22.5 C
Tirana
E premte, 15 Gusht, 2025

Rama pritet me protesta edhe në Librazhd, ndërhyn policia!

Rama është pritur me protesta edhe në fshatin Rrajcë të Librazhdit. Kryeministri Rama vazhdon turin e tij me takimet me qytetarët e bashkvie të ndryshme dhe gjatë ditës së sotme ka ndaluar në Rrajcë në kuadër të prezantimit të projektit të ujit.

Ky prezantim nuk është pritur edhe aq mirë nga banorët e zonës. Edhe sot ai është pritur me protesta duke bllokuar rrugën hyrëse.

Protestuesit kanë tentuar të bllokojnë lëvizjen e eskortës dhe kryeministrit, por policia ka ndërhyrë duke krijuar normalitet ne qarkullim.

Më pas protestuesit janë shpërndarë paqësisht dhe nuk janë shënuar incidente të tjera.

28 vjet nga masakra që nuk duhet harruar!

Bardh SPAHIA

28 vjet më parë më 2 prill 1991, mbeturinat komuniste në grahmat e fundit, vranë katër qytetarë të Shkodrës: Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu si dhe u plagosën rreth 100 të tjerë. 
Sakrifica sublime për lirinë e katër dëshmorëve të demokracisë, bashkë me dhimbjen, na kujton se akoma nuk eshte përmbushur misioni për të nxjerrë nga institucionet publike bashkëpunëtorët e atij sistemi gjakatar. Asaj proteste kundër manipulimit të zgjedhjeve të 31 Marsit, regjimi komunist iu përgjigj me masakër, e sot e kësaj dite, pasardhësit në pushtet janë të provuar se nuk njohin, vec vjedhjen e zgjedhjeve.
#Nderim#NukHarrojmë

Komisioneri: 22% e emërimeve në administratë, të paligjshme

Emërimet në administratë përgjatë vitit të kaluar nuk duket se kanë respektuar në të gjithë rastet kuadrin ligjor. Institucionet kanë preferuar në një pjesë të mirë t’i lenë vendet vakante ndërkohë që në 22 për qind të rasteve nga monitorimet e bëra nga Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është vënë re se janë bërë në kundërshtim me ligjin.

“Janë mbikëqyrur 1592 pozicione pune, nga të cilat janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligjit; janë evidentuar 357 raste, të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil, të institucioneve të mbikëqyrura, ku përfshihen emërime të kryera në kundërshtim me procedurat e rekrutimit, si dhe raste të nëpunësve ekzistues të cilët nuk plotësojnë kriterin e nivelit të diplomës së arsimit të lartë, ose nuk plotësojnë kriteret për pozicionin e punës ku janë të emëruar; si dhe 275 pozicione janë evidentuar të pa plotësuara” thuhet në raport.

Lidhur me këto raste nga ana e Komisionerit është urdhëruar që personat përgjegjës të rregullojnë pasojat e paligjshmërisë, duke filluar me ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe duke vijuar njëkohësisht me shpalljen e vendeve të lira dhe zhvillimin e rekrutimit, në përputhje me ligjin.

Largimet dhe gjyqet
Raporti i Komisionerit ndalet edhe në largimet nga shërbimi civil të cilat kanë përfunduar nëpër gjykata. Referuar shifrave një pjesë e mirë e atyre që janë shkarkuar duket se kanë rifituar të drejtën për t’u rikthyer në pozicionin që kanë pasur.

“Në institucionet e administratës shtetërore qendrore dhe ato të varësisë 32% (100 raste) e nëpunësve gjyqfitues, janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ndërsa 68% (209 raste) e tyre janë ende në pritje për t’u rikthyer në pozicione pune në shërbimin civil.

Ndërkohë, në institucionet e vetëqeverisjes vendore, në kategorinë e bashkive, në 61 institucione dhe 12 Këshillat e qarqeve janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 41% (62 raste) e nëpunësve gjyqfitues, ndërsa 59% (90 raste) e tyre janë ende në pritje për ekzekutimin e vendimit.

Në kategorinë e institucioneve që përfshijnë Këshillat e Qarqeve, gjendja paraqitet më mirë, pasi janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 60% (38 raste) e nëpunësve gjyqfitues, ndërsa 40% e tyre janë ende në pritje të ekzekutimit të vendimit (25 raste)” thuhet në raport.

Në gjurmët e “Narcos”, linja direkte e kokainës Shqipëri-Amerikë Latine, emrat e kartelit

Në raportin e fundit për luftën kundër narkotrafikut, Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë dhe heroinë direkt nga vendet e prodhimit në Amerikën e Jugut dhe Azi për në Europë.

Pohimi duket se mbështetet nga një sërë faktesh, përfshi shtimin e rasteve kur në Shqipëri janë kapur ngarkesa droge që vinin direkt nga Kolumbia dhe Ekuadori, janë zbuluar laboratorë droge të ndërtuar në bashkëpunim me amerikano-latinë të ardhur në Shqipëri, si dhe vrasje dhe dhunë ndaj shtetasve shqiptarë në vende të ndryshme amerikano-latine.

