25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

DASH: Në Shqipëri po pastrohen para me ndërtime

Akuzat e opozitës se krimi i organizuar po pastron para përmes sektorit të ndërtimit janë konfirmuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në raportin për Kontrollin e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve, që i është paraqitur Kongresit amerikan, DASH e ka klasifikuar Shqipërinë për të tretin vit radhazi, si vend kryesor të pastrimit të parave në botë, duke listuar dhe sektorët se ku mafia pastron të ardhurat që burojnë nga krimi.

“Ndërtimi, projektet e zhvillimit të biznesit dhe lojrat e fatiti janë metodat më prevalente për pastrimin e parave të krimit në Shqipëri,” thuhet në raportin e DASH, të publikuar një ditë më parë. Sipas raportit, në vitin 2018 Shqipëria miratoi një ligj që ndalon lojrat e fatit, i cili pritet të kufizojë disi aftësinë e krimit për të pastruar paratë.

Megjithatë dy sektorët e tjerë të ekonomisë, ai i ndërtimit dhe investimet në biznes mbetet sërish fusha ku pastrohen qindra milionë euro në vit, të cilat vijnë nga trafiqet dhe korrupsioni.

Kredia bie, ndërtimi rritet
Vetëm vitin e kaluar, në Shqipëri u dhanë lejë ndërtimi me vlerë 470 milionë euro, pjesa dërrmuese e të cilave do të ndërtohen në Tiranë. Sektori i ndërtimit po përjeton ndoshta ditët më të vrullshme të tij sic konfirmohet nga rritja me disafish e lejeve të ndërtimit së dyti projektet ambicioze të bëra publike nga vetë ndërtuesit që kanë kthyer vendin në një kantier në shumë zona.

E vetmja që duket se nuk po konfirmon këtë trend të ndërtimit është Banka e Shqipërisë, më saktë tendenca e kreditimit. Vrulli i ndërtimeve në kryeqytet dhe kredia për këtë sektor në Tiranë po shkojnë në drejtime të kundërta. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se teksa ndërtimi zgjerohet vrullshëm, kredia për këtë sektor është më rënie.

Ky paradoks ekspozon edhe më qartë dyshimet se sektori i ndërtimit po financohet me para jashtë rrugëve formale, të cilat burojnë nga aktivitetet e paligjshme, veçanërisht trafiku i drogës, por edhe korrupsioni. Një dyshim që tashmë konfirmohet edhe nga Departamenti i Shtetit.

Zëri i Amerikës: Ngjaret që ndezën luftën në Shkodër

Vrasja të shtunën në Shkodër e dy vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali ka rikthyer vëmendjen tek grupet kriminale që, prej vitesh, veprojnë në këtë qytet. Ibrahim Bilali, 61 vjeçar, ishte drejtues i shoqatës ‘2 Prilli 1992’, ndërsa vëllai i tij, Astriti 59 vreçar, ishte kampion i garave të hipizmit.

Policia njoftoi se ‘shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të cilët, pas ngjarjes, janë larguar me një automjet, i cili është gjetur duke u djegur në një rrugicë, në brendësi të lagjes ku ka ndodhur ngjarja’.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili mbërriti në Shkodër pak orë pas ngjarjes, në përfundim të një analize thuajse katër orëshe me ekspertët e policisë vendore dhe atyre të ardhur nga Tirana, deklaroi se ‘tentakulat e krimit te organizuar kanë arritur përsëri të godasin’ dhe se pista kryesore që po ndiqet nga policia për zbardhjen e vrasjeve është ‘ajo e larjes së hesapeve’.

Dyshimet e para të policisë lidhen me hakmarrjen dhe përplasjen mes grupeve kriminale si dhe aktivitetin e djalit të Astrit Bilalit, Asmirit, një ish-kampion i sportit të boksit, i arrestuar në shtator të vitit të kaluar si pjesë e grupit kriminal ‘Bajri’.

Rreth një vit më parë, ish-Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pati deklaruar se në Shkodër veprojnë 4 grupe kriminale, por pa identifikuar asnjërin prej këtyre grupeve.

Në të vërtetë, grupet kriminale që veprojnë në Shkodër kanë një histori më shumë se 25 vjeçare, mbushur me vrasje, kërcënime, trafik droge, prostitucion, rrëmbim të pronave, etj. Gjatë viteve, disa prej grupeve u larguan nga skena pas vrasjes së drejtuesve të tyre. Mbijetuan grupet më të fuqishme, ato që ishin organizuar në bazë familje.

Veprimtaria dhe mbijetesa e tyre deri më sot i dedikohet mosndërhyrjes në territoret dhe veprimtarinë e njëri-tjetrit dhe aftësisë për të mbështetur grupimet politike, herë të majta e herë të djathta, sipas rotacionit në qeverisje.

Por, qetësia mes grupeve u përmbys në 13 janarin e vitit të kaluar, pas një atentati me lëndë shpërthyese të telekomanduar ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Sipas policisë, ai ishte një figurë e njohur e krimit në Shkodër. Në këtë atentat, të kryer fare pranë tregut më popullor të qytetit, mbetën të plagosur 8 persona, mes të cilëve edhe vetë Kulla.

Ngjarja u pasua nga atentate të njëpasnjëshme ku, deri tani, kanë mbetur të vrarë 9 persona ndërsa dy të tjerë figurojnë të zhdukur.

13 janar 2018, atentat kundër biznesmenit Lulzim Kulla në afërsi të tregut popullor të qytetit të Shkodrës.

Qershor 2018, zhduken pa gjurmë Gëzim Hysa dhe nipi i tij Agron Molla.

18 qershor, ekzekutohet me armë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi.

15 korrik, vriten në një atentat, në hyrje të banesës, ish-polici Boran Bercana dhe Silvi Ndoci, bashkëjetuese me të.

8 gusht 2018, vritet Fatbardh Lici, kunati i Lulzim Kullës dhe vellai i Mustafë Licit. Ky i fundit këshilltar bashkiak dhe drejtues i një partie politike me shtrirje lokale.

1 shtator 2018, vritet biznesmeni Arjan Ferracaku teksa po kaloronte bashkë me Asmir Bilalin. Dyshohet se autorët e atentatit ngatërruan shenjestrën.

14 nëntor 2018, në tregun popullor të Rusit vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut.

20 mars 2019, në fshatin Grudë vritet Nard Polia, pronar i një bujtine në Theth, pjesëtar i administratës së Zonave të Mbrojtura.

30 mars 2019, vriten në derën e shtëpisë së tyre vëllezërit Bilali.

Policia nuk ka arritur të parandalojë asnjë prej këtyre ngjarjeve të rënda kriminale që kanë tronditur banorët e Shkodrës dhe që kanë patur jehonë brenda dhe jashtë vendit.

Vrasja e biznesmenit Arjan Ferracaku, në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar, dhe tronditja e sigurisë në Shkodër ishin arsyet që opozita e bashkuar bojkotoi seancën plenare të sesionit të ri parlamentar. Përfaqësuesit e opozitës u mblodhën në Shkodër duke denoncuar situatën kriminale në këtë qytet dhe duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin.

Duket se ky tencionim i situatës politike në vend i dha shtysë policisë që të nisi me shpejtësi operacionin ‘Oazi’ për shkatërrimin e njërit prej grupeve më të fuqishëm, grupit Bajri. Operacioni policor, një ndër më të mëdhenjtë e zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, u shtri në Shkodër, Tiranë, Spanjë dhe Roterdam të Holandës duke çuar në arrestimin e 12 anëtarëve të këtij grupi, përfshirë edhe drejtuesit e tij. Kjo duket se qetësoi për disa muaj situatën e rendit në qytetin e Shkodrës, derisa në mëngjesin e të shtunës, 30 mars 2019, u vranë dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo që risolli në vëmendje deklaratën e ish-Ministrit Xhafaj se në Shkodër vepron jo një, por katër grupe kriminale.

Ndryshe nga sa pritej, operacioni policor i koduar ‘Oazi’ nuk i dha fund vrasjeve dhe as hakmarrjes mes grupeve kriminale të Shkodrës. Këtë e pranoi edhe vetë Ministri Lleshaj në ditën e vrasjes së vëllezërve Bilali kur tha se ‘ megjithë goditjet që i janë dhënë krimit në Shkodër, prapë rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende. Metastazat e këtij krimi treguan se janë gjallë dhe kanë mundësi të godasin’.

Trafik droge nga Shqipëria, 9 të arrestuar në Itali

Një organizatë kriminale që merrej me trafik droge nga Shqipëria në Itali është goditur në një aksion të autoriteteve ligjzbatuese italiane, raportuan këtë të hënë mediat lokale.
Antidroga italiane ekzekutoi sot operacionin antidrogë të koduar “Sfizio” i cili çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte drogë mes Shqipërisë e Italisë e kryesisht në territorin e provincave të Emilia Romanjës, Abruzzo, Calabria e Messina.
Në pranga janë vënë 9 persona 7 italianë e 2 shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë ene me dije nga mediat italiane.
Ky grup trafikantësh e kishte bazën në Messina e drejtohej nga një familje siçiliane (babai me dy djemtë me inicialet M.A, M.M.A, M.F).
Hetimet kanë zbardhur se ky grup kriminal furnizohej me marijuanë nga trafikantë shqiptarë e abruzesë e më pas me anë të korrierëve të besuar e transportonin drejt Siçilisë.
Gjatë hetimeve Policia italiane ka mundur të sekuestrojë disa ngarkesa droge me sasi 55 kg marijuanë secila e ka vënë në pranga dy korrierë R.G, B.M të cilët me automjetet e tyre transportonin lëndën narkotike.
Droga pasi mbërrinte në Messina, shpërndahej tek korrierët e vegjël lokalë.
Gjatë operacionit “Sfizio”, autoritetet italiane kanë kryer kontrolle banesash e personash në të gjithë Italinë.
9 personat e arrestuar akuzohen për trafik droge e organizim kriminal me aktivitet trafik lëndësh narkotike.

Bato Haxhiu, Andi dhe struktura serbo-ruse në Kosovë

Nga Enver Bytyçi

Me daten 23 mars postova një profil të Andi Haxhiut, në të cilin shkruhej se ky Andi është këshilltar në ministrinë ruse të Mbrojtjes. Në fillim isha skeptik ta besoja këtë lajm. Nuk do të habitesha aspak nëse një ditë zbulohet se i ati i tij, Bato, siç e thërret atë Andi, është oficer i lartë I zbulimit rus, se për shërbimet serbe ai është i provuar. Historia e shërbimeve të fshehta është e mbushur me mijëra shembuj, kur një spiun i një vendi mik, rekomadohet te një shërbim tjetër në një vend mik. Serbia e Rusia janë dy vende dhe dy shtete më shumë sesa mike. Shkëmbimi i spiunëve midis tyre është shërbimi më i pakët që ato i bëjnë njëra-tjetrës. Kjo do të thotë se Batoni, duke qenë spiun i Stanishiqit të Milosheviçit, nuk ka asnjë pengesë të jetë edhe spiun i një Stanishiqi të Putinit. Mundet të jetë gjithashtu spiun i pallatit mbretëror, siç është në pallatin presidencial të Beogradit!
Po Andi, djali i Batos, a është këshilltar në ministrinë ruse të Mbrojtjes?! Ai e ka përgënjeshtruar një gjë të tillë. Thotë se është në Edinburg e nuk ka lidhje me Moskën. Gjithkush do të priste një përgjigje mohuese të tij ndaj postimit të asaj çfarë Andi kishte afishuar në faqen e Tëiter. Ndërkaq sot jam i bindur se profili me të cilin ai dëshmohej si këshilltar i ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë ishte i vërtetë. Vetë ai e pranon këtë fakt, kur thotë se “ishte një lojë”! E pranon këtë edhe kur i adresohet me simpati Vladimir Putin si shtetar i pakontestueshëm, ose kur po në këtë përgjigje shpreh besimin se vetë ministria e Mbrojtjes e Rusisë “do ta përgenjeshtrojë faktin, që ai është këshilltar i saj”!
Atë profil e gjeta nga mesi muajit mars. Më 23 mars e njoftova në rrjetet sociale, prej ku e mori media. Pas reagimit të Andi Bato Haxhiu kontrollova profilin në të njëjtën adresë interneti dhe më rezultoi se pas publikimit të statusit tim, Andi e kishte fshirë atë dhe në vend të tij kishte vendosur një status tjetër. Prej këtij momenti faktin se Andi Haxhiu është i besuar i rusëve duhet ta pranojë edhe një bastard i parlamentit të Kosovës, që është në atë sallë për shumë e shumë arësye, por jo për ide për zhvillimin e vendit të tij. Por se çfarë besojnë monstrat dhe perversët, kjo është gjëja e fundit me të cilën do të merresha.

