Opozita duket shumë e qartë në vendimin e saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, sa kohë kryeministër do të jetë Edi Rama.
Ky qëndrim është përforcuar edhe më shumë nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho gjatë një bisede televizive në Ora News, ku është shprehur se, “largimi i Ramës është kusht dhe për negociata me mazhorancën për tejkalimin e krizës”.
“Nuk ka kuptim të marrësh pjesë në zgjedhjet vendore, sa kohë ne betejën po e bëjmë për zgjedhjet e përgjithshme”, tha Spaho.
Por a do të pranojë opozita që negociator të jetë Presidenti, Ilir Meta?
“Ne kemi qenë shumë të qartë në këtë pikë. Nuk hyjmë në negociata pa u tërhequr Edi Rama. Pasi të largohet Edi Rama, sigurisht dikush do të jetë ndërmjetës, Presidenti, ndërkombëtarët, kushdo që të jetë është i mirëpritur për të biseduar për një qeveri tranzitore.
Nënkryetari demokrat ka komentuar po ashtu edhe qëndrimin e ndërkombëtarëve.
“Asnjëherë nuk ka për të pasur stabilitet nëse nuk do të ngrejnë demokraci të vërtetë. Edhe qëllimi i opozitës është ky që ta lëvizi vendin nga kjo “demokracia” e stabilitetit në një demokraci të qytetarëve”, tha Spaho.
Ndërkohë që sinjali I parë që opozita mund të mos futet në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, është fakti që si PD ashtu edhe LSI, nuk dorëzuan në KQZ emrat e komisionerëve që do të përgatisin procesin zgjedhor te 30 qershorit.
Spaho: Nuk ka zgjedhje dhe as negociata pa largimin e Ramës!
Ndizet revolta te Unaza e Re, protestuesit mesazh Ramës dhe Lleshit: Zjarrit do t’i përgjigjemi me zjarr!…
Unaza e Re sonte ishte më e revoltuar se kurrë ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Rama, sidomos pas informacioneve për planet e policisë për të ndërhyrë me forcë ndaj tyre.
Banorët e kësaj zone të Tiranës, fajësojnë Edi Ramën për tentativën e prishjes së shtëpive të tyre nga njëra anë, por edhe për njoftimet e fundit sipas të cilave qeveria kërkon të përdorë forcën ndaj tyre.
Të pranishëm në këto momente në mbështetje të protestuesve të Unazës së Re, janë edhe shumë ish-deputetë të Partisë Demokratike dhe LSI-së.
Banorët kanë bllokuar rrugën, ndërsa policia e shumtë në numër u tërhoq pas prezencës së lartë të opozitës dhe qytetarëve.
Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu falenderoi të gjithë qytetarët që i janë bashkuar këtë mbrëmje protestës së banorëve të Unazës së Re.
“Ju falenderoj të dashur qytetarë të Tiranës për këtë mbështje. Këtu ishin mbledhur me qindra policë, por u larguan sepse nuk përballen dot me sovranin. Të gjithë bashkë nesër le të jemi te Parlamenti.
I bëj thirrje Gjeneralit të Qeverisë së vdekur që zjarrit do t’i përgjigjemi me zjarr kudo që të ndodhet. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve, për t’ia kthyer parlamentin e grabitur nga Rama qytetarëve. Koha e bandave ka mbaruar. Edi Rama hapi sytë se popullin e ke në rrugë, do të të tërheqin zvarrë”.
Në fjalën e tij ish-deputeti I LSI-së, Endrit Brahimllari tha se qytetarët i janë bashkuar sonte protestës, pasi ata e kuptojnë që kanë të bëjnë me një kauzë të drejtë.
“Sot e shikoni që jeni shumë më shumë, sepse qytetarët e Tiranës i janë afruar kauzës së tyre sepse ata besojnë se është një kauzë e drejtë që ka të bëjë më pronën që është gjëja më e shtrenjtë që ka një individ. Sot ka një paradoks. Sandër Lleshaj urdhëron të dhunojë banorët, ndërkohë që ata ata që u kapën me presh në dorë, Edi Rama, Gjiknuri, Qendro, janë të lirë dhe nuk kanë asnjë presion, kurse Edi Rama fut në burg banorët që janë të varfër. Ndaj kauza juaj është e drejtë ndaj jeni të shumtë të numër. Kjo tregon që banorët e Unazës janë në të drejtën e tyre, Ne nuk mund të qëndrojmë më në një parlament të kriminalizuar”, tha Brahimllari.
