29.5 C
Tirana
E martë, 17 Qershor, 2025

Ka ardhur koha që t’i japim fund stabilitetit të krimit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një takim me qytetarët e Shkodrës tha se, ka ardhur koha për të shkundur krimin dhe korrupsionin dhe vendin e tij ta zërë ëndrra për një Shqipëri europiane.
Ajo pohoi nga qyteti verior se djegia e mandateve nga opozita ishte një vendim ekstrem, ndërsa tha se kjo ishte rruga e vetme për t’u përballur me një qeveri e cila ka lidhur fatet e saj me krimin.

Kryemadhi theksoi se, qytetarët sot ndihen të revoltuar pasi sistemi dhe qeverisja nga Rama ka krijuar standarde të dyfishta.

Kryemadhi ishte në të njëjtën ‘gjatësi vale’ me liderin e PD-së, Luzim Bashën teksa nënvizoi se opozita e bashkuar do të vijojë protestat jo vetëm në Tiranë, por shtrirja e tyre do të jetë në gjithë vendin.
“Protesta jo vetëm në Tiranë, pro në çdo qytet të Shqipërisë. Ka dy lloj politikanësh: Një lloj që lidhet vetëm me karrigen, ndërsa ka edhe të tjerë që djegin mandatin dhe bëhen bashkë për të përmbysur njëherë e mirë këtë krim.

Ne flasim për një polici të kapur nga krimi, flasim për një administratë e cila nuk ekziston. Ne sot përballemi me deklarata nga më të ndryshme, me fyerjet, por ne e kemi marrë vendimin për të qenë të thjeshtë si ju dhe për të aspiruar drejt Europës.

Kemi 30 vjet që vuajmë tranzicionin, vuajmë pasigurinë dhe vuajmë mungesën e shtetit. Sot është momenti i fundit ku institucionet duhet të jenë të ndara ku shëndetësia të jetë e barabartë mes të pasurit dhe të varfrit. Sot ndihemi të revoltuar, sepse qeveria drejton në formë të padrejtë në trajtimin e qytetarit në sistem. Në tre vitet e fundit janë larguar mbi 400 mijë shqiptarë. Ka ardhur koha që t’i japim fund stabilitetit të krimit, ka ardhur koha që të destabilizojmë këtë stabilitet. Ne nuk duam stabilitet për diktatorët e krimit, ne duam një të ardhme të ndritur dhe të begatë, ku shqiptarët të kenë arsim dhe shëndetësi të barabartë.

Nuk mund të vijojmë më me ilaçe të skaduara. Nuk mund të vazhdojmë me një qeveri, e cila në vend që të ndalojë kriminelin ndal viktimën. E dimë se vendimi i djegies së mandateve është një vendim ekstrem. Kapja e shtetit nga krimi e detyroi opozitën të hiqte dorë nga mandati. Mandatet e LSI nuk janë mandatet tona, por të njerëzve që besuan tek vlera dhe programi i LSI, sepse ne kemi treguar se dimë t’i mbajmë njerëzit dhe ne iu japim shansin atyre për të krijuar mundësi edhe për njerëz të tjerë”, tha Kryemadhi.

Festa e Shën Jozefit/ Promovim i produkteve vendasve dhe nxitje turizmit në Lezhë

Festat tradicionale janë parë si një mundësi për promovimin e produkteve vendasve dhe nxitjen e turizmit në Lezhë. E tillë ishte edhe festa e Shën Jozefit, një festë tradicionale që kremtohet prej shumë kohësh në Gjadër të Lezhës.

Panairi i traditës, artizanatit, prodhimet bujqësore dhe gatimet e zonës prezantuan vlerat më të mira zadrimore në një aktivitet të organizuar me këtë rast. Nuk munguan as veshjet tradicionale dhe lojërat popullore që u sollën nga nxënësit e shkollës “Gjovalin Gjadri”.

Muzika e bukur e krahinës së Zadrimës mori vëmendje maksimale. Në këtë mënyrë synohet edhe ripërtëritja e një tradite që vazhdon të tërheqë jo pak vëmendje edhe sot.
Festës i janë bashkuar edhe emigrantë të ardhur enkas për të festuar me familjet e tyre. Ata i vlerësojnë iniciativa të tilla si një domosdoshmëri për t’i dhënë fshatit edhe më shumë gjallëri.

Përmes festave tradicionale që janë të shpërndara kryesisht në zonat rurale, bashkia e Lezhës synon të nxisë turizmin përgjatë 12 muajve të vitit.

Boeing, FAA dhe pse janë rrëzuar dy avionët 737 MAX-8

Të dielën e kaluar një fluturim i Ethiopian Airlines është rrëzuar, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord. 5 muaj më parë, një xhet indonezian i kompanisë ajrore Lion Air ishte përplasur në afërsi të Xhakartës. Të dy avionët qenë Boeing 737-8 MAX. Të dy incidentët kanë ndodhur menjëherë pas ngritjes.

Avionët Boeing 737 MAX momentalisht mbahen në tokë kudo, përveçse në Shtetet e Bashkuara. Që kjo masë është marrë vetëm tani, është një gjë vërtet e trishtuar. Pas incidentit të parë ishte tashmë e qartë se avioni nuk kishte garancitë e nevojshme për të fluturuar.

Boeing 737 dhe Airbus 320 janë avionë me një korridor të vetëm me rreth 150 vende. Këto dy tipe avionësh janë “kuaj goditës” të kompanive të ndryshme, janë shitur me qindra dhe me një përfitim të mirë. Në vitin 2010, Airbus kishte vendosur që ta ofronte A-320 e tij me një motor të një tipi të ri, të mbiquajtur New Engine Option (NEO), që përdor më pak karburant.

Për t’ju kundërpërgjigjur lëvizjes së Airbus, Boeing i është dashur të bëjë të njëjtën gjë. Edhe 737 do të duhej të kishte motorë të rinj për të siguruar një fluturim më efiçent dhe një rreze operative më të madhe.

Motorët e rinj e 737 MAX janë më të mëdhenj dhe është dashur të pozicionohen në mënyrë pak më të ndryshme karshi versionit të mëparshëm. Kjo i ka ndryshuar karakteristikat fluturuese të avionit, duke i dhënë një tendencë të caktuar ngritjeje.

Kjo karakteristikë e re fluturuese e 737 MAX do të duhej të kërkonte një rikualifikim të pilotëve, për përgjegjësit e marketingut të Boeing u kanë thënë gjithmonë klientëve të tyre se 737 MAX nuk kishte nevojë për një stërvitje të re dhe të plotë.

Në vend të seancave të kushtueshme në simulatorin e fluturimit për t’u mësuar me këtë tip të ri avioni, pilotët e aftësuar me 737 do të duhej të lexonin vetëm dokumentacionin teknik lidhur me ndryshimet midis tipit të vjetër dhe tipit të ri. Për ta bërë gjënë të zbatueshme, inxhinierët e Boeing kanë përdorur një truk të vogël.

Kanë shtuar një “sistem fuqizimi të karakteristikave të manovrës” (MCAS) që e ul hundën e avionit nëse një sensor zbulon një kënd sulmues tepër të lartë (AoA) që mund të çojë në një ngërç. Kjo i ka bërë karakteristikat fluturuese e versionit të ri të 737 të ngjashme me ato të modelit të vjetër. Por inxhinierët kanë bërë një budallallëk.

737 MAX ka dy kompjuterë për kontrollin e fluturimit. Secili është i lidhur vetëm me njërin prej dy sensorëve që lidhin dhe lexojnë këndin e sulmit. Gjatë fluturimit, vetëm një prej dy kompjuterëve ndjek kontrollin MCAS. Nëse lexon një kënd sulmi shumë të lartë, zbret për poshtë stabilizatorin horizontal për rreth 10 sekonda.

Pastaj lë të kalojnë 5 sekonda dhe lexon sërish të dhënat e sensorit. Nëqoftëse ku vazhdon të tregojë një kënd sulmi tepër të lartë, MCAS e urdhëron sërish stabilizatorin që ta ulë hundën e avionit. MCAS është i pavarur nga piloti automatik. Është aktiv edhe gjatë fluturimit manual.

Ka një procedurë për ta çaktivizuar, por që kërkon kohë. Një prej sensorëce të këndit të sulmit në fluturimin indonezian ishte difektoz. Fatkeqësisht, ishte pikërisht ai i lidhur me kompjuterin që menaxhonte MCAS gjatë atij fluturimi. Pak kohë pas ngritjes, sensori kishte sinjalizuar një kënd sulmi tepër të lartë, edhe pse avioni po merrte kuotë në mënyrë të rregullt. MCAS ishte aktivizuar dhe e kishte ulur hundën e avionit.

Pilotët kishin raguar duke çaftësuar autopilotin dhe tërhequr prapa marshin komandues. MCAS ishte aktivizuar sërish, duke e dërguar avionin më tej në pikiatë. Kjo kishte ndodhur 12 herë, përpara se avioni të rrëzohej në det.

Realizimi i një automatizmi të rëndësishëm për sigurinë që varet nga një sensor i vetëm është një projektim jashtëzakonisht skadent. Edhe të kesh një automatizim për kontrollin e fluturimit që mbetet aktiv edhe kur piloti fluturon në mënyrë manuale është një zgjedhje e keqe.

Por gjesti i vërtetë kriminal ka qenë fakti që Boeing e ka mbajtur të fshehtë këtë karakteristikë. As kompanitë ajrore që kanë blerë avionët, as pilotët që i kishin përdorur nuk qenë informuar për MCAS. Nuk dinin për ekzistencën e tij.

Nuk ishin në dijeni të një sistemi automatik që kontrollonte stabilizatorët edhe kur autopiloti ishte çaktivizuar. Nuk kishin as idenë sesi mund të çaktivizohej. 9 ditë pas fluturimi indonezian i Lion Air 610 kishte përfunduar me një incident vdekjeprurës, Federal Aviation Administration (FAA) kishte emetuar një Emergency Airworthiness Directive.

Pilotët që fluturonin në 737 MAX kishin mbetur pa fjalë. APA-ja, sindikata e pilotëve, i kishte dërguar një letër anëtarëve të saj: “Ky është përshkrimi i parë që ju, si pilotë të 737, keni parë ndonjëherë. Nuk është as në manualin fluturues AA 737 Pjesa e 2, as nuk ekziston një përshkrim në Boeing FCOM (Manual Operativ për Ekuipazhin)”, pohon letrën e Komitetit të Sigurisë të sindikatës. “Vetëdija është gjëja themelore për të gjitha problemet e lidhura me sigurinë”.

Avioni i Ethiopian Airlines që është përplasur ka rënë me një profil fluturimi të ngjashëm me atë të avionit indonezian. Ka shumë të ngjarë që MCAS është shkaku i të dy incidentëve. Edhe pse pilotët e avionit etiopian qenë në dijeni të sistemit MCAS, mund të kenë pasur shumë pak kohë për ta çaktivizuar.

Regjistruesit e fluturimit janë rikuperuar dhe do të na tregojnë historinë e plotë. Boeing ka shitur rreth 5000 avionë 737 MAX. Deri më tani janë dorëzuar 340. Pjesa më e madhe e tyre tani mbahen në tokë. Disa familjarë të të vdekurve në fluturimin indonezian po e padisin Boeing. Të tjerë do të pasojnë.

Por Boeing nuk është fajtori i vetëm. FAA-ja certifikon të gjithë avionët e rinj dhe dokumentacionin e tyre. Kam qenë për pak pjesërisht i përfshirë në problemet e certifikimit të Airbus. Është një proces jashtëzakonisht i detajuar, që duhet të ndiqet fjalë për fjalë.

Për të certifikuar një avion modern impenjohen me kohë të plotë qindra njerëz. Çdo vidë e vockël, por edhe detajet më të vogla e projektimit të hardware e të software duhet të dokumentohen e certifikohen. Si apo pse FAA-ja ia ka dhënë autorizimin e fluturimit 737 MAX me MCAS e projektuar keq? Si ka mundur FAA-ja të lejojë që MCAS të përjashtohej nga dokumentacioni zyrtar? Cilat qenë masat e marra pasi fluturimi indonezian ishte rrëzuar në det?

Deri më tani, FAA-ja ka qenë një agjenci certifikimi shumë e kuotuar. Vende të ndryshme kanë ndjekur vendimet e saj dhe i kanë pranuar certifikimet e lëshuara prej saj. Fakti që pjesa më e madhe e vendeve po i mban në tokë avionët 737 MAX, ndërkohë që fluturojnë akoma në Shtetet e Bashkuara, është një sinjal se ky vlerësim po ndryshon.

Certifkimet e FAA-së për avionët e Boeing tani vihen në dyshim. Sot kuotimet në bursë e aksioneve Boeing kanë rënë me 7.5%. Dyshoj se kjo rënie është tejet emblematike për problemet aktuale të përgjegjësisë të kompanisë. Tani çdo kompani ajrore që është detyruar të mbajë në tokë avionët e saj do të kërkojë dëmshpërblim.

Më shumë se 330 persona kanë vdekur dhe familjet e tyre meritojnë dëmshpërblim. Porositë për avionët 737 MAX do të anullohen sepse pasagjerët do ta shmangin këtë lloj avioni. Boeing do ta zgjidhë problemin e MCAS duke përdorur më shumë sensorë ose duke modifikuar gjithsesi procedurat.

Por problemi më i madh për industrinë aeronautike e Shteteve të Bashkuara mund të jetë dëmi i shkaktuar reputacionit të FAA-së. Nëqoftëse kjo e fundit është parë ndërkombëtarisht si një agjenci detyra e së cilës është ajo e favorizimit të kompanive ajrore amerikane, nuk do të jetë më e besueshme dhe sektori do ta ndjejë pasojën.

Do të duhet të menaxhojë proceset e ardhshme të certifikimit nëpërmjet një xhungle agjencishë të huaja. Kongresit do t’i duhet të merret me problemin e FAA-së dhe të investigojë për pse-në e dështimit të saj.
(nga Moon of Alabama)
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Dosja sekerete e Aleksandër Kondos, dy atentatet në SHBA dhe spiuni i sigurimit me kodin 6110 që e ndiqte

Është një nga ngjarjet më misterioze që kanë shënjuar fatin e një sportsiti. Madje një kampioni të paduskutueshëm siç ishte peshëngritësi Aleksandër Kondo. Një emër i madh dhe i paharruar i sportit, jo vetëm për familjen por edhe ata që e njohën siç edhe për ata që dëgjuan për të.

Në vitin e largët 1985, 5 vite para shembjes së komunizmit, ai u arratis në ish- Jugosllavi, për të vazhduar më pas në SHBA. Pikërisht në këtë vend, duket se fshihet e verteta për fatin e Aleksandër Kondos, i cili në rrethana misterioze ndërroi jetë dy vite pasi ishte larguar nga Shqipëria.

U aksidentua apo e vranë në Nju Jork? Vdekja e legjendës se peshëngritjes shqiptare, Aleksandër Kondo, vijon të jetë e mbuluar me mister, edhe sot pas më shumë se 3 dekadash. Në vitin 1985, ai shfrytëzoi kampionatin Europian të peshëngritjes në Poloni për t’u arratisur në ish-Jugosllavi, e më pas në Amerikë.

Por, ndërsa familjarët përpiqen që të gjejnë të vërtetën, Top Channel zbulon për herë të parë dhe ekskluzivisht dosjen e përndjekjes së tij nga Sigurimi i shtetit, para dhe pas arratisjes së bujshme.

Gazetari Endi Tufa ka siguruar dosjen me mbi 100 faqe nga informatorë të ndryshëm, brenda dhe jashtë vendit. Ajo është cilësuar si dosje e kategorisë më të lartë të shërbimit sekret, e klasifikuar si “2A”.

Në emisionin “Exclusive” në Top Channel, mbrëmjen e kësaj të diele patët mundësinë të mësoni anën e panjohur sesi spiunohej Aleksandër Kondo.

“Në qytetin e Titogradit, nga verifikimet e bisedat e bëra deri tani, në përgjithësi në ambiente, lokale tregtie, hotele dhe në stacionin hekurudhor të trenit për mallrat, del se ngjarja e ndodhur nuk është mësuar nga qytetarë dhe punëtorë jugosllavë. Më datën 2.6.1985 spedicioneri i “Jugospetit” në stacionin e trenit të mallrave, midis të tjerave tha: “Më datë 1.6.1985, vëllai im (oficer i UDB-së me punë në Titograd) më tregoi se ditë më parë në Titograd janë zhdukur dy sportistët shqiptarë që vinin nga Polonia.

Ekzistojnë rrethana të tilla që Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi të jenë larguar nga grupi, duke realizuar kështu arratisjen e tyre gjatë kthimit për në Atdhe”.

Regjimi komunist e pati konsideruar sportin dhe edukimin fizik të shqiptarëve si një nga shtyllat, ku duhet të mbështeste fort ideologjinë dhe pushtetin e tij. Sportistët, duke qenë se kishin mundësinë për të udhëtuar jashtë vendit, ishin pikërisht ndër figurat më të ndjekura për kontrolle nga Sigurimi, policia sekrete komuniste e regjimit të Enver Hoxhës.

Shumë prej tyre thurnin plane arratisje prej vendit ku jetonin. Pothuaj të gjithë, pa përjashtim, e ëndërronin, por pak prej tyre ia dilnin. Një ndër ata të paktët ishte edhe Aleksandër Kondo, djaloshi nga Tirana i rritur në një familje ushtarakësh. Ai e kishte të qartë fatin e tij.

Shumë shpejt Aleksandri kuptoi që regjimi i kohës nuk kishte asgjë të mirë, si për njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe për sportistët e nivelit të tij, që as me trajtime ushqimore nuk përballoheshin. Por ç’thuhet nga informatorët në dokument për mënyrën e arratisjes?

“Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, ditën e arratisjes kanë shkuar me një taksi të Tirogradit në Berane të Ivangradit, ku njëri prej tyre ka njerëzit e tij. Meqenëse nuk kanë pasur parà për të paguar, taksisti i ka dorëzuar në UDB-në e Ivangradit. Tani të dy sportistët ndodhen në Beograd në hotel ‘1000 Ruzha’ dhe presin të shkojnë diku në Perëndim”.

Ky ishte vetëm fillimi i vuajtjeve për shefin e Shtabit të Gardës së Republikës, Vangjel Kondon. Ngjarja kishte pasoja që ai, më mirë se kushdo tjetër i dinte, thjesht priste momentin.

Aleksandër Kondo ishte subjekt përgjimi dhe vëzhgimi nga Sigurimi i shtetit që nga viti 1981, disa vite përpara arratisjes, megjithatë kjo nuk e pengoi që të fillonte punë në Policinë e Shtetit në vitin 1982. Por në një nga udhëtimet e tij jashtë, në Kampionatin Ballkanik në Rumani, solli dyshime të mëdha për shfaqet jokorrekte të kohës. Në raport thuhet se Aleksandri u tregonte shokëve dhe kolegëve të tij se kishte blerë disa veshje atje, duke theksuar se pavarësisht se nuk i kishin dalë paratë, ai i kishte plotësuar shjpenzimet me 200 lei nga një sportist bullgar dhe nga një përkthyes shqiptar.

I pyetur për këtë çështje, peshëngritësi tjetër, shok i Aleksandër Kondos, Mirjan Hakani deklaron:
“Dietën e kishim të vogël për të marrë aq shumë gjëra dhe sesi i ka marrë Aleksandri nuk di gjë, por di vetëm një gjë, që shokët e Ambasadës na porositën të mos shoqëroheshim me përkthyesin, i cili e kishte emrin Ilia dhe s’ma merr mendja që Ilia t’i ketë dhënë parà atij”.

Intervista e SHIK-ut
Më datë 6.6.1985 së bashku me Ili Robjan, shkuam në orën 10:00, në zyrën e Komisariatit të Lartë të OKB për refugjatët ku u pritëm nga Zhivojin Bulat, shef i kësaj zyre, Slivije Kranjovic zëvendësshef, si tha vetë sepse nuk dha kartëvizitë. Të dy me shtetësi jugosllave.

Bajram Haliti sic u prezantua, politolog i diplomuar, përkthyes dhe një grua punonjëse teknike jugosllave. Porsa filluam të këmbenim kartëvizitat me ta unë po i thoja shefit të zyrës për të biseduar me të, ata sollën qytetarët Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi.

“Më falni, nuk ua jap dorën kot që u çuat në këmbë. Bile keni bërë gabim që keni ardhur këtu, sepse ne kemi ikur vetë dhe nuk na ka rrëmbyer njeri, siç doni ta paraqitni ju. Të ishte për neve nuk do të kishim ardhur, por çfarë t’u bëjmë këtyre që na thirrën”.
Ne i thamë uluni, ne e ndiejmë shqetësimin dhe nervozizmin tuaj, por na thoni si ju ndodhi, sepse është shqetësuar e gjithë familja, shoqëria, shteti ynë, gjithë kolektivi juaj i sportistëve, të cilët ju presin në gjirin e vet për të vazhduar jetën normale. Në këtë kohë Aleksandri tha “Nuk dua të bisedoj fare me juve. Nuk kemi punë me këta”.

Ne i ftuam me gjakftohtësi që të uleshin duke i vënë në dukje gjendjen jo të mirë shpirtërore, të cilën ne e kuptojmë shumë mirë dhe ajo nuk duhet të bëhet shkak për një sjellje të tillë. Pavarësisht nga rrethanat që u ka ndodhur dhe si ju ka ndodhur, do të ishte mirë që të na tregonit atë që ngjau me ju. Hë more Xhelal si ju ndodhi. Aty ndërhyri sërish Aleksandri, i cili tha lërë se u përgjigjem unë këyre:

“Nëse doni të dini, unë jam djali i shefit të Shtabit të Gardës dhe për shkakun tim se mora dy revista në Spanjë, atë e ulën nga përgjegjësia. Megjithatë njerëzit e dinë se ne jetojmë mirë. Por ju duhet të dini se ne, për javë të tëra nuk kemi pasur bukë në shtëpi. Merreni me mënd si jetojnë të tjerët. Ju flisni kështu se jetoni jashtë dhe i keni ca plaçka. Nuk e din si jeton populli në Shqipëri, të cilin e ka çuar regjimi i Enver Hoxhës në këtë gjendje. Unë e realizova qëllimin tim. Do të iki në fund të botës dhe do të jem kundërshtar deri në fund i atij vendi”.

Aleksandri më pas tha se unë dhe shoku im nuk do të përgjigjen e nuk do të japin asnjë hollësi.
“Ne e dimë se çfarë na gjen po të kthehemim, por edhe po të jetë kështu si thoni ju, ne nuk e duam atë jetë. A e di ti që unë nuk përgjigjem fare dhe do më lësh rehat tani, apo të veproj ndryshe e të të qëlloj me filxhan”.

Ne i thamë se në këtë gjendje që jeni edhe këtë gjë mund ta bëni dhe ne nuk do të kundërpërgjigjemi, sepse e kuptojmë gjendjen tuaj, pavarësisht se jem këtu si përfaqësues shteti. Ne nuk jemi marrë me persona të tjerë, e jo më me ju që nuk ju bëjmë fajtor. Këtu ndërhyri shefi i zyrës i cili thotë “Këtu jam unë dhe për mua ligj është fjala juaj”, tha ai duke ju drejtuar shtetasve tanë dhe duke ja përsëritur disa herë këtë fjali.

Më pas na u kthye neve: “Ju e shikoni se këta nuk duan të bisedojnë me ju. Një njeri i ndërgjegjshëm për aktin që kryen, nuk ka pse të mos thotë ndodhinë si ka rrjedhur, ju e kuptoni fare mirë këtë”. Më pas shefi i zënë ngushtë shtoi se “ne jemi organ humanitar i OKB-së”.

Mbërritja në Amerikë është një nga diskutimet më të mëdha që edhe vet informatorët e Sigurimit të Shtetit hasin në kontradikta të shumta. Gjithsesi, fillimi i vitit ’86 sjell edhe sinjalet e para të Aleksandër Kondos në Shtetet e Bashkuara. Tentativat e tij për të komunikuar me familjarët dhe miqtë nga Shqipëria rezultuan nul, Sigurimi i shtetit filtronte çdo gjë.

“Më datë 10.3.1986 i arratisuri Aleksandër Kondo dërgon një kartolinë me monumentin e “Lirisë” në SHBA, të cilën e ndalëm dhe është informuar udhëheqja e Ministrisë, ku është dhënë urdhër nga shoku Ministër që lidhjet e këtij të arratisuri të verifikohen shpejt dhe me kujdes”.

Burimet të ndryshme në Amerikë hedhin hije dyshimi për kohën e gjatë të qëndrimit të Aleksandër Kondos dhe Xhelal Sukniqit në Jugosllavi. Në një nga informacionet që vinte nga Nju Jorku, informatori thekson:

“Të dy kanë nënshkruar deklaratë bashkëpunimi me UDB-në. Në kohën që janë nisur për këtu ku jemi ne, ata janë porositur që të paraqiten në Konsullatën Jugosllave. Në prani të 7 personave Aleksandri ka thënë se ai vetë ka qenë dy herë në konsulltatën jugosllave dhe prej tyre në të dyja rastet ka marrë të holla”.

Në raportin e datës 2.4.1986, vet informatori thekson bashkëpunimin si dëshmitar të Kondos dhe Sukniqit me UDB për dy vëllezërit e arratisur nga Tropoja. Njëri prej të cilëve ndodhet në burg, ndërsa tjetri ende jo. Ata u akuzuan nga jugosllavët se janë dërguar nga Sigurimi i shtetit shqiptar për eliminimin e Aleksandër Kondos dhe Xhelal Sukniqit.

“Sipas tij (Aleksandër Kondos) për 7-8 vite do të ndryshojë sistemi në Shqipëri, sepse në pushtet do të vijnë të rinj liberalë. Këtë gjë mund ta bënte edhe udhëheqësi i ri (Ramiz Alia), por nuk e la gruaja e udhëheqësit që vdiq (Nexhmija) e cila ka të gjithë pushtetin në dorë. Por më të këqinj janë ata të Sigurimit, që nuk lenë njeri pa kontrolluar. Ka dëshirë të stabilizohet këtu dhe të gjejë punë në ndërtim, pasi është i fortë fizikisht dhe mund të fitojë parà. I vjen keq që humbi sportin. Kondo është shumë i shqetësuar për jetesën e vështirë këtu, por nuk shpreh asnjë pendesë për arratisjen. I vjen keq për familjen që i bëri dëm, por kjo punë mbaroi tani”.

Megjithatë, në raportet e shumta të informatorëve të ndryshëm të Sigurimit të shtetit theksohet gjithnjë e më tepër pakënaqësia e gjendjes së Aleksandër Kondos, i cili ishte vendosur të jetonte në Harlem të Nju Jorkut dhe punonte si roje në një lokal seksi, gjë që i sillte pak të ardhura.

Ndërkohë që veprimet e tij dhe shprehjet hapur kundër regjimit gjithnjë e më tepër po rrisnin presionin e Sigurimit. Në një plan të ri të masave në fund të vitit 1986, për 6-mujorin e vitit pasardhës 1987, vit ku edhe peshëngritësi shqiptar humbi jetën, u hartua një plan i ri agresiv masash. Mes të tjerave detyrat ishin të qarta:

“Sipas burimit ‘6402’, Fuat Myftia e Rasim Sina, janë shprehur se Aleksandër Kondo nuk ka pranuar të flasë për radion e Legalitetit, nga frika se mos u ndodh gjë njerëzve që ka këtu. Të shfrytëzohet kjo me qëllim, që nëpërmjet lidhjeve familjare, që Aleksandër Kondo ka këtu, pasi të studiohen, të shikohet mundësia e bërjes një letër presioni prej tyre.

Të studiohen kushtet dhe mundësitë, për të shfrytëzuar ndonjë rast të përshtatshëm që ti bëhet një telefonatë anonime për ta frikësuar. Nisur nga të dhënat që bëjnë fjalë për shprehje pakënaqësie nga ana e A. Kondos dhe Xhelal Sukniqit për gjendjen e keqe të jetesës dhe papunësinë, duhet të shfrytëzohet. Agjentura jonë që ka lidhje kontakti me këta të arratisur, të punojë për t’i shtuar dhe thelluar këto pakënaqësi. Mbi këtë bazë, duke shfrytëzuar të dhëna të tjera mbi veset negative dhe pikat e dobëta që dimë për ta, të përpunohet një letër anonime”.

Në raportin e datës 4 prill të viti 1987 thuhet se Aleksandër Kondo është aksidentuar nga një person anonim në datën 20 mars, duke i shpëtuar mrekullisht vdekjes. Sipas vet peshëngritësit shqiptar, siç raporton punonjësi i Sigurimit të shtetit me kodin ‘6110’, aksidenti ishte i rëndë, theu tre brinjë dhe pati një frakturë në qafë, por në spital qëndroi vetëm 3 ditë.

“Ai shprehu për herë të parë dyshimet se dikush po kërkonte ta vriste. Në autostradë një person i paidentifikuar ndaloi makinën përpara tij dhe më pas i dha me shpejtësi, por duke qenë se ka rënë pa ndjenja në tokë nuk ka mundur të japë informacione sesi ka qenë ky person”.

Rreth një muaj më pas, më 2 maj të vitit 1987, Aleksandër Kondo humb jetën. Buletinët informativë në Shtetet e Bashkuara njoftojnë që në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi shqiptar humbi jetën në një aksident automobilistik.

Në raportin e datës 15 maj të vitit 1987 shkruhet se kanë qenë dy persona, të cilët e kanë marrë, lëvizur nga padija Aleksandrin, duke e nxjerrë nga makina dhe duke e transportuar në një spital shumë larg, duke i shkaktuar kështu hemorragjinë që i solli humbjen e jetës.

E vetmja shpresë për shqiptarët është beteja e papërfunduar përmes protestave

Agustin M Mirakaj

Thirrjet poshtë komunizmi, në protestën para Konsullatës Shqiptare në Neë York, tregojnë qartë se nomeklatura e vjetër drejton me bijtë e saj qeverinë shqiptare, e cila po zhyt vendin në një kaos total. Nga njëra anë tregojnë se Shqipëria është baçe me lule dhe nga ana tjetër baçja po thahet se nuk ka ujë.

Tashmë sovrani është çuar në këmbë me protesta të përmasave të pa imagjinuara si kurrë më parë. Kryeministri Rama del ne media si dikur faqeziu Ramiz Alia. Bën të pafajshmin “SI NJË KUKULL CIRKU”, sulmon, ofendon, trillon, shantazhon shqiptarët, por harron një thënie te vjetër popullore që thot “fshati digjet e k… krihet”. Edi Rama s’tregon mungesë shqetësimi apo interes për dëshirat apo mendimet e Shqiptarëve.

Sot ti tiran sundues absolut i pakufizuar nga ligj dhe kushtetuta, një uzurpator i sovranitetit. Sundimtar që ushtron pushtet absolut. Tashmë i ngjan E.H., “largqoftit” me autoritet dhe pushtet. I portretizuar si mizor e sundues, i pakufizuar ke rrëmbyer pushtetin legjitim. Portretizim i Largqoftit Tirani mund të mbrojë qëndrimin e tij me mjete shtypëse.

Në 28 vite tranzicion Shqipëria po rrëshket në një humnerë të pa fund. Sinjali telefonik “ZËRI i LIRË” ndërpritet. Sot bandat dhe krimi i organizuar drejtojnë shtetin shqiptar. Të ashtuquajturit analistë, analizojnë dhe ç’analizojnë kryeministrin për bëmat e tij. Sa të mira dhe sa të keqija ka, sa i gjatë sa i shkurtër, kollare të kuqe apo kollare të bardhë, thanë të huajt kështu apo ashtu, e mbështesin apo e shfajësoin si njeriun e rënë nga qielli.

Kryeministri Rama, politikanët, analistët apo kukullat e cirkut, të kësaj kategorie shkatërrojnë çdo sekond Shqipërinë. E vetmja shpresë për Shqipërinë e për shqiptarët kudo që ata ndodhen i ka ngelur një betejë e pa mbaruar. Të çohen dhe ta rrëzojnë këtë sistem të marrë nga bandat me dhunë, me vota të blera të marrë padrejtesisht. “Edi Rama ik”. Politikanë keqbërës dhe keqdashës ikni. Koha tashmë është e shqiptarëve, e atyre që e duan Atdheun si një vend Perëndimor.

Protestat dhe revolta popullore nuk do të ndalen, të enjten rrethohet Parlamenti ilegjitim

Protestat dhe revolta popullore nuk do të ndalen. Vendimi ëhstë marrë dhe protesta tjetër e fortë e opozitës do të jetë me të enjten e 21 Marsit. Ajo çfarë pritet të ndodhë është një tjetër rrethim i Parlamentit ilegjitim.
Partia Demokratike do të organizojë ditën e enjte një protestë para parlamentit. Protesta do të nisë në orën 09:30 të mëngjesit.
‘Të nderuar! Pas diskutimeve në Kolegjin e Kryetarëve u vendos që protesta e radhës të jetë të enjten, në datën 21 mars 2019, ora 9:30, përpara Parlamentit’, ka qenë mesazhi i shpërndarë mbrëmjen e djeshme.
Edhe më herët krerët e opozitës kanë bërë të ditur se do të ketë protestë sa herë që parlamenti do të mblidhet.
Protestat e opozitës janë intensifikuar pas djegies së mandateve nga PD. Kërkesat e opozitës tashmë janë të qarta.
Kërkohen zgjedhje të parakohshme dhe krijimi i një qeverie tranzitore që do të bëjë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira. Protestat e opozitës janë shoqëruar me dhunë të ushtruar nga policia politike e Ramës , e cila ka hedhur ndaj protestuesve gaz helmues si dhe ka përdorur botet e ujit me solucion djegës për protestuesit.

“Barcelona me gjeniun Messi, favorit për Ligën e Kampionëve”

Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, i kaloi 15 vjet duke i shfaqur cilësitë e pabesueshme që i zotëron, ama prapëseprapë ai gjen mënyra të reja për t’i habitur njerëzit.
Paraqitja e tij në stadiumin Benito Villamarin kundër Real Betisit të dielën mbrëma ishte e jashtëzakonshme dhe pasi e kompletoi het-trikun me një parabolë mbi Pau Lopez nga cepi i zonës së rreptësisë, argjentinasi mori duartrokitje nga i tërë stadium.
Nuk tingëllon më si diçka e veçantë të thuash se Messi e shënoi një het-trik, pasi ai i ka regjistruar 51 sosh në karrierën e tij profesionale.
Pjesë e asaj që e bëri het-trikun e tij të veçantë kundër Betisit, megjithatë, ishte mënyra sesi ai e shënoi secilin gol ndryshe: gjë që tregon për aftësitë e shumta që kapiteni i Barcelonës i posedon.
37 ndeshje, 39 gola dhe 21 asiste – këto statistika të frikshme të 10-shit magjik të Barcelonës kanë shtyrë trajnerin e Tottenhamit, Mauricio Pochettino, të besojë se “Barça është favoriti numër një për të rrëmbyer trofeun e Champions League”.
“Nëse ka një favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve, është Barcelona”, tha trajneri i Spursave.
“Ata kanë skuadër me lojtarë të niveleve të larta, si Messi, i cili është gjeni dhe më i miri në botë”.
“Barcelona ka lojtarë të shkëlqyer, të jashtëzakonshëm dhe gjeniun, Messi, një tjetër edhe më ndryshe, i mrekullueshëm dhe unik”.
“Leo bën gjëra që askush nuk e pret, por ajo që vazhdon të më surprizojë më shumë, është vazhdimësia. Ai e ka bërë këtë për një kohë të gjatë, ço tri apo katër ditë në 11 ose 12 vitet e fundit”.
Në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Barcelona do të ketë punë me Manchester Unitedin, kurse Tottenhami i Pochettinos me Manchester Cityn.

Tifozët lusin Ronaldon të kthehet në Madrid

Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka vizituar Madridin dhe menjëherë ka hasur në tifozët e ish-skuadrës së tij, Reali.
Teksa inauguronte një klinikë të re bashkë me të dashurën Georgina Rodriguez, tifozët dëgjohen që i kërkojnë 34-vjeçarit që të kthehet në Madrid.
Ronaldo reagon vetëm duke bërë shenjën “ok”.
Në Madrid tashmë është kthyer Zinedine Zidane, duke i befasuar të gjithë, ndaj tifozët e Los Blancos vazhdojnë të shpresojnë që kjo mund të ndodhë edhe me Ronaldon.
Ronaldo u transferua gjatë verës së kaluar te Juventusi për 112 milionë euro.
Ai u largua nga “Santiago Bernabeu” pas nëntë sezoneve ku shënoi 450 gola në 438 paraqitje në të gjitha garat.
Ronaldo fitoi më shumë se 15 trofe, veçuar katër të UEFA Champions League.
CR7 po kalon një sezon të kënaqshëm te “Zonja e Vjetër”.
Pas het-trikut në Champions League kundër Atletico Madridit, ai ka shkuar në kuotën e 24 golave në 36 paraqitje.

Biznesi i fjalës, Shqipëria vazhdon të mbetet peng i njerëzve të vegjël e demagogëve

Erl KODRA

Puna me fjalën është një ndër zejet më të vështira. Kështu ka qenë, është dhe do të jetë. Zakonisht kohës i kanë mbijetuar ato fjalë që kanë lindur prej dashurisë për njeriun dhe të vertetën. Njerëzimi njeh si vlera të padiskutueshme ata mjeshtra që, pavarësisht kostove personale dhe jetës plot mungesa, arritën të ndriçojnë shoqërinë njerëzore. Kompromisi për një jetë më të mirë nuk ishte arsye e mjaftueshme për të mohuar të vertetën. Kjo është arsyeja kryesore e progresit njerëzor.
Diçka e tillë nuk ndodh me shoqërinë shqiptare. Me sa duket, Shqipëria vazhdon të mbetet peng i njerëzve të vegjël, demagogëve par exellence, që nuk kanë lidhje me dinjitetin njerëzor, parimet humane ose ndershmërinë njerëzore. Vlera të tilla duket sikur nuk konsiderohen fare, për më tepër, nëse tek ndonjëri ka mbetur ndonjë shenjë e vogël ndershmërie dhe dinjiteti, zaten pikërisht këta demagogë që sot merren me biznesin e fjalës, i mbysin me frymën e çartur të denigrimit.
Çfarë është kjo gjamë që e ka kapë për fyti shoqërinë tonë, që po e pengon të shohë ka’h e verteta? Si ka mundësi që mashtrimi, kurvëria, vjedhja, grabitja dhe vrasja të mos ndikojnë më mes nesh, por ato të shikohen si normalitet? Si është e mundur që ata që punojnë me fjalën, të mbajnë përbrenda ndërgjegjes së tyre të verteta llahtarë, ndërkohë që në publik artikulojnë të tjera fjalë, krejt të ndryshme nga llahtaria? Si mundet të kenë stomak aq të fortë, sa të legjitimojnë vjedhjen masive, krimin masiv, braktisjen masive dhe urinë e një populli të tërë? A nuk kanë shqisa njerëzore këta përbindësha?
Po shpjegohem më thjeshtë.
Formalisht, Shqipëria është një demokraci parlamentare, ku po formalisht, jetën politike e domonojnë “e majta” dhe e djathta (ju lutem vini re thonjëzat!). Po çfarë ndodh realisht?

“E majta shqiptare” ka 75 vjet në një agresion sistemik (të pandërprerë) kundër të djathtës shqiptare. Deri në vitin 1990 ishte Neni 55 i Kodit Penal që varroste për së gjalli fjalën e lirë nëpërmjet vrasjes, burgosjes së gjatë, punës së detyruar dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues të çdo zëri që mëtonte të thoshte ndonjë gjysëm të vertete. Këtë fat ka patur edhe autori i këtyre rradhëve.
Rrethanat e reja politike të “demokracisë parlamentare” ndryshuan qasjen e të “majtës” shqiptare. Në kushtet e reja ku formalisht fjala e lirë mbrohet nga Kushtetuta e Republikës, ndryshoi edhe strategjia. Biznesi i fjalës duhej ngritur në një dimension të ri, ku shkruesit do të rekrutoheshin në masë; në shërbim. Strategjia e re ishte kjo: media duhet të jetë gjithmonë “e majtë”, shkruesit po ashtu, duhet të mbrojnë “idetë e majta”, ndërsa çdo talent që mëton të merret me biznesin e fjalës duhet rekrutuar, ku të gjithë në bllok do të sulmojnë Partinë Demokratike. Pandërprerë, papushim, fort dhe brutalisht.
Kështu lindi, u rrit dhe u zhvillua ushtria më e madhe e mercenarëve të fjalës së lirë. Sot kjo ushtri duket gati e pathyeshme, me rekorde të pabesueshme të deformimit moral, ku kanë arritur të infiltrojnë konceptet më të pabesueshme të tjetërsimit. Këtu, përsëri duhet një shpjegim më i detajuar se për çfarë është fjala.
Relativizimi
Në fillim ata përdorin relativizimin. Domethënë; barazojnë diçka shumë të keqe, me diçka që nuk ka ndonjë të keqe. Sillen paksa si naivë, duke u përkundur mes një lloj paanësie të shtirur, sikur ua do profesioni të jenë të tillë, dhe këtë e bëjnë në emër të “standarteve të larta profesionale” që ata ndjekin. Kjo është karakteristikë kryesisht Blend Fevziut, fenomenit televiziv që dominon dhe përpunon opinionin publik shqiptar prej më shumë se 20 vitesh.

Blend Fevziu përkundet në atë lloj gazetarie që në dukje të parë rend pas zotërimit të audiencës, por në fakt nuk është ky qëllimi kryesor. Zotërimi i audiencës nuk ka karakter komercial, sepse Shqipëria nuk është një treg që sjell fitime nga komercializmi. Zotërimi i audiencës ka karakter të theksuar politik, sepse vetëm kështu përpunohet opinioni publik, sipas nevojave të pushtetit politik. Kjo është arsyeja kryesore pse gazetari Blend Fevziu shpërblehet me shuma të tilla sikur Shqipëria është një treg mediaik me 50 milion banorë. Tre reklama gjatë emisionit janë asgjë, janë një hiç.
Por ai ka edhe njëlloj profesionalizmi, më tepër të dhuruar se sa të merituar nga ata që kanë patur interesa të promovohen nga ai. Parimi se “nuk ka reklamë të keqe” në këtë rast vlen.
Blend Fevziu duket sikur mban njëlloj qëndrimi të veçantë; ai nuk ka një mendim të vetin. Përshembull, ai e konsideron normale shpërlarjen nga akuzat publike të prokurorisë të personazheve të krimit dhe të politikës, ku avokatët ftohen live të bëjnë mbrojtjen e tyre. Nuk bën asnjëherë pyetjen e duhur, por gjithmon bën pyetjen që e bllokon prekjen e temës tabu, ndërsa ndërhyn fort me shkopin e gjatë dhe ndërpret çdo ligjërim që mund të çojë në nxjerrjen e ndonjë fakti komprementues. Nuk i bëjnë përshtypje faktet, sado tronditëse të jenë, ndërsa skandalet parakalojnë njëri pas tjetrit në pasarelën e “Opinion”. Në këtë mënyrë, ndodh zhvlerësimi i çdo skandali sado i madh qoftë ai, duke relativizuar gjithçka ndodhë nga e hëna në të dielë, sistematikisht, prej 20 vitesh. Kështu, “Opinion”-i i Blend Fevziut e zhvlerëson fjalën e lirë si mision dhe qëllim fisnik.

Kështu ndodhë, sa kohë që fjala e lirë përfaqësohet nga Blend Fevziu.
Situata alarmante
Biznesi i fjalës në Shqipëri nuk ka kurrfarë lidhje me misionin fisnik. Kjo punë është kthyer në një punë të ndyrë dhe është shpërndarë në mediat më të rëndësishme të vendit. Duket se një dorë e zezë komandon nga platforma, ndërsa kinse gazetarë “të pavarur” me emër të madh luajn në kufinjtë e “llogjikës së lejueshme”. Domethënë; pas fakteve që provojnë skandalin, ata thonë; “okej, por kjo nuk do të thotë shumë, nuk është e mjaftueshme”. Asnjëherë skandali nuk është mjaftueshmërisht i madh, pavarësisht se personazhi kryesor i skandaleve sistemike është lideri i “majtë”, Kryeministri Edi Rama. Se çfarë duhet të mjaftojë, ata nuk e përkufizojnë kurrë. Se harrova, ata i kanë dhënë vetes të drejtën që të definojnë cilësorët e skandaleve të tilla. Për shembull, për ata nuk ka ndonjë problem të madh blerja masive e votave nga Kryeministri Edi Rama, sepse kjo sipas tyre “nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve”. Ama, asnjëri nuk e thotë se pse i bleu votat Edi Rama nëse ato nuk do të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve. Për më shumë, ata nuk e konsiderojnë asnjëherë faktin se Kryeministri Edi Rama është ideatori, përgjegjësi dhe zbatuesi i skandaleve kriminale që kanë mbërthyer vendin.
Biznesi i fjalës është kthyer në një biznes me fitime të mëdha për ata që e praktikojnë. Çdonjëri prej tyre ka një histori intriguese personale se si ka shërbyer gjatë karrierës fantastike. Personazhet mediatik të përditshëm dhe të përnatshëm tashmë kanë pushtuar gjithçka që lëvizë në ekrane, gazeta dhe portale. Për ata, Kryeministri Edi Rama gjithmon ka të drejtë. Ndërsa Opozita është armike e Shqipërisë, është deskrutive, hedh baltë, nuk ka frymë, nuk ka program.

Ata nuk e dallojnë fare gjendjen ku jemi; madje as nuk denjojnë ta dëgjojnë faktin se shqiptarët në shumicë janë në zgrip të ekzistencës, nuk duan t’ia dinë se Shqipëria është në duart e një njeriu që po e përdorë pamëshirë si plaçkë lufte, në kushtet kur jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një Parlament pa opozitë në duart e Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit, që po e çojnë vendin drejt një Lufte Civile.
Më sipër unë përmenda emrin e një gazetari emblemë si një biznesmen i fjalës; Blend Fevziut, si përfaqësuesi më tipik i species. Në të vertetë ata janë shumë, të shumtë dhe të mirë organizuar, të gjithë në shërbim të një njeriu; Kryeministrit Edi Rama. Emrat e tyre ju i njihni shumë mirë.
Po ashtu, ju i njihni edhe “standartet e larta” të gazetarisë së tyre, që nuk shohin asnjë të keqe tek Kryeministri Edi Rama, asnjë problem tek shoqëria shqiptare, nuk shohin varfërinë, mjerimin, braktisjen e vendit; nuk shohin grabitjen e hapur të Buxhetit të Shtetit dhe ndarjen e tij si plackë lufte.
Mbi të gjitha, asnjëherë nuk u ka bërë përshtypje fakti se Sherbimi Informativ i Shtetit ka raportuar periodikisht tek Kryeministri Edi Rama situatën e Sigurisë në vend, përfshirë edhe emrat e mbi 100 zyrtarëve më të lartë të Policisë së Shtetit si kultivues dhe trafikantë droge, ndërkohë, Kryeministri Edi Rama e mohonte faktin, e injoronte faktin, dhe mbronte një Ministër të Brendshëm të përfshirë direkt në trafikun ndërkombëtarë të drogës.
Ajme, këta biznesmen të fjalës nuk merren me gjëra të tilla. Për ata fakti nuk është i tillë sa kohë që ai nuk konsiderohet nga vetë ata.

Puna është se “biznesi i fjalës” nuk është diçka e zakonshme, njësoj si bizneset e tjera. Zakonisht, të shesësh sapunin për djathë është një punë e pisët; por të shesësh shkatërrimin e vendit si “shtetformim” është më shumë se punë e pisët. Se çfarë emri mund t’i vëmë këtij biznesi, mbetet për t’u parë.
Por diçka është e sigurtë; pavarësisht agresionit sistemik të “gazetarëve” të tillë, shqiptarët e kanë tejkaluar retorikën e tyre. Me sa duket, sistemi imunitar i vetëdijes njerëzore, ka prodhuar anticorpet për t’i mbijetuar propagandës më të ndyrë mediatike që është parë ndonjëherë mbi dhe.
Biznesmenët e fjalës po dalin nga tregu, propaganda e tyre nuk ka më efekt. Fakti është se “Opinion”-i i Fevziut mund të lustrojë dhe justifikojë realitetin virtual të Edi Ramës, por nuk mundet të mbushë humnerën në krye të shtetit, as tavolinat bosh në shtëpitë e qytetarëve.
“Faktet nuk pushojnë së ekzistuari për shkak se ato injorohen.” ka thënë Aldous Huxley
Shënim:
Partia Demokratike duhet të jetojë, por edhe të përçojë idetë, programin politik dhe ekonomik nëpërmjet kësaj lloj gazetarie armike dhe në shërbim. Këto janë kushte të mirëfillta mbijetese, që me sa duket po funksionojnë, siç ndodhë zakonisht me mrekullitë njerëzore.

Reagimi i fortë i Dylgjerit pasi Rama e pushoi nga puna: “Të fala Anilës, paçi fat në”…

Një ditë pas shkarkimit të tij nga puna si specialist në Agjensinë e Trajtimit të Koncensioneve, nën varësinë e ministrisë së Financave, Ylli Dylgjeri ka bërë një tjetër reagim në rrjetet sociale.

Dylgjeri ka një mesazh dhe për “stafin ekzekutiv të urdhërit”, të cilët i cilëson si matrioshka ruse. Ai ka dhe një mesazh për ministren Anila Denaj të cilës i dërgon të fala.

Reagimi i Dylgjerit
Stafit ekzekutiv të Urdhërit
…Kam edhe një falenderim për Komisionin e Disiplinës që morri Vendim për pushimin tim nga puna, e veçanërisht për Ju Geraldinë :
Meqë u sollët si matrioshkat ruse, ku njëra hyn te tjetra, Ju falenderoj për kontributin që dhatë për shkarkimin tim nga detyra.

Paçi fat në zbatimin e ligjit!
Të fala dhe Anilës
Ylli Dylgjeri

Dylgjeri u shkarkua nga puna pas një ironie që ka bërë në rrjetet sociale, ku me anë të një vjershe komenton lapsusin e të ngarkuarit në detyrën e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë recitimit të një poezi të Naim Frashërit në Samitin e 2 të Diasporës.

“Vargje nga Samiti i Diasporës 2019
Atje ku lind Dielli,
Atje ku të pjell edhe gjeli,
Atje ku të shpëton kaka,
Atje reciton Gent Caka…”, ka shkruar Ylli Dylgjeri përpara pak ditësh në rrjetet sociale, vjershë e cila i ka kushtuar me sa duket edhe vendin e punës.

I pyetur nga gazetarët Dylgjeri tha dje:
“Kakën bëra dhe më pushuan. Po të kisha dhjerë çdo ndodhte. Do vijoj të bëj humor me miqtë e mi. Shto edhe një fjali: kakën e bëjnë të gjithë krahët politike! Nuk e kuptoj se pse unë jam i njëanshëm?!! Për më tepër që e bera kur isha me leje të zakonshme, që të mos harxhoja kohën e orarit Zyrtar“.