant, ne e ulim shpinën menjëherë. Diktaturat te ne, kanë qenë më të egra më të ashpra sepse jemi vetë ne të tillë, ulim qafën. I ke parë parlamentarët që kanë vajtur atje, mbi c’bazë? E ke parë si qeshin ata kur flet Edi Rama. Kënaqen më shumë këta, opozita e re, sesa parlamentarët e Edi Ramës. I pash pardje duke buzëqeshur kur fliste të enjten kryeministri, dhe ata gjithë dritë e gjithë qeshje, opozita. Opozita që ka hyrë aty për të rrëzuar Edi Ramën”,u shpreh Rakipi.

Lidhur me partinë “Bindja Demokratike” e krijuar nga Astrit Patozi, e cila sot u votua edhe në KQZ, Rakipi u shpreh se kjo parti nuk e dëmton PD.

“Pa marrë formë të prerë gjykata për partinë e re të krijuar, maxhoranca vrapoi që ta regjistrojë. Pra, Edi Rama po luan edhe me faktin që i duhet edhe një parti për ta patur aty, që i duhet, ndoshta Patozin, mund të jetë nisur edhe nga qëllimi i mirë, në një moment krize, ku unë hyj dhe përfitoj. Po përfitimet në këtë rast janë në kurriz, jo vetëm të opozitës por të njerëzve dhe nuk është një moment i mirë për z.Patozi.” tha Rakipi.

Në kushtet kur në zgjedhjet vendore, nuk merr pjesë as PD, as LSI, Rakipi tha se Rama i jep një pjesë të votave partisë së re, apo opozitës që do të hyjë në zgjedhje.

“Bindet Edi Rama që t’ja japë një pjesë të votave edhe opozitës që do të hyjë në zgjedhje, jo vetëm Patozit, mund të ketë edhe njerëz të tjerë, dhe i ndan aty. I jep bashkinë e Klosit, ose të Mamurrasit, bashki që nuk i duhen ua kalon këtyre partive. Është në të drejtë të tij Astrit Patozi, e ka thënë vetë. Ka të drejtë ta krijojë partinë e vet”.

Ndërsa komentoi protestën e 13 prillit të opozitës së bashkuar, Rakipi tha se shumë njerëz kanë dalë të protestojnë, por duhet bërë dallimi: Kjo është një protestë politike, që organizon opozita, dhe jo një ngritje nga populli.

“Shumë njerëz vijnë, edhe militantë, po edhe njerëz në hall. Janë ata pak njerëz që kanë mbetur në Shqipëri, që nuk kanë mundur të ikin. Nuk ikin dot as në Greqi që është vendi më i thjeshtë për të ikur. Kanë mbetur një kategori këtu, për fat të keq të Edi Ramës, dhe ata janë ngritur se nuk kanë bukë një pjesë e mirë. Ne që jetojmë në këtë oazin e qendrës së Tiranës, e kemi pak të vështirë, jo gazetarët, se një pjesë e mirë i shohin këto problematike.

Por e vërteta është që aty dalin edhe njerëz që nuk kanë bukën e përditshme, nuk kanë asnjë mjet jetese. Niveli ekonomik është zero. Statistikat e atyre që dëshirojnë të ikin, sipas institucioneve prestigjioze, qoftë edhe atyre që janë afër qeverisë këtu, janë deri në 84 % është shifra e fundit. Edhe të këtyre që kanë mebtur duan të largohen nga ky vend. Pra, këtu pritet të mbetet Edi Rama, Lulzim Basha duke protestuar, ose vjen popullsi arabe e siriane e mbushet Shqipëria përsëri me banorë dhe e drejton edhe për ca vjet Edi Rama”, tha Rakipi.

Rama nis hakmarrjen pas dështimit në Elbasan, arrestohet ish-deputeti i PD dhe 17 protestues

Policia e Lleshit i bindet verëbrisht urdhërave të Ramës për arrestimet ndaj opozitës. Me urdhë të Ramës është arrestuar ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi dhe 17 protestues të tjerë në Elbasan pas takimit që Edi Rama zhvilloi në këtë qytet.

Po ashtu policia ka shoqëruar kreun e PD për Elbasanin si dhe ish-kreun e qarkut të Elbasanit, Blendi Himçi.

Të shoqëruarit bllokuan aksin Elbasan-Tiranë, ku qindra qytetarë dhe mbështetës të opozitës janë përplasur me policinë dhe forcat speciale të ardhura enkas nga Tirana, në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan.

Ishulli sovran…

Kujtimi i predominimit global, Kanali i La Manshit si barrierë, një ndjenjë e caktuar superioriteti…

Historiani Brendan Simms na shpjegon pikëpamjen angleze lidhur me botën.

Ka mundësi që përkufizimi më i mirë sesi anglezët shikojnë pjesën tjetër të kontinentit përmblidhet në një shprehje të Paolo Pombeni, Historian i Sistemeve Politike Europianë në Universitetin e Bolonjës: “Ata besojnë se Europa është e izoluar nga Britania e Madhe”. Në këto fjalë përmblidhet fati dhe karakteri i një populli që ndër shekuj ka kultivuar me krenari, thuajse në mënyrë religjioze, izolimin dhe dallimin e vet nga pjesa tjetër e kontinentit. Historia na e dëshmon qysh nga koha e Romës, kur Britannia, edhe pas 4 shekujsh dominimi romak, mbeti me shpirt britanik dhe asnjëherë latin.

Sigurisht, nuk është aspak rastësi fakti që anglezët e kanë shikuar gjithmonë Kanalin e La Manshit si një barrier fatlume për të kultivuar në paqen e shenjtë bahçen e tyre dhe gjithmonë, jo rastësisht, Henriku i VIII-të ka qenë sovrani që është shkëputur nga Roma dhe papa për të themeluar një Kishë të pavarur dhe, mbi të gjitha, angleze. Më pas, në shekujt në vazhdim, nënshtetasit e Madhërisë së Tij kanë kërkuar sa më shumë të jetë e mundur që të qëndrojnë larg konflikteve kontinentale dhe e kanë urryer e përçmuar si askush tjetër Napoleonin, që pretendonte t’i bënte ishujt britanikë një shtojcë franceze, duke u imponuar dominimin e tij dhe, më keq akoma, ligjet e tij.

