Nënkryetari i PD, Edi Paloka kujton 20 Shkurtin e vitit ‘91, teksa vetë ka qenë në grevë urie. Në një shënim në faqen e tij në Facebook, Paloka shkruan ndër të tjera se, mllefi i qytetarëve ndaj Hoxhës ka qenë shumë i madh, ndërsa ka vendosur që bustin e ish-diktatorit të zëvendësojë në foto me Edi Ramën.
Paloka aludon për fundin e Edi Ramës, pasi nesër pritet një tjetër protestë e opozitës, që ka nisur dhe aksionin për djegien e mandateve parlamentare.
Postimi i plotë i Palokës
Me 20 shkurt 1991, pasi qytetaret e Tiranes rrezuan bustin e diktatorit, ne dolem nga greva e urise. Sa kishte filluar te erresohej. Pas tre ditesh ne greve doja te shkoja sa me pare ne shtepi, por nuk me ikej pa bere nje foto me koken e diktatorit qe qytetaret e Tiranes e sollen tek ne pasi e terhoqen zvarre qe nga sheshi. Ne fakt gjeta vetem disa copa nga bronxi qe deri ate dite ngrihej me arrogance ne mes te kryeqytetit si monumenti i diktatorit.
Copat e bronxit ishin shtypur nga goditjet qe duket se i kishin dhene njerzit dhe… qelbeshin era shurre. Duket se urrejtja e grumbulluar e shqiptareve ishte zbrazur mire; nuk ishin mjaftuar as me rrezimin, as me terheqjen zvarre, as me goditjet me hunj, por edhe i kishin permjerre siper diktatorit.
E pra deri ate dite dukej si e pamundur qe ai monument te shkulej nga aty…
Paloka kujton 20 Shkurtin dhe paralajmëron Ramën: Dukej si e pamundur që ai monument të shkulej nga aty, por…
Si u tërhoq zvarrë busti i diktatorit në rrugët e Tiranës dhe kush ishin heronjtë e 20 Shkurtit ’91
Turma e protestuesve qe dhe më energjike kur arriti në sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i forcave të ndërhyrjes së shpejtë që ndodheshin pranë sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti “Studenti”.
Në sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së Elbasanit. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut.
Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun qeveritar.
Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek sheshi “Skënderbej”, për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u zmbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik. Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.
Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti “Studenti” dhe vendoset përreth sheshit “Skënderbej”. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në Rrugën e Kavajës, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti.
Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të zmbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh.
Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u prapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër” (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda).
Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh forcash speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.
Ndërkohë sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci” etj.
Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë.
Forcat speciale, të ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të armatosura me shot gun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq protestuesit i kundërpërgjigjeshin duke i qëlluar me gurë e copa mermeri.
Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të Rrugës së Durrësit dhe të Kavajës etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta.
Në mes të radhëve të protestuesve policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementeve të rrezikshëm rebelë. Por, përpjekjet e policisë dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit duke bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit.
Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë ambulancës nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë.
Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur prof. dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në sheshin “Skënderbej”. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri.
Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë.
Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.
“RD”
Si dështoi përpjekje e “pecave” për të rikthyer bustin, 4 të vrarë në Tiranë
Menjëherë pas rrëzimit të bustit, përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, pranoi se emri i diktatorit do të hiqej nga universiteti. Ndërkohë u publikua një lajm i dalë nga kabineti i Kryeministrit, Adil Çarçani, në të cilën thuhej: “Meqë do të riorganizohej, Universiteti i Tiranës nuk do të ketë më emrin e Enver Hoxhës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.
Pas humbjes së bustit, vullnetarët e Enverit kërcënuan se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur monumentin dhe se do të shpallnin kryeqytet të ri të Shqipërisë, Vlorën. Më 21 shkurt 1991, ora 11.00 nga Blloku i udhëheqjes dëgjohen krisma. Ndodh një grumbullim spontan, i cili marshon drejt Bllokut. Turma ndalohet nga Neritan Ceka tek Hotel “Dajti”.
Në këto rrethana Ramiz Alia shpalli krijimin e Këshillit Presidencial, Adil Çarçani largohet dhe vendin e tij e zë Fatos Nano, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Më 22 shkurt, gjendja acarohet më shumë, nis revolta e ushtarakëve në Akademinë e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Sigurimi i Shtetit fillon goditjen ndaj demokratëve. Goditen shumë veprimtarë të PD në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, Fier, Lushnjë etj. Ushtarakët shpallin një Komision Nismëtar të Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit. Ata u lëshuan një ultimatum forcave politike për një referendum për Enverin, si dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e monumenteve dhe vënien e RTSH nën varësinë direkte të Këshillit Presidencial.
Ushtarakët kërkojnë revansh. Më 22 shkurt, zhvillohet një takim mes tyre dhe politikanëve. Takimi i 22 shkurtit pati një ndeshje të ashpër mes përfaqësuesve të opozitës të kryesuar nga Abdi Baleta dhe ushtarakëve. Baleta deklaroi menjëherë se, veprimet e ushtarakëve mund të quhen grusht shteti.
Situata u tensionua pas lajmit se, ushtarakët do të vinin natën bustin e diktatorit që kishin në shkollën e tyre, në sheshin “Skënderbej”. Turma e popullit rrethoi Akademinë. Ndërkohë edhe brenda në shkollë pati përleshje mes studentëve ushtarakëve, por dhe kundër Enverit. Ushtarakët kulmin e presionit do ta arrinin kur thirrën Ramiz Alinë në Ministrinë e Brendshme. Ata i kërkuan atij llogari se, përse nuk kishte marrë masa për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Ramizi u mbrojt duke thënë se, “kishte dhënë urdhër për të qëlluar, por nuk e kishin zbatuar urdhrin”.
Më 23 shkurt, Tirana gdhihet e tronditur nga përgjakja. Sipas lajmeve të kohës ka patur katër të vrarë, përfshirë një polic dhe një vajzë 12-vjeçare me emrin Olta. Ajo vdiq, duke parë televizorin në shtëpinë e saj nga një plumb qorr. Vendi po shkonte drejt katastrofës dhe dëshpërimit. Ndërsa më 6 mars, 20 mijë vetë hipën nëpër anije në Durrës dhe u nisën drejt Italisë, duke lënë pas pak shpresë për një jetë në paqe dhe qetësi.
20 Shkurti ‘91 kur Tirana tërhiqte zvarrë bustin e diktatorit, nga greva e studentëve tek përleshja me policinë
Tre ditët e grevës së urisë të studentëve kishin tensionuar situatën në Tiranë. Disa qindra mijëra vetë morën rrugën drejt Kinoklubit të Qytetit “Studenti” për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për studentët grevistë. Më 20 shkurt 1991, sheshi para Kinoklubit ishte mbushur më shumë se kurrë ato ditë. Thirrjet e turmës “Studentët janë heronj”, “Jemi me studentët”, “Poshtë diktatura”, “Enver-Hitler”, si dhe do ta heqim qelbësirën, ishin një kurajo e madhe për studentët grevistë.
Afro 900 studentë grevistë u ngujuan në këto ambiente. Komisioni organizator i grevës nuk lejoi të hynin në ambientet e grevës operatorët me kamerat e Televizionit Shqiptar, si dhe asnjë qytetar që nuk ishte student ose pedagog i Universitetit të Tiranës. Në ambientet e Qytetit “Studenti” u mblodhën me mijëra e mijëra qytetarë dhe familjarë të studentëve grevistë, të shqetësuar për të afërmit e tyre. Mbajmë mend parullat, qytetarët thërrisnin jashtë në mbështetje të studentëve: “Ejani mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne”. “Poshtë burokratët” dhe mjaft parulla të tjera patriotike. Brenda tek studentët hyri vetëm operatori televiziv i Partisë Demokratike, Agim Buxheli, që kreu filmimet e rralla të studentëve të ngujuar.
Nga ballkoni i godinës së konviktorëve të Gjeologjisë, oratorë të ndryshëm mbanin fjalime kundër qeverisë dhe PPSH, të cilat po flijonin studentët për emrin e një të vdekuri.
Falë organizimit të mirë të sindikatave, sidomos të atyre të minatorëve, u arrit që të mblidheshin afro 100 mijë veta midis tyre punëtorë, studentë, pedagogë, qytetarë të tjerë të Tiranës që protestuan në Qytetin “Studenti”, në përkrahje të grevës së urisë së studentëve. Të parët që erdhën ishin minatorët e Valiasit, të cilët duke brohoritur nga Rruga e Durrësit e deri tek Qyteti “Studenti” arritën të mblidhnin rreth vetes një turmë prej afro 10 mijë qytetarësh.
Rreth orës 10:00 në Qytetin “Studenti” ndodheshin, duhet të kenë qenë, 100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me promovimin e parullave si: “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”, “Poshtë diktatura”, “Liri Demokraci”, etj. Në mbarim të fjalimeve të disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Rajmonda Bulku, duke e mbyllur mitingun solidarizues, u bëri thirrje protestuesve të shkojnë
tek sheshi “Skënderbej”. Thirrja e Rajmondës u bë në një çast kur u duk se të gjithë protestuesit e dëgjuan atë. Një grup protestuesish, të përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së urisë, nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik. Në krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë, që policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.
Një turmë rreth 100 mijë vetash ka lëvizur nëpërmjet rrugës së “Elbasanit”. Tek Liceu njerëzve u dalin përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazen kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe forcat speciale. Turma çan përpara, por tashmë në drejtim të sheshit “Skënderbej”.
Beteja e sheshit është vendimtare. Pas një përleshje mes popullit dhe forcave të Ministrisë së Brendshme busti ndjen lëkundjet e para. Në ora 14.00, monumenti i Enver Hoxhës bie në krah të majtë të tij, pas tre-katër lëkundjesh të forta. Disa njerëz kishin punuar tek këmbët e bustit, ku ishin edhe vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i kishin hedhur kavon në grykë. Enveri ra dhe bashkë me të edhe miti i tij. Policë dhe qytetarë u përqafuan për disa çaste në shesh.
Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Qindra dhe mijëra njerëz shtyheshin kush e kush të shkelte më shumë me këmbë shtatoren që nëpërkëmbej. Për tetë orë rresht statuja e diktatura i zvarrit nëpr Tiranë. Urrejtja ndaj diktaturës po dëshmohej mjaft qartë në ato momente. Pas rrëzimit, busti i ndarë në dy pjesë u lidh me kavo në një makinë plehrash, e cila nisi ta tërhiqte zvarrë për ta dërguar në ambientet e Qytetit “Studenti”, ku po vazhdonte greva e urisë së studentëve. Përgjatë gjithë rrugës njerëzit vazhdonin të pështynin dhe të shkelnin me këmbë bustin e copëtuar të diktatorit. Nëpër rrugët e Tiranës shihje njerëz të përlotur nga gëzimi, të cilëve nuk u besohej se, busti i diktatorit ishte rrëzuar. Të gjithë u bashkuan në një varg të gjatë, duke vazhduar ecjen në drejtim të godinës, ku po zhvillohej greva e urisë së studentëve. Pikëtakimi ishte pikërisht ajo, godina e studentëve të grevës së urisë. Mbi njëqind mijë njerëz në një kor gjigand thërrisnin pa pushim “e hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën”.
“RD”
Skenar i organizuar për helmim në masë të gjerë ditën e protestës së 16 shkurtit
Largimi i protestuesve nga kërpurdha e Ramës, ditën e protestës, dhe skenari joshës i policisë së shtetit, duke hapur kordoni policor, ishte i mirëmenduar. Një koktejl lendësh kimike helmuese luftarake (LHL) me veprim perifik u lëshua mbi protestuesit.
Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s, ka detyrimin për përdorimin e LHL deri në nivelin që të mos rrezikoj jetën e protestuesve. Por me sa duke ky nuk ka qenë qëllimi i Ministrisë së brendësshme, e përfaqësuar nga një ministër, Z. Lleshi, i cili para se të betohej mbi kushtetutën e RSH, bëri fillimisht betimin publik, në mediat televizive kombëtare për Ramën.
Rama si deputet i Qarkut Vlorë, edhe më herët është evidentuar se nëpërmjet agjensive të veta të krijoj një plan helmimi. Qyteti i pavarsisë, Vlora e cila furnizohet me ujë të pijshëm nga burimet ujore të pozicionuara nga Uji i ftohtë, deri në Jonufër, është evidentuar nga organet e kontrollit në RSH, se ka një risk të shtuar të helmimit, nëpërmjet uit të pijshëm që ndotet nga ndërtimet e kontrolluara nga grupi i afërt i Ramës. Kështu, në burimin numër 3 dhe 4, i njohur si feneri në Vlorë, ndërtimet luksose të Grupit Rama, janë saktësisht mbi ujëmbledhësin e qytetit, ku galeria që mbledh ujin e pijshëm pikon edhe në verë, nga derdhja e ujërave të zeza.
Kjo situatë është më e rëndë drejt Jonufrit, ku edhe në burimin numër 5 dhe 6, Drejtoria e Përgjithëshme e Ujësjellës Kanalizimeve ka ndërtuar një pusetë gjigante për grumbullimin e ujërave të zeza, saktësisht mbi vendburim, kjo e lehtë për t’u verifikuar, pasi ndodhet 150 metra në rrugën nacionale Vlorë-Sarandë, pas vendit të quajtur Kalaja.
Helmimi i radhës i Ramës, është në qytetin e Fierit. Një ndërtim i një shoqërie oligarke, për rehabilitimin e Lumit Gjanica, në një vlerë 8 miliard lekë, ka rritur ndjeshëm rezikun e helmimit nga Arseniku. Shtrati i lumit Gjanica i tejngopur me arsenik, nga ish-Azotiku, është gërryer, dhe aluvionet e lumit, mbahen të depozituara pranë Kishës Ortodokse, dhe me rritjen e temperaturave, po krijon një rrezik të helmimit me avujt e arsenikut. Investimi në një vlerë kaq të madhe monetare, pa një studim mjedisor dhe pa analiza kimike mbi aluvionet, tregon babëzinë për para e Grupit të Strukturuar Rama, por edhe dëshirën e tij për të qenë pjesë e problemeve edhe në bastionet që deri dje ka kontrolluar, nëpërmjet stukturave të krimit.
Koktejli i LHL-ve të shtunën mund të konsiderohet si vijim normal në planin Millosheviçian të Ramës për helmim aksidental.
Djegja e mandateve është kallje për Edi Ramën dhe regjimin e tij autokratik!
Nga Enver Bytyçi
Deputetët e opozitës kanë marrë sot një vendim historik, do të djegin mandatet. Ky është lajmi kryesor i ditës në Shqipëri dhe në mediat e huaja! Por çdo të thotë të djegësh mandatin? Pse të mos e dorëzosh atë në institucionin përgjegjës?
Mandati i deputetit fitohet përmes zgjedhjeve. Si i tillë ai është i shenjtë, është produkt i vullnetit të sovranit dhe përbën një vlerë morale e politike, përveçse garanton disa të drejta specifike për ligjvënësit. Ndërsa djegja e mandatit është akti i fundit i protestës së një opozite, kur asaj mazhoranca ia mbyll të gjitha mundësitë e opozitarizmit. Është hera e parë në historinë e qeverisjes që deputetët e opozitës djegin mandatin e përfaqësimit në parlament. Nuk ka ndodhur kjo asnjëherë, as në qershorin e vitit 1924, as në vitin 1996, kur opozita socialiste bojkotoi zgjedhjet e 26 majit. Atëherë deputetët e opozitës, përveç Sali Rexhepit, nuk pranuan të pajisen me mandatin e deputetit, derisa pas disa muajsh imponuan krijimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar (Mars 1997). Në këtë moment hynë në parlament dhe miratuan paketën ligjore të marrëveshjes politike.
Në ndryshim nga atëherë, deputetët e opozitës së sotme nuk mund të ripajisen më me mandatin përkatës. Dmth, çfarëdo të ndodh, krizë politike apo sociale, konflikt civil apo ushtarak, opozitarët deputetë nuk rikthehen më në parlament. Kjo do të thotë se nuk ka më alternativë. Ose zbatohen pa dialog kërkesat e opozitës, ose vendi shkon në diktaturë. Diktatura prodhon pa asnjë dyshim konfliktin civil, ndoshta luftën civile.
Mandatet u dogjën, nuk u dorëzuan! Kjo do të thotë se KQZ nuk mundet që një mandat të djegur t’ia transmetojë emrave të radhës në listën e opozitës për zgjedhjet parlamentare. Kjo do të thotë se presioni i opozitës është i formës ultimative. Ky ultimatum për dorëheqjen e kryeministrit e qeverisë së tij si dhe zgjedhjet e parakohshme është i pakthyeshëm, i panegociueshëm.
Mesazhi është për ata që kanë veshë, që kanë sy e kanë gojë. Parasëgjithash për ata që kanë tru. Asnjë qeveri në botë nuk mund t’i rezistojë një opozite, edhe nëse ajo do të ishte në kuotat e dhjetë përqind të parlamentit, kur ajo dorëzon mandatet e deputetit. Asnjë qeveri në botë nuk do ta kishte guximin të luajë lojën e zevendësimit të mandateve për të krijuar një opozitë të emruar! Nëse ndodh kjo, atëherë kriza i tejkalon kufijtë e të paparashikueshmes.
Djegja e mandateve është akt moral, jo vetëm politik. Deputetët e opozitës prej sot janë të ekspozuar të pësojnë fatin e “Ujkut të Cërrikut” ose të atij 80 vjeçarit që u arrestua pse te hyrja e kryeministrisë valviti flamurin e Shqipërisë?! Ky ekspozim vullnetar i tyre lejon ata të shndërrohen në udhëheqës shpirtërorë të shqiptarëve. Akti moral i djegjes së mandateve do të shndërrohet në aset për krijimin e frymës qytetare në mbrojtje të lirisë së dhunuar prej qeverisë Rama. Prej sot nuk ka më asnjë arësye pse qytetarët të dyshojnë në çiltërsinë e opozitës dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha!
Djegja e mandateve si akt moral është njëkohësisht dhe akt sakrifice. Kur deputetët e opoziës sakrifikojnë veten në emër të kauzës së lirisë qytetare, atëherë nuk ka e nuk mund të ketë njeri me kokë mbi shpatulla që të mos kuptojë se duhet kontributi i secilit për këtë kauzë. Duke qenë akt sakrifice është gjithashtu vrasje e frikës. Regjimi autokratik i Edi Ramës ka futur frikën në çdo skutë të shoqërisë shqiptare. Opozita prej sot e varrosi arkivolin e frikës.
Mesazhi i saj është homogjenizimi i shoqërisë, thirrje për sakrificë për rrëzimin e këtij regjimi me çdo formë e me çdo mjet! Askush nuk dyshon më për këtë! Kush e do lirinë, nuk ka asnjë arësye tashmë të pajtohet me frikën.
Prej sot nuk ka më që qytetar shqiptar që vuan nga dilema: “Mirë e rrëzuam Ramën, por a do jetë më i mirë ai që vjen pas tij”?! Një opozitë që sakrifikon mandatin dhe beneficet që burojnë prej tij, gjë që ndodh për herë të parë në këtë vend e në historinë e qeverisjes në rajon, kjo opozitë jep garanci se nuk bën kompromis me regjimin, të cilin e lufton. Prandaj është e sigurt se pas rrëzimit të Ramës nuk do të thuhet “Poshtë Mbreti, rroftë Mbreti”! Edhe sikur ta lusnin qytetarët të bëhej diktator Lulzim Basha, kjo nuk do të ndodhte, sepse ai nuk është i gatuar për këtë rol! E nëse nuk do të kemi nesër një arrogant si Rama, atëherë qytetarët do ta kenë shumë më të lehtë t’i kërkojnë përgjegjësi Lulzim Bashës! Mjaftojnë besoj këta argumente që prej sot ta kthejmë plotësisht besimin te opozita shqiptare! Pa besim nuk ka sukese! Pa besim të ndërsjelltë nuk ka përparim!
Kësisoj, djegja e mandateve është kallje për Edi Ramën dhe regjimin e tij autokratik!
Befason Mourinho!…
Jose Mourinho duket se ka bërë paqe me ish-trajnerin rival, Arsene Wenger. Madje, portugezi e ka vlerësuar kolegun francez si një nga trajnerët më të mirë në futboll. Ky duet është përplasur ashpër në të kaluarën, ndërsa ishin kundërshtarë në stolat respektivë të Premier League, me Mourinho duke e quajtur francezin një “specialist dështimesh”.
Wenger, gjithashtu, e shtyu Mourinhon gjatë ndeshjes së dytë të portugezit në krye të Chelsea, para se ai të vazhdonte të drejtonte Manchester United. Të dy janë jashtë angazhimeve, larg adrenalinës së përballjeve të ethshme në fushat e blerta, çka e ka bërë Mourinhon të vlerësojë arritjet e francezit, pavarësisht nga komentet e tij të mëparshme.
56-vjeçari nuk kishte asgjë tjetër, përpos fjalëve pozitive për ish-rivalin e tij, madje e vlerësoi atë si një nga trajnerët më të mirë në futboll. “Ka pasur disa episode gjatë rrugës,- tha Mourinho përmes një mesazhi të regjistruar në “Laureus World Sports Awards”, të së hënës mbrëma.
– Unë mund të flas vetëm për veten time. Me të vërtetë e kam shijuar konkurrencën me Wenger. Respekti i vërtetë ka qenë gjithmonë aty, në fushat e lojës. Ai bëri shumë histori në një klub futbolli si Arsenali. Për mua është një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit”.
Wenger e udhëhoqi Arsenalin drejt vendit të gjashtë në Premier League, sezonin e kaluar, çka ishte rezultati më i keq në kampionatin anglez që kur “Topçinjtë” përfunduan të 12-tët në vitin 1995. Megjithatë, francezi vlerësohet për shkak të angazhimit të gjatë dhe me disa suksese tek Arsenali gjatë një periudhe 22-vjeçare, kur fitoi tre tituj të Premier League dhe shtatë “FA Cup”. 69-vjeçari e ndihmoi Arsenalin për shkuarjen në finalen e Ligës së Kampionëve (viti 2006), të cilën e humbën ndaj Barcelonës.
Ja kush është numri 9 më i mirë në histori, renditja
Më shumë se një fitore, një triumf i vërtetë. Ronaldo “Fenomeni” i PSV, Barcelona, Inter, Real Madrid e Milan është momentalisht fituesi absolut i sondazhit të realizuar nga media gjigante spanjolle “AS”.
Pyetja drejtuar lexuesve ishte mbi atë që ata konsiderojnë si qendërsulmuesin më të mirë në historinë e futbollit. Nga një listë me 10 yje që kanë lënë gjurmë në futbollin botëror, golat e të cilëve emocionojnë ende, mes Alfredo Di Stefano, Johan Cruyff, Gerd Muller, Bobby Charlton e Marco van Basten, i preferuari i padiskutueshëm, fituesi me diferencë të theksuar ishte vetëm braziliani.
Ronaldo, i cili edhe në Spanjë ka lënë një kujtim gjigant me fanellën e Barcelonës dhe atë të Real Madrid, është votuar si fituesi i padiskutuar. Me 199 vota, “Fenomeni” zotëron mbi 3 fishin e votive në raport me ndjekësin më të afërt, Di Stfano në kuotën e 60 votave, i ndjekur nga dy holandezët Van Basten dhe Cruyff, respektivisht me nga 34 dhe 33 vota.
Renditja deri në momentin e shkrimit ishte si vijon:
1° Ronaldo (199 vota)
2° Alfredo Di Stefano (60 vota)
3° Marco van Basten (34 vota)
4° Jihan Cruyff (33 vota)
5° Gabriel Omar Batistuta (29 vota)
6° Gerd Muller (26 vota)
7° Hugo Sanchez (25 vota)
8° George Ëeah (20 vota)
9° Enzo Francescoli (14 vota)
10° Bobby Charlton (9 vota)