Banorët e Unazës së Re kanë rrethuar Drejtorinë e Policisë së Tiranë, ndërkohë që forca të shumta policie me pajisjet më të fundit janë vendosur përballë tyre në një kordon sigurie.
Banorët kanë lëshuar thirrje “Lironi çunat” ndërkohë që në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe ish-deputetë të opozitës. Gjendja është shumë e tensionuar përballë Policisë së Tiranës.
Protesta vazhdon ende tek Drejtoria e Policisë së Tiranës ku mbahen të ndaluar 7 të rinj protestues midis tyre edhe Dorian Protoduari, të cilin policia e arrestoi sapo kishte zbritur nga autobuzi pranë banesës së tij pak minuta pas përfundimit të protestës së opozitës.
Ata kanë bërë thirrje për lirimin e tyre duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj se po pengojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar duke arrestuar qytetarë të pafajshëm.
Ata paralajmëruan edhe kryebashkiakun Veliaj se nuk do ta lejojnë që ti shembë banesat e tyre, duke thënë se do ti mbrojnë me gjak.
“Mos këni frikë nga oligarkët, shumë shpejt sistemi i tyre do të bjerë”, u shpreh njëri nga protestuesit.
Lidhur me arrestimin e Protoduarit ka folur edhe babi i tij duke bërë thirrje për lirimin e djalit të tij, duke argumentuar se është një vendim i padrejtë.
E ëma e Dorianit deklaroi se djali i saj është i pafajshëm duke thënë se nuk ka asnjë provë për përfshirjen e tij në akte të dhunshme.
Klevis Balliu deklaroi se të gjithë ata djem që janë arrestuar janë heronj, dhe sipas tij shumë shpçejt do të dalin për tju bashkuar protestës për të mbrojtur banesat e tyre.
“Protestë do të ketë dhe do të përshkallëzohet, ka mbaruar koha që të helmohen qytetarët, është koha të helmohet Rama”, tha ish-deputeti i PD.
Banorët e Unazës së Re rrethojnë Drejtorinë e Policisë së Tiranës: “Lironi çunat”!
20 forca të RENEA-s rrëmbejnë dhe arrestojnë organizatorin e protestës te Unaza e Re
20 forca speciale ma maska arrestuan Dorian Protoduarin, një nga organizatorët më në zë të protestës te Unaza e Re. Ai u arrestua nga forcat RENEA menjëherë sapo zbriti nga autobuzi në afërsi të shtëpisë së tij pasi përfundoi protesta e mbajtur nga opozita përballë Parlamentit.
Protoduari është arrestuar nga policë të maskuar të cilët e kanë futur në furgon me forcë siç shihet edhe nga pamjet.
Kujtojmë që më herët policia ka shoqëruar edhe gjashtë protestues të tjerë të cilët morën pjesë në protestën e opozitës. Protoduari ka qenë një nga protestuesit më aktivë në protestën e Unazës së Re të cilët kanë rreth 4 muaj që protestojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre që parashikohen të shemben pasi preken nga ndërtimi i Unazës së Re.
Protoduari u shoqërua në Polici nën masa të forta sigurie për disatën herë.
Familjarë të Protoduarit thanë se ai po mbahet në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Aty në këtë moment ndodhen edhe ish-deputetë të Partisë Demokratike të cilët kërkojnë lirimin e tij si edhe familjarë.
Vjen mbështetja nga Europa për protestat në Shqipëri: Asnjë kompromis me demokracinë
Europa po lëviz nga ideja fikse e vendosur shumë vite më parë sipas të cilës më e rëndësishme është stabiliteti se demokracia në vendet ballkanike. Protestat duket se kanë ndërgjegjësuar mbarë botën dhe Europën për kauzën e drejtë të protestave që po zhvillohen në Shqipëri.
Sot, ka ardhur mesazhi i parë i fortë publik i mbështetjes së protestave nga PPE që është grupimi më i madh politik në Bashkimin Europian.
