33.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Neymar pagëzon “fenomenin” e ri të futbollit botëror

Neymar beson se bashkëlojtari i tij te PSG, Kylian Mbappe, tashmë është një “fenomen” dhe do të mbetet një nga emrat më të mëdhenj në futbollin botëror. Talenti francez ka pasur një rritje të madhe që nga sezoni i tij i shpërthimit me Monaco (2016-2017), duke fituar dy herë titullin e Ligue 1 dhe Kupën e Botës.
Ai ka shënuar 31 gola dhe ka dhënë 15 asiste në të gjitha garat, në 35 ndeshje këtë sezon. Nga këto, 26 gola dhe 8 asiste janë regjistruar në 23 ndeshje të Ligue 1. Të dy, Neymar dhe Edinson Cavani, dy anëtarët e tjerë të “tridentit” të PSG, janë prekur nga lëndimet, çka ia ka shtuar përgjegjësinë Mbappe.
Neymar ishte plot lavdërime për bashkëlojtarin e tij, që mund të përmirësohet edhe më tej. “Për mua, Mbappe është një fenomen tashmë. Ai mund të ketë një karrierë të madhe dhe të bëhet më i mirë se është tani, – tha Neymar në një intervistë ekskluzive me DAZN. – Unë nuk kam asnjë dyshim se do të bëhet një nga emrat më të mëdhenj në futbollin botëror. Kylian është një person i qetë, i lumtur, plot gëzim, gjithmonë i gatshëm për shaka”.
Të dy, Neymar dhe Mbappe, janë lidhur rregullisht me Real Madridin, një lëvizje që mund të kryhet për shumë para. Këto zëra janë përforcuar veçanërisht për Mbappe, pas riemërimit të francezit Zinedine Zidane si trajner i të bardhëve. Mbappe nuk e ka mbajtur sekret admirimin që ka për “Los Blancos”, por u bashkua me PSG nga Monaco, përpara sezonit 2017-2018.

Qeveria e SHBA: Korrupsioni zyrtar nuk lejon lejon luftën ndaj drogës dhe pastrimit të parave

Departamenti amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve. Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se ky vend është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.

Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.

Vëllimi i konfiskimeve të drogës dhe arrestimet e lidhura me drogën në vitin 2018, thuhet në raport, ishin me rëndësi, të nxitura kryesisht nga bashkëpunimi i organeve ligjzbatuese me partnerët ndërkombëtarë, presioni ndërkombëtar në rritje dhe përpjekjet e Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian.

Sipas raportit, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore.

“Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi.” Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve.

Korrupsioni zyrtar, thuhet aty, është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar.

Sipas raportit, përpjekjet për të çrrënjosur kanabisin dhe ndjekur penalisht kultivuesit e tij kanë qenë të gjera, por jo kudo njëlloj, dhe ndërhyrja në infrastrukturën e trafikimit të drogës që është krijuar gjatë dy dekadave përbën një sfidë.

Raporti thotë se shkalla e lartë e papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar që shkaktojnë problemin e kontrollit të drogës në Shqipëri.

PASTRIMI I PARAVE
Në pjesën e raportit për pastrimin e parave, Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vititt 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare. Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare.

Në raport thuhet se ekonomia e vendit operon në masë të madhe me cash dhe në mënyrë informale, me hyrje të konsiderueshme të parasë nga jashtë në formë të dërgesave të emigrantëve. Krimet që gjenerojnë më shumë para në Shqipëri janë trafikimi i drogës, evazioni fiskal dhe kontrabanda, sipas DASH.

Elementë të tjerë me rëndësi në këtë aspekt, sipas raportit, janë falsifikimi, kontrabanda e armëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Shqipëria, thuhet në raport, shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.

Reformat e fundit në drejtësi, verifikimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion dhe për lidhjet me krimin e organizuar si dhe krijimi i një task-force policore që synon aktivitetet e krimit të organizuar, thuhet në raport, kanë krijuar një trajektore pozitive që Shqipëria të trajtojë çështjen e pastrimit të parave dhe të krimeve financiare.

Megjithatë, përfundon raporti i DASH, korrupsioni i përhapur përbën një sfidë për zgjidhjen e tyre.