Në fund ajo që anglezët kanë përkëdhelur gjithmonë ka qenë ai izolim, që jo rastësisht është quajtur i “shkëlqyer”, që i pa në ‘800 të merreshin vetëm me perandorinë e tyre, ndërsa Europa tronditej nga revolucionet dhe restaurimet. Në thelb, asgjë nuk ka arritur kurrë që t’i lëvizë nga timoni në të majtë i makinës, nga masat në inç dhe galonë, nga stërlina, bile as Bashkimi Europian ku kanë qenë gjithmonë pjesë me një këmbë brenda dhe tjetrën jashtë, përpara se të kërcenin në Brexit, lamtumirën e gjatë dhe të trazuar nga Europa e bashkuar, ende plot me të panjohura.

Në fund, për nënshtetasit e Elizabetës së II-të caput mundi ka qenë gjithmonë Londra dhe kurrë Roma e, aq më pak, Brukseli. Kështu, La Manshi duket i destinuar që t’i shënojë akoma më shumë kufijtë e universit britanik, një univers i banuar nga europianë që nuk ndjehen deri në fund pjesë e Europës dhe që kur shihen në pasqyrë shikojnë të pasqyruar unicitetin e tyre. Ai që e konfirmon një gjë të tillë është Brendan Simms, Docent i Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Cambridge University.

Si e shohin anglezët Europën?

Midis tyre nuk ekziston një pikëpamje univoke. Por mund të pohojmë se në përgjithësi britanikët ndjehen njëkohësisht europianë, por edhe një hap larg nga Europa. Qartazi që kjo mënyrë të ndjeri është frut i trajektoreve të ndryshme të përjetuara nga Anglia dhe nga vendet europianë. Në vija të përgjithshme, Europa kontinentale ka një të kaluar të dominuar nga lindja dhe nga rënia e shteteve kombe dhe nga trauma të vazhdueshme. Anglia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë në fakt një traditë pothuajse të pandërprerë sovraniteti pa fraktura. Kjo na ndihmon të kuptojmë edhe qqasjen e ndryshme të anglezëve ndaj Bashkimit Europian. Europa e bashkuar lind për të zgjidhur problemet dhe përçarjet në brendësi të kontinentit europian, por anglezët kanë pyetur gjithmonë se çfarë kuptimi do të kishte për ta hyrja në një organizëm për të cilin nuk kishin nevojë, pasi vendi i tyre nuk paraqiste përçarje.

Sipas mendimit tuaj, a ndjehen anglezët pjesë e historisë europiane?

Patjetër që Anglia dhe Mbretëria e Bashkuar (dhe nuk flasim për të njëjtën gjë, mos ta harrojmë!) janë pjesë e Europës nga pikëpamja gjeografike dhe historia e tyre në pjesën më të madhe është e lidhur me atë të kontinentit. Siç e kam theksuar në studime të ndryshme dhe në librin tim “Europe: The Struggle for Supremacy, from 1453 to the Present” (shtëpia botuese Penguin), konteksti europian është thelbësor për të kuptuar historinë britanike më shumë akoma sesa të ndjekësh ndodhitë e Perandorisë Britanike. Thënë këtë, duhet të kihet parasysh se anglezët dhe britanikët nuk ndjehen pjesë e ndonjë shteti çfarëdo të Europës. Janë ndjerë gjithmonë pjesë e një vendi dominues mbi continent dhe jo të destinuar që të dominohen. Besoj se nuk ekziston popull tjetër në Europë për të cilin ky diskutim është me më shumë kuptim.

Çfarë lodhen joanglezët të kuptojnë nga anglezët? Cilat tipare karakteristike na shpëtojnë?

Gjëja kryesore është se europianët lodhen të kuptojnë natyrën e jashtëzakonshme dhe të veçantë të historisë britanike. Edhe nëse e kuptojnë në fund, nuk e pranojnë deri në fund këtë unicitet. Për shembull, europianët nuk kuptojnë se Mbretëria e Bashkuar nuk është një shtet komb, por një bashkim kombesh, ndërsa Bashkimi Europian është një konfederatë shtetesh kombëtare. Për këtë arsye, Bashkimi Europian mbështet rivendikimet e Republikës së Irlandës, që është një shtet kombëtar, kundrejt Mbretërisë së Bashkuar, që është një bashkim multikombëtar, dhe njëkohësisht mbështet nacionalizmin spanjoll kundër katalanasve.

Le të provojmë të bëjmë një identikit për të arritur të kuptojmë se cilat janë tiparet karakteristike të britanikëve…

Parasëgjithash që anglezët janë një bashkim prej 4 popujsh, të cilët janë bashkuar për t’u mbrojtur nga kushdo që do të vinte nga jashtë një hapësire gjeografike të përbashkët, institucionesh dhe vlerash politike të pranuar. Dhe në pjesën më të madhe të rasteve janë të vetëdijshëm e krenarë që e kanë bërë me rezultate shumë pozitive për qindra vjet.

Brexit është një moment traumatik në raportin midis Britanisë së Madhe dhe Europës. Si e përjetojnë anglezët një gjë të tillë?

Patjetër që ka diferenca midis mbështetësve të Brexit dhe atyre që do të kishin dashur të qëndronin në Bashkimin Europian. Për ata në favor të daljes, Brexit është rikthimi në atë traditë të historisë angleze që është ndërprerë në vitin 1973 me hyrjen në atë që në atë kohë ishte Komuniteti Ekonomik Europian. Për ata që do të kishin dashur të qëndronin në Bashkimin Europian, Brexit është një frakturë e thellë dhe traumatike që prish një rend tashmë të stabilizuar dhe të destinuar që të zgjasë gjatë. Brexit mund të krahasihet me efektet e Reformës Protestante, duke supozuar më pas që Brexit do të zgjasë vërtet gjatë.

Sipas mendimit tuaj, çfarë lloj lidhjeje do të mbesë midis anglezëve dhe pjesës tjetër të Europës?