Më poshtë Exit.al po sjell një përshkrim të shkurtër të rasteve apo dëshmive që tregojnë lidhjen e trafikantëve shqiptarë me vendet burim të kokainës në Amerikën Latine.

Rasti i parë i njohur është në vitin 2001, kur në Shqipëri u kap grupi i parë kriminal i trafikimit të kokainës kolumbiane në Europë. Policia arrestoi 6 anëtarë anëtarë të grupit, ndër ta Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, ky i fundit në atë kohe ishte oficer në Prokurorinë e Përgjithshme.

Operacioni “Operación Journey” i agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, vërtetoi se ky grup kishte patur, që prej vitit 1999, kontakte me kartelin kolumbian të Medellínit, një nga kartelet më të mëdha të drogës në botë, dhe ishte pjesë e një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Kokaina nisej nga Kolumbia në Spanjë dhe më pas në Shqipëri, ku përgatitej dhe bëhej gati për t’u futur në tregun evropiano-perëndimor. Hetimet për këtë grup nisën nga DEA në vitin 1999. Në vitin 2000 u arrestuan 43 anëtarë të rrjetit kriminal dhe në 2001 u arrestuan anëtarët e rrjetit në Shqipëri. Hetimi 2-vjeçar dëshmoi se përmes dhjetëra anijeve ishin transportuar të paktën 60 tonë kokainë nga Kolumbia dhe Venezuela në Europë.

Ky rast ishte domethënës, pasi tregoi që krimi shqiptar kishte filluar të kthente vëmendjen drejt trafikut të kokainës, ndërsa deri atëherë aktiviteti i njohur i grupeve kriminale shqiptare ishin vjedhjet, prostitucioni, trafiku i personave dhe i kanabisit.
Në dekadën që pasoi, përfshirja e organizatave kriminale shqiptare u rrit gradualisht.

Në vitin 2011, Departamenti Amerikan i Shtetit foli për herë të parë për bashkëpunimin e grupeve kriminale shqiptare me ato kolumbiane për trafikimin e kokainës në Evropë. Në këtë vit, u kapën edhe rastet e para të ngarkesave me kokainë me destinacion Shqipërinë.

Më 22 mars 2011, hetimet në portin e Tarragonas në Katalonia gjurmuan një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës. Një grup i lidhur me kartelet kolumbiane dërgonte kokainë nga Kolumbia në Spanja dhe Belgjikë, duke e shkrirë drogën në vaj palme. 52 fuçi me vaj të tillë u identifikuan në portin e Antverpit, të porositura nga një kompani në Gjirokastër, në pronësi të Dhimitraq (Vullnet) Harizajt.

Droga e ardhur me anije në Antverp u transportua me kamionë drejt Gjirokastrës, e gjurmuar nga policitë e disa shteteve në rrugëtimin e saj. Pasi droga arriti në destinacion, ajo u sekuestrua nga policia, e cila arrestoi Dhimitraq Harizajn, që u dënua me 12 vjet burg.

Ky rast tregoi se tashmë ishte vendosur një rruge e re e trafikimit të kokainës drejt Europës përmes Shqipërisë.
Më 12 qershor 2014, policia zbuloi në Laç një laborator kokaine dhe heroine, në një vilë në pronësi të ish-policit Gëzim Çela, 46 vjeç, i dënuar me 6 vite burg në Turqi dhe me 11 vite në Itali për prostitucion dhe trafik droge. Policia arrestoi 11 persona, ndërkohë që shpalli në kërkim Çelën, i dyshuar si kreu i grupit.

Policia gjeti në laborator 7 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë dhe rreth 850 litra përzierës, të sjellë nga vendet e Amerikës së Jugut. U gjetën gjithashtu rreth 100 kilogramë marijuanë. U sekuestruan një makinë e blinduar dhe armë, si pistoleta, snajperë dhe granata dore.

Më pak se një vit pas zbulimit të laboratorit në Laç, më 14 janar 2015, policia shqiptare zbuloi një tjetër laborator droge, në Xibrakë të Elbasanit. Ky ishte laboratori më i madhi i kapur ndonjëherë në Ballkan.

Policia u vu në lëvizje pas informacioneve të marra nga autoritetet gjermane. Në magazinat e ish-depos së rezervave të shtetit, policia kapi 121 kilogramë drogë, prej të cilëve 100 kilogramë ishin kokainë e përzierë, 18 kilogramë kokainë e pastër dhe 3 kilogramë e papërpunuar.

Në laborator u zbuluan gjithashtu rreth 4 tonë përzierës, të sjellë nga Kolumbia dhe Bolivia. Nëntë persona u arrestuan, mes të cilëve dy shtetas kolumbianë Cesar Avila dhe Valter Moreno, ekspertë të përpunimit të kokainës.