Monstrat e perversët nuk kanë turp, nuk kanë atdhe, nuk kanë as fe e ideal. Prandaj nuk ia vlen të merresh me ta!
Ndërkaq njoftimi im për shërbimin rus të djalit të Bato Haxhiut u shoqërua me një kërcënim direkt nga një njeri i rrethit të tij. “Na ke shqetsu e po na shqetsove do t’shqetsojmë”, thotë njeriu i Batonit. Nuk është fjala për një reagim kërcënues, por është fjala për më shumë. Baton Haxhiu ka frikë se e vërteta mund të zbulohet deri në vrimat e errëta të veprimtarisë së tij antishqiptare në bashkëpunim me spiunazhin serb dhe rus. Prandaj kërcënimi erdhi si paralajmërim për faktet që do të sillja në publik.
E vërteta se Batoni është bashkëpunëtor i ngushtë i Beogradit kundër integritetit territorial të Kosovës tashmë është e provuar dhe e pohuar prej vetë atij. Faqja e portalit të Partisë së të Gjelbërtëve në Gjermani shkruante këto ditë se “Ndarja e Kosovës është ëndërra e nacionalistëve serbë”. Baton Haxhiu, bashkë me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin janë në këtë anë, në aksion për të realizuar ëndërrën e Serbisë së Madhe të nacionalistëve serbë.
E vërteta se Bato është bashkëpunëtor i eksponentit serb të shërbimit sekret, Stanishiq, edhe kjo nuk ka nevojë për ta vërtetuar! Se Batoni u gufos kur Milosheviçi i tha se “Ti je i joni”, edhe këtë e kanë parë në ekran gjithë shqiptarët!
Ndërsa nga logjika dhe tradita e funksionimit të shërbimeve sekrete dijmë që në themel qëndron besueshmëria. Bazuar në besimin dhe aftësitë, në aksesin dhe mundësitë që u jepen, njerëzit e shërbimit serb, përfshirë Batonin, ngarkohen me detyra speciale. Batua i ka marrë tashmë përsipër detyrat speciale në raport me Serbinë dhe Rusinë. Ndarja e Kosovës është misioni i tij më i fundit e më madhor!
Besueshmëria e tij është e provuar gjenetikisht me të atin e ndoshta edhe më tej në pemën e tij familjare.

Ata që janë marrë në pyetje prej të atit të Batonit për veprimtarinë patriotike shqiptare dhe që janë ndëshkuar prej tij e dëshmojnë si spiun gjyshin e Andit.
Andi ka kredite besueshmërie dy herë më shumë krahasuar me Baton. Statusi i tij shkon më lart, sepse edhe shkollimin e ka të tillë. Të njëjtën skemë dekonspiroi në adresë të Edi Ramës vetë ambasadori rus në Tiranë, Aleksander Karpushin para tri ditësh. Ndërkaq djali I Batos, Andi, nuk ndalet. Ai ka shkruar gjithashtu një ese të gjatë për të ngarkuarin si ministër i Jashtëm I Shqipërisë, Gent Cakaj, për të cilin ka gjithashtu dyshime të bazuara se është i rekrutuari e jo vetëm i preferuari I Beogradit.
Por çfarë ka më tej? Drejtësia në Kosovë duhej t’i bënte disa pyetje Baton Haxhiut për të hetuar bashkëpunimin e tij të ngushtë me shërbimet sekrete armike të Kosovës. Psh pse shkon në Graçanicë, me kë takohet, cili është bashkëpunimi dhe aferat që realizon me serbët në këtë qytezë? Pse udhëton në Beograd dhe prej aty menjëherë në Prishtinë e në Tiranë? Madje disa herë direkt nga Beogradi në Tiranë. Çfarë mesazhesh merr e jep, çfarë porosish përcjell midis Vuçiqit, Ramës dhe Thaçit? Pse Baton Haxhiu, ashtu si Rama dhe Thaçi, asnjëherë nuk bënë ndonjë kritikë ndaj Aleksandër Vuçiq, ndërkohë që sulmon “si luan serb” të gjithë ata që kundërshtojnë projektin e këtyre tre antishqiptarëve për ndarjen e Kosovës?!
Cilat janë lidhjet me qendrën e zbulimit rus në Nish? Pse Nishi ishte qyteti i promovimit të ndarjes së Kosovës prej Vuçiq, Ramës dhe Batos? Si bëri të mundur Batoni të monopolizojë tregëtinë e grurit, drithrave në përgjithësi dhe miellit serb në Kosovë e në Shqipëri pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës? A është kjo aferë një shpërblim për shërbimet antishqiptare të tij në Beograd?! Dhe cili do të jetë shpërblimi që do të marrë Bato e dy eksponentët e dy shteteve tona për ndarjen e Kosovës?
Tiranë, 30.03.2019

Lëvizja e tretë e Facebook

Mark Zuckerberg njoftoi modelin e ardhshëm të biznesit të firmës së tij. Nëse ai funksionon, gjiganti i rrjetit social do të bëhet privat dhe më i fuqishëm

Ndryshimi i parë i madh për Facebook ndodhi gjatë periudhës 2012-‘14. Naviguesit e internetit po përdornin gjithnjë e më shumë smartphone-t e tyre sesa kompjuterët apo laptopët, shkruan The Economist.

Mark Zuckerberg iu përshtat zgjedhjes së tyre duke e bërë aplikacionin e Facebook që të përdorej më lehtë në celularë sesa në kompjuterë, si dhe bleu edhe dy aplikacioneve të tjera, si WhatsApp dhe Instagram. Lëvizja funksionoi dhe rezultoi të ishte e suksesshme, me një rritje nga 60 miliardë dollarë në fund të vitit 2012 në 600 miliardë dollarë në 2018.

Në 6 mars të këtij viti, z. Zuckerberg njoftoi lëvizjen e ardhshme të Facebook, që ka të bëjë me një “platformë të përqendruar kryesisht në ruajtjen e privatësisë” të aplikacioneve WhatsApp, Instagram dhe Messenger. Këto aplikacione do të jenë të integruara dhe mesazhet që do të dërgohen nëpërmjet tyre do të jenë të koduara, në mënyrë që as Facebook vetë të mos ketë akses t’i lexojë ato.

Ky ndryshim i madh është vonuar për shkak të problemeve të fundit që kanë goditur Facebook në lidhje me skandalet e privatësisë. Edhe pse z. Zuckerberg në publik duket sikur nuk e kupton gravitetin e situatës së Facebook, jo më kot këtë herë e ka vendosur çështjen e privatësisë në plan të parë, madje ai e ironizoi këtë gjë, duke thënë se, edhe pse ne nuk kemi një reputacion të fortë në lidhje me ndërtimin e shërbimeve mbrojtëse për privatësinë, ne do të bëjmë të pamundurën që kjo platformë të jetë sa më e suksesshme.

Z. Zuckerberg pretendon se të gjithë përdoruesit do të përfitojnë nga plani për të integruar aplikacionet e tij të mesazheve në një rrjet të vetëm të koduar. Përmbajtja e mesazheve do të jetë e sigurt jo vetëm nga hacker-at por edhe nga vetë Facebook. Platforma do të mundësojë edhe shërbime të reja fitimprurëse. Por kujdesi dhe skepticizmi që ne duhet të tregojmë në këtë drejtim vjen si pasojë e tre arsyeve të rëndësishme.

E para ka të bëjë me faktin se Facebook-u prej kohësh akuzohet për mashtrim të publikut mbi privatësinë dhe sigurinë, kështu që të gjitha qëndrimet skeptike ndaj propozimeve të fundit të z. Zuckerberg janë më se të kuptueshme. Ai mbase është duke i fshehur edhe përfitimet që kjo platformë për drejtimin e rrjeteve të integruara të mesazheve do të sjellë në firmën e tij, edhe nëse ato janë të koduara në atë mënyrë që edhe vetë Facebook të mos ketë akses për të parë përmbajtjen e tyre.

Vetëm të dhënat që Facebook-u ka në dispozicion, për shembull se kush po flet me kë dhe për sa kohë ata flasin me njëri-tjetrin, do t’i japin mundësinë për të nxjerrë reklamat sipas target-grupeve më të interesuara, gjë që do të thotë se modeli i tij i reklamimit do të vazhdojë të funksionojë ende dhe madje edhe të jetë më i suksesshëm. Mesazhet e koduara do ta bëjnë Facebook një biznes më të lehtë për t’u menaxhuar.

Duke qenë se edhe për vetë Facebook nuk do të ketë akses mbi mesazhet e koduara, kjo firmë do të ketë më të lehtë për ta justifikuar veten në lidhje me mbajtjen e përgjegjësive për përmbajtjen e mesazheve që do të dërgohen nëpërmjet aplikacioneve të saj. Nëse ndryshime të tilla do të realizohen, dominimi i Facebook mbi mesazhet ndoshta do të rritet.

Përfitimet e reja të përdoruesve të një Facebook më të integruar mund t’ia vështirësojnë ndoshta punën rregullatorëve që të mbledhin fakte të shumta se firma e z. Zuckerberg duhet të mbyllet.

Planet e Facebook-ut në Indi ofrojnë disa të dhëna në lidhje me këtë model të ri. Ai ka ndërtuar një sistem pagese në aplikacionin e WhatsApp, që është njëkohësisht edhe ai më i përdoruri në këtë shtet. Ky sistem është në pritje të miratimit rregullator. Tregu është gjigant.

Edhe në pjesën tjetër të botës, përdoruesit mund të tërhiqen nga lehtësitë e përdorimit të rrjeteve të reja të Facebook. Strategjia e fundit e z. Zuckerberg është padyshim e zgjuar, por kjo nuk do të thotë që ne të mos tregohemi të kujdesshëm, sepse goditja e radhës e këtij rrjeti mund të jetë fare pranë.

Forcat pushtuese të George Soros

Carl Freidrich

Miliarderi hungarezo – amerikan George Soros është në epiqendër të një fushate nga ana e qeverisë hungareze. A është “antisemite” ta kritikish manjatin financiar apo ai është një rrezik për kontinentin europian dhe botën më gjerë?

“Project Syndicate” e sponsorizuar prej tij është maja e armiqve më të njohur të Europës. Nuk u desh shumë për Kryeministrin hungarez Viktor Orban që të akuzohej edhe një herë Akoma se po bënte një fushatë me stereotype anti-Semite. Stephan Löwenstein, gazetar dhe korrespondent për të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, shkruan: “Fushata kundër Soros që vjen nga një familje hebreje hungareze, përdor pjesërisht elementë të repertorit klasik të antisemitizmit: manjati financiar që dëshiron të dominojë botën dhe që i luan agjentët e tij si kukulla”.

Qysh kur Viktor Orban ekspozoi rolin e Soros sidomos në lobimin proemigracion në Europë dhe sidomos në Hungari, një rrjet i tërë mediatik liberal paneuropian po e sulmon kështjellën e Orban. Nuk ka asnjë ditë pa sulme, akuza dhe kërcënime të reja ndaj Kryeministrit hungarez.

Sidomos fushata mediatike liberale antiOrban e vendos vëmendjen mbi një projekt të financuar nga Soros që ka qenë në veprim qysh nga viti 1995, pakashumë i fshehtë me qëllimin e formimit dhe influencimit të panoramës politike në Europë dhe pjesë të tjera të botës. Emri i tij tingëllon pakashumë si një titull episodi të “Godfather” sesa ai i një OJQ-je liberale: “Project Syndicate”. organizata në fjalë ndodhet në kryeqytetin çek Pragë, që nuk është shumë për t’u habitur.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shtete europianolindore të tilla si Çekia – por edhe Polonia dhe Hungaria – u bënë menjëherë nyje të shërbimeve të inteligjencës dhe të stacioneve propagandistike perëndimore. Nuk është as koinçidencë që mediumi i njohur propagandistik i financuar nga Kongresi amerikan Radio Free Europe/Radio Liberty (RFE/RL) gjithashtu ndodhet në Pragë.

“Project Syndicate” luan rolin e “korracatës” të opinionformimit liberal perëndimor, ndoshta rrjeti më i fuqishëm mediatik në planet. “Project Syndicate” nuk shfaq asnjë modesti false në përshkrimin e vetvetes: ““Project Syndicate” prodhon dhe shpërndan komente origjinale tejet cilësore për një audiencë globale.

Me kontribute ekskluzive nga liderë politike, politikëbërës, studiues, drejtues biznesi dhe aktivistë civilë të shquar nga anembanë bota, ne furnizojmë industrinë e lajmeve dhe lexuesit e saj me analiza dhe perceptime të mprehta, pavarësisht aftësisë për të paguar. Anëtarësia jonë përfshin mbi 500 media – më shumë se gjysma e të cilave i merr komentet tona falas apo me këste të financuara – në më shumë se 156 vende”.

OJQ-ja i shpërndan komentet e saj në anglisht dhe 13 gjuhë të tjera të përkthyera si në gjuhën arabe, kineze, çeke, hollandeze, frënge, gjermane, hindu, indoneziane, kazakistane, portugeze, ruse dhe spanjolle. Botime anëtare përkthejnë në 50 gjuhë të tjera. “Project Syndicate” thotë për veten: “Ne u përkushtojmë resurse të mëdha përkthimit të komenteve tona në 13 gjuhë.

