30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Helmimi i fëmijëve të kopshtit me salmonelë, Prokuroria nis hetimet! Prindërit mblidhen në protestë para Bashkisë së Gramshit

Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me helmimin e fëmijëve të kopshtit me salmonelë, në Gramsh, ku janë sekuestruar kartelet e fëmijëve dhe procesverbali i kontrollit të ushqimeve.

 

Ndërkohë, prindërit përpara bashkisë së Gramshit po protestojnë në lidhje rastin, të cilët kërkojnë zbardhjen e ngjarjes.

Në një e-mail zyrtar nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) në Gramsh, ku konfirmohet përhapja e infeksionit me ‘Salmonella Enteritidis’ në Kopshtin Nr. 1 të qytetit.

Deri tani janë identifikuar 14 raste pozitive mes fëmijëve dhe stafit, ndërsa strukturat shëndetësore lokale janë udhëzuar të tregojnë kujdes të shtuar për parandalimin dhe menaxhimin e mëtejshëm të situatës.

Rikthime të rëndësishme dhe dy lojtarë nga Superiorja, Silvinjo publikon listën e Kombëtares për ndeshjet e qershorit

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo ka publikuar listën zyrtare për ndeshjet e qershorit, më datë 7 kundër Serbisë dhe më 9 kundër Letonisë.

Silvinjo ka thirrur 27 lojtarë, ku dy prej tyre vijnë nga Superiorja. Bëhet fjalë për portierin kampion të Egnatias, Mario Dajsinani dhe mbrojtësin e Dinamos, Naser Aliji. Ndërsa vihet re rikthimi i Mario Mitaj, i cili kthehet pas dëmtimit.

Në listë mungojnë dy futbollistë Taulant Seferi dhe Enea Mihaj.

Lista e plotë:

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha

Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku

 

 

 

SPAK sekuestron celularin e nënkryetarit të Bashkisë, ja për çfarë po hetohet

SPAK ka sekuestruar celularin e nënkryetarit të Bashkisë Pukë, Ndue Suma.

 

Vendimi vjen në kuadër të një hetimi për korrupsion në zgjedhje.

Vendi vuan ikjen e forcës së punës së kualifikuar, si talentet po na i merr Gjermania! 3.5 mijë karta blu për punonjësit shqiptarë në 5 vitet e fundit

Ndërsa tregu i punës në Shqipëri po vuan gjithmonë e më shumë ikjen e forcës së punës së kualifikuar, Europa dhe sidomos Gjermania po marrin talentet shqiptare, duke u dhënë atyre karta blu, që është një leje pune dhe qëndrimi për persona me kualifikime të larta nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian (BE).

Eurostat raportoi se që nga viti 2019 është rritur ndjeshëm numri i kartave blu për shtetasit shqiptarë nga shtetet e BE-së, duke dhënë mesatarisht 650-900 të tilla në vit. Që nga viti 2019 deri në 2023-n janë dhënë gjithsej 3495 karta blu për shtetasit shqiptarë. Në krahasim me vitet e mëparshme rritja është e fortë. Në vitin 2012 ishin dhënë vetëm 15 karta të tilla, ndërsa në 2021-n, që është rekordi i deritanishëm, shifra arriti në 882.

Rritja e dhënies së kartës blu për shqiptarët ka ardhur për shkak të hyrjes në lojë të Gjermanisë. Në vitin 2021 ky shtet dha 823 karta blu për shtetasit shqiptarë, ose 93% të totalit të shteteve të BE-së. Në 2023-n u dhanë 716 leje, ose 87% e totalit. Ata që kanë përfituar këtë kartë në Gjermani paguhen me të paktë 43 mijë euro në vit (rreth 3,600 euro në muaj), që është dhe kriteri minimal për të aplikuar për kartë blu.

