22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Viti nis me mot të kthjellët, ja parashikimi i motit për datën 1 janar 2025! Temperaturat deri në 18 gradë Celsius!

Dita e parë e vitit (1 janar 2025) nis me mot të kthjellët dhe me temperatura që prekin vlerën deri në 18 gradë celsius.

 

Gjithashtu do të ketë vranësira të lehta dhe kalimtare, më të dukshme gjatë orëve të pasdites.

Në rang territori vlera më e ulët do të jetë -3 gradë celsius, kryesisht në pjesën veri-verilindore. Ndërsa pjesa perëmndimor luhatet nga 4-7 gradë.

Në tre ditët në vijim, do të kemi paqendrueshmëri të kushteteve të motit. Të enjten rikthehen reshjet e shiut dhe të dëborës. Gjithshtu do të bien temperaturat.

Basha uron Vitin e Ri: Shëndet, dashuri dhe shpresë për familjet shqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, uron shqiptarët për vitin e ri.

Basha ka postuar një foto me
familjen e tij dhe uron që 2025-sa të jetë i mbarë plot shëndet, dashuri dhe shpresë për familjet shqiptare!

Urimi i plotë i Bashës:

Urimet më të ngrohta të gjitha familjeve shqiptare për një Vit të Ri të mbarë, plot shëndet, dashuri dhe shpresë!
Gëzuar Vitin e Ri 2025!

Kombëtarja, sukseset dhe zhgënjimet/ Viti 2024 i Kombëtares dhe 2025 plot sfida dhe pritshmëri të mëdha

Lemë pas një vit të mbushur me ngjarje të mëdha sportive. Kampionati Europian “Gjermani 2024” dhe Lojrat Olimpike “Paris 2024” ishin dy prej kompeticioneve që shënuan sportin botëror.

Po ashtu, 2024 ishte një vit me arritje dhe zhgënjime për kombëtaren e Shqipërisë, por edhe me rekorde historikë për sportin dhe sportistët kuqezi.

Pasi bëri një fushatë të shkëlqyer në fazën kualifikuese, Kombëtarja e Shqipërisë mori vendin e parë në grupin e saj, duke lënë pas skuadra si Çekia dhe Polonia, për të siguruar për herë të dytë pjesmarrjen në fazën finale të një Kampionati Europian.

Skuadra kuqezi e drejtuar nga Silvinjo u prezantua në “Gjermani 2024” me shumë pritshmëri, por edhe vetëdijen që fati e kishte dënuar duke e vendosur në një grup ferri bashkë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.

Skuadra e Silvinjos bëri një paraqitje dinjitoze, por vetëm kaq, pasi i tha lamtuimirë “Euro 2024”, duke u renditur në vendin e fundit të Grupit B, me vetëm 1 pikë, 3 gola të shënuar dhe 5 të pësuar.

Silvinjo dhe stafi i tij duhet të kenë mbajtur shënim, për të përmirësuar gjithçka në vitin e ardhshëm ku e presin sfida të mëdha duke nisur nga eliminatoret e Botërorit 2026, ku do të luajë në një grup të vështirë bashkë me Anglinë dhe Serbinë.

“Personazhet” e 2024

Nga Lutfi Dervishi

Fjala e vitit: SKY -ECC

Thënia e vitit: Noc Rroku

Personazhi i vitit: Nesti Angoni

Fjalia e vitit: “Beketi do të marrë atë që nuk thuhet”

Muaji i Madhnushem i Vitit: muaji i aplikimit të llotarisë amerikane

Vepra e vitit: Qendra e Gjadrit

Kryevepra e vitit: porti i ri detar

Dilema e vitit: ta hapim tunelin e Murrizit?

Zhgënjimi i vitit: mosbindja civile

Ironia e vitit: deputetët: “s’na imponon njeri si të votojmë”

Institucioni i vitit: komisioni i Venecias

Projekti i vitit: shteti bektashian

Arritja e vitit: mbyllja e TikTok

Ëndrra e vitit: pista e formula one në Elbasan

“‘Lufta’ politike është teatër”, Gjikondi: Rama nxori gogolin Berisha nga kafazi, që shqiptarët të zgjedhin të keqen më të vogël

Juristja Brisida Gjikondi tha se ‘lufta’ politike mes Sali Berishës dhe Edi Ramës është thjeshtë një teatër, pasi bashkëpunimi i tyre i ngushtë është prej 16 vitesh.

“Marrëveshja e Ramës me Berishën ka filluar që në prill të vitit 2008-tës. Është komplet një teatër. Është e vërtetë fakti që e ka marrë pak veten opozita, por është një teatër sepse ka mbështetës kryeministrin Edi Rama.

E ka përkohësisht sepse Ramës i intereson që të zgjedhjet e 2025-sës, të jetë përballë me të ndaj atyre shqiptarëve që me të janë të neveritur. E nxori Rama Berishën nga shtëpia, jo Amerika.