Vendi jashtë kontrollit/ Si u vra biznesmeni në Shkodër, autori ishte me motoçikletë
Një krim i rëndë ndodhi pasditen e sotme në Shkodër. Pronari i një bujtine në Shkodër është qëlluar me armë zjarri në një atentat të ndodhur në orën 16:30 minuta të pasdites. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodrës, por ka humbur jetën.
35 vjeçari Ferdinand Polia, i njohur si ‘Nardi i Bujtinave’, pronari i një bujtine në Theth, ka qenë duke ecur me makinë kur është qëlluar me breshëri.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Grudë të Shkodrës, pranë fushës së aviacionit.
Bëhet me dije që me biznesmenin e vrarë në makinë ka qenë edhe një qytetar tjetër i cili ishte punëtor i servisit.
Nga raportimet mësohet se autori i vrasjes ishte me motoçikletë dhe se mbantë një skafandë në kokë. Ai e ka braktisur motoçikletën tek vendi i quajtur ‘Ura e Mesit’.
Njoftimi i policisë Shkodër/ Informacion paraprak
Sot në ora 16.30, është derguar në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi N.P, rreth 35 vjeç, i plagosur me armë zjarri.
Megjithe perpjekjet per ti dhene ndihme mjekesore ai ka ndërruar jetë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Grude dhe sipas informacioneve të para është qëlluar disa herë me armë zjarri teksa po levizte me një automjet.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Raporti i OKB: Shqiptarët janë më të palumturit në Europë, shkak, korrupsioni i qeverisë
Shqipëria renditet në vendin e 107 nga 156 shtete në Indeksin e Lumturisë 2019, të publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke qenë e fundit në Europë, pra më e palumtura, ndonëse ka shënuar përmirësim të lehtë prej 5 vendesh në raport me renditjen e vitit të mëparshëm.
Treguesit në të cilët bazohet indeksi marrin për bazë të ardhurat për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, të dhënat për bamirësi, liria për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit, tregues për të cilët shqiptarët duket se rezultojnë më të pakënaqurit në rajon dhe Europë.
Shqipëria renditet në pothuajse të njëjtat nivele me shtete të tilla si Venezuela, Kamboxhia, Territoret Palestineze, Somalia, Namibia, Laosi etj.
Ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, ata të Kosovës janë shumë më pozitivë dhe të lumtur me jetën e tyre. Kosova, renditet në vend të 46, me një përmirësim të ndjeshëm prej 20 vendesh dhe duke qenë më e lumtura në rajon dhe e 16-a në botë për ndryshimin pozitiv të këtij indeksi për periudhën 2016-2018.
Nga vendet e rajonit, Bosnja është në vend të 78, me një përmirësim të dukshëm nga 98 që ishte vitin e mëparshëm, Maqedonia në vend të 84 (përmirësim me 5 vende), Mali i Zi në vend të 73 (përmirësim me 8 vende), Serbia në vend të 70 (8 vende më shumë),
Vendet nordike vijojnë të jenë më të lumturat. Në renditjen e fundit, në vend të parë për të dytin vit radhazi është Finlanda, e ndjekur nga Danimarka, Norvegjia, Islanda, Holanda, Zvicra, Suedia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe dhjetëshen e mbyll Austria.
Shtetet më të palumtura në botë janë Ruanda, Tanzania, Afganistani, Sudani i Jugut.
Ndër 20 vendet më të korruptuara në botë
Treguesi me renditjen më të keqe është korrupsioni, ku Shqipëria renditet në vendin e 134, sërish ndër 20 më të korruptuarat në botë, siç e kanë nxjerrë dhe raporte të mëparshme. Marrja e korrupsionit është mesatarja rajonale e përgjigjeve të të anketuarve ndaj dy pyetjeve të sondazhit të GALLUP: “A është korrupsioni i përhapur nëpër qeveri apo jo” dhe “A është korrupsioni i përhapur mes bizneseve apo jo?”