Lloji i lidhjes varet nga shumë faktorë. Parasëgjithash, Britania e Madhe mbetet e lidhur me Europën nga pikëpamja e sigurisë ushtarake nëpërmjet NATO-s. pikëpyetja e madhe është se sesi do të konretizohen raportet midis Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të Europës, raporte që deri më tani ushtroheshin nëpërmjet Bashkimit Europian. Do të jetë Mbretëria e Bashkuar ajo që do të diktojë rregullat apo do të jetë Bashkimi Europian? Kërkesa e Bashkimit Europian lidhur me çështjen e kufirit midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut, e ashtuquajtura backstop, të bën të mendosh se do të jetë Europa ajo që do të diktojë rregullat. Megjithatë, le të provojmë të mendojmë sesi do të reagonte Italia në një situatë të ngjashme: çfarë do të ndodhte nëse vendi do të kërkonte ta braktiste Bashkimin Europian, por se do t’i imponohej ruajtja e situatës kufitare për sa i përket rajonit të Alto Adige, pasi me gjuhë gjermane dhe i lidhur tradicionalisht me Austrinë?

Kush është Brendan Simms

(Brendan Simms, i lindur në Dublin më 1967, jep Historinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Cambridge University. Studimet e Simms merren në mënyrë të veçantë me raportet historike midis vendeve europiane dhe me lidhjet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Europës kontinentale. Është President i Project for Democratic Union, një organizëm i pavarur që punon për bashkimin e plotë politik të Europës. Libri i tij i fundit përqëndrohet mbi historinë e marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar e Europës dhe titullohet “Britain’s Europe: A Thousand Years of Conflict and Cooperation” (shtëpia botuese Penguin))

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Euro? Një ide e pakuptimtë

Një intervistë me Ashoka Mody

Ashoka Mody, Profesor i Ekonomisë në Princeton University dhe ish drejtues pranë Fondit Monëtar Ndërkombëtar, konfirmon atë që ekonomistët dinë, por që shtypi shpesh e mohon: qysh nga fillimi euro ka qenë një ide shumë e keqe si ekonomike, ashtu edhe politike. Ngurtësia e lindur e përqindjeve të shkëmbimit, rregullat e çmendura fiskale, dominimi i vendeve të forta që u imponojnë rregulla të rezervuara atyre të vogla, krijojnë premisat për divergjencën ekonomikë dhe armiqësinë politike midis kombeve, në vend që të promovojnë begati dhe paqe siç propagandojnë mbështetësit e projektit europian. Kështu që nuk janë euroskeptikët ata që janë euroskeptikë: janë euristët që jetojnë në një flluske irealiteti, duke eliminuar arsyetimet më elementare ekonomike dhe politike.

“Kemi të bëjmë me një përpjekje paksa vetmitare”, thotë Ashoka Mody – Profesor Ekonomie në Princeton University dhe ish Zëvendësdrejtor i Departamentit Europian të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) – duke folur për “Eurotragedy: A Dramma in Nine Acts”, historia e shkëlqyer magjistrale e Bashkimit Europian dhe e zhvillimit të eurozonës. “Pjesa më e madhe e establishmentit europian”, vazhdon Mody “ose ka tentuar t’i injorojë, ose i ka kontestuar ato që më duket parime dhe të dhëna ekonomike absolutisht bazike”.

Është e lehtë të kuptohet se pse establishmenti europian mund të ketë qenë i inkurajuar për ta bërë. Eurotragedy është një aktakuzë ndaj të gjithë projektit europian të pasulftës, një viviseksionim i hollësishëm dhe i ashpër i gjithçkajë që është e dashur për establishmentin europian. Është edhe një sulm ndaj vetë establishmentit, mendimit në grup të anëtarëve të tij, delireve të tyre, arrogancës teknokratike të tyre. veç kësaj, e gjitha kjo vjen nga përfaqësuesi kryesor i FMN-së në Irlandë gjatë shpëtimit të saj pas krizës bankare pas2008 – domethënë një njeri që i ka parë nga brenda mekanizmat fiskalë të Bashkimit Europian. Spiked e ka intervistuar Mody për ta kuptuar më mirë analizën e tij kritike ndaj projektit europian, difektet fatale të eurozonës dhe pse integrimi europian po i përçan popujt.

A mendoni se puna juaj për Eurotragedy ka qenë vetmitare, pasi pas Brexit dhe lëvizjeve të tjera populiste, establishmenti i Bashkimit Europian për momentin është tërhequr fort në mbrojtjes?

Jam i sigurtë se pjesërisht arsyeja është kjo. Por mendoj se i gjithë projekti europian është shumë mbrojtës. Mendoni për deklaratën e Robert Schuman e 9 majit 1950, që hodhi bazat për Komunitetin Europian e Qymyrit dhe Çelikut dy vite më pas: tha se një burim i përbashkët zhvillimi ekonomik duhej të bëhej themeli i federatës europiane. Kjo ide e një federate europiane është diskredituar shumë shpejt, por liderët europianë kanë vazhduar ta përkëdhelin në mënyra të ndryshme – “bashkim gjithnjë e më i ngushtë”, “unitet në diversitet”, pse jo edhe ajo shprehje jashtëzakonisht e privuar nga kuptimi, “sovranitet europian”, që përdor Presidenti francez Emmanuel Macron.

E gjithë gjuha është problematike dhe mistifikuese. Por problem më serioz është koncepti i zhvillimit ekonomik të përbashkët si bazë për Europën. Kjo ka qenë e vërtetë për një periudhë të shkurtër pas Traktatit të Romës të vitit 1957, që ka hapur kufijtë, por momentumi është ezauruar në harkun e dy dekadave. Mund t’i hapësh kufijtë, por me t’i hapur, nuk ke shumë tjetër se çfarë mund të bësh. Deri avantazhet e të ashtuquajturit treg i përbashkët janë shumë të kufizuara përtej një pike të caktuar, çdo ekonomist e kupton. Për sa i përket euros, nuk ka pasur kurrë ndonjë dyshim për faktin se ishte ide e keqe. Nicholas Kaldor, Ekonomist i Cambridge University, shkroi në marsin e 1971 se ajo e monedhës unike ishte një ide e tmerrshme, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht.