Raporti vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve, i kërkuar nga Kongresi dhe i ndarë në dy vëllime, vlerëson përpjekjet e qeverive të huaja për të reduktuar prodhimin, trafikimin dhe përdorimin ilegal të drogës, si dhe punën e tyre për të luftuar pastrimin e parave që lidhen me trafikimin e drogës.

Raporti nisi të botohej në vitin 1986 dhe publikimi i tanishëm mbulon vitin kalendarik 2018.

Gjysëm ton drogë nga Shqipëria kapet në Maqedoni, arrestohet shqiptari

500 kg kanabis sativa nga Shqipëria është sekuestruar në vendkalimin kufitar ‘Tabanoc’. Bëhet e ditur se, Dogana e Maqedonisë së Veriut, në vendkalimin kufitar ‘Tabanoc’ kanë zbuluar rreth gjysmë toni kanabis sativa, përafërsisht rreth 500 kilogram të cilat ishin të fshehura në bunkerë speciale.
Nga Dogana e Maqedonisë njoftojnë se është arrestuar një shtetas nga Shqipëria me inicialet B. F.

Zbardhet top-formacioni i Realit, Zidane me pesë yje të rinj

Mediat franceze (L’Equipe) kanë publikuar një model të formacionit titullar të Real Madridit për sezonin e ardhshëm. Përveç nënshkrimeve të mëdha, që parashikohen të materializohen kësaj vere, në zgjedhjet e trajnerit Zidane ka vend edhe për “pesha të rënda” të eksperiencës së tij të parë si trajner në “Santiago Bernabeu”.
Nëse në kohën e Solarit, emra të tillë si Keylor Navas dhe Marcelo përfliteshin për t’u larguar, ngaqë nuk po gjenin hapësirë, tashmë ata do të rifitojnë statusin që kishin, me francezin në krye. Spanjollja “AS” ka sqaruar përmes një videoje jo vetëm formacionin, me të cilin pritet të startojë Zidane sezonin e ardhshëm, por edhe vendosjen e tyre sipas pozicioneve përkatëse në fushë.
Kjo 11-she do të përbëhej nga këto emra, sipas modulit 4-3-3: Navas – Marcelo, Ramos, De Light, Carvajal – Casemiro, Rabiot, Pogba – Hazard, Mbappe, Benzema. Pra, duket qartë se kemi pesë prurje të reja, të piketuara në kokën e drejtuesve të “Los Blancos”.
Interesant është fakti se i bie të ulen në stol edhe emra të tillë, si Modric apo Toni Kroos, me Isco që e ka provuar tashmë këtë status, pa llogaritur elementët e rinj, që morën mjaft hapësira këtë sezon, me Lopetegui dhe Solari në stol. Kujtojmë se ditën e djeshme ishte “L’Equipe”, që bëri me dije se Real Madridi ka përgatitur 500 milionë euro për merkaton e kësaj vere.

Stoltenberg, mbetet sekretar i përgjithshëm i NATO-s deri në vitin 2022

Vendet anëtare të NATO-s i zgjatën të enjten mandatin sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg, duke hapur kësisoj mundësinë që ish kryeministri norvegjez, të bëhet një nga udhëheqësit që ka qëndruar më gjatë në këtë post.

Jens Stoltenberg, 60 vjeçar, i cili mori detyrën më 1 tetor të vitit 2014, do të shërbej në këtë post deri më 30 shtator të vitit 2022. Diplomatët thonë se ai është mjaft popullor në mesin e aleatëve, posaçërisht në sytë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e ka vlerësuar atë për ndihmën që ka dhënë në shtimin e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes.

Në një njoftim nga selia e NATO-s thuhet se “aleatët shprehën mbështetjen e tyre për punën e Sekretarit të Përgjithshëm për të përshtatur dhe modernizuar NATO-n dhe për të siguruar që ajo të mbetet e tillë për të ardhmen”.

NATO-ja që dikur është parë nga disa si relikt i Luftës së Ftohtë, rifitoi rëndësinë derisa perëndimi po i kundërvihet Rusisë së ringjallur, sulmeve kibernetike të mbështetura nga shtetet, kërcënimeve të sigurisë në kufijtë e saj dhe sulmeve militante në qytetet evropiane.

Nëse e përmbushë mandatin, zoti Stoltenberg do të jetë shefi i dytë i NATO-s që shërben më së gjati pas ish ministrit të Jashtëm holandez, Joseph Luns, që shërbeu si sekretar i përgjithshëm nga tetori i vitit 1971 deri në maj të vitit 1984.

