31.5 C
Tirana
E diel, 8 Qershor, 2025

Paralajmërimi për Ramën: Do vijë një moment që nuk do dalësh nga shtëpia se do bllokohesh nga qytetarët

Banorët e Unazës së Re kanë vijuar edhe sot protestën në ditën e 140 për të mbrojtur banesat e tyre nga prishja që kërkon t’u bëjë qeveria Rama pa I dëmshpërblyer.
Banorët i kanë kujtuar Ramës se duhet ta harrojë që mund të vjedhë vota në Unazës siç ka bërë në të gjithë Shqipërinë dhe se ata nuk do të lejojnë që tu dhunohen shtëpitë dhe mundi i tyre.
Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, komentoi fillimisht ofensivën e Ramës ndaj qytetarëve dhe medias, duke i kërkuar të mos e trashë më tej zullumin.

“Pashë sot mitingun mjeran të Erion Veliaj dhe dua t’i them që Erion po ta bëjmë ne me karrige mbaron vargu në Tropojë. Nuk mund të rri pa komentuar kryeministrin që kaloi në ofensivë, sepse e ndjen veten të sulmuar nga qytetarët por nuk e kupton që qytetarët nuk e kanë bërë ofensivën e tyre sepse janë në hapat e tyre të para. Se qytetarët kanë ndalur në ofensivën e tyre për t’i dhënë një mesazh Ramës, me shpresën që të shpëtosh nga urrejtja por jo nga drejtësia se asaj nuk i shpëton dot. Sot është koha të shkosh në burg.

Balliu ka komentuar po ashtu edhe Kongresin e sotëm të Partisë Socialiste.
“Pashë sot Kongresin e PS. Asnjë qytetar i thjeshtë, dukej si natë Hollivudi, sepse kishit vetëm drejtorët e korruptuar, sepse qytetarët i keni në rrugë. Aty dukeshin vetëm disa mjeranë që besonin mashtrimet që po vetë keni krijuar. Nuk ka sot dikush që të mos mendojë që të dalë nga kjo situatë sepse ky i çmendur po ju merr me vete. Sot pa pikë turpi morët buxhetin e Bashkisë së Tiranës për të bërë një party luksi, për të mbledhur disa njerëz të shkretë për të dëgjuar ofendimet tuaja, për të nxjerrë urrejtjen që të buron nga gjeni yt komunist.

Kishe bërë edhe një ofertë zotrote. Por ne nuk bisedojmë me banditë. Ne e kemi thënë, nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Ndaj do të vazhdojmë rrugën tonë për të shpëtuar vendin nga një bandit. Do vijë një moment që as në lokale nuk do dilni, do vijë një moment që nuk do dilni dot nga shtëpitë tuaja se do të bllokoheni nga qytetarët….”, tha Balliu.

“Rama fjalim urrejtje ndaj opozitës, nervoz dhe ka humbur prej kohësh qetësinë”

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi u shpreh se, Kongresi i PS sot ishte një shpenzim marramendës që nuk e arriti dot qëllimin propagandinstik. I ftuar në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ Bardhi tha se, Rama foli me një gjuhë urrejtjeje ndaj opozitës, pasi prej kohësh e ka humbur qetësinë.

“Kongresi sot ishte një shpenzim marramendës që nuk e arriti dot qëllimin propagadinstik, një mbledhje partia që tentuan ta kthejnë në shfaqje e nuk e bënë dot. Edhe fjalimi i mërzitur i Ramës e tregon këtë, e ktheu në fajlim urrejtje ndaj opozitës. Është nervoz dhe ka humbur prej kohësh qetësinë.
Opozita është në rrugën e vet të drejtë. Nuk kemi nevojë të urdhërojmë punonjës të na bashkohen në aksionin tonë politik, sic bëri PS. As punonjësit e administratës nuk iu përgjigjën. Nga 16 shkurti është vrarë frika, regjimit të Ramës po i vjen fundi.

Ajo që Rama transmetoi tregon se ka një problem me veten e logjikën. Nuk jemi në këtë betejë për të fituar pushtet. Jemi në një betejë pasi cmojmë se Kuvendi nuk është në rrugën e duhur. Kanë dalë fakte tronditëse që tregojnë mënyrën si qeveria ka siguruar pushtetin. Beteja jonë është për shkëputjen e zgjedhjeve nga diktati i krimit të organizuar. Kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme dhe të përcaktojnë shqiptarët alternativën për drejtim. Të kemi zgjedhje ku dikton vullneti i qytetarëve”, u shpreh Bardhi.

“Rama sot u tall me shqiptarët, ndërsa foli për numrin më të ulët të papunësisë, kur shqiptarët masivisht po largohen për shkak se nuk sigurojnë dot bukën e gojës”, tha më tej Bardhi, ndërsa u shpreh se i bindur se zgjedhje që dikton krimi në Shqipëri nuk ka për të patur më.

Basha intervistë për mediat italiane: Shqipëria jo parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave

Në një intervistë për të përditshmen italiane ‘Il fatto quotidiano’, kryetari i PD, Lulzim Basha, tha se beteja e opozitës me qytetarët nuk është një betejë për pushtet, por që Shqipëria të mos jetë më parajsë për trafikun e drogës dhe pastrimit të parave.
‘Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s’, u shpreh lideri i opozitës.

Basha iu referua raporteve të 3 viteve të fundit të Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit ku thuhet se Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Evropës Perëndimore.
Pyetjes se çfarë kërkon opozita ekzaktësisht, Basha i përgjigjet: ‘Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë.
Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.’

Intervista e plotë e kreut të PD, Lulzim Basha
Në 3 vitet e fundit, vendi ka qenë furnizuesi kryesor i marijuanës në Evropë. Paratë e nxjerra u përdorën edhe në politikë’

Nga Giancarlo Padovan

Pyetje: Presidenti Basha, ju jeni kryetar i Partisë Demokratike dhe lider i opozitës që, prej më shumë se një muaji e gjysmë, po nxjerr në shesh në Tiranë mijëra njerëz kundër qeverisë Rama. Deri më tani kanë qenë 5 protesta, e fundit të shtunën e kaluar, ‘njëra nga protestat më të mëdha të mbajtura ndonjëherë e sigurisht më e madhja në këto 6 javë’ sipas jush. Pse edhe këtë herë policia përdori gazin lotsjellës?