Sigurimi i këtyre përkthimeve, shpesh falas, u mundëson botuesve anembanë botës që t’i botojnë njëkohësisht komentet tona, duke inkurajuar kështu debat në shkallë globale”. Vetëm kjo e bën këtë një projekt të Soros, që është i përkushtuar nga së ashtuquajturës “shoqëri e hapur” të Karl Popper, një prej armëve politike më të fuqishme dhe më influente në luftën e informacionit e kohëve të fundit. Në çdo kohë, “Project Syndicate” mund të nisë një “bombardim rrafshues” mediatik në sulm ose në mbrojtje të persolaiteteve, strukturave apo ideve të caktuara.

Informacioni i saktë rreth faktit sesi kjo organizatë ambicioze mund ta ofrojë bujarisht materialin “pararojë” të saj “falas ose me këste të financuara” nuk është bërë zyrtar, por megjithatë ka votuar një listë të mbështetësve financiarë. Vështirë për t’u habitur, në to përfshihen flamurtarja e George Soros Open Society Foundation, por edhe kontribues të tillë si Bill & Melinda Gates Foundation, the Mohammed bin Rashid Al Maktoum Knowledge Foundation, the MasterCard Foundation, the European Climate Foundation, the European Journalism Centre dhe Google Digital Neës Initiative. Me fjalë të tjera, përfaqëson një përzierje forcash globaliste politike dhe financiare.

Pra, çfarë bën saktësisht “Project Syndicate”? Më 4 mars, Presidenti francez Emmanuel Macron bënte apel në një editorial të titulluar “Reneëing Europe”. Ky artikull u botua njëherazi në media gjerësisht të qarkulluara të Europës thuajse në të njëjtin moment. Gjithashtu, lanale televizive e raportuan atë dhe e cituan Macron. Die Welt, The Guardian, El País dhe Corriere della Serra botuan të njëjtin artikull në të njëjtën ditë.

Asnjë media europiane nuk e ka zbuluar saktësisht se pse një artikull i tillë u shpërnda dhe u botua në një mënyrë mjaft të organizuar – u realizua nëpërmjet kanalit “Project Syndicate”. “Reneëing Europe” përfaqëson me përpikmëri temën kryesore ideologjike e Soros dhe “Project Syndicate” në një lloj gjuhe të dykuptimtë të sofistikuar.

Midis gjërave të tjera, Macron sugjeron krijimin e një shërbimi të ri të centralizuar të inteligjencës të Bashkimit Europian për të shtypur opozitën euroskeptike. Por me fjalët e tij tingëllon kështu: “Modeli europian është i bazuar mbi lirinë e njeriut dhe diversitetin e opinionit dhe krijimit. Liria jonë e parë është liria demokratike: liria për të zgjedhuar liderët tanë teksa fuqi të huaja kërkojnë ta influencojnë votën tonë në çdo zgjedhje. Unë propozoj krijimin e një Agjencie Europiane për Mbrojtjen e Demokracive, që do ta furnizonte çdo shtet anëtar me ekspertë europianë për mbrojtjen e zgjedhjeve të tyre nga kibernosulmet dhe manipulimet.

Në të njëjtin shpirt pavarësie, ne do të ndalojmë gjithashti financimin e partive politike europiane nga fuqi të huaja. Duhet të kemi rregulla europiane për të ndaluar të gjithë thirrjet për urrejtje dhe dhunë nga interneti, përoderisa respekti për individin është themeli i qytetërimit tonë të dinjitetit”.

Nuk ka nevojë për ndonjë analizë shumë të thellë të këtyre fjalëve për të parë se çfarë duan realisht Macron dhe aleatët e tij të “Project Syndicate”: Një “Agjenci Europiane për Mbrojtjen e Demokracive” që do të kontrollohet nga strukturat e Brukselit për të diskredituar çdo forcë opozitare në rritje si e “financuar nga jashtë” dhe çdo opinion kundërshtar ndaj platformave sociale si “urrejtje dhe dhunë nga interneti”.

Fakti që Macron po përdor OJQ-në pjesërisht të financuar nga jashtë “Project Syndicate” për të përhapur propagandën e tij kundër forcave euroskeptike është provë sesa serioz është ai me ndalimin e tij për “financimin e partive politike europiane nga fuqi të huaja”. Ndoshta do të kishte qenë më e ndershme të shkruhej se cilat fuqi të huaja përcaktohen si donatorë financiarë të “pranueshëm” dhe cilat jo. Por shumë ndershmëri nuk është aspak pjesë e kornizës ideologjike të Macron apo e “Project Syndicate”.

Jo vetëm Presidenti francez ka përfituar nga shfrytëzimi i rrjetit mediatik të “Project Syndicate”, por lista e autorëve që shpesh botojnë editoriale të përkthyera përhapen me shpejtësinë e dritës anembanë globit, duke si një “Who’s Who” e plotë e atyre forcave që duan të shkatërrojnë identitetin dhe sovranitetin europian, ata që luftojnë kundër familjes dhe ata që mbështesin njëherazi abortin dhe emigrimin masiv.

Njeriu mund ta quante “Project Syndicate” një asamble të shkrimtarëve, politikanëve, intelektualëve dhe biznesmenëve më të njohur antieuropianë. Hausmann pretendon se një sulm i tillë ushtarak kundër qeverisë së Caracas “mund të jetë mënyra e vetme për t’i dhënë fund një zije buke të shkaktuar nga dora njerëzore që po kërcënon miliona jetë njerëzore”. Më pas, ai e krahason situatën në Venezuelë me të ashtuquajturin “Holodomor” në Ukrainë në fillimvitet 1930.

Termi është për një zi buke, me sa duket e shkaktuar nga qeverisja e Stalinit. Emri i zgjedhur “Holodomor” nga propaganda ukrainase nuk është aspak koinçidencë, përderisa tingëllon e ngjashme me fjalën “Holocaust”. Por jo vetëm Europa është e sulmuar nga “Project Syndicate” e Soros. Në një editorial të përhapur gjerësisht të Ricardo Hausmann, ish Ministër Planifikimi i Venezuelës dhe ish Kryeekonomist e Inter-American Development Bank, nga janari i këtij viti, autori ëndërron hapur reth një “D-Day Venezuela”: me pak fjalë, për një ndërhyrje ushtarake.

Por as “Project Syndicate”, as vetë Hausmann nuk i kanë treguar audiencës së tyre globale se Ricardo Hausmann ka qenë në Venezuelë ministër nga 1989 – 1993 përpara se Hugo Chavez të bëhej President. Menjëherë pas Chavez erdhi në pushtet, Hausmann emigroi në Shtetet e Bashkuara nga ku organizoi fushatën e tij antiChavez me mbështetje amerikane. Në vitin 2016, Presidenti i sotëm i Venezuelës Nicolas Maduro e quajti Hausmann si arkitektin e luftës ekonomike kundër Venezuelës, luftë që krijoi zinë e bukës.

Në këtë moment, ka tankerë të shumë nafte jashtë brigjeve të Venezuelës të mbushur me qindra milion dollarë naftë venezueliane. Vetëm lufta ekonomike kundër Venezuelës e ndaloi këtë pasuri të kthehej në ushqim për popullsinë e uritur. Por, edhe një herë akoma, editoriali i Hausmann u botua njëherazi në shumë media kryesore.

Nuk është për t’u habitur që “Project Syndicates” mbështet përfshirjen dhe ndërhyrjen amerikane – përderisa kjo është saktësisht tema e bosëve të “Open Society” të mbledhur rreth George Soros. Nuk është aspak habimqë në mesin e janarit të këtij viti Aryeh Neier, një themelues i Human Rights Watch, po e vinte gishtin nga Presidenti i sapozgjedhur i Brazilit Jair Bolsonaro dhe po kërkonte që Shtetet e Bashkuara “të luajnë një rol kyç në avancimin e të drejtave të njeriut”. Neier, që ka shërbyer si President i Open Society Institute të George Soros nga 1993 deri më 2012, nuk humbet aspak kohë për të shkuar tek thelbi i artikullit, që paraqitet si një plan lufte: “Bolsonaro nuk është i vetëm. Liderët e Kinës, Rusisë, Indisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë gjithashtu armiqësorë ndaj të drejtave të njeriut, siç janë edhe shumë prej homologëve të tyre tjetërkund. Dhe qeveri ende të përkushtuara ndaj të drejtave të njeriut, kryesisht Gjermania, shpesh përballen me kundërshtarë politikë të brendshëm të ushqyer nga nacionalizmi ksenofob.

Jo për t’u habitur, kjo armiqësi po krijon shumë viktima. Avokatë kinezë të të drejtave të njeriut dhe gazetarë turq kalben nëpër burgje. Policia e Brazilit ka ekzekutuar masivisht kriminelë të vegjël të dyshuar dhe Presidenti sirian Bashar al-Assad i ka sulmuar kundërshtarët e tij me forcën e bombave dhe të armëve kimike”.

Me “Project Syndicate”, George Soros dhe partnerët e tij në krim instaluan një monopol të fuqishëm dhe influent për tregun e opinionit global, një lloj masmedia globale pa qenë një institucion korporativ real. Dhe, jo për t’u habitur, drejtuesit e “Project Syndicate” përdorin gjuhë të dyfishtë për t’ia shpjeguar misionin e tyre një audience mbarëbotërore: “Të gjithë njerëzit – kudo që jetojnë, ciladoqoftë e ardhura e tyre dhe ciladoqoftë gjuha që përdorin – meritojnë akses të barabarte në një sferë të gjerë pikëpamjesh nga drejtuesit dhe mendimtarët më të shquar të botës lidhur me problemet, ngjarjet dhe forcat që modelojnë jetët e tyre”.

Por se kush janë këta “mendimtarë të shquar”, kjo vendoset nga “Project Syndicate”, që nuk furnizon aspak një “sferë të gjerë pikëpamjesh”. Drejtues shtetërorë të tillë si Viktor Orban nuk do të lejohen kurrë në këtë rrjet, pasi ata e njohin rrezikun e penetrimit e opinionit të kontrolluar të George Soros.

“Free West Media”

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Zyrtari i lartë i BE: Grupet shqipfolëse të kokainës po kërcënojnë Europën

Sa problematike është Shqipëria për Europën si një vend i origjinës së kanabisit dhe tranzitit të drogave të tjera të forta? Pse grupet e organizuara shqipfolëse po arrijnë të kontrollojnë tregun e kokainës në Europë? Drejtori i Agjencisë së BE-së për drogat (EMCDDA), Alexis Goosdeel, flet në një intervistë ekskluzive për “Monitor”

Nga Ornela Liperi

Forcimi i grupeve të organizuara kriminale që flasin shqip në vendet e Bashkimit Europian, dhe që po marrin në dorë tregun e heroinës e kokainës në vende të ndryshme, sa vjen e po i shqetëson më shumë autoritetet europiane. “Grupe të tilla, që kontrollojnë tregun e kokainës, janë bërë një kërcënim domethënës”, pohon Drejtori i Agjencisë së BE-së për Drogat (EMCDDA), Alexis Goosdeel, në një intervistë ekskluzive për “Monitor”.

Ai thotë se e kanë të vështirë të gjejnë arsyet se pse këto grupe u fuqizuan kaq shumë vitet e fundit, por një nga shpjegimet është natyra e tyre e dhunshme.

Z. Goosdeel shton se nuk ka informacion se Shqipëria është një nyje kyçe për trafikimin e heroinës dhe kokainës, por gjithsesi disa episode, si kapja e një laboratori të heroinës në tetor të vitit të kaluar dhe e 615 kilogramëve kokainë në fillim të 2018-s dhe përvoja e vendeve të tjera sugjerojnë se kjo situatë mund të ndryshojë shumë shpejt.

Atë nuk e habit fakti që ndërtimi në Shqipëri mund të pastrojë paratë e grupeve kriminale. “Duke qenë se kjo ndodh kudo në botë, do të habitesha nëse nuk do të ishte rasti me grupet e krimit të organizuara në Shqipëri”. Z. Goosdeel rekomandon se Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Europës, duhet të ndjekë praktikat e moslejimit të blerjeve cash të apartamenteve dhe mallrave të tjera me vlerë të lartë.

Në Belgjikë, p.sh., askush nuk mund të blejë as një makinë të përdorur me cash. Agjencia e BE-së për Drogat (EMCDDA) dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë në mënyrë më aktive për monitorimin e fenomenit të drogës në të ardhmen, në sajë të një Marrëveshjeje Pune të nënshkruar pak ditë më parë në Vjenë. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Drejtori i EMCDDA-së, Alexis Goosdeel, nga Zëvendësministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, dhe Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli. Z. Goosdeel thotë në intervistën për “Monitor” se EMCDDA do të japë asistencë teknike për krijimin e observatorit të drogave dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm të drogave të reja.