Dhe Kaldor ka pasur të drejtë shumë herë. Por i gjithë establishmenti europian thjesht injoron çdo paralajmërim të radhës që vijnë nga ekonomistë të famshëm dhe prodhon kundërnarrativa mbrojtëse. Për shembull, shpesh dëgjoj të thuhet se Europa ka nevojë për përqindje fikse shkëmbimesh në mënyrë që të ketë një treg unik. Pse vallë? Gjermania bën tregti me Poloninë, Hungarinë dhe Republikën Çeke, që janë brenda tregut unik, por kanë monedha të ndryshme. Këto luhaten, por tregëtia vazhdon. Nuk është e nevojshme të kesh një monedhë unike për të pasur një treg unik.

Kur është shfaqur kritika juaj ndaj projektit europian? Ka qenë gjatë përfshirjes tuaj në shpëtimin e Irlandës?

Kur ka përfunduar puna në FMN, kam projektuar që të shkruaj një libër për eurokrizën. Kështu kam nisur ta shkruaj, siç do të bënte një ekonomist i FMN-së, gjë që ka ndodhur përpara rënies, flluskës, plasjes së flluskës, panikun, faktin që nuk u menaxhua mirë e kështu me radhë. Shpejt e kam kuptuar se diçka nuk shkonte dhe kështu që kam kaluar dy vjet duke e rindërtuar historinë e euros, duke ngritur një pyetje: çfarë e ka sjellë euron në formën e saj aktuale?

Më kuptoni, problemi nuk është vetëm që ekziston euro. Është euro, që është një monedhë unike, në një bashkim ta paplotë monetar, me një aparat rregullash fiskale që dukshën janë qesharake në profilin ekonomik dhe askush nuk e vë në dyshim faktin që ekonomikisht janë qesharake, se u mungon një parashutë e nevojshme fiskale dhe një bashkim i nevojshëm fiskal. Prandaj, pse ekziston euro? Praktikisht, në atë moment kam nisur të shkruaj një histori të pasluftës së Europës, një kompendium, nëse duam, të librit të Tony Judt “Postwar: A History of Europe Since 1945”.

Ja kur kam kuptuar se euro jo vetëm që ishte një ide e keqe ekonomike, por edhe një ide e keqe politike. jo vetëm që ishte e qartë se do të shkaktonte përçarje politike, por nuk ekzistonte asnjë plan për mënyrën sesi të shëroheshin këto përçarje, sit ë reagohej ndaj tyre. Kështu ka lindur kjo mitologji e euros, që e ka shpërfytyruar në një instrument paqeje, një mjet për të bashkuar europianët, një nevojë për një treg unik. Të gjithë këto aspekte të mitologjisë kanë lindur sipër dhe rreth projektit europian për të mbështetur atë që është praktikisht një ide e pakuptimtë.

Ju flisni thuajse si për triumfin e një iluzioni politik. Çfarë i ka shtyrë arkitektët e saj? Çfarë i ka mundësuar ata që të avancojnë një projekt që shumë ekonomistë e konsideronin çmenduri?

Duke shkruar librin, kam mësuar dy gjëra për sa i përket historisë. E para është se në histori ekzistojnë momente kritike, ku një individ bëhet jashtëzakonisht i fuqishëm dhe siguron një pushtet ekzekutiv joproporcionale me aftësitë e tij. E dyta, një individ i ngjashëm ka edhe fuqinë që të krijojë një marrativë, një përrallë, një mitologji. Është kombinimi i këtyre dy gjërave që ka krijuar euron. Ja pse Helmut Kohl është kaq i rëndësishëm, jo vetëm pse e ka udhëhequr këtë projekt deri në realizimin e tij, [por edhe pse] na ka lënë në trashëgimi një gjuhë që e ka justifikuar euron deri më sot. Mendoj se sikur Kohl të mos kishte ekzistuar ose sikur të mos kishte qenë Kancelar në vitet ’90, euro nuk do të kishte sukses. Nuk do të kishte pasur euro.

 Ajo që habit është se gjatë këtij procesi integrimi prej disa dekadash vetëm rrallë njerëz që qenë në krye u përgjigjeshin elektorateve kombëtare. Nëqoftëse i pyesnin, ata thjesht e injoronin përgjigjen, siç bënë qysh nga 1992, më referendumin në Danimarkë e në Francë për Traktatin e Maastricht. A mendoni ju se ky është një prej difekteve fatale të projektit europian – fakti që ai vazhdon, pavarësisht opinioneve të qytetarëve?

Absolutisht që po pasi bëhet fjalë për një difekt fatal. Deri më 1992 dhe në Traktatin e Maastricht ka ekzistuar ideja e miratimit të heshtur. Kjo ide parashikonte që liderët europianë duhej t’i merrnin vendimet e mira në emër të popujve të Europës, që nuk qenë aspak në gjendje të kuptonin kompleksitetin e qeverisjes. U besonin liderëve, pasi ata e dinin mënyrën e duhur e ecjes përpara.

Dhe në fund do të vlerësoheshin e legjitimoheshin nga frutet që do të sillnin. Por ky miratim i heshtur po vinte duke rënë teksa firmosej Traktati i Maastricht. Siç e thatë, kemi pasur referendumin danez dhe sidomos atë të francez të 1992. Në mënyrë të veçantë, referendumi francez ka rëndësi historike, pasi populli (49%) që votoi kundër Maastricht është i njëjti që sot proteston me jelekverdhët. Mendojeni, për një periudhë prej rreth 30 vjetësh, një grup i konsiderueshëm njerëzish vazhdonin që të dëgjoheshin, duke thënë se ekzistonte një problem. Thonin se problemi i vërtetë ishte në shtëpi, se populli lihej menjanë dhe se ti, qeveri, duket se nuk e ke idenë për atë që do populli. Fakti që qytetarët europianë donin ose jo më shumë Europë nuk është diskutuar vërtet në ndonjë formë të çfarëdoshme domethënëse.

Nuk ka qenë kurrë e qartë se për çfarë shërbente euro. Me siguri nuk ka sjellë begati më të madhe dhe mungesa e konsultimit me popullin ka krijuar një ankth të zjarrtë, me shenjë të kundër në vende të ndryshme. Në Gjermani, ankthi është lidhur me mundësinë që gjermanët mund të gjenden në pozitën që të duhet të paguajnë borxhet e vendeve të tjera. Në pjesën më të madhe të Europës Jugore njerëzit janë në akth pasi Gjermania është bërë tejet dominuese dhe pse, në përiudha krizash, Kancelarja gjermane mund të bëhet faktikisht Kancelare europiane. Nuk ekziston asnjë mekanizëm që të garantojë përgjegjësi dhe legjitimim. Prandaj i gjithë procesi është në thelb antidemokratik – njerëzit që goditen nga vendimet nuk mund të votojnë për të larguar njerëzit që i marrin këto vendime.