Në vend të dytë për kartat blu është Italia, por me nivele shumë më të ulëta në raport me Gjermaninë (23 në 2022 dhe 41 në 2023). Pas saj renditet Austria (11 në 2022 dhe 30 në 2023). Polonia dha 11 karta blu për shtetas shqiptarë në 2023-n, Luksemburgu 6, Belgjika 4 dhe Franca 3.

Gjermania u bë vitet e fundit një destinacion i preferuar i profesionistëve nga Shqipëria, kryesisht nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë, që u nxitën të punonin në ekonominë më të madhe të Europës, të joshur nga pagat e larta dhe zbutja e kritereve në shtetin që po vuante mungesën e fuqisë punëtore si rrjedhojë e plakjes së popullsisë.

Kartat blu në BE

Në vitin 2023, rreth 89,000 punonjës të kualifikuar nga vende jashtë BE-së morën një Kartë Blu të BE-së, një leje pune dhe qëndrimi për persona me kualifikime të larta nga vendet joanëtare të Bashkimit Europian, sipas Eurostat.

Gjermania lëshoi numrin më të madh të Kartave Blu (69,000, ose 78% e totalit në BE), e ndjekur nga Polonia me 7,000 (ose 8%) dhe Franca me 4,000 (ose 4%).

Shtetasit e Indisë ishin përfituesit më të mëdhenj të Kartës Blu në vitin 2023, me 21,000 leje (ose 24% të totalit), të ndjekur nga shtetasit e Rusisë (9,000 ose 11%), Turqisë (6,000 ose 7%) dhe Bjellorusisë (5,000 ose 6%).

Çfarë është Karta blu

Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi që u jepet shtetasve jo të Bashkimit Europian me kualifikime të larta profesionale, për të punuar në një vend anëtar të BE-së. Ajo synon të tërheqë specialistë të huaj në profesione të kërkuara, duke u ofruar atyre kushte të favorshme pune, përfshirë të drejtën e qëndrimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësi për qëndrim afatgjatë. Karta Blu jepet mbi bazën e një kontrate pune me pagë minimale të përcaktuar dhe kualifikime universitare.

Për të përfituar nga Karta Blu e BE-së, aplikantët duhet të plotësojnë një prag minimal page, i cili ndryshon sipas vendit anëtar dhe sektorit të punës. Këto pragje përcaktohen nga autoritetet kombëtare dhe zakonisht përfaqësojnë një përqindje të caktuar të pagës mesatare bruto në vendin përkatës. Për shembull, në Gjermani për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe 43,759.80 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si IT, inxhinieri dhe kujdes shëndetësor.

Profesionet me prioritet të lartë për Kartën Blu të BE-së janë Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK); Inxhinieri; Mjekësi dhe kujdes shëndetësor; Shkencat natyrore dhe matematika;  Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor; Financa dhe kontabiliteti./Monitor

Shefja e policisë zvicerane: Kokαinën në Europë e kontrollon mαfiα shqiptare

Në një intervistë për gazetën “NZZ am Sonntag”, Eva Wildi-Cortés, drejtorja e re e policisë federale të Zvicrës, paralajmëron mbi rreziqet që i kanosen sigurisë së vendit. Në këtë kontekst ajo përmend grupet kriminαle nga Shqipëria dhe Kosova të cilat në Zvicër sipas saj janë aktive në tregun e drᴏgës dhe në pastrimin e parave.

Sipas saj kërcënimi është rritur ndjeshëm dhe shërbimi sekret zviceran e ka ngritur nivelin e rrezikut nga shkalla e tretë, në të pestën nga gjithsej gjashtë nivele.

“Tregtia e njerëzve, armëve dhe lëndëve narkotike përbën një rrezik për demokracinë tonë, shtetin ligjor dhe sigurinë e popullatës. Nëse nuk duam të përjetojmë të shtëna dhe përleshje në rrugë si në Holandë, Belgjikë apo Suedi, Zvicra duhet të veprojë tani”,
– thotë Eva Wildi-Cortés.