Zoti Stoltenberg u shpreh i nderuar me vendimin e 29 aleatëve të NATO-s. “Së bashku do të vazhdojmë të modernizojmë aleancën që të jetë e gatshme për të ardhmen”, shkroi ai.

Javën që vjen zoti Stoltenberg do të qëndrojë në Washington ku do të drejtojë takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në shënimin e 70 vjetorit të Aleancës. Gjatë asaj kohë ai do të takohet me presidentin Donald Trump dhe do të mbajë fjalim në Kongresin amerikan.

Njëzet vjet më parë NATO-ja kishte shënuar 50 vjetorin e themelimit në mes të fushatës së bombardimeve ndaj Serbisë, për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kim Mehmeti: Rama ia mori Shqipërisë të gjitha, kriza e fundit që ka kapluar vendin do sjellë një të mirë…

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti e sheh krizën e fundit politike në Shqipëri si pasojë që ka ardhur nga sjellja e përgjegjshme e klasës politike në 30 vitet e fundit. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mehmeti thotë se Edi Rama është përfaqësuesi më i denjë i politikani që në këto vite i morën gjithçka vendit dhe nuk i dhanë asgjë. Intervistoi: Qamil Xhani

Z. Mehmeti, në Shqipëri prej muajsh po konsumohet një konflikt politik i paprecedentë që ka sjellë djegien e mandateve parlamentare të opozitës dhe protesta kundër kryeministrit Edi Rama. Në këndvështrimin tuaj, kë shihni përgjegjës për krizë në Tiranë dhe cila mendoni se do të ishte zgjidhja e duhur për të mos sjellë destabilitet?

Kim Mehmeti: Përgjegjës për krizën e sotme në Shqipëri janë të gjithë ata politikanë, të cilët thuajse tri dekada me radhë janë duke ia djegur vendit të sotmen e të ardhmen. E Kryeministri i sotëm është fytyra më e besnike e politikanëve që Shqipërisë ia morën të gjitha, duke mos i dhënë asaj asgjë. Pra ai është portreti më besnik i një klase politike që thuajse tri dekada me radhë e sunduan vendin, por duke mos mundur t’i sundojnë pirjet e tyre destruktive, pra duke e humbur pushtetin mbi vetveten.

Mendoj se kriza e fundit që ka kapluar Shqipërinë, do sjellë një të mirë: do e shpëtojë vendin nga një gjeneratë politikanësh që nuk dinë të bëjnë asnjë punë tjetër, përpos se të merren me politikë. Pra do e shpëtojë Shqipërinë nga burrështetasit që u pasuruan duke e varfëruar shtetin e popullin, të cilët janë ta gatshëm ta djegin edhe fatin kolektiv, për ta fshehur fytyrën e vet prej hajduti.

Pra besoj se kjo krizë politike, që ka mbërthyer Shqipërinë, do të krijojë hapësirë për ardhjen e një gjenerate të re politikanësh, si zgjidhje e vetme që kjo shqiptari ta shpëtoj vetveten nga përqafimi ngulfatës i burrështetasve të sotëm. E kjo do ndodh ditën kur do bie kjo qeveri, e cila do e tërheq me vete një kastë politike, e cila thuajse tri dekada me radhë mbolli farën e bimës së keqe politike, për to cilën u fola më lartë.

Shpesh herë keni kritikuar ashpër Kryeministrin Edi Rama për mënyrën sesi po drejton Shqipërinë. Pas 21 vitesh në poste të ndryshme drejtuese dhe pas 6 vitesh si Kryeministër i Shqipërisë, çfarë do t’i sugjeronit Edi Ramës?

Kim Mehmeti: Në Maqedoninë ku jetoj, janë ndërruar tri gjenerata të drejtuesve partiak nëpër partitë maqedonase, dhe rrallëkush i mbanë mend emrat e ish-kryeministrave dhe presidentëve të shtetit. Ndërkaq, ne shqiptarët, mbetëm me elitat politike që na i solli postkomunizmi. Në Maqedoninë ku jetoj, dënohet me burg edhe ish kryeministri, e në Shqipëri flitet për keqpërdorime të përmasave perverse dhe për kanabizim të shtetit, e Kryeministri del në ekranet televizive dhe i përqeshë dhe i akuzon akuzuesit e vet.
Pastaj fjalorin që e përdorin shumice e deputetëve të Shqipërisë, me në krye Kryeministrin e vendit, kanë turp ta përdorin edhe vashat e përdala dhe djemtë rrugaç të katundit ku jetoj, e le më ata që njohin turp e njerzillëk.