Përgjigjja është mesatarja mes përgjigjeve 0 ose 1 (sa më afër zeros aq më pak i korruptuar), ku Shqipëria vlerësohet me 0.9, pra shumë afër 1, që tregon një vend të korruptuar dhe me rritje në këtij treguesi në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 0.87.
Në Europë, krahas Shqipërisë, perceptimi për korrupsionin është i lartë dhe në Itali, Bullgari, Kosovë, Maqedoni.
Treguesi tjetër problematik është ai i mbështetjes sociale, ku jemi në vend të 133, i ndjekur nga ndjenja negative (108), ndërsa më mirë renditemi në pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje (40).
Raporti
Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në më shumë se 150 vende të botës, të cilëve ju kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. (Shqipëria ka marrë këtë vit 4.719 pikë).
Raporti synon të masë dhe të kuptojë mirëqenien subjektive.
Studiuesit kanë përdorur gjashtë tregues për të kuptuar rezultatet: Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje, mbështetjen nga miqtë dhe të afërmit, bamirësinë, lirinë për të bërë zgjedhje në jetë dhe nivelet e perceptuara të korrupsionit.
Individëve u bëhen nga Instituti Gallup pyetje të tilla si “Nëse do të ishit në telashe, a keni të afërm apo miq se ku mund të mbështeteni që t’ju ndihmojnë kur keni nevojë?”, apo “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë për të zgjedhur atë që doni të bëni në jetë?”. Një tjetër pyetje është “A keni dhuruar para për bamirësi muajt e fundit?”.
Perceptimet për korrupsionin merren po nga sondazhi i Gallup për dy pyetje: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri apo jo?” dhe “A është korrupsioni i përhapur tek bizneset?”. Këto pyetje kombinohen me tregues të tjerë, si të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse të publikuara nga Banka Botërore dhe të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje.
“Monitor”
PD, padi penale Sandër Lleshit për helmimin dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve
Sandër Lleshaj dhe të tjerë të pezullohen nga detyra. Partia Demokratike paditi Ministrin e Brendshëm dhe disa punonjës të Policisë së Shtetit për shpërdorim detyre dhe veprime të paligjshme kundër protestuesve.
“Është e provuar se gjatë zhvillimit të protestës Policia e Shtetit, duke shpërdorur detyrën, ka dhunuar dhe sulmuar me mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion qytetarë, të cilët po protestonin paqësisht.”- thuhet në letrën shoqëruese qe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës.
Duke iu referuar pamjeve filmike që i disponon, Partia Demokratike vë në dukje se policia nuk e ka respektuar qëllimisht standardin e përdorimit të forcës në mënyrë proporcionale dhe të drejtuar vetëm kundër personave që kryejnë shkelje të ligjit.
“Qëllimi i Policisë ka qenë pengimi i zhvillimit të protestës, duke hedhur mjete të helmimit masiv dhe ujë me presion ndaj të gjithë protestuesve, jashtë rregullave dhe rrethanave të lejuara nga ligji. Pamjet filmike provojnë një veprim kriminal të punonjësve të Policisë së Shtetit, që sulmojnë me gaz edhe qytetarë që janë të shtrirë në rrugë për shkak të problemeve shëndetësore apo qytetarë që përpiqen t’u vijnë në ndihmë atyre.
Kjo është qartazi, jo vetëm shpërdorim detyre, por edhe një tentativë për të rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e qytetarëve.”-vërejti Sekretari i Përgjithshëm i PD. Duke i kërkuar Prokurorisë të marrë masën e pezullimit nga detyra të të kallëzuarve, Partia Demokratike shpreh shqetësimin se Prokuroria është shndërruar në një seksion të certifikimit të paligjshmërive të Policisë së Shtetit.
“Prokuroria nënshkruan çdo urdhër arresti që i vendoset përpara nga Policia e Shtetit, duke u përdorur si mekanizëm presioni dhe shantazhimi ndaj qytetarëve të pafajshëm, të cilët arrestohen për disa ditë, pa kryer asnjë shkelje dhe shpesh edhe pa qenë fare në protestë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD thekson se, nëse Prokuroria do të sillej në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe jo si një vegël propagande e qeverisë, do te kishte nisur hetimet kryesisht, duke vënë përpara përgjegjësisë, të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, që kanë kryer veprime të paligjshme ndaj protestuesve.
