29.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Çaj dafine si kurë kundër diabetit të tipit 2

Dafina ka cilësi antioksidante e cila ndihmon në zvogëlimin e efekteve të padëshiruara te diabeti i tipit 2. Përdorimi i saj ndihmon që të ngadalësohet shkatërrimi i qelizave nën ndikimin e radikaleve të lira.

Gjithashtu fletët e dafinës ndihmojnë në normalizimin e punës së pankreasit. Nga ana tjetër, ndihmon edhe në zvogëlimin e nivelit të sheqerit në gjak.

Kjo është vetëm një ndër shumë mënyrat që mund të përdoren. Mundeni ta zieni në këtë mënyrë:
• 4 filxhanë ujë (1 litër),
• 1 lugë fletë dafine (15 g).

Përgatitja:
Vlojeni një litër ujë. Sapo të vlojë, qitni fletët e dafinës. Zieni edhe 3 minuta. Pastaj nxirrni nga uji i nxehtë dhe lini të ziejnë edhe 10 minuta, pastaj kullojeni lëngun e përftuar. Nuk rekomandohet të konsumohet më shumë se 4 filxhanë në ditë.

Fletët e dafinës janë të dobishme, por jo në sasi të tepruar. Kjo bimë padyshim ka spektër të gjerë të cilësive shëruese. Mirëpo, nëse konsumohet tepër, mund të shkaktojë probleme siç janë dermatiti, astma apo alergjia.

Pos kësaj, çaji i dafinës mund të shkaktojë edhe krupë dhe irritim të murit të lukthit. Do të duhej të dini edhe që ky çaj nuk u rekomandohet pacientëve me diabet të tipit 1, si edhe shtatzënave, personave me probleme të veshkave, të zemrës, mëlçisë dhe gastrointestinale.

Pra, fletët e dafinës, me gjithë cilësitë e veta shëruese, patjetër duhet të përdoret me kujdes. Nëse jeni në ndonjë fazë të shërimit apo keni çfarëdo dyshimi, më mirë është që më parë të konsultoheni me mjekun tuaj!

Ushqimet që nuk duhet të hani pas palestrës

Nëse keni marrë iniciativën për të shkuar në palestër keni bërë shumë mirë, por duhet të dini që vetëm kaq nuk mjafton. Diçka tjetër shumë e rëndësishme është mënyra se si ushqeheni
Ka disa ushqime që në asnjë mënyrë nuk duhet të konsumohen pas një dite të lodhshme me aktivitet fizik, pasi do ta hidhnit të gjithë mundimin tuaj në plehra.

Perimet e pagatuara
U surprizuat? Ndoshta keni menduar se perimet do të ishin ushqimi perfekt për t`u konsumuar pas palestrës, por nuk është kështu. Ato kanë shumë pak kalori dhe trupit tuaj i duhen më shumë kalori pas palestrës. Nëse doni mund t`i hani perimet tuaja të preferuara, por duke i shoqëruar me një pjatë të mbushur me proteina.

Picat
Kujt nuk i pëlqejnë picat? Mund të jenë shumë të shijshme, por kanë një numër të madh kalorish dhe i gjithë mundimi juaj në palestër do të shkonte dëm.

Patatinat
Mund të duken të padëmshme, por patatinat përmbajnë sasi të mëdha kripe. Konsumimi i patatinave do t`ju bëjë të ndiheni të lodhur, kur në fakt ju keni nevojë të ndiheni energjikë pas palestrës.

Pijet me gaz
Një nga gjërat që do ta donim me qejf pas palestrës është një pije e ftohtë. Zakonisht zgjedhim pije të gazuara, por ky është një gabim i madh pasi shumica e këtyre pijeve janë të mbushura me kimikate, sheqerna dhe kalori. Pija më e mirë që mund të zgjidhni pas palestrës është uji.

Të skuqurat
Edhe pse mund t`ju pëlqejnë shumë, të skuqurat nuk rekomandohet të konsumohen sepse kanë një numër të madh kalorish. Kështu ushtrimi në palestër do t`ju shkonte dëm.

Lista e ushqimeve të shëndetshme sipas ekspertëve

Pas më shumë se 40 vjetësh, Lista e ushqimit të shëndetshëm plotësisht është ndryshuar. Lista kanadeze e ushqimit të shëndetshëm tani favorizon vetëm një grup artikujsh dhe i shënon si të shëndetshëm,.

Ato janë pemët dhe perimet, sepse sipas mendimit të ekspertëve, të gjithëve na janë të nevojshme shumë më tepër se ushqimi me prejardhje bimore.

Shkencëtarët nga Kanadaja thonë që gjysma e pjatës duhet të përmbajë pemë dhe perime, një e katërta proteinë cilësore, ndërkaq një e katërta tjetër kokrra të plota drithërash.

Këshillojnë që të konsumohet më pak mish dhe produkte të qumështit, mirëpo proteinat të merren nëpërmjet ushqimit me prejardhje bimore, siç janë kërpudhat dhe djathi tofu.

Vendimi që të ndryshohet drastikisht Lista, ka shkaktuar debat të madh, ndërkaq shkencëtarët e arsyetojnë me atë që Lista e mëparshme vjen nga vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ende nuk ka qenë i zbuluar indeksi glikemik dhe ndikimi i tij në organizëm, dhe kur ushqimi është trajtuar shumë më ndryshe.

Me shtimin e konsumimit të pemëve dhe perimeve dhe me zvogëlimin e konsumimit të produkteve të qumështit dhe mishit, ekspertët kanadezë rekomandojnë pirje sa më shumë të ujit, si edhe zvogëlim të pijeve të ëmbla dhe pijeve alkoolike në masën sa më të vogël të mundshme, sepse janë plot kalori dhe nuk kanë kurrfarë vlere nutritive.

Brexit po vonon, a do të marrin pjesë britanikët në zgjedhjet evropiane?

Bashkimi Evropian duket se do të pajtohet me një vonesë për daljen e Britanisë nga blloku, por zyrtarët në Bruksel janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë kjo në zgjedhjet parlamentare evropiane të majit.

Ata kanë frikë se një valë euro-skeptikësh nga votuesit britanikë, nëse vendi merr pjesë në zgjedhje, do ta forcojnë rrymën e fortë populiste të pritshme në kontinent.

Disa zyrtarë të BE-së po eksplorojnë tani mënyra ligjore për të bllokuar pjesëmarrjen britanike me arsyetimin se Britania mund të mos jetë anëtare kur të përfundojë mandati parlamentar.

Në vend të kësaj ata duan që deputetët e tanishëm britanikë në Parlamentin Evropian të vazhdojnë të mbajnë postin ose që qeveria britanike të emërojë deputetë të përkohshëm europianë, të cilët të pasqyrojnë forcat aktuale të partive në Dhomën e Komunave të Britanisë.

Por edhe përkrahësit e Brexitit po eksplorojnë veprime ligjore për të bllokuar çdo përpjekje për të parandaluar pjesëmarrjen britanike. Kryesuesi i tyre Nigel Farage thotë se një parti e re e krijuar prej tij ka plane për të futur një listë të plotë kandidatësh. Avokatët që veprojnë për grupin e fushatës Brexit, “Leave Means Leave”, janë në bisedime me qeverinë.

John Longworth, kryetar i grupit, i cili favorizon një shkëputje edhe pa marrëveshje, tha në një deklaratë: “Ne jemi të vendosur të sfidojmë qeverinë dhe BE-në nëse ata përpiqen të mohojnë të drejtën demokratike të popullit të Mbretërisë së Bashkuar për t’u përfaqësuar në Parlamentin e BE-së.”

Të enjten, Kryeministrja Theresa May pritet të takojë udhëheqësit evropianë në Bruksel, ku ajo do të kërkojë shtyrjen e Brexit-it pas refuzimit nga Parlamenti të marrëveshjes së saj për tërheqjen nga BE-ja, e cila u miratua nga Brukseli nëntorin e kaluar. Dhoma e Komuneve gjithashtu ka bllokuar Britaninë për të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje.

Nuk është e qartë nëse ajo do të kërkojë një zgjatje të shkurtër tre mujore, duke shpresuar ende për të siguruar miratimin parlamentar për marrëveshjen e saj, që është hedhur poshtë dy herë deri tani, apo një shtyrje më të gjatë. Franca dhe Gjermania favorizojnë një zgjatje më të gjatë prej 21 muajsh.

Kryeministrja May i ka paralajmëruar ligjvënësit që e kundërshtojnë marrëveshjen e saj, të cilën ajo mund ta hedh përsëri në votim të martën, se do të duhet të marrin pjesë në zgjedhjet evropiane, nëse votojnë përsëri kundër marrëveshjes së saj të divorcit me BE-në dhe dalja vonohet përtej qershorit 30, pak para se deputetët e rinj të marrin vendet e tyre.

Kaosi Brexit po bëhet gjithnjë e më shumë një makth ligjor ashtu si edhe politik për Britaninë dhe BE-në. Një opinion ligjor i ofruar për ambasadorët e BE-së javën e kaluar, paralajmëroi se Brukseli do të ishte i detyruar sipas rregullave të bllokut të përfundonte anëtarësimin britanik në BE më 1 korrik, nëse Britania nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 majit.

“Asnjë zgjatje nuk duhet të jepet përtej 1 korrikut nëse nuk zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Evropian në datën e caktuar”, thuhet në opinionin ligjor.

Për zyrtarët e BE-së dhe politikanët e qendrës evropiane, të cilët gjithmonë kishin shpresuar se Brexit nuk do të ndodhte, perspektiva e pjesëmarrjes britanike në zgjedhjet e majit mund të ishte me pasoja.

“Mund të shohim shumë më tepër njerëz si Farage-i të zgjedhur në parlament”, tha një zyrtar i lartë i BE-së. “Dhe kjo rrezikon rrënjosjen e populistëve dhe minimin e përpjekjeve për të rivendosur stabilitetin dhe parashikueshmërinë përballë rritjes së nacionalizmit”, shtoi ai.

Të hënën, ministri britanik i tregtisë Liam Fox, paralajmëroi konservatorët në pushtet se ata “duhet të jenë gati të marrin pjesë në zgjedhjet evropiane në maj”.

Zgjedhjet parlamentare evropiane të këtij viti ka të ngjarë të jenë më të rëndësishmet që blloku ka mbajtur ndonjëherë. Dy vizione kontradiktore të Europës janë përpara votuesve me centristët e kryesuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe populistët nacionalistë të mbështetur nga Matteo Salvini i Italisë. Populistët janë drejtuar për këshilla tek ish ndihmësi i Donald Trumpit, Steve Bannon.

Macron e ka pozicionuar veten si antidotë për “demokracitë jo liberale” të Evropës Qendrore dhe mbrojtësit e Bashkimit Europian të kërcënuar nga nacionalistët populistë si Salvini. Udhëheqësi francez dëshiron të reformojë dhe të ringjallë bllokun duke thelluar integrimin politik dhe ekonomik të Evropës.

Salvini 44-vjeçar dëshiron të kundërtën, jo vetëm një frenim në integrimin e mëtejshëm, por edhe një grupim më të lirshëm të shteteve me më pak detyrime nga traktatet e Brukselit dhe të BE-së. Hulumtuesit parashikojnë se euro-skeptikët do të kapin një të tretën e 705 vendeve të parlamentit evropian.

Shembulli i keq për rajonin

Oerd BYLYKBASHI

Të fitosh zgjedhjet me bandat e kriminelëve dhe 19 prej tyre t’i bësh deputetë, më pas kriminelët përdhunues vrasës e trafikantë t’i bësh kryetarë bashkish që të kontrollojnë territorin dhe zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin.

Të mbjellësh me drogë të gjithë Shqipërinë, të përmbytesh me drogë Europën, të shndërrosh vendin në lavatriçe të parasë së drogës, ky është shembull i keq për rajonin.

Të kriminalizosh politikën me paranë e drogës, korrupsionit dhe oligarkisë, të blesh zgjedhjet dhe të kthesh shtetin në parti, duke bërë presion mbi administratën dhe abuzuar me shtetin për të fituar zgjedhjet, ky është shembull i keq për rajonin.

Të kesh prova tëregjistruara për shitblerje vote dhe të pengosh hetimet me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, që e ke vënë me votat e tua, ky është shembull i keq për rajonin.

Të zhvatesh çdo para dhe pronë publike për t’ia dhënë oligarkëve që të financojnë, ky është shembull i keq për rajonin.
Të kapësh sistemin e drejtësisë duke deformuar dhe korruptuar reformën në drejtësi, që të emërosh ushtarët e tu në organet e drejtesisë që, më vonë të të mbrojnë kundër hetimit penal për zullumet e tua, ky është shembull i tmerrshëm për rajonin.

Të mos reagosh, të mos thuash gjysëm fjale për të gjitha këto, të mjaftohesh vetëm me përmbledhje ekzekutive raportesh dhe të relativizosh problemet e rënda, është nje shembull i keq për të gjithë.

Të reagosh duke e refuzuar këtë sistem të kalbur dhe të dalësh në protestë për të kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme, ky është një precedent që i bën mirë rajonit, sepse i tregon kujtdo që kërkon të bëhet kryeminister, se çfarë ndodh, nëse qeveris si Edi Rama.

Shteti Islamik kërcënon me hakmarrje pas sulmit në Zelandën e Re

Sulmi i përgjakshëm terrorist ndaj dy xhamive në Zelandën e Re mund të shkaktojë një spirale të re dhune. Milicët xhihadistë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” kanë bërë thirrje për hakmarrje.

Një zëdhënës i organizatës terroriste “Shteti Islamik” në një publikim në kanalet e zakonshme të mediave sociale të IS-it është shprehur, se “liderët e të pafeve” kanë derdhur lotë krokodili për viktimat e masakrës në qytetin e Zelandës së Re, Christchurch.

Skenat e vrasjes në dy xhamitë i nxisin përkrahësit e IS-it që të hakmerren për fenë dhe vëllezërit e tyre të besimit, ka thënë ky person, i paraqitur si zëdhënës i IS-it. Vërtetësia e mesazit në audio nuk mund të provohet përfundimisht, po ajo u shpërnda në kanalet e njohura të IS-it.

Në sulmin me motive raciste të premten, australiani, Brenton Tarrant vrau 50 vetë në dy xhami, më shumë se 30 të tjerë trajtohen në spitale. 28 vjeçari ekstremist i djathtë, që e filmoi vetë atentatin është akuzuar për vrasje të shumëfishtë dhe duhet të llogarisë me burgim të përjetshëm.

“Merrni hak”
Zëdhënësi i IS-it kërcënoi SHBA dhe aleatët me një rezistencë të re në Siri. “Merrni hak për gjakun e vëllezërve dhe motrave tuaja”, u kërkoi ai përkrahësve. Prej disa javësh trupat kurde me mbështetjen e koalicionit kundër IS-it përpiqen të marrin nën kontroll rajonin Baghus.

Në bastionin e fundit të IS-it janë të mbledhur disa qindra milicë xhihadistë.
Në fund të shkurtit, presidenti Trump deklaroi, se janë rimarrë “100%” e territoreve të okupuara përkohësisht nga IS-i. Zëdhënësi i IS-it tha se kjo “fitore e sajuar” nuk ka të bëjë me realitetin.

Rusi, hyjnë në fuqi ligjet për bllokimin e portaleve që shajnë qeverinë

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi legjislacionin që u mundëson autoriteteve të bllokojnë faqe të caktuara interneti dhe të japin dënime për “lajme të rreme” apo për materiale që ato i konsiderojnë si fyerje ndaj shtetit ose publikut.

Të dyja ligjet, që kritikët i shohin si pjesë të një përpjekjeje të Kremlinit për të rritur kontrollin mbi internetin dhe për të mbytur disidencën, u nënshkruan nga presidenti më 18 mars.

Legjislacioni i ri i lejon autoritetet të bllokojnë faqe të caktuara interneti ose llogari interneti që publikojnë ato që ata i konsiderojnë si “lajme të rreme” dhe penalizojnë ata që vendosin materiale, të cilat shihen si fyese ndaj zyrtarëve të shtetit, simboleve shtetërore ose shoqërisë ruse.

Dhoma e sipërme e parlamentit, Këshilli i Federatës, i miratoi projektligjet më 13 mars pasi dhoma e ulët, Duma e Shtetit, dha miratimin përfundimtar. Legjislacionin ishte propozuar më 7 mars.

Më 11 mars, Këshilli presidencial i Rusisë për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut i kërkoi Dhomës së Sipërme t’ia dërgonte projektligjet përsëri Dumës për t’i ripunuar.

Këshilli presidencial, i cili shpesh injorohet nga Presidenti Putin, citoi Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe tha se liria e shprehjes nuk mund të kufizohet thjesht për shkak të dyshimeve nëse ajo që shprehet është ose jo e vërtetë.

Ligji i ri autorizon prokurorin e përgjithshëm dhe zëvendësit e tij për të përcaktuar se çfarë përbën lajm të rremë, por pa një vendim gjyqësor, pas të cilit mediat shtetërore dhe mbikqyrësi i komunikimit Roskomnadzor të bllokonin faqet apo llogaritë në internet.

Për publikimin e “lajmit të rremë”, ligji përcakton gjoba deri në 100,000 rubla (1,525 dollarë) për individët, 200,000 rubla për zyrtarët publikë dhe 500,000 rubla për kompanitë.

Ligji thotë se gazetave apo portaleve të regjistruara zyrtarisht pranë Roskomnadzorit, do t’u jepet një shans për të hequr raportimet që konsiderohen si lajme të rreme, përpara se të bllokohen faqet e tyre të internetit.

Aty thuhet se faqet e internetit që nuk janë të regjistruara pranë Roskomnadzorit do të bllokohen pa paralajmërim. Ligji gjithashtu parashikon gjoba deri në 100,000 rubla për fyerjen e autoriteteve ruse, agjencive qeveritare, shtetit, publikut, flamurit apo kushtetutës.

Shkelësit përsëritës do të përballen me gjoba më të mëdha dhe mund të burgosen deri në 15 ditë.

Roskomnadzori do t’u japë përdoruesve të internetit 24 orë për të hequr materialin që gjykohet nga prokurori i përgjithshëm ose zëvendësit e tij si fyes për shtetin ose shoqërinë dhe ata që nuk e bëjnë këtë do të bllokohen, thotë ligji.

Në janar, kur Duma e Shtetit miratoi projektligjet në leximet e tyre të para, politikani i opozitës ruse Ilya Yashin u shpreh me këto fjalë: “Këto janë projektligje të çmendura. Si mund t’i ndalosh njerëzit të kritikojnë autoritetet?”

Dy ministre nisin procedurat; koncesion 300 milionë euro për 40 vjet për WC-të publike

Të urdhëruara nga kryeministri, dy ministret e “forta” të kabinetit qeveritar, Belinda Balluku e Energji-Infrastrukturës dhe Ogerta Manastirliu e Shëndetësisë, do të firmosin këto ditë, një koncesion të ri, specifik për nga lloji i shërbimit publik, në favor të një oligarkeje, kliente e afërt e Edi Ramës dhe e bashkëshortes së tij.

Bëhet fjalë, për koncesionin e ËC-ve publike, me kabina të vendosura në mjedise të hapura, ku qytetarët, mund të kryejnë nevojat personale të momentit me pagesë, pa u detyruar të futen rrëzë pallateve, institucioneve, lulishteve e kafeneve
Sipas informacionit nga burime të Ministrisë së Infrastrukturës, rezulton se ky koncesion është PPP e pa kërkuar, paraqitur paralelisht nga dy oligarkë, dorëzuar si Projekt-Marrëveshje e gatshme prej tyre dhe e pranuar plotësisht nga kryeministri.

Me këtë koncesion, mendohet të zgjidhet, shqetësimi i madh i mungesës së ËC-ve publike në Tiranë, të cilat siç dihet, u shkatërruan nga Edi Rama kur ishte kryebashkiak, duke u kthyer në sheshe ndërtimi kullash, hotelesh, karburantesh e restorantesh, madje ËC-ja tek “Parku Rinia”, fillimisht u bë depo kokaine e më pas, motel nëntokësor personal, nga Beso i Tajvanit.

Projekti koncesionar, që tashmë është gati për t’u miratuar, do të jetë me afat 40-vjeçar dhe me vlerë 300 milionë euro, ose 100 milionë euro në vit, caktuar për Tiranën dhe 6 bashkitë e mëdha Durrës, Fier, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë, me 150 kabina “çift për meshkuj e femra në Tiranë dhe me nga 40 kabina të tilla, në 6 bashkitë e tjera.

Ky koncesion, nuk do të kalojë as për miratim formal në bashkitë përkatëse sespe quhet kompetencë qeveritare, ndërsa bashkitë, do të jenë në dispozicion të firmës që do t’i jepet, për të përcaktuar “hartën” e vendosjes së ËC-ve, me qëllim që ato, të vendosen mbi pika shkarkimi ujërash të zeza, që të mos hapen kanalizime e të shqyhen trotuaret.

Sipas projektit, këto do to vendosen pranë intitucioneve qendrore e lokale, spitaleve, shkollave, terminaleve të transportit, tregjeve të hapur e qendrave tregtare, shesheve të qëndrimit të taksive, stadiumeve, stacioneve të autobusëve, shëtitoreve, pranë gjykatave e prokurorive, parqeve e këndeve të lojërave të fëmijëve, por dhe në rrugë e blloqe banimi të frekentuara.

Në plan biznesin e paraqitur, janë përcaktuar edhe çmimet e shërbimit, kundrejt pagesave që do të kenë miratimin e qeverisë, prej të cilave, është parashikuar që shteti të “hajë” vetëm 15% të të ardhurave dhe për afatin 40-veçar të rimbursojë aktivitetin privat, me 300 milionë euro në total për bashkitë.

Këtë PPP e kanë kërkuar dy oligarke të njohura, të lidhura në shumë “punë” me kryeministrin, të cilat para pak ditësh, kanë paraqitur në parlament një projekt ligj, për krijim tregu monopol të shitjes së cigareve me pakicë, njëra si importuese e distributor shumice, ndërsa tjetra, si shitëse pakice në kioskat monopol, dhënë nga Edi Rama në Tiranë e qytete të mëdha.

Fakti që po vonohet firmosja dhe shpallja e këtij koncesioni, me vlerë 300 milionë euro nga taksat publike, lidhet me mëdyshjen e kryeministrit, për të vendosur se cilës oligarke do t’ia jap këtë biznes fitim-prurës, që prodhom “mal” me miliona, me afat sa mosha e ministres Balluku.

“Pamfleti”

Skandal! Ministria dërgon të rinj gjoja si sportistë në Angli duke u marrë nga 11 mijë euro

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një emigrant në Angli, I cili shkruan se, Ministria e Arsimit, duke bërë falsifikime dërgon të rinj shqiptarë si sportistë në Angli duke u marrë nga 7 mijë – 11 mijë euro për person dhe i dërgojnë si sportistë.

Postimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha
Denoncohet Ministria e Arsimit për trafik të qënieve njerëzore kundrejt 7-11 mijë eurove në Angli! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital.

I nderuar Doktor!
Unë që po të shkruaj këtë sms, shkruaj nga Anglia. Po tmerr dhe skandali me i madh i qeverisë dhe i Ministrisë së Arsimit se si trafikojnë të rinjtë shqiptarë nga mosha 18- 25 vjeç.

Duke bërë falsifikime dhe duke dërguar të rinjtë shqiptar si sportistë në Angli dhe duke u marrë nga 7 mijë – 11 mijë euro për person dhe i dërgojnë si sportistë, z. Berisha.

Veç mjafton të hapni sistemin TIMS se sa të rinj kanë ikur si sportistë e nuk janë kthyee. Kjo është ndrikulla ministre dhe tani këto gjëra po i bëjnë këta të sportit.
Respekte z. Berisha!

Debati i plotë: Lleshi: Hajde flasim, studentët: Turp! Turp! Turp!…Ti flet me gaz!

Gjatë një vizite të shpejtë që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi bëri ditën e sotme në qytetin e Durrësit është pritur nga dhjetëra studentë, të cilët e kanë fishkëllyer dhe e kanë quajtur: Turp.

Studenti: Për çfarë keni ardhur këtu? Juve s’ju takon me ardh në asnjë vend të Shqipërisë. Jeni një qeveri ilegjitime. Vini këtu dhe e marrim vesh një orë përpara që vjen ministri. Vini, a thua sikur është duke ardhur Kryetari i Shërbimit Sekret.

Lleshi: Ju e caktoni se ku vij unë e ku s’vij unë?

Studenti: Nuk e caktoj unë. Ne duhet ta dime.

Lleshi: Kush jeni ju?

Studenti: Urdhëro?

Lleshi: Kush jeni ju?

Studenti: Unë jam Ndrec Mjedi, qytetari i këtij vendi, që ti më ke helmu mu. Je ministri i Brendshëm. Na ke helmuar me gaz.

Studentët në kor: Turp! Turp! Turp!…

Lleshi: Nëse do të komunikosh, hajde komuniko…

Studenti: Kemi komunikuar aty në shesh dhe na dhatë lëndë kimike. Po sot çfarë do bëni. Na thoni… hë…? Do na arrestojnë këta shoqëruesit tuaj? Hë…
Pas kësaj Lleshi largohet…

Ministri Lleshaj përplaset me studentët e Universitetit të Durrësit

Ministri Lleshaj përplaset me studentët e Universitetit të DurrësitPër më shumë lexoni në: http://www.oranews.tv/article/lleshaj-perplaset-me-studentet-ne-universitetin-e-durresit

Gepostet von Ora News am Dienstag, 19. März 2019