 Disa theksojnë se eurozone ka krijuar një shkallë të caktuar begatie, sigurisht duke filluar nga fundi i viteve ’90 deri në mesin e viteve 2000. A mendoni se ky është iluzion begatie, i mbështetur në rastin e Europës nga flluska bankare?

Sigurisht, absolutisht që po. Është një mëkat i vërtetë që ato 10 vite janë deformuar krejtësisht në dy mënyra. E para është se, kur kanë zbritur përqindjet e interesit të borxheve publike, kjo u festua si një integrim financiar, ndërsa praktikisht ishte problem, pasi vendet që përfitonin nga këto përqindje kaq të ulëta po lejonin që të formohej një flluskë borxhi.

E dyta, gjëja tjetër që ka ndodhur, sidomos midis 2004 e 2007, është se tregtia botërore ishte në një fazë bumi. Në radhë të parë pasi Amerika po shpenzonte shume dhe kështu që po importonte shumë mallra nga pjesa tjetër e botës dhe, në radhë të dytë, sepse Kina po hynte në shkallë të gjerë në tregun e tregtisë globale dhe, duke u bërë eksportuese e rëndësishme, po bëhej edhe një importuese e rëndësishme. Prandaj në vitet midis 2004 e 2007 ka ndodhur një rritje e tregtisë globale më e madhe se në çdo periudhë tjetër të kohëve të fundit. Dhe kur tregtia globale rritet, tregtia europiane u rrit me shpejtësi.

Kështu, kombinimi i konvergjencës së përqindjeve të interesit, që krijoi përshtypjen e integrimit financiar, dhe rritja e tregtisë globale, që u krijoi njerëzve përshtypjen e një begatie, i ka bërë disa që të konkludojnë se po, gjëja kishte funksionuar. Kështu, në qershorin e 2008 kemi Jean-Claude Trichet, Presidenti i atëhershëm i Bankës Qendrore Europiane, që deklaronte se eurozone ishte një sukses i madh. Në realitet ai ishte momenti në të cilin kriza e eurozonës përgatitej të godiste fort. Vetëm se BQE-ja nuk e kuptonte. Siç George Orëell lidhur me atë që përcillej për Luftën Civile Spanjolle, se historia shkruhej ashtu si mendohej se duhej të shkonte dhe jo sesi po shkonte realisht: kjo është mënyra me të cilën është treguar dekada e parë e eurozonës.

Kriza fillon të ndjehet në eurozonë qysh nga 2009. Pse je jeni kaq kundër politikave të rreptësisë që Trojka vendosi ndaj Greqisë dhe Irlandës?

Unë e kuptoj se nëse një vend ka jetuar mbi mundësitë e tij duhet ta shtrëngojë rripin. Nuk dua ta kontestoj një gjë të tillë. Ajo që kontestonim unë dhe të tjerë – që vazhdojmë ta kontestojmë edhe në rastin e Italisë – është momenti i fillimit dhe shpejtësia e konsolidimit fiskal. Kur një ekonomi po zhytet në reçision, rreptësia fiskale i bën gjërat më keq. Taksat e vendosura nga qeveria rriten, ndërsa konsumet zvogëlohen dhe kështu reçisioni thellohet.

Nuk përbën aspak mister. Kështu pozicioni im është se, po, Greqia kishte qartazi nevojë për një shkallë të caktuar rreptësie, por se kjo duhej zbatuar me një ritëm më të ulët. Nëqoftëse një pacient me traumë hyn në një repart kirurgjie, nuk i kërkohet që të vrapojë disa herë rreth sallës në shenjë vullneti të mirë përpara operacionit. Është një diskutim shumë i thjeshtë. Prandaj rreptësia e ka bërë problemin grek pafundësisht më keq.

Është e habitshme që Bashkimi Europian duket kaq shumë i kapur pas rregullave fiskale apo buxheteve të kufizuar, sigurisht ka qenë në rastin e Greqisë. Pse mendoni se ndodh një gjë e tillë?

Do të doja të isha në gjendje të jepja një përgjigje të thjeshtë. Përgjigja ime historike është se Bashkimi Europian nuk është edhe aq i fiksuar pas rregullave. Kur rregullat nuk u vijnë për shtat atyre që komandojnë, rregullat shkelen dhe për arsye të mira. E kemi parë në 2002 e në 2003, kur Gjermania, në mesin e një reçesioni, i ka shpërfilluar rregullat fiskale për të shmangur që t’i përkeqësojë.

Për të justifikuar vendimin, Ministri gjerman i Financave Hans Eichel shkroi në Financial Times një editorial të cilin Yanis Varoufakis do të duhej të kishte bonsensin që ta përsëriste kur theksonte nevojën e një lehtësimit të rregullave të bilancit për Greqinë. Rregullat shpalosen vetëm kur balanca e forcës spostohet në drejtimin e kundërt dhe atëhere përdoren si instrument për të vënë në rresht vendet e ashtuquajtura rebele, qofshin ato Greqia apo Italia.

Ju e quani Italinë “vijën e ndarjes” së projektit europian. Pse besoni se është kaq e rëndësishme?

Nuk ka dyshim se Italia është dhe mbetet “vija e çarjes” e Europës, për shumë arsye. Në radhë të parë, është një vend i madh – PBB-ja e saj është 8 apo 9 herë ai i Greqisë dhe asetet financiare të saj janë të njëjtit rend madhësie me ato të Gjermanisë apo të Francës. Veç kësaj, Italia ka një rritje produktiviteti kronikisht të ulët. Qysh kur ka hyrë në eurozonë, produktiviteti saj ka zbritur me diçka midis 10 dhe 15%. Tani, jo gjithçka është faj i eurozonës.

