Kryetari i PD, Lulzim Basha u ul në një bar me një grup pensionistësh, të cilët i kërkuan mbështetje dhe rritje për pensionet, pasi këto vitet e fundit ndjejnë braktisje nga qeveria.
“E njoh gjendjen shumë mirë. Të dy prindrit i kam pensionistë dhe pa ndihmën time, si shumica, e kanë të pamundur të mbyllin muajin. Por ka shumë që nuk ndihmojnë dot. Është krim që ata të ushqehen vetëm 1 herë në ditë, vetëm se këta të babëzitur duan të marrin gjithçka për vete”, u shpreh kryetari i PD.
Më herët Basha përshkoi në këmbë të gjithë Rrugën e Kavajës dhe bashkëbisedoi me një sipërmarrës në fushën e “call center”, të cilit i premtoi se PD-ja do të ndjekë politika lehtësuese për bizneset.
Në fjalën e tij, Basha tha se punësimi është një ndër prioritetet e parisë së tij dhe këtë do ta aplikojë sapo të marrë pushtetin me votat e qytetarëve.
“Do të keni taksë të sheshtë 9%, tatimi i fitimit dhe taksa e kontriburit shoqëror që do të jetë 9% punëdhënësi, 9% punëmarrësi.E dyta, është ulja me 300 lek e çmimit të karburantit që vetëm për rrugë nuk shkon.
Do të rivendosim fashën për shpenzimin e energjisë. Për biznesin riprodhues ulet me 30-40% të çmimin të energjisë, për biznesin e vogël 20% dhe për konsumatorët.
Basha: Krim që pensionistët ushqehen vetëm 1 herë në ditë, vetëm se këta të babëzitur duan të marrin gjithçka për vete
Çfarë e ka gjetur Kryeministrin që e ka qepur gojën?!
Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili nga foltorja e Kuvendit u shpreh se kryeministri Edi Rama po rrezikon me pazare politike “integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Vasili, tha se përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje pafund në të shkuar dhe në këtë lojë rrezikohet edhe stabiliteti i Shqipërisë, Kosovës dhe vetë rajonit. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, theksoi se me këtë veprime fundi i mazhorancës është afër.
Fjala e plotë e Vasilit:
Në seancën e sotme në jo pak raste, u citua gjerësisht ministri gjerman Rot lidhur me deklarimet e tij më të fundit. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje është se përse nuk u citua një nga deklaratat e tij shumë të rëndësishme të bëra në Deutsche Ëelle, ku ai shprehimisht thotë: “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh, ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të shkuarën. Prandaj sipas meje, vazhdon ai, këto përsiatje janë tejet të rrezikshme”.
Momenti më interesant, por edhe më kritik është: “Nga Shqipëria ne presim që kjo të përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik, e të angazhohet për stabilitet në të gjithë rajonin. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të Ballkanit Perëndimor, që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve”.
Kjo ftesë është një ftesë e pazakontë, e padëgjuar për politikën shqiptare, e cila ka akumuluar në vite një të mirë të vyer, të ishte konstruktive, faktor i stabilitetit të pazëvendësueshëm në rajon, dhe sigurisht e orientuar qartë në këtë drejtim. Për herë të parë kemi një ftesë, që ajo të bëjë një detyrë, të cilën e ka pasur të natyrshme dhe të gjithë ne në këtë sallë pyesim:
Pse i mungon këtij misioni tashmë tradicional, i cili në konsolidimin e tij ka kaluar nga një mazhorancë në tjetrën në mënyrë pozitive? Për një çështje kaq delikate, çfarë e ka gjetur Kryeministrin, i cili dihet që është një folës i palodhur për gjërat nga më banalet, më të panevojshmet që e ka qepur gojën?
Ç’pazare e kanë imponuar këtë heshtje? Cili është ai premtim i errët, i marrë diku larg, jo në perëndim, asnjëherë, që e bën të heshtë? Pse zëvendësohen propozimet, draftet, projektet nga qenia mbi tavolinë, vazhdojnë të rrinë nën tavolinë? Pse bisedat e hapura publike, deklarimet e qarta publike zëvendësohen me takime minjsh fajtorë, peng të kushedi se çfarë gjërash të tjera, në vend të një politike të qartë?
Përderisa në lojë është stabiliteti i Shqipërisë, i Kosovës dhe i rajonit, ministër de jure me tjetër ministër de facto, zgjidhje e tij, përgjegjësitë kushtetuese mbeten atje dhe i kërkohen atij, cili është ai problem shumë i madh, ai angazhim i marrë lart, poshtë, veri, jug, lindje edhe perëndim po të doni, që e bën të mos flasë dhe të heshtë?
Ky moment është një moment shumë i rëndë për qeverisjen e vendit, që ajo i mungon detyrës së saj. I mungon dhe arritjes së saj historike, të arritur të gjithë së bashku. Madje nuk duhen veçuar merita të asnjë krahu politik, por sot është këtu qeverisja përpara një faji të madh, që i mungon misionit dhe ministri i një shteti të madh, e thërret sërish për të qenë i qartë. Pse pengohet dhe çfarë problemi ka Shqipëria dhe Kryeministri të jetë shumë i qartë?
Ja se ç’thotë Kancelarja Merkel shumë qartë për Shqipërinë dhe Kosovën në takimin që ajo kishte me kryeministrin e Bosnjes: “Çështja e parë është pasqyrimi territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një çështje e shenjtë dhe këtu duhet të përsërisim gjithëherët, sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar kufijtë. Këtë ne nuk mund ta bëjmë. Nga kjo varet ardhmëria evropiane e gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor.”
Po si mundet që Kancelarja Merkel është e kristaltë, ministri Rot gjithashtu. Shqipëria që është më e interesuara hesht. Ka zakon që Kryeministri jep konsiderata për BE-në,për të ardhmen e BE-së, idenë që nuk drejtohet mirë BE-ja. I ka të qarta të gjitha, por këtij problemit që kemi këtu, pse i mungon kësaj?
Por kjo mungesë koherence nuk është e rastësishme, kushdo e kupton që është tërësisht e qartë, e qëllimshme në funksion të një strategjie të dhomave të errëta që mblidhen dhe ku duart gjithmonë mbahen poshtë tavolinës, e cila imponon edhe një axhendë integrimi që nuk ecën përpara, sepse sigurisht të tymra ato momente të rëndësishme, qoftë momenti i madh në stabilitetin e administratës publike, i kërkuar si një kusht i jashtëzakonshëm për ecjen e negociatave, tashmë është një rrënim i plotë.
Ju e kuptoni që administrata publike është një han pa porta, patenta e të cilës është një përkatësi politike me mazhorancën, me një tester partie kryen punë, deri në rrënim me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, që do të thotë që ky ligj për të cilin Evropa shpenzoi miliona, që një nga kushtet e jashtëzakonshme për të pasur statusin kandidat, u rrënua në tokë.
Sigurisht ky komoditet vjen në shkelje të të gjitha këtyre ligjeve se drejtësia është e kapur e nuk funksionon, ky është një fakt evident. Po të kishim një drejtësi ndryshe ne nuk do të paguanim 140 milion euro vetëm për të zhdëmtuar të larguarit nga puna, që është një shifër e tmerrshme për një vend të varfër si i yni. Sigurisht që nuk do ta shkelte Kushtetutën njeri siç bëri mazhoranca në rastin e uljes së dividentit duke i dhënë fuqi prapavepruese, një shkelje për të cilën sigurisht nuk flitet. Gjithmonë për gjërat e mëdha që kanë një gjë të errët brenda ka heshtje ndërkohë që janë llafazanë të mëdhenj për gjëra të tjera. Një nga pikat më të mëdha ka qenë mbrojtja për të drejtat e njeriut, por ç’të drejtë njeriu mund të ketë ku atje në Unazë të Re zotërues të banesave dalin e kthehen në qiraxhinj dhe të gjitha rregullat e shtetit, ligjet e përcaktuara që u garantonin të drejta prej 20 vjetësh, të cilat të tëra nëpërkëmben? Po ç’mund të thuhet pastaj për krimin e organizuar kur dhe në aksionet më të fundit kapen të gjithë njerëzit, por rastësisht kapo-banda i ikën nga duart policisë?
Kur ka gjithë këtë korrupsion tek Unaza e Re, personat që duhen të kapen del një recepsionist, por dhe ai ikën. Nuk kapet, se zë dot policia, ama babanë e nënën të një fëmije 8 vjeçar atje që mbrojnë banesën e tyre ia arrestojnë që ç’ke me atë pune dhe i lënë fëmijën rrugëve.
Sigurisht, të gjitha këto çështje të mëdha, të cilat kanë vënë në diskutim të gjithë integritetin shtetëror të Shqipërisë. Kanë vënë integritetin në raportin tonë me Evropën, e bashkë me këtë dhe një të ardhme të Evropës, e cila është më e paqartë se kurrë ndonjëherë dhe pesimizmi për hapjen e negociatave nuk është qasje politike pozitare dhe opozitare, është një qasje objektive. Se përgjerisa objektivave u mungon, je mbrapa, nuk i realizon, nuk ke dëshirë dhe nuk i çon përpara, një integrim që të dhurohet na është e bërë e qartë nuk ka, nuk do të ketë, dhe nuk kemi pse ta kemi një integrim të dhuruar sepse integrimi i merituar është vetëm ajo, e cila bën të shkojmë përpara. Por në fund të ditës, pika ku të gjitha bashkohen janë vetëm dy elemente. Elementi i Pazar-politikës në njërën anë dhe elementi i një drejtësie që nuk funksionon sepse është kapur për fyti, që nuk i jep do t përgjigje as krimit të organizuar, që nuk i jep do t përgjigje as korrupsionit, që nuk u jep dot përgjigje as shkatërrimit të të gjithë sistemit të punësimit në Shqipëri, i cili nuk i jep dot asnjë përgjigje dhe pastrimi të parasë së pisët, por përkundrazi e thellon atë. Dhe ky binom Pazar-politik, drejtësi e kapur sigurisht bënë të mundur që të gjallojë ky realitet edhe pesimist që i bënë mijëra shqiptarë të largoheshin, qofshin ata mjaft të varfër, por dhe ata që janë në gjendje të mirë ekonomike për shkak të një klime mbytëse ku padrejtësia mbizotëron.
Sigurisht, reagimi i madh popullor është një përgjigje për ta ndërruar, për të pasur një Shqipëri ndryshe, jo thjesht dhe vetëm për të ndryshuar emrat e qeverisjes. Dimensioni i Shqipërisë që qeveriset sipas shtetit të së drejtës kalon e tejkalon shumë emra të përvetshëm Emra të përvetshëm, të cilat janë misionarë të shtetit të së drejtës, janë ata që meritojnë të drejtojnë.
Gjithë këta që i kanë shkuar kundër këtij misioni dhe kanë punuar fort ta rrënojnë, sigurisht nuk meritojnë më të drejtojnë dhe kurrkush nuk mund të ketë asnjë minutë kohë për të humbur më me ta dhe kjo padrejtësi duhet të shkojë patjetër në vend. Kjo është dhe thirrja ë përbashkët që na bashkon këtu, dhe ky është shqetësimi i madh pavarësisht nga shkujdesja, nga vetëkënaqja e jashtëzakonshme e mazhornacës si të gjithë mazhorancat që në momentin që janë në fundin e tyre janë më të vetëkënaqura se kurrë.
Besnik Mustafaj: Besimi tek Rama ka rënë. Ja pse s’ka fjalime në protestën e 16 shkurtit
Analisti dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka qenë në News24 për të komentuar zhvillimet e ditës por dhe ato që pritet të ndodhin në vijim. Duke folur për protestën e opozitës së bashkuar më 16 shkurt, Mustafaj tha se ka një valë pakënaqësie dhe se lideri i PD-së po pritet mirë në rrethe por se nuk është i sigurt se çfarë do të sjellë kjo protestë. Ai e ilustron këtë me faktin se opozita nuk do të marrë pushtetin me dhunë, ndaj e sheh mënyrën e vetme të suksesit të saj tek vazhdimësia.
“Nuk kam qenë në këto protestat e vogla në rrethe por me çfarë duket Basha po pritet mirë që do të thotë se ka një valë pakëanqësie që është e gatshme të mishërohet në protestën e 16 shkurtit. Ne kemi një situatë pakqënaqësie të përgjithshme. Por kemi një eksperiencë jo të mirë nga ana e protestave të PD. Kemi një deklaratë të qartë të Bashës publike se nuk e marr pushtetin me forcë.
Kemi edhe një sjellje në vazhdimësi të kryeministrit i cili shpërfill protestat për sa kohë janë paqësore. Kjo deklaratë e Bashës që i drejtohet kryeministrit dhe opinionit publik për mua është e paqartë se edhe një kryeministër që është i verbër dhe i shurdhër dhe një opozitë që do manifestojë pakënaqësinë e saj nuk besoj se do japin rezultatin që synohet, rrëzimin e kësaj qeverie, krijimin e një qeverie kalimtare që do përgatisë vendin për zgjedhjet”, tha Mustafaj.
Ai tha më tej se jemi në një situatë ku maxhoranca nuk ka vesh për të dëgjuar. “Nga ana tjetër unë dhe shpresoj gjithë klasa politike e opozitës nuk është për grusht shteti. Mandatin nuk e përfaqëosn ndërtesa, e përfaqëson personi që është mandatuar.
Protestat në Shqipëri, janë protesta që shuhen si flaka e kashtës. Unë nuk jam as ithtar i grushtit të shtetit, e as i vrasjeve. E vetmja mënyrë është që kjo protestë të ketë vazhdimësi.
Unë jam i bindur se ka një pakënaqësi të përgjithshme. Nga sondazhet e disa agjencive të huaja rezulton se ka pakënaqësi të madhe. Ka një ulje në kuotë të madhe të besimit te qeveria por nuk ka një rritje të kuotës së besimit tek opozita. Pakënaqësia konstatohet përditë por nuk është një fakt se kjo pakënaqësi do të manifestohet më 16 shkurt në rrugë”, deklaroi Mustafaj.
Për sa i përket faktit se është thënë se nuk do të ketë fjalim në këtë protestë, analisti i njohur e shpjegoi si përpjekje për të tërhequr jo vetëm mbështetës të partive opozitare.
“Kjo do të thotë që opozita do të mbledhë dhe ata të pakënaqur që nuk janë mbështetës të saj. Nuk jam i bindur se ata që janë të rreshtuar në protestë, ata do duan mesazhe, do duan fjalime. Ky lloj depolitizimi i kësaj proteste nuk jam i bindur se do ketë efektin më të mirë të mundshëm”, tha ai.
Mustafaj foli edhe për idenë e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi dhe elaborimin e saj.
“Nuk po bëhen më të qarta zhvillimet për disa arsye. E para vetë Thaçi nuk mendoj se ka një koncept të qartë. Ai e ka dëgjuar dhe e përsërit si nocion por jo si realitet. Nuk dimë që ka një ekip që punon për këtë. Arritje tek korrigjimi i kufijve është një proces i gjatë ekipesh. Duhet që Kosova, përfaqësuesit e saj legjitimë të jenë në krye të procesit përtej konsulencës së huaj që mund të marrin.
Thaçi nga ana kushtetuese, është njeriu me ndikimin më të vogël. Më shumë është opinionist. Qëndrimi i qeverisë së Kosovës për tarifat është politik. Unë e mbështes. Kosova deri tani vetëm ka lëshuar në proceset e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, tha Mustafaj.
Historia e Kosovës mes Rambos dhe Gjarprit
Nga Çim PEKA
Përveç Ibrahim Rugovës, figura e të cilit qëndron qartazi shumë më lartë se e kujtdo tjetër në piedestalin e lirisë, dy janë figurat qendrore të luftës për çlirimin e Kosovës dhe në dy dekadat e fundit, pas çlirimit të saj: Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi, ose siç njihen me emrat e luftës, ‘Rambo’ dhe ‘Gjarpri’.
Ndoshta është rastësi, ndoshta edhe profeci, por aktiviteti i tyre ushtarak dhe ai politik i pas-luftës, më së miri u përshtatet këtyre dy sinonimeve.
Për të parin thuhet se kur ta jep besën, të ka dhënë jetën; ndërsa për të dytin, thuhet se kur ta ka nevojën të futet në gji, sapo të mos ketë me interes, të kafshon.
Historia e te dyve është e lidhur ngushtë me historinë e re të Kosovës. Sfidat e të dyve, po ashtu pazgjidhshmërisht me ato të Kosovës.
Tre momente përbëjnë tre sfidat e mëdha të Kosovës; po ashtu edhe tre sfidat për ‘Rambon’ dhe ‘Gjarprin’.
Sfida e parë është lufta dhe çlirimi i Kosovës.
Sfida e dytë është shtet-formimi dhe raporti me Gjykatat Ndërkombëtare
Sfida e tretë është tani, marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Ti marrim me radhë.
-Sfida e Parë
Organizimi i shqiptarëve të Kosovës si brenda vendit dhe në diasporë për mbrojtjen e trojeve të tyre dhe për çlirimin e Kosovës, nuk është diçka që mund të përshkruhet bardh e zi, dhe as një lëvizje e unifikuar. Ajo lindi si nevojë reagimi ndaj heqjes së autonomisë dhe si pasojë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ishte një lëvizje spontane ku secili u mundua të kontribuonte në mënyrën e tij. Në fillim ishte FARK, e krijuar nga LDK. Me vonë dolën individë, fraksione e grupime të ndryshme. Edhe brenda formacionit të UÇK kishte rryma, grupime, dhe axhenda të ndryshme. Unifikimi i vetë UÇK-së erdhi në masë të madhe me rritjen e numrit të operacioneve ushtarake të Armatës jugosllave, me afrimin e luftës, si dhe me ndihmën e faktorëve të ndryshëm të brendshëm dhe të jashtëm.
a) Ramush Haradinaj
Pasi shërbeu shkurtimisht në Armatën Jugosllave, nuk pranoi të bënte karrierë aty dhe iku në emigracion. Në fund te viteve ’80 dhe në fillim te viteve ’90 ai jetoi dhe punoi në Zvicër, ku me shokë dhe familjarë të tij u angazhua në lëvizjen për çlirimin e Kosovës. Në Zvicër nuk u lidh me lëvizjet Marksist-Leniniste; ishte autonom nga ta, dhe historia e tij e luftës dhe e pas-luftës u ndërtua e shkëputur prej tyre. Përveç familjes se Adem Jasharit, Familja Haradinaj dhe vetë ‘Rambo’ kanë dhënë kontribut dhe sakrifica njerëzore më shumë se kushdo tjetër në Kosovë. Dy vëllezër të vrarë në luftë, vetë dhe vëllezërit e tjerë të plagosur. Ndryshe nga eksponentët e tjerë të UÇK ai nuk shkoi në Rambuje, por qëndroi në Kosovë të luftonte. Ndërkohë që lidershipi i UÇK lëvizte sa në Paris e sa në Tirane, vëllai i ‘Rambos’ dha jetën në fushën e betejës. Aktiviteti i tij është tërësisht i njohur dhe çdo moment tjetër i jetës së tij është transparent. Deri në çlirimin e Kosovës jetonte dhe vepronte në ilegalitet të plotë.
b) Hashim Thaçi
Edhe ky jetoi e studioi në Zvicër. Ndryshe nga Haradinaj, ai u lidh me LPK-në, një lëvizje Marksiste-Leniniste që operonte në Zvicër dhe disa vende të tjera. Në mos e krijuar nga Sigurimi i Shtetit të Enver Hoxhës, kjo e fundit arriti të penetrojë fuqishëm në këtë lëvizje, kryesisht për të mbajtur nën kontroll diasporën. Kurrë nuk u bë transparente mënyra e ngjitjes së tij në krye të krahit politik të UÇK-së në një moshë tepër të re për atë pozicion. Po ashtu, nuk është fort e qartë sesi arriti të bëhej kryesuesi i grupit negociator gjatë negociatave në Rambuje. Negociatat në Rambuje janë një histori më vete, por momenti i refuzimit të nënshkrimit të Marrëveshjes nga pala Kosovare që drejtohej nga Thaçi për mëse tre jave, vazhdon të mbetet i paqartë. Refuzimi la me gojë hapur anëtarët e Grupit të Kontaktit, por edhe i dha oksigjen Millosheviçit për disa javë.
Pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, Gjarpri nxitoi të shpallte veten Kryeministër të Qeverisë së Përkohshme. Ndërsa Rambo, brenda profilit të tij ushtarak ju përkushtua përpjekjeve për kthimin e ish-UÇK-së në Trupa të Mbrojtjes së Kosovës.
Sfida e dytë
Me çlirimin e Kosovës, NATO instaloi trupat e saj në të gjithë Kosovën. UÇK dështoi ose neglizhoi të kalonte lumin Ibër, dhe rrjedhimisht me instalimin e trupave franceze aty, u vendos kufiri de facto në jug të Ibrit. Ai kufi vazhdon edhe sot. OKB me rezolutën 1244 e vendosi Kosovën nën administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut. Me kalimin e kohës, UNMIK në bashkërendim me miqtë e Kosovës nxiten dhe filluan procesin e kalimit gradual të administrimit të Kosovës tek shqiptarët. Drejtimi i institucioneve filloi gradualisht të transferohej tek vendasit. U krijua mekanizmi ‘Standarde’ përpara ‘Statusit’ që kishte si qëllim përgatitjen e Kosovës për negociatat e ardhshme. Nën drejtimin e Marti Ahtisarit, Grupi i Kontaktit përgatiti platfomën e marrëdhënieve të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë.
Të drejtat që ju dhanë komunitetit serb në Kosove ishin të paprecedentë në historinë e Europës dhe më gjerë. Këshilli i Sigurimit nën veton Ruse e refuzoi, por Kosova nën drejtimin e miqve të saj, vazhdoi procesin që çoi në shpalljen e pavarësisë. Më shumë se njohja nga vendet kryesore të perëndimit, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtarë në favor të Kosovës e vulosi legjitimitetin e pavaresisë së Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial ne kufijt që ka sot.
a) Ramush Haradinaj
Pas transformimit të tij nga udhëheqës ushtarak në politikan, me themelimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj mbajti një qëndrim të balancuar politik dhe vendosi të bashkëpunojë me ‘armikun’ Rugova. Si pasojë e këtij bashkëpunimi, në fund të vitit 2003 ai u zgjodh Kryeministër i Kosovës. Në shkurt të vitit 2002, elementë brenda policisë ndërkombëtare të UNMIK, filluan hetimet për ngjarje të rënda të ndodhura në Rrafshin e Dukagjinit. Qëllimi ishte goditja e Ramush Haradinaj. Prokuroria Ndërkombëtare i kreu hetimet, dhe nuk gjeti bazë për ngritjen e një padie penale ndaj Haradinajt.
Në mars të po atij viti, Prokurorja e Gjykatës për Krime lufte në Ish-Jugosllavi Carla del Ponte bëri një vizitë pa zhurmë në Kosove. Me vete kishte një dosje voluminoze të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë kundër Haradinajt për krime lufte. Dy vjet më vonë, në mars të vitit 2004 ajo ngrit padi ndaj Haradinajt. Vetëm pak muaj si Kryeministër i Kosovës, ai të nesërmen e ngritjes së padisë dha dorëheqjen nga Kryeminsitër dhe u nis për në Hagë. Duke dorëzuar vullnetarisht mbrojtjen politike që i jepte posti, ai u përball i vetëm me sfidën e dytë të jetës së tij: mbrojtjen e vetes, të UÇK-së, të luftës, dhe të Kosovës. Duke u vetëdorëzuar në Hagë, dhe duke u shpallur i pafajshëm, ai çliroi veten, UÇK-në dhe luftën nga akuzat dhe mbrojti Kosovën.
Fitorja e tij ishte fitore e Kosovës.
b) Hashim Thaçi
Ndryshe nga Haradinaj, ai sundoi Kosovën për dy dekada i patrazuar. Here Kryeministër, herë zëvendës, herë ministër i Jashtëm, dhe së fundi President i Republikës, ai u shndërrua në sunduesin e Kosovës. Në janar të vitit 2011, Këshilli i Europës nën ndikimin rus, serb dhe të aleatëve të tyre politikë, miratuan raportin e Dick Marty, i cili akuzonte UÇK dhe direkt Hashim Thaçin për trafikim organesh. Që përpara raportit të Dick Marty, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha reagoi ashpër kundër akuzave te tilla, duke mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së dhe lidershipit të saj. Duke mbrojtur UÇK-në dhe Thaçin, në të vërtetë Sali Berisha po mbronte Kosovën. Krejt e kundërta ndodhi kur në vitin 2018, Hashim Thaçi akuzoi Berishën se kishte strehuar në Tiranë, Osama bin Laden. Një akuze e tillë, sado e padrejtë, nuk dëmtonte Sali Berishën, por vetë luftën e UÇK-së dhe Kosovën. Është i njohur fakti se propaganda serbo-ruse i ka mëshuar fort idesë se fundamentalizmit islamik si shtytës i luftës për çlirim të Kosovës. Ashtu siç është i njohur fakti se shumë nga këta fundamentalist morën pjesë në luftën e Bosnjës. Por jo në Kosovë. Të vendosesh Osama bin Laden në Tiranë në mes të viteve ’90, nuk bën gjë tjetër veçse i bie borive të Beogradit. Por siç ka ndodhur gjithmonë, Gjarpri gjithmonë i ka vendosur interesat e projekteve te tij politike mbi ato të Kosovës.
Sfida e tretë
Negociatat për një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë dhe hedhja e idesë se ndryshimit të kufijve si parakusht për këtë marrëveshje në verën e vitit 2018 nuk dolën papritur. Kosova dhe Serbia ka disa vite që bëjnë negociata nën drejtimin e Bashkimit Europian. Dhe këto negociata kanë pasur suksesin e tyre. Për çudi, në 2-3 vitet e fundit, këto negociata kane ngecur. Ngecja e negociatave është shoqëruara me një offensivë të fortë diplomatike të Beogradit për të ndaluar dhe kthyer mbrapsht procesin e njohjeve të Kosovës. Është shoqëruar po ashtu edhe me shtyrjen e paarsyeshme të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian pas plotësimit të të gjitha kritereve të vendosura nga Komisioni Europian.
Kosova de facto është kthyer në një geto. Kosova sot është në pikën më të dobët e më të vështirë që nga shpallja e pavarësisë. Nëse kishte një moment të përshtatshëm për negociata finale, ishte menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare. Atëherë Kosova ishte e fortë. Kishte me vete faktorin ndërkombëtar. Kosova ishte në ofensivë. Sot është e kundërta. Ta futësh Kosovën në negociata ndërkombëtare sot, kur është në pikën më të ulët të saj, do të thotë të pranosh kapitullimin pa kushte. E në rrethana të tilla, sigurisht që çështja e kufijve dhe integriteti territorial marrin vend të parë. Dy çështje këto të mbyllura një herë e përgjithmonë me raportin e Ahtisarit, me shpalljen e pavarësisë, me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare.
a) Hashim Thaçi
Ideja e ndryshimit të kufijve është ide e kahershme e Beogradit. Se pse e mori përsipër Hashim Thaçi në vitin 2018, vetëm ai e di. Me justifikimin e një marrëveshje gjithë përfshirëse me Serbinë, duke hedhur në tryezë shkëmbimin e territoreve, Hashim Thaçi bllokoi procesin e njohjeve të Kosovës, e zhbëri pavarësinë e saj, ktheu në pikën zero të gjitha arritjet e deritanishme. Me apo pa marrëveshje, dëmi është shkaktuar tani. Kosova është futur në një lak, ku nuk del dot. Pasi u fut qëllimisht në këtë lak, tani del e thotë se nuk kemi zgjidhje tjetër veç ndryshimit të kufijve. Përndryshe nuk kemi marrëveshje, nuk kemi njohje, nuk kemi anëtarësim në OKB, NATO, e BE. Gjarprit nuk i intereson asgjëe tjetër, as ndarja, as Serbia e Madhe, as stabiliteti në rajon. Këto nuk janë punë e tij. Puna e tij është vetëm marrëveshja. Me ndarjen e Kosovës si parakusht.
b) Ramush Haradinaj
Me vendosjen e taksës për produktet serbe, ai në fakt ka vendosur kufirin aty ku është e aty ku duhet të jetë. Taksa nuk është një betejë ekonomike. Taksa është betejë politike. Betejë diplomatike. Taktikë negociuse. Taksa është kufiri i Kosovës. Ajo nuk hiqet derisa të hiqet nga tavolina ndryshimi i kufirit. Ramush Haradinaj ka një avantazh të madh. Ai nuk është i shantazhueshëm. Ka luftuar. Ka derdhur gjak. Ata faktorë të brendshëm e të jashtëm që menduan se do ta digjnin përfundimisht duke e përballur me drejtësinë, pa dashje, i dhanë ndihmën më të madhe. I dhanë mundësinë të pastrohet nga akuzat. Ja hoqën mundësinë e shantazhimit. Historia e ka thirrur Ramushin edhe një herë ti dalë zot Kosovës. Në betejën finale. Dy herët e para ja ka dalë me sukses.
Kjo është hera e tretë.
E treta e vërteta!
Deklarata e fortë e Dash Shehit: Si i vijnë në ndihmë sunduesit Edi Rama ato “30 gocat me kufje”…
Deputeti Dashamir Shehi ka mbajtur një fjalim mbrëlënës sot në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka shpjeguar fare qartë se sa thjesht ka lindur diktatura në Shqipëri, madje përmes votës dhe duke u shitur si avancim i demokracisë nga kryeministri Edi Rama. Në këtë pikë, Shehi shpjegoi si i vijnë në ndihmë, sunduesit Edi Rama sot, ato “30 gocat me kufje”, që kontrollojnë madje edhe “gocat” ministre të qeverisë.
Duke treguar karrigen e Edi Ramës, Shehi nga foltorja e Kuvendit tha: “Diktaturat nuk lindin vetëm mbas revolucioneve! As mbas dhunës! DikTaturat lindin në kohë paqeje. Edhe me votë. Lindin kur dhuna është vetë brenda shtetit. Nuk bëri as Italia e Musolinit, që u bë diktaturë, as Hitleri ..Nuk dolën pas lufte. Mbas votimeve dolën. Të mëdhaja, të rëndësishme, me flamuj…
Ai Maduro që është sot nuk ka ardhur me luftë. Me paqe ka ardhur. Me votim. Me votime të trazuara si këto tonat, me psikologji shoqërore të rënduar dhe atëherë, kjo që duket si demokraci, dalëngadalë përfundon në një sistem….S’po i them ato emrat e shëmtuar, diktaturë, dreq e shejtan, por unë do t’i kisha vënë një emër shumë më shqip: Në sundim!
Ky zotëria këtu (tregon nga karrigia bosh e Ramës) ka mbërritur të na sundojë. Nuk ka nevojë për instrumenta.
Biles e patë se me çfarë qetësie i ndërroi ministrat?! Pse?! Sepse është e parëndësishme! Para diktatorëve jemi të gjithë zero. Kaq e madhe është distanca!
E keni parë që ka ndërtuar me mendjen e vet ca institucione?! Për shembull, Sistemi i Kontrollit të Qeverisë!!! …Ajo që dalin flasin, çojnë mesazhe, populli, “vetëqeverisja”!
Ç’është kjo?! Nga doli kjo?!
Në cilin rresht të Kushtetutës sonë është shkruar?!
Në cilin vendim qeverie?!
Në cilin nen të parlamentit, ti merr përsipër atje, na vë nja 30 goca me kufje te veshi si Call Center dhe po na qeveris?! Dhe ato gocat, që janë po si gocat e tij, kanë të drejtë t’i kontrollojnë e t’i gjejnë gabim këto gocat e tjera (bën me dorë nga ministret), se si duket janë më të mençura. Ose… do të jenë më të reja. Kush e merr vesh këtë punë?! Po sidoqoftë, ky është sistemi. Dhe kjo na shitet jo për qeverisje, por kjo na shitet për një “avancim të demokracisë”!!! Këtë s’e ka mbërritur as Zvicra, që voton në pjacë me dorë të ngritur, as Danimarka: e kemi mbërritur ne këtu! Se s’kemi nevojë më për qeverisje!!!
Qeverisja i pengon diktatorët. Qeverisjen e kanë në mendjen e tyre, skemën!
Denoncimi i pedagoges: Dy patrulla policia ‘mësynë’ Fakultetin, ja çfarë raportuan në radio
Studentët dhe pedagogët vijojnë protestën kundër qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, ndërsa kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre si dhe anulimin e ligjith “Për Arsimin e Lartë”.
Ndërsa vijon bojkoti në Fakultetin Histori-Filologji, ditën e sotme mësohet se dy patrulla në harkun kohor prej 20 minutash, kanë patrulluar në këtë fakultet, madje njëra prej tyre ka raportuar në radio sikur bëhet mësim.
Lajmi është bërë i ditur nga pedagogia Raimonda Nelku, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet:
“Policia e shtetit, në vend që të kujdeset për rendin dhe të merret me kriminelët, patrullon sot në Fakultetin Histori Filologji. Dy patrulla brenda 20 minutash. Madje njera nga patrullat raportoi në radio i rrethuar nga bojkotuesit se, këtu bëhet mësim. Sa keq, ne vend që të ndjekin krimin, mbajnë në mbikqyrje studentë e pedagogë që janë aty në të drejtën e tyre, a thua se për këtë paguhen nga taksapaguesit e vendit”.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë e pranisë së forcave të policisë në ambientet e fakulteteve.
Banorët e Tiranës u bashkohen aktorëve te Teatri: T’i rrëzojmë njëherë e mirë këta hajdutë!
Banorët e “Bilevardit të Ri” bashkë me ata të Astirit i janë bashkuar protestës së aktorëve në oborrin e Teatrit Kombëtar të cilët protestojnë prej një viti për të mos lejuar shembjen e godinës së vjetër dhe ndërtimit të një godine të re.
Banorët shprehen se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet, megjithëse projekti ka nisur që në vitin 2012 dhe fondi për shpronësimet është miratuar nga qeveria Berisha që në vitin 2013.
Ata janë shprehur se fundi i qeverisë së Edi Ramës vjen nga protesta e 16 shkurtit e cila është thirrur nga opozita.
Nëna e 13-vjeçarit të shoqëruar në polici gjatë protestës së banorëve të Astirit përpara Parlamentit, u shpreh se ai u arrestua vetëm sepse doli në mbrojtje të banesës së tij.
“Djali im vetëm 13 vjec u arrestua se doli në mbrojtje të banesës së tij. Edi Rama dhe Erion Veliaj janë të pa shpirtë, janë kriminelë. Shtëpia për njeriun është jeta. Është vendi ku kalon jetën.
Fëmijët tanë kanë përfunduar edhe nëpër spitale për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike. Ti rrëzojmë njëherë e përgjithmonë këta hajdutë dhe kriminelë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë banorët e “Bulevardit të Ri” kërkojnë të ndiqet e njëjta skemë siç ka ndodhur në Lotin e parë dhe të dytë, ku pronarët janë shpronësuar me vlerën e tregut.
Sot ata janë përplasur me policinë para Bashkisë së Tiranës e cila ka tentuar që t’i ndalojë për të mos bllokuar rrugën, pasi sipas policisë nuk kanë marrë leje për të protestuar. Banorët më tej kanë arritur me këmbëngulje të bllokojnë rrugën duke shkaktuar trafik të rënduar.
Revolta/ Qytetarët rrethojnë Bashkinë: Në Tiranë jetojnë vetëm ata që kanë lidhje me qeverinë dhe bashkinë
Kur protesta e madhe është paralajmëruar nga opozita me 16 shkurt, në këto momente, një tjetër protestë po zhvillohet para godinës së bashkisë së Tiranës.
Dhjetëra qytetarë kanë kërkuar largimin e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa u shprehën se politikanëve të korruptuar iu ka ardhur dita për t’u larguar nga vendi.
Me pankarta në duar “E duam bashkinë pa Erion Velinë”, “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën, “E duam Shqipërinë pa Erion Velinë” si dhe “Rama e Veliaj të ikin nga Shqipëria”, ata u shprehën se përballja e madhe me qeverinë do të jetë ajo e 16 shkurtit.
Qytetarët e Tiranës i janë përgjigjur thirrjes së opozitës, duke protestuar në qendër të Tiranës. Për më shumë se 30 minuta protestuesit kanë bllokuar rrugën mes bashkisë së Tiranës dhe Teatrit Kombëtar, duke hedhur parulla kundër qeverisë, si shkaktare për jetën gjithnjë e më të vështirë e më të shtrenjtë në Tiranë.
Në fjalën e tyre, qytetarët u shprehën se, në Tiranë jetojnë vetëm ata që kanë lidhje me qeverinë dhe bashkinë e Tiranës, ndërsa të tjerët kanë zgjedhur arratinë si të vetmen alternativë, pasi nuk ka zgjidhje tjetër. Pas bllokimit të rrugës, protestuesit dhe qytetarët i janë bashkuar edhe protestës së “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”.
Basha: Kanë shpikur taksë pas takse, ne do t’i ulim menjëherë!
Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka zhvilluar edhe gjatë ditës së sotme takim me qytetarët shqiptarë. Ditën e sotme Basha është takuar me qytetarët e Tiranës dhe biznesmenë që operojnë në kryeqytet.
Gjatë bisedës me ta, Basha u njoh me të gjitha problemet ekonomike dhe sociale që përballen qoftë qytetarët ashtu edhe bizneset, dhe për këtë shkak është bërë rritja e taksave në të gjithë sektorë.
Në takimin me qytetarët dhe biznesin, Basha premtoi se në programin e PD parashikohet ulje e menjëhershme e taksave si dhe ulja e energjisë elektrike, e cila është rritur ndjeshëm që prej ardhjes së Rilindasve në pushtet.
Biseda e Bashës me qytetarët
Basha: Çfarë janë biznese me nën 140 milionë lek të vjetra në vit, hiqën nga TVSH.
Do të keni vetëm një tatim, 0.5% e xhiros vjetore dhe gjithçka tjetër do të anulohet.
Taksat e bashkisë janë 7 dhe 10 fushuar më shumë se para tre vjetësh.
Tregtar: Kanë vënë edhe taksën e tabelës.
Basha: Kanë shpikur taksë pas takse, taksë arsimi, e taksë e asaj… Do të keni pullën në vitrinë. Tatimin prej 0.5% në vit do të shkojë për financimin e pushtetit vendor jo qeverisjes vendore dhe asnjë inspektor nuk do të ketë të drejtë të hyjë në biznesin tënd. Do të heqim taksën Rama mbi karburantin 300 lek. Do të ulim çmimin e energjinë për biznesin, veprimtarinë prodhuese dhe qytetarët. Me këto taksa e tarifa këta kanë vjedhur 2 miliard euro më shumë.
Teksa përshkoi në këmbë të gjithë Rrugën e Kavajës, krye demokrati bashkëbisedoi me një sipërmarrës në fushën e “call center”, të cilit i premtoi se PD-ja do të ndjekë politika lehtësuese për bizneset.
Në fjalën e tij, Basha tha se punësimi është një ndër prioritetet e parisë së tij dhe këtë do ta aplikojë sapo të marrë pushtetin me votat e qytetarëve.
“Do të keni taksë të sheshtë 9%, tatimi i fitimit dhe taksa e kontriburit shoqëror që do të jetë 9% punëdhënësi, 9% punëmarrësi.E dyta, është ulja me 300 lek e çmimit të karburantit që vetëm për rrugë nuk shkon.
Do të rivendosim fashën për shpenzimin e energjisë. Për biznesin riprodhues ulet me 30-40% të çmimin të energjisë, për biznesin e vogël 20% dhe për konsumatorët. Janë tre shtrëngesa shumë të mëdha që po i merr buxheti i shtetit por që nuk po kthehet në investime. Këto janë gosti për 5 oligarkë. Oferta jonë është kjo: Qeveria ka marrë paratë për oligarkët, ne do ia marrim oligarkëve dhe do ia kthejmë ekonomisë dhe njerëzve. Prioritet është punësimi si politikë e parë dhe objektiv i parë i Partisë Demokratike”, tha Basha.
Syri: Takimet sekrete të Xhorxh Soros në Tiranë, pse u fsheh vizita dhe “thesari” që po kërkon
Tre ditë më parë kur SYRI.net mori sinjalizim për praninë e një prej anëtarëve të familjes Soros ndodhej në Tiranë, për shkak të një përllogaritje moshe nuk e morëm me mend se nuk bëhej fjalë për djalin e filantropit më të njohur në botë 26-vjeçarit Aleks Soros, por për vetë plakun 89 vjeçar Xhorxh Soros.
Për këtë arsye, dhe për të qenë korrekt me lexuesit tanë sot po publikojmë detajet e qëndrimit 4 ditor të Xhorxh Sorros në Tiranë i cili është larguar nga Shqipëria dje.
Sipas informacioneve fort të besueshme mësojmë se përgjatë ditëve të qëndrimit të tij në Tiranë, 89-vjeçari Xhorxh Soros ka zhvilluar nje seri takimesh sekrete shumica prej të cilave me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranes Erion Veliaj.
Duket se Tirana është kthyer në qendrën e interesave shumë të forta të filantropit dhe spekulantit Xhorxh Soros aq sa ta detyrojë atë të ndërmarrë një udhëtim të gjatë e të vështirë prej moshën deri në kryeqytetin shqiptar.
Për çfarë bëhet fjalë?
Miniera e Trepçes?