Rama e uli Berishën nga ballkoni, kujtojmë që vulën ja dha në qershor, në janar i dha të gjithë pazaret, me kod zgjedhor, me amnisti penale. Së fundmi e konfirmoi edhe si kryetar.

Rama e nxori dhe Berisha është gjasmë rrugës me këto bllokim rrugësh pikërisht që t’u thotë shqiptarëve që e shikoni këtë “gogolin’ se ju nuk më doni mua, unë po nxjerr gogolin nga kafazi dhe ju përballë këtij do zgjidhni të keqen më të vogël, i cili jam unë”, tha Gjikondi në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH.

Poeti Sadik Bejko thurte vargje nën thembrën e regjimit komunist: Pluhuri i qymyrit më mbuloi për gjashtë vite

Nga Era Berisha

Ishte 22 nëntori i këtij viti dhe acari kishte shungulluar rijetësimin e përhershëm në Prishtinë. Rrebeshi i shiut më shoqëroi gjatë gjithë rrugës për të takuar një nga personat më të veçantë në jetën time. E gjeta të ulur në karrigen e Galerisë së KultPlus, të përqendruar kryekëput në telefonin e tij që e përdorte disi me vështirësi. Nuk e shqetësova menjëherë pasi që doja të ngrohesha pak nga ai i ftohti që më kishte hyrë gjerë në palcë të shpirtit. Kaluan disa minuta dhe vendosa që t’i afrohem e t’i prezantohem se kush jam. U përshëndetëm me një shtrëngim duarsh, të tilla ato që kishin përjetuar çmos. I dallova që në prekjen e parë – ishin duar të skalitura prej rrufeve të jetës.

Figura e poetit Sadik Bejko mu qartësua para syve, ndërsa sytë e tij disi mbanin një portret prej fëmije, mbushur plot shpresë. Po ta shihje nga jashtë, dukej si një njeri i zakonshëm, por shpirti i tij atë ditë më foli shumë. U hap si pena ngjyrë zezë mbi fleta të bardha. Ashtu ish edhe jeta e tij; bardhezi.

Në një intervistë për KultPlus, një nga poetët më të shquar të Shqipërisë, Sadik Bejko, ka rrëfyer shumë. Poezia për të është frymë dhe ai ka vazhduar të frymojë edhe atëherë kur të shkruaje poezi nën një regjim komunist ishte pak a shumë sikurse të mbinin lule të egra në një fushë betoni. Kundërshtimi i tij i qetë kishte lulëzuar në një mënyrë të atillë që i falte jetë vargjeve të lira. Heshtja e tij i përkiste një ritmi lirik që bazohej komplet mbi një natyrë meditative. Shtypja u bë metaforë, mbikëqyrja një nëntekst. Pëlhura e frikës e kishte kapur atë për krahësh. Ai u internua nga regjimi komunist për vargjet e guximshme që pëshpëritnin për shpirtin njerëzor. Sikurse shumë shkrimtarë, edhe ai u dënua për nxitje dhe përhapjen e kulturës borxheze në Festivalin e Njëmbëdhjetë të Këngës më 1972.

Parimet shtetërore të cenonin derisa të zhvishnin edhe ashtin. Ishte një realitet i ashpër për shumëkënd, që ndaloi kreativitetin e shumicës. Duhej t’i përuleshe me fytyrë në tokë atij autoriteti. Është një luftë për të ruajtur shpirtin njerëzor kur ideologji specifike kërkojnë fshirjen e individualitetit. Por qëndrueshmëria e pastër i bënte ballë censurës. Poezia e Bejkos ka bartur peshën e shtypjes, duke e lejuar atë që të fluturojë deri në qiellin e pakufishëm, një qiell që në realitet, ai e shihte rrallë.

Që në atë kohë ishte shpallur në kundërshtim me disa nga parimet shtetërore. Tekstet e tij nxitën dyshime të forta në autoritetin e lartë të asaj kohe, por teksti i këngës “Një kujtim nga deti” me interpretim nga Lefter Agora, i solli edhe dënimin me punë të rënda në minierë për gjashtë vite me radhë të jetës së tij. Brenda asaj miniere, çdo natë, poeti Bejko përdorte dorën për të shkruar poezi dhe çdo ditë përdorte po atë dorë për të rrënuar thellë brenda minierës.

Por, e vërteta nuk mund të heshtë kurrë. Shpirti i tij luftarak ishte ai që nuk e pranoi dorëzimin, ndonëse prangat e jetës donin ta shtypnin fortë. Fjalët e tij u bënë si dallga uji në shkretëtirë dhe u dorgjën në vargje. Rebelimi i tij shfaqej në gjakosjet e duarve që preknin gurë të palëkundur. Është vështirë të ëndërrosh kur tunelet e atij vendi kishin hapësirë vetëm sa për të futur trupin apo kur errësira bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Ishte një dënim i dhënë kundër guximit për të ëndërruar. Megjithatë, gjatë disa netëve, poeti Bejko i gdhendte vargjet në kujtesë e herë të tjera shkruante rreshta që zgjonin zjarre poetike. Ai gërvishte nga çasti në çast copëza shprese.