Përmes një reagimi të shkurtër në rrjetet sociale, Kryetari i PD, Basha ka cituar mbështetjen e Presidentit të PPE për protestat në Shqipëri
“Presidenti i PPE Joseph Daul në emër të të gjithëve deklaroi qartë se “ne nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias. “PD po lufton për të njëjtat vlera europiane në Shqipëri dhe në këtë betejë kemi mbeshtetjen e PPE, familjes sonë politike”, është shprehur më pas Basha.
Kjo është një deklaratë mjaft e fortë dhe konfirmon ndryshimin e pozicionit të deritanishëm të Europës, se primare nuk mund të jetë më stabiliteti, por demokracia, dhe kjo nuk mund të kalohet tanimë lehtë nga Rama.
Në përfundim të protestës së opozitës, Basha deklaroi se “beteja që ka nisur është pa kthim. Historia na tregon se kjo betejë do të përfundojë me shporrjen e qeverisë së krimit dhe triumfin e vlerave europiane. E ardhmja e shqiptarëve është Europa!”
Trump: Po hetojnë suksesin elektoral më të madh në historinë e SHBA, ta publikojnë!
Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se raporti përfundimtar i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për bashkëpunimin e mundshëm të fushatës së tij me Rusinë në zgjedhjet 2016, duhet të bëhet publik.
Por presidenti Trump përsëri vuri në pikëpyeti bazat për hetimin pothuajse dy vjeçar, i cili gjithashtu po shqyrton nëse vetë presidenti pengoi penalisht hetimin.
Me pritshmëritë se prokurori Mueller do të përfundojë punën e tij brenda disa javësh, pasi ka akuzuar tashmë gjashtë bashkëpunëtorë të zotit Trump dhe mbi dy 12 rusë, presidenti Trump tha se raporti sekret që do t’i dorëzohet Prokurorit të Përgjithshëm Bill Barr duhet të bëhet i ditur për publikun.
“Nëse doni që publiku ta shoh raportin, le ta shohin,” u tha presidenti Trump gazetarëve. Presidenti Trump vuri në pikëpyetje se si prokurori Mueller – një njeri ” i cili kurrë nuk ka marr asnjë votë” – mund ta hetojë atë, duke pasur parasysh fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016.
“Jam duke thënë me vete, prit një minutë, kam fituar një nga zgjedhjet më të rëndësishme të të gjitha kohërave në historinë e këtij vendi … dhe personi që shkruan raportin nuk mori asnjëherë ndonjë votë” tha presidenti Trump duke iu referuar prokurorit Mueller.
‘Raporti konfidencial’
Megjithatë, kjo mund të jetë e vështirë. Sipas rregullave Mueller, ish-drejtor i FBI-së, i emëruar në maj të vitit 2017 si prokuror i posaçëm, duhet ti paraqesë Prokurorit të Përgjithshëm Bill Barr “një raport konfidencial që shpjegon vendimin për ndjekje penale apo shmangien e tij”.
Ky raport, thonë ekspertët, ka gjasa të publikohet në vija të përgjithshme – pasi mund të ketë të dhëna konfidenciale për njerëzit që nuk janë akuzuar, si dhe informacione sekrete të burimeve.
Por Prokurori i Përgjithshëm Barr është gjithashtu i detyruar t’i dorëzojë Kongresit përmbledhjen e vet të hetimit, një raport që mund të bëhet publik.Barr, i cili ishte kritik i zotit Mueller para se presidenti Trump e caktoi atë në postin e Prokurorit të Përgjithshëm në shkurt, nuk do ti duhej të ishte aq i detajuar sa prokurori Mueller.
Sipas ekspertëve ligjorë, ai mund të shmang informacionin që mund të dëmtojë individë të tillë si presidenti Trump.
Nga ana tjetër, nëse Mueller gjen sjellje kriminale nga ana e presidentit Trump dhe beson se provat janë mjaft të forta për të mbështetur një mocion për të filluar procesin për shkarkimin e presidentit nga Kongresi, ai mundet, me lejen e prokurorit Barr, të shkruajë një raport të veçantë në atë rast.