Dhe vlerësuar sipas zënkave mes disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, e ku më i zëshëm është Kryeministri i vendit, ke përshtypjen se shteti është kapur nga ata që besojnë se paturpësia, papërgjegjësi dhe gënjeshtrat, janë vlera mbi të cilat qëndron demokracia. Dhe ka ardhur puna deri aty sa ne duhet të turpërohemi nga paturpësia e tyre.

Andaj edhe s’ke çka i sugjeron njeriut që të lë përshtypjen se nuk e ka kuptuar më parësoren që duhet ta dijë një burrështetas: se çfarë i ka hije të bëjë e të thotë budallai i mëhallës, nuk i ka hije të parit të shtetit, se e ka pru punën deri aty sa paraqitjet e tij publike duhet të shoqërohen me paralajmërimin: keni kujdes, është e ndaluar për adoleshentët, ngaqë folësi është i paparashikueshëm dhe mund të bëjë ndonjë sjellje të turpshme dhe të përdorë fjalorë të pistë!

Që nga muaji gusht i vitit që lamë pas në Prishtinë është hedhur nga Presidenti Hashim Thaçi ideja e “korrigjimit” apo shkëmbimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ju personalisht e keni cilësuar si një projekt serb, por si shpjegohet që një variant i tillë deri më tani ka mbështetjen e dy politikanëve shqiptarë, Hashim Thaçi dhe Edi Rama?

K.Mehmeti: Sikur Presidenti i Kosovës të kishte lexuar pak më shumë se sa abetaren, do i kishte rënë në dorë edhe projekti serb i Dobrica Qosiqit për ‘zgjidhjen’ përfundimtare të konfliktit serbo-shqiptarë, nëpërmjet shkëmbimit të territoreve. Dhe nëse Presidenti i Kosovës do merrej me shumë me hallet e popullit të vet, se sa me brengën si ai e Vuçiqi të mbeten përjetësisht në pushtet, që moti do e kuptonte se është e pamundur të të takojë edhe lavdia e djeshme e ‘çlirimtarit’ edhe fama dhe pasuria e politikanit të sotëm. Pra do e kuptonte se kur je injorantë dhe i pavlerë, si dhe kur ‘lavdinë’ e djeshme e përdorë si ‘kartë-kredie’ për ta blerë të sotmen politike, kot që për ty shkruajnë libra, sepse herdo-kurdo ‘kartela’ të zbrazet dhe përballesh me të vërtetën se nuk ka pasuri apo pushtet, që ta mbulon ‘varfërinë’ morale dhe njerëzore!

Dhe Presidenti i Kosovës merret me ‘korrigjim’ kufijsh sepse me asgjë nuk mund ta ndihmojë ‘korrigjimin’ e pozitës mjerane të vendit që përfaqëson, të vendit që nga djep i mburrjes sonë kombëtare, u bë thuajse varrezë masive e ëndrrave rinore. Dhe kuptohet, tërë këtë ‘strategji’ të vet për ‘t’ia marrë’ Serbisë Preshevën, duke mos i dhënë asaj asgjë si kundërvlerë, Presidenti i Kosovës nuk do mund ta shpaloste kaq guximshëm dhe paturpshëm pa mbështetjen e’ piktorit’, i cili e morr veshtë se ka shqiptarë edhe matanë kufijve të mëmëdheut atëherë kur duhej diku ta promovonte ‘Kurbanin” e tij, pra pasi u bë Kryeministër i Shqipërisë.

Sidoqoftë, ka ardhur koha kur shqiptaria duhet ta shpëtojë vetveten nga këta burrështetas që e përbuzin inteligjencën tonë, duke menduar se ne i kemi ngatërruar ëndrrat për “Shqipëritë” tona dhe se nuk e shohim se ato u bënë vende me institucione të partizuara, me gjyqësor që e zbaton ligjin vetëm ndaj varfanjakut që vjedhë 50 euro për t’i ushqyer fëmijët, por jo edhe ndaj politikanit që e plaçkitë popullin, me sistem të rrënuar shëndetësorë ku vdesin varfanjakët, e ku nuk shkojnë të shërohen burrështetasit e sëmurë, me institucione publike arsimore ku libreza partiake ta siguron edhe titullin shkencor…, se u bënë shtete që shenjë njohëse kanë keqqeverisjen dhe korrupsionin!