“Trajtimi i këtij kallëzimi penal dhe mbi të gjitha hetimi me profesionalizëm i dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit, është një tjetër provë nëse në Shqipëri, organi i prokurorisë është institucion i pavarur dhe i paanshëm, siç përcakton Kushtetuta dhe ligji, apo është zyrtarisht degë e pushtetit kriminal të kësaj Qeverie ilegjitime.”-thuhet në dokumentin shoqërues të kallëzimit penal të Partisë Demokratike.
Majlinda: Janë thashetheme për mua dhe Knutin
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ka komentuar videon ku shfaqej me eurodeputetin Knut Fleckenstein, e cila u bë virale në rrjetet sociale.
Bregu tha gjatë një interviste në emisionin “Përballë” në RTSH, se është mësuar me thashetheme, akuza të dobëta dhe deklarata që i bëjnë pis ata që i ndërtojnë.
“Është një video që e kam postuar para disa kohësh, në 2015, me prapaskenat e takimit. Jam mësuar edhe me thashethemin, edhe më akuzat më të dobëta dhe të shëmtuara. Nuk mbaj mend që të jetë sulmuar kaq shumë një grua, me deklarata që i bëjnë pis ata që i ndërtojnë’”tha Bregu.
Në video shikohen poza interesante të përqafimit “vëllazëror” të Knutit ndaj Majlindës si dhe një reagim i vetë Majlindës duke nxjerrë gishtrin tregues në shenjë mohimi në momentin kur Knuti e tërheq fort pas vetes.
Ky është komenti i parë që bëhet për këtë video nga vetë protagonistja, ndërsa nuk ka ende një reagim nga protagonist tjetër, Knuti i PE-së.
Forcat speciale përballë popullit, kjo i ka mbetur zombit kryeministër, kufomës që zvarritet i pakallur
Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka reguar për nxjerrjen e forcave speciale përballë fermerëve dhe prodhuesve të qumshtit që protestuan sot në Lushnje për shkak të mosshitjes së produkteve. Paloka shkruan në një postim në Facebook se, “forcat speciale përballë popullit; kjo i ka mbetur zombit kryeministër, kufomës që vazhdon të zvarritet i pakallur”.
Postimi i plotë në Facebook
Forcat speciale perballe popullit; kjo i ka mbetur zombit kryeminister, kufomes qe vazhdon te zvarritet i pakallur.
Forcat speciale perballe atyre qe kerkon t’ju prish shtepite e ti nxjerre ne rruge me gjithe femije, vetem per te futur disa miliona te tjere ne xhepin e tij dhe oligarkeve rreth tij.
Forcat speciale perballe fermereve dhe prodhuesve te qumshtit, qe po ju heq buken e gojes per te ndare parate me oligarket qe importojne keto prodhime.
Forcat speciale, gaz e helm, perballe qindramije shqiptareve qe kerkojne largimin e kesaj qeverie si e vetmja zgjidhje per rikthimin e besimit dhe normalitetit ne vend.
Nderkohe shtojne bodyguarde, roje civile e police per tu mbrojtur nga qytetaret e vendit te tyre. Ngjeshen me antiplumb e rrethohen me tela me gjemba…
Ne se keto jane menyrat qe ata shohin si zgjidhje nderkohe qe, jo pakenaqesia, por urrejtja e shqiptareve, ka arritur ne nivele shperthyese atehere po e cojne vendin aty ku askush nuk do te deshironte.
Sigurisht i pari qe do paguaj, eshte i cmenduri por pasojat do ti vuajme te gjithe, nga te dy krahet, ne se nuk e ndalim te cmendurin sa nuk kemi shkuar ne piken ku pendesa nuk ka me vlere…
Përse Moska po distancohet nga Beogradi?
Po të jesh rus dhe të udhëtosh në Serbi, të pushton entuziazmi: “Serbët i duan rusët!” Mikpritës, të dashur, gjuhë të ngjashme. Ky entuziazëm nuk ka të bëjë vetëm me folklorin e përditshëm, por edhe me politikën.