Një pyetje e rëndësishme që do të shtrohej në një rast të tillë është nëse yoti Barr do ta lejonte një gjë të tillë dhe do të urdhëronte që raporti të bëhej publik.
‘Gjueti shtrigash’
Presidenti Trump e ka quajtur në mënyrë të përsëritur hetimin e prokurorit Mueller një “gjueti të paligjshme shtrigash” gjatë dy viteve të fundit dhe e ka etiketuar ekipin e tij të hetuesve politikisht të njëanshëm.
Ndërsa prokurori Mueller ka lënë pak të kuptohet për mënyrën se si ai e sheh presidentin Trump dhe familjen e tij, si objektiva të mundshëm të hetimit, presidenti dhe Shtëpia e Bardhë kanë shtuar fushatën e tyre politike për të minuar legjitimitetin e hetimit.
“Asnjë bashkëpunim, nuk ka patur asnjë bashkëpunim”, deklaroi presidenti Trump të mërkurën.
“Ishte fitorja më të madhe elektorale në historinë e vendit tonë, një nga më të mëdhatë,” tha ai. “Ishte një sukses i madh, dhjetëra miliona votues .Tani dikush do të shkruajë një raport, dhe ai kurrë nuk mori asnjë votë. “Do të shohim se çfarë thotë raporti. Le të shohim nëse është e drejtë.”
Basha: Të lirohen qytetarët e arrestuar, protestojnë kundër Maduros së Ballkanit
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili mungoi në protestën e gjashtë të opozitës për shkak se ndodhej në Bruksel, duket se e ndjek në distancë situatën.
Përmes një statusi në “Facebook”, Basha thekson se qytetarët janë ngritur në protestë kundër Maduros së Ballkanit.
Basha shprehet se sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar.
“Drejt Drejtorisë së Policisë për të liruar qytetarët që janë ngritur kundër Maduros së Ballkanit! Sovrani në Republikën e Shqipërisë është populli shqiptar. #shqiperiasieuropa”, shkruan Basha.
Ukraina drejt zgjedhjeve, skandaleve, populizmave dhe ekstremizmave
Saktësisht 5 vite nga referendumi që ka çuar në aneksimin rust ë Krimesë, Ukraina përgatitet për zgjedhjet presidenciale të 31 marsit në një klimë tensioni. Asgjë nuk ka ndryshuar nga koha e Euromaidanit: problemet kryesore të vendit mbeten korrupsioni dhe mosbesimi pasues në klasën politike.
Pakënaqësia është shprehur të shtunën 16 mars në formën e manifestimeve të grupeve të së djathtës ekstreme. Qysh javën e kaluar protestat në Kiev dhe në qytetin e vogël Cherkasy kanë degjeneruar në dhunë dhe rreth 20 policë kanë mbetur të plagosur. Në të dyja rastet, ekstremistët po manifestonin për të kërkuar arrestimin e disa figurave të implikuara në një rast korrupsioni në botën ushtarake.
Në fakt, më 25 shkurti një raport i grupit investigativ “Nashi Groshi” (“Paratë tona”) ka botuar pjesën e parë të një raporti, në të cilin akuzohej për kontrabandë armësh nga Rusia Ihor Hladkovskyy, djali i Oleh Hladkovskyy, Zëvendëssekretar i Këshillit Kombëtar për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Petro Poroshenko. Kurse pjesa finale e raportit ka treguar në fakt sesi nëpunës të shumë shtetërorë, nga shërbimet e sigurisë tek agjencia shtetërore antikorrupsion, kanë ndihmuar që të mbulohet çdo provë e kontrabandës. Presidenti ka reaguar duke e shkarkuar Hladkovskyy baba, por një skandal i tillë pak ditë përpara votimeve mund t’i kushtojë shtrenjt.