Ishte vetëm 31 vjeç kur pluhuri i qymyrit iu ngjitë në lëkurë, por, ai qymyr, ajo aromë që iu bë pjesë e pandashme e jetës, nuk ia errësoi dritën e imagjinatës së tij. Dinjiteti i tij nuk iu përkul hijes së jetës. Ai udhëtoi përtej mureve mbytëse edhe kur trupi i tij i mavijosur donte pushim. Sikurse në poezitë e tij, ai thurte histori lirie, dashurie, që i jepnin forcë zemrës së tij që nuk rreshti dot së shkruari. Edhe pse ky kapitull e qëndisi poetin Bejko ndryshe, me ndihmën e disa miqve dhe shkrimtarit Ismail Kadare, arriti që të dilte nga aty dhe t’i rikthehej përsëri arsimit dhe pasionit, e që sipas vetë poetit Bejko, nëse atëherë shteti donte të bënte një spastrim, as Zoti nuk do të mundte ta shpëtonte dot, e jo më Kadareja.

Përderisa kujton fëmijërinë e tij që e konsideron si të mirë, poeti Bejko na tregoi se si nisi të shkruante poezi si fëmijë në shkollën tetë vjeçare.

“Poezitë i kam shkruar sipas motiveve të këngës popullore në fillim fare. Pastaj, duke u rritur, në shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan, kishim një rreth letrar. Në atë rreth letrar gjithmonë më inkurajonte mësuesi i letërsisë. Ne na bënte anëtar të bibliotekës. Ne i shkruanim me dorë, profesori i zgjidhte dhe ishte një gazetë e shkollës në të cilën publikoheshin poezitë tona. Aty, fillova të ndërgjegjësohesha që isha i aftë të shkruaja poezi. Kisha filluar të lexoja autorë/poetë të rëndësishëm në bibliotekë dhe mund të them se isha nxënësi më i mirë në klasë për letërsi. Letërsia në një farë mënyre u bë pasion pastaj. E kam vështirë ta kujtoj poezinë e parë sepse as nuk jam ulur ta shkruaj. E kam shkruar në kujtimet e mia. Ishte një këngë popullore e thjeshtë dhe nuk e regjistrova askund. Atëherë si fëmijë mendoja se poezitë nuk mund të shkruheshin dhe besoja se ato ekzistojnë si këngë në ajër. Këngët këndohen në mjedis dhe unë nuk guxoja të mendoja se poezia ime do të bëhej këngë. Ishte diçka fëmijërore”, thotë ai, i cili tutje tregon se disa nga poezitë më të mira pati filluar t’i shkruante nga viti i fundit i shkollës së mesme, të cilat më vonë edhe i regjistroi diku. Pastaj, në Shkollën e Lartë, nisi t’i botonte poezitë nëpër gazeta.

Poezia e tij e parë e botuar gjeti dritën në janarin e vitit 1965 në gazetën Drita. Në atë vit, nisi t’i botonte disa cikle me poezi dhe kështu pastaj i filloi dëshira për të qenë në një radhë me poetët e tjerë të moshës.

Por, që kjo dashuri që i lindi qysh fëmijë t’i shndërrohej gjatë jetës në diçka ndëshkuese, nuk e kishte menduar aspak. Poeti Bejko më pas kujton pjesëmarrjen e tij si redaktor për poezinë/këngën në Radio Televizionin e Shqipërisë. Këngët e shkruara nga ai në Festivalin e Njëmbëdhjetë lidheshin ngushtë me pasionin e tij.

“Atëherë doli nevoja për një redaktor të poezisë sepse mendonin që do të duhej të forcoheshin poezitë që bëheshin këngë për festival. Prodhoheshin gjatë gjithë dymbëdhjetë muajve poezi, dhe unë i redaktoja, shkruaja. Por, më tepër dhe bëhesha miq me shumë nga ta në Tiranë dhe i ftoja që të merrnin pjesë me tekstet e tyre, e disa të tjerë afroheshin vetë. Unë kisha qenë edhe në edicionet paraprake të festivalit, mirëpo tek i njëmbëdhjeti më kujtohet se kisha tre tekste”, thotë ai.

Teksti i parë ishte me Françesk Radin, një tekst që fliste për trishtimin e luftës që bëhej në Vietnam. Ajo ishte luftë e dëmshme për shumëkënd. Konsiderohej se ishte këngë lirike që fliste për një grup djemsh që kanë dalë nga liqeni i Tiranës e po këndojnë kur nga radioja dëgjojnë bombat duke rënë. Pra, ishte një poezi e lehtë por si një lloj proteste e fshehur në të njëjtën kohë.

Kënga e dytë ishte një poezi e vetë poetit Bejko të cilën e kishte pëlqyer shumë kompozitori i shquar Kujtim Laro. Ata punonim bashkë dhe poezitë i lexonin bashkë dhe poezia e Bejkos doli në këngë dhe titulli iu vendos me emrin “Një degë e blertë”.

