13.5 C
Tirana
E enjte, 15 Maj, 2025

Analiza e VOA: Vetëm 4 në 10 qytetarë europianë besojnë tek BE, megjithëse…

Një poster në selinë e Tubimit Kombëtar pranë Parisit, tregon Marine Le Pen duke buzëqeshur pranë Ministrit të Brendshëm italian dhe ushëheqësit të Ligës Veriore, Matteo Salvini.
“Kudo në Evropë, idetë tona po vijnë në pushtet”, lexohet në poster.
Mesazhi nuk është thjesht një aspiratë. Ndërsa nxehet fushata për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj, ekspertët parashikojnë që dy udhëheqësit e së djathtës së skajshme dhe ata të lëvizjeve të tjera nacionaliste të marrin mbështetje të fortë dhe gjasat janë që pasojat në Bashkimin Evropian të jenë të ndjeshme.
“Në këto zgjedhje vetëkënaqësia do të ishte e rrezikshme”, thotë analistja Susi Dennison, e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. Ajo vlerëson se partitë “anti-evropiane” mund të sigurojnë deri në një të tretat ose edhe më shumë të votave. “Ideja e ndryshimit, se sistemi politik është jofunksional, ka shumë peshë mes votuesve evropianë”, thotë ajo.
Edhe Le Pen parashikon një ndryshim të thellë, duke e quajtur votimin e majit, një “pikë kthese historike”.
“Bashkimi Evropian ka vdekur. Rroftë Evropa”, tha ajo në një intervistë së fundmi me gazetarët anglishtfolës.
Nëse pritshmëria e saj realizohet. Zgjedhjet do të konsolidojnë një prirje që ka sjellë euro-skeptikët në pushtet në Hungari, Itali, Austri dhe Poloni, duke dobësuar edhe më tej një Bashkim që është i tronditur nga ndasitë e brendshme dhe dalja e pritshme e Britanisë.
Në Francë, forca politike e Marinë Le Pen, është rimëkëmbur nga humbja e thellë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare para dy vitesh, duke u bërë forca kryesore opozitare në vend.
Nga periferikë në pothuajse forcë tradicionale
Dikur Tubimi Kombëtar – që e ndryshoi emrin nga Fronti Kombëtar që quhej më parë – ishte një forcë politike e jashtme, por tani pothuajse është bërë pothuajse pjesë e rrjedhës qendrore, falë dobësimit të së djathtës së qendrës dhe së majtës së qendrës në vitin 2017 dhe një zhvendosjeje të mbështetjes së votuesve në tek periferitë politike.
Në një shenjë suksesi për këtë force, partia konservatore Republikanët, ka adoptuar një pjesë të retorikës së saj të skajshme, veçanërisht për temëm e emigracionit.

Le Pen ka përfituar gjithashtu nga rënia drastike e mbështetjes për Presidentin, Emmanuel Macron dhe programit të tij reformist, që vihet re në protestat e “jelekëve të verdhë”.
Për zgjedhjet e Bashkimit Evropian, ajo ka zgjedhur luajalistin 23 vjeçar Jordan Bardella, të kryesojë listën e partisë, për të konsoliduar apelin ndaj votuesve të rinj. Anketat e fundit kanë treguar se partia e saj gëzon të njëjtën mbështetje si edhe partia e Macronit Republika në Lëvizje, megjithëse një sondazh i së premtes arrinte në përfundim se përkrahja për të po bie.
Megjithatë tradicionalisht, ajo ka pasur rezultate të mira në zgjedhjet e Parlamentit të Bashkimit Evropian, duke dalë e para në vitin 2014, me pothuajse një të katërtën e votave. Këtë radhë, Le Pen parashikon një fitore edhe më të thellë.
“Mendoj se Evropa po lëviz drejt kthimit të shteteve-kombe dhe ne jemi pjesë e kësaj lëvizjeje të madhe politike. Synimi ynë është ta kthejmë Bashkimin Evropian në një bashkëpunim mes shteteve dhe jo ky lloj super-shteti evropian”, tha ajo.
Rënie e mbështetjes për partirë pro BE
Një parashikim i Parlamentit të Bashkimit Evropian javën e kaluar, duket se e përforcon pritshmërinë e saj. Ndërsa dy blloqet kryesore të parlamentit, Kristian-demokratët dhe socoalistët do ta ruajnë epërsinë e tyre, pritet që numri i anëtarëve të tyre dhe mbështetja për ta, të bjerë.
Ndërkohë, partitë nacionaliste, përfshirë Ligën italiane partinë e Le Penit, pritet që ta zgjerojnë përfaqësimin e tyre.
Kur filluan fushatën për Parlamentin Evropian në Romë në tetor, Le Pen dhe Salvini parashikuan se fitorja e partive nacionaliste do të rikthente “logjikën” në Evropë dhe i denoncuan zyrtarët kryesorë të Komisionit Evropian, përfshirë Presidentin Jean-Claude Juncker, si “armiq të popullit”.
Ashtu si udhëheqës të tjerë populistë evropianë, të dy ata kanë kërkuar këshilla nga Steve Bannon, një skeptik i Bashkimit Evropian dhe ish-këshilltar i presidentit Donald Trump.
Populistët evropianë kanë gjetur terren tek mosbesimi, madje deri antipatia e qytetarëve ndaj BE-së që shumë e shohin si të dobët ndaj imigracionit dhe tepër burokratik.
Anketat e fundit të Eurobarometrit tregojnë se ndërsa dy të tretat e evropianëve besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësia në BE, shifra më e lartë ndër 35 vjet, vetëm katër ndër 10 kanë një pikëpamje pozitive ose besim tek organizata.