Kur u pyet mbi grupet kriminale që veprojnë në Zvicër, shefja e policisë federale i përmendi organizatën mafioze italiane ’Ndrangheta, e cila e përdor Zvicrën për pastrim parash, por edhe organizatat kriminale nga Shqipëria.

“Bëhet fjalë për organizatën e njohur italiane ‘Ndrangheta’, e cila përdor Zvicrën për pastrim parash. Por edhe për organizatat kriminale nga Shqipëria që janë të përfshira si në prodhimin ashtu edhe në shpërndarjen e drogës, për “Makro Mafia” nga Holanda që hedh në erë bankomatët dhe për organizatat nigeriane si “Black Axe” që fitojnë miliarda në të gjithë botën përmes mashtrimit dhe shfrytëzimit të grave të reja. Zvicra është shumë tërheqëse për këto grupe”
– tha ajo.

“Shembull është trafikimi i kokainës: Mafia shqiptare rregullon importin e kokainës në Evropë, dhe ky import nga ana tjetër financohet nga mafia italiane. Sapo mallrat mbërrijnë në portin e Roterdamit, “Mafia Makro” përfshihet dhe siguron transportin dhe shpërndarjen e mëtejshme. Grupet lokale në fund të fundit e shesin materialin në Bernë ose Zyrih. Zvicra shërben njëkohësisht si vend tranziti, pikë transbordimi dhe treg destinacioni”
– tha ajo.

Eva Wildi-Cortés bëri të ditur se vitin që shkoi në shënjstër të autoriteteve zvicerane ishte një agjenci udhëtimesh e specializuar për Ballkanin. Ajo vepronte në qendër të qytetit të Luzernit. Hetuesit e vëzhguan këtë agjenci udhëtimesh një vit me radhë. Ata regjistruan 750 vizita nga persona të dyshuar për tregti me drogë dhe korrierë të parave. Ky rrjet dirigjohej nga mafia kosovare, tha Eva Wildi-Cortés.

“Grupet kriminale pastrojnë paratë e tyre edhe përmes dyqaneve të çajit, shërbimeve të shpërndarjes së picave ose agjencive të udhëtimit. Vitin e kaluar, një agjenci udhëtimesh në qendër të qytetit të Lucernit, e specializuar në udhëtime në Ballkan, ishte shënjestra e një operacioni të madh. Hetuesit e vëzhguan agjencinë e udhëtimit për më shumë se një vit. Ata regjistruan 750 vizita nga korrierë të dyshuar për drogë dhe para. Rrjeti i drogës kontrollohej nga mafia e shqiptarëve të Kosovës” –
tha ajo.

Sipas saj, shumë sallone të berberit, korrierë që bartin pica apo agjenci udhëtimesh në të vërtetë janë sallone për shpëlarje parash në Zvicër. Këtu duhet të fillojë beteja kundër krimit të organizuar. Ekonomiste dhe politologe 49-vjeçare, ajo ka marrë detyrën e shefes së policisë federale të Zvicrës më datën 1 shkurt 2025. Ajo ka një përvojë prej më shumë se dy dekadash në fushën e sigurisë. /NZZ

Bashën e sulmuan se zbatoi një kërkesë të SHBA-ve, tani duan të ankohen te Amerika për zgjedhjet!

Nga Simon Hadaj

Paradokset e politikës në këtë vend nuk çudisin më askënd, veçse ndonjëherë arrijnë në nivele të tilla absurditeti saqë të lënë me gojë hapur. Një nga këto është ai i Sali Berishës dhe PD-së, të cilët nga mohimi i ndikimit amerikan në politikën shqiptare, kanë kaluar në përpjekje për t’u ankuar po te SHBA për zgjedhjet e fundit.