Çfarë parashikon marrëveshja e punës që ju nënshkruat së fundmi me Shqipërinë?

Kjo është një marrëveshje për bashkëpunim të dyanshëm. Mendoj se është shumë e rëndësishme, pasi para së gjithash, Shqipëria është shteti i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkruan një marrëveshje të tillë. Synimi i saj është përmirësimi i kapaciteteve për të zbuluar kërcënimet e hershme dhe Shqipëria po shërben si një shembull për vendet e tjera të rajonit.

Ka një sërë aktivitetesh që parashikohen nga kjo marrëveshje. Ne kemi një mision të vlerësimit teknik që parashikohet në gjysmën e dytë të këtij viti, për krijimin e observatorit të drogave dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm.

Vendimi për krijimin e observatorit të drogave ishte marrë që në vitin 2011 dhe deri tani, ai nuk ishte zbatuar, ndaj është shumë e rëndësishme për ne që marrëveshja u nënshkrua me dy ministri, ajo e Brendshme dhe e Shëndetësisë.

Pjesa tjetër e misionit teknik do të jetë krijimi i sistemit të hershëm të paralajmërimit, një sistemi që funksionon në Europë dhe është shumë i rëndësishëm.

Deri përpara dy vitesh në Europë, ne zbulonim dy droga të reja në javë në tregun europian të drogave dhe tani ka më pak se një drogë në javë.

Këto droga të reja janë shumë të rrezikshme, disa prej tyre janë shumë toksike, ndaj është e rëndësishme që Shqipëria do të ketë kushte më të mira për të krijuar një sistem të hershëm paralajmërimi, që do të jetë i lidhur me sistemin europian.

Kjo nënkupton që jo vetëm Shqipëria do të kontribuojë në sistemin e paralajmërimit, por ajo gjithashtu do të përfitojë prej tij. Së shpejti do të publikohet dhe raporti kombëtar për drogat. I fundit është publikuar në 2017-n. Ne do të bashkëfinancojmë edhe vëzhgimin për përdorimin e drogës në shkolla, sipas standardeve europiane, që zbatohen në më shumë se 35 vende.

Sa problematike e vlerësoni Shqipërinë si një vend origjine për prodhimin e kanabisit dhe drogave të tjera?
Që të jetë e qartë për ju, për shqiptarët dhe për vendet e tjera të rajonit, EMCDDA asnjëherë nuk etiketon dhe turpëron vendet. Ajo që ne bëjmë janë analizat, për të ndihmuar në të kuptuarit e problemeve dhe të asistojmë Bashkimin Europian, shtetet anëtare dhe vendet e tjera që të merren me këto probleme.

Ajo që ne vlerësojmë është se, sa i përket kanabisit, pjesa më e madhe e kanabisit që konsumohet në BE, prodhohet në BE. Megjithatë, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria në veçanti kanë qenë prodhuesi më i rëndësishëm jo në BE i barit të kanabisit. Shqipëria ishte raportuar gjithashtu nga disa shtete anëtare, si një burim i vajit të kanabisit për disa vjet.

Por, ajo që ne gjithashtu po shohim është se autoritetet shqiptare i kanë intensifikuar veprimet ndaj këtij fenomeni, në bashkëpunim me Guardia di Finanza. Bazuar në vëzhgimet ajrore për sipërfaqet e kultivuara me kanabis, në vitin 2016 ishin më shumë se 2000 fusha kultivimi, që janë identifikuar jashtë në natyrë.

Në vitin 2017, numri i tyre ishte 90 dhe në 2018 ishte 27. Kjo tregon se autoritetet kanë qenë aktive në shkatërrimin e fushave të mbjella me kanabis vitet e fundit. Ne jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm që ka pasur një prioritet të qartë të autoriteteve shqiptare për të përmirësuar imazhin e vendit për investitorët e huaj, turistët dhe kjo është një arsye shtesë për të vijuar me luftën ndaj kanabisit.

Ne shohim që, edhe pse ka pasur rezultate shumë të mira në luftën ndaj kanabisit të prodhuar jashtë në natyrë, ka pasur ende, të paktën në 2017-n, rritje të kapjeve të vajit të kanabisit shqiptar në disa shtete si në Itali, Greqi, Austri, Francë, Kroaci, Hungari, Rumani, Turqi etj. Vetë Shqipëria ka kapur më shumë se 30 tonë të barit të kanabisit në 2016-n dhe më shumë se 78 tonë në 2017-n. Vetëm Italia dhe Turqia kanë kapur më shumë bar kanabisi sesa Shqipëria në 2017.

Ajo që ne duam të bëjmë së bashku me autoritetet dhe Ministrinë e Brendshme dhe të Shëndetësisë është të kuptojmë se cilat janë shpjegimet dhe evolucioni i mundshëm i tregut të kanabisit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë.

Një nga shpjegimet e mundshme dhe hipotezat është se, megjithëse prodhimi në Shqipëri ka rënë në mënyrë dramatike, mund të ketë zëvendësim me disa alternativa të tjera prodhimi, në hapësira të mbyllura dhe që nuk mund të zbulohen përmes kontrolleve ajrore. Këto janë vlerësime dhe hipoteza dhe ajo që do të mund të bëjmë në muajt në vijim, do të jetë të investigojmë së bashku me autoritetet dhe të kuptojmë të gjitha elementet dhe mënyrën se si tregjet po ndryshojnë dhe po përshtaten.

Sa problematike e konsideroni Shqipërinë si një vend tranzit për drogat e forta? (Në raportin tuaj të fundit për tregjet e drogave në BE, Shqipëria ishte në hartën “Flukset kryesore të trafikut të kanabisit në Europë”)

Siç e përmenda edhe më parë, Shqipëria është një prej shumë vendeve që janë të pozicionuar në rrugën ballkanike, kështu që nuk ka rrugë dhe mundësi që Shqipëria të mbetet tërësisht e izoluar nga organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në rajon.

Ajo që mund të themi për momentin është se si për sa i përket trafikimit dhe shpërndarjes së heroinës dhe kokainës nuk kemi informacionin që sugjerojnë se Shqipëria do të ishte një nyje kyçe, si për heroinën ashtu dhe për kokainën. Në të kundërt, janë relativisht sasi të vogla të kapura të heroinës në 2017-n dhe 2016-n.

Pra për momentin nuk ka të dhëna për një trafik intensiv. Sasia relativisht e vogël e heroinës që është kapur në vend në 2017-n dhe 2016-n mund të jetë një tregues për rishpërndarje lokale për përdoruesit vendas, pra më shumë për tregun vendas.

Ne gjithashtu e dimë nga përvoja me vendet e jashtë BE dhe brenda BE se kjo situatë mund të ndryshojë shumë shpejt – dhe prandaj kjo marrëveshje me Shqipërinë është e rëndësishme. Për shembull, në tetor të vitit të kaluar u zbulua një laborator heroine dhe u kapën 22 kilogramë morfinë me atë rast.

Kjo tregon se situata mund të ndryshojë me shpejtësi dhe se Shqipëria po përballet me të njëjtën situatë me vendet e tjera. Për shembull, laboratori i heroinës u çmontua vitin e kaluar, por ka pasur gjithashtu raste të laboratorëve të tillë në vendet e BE-së gjatë 5 viteve të fundit.

Pra nuk është një problem specifik për Shqipërinë, apo se është më i madh në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera, por Shqipëria është si vendet e tjera që po përballet me ndryshimin e tregjeve dhe situatave.

Kjo është një nga arsyet pse marrëveshja është e rëndësishme që misioni të ndjekë situatën, në mënyrë që të asistojë autoritetet që të identifikojnë ndryshimet dhe të reagojnë ndaj tyre. E njëjta gjë mund të thuhet për kokainën.

Në 2017-n dhe 2016-n kishte sasi shumë të vogla të kapura të kokainës, që sërish mund të ishin për aktivitete trafikimi, me synim furnizimin e tregut vendas. Por në fillim të vitit të kaluar u kap një sasi më e madhe kokaine prej 613 kilogramësh.

Droga e kishte origjinën nga Kolumbia dhe erdhi në Shqipëri përmes Italisë dhe Maltës dhe nuk kishte për qëllim tregun shqiptar, por pritej që të tranzitohej në vende të tjera të Bashkimit Europian. Pra, sërish nuk ka arsye për momentin që të besojmë se Shqipëria po luan rol qendror kyç si nyje për trafikimin përmes Ballkanit Perëndimor, por po përballet me të njëjtat probleme si të vendeve të tjera.

Sipas raporteve të ndryshme, bandat që flasin shqip po kontrollojnë tregtinë e kokainës dhe heroinës në pjesë të ndryshme të Europës, veçanërisht në Britani. Si e shpjegoni fuqizimin e bankave shqiptare vitet e fundit?

Së pari është e rëndësishme të sqarojmë se ne po flasim për grupet e organizuara që flasin shqip, kjo nuk do të thotë se ata janë domosdoshmërisht me shtetësi nga Shqipëria. Grupe të tilla që kontrollojnë tregun e kokainës janë bërë një kërcënim domethënës. Duket se disa nga këto grupe që flasin shqip kanë vendosur tashmë linja direkte komunikimi me kartelet e drogës në vendet e Amerikës Latine, që janë prodhuese.

Kjo potencialisht po ndryshon dinamikën e tregut, sepse së pari, do të thotë se këto grupe kriminale shqipfolëse shkojnë dhe komunikojnë direkt në Amerikën Latine me prodhuesit. Në këtë mënyrë, ata mund të rrisin ndjeshëm normën e fitimit nga trafikimi i kokainës dhe kjo përfaqëson një mundësi të madhe korruptimi.

Kjo mbulon aktivitete të tilla të krimit të organizuar, si trafikimi i armëve, rrjetet e pastrimit të parave, lëvizjen e paligjshme të drogave dhe njerëzve. Ajo që është përshkruar në disa qytete të Bashkimit Europian është se këto grupe, që flasin shqip, të krimit të organizuar, janë shumë aktive.

Një nga karakteristikat e operimit të tyre është se janë tepër të ashpër dhe të dhunshëm dhe kjo është një mënyrë se si disa nga këto grupe u kanë marrë grupeve të vjetra kontrollin e tregjeve lokale.

Kjo është diçka e vëzhguar dhe dokumentuar jo vetëm nga EMCDDA, por edhe nga Europol dhe forcat e tjera policore. Kjo është diçka që duhet monitoruar dhe duhet të kuptohet më mirë se si funksionojnë të gjitha këto grupe të organizuara, cilat janë lidhjet e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse në çdo rast, tregu i tyre i synuar janë vendet e Bashkimit Europian.

Këto probleme nuk janë vetëm rrezik për demokracinë dhe korrupsionin, por edhe për shëndetin e shqiptarëve, sepse ka gjithashtu njerëz që i përdorin këto substanca në Shqipëri.

Si e shpjegoni që këto grupe kriminale që flasin shqip u fuqizuan kaq shumë vitet e fundit?

Këtë nuk e di. Mendoj se askush nuk ka një shpjegim të vetëm. Ajo që shohim është se tregu i organizuar, nëse do ta quanim kështu, është shumë dinamik. Nëse ka një ndryshim në një vend apo një rajon, ka një ndikim te të tjerat. Ajo që kemi parë gjithashtu në 10-15 vitet e fundit është se grupet e mëdha të krimit të organizuar në Meksikë, apo Amerikën Latine zëvendësohen në mënyrë progresive nga shumë grupe të tjera, ku secili prej tyre është i specializuar në disa detyra.

Ka pa dyshim më shumë konkurrencë dhe rivalitet dhe si rrjedhojë, ato grupe që lindin në disa momente janë ato që kanë qenë më të fortat apo më të dhunshmet, ose që arrijnë të negociojnë marrëveshje më të mira me prodhuesit, siç duket rasti.

Pra nëse disa grupe të organizuara arrijnë që të negociojnë vetë çmimin e kilogramit të kokainës në Kolumbi, ose në Amerikën Latine, ata sjellin një produkt që është potencialisht më i lirë në tregun europian, pasi ka më pak ndërmjetës. N

ë këtë mënyrë, edhe norma e fitimit është më e madhe dhe ata kanë mundësi të bëjnë pazar e të reduktojnë çmimin dhe si rrjedhojë, arrijnë të mbulojnë pjesën më të madhe të tregjeve lokale në Bashkimin Europian.

Sot, në disa vende dhe qytete, duket se këto grupe të organizuara të krimit nga njerëz që flasin shqip janë shumë të suksesshëm, dinamikë dhe aktivë dhe po zëvendësojnë grupe të tjera të organizuara që vepronin më parë. Dhe është lehtësisht e kuptueshme që, në momentin që këto grupe do të bëhen më të dobët, ato mund të zëvendësohen nga të tjerë.

Ky është evolucioni. Unë nuk shoh personalisht ndonjë arsye specifike. Ndonëse këtë mund ta zbulojmë përmes një analize të përbashkët, jo vetëm me autoritetet shqiptare, por edhe me Europol dhe agjencitë europiane.