“VOA”

Zëri i Amerikës, jehonë ekspozitës për Trump që u bojkotua nga qeveria

Në Tiranë, piktori i njohur Avni Delvina ia kushtoi ekspozitën e tij “The Donald” marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe zhvillimeve në SHBA dhe Ballkan.
Në shumicën e veprave autori paraqiti presidentin amerikan Donald Trump dhe ngjarje që lidh
Edhe pse nisi me modestinë tipike të autorit, ekspozita “The Donald” e piktorit të njohur Avni Delvina u bë menjëherë ngjarja më e rëndësishme artistike e kryeqytetit shqiptar gjatë kësaj jave.
46 pikturat e kësaj ekspozite i kushtohen SHBA-ve, presidentit Trump dhe politikës amerikane si dhe dashurisë së veçantë të popullit shqiptar për popullin amerikan.
Ekspozita qëndroi e çelur në Muzeun Historik si një ftesë për gjithë kryeqytetasit nga artisti, që la Tiranën në korrik 1990, por që përditë jeton me mendje në Tiranë dhe u kushtoi bashkëkombasve të tij pothuaj gjithë krijimtarinë e vet.
“Këtu në Shqipëri është plot ngjarje dhe negativiteti është i pranishëm kudo. Krahas sarkazmës që unë ndërthurr në krijimtarinë time, Shqipëria është vendi më i mirë dhe frymëzuesja më e mirë, në njëfarë mënyre, sepse të gjithë jemi pjesëmarrës në dramës që kalojmë” – tha autori Avni Delvina.
Autori është kritik me zhvillimet në Shqipëri, ku njerëzit nuk reagojnë për hallet që kanë, por e kërkojnë zgjidhjen te emigrimi.
“Është vrasja e shpresës, një lloj pasiviteti. Njerëzit nuk gjejnë entuziazëm tek ata që na drejtojnë. Njeriu do entuziazëm, ai të mban. Duhet shpresë, diçka pozitive: “Do të rregullohet”. Mungon pozitiveti, dhe kjo ndihet qysh në zërin e atyre që na drejtojnë.