E gjithë kjo nisi që në vitin 2021, kur Sali Berisha, pas shpalljes “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nisi një fushatë linçuese kundër Lulzim Bashës. Berisha u vetëshpall sovranist, duke hedhur poshtë çdo ndikim të jashtëm, veçanërisht atë amerikan, dhe duke deklaruar me arrogancë se “nuk do jenë amerikanët që do votojnë në Shqipëri”, se “Amerika nuk ka punë me zhvillimet e brendshme”, se “janë dy SHBA”, njëra e marrë peng nga SOROS dhe tjetra e lirë dhe se “sovraniteti” u fut në axhendën e tij momentale, pavarësisht se çfarë bëri dhe si u soll më pas në raport me Himarën dhe Belerin. Ky diskurs antiamerikan u rimor dhe u artikulua edhe nga mbështetësit e tij mediatik, duke linçuar dhe tallur ambasadorë e zyrtarë të lartë të DASH-it, të cilët i shërbenin regjimit të këtueshëm dhe jo interesave të vendit të tyre.

Më shumë se një qëndrim parimor, ai doli të ishte thjesht një alibi për izolimin ndërkombëtar të Berishës. Kjo u vërtetua pak para zgjedhjeve të fundit, kur propaganda e grupimit të tij ndryshoi tërësisht. Militantët dhe zëdhënësit nisën të shpiknin skenarë për heqjen e “non grata”-s. Fillimisht u tha se ajo ishte hequr, më pas se Berisha do shkonte në SHBA përpara zgjedhjeve. Madje, u paguan 6 milionë dollarë në një përpjekje për lobim, që në fund prodhoi vetëm një postim të një gazetari në platformën X (ish-Twitter), ku pa përmendur ndonjë burim konkret, pretendonte se “kishte pyetur” në DASH dhe se “Berisha mund të udhëtonte” në SHBA. Mirëpo, Berisha nuk udhëtoi për në SHBA se atë natë ishte i ftuar te Fevziu. Pas 3 ditësh u mbajtën zgjedhjet dhe ai i humbi si kurrë më parë, me një rezultat dërrmues dhe turpërues.

Pas gjithë këtyre dështimeve, absurditeti vijon. Tani Berisha dhe të tijtë po deklarojnë se do të ankohen pikërisht te SHBA – të cilën e kishin përjashtuar nga çdo ndërhyrje – për “vjedhjen” e zgjedhjeve. Jo vetëm kaq, por kërkojnë edhe që SHBA të shpallë “non grata” organizata terroriste në Shqipëri (kush janë këto organizata sipas Berishës??). Pra, Berisha, vetë “non grata” kërkon të shpallë të tjerët “non grata”.

Kjo sjellje është edhe tragjike edhe komike, është për të qeshur e për të qarë. Nga njëra anë, pushteti mund të qeshë me absurdin e një opozite që nuk di çfarë kërkon, që mohon dhe pastaj lutet, që tall dhe pastaj përkulet. Nga ana tjetër, demokratët dhe militantët e ndershëm duhet të ndjehen të mashtruar. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë realitet, aq më shpejt do kenë shansin të rindërtojnë një opozitë reale, të sinqertë dhe të përgjegjshme. Sepse demokracia ka nevojë për opozitë, por jo për karikatura politike të së shkuarës, të cilët, në pamundësi për ta trembur kundërshtarin, e bëjnë atë për të qeshur.

Shkrimtari ukrainas: Kjo luftë do të mbarojë, vetëm kur Putini të largohet!

Nga Marta Serafini, Corriere della Sera

Autori i librit “Veshi i Kievit” shpjegon pse ngurron të besojë një armëpushim: SHBA-të nuk janë më të përfshira në këtë luftë. Evropa është braktisur dhe ende nuk di si të reagojë. Dhe Putini nuk është i aprovuar

“Jemi mirë, faleminderit.” Andrei Kurkov, një shkrimtar ukrainas ndër më të njohurit jashtë vendit dhe në Evropë, përfshirë Italinë, nuk është një njeri shumë i prirur për të shprehur emocionet e tij. Por, si të gjithë ata që jetojnë në Kiev, ai nuk ka fjetur që kur Putini rifilloi lëshimin e dronëve dhe raketave mbi qytet. Dhe ai i sheh me shqetësim lajmet që vijnë nga fronti diplomatik.