Sipas vlerësimeve tuaja, ku i gjetën paratë grupet shqiptare që iu mundësuan që të fillonin tregtinë direkte me vendet e Amerikës Latine?

Paratë i gjejnë përmes shitjes së drogës, armëve dhe mbështetjes së trafikut të qenieve njerëzore. Të gjitha këto aktivitete kriminale menaxhohen tashmë së bashku nga të njëjtat grupe të krimit të organizuar. Deri përpara 20 apo 30 viteve, çdo grup kriminal i organizuar kishte pak a shumë specialitetin e vet. Tani ne shohim që këto grupe merren me drogë, armë, qenie njerëzore, ilaçe false dhe i trajtojnë ato si mallra.

Për shembull, ata në mënyrë të përkryer mund të trafikojnë heroinë nga Azia në Bashkimin Europian dhe në kthim, në vend që të kenë kamionin bosh, ata mund të transportojnë droga të paligjshme që prodhohen në Europë, si p.sh., ekstazi.

Duke qenë se gjithçka gjeneron shumë cash, duke i shtuar dhe faktin që sot ka shumë lehtësi në aksesin në informacion dhe është e lehtë të udhëtosh nga Europa në Amerikën Latine, këto grupe të krimit të organizuara mund të kenë shumë mundësi, nëse duan, që të tentojnë të shkojnë në një rajon tjetër dhe të vendosin vetë kontaktet.

Por kjo varet gjithashtu dhe nga fakti se sa të fortë janë, ku i kanë tregjet dhe sa mirë arrijnë të luftojnë konkurrentët. Dhe kjo është ndoshta arsyeja pse konkurrenca mes grupeve të krimit të organizuar është në disa raste më e dhunshme.

A keni ndonjë lloj vlerësimi të sasisë së parave të paligjshme që hyjnë në Shqipëri nga kanabisi dhe trafikimi i drogave të tjera?

Ne nuk e kemi një vlerësim të tillë. Edhe nga njësitë e hetimit kundër pastrimit të parave nga secili vend, ne nuk e marrim një informacion të tillë. Në nëntor të këtij viti do të publikojmë raportin dhe do të kemi një vlerësim të madhësisë së tregut të drogës në Europë, por është për të gjitha vendet, nuk mund të bëjmë një vlerësim specifik për secilin vend.

Ne jemi duke parë një bum në ndërtim kohët e fundit që nuk shpjegohet nga kreditë e bankave dhe të ardhurat nga ekonomia formale (fitimet dhe pasuritë e kompanive të ndërtimit). Në përvojën tuaj, si mund ta kontrollojë qeveria shqiptare kontrollin e parave nga trafiku i paligjshëm në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, posaçërisht ndërtimi?

Para së gjithash, ndërtimi dhe sektori i real estate janë të njohura kudo në botë që keqpërdoren nga kriminelët për të pastruar paratë, që vijnë nga aktiviteti i paligjshëm. Duke qenë se kjo ndodh kudo në botë, do të habitesha nëse nuk do të ishte rasti me grupet e krimit të organizuar në Shqipëri. Pra ndoshta ka një lidhje dhe një mënyrë për të pastruar paratë përmes këtij sistemi, që është e zakonshme në çdo vend tjetër në botë.

Lufta kundër pastrimit të parave dhe flukseve të paligjshme të financimit është një prioritet në nivelet europiane. Ky ka qenë një prioritet i theksuar gjatë viteve të fundit, edhe pse institucionet për këtë qëllim kanë ekzistuar prej shumë vitesh. Europol po luan një rol kyç në këtë drejtim në nivel europian.

Një nga elementet kyçe për të dhënë rezultatet të mira në luftën ndaj parave të pista është bashkëpunimi ndërkombëtar, shkëmbimi i informacionit me vendet partnere, monitorimi i ngushtë i situatës. Shqipëria mund të ndjekë gjithashtu disa nga praktikat më të mira të ndërhyrjeve, që po zbatojnë shtetet anëtare.

Ka shumë masa që po ndërmerren. Për shembull, sot, në pjesën më të madhe të vendeve, është e pamundur të blesh cash. P.sh., në Belgjikë është e pamundur që të blesh një makinë të përdorur ose të re në cash.

Pra, nëse zbatoni këto masa, bëhet e pamundur për të blerë me paratë që vijnë nga trafiqet e paligjshme, korrupsioni. Ose nëse blini një shtëpi apo apartament duhet të jeni në gjendje që të justifikoni origjinën e parave që po përdorni.

Në pjesën më të madhe të vendeve anëtare është më e vështirë se më parë që të blesh një shtëpi apo apartament dhe të paguash paratë, ose një pjesë të parave në cash. Kjo janë disa masa konkrete dhe besoj se Shqipëria, ashtu si shumë shtete të tjera, por merr në konsideratë që t’i zbatojë ato.

Cilat janë vlerësimet tuaja të fundit për përdorimin e drogës dhe prevalencën e saj në Shqipëri?
Është e vështirë që të japësh një tendencë tani, sepse siç e thashë, ne po presim që të hartohet raporti i ri kombëtar këtë vit. Ne do të financojmë edhe vëzhgimin për shkollat, i cili është bërë dhe në 2011-n dhe 2015-n, që sugjeronin se kishte përdorim të moderuar të substancave.

Por, për të pasur rezultate të sakta të prevalencës duhet të presim rezultatet e raportit të ri. Shqipëria nuk ka ende një observator kombëtar për drogën dhe një nga gjërat për të cilat kemi diskutuar me zëvendësministrin e Brendshëm dhe atë të shëndetësisë gjatë takimit të fundit në Vjenë ku vendosëm për marrëveshjen, ishte se tani që kemi këtë marrëveshje dhe do të forcojmë bashkëpunimin, një nga prioritetet është që të merret vendimi që të krijohet Observatori Kombëtar për Drogat nga Instituti i Shëndetit Publik.

Cila do të ishte këshilla juaj për institucionet shqiptare për të luftuar kultivimin e kanabisit, trafikimin e drogës dhe kontrollin e parave të paligjshme. Si e vlerësoni angazhimin e institucioneve shqiptare për ta bërë këtë?

Siç e përmenda dhe më lart, besoj se institucionet shqiptare po tregojnë tashmë shumë më tepër angazhim në luftën kundër drogave dhe krimit të organizuar, sesa në të kaluarën dhe po mbështetet në mënyrë aktive nga BE dhe nga EMCDDA.
Progresi i bërë nga Shqipëria gjatë viteve të fundit është njohur dhe mirëpritur nga institucionet europiane dhe është një nga arsyet se pse prej dy apo tre vitesh, ne e shikojmë Shqipërinë që ka në mënyrë progresive një rol kryesues në rajon për përmirësimin ndaj luftës kundër drogës dhe krimit të organizuar.

Por, siç e përmenda, kjo nuk është një përpjekje që ju e bëni vetëm një herë. Së pari, duhet të jeni këmbëngulës dhe nëse arrini të adresoni në mënyrë të suksesshme një lloj prodhimi, duhet të investigoni nëse prodhuesit po gjejnë alternativa të tjera. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse mund të jeni shumë i suksesshëm në një fushë, por mund të krijohen mundësi të reja për krimin e organizuar.

Për këtë arsye është e rëndësishme të theksohet se kjo nuk është një përpjekje ku Shqipëria është vetëm, por në bashkëpunim me BE dhe vendet e tjera të rajonit, i cili duhet forcuar.

Një gjë e rëndësishme që duhet të kemi parasysh është se, kur lind nevoja për të ndryshuar një element kriminal kur ka një të tillë, duhen më shumë sesa një apo dy vjet të ndryshohet. Nga ana tjetër, ashtu siç është rasti në vendet e tjera të BE-së, duhet një konsensus politik, pavarësisht se cila palë politike ka shumicën.

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse kemi të bëjmë me përpjekje afatgjata. Një hap kyç në këtë drejtim është zbatimi dhe rishikimi i rregullt i strategjisë kombëtare kundër drogave në linjë me vendet e BE-së.

Ne mund të ofrojmë mbështetje për metodologjinë dhe vlerësimin. Monitorimi dhe mbledhja e të dhënave janë shumë të rëndësishme, sepse vetëm me të dhëna të besueshme dhe objektive mund të prodhohen analiza të shëndetshme.

Bashkim i gabuar: Europa e sotme si Italia e vitit 1861

Europa e bashkuar që lodhet të gjejë një ideal të përbashkët, përveç euros, ka të njëjtin problem me atë të Italisë të vitit 1861: shumë ligje dhe tepër kompleksë që zgjerojnë përditë një hendek që nuk mund të mbushet midis popullit dhe elitave qeverisëse. Është kjo teza e Profesor Vito Tanzi, nga 1981 deri më 2000 Drejtor i Departamentit të Financës Publike të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i ftuar në Moskë që të prezantojë në X Forum Gaidar librin e tij të fundit, të titulluar “Termitë të shtetit. Pse kompleksiteto çon në pabarazi”. Duke bashkuar rreptësinë e ekonomistit me kurershtjen pasionante të historianit, në veprat e tij – dhe në këtë intervistë – Tanzi ilustron me qartësi të njëjtë problemet qe frenojnë sot zhvillimin e shumë shteteve dhe gabimet e kryera gjatë bashkimit të Italisë. Faji, sa për të ndryshuar, është (thuajse gjithmonë) i politikanëve: sa të gatshëm që të shkruajnë ligje komplekse, aq edhe dorështrënguar që të sigurohen se është praktikisht e mundur të zbatohen ose të paktën t’u kuptohet përmbajtja. Gjithçka në avantazh të lobeve dhe pushteteve okulte, që insinuojnë të pashqetësuar deri në rrënjët e sistemit politik, duke e manovruar atë sipas qejfit të tyre.

Qeveri dhe tregje, si ndryshon roli i shtetit

Le të nisemi nga aktualiteti: në Itali është miratuar e ashtuquajtura “manovër e popullit” që përfshin shumë të diskutuarën të ardhur të qytetarisë. Ju qe si drejtues i FMN-së ju është dashur ta vlerësoni nga afër Italinë, çfarë mendoni për këtë manovër?
Reagimi im, duke e ndjekur Italinë prej 40 vitesh në FMN, nuk është shumë i favorshëm, pasi jam totalisht i bindur se problemi kryesor është borxhi publik, që krijon vazhdimisht pasiguri dhe taksa të larta për të mbuluar shpenzimet. Pavarësisht debatin lidhur me rreptësinë financiare, shpenzimet publike janë ende thuajse 50% e PPB-së italiane. Masat e manovrës mund të jenë pozitive në një situatë normale, por jo kur ka një deficit prej 3% dhe një borxh prej 130%. Në librin tim kam shkruar se në situate normale një masë si e ardhura e qytetarisë është edhe e justifikueshme, por në këtë situatë nuk jam dakord dhe besoj se kjo manovër do t’i krijojë vështirësi Italisë. E përsëris: jo pse masat e marra janë të gabuara në vetvete, por sepse situate makroekonomike nuk e lejon.

Ai mbi rolin e shtetit në aspektin ekonomik është një debat shekullor. Në agimet e epokës së shteteve kombëtare, tregohet se Colbert, Ministri francez i Financave nën Mbretin Diell, u kërkoi tregtarëve se cili duhej të ishte roli i shtetit dhe një farë Legendre ju përgjigj se ndihma më e mirë ishte që të qëndronte larg, duke i lënë të lirë që të bënin punët e tyre, domethënë të “nous laissez faire”. Deri në çfarë pike kishte të drejtë?
Kjo pikë është shumë e rëndësishme, nëqoftëse “laissez faire” do të thotë në lini të lirë në një treg që funksionon në mënyrë të përkryer, ku nuk ka lobe, asimetri informacioni, probleme korrupsioni, jam dakord. Por nëqoftëse “na lini të veprojmë” është një situatë në të cilën 1% posedon 25% të prodhimit total, në këtë rast shteti nuk mund të rrijë menjanë dhe duhet të ndërhyjë për të përmirësuar shpërndarjen e të ardhurave dhe funksionimin e tregut. Shteti duhet të pengojë që disa njerëz të përfitojnë nga tregu i lirë për t’u pasuruar në kurriz të të tjerëve.

Francesco Ferrara, një prej ekonomistëve më të rëndësishëm e Italisë së ‘800, shkruan se përdorimi i tarifave për importet nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara ishte një mëkat i madh si skllavëria. Sot, sërish, Trump përdor tarifa kundër Kinës dhe Europa vazhdon të rinovojë sanksionet kundër Rusisë, që i kufizojnë fuqimisht shkëmbimet. Në vend që të gjendet një kompromis, për çfarë motivi mendohet menjëherë të dëmtohet ekonomikisht rivali yt, pa marrë në konsideratë dëmet e brendshme që shkaktojnë këto zgjedhje?
Për një politikan, situata më e mirë për problemet e tij është t’ua hedhë fajin të tjerëve. Shumë ia veshin fajin Rusisë, kurse, për shembull, italianët ia veshin fajin Bashkimit Europian: është i njëjti parim. Komisioni Europian nuk ka të bëjë aspak me problemet italiane, por italiani i thjeshtë është i bindur se sikur të mos ekzistonin këto pengesa, do të mund të shpenzonim më shumë pa vështirësi, të zhvlerësonim, të krijonim më shumë eksporte. Është gjithmonë më e lehtë t’u vishet faji të tjerëve, në vend që të pranohet se nuk janë bërë gjërat që duheshin bërë.