Pastaj, kënga e tretë ishte një kujtim nga deti dhe në poezi/këngë kujtohej mrekullia e detit, bukuria e vajzave. Prapë, ishte një këngë lirike por muzika e lehtë të tilla i donte poezitë. Atë e këndoi një këngëtar nga Saranda, Lefter Agora.

Sipas poetit Bejko, ishte fat i madh që të tri këto këngë të futen në Festivalin e Njëmbëdhjetë.

“Nga të gjitha këto, preferoja këngën ‘Një degë e blertë’. Ajo lindi nga një histori e imja sepse ishte shkruar si poezi për të fejuarën time e cila pastaj u bë gruaja ime që është sot. Ishte një kënaqësi e madhe sepse atë ditë, ajo ishte në sallë dhe e ka ndjekë drejtpërdrejt poezinë dedikuar asaj. Çdo njeri që punon në një zyrë, kërkon që të jetë i suksesshëm si punonjës, pra të fitojë dashurinë e shefave por edhe audiencës. Nuk kisha ndërmend t’i vihesha kundër regjimit. Çdo njeri që punon në një zyrë, nuk ka ndërmend ta rrëzojë Qeverinë. Neve na thanë atëherë që “Ju e sfiduat shtetin”, mirëpo ne nuk ishim të atillë. Doja thjeshtë të fejohesha, të isha njeri i mirë, doja që miqtë e mi t’i pëlqenin këngët që shkruaja. Isha i ri dhe mendoja që të kaloja një jetë të mirë. Ajo që erdhi pastaj qe një fatkeqësi. Mund të thuhet se ka qenë si një rrufe në qiell të kthjellët sepse s’kisha bërë gjë, dhe nuk kisha në mend të bëja diçka kundër regjimit të asaj kohe”, thotë ai.

Atë vit, poeti Bejko kishte tri ngjarje të rëndësishme. E para ishte fejesa me gruan, e dyta qe festivali i njëmbëdhjetë ku pati sukses me tri këngë si dhe e treta ishte krijimi i librit “Rrënjët”, i cili u prit shumë mirë. Ai është një libër që edhe sot mbahet ndër librat themelorë të krijimtarisë së tij.

“Këto ngjarje për një njeri të thjeshtë që ka punuar një punë të thjeshtë, nuk mund të ketë asnjë mision kundër shtetit. Por, neve kështu na gjykuan. Dhe, na gjykuan pa të drejtë. Thanë për arsye se në atë kohë, këngët që nuk ishin politike, këngët që nuk bënin propagandën e shtetit, quheshin këngë sfiduese për shtetin. Edhe në atë kohë, dhe tani, nuk e mendoj që ishte e drejtë. Gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë shkruar poezi lirike për natyrën, për detin, bukurinë, dashurinë. Këto janë motive të përjetshme. Por, ndryshe i gjykuan. Gjykimi ishte shumë i rëndë. Normalisht ka pasur të tjerë që kanë pësuar më shumë e më keq nga unë. Sherif Merdani, këngëtari që këndonte këngët që ia jepnin, u burgos pa të drejtë. Atëherë shteti të drejtonte se çfarë të këndosh, ku ta këndosh dhe kur ta këndosh, dhe Sherifi këtë punë bënte. Një regjisor tjetër që ishte personalitet i lartë, kishte bërë disa nga spektaklet më të bukura në Tiranë. Punoi shumë por e hoqën nga puna dhe e burgosën. Pas burgut, u bë bojaxhi dhe lyente mure deri në 91-shin. Gruaja e tij po ashtu nuk performoi më në skenë. Pati piktorë që vranë vetën, pra ishte një periudhë ku shumë personalitete”, rrëfen ai.

Dhe, në atë kohë gjithçka u përmbys. Ai u dënua gjashtë vite në minierë, një periudhë e rëndë për të. U internua nga regjimi komunist për vargjet e guximshme lirike që nuk përkonin asnjëherë me partinë, ndërsa shumë poetë të tjerë e bënin dhe kjo ishte një rrugë shpëtimi për ta. Ai beson se e njëjta gjë do të ndodhte edhe nëse ai do i thurte lavde partisë, pasi që, nëse shteti të piketonte, atëherë nuk mund të kishe asnjë shpëtim.