Në librin e tij “Lufta Jonë e Përditshme” (që do të botohet në Itali në qershor) ai përshkruan saktësisht se çfarë do të thotë të jetosh çdo ditë nën bomba: terri, sirena, bunkeri, pamundësia për të marrë aeroplan për të shkuar në në Evropë. Nga ana tjetër, ai arrin gjithashtu të përcjellë një ide shumë të mirë se si civilët i përjetojnë lajmet ushtarake dhe politike. Si ndihet kur sheh bashkëqytetarët e tij që kthehen në binker, fshihen në metro, përpiqen të shpërqendrojnë fëmijët që qajnë…

“Nuk është ndryshe nga dje ose më parë. Ukrainasit kanë jetuar kështu për tre vjet. Lufta nuk ka mbaruar. Dhe kjo nuk do të mbarojë derisa Putini të mos jetë më.”

Pra, a nuk jeni optimist për mundësinë e një negociate të re? Disa e shohin mega-shkëmbimin e të burgosurve që përfundoi dje si një shenjë pozitive, apo jo?

“Sigurisht, negociatat janë të mundshme. Por, për momentin, ato do të kenë vetëm efektin e krijimit të një pauze midis sulmeve të ardhshme dhe atyre të mëparshme. Të burgosurit janë shkëmbyer që nga fillimi i luftës dhe njerëzit që organizojnë shkëmbimet nuk kanë të bëjnë fare me llojet e tjera të negociatave. Dyshoj se ato mund të bëjnë ndonjë ndryshim.”

A është Putini vërtet aq i fortë sa do që ne të besojmë, apo po e bën Trump të tillë?

“Putini po e shfrytëzon momentin sepse Shtetet e Bashkuara nuk janë më të përfshira në mënyrë aktive në këtë luftë. Evropa është braktisur nga Uashington dhe politikat evropiane ende arrijnë të jenë të suksesshme. Ata e dinë se NATO nuk është më e fortë dhe e bashkuar në çështjet ushtarake dhe se nuk është gati të jetë një forcë reagimi të shpejtë. Dhe kjo pamje i sjell dobi Moskës.”

Nëse do të bënim një përpjekje të imagjinatës dhe do të mendonim për një paqe, çfarë marrëveshjeje do të sugjeronit: një paqe pa drejtësi, një kapitullim? A do të ishte kjo një mundësi e përballueshme për ukrainasit?

“Çdo politikan që mbështet paqen pa drejtësi nuk do të shkonte shumë larg. Nuk është e mundur të mendohet rikrijimi i modelit korean në Ukrainë, siç kanë hipotezuar disa, me një vend të ndarë në dysh përgjatë një vije të vizatuar në një tavolinë. Ukrainasit presin që Zelensky të nënshkruajë një marrëveshje dhe të bjerë dakord të ngrijë vijat e frontit, të paktën për një periudhë të caktuar. Por Ukraina është një vend demokratik ku ka parti opozitare dhe opinioni publik është i lirë të thotë atë që mendon, kështu që shumica do të protestojë nëse nënshkruhet një marrëveshje që ajo nuk e pranon. Dhe kjo është sfida e vërtetë për udhëheqjen ukrainase tani: ta mbajë shoqërinë të bashkuar.”

Pohimi i identitetit ukrainas duket se kalon edhe përmes akteve të “kulturës së anulimit”, siç është heqja e statujave të poetit rus Pushkin. Si shkrimtar, a mendoni se kjo është një mënyrë e mirë për ta mbajtur vendin të bashkuar?

Prania e monumenteve të shkrimtarëve rusë në Ukrainë ishte provë e prekshme se kultura ruse mbizotëronte. Në Ukrainë kishim 800 rrugë të emëruara sipas Pushkinit dhe pothuajse asnjë të dedikuar për autorët ukrainas të vrarë nga Stalini në vitet 1930. Kjo nuk është më kështu. Mendoj se është e saktë të krijohet një hartë ukrainase për Ukrainën.”