Në këmbim të territorit të Kosovës, enturazhi i kryeministrit Edi Rama në mënyrë të rafinuar po hedh për konsum publik tezën e një bashkimi të mundshëm Shqipëri-Kosovë. Si duhet të reagojnë shqiptarët në gjithë rajonin ndaj një ideje të tillë?

K.Mehmeti: Ëndrra dhe ideali për bashkim kombëtar nuk do vdes deri sa të ketë shqiptari. Por atë ëndërr nuk mund ta jetësojnë politikanët si Kryeministri i Shqipërisë, që e ‘copëzoi’ edhe atë pakë mëmëdhe që kemi. Si mund ta bashkojë shqiptarinë ai që nuk mundet të komunikojë njerëzishëm me të zgjedhurit e popullit të vet?! Si mund ta bashkojë popullin ai që nuk ndjen përgjegjësi për asgjë, të cilin kur e përballë me aeroplanët që ulen për të ngarkuar marihuan, ai to thotë se ato janë mushkonja, të cilit kur i thua se ka bashkuar krimin me politikën, ai të përqesh…, pra si mund ta bashkojë popullin e vet ai që gënjeshtrën dhe papërgjegjësinë i ka instrumente të vetme për të mbijetuar politikisht?!/
Marrë me shkurtime nga Koha.jonë

Guda refuzon mandatin e deputetit: Pa u menduar dy herë, po njëlloj do ta refuzoja!

Kandidati për deputet nga lista e PD në qarkun e Korçës, Fatmir Guda ka refuzuar mandatin nëpërmjet një deklarate publike në faqen e tij në Facebook.
“Edhe pse e gjykuam se parlamenti ishte vendi dhe rasti i duhur për të ngritur me forcën e arsyes një nga çështjet më me rëndësi siç është korrigjimi i hartës territoriale administrative, konkluduam se ky institucion tashmë e ka humbur legjitimitetin dhe moralin“, shkruan Guda.
Përmes rreshtave ai ka bërë të ditur se i janë ofruar favore apo është shantazhuar për të pranuar mandatin e deputetit duke u shprehur se: “asnjëra e as tjetra s’më ka dyzuar aspak ta refuzoj prerazi mandatin e ardhur antikushtetuetshmërisht“.

Postimi i plotë i tij
ËSHTË NDER DHE PRIVILEGJ TË QËNËT PJESË E PARLAMENTIT TË VËNDIT TËND, TË PËRFAQËSOSH DHE MBROSH ATJE INTERESAT E QYTETARËVE TË TU!
Por ja, që kushtet në të cilat më ofrohet marrja e mandatit të deputetit për të qënë pjesë e tij janë krejtësisht larg normalitetit, pasi institucioni bazë i demokracisë gjendet në krizën e tij më të thellë të përfaqësimit, për shkaqe të njohura botërisht, që nga përfshirja në të e elementëve të botës së krimit dhe deri tek përdorimi i tij në mënyrë autoritariste për uzurpimin në një dorë të vetme të të gjitha pushteteve. Është kjo situatë që dhe u ka diktuar partive opozitare vendimarrjen politike më të papreçedentë , siç është akti ekstrem i djegies në grup të mandateve parlamentare.
Pa dashur të abuzoj e ta bëj edhe më qesharak termin “u konsultova me ndërkombëtarët”, ju bëj me dije, se përveç leximit qartë të verdiktit unanim të strukturave drejtuese të PD dhe opozitës së bashkuar, të vetmit me të cilët mbartja detyrimin për tu konsultuar ishin ata që më kanë mbështetur në të gjitha sfidat e mia politike, sikundër edhe gjatë fushatës elektorale të 2017, të cilët më kërkuan të mos dilja jashtë vullnetit politik të subjektit që unë përfaqësoj.