“Italica”, domethënë “Çfarë ka bërë vallë Garibaldi”?

Në një libër tjetër tuajin, “Italica — Bashkimi i vështirë midis idealeve dhe realitetit”, ju evidentoni gabimet e bashkimit të Italisë dhe hiqni një paralele interesante me ato që lidhen me gabimet e bashkimit të Europës. Le të provojmë t’i ripërshkojmë sëbashku: gabimi numër një, të kërkuarit për të krijuar një organizëm qendror, shumatore artificiale e entiteteve heterogjene shtetërore?
Në agimin e bashkimit, në Itali ekzistonin 7 shtete. Mbretëria e Napolit ekzistonte prej qindra vjetësh dhe mbreti i fundit, Françesku i II-të, ishte vetëm 23 vjeç, kurse nëna e tij ishte nga familja Savoia. Në një moment të caktuar ndodhi lëvizja e Mazzini, për të krijuar një Itali të bashkuar, por republikane, dhe të hiqej qafe mbreti. Papritmas ndërhyn Piemonte, që ishte një shtet realisht francez, me një familje mbretërore franceze, por duke qenë se nuk mund të zgjerohej drejt Francës, kishte idenë, pjesërisht të justifikuar, që të zgjerohej drejt Italisë Veriore, ku Lombardo – Veneto ishte praktikisht e pushtuar nga të huaj.

Çlirimi nga pushtimi i huaj është një prej pikave kryesore të narrativës rilindase. Megjithatë, në procesin që çoi në bashkimin e Italisë morën pjesë edhe fuqi të huaja. Kujt i vinte për shtat një Itali e bashkuar?
Papritmads vjen ky zotëri që quhet garibaldi dhe gjendet me tri anije të mëdha në Genova. Kush e ka financuar këtë ekspeditë? Qenë anije me mijëra njerëz në bord, që përfshinin mercenarë, për shembull hungarezë, kolonelë anglezë dhe deri të “ftuar” si turistë, midis të cilëve bashkëshortja e Crispi. Këto anije, të shoqëruara nga flota angleze, mbrrijnë në Siçili. Siçilia nuk ishte shumë e kënaqur që të ishte pjesë e Mbretërisë së Napolit, pasi deri më 1815 kishte qenë e pavarur, kështu që siçilianët nuk e kishin pranuar kurrë këtë situatë. Por Mbretëria e Napolit nuk kishte bërë asnjëherë luftë me askënd dhe kishte marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e botës, përfshi Piemonte, kështu që nuk kishte as edhe një ushtri të vërtetë e armiq të vërtetë, përjashto Anglinë, e cila kërkonte të monopolizonte pushtetin e saj në Mesdhe dhe e shikonte Mbretërinë e Napolit si pengesë.

Garibaldi, heroi i dy botëve, nuk ju duket shumë “simpatik”?
Ashtu si personazhet e tjera, Garibaldi kishte një marrëdhënie ambige me Italinë: kishte lindur në Nizza, më pas kishte jetuar në Amerikën e Jugut, ishte martuar me një revolucionare braziliane. Papritmas, ky zotëri zbarkon në Siçili dhe siçilianët e ndihmojnë. Nuk ishte i vetmi: Francesco Crispi nuk ishte katolik, Cavour kishte nënën protestante, e lindur në Zvicër.

Me pak fjalë, po thoni se bashkimi i Italisë ishte më mirë të mos bëhej?
Qe gabim jo edhe aq bashkimi, sesa mënyra sesi u bë: sikur Italia të ishte bërë republikane, me rregulla më pak të ngurta dhe një sistem federal — që për më tepër edhe ishte propozuar – do të kishte qenë më mirë. Piemonte i mesit të ‘800 ka një sistem mjaft të centralizuar, ku ka marrë të gjitha zakonet e shëmtuara franceze: për shembull, për të qenë lypës ishte e nevojshme që të kishe një çertifikatë të lëshuar nga komuna, që të jepte lejen të ishe i tillë dhe që të tregonte se në cilin cep të rrugës mund të kërkoje lëmoshë. Papritmas, në të gjitha vendet italiane gjenden administratorë piemontezë, që flasin një dialect që është gjysma frëngjisht dhe gjysma italisht, me gjithë ato rregulla absurde. Në jug ka një reagim popullor që quhet banditizëm, por që praktikisht është një luftë civile, e rënduar nga problematika të tjera. Përpara bashkimit, në Italinë jugore manastiret zinin 40% të trojeve dhe Kisha i përdorte për të bërë bamirësi. Pas bashkimit, shteti i shtetëzon këto troje. Edhe kjo kontribuon në rëndimin e luftës civile dhe në shkaktimin e dhjetëramijëra të vdekurve.

Shprehja e famshme “Tani që bëmë Italinë, le të bëjmë italianët” e Massimo D’Azeglio, në ditët tona tingëllon si “Tani që bëmë Europën, le të bëjmë europianët”?
Akoma sot, italianët nuk janë bërë kurrë. Dhe i njëjti problem, ndoshta edhe me të njëjtat gabime, ekziston me Bashkimin Europian. Ideja që nga sot nesër një njeri mund të shkojë në 27 shtete ka rezultuar tejet naïve. Shumë shtete kanë hyrë në këtë “klub” me idenë “të hyjmë, të marrim financime dhe kusurin pastaj e modifikojmë”.

Ky diskutim vlen edhe për Italinë, që megjithatë është një prej vendeve themeluese, qysh nga viti 1957, e Komunitetit Ekonomik Europian të atëhershëm?
Nëqoftëse flasim për Italinë, unë kam qenë president i komisionit që ka drejtuar hyrjen në euro në fundin e vitit 2001. Po ju them se jemi gjendur përballë një mali problemesh për t’u zgjidhur. Edhe të natyrës thellësisht praktike. Për shembull, nga nsot nesër kalohet nga lireta në euro: por si transportohen mijëra euro pa pasur probleme me mafien? Përjashto këtë, Italia ka pasur benefite të mëdha: nga sot nesër, përqindjet e interesit që Italia paguante për borxhin publik, që edhe atëhere ishte shumë i lartë, nga 13% kanë rënë në 5%. Megjithatë, në vend që të reduktoheshin shpenzimet publike, i kanë rritur duke menduar se përderisa nuk paguajmë më për borxhin, le t’i rrisim shpenzimet. Për këtë motiv dhanë dorëheqjen nga zëvendës i Tremonti. Është e vërtetë që rregullat nuk janë respektuar, por disa mund të ishin më fleksibël.

Paralelizmi i fundit midis dy “bashkimeve”: midis pasojave të proceseve të bashkimit është edhe një rritje e pabarazive ekonomike dhe, së fundi, shfaqja e një fenomeni tjetër, atij të emigracioneve.
Tek “Italica” i kushtoj një kapitull emigracioneve, pasi në kërkimet e mia kam gjetur një të dhënë tejet interesante: përpara bashkimit të Italisë emigrantët, që shkonin kryesisht në Argjentinë, Brazil Shtete të Bashkuara, ishin nga veriu. Qysh pas bashkimit, numri i emigrantëve nga jugu është rritur në mënrë të jashtëzakonshme. Kjo ka të bëjë me shumë probleme, si ato ekonomike dhe të tregut të punës, që vazhdojnë akoma sot. Ka shumë pengesa në Itali të cilat njerëzit nuk arrijnë t’i shohin më.

Ndoshta janë aq të mësuar sa nuk u bëjnë më përshtypje?
Ka një shembull që e përdor vazhdimisht për të shpjeguar sesi janë gjërat: unë jam në Shtetet e Bashkuara prej 60 vitesh dhe kam shkuar në komunë vetëm 2 herë: një herë kur jam martuar dhe herën tjetër kur më ka vdekur ime më, e cila ishte 96 vjeç. Në të vërtetë mbahej akoma mirë, por ka ndërruar jetë si pasojë e frakturave të pësuara nga një rrëzim, kështu që në komunë kam shkuar për të firmosur një dokument ku deklarohej se askush nuk e kishte shtyrë dhe se rrëzimi kishte ndodhur aksidentalisht. Në Itali kthehem çdo vit, në shtëpinë time në Mola të Puglia dhe çdo herë më duhet të shkoj 2 apo 3 herë në komunë për budallallëqe: këtë vit kam zbuluar se elektriciteti që paguajmë ishte akoma në emrin e timeti, që ka vdekur më 1982, një herë tjetër më është dashur të shkoj për të marrë kazanët e plehërave. Absurditet. Pengesa të vazhdueshme. Njerëzit që janë të aftë pas pak kohe u vjen në majë të hundës dhe ikin jashtë vendit. Që tregu i punës të punojë, nuk është vetëm problem pasurie, por edhe pengesash të krijuara nga shteti.

Parë nga Europa, edhe Shtetet e Bashkuara kanë problemet e tyre me emigracionin. Çfarë mendoni për murin e Trump?
Atë që mendoj për Trump është më mirë të mos e shkruani. Por duhet thënë se në Shtetet e Bashkuara ka një emigracion të veçantë: amerikanët nuk e lënë vendin e tyre, maksimumi spostohen drejt shteteve më të ngrohta pasi dalin në pension ose qytetarë që spostohen në një rreze prej 50 kilometrash nga shtëpia pasi ndryshojnë shtëpi ose punë. Por Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për njerëz: në to ndodh akoma që të udhëtosh për qindra kilometra pa parë një frymë njeriu apo shtëpi. Republikanët e kuptojnë se të huajt që vijnë pas pak kohe fitojnë shtetësinë, por ama votojnë për demokratët.

Lobe dhe politikanë, parazitët e shtetit

Libri juaj i fundit titullohet “Termitet e shtetit. Pse kompleksiteti çon në pabarazi”. Kujt i referoheni?
Termiteve: insekte sociale, parazitë që dëmtojnë duke qëndruar të padukshëm. Në arkitekturën e një shteti, termitet janë ligjet e shumta dhe koha që kalohet kur miratohen dhe kur japin efektet e tyre.

Pse asnjeri nuk e kupton?
Parë nga Shtetet e Bashkuara, problem është se këto ligje, njëlloj si termitet, janë shtuar dhe janë bërë mijëra. Faqe, faqe, faqe që kush i voton nuk begenis më as t’i lexojë, ndërsa në zyrën e tij ka asistentë të ndryshëm të influencuar nga lobet: i ftojnë nëpër darka, i mbulojnë me dhurata dhe nganjëherë një ndryshim i vogël termi, 3 – 4 fjalë shtesë krijojnë situata që vlejnë miliona dollarë. Ligjet janë të shkruara me një gjuhë që shumë njerëz nuk e kuptojnë, janë shumë të gjatë dhe nuk janë lexuar nga ata që i miratojnë dhe janë nën influencën e lobeve. Besoj se e njëjta gjë ndodh në kryeqytetet europiane.

Në këtë mënyrë krijohet një asimetri gjithnjë e më e madhe midis aksesit ndaj informacionit dhe influencës së ushtruar nga elitat ndaj pjesës tjetër të shoqërisë. Si mund të “dezinfektohesh”?
Me një ide të vetme: thjeshtësi. Një aspekt për të cilin sa më shumë mendoj, aq më shumë bëhet një lloj obsesioni për mua. Kemi humbur thjeshtësinë si objektiv të politikës, ekonomike dhe jo vetëm. Kemi krijuar bindjen se është e nevojshme t’i bëjmë gjërat të komplikuara. Do të shkosh në Hënë? Mirë, por të shkosh ka shumë komplikacione. Ligjet nuk duhet të jenë të komlikuara. Do të zbatosh TVSH-në? Mjafton të thuash se TVSH-ja është në masën 10% për këtë kategori produktesh. Mjaftojnë 50 fjalë. Kurse në të vërtetë këto ligje kanë mijëra faqe, përjashtime, stërhollime që krijojnë mundësi për termitet që të futen në sistem dhe të abuzojnë me të. Shiko, në Shtetet e Bashkuara ka sot 90000 faqe me ligje dhe rregullime fiskale. Unë, që kam punuar në Fondin Monetar, kam shkruar 25 libra, kam dhënë mësim në Harvard, besoj se jam një njeri me një lloj përgatitjeje të caktuar në kë fushë. Megjithatë, i vetëm nuk arrij më ta përgatis deklaratën time e të ardhurave. Ndoshta edhe mund ta bëj, por do të më duhej një muaj.