Tashmë Shqipëria ishte vendosur në hartën e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut. Bandat shqiptare po rrisnin gradualisht ndikimin në trafikun e kokainës në Evropë, duke kaluar gradualisht nga transportues të kokainës kolumbiane në kontrollues të të gjithë trafikut.

Më 5 qershor 2014, nga Ekuadori mbërriti në Mal të Zi një ngarkesë me 250 kilogramë kokainë, e fshehur në një kontenier bananesh. Ngarkesa ishte porositur nga kompania Rrapo, në pronësi të Dritan Rrapaj dhe të ëmës Nezike Rrapaj në Fier. Destinacioni i drogës, me vlerë 12,5 milionë euro, ishte Italia dhe Franca, por hetimet e autoriteteve shqiptare nuk gjetën prova që ta përfshinin familjen Rrapaj në trafik.

Më 7 qershor 2014, në Ekuador u arrestua Dritan Rexhepi (34 vjeç) nga Vlora dhe dhjetëra të tjerë pas një operacioni policor në Quito, ku u kapën 278 kilogramë kokainë. Rexhepi mbante emër të rremë, por u identifikua falë të dhënave të Interpolit, pasi dyshohej për një sërë krimesh të rënda, përfshi vrasje me pagesë, trafik droge dhe grabitje bankash në Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë.

Në Shqipëri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1999.
Më 30 maj 2017, u vra në një lagje të Guayaquilit në Ekuador Ilir Hidri, 40 vjeç, nga Vlora. Autoritetet vendase e lidhën vrasjen e tij me trafikun e drogës.

Pak muaj më pas, në të njëtin qytet, më 8 nëntor 2017 u sulmua Remzi Azemi nga Kosova. Ai u qëllua me 4 plumba teksa po udhëtonte me bashkëshorten dhe vajzën e tij me një makinë të blinduar, dhe i mbijetoi atentatit. Azemi kishte shtetësi ekuadoriane dhe jetonte prej 8 vitesh atje. Autoritetet e Ekuadorit po e hetonin për trafik dhe për lidhje të mundshme me vrasjen e Ilir Hidrit.

Më 27 shkurt 2018, u kap në Maminas ngarkesa më e madhe e kokainës në Shqipëri. Pas njoftimeve nga Gjermania, Policia shqiptare kapi 613 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 180 milionë euro. Ngarkesa vinte nga Kolumbia dhe i përkiste rrjetit Clan del Golfo.

Ajo u gjet brenda një kontenieri me banane të porositura nga kompania “Arbri-Garden” në pronësi të Arbër Çekajt. Ky u arrestua në Dusseldorf të Gjermanisë më 4 maj 2018. Sipas burimeve nga Policia, në dhjetor të vitit 2015, policia kishte kapur 90 kilogramë kokainë në Ekuador, sërish të porositura nga Arbër Çekaj.

Në prill 2018, në Bogotá u vra Adriatik Lagji nga Saranda, i cili jetonte prej 14 vitesh në Kolumbi. Sërish dyshimi kryesor për vrasjen e tij është përplasja për trafikun e kokainës.

Më 1 maj 2018, në një operacion të DEA-s amerikane dhe policisë spanjolle u arrestuan në Spanjë Julian Deblini (Gjoka) dhe Dritan Gradica (Arjan Ndoci), si dhe tre persona të tjerë. Ata ishin pjesë e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Kolumbia me anë të fluturimeve charter.

Atyre iu kap rreth 1 ton kokainë e importuar nga grupi Clan del Golfo dhe 1,5 milionë euro në të holla. Aktiviteti i grupit shtrihej edhe në Shqipëri, si për trafikun e drogës, ashtu edhe pastrimin e parave.

Më 19 tetor 2018, policia zbuloi laboratorin e tretë të drogës në vend, në fshatin Brenog të Hasit. Policia kapi 100 kilogramë opium me prejardhje nga Azia, e cila shërbente si lëndë e parë për prodhimin e heroinës. Përzjerësit e përdorur për prodhimin e drogës ishin importuar nga Kolumbia.

Policia arrestoi 5 persona, ndërsa 17 persona u shpallën në kërkim, përfshi dy shtetasit turq Iskander Saleh dhe Nedjet Cersuroglu. Pronari i laboratorit ishte Admir Hoxha. Më 24 janar 2019, turku Nedjet Cersuroglu u gjet i vdekur në një apartament në qytetin e Prishtinës në Kosovë, në rrethana të paqarta.

Hetimet vërtetuan përfshirjen e 4 grupeve kriminale të trafikut të drogës që shtrijnë aktivitetet e tyre në Shijak, Lezhë, Fier dhe Sarandë. Sipas policisë, laboratori mund të ketë prodhuar më shumë se 180 kilogramë drogë.

Më 30 janar 2019, për llogari të autoriteteve italiane policia shqiptare arrestoi në zonën e ish-bllokut në Tiranë, Dorian Petokun. Sipas mediave italiane, ai ishte i përfshirë me klanin roman të Casamonicas, që trafikonte 5 deri në 7 ton kokainë në vit nga Amerika Latine në Itali. Petoku, së bashku me një shtetas malazez, thuhet se kishte rolin e ndërmjetësit të çmimit të drogës me narkotrafikantët kolumbianë.