Në veprën “Veshi i Kiev” flet për qytetin pas vitit 1919. A ka paralele me atë që po ndodh sot?

“Është pas Revolucionit të Tetorit dhe rënies së Perandorisë Ruse. Ishte në vitin 1918 që Ukraina shpalli pavarësinë e saj dhe u sulmua menjëherë nga Ushtria e Kuqe, qëllimi i së cilës ishte të pushtonte të gjithë vendin dhe ta shndërronte atë në një Republikë Sovjetike të Ukrainës. Do të thoja se është diçka e ngjashme me atë që ndodhi në vitin 2022.”

Levandovski shkëlqen me dopietë, Barcelona mposht Bilbaon dhe e mbyll La Ligën me fitore

Ndeshja e fundit e këtij sezoni në La Liga ishte ajo mes Atletik Bilbaos dhe Barcelonës. Të dyja ekipet i kanë arritur objektivat e tyre për këtë sezon, Barcelona ka fituar titullin, ndërsa Bilbao është kualifikuar në Champions League, duke u renditur në vendin e katërt.

Katalanasit e nisën shumë mirë takimin, duke shënuar dy gola brenda 4 minutash. Në minutën e 13, Robert Levandovski hapi serinë e golave, duke kaluar bukur Unai Simon, pas asistit të marrë nga Fermin Lopez. 4 minuta më pas, polaku realizoi sërish, këtë herë me kokë pas krosimit nga goditja e këndit nga Rafinja dhe devijimit të mbrojtësit vendas, Leva shtyu topin në rrjetë.

Në minutat në vijim, Barcelona pati disa raste të pastra shënimi me Jamal, Levandovski e Rafinjan, por që nuk u konkretizuan në mënyrën e duhur. Goli i tretë i Barcelonës erdhi në minutën e 94, ku Dani Olmo u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, e fituar po nga vetë ai, pasi u pengua brenda në zonë.

Problemet që shkakton dylli i veshit, metodat natyrale për ta pastruar

Dylli i veshit është substancë që prodhohet nga vetë trupi për të mbrojtur dhe pastruar veshin.

Sipas të dhënave, dylli parandalon infeksionet dhe parandalon hyrjen e pluhurave dhe grimcave të tjera të dëmshme më thellë në kanalin e veshit.

Pasi dylli ka kryer misionin e tij, zakonisht ai përthahet dhe del vetë nga veshi.

Megjithatë, ka njerëz, veshi i të cilëve bllokohet nga dylli i tepërt.

Dylli bllokon dëgjimin dhe shoqërohet me simptoma si:

• Dhimbje veshi

• Zhurmë në vesh

• Infeksion

• Kruarje

• Aroma të pakëndshme

• Rrjedhje sekrecionesh nga veshi.

Pastrimi i veshit nga dylli

Shumë njerëz përdorin ato që rëndom njihen si kunja pambuku, karfica ose objekte të tjera për të hequr dyllin e tepërt.

Këto objekte bëjnë krejt të kundërtën, duke e zhytur dyllin më thellë në kanalin e veshit dhe duke e irrituar atë.

Njerëzit që përdorin kufje janë më të prirë të përballen me bllokim të veshit nga dylli i tepërt.

Uthulla e mollës me alkool

Disa ekspertë janë të mendimit se shpëlarja e veshit me uthull molle të kombinuar me pak alkool është mënyra më efikase në pastrimin e veshit.

Për aplikimin e kurës ju nevojitet një pikatore, dy lugë gjelle me uthull molle dhe dy lugë alkool etilik, pambuk dhe një peshqir të pastër.

Përzieni alkoolin me uthullën në një tas të vogël dhe më pas merreni me pikatore.

Hidhni disa pika në vesh dhe vendosni pambuk sipër tij për të lejuar shpërbërjen e dyllit në disa minuta.