Në fakt, rivalët e tij nuk kanë ngurruar që ta shfrytëzojnë situatën: Yulia Tymoshenko ka kërkuar menjëherë shkarkimin e Poroshenkos, ndërsa Volodimyr Zelensky, humoristi i shndërruar në politikan, ka kritikuar ashpër Presidentin në një video të postuar në Facebook. Një video që të kujton atë që e ka çuar mësuesin Vasiliy Holoborodko, personazhin e interpretuar nga Zelensky në serialin “Shërbëtori i kombit”, të bëhet një senascion viral më parë dhe President të vendit më pas.
Dhe shanset që historia e Zelensky të mund të ketë të njëjtin përfundim – zgjedhjen si President – nuk janë edhe aq të pakta. Sipas sondazheve të fundit, duket se është në vendin e parë në garën presidenciale, me 23.1% të preferencave. Prapa tij, Tymoshenko (14%) është lehtësisht në avantazh ndaj Poroshenko (12.4%). ¼ e votuesve është ende e pavendosur, por duket e vështirë që njëri nga kandidatët e tjerë, si prorusi Yuriy Boyko (12%) apo ish Ministri i Mbrojtjes Anatoliy Hrytsenko (7,4%) të arrijë të fitojë konsensusin e nevojshëm për arritjen e raundit të dytë.
Kalimi në këtë raund është tashmë shumë probabël për Zelensky, sidomos prej reputacionit të tij si outsider: i lodhur nga korrupsioni dhe paaftësia, populli ukrainas po kërkon me zë të lartë një fytyrë të re dhe sidomos të papërlyer në pushtet. Poroshenko dhe Tymoshenko janë prej shumë vitesh në skenën politike, janë përfshirë në skandale të shumta dhe kanë treguesi jopopullariteti shumë të larta, respektivisht 60.8% dhe 50,1%. Ukraina mund ta kalërojë valën populiste që ka përshkuar shumë vende europiane dhe të zgjedhë një President pa përvojë politike.
Megjithatë, Zelensky nuk duket se është krejtësisht i huaj ndaj kësaj bote raportesh midis oligarkëve dhe pushtetit politik që ka karakterizuar Ukrainën qysh nga pavarësia e saj më 1991. 1+1, kanali televiziv që transmeton “Shërbëtorin e kombit”, është në pronësi të Ihor Kolomoiskiy, njeriu i tretë më i pasur i Ukrainës dhe ish Guvernator i Dnipropetrovsk, aktualisht i hetuar për përvetësim të paligjshëm. Të dy janë mbrojtur duke theksuar se bëhet fjalë për një raport biznesi dhe jo politik.
Avantazhi të cilin gëzon Zelenskiy në nivel shikueshmërie falë karrierës së tij televizive është i pamohueshëm: pas muajve skeçe ku luante mbi mundësinë e një candidature të tij, humoristi e ka shpallur zyrtarisht në televizor Ditën e Vitit të Ri. Veç kësaj, sezoni i ri i “Shërbëtorit të kombit” do të transmetohet së shpejti, tamam në kohë për raundin e parë të zgjedhjeve. I gjithë vendi do të mund ta shikojë Zelensky në rolin – edhe pse jo real – të Presidentit, pak përpara votimeve. E pamundur të imagjinohet një fushatë elektorale më e mirë.
Zelensky ka ditur të grumbullojë consensus edhe në mediat sociale: mund të mbështetet tek mbi 2.8 milion ndjekësit në Instagram. Një platformë mbi 10 herë më e madhe se ajo e Poroshenko dhe Tymoshenko, që i mundëson ta rrisë popullaritetin e tij sidomos midis 30 vjeçarëve. Si populist i aftë, përdor strategji komunikimi pak institucionalë: selfie, video të bëra me celular, video të stërvitjeve në palestër.
Zgjedhjet nuk do të mbahen në një klimë kushedi se çfarë të qetë. Rreth 12% e popullsisë me pashaportë ukrainase jeton në Krime, tashmë e aneksuar nga Rusia, dhe oblastet e Donetsk e Luhansk, të kontrolluar nga separatistët, që nuk do të mund të votojnë. Lufta në Donbass zgjat tashmë prej 5 vjetësh dhe asnjë prej palëve nuk është treguar në gjendje që të respektojë armëpushimin.