Nuk besoni se debati mbi fake news është në realitet një tentativë nga ana e autoriteteve dominuese që të thonë: informohuni ku të doni, por lexoni atë që duam ne?
Kjo ka qenë diçka shumë e çuditshme në botë dhe për mua një zhgënjim i madh. Kur ka ardhur internet dhe shkëmbimi i lirë i informacioneve, si shumë sociologë, unë kisha menduar se kjo do të sillte më shumë demokraci dhe transparencë. Por nuk kemi kuptuar që interneti u ka hapur derën fake news: një njeri mund të hedhë në qarkullim një informacion totalisht të gabuar, që më pas qarkullon në pafundësi, me një efekt shumëfishues të shfrytëzuar me art nga grupe të caktuara që kanë interes ta bëjnë. Mendoja se më shumë akses në informacion dhe më shumë informacion do ta përmirësonin botën, por….

Në fakt bota vrapon me shpejtësi dhe ka vende që mezi arrijnë të ruajnë hapin. I kujt është faji?
Konkurrenca në nivel ndërkombëtar është si maratonë: nëqoftëse vrapon pak më ngadalë se të tjerët, për 100 metra kjo gjë nuk ka rëndësi, por më pas distanca bëhet e paarritshme. Nga 1945 deri më 1975, Italia është rritur me një ritëm prej 6% dhe ka kaluar nga një vend i varfër në një prej vendeve të G7-ës. E ardhura për frymë italiane arriti të jetë sa 80% e asaj amerikane. Pas vitit 1980, rritja ka zbritur deri në 2% deri në vitin 2000 dhe më pas nuk është rritur më. Tani e ardhura mesatare për frymë e Italisë është më e ulët se 60% e asaj amerikane dhe Italia rrezikon të humbasë pozicionin e saj në G7. Kjo ndodh në shumë vende, edhe në Rusi: po ja thoja sot Rektorit të Universitetit RANEPA. Nga pikëpamja makroekonomike, Rusia është në një situatë pozitive: shpenzon thuajse sa Amerika, ka një shpërndarje më të mirë të ardhurash, një deficit thuajse zero, por po rritet me ngadalë. Një vend kaq i madh mund të bëjë shumë më tepër: në të vërtetë ka probleme rregullimesh, në disa sektorë ka influencë të tepruar të shtetit. Kthehemi në pikën e nisjes: një shtet që ndërhyn shumë, shpesh për arsye politike dhe jo ekonomike, krijon një efekt negative ndaj rritjes.

Rritje apo reçision: çfarë e pret Italinë më 2019?
Nëqoftëse Italia vazhdon të ecë në rrugën aktuale, nuk ka asnjë shpresë që ta marrë veten. Duhet një revolucion kulturor për të zgjedhur me saktësi atë që duhet të bëjë shteti: nuk mund të keshë njerës që për arsye populiste thonë “kemi premtuar këtë gjë, duhet ta bëjmë me çdo kusht”. Është bukur t’i ftosh njerëzit për darkë e t’u ofrosh kaviar, por nëse nuk ke para dhe të nesërmen ke më shumë borxhe se më parë, nuk mbetet shumë për të bërë.
(Vito Tanzi, vitlindja 1935, më 1967 ka marrë Ph.D në Ekonomi nga Harvard University dhe ka qenë Profesor i Ekonomisë në American University nga 1964 deri më 1974. Më pas, nga 1974 deri më 2000, ka punuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke mbuluar fillimisht postin e Shefit të Degës së Politikave Fiskale dhe më pas, nga 1981 deri më 2000, atë të Drejtorit të Departamentit të Financave Publike. Nga viti 2001 deri më 2003 ka qenë Nënsekretar i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë e dytë Berlusconi.)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Qytetet po ngrihen në revoltë kundër regjimit, thirrja e Bashës nga Durrësi

Tanimë jo vetëm në Tiranë. Qytetet po ngrihen në revolt kundër regjimit të Ramës. Sot Durrësi ka pritur në një miting në qendër të qytetit Kryetarin e opozitës, Basha. Ai ka bërë thirrje nga Durrësi për largimin e Ramës duke e konsieruar këtë si emergjencë kombëtare.

“Ka 1 dhe vetëm 1 zgjidhje: largimi i Edi Ramës, shkaktarit të kësaj gjendjeje, një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të rikthejnë votën tek qytetarët shqiptarë dhe, përmes votës tuaj.”, tha Basha.

Revolta e sotme e qytetarëve të Durrësit do të pasohet nga revolta në qytete të tjera të vendit për të kulmuar me 13 Prill në revoltën e madhe kombëtare në Tiranë.

Çfarë paralajmëroi Basha nga Durrësi!
Mirëmbrëma zonja e zotërinj, qytetare e qytetarë të Durrësit, të rinj e të reja, vëllezër e motra. Ju falenderoj nga zemra për këtë bashkim madhështor në këtë muzg të bukur, teksa fryn era e ndryshimit, era e lirisë që ka ardhur gjithmonë nga qyteti juaj.

Përshëndetje të veçantë rinisë durrsake që ka mbushur këtë shesh, studentëve dhe studentëve durrsakë dhe prindërve të tyre, dhe një kërkesë – ti që ma mban Maduron, ma hiq pak, se nuk shoh dot qytetarët, Hidhe Maduron poshtë!

Vëllezër e motra, anembanë Shqipërisë po fryn era e shpresës, e shpresës për një ndryshim të madh, e shpresës për një ndryshim të vërtetë për çdo familje shqiptare, për çdo nënë e çdo baba, për çdo vogëlushe e çdo vogëlush, të Durrësit e të Tiranës, të Vlorës e të Shkodrës, të Korçës e të Gjirokastrës, nga Tropoja në Sarandë shqiptarët janë zgjuar, shqiptarët janë ngritur.

Për të mos u ulur më, derisa në Shqipëri, si kudo në Evropë, të kemi një demokraic të vërtetë, liri dhe mundësi për çdo shqiptar, drejtësi dhe barazi para ligjit.

Sa herë që një regjimi i vjen fundi, sa herë që autokratëve të korruptuar u vjen fundi, përsërisin të njëjtat shfaqje të shëmtuara. Shfaqjen e shëmtuar të djeshme këtu në Durrës përsëriti pa sukses edhe njeriu që prej 6 vjetësh është përgjegjës për varfërimin më masiv të shqiptarëve, për shpunësimin më të madh në 29 vite pluralizëm, për emigracionin në shifrat më të mëdha që nga vitet ’90, kryehajduti, i kapur duke vjedhur votën e durrsakëve, votën e shqiptarëve, njeriu që ka hequr nga sofrat e familjeve shqiptare bukën e fëmijëve, duke larguar mijëra prindër nga puna, duke mbyllur bizneset, duke mbyllur shkollat, duke shkatërruar spitalet, duke rritur koston e jetesës, duke e bërë atë më të papërballueshme ses edhe popujt më të pasur të Evropës.

Miqtë e mi, ja ku jemi këtu. Dua t’ju pyes, se me të vërtetë ne jemi qytete komshinj, si janë punët këtu ne Durrës? Dje isha në një takim, me disa miq, familjarë, në njësinë numër 8, isha në fakt për ngushëllim tek shtëpia e futbollistit Ali Mema, të cilin në fakt dua ta përkujtoj me shumë nderim sot, edhe këtu në Durrës.

Dhe biseda e parë që qytetarët hapin janë hallet e përditshme që u kanë zënë fytin. Kosto e papërballueshme e jetesës. 9 mijë lekë më tha një nga bashkëbiseduesit e kasha faturën e ujit, 30 mijë lekë më vjen tani. Është vetëm në Tiranë, apo është edhe në Durrës? Më shumë se trefish fatura e ujit në Tiranë. Po në Durrës?

Fatura e energjisë, 2, 3, 4 herë më shumë sesa 6 vite më përpara. E vërtetë apo jo? Taksat 2, 3 deri në 7 herë më të larta sesa 4 vjet më përpara. E vërtetë apo jo?

Për çmimin e naftës nuk ka nevojë të themi shumë fjalë. Shqiptarët, vendi më i varfër i Evropës,i varfëruar deri në palcë, paguan naftën njësoj sa gjermanët, populli më i pasur i Evropës.

Pse? Për shkak të taksës Rama, mbi 300 lekë për litër e rriti, vit pas viti, me efekt të drejtpërdrejtë në çmimin e bukës, në çmimin e zarzavateve, në çmimin e shërbimeve bazë, në çmimin e çdo gjëje që blejnë shqiptarët, nga mëngjesi deri në darkë.

Për vogëlushët dhe pensionistët çmimet janë rritur, kostoja është bërë e papërballuyeshme. E vërtetë apo jo? Është bërë e papërballueshme për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, jo më për 5 apo 10 % të më të varfërve apo më të pamundurve, po për shumicën dërrmuese, profesionistë, që punojnë nga mëngjesi deri në darkë. Inxhinierë dhe mjekë e kanë të pamundur të mbyllin muajin.

Po të tjerët? Po ushtria e të papunëve që rritet nga mëngjesi deri në darkë? Dhe ata qindra e mijëra pronarë biznesesh të vogla, të cilët kanë përfunduar për kotheren e bukës, sepse taksat e Vangjush Dakos së krimit dhe Edi Ramës së narkotrafikut janë më të larta sesa fitimi i tyre vjetor, që është arsyeja se pse prindër shembullorë, qytetarë shembullorë të Durrësit,Tiranës, Shkodrës, Vlorës, Fierit, Lushnjës, Pogradecit, Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë detyrohen të largohen në emigracion, sepse fiton më shumë lekë si pastrues në Gjermani, sesa si biznesmenë të vegjël apo si profesionistë në Shqipëri.

Ky është turpi dhe krimi i Edi Ramës dhe bandës së tij.

Kosto e jetës për do shqiptar është rritur por Edi Rama dhe banda e tij e hajdutëve nuk kanë të ndalur. Vazhdojnë t’i rrisin taksat. Vazhdojnë të shpikin tarifë pas tarife. I kanë vërsulur ekonomisë ushtrinë e tatimorëve të korruptuar

Vazhdojnë të shpikin tarifë pas tarife dhe i kanë versulur ekonomisë ushtrinë e tatimorëve të korruptuar, banditë të babëzitur që kanë një dhe vetëm një qëllim: të zhvasin dhe kacidhen e fundit nga xhepat e shqoptarëve të varfëruar. Kështu i janë vërsulur bizneseve duke I kthyer nga punësues, nga gjeneratorë të ekonomisë në skllevër të narkoshtetit dhe të narkoqeverisë. Këtu u janë turrur baballarëve dhe nënave me taksat dhe tarifat e rritura, ja kryekrimineli, Gjushi I krimit 40 përqind e rriti çmimin e ujit në Durrës.E vërtetë apo jo?Populli: Poooo

Ku I çoi këto lekë? Beton për firmën e tij, leje ndërtimi për kriminelët që ka nxjerrë nga burgu me të cilët ka vjedhur votën e durrsakëve, me të cilët ka instaluar në Parlament anëtarët e bandave kriminale si Jurgis Çyrbja, Rrahman Rrahja dhe kukullën e krimit. Vetëm në listën e Durrësit dy kriminelë dhe një bedel krimi. Ky është parlamenti I krimit I cili mori fund me dorëzimin e mandateve të opozitës.

Papunësi dhe varfëri kudo që hedhim sytë. Shtohet varfëria, shtohet papunësia. Ku janë vendet e punës? Ku shkojnë miliardat e eurove të taksave të rritura që nxirren nga xhepat e popullit më të varfër të Europës? Ku janë këto lekë?

Kllouni që erdhi dje këtu para jush, nuk ishte klloun por ai është hajduti më i madh në historinë e Shqipërisë që fshihet pas shakave bajate ndërsa fut duart ditë për ditë në xhepat tuaj. Vëllezër dhe motra vetëm sipas të dhënave zyrtare në vetëm dy vite Edi Rama ka kullufitur afro 2 miliard euro.

2 miliard euro nga taksat e shqiptarëve!
Me PPP-ra, me tendera të korruptuar si ai i Unazës së re të Tiranës, 20 milion euro për 1 kilometër. Dëgjoni, dëgjoni: 20 milion euro kilometri i unazës ekzistuese kur me projektet e Bankës Europiane për Zhvillim (BERZH), 1 km autostradë by-passi kushton 3 milion euro.

Shikoni çfarë babëzie ka ky hajdut. Nuk vjedh dyfish, as trefish, as katërfish, por shtatëfish shqiptarët, popullin më të varfër të Europës.

Ja ku janë lekët. Dy milliard euro, i bie që ka vjedhur mesatarisht 2 vitet e fundit, 2.4 milion euro në ditë. 100 mijë euro në orë është tarifa e estradës së Edi Ramës, nuk është estradë është tallje me ju, të vjedhurit e mëdhenj, popullin e Shqipërisë, qytetarët e Durrësit.