Në një pjesë të madhe, produktiviteti i ulët në Itali është problem italian, që i detyrojet një mungese të madhe të shtytjes nga brenda ekonomisë italiane dhe një serie qeverishë të paafta për të përballuar problemin. Por një vend me rritje të ulët të produktivitetit ka nevojë për ndihmën e zhvlerësimeve të herëpashershme të monedhës. Këtë askush nuk e vë në dyshim. Askush nuk konteston edhe faktin që, nëse nuk je produktiv, bëhesh më pak kompetitiv dhe, nëse je më pak kompetitiv, ke nevojë të ulësh koeficentin tënd të shkëmbimit.

Por Italia është në kurth. Nuk mund ta zhvlerësojë koeficentin e shkëmbimit me dojçmarkën, pasi të dy valutat janë të fiksuara ngurtësisht në brendësi të euroznës, dhe, pasi politika monetare e BQE-së mbete relativisht e shtrënguar, euro nuk është zhvlerësuar ndaj dollarit respektivisht 20 viteve më parë. Prandaj lireta, e inkorporuar në euro, nuk është zhvlerësuar ndaj dojçmarkës apo dollarit amerikan në 20 vitet e fundit, gjatë të cilave produktiviteti ka vazhduar të bjerë. Atëhere, si do t’ia bëjë ky vend që të paguajë masën e madhe të borxhit të tij, pa rritje? Ja thelbi i problemit italian. Produktiviteti italian ka nevojë për një investim me breza në shkollë, në kërkim, në kthimin në shtëpi të njerëzve që kanë emigruar, për të ndërtuar një ndjenjë të re vetëvlerësimi, që në këtë moment mungon ndjeshëm.

 Kohët e fundit, kur kam qenë në Itali, jam goditur nga numri i grafiteve murale antigjermane. Mendoni se një prej ironive të mëdha të këtij projekti, që do të duhej të çonte në integrim ekonomik dhe politik, është se në realitet ka favorizuar armiqësinë midis vendeve europiane më shumë sesa bashkimin e tyre?

Siç e kam thënë, Nicholas Kaldor predikoi saktësisht këtë në vitin 1971. Tha se një monedhë e përbashkët do t’i amplifikonte më tej divergjencat ekonomike dhe, në rast se do ta bënte, do të ashpërsonte edhe përçarjet politike. citoj deri Abraham Lincoln: “Një shtëpi e përçarë brenda vetes nuk mund të qëndrojë në këmbë”. Fantazma e Kaldor e përndjek sot eurozonën.

 Ju mendoni se rivendosja e një shkalle të caktuar sovraniteti kombëtar për vendet europiane praktikisht mund t’i bëjë bashkë popujt europianë?

Po, e mendoj. Pyes veten: çfarë i bashkon popujt europianë? Cila është arsyeja themelore për europianët që të mendojnë si europianë? Thuajse 70 vite më parë, Schuman kërkoi që themeli i përbashkët për të krijuar një federatë të ishte zhvillimi ekonomik. Ideja e një shteti federal ka vdekur, ashtu si koncepti i një themeli mbi zhvillimin ekonomik. Për pasojë, duhet të rikthehemi në një tjetër pohim të Schuman: europianët kanë nevojë të qëndrojnë të bashkuar në interes të paqes. Në kuptimin modern, kjo mund të shtrihet në mbrojtjen dhe ruajtjen e demokracisë dhe në promovimin e të drejtave të njeriut.

Europianët duhet të pyesin nëse besojnë akoma në këto vlera – vlerat e një shoqërie të hapur – dhe a janë të gatshëm që të punojnë për krijimin e një shoqërie të hapur ku paqja, demokracia dhe të drejtat e njeriut promovohen. Nëqoftëse nuk është ky qëllimi i Europës së sotme, atëhere nuk e kam të qartë se cili është qëllimi i saj.

(nga Spiked)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

“Largohesh nga puna nëse nuk vjen në takimin e kryeministrit”, zyrtarët nuk tremben nga kërcënimet, braktisin Ramën

Një tjetër denoncim ka ardhur në llogarinë e ish-kryeministrit Berisha, lidhur me takimin e rradhës së kryeministrit Rama, në turin ‘Bashkia që Duam’.

Kohët e fundit, është kthyer në një traditë që të gjitha herët kur Kryeministri do të mbajë takime me popullin, e gjitha administrata e atij qyteti dhe shumë të tjerë që mbajn teserën e PS, do të kërcënohen e shantazhohen me vendin e punës.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha

Maduro braktiset edhe nga Narkopartia e vet! sb

“Pershendetje dr Deshtim i plote ne Elbasan. Edhe përse i ka kërcënuar me urdhër të prerë largim nga puna në rast se nuk marrin pjesë përsëri karriket i ka boshe gjysma e te pranishmeve jane puntoret e Luces te sjelle me detyrim dhe me liste nga sipermarresi ne shesh nga Labinoti!!”

Nderim qytetareve te Elbasanit qe bojkotuan Madurin!! sb

Një tjetër kandidat i listës së PD refuzon mandatin e deputetit!

Kryetari i FRPD Sarandë dhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Jolio Dine refuzon mandatin e deputetit. Konfirmimi jepet nga vetë Dine në statsuin e tij social Facebook.

Postimi i Jolio Dine

Nuk e pranoj mandatin e deputetit!

Endrra ime eshte te ndryshoj Saranden, edhe duke sakrifikuar…veten!

Jo te ndryshoj veten, duke sakrifikuar Saranden!

Nese nje dite do me duhet te perfaqesoj bashkeqytetaret e mi, dua te zgjidhem me vullnetin e lire te tyre, permes zgjedhjeve te ndershme dhe ne nje Shqiperi demokratike!

Tabaku: Me ardhjen në pushtet, PD ofron uljen e taksave dhe shpenzimin e borxhit në shërbim të qytetarëve

Ish-deputetja e PD, Jorida Tabaku, ka bërë të ditur nëpërmjet një statusi në profilin e saj në facebook se: ‘Shqiptarët po varfërohen dhe taksohen përditë e më shumë për të paguar borxhet që qeveria merr në emrin e tyre dhe i shpenzon për qejfet personale”.

Më tej Tabaku tha se me ardhjen në pushtet: ‘Partia Demokratike ofron të kundërtën; uljen e taksave dhe shpenzimin e borxhit në shërbim të qytetarëve dhe të mirës publike”.