“Të gjithë shkrimtarët në një sistem të dhunës siç ishte ai, duhet të dinë të përshtaten me sistemin. Në këto punë që bënim, ne secili do të duhej patjetër që t’i thurnim diçka regjimit. Tani në mendjen time, mendoj se nuk kam ditur të jem shumë diplomat, i lakueshëm pas kohës. Unë nuk jam nga ata që mburrem se nuk e doja komunizmin, jo. Mendoj se duhej ta gëzoja jetën time dhe ashtu kanë bërë shumë të tjerë të cilët e kanë kapërcyer gardhin. Nga ana tjetër, ajo koha etiketonte disa njerëz dhe i dënonte. Edhe sikur të bëja këngët më të bukura për partinë, nëse ata prapë do më etiketonin, ata prapë do të më dënonin. Atëherë vetëm një teatër ekzistonte dhe të gjitha këngët kontrolloheshin para se të këndoheshin. “Ky nuk është i yni, këtë gjë duhet ta sakrifikojmë”, thoshin ata. Sakrifica, dënimet, dhuna, bëheshin për të ngjallë terror, dhe për t’i vënë në rresht të tjerët që të kishin frikë të punonin. Pra, mendoj se nuk kam bërë mirë që nuk kam shkruar për partinë, por nga ana tjetër, edhe sikur ta bëja, mund të dilje i kryqëzuar. Dhe unë nuk e dija pse u dënova. Ata thjeshtë më shënjestruan”, tregon Bejko.

Plotë gjashtë vite të jetës, poeti Bejko i kaloi poshtë tokës. Dhe ai nuk ishte aspak i përgatitur për aso punë, ngaqë nuk ishte njeri që kishte bërë ndonjëherë punë të rënda fizike. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për të, një goditje që e rëndoi shumë fizikisht dhe emocionalisht, e që si e thotë edhe ai vetë; ia mori nderin.

“Mora vesh që regjimi kishte një problem me mua, kishte një armiqësi me mua. Shteti nuk më donte dhe kjo ishte një gjë shumë e keqe për mua. Atëherë nuk ekzistonte mundësia që të largoheshe dhe s’kishte çfarë të bëje. Goditja është poshtërim. Kur një njeri ka një punë të mrekullueshme, dhe të të heqin nga aty për të bërë një punë ndëshkuese, është diçka që të poshtëron, të merr nderin, të nëpërkëmb. Kur dilja ndonjëherë jashtë, ishte një autobus urban i qytetit dhe dalloja që njerëzit nuk uleshin në karrige afër meje, sikurse kisha ndonjë sëmundje të rëndë. Unë s’i vë faj njerëzve por atëherë ashtu ishte. Kishin frikë nga unë. Pra, kur vajta në një qytet, isha si një dele e zezë. Ishte një dënim moral, por ishte edhe dënim fizik”, thotë ai, i cili tutje tregon se minierat e qymyrgurit atëherë ishin të atij lloji që duheshe të punoje me duar e me këmbë shtrirë, sikurse ata skllevërit që portretizohen nëpër filma.

Atij i merrej fryma nga ajo aromë që i hynte gjithkund nga poshtë e lartë. Duhej të lahej fortë, me sapun, dhe ai kujton se atëherë bënte ftohtë e binte shpesh borë, dhe nuk kishte asnjë mundësi që ai ti terte flokët e lagura. Por, disi e përballonte këtë gjendje të rëndë morale dhe fizike.

Në ndërkohë, ai na rrëfen se para dënimit, kishte shumë njerëz që e dashuronin poezinë e tij dhe ai më së miri u identifikua me librin “Rrënjët”. Shteti i atëhershëm kishte mundësinë që të të quante edhe njeriun e tij po donte. Dhe, kishte atë fuqi që ta merrte çdokënd nën pronën e vetë.

“Shteti e qonte librin në çdo bibliotekë, edhe tek fshati më i largët. E qonte në biblioteka të reparteve ushtarake dhe papritur libri kishte një tirazh me pesë mijë kopje. Sot, mezi bëhen pesëqind kopje për një libër. Njerëzit e kishin lexuar dhe e kishin pëlqyer poezinë time. Nuk ishte poezi politike, por e lehtë, meditative, lirike. Ishte poezi e qetë dhe kjo lloj poezie iu hyri në zemër njerëzve. Pati njerëz që thoshin pastaj “shikojeni autorin e librit “Rrënjët”. Nuk është ndonjë mrekulli, por në atë klimë që doli libri, si në një kundërshtim me poezitë e forta, u mbajt si libër i mirë”, thotë Bejko.

Ndëshkimet për shkrimtarë të ndryshëm kanë qenë të njëpasnjëshme që kanë rezultuar deri në vetëvrasje por edhe vrasje nga shteti. Ka të tjerë që kanë bërë burgje. Shkrimtari Bejko, pothuajse, e konsideron veten me fat që është gjallë, por, prapë ai dënim e rëndoi shumë rëndë.

“Unë nuk jam prej guri, jam njeri dhe kam pasur momentet e mia të ligështimit. Ka pasur momente që kam humb ekuilibrin tim. Por, pata miq që më ndihmuan të dalë nga miniera. Kur shteti të piketonte, nuk të lëshonte. Kishte dënime të shumta, nga një shkallë në tjetrën. Puna ime ishte pa afat. Vajtja ime atje ishte me shumë rrezik. Këto ishin shkalla e parë për tu futur në burg dhe kjo të linte në një ankth dhe një pikëpyetje për fatin e familjes tënde. Njeriu ndonjëherë duhet të presë që të ndryshojë fati, pastaj fati ndryshoi. Unë në atë kohë, gjithçka mund të bëja, por nëse shteti nuk hiqte dorë nga ty, ti s’mund të shpëtoje dot”, thotë ai.