Edhe pse e gjykuam se parlamenti ishte vëndi dhe rasti i duhur për të ngritur me forcën e arsyes një nga çështjet më me rëndësi siç është korrigjimi i hartës territoriale administrative, konkluduam se ky institucion tashmë e ka humbur legjitimitetin dhe moralin me një mungesë të shprehur të dëshirës për të dëgjuar zërin opozitar dhe emergjencë kombëtare është zvëndësimi sa më herët me një kuvend shqiptarësh të dalë nga vullneti i lirë i qytetarëve.
Ja përse asnjë lloj tundimi, presioni apo shantazhi i pamunguar i këtyre ditëve s’më ka dyzuar aspak ta refuzoj prerazi mandatin e ardhur antikushtetuetshmërisht, duke shpresuar shumë, se me këtë akt nuk do jem i vetmi që do i vij sado pak në ndihmë dhe një sahat e më parë zgjidhjes së krizës politike në vënd.
PRA, ME QINDRA HERË TË TJERA TË MË OFROHEJ NJË MUNDËSI E TILLË, NË TË TILLA RRETHANA, PA U MENDUAR DY HERË, PO NJËLLOJ DO TA REFUZOJA.
Aspak i lumtur për katandinë e mexhlisit të popullit tim, edhe unë kam zgjedhur të rri me qytetarët dhe s’do të rresht së kontribuari dhe luturi në zot, që Shqipëria jonë ti rikthehet stabilitetit dhe vlerave të demokracisë evropiane!

Basha: “Asnjë kufizim nuk do të ketë për mediat, në asnjë ngjarje politike të PD”

Kryetari i PD, Basha në tryezën me titull “Liria e medias në funksion të mbrojtjes së demokracisë”, u shpreh se, asnjë kufizim nuk do të ketë për mediat, në asnjë ngjarje politike të Partisë Demokratike.
“Në dijeninë time askush nuk ka penguar ndjekjen e aktiviteteve të opozitës, por nëqoftëse është kështu, le ta bëj reflektimin sot dhe publikisht para të gjithëve.
Absolutisht, në asnjë aktivitet publik timin si kryetar i opozitës, apo të bashkëpunëtorëve të mi, nuk ka për të pasur asnjë kufizim të pranisë mediatike. Unë e di se aktivitetet e mia janë transmetuar live në Facebook, të plota, pa prerje, nuk është prerë as fillimi, as fundi. Megjithatë, për t’ju përgjigjur një kërkese konkrete të ngritur sot, po ju them sot se asnjë kufizim nuk do të ketë në asnjë ngjarje politike të Partisë Demokratike, në veçanti timen si kryetar i Partisë Demokratike”.

Vihen në provë marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Europës

Presidenti kinez Xi Jinping u takua këtë javë me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë dhe nënshkroi marrëveshje në një përpjekje për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Analistët thonë se përpjekjet kishin për qëllim të zbusnin kufizimet tregtare dhe investimet kineze në Evropë, por nuk ka të ngjarë që vizita e tij të dobësojë qëndrimin e BE-së.

Turneu evropian i presidentit Xi përfshinte ndalesa në Itali, Monako dhe Francë. Por Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kreu i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shkuan në Paris për të takuar udhëheqësin kinez.

Analistët thonë se vizita ka përmirësuar atmosferën e përgjithshme të marrëdhënieve midis BE-së dhe Kinës, por reagimi evropian dhe qëndrimi ndaj kompanive kineze dhe investimeve të tyre nuk ka gjasa të ndryshojë.

“BE nuk do të zbutë qëndrimin mbi kërkesat e saj thelbësore (për lidhje të drejta dhe reciproke ekonomike, përfshi eliminimin e transferimeve të detyruara të teknologjisë dhe respektimin e standarteve bazë të BE-së), pavarësisht nga zgjerimi i miqësisë dhe marrëveshjeve të mëdha që u arritën gjatë vizitës së presidentit Xi”, tha Sourabh Gupta, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Studimeve Kino-Amerikane në Uashington.

Gjatë vizitës, presidenti Xi nënshkroi 29 marrëveshje me vlerë 2.8 miliardë dollarë me Italinë dhe vendosi urdhër për blerjen e 300 avionëve Airbus me vlerë 34 miliardë dollarë në Francë, të njëjtin numër të avionëve Boeing që bleu nga Shtetet e Bashkuara gjatë vizitës së Presidentit Donald Trump në vitin 2017 në Pekin.

Nga ana e saj, Italia u bë vendi i parë i Grupit të Shtatëshes që nënshkroi të ashtuquajturën Rrugë e Re e Mëndafshit, një projekt ambicioz infrastrukturor, pavarësisht kritikave të Uashingtonit që e quan “projektin e kotësisë” kineze.

Motivi i presidentit Xi
Ajo që e motivoi vizitën e presidentit Xi ishte rreziku i presionit të dyanshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja për të ndryshuar disa nga sistemet e brendshme, si subvencionet shtetërore dhe financimet e kompanive kineze.

Shumë nga çështjet e ngritura nga Brukseli dhe Uashingtoni janë të ngjashme, por disa kërkesa shtesë nga Evropa po i shtojnë problemet për Pekinin. Ana Andrade, analiste në ekipin për Evropën të Njësisë së Inteligjencës Ekonomike, thotë se ka një dallim të madh në mënyrën se si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i qasen Kinës.

“Kërkesat e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës nuk janë plotësisht identike. BE është shumë e vetëdijshme për rëndësinë e Kinës si një partnere tregtare,” thotë ajo, duke shtuar se,” BE nuk është e interesuar të shkëputet nga Kina apo të krijojë një konflikt dypalësh siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara”.
Kina është tregu më i madh për mallrat luksoze evropiane dhe tregu më i madh për Airbusin.

Avantazhi konkurrues
Kërkesat e BE-së për reforma në Kinë u intensifikuan që kur Shtetet e Bashkuara filluan një seri veprimesh tregtare agresive duke ngritur tarifat për mallrat kineze që çuan në një luftë tregtare gati nëntë muaj më parë.

“Strategjia e BE-së është të shfrytëzojë momentin e krijuar nga presioni i administratës Trump mbi Pekinin për ta angazhuar Kinën të bëjë reforma që do të lejonin konkurrencën e drejtë dhe do të hapnin tregun”, thotë zoti Gupta.

Analistët kinezë, megjithatë, argumentojnë se kërkesat e BE-së nuk janë domosdoshmërisht presion shtesë ndaj Pekinit dhe se ato përputhen me reformat e kërkuara nga SHBA.

“Nëse Kina do të bëjë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për disa nga çështjet, mendoj se kjo nuk do të zbatohej vetëm për Shtetet e Bashkuara. Kina do të përshtasë pozicionin e saj ndaj të gjitha vendeve”, thotë Shen Dingli, një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shangaj. Ligji i ri i investimeve të huaja, i miratuar nga parlamenti kinez këtë muaj, do të zbatohet për të gjitha vendet dhe jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, vë në dukje analisti.

Si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja u nxitën të bënin presion për shkak të shqetësimeve se qeveria kineze ka kohë që u jep kompanive kineze mbështetje konkurruese perms subvencioneve, mungesës së transparencës, standardeve të dobëta për mbrojtjen e punës, mjedisit dhe pronës intelektuale.

Ding Yuan, dekan në Fakultetin e Biznesit Ndërkombëtar, nuk pajtohet me vlerësimin se mungesa e transparencës në marrëdhëniet e biznesit i jep ndërmarrjeve kineze një avantazh konkurrues ndaj homologëve të tyre në pjesën tjetër të botës.

“Mungesa e transparencës nuk është kurrë një përparësi. Nëse mungesa e transparencës do të ishte avantazh, Kina nuk duhet të kishte bërë reformat ekonomike dhe hapjen e tregut, dhe Bashkimi Sovjetik do të ishte ende gjallë, më i fortë se Shtetet e Bashkuara” thotë ai.

Zoti Ding beson se kritikët dhe rivalët e biznesit mund të punojnë për qëllime të ndryshme. Ata po e ndihmojnë në fakt Kinën që të vazhdojë planin e reformave dhe të konsolidojë pozicionin e saj në botën industriale.

“Duke fajësuar Kinën për rolin që luan shteti, duke promovuar idenë e ndërhyrjes së qeverisë kineze si avantazhin kryesor konkurrues të historisë të suksesit, në të vërtetë kritikët janë duke ndihmuar autoritetet kineze për të konsoliduar qasjen e tyre”, thotë zoti Ding.

Departamenti i Shtetit rrëzon Ramën

Një raport i fundit i qeverisë amerikane paraqet gjendjen më të rëndë të krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave që ka qenë ndonjëherë në Shqipëri.

Raporti i Strategjisë për Kontrollin e Trafikut Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i paraqitur dje Kongresit amerikan, përmban një seksion edhe për Shqipërinë, i cili mbulon gjendjen gjatë vitit 2018.

Konkluzionet kryesore të tij janë: është rritur trafiku i kokainës dhe heroinës dhe grupet shqiptare tashmë kontrollojnë trafikun nga burimi deri në Europë; janë rritur rrjetet e grupeve të krimit të organizuar në Shqipëri;

Shqipëria tashmë shërben si bazë për operacionit e krimit të organizuar në Amerikën e Veriut dhe të Jugut dhe në Europë; Shqipëria është një vend i rëndësishëm i pastrimit të parave.

Raporti shprehet se Shqipëria është “një vend prodhimi dhe trafikimi të kanabisit dhe gjithnjë e më shumë një vend tranziti për kokainën dhe heroinën, trafiku i të cilave komandohet më së shumti nga elementë të krimit të organizuar, të cilit lëvizin drogën nga vendet e origjinës në vendet europiane”.

Departamenti i Shtetit konfirmon faktin, e pohuar fillimisht nga Agjencia Kombëtare e Krimit e Britanisë së Madhe, se grupet kriminale shqiptare tashmë furnizohen direkt nga prodhuesit e kokainës në vendet e Amerikës Latine dhe të heroinës në vendet prodhuese të Azisë dhe kryejnë trafikimin e saj nga vendet burim në vendet e Europës perëndimore.

Raporti vë në dukje, gjithashtu, zbulimin e laboratorëve për përpunimin e heroinës dhe kokainës në Shqipërinë qendrore dhe veriore.

Raporti pohon se ka patur një rritje të sasisë së kokainës së kapur e cila kalon tranzit nga Shqipëria për në Europë, si dhe të arrestimeve në lidhje me trafikun e drogës, por ai thekson se këto kapje dhe arrestime “janë shtyrë në masën më të madhe nga bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtare, trysnia në rritje ndërkombëtare dhe përpjeket për anëtarësim në BE.”

Raporti ngre shqetësimin se shkatërrimi i infrastukturës të trafikimit të drogës të ngritur gjatë dy dekadave është një sfidë serioze.
Sipas Departamentit të Shtetit, “niveli i lartë i papunësisë dhe zbatimi i dobët i ligjit kanë krijuar një mjedis ideal për grupet e krimit të organizuar që shkakton probleme për kontrollin e drogës”.

Raporti vë në dukje se “eksporti i kanabisit dhe i drogërave të tjera në tregjet europiane është një sipërmarrje shumë fitimprurëse për trafikantët e drogës”.

Duke theksuar gjendjen e pandëshkueshmërisë që sundon në Shqipëri ai shprehet se “gjendja e tanishme, ku rrallë ka dënime apo burgime, nuk i çkurajon kriminelët.”

Duke theksuar rëndësinë dhe duke nxitur zbatimin e reformës në drejtësi, qeveria amerikane thekson se është kritike që të bëhen përpjekje për të ulur ndikimin e krimit të organizuar në Shqipëri.

Për të tretin vit rresht, Departamenti i Shtetit e cilëson Shqipërinë “vend kryesor i pastrimit të parave në botë”. Raporti thekson se qveria shqiptare nuk ka bërë ansjë përparim në drejtim të pengimit të pastrimit të parave dhe të krimeve financiare.

Sipas qeverisë amerikane, Shqipëria mbetet vend i pambrojtur nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar, dhe mjedisit të dobët ligjor dhe institucional qeveritar.

Krimet kryesore që prodhojnë produkte të pista janë trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe kontabanda. Të rëndësishme janë gjithashtu fallsifikimi, trafiku i armëve dhe trafiku i qeneive njerëzore.

Kontrabanda dhe trafiqe lehtësohen nga kontrolli i dobët kufitar dhe doganor. Në mënyrë alarmante raporti thekson se “Shqipëria shërben si bazë operacionale për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në SHBA, Europë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.”

Në raportin e vjetshëm theksohej se Shqipëria ishte bazë për krimin e organizuar rajonal, por tani duket se konfirmohen edhe gjetjet e shërbimeve të ligjit britanik të cilat kanë theksuar më parë faktin se Shqipëria shërben si bazë për krimin e organizuar shqiptar në Europë.

Ky raport i Departamentit të Shtetit de fakto rrëzon qeverinë Rama. Raport më të ashpër të Departamentit të Shtetit nuk ka pasur për Shqipërinë në këto 30 vite.