Po kështu Tabaku shkruan se: ‘Lufta ndaj oligarkisë është në fakt betejë që nis me ndihmën ndaj bizneseve të vogla, të atyre bizneseve familjare që luftojnë përditë me një sistem që punon kundër tyre”.

Postimi i plotë

Shqiptarë të varfër, qeveritarë të pasur

Alternativa ekonomike që ka propozuar mazhoranca socialiste që në vitin 2014 ka qenë “Takso më shumë dhe merr borxh!”. Politikën e marrjes së borxhit, qeveria e shiti si një përpjekje për të shlyer borxhin e prapambetur ndaj bizneseve, por e vërteta qe që ky borxh u përdor për të ngjyrosur fasadat e godinave qeveritare dhe për të ndërtuar sheshet e qyteteve që përditë e më shumë boshatiseshin nga qytetarët.

Një borxh i marrë sot është padyshim një taksë e vendosur nesër. Prandaj, qeveria vazhdoi të rriste barrën fiskale duke shpikur lloj-lloj mënyrash për të detyruar qytetarët të paguajnë borxhin e marrë. Kur fasadat përfunduan dhe u vu re mungesa e rritjes ekonomike, thithjes së investimeve të huaja apo edhe rritjes së mirëqenies; qeveria morri borxh duke projektuar krijimin e PPP-ve. Ajo doli në treg për të marrë një tjetër borxh me shpresën që do të kënaqte oligarkët por edhe do të pasuronte qeveritarët përmes skemës së PPP-ve.

Projekti ambicioz i vjedhjes së 1 mld eurove përmes PPP-ve (që sot ka shkuar në 2,2 miliardë) si dhe përvetësimit të pronave publike dhe private përmes ligjeve speciale, u aplikuan në tokën e djerruar të ekonomisë vendase. Shqiptarëve iu është rritur barra fiskale me një vlerë prej 1,9 mld eurosh ndërsa brenda një dite që prej vitit 2014 janë mbyllur 188 biznese. Me një barrë fiskale më të rëndën në rajon, me një politikë fiskale aspak premtuese për të thithur investime si dhe me një borxh të rritur në kufijtë e 82%, qeveria vazhdoi skemën e qartë të pasurimit të vetes dhe varfërimit të qytetarëve.

Produktet e kësaj skeme mund t’i dallojmë lehtësisht nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Sipas një studimi të BSH për vitin 2013 rreth 53% e mikrobizneseve (pra dyqaneve që kanë 1-4 të punësuar) kanë deklaruar rënie të xhiros dhe të ardhurave. Shumica e ndërmarrjeve nuk mund të marrin kredi, ndërsa vetë bankat kanë ulur dhënien e kredive për bizneset dhe individët.

Qartësisht paratë që përdorin shqiptarët për të mbajtur familjet e tyre gjenden në tregun e zi. Sipas një tjetër raporti të Bankës së Shqipërisë 30% e kredisë së marra nga familjet shqiptare raportohet të jetë nga tregu i zi. Të dhënat e këtij raporti tregojnë rritjen e huasë nga tregu i zi si dhe mospagimin e mallit (pra efektin e listave).

Nga viti 2014 kur në Shqipëri u implementuan politikat fiskale rilindase gjendja ekonomike është përkeqësuar ndonëse rajoni ka pësuar ndryshime. Mrekullia mbi tokë që premtoi rilindja u shua që në muajt e parë edhe pse propaganda e rrogës së 13 vazhdoi të jehonte nga ekranet televizive. Qëllimi është shumë i qartë; pasurohen oligarkët, pasurohen qeveritarët dhe pjesa tjetër mbetet në kushtet e skllavërisë. Huaja në të zezë janë në fakt lëmosha që grupet rreth të parëve jep ndaj shumicës së shqiptarëve.

Ajo çfarë opozita propozon është e lidhur ngushtë me si e shohim ne qytetarin. Politika fiskale me taksa të ulëta është oferta për një Shqipëri ku liria për të bërë biznes incentivohet. Ne nuk dëshirojmë të taksojmë punën dhe punëdhënësin shproporcionalisht pasi jemi të bindur që paraja qarkullohet më mirë dhe i shërben mobilitetit të qytetarëve kur është pranë tyre dhe jo në xhepin e madh dhe me vrima të qeverisë.

Taksat e ulët prej 0,5% të xhiros është oferta që opozita i jep mikro-bizneseve familjare që vuajnë sot kontrollet tatimore, dhunën edhe presionin e qeverisë, taksat e larta dhe mungesën e konsumit. Lufta ndaj oligarkisë është në fakt betejë që nis me ndihmën ndaj bizneseve të vogla, të atyre bizneseve familjare që luftojnë përditë me një sistem që punon kundër tyre.

Shqiptarët varfërohen dhe taksohen përditë e më shumë për të paguar borxhet që qeveria merr në emrin e tyre dhe i shpenzon për qejfet personale. Partia Demokratike ofron të kundërtën; uljen e taksave dhe shpenzimin e borxhit në shërbim të qytetarëve dhe të mirës publike.

Epikriza e sëmundjes ideologjike me emrin Rilindja – II

Pse qeverisja e Rilindjes është inhumane?

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Një person në pjesën e parë të kësaj triologjie më tërhiqte vëmendjen në atë se “Hitleri përveçse kundër judëve, asgjë të keqe nuk i ka bërë Gjermanisë”. Sigurisht që ky konstatim është relativ. Por ai nisej nga të këqijat që Rilindja i ka bërë Shqipërisë krahasuar me ato të Hitlerit në Gjermani.

Në fakt ishin gjermanët ata që e pompuan Edi Ramën me idenë e të qenit “lider global ose së paku ballkanik”. Shumë shqiptarë e besuan këtë, sepse ne kishim besuar që edhe diktatori komunist ishte një udhëheqës global i M-L! Por gjermanët u zhgënjyen tmerrësisht jo vetëm se u përballën me një mashtrues klasik, por edhe se panë te lidershipi i Ramës një ego të pakrahasueshme me liderët e tjerë të demokracive europiane. Kjo ego e bëri atë të jetë antihuman ose të qeverisë me frymë inhumane.