Në ndërkohë, po bëhesha gati ta pyesja se si e murr lajmin për lindjen e djalit, dhe në atë çast poetit Bejko i cingëroi telefoni. Po e thërriste djali i tij, për të parë se çfarë po bënte babai. Ndala regjistrimin e zërit dhe po mendoja për çudirat që ndodhin në jetë, të cilat dinë të vijnë në momentet më të rralla, e krijojnë kujtime të paharrueshme. E tillë qe kjo që u krijua atë natë. Poeti Bejko mbylli telefonin dhe dukej se u kuptuam me sy se kjo që ndodhi nuk duhej kaluar pa u diskutuar.

Vazhduam tutje diskutimin në të cilin ishim thelluar shumë. Poeti Bejko fliste me duar, rrëfente me sy. Dukej se kujtimet i vinin valë-valë dhe e rrethonin qenien e tij para meje. Shpesh, ia shihja sytë e përlotur por që asnjëherë nuk e lëshuan folenë e tyre. Zëri i tij i thellë vazhdoi tregimin tutje.

Ishte 15 shkurt, data në të cilën kishte lindur djali i parë i poetit Bejko dhe lajmin ai e mori nëpërmjet një telegrami, një moment për të cilin ai pati kushtuar edhe një poezi. Është evidente që poezia e tij buron nga brendësia dhe çasti.

“Ishte muaji i parë në minierë dhe isha akoma i paskalitur për punën aty. Më dhembnin shumë krahët sepse përpara kisha vënë në punë muskujt për lapsin, tani vëra në punë muskujt për minierë. Flisja gjithmonë me gruan e cila ishte në një hotel. Atëherë duhej të bëhej një lajmthirrje që të tregonim se do të bisedonim në telefon. Nëna e saj i rrinte pranë gruas sime. Mund ta kisha marr që në fillim, e të kisha ikur bashkë me të, por ajo kishte një rrezik, pasi që në muajin e fundit të shtatzënisë nuk duhej të lëvizte. Andaj, duhej të rrinte në Tiranë derisa të lindte. Atëherë vajti nëna e saj me të dhe qëndruan në hotel. Mbaj mend se ishte muaji shkurt dhe kishin filluar të dalin lulet e bajames në luginën në Tepelenë dhe kam shkruar një poezi që tregonte për mallin tim për të. Por, i ynë është gëzimi dhe gëzimin duhet ta pranojmë, por edhe hallet, vuajtjet, të këqijat janë të tonat. Njeriu duhet që t’i pranojë të mirat e kësaj bote por duhet t’i pranojë edhe të këqijat. E gjitha varet sesa të fortë jemi dhe sa fuqi kemi brenda për t’i kaluar ato. Kështu që e prisja djalin me këto lloj mendimesh dhe atë ditë më 15 shkurt kur më lindi djali, binte një shi si sonte këtu. E zymtë ishte dita. Vajta në postë për të bërë një telefonatë dhe mora një telegram ku mora vesh se më lindi djali. U habita. Kishte rënë errësira por isha shumë i lumtur. Nuk mund të flisja dot në telefon atë natë por kisha tre shokë në dhomë dhe rrugës u futa në një market dhe bleva dy shishe me pije, bleva çokollata e biskota. Kërceja nëpër pellgje me ujëra si i dehur dhe nuk i kontrolloja ndjenjat. Isha në eufori”, rrëfen Bejko.

Nga ana tjetër, zorshëm mori lejen për të parë djalin, të cilin e ka mbajtur gjatë gjithë udhës në tren për në Gjirokastër pas lindjes. I lodhur nga puna në minierë dhe krahët e tij të rraskapitur në atë moment ishin zhdukur nga dëshira për ta mbajtur sa më afër djalin e tij.

“Problemi ishte se mua më quanin të dënuar rëndë, sikurse kisha bërë ndonjë gjë të madhe. Dhe shefat e mi më shkonin me sy të keq. Kur kërkova leje për të parë djalin, nuk ma dhanë. Më thanë që duhej të shkoja të merrja leje në degën e policisë dhe i thashë që nuk jam njeri i dënuar nga policia e as nga gjyqi. Iu luta atyre dhe i thashë që jam në dorën e tyre dhe nëse nuk më leni atëherë do iki nga puna. Më së fundi, më dhanë leje pas shumë kërkesave. Ishte një gjë atëherë që gruan pas lindjes, nuk e nxirrnin dot pas shtatë ditëve. Atë ditë që vajta, e morëm bashkë gruan me nënën e saj. Shkuam në një hotel dhe aty kishte pak ngrohje, ishte mirë. Të nesërmen u nisëm me tren sepse nuk kishte rrugëdalje tjetër. Unë nuk kisha para të merrja një taksi. Atëherë një taksi kushtonte sa një pagë mujore. Asnjëherë s’kam qenë njeri parali. E vendosëm të iknim nga Tirana në Ballsh. Aty doli për të na marr një mik dhe ai kishte makinat e tipit që kishin vetëm tre vende. Ishte vjehrra që hyri përpara, ishte gruaja që e zinte makina dhe e zëri gjumi menjëherë prapa. Pastaj, udhës me tren për në Gjirokastër, gruaja ime ishte e lodhur shumë dhe unë mbaja djalin në gjoks me dy duar. Atëherë nuk kishim ndonjë shportë për ta mbajtur. Kështu shkuam deri në qytetin e Gjirokastër pas gjashtë orëve. Sigurisht, ishim të gëzuar por edhe shumë të lodhur. Doja ta bëja të lumtur gruan time por nuk e bëra dot. Ky është një peng i imi”, tregon ai.