Në mars 2019, Departamenti i Shtetit në raportin e tij vjetor për trafikun e drogës shprehet se tashmë Shqipëria është bazë operacionale për grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Europë.

“Exit.al”

Betimi i Bashës nga Shkodra: Do ta fitojmë betejën me çdo sakrificë si në 2 Prillin ‘91

Kryetari I PD, Basha është betuar nga Shkodra në kujtim të 28 vjetorit të Masakrës së 2 Prillit se Shkodra dhe e gjithë Shqipëria do ta fitojë betejën me regjimin duke qenë të gatshëm për çdo sakrificë ashtu si në 2 Prillin ’91.

“Ne jemi në këmbë, Shkodra dhe Shqipëria është në këmbë, prandaj kjo është garancia se do ta fitojmë këtë betejë, do ta fitojmë pa pyetur për çmimin e sakrificës si me 2 Prill 1991 edhe më 2 Prill 2019, dhe çdo ditë kjo është e njëjta betejë për demokraci dhe fundi i saj do të jetë fitorja e kësaj beteje”, tha Basha.

Basha ka kujtuar se 2 prilli hyri në historinë tonë kombëtare dhe asnjëherë nuk do të reshtim së nderuari një datë që tashmë në Shkodër është adresë tek ky shesh e për Shqipërinë një leksion i hapur se asnjëherë rrënjët e së keqes nuk thahen, nëse s’i shkulim njëherë e mirë.

“Ikëm nga parlamenti, nga ajo strofull e krimit, pasi do të ishte sikur të ishim këtu, me 2 prill të 1991, por në anën e kundërt, jo në anën e protestuesve, jo në anën e Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës, por në anën e Komitetit të Partisë së Shkodrës.

Diktatura deshi ta bënte shembull Shkodrën, ta përçudnonte, t’i tregonte botës se e ktheu Jeruzalemin tonë në një vend pa Zot. Por siç u ngjall në Jeruzalem Krishti, këtu u ringjall Feja, besimi në Zot.

Shkodra e ka shkishëruar shitblerjen e votës, Shqipëria do ta bëjë hasha këdo që shet e blen votën, e gjithë Shqipëria do ta përzë regjimin e hajnit që po na turpëron përditë e po na largon nga Evropa

Nuk ka vegla të verbra e as gaz lotsjellës që ia sjellin qetësinë Edi Ramës. Protesta madhështore e shkodranëve dhe e gjithë shqiptarëve ka vetëm një përfundim, fitoren”, tha Basha.

Fjala e plotë e Bashës në memorialin e 2 Prillit

28 vite më parë diktatura komuniste në grahmat e fundit vendosi të hakmerrej ndaj qytetit më meritor në rrëzimin e saj.
Katër 20 vjeçarë, nga më të zotët në përpjekjen shkodrane dhe mbarëkombëtare për rrëzimin e regjimit që më herët, kryeqyteti i veriut e kishte tronditur edhe me satirë e me bejte, u identifikuan, u përcaktuan dhe u ekzekutuan nga bisha që po jepte shpirt.
Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Çeka u vranë dhe ranë në altarin e demokracisë.

Ata u bënë theror dhe hynë në përjetësinë e Shkodrës dhe të Shqipërisë. 2 prilli hyri në historinë tonë kombëtare dhe asnjëherë nuk do të reshtim së nderuari këtë datë, që tashmë në Shkodër, është adresë dhe ky shesh për Shqipërinë është kujtesë e përhershme se rrënjët e të keqes nuk thahen, nëse nuk i shkulim një herë e mirë.

Rrënjët e të keqes ushqehen me vesin, ushqehen me krimin e pandëshkuar. Sot Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë ia merr ajrin një shartesë, një mostër sa politike aq dhe kriminale e cila është rritur nga mungesa e vëmendjes, nga pandëshkueshmëria, nga indiferenca dhe tolerimi.

Kjo mostër është qeverisja me krimin që mbijeton edhe për shkak se nuk i nxorëm siç duhet përgjegjësitë e 2 prillit 1991.
2 prilli si bashkëjetesë e krimit me qeverinë ka sot fytyrën e krerëve të qeverisë dhe të parlamentit, ka sot dorën e zezë që godet dhe përgjak qytetet tona, ka sot shtrëngesën dhe dangën e varfërisë mbi gjithë shqiptarët, ka sot vulën e emigracionit mbi pasaportat e mbi 500 mijë qytetarëve tanë, ka sot kuvendin e turpit, kuvendin e krimit, kuvendin e denjë trashëgimtarë të krimit të 2 prilli.

Prandaj ne ikëm nga ajo strofkull e krimit pasi po të mos iknim do të ishte njësoj sikur të ishim këtu më 2 prill të vitit 1991 por në anën e kundërt, jo në anën e protestuesve, jo në anën e liberatorëve, jo në anën e Arben Brocit, Nazmi Kryeziut, Bujar Bishanakut dhe Besnik Cekës por nën anën e komitetit të krimit, komitetit të partisë së Shkodrës.