Kishte të bënte. Deri tani. Protestat aktuale kundër Presidentit Aleksandar Vuçiç mund ta ndryshojnë këtë. Prandaj Moska vështron këto ditë e merakosur në drejtim të Beogradit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç konsiderohet si person me qëndrim miqësor ndaj Rusisë, politika e tij përballë Kremlinit – e parashikueshme. Por edhe sa do të qëndrojë ai në post? Vendi i tij është njëri ndër aleatët e paktë që i kanë mbetur Rusisë në Evropë. Çfarë do të ndodhë, po të ikë Vuçiçi? A do të bien hije mbi politikën e mirë bilaterale? A e kërcënon fundi miqësinë ruso-serbe?
Në lojë, krahas interesave politike, janë edhe interesa ekonomike. Serbia blen armë ruse dhe lëndë të para ruse. Beogradi është i interesuar për tubacionin rus të gazit “Turkish Stream”, që po ndërtohet aktualisht. Njëra nga degët parashikohet të kalojë përmes Serbisë jugore, në afërsi të Kosovës.
Të gjitha këto, Oleg Bondarenko i “Fondacionit të politikës progresive” të Rusisë i sheh të rrezikuara, po të detyrohet Presidenti Vuçiç të largohet nga posti. Në bisedë me DW, politologu shqetësohet për investimet ruse në ekonominë serbe dhe për stabilitetin e Kosovës: “Rusia ka nevojë për një Serbi të qëndrueshme.
Rusia ka nevojë për një president të parashikueshëm në veprim, si Aleksandar Vuçiçi.” Bondarenko supozon që në ngjarje ndikon Perëndimi dhe që ushtron presion ndaj Presidentit, në mënyrë që Vuçiçi të jetë politikani i parë serb, që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Frikë për një aleat të ngushtë
Janë shumë ata në Moskë që kanë frikë nga “dora e Perëndimit”, për ta famëkeqe. Aq më tepër kur SHBA flasin se duan ta sprapsin ndikimin rus në Ballkan. Radiostacioni moskovit “Kommersant FM” citon politologun Alexander Safonov: “Ky presion nga Perëndimi konsiston në atë, që Serbia të tërhiqet sa më fort në integrimin euroatlantik.
Ndër të tjera synohet të përgatitet terreni për një anëtarësim në NATO. Serbia përfiton nga fakti që nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Ndryshe nga Presidenti Vuçiç, opozita serbe nuk do t’i mbështesë interesat ruse në Ballkan.”
Dhe në fakt, Serbia është i vetmi vend në Evropë që i kundërshton sanksionet kundër Rusisë. Prandaj për Moskën Beogradi është çelësi për politikën evropiane, konstaton Oleg Bondarenko përballë DW. “Protestat aktuale synojnë në tërësi që t’i dobësojnë marrëdhëniet serbo-ruse”, thotë përmbledhtazi politologu.
Atë e kundërshton publicisti moskovit Ivan Preobrazhenskij: “Në thelb nuk do të ndryshojë asgjë thelbësore. Që prej fillimit të presidencës së Vuçiçit Moska nuk ka parë te ai një politikan vërtet prorus. Megjithatë kjo nuk e pengoi kryetarin e shtetit të Rusisë,
Putin që të ndërtojë marrëdhënie të mira me udhëheqjen ruse.” Preobrazhenskij ka dyshime nëse do të ketë ndërrim pushteti në Serbi. “Edhe po të vinte, në një koalicion të ri do të gjenden mjaft simpatizantë të Moskës.”
Njësoj si Bondarenko, edhe Preobrazhenskij dallon rolin kyç të Serbisë për politikën ndaj Evropës. “Humbja e Serbisë do të ishte e barabartë me humbjen e Ballkanit”, veçanërisht për shkak të refuzimit të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Por ai nuk beson se një ndryshim i mundshëm i qeverisë në Beograd do të ndryshonte drejtimin prorus të serbëve.
SHBA vendosin sanksione të reja ndaj Venezuelës
Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se ka vënë sanksione ndaj kompanisë shtetërore të minierës së arit të Venezuelës dhe presidentit të saj, për shkak të bashkëpunimit me regjimin e Presidentit Nicolas Maduro.