Gjithashtu, ajo se çka u bë një frymëzim i tij i përhershëm për të qenë krijues i poezisë, ka qenë shtytja e shkrimtarit Sterjo Spasse, i cili para se të hynte poeti Bejko në minierë, i kishte thënë që duhet të vazhdonte të shkruante gjatë tërë jetës. I kishte thënë që poezinë duhej ta kapi edhe kur ai mendon se ai ka rënë shumë poshtë.

“Unë e kisha mik dhe ai ishte një njeri që më donte shumë. Ishim lidhur shumë pasi që djali i tij më kishte mua shok klase në Shkollën e Lartë. Aty u bëmë miq. Ai më tha: “Shiko, ti pësove fatkeqësi por jeta është e bukur prapë. Poezia ekziston prapë. Mirësia ekziston prapë. Mos e errëso veten. Mos i shiko të këqijat e kësaj bote por shiko poezinë, bukurinë e mirësinë. Duhet të kapesh nga e mira, se po u kape nga e keqja, keq të shkon.” Kjo për mua ishte shumë frymëzuese pasi që ka shumë njerëz të cilëve iu errësohet jeta dhe shohin vetëm anën e zezë”, thotë Bejko.

Brenda punës në minierë, poeti Bejko ka potencuar se e ka parë vdekjen me sy në çdo moment. Sipas tij, minierat janë vende të këqija. Ai kujton rastet kur edhe ka qenë i bllokuar komplet. Mban mend që hapësira ka qenë afro një metër dhe lartësia afro gjysmë-metri.

“Njëri sup takonte tavanin dhe tjetri sup takonte dyshemenë. Mezi ecën. Në moment bllokohesh aty dhe nëse aty nuk e ke mendje, mund të ndodhë asfiksimi, e edhe vdekja. Pra, duhet të marrësh frymë, të qetësohesh, pastaj mundësisht, me pak ndihmë nga ndonjë shok, të dalësh nga ajo situatë. Janë disa situata të tilla në minierë. Unë kam parë punëtorë me eksperiencë që fillonin të ulërinin keq, me një zë jonjerëzor. Ishte një zë i egër prej bishe dhe gati sa s’qanin burrat. Duhej t’i flisje shumë atyre pasi që na trishtonin edhe ne të tjerëve. Pra, miniera është një vend i vështirësive që ta merr frymën. Mund të të bjerrë një bllok guri e të të zinte. Kjo më ka ndodhur dhe mua disa herë. Pranë meje, kam parë njeri që ka lënë krahun aty. Kam parë tjetrin që i ka rënë blloku në mes të trupit dhe nuk është bërë më njeri. Kam pasur fat që unë kam shpëtuar. Ata të gjithë kanë qenë më të shkathët se unë, kishin shumë reflekse por unë isha një gjë e ngathët në atë punë. Fati më ka ruajtur mua”, thotë ai.

Në ndërkohë, bashkëshortes së poetit Bejko i thanë se duhej të ndahej nga ai. Por, ajo nuk hoqi dorë dhe u “dënua” gjithashtu për shkak se zgjodhi të jetë në një rrugëtim me të. Megjithatë, poeti Bejko nuk ndalej së reshturi për të treguar admirimin, guximin, forcën dhe dashurinë që ajo kishte për të, dhe anasjelltas.

“Gruas time i kanë thënë zyrtarisht që të ndahej prej meje. Ka vajtur të kërkuar punë por i thanë që për të punuar duhet ta lësh burrin. Në Tiranë i thanë lëre burrin dhe rri në Tiranë pasi që ajo nuk ishte e dënuar. Vajti pastaj në Gjirokastër tek qyteti i saj, nëna e saj ishte mësuese dhe babai i saj i ndjerë kishte qenë luftëtar partizan dhe ishte i njohur aty. Ata ishin qytetarë të atij qyteti dhe në këto qytetet e vogla, familjet njihen me njëra-tjetrën dhe aty kërkoi punë. I kërkonin që të më linte mua por ajo nuk më la. Ka kërkuar punë prapë dhe iu thoshte atyre se nuk mund ta linin një nënë me fëmijë, pa bukë. Atëherë e quan të punonte në një ndërmarrje si normiste ku gratë bënin triko, bluza. Atje ajo maste punën sa punonte dhe merrte rrogën por ishte me zbritje shumë ajo rrogë sepse i thoshin që ajo s’kishte arsim profesional, ndonëse ajo kishte arsim të lartë, por jo adekuat për atë vend. Atë punë e bëri për trembëdhjetë vite dhe pastaj me ndërhyrje të miqve, mezi filloi punën në bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës. Unë jam i lumtur për këtë sepse e di që në atë kohën e Enver Hoxhës, shumë ushtarakë, gjeneralë, shkrimtarë, kanë prishur familjet e veta. Edhe fëmijët t’i mohonin. Por, për fatin tim të mirë, gruaja ime qëlloi tjetër”, tregon Bejko.