Sot Gallupi evropian shpalli rezultatet e një anketimi për shkallën e stresit në mesin e 143 kombeve dhe shteteve të botës. Shqipëria renditej e 7 nga fundi ose në vendin e 136-të, megjithëse konstatohej që “shqiptarët kënaqen me pak”. Kishte lënën pas vetes vetëm Iranin, Srilankën, Ruandën dhe 4 vende të tjera. Pas Shqipërisë ishin dhe SHBA-të. Por jo për arsyet pse vendi ynë gjendet në fund të listës.

Një analizë empirike e shkaqeve që çojnë në këtë situatë stresi në Shqipëri lidhet kryesisht me mungesën e perspektivës, jo me mungesën e kohës për pushime e argëtime si në SHBA. Mungesa e perspektivës tek ne është pasojë e inhumanitetit të qeverisjes së Rilindjes. Punësime militantësh dhe rritje e papunësisë së përgjithshme. Tridhjetë e tetë mijë të burgosur për faturat e energjisë elektrike nga njëra anë dhe mijëra kriminelë, trafikantë, të korruptuar në gjendje të lirë, madje në krye të ekzekutivit e në parlament.

Qindra opozitarë protestues në burg dhe dhjetra zyrtarë të lartë në lidhje me kriminelët të lirë, megjithëse të kapur në flagrancë në shitblerje votash. Ish-ministri i Brendshëm ia dhuron makinën e tij luksoze kushërinjve të tij, duke ruajtur pronësinë, ndërkohë qe kushërinjtë e përdorin atë për trafik droge. Por ky ministër jeton i lirë në shtetin e Edi Ramës, ndërkohë që një deputeti të opozitës i përgatitet qelia e burgut me falsifikime të tipit Alizoti.

Dhe më tej! Banorët e Astirit e të Lumit Tirana dëbohen nga shtëpitë e tyre pa shpërblim e nxirren në rrugë, por deputetë si Abazi e të tjerë ndërtojnë pallate pa leje për t’u legalizuar nga vetë ata. Banorëve të pambrojtur pushteti u hedh gaz helmues lotsjellës brenda banesave të tyre, edhe pse në keto banesa shumica prej tyre ishin ende në gjumë, madje fëmijë, pleq, të sëmurë, ndërsa kriminelë me famë Rilindja i bëri deputetë, ministra, kryetarë bashkish ose drejtorë të rëndësishëm.

Inhumaniteti i një qeverie ose qeverisjeje duket në sjelljen me të dobëtin, nevojtarin, të varfërin, të pambrojturin. Demokracia matet me sjelljen e shoqërisë dhe të institucioneve të shtetit ndaj të sëmurëve, ndaj atyre njerëzve që nuk kanë mundësi të startojnë në shoqëri njësoj si të tjerët. Rilindja erdhi në pushtet në shoqërinë e njërëzve në karroca, por asnjë kategori e këtyre njerëzve nuk përfitoi asgjë. Përkundrazi u thellua diskriminimi, pakujdesia dhe varfëria e tyre. Shteti bëhet human kur kujdeset për të sëmurët, por situata në shëndetësi në këto gjashtë vite u bë tmerrësisht më e keqe!

Qeveria e Rilindjes ka miratuar dhjetra e qindra ligje, por shumica prej tyre janë ligje që ashpërsojnë masat e dënimet kundër njerëzve të thjeshtë e lehtësojnë fitimet marramendëse për oligarkët në ekonomi. Shteti shqiptar besoj se është i vetmi shtet në botë, i cili u jep 140.000 studentëve dhe mijëra pedagogëve vetëm 38 milion euro në vit aq sa është buxheti vjetor për arsimin e lartë. Por nuk nguron t’i japë një firme te falsifikuar bashkë me dy artakëve të tjerë plot 48 milion euro për dy km rrugë. Nuk po flasim për shpërndarjen e buxhetit dhe të taksave në bashkitë e veriut si dhe në ato ku drejtojnë opozitarët, sepse diskriminimi dhe hakmarrja e Rilindjes është shumëfish e dëshmuar. Mjafton kjo politikë e shpërndarjes së pasurisë që të kuptohet se çfarë raporti ruan Rilindja e Edi Ramës midis shtetit ligjor të së drejtës dhe kujdesit human për qytetarët e vet.

Shqipëria është një rast unik i një raporti dizekuilibrues midis së drejtës, ligjit dhe humanizmit. Dhe ndodh kësisoj, sepse vendi ynë ka një kryeministër të dizekuilibruar. Eksperienca gjashtë vjeçare e Rilindjes na kujton rishtas se sa më shumë përqendrohet pushteti në një dorë, aq më shumë shtohen shanset për të patur një qeverisje inhumane. Sa më shumë inhumane të jetë kjo qeverisje, më shumë zgjatet cikli i sjelljes antihumane, sië po ndodh me protestuesit këto dy muaj, kur policia e shtetit ushtron dhunë masive kundër tyre. Sa më shumë të reagohet ndaj këtyre sjelljeve inhumane, aq më shumë qeverisja e Rilindjes shton arrogancën e vet të dhunës.

Tiranë, më 27.04.2019

Pjesa e tretë “Energjia negative që prodhon Rilindja”!

Betejë popullore në çdo qytet ku shkel këmba e kryepushtit!

Rama është i rrethuar nga revolta popullore në çdo qytett që shkel. Edhe sot në Elbasan ai u prit me revoltën qytetare ndonëse ishte një mot me shi të dendur.

Qindra qytetarë i kishin zënë pritë në hyrje të Elbasanit me parrulla “Rama ik”. U desh ndërhyrja e ushtrisë së armatosur dhe 1indra policëve me skafandra që të bënte të mundur futjen e Ramës në qytet.

Në qytet ai është braktisur nga qytetarët. Në takimin e tij kanë marrë pjesë vetëm zyrtarët e e Elbasanit dhe ata të marrë me autobusa nga Librazhdi Peqini e Cerriku.

Rama zhvilloi dje një vizitë në Shkodër nën masa të forta sigurie, me një prani të lartë të forcave speciale, por megjithatë ai është pritur në kryeqendrën e veriut me protestat e qytetarëve dhe studentëve.

Në Shkodër Rama ishte braktisur tërësisht nga qytetarët. Fotot e publikuara nga rrjetet sociale tregonin se pjesmarrjka në takimin e Ramës ishte shumë më e ulët se të punësuarit nga Rilindja në institucionet shtetërore në qarkun e Shkodrës.