Më pas hiqeni pambukun dhe mbulojeni veshin me peshqir dhe kthejeni kokën në anën tjetër që të lejoni rrjedhjen e pandërprerë të dyllit të lëngëzuar.

Përsëriteni këtë procedurë me veshin tjetër dhe përsëriteni herë pas here deri sa të ndieni përmirësim.

Vaji i arrës së kokosit

Për këtë procedurë ju nevojitet një lugë gjelle me vaj të arrës së kokosit, një peshqir dhe një pikatore.

Ngroheni vajin në një enë deri sa të bëhet i lëngshëm. Vaji nuk duhet të jetë i nxehtë.

Përdorni pikatoren që të hidhni gjysmë luge në njërin vesh dhe gjysmë luge në veshin tjetër.

Hidheni vajin në vesh dhe mbajeni kokën të mbështetur për 10 minuta.

Më pas lëvizeni kokën në anën tjetër që të lehtësoni rrjedhjen e vajit dhe shpërlajeni veshin me ujë të ngrohtë.

Thahuni me peshqir dhe përsëriteni procedurën në veshin tjetër.

Glicerina

Për këtë kurë ju nevojiten disa pika glicerinë, ujë, pikatore dhe alkool etilik.

Përziejeni glicerinën me një lugë çaji me ujë.

Merreni masën me pikatore dhe hidheni në vesh duke e mbajtur për 5 minuta.

Pasi e keni lënë veshin të kullojë, përsëriteni procedurën në veshin tjetër.

Thahuni me peshqir dhe hidhni nga tre pika nga alkooli etilik në secilin vesh.

Hudhra

E fundit por jo për nga rëndësia, është hudhra.

Për pastrimin e veshit duhet të prodhoni vajin e hudhrës.

Ju nevojiten dy ose tre thelpinj hudhre, një ose dy lugë gjelle me vaj të farës së susamit dhe një pikatore.

Qërojini dhe shtypini thelpinjtë e hudhrës dhe shtojini në vajin e ngrohur në një tenxhere.

Lërini të kavërdisen së bashku, deri sa hudhra të nxihet.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe më pas prisni deri sa vaji të ftohet.

Kurrë mos hidhni vaj të nxehtë në vesh sepse mund të vuani nga komplikime të rënda.

Kur vaji të jetë ftohur, hiqni copat e hudhrës dhe kullojeni.

Më pas merreni me pikatore dhe hidhni disa pika në secilin vesh.

Vaji duhet të qëndrojë në vesh për disa minuta që të kryejë detyrën e tij.

Më pas duhet të lëvizni kokën dhe të lejoni daljen e vajit. /Agroweb

FOTO/ Po ktheheshin nga një festë familjare, si ndodhi aksidenti me tre viktima dhe disa të plagosur në Gjermani? Minibusi i shqiptarëve u rrokullis disa herë

Një aksident i rëndë automobilistik në Gjermani, ka lënë të vdekur tre shqiptarë dhe disa të tjerë të plagosur rëndë, jashtë rrezikut për jetën.

Sipas mediave gjermane, aksidenti ka ndodhur orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, teksa shqiptarët ishin duke u kthyer në banesën e tyre nga një festë familjare.

Viktimat, një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç, si dhe gjashtë të tjerët që mbetën të plagosur, të moshës midis 20 dhe 66 vjeç, ishin duke udhëtuar me një minibus.

aksidenti gjermani (1)

Shoferi i minibusit një 22-vjeçar mësohet se ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga duke u rrokullisur disa herë.

BILD shkruan se autoritetet nuk kanë konstatuar që i riu të ishte nën efektin e lëndëve narkotike apo alkoolit, por hetimet vijojnë ende.

Mbetet i paqartë shkaku i aksidentit, pasi nuk ka qenë i përfshirë asnjë automjet tjetër.

aksidenti gjermani (2)

Ende nuk dihet identiteti i shqiptarëve të përfshirë dhe kombësia e dy prej të lënduarve.

gjermani tre shqiptare aksidenti