Njeriu ka nevojë për mirësi, për pozitivitet, ka nevojë për entuziazëm. Të gjitha këto mungojnë dhe përveç dramës ekonomike që kalojnë, vetvetiu njerëzit, ku iu mungojnë edhe këto elementë, shpresojnë, tentojnë, luajnë pokerin e jetës, që është i vështirë, dhe shpërngulen” – tha zoti Delvina.
Kuratori i ekspozitës është artisti dhe studiuesi Ardian Devolli. Ai thotë se veprat e Avni Delvinës janë thellësisht të vërteta dhe të sinqerta, megjithëse të mbushura me metafora, hiperbola dhe shpesh edhe me ironi dhe humor.
“Nëpërmjet këtyre veprave autori tregon edhe kulturën e gjerë artistike që zotëron qysh nga arti i lashtë grek, romak, Rilindja italiane, romantizmi, surrealizmi, poparti. Gjithë rryma dhe korrente i kanë shërbyer Delvinës si mjete për të dhënë maksimumin e idesë së tij në mënyrë të sintetizuar dhe me një gjuhë të pastër artistike” – tha zoti Devolli.
Autori Delvina i shkruan mesazhet e tij me një seri mjetesh; nga tablot me ngjyra, grafikat e deri te fotomontazhi, duke nxitur qytetarët të reagojnë për të përmirësuar jetën e tyre, duke lënë pas vanitetin dhe indiferencën.
“Në Shqipëri vëmë re korrupsionin dhe të gjithë problemet që thuhen edhe në raportin e DASH-it edhe nga organizata europiane. Më lindi vetvetiu një lloj kundërshtimi dhe kjo m’u bë e përditshme gati gati; gjithmonë do të gjeja tematika dhe do të godisja me artin tim. Njerëzit duhet të reagojnë, brenda gjithë normave demokratike, dhe të ndihet toni, nervi dhe indinjata, sepse të gjithë kemi nevojë” – tha zoti Delvina.
Ekspozita “The Donald” u vizitua nga mijëra njerëz dhe organizatorët u befasuan nga numrat e vizitorëve, po ashtu edhe nga komentet e ndryshme që u bënë për veprat e Avni Delvinës.
Edhe pse i larguar nga Shqipëria prej afro 3 dekadash, ai vazhdon të revoltohet për hallet e atdheut të tij dhe asnjëherë nuk e ka harruar atë.

“Le Temps” për protestat: Qytetarët po ngrihen kundër regjimit autoritar e të korruptuar

Shqipëria, Serbia, Mali i Zi… Një valë protestash të mëdha që po përhapur në të gjitha vendet e Ballkanit.
Kudo, qytetarët denoncojnë regjimet autoritare, klienteliste dhe të korruptuara’.
Kështu e nis artikullin e saj gazeta zvicerane ‘Le Temps’, që bën një panoramë të situatës politike në Ballkan. Gazeta kritikon BE-në se në funksion të stabilitetit të Ballkanit është duke mbështetur qeveri jo demokratike.
Në Shqipëri ishin studentët të parët që nisën protestat kundër ligjit të Arsimit të Lartë të miratuar nga qeveria e Edi Ramës.
Ata kanë kërkuar heqjen e tarifave të arsimit të lartë. Studentët arritën një fitore të pjesshme, kur në 28 dhjetor Edi Rama shkarkoi gjysmën e kabinetit qeveritar.
Por tani Rama po përballet me protesta nga opozita, që organizoi dy tubime të mëdha, të nisura në datën 16 shkurt. Të enjten në 21 shkurt deputetët e PD-së të shoqëruar edhe nga mijëra e mijëra shqiptarë dorëzuan mandatet e tyre. Shqipëria tani është në krizë politike.
Edhe në Serbi, partitë opozitare janë në protestë prej më shumë se 2 muajsh. Ata kanë mbledhur mijëra qytetarë në rrugë dhe protestojnë kundër Aleksandër Vuçiç.
Ashtu si edhe në Shqipëri edhe opozita serbe kërkon ngritjen e një qeverie të përkoheshme dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Opozita proteston kundër korrupsionit që ka përfshirë qeveritë e Serbisë që pas vitit 2000.

‘Milo, hajdut, dorëhiqu!’ Natën e të shtunës mijëra njerëz dolën në protesta nëpër rrugët e Podgoricës, kryeqytetit të Malit të Zi. Kjo dita e tretë e protestave të organizatave të shoqërisë civile të cilat bëjnë thirrje për mobilizim kundër ‘diktaturës’ së Presidentit Milo Gjukanoviç. Në mes të janarit, biznesmeni Dushko Knezeviç tha se kishte financuar për vite Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila është në pushtet që nga viti 1991.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale tregohet se si ish-kryebashkiaku i Podgoricës merr një zarf me 97 mijë euro. Tani protestuesit mbajnë në dorë zarfe ku shkruhet shuma prej 97 mijë eurosh. Edhe në Mal të Zi është e njëjta problematikë si në Shqipëri. ‘Askund nuk mund të punësohesh nëse nuk je anëtar i partisë së Milos’, tregon Milena, një mësuese nga qyteti i Budvës.
Të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit janë të përfshira nga një papunësi dhe valë të mëdha emigrimit, sidomos të të rinjve.
Shumë protestues në Tiranë, Beograd dhe Podgoricë kanë mbajtur në duar parulla: ‘Unë nuk dua të emigroj’.
Ndërsa nga Bashkimi Europian i cili është kapur në befasi nga kjo valë e madhe protestash, nuk vjen asnjë përgjigje apo zgjidhje, veç se politika e drejtuesve të këtij bashkimi prej vitesh ka ruajtur ‘stabilitetin’, duke mbajtur mbi vete edhe kostot e mbështetjes së regjimeve jo demokratike që tani po sfidohen haptasi në rrugë e sheshe nga vetë qytetarët e vendeve të Ballkanit.