Sot në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë është e ngjashme situata me vitin 1945 të cilën fare shkurt dhe qartë, At ZefPllumbi e tregon me këto fjalë: “Shqipënia e terrorizume kishte ranë në koma, njerëzit e ditun nuk dishin ma kurrgja dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithçka , atë që nuk dihej.”

Pra, njerëzit e ditur nuk dinin si të mbroheshin sepse të paditurit ishin gati të bënin gjithçka, edhe atë që nuk merrej me mend e s’thuhej akoma. Ky është realiteti i sotëm që na sjell në kujtesë që e vetmja gjë që i duhet të keqes dhe të ligut të triumfojë është indiferenca dhe mosaktivizimit i të drejtit dhe të diturit.

Prandaj në këtë 28 vjetor nuk tingëllon kurrë më aktuale sakrifica e dy prillit se sa sot. Sepse asnjëherë nuk ka qenë më e kërcënuar demokracia, liria për të zgjedhur me votë dhe për tërëzuar me votë qeverinë .

Nëdelir nga aleanca e politikës me krimin, e krimin politik që vijon të përgjakë Shkodrën dhe të gjithë Shqipërinë, shëmbëlltyra e këtij regjimi mendon se mund ta likuidojë opozitën, se mund të bëjë edhe pa të, edhe se mund ta marrë Shkodrën edhe pa zgjedhje e mund ta mbajë Shqipërinë pa zgjedhje e nën zgjedhë, për sa kohë t’i nevojitet mundësisht, përjetësisht.

Kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk ka vegla të verbra, as gaz lotsjellës, as afije, as aparat shtypës, që mund të rikthejë qetësinë e kufomës politike të “Rilindjes”, trashëgimtares së denjë të krimit të 2 Prillit të vitit 1991.

Protesta madhështore e shkodranëve dhe e gjithë shqiptarëve ka vetëm një përfundim, të njëjtin përfundim që pati protesta e 2 Prillit dhe sakrifica e 4 bijëve më të mirë shkodranë, rrëzimin e diktaturës, triumfin e lirisë, triumfin e demokracisë.

Në këtë përvjetor të kujtesës së heronjve të 2 Prillit të vitit 1991 dhe plagosjes të mbi 100 bashkëqytetarëve të tyre, s’mund të rrimë pa përmendur një turp, një marre, një ofendim që komunizmi i bëri Shkodrës.

Askund ku kam shpelur në mbarë Shqipërinë, nuk jam vënë më shumë në mendime, se sa me ardhjet e mia në Shkodër, kur kujtoj këtë ofendim, këtë shkelje dhe përdhosje që komunizmi i bëri Shkodrës.

Në Shkodër, në kryeqytetin e parë të shqiptarëve, në kryeqytetin e lirisë, në qytetin që ka dëshmitë më të pandërprera tëqytetërimit tonë, të gjuhës sonë, të muzikës sonë, të tregjeve tona, të monedhave tona, të institucioneve tona kulturore e shtetërore, përmbledhjeve të para të mitologjisë sonë, institucioneve tona të kultit, shenja dhe simbole që e klasifikojnë Shkodrën si Jeruzalemin tonë, Jeruzalemin e shqiptarisë, komunizmi gjakatar vendosi ta shenjojë duke hapur të parin muze ateist të botës, pra të parën parrullë të një qytetërimi të pazotë, e ku? Mu në Shkodrën e krenarisë dhe qytetërimit.

Diktatura kësisoj donte ta bënte Shkodrën shembull, ta përçudnonte, t’i tregonte botës se e ktheu Jeruzalemin tonë në një vend të pazotë, ajo qëpërqafron tej mase Jeruzalemin dhe Shkodrën është sakrifica.

Atje para dymijë vjetësh u kryqëzua Krishti, këtu pas dymijë vjetësh u kryqëzua besimi në Zot, atje u Krishti u ngjall, këtu u ringjall feja, siç e tha shumë bukur Papa Gjon Pali i II-të. Por sot në Shkodër, ngrihen mbijetuese Katedralia e Madhe dhe Xhamia e Madhe.

Zombi i diktaturës ka mbetur aty në cep përtej Urës së Bunës, s’ka mundur të hyjë në qytet, as në institucione dhe nuk kemi për ta lejuar të hyjë më kurrë! Shkodra e ka shkishëruar shitblerjen e votës. Shkodra do ta bëjë hasha këdo që shet dhe blen votën.

E gjithë Shqipëria po bëhet gati edhe një herë nën shembullin dhe lidershipin e Shkodrës ta përzë regjimin e hajnit që po na turpëron përditë, po na largon nga Europa dhe po na degdis në shembuj që asnjëherë nuk kanë qenë shembuj për shqiptarët.

Sot është dita jo vetëm t’i drejtohem Shkodrës dhe shkodranëve, me mirënjohjen më të thellë që më del nga shpirti, si Kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës si shqiptar, por po kështu t’i them Shkodrës dhe shkodranëve së bashku me dhimbjen e thellë, nderimin dhe përkujtimin për katër heronjtë e 2 Prillit, jeni dhe duhet të jeni, jemi dhe duhet të jemi krenarë për këtëçmim kaq të lavdishëm që keni vendosur në altarin e lirisë dhe të demokracisë.

Mostra që shkaktoi 4 Dëshmorët e 2 Prillit dhe qindra qytetarëve të plagosur, nuk ka vdekur. Ajo po përpëlitet si bishë e plagosur prandaj ne jemi sot të thirrur sërish nga historia. Shkodra është e thirrur nga historia, Shqipëria është e thirrur nga historia për t’u ngritur me sytë nga e ardhmja.

Dhe unë jam plotë besim këtu në këtë qytet, më shumë se kudo tjetër se ne do të jemi në lartësinë e misionit, do të jemi në lartësinë e thirrjes së pavdekshme: “E duam Shqipërinë si gjithëEuropa”, e cila do të triumfojë mbi çdo tentativë për riciklimin e diktaturës, mbi mostrat e 2 Prillit 1991 që sot kërkojnëserish të mbajnë në këmbë një pushtet hajdut dhe racist.

Ne jemi në këmbë, Shkodra dhe Shqipëria është në këmbë, prandaj kjo është garancia se do ta fitojmë këtë betejë, do ta fitojmë pa pyetur për çmimin e sakrificës si me 2 Prill 1991 edhe më 2 Prill 2019, dhe çdo ditë kjo është e njëjta betejë për demokraci dhe fundi i saj do të jetë fitorja e kësaj beteje.

Si atëherë, si sot, populli i Shkodrës është i rreshtuar në të njëjtën anë të barrikadës dhe unë jam krenar të jem në krah të popullit të Shkodrës, bashkë me Partinë Demokratike, bashkë me opozitës, në krahun tonë janë vlerat më të shenjta të lirisë dhe demokracisë, vlerat e aleatëve tanëeuropian dhe amerikan, prandaj unë e di siç e dini edhe ju, siç e di Shqipëria mbarë se ne do të fitojmë.

Ministri holandez pasi takoi Lleshin: Bandat po fitojnë gjithnjë e më shumë pushtet…

Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë në Holandë Ferdinand Grapperhaus pas vizitës që ka pasur pak ditë më parë në vendin tonë, në një prononcim për mediat në vendin e tij, është treguar mjaft kritikë me Shqipërinë, duke thënë se duhet të bëjë më shumë punë për frenimin e kriminelëve.
Grapperhaus është shprehur se bandat shqiptare janë kthyer në një rrezik mjaft të madh për Hollandën, dhe janë ndër furnizueset kryesore të kokainës.
“Bandat shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë pushtet. Kriminelët shqiptarë punojnë në mënyrë të organizuar, janë kthyer në partner të besueshëm dhe për kriminelë të vendeve të tjera.
Bandat shqiptare të kokainës aktive nga Amerika e Jugut deri në Limburg. Kokaina hyn nga shqiptarët përmes portit të Roteradmit. Shqipëria duhet të mendojë seriozisht për zgjidhjen e problemit”, është shprehur Grapperhaus.
Ndërkohë qe mediat në Holandë raportojnë se shqiptarët janë të vështirë që të identifikohen, pasi ata nuk lëvizin me makina të shtrenjta dhe nuk e reklamojnë jetën e luksit.

A mund të jetohet përjetësisht duke transplantuar organet jetësore?

Koha është e çmueshme dhe, me shumë gjasë, shumica prej nesh do të mund të jetonim më gjatë nëse do të arrinim të bënim një stil më të shëndetshëm të jetesës. Është një pyetje interesante se a mundet një person ta zgjatë jetën e vet duke i ndryshuar vazhdimisht organet..
Vetëm imagjinojeni të ndërroni diçka (në këtë rast organ) tuajin që është duke ndaluar së funksionuar. Si një pjesë të veturës apo kompjuterit.

Mënyrë interesante për të jetuar më gjatë, apo jo? Pra, a jeni kureshtarë të dini nëse është e mundur të jetoni përgjithmonë nëse do të mund t’i transplantoni organet me shumë lehtësi

Fillimisht, nuk duket një gjë aq e pamundshme transplantimi i lehtë i organeve në të ardhmen e afërt. Por, pyetja mbetet se a mundet kjo gjë të na bëjë të jetojmë më gjatë.
Ekziston historia për David Rockefeller, i cili i kishte pasur 7 transplantime të zemrës dhe 2 të veshkave për 20 vjet. Ai kishte jetuar deri në moshën 101 vjeçare.

Por, kostoja e transplantimit të organeve mund të jetë shumë e lartë. Ju duhet të paguani 500 dollarë për shpatulla, 1500 për sytë, ndërkaq transplantimi i zemrës kushton më shumë se 250,000 dollarë. Totali sigurisht se kalon shumë prej 1 milion dollarëve.

Në anën teorike, po, ne do të mund të jetonim më gjatë. Transplantimi i zemrës dhe veshkave mund të na zgjatë jetën dhe të na ndihmojë të jetojmë deri në 20 vjet më shumë. Por, ne nuk duhet t’i harrojmë as komplikimet pas ndërhyrjeve kirurgjike, duke përfshirë infeksionet dhe refuzimin e organeve.

Sistemi jonë i imunitetit mund të jetë i dobët, gjë e cila ndikon që shpeshherë t’i refuzojë organet e transplantuara. Fatmirësisht, shkenca mjekësore është vazhdimisht në zhvillim dhe tani kanë gjetur një zgjidhje me ndihmën e qelizave amë. Këto qeliza amë mund ta ndihmojnë trupin të adaptohet lehtë dhe të mos i refuzojë organet e transplantuara.

Por, le ta bëjmë një kalkulim të thjeshtë se sa shumë operacione duhet t’i kryejmë për të jetuar 1,000 vjet.

* Një pacient mund të jetojë 10-15 vjet më gjatë me një transplantim të veshkave, prandaj 66 transplantime të tilla janë të nevojshme për të jetuar 1,000 vjet
* Transplantimet e zemrës ua shtojnë pacientëve mesatarisht 20 vjet, prandaj duhen 50 operacione të tilla

* Transplantimet e mëlçisë mund t’ua zgjasin pacientëve jetën për rreth 30 vjet. Pra, për të jetuar 1,000 vjet, pacienti duhet t’i kryejë 33 transplantime të mëlçisë
* Transplantimet e mushkërive e rrisin jetën deri në 10 vjet. Për të jetuar 1,000 vjet, nevojiten 100 transplantime të tilla

* Transplantimet e zorrëve ua shtojnë pacientëve mesatarisht 5 vjet jetë. Pra, nevojiten 200 operacione të tilla.

Vetëm në teori, transplantimi i organeve mund ta rritë jetëgjatësinë, por se vazhdimisht duhet ta rinoni trupin dhe ndërhyrjet kirurgjike i bartin rreziqet e veta.

Në një mënyrë apo tjetër, edhe nëse procesi i plakjes së organeve vitale do të ngadalësohej e ndihmën e transplantimit të organeve, ka faktorë tjerë të cilët nuk na lejojnë të jetojmë përgjithmonë apo aq gjatë.

P.sh. mund të jetë jetëgjatësia e ADN-së e cila na ngulitet qysh prej momentit kur lindemi.
Në parim, shanset tuaja janë të ira për të jetuar më shëndetshëm pas një transplantimi, por të mendoni se mund të bëni transplantime vazhdimisht për të jetuar më gjatë se tjerët është diçka që ende nuk është konfirmuar nga shkenca.

Masakra e 2 Prillit/ Nëna e Besnik Cakës: Djalin ma vrau Gramoz Ruçi, Edi Rama nuk e do Shkodrën sepse…

“Me urdhër të Gramoz Ruçit janë vrarë dhe ekzekutuar djemtë tanë. As në Luftën e Dytë botërore nuk është bërë një masakër si ajo e 2 prillit,’ është shprehur nëna e njërit prej viktimave të tragjedisë së 2 prillit, Besnik Cakës. 
Në ceremoninë përkujtimore ndodhen edhe familjarët e viktimave të 2 prillit. Nëna e Besnik Cakës, njëri prej viktimave është shprehur se djalin e saj e vrau Gramoz Ruçi.
“Për ngjarjen e dy prillit gjithkush mund ta dijë sesi ka ndodhur, Shkodra atë ditë ka përjetuar një tmerr, as lufta e dytë botërore nuk ka ndodhur ashtu si e bëri Gramoz Ruçi këtu. Edi Rama nuk e do Shkodrën, se Shkodra është e para që i dha shkëndijën demokracisë. Djemtë tanë u vranë me snajper me urdhër të Gramoz Ruçit që ishte ministër i brendshëm. Shumë mirë e përmend 21 Janarin, pse nuk e përmend 2 Prillin. Unë kërkoj që Gramoz Ruçi të mos jetë më në Kuvend. Djemtë tanë ranë për një demokraci të pastër, jo për një Shqipëri të mbytur me drogë dhe me korrupsion. Unë jam e zhgënjyer sa herë e shoh në Kuvend, nuk dua t’ja shikoj surratin”, u shpreh Maja Caka.
Theksojmë se Gramoz Ruçi ka qenë ministër i Brendshëm në vitin 1991 dhe akuzohet se ka dhënë urdhërin për vrasjen e 4 djemëve të rinj.

Shenjat që tregojnë se nuk merrni frymë në gjumë

Apneja në gjumë lidhet me punën e çrregullt të zemrës, hipertensionin, madje edhe me gjakrrjedhjen në tru dhe infarktin. Zbulimi i hershëm dhe terapia mund të zvogëlojnë rrezikun nga pasojat e dëmshme, mirëpo më parë duhet patjetër të jeni të ndërgjegjshëm që diçka vërtet po ndodh. Këto janë shtatë shenjat më të njohura që keni problem me apnenë në gjumë.

Vazhdimisht jeni të lodhur
Kur pushoni të merrni frymë truri dërgon sinjale që të zgjoheni, ndërkaq ju për këtë gjë fare nuk jeni të ndërgjegjshëm.

Truri duhet të jetë i zgjuar së paku 30 sekonda për të kuptuar që jeni zgjuar, ndërkaq zgjimi edhe për pak sekonda është i mjaftueshëm që të çrregullojë gjumin dhe që në mëngjes të zgjoheni të lodhur.

Gërhitni zhurmshëm
Frymëmarrja nëpërmjet rrugëve pjesërisht të mbyllura shkakton vibracione të cilat shkaktojnë tinguj gërhitjeje, mirëpo më të rrezikshme janë pauzat të cilat shfaqen midis gërhitjes.

Personi me të cilin ndani shtratin mund të vërejë që ju, krahas gërhitjes, kohë pas kohe edhe gurgulloni duke u përpjekur që sërish të merrni frymë.

Mund të flini kurdo qoftë dhe kudo qoftë
Gjumi i panatyshëm shkaktohet zakonisht nga sëmundja ose dobësia. Në rastin konkret lagështia e trupit do të rritet dhe do t’i pengojë aktivitetet normale të trurit dhe do të shkaktojë pikëllim, humbjë të vitalitetit dhe gjumë të zgjatur.

Jeni në humor të keq dhe keni problem me kujtesën
Kur zgjoheni më shumë se 15 herë gjatë natës, trupi juaj nuk bie në fazën e pushimit të thellë dhe regjenerues.

Kjo shprehet negativisht në punën e qendrës së kujtesës në tru, andaj keni problem që të kujtoheni ku e keni parkuar veturën apo çfarë duhet të blini kur hyni në dyqan.

Dhembja e kokës në mëngjes
Kur humbni frymëmarrjen derisa flini gjumë, trupit tuaj i mungon oksigjeni, posaçërisht trurit. Prandaj zgjoheni me dhembje koke çdo mëngjes. Kjo nuk është dhembje e zakonshme e kokës, ajo e cila kalon për një orë pas zgjimit kur truri juaj këndellet dhe merr mjaftueshëm oksigjen.

Shkoni në tualet natën
Kjo quhet nokturi, kur zgjoheni më lehtë sepse nuk bini në fazën e gjumit të thellë, prandaj mendoni që kjo është për shkak të nevojës që të zbrazni fshikëzën.

Goja dhe fyti i thatë
Kur gërhitni, ajri kalon nëpër gavrën tuaj të gojës dhe than mukozën për këtë shkak edhe zgjoheni me gojë dhe fyt të thatë. Çfarë duhet të ndërmerrni nëse dyshoni që keni këtë problem?

Nëse cilado qoftë prej këtyre simptomave ju duket e njohur, menjëherë shkoni te mjeku. Ai do t’ju dërgojë për analizë të gjumit ku do të konstatojë se cili është vërtet problemi që keni kur flini gjumë. Nëse pushoni të merrni frymë më shumë se pesë herë gjatë natës, mjeku juaj do t’jua rekomandojë terapinë adekuate.

Mjekët japin alarmin, rezistenca ndaj antibiotikëve vret më shumë se kanceri

Rezistenca ndaj antibiotikeve pritet që të vret më shumë se kanceri ka deklaruar mbrëmë politikani britanez, George Osborne. Në mungesë të ilaçeve të reja, infeksionet e shpeshta do të jenë përgjegjëse për vdekjen e miliona njerëzve në vit deri në 2050-tën, që është më shumë se vdekjet e tanishme nga kanceri që janë 8 milion në vit.

Përveç ndikimit shëndetësor, mungesa e medikamente ve adekuate, do të ketë edhe pasoja ekonomike, deklaroi Osborne, shkruan Daily Mail. Në fjalimin e tij tek Fondi Monetarë Ndërkombëtare në Uashington, ka theksuar nevojën urgjente për zhvillimin e antibiotikeve të rinj, njëkohësisht ka bërë thirrje për shtetet që të ofrojnë çmime milionëshe për kompanitë farmaceutike të cilat krijojnë ilaçe të reja.

Përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve ka ulur efektivitetin e tyre si dhe ka bërë që bakteret të jenë më rezistente. Ekspertë mjekësorë kanë paralajmëruar për një të ardhme katastrofike ku infeksionet e rëndomta do të jenë vdekjeprurëse, ashtu siç ishin para zbulimit të penicilinës në vitet e 20-ta.

Kjo mund të çoj në një situatë ku lëndimet më të lehta si dhe operacionet të përfundojnë me fatalitet. Kanë kaluar përafërsisht dy dekada që nga zbulimi i një klase të re antibiotikësh.