Veç kësaj, e djathta ekstreme vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Ukrainë. Batalioni “Azov” – një formacion oaraushtarak me frymëzim neonazist i krijuar më 2014 me qëllimin që të kundërshtojë separatizmin në lindje të vendit dhe i akuzuar për tortura dhe krime lufte – ka marrë autorizimin që të monitorojë zgjedhjet. Ihor Vdovin, zëdhënësi i tij, ka premtuar se do të reahojë me dhunë “në emër të drejtësisë” në rast shkelje të rregullave në votime.
Batalioni qëndronte prapa protestave kundër qeverisë. Zemërimi i “Azovit” kundër korrupsionit mund të jetë pjesë e një strategjie për të fituar simpatinë e publikut ukrainas, duke parë popullaritetin shumë trë pakët që gëzojnë sipas sondazheve elektorale. Por mund t’i detyrohet faktit që grupi është i lidhur me Ministrin e Brendshëm Arsen Avakov, që i është bashkuar korit të kritikave ndaj Poroshenko, duke e akuzuar për blerje votash.
Një prej gabimeve më të mëdha të politikanëve ukrainas në epokën e pasMaidanit ka qenë pikërisht lënia fushë e lirë këtyre formacioneve paraushtarake neonaziste, duke ju mundësuar atyre që të patrullojnë rrugët dhe duke mbyllur një sy përballë dhunave të kryera prej tyre. Pavarësisht se ankesavt e “Azovit” për korrupsionin e sistemit politik ukrainas janë legjitime, është e pamohueshme se prania e grupeve neonaziste dhe konsensusi i heshtur i autoriteteve kontribuon që të kompromentohet sistemi tashmë shumë i brishtë demokratik në Ukrainë.
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Sondazhi: Roli global i Gjermanisë është në rritje
Në një kohë që evropianët e shohin Gjermaninë me rol në rritje, fuqia franceze dhe britanike shihen “në rënie”, sipas një studimi të ri. Shumë janë të shqetësuar për perspektivat afatgjata.
Në një studim të publikuar të martën në mbrëmje nga Pew Research Center, gati gjysma e të anketuarve në 10 shtete anëtare të BE thanë se Gjermania luan një rol më të rëndësishëm në botë, në krahasim me atë që ka luajtur një dekadë më parë. “Në Evropë ekziston një kuptim i caktuar, se në një kohë që fuqia e Gjermanisë është në rritje, fuqia e Francës dhe e Britanisë janë në stanjacion ose në rënie”, bëri të ditur qendra.
Vështrimi në Evropë
Ideja që Gjermania luan një rol më të rëndësishëm sot është më e theksuar në Greqi, ku 81 përqind e të anketuarve e mbështesin këtë. Në Itali dhe në Spanjë, rreth 56 përqind ndajnë të njëjtin mendim. Megjithatë, vetëm 37 përqind e të anketuarve në Britani e kanë këtë pikëpamje, niveli më i ulët. Mesatarja në 10 shtetet anëtare ishte 47 përqind.
BE merr nota të përziera
Për shumicën dërmuese të qytetarëve të BE në 10 shtetet anëtare, BE nxit paqen, vlerat demokratike dhe përparimin. Të anketuarit në Poloni dhe në Spanjë dhanë vlerësimet më të larta për BE, ndërsa personat e pyetur në Greqi dhe në Mbretërinë e Bashkuar kishin mendimin më të ulët për BE. Kjo megjithatë nuk do të thotë se nuk ka probleme me BE. Një mesatare prej 62 përqind e të pyeturve tha se BE ka humbur kontaktin me qytetarët e tij. Një shumicë e mbronte këtë pikëpamje në tetë nga dhjetë shtetet. Vetëm në Gjermani (49 përqind) dhe në Poloni (42 përqind) situata dukej e ndryshme, pra mbështetja për Bashkimin Evropian është më e theksuar.