Përgatiti: SYRI.net

Shehi: Ndërkombëtarët po binden, me Ramën nuk ka dhe nuk do të ketë stabilitet

“Jemi në rrugën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët”, u shpreh sot ish-deputeti Dashamir Shehi, pas takimit të aleatëve me kreun e opozitës, Lulzim Bashën, në selinë blu, për vijimësinë e betejës për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme në vend.
“Ne gjykojmë se ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, klasik, që këtu para demokracisë vihet stabiliteti, – tha Shehi. – I mirëkuptojmë. Por gjykojmë se nga pozicioni i sotëm i demokratëve, ndryshe nga ai që ishte para tre muajve, ka një avancim shumë të madh. Kanë filluar ta kuptojnë edhe ata që sa të jetë zoti Rama do të ketë gjithnjë e më pak stabilitet, gjithnjë e më shumë drogë dhe krim të organizuar. Kështu që jemi edhe në rrugën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët për këtë punë.”
Por nëse z. Rama nuk tërhiqet për krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme, a ekziston një skenar nga ana e opozitës për tërheqjen e opozitës nga zgjedhjet lokale?
Shehi: Jo, nuk e kemi diskutuar këtë punë. Këto do të diskutohen gjithnjë pas datës 16, por të jeni të sigurtë që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë, në të gjitha institucionet, hapësirën politike, shoqërore, mediatike shqiptare.
Pra, nuk e përjashtoni edhe këtë skenar?
Shehi: E thashë, këtë do ta përcaktojmë pas datës 16 mars, pas demostratës tjetër të madhe që do të organizohet. Deri atëherë rrimë me shpresë se njerëz të logjikshëm do të reflektojnë mbi momentin e rrezikshëm që po kalon Shqipëria.

20-vjetori i Sigal Uniqua Group Austria, inaugurohet vepra “Mirënjohje-falenderime për të gjithë”

Avni PONARI

Por pse ky motiv?
Sepse sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë të themi FALEMINDERIT;
Sepse sot ne kemi nevojë të jemi MIRENJOHES dhe të jemi gjithë jetën të tillë;
Sepse sot ne duhet të kthejmë kokën pas e të kujtojmë fillimet tona dhe këtë ta bëjmë gjithmonë;
Sepse sot ne duhet të jemi edhe më humanë se kurrë më parë; Sepse të tillë duhet të jemi çdo ditë;
Sepse ky qytet ka nevojë për mirënjohje ka nevojë për falënderime ka nevojë çdo ditë e në çdo pjesë të tij.
Mirëkuptimi, respekti, mirënjohja dhe vlersimi i bërë ndaj gjithkujt në këtë jetë, tingëllon më bindës kur ai shndërrohet njëkohësisht edhe në një detyrim moral, për të vijuar udhën e nisur.
Sepse nëse jemi mirënjohës, jemi më të njerëzishëm, jemi më të arsyeshëm, jemi më bashkëkohorë, jemi qytetarë europianë.
Sot ne SIGAL kemi nevojë të falënderojmë, të shprehim mirënjohjen të gjithë atyre që kanë qëndruar përkrah që nga fillimi i rrugëtimit tonë, në një det të trazuar, plot dallgë që ka kërkuar kapiten dhe ekuipazh të zot dhe deri sot, ku themi me krenari që jemi një kompani me standarte europiane sepse kemi ditur të shkojmë në destinacion.
Por mbi të gjitha sot ne jemi një kompani e madhe në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, e cila i shërben me përkushtim klientëve, qytetarëve, komunitetit, u shërbejmë atyre me të cilët ne shkëmbehemi në rrugë, atyre që sapo dalim nga shtëpia dhe u themi mirëmëngjes, atyre me të cilët ndajmë qytetet, atyre me të cilët ndajmë vlerat dhe jetën tonë të përditshme.
Të jesh mirënjohës është një element njerëzor, një virtyt që padyshim shqiptarët e kanë patur gjithmonë dhe do e kenë edhe në të ardhmen.

Prandaj dhe këtë vepër e kemi titulluar MIRENJOHJE.
Çdo ditë ne punojmë, rritemi, ecim përpara, rritet biznesi, zgjerohen partnerët, stafi, miqësia, familja, shoqëria, rritet dhe zhvillohet edhe qyteti ku jetojmë dhe vjen një moment kur duhet të ndalemi, të reflektojmë dhe të jemi mirënjohës për çdo gjë që kemi arritur deri më tani dhe tu themi FALEMINDERIT të gjithë atyre që na rrethojnë dhe që kanë kontribuar në zhvillimin tonë të përbashkët.
Mirënjohja dhe falënderimi duhet jo vetëm të thuhen me fjalë por edhe të shprehen me vepra. Dhe këtë ne nuk e bëjmë vetëm sot, por e kemi bërë që nga fillimi i aktivitetit tonë. Dhe nuk e kemi bërë vetëm me fjalë, por mbi të gjitha kemi folur me vepra, duke mbajtur fjalën e dhënë dhe besimin te çdo punonjës i SIGAL, tek çdo klient i ynë, duke mbajtur premtimin dhe duke u përpjekur çdo ditë për të bërë një shërbim më të mirë, më cilësor. Në 20 vite ne kemi paguar mbi 300 milionë euro dëme, duke qenë kontribues të heshtur por fjalë-mbajtës e për këtë jemi mirënjohës e u themi të gjithëve faleminderit.
SIGAL që nga krijimi i tij, që prej 1999, ka kontribuar në art, kulturë, trashëgimi kombëtare, në të gjitha disiplinat e sportit, në promovimin e Shqipërisë, në zhvillimin social dhe ekonomik jo vetëm të Tiranës, por pothuaj në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ne kemi realizuar vepra të cilat u shërbejnë qytetarëve, ne kemi ngritur peshë zemrat e mijëra qytetarëve shqiptarë në veprimtaritë e mbështetura nga ne, brenda e jashtë kontinentit sepse ne kemi qenë gjithmonë pranë të gjithëve nga pak, por gjithmonë mirënjohës ndaj secilit…
Sepse ne besojmë që një biznes të ketë sukses duhet që të kemi edhe një shoqëri të sukseshme, dhe një qytet të sukseshëm dhe një vend në progres ekonomik.

Ne, dhjetë vjet më parë u bëmë pjesë e Europës, pjesë e një kompanie Austriake dhe prej 10 vitesh ne punojmë me standarte Europiane.
Ne nisëm një rrugëtim me pak veta, por rreth nesh na u bashkuan shumë veta mbi 1500 punonjës e mbi 1 milion klientë. Prandaj dhe sot është momenti që të ndalemi, të kthejmë kokën pas dhe të kujtojmë të gjithë ata që ishin me ne që nga fillimi por edhe ata që na u bashkuan rrugës, sepse secili prej tyre ka dhënë një kontribut të veçantë dhe të paçmueshëm për SIGAL-in në radhë të parë por edhe për zhvillimin dhe progresin individual të tyrin por edhe dhe të të gjithë shoqërisë shqiptare.
Sot unë ju them me zemër FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE të gjithë atyre që na besuan e do na besojnë, ata janë busulla jonë e orientimit.
Ndaj kjo vepër në qendër të Tiranës po ngrihet sot për të gjithë rrugëtimin 20-vjeçar e për qindra vite të tjera në rrugëtimin tonë të gjatë.
Sot u them FALEMINDERIT stafit të shkëlqyer të SIGAL që u shërben klientëve me përkushtim dhe profesionalizëm, bordit drejtues dhe bashkëpunëtorëve të cilët besuan tek ne 20 vjet më parë themelimin e kësaj kompanie, Fondit Amerikan që pati besimin e ju bashkua që nga viti 2003 kësaj kompanie, UNIQA Group Austria, kompania 120 vjeçare që është tashmë prezente në rrugëtimin e gjatë për të kapur destinacione të reja.
FALEMINDERIT dhe MIRËNJOHJE çdokujt që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe pjesë e jetës tonë të përditshme.
Edhe njëherë Faleminderit dhe Mirënjohje të gjithëve.

CEO
SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA
SHQIPERI-KOSOVE-MAQEDONI

Pritshmëritë për takimin Trump-Kim

Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se është optimist për takimin e nivelit të lartë që do të mbajë me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un, lidhur me përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund kërcënimit të arsenalit të armëve bërthamore të Phenianit. Zoti Trump shkruante në Twitter se të dyja palët presin të vazhdojë përparimi i shënuar në takimin e parë në Singapor.
Në një intervistë për CNN-in, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se “nuk ka ndryshim” në sanksionet ekonomike ndaj Koresë së Veriut, derisa të bjerë dakord për “çnuklearizim të plotë dhe të verifikuar”.
Vetë Kim Jong Un po shkon në Vietnam me tren për takimin e dytë të nivelit të lartë me Presidentin amerikan Donald Trump.
Treni me të cilin ai po udhëton u pa të shtunën në mbrëmje të kalonte përmes Kinës dhe media tha se kishte vazhduar për në jug, duke i dhënë fund spekullimeve se ai mund të ndalonte në Pekin para se të shkonte në Hanoi.
Arritja më e madhe e takimit të parë mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong Un ishte ndoshta fakti që pati një takim të tillë. Por kur dy udhëheqësit të takohen përsëri javën e ardhshme, këtë radhë pritet më shumë. Korrespodenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo na njeh me pritshmëritë që ka zgjuar takimi i ardhshëm Trump-Kim në Vjetnam:
Vitin e kaluar, Presidenti Trump dhe udhëheqësi Kim ranë dakord në Singapor të punojnë drejt “çmilitarizimit të plotë bërthamor të Gadishullit Korean”.
Tani prej tyre pritet që në Vjetnam të sqarojnë se çfarë përfshin ky synim dhe si do të realizohet.
“Mendoj se të dyja palët janë nën presion për të arritur një përfundim konkret, ndryshe nga takimi i parë. Përndryshe ky takim do të shikohet si i dështuar dhe do të duhet të fillojmë përsëri nga e para,” thotë analisti Robert Manning.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Koreja e Veriut të ndërmarrë një hap konkret drejt çarmatosjes bërthamore, për shembull duke shkatërruar një objekt të rëndësishëm bërthamor… ose duke paraqitur një listë të stoqeve bërthamore dhe inventarit të raketave.
Koreja e Veriut kërkon nga Uashingtoni heqjen e sanksioneve, ose përfundimin në formë zyrtare të Luftës së Koresë.
Por rezultati më pozitiv do të ishte një marrëveshje për t’ia kaluar procesin shkencëtarëve dhe teknokratëve qeveritarë.
“Dy udhëheqësit nuk mund të zgjidhin vetë çdo gjë. Nuk mendoj se kanë përgatitjen e plotë e të duhur që nevojitet për të zgjidhur tema të tilla komplekse. Procesi duhet të vazhdohet nga shkencëtarë dhe ekspertë teknikë,” thotë analisti James McKeon.
Ka shenja se takimi i Vjetnamit do të jetë më produktiv se ai i Singaporit. Në përgatitje për këtë takim zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar më shumë bisedime në grupe pune me homologët koreano-veriorë.
Ndërkaq në Vjetnam dy palët do të zhvillojnë dy ditë takime, në vend të një dite të vetme, në mënyrë që të arrijnë përparim konkret për një marrëveshje bërthamore.

Kim Jong Un niset me tren të blinduar për t‘u takuar me Trumpin

Një fluturim nga Koreja e Veriut në Vietnam zgjat pesë orë, por kreu i shtetit koreanoverior, Kim Jong Un ka zgjedhur variantin më të gjatë. Ai e nisi që të shtunën udhëtimin me tren të blinduar për në Vietnam, ku do të zhvillohet samiti i dytë me presidentin amerikan, Donald Trump. Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA publikoi pamje të nisjes së trenit me pushtetmbajtësin Kim. Në këtë udhëtim, Kim Jong Un shoqërohet nga anëtarë të lartë të byrosë politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komunistë, njofton agjencia koreane. Udhëtimi nga Pheniani deri në Hanoi me tren është 4500 kilometra. Pas mbërritjes në Dong Dang në Vietnam, pjesën e mbetur prej 170 kilometrash Kim do ta kryejë me automjet. Kjo autostradë, zakonisht mjaft e frekuentuar pritet të bllokohet plotësisht për trafikun të martën nga ora 06.00-14:00, ora lokale, njoftojnë mediat shtetërore vietnameze. Edhe masat e sigurisë në Hanoi janë forcuar, njoftojnë reporterë të AFP-së.
Në gjurmët e babait
Pushtetmbajtësi Kim Jong Un edhe udhëtimin e parë zyrtar jashtë vendit në mars të vitit të kaluar në Kinë e kreu me tren. Një tren i blinduar, të cilin e ka përdorur edhe babai i tij, Kin Jon Il në dhjetor 2011 në udhëtimet e tij në Kinë dhe Rusi. Para samitit, Kim Jong Un pritet të bëjë një vizitë zyrtare në Vietnam. Siç ka bërë të ditur Ministria e Jashtme në Hanoi, Kim në „ditët e ardhshme” pritet në Vietnam, por nuk u dha asnjë njoftim më i saktë.
Të mërkurën dhe të enjten, në qendër të takimit me presidentin amerikan, Donald Trump janë çarmatimi atomik i Koresë së Veriut dhe shpërblimet që do të ofrojë Uashingtoni. Në samitin e parë në Singapor në qershor, Kim kishte ofruar parimisht gatishmërinë për „çarmatimin e plotë nuklear”, por nuk u bënë marrëveshje konkrete se si do të kryhet shkatërrimi i arsenalit atomike Presidenti amerikan ndodhet nën presion kohor, pasi ai duhet t’i paraqesë kongresit rezultate konkrete.

Pompeo: “Ka ardhur koha të ndërhyjmë në Venezuelë”

Kaos dhe viktima në Venezuelë në përpjekjen për të futur ndihmat humanitare në vend. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo thekson, se ka ardhur koha “për të ndihmuar popullin e dëshpëruar venezuelan”.
Synimi për të futur në vend ndihmat humanitare ka shkaktuar kaos dhe viktima në Venezuelë. Dy vetë humbën jetën, 300 të tjerë u plagosën. Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe plumba gome në disa qytete kufitare. Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo shkroi në twitter se “ka ardhur koha për të vepruar” dhe “për të ndihmuar “popullin e dëshpëruar venezuelan”. Ai bëri të ditur “masa” të Uashingtonit për mbështetjen e demokracisë në Venezuela.
Pas njoftimit për humbjen e jetës së dy civilëve, edhe këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton shkroi në twitter se autorët do të dalin para drejtësisë. „Ushtria është për të mbrojtur civilët e jo për të qëlluar mbi ta.” Të premten qeveria amerikane paralajmëroi, presidentin Maduro, nga përdorimi i dhunës. „Bota po shikon”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë të publikuar të premten.
Ndihmat e para nga Brazili hynë në vend
Sipas presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido hyri ndërkohë në Venezuelë furnizimi i parë me ndihma humanitare nga jashtë të shtunën. „Ky është sukses i madh, Venezuela”, shkroi Guaido, në twitter dhe i njohur ndërkohë si president nga më shumë se 50 shtete. Shumica e ndihmave humanitare qëndrojnë në kufi me Kolumbinë, në qytetin Cucuta. Aty ndodhen edhe rreth 600 tonë ushqime dhe ilaçe nga SHBA. Mijëra vullnetarë dhe përkrahës të presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido kanë shkuar të marrin ndihmat humanitare. Presidenti Maduro ndërkohë ndërpreu të gjitha lidhjet me Kolumbinë. Për shkak se presidenti Maduro ka mbyllur kufirin me Kolumbinë dhe Brazilin, vëzhguesit i tremben një gjakderdhjeje të madhe, nëse ushtarët do të përpiqen të ndalin njerëzit me dhunë.
Në Urena, zonë kufitare me Kolumbinë të shtunën,ka pasur trazira. Ushtria venezuelane ka përdorur ndërkohë gazin lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë një demonstratë në kufi.. „Ne duam të punojmë” dëgjoheshin thirrjet e masës së mbledhur përballë gardës kombëtare. Dy civilë ndërruan jetë, sipas një deputeti venezuelan, kur në San Francisco de Yuruani donin të sillnin ndihmat brenda kufirit, dhe aty u qëlluan nga ushtarët. Dëshmitarët njoftojnë, se kanë parë tanke nga ana venezuelane që kanë shkatërruar barrierat e vëna, me të cilat bllokohet ura Simon Bolivar, që lidh Venezuelën me Kolumbinë.

Lëvizje nga Vatikani në Shqipëri: Nxitje për përforcimin e demokracisë

Imzot Frendo: vizita e kard. Parolin në Tiranë mbështetje për Kishën dhe demokracinë në vend
Mbi vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin në Tiranë, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet presidenti i Konferencës Episkopale të Shqipërisë, imzot George Frendo, i cili mes tjerash nënvizoi se vizita e kard. Parolin në Tiranë është një mbështetje për misionin e Kishës dhe një nxitje për përforcimin e demokracisë në vend.
R.SH. – Vatikan
Të hënën më 25 shkurt, Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin viziton Tiranën. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Shqipërisë, kardinali Parolin do të bekojë gur themelin e spitalin ‘Zoja Këshillit Mirë’, në Tiranë, të cilin e drejtojnë Etërit Koncepsionistë, të Zojës së Papërlyer, së bashku me Universiteti Katolik Zoja e Këshillit të Mirë në Tiranë.
Kujtojmë se Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” (UNIZKM) është themeluar në vitin 2004 dhe përbën një nga nismat e para të arsimit privat në Shqipëri. Natyra non profit e Entit Themelues përbën një risi në panoramën universitare shqiptare.
Gjithnjë gjatë vizitës në Tiranë, Kardinali Parolin do të takohet me ipeshkvijtë e Konferencës Episkopale Katolike të Shqipërisë, pastaj do të ketë takime edhe me personalitetet elarta të vendit, me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë një konference, organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Romë, më 12 shtator 2014, në pragun e vizitës së Papës Françesku në Tiranë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin mes tjerash pati theksuar se “Kisha në Shqipëri ka ndihmuar me bujari për bashkimin kombëtar duke kaluar përmes martirizimit dhe vuajtjeve”.
“Në të të njëjtën kohë, – vijoi Kardinali Parolin duke referuar Kishës katolike, – ajo ka gjetur hapësira të plota dhe gatishmërinë në dialog dhe bashkëpunim për të mirën e shoqërisë dhe të vendit, nga ana e tre komunitete tjera tradicionale të besimit: ortodoksët, myslimanët dhe bektashinjtë”.
“Do të ishte e vështirë të kuptohet lindja e Shtetit modern shqiptar pa vullnetin e besimtarëve të besimeve të ndryshme për të jetuar në paqe dhe për të bashkëpunuar për të mirën e përbashkët, me të drejta të barabarta shoqërore, politike dhe fetare”- pohoi Kardinal Parolin.
Mbi situatën kritike në Shqiperi dhe vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit , kardinalin Pietro Parolin, në hënën më 25 shkurt në Tiranë, në mikrofonin e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit flet presidenti i Konferencës Episkopale të Shqipërisë, kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësi, imzot George Frendo, i cili, mes tjerash, nënvizoi se vizita e kard. Parolin në Tiranë është një mbështetje për misionin e Kishës dhe një nxitje për përforcimin e demokracisë në vend, po ta dëgjojmë imzot Frendon…

“Radio Vatikani”

Breitbart: “Donald” është muza frymëzuese për Piktorin Shqiptar pro Trump

Tiranë (AFP) – Duke përdorur një armë të bërë me dollarë, duke u përballur me Barack Obamën, duke sfiduar George Soros në një betejë të krahut, – Donald Trump është heroi i një shfaqjeje arti në Tiranë nga një piktor shqiptar që e konsideron presidentin amerikan një “idhull”.
Artisti 61-vjeçar, Avni Delvina, thotë se puna është përgjigjja e tij ndaj reagimit gjerësisht negativ të mediave ndërkombëtare ndaj qasjes joortodokse të Presidentit Republikan në politikë.
“Është produkt i dy viteve të punës sime i pasojë e zemërimit tim të fortë ndaj sulmeve të padrejta ndaj Trump”, tha Delvina për AFP, duke e përshkruar yllin e mëparshëm të real-TV dhe manjatin e pasurive të paluajtshme si një “shpirt të lirë”.
Ekspozita e artit në Tiranë, me titull “The Donald”, tregon rreth 50 piktura të frymëzuara nga Trump, duke përfshirë një me Zonjën e Parë Melania që pozon e ulur si Mona Lisa.
Kur u pyet për të shpjeguar adulimin e tij të Trump, Delvina citon një kuotë të George Orwell: “Në kohën e mashtrimit universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar”.
Megjithëse presidenti amerikan akuzohet vazhdimisht sikur ai hedh poshtë faktet, artisti e sheh atë si një luftëtar trim në një luftë kundër “fake news”-eve – një etiketë që Trump pëlqen të përdorë kundër mediave kritike.
Ekziston një ndjenjë e fortë pro-SHBA në pjesën më të madhe të Shqipërisë, ku flamujt amerikanë janë një pamje e zakonshme në rrugët e Shqipërisë.
Pas fitores elektorale të Trump në 2016, një qytet në Shqipërinë qendrore riemëroi një bulevard në nder të tij.