Basha: Forcat e rendit e përdorën në mënyrë të rrezikshme dhe krejt të pajustifikueshme. Gazi lotsjellës u përdor qysh në fillim prej policisë dhe jo si alternativa e fundit e mundshme. Ekzistojnë pamje që tregojnë sesi gazi lotsjellës është përdorur në mënyrë të qëllimshme nga forcat policore për të dëmtuar protestuesit. Synimi është i qartë, nuk duan që njerëzit, veçanërisht gratë dhe familjarë me fëmijë, të marrin pjesë në protesta.

Pyetje: Nuk besoni se të rreshtoheni përkrah një partie si LSI, e cila për 4 vjet me radhë ka qenë në pushtet fiks me Edi Ramën, i heq disi besueshmërinë protestës tuaj?

Basha: Pozicioni ynë është i qartë. Çdo qytetar, organizatë a formacion politik që ka si objektiv të vetin çlirimin e vendit nga droga dhe krimi i organizuar është i mirëpritur të bëhet pjesë e frontit të bashkuar opozitar. Rama ka qenë ministër qysh më 1998-n, është lider i Partisë Socialiste prej 14 vitesh dhe shef i qeverisë prej 6 vitesh. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria u shndërrua në një parajsë për trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave të pisëta.

Pyetje: Kush e thotë?

Basha: Në 3 vitet e fundit, sipas Europol-it dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria ka qenë prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i marijuanës për vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kryqëzimi kryesor për trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Evropës Perëndimore. Paraja e nxjerrë nga trafiku është përdorur si në aktivitete ekonomike, ashtu edhe në politikë. Fitimet e trafikut të drogës u ricikluan për të kushtëzuar politikën si dhe për të blerë zgjedhjet e 2017-s.

Pyetje: Çfarë kërkoni ekzaktësisht?

Basha: Duam që politikanët e lidhur me krimin dhe narkotrafikun, si dhe ata që janë përfshirë në shitblerjen e votave, të vendosen përpara drejtësisë. Dhe kjo, sigurisht, që nuk mund të ndodhë sa kohë në krye të qeverisë të jetë Edi Rama, mbrojtësi dhe garanti kryesor i kësaj gjendjeje. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e tij.

Pyetje: Gjithsesi, Edi Rama, në një intervistë për ‘Fatto’-n ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka një revoltë të popullit, por revoltë të një opozite e cila, ‘u dërgua në shtëpi, pasi shkatërroi ekonominë dhe zhyti vendin në kënetën e pandëshkueshmërisë’.

Basha: Këto janë deklarata propagandistike, tipike të liderëve autokratë, të cilët mendojnë se po flasin në emër të popullit dhe që çdo kritikë e klasifikojnë si një tentativë për t’u kthyer prapa, në të shkuarën. Në fakt, kemi të bëjmë me një pakënaqësi e mjerim masiv, i cili po mishërohet jo vetëm në protesta e revolta masive, por edhe në një fluks masiv emigrimi. Vetëm gjatë viteve të kësaj qeverisjeje, thuajse 200 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil politik në njërin nga vendet anëtare të BE-së. Para ardhjes së Ramës në pushtet, ky numër ishte më pak se 50 mijë dhe fenomeni i azilkërkimit thuajse po zhdukej.

Pyetje: Nëse do të votohej nesër, cilat janë gjasat që partia juaj të fitonte?

Basha: Kjo e jona nuk është një betejë për pushtet. Po luftojmë që të ketë drejtësi dhe një qeveri për qytetarët. Në këtë betejë besojmë se kemi edhe mbështetjen e shumicës dhe sondazhet e konfirmojnë këtë.

Rama tërbohet nga “Babalja”, Hungaria refuzon për ta ekstraduar!

Ndërkohë që ditë pas dite po dalin përgjime të prokurorisë nga të cilat po vërtetohet se si janë manipuluar dëshmitarë që kërkojnë të hedhin poshtë përgjimin e Albert Veliut (Babale), një zhvillim interesant ka ndodhur me këtë të fundit në Hungari, ku po aplikon për azil politik. 
Burime për ReportTv nga Interpol, thanë se nuk është pranuar kërkesa e Shqipërisë për ekstradimin nga Hungaria të Albert Veliut, njohur si ‘Babale’.
Albert Veliu u arratis në Kosovë ku kërkoi azil e më pas në Hungari. Prej 10 ditësh është liruar nga autoritet e Hungarisë. Në Tiranë Veliu njohur si ‘Babalja’ është marrë i pandehur sëbashku me ish-deputetin e PD-së Ervin Salianjin dhe Fredi Alizotin, kunarin e Veliut. Javën e ardhshme pritet të bëhet seanca paraprake në Gjykatën e Tiranës.
Hetimet për audiopërgjimin ku përfshihej Agron Xhafaj, vëllai ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ‘Babale’ pretendonte se kish folur për trafik droge u nisën nga Krimet e Rënda. Pas ekspertizës britanike ku përgjimi rezultoi i modifikuar u kalua tek Prokuroria e Tiranës.

Rama me Babalen në gojë edhe në kongresin e tij
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nga Kongresi i PS-së se shumë shpejt do të ketë një ashpërsim të dënimeve ndaj atyre që guxojnë të dhunojnë ata që janë në krye të një detyre.
Reagimi i Ramës duket se ka lidhje me bojën që iu hodh atij në sallën e Kuvendit nga nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, apo bojën e kuqe që një i ri hodhi në fytyrën e deputetit Ralf Gjoni, pasi ky i fundit pranoi mandatin e ligjvënësit të LSI-së.
Kryeministri u shfaq jo shumë i qetë para mbështetësve të tij, duke mos kursyer as mediat në akuzat e tij.
“Hapni televizorin dhe shikoni se çfarë japin. Vjen telenovela Babale-Alizoti, pastaj na del Niçja, pastaj na del djegia e mandateve, dhe në fund na dalin derrat e shtrirë atje që na japin mendime, që shfaqin opinione, që flasin nëse Ilir Meta do të vrasë ose jo veten, se këta janë Kadrinj por është edhe më keq, se ka 100 Kadrinj. Këto janë kafazët e pëllumbave të tyre, kafazë me emrin Kadri. Këta janë ato që ju rokalisin kokën nga mëngjesi deri në darkë”, tha Rama.
Më pas ai i ka drejtuar një thirrje të pranishmëve që të shpërndajnë lajmet e mira përmes telefonëve të tyre.
“Kadrinjtë janë një tufë zuzarësh që nxijnë Shqipërinë, po 6 milionë turistët kush i solli në Shqipëri, apo ishin të droguar?”, tha Rama.

Fytyra e vërtetë e Kongresit të të Sëmurit të PS

Me një shënim sarkastik e ka “përshëndetur” sot, Kongresin e PS-së dhe Edi Ramën, ish-kryeministri Sali Berisha. Në profilin e tij në Facebook, Berisha rendit njerin pas tjetrit, emrat e njohur të politikës dhe të botës së krimit, për bashkëpunimin me të cilët akuzohet më së shumti Rama dhe që përbën një nga argumentat kryesore të opozitës në kërkesën për dorëheqje.
Berisha shkruan: “Lajme nga Kongresi i suksesit të krimit! Kongresin e hapi Taulant Bego/Yaris/Gjura/Hoxha/Jaupi etj etj…
Kongresi mori mesazhe urimi nga Aldo Bare, Dritan Dajti, Kostandin Xhuvani, Mili i Partisë, Eskobari i Ballkanit e shumë e shumë të tjerë!
Mesazhet e tyre mbylleshin me dy lavdi: Lavdi Partisë sonë të Krimit! Lavdi kreut të meduzës së Krimit!” përfundon Berisha dhe bashkangjit këtë foto.

Intervistë me Boualem Sansal për romanin “2084 – Fundi i botës

I persekutuar nga fondamentalistët islamikë dhe i detyruar që t’i botojë librat e tij vetëm në Europë, shkrimtari algjerian Boualem Sansal ka qenë në Romë për një tur prezantimesh

Si besoni se do të reagonte një lexues që jeton në një vend të çfarëdoshëm islamik për romanin tuaj “2084 – Fundi i botës”?
Reagimi do të ishte shumë i egër. Por unë jam i qetë, në fund të fundit reputacioni është më shumë i bukur sesa i shkatërruar pranë publikut islamik. Është në kohërat e pozicionimeve të mia të para publiku dhe sidomos nga dalja e romanit tim të parë që kam bërë kaq shumë armiq, sa që kam përfunduar në “listën e zezë”. Tashmë këta armiq i kam dhe nuk mund të bëj asgjë, jam mësuar të bashkëjetoj i qetë me këtë vetëdije. Pasi, kije mirë parasysh, me kërcënimet e fondamentalistëve arrihet të bashkëjetohet; kush thotë të kundërtën, gënjen. Sigurisht, jetoj me vëmendje, por ama jetoj. Jam mësuar kështu.

Në distopinë ngjethëse të Abistanit jeton edhe një kontroll mbi të gjuhën; abiling, gjuha e shenjtë e imponuar nga regjimi, ka një rol qendror dhe një aromë arkaike, thuajse magjike. Pse gjuha është një armë kaq e fuqishme?
Pa gjuhë, njeriu nuk do ta krijonte qytetërimin, pa të do të kishim qëndruar në gjendjen kafshërore më primitive: dhe sa më shumë evoluojmë, aq më shumë evoluon gjuha jonë, aq më shumë strukturohet dhe aq më mirë na mundëson që të njohim botën dhe na jep mjetet për ta kuptuar nëpërmjet fjalëve dhe emrave që u vëmë gjërave. Është gjuha magjia që i krijon këto gjëra të jashtëzakonshme që janë individët dhe kolektiviteti; pa gjuhën edhe ne të dy këtu nuk do të mund të këmbenim vizionet tona reciproke mbi botën dhe ndoshta të ndërtonim një të përbashkët. Pra, kush kontrollon gjuhën, kontrollon si individin, ashtu edhe shoqërinë dhe këtë në histori regjimet e kanë kuptuar gjithmonë mirë: jo rastësisht, gjithmonë kanë imponuar një gjuhë të përbashkët, të centralizuar, të strukturuar prej tyre, e mësuar nëpër shkolla dhe e përdorur në çdo aspekt të shoqërisë. Shërben për të shpërndarë mesazhet midis njerëzve, të ndërtojë imagjinatën kolektive: nuk qeveriset vetëm më armë, qeveriset edhe me fjalë. Pastaj, në universin fetar, gjuha ka një funksion vendimtar dhe kompleks të mëtejshëm. Nëqoftëse vota jonë materiale është plot me gjëra të perceptueshme dhe të përshkrueshme (deri edhe idetë), bota fetare është plot me transhedencë e me magji dhe kjo i jep klerit një pushtet suplementar, pasi vetëm fetarët e zotërojnë këtë magji, që mbajnë çelësat e kësaj transhendence. Dhe këto çelësa janë shpesh dhe me dëshirë çelësa gjuhësore. Janë fjalët, që japin rezultatet më të mira. Dhe gjuha fetare është më depërtuese se gjuha juridike, se ajo burokratike dhe se se ajo ushtarale. Pra, gjuha është njeriu, është jeta.

Duke lexuar 2084 – Fundi i botës natyrisht që krijohet vetëdija se gjendesh përballë një fiksioni, ka mundësi përballë një shoqërie të paraqitur me ngjyra të forta, groteske, deri paksa karikatureske. Megjithatë, habitemi kur mendojnë se imazhi që kemi në Perëndim për shoqërinë islamike është saktësisht ky. Ti, që në një farë kuptimi je në mes të rrugës midis islamit dhe Europës, si e gjykon idenë që kanë perëndimorët për shoqërinë islamike?
Fiksion po, por nuk e kam çuar ndonjëherë në mend idenë e bërjes së një karikature. Kërkoj që të përcjell nëpërmjet një romani përvojën time si algjerian, si mysliman: sepse unë këtë botë jetoj. Nuk ka asgjë karikatureske, është një përshkrim që edhe mua, jo vetëm ju perëndimorëve, më duket realist. Sepse dua të jem realist. Është përshkrimi i botës myslimane kur qeveriset vetëm nga religjioni: në Arabi Saudite është kështi, si në Abistan. Jo në Algjeri, jo në Marok, pasi përkrah institucioneve religjioze ndodhen strukturat e një shteti modern dhe nga kjo buron ambiguiteti i frikshëm në të cilin ndodhemi: jam një mysliman besimtar që ndjek thëniet fetare apo qytetar i një vendi në të cilin mbretërojnë parimet e ligjit e të drejtësisë? Kjo për mua algjerianin, pasi për një saudit nuk ekziston në fakt as ambiguiteti më minimal: nuk bëhet fjalë për një shtet modern, janë imamët de janë besimtarët, pikë. Saktësisht skema e Abistanit, aspak karikaturë. Problemi është se po fillojmë të përjetojmë situata të ngjashme edhe në periferitë ekstreme e qyteteve të mëdha të Europës, që gëlojnë me të rinj që jetojnë saktësisht ambiguitetin për të cilin po flisnim më parë: jam një i ri mysliman (apo një e re myslimane) që vishet në një mënyrë të caktuar, ha në një mënyrë të caktuar, mendon në një mënyrë të caktuar apo jam një qytetar i Francës, Gjermanisë, Italisë e kështu me radhë? Ambiguitet i madh, kontradiktë evidente dhe e dhimbshme.

Natyrisht që nga kritika për 2084 – Fundi i botës kanë dalë krahasimet me Orwell, por në romanin tënd unë shoh edhe shumë Kafkë, sidomos në përshkrimin e një burokracie të pamëshirshme e të padukshme, që e ushtron pushtetin e saj të pamatë në vendet e përditshmërisë, kudo, aty ku e pret më pak: paksa siç ndodh tek Procesi…
Jam dakord me ty, por vetëm pse e konsideroj veten perëndimor për nga mënyra e të menduarit, e të shikuarit të gjërave. Është kështu që unë e ndjej si aburde, surreale, një shoqëri si ajo që përshkruaj në romanin tim. Por problemi është se në fakt nuk është aspak absurde, ky është një gjykim vlere. Thjesht është ndryshe dhe një abistanas realisht do ta gjente absurde botën tonë. Nëqoftëse flasim për Kafkën, jemi në gjykim të plotë vlere, gjykojmë atë që nuk i përgjigjet logjikës tonë, e damkosim si absurde një botë ku 1+1 nuk është baraz me 2. Me zor dhe vështirësi, unë kam kërkuar në hartimin e romanit që t’i shmang me kujdes gjykimet e vlerës, duke ruajtur një shikim prej entimologu që vëren një situatë dhe e përshkruan atë. Është edhe situata e vendeve që kam vizituar dhe kam dashur t’i tregoj me një shikim të privuar nga paragjykimet, edhe pse do të jetë lexuesi ai që shpërthen kundër mënyrës që kam për të ërshkruar shoqëritë islamike: bëj shumë kështu dhe e gjen veten menjëherë të përmbytur nga akuzat e islamofobisë dhe racizmit, thjesht sepse kërkon të abstragosh nga një sindromë kafkiane dhe përdor një shikim paksa të pasur me sfumatura.

Janë rreth dy shekuj që në Europë Zoti ka vdekur. Domethënë dy shekuj që praktikisht është zhdukur nga jeta sociale dhe nga zemra e njerëzve. Një shoqëri pa Zot është më e fortë apo më e dobët nga një e tillë që e vendos atë në qendër të gjithçkaje?
Bota moderne lind nga ideja e braktisjes së universit të magjisë për të hyrë në atë të arsyes. E kemi bërë arsyen Zotin tonë – në fund të fundit, në Francë pas vitit 1789 i janë ngritur altarë arsyes – por nuk jemi në fillimin e një procesi historik që mendoj se do të jetë ende shumë i gjatë. Paradoksalisht, mungesa e Zotit na ka bërë më të brishtë, gjendemi të varur as andej e as këtej, në një boshllëk të madh që arsyeja nuk ka arritur ende ta mbushë. Kemi lënë prapa krahëve shumë iluzione, por akoma na ndodh që të shpikim gjëra për të zbutur sadopak këtë ndjenjë boshllëku, pa ia arritur me sukses. Ia arrin islami? Nuk e di. Është një besim fetar i jashtëzakonshëm apo ndoshta nuk është aspak i tillë, kushedi nëse do t’ia dalë atje ku arsyeja për momentin ka dështuar. Por është shpejt për ta thënë, janë vetëm dy shekuj që Zoti ka vdekur, duhet të presim që të jetë i stërvdekur për të thënë vërtet nëse kemi mësuar të jetojmë pa të, pas njerëzimi në mijëvjeçarë ka jetuar gjithmonë në hijen e ndonjë hyjnie. Por problemi është se sot oferta e islamit ka një sukses të jashtëzakonshëm dhe ndershmërisht pak të kuptueshëm. Jam shumë i befasuar jo vetëm nga sjellja e myslimanëve, në mesin e të cilëve jetoj, por edhe nga numri i bujshëm i konvertimeve nga ana e perëndimorëve apo, gjithsesi, nga manifestimi i një interesi të fortë kundrejt këtij besimi. Kjo po, më habit. Përgjigja qëndron ndoshta tek rinia. Po, në themel të problemit është rinia dhe raporti i saj me religjionin. Duke filluar nga Lufta e Parë Botërore dhe jo më parë, në shoqërinë tonë është shfaqur një entitet i ri: rinia. Më përpara nuk ekzistonin të rinjtë si kategori sociale e veçantë, kalohej nga fëmijëria tek mosha e rritur shumë shpejt, në harkun e pak viteve. Kurse sot kemi një kategori sociale të përbërë nga 3 – 4 miliard persona, njerëz që janë midis 14 dhe 30 vjeçëve në të gjithë botën, që nuk janë më fëmijë, në kuptimin që nuk shprehen më me kategoritë e lojës dhe të kënaqësisë, por nuk janë ende të rritur që realizohen nëpërmjet institucionesh që mbështeten mbi konceptin e marrjes së përgjegjshmërisë. Rinia realizohet, ku gjen një kuptim? Ndoshta tek religjioni. Të rinjtë e sotëm janë një dëshpërim total, këtë e dijmë mirë. Për të mbajtur të zënë 5 miliard persona në këto dekadat e fundit kemi shpikur gjithçka: udhëtimet (por planeti është ky që është, një hapësirë e fundme), argëtimi industrial, ideologjitë. Në këtë pikë i takon religjionit. Je vërtet besimtar vetëm midis 15 dhe 25 vjeçëve, e keni vërejtur? Kush jeton në vendet ku religjioni është i gjithëpranishëm, e kupton se besimtarët e vërtetë janë të gjithë në këtë fashë moshore, më pas gjëja, natyrisht, zbehet.
(Intervista është bërë në vitin 2018 nga Mangialibri)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

7 rrathët koncentrikë të Kinës

Pas arritjes së objektivave të mëdha të modernizimit ekonomik, tani Kina synon që të plazmojë një rend të ri botëror që e shikon si protagoniste. Vizioni i Xi është i formuar nga prioritete të organizuar në unaza koncentrike: në qendër, partia dhe vetëruajtja e saj; përreth, ruajtja e interesave kombëtare, politike dhe ekonomike. Pjesa më e jashtme ka të bëjë në fakt me projeksionin e ri dhe dinamik të Pekinit në botë. Një program ambicioz që ka përpara pengesa të mëdha.

Shumë është shkruar mbi pushtetin politik në rritje të Presidentit kinez Xi Jinping nga ngjitja e tij në pushtet, pesë vite më parë. Megjithatë, po aq i rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar është të kuptojë sesi Xi e sheh botën dhe sesi një vizion i tillë do të influencojë politikën e jashtme të Pekinit. Duke pasur parasysh opacitetin e sistemit politik kinez, është e vështirë tíi përgjigjesh me saktësi kësaj pyetjeje, por po shfaqen disa indikacione të qarta. Vizioni i botës i Presidentit Xi e vendos theksin mbi centralitetin e Partisë Komuniste Kineze (PKK) në aparatin profesional të shtetit dhe mbi rolin parësor të ideologjisë komuniste karshi pragmatizmit politik. Bëhet fjalë për një nacionalizëm të mbrujtur me efikasitet ekonomik, nostalgji dhe brenga, të cilave u bashkangjitet një siguri e tepruar politika vite drite larg nga ortodoksia e Ten Hsiao Pinit, që përmblidhej në moton “fshihe forcën tënde, prit momentin tënd dhe vepro pa rënë në sy”. Interesat që përbëjnë qasjen e re janë të konceptueshme si një tërësi 7 rrathësh koncentrikë. Bërthama përbëhet nga centraliteti i partisë; pasojnë uniteti i vendit, rëndësia e një rritje ekonomike të mbështetshme në planin mjedisor, ruajtja e kontrollit mbi 14 shtetet kufitare, projektimi i forcës detare në rajon, ekspansioni i forcës ekonomike në periferinë kontinentale dhe reforma e ngadaltë dhe e pjesëshme (sigurisht jo totale) e rendit ndërkombëtar të pasluftës për t’ju përgjigjur më mirë interesave të Pekinit. Fakti nëse Xi do tíia arrijë ta realizojë këtë strategji të madhe, në tërësi ose pjesërisht, është një pikëpyetje e madhe.

Partia në zemër të kombit
Në qendër të strategjisë së Xi është partia dhe interesi kryesor i saj: të mbesë në pushtet. Në 40 vitet e fundit ka pasur një konsensus të heshtur, të paktën në pjesën më të madhe të Perëndimit, rreth faktit që Kina do të përqafonte gradualisht liberalizmin e promovuar nga fuqitë kapitaliste në shkallë globale. Në mbështetjen e kësaj, shumë studiues linin pasdorë debatin e brendshëm në parti, i përfunduar në dekadën e parë të këtij shekulli me vendimin për të shmangur çfarëdolloj ndryshimi sistemik që mund t’i japë fund sistemit monopartiak kinez. Kjo zgjedhje nuk ka buruar vetëm nga instinkti i vetëruajtjes së Partisë Komuniste, por edhe nga bindja e drejtuesve se Kina nuk do të mund të bëhej kurrë një fuqi e madhe në mungesë të një lidershipit të fortë qendror. 10 vite më vonë, Xi e ka kompletuar procesin e prirur që të transformojë Kinën në një shoqëri me kapitalizëm shtetëror me në qendër partinë. Xi e ka forcuar në mënyrë të çfrenuar pushtetin, prestigjin dhe prerogativat e partisë mbi makinën administrative të shtetit. Në dekadat e mëparshme, roli i partisë ishte bërë dora dorës më i kufizuar dhe ideologjikisht më i spikatur; sot nuk është më kështu. Lideri kinez e ka kuptuar se dobësimi i rëndësisë strukturore të partisë – e nënkuptuar si institucion – në procesin vendimmarrës të vendit do tiia minonte në mënyrë të pashmangshme pushtetin. Për pasojë, është ndërhyrë me vendosmëri për ta përmbysur një proces të tillë. Nën Xi, niveli drejtues kinez ka privilegjuar idelogjinë ndaj pragmatizmit. Presidenti dhe pjesa tjetër e lidershipit qendror e dinë se normalisht kërkesa për liri politike rritet kur e ardhura për frymë kalon një prag të caktuar. Përgjigja e tyre ndaj kësaj dileme ka qenë një riafirmim i ideologjisë marksiste – leniniste dhe një fushatë intensive propagandistike që synon ta identifikojë partinë me kombin. Xi mendon se mund ta mundë profecinë historike e Francis Fukuyama, sipas të cilës demokracia liberale e markës perëndimore është formë e fundme dhe më e lartë e qeverisë. Pasi aksioni i tij është ndihmuar nga teknologjitë e reja e kontrollit shtetëror (përfshi sisteme të njohjes së fytyrës të menaxhuara nga një aparat më i gjerë i sigurisë së brendshme i forcave të armatosura), shumë kinezë besojnë se në fund ky qëllim do të realizohet.

Rrethi i dytë përkon me unitetin kombëtar që mbetet një interes jetik i Pekinit, pasi përfshin si sigurinë e brendshme, ashtu edhe legjitimitetin politik të partisë në perspektivë. Në optikën e qeverisë kineze Tibeti, Ksiniangu. Mongolia e Brendshme dhe Tajvani përfaqësojnë një tërësi të pandashme interesash strategjike, ku në secilin prej tyre ndërthuren faktorë të sigurisë së brendshme dhe të jashme. Tibeti ka një rol qëndror në perceptimin kinez të marrëdhënies strategjike me Indinë, që i ka dhënë azil Dalai Lamave për më shumë se 50 vjet. Ksiniangu përfaqëson portën hyrëse në një botë myslimane që Kina e percepton si gjithnjë e më armiqësore dhe që në rajon kapet pas një separatizmi autokton. Pavarësisht zgjidhjes së problemit kufitar me Rusinë në vitin 1989, Mongolia e Brendshme mbetet një burim ankthi strategjik për të dyja vendet, pavarësisht disekuilibrit demografik (në favor të Kinës) dhe frikërave ruse rreth një mohimi të marraveshjes së kufirit nga ana e Pekinit. I parë për një kohë të gjatë si një lloj aeroplanmbajtëseje e madhe amerikane në Paqësor, Tajvani përfaqëson në optikën strategjike të Pekinit një pengesë të fuqishme ndaj dëshirës për të forcuar kontrollin, domethënë të sigurisë, e kufirit të tij detar, pse jo edhe një pengesë ndaj ribashkimit kombëtar. Nga këtu edhe irritimi ekstrem kinez për miratimin e kohëve të fundit të Taiwan Travel Act, ligjit me të cilin Kongresi amerikan ka autorizuar rivendosjen e raporteve zyrtare midis të gjitha niveleve të administratës amerikane dhe homologëve tajvanezë.

Një ekonomi e fortë, e mbështetshme dhe pengesat për ta realizuar
Rrethi i tretë është ekonomia kineze dhe elementi strategjik i saj: mjedisi. Në terma politikë, pjesa e parë e reformave ekonomike kineze është karakterizuar nga lulëzimi i bizneseve të vogla, shpesh me përbërje familjare; nga prodhime me intensitet të lartë të krahut të punës (i keqpaguar) të destinuara për eksport; nga investime të mëdha publike në infrastruktura, përfshi rrjete komunikacioni, internet të shpejtë, rrugë, hekurudha, porte, centrale dhe rrjete elektrike. Në fillimet e 2013, Xi ka miratuar direktivat për fazën e dytë e programit të reformës ekonomike të vendit, tiparet dalluese të së cilës janë: zëvendësimi i eksporteve me konsumet e brendshme si motori parësor i rriejte ssë ardhshme; zhvillimi intensiv i sektorit privat karshi industrive shtetërore; kalimi i Perëndimit në sektorët e rinj teknologjikë me rëndësi strategjike, midis të cilave bioteknologjitë, teknologjitë e informimit dhe inteligjenca artificiale. E gjitha në një kornizë mbështetshmërie mjedisore, sidomos për sa i përket ndotjes atmosferike dhe ndryshimit klimaterik. 5 vjet nga botimi i linjave drejtuese, regjistrohen përparime minimale në frontin e investimeve, të tregtisë, të financës, të reformimit të kompanive shtetërore dhe pronësisë së tokës; njëkohësisht, Kina duket se po humb terren në fushën e politikës fiskale, të konkurrencës dhe të reformave të punës. E panjohura për ekonominë është nëse Xi, pasi e ka konsoliduar më tej pushtetin e tij, është i gatshëm apo jo ta shpenzojë kapitalin e nevojshëm politik për kryerjen e reformave të tilla, thelbësore, por jashtëzakonisht delikate. Të cilave u kundërvihen interesa të fuqishme të krijuara. Ka edhe sinjale të tjera preokupuese. Sot roli i sekretarëve të partisë nëpër kompani duket i rritur dhe diskutohet nëse shteti duhet të blejë apo jo kuota të kompanive private më të suksesshme. Në vazdhën e fushatës kundër korrupsionit, kompani të ndryshme të mëdha private të vendit duken politikisht në bela: kohët e fundit Pekini ka shtetëzuar konglomeratin e sigurimit Anbang, duke ia marrë përkohësisht kontrollin pasi presidenti i tij është akuzuar, arrestuar dhe dënuar me burg. Ajo që i shërben si kornizë është mungesa e vjetër e gjykatave tregtare dhe e mekanizmave të arbitrazhit vërtet të pavarura.
Në fakt, Kina ka bërë përparime të prekshme në politikën e novatorizimit – ku vëllime të mëdha aktiviteti në kërkim e zhvillim të financuara nga shteti kanë filluar të japin rezultate – dhe në fushën mjedisore, përfshi një përmirësim të konsiderueshëm të cilësisë së ajrit në qytete të ndryshme të mëdha. Bëhet fjalë për një rezultat jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi në 35 vitet e fundit tragjedia e zhvillimit të shpejtë kinez ka qenë shkatërrimi i plotë i ekosistemit. Mjedisi nuk është vetëm një preokupim i popullit kinez: sasitë e gazit serë të emetuara në atmosferë nga Kina janë me rëndësi themelore për të ardhmen e sigurisë klimaterike botërore. Në kontekstin e vizionit global kinez, si aktual, ashtu edhe emergjent, një ekonomi e fortë dhe një mjedis i shëndetshëm përbëjnë dy faktorë njëlloj të rëndësishëm për legjitimitetin e partisë.

Rritja e influencës rajonale
Rrethi i katërt kalon sferën e brendshme dhe përqafon atë që Pekini e konsideron si sferën e tij të influencës. Po flasim për 14 shtetet kufitare me Kinën. Historikisht, vende të tilla kanë qenë ndërmjetësi i kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare kineze, të konkretizuara në pushtime të përsëritura të huaja. Nëpërmjet diplomacisë politike dhe ekonomike, Pekini synon kështu që të ndërtojë marrëdhënie bilaterale pozitive, akomoduese dhe, për sa të jetë e mundur, fitimpruëse me secilin prej këtyre fqinjëve. Veç kësaj, Kina ndjek një strategji më të gjerë influence në periferinë e saj kontinentale, në të gjithë harkun që fillon nga Azia Verilindore në atë Jugperëndimore. Ia shohim pasqyrimet edhe në konsensuset me të cilat Shanghai Cooperation Organization (SCO) apo në projekte më ambicioze infrastrukturore, sidomos Belt and Road Initiative (BRI). Imperativi strategjik që qëndron nën secilin prej këtyre projekteve është i qartë: të konsolidojë marrëdhëniet e Kinës me shtetet kufitare. Gjë që do të thotë në thelb të rrisë influencën e saj strategjike në kontinentin euraziatik, duke përfshirë pikërisht fqinjin e jashtëm.
Rrethi i pestë i interesave strategjike kineze prek periferinë detare, të cilën Xi dhe drejtuesit e lartë e konsiderojnë një aspekt jashtëzakonisht të vështirë. Kina i shikon të kërcënuara rivendikimet e saj territoriale në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore, të cilave u bën referim konstant në terma të interesave themelore kombëtare, njëlloj si me Tajvanin. Pekini e percepton rajonin si strategjikisht armiqësor, me një zinxhir vendesh – Koreja e Jugut, Japonia, Tajvani dhe Filipinet – afër me Shtetet e Bashkuara, për të mos folur për dispozitivin e mrekullueshëm luftarak amerikan (njerëz dhe mjete) të dislokuar në rajon në Komandën e Paqësorit. Strategjia detare kineze synon që tíi prishë këto aleanca, të konsideruara si mbeturina të Luftës së Ftohtë, dhe në privilegjimin e zhvillimit të Marinës dhe Aviacionit respektivisht ushtrisë tokësore. Në Xi, ndryshimi i organizimit, i doktrinës dhe i strukturës së forcave të armatosura kineze ka qenë i thellë. Kapacitetet detare dhe ajrore të vendit shtrihen shtrihen tani mbi ishujt e kontestuara e Detit të Kinës Jugore dhe Pekini ka zhvilluar me shpejtësi në territorin e tyre një arsenal raketor në rrezen e të cilit përfshihen Tajvani dhe manovrat detare amerikane në Paqësorin Perëndimor. Në kompleks, strategjia politiko – ushtarake e Kinës është e qartë: të ngjallë në administratat e ardhshme amerikane një dyshim të bazuar mbi aftësinë për të fituar një konflikt të armatosur me forcat kineze brenda zinxhirit të parë të ishujve. Kjo nënkupton të minojë bindjen e Amerikës se mund ta mbrojë me efikasitet Tajvanin. Aspekti më soft i strategjisë kineze në Azinë Lindore dhe në Paqësorin Perëndimor është penetrimi ekonomik nëpërmjet tregëtisë, investimeve, flukseve të kapitalit dhe ndihmës për zhvillimin. Në perceptim dhe në realitet, Kina është tashmë partneri ekonomik më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara sesa për të gjitha vendet e Lindjes së Largme.

Si Pekini shikon botën, drejt një rendi të ri
Dy rrathët e fundit kanë të bëjnë me mënyrën sesi Kina sheh të ardhmen e saj në nivel global. Në rrethin e gjashtë, prioriteti i Pekinit është raporti me vendet emergjente, origjina historike e të cilit i përket Luftës së Ftohtë dhe, më saktësisht, rolit të Maos dhe Kryeministrit Çu En Lai në lëvizjen e Vendeve të Paangazhuara. Sot Pekini është jashtëzakonisht aktiv në Afrikë, por edhe në vende si Bangladeshi, Pakistani dhe Sri Lanka. Në Afrikë, Kina ka ndërtuar infrastruktura të shumta, ndërsa në Azi dhe Amerikë Latine ka kryer investime të mëdha dhe vendosur raporte të qëndrueshme tregëtare. Në shumë raste, prania masive kineze gjeneron kundërshti dhe rezistenca në terren, por aspekti i dallueshëm i strategjisë kineze është këmbënngulja dhe aftësia e përshtatjes në kohë. Analistët perëndimorë kanë studiuar në terren shumë projekte kineze investimesh në botën në rrugën e zhvillimit. Disa kanë pasur rezultate zhgënjyese, si në Zambia, ku sjellja e kompanive të caktuara kineze ka provokuar reagime të forta politike në nivel kombëtar, të përfunduara me një ndryshim qeverie. Kurse të tjerë janë përmirësuar me kalimin e kohës, si në Etiopi, ku kompanitë kineze kanë krijuar punësuar, rritur rrogat dhe investuar në komunitetet lokale. Gjëja që impresionon është numri i historive pozitive në ekonomitë në rrugën e zhvillimit. Kështu, kur Kina kërkon zëra kombëtarë në mbështetje të interesave të saj, në brendësi të Kombeve të Bashkuara apo në vendet e multilateralizmit global, aftësia e saj për të siguruar mbështetje politike dhe diplomatike rezulton e monsiderueshme.
Rrethi i shtatë dhe i fundit ka të bëjë me të ardhmen e rendit botëror. Rendi në fuqi – i ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore – mbështetet mbi dy shtylla. Nga njëra anë, një seri institucionesh ndërkombëtare thelbësisht liberale, midis të cilave OKB-ja, sistemi i Bretton Woods, GATT-i (më pas WTO) dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948. Nga ana tjetër, posedimi i një forcë të konsiderueshme politike, ekonomike dhe ushtarake, si edhe prirja për të përdorur në mbrojtje të rendit në fjalë. Në kohë, Amerika ka synuar që ta mbrojë sistemin nëpërmjet rrjetit të saj të aleancave, nga NATO-ja në Europë tek traktatet bilaterale të sigurisë në Azinë Lindore. Deri më sot. Uashingtoni ka mbetur superfuqia dominuese; ama tani ndodhet në një fazë ndryshimi të thellë. Themelet e rendit liberal janë faktikisht nën sulm, nga jashtë dhe nga brenda. Shumë qytetarë perëndimorë janë zhgënjyer nga demokracia që i qeveris dhe akoma më shumë nga sistemi aktual multilateral; ndërkaq, Kina e shpalos me krenari “kapitalizmin autoritar” të saj si alternativë të vlefshme ndaj modelit amerikan. Veç kësaj, Pekini është afër kalimit të Shteteve të Bashkuara si ekonomia e parë e botës dhe shpejt do të jetë në gjendje ta sfidojë primatin ushtarak rajonal (jo global) amerikan. Pastaj, Kina po krijon rrjetin e saj të institucioneve multilaterale, si Banka Aziatike e Investimit për Infrastrukturat (AIIB), dhe vazhdon që ta zgjerojë influencën e saj strategjiko – ekonomike në Azi dhe në Europë. Vetë Xi e ka thënë qartë se në të ardhmen Kina nuk synon të kufizohet në ruajtjen e rendit ndërkombëtar liberal me drejtim amerikan.

Pekini e ka theksuar shumë herë se rendi aktual është krijuar nga fuqi perëndimore dhe në masë të madhe koloniale, pothuajse të gjitha të dala fitimtare nga konflikti i dytë botëror. Megjithatë, deri më tani nuk i ka specifikuar se çfarë ndryshimesh synon që të ndjekë: do të jenë në çdo rast modifikime të prirura që ta bëjnë sistemin ndërkombëtar më të përputhshëm ndaj interesave dhe vlerave të tij. Për shembull, kjo do të pasqyrohet në disiplinën e të drejtave të njeriut, që mbështetet mbi 3 traktate ndërkombëtare dhe mbi Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara (me seli në Gjenevë) të frymëzuar nga parimet e demokracisë liberale.
Implikime të konsiderueshme ndërkombëtare do të ketë edhe në aspektin ekonomik, përfshi këtu edhe Organizatën Botërore të Tregëtisë, sidomos nëqoftëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin të dilnin nga kjo organizatë në tentativën që t’i zgjidhnin unilateralisht konfliktet tregëtare me Kinën. Për sa i përket sigurisë globale, sot situata është më shumë se kurrë fluide dhe e paqartë, për arësye të lidhura në një masë të mirë me dinamikat politike të brendshme të Kinës dhe të Shteteve të Bashkuara. Do të donin këto të fundit të ishin polici global i instancës së fundit? Po Pekini do të ketë interes që ta mbushë boshllëkun e lënë nga Uashingtoni? Tani për tani, sinjalet që vijnë nga qeveria kineze tregojnë për jo. Këto linja të mëdha drejtuese të politikës kineze po bëhen gjithnjë e më të dukshme nën Xi. Në shumë aspekte, janë pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se Kina ka nisur të realizojë aspiratën e vet shekullore për pasuri dhe pushtet; aspiratë që i ka rrënjët e saj në muzgun e Dinastisë Cing. Atëhere, prioriteti ishte të mbetej e bashkuar dhe sovrane përpara pushtimeve dhe ndërhyrjeve të përsëritura të huaja. Ai objektiv tashmë është arritur; megjithatë, ajo që mungon në traditën e gjatë historike të vendit është një model nga ku të frymëzohet për ta përdorur këtë pasuri dhe fuqi të rinovuar në drejtimin e çështjeve botërore. Në këtë profil, vizioni i Xi gjithsesi është për t’u sqaruar. Sapo kemi hyrë në fazën e tretë të raportit midis Kinës pas1949 dhe botës: pas revolucionit politiko – kombëtar të Mao Ce Dunit dhe modernizimit ekonomik të Ten Hsiao Pinit, Xi po plazmon sot në botë vizionin e tij për Kinën. Sipas të gjitha gjasave, Republika Popullore Kineze nuk ka ndërmend të mbesë një fuqi konservatore.
(Ish Ministër i Jashtëm dhe Kryeministër i Australisë, Kevin Rudd është President i Asia Society Policy Institute)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Ish-ministri: ”Ky është i vetmi pacient që nuk i themi dot “të shkuara”!

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka ironizuar në rrjetet sociale, deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, i cili ka mohuar që të ketë probleme shëndetësore, madje ka paralajmëruar edhe procese gjyqësore ndaj atyre që sipas tij kanë prodhuar shpifje të tilla.
”Ky është i vetmi pacient që nuk i themi dot “të shkuara”. Edhe për kaq fjalë nuk lejon njeri të shprehet”, shkruan Manjani.

Një foto dhe …disa rreshta – Sadri Ahmeti

Qerim VRIONI 

Me piktorin dhe poetin Sadri Ahmeti (Vuthaj, Mali i Zi, 23.3.1939-Tiranë, 24.6.2010), isha njohur në një ekspozitë pikture në Galerinë e Arteve të Tiranës nëpërmjet Kujtim Halilit, mikut tim të ndjerë, poet dhe njëkohësisht punonjës i saj. Më pas e shtuam miqësinë edhe me kafet e mëpasme si edhe me… ndonjë gotë rakie që rrëkëllenim të tre aty nën valanidhin e madh para Galerisë.

Ai kishte kaluar një jetë plotë vështirësi, ishte larguar nga vendlindja me shumë ëndrra për në shtetin-amë, i cili e priti krahmbyllur (siç nuk mendonte se do pritej), sepse pas peripecive të ndryshme, si banim i caktuardhe punë e detyruar, me vështirësi fiton të drejtën e studimit për Institutin e Arteve, në fillim të viteve ’70. Pas 2-3 vite akademikë, ai arrestohet për agjitacion-propagandë dhe kryen disa vite burg politik. Në burgun famëkeq të Spaçit, ai pikturoi me fantazinë e tij në akuarele disa portrete vajzash, “të bukurat e dheut të racës shqiptare”, me të cilat siç shprehej me humor, “martoi beqarët e burgosur”.

Sidoqftë, as burgu dhe as vështirësitë e jetës para tij, Sadriut nuk ia kishin zbehur dëshirën për të bukurën në arte, ai shkruante poezi të ndiera dhe pikturonte akuarele plotë hijeshi. Ndoshta të dy fushat e artit ku krijonte, i jepnin dorë njera-tjetrës. Veçse me një ndryshim, ndërsa me fjalë edhe gjëmonte kundra padrejtësive ndaj shqiptarëve, me penel përkëdhelte bukuritë e racës tonë. Gjithashtu, vuajtjet nuk ja kishin tharë ndjenjën e humorit, të cilin e përcillte me atë të folurën e tij të ngadalshme dhe karakteristike, por edhe me të qeshurën e vet që e niste i pari.

Sadriu ka marrë pjesë me akuarele në rreth 15 ekspozita të përbashkëta dhe vetjake, brenda dhe jashtë vendit. Ai mbahet nga kritika e arteve pamore, si një nga 3-4 akuarelistët më shquar në vend.

Pas viteve ’90, Sadri Ahmeti botoi edhe disa përmbledhje poetike si, “Një e qeshur harbon nëpër errësirë“, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Aisbergu i preludit të katastrofës”, “Masakra e Tivarit“ dhe në prozë, “33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës”, të cilat janë pritur me kënaqësi nga lexuesit dhe kritika.

Koha e kësaj fotoje përkon me një ekspozitë kombëtare në mjediset e Galerisë Kombëtar të Arteve. E fotografova si vjedhuraz kur ai po shikonte dikë në të majtë.
Ishte nëntor 2003.

Në lëmin e armiqve të jashtëm që i bëjnë dëm qeverisë, raporti i OKB është i radhës…

Jorida TABAKU

Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet në 15 vendet më të korruptuara të botës, duke konfirmuar kësisoj se çdo qelizë e shtetit shqiptar është e mbërthyer nga ethet e korrupsionit. Ndërkohë që raporte të tilla, vazhdojnë të konfirmojnë pohimet e DASH apo Transparency International, qeveria harxhon paratë publike për spektaklin e radhës në shesh.

Për t’i hedhur hi, syve të shqiptarëve mbi korrupsionin me ligje speciale, me tendera dhe koncesione, me lejet e ndërtimit, hartimin e VKM-ve. Për të manipuluar të vërtetën mbi korrupsionin në policinë e shtetit, arsimin publik, shëndetësinë, financat dhe kështu me radhë. Korrupsion që sot po pengon të rinjtë të punësohen duke i detyruar të largohen. Korrupsion që sot falimenton 50 biznese në ditë, po përqendron pasurinë në një grusht njerëzish.

Sot 7 nga 7 projektet e programit 1 mld euro jepen me ofertë të pa kërkuar, pra pa garë!
Sot 41% e tenderave i jepen fituesve pa asnjë garë!

Sot 11 oligarkët e denoncuar nga PD, nëpërmjet 19 shoqërive, kanë përfituar në 2018, 242 tendera.

Sot, nga buxheti i shtetit në xhepin e të paktën 4 deputetëve të PS kanë shkuar 48 tendera vetëm për vitin 2018.

Kryefjala e çdo raporti apo pyetësori është korrupsioni.

Ai po pengon procesin e integrimit, po pengon investitorët e huaj, po pengon biznesin vendas të zhvillohet, po pengon Shqipërinë të ecë përpara! Ky sistem i ideuar nga arkitekti Rama, ia ka nxirë faqen Shqipërisë dhe po ua merr shpirtin shqiptarëve. Prandaj meriton të rrëzohet një herë e më parë!