18.5 C
Tirana
E martë, 10 Qershor, 2025

Vuçiç deklaratë të njëjtë me Thaçin: Ose ndajmë Kosovën ose luftë!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se, dështimi për të ringjallur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimorë.

Ai i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, duke folur për procesin e pezulluar të bisedimeve, vazhdimi i të cilave kushtëzohet me anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe që janë vendosur nga qeveria e Kosovës. Kujtojmë se deklarata e Vuçiç është e njëjtë me deklaratën e bërë nga Thaçi vetëm pak javë më parë ku ai po ashtu deklaroi se ose “do të ketë marrëveshje ose rajoni do të destablizohet”.

“Çdo ditë e zvarritjes, çdo ditë dhe çdo javë e zvarritjes, mund të krijojë mundësi në të cilat një shkëndijë mund t’i fusë flakën tërë rajonit. Vendet perëndimore, që e përdhelin Prishtinën, duhet ta dinë këtë shumë mirë”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Por, ajo është përfshirë në një proces të gjatë bisedimesh me Kosovën, meqë normalizimi i marrëdhënieve, është kusht për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja jonë evropiane varet nga negociatat me Prishtinën dhe nëse ndonjë ditë do të jemi në gjendje të arrijmë ndonjë marrëveshje. Përndryshe, askush nuk do të na lejojë në Bashkimin Evropian dhe qytetarët e Serbisë duhet ta dinë këtë”, tha ai, duke nënvizuar se një marrëveshje është ende e largët.

Presidenti serb si dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaci, që nga vera e vitit të kaluar kanë folur për idetë e “korrigjimit të kufijve” apo “vënies së kufijve”, që nga analistët janë interpretuar si synime për shkëmbim territoresh. Në Kosovë, parlamenti ka miratuar një platformë për bisedimet me Serbinë duke vënë vijat e kuqe, përtej të cilave Kosova nuk mund të diskutojë.

“Nuk dua të flasë për vija të kuqe, por kemi mjaft sosh, ashtu sikundër ata kanë shumë sosh. Por, nuk dua të flasë për to, sepse kjo i dëmton bisedimet. Kemi shumë dhe nuk jemi askund afër ndonjë marrëveshjeje.

Nuk kemi asnjë projekt, nuk kemi marrëveshje të propozuar, nuk kemi asgjë në këtë moment. Nuk do të shkatërrojë mundësitë për të biseduar, sepse bisedimet e mbajnë gjallë Serbinë”, tha ai.

Presidenti serb shfaqi bindjen se së shpejti mund të ketë disa nisma të reja gjermano franceze apo evropiane rreth kësaj çështjeje.

Tash për tash, nuk ka asnjë lëvizje që flet për vazhdim bisedimesh, derisa Beogradi ngulë këmbë në anulimin e tarifave, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi edhe trysninë amerikane për pezullimin e tyre, duke kërkuar garanci që bisedimet do të përmbyllen me njohje të ndërsjellë, në kufijtë ekzistues të Kosovës.

Reagon Berisha: Arrestimi i Dorianit për agjitacion e propagandë, i ati i kryepolicit donte t’i vriste gjyshin

Ish-Kryeministri Sali Berisha, ka reaguar ashpër për arrestimin e Dorian Protoduari. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili shkruan se, babai i drejtorit aktual të Policisë së Tiranës, Dhimtraq Ziu, Daqi Ziu, gjatë kohës së komunizmit ka kërkuar dënimin me vdekje të gjyshit të Dorian Protoduarit, Asqeri Protoduari.

Postimi i ish-Kryeministrit Berisha
Qendrestaret e Astirit, e revotes me te gjate ne historine e Europes se Pasluftes se Dyte Boterore, marshojne drejt drejtorise se policise per lirimin e Dorjan Protoduarit, arrestuar sot me urdher te Edvin Kristaq Urrejtes dhe Vasal Kimikut nga narkopolicet e tyre.

Përshëndetje i nderuar Doktor! Babi i Dhimitraq ziut, Daqi ziu ka kerkuar te denohej me pushkatim gjyshin e Dorit Asqeri Protoduari Agjitacion e propagandë.
Asqeri Protoduari u arrestua në vitin 1979, për “sabotim ekonomik”, akuza zyrtare “kishte sabotuar tokën duke e punuar cektë” dhe u dënua me 21 vjet burg.

Policia e Tiranës ka shoqëruar me forcë Dorian Protoduari, banorin e Unazës së Re i cili mori pjesë në protestën e opozitës ditën e sotme përpara Parlamentit. Ai është arrestuar nga policë me maska dhe të shumtë në numër.

Basha me kreun e PPE: Takim i shkëlqyer me Joseph Daul

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar një foto nga takimi i sotëm me presidentin e Partive Popullore Europiane, Joseph Daul.
“Me Presidentin e PPE Joseph Daul. Takim i shkëlqyer me një demokrat dhe europian të madh. #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan Bash mbi foto.

Basha ka marrë pjesë në samitin dyditor të Partisë Popullore Europiane, që u mbajt në Bruksel.
Kreu demokrat raportohet se ka zhvilluar takime të shumta me drejtues të PPE-së dhe partive pjesëmarrëse në këtë samit, ku i ka informuar lidhur me situatën që po kalon vendi, por edhe vendimin për dorëzimin e mandateve nga opozita.

Flet mamaja e Dorian Protoduarit: Djalin ma arrestoi i biri i atij që kërkoi t’i pushkatonte gjyshin

Drita Protoduari, mamaja e Dorian Protoduarit, i arrestuar ditën e sotme nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë tha se djali i saj është arrestuar sapo zbriti nga autobusi nga 20 forca policie me maska.
Ajo u shpreh gjatë protestës para Drejtorisë së Policisë së Tiranës se, djali i saj është arrestuar me të padrejtë pasi ai nuk ka kryer asnjë veprim ndaj Forcave të Rendit, dhe për ta vërtetuar këtë fakt, ka kërkuar që të hapen edhe kamerat e zonës ku është zhvilluar protesta.
Po kështu Drita Protoduari tha se djali i saj është arrestuar nga djali i personit që i arrestoi të vjehrrin gjatë komunizmit, në gjyqin e famshëm të Poshnjes, duke iu referuar Drejtorit të Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, babai i të cilit kërkoi që të dënohej me pushkatim gjyshi i Dorianit, Asqeri Protoduari.
Me qindra protestues të Unazës së Re vazhdojnë të qëndrojnë në këto momente përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e të afërmve të tyre të arrestuar pas protestës së sotme të opozitës përballë parlamentit.

Banorët e Unazës së Re rrethojnë Drejtorinë e Policisë së Tiranës: “Lironi çunat”!

Banorët e Unazës së Re kanë rrethuar Drejtorinë e Policisë së Tiranë, ndërkohë që forca të shumta policie me pajisjet më të fundit janë vendosur përballë tyre në një kordon sigurie.
Banorët kanë lëshuar thirrje “Lironi çunat” ndërkohë që në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe ish-deputetë të opozitës. Gjendja është shumë e tensionuar përballë Policisë së Tiranës.
Protesta vazhdon ende tek Drejtoria e Policisë së Tiranës ku mbahen të ndaluar 7 të rinj protestues midis tyre edhe Dorian Protoduari, të cilin policia e arrestoi sapo kishte zbritur nga autobuzi pranë banesës së tij pak minuta pas përfundimit të protestës së opozitës.
Ata kanë bërë thirrje për lirimin e tyre duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj se po pengojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar duke arrestuar qytetarë të pafajshëm.
Ata paralajmëruan edhe kryebashkiakun Veliaj se nuk do ta lejojnë që ti shembë banesat e tyre, duke thënë se do ti mbrojnë me gjak.
“Mos këni frikë nga oligarkët, shumë shpejt sistemi i tyre do të bjerë”, u shpreh njëri nga protestuesit.
Lidhur me arrestimin e Protoduarit ka folur edhe babi i tij duke bërë thirrje për lirimin e djalit të tij, duke argumentuar se është një vendim i padrejtë.
E ëma e Dorianit deklaroi se djali i saj është i pafajshëm duke thënë se nuk ka asnjë provë për përfshirjen e tij në akte të dhunshme.
Klevis Balliu deklaroi se të gjithë ata djem që janë arrestuar janë heronj, dhe sipas tij shumë shpçejt do të dalin për tju bashkuar protestës për të mbrojtur banesat e tyre.
“Protestë do të ketë dhe do të përshkallëzohet, ka mbaruar koha që të helmohen qytetarët, është koha të helmohet Rama”, tha ish-deputeti i PD.

20 forca të RENEA-s rrëmbejnë dhe arrestojnë organizatorin e protestës te Unaza e Re

20 forca speciale ma maska arrestuan Dorian Protoduarin, një nga organizatorët më në zë të protestës te Unaza e Re. Ai u arrestua nga forcat RENEA menjëherë sapo zbriti nga autobuzi në afërsi të shtëpisë së tij pasi përfundoi protesta e mbajtur nga opozita përballë Parlamentit.
Protoduari është arrestuar nga policë të maskuar të cilët e kanë futur në furgon me forcë siç shihet edhe nga pamjet.
Kujtojmë që më herët policia ka shoqëruar edhe gjashtë protestues të tjerë të cilët morën pjesë në protestën e opozitës. Protoduari ka qenë një nga protestuesit më aktivë në protestën e Unazës së Re të cilët kanë rreth 4 muaj që protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre që parashikohen të shemben pasi preken nga ndërtimi i Unazës së Re.
Protoduari u shoqërua në Polici nën masa të forta sigurie për disatën herë.
Familjarë të Protoduarit thanë se ai po mbahet në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Aty në këtë moment ndodhen edhe ish-deputetë të Partisë Demokratike të cilët kërkojnë lirimin e tij si edhe familjarë.

Vjen mbështetja nga Europa për protestat në Shqipëri: Asnjë kompromis me demokracinë

Europa po lëviz nga ideja fikse e vendosur shumë vite më parë sipas të cilës më e rëndësishme është stabiliteti se demokracia në vendet ballkanike. Protestat duket se kanë ndërgjegjësuar mbarë botën dhe Europën për kauzën e drejtë të protestave që po zhvillohen në Shqipëri.

Sot, ka ardhur mesazhi i parë i fortë publik i mbështetjes së protestave nga PPE që është grupimi më i madh politik në Bashkimin Europian.

Përmes një reagimi të shkurtër në rrjetet sociale, Kryetari i PD, Basha ka cituar mbështetjen e Presidentit të PPE për protestat në Shqipëri

“Presidenti i PPE Joseph Daul në emër të të gjithëve deklaroi qartë se “ne nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias. “PD po lufton për të njëjtat vlera europiane në Shqipëri dhe në këtë betejë kemi mbeshtetjen e PPE, familjes sonë politike”, është shprehur më pas Basha.

Kjo është një deklaratë mjaft e fortë dhe konfirmon ndryshimin e pozicionit të deritanishëm të Europës, se primare nuk mund të jetë më stabiliteti, por demokracia, dhe kjo nuk mund të kalohet tanimë lehtë nga Rama.

Në përfundim të protestës së opozitës, Basha deklaroi se “beteja që ka nisur është pa kthim. Historia na tregon se kjo betejë do të përfundojë me shporrjen e qeverisë së krimit dhe triumfin e vlerave europiane. E ardhmja e shqiptarëve është Europa!”

Trump: Po hetojnë suksesin elektoral më të madh në historinë e SHBA, ta publikojnë!

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se raporti përfundimtar i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për bashkëpunimin e mundshëm të fushatës së tij me Rusinë në zgjedhjet 2016, duhet të bëhet publik.

Por presidenti Trump përsëri vuri në pikëpyeti bazat për hetimin pothuajse dy vjeçar, i cili gjithashtu po shqyrton nëse vetë presidenti pengoi penalisht hetimin.

Me pritshmëritë se prokurori Mueller do të përfundojë punën e tij brenda disa javësh, pasi ka akuzuar tashmë gjashtë bashkëpunëtorë të zotit Trump dhe mbi dy 12 rusë, presidenti Trump tha se raporti sekret që do t’i dorëzohet Prokurorit të Përgjithshëm Bill Barr duhet të bëhet i ditur për publikun.

“Nëse doni që publiku ta shoh raportin, le ta shohin,” u tha presidenti Trump gazetarëve. Presidenti Trump vuri në pikëpyetje se si prokurori Mueller – një njeri ” i cili kurrë nuk ka marr asnjë votë” – mund ta hetojë atë, duke pasur parasysh fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016.

“Jam duke thënë me vete, prit një minutë, kam fituar një nga zgjedhjet më të rëndësishme të të gjitha kohërave në historinë e këtij vendi … dhe personi që shkruan raportin nuk mori asnjëherë ndonjë votë” tha presidenti Trump duke iu referuar prokurorit Mueller.

‘Raporti konfidencial’
Megjithatë, kjo mund të jetë e vështirë. Sipas rregullave Mueller, ish-drejtor i FBI-së, i emëruar në maj të vitit 2017 si prokuror i posaçëm, duhet ti paraqesë Prokurorit të Përgjithshëm Bill Barr “një raport konfidencial që shpjegon vendimin për ndjekje penale apo shmangien e tij”.

Ky raport, thonë ekspertët, ka gjasa të publikohet në vija të përgjithshme – pasi mund të ketë të dhëna konfidenciale për njerëzit që nuk janë akuzuar, si dhe informacione sekrete të burimeve.

Por Prokurori i Përgjithshëm Barr është gjithashtu i detyruar t’i dorëzojë Kongresit përmbledhjen e vet të hetimit, një raport që mund të bëhet publik.Barr, i cili ishte kritik i zotit Mueller para se presidenti Trump e caktoi atë në postin e Prokurorit të Përgjithshëm në shkurt, nuk do ti duhej të ishte aq i detajuar sa prokurori Mueller.

Sipas ekspertëve ligjorë, ai mund të shmang informacionin që mund të dëmtojë individë të tillë si presidenti Trump.
Nga ana tjetër, nëse Mueller gjen sjellje kriminale nga ana e presidentit Trump dhe beson se provat janë mjaft të forta për të mbështetur një mocion për të filluar procesin për shkarkimin e presidentit nga Kongresi, ai mundet, me lejen e prokurorit Barr, të shkruajë një raport të veçantë në atë rast.

Një pyetje e rëndësishme që do të shtrohej në një rast të tillë është nëse yoti Barr do ta lejonte një gjë të tillë dhe do të urdhëronte që raporti të bëhej publik.

‘Gjueti shtrigash’
Presidenti Trump e ka quajtur në mënyrë të përsëritur hetimin e prokurorit Mueller një “gjueti të paligjshme shtrigash” gjatë dy viteve të fundit dhe e ka etiketuar ekipin e tij të hetuesve politikisht të njëanshëm.

Ndërsa prokurori Mueller ka lënë pak të kuptohet për mënyrën se si ai e sheh presidentin Trump dhe familjen e tij, si objektiva të mundshëm të hetimit, presidenti dhe Shtëpia e Bardhë kanë shtuar fushatën e tyre politike për të minuar legjitimitetin e hetimit.
“Asnjë bashkëpunim, nuk ka patur asnjë bashkëpunim”, deklaroi presidenti Trump të mërkurën.

“Ishte fitorja më të madhe elektorale në historinë e vendit tonë, një nga më të mëdhatë,” tha ai. “Ishte një sukses i madh, dhjetëra miliona votues .Tani dikush do të shkruajë një raport, dhe ai kurrë nuk mori asnjë votë. “Do të shohim se çfarë thotë raporti. Le të shohim nëse është e drejtë.”

Basha: Të lirohen qytetarët e arrestuar, protestojnë kundër Maduros së Ballkanit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili mungoi në protestën e gjashtë të opozitës për shkak se ndodhej në Bruksel, duket se e ndjek në distancë situatën.

Përmes një statusi në “Facebook”, Basha thekson se qytetarët janë ngritur në protestë kundër Maduros së Ballkanit.
Basha shprehet se sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar.

“Drejt Drejtorisë së Policisë për të liruar qytetarët që janë ngritur kundër Maduros së Ballkanit! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar. #shqiperiasieuropa”, shkruan Basha.

Ukraina drejt zgjedhjeve, skandaleve, populizmave dhe ekstremizmave

Saktësisht 5 vite nga referendumi që ka çuar në aneksimin rust ë Krimesë, Ukraina përgatitet për zgjedhjet presidenciale të 31 marsit në një klimë tensioni. Asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e Euromaidanit: problemet kryesore të vendit mbeten korrupsioni dhe mosbesimi pasues në klasën politike.

Pakënaqësia është shprehur të shtunën 16 mars në formën e manifestimeve të grupeve të së djathtës ekstreme. Qysh javën e kaluar protestat në Kiev dhe në qytetin e vogël Cherkasy kanë degjeneruar në dhunë dhe rreth 20 policë kanë mbetur të plagosur. Në të dyja rastet, ekstremistët po manifestonin për të kërkuar arrestimin e disa figurave të implikuara në një rast korrupsioni në botën ushtarake.
Në fakt, më 25 shkurti një raport i grupit investigativ “Nashi Groshi” (“Paratë tona”) ka botuar pjesën e parë të një raporti, në të cilin akuzohej për kontrabandë armësh nga Rusia Ihor Hladkovskyy, djali i Oleh Hladkovskyy, Zëvendëssekretar i Këshillit Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Petro Poroshenko. Kurse pjesa finale e raportit ka treguar në fakt sesi nëpunës të shumë shtetërorë, nga shërbimet e sigurisë tek agjencia shtetërore antikorrupsion, kanë ndihmuar që të mbulohet çdo provë e kontrabandës. Presidenti ka reaguar duke e shkarkuar Hladkovskyy baba, por një skandal i tillë pak ditë përpara votimeve mund t’i kushtojë shtrenjt.
Në fakt, rivalët e tij nuk kanë ngurruar që ta shfrytëzojnë situatën: Yulia Tymoshenko ka kërkuar menjëherë shkarkimin e Poroshenkos, ndërsa Volodimyr Zelensky, humoristi i shndërruar në politikan, ka kritikuar ashpër Presidentin në një video të postuar në Facebook. Një video që të kujton atë që e ka çuar mësuesin Vasiliy Holoborodko, personazhin e interpretuar nga Zelensky në serialin “Shërbëtori i kombit”, të bëhet një senascion viral më parë dhe President të vendit më pas.
Dhe shanset që historia e Zelensky të mund të ketë të njëjtin përfundim – zgjedhjen si President – nuk janë edhe aq të pakta. Sipas sondazheve të fundit, duket se është në vendin e parë në garën presidenciale, me 23.1% të preferencave. Prapa tij, Tymoshenko (14%) është lehtësisht në avantazh ndaj Poroshenko (12.4%). ¼ e votuesve është ende e pavendosur, por duket e vështirë që njëri nga kandidatët e tjerë, si prorusi Yuriy Boyko (12%) apo ish Ministri i Mbrojtjes Anatoliy Hrytsenko (7,4%) të arrijë të fitojë konsensusin e nevojshëm për arritjen e raundit të dytë.

Kalimi në këtë raund është tashmë shumë probabël për Zelensky, sidomos prej reputacionit të tij si outsider: i lodhur nga korrupsioni dhe paaftësia, populli ukrainas po kërkon me zë të lartë një fytyrë të re dhe sidomos të papërlyer në pushtet. Poroshenko dhe Tymoshenko janë prej shumë vitesh në skenën politike, janë përfshirë në skandale të shumta dhe kanë treguesi jopopullariteti shumë të larta, respektivisht 60.8% dhe 50,1%. Ukraina mund ta kalërojë valën populiste që ka përshkuar shumë vende europiane dhe të zgjedhë një President pa përvojë politike.
Megjithatë, Zelensky nuk duket se është krejtësisht i huaj ndaj kësaj bote raportesh midis oligarkëve dhe pushtetit politik që ka karakterizuar Ukrainën qysh nga pavarësia e saj më 1991. 1+1, kanali televiziv që transmeton “Shërbëtorin e kombit”, është në pronësi të Ihor Kolomoiskiy, njeriu i tretë më i pasur i Ukrainës dhe ish Guvernator i Dnipropetrovsk, aktualisht i hetuar për përvetësim të paligjshëm. Të dy janë mbrojtur duke theksuar se bëhet fjalë për një raport biznesi dhe jo politik.
Avantazhi të cilin gëzon Zelenskiy në nivel shikueshmërie falë karrierës së tij televizive është i pamohueshëm: pas muajve skeçe ku luante mbi mundësinë e një candidature të tij, humoristi e ka shpallur zyrtarisht në televizor Ditën e Vitit të Ri. Veç kësaj, sezoni i ri i “Shërbëtorit të kombit” do të transmetohet së shpejti, tamam në kohë për raundin e parë të zgjedhjeve. I gjithë vendi do të mund ta shikojë Zelensky në rolin – edhe pse jo real – të Presidentit, pak përpara votimeve. E pamundur të imagjinohet një fushatë elektorale më e mirë.
Zelensky ka ditur të grumbullojë consensus edhe në mediat sociale: mund të mbështetet tek mbi 2.8 milion ndjekësit në Instagram. Një platformë mbi 10 herë më e madhe se ajo e Poroshenko dhe Tymoshenko, që i mundëson ta rrisë popullaritetin e tij sidomos midis 30 vjeçarëve. Si populist i aftë, përdor strategji komunikimi pak institucionalë: selfie, video të bëra me celular, video të stërvitjeve në palestër.

Zgjedhjet nuk do të mbahen në një klimë kushedi se çfarë të qetë. Rreth 12% e popullsisë me pashaportë ukrainase jeton në Krime, tashmë e aneksuar nga Rusia, dhe oblastet e Donetsk e Luhansk, të kontrolluar nga separatistët, që nuk do të mund të votojnë. Lufta në Donbass zgjat tashmë prej 5 vjetësh dhe asnjë prej palëve nuk është treguar në gjendje që të respektojë armëpushimin.
Veç kësaj, e djathta ekstreme vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Ukrainë. Batalioni “Azov” – një formacion oaraushtarak me frymëzim neonazist i krijuar më 2014 me qëllimin që të kundërshtojë separatizmin në lindje të vendit dhe i akuzuar për tortura dhe krime lufte – ka marrë autorizimin që të monitorojë zgjedhjet. Ihor Vdovin, zëdhënësi i tij, ka premtuar se do të reahojë me dhunë “në emër të drejtësisë” në rast shkelje të rregullave në votime.
Batalioni qëndronte prapa protestave kundër qeverisë. Zemërimi i “Azovit” kundër korrupsionit mund të jetë pjesë e një strategjie për të fituar simpatinë e publikut ukrainas, duke parë popullaritetin shumë trë pakët që gëzojnë sipas sondazheve elektorale. Por mund t’i detyrohet faktit që grupi është i lidhur me Ministrin e Brendshëm Arsen Avakov, që i është bashkuar korit të kritikave ndaj Poroshenko, duke e akuzuar për blerje votash.
Një prej gabimeve më të mëdha të politikanëve ukrainas në epokën e pasMaidanit ka qenë pikërisht lënia fushë e lirë këtyre formacioneve paraushtarake neonaziste, duke ju mundësuar atyre që të patrullojnë rrugët dhe duke mbyllur një sy përballë dhunave të kryera prej tyre. Pavarësisht se ankesavt e “Azovit” për korrupsionin e sistemit politik ukrainas janë legjitime, është e pamohueshme se prania e grupeve neonaziste dhe konsensusi i heshtur i autoriteteve kontribuon që të kompromentohet sistemi tashmë shumë i brishtë demokratik në Ukrainë.

Përgatiti
ARMIN TIRANA