Një ditë më parë, zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Koçijançiç është pyetur nga Zëri i Amerikës nëse është Brukseli ai që e ka futur në axhendën e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës çështjen e minierës së Trepçes.
Zonja Koçijançiç dha këtë përgjigje: ‘Ne nuk komentojmë çështjet që ata duan t’i diskutojnë. Ata i sjellin në tryeze çështje të cilat i konsiderojnë të hapura dhe pastaj vendosin nëse duhet t’i diskutojnë të gjitha ato çështje, ashtu që të arrijnë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të gjitha temat e hapura’.
Ky reagim i zonjës Koçijançiç pasoi një reagim të mëhershëm të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj që reagoi ashpër ndaj qëndrimit të Brukselit për vendimin e qeverisë në Prishtinë për të marrë pronësinë e të gjithë minierës së Trepçës ndërsa shkruante: ‘Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Trepça nuk është çështje e hapur mes Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë moment populli i Kosovës dhe institucionet e saj nuk do të lejojnë krijimin e temave false që kanë qartazi qëllim ndarjen e Kosovë’. E duke lexuar këto dy reagime të Koçijançiç dhe Haradinajt, pyetja lind se kush po kërkon që ta fusë në axhendën e bisedimeve Kosovë-Serbi edhe çështjen e minierës së Trepçes?
3 ditë më parë kryeministri Edi Rama, udhëtoi për gjithë natë dhe u shfaq në insta-storyn e djalit të Hashim Thacit në banesën e këtij të fundit në Prishtinë. Rama bashkoi në një tryezë Thaçin, Haradinajn, Pacollin dhe Limajn duke u ulur në krye të qoshes megjithëse nuk ishte ne shtëpinë e tij.
Një ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se marrëveshja me Serbinë do të përmbyllet brenda këtij viti dhe madje ajo ka edhe bekimin e Rusisë.
‘Por në të njëjtën kohë edhe Rusia ka dërguar mesazhe që nëse palët merren vesh ne do ta mbështesim, gjë që më ka konfirmuar edhe mua personalisht presidenti (Vladimir) Putin por edhe përmes zëdhënësit të Kremlinit’-ka deklaruar Thaçi.
Xhorxh Soros në Tiranë…
Në të gjithë këtë tollovi zhvillimesh të vrullshme e të pakuptueshme, pas saktësimit të informacionit nga SYRI.net mësohet se diku mes datës 2-3 Shkurt në Tiranë ka mbërritur filantropi-spekulant Xhorxh Soros i cili ka qëndruar për 4 ditë në Hotel Plazza në Tiranë i shoqëruar përgjatë gjithë kohës nga rojet e Gardës së Republikës të vendosur në dispozicion nga kryeministri Edi Rama.
Dy automjete te zeza, kanë qenë autokolona që e ka shoqëruar zhvendosjen ditore të filantropit-spekulant ndërsa po dispozicion të tij është vendosur edhe një ashensor i dedikuar në hotelin luksoz. Përgjatë gjithë kësaj kohe drejtori i Fondacionit ‘Soros’ në Shqipëri Andi Dobrusha është mundur që të ruajë anonimatin e qëndrimi të Soros në Tiranë duke debatuar deri edhe me recepsionin e hotelit në mënyrë që gjatë lëvizjes së padronit të tij në ambientet e hotelit të fikeshin kamerat e sigurisë.
Pas mëngjesit që Soros ka konsumuar çdo ditë në orën 08.20, ai ka patur një axhendë të gjatë takimesh ku më kryesoret kanë qenë ato me Kryeministri Edi Rama, Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe drejtorin e fondacionit Andi Dobrusha.
Pse gjithë ky anonimat?
Burime për SYRI.net bëjnë me dije se pas idesë së futjes në axhendën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë edhe të minierës së Trepçes, qëndron interesi okult i Xhorxh Soros për ta marrë me konçesion këtë pasuri marramendëse të Kosovës për 99 vjet. Dhe pikërisht fakti që Ramush Haradinaj firmosi pak ditë më parë vendimin që e kalonte Trepçen nga administrimi i Agjencisë së Privatizimit në pronësi direkte të Qeverisë së Kosovës duke se ka prishur tërësisht planet e Xhorxh Soros për ta shtënë në dorë këtë pasuri. Për këtë arsye, tashmë ata që njihen si ‘argatët e Beogradit’, por që mesë pari janë shërbestarët e paepur të Xhorxh Soros si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë janë thirrur në kauzë që Trepçen t’ia kalojnë Serbisë në rast të plotësimit të planit ogurzi të ndarjes së Kosovës.
Nëntoka e Trepçes vlen 12 miliardë Dollarë…
Nuk është më një sekret se për të njëjtat aryse, ajo e futjes në dorë të pasurive nëntokësore të gazit dhe naftës që ndodhen në detin Jon e që nuk janë demarkuar ende mes Shqipërisë dhe Greqisë, Xhorxh Soros sposorizoi fort edhe marrëveshjen tashmë të dështuar të detit mes Athinës dhe Tiranës.
Prej vitesh kompania San Leon Energy me aksioner kryesor Xhorxh Soros ndodhet në Shqipëri dhe pas ndarjes së vendit në 18 blloqe kërkimi nga qeveria e Edi Ramës, një pjesë e tortës së naftës së shqiptarëve i është besuar pikërisht kësaj kompanie (kliko http://ëëë.sanleonenergy.com/operations-and-assets.aspx#albania ).
Duke qenë marrëveshja me Greqinë dështoi përfundimisht, duket se interesat personale të Xhorxh Soros janë kthyer tërësisht nga Trepçja, dhe prandaj sot si asnjëherë tjetër përveç territoreve të veriut, Kosova rrezikon të humbasë edhe një pasuri të vyrer dhe kombëtare sic është ajo e minierës së Trepçës. Për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, mjafton të nënvizojmë faktin se sipas analizave të ekspertëve rikthimi në funksion të plotë të minierës do të thotë, vënia në punë e një industria e cila mban të mbyllur brenda një pasuri jo më pak se 12 miliardë dollarë…
“Syri.net”