Përse Brexit është kthyer në komedi
Brexiti kalon në kohën shtesë dhe askush nuk di më shumë nëse, si dhe kur do të vijë ai. Theresa May i imponoi vendit të saj një udhëtim me zigzake, në fund të të cilit sheh vetëm përzierje stomaku e mungesë orientimi.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte e krahasoi Theresa Mayn me një kalorës të zi në një skeç të Monty Python. Kundërshtari i dërmon atij njëra pas tjetrës krahët dhe këmbët dhe në fund thërret: “Le ta quajmë pat”. Kryeministrja britanike ka kohë që është goditur në mënyrë të ngjashme asgjësuese, por vazhdon të vringëllijë shpatën. Brexiti ka kohë që është komedi, vetëm më pak zbavitëse.
Kryetari i Dhomës së Poshtme ndërhyn
Ishte si një goditje rrufeje, kur Kryetari i Dhomës së Poshtme hodhi një vështrim të thellë në histori dhe tha se është e palejueshme, që të votosh pa pushim për të njëjtin projekt. Me këtë ai i vuri kryq me pak fjali strategjisë së Theresa May-t. John Bercow i dha fund hë për hë kësaj loje të keqe. Pas ndërhyrjes, May ra në heshtje. Zëdhënësi i saj deklaroi vetëm që ajo do t’i kërkojë zgjatje BE. Diçka midis tre dhe nëntë muajve.
Në këtë situatë është krijuar një aleancë e çuditshme midis brexitasve dhe miqve të Evropës. Të dytët sepse shpresojnë që do të ketë një referendum të dytë dhe se mund të shpëtohet nga disfata.
Për konservatorët e vijës së ashpër tani ofrohen dy shanse: sa më e gjatë të jetë koha shtesë për Brexitin, aq më shpejt shpresojnë ta heqin qafe May-n nga posti ata. Zhgënjimi për paaftësinë e saj i ka mbërthyer si në ethe konservatorët e çdo ngjyre.
Dhe veç kësaj, ata gëzohen që në kohën shtesë ata do të kishin shumë më tepër mundësi, që si anëtarë të BE nga brenda të bëjnë shantazh në çdo qoshe ndaj Brukselit. Mund të paraqesin pa pushim një veto, ta bllokonin makinerinë dhe të merrnin në këtë mënyrë atë që duan nga BE. Këto nuk janë plane sekrete, për të Torie-t e djathtë flasin hapur në intervista. Ata janë “shkatërrues”, objektivi i të cilëve është para së gjithash kaosi dhe kolapsi i sistemit.
Ditët e fundit të Romës
Në Londër kolapsi i klasës politike dhe i institucioneve demokratike ndërkohë ka shkuar kaq larg, sa Theresa May krahasohet me Perandorin Nero me lahutën e tij para gërmadhave të Romës. Vetëm se ajo nuk është në gjendje as të këndojë dhe vetëm mund të thërrasë me zë të çjerrë “Brexit quhet Brexit”. Është banale dhe njëkohësisht një metaforë, që së fundi ajo humbi zërin e saj.
Theresa May i imponoi vendit të saj një udhëtim të çmendur me të përpjeta e të tatëpjeta dhe me zigzake, në fund të të cilit sheh vetëm përzierje stomaku dhe mungesë orientimi. Kur të kenë mbaruar të gjitha superlativat politike, për ta përshkruar një politikë që ka dalë nga shinat, mbeten vetëm të qeshura të shkrehura.
Në Mesjetë ka ekzistuar një mbret, e thërrisnin Otto Budallai. Nuk mbahet mend se pse ia vunë këtë emër. Mbase ai nuk kishte plan për të qeverisur dhe Theresa May duket kështu si pasardhëse e kësaj dinastie të palavdishme.
Raporti: Shqiptarët po varfërohen që nga vitit 2014
Teksa ekonomia shqiptare është në trend rritës pasuria financiare e familjeve shqiptare në raport me PBB-në ka pësuar rënie.
Bilanci i familjeve shqiptare publikuar për herë të parë nga Banka e Shqipërisë tregon se pasuria neto e familjeve shqiptare në raport me PBB-në ka pësuar rënie pas vitit 2014. Ndërsa gjatë vitit 2017 shihet që pasuria neto e familjeve shqiptare të ketë rënë edhe në vlera neto.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë pasuria neto financiare e familjeve shqiptare në vitin 2014 ishte sa 113 për qind e PBB-së, në vitin 2017 ajo ishte vetëm 100 % e PBB-së.
Për vitin 2017, pasuria financiare neto e ekonomive familjare vlerësohet në 1557.9 miliardë lekë, nga 1,587.4 miliardë lekë në vitin 2016, me rënie vjetore 2% ose 220 milionë euro më pak.
Për ekonomitë familjare, mjetet financiare në thelb tejkalojnë detyrimet, kryesisht për shkak se të nivelit të lartë të investimeve në formën e depozitave si dhe investimeve në formën e pjesëmarrjeve në kapitalin e korporatave jofinanciare.
Gjithsesi familjet janë të vetmet në ekonominë e përgjithshme me bilanc pozitive në raport me biznesin dhe qeverinë, bilancet e të cilave anojnë nga borxhet. Familjet zotërojnë 33% të totalit të kursimeve financiare të brendshme.
Në fund të vitit 2017, totali i mjeteve financiare të ekonomive familjare, vlerësuar në llogaritë financiare, shënon 1,763 miliardë lekë, nga 1,781 miliardë lekë në fund të 2016.
Instrumenti kryesor përdorur nga ekonomitë familjare është “monedha dhe depozita” (AF. 2), i cili përfaqëson në masën 56.4% mjetet financiare të këtij sektori. Në harkun kohor të një viti, monedha dhe depozitat shënuan një zgjerim me rreth 12 miliardë lekë, duke shënuar nivelin 995 miliardë lekë në fund të 2017.
Ndërsa detyrimet financiare të sektorit të ekonomive familjare vlerësohen në 205.9 miliardë lekë, në rritje prej 11.9 miliardë lekësh (ose 6%) referuar një viti më parë. Huatë mbajnë peshën kryesore në totalin e detyrimeve financiare të këtij sektori (95% të totalit).
Në fund të 2017, stoku i huave shënon rreth 195 miliardë lekë, nga 183 miliardë lekë në vitin 2016. Në terma maturiteti, huatë afatshkurtra ranë me 0.3 miliardë lekë, ndërkohë huatë afatgjata, të cilat përbejnë 95% të totalit të huave të ekonomive familjare, u rritën me 12 miliardë lekë ose 7%. Llogari të tjera të pagueshme, në fund të vitit 2017, shënon vlerën e 10.9 miliardë lekëve, duke ruajtur kështu pothuajse të njëjtin nivel të një viti më parë.
Protestuesit rrethojnë Drejtorinë e Policisë, mbahen të arrestuar 6 protestues
Mijërat e protestuesve kanë marshuar nga Parlamenti drejt Drejtorisë Policisë së Tiranës ku po mbahen të arrestuar 6 protestues. Fillimisht policët nuk kanë lejuar që në Drejtorinë e Policisë të futen drejtuyesit e opozitës, por pas mbërritjes së masës së madhe të protestuesve, policët janë tërhequr dhe kanë lejuar Kryemadhin, Bardhin dhe Nokën që të hyjnë në Drejtori për të mos lejuar arrestimin e protestuesve. Numri i protetsuesve është mjaft i madh, ndonbëse po protestohet që nga ora 9 e mëngjesit.
“Lironi çunat tanë”! “Lironi çunat tanë”! Këto janë thirrjet e protestuesve të shumtë që ndodhen në këto momente përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës,
“Turp”! “Turp”! Poshtë kriminelët! Janë thirrjet e tjera që i pasojnë.
Godina e Policisë është rrethuar nga dy radhë policësh. Radha e brendshme është përforcuar me policë me skafandra.
Deputetë të PD dhe kryetarja e KLSI, Monika Kryemadhi, ndodhen në krye të qytetarëve të revoltuar, në pritje të lirimit të protestuesve që janë arrestuar sot.