Përmes një deklarate të martën, Departamenti i Thesarit njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj kompanisë Minerven dhe presidentit të saj, Adrian Antonio Perdomo Mata, duke patur në objektiv “operacionet e paligjshme të arit, që kanë mbështetur vazhdimisht regjimin e ish Presidentit Nicolas Maduro.”
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha se aktivitetet e qeverisë së Maduros po e shterrojnë pasurinë e Venezuelës dhe po dëmtojnë mjedisin.
Në deklaratë thuhet se zoti Maduro vite më parë i dha vetes autoritetin e zhvillimit të minierave, pa marrë më parë miratimin e Asamblesë Kombëtare.
Ky operacion, thuhet në deklaratë, ka bërë që minatorët të punojnë të kushte të rrezikshme dhe të paguhen në njësinë monetare të Venezuelës, bolivar, objekt i inflacionit të shfrenuar, ndërkohë që regjimi i Maduros e konverton monedhën e zhvlerësuar venezueliane në flori dhe monedha të tjera të huaja.
Në deklaratë thuhet se përveç krijimit të kushteve të rrezikshme dhe të papërshtatshme për njerëzit, operacionet e minierave kanë depërtuar deri në rajone të mbrojtura, duke shkaktuar shpyllëzime dhe humbjen e vendbanimeve për kafshët, duke shkaktuar kushte ideale për mushkonjat që bartin mikrobin e malaries.
Në deklaratën e Thesarit thuhet se: “Sanksionet amerikane nuk është e nevojshme të jenë të përhershme, ato synojnë të sjellin një ndryshim pozitiv të mënyrën e sjelljes.
Sanksionet hiqen për njerëz që ndërmarrin veprime konkrete dhe kuptimplotë për rikthimin e rendit demokratik, refuzojnë të angazhohen në shkeljen e të drejtave të njeriut, flasin hapur kundër abuzimeve të kryera nga regjimi i Maduros dhe luftojnë kundër korrupsionit.”- thuhet në Deklaratën e Departamentit amerikan të Thesarit.
Arrestohet ish-futbollisti i La Liga, transportoi 4 tonë kokainë në SHBA
Ish-lojtari i Southampton dhe Portsmouth në Angli, Jhon Viafara, por edhe i Real Sociedad në La Liga, është arrestuar si i dyshuar për trafik droge. 40-vjeçarit iu vunë prangat në qytetin kolumbian të Kalit, pas një operacioni të përbashkët mes autoriteteve lokale dhe DEA-s amerikane.
Kjo e fundit pretendon se Viafara është pjesë e një grupi kriminalt, që ka transportuar katër tonë kokainë. Kolumbiani, që luajti një gjysmë sezoni në “Fratton Park” dhe dy vite në “St Mary’s”, dyshohet të jetë anëtar i një karteli lokal të drogës.
Mediat lokale deklarojnë se Viafara, i cili u arrestua me katër të dyshuar të tjerë, dyshohet për dërgimin e lëndëve narkotike në SHBA, duke përdorur anije me shpejtësi të madhe dhe gjysëm zhytëse.
Pakot me kokainë mendohet se janë transportuar nga bregu jugor i Paqësorit të Kolumbisë në Amerikën Qendrore dhe pastaj në tokën e SHBA.
Viafara raportohet të jetë pjesë e “Clan del Golfo”, një nga kartelet më të fuqishme të drogës në Kolumbi. SHBA kërkon që pesë të dyshuarit të ekstradohen, pasi akuzohen për trafik droge midis viteve 2008 dhe 2018 nga Gjykata Shtetërore e Teksasit.
Viafara u afrua për herë të parë në Angli nga Alain Perrin, por më pas kaloi te Portsmouth, kur Harry Redknapp u bë trajner në këtë ekip. Më pas, ai u transferua te Real Sociedad, në formë huazimi, para se të bashkohej me Southampton.
Viafara ka luajtur edhe 34 ndeshje me kombëtaren e Kolumbisë, në mes të viteve 2003-2010. Ai fitoi “Copa Libertadores” me Once Caldas, në vitin 2004. U tërhoq nga futbolli në vitin 2015.