Ndaj dua ti bëj thirrje edhe socialistëve të ndershëm që tashmë e kanë kuptuar dhe ja zbrazën sheshin dje. Edhe anëtarëve të administratës që rrinin kokëulur, por edhe ndonjërit që qeshte si dele me shakatë e kripura të kryegastorit. Mos qeshni o dele se cdo shaka ju kushton 100 mijë euro tuajat në orë. Kjo është fatura e Edi Ramës për popullin shqiptar.

Sa herë del para jush dhe ngërdheshet si majmun, sa herë del para jush dhe shan opozitën apo merret me pjesët e mija të trupit, sa herë që del para jush ka një hall të madh. Ka një hall jo vetëm të fshehë vjedhjen, port ë fshehë atë që nuk e fsheh dot më kurrë: që bota e tregon me gisht si kryehajdutin e Ballkanit, kryekriminelin e Ballkanit, Maduron e Ballkanit që shqiptarët do ta shporrin.

Dhe dje halli i tij ishte gjigand: Departamenti Amerikan i Shtetit e tha qartë atë që çdo shqiptar e di. 10 vjet më parë Shqipëria hyri në NATO dhe unë pata krenarinë që si ministry juaj I jashtëm bashkë me kryeministrin Berisha, të ngrinim flamurin e Shqipërisë krenar në selinë e NATO-s në Bruksel, krah për krah aleatit tonë më të madhe e më të rëndësishëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sepse e kthyem Shqipërinë në një vend të sigurtë, bazë sigurie që eksportonte siguri dhe nuk e konsumonte atë. Një nga pikat kryesore të ndryshimit ishte këtu, Durrësi, siguria portuale që sëbashku e bëmë realitet. Dhe kështu bëmë realitet shumë kushte të tjera të pakapërcyeshme që e bënë Shqipërinë anëtare të NATO-s.

Sot 10 vjet më vonë, miqtë tanë të çmuar, aleati strategjik I Shqipërisë dhe I shqiptarëve dhe partneri strategjik I PD-së dhe Lulzim Bashës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës treguan të zezë mbi të bardhë të vërtetën që di çdo shqiptar:

Nga bazë sigurie në bazë të rrjeteve kriminale, Shqipëria bazë dhe strehë e kriminelëve që veprojnë nga Amerika e Veriut në Amerikë të Jugut, nga Europa në Azi, vend kyç për trafikun e heroinës dhe të kokainës dhe kjo e gjitha për shkak, siç thotë raporti “korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes”.

Natyrisht ju e dini se për kë e ka fjalën, e ka fjalën për Vangjush Dakon, e ka fjalën për Edi Ramën, e ka fjalën për Saimir Tahirin, e ka fjalën për Fatmir Xhafën, e ka fjalën për Arben Ahmetajn. E ka fjalën për bandën e hajdutëve që vodhi votat dhe vazhdon të vjedhë Shqipërinë.

Vëllezër dhe motra sa herë ta shikoni mjerushëm në sheshin e Durrësit si mbrëmë apo në ekrane duke u shtirur si klloun, kujtohuni. Nuk keni një klloun përpara, as thjeshtë një të sëmurë psiqik, por hajdutin më të madh që ka parë ky vend.

100 mijë euro në orë, kjo është bileta. 100 mijë euro është fatura e çdo shqiptari. 100 mijë euro paguan ky popull për estradën e shpifur të Edi Ramës. A ja vlen? Populli: jooo. A ja vlen ky çmim? Populli: Jooo

A ja vlen e ardhmja e fëmijëve tuaj, shkatërrimi I vendeve të punës, shkatërrimi I shëndetësisë dhe I shkollave? A është kjo fatura që duhet të vazhdojmë të paguajmë? A e meriton Durrësi estradën e Edi Ramës që I kushton 100 mijë euro në orë? Ju kushton mirëqënien, zhvillimin dhe punësimin. I kushton fermerëve mjerimin më të madh, se nuk ka mjerim më të madh se të detyrohesh të derdhësh në rrugë qumështin.

Sepse sot shitet më lirë se uji, sepse Edi Rama dhe banda e tij e hajdutëve, me sistemin e ri të TVSH-së ka një dhe vetëm një qëllim: ti falimentojnë fermerët shqiptarë, ti falimentojnë fermerët e Durrësit, për të mbushur xhepat e një grushti monopolistësh dhe oligarkësh hajdutë.

Kjo është e vërteta, ky është shkaktari I varfërisë dhe krizës ekonomike. Ai ka një emër dhe një fytyrë, ai është Edi Rama. Largimi I tij është emergjencë kombëtare.

Deri para disa kohësh, shumë kush do kishte thënë; është e pamundur të mblidhen kaq shumë qytetarët e të protestojnë në Durrës!

Kjo nuk është hera e parë, është hera e dytë që unë vi për një takim dhe kthehet në një miting të përmasave që Durrësi se ka parë dhe se ka njohur prej kohësh. Kjo është shenjë e qartë se durimit I ka ardhur fundi dhe se rruga e vetme përpara, është ajo që sëbashku kemi nisur.

Kur një prind abuzon me familjen, shpërdoron dhe vjedh paratë dhe pasuritë e shtëpisë, shkel, dhunon, poshtëron fëmijët, këtij prindi I tregohet vendi nga drejtësia, shkon para gjyqtarit, shkon në burg po të jetë e nevojshme.

Qeveria nuk na duhet për të treguar barsaleta, ndërkohë që Edi Rama fut duart thellë në xhepat tonë. Qeveria na duhet të kujdeset për hallet dhe problemet e qytetarëve, jo ta rrisë çmimin e ujit siç ka bërë Vangjush Dako dhe Edi Rama, por ta ulë. Jo ti mbyllë bizneset me taksa të larta që vidhen nga një grusht oligarkësh, por ti japë frymëmarrje dhe oksigjen ekonomisë për më shumë vende pune me paga dinjitoze dhe kushte dinjitoze, prandaj duhet qeveria.

E pra, nëse një prind abuzues drejtësia e çon atje ku duhet, edhe një qeveri abuzuese duhet ta çojmë atje ku duhet, por këtu kemi një problem të madh, për të cilin na ka thirrur historia.

Kur qeveria kapet duke vjedhur, siç është kapur duke vjedhur Edi Rama, kur qeveria kapet duke kryer krime, siç janë kapur këta, atëherë nuk ikën populli refugjat, ikën qeveria, largohet me votë dhe shkon para drejtësisë.

Edi Rama e di fare mirë këtë. Ai e di se nesër, po të mbaheshin votimet në Durrës dhe gjithë Shqipërinë, Edi Rama, Vangjush Dako dhe banda e tij e hajdutëve, do ta paguajnë shtrenjtë poshtërimin, hajdutërinë dhe krimin që kanë kryer ndaj çdo shqiptari, të majtë e të djathtë, në fshat e në qytet, të ri e të vjetër. Prandaj, e ka shkatërruar themelin e demokracisë, votën e lirë. Kush më mirë se durrsakët dhe shijakasit e dinë këtë?!

Dosja 339 është dëshmia gjyqësore e rënies së votës së lire, e shkatërrimit të zgjedhjeve, e kapjes dhe shkatërrimit të demokracisë. Dhe kjo është arsyeja se pse Edi Rama ka kapur drejtësinë, ka ndryshuar 5 herë prokurorët e dosjes 339, me shpresën se kështu do të vonojë fatin që e pret Vangjush Dakon, bashkëpunëtorin e Niçes me shokë dhe gjithë kupolën socialiste, deri tek Edi Rama, hajdutët e votave të durrsakëve, hajdutët e votave të shijakasve, hajdutët e vitave të qytetarëve shqiptarë.

Ndaj, me zgjedhjet e vjedhura, me Gjykatën Kushtetuese të vrarë, me drejtësinë e kapur nuk kishte asnjë rrugë tjetër për opozitën për t’i shërbyer interesit publik.

Nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për ne që të luftonim për t’ju mbrojtur dhe për të avnacuar interesat dhe kauzat tuaja, nuk kishte vendim tjetër që unë, si kryetar i opozitës dhe kryetar i PD mund të merrja, perveçse t’ua riktheja edhe një herë gjykimin ju, sovranit të patjetërsueshëm, qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Ju durrsakët keni qënë dëshmitarët e parë të eksodit të dhimbshëm të viteve ‘90. Që në ditët e nxehta të korrikut ‘90, ‘91-shit, ‘92-shit e me tej, ju këtu keni qenë dëshmitarët dhe përcjellësit e qindra mijëra shqiptarëve, të rinjve dhe të rejave, bijve e bijave tuaja drejt emigracionit.

Rruga jonë drejt Europës ka filluar me sakrifica të mëdha, me sakrifica të jashtëzakonshme, që nuk do t’i harrojmë kurrë. Ne ishim të ndërgjegjshëm për ato saktifica atëherë, të gjithë ata që u larguan, e shumë prej tyre, per fat të mirë, kanë ndërtuar një jetë te mirë të standardeve europiane në Itali dhe në Europë, ishin të ndërgjegjshëm per nevojën e asaj saktifice.

Sot, e ardhmja e fëmijëve tanë, këta vogëlushë, të rinj etë teja, na thërrasin edhe një herë për t’i dhënë kësaj rruge etapën finale. Rrugëtimi ynë drejt Europës nuk do të jetë më rrugëtim klandestin, rrugëtim refugjatesh të pashpresë.

Rrugëtimi drejt Europës do të jetë rrugëtim i standardeve europiane, sepse vetëm ky rrugëtim është shpresa jonë, demokracia europiane është shpresa jonë, zgjedhjet e lira e të ndershme janë, qeveria e dalë nga vota juaj është shpresa jonë dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin e të korruptuar deri në palcë, këto janë kauzat për të cilat luftojmë, këto janë kauzat për të cilat jemi bashkaur sonte nënkëtë shesh në mënyrë madhështore, të vendosur dhe qytetare.

Këto jane kauzat për të cilat do ta vazhdojmë betejën tonë. Sepse vëllezër dhe motra, rrugë tjetër përveç rrugës europiane nuk ka e nuk mund të ketë.

Ka një pengesë për rrugën tonë europiane. Ajo është Shqipëria si Kolumbia, ajo është Maduro i Ballkanit dhe banda e tij hajdute. Koha për zgjidhjen politike është tani. Ka 1 dhe vetëm 1 zgjidhje:

largimi i Edi Ramës, shkaktarit të kësaj gjendjeje, një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, që do të rikthejnë votën tek qytetarët shqiptarë dhe, përmes votës tuaj, do të kthejmë mundësinë dhe shpresën, lirinë për punë, dinjitet, zhvillim dhe, mbi të gjitha, për shpresën e cila po lind në çdo cep të këtij qyteti të lashtë.

Era e ndryshimit që fryn nga Durrësi është treguesi më i mirë, sikundër Durrësi është barometri më i qartë për rrugën e re e që ka vendosur të ndjekë shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë.

Askush dhe asgjë nuk mund të ma kthejë nga kjo rrugë. Së bashku e kemi nisur, së bashku do ta çojmë deri në fund këtë rrugëtim telë saktificës, sepse e dimë që në fund të kësaj rruge na pret diçka që e kemi ëndërruar tash 30 vite:

Vlera, standarde, parime europiane, Kosto e përballueshme e jetës, Punësim per rininë, Liri, mundësi dhe barazi para ligjit për çdo qytetar. Fund krimit dhe korrupsionit, Fund pandëshkueshmërisë së politikanëve.

Ndaj, ju ftoj që me këtë përkushtim të madh që e keni nisur betejën për këtë qytet të mrekullueshëm, këtë vepër mahnitëse të qytetërimit durrsak e qytetërimit shqiptar, arbnor e ilir, këtë rrugëtim ta vazhdojmë kështu, së bashku, të palodhur, të papërçarë, plot besim tek njëri- tjetri, besim tek qyteti juaj, tek mençuria proverbiale e qytetarisë durrsake.

Ju ftoj të mos e humbisni besimin e rigjetur tek vetja. Përballë do të kemi një grusht hajdutësh, një grusht minjsh që nuk po gjejnë vrimë për të futur kokën. Shumë shpejt bashkia do t’i kthehet qytetarëve të Durrësit, shumë shpejt qeveria do t’i kthehrt qytetarëve shqiptarë të bashkuar, të vendosur deri në fitore!

Lajthit edhe Lleshi si Rama: “Mos kini frikë nga vrasjet, në Shkodër ishte larje hesapesh”!

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi ka bërë një deklaratë të çuditshme mbrëmjen e sotme pas vrasjes së dy vëllezërve Bilali në qytetin e Shkodrës.
Lleshaj tha se qytetarët nuk kanë pse të frikësohen nga bandat, pasi vrasja e dy vëllezërve është bërë për larje hesapesh.
Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë edhe kryeministri Edi Rama deklaroi në një studio televizive ‘ata hëngshin kokat e njëri-tjetrit’, duke patur parasysh vrasjet për larje hesapesh në qytetin e Shkodrës dhe në të gjithë Shqipërinë.