Për të shpëtuar nga miniera, poetit Bejko i thanë të trokasë në derën e Kadaresë. Ai trokiti në kohën kur Kadare ishte drejt kulmit të suksesit dhe ai nëpërmjet miqve të tij i ndihmoi poetit Bejko që të dilte nga aty. Por, ata veçse njiheshin, ngaqë poezinë e parë të poetit Bejko, e ka botuar Kadareja në gazetën Drita. Kadare ishte redaktori kryesor i gazetës dhe sa herë që poeti Bejko ka vajtur atje, ai ia ka botuar poezitë.

“Ai më ka nxitur për të shkruar poezi gjithmonë. Janë të shkruara lajmet se pse Sadik Bejko nuk po e bën dot një libër. Kisha vështirësi për të botuar libër. Kisha atë marrinë time për të mos shkruar poezi politike. Duhej të bëja poezi politike që të më botohej libri por unë gjeta një rast shumë të mirë tjetër për të botuar librin tim. Në vitet 71’- 73’ ishte periudha e liberalizmit dhe u hoqën kërkesat e rënda politike. Libri im doli në këtë situatë dhe e kam botuar prapë librin me redaktim dhe me heqjen e dy-tri poezive. Dhe është e rrallë që librat e asaj kohe të ribotoheshin prapë në këtë kohë. Qe e tillë sepse e botuan në një moment që nuk pagova harraq. Kadareja sigurisht ka qenë njeriu që më ka ndihmuar për këtë punë. Nga të gjithë redaksitë e Tiranës të asaj kohe, u bë një spastrim, disa nuk u kthyen më kurrë. Dhe në atë periudhë nuk na shpëtonte dot Zoti, e jo më Kadareja. Dhe, tani pas gjashtë vitesh, unë prapë s’doja të shkoja tek ai por miqtë e mi insistuan që unë të shkoja. Më quan tek dera e tij dhe ata i trokitën në derë, më thanë t’i kërkoja ndihmë se ndryshe do mbetesha në minierë. Ata ikën dhe doli Kadareja e më ftoi brenda. Më pyeti për shëndetin e për punët. Ai bëri dy-tri telefonata të rëndësishme me drejtuesit e Kuvendit Popullor. Njëri nga ta ishte miku i Kadaresë. Mua në ndërkohë më kishin hequr të drejtën e profesorit në arsim dhe Kadareja ndërhyri prapë dhe më qoi në arsim. Ajo ishte kohë peripecish. Ishte e vështirë shumë”, thotë Bejko.

Sipas tij, dalja nga miniera u bë nëpërmjet një lutjeje të thjeshtë. Poetit Bejko i thanë që të largohet nga ai vend, mirëpo pikëpyetjet e shumta iu futën në kokë, dhe ato ishin të mëdha.

“Pyesja veten cila është e ardhmja ime. Menjëherë vajta në zyrën e Kuadrit, aty ku janë të gjitha dokumentet. I them atij punonjësit se u lirova nga miniera. Doja ta kisha dosjen time e Kuadrit me notat e mia të Shkollës së Lartë dhe gjithë punët që kisha bërë deri në atë kohë. Më thanë mua se s’kisha kuadër, s’kisha dosje. Më thanë shko nga këtu. Nuk dija ku të shkoja. Kisha humbur shumë. Ikja nga miniera por ishte një pikëpyetje tjetër se ku do shkoja pastaj”, tregon tutje ai, i cili më pastaj dalëngadalë iu rikthye jetës, dhe u fut në arsim me pak vonesë.

Libri për poetin Bejko mbetet një arratisje nga dënimet që ai i përjetoi, përfshirë këtu edhe vitet 1967-69 kur ka qenë ushtar në brigadë pune. Ushtarët e brigadës së punës, ishin bij të atyre familjeve që quheshin armik i popullit. Ushtari i brigadës së punës nuk mbante pushkë, por kazmë e lopatë e punonte në fermë, si bujk. Më 1967 nga drejtor shkolle e poet, e çuan ushtar bujk në afërsi të qytetit Burrel.

Për atë periudhë ai pati botuar një cikël me poezi për kohën që ka kaluar aty, dhe pastaj u pat shpërