24.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Lufta brenda llojit, Arta Marku sulmon kandidaten për kreun e SPAK, Elisabeta Imeraj

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, ka shfrytëzuar analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës për të sulmuar drejtuesen e këtij instititucioni, Elisabeta Imeraj, një prej kandidaturave kryesore për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Marku ka kërkuar nga Prokuroria e Tiranës që të mos reagojë me njoftime publike lidhur me deklaratat që vijnë nga politika. “Detyra jonë është hetimi, jo reagimet mediatike, duke dhënë deklarata për çështjet që janë në hetim”, tha Marku.

Deklarata e saj, duket se ka lidhje me reagimin që ka bërë Prokuroria e Tiranës, pak momente pas deklaratës së kreut demokrat, Lulzim Basha, i cili u paraqit në organin e akuzës lidhur me çështjen e lobimeve të PD-së në SHBA.

Një tjetër pikë ku Marku nuk kurseu kritikat ishte ajo për hetimet ndaj pastrimit të parave.
Sipas kryeprokurores së përkohshme, për këtë vepër penale ka një rënie të dukshme të hetimeve, duke e cilësuar një tjetër pikë të dobët në punën e Prokurorisë së Tiranës.
“Kërkoj nga prokurorët të punojnë në mënyrë të pavarur, jashtë ndikimeve. Krijoni praktikat tuaja të punës, në mënyrë që mos kemi dy standarde kur kemi dy raste të ngjashme”, tha Marku.

Sipas saj, ngarkesa e madhe ka ulur ndjeshëm cilësinë dhe efektivitetin në punë.
“Ju nuk jeni përqendruar aq sa duhet në hetimin e çështjeve të rëndësishme dhe mund të thuhet se në pak raste ndonjë prej tyre ka përfunduar me ngritje akuzash apo me dërgim për gjykim.

Janë konstatuar zvarritje të pajustifikuara në hetimin e çështjeve, ka çështje të rëndësishme që rrinë prej vitesh në sirtarët e prokurorisë”, theksoi Marku.

Pavarësisht se Marku evidentoi faktin që prokurorët janë të pavarur dhe përgjegjësia për hetimin është individuale për secilin prej tyre, duket qartë që kritikat ishin drejtuar kundër drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.

Në fjalën e saj 2-minutëshe, pjesën më të madhe e zuri pikërisht raporti i Prokurorisë së Tiranës me reagimet publike. E, në këtë rast, përgjegjësia që konstatoi Arta Marku është pikërisht e Elisabeta Imerajt, në cilësinë e drejtueses, si edhe në rolin e përfaqësueses së institucionit të Akuzës së Tiranës me të tretët, përfshirë edhe median.

Elisabeta Imeraj, prokurore e Krimeve të Rënda, është komanduar në krye të Prokurorisë së Tiranës në Korrikun e vitit 2018. Imeraj konsiderohet si një prej kandidaturave kryesore për drejtimin e SPAK-ut. Në këtë garë është përfshirë edhe mikesha e Arta Markut, Donika Prela.

Pra, deklaratat e Arta Markut kundër Elisabeta Imerajt duket se fshehin një luftë brenda llojit, ku Kryeprokurorja e Përkohshme po godet ata që rivalizojnë mikeshën e saj, Prela.
Boldnews.al

Organizata kriminale, “Truku” i Saimir Tahirit me “gjykimin e shkurtuar”

Saimir Tahiri dhe avokati i tij e kishin parashikuar që gjykata mund të pranonte kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda që ai të gjykohej për veprat e rënda penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale për trafik narkotikësh” dhe “korrupsion”.
Ndaj ata, para se gjykata të vendoste nëse çështja do të kalonte në gjykim apo do të pushohej, paralajmëruan se “do të kërkojnë gjykim të shkurtuar”.

Nëse gjykata do të pranojë kërkesën për “gjykim të shkurtuar”, atëherë Tahiri do të shmangë përballjen në seancë me dëshmitarët, një nga elementët më thelbësorë te hetimit ndaj tij. Gjithashtu, Tahiri synon të shmangë përballjen e provave të Prokurorisë para publikut, medias e qytetarëve. Në seancat e hapura gjyqësore, qytetarët marrin informacionin e nevojshëm, dëgjojnë palët me provat e kundër-provat e tyre dhe krijojnë bindjen mbi fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarit.

Natyrisht, qytetarët dhe media nuk japin vendime penale. Por opinioni i tyre minimizon mundësitë e Gjykatës për të dhënë një vendim, të cilin e bazon jo mbi provat, por mbi ndërhyrje të jashtme, përfshirë edhe Vetingun.

Kodi i Procedurës Penale ka parashikuar të drejtën e të akuzuarit për të kërkuar gjykim të shkurtuar. Kjo kërkesë nuk do të thotë domosdoshmërisht se i akuzuari pranon fajësinë. Kur gjykata pranon e këtë kërkesë, atëherë i pandehuri përfiton uljen me një të tretën e dënimit, në rast se ai shpallet fajtor.

Në rastet e “gjykimit të shkurtuar”, palët, pra prokuroria dhe i akuzuari/mbrojtja, paraqesin qëndrimet e tyre me shkrim dhe provat nuk i nënshtrohen procesit rutinor gjyqësor. Pra, asnjë nga palët nuk debaton në seancë për provat, argumentat dhe kundër-argumentat e saj.

Por atëherë, përse i intereson Saimir Tahirit “gjykimi i shkurtuar”, kur ai vetë shprehet se “tani ka ardhur koha që të flasë ai”? Vendi më i përshtatshëm që ai të flasë në mbrojtje të vetes, është pikërisht salla e gjyqit. Por Tahiri dhe mbrojtësit e tij këmbëngulin që procesi ndaj tij të zhvillohet me “gjykim të shkurtuar”, duke i hequr vetes në këtë mënyrë prezantimin e kundër-argumentave ndaj akuzave të Prokurorisë.

Në një proces të hapur gjyqësor, palët paraqesin në mënyrë të plotë provat e tyre, në prani edhe të personave të tretë të interesuar. Në bazë të shqyrtimit të zgjeruar gjyqësor, trupa gjykuese krijon bindjen e saj të plotë, duke analizuar faktet dhe duke dëgjuar argumentat e secilës palë. Në përfundim, gjykata jep vendimin e saj në bazë të bindjes së saj, mbështetur në prova.

Pra, pikërisht krijimin e bindjes tek gjykata nëpërmjet shqyrtimit të plotë synon të shmangë Saimir Tahiri dhe mbrojtja e tij.Tahiri, i cili premton shpesh në publik se ‘do të flasë”, në fakt po bën gjithçka të mundet që “të mos flasë”, por argumentat e tij t’i rendisë vetëm me shkrim.

Larg syve të publikut dhe me një gjykatë nën frikën e Vetingut të kontrolluar nga (ish) kolegët e tij të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri mendon të mbyllë hesapet me drejtësinë në favor të tij.

Boldnews.al

Propaganda e Moskës nuk duhet të ngjallë frikë

Dy raporte mbi aktivitetet ruse në rrjetet sociale në vitin 2016 demonstrojnë se influenca e tyre mbi opinionin publik amerikan ka qenë e kufizuar. E majta duhet ta ketë parasysh

Botimi i dy raporteve lidhur me zgjedhjet presidenciale të 2016 ka shkaktuar një valë të re paniku mbi tentativat e Rusisë për ta manipuluar opinionin publik amerikan nëpërmjet rrjeteve sociale. Sipas gazetave,m troll-ët rusë duket se kanë penguar votën e afroamerikanëve, “duke mbjellur panik” dhe “ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve” me njoftime publicitare të instrumentave erotikë dhe Pokémon Go. “Të dy studimet”, ka shkruar David Ignatius në “Washington Post”, “përshkruajnë një tentativë të Rusisë, e përpunuar dhe në shumë nivele, për të përdorur çdo instrument të shoqërisë tonë të hapur për të krijuar mëri dhe trazirë sociale”. Sipas Michelle Goldberg të “New York Times”, “është gjithnjë e më evidente” se dezinformimi i realizuar nga Rusia “ka ndryshuar rrjedhën e historisë amerikane” në zgjedhjet presidenciale e 2016, ku “është e lehtë që troll-ët rusë të kenë pasur një rol vendimtar”. Të komisionuara nga Senati amerikan dhe të realizuar nga qendra kërkimore për propagandën e Oxford University dhe nga “New Knowledge”, një kompani që merret me sigurinë në internet, raportet ofrojnë një kuadër komplet të aktivitetit rus në rrjetet sociale. Autorët analizojnë punën e Internet Research Agency (IRA), kompanisë ruse të specializuar në prodhimin e përmbajtjeve virale online, që ka përfunduar në shënjestrën e Prokurorit Special Robert Mueller në shkurtin e 2018. Nga leximi i raporteve është jashtëzakonisht e vështirë të pajtosh të dhënat e tyre më konkluzionet dramatike në të cilat kanë arritur gazetat amerikane.
Aspekti më befasues është se lidhja midis aktivitetit rus në rrjetet sociale dhe fushatës elektorale presidenciale të 2016 është shumë e dobët. Raporti i “New Knowledge” pranon se vlerësimi i përmbajtjeve të IRA-s “vetëm në bazë të mundësisë që kanë influencuar zgjedhjet është një qasje e limituar”, pasi “përmbajtjet eksplicite politike i korrespondojnë një përqindjeje minimale të totalit”. Për saktësi, thuajse “11% e përmbajtjeve” të atribuara IRA-s dhe 33% e përgjigjeve të përdoruesve ishte e “lidhur me zgjedhjet”. Përmbajtjet e IRA-s “kishin të bënin në pjesë minimale me kandidatët në zgjedhje: 6% e tweet-eve, 18% e postimeve në Instagram dhe 7% e ndërhyrjeve në Facebook përmbanin emrat “Trump” apo “Clinton””.

Hulumtuesit theksojnë se “shtrirja e operacionit rus është e paprecedent”, por e bazojnë këtë konkluzion në të dhëna të diskutueshme. Studimet përkrahin tezën sipas së cilës postimet ruse kanë “arritur 126 milion persona në Facebook”, por është një konkluzion i bazuar mbi vlerësime të vetë rrjetit social. “Vlerësimi ynë më i saktë”, ka thënë Colin Stretch, drejtues i Facebook, përpara Kongresit amerikan në tetorin e 2017, “është se rreth 126 milion persona mund të jenë arritur nga një prej përmbajtjeve të prodhuara nga IRA midis viteve 2015 e 2017”. Por Stretch ka saktësuar se postimet e gjeneruara nga profilet e dyshuara ruse dhe të shfaqura në Facebook qenë “1 çdo 23000”.
Një tjetër element që e redukton influencën ruse mbi votuesit amerikanë ka të bëjë me paratë e shpenzuara. Studimi i Oxford University e vlerëson shpenzimin e IRA-s në periudhën midis viteve 2015 e 2017 në rreth 73711 dollarë për aktivitete në Facebook. Siç është e njohur, rreth 46000 dollarë janë shpenzuar për njoftime në Facebook lidhur me Rusinë përpara zgjedhjeve të 2016. Shifra përfaqëson 0.05% të 81 milion dollarëve të shpenzuar në Facebook nga komitetet elektorale të Clinton dhe Trump. Hulumtuesit theksojnë se IRA kishte “një buxhet më të madh se 25 milion dollarë për ta manipuluar diskursin politik amerikan”, por ky vlerësim lind nga një gabim i përsëritur, domethënë konfuzioni midis shpenzimeve të IRA-s kushtuar aktiviteteve në Shtetet e Bashkuara dhe buxhetit të përgjithshëm të organizatës, që përfshin aktivitete në rrjete sociale drejtuar Rusisë.
Një tjetër element ka të bëjë me cilësinë e përmbajtjeve të prodhuara nga IRA. Postimi më i ndarë në Facebook në pritje të zgjedhjeve ishte një karikaturë që paraqiste Yosemite Sam, personazhin e armatosur të Looney Tunes. Në Instagram imazhi me suksesin më të madh ftonte përdoruesit që të bënin “like” nëqoftëse besonin tek Jezùsi. Postimi i IRA-s ku citohej Hillary Clinton që ka pasur suksesin më të madh në Facebook ishte një tiradë e gjatë komplotiste lidhur me mashtrimet elektorale. Është domethënëse që personat e bindur se ndërhyrja ruse ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve nuk e citojnë asnjëherë postimin në fjalë. Përmbajtja reale e këtij postimi e sqaron se pse.

Larg nga të zbulimi i një fushatë komplekse propagandistike, raportet japin prova të faktit që rusët kanë avancuar në fakt një operacion të bazuar mbi clickbait-et (krijimin e përmbajtjeve funksioni kryesor i të cilave është tërheqja e numrit më të madh të mundshëm të përdoruesve), duke vënë në shënjestër kategori të përcaktuara mirë si afroamerikanët apo votuesit e besimit evangjelist për të kërkuar arritjen e një publiku të gjerë për qëllime komerciale. Në ankesën me të cilën ka çuar në gjykim IRA-n, Mueller zbulon se agjencia ka shitur “promocione dhe njoftime publicitare” në faqet e saj me çmimin e 25 – 50 dollarëve. “Kjo strategji”, nënvizon studimi i Oxford University, “nuk përfaqëson një ndërhyrje sekrete për qëllime politike, por është koherente me teknikat e përdorura në marketingun dixhital”. Studimi i “New Knowledge” nënvizon se IRA ka shitur edhe produkte se “ndoshta i kanë siguruar agjencisë një burim të ardhurash”, si bluza, “lodra erotike për komunitetin LGBT dhe kuadro që paraqisnin sidomos pamje me sfond patriotik”.
Duke u bazuar mbi këto të dhëna mund të përshkruhet aktiviteti rus në rrjetet sociale më 2016 si një fushatë që ka pasur një impakt minimal, e kufizuar në përfshirje e në shpenzime dhe e bërë me përmbajtje të nivelit të ulët. Kjo konsideratë na çon në një konkluzion të pashmangshëm, i ndodhur edhe në studimin e “New Knowledge”: “Vëmendja për zgjedhjet ka përfaqësuar një aspekt dytësor të operacionit”.
Hulumtuesit e quajnë këtë tezë të “saktë”, por nënvizojnë se megjithatë “injoron sfumaturat dhe meriton kontekstualizim më të madh”. Me siguri meriton një refleksion fakti që një operacion i këtij niveli në rrjetet sociale shitet si një kërcënim që mund të ketë vendosur presidencialet e 2016. Kjo na çon në konkluzionin se nuk kanë të bëjnë aspak as me aktivitetin rus në rrjetet sociale, as me efektin e supozuar të tij mbi votuesit.
Le të marrim tezën, shumë të përhapur, sipas së cilës postimet ruse kanë bërë që të ulet pjesëmarrja në votime e afroamerikanëve. Fakti që troll-ët rusë kanë kërkuar të mashtrojnë afroamerikanët dhe pakica të tjera sigurisht që është për t’u dënuar, ama nuk ka asnjë motiv të mendohet që ia kanë arritur me sukses. Megjithatë, është saktësisht ajo që kanë mbështetur shumë opinionistë. “Nëqoftëse marrim në konsideratë diferencën shumë të vogël me të cilën Trump ka fituar Michigan e Wisconsin dhe pjesëmarrjen e ulët e pakicave në të dy shtetet, tentative e rusëve për ta penguar votimin e disa kategorive mund të ketë qenë vendimtar”, ka komentuar David Axelrod, ish kosulenti i Obama.

Marrja në konsideratë seriozisht e kësaj mundësie do të thotë të shkosh kundër logjikës. E dimë falë “New York Times”. Pak ditë pas botimit të raportit të “New Knowledge”, gazeta ka zbuluar se kompania kishte bërë një “eksperiment sekret” në zgjedhjet për një vend në Senat në Alabama dhjetorin e 2017. Sipas një dokumenti të brendshëm, “New Knowledge” ka përdorur “shumë prej taktikave ruse që sot dimë se kanë influencuar zgjedhjet e 2016”, duke arritur të orkestrojë një operacion fals për të përhapur idenë se kandidati republican në këto zgjedhje, Roy Moore, ishte ndihmuar nga troll-ët rusë.
Sipas “New York Times”, projekti kishte një buxhet prej 100000 dollarësh, por ishte “ka mundësi tejet i kufizuar sa për të pasur një efekt konkret mbi zgjedhjet”. Një eksponent i Partisë Demokrate e ka ndarë këtë vlerësim, duke deklaruar se “ishte e pamundur që një operacion 100000 dollarësh të mund të kushtëzonte votën”. Zgjedhjet për Senat në Alabama kushtuan 51 milion dollarë. Nëqoftëse është e pamundur që një operacion 100000 dollarësh të ketë influencuar mbi një zgjedhje shtetërore, atëhere si mund të mendojmë se një operacion i së njëjtës shkallë (në mos më i vogël) nga ana e Rusisë mund të ketë influencuar një zgjedhje presidenciale 2.4 miliard dollarëshe?
Të përqëndruar mbi përmbajtje mezi të perceptueshme dhe pak të përpunuara do të thotë edhe të zhvlerësosh probleme shumë serioze. Siç ka nënvizuar gazetari Ari Berman, zgjedhjet e 2016 kanë qenë “gara e parë presidenciale në 50 vjet pa mbrojtjen e plotë të Voting Rights Act”, ligjit të miratuar më 1965 për të garantuar të drejtën e votës së afroamerikanëve, por pjesërisht i hedhur poshtë më 2013 nga Gjykata Supreme. Në vend që të këmbëngulet mbi mundësinë që votuesit e Perëndimit të Mesëm janë mashtruar nga rusët, duhen lexuar reportazhet e gazetarëve që kanë investiguar në terren, duke zbuluar se ato që i kanë shtyrë njerëzit të mos votojnë kanë qenë zhgënjimi politik, rrogat e bllokuara, pabarëzitë dhe brutaliteti i policisë.
Më shumë se dy vite nga zgjedhjet presidenciale, demokratët amerikanë duket se duan të shfrytëzojnë paniku mbi aktivitetet e Rusisë për ta spostuar vëmendjen nga gabimet e tyre. Robby Mook, ish konsulent elektoral i Hillary Clinton, ka lëshuar alarmin për primaret demokrate të 2020, duke pohuar se “rusët do të kërkojnë sërish që t’i përçajnë demokratët”. Kur në fillim të 2018 ka shpërthyer skandali lidhur me kompaninë “Cambridge Analytica” dhe kontributin e saj ndaj fushatës elektorale të Trump, Hillary Clinton ka deklaruar: “Si kanë arritur rusët t’ua dërgojnë mesazhet e tyre saktësisht votuesve të pavendosur në Wisconsin, Michigan dhe Pennsylvania?”. E vërteta është në këto shtete rusët kanë shpenzuar vetëm 3102 dollarë dhe pjesën më të madhe gjatë primareve për njoftime që në më të shumtën e rasteve nuk kishin të bënin me kandidatët, por me problemet sociale. Veç të tjerash, Wisconsin dhe Michigan janë dy prej shteteve që Clinton ka vendosur të mos i vizitojë asnjëherë në muajt e fundit të fushatës elektorale. Nuk ekzistojnë prova se dezinformimi i përhapur nga rusët ka pasur një impakt real mbi elektoratin amerikan. Të mbështesësh të kundërtën do të thotë të nxisësh frikën e një Kremlini që “mbjell mosdakordësinë” dhe të ushqesh një dizinformacion akoma edhe më të rrezikshëm.
(Aaron Maté për The Nation)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

“Ti je e Djathtë”, ndarja jonë nisi në ’45!

Mimoza Leskaj,
Peskara, Itali

Qofte edhe si firme apo emigrante. DONI ME SHUME, O NJEREZ! Udhëtimet mes shqiptarëve janë vërtet nga më të çuditshmet.

Nuk dëgjon asnjëherë të flitet për diçka të bukur, veçse për politikën. Jemi aq thellë brenda saj, sa harrojmë njerëzoren dhe egërsohemi në atë pikë sa mund të na bjerë damlllaja.

Skuqemi, zverdhemi e nxihemi sa thua se përballë nuk kemi njerëz me gjak, por ujqër që kërkojmë t’i shqyejmë dhe, ashtu të llangosur, të nxjerrim dhëmbët “fitimtarë”! Nuk besoj se ndodh në asnjë vend të botës të ulërasësh me zë të lartë sa edhe damarët e fryrë kërkojnë ndihmë dhe të mbrosh atë parti, atë politikan, apo x dhe y, në atë pikë të hallit sa një zot e di.

Politika dhe politikanët në çdo vend janë ideologji dhe njerëz, të cilët kanë për qëllim funksionin e shërbimit dhe të çuarjes përpara të mirëqënies së vendit dhe popullit, por jo përçarjes. Me ne shqiptarët ndodh krejt ndryshe!

Një natë, tek udhëtoja, asistova në një bisedë ku udhëtarët u ndanë në dy grupe, të djathtë e të majtë dhe biseda në fillim e qetë degjeneroi aq shumë sa kaloi në sharje, fyerje e grindje banale. Thuajse në çdo udhëtim të orëve të gjata, mes shqiptarëve nuk dëgjon gjë tjetër veçse politikë, e cila dhimbshëm të ndan, të izolon, të irriton dhe bëhet shkaktare e urrejtjes.

Në një nga udhëtimet e fundit, pas një përshëndetje, menjëherë biseda, e cila u duk miqësore, mes të tjerash, ndjeva neveri kur m’u drejtua gishti si e djathtë. A thua se kisha vrarë njeri? O zot, çfarë u ke bërë shqiptarëve?! Mos ua ke hequr trurin, dhembshurinë për njëri – tjetrin edhe larg atdheut ton t dashur?

I ke kthyer në një lukuni ujqërish, që s’dinë c’të bëjnë e nga të venë dhe ndihen mirë vetëm kur shqyejnë. – Komunizmin e kemi vuajtur të gjithë njëlloj, bërtiste zotëria para syve të mi. -Jo njëlloj, – mos e krahaso veten me ata njerëz që njohën kampet dhe burgjet, – i thashë. -Ti je e djathtë, – m’u përgjigj. – Zotëri, këtu nuk jam e djathtë, e majtë jo se jo , jam atdhetare, më dhemb gjer në palcë për vendin tim.

Ka një ndryshim të madh midis fjalëve. Ndoshta jam edhe e privilegjuar që kam lindur në Shijak, në një zonë ku nuk ndjeva gurë në kurriz, siç bënin me njerëzit e mi në Jug, ndaj dhe vuajtjen e vërtetë e pashë tek të afërmit e mi, por kjo nuk justifikon asgjë! E ndërkohë që zihemi me njëri- tjetrin, urrehemi vetëm se mendojmë ndryshe, ashtu si para 30 vjetësh.

Kacafytemi e përkulemi para një grusht njerëzish, që bën sikur shqetësohet e lodhet për ne, por na perdor e dhjamoset pa fund në kurrizin tuaj, o njerëz! Dashuria për njerezit është kthyer në urrejtje e ndarje të pështirosur që në fillimet e ’45-ës dhe që një zot i madh e di se kur do përfundojë!

E në vend që të duam njëri – tjetrin e ta shtrëngojmë fort, sepse dashuria do jetë i vetmi çelës që do mund të hapë dyert e një jete ndryshe, duke shporrur këtë klasë hajdutësh e maskarenjsh, që pasurohen e dhjamosen pa limite në kurrizin e një populli të lodhur, dhe fërkojnë barkun duke e përçarë gjithnjë e më shumë.

Një kurth ku të gjithë kemi rënë në grackë dhe, me sytë e shqyer e ngërdheshje, i buzëqeshim njëri – tjetrit me thikën fshehur pas shpinës. Ka aq shumë për të thënë, por më shumë për të bërë dhe, po ta fillojmë sejcili nga vetja, ndoshta një ditë do mund të fitojmë, duke kthyer sytë nga dashuria për veten, për fëmijët tanë, për të njohurin dhe panjohurin, për të ardhmen e vendit tonë.

Atë ç’ka quhet njerëzore për ecjen përpara dhe jo kthimin pas, atje ku ishim! Dashuria të bën të pasur, të bukur të mirqenshëm, të fortë dhe askush nuk të shkel dot me këmbë, sepse të duash je edhe më i prezantueshëm, qoftë edhe kur udhëtojmë.

Por të duash, tashmë është diçka e pa arrirë dhe po ne vetë e paguajmë shtrenjtë, shumë shtrenjtë! Për ne emigrantët, por edhe për ata që kemi lënë pas, partia jonë është Shqipëria demokratike dhe jo politika e propaganda mashtruese e dhunuese, që na ktheu n kavje eksperimentale për gjysëm shekulli!

Si poete më vijnë vetiu këto vargje: Diktaturë e thërrmuar, ku ciflat i gjen kudo Gërrvishtin shpirt e duar, në lotë të tharë Është pak t’them, moj e mallkuar, Sa zgjate, e sa gjurmë do lesh në kohë!

Macron nuk kërkoi dialog, por plotësoi kërkesat e protestuesve

Hamit TAKA

Sot në vendin tonë është në qendër të vëmëndjes, para syve dhe pranë zemrës së gjithë shqiptarëve, prostesta më e pafajshme dhe më e qytetërura e studentëve tanë në mbarë vendin.

Një protestë deri tani me karakter thjesht ekonomik, por, që, në se nuk kuptohet apo nuk ka dëshirë të kuptohet, mund të precipitojë në politike e më gjerë.

Protesta ka patur e ka kudo ku ka patur dhe ka njerëz. Ato mund të jenë individuale apo kolektive si një akt apo mënyrë për të shprehur publikisht pikëpamjet e tyre, një dëshirë për të ndikuar në opinionin publik apo politikën qeveritare, apo të ndërmarrin veprime të drejtëpërdrejta, në përpjekje për të arritur ndryshimet e dëshiruara.

Si të tilla ato mund të prekin aspekte ekonomike, politike, kulturore, fetare, deri dhe ato sportive. Protestat dhe demonstratat masive kanë tendencë të ndodhin kur teknikat e tjera të avokimit të dështojnë. Në botë njihen protesta studentore, që kanë lënë gjurmë të thella, duke sjellë ndryshime rrënjësore në historinë e vendeve e popujve.

Mjafton të sjellim në vëmendje: Lëvizja për të Drejtat Civile në Shtetet e Bashkuara, viti 1960. Veprimet e disa liderëve zezakë të rinj dhe më pas i një grupi të panumërt të tjerëve, që ndoqën shembullin e tyre, hapën rrugën për kalimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964, duke nxitur përparimin aty ku disa e mendonin të pamundur.

Revolucioni i kadifenjtë-Çekosllovaki, 1989, i cili ishte një lëvizje jo e dhunshme, e udhëhequr nga studentët, duke protestuar ndaj qeverisë njëpartiake të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Pas shtypjes brutale të një demonstrate studentore në Pragë më 17 nëntor 1989 (Dita Ndërkombëtare e Studentëve), shpërthyen protesta masive dhe greva në të gjithë vendin.

Vetëm shtatë ditë pas protestës fillestare, udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste dhanë dorëheqjen dhe shteti njëpartiak u çmontua. Kjo ngjarje cilësohet si një nga transferimet jo të dhunshme të pushtetit më të suksesshëm në historinë botërore.

Po ashtu Anti-Apartheid-Afrika e Jugut, 1970-94. Afrika e Jugut kishte një sistem zyrtar të ndarjes racore të institucionalizuar nga viti 1948-91, i njohur zakonisht si aparteid (“apartness” përkthyer nga Afrikaans). Lufta kundër aparteidit vazhdoi derisa legjislacioni i aparteidit u hoq në vitin 1991 dhe Afrika e Jugut shënoi zgjedhjet e para multi-raciale.

Në këtë vazhdë të protestave jo të dhunshme, që kanë sjellë ndryshime rrënjësore, me krenari e plot gojën ne shqiptarët mund të përmendim protestat e studentëve në Dhjetorin e vitit ’90, rezultat i të cilave ishte përmbysja e diktaturës më shëmbëllore në Europë dhe instaloi sistemin demokratik.

Mjaft njerëz këto ditë tek ne, nga dëshira e madhe e ndryshimit të politikës dhe pushtetit, që u ka zënë frymën, duan ta ekuivalentojnë protestën 9-ditore të studentëve të mbarë vendit me atë të Dhjetorit 1990, aq më tepër edhe pse përkon me fillimin e muajit dhjetor.

Sido që unë kam rezerva për këtë krahasim, shpresoj që ajo të bëhet shpresa e realizuar e shqiptarëve të sotëm dhe të shënoi një pranverë të re shqiptare, siç kam dëgjuar nga mjaft qytetarë, mbështetës të kësaj proteste.

Kjo protestë model, kaq e qetë dhe qytetare, me kërkesa thjesht ekonomike, është miratuar nga mbarë shqiptarët syçelur e mëndjehapur, me përjashtim të kryeministrit dhe grupit parlamentar të mazhorancës. Kërkesa këmbëngulëse e zotit Rama, për dialog duket se është bërë nyja gordiane e zgjidhjes.

Por ai ka një model të gatshëm e të freskët: Presidenti francez, Makron, nuk u kërkoi dialog protestuesve, ai dëgjoi kërkesat, i kundërshtoi, pastaj u ul e gjykoi dhe ua plotësoi. Uroj që zoti kryeministër ta shikojë e studiojë këtë madel dhe sa më shpejt të veprojë.

Dy vitaminat që duhet t’i merrni për të mos ndjerë lodhje

Lodhja shpeshherë ndërlidhet vetëm me qëndrimet deri vonë në mbrëmje dhe me mungesë të gjumit. Por, në shumë raste mund të jetë simptomë e anemisë, e cila ndodh kur njerëzit kanë mungesë të vitaminave dhe mineraleve të caktuara.

Anemia është sëmundje ku personi ka shumë pak qeliza të kuqe të gjakut ose sasi shumë të ulët të hemoglobinës në çdo qelizë të kuqe të gjakut. Anemia mund të ndërlidhet me shumë shkaktarë, duke përfshirë edhe mungesën e vitaminës B12 dhe hekurit.

Vitamina B12 përfshihet në krijimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe e mban sistemin nervor të shëndetshëm, si dhe liron energji nga ushqimi. Mungesa e kësaj vitamine mund ta shkaktojë trupin të prodhojë qeliza të kuqe të gjakut me madhësi anormale të cilat nuk mund të funksionojnë siç duhet.

Gjithashtu, mungesa e kësaj vitamine sjell me veti shumë simptoma, ku njëra prej kryesoreve është lodhja e tepërt dhe mungesa e energjisë. Shikimi i turbullt, depresioni dhe dobësimi i aftësive mendore janë gjithashtu simptoma të mungesës së kësaj vitamine.

Këtë vitaminë mund ta merrni përmes mishit, salmonit, qumështit, djathit, vezëve, por edhe në formët ë suplementit. Sipas ekspertëve shëndetësorë, të rriturve u nevojiten rreth 1.5 mikrogramë vitaminë B12 në ditë.

Në anën tjetër, hekuri gjithashtu luan rol të rëndësishëm në prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut. Përveç që shkakton lodhje dhe mungesë të energjisë, mungesa e hekurit shkakton edhe probleme me frymëmarrje, rrahje të çrregullta të zemrës dhe lëkurë të zverdhur.

Ekspertët shëndetësorë këshillojnë që meshkujt mbi moshën 18 vjet dhe femrat mbi moshën 50 vjet të marrin 8.7 miligramë hekur në ditë. Ndërkaq femrave të moshës 19 deri 50 vjet u nevojiten 14.8 miligramë hekur në ditë sepse humbja e gjakut nga menstruacionet mund të shpijë në mungesë të hekurit në trup. Përndryshe, hekuri mund të gjendet në mish, produkte arrore, fruta të tharë, por edhe në formë suplementi.

Sa gota ujë duhet të pini në bazë të peshës trupore

Uji është një burim thelbësor i jetës i nevojshëm për funksionimin e duhur të të gjithë organizmit. Kurrë mos e nënvlerësoni konsumimin dhe përpiquni të pini sa më shumë të jetë e mundur gjatë ditës

Mbajtja e vetes së hidratuar është e rëndësishme jo vetëm për të nxitur tretjen e shëndetshme, por edhe për të pasur lëkurë të butë dhe rrezatuese dhe për të parandaluar papërsosmëritë e lëkurës së celulitit.

Për të ditur sa ujë duhet të pini në ditë, ne duhet të marrim parasysh peshën dhe mënyrën e jetesës, në mënyrë që të jemi gjithmonë në formë. Megjithatë, nuk duhet të pini as shumë ujë, përndryshe rrezikoni të keni dhimbje në stomak.

Në përgjithësi, kërkesa ditore e ujit për një person që peshon 50 deri në 70 kg është 9 gotë ujë për ata që kanë një mënyrë jetese të ulur. Nëse, në vend të kësaj, bëni një aktivitet të moderuar fizik, ideali është të pini një ose dy gota më shumë. Për një jetesë shumë aktive të shoqëruar nga një aktivitet fizik i fortë do të jetë rasti për të arritur 14 gota ujë në ditë.

Nëse, nga ana tjetër, pesha varion nga 70 kg në 90 kg është e këshillueshme për të shtuar nga një gjysmë gotë më shumë në varësi të jetesës. Për shembull, ata që peshojnë 70 kg dhe bëjnë një mënyrë jetese të ulur këshillohen të pinë 9.5 gota ujë në ditë.

Sa më shumë që keni një mënyrë jetese aktive, për këtë arsye, aq më shumë duhet të pini ujë në mënyrë që të mbani veten të hidratuar dhe të rikuperoni lëngjet e humbura.
Përfitimet e ujit të pijshëm siç dihet janë të shumta. Ato ndihmojnë në humbjen e shqetësimeve të përditshme të bezdisshme, të tilla si dhimbje koke ose tretje e dobët.

Nëse, pra, e keni të vështirë të përqendroheni ose shpesh vuani nga dhimbjet në muskuj, shkaku mund të jetë me të vërtetë furnizim i pakët me ujë i cili çon në uljen e rrjedhjes së gjakut në tru dhe në zemër.

Pak ujë mund të shkaktojë kapsllëk dhe ngadalësim në tretje. Prandaj, uji ndihmon për të nxitur qarkullimin e mirë të gjakut, për të humbur peshë mirë dhe për të kapërcyer problemin e bezdisshëm të celulitit.

Protesta, e vetmja mundësi për të larguar qeverinë që i ka plaçkitur e tradhtuar shqiptarët!

Ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili përmes një konference për mediat i ftoi sërish qytetarët të protestojnë nesër, si e vetmja mundësi për të larguar qeverinë që i ka plaçkitur e tradhtuar shqiptarët.
“Përfundimisht asnjë shqiptar sot nuk ka as më të voglin dyshim se cila është qeverisja e vendit, se si është kapur prej fyti qeverisja e vendit, se si telekomandohet qeverisja e vendit nga krimi i organizuar dhe nga trafikantët dhe se si nuk ka asnjë mundësi që kjo qeverisje të shpëtojë nga kjo lidhje, nga kjo kapje pa kthim.
Ka vetëm një zgjidhje, ka vetëm një shërim shoqëria shqiptare, ka vetëm një dritë shumë të fortë në fund të tunelit dhe kjo është pikërisht protesta mbarë popullore në të cilën ne sërish do të jemi përpara Kuvendit të Shqipërisë, i cili në vend që të jetë Kuvendi i popullit është kthyer në Kuvendin e kuislingëve dhe kusarëve, për të treguar edhe një herë që shqiptarët refuzojnë në mënyrë të prerë dhe nuk do pranojnë kurrë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për familjarët e tyre, pra nuk do të pranojnë kurrë të qeverisen nga një qeverisje e kapur e cila i ka tradhtuar plotësisht dhe tërësisht qytetarët, duke i grabitur, duke i plaçkitur, duke dashur dhe ti dhunojë ata”, u shpreh Vasili.

“Asnjë qytetar nuk trembet nga kjo qeveri dhe pikërisht është dhe do të jetë në sheshe sepse do të çlirohet një herë e përgjithmonë prej tyre. Edhe një herë faktet tronditëse të cilat janë në duart e qytetarëve, audiot e përgjimeve, ku policia tërhiqet për veshi, për gryke nga kriminelët të cilët e keqtrajtojnë, i dhunojnë dhe njëkohësisht paguhen prej saj, janë fakte të cilat do të mbeten të pashlyera në memorien e shqiptarëve, ato do të marrin shpagimin vetëm me protestën e madhe mbarë popullore, e cila çliron njëherë e përgjithmonë Shqipërinë dhe vendos një standard të ri shumë të lartë qeverisës.
Të qeverisjes së pa kapur dhe drejtësisë së pa kapur, të asaj drejtësie që nuk fle para dosjeve, të asaj drejtësie që mbyll çështjet e tmerrshme që janë në ngarkim të kryeministrit shqiptar dhe është e gatshme të dënojë qytetarin e thjeshtë, pra drejtësi dyfishe, mbrojtje për kusarët e qeverisë dhe ndëshkim për qytetarët e thjeshtë, pikërisht për të mos lejuar një standard të tillë, të lig, të poshtër, apolitik, antishoqëror.
Shqiptarët vazhdojnë dhe do të jenë pa u lodhur në protestë, deri në çlirimin e vendit nga kapja dhe kriminalizimi, pra të gjithë së bashku ta ndryshojmë Shqipërinë dhe ta shpëtojmë Shqipërinë sot për ta kthyer përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve”, vijoi Vasili.

Limonadë shafrani për të luftuar stresin dhe depresionin

Shafrani është bimë e cila është përdorur në mjekësinë tradicionale kineze dhe atë Ayurvedic me shekuj të tërë, ndërkaq edhe shkenca e sotme e dëshmon se është një prej ilaçeve më të fuqishme natyrale.

Vetitë e veta të forta mjekësore mund të përdoren për trajtimin e shumë problemeve shëndetësore, duke përfshirë aneminë, kancerin, sëmundjen e Alzheimerit, gurët në fshikëz, gripin, aneminë, diabetin, diarrenë, hemorroidet, inflamacionin e nyejve, osteoartritin, bronkitin, sëmundjet e transmetueshme seksualisht, arterosklerozën, etj.

Përveç kësaj, shafrani është dëshmuar shkencërisht se e përmirëson shëndetin mendor, pasi që përbërësi i vet kryesor, curcumini, e përmirëson disponimin, e largon stresin dhe e trajton depresionin.

Ekspertët e mjekësisë alternative thonë se ju mund ta bëni vet një limonadë shafrani në shtëpi në mënyrë që ta ulni stresin dhe ta trajtoni ankthin.

Përbërësit:
– Katër lugë gjelle rrënjë e freskët shafrani
– Gjysmë gote lëng të freskët limoni
– Pesë gota ujë
– Tri lugë gjelle mjaltë
– Dy lugë çaji xhenxhefil

Instruksionet:
Vlojeni ujin, përzijeni xhenxhefilin dhe shafranin në një kavanoz qelqi, ndërkaq hidhjani sipër ujin e vluar pastaj. Lëreni ashtu për pak minuta dhe shtojani mjaltën. Përzijeni produktin dhe pastaj shtojeni lëngun e limonit.
Lëreni të ftohet dhe pastaj shijojeni pijen.

Banorët e Astirit në Komisariat: Nuk na frikësoni, ose do bëjmë viktima, ose do na vrisni ne”!

Banorët e Astirit janë thirrur sërish sot në komisariatin numër 6 në Tiranë, për shkak të protestave të tyre që vijojnë tashmë prej 5 muajsh.
Ndërkohë që 6 prej tyre: Ilir Katiraj, Florian dhe Lindita Protduari, Artan Manushaqe, Gezim Sadikaj dhe Lutfi Kastrati, shprehen se nuk e dinë arsyen se pse do të merren në pyetje në komisariat.
Gëzim Seitaj një prej banorëve të Astirit u shpreh i revoltuar, ndërsa tha se tashmë gjithçka do të kalojë në vetëgjyqësi. 
“Sot kanë bërë thirrje për 6-7 veta, çdo dy ditë na kanë bërë që të vijmë në komisariat. Unë i bëj thirrje popullit dhe shoqërisë civil, se qeveri nuk kemi më ne, ne o do vrasim o do të na vrasin. Mua më ka ikur mendja, jam i dhunuar që 5 muaj, vijnë na provokojnë çdo ditë të protesta, ne o do bëjmë viktima, o do na bëjnë ata ne.
Unë kam për të bërë viktima, me dhunutën më provokutën, këta ta dinë të gjithë. Iu bëj thirrje familjarëve të policëve, që tiu thonë që të qëndrojnë larg nesh. Këta nuk çuan në burg ata që vodhën, po na çuan ne që denoncuam vjedhjen. Ska shanse që ne të frikësohena, vetëm kur të shkojmë në Sharrë ne Edi Rama do të mund që të prishë shtëpitë tona”, u shpreh i revoltuar banori.
Mbrëmjen e djeshme 7 anëtarë të një familje u thërritën në orët e vona në komisariat, pa marrë një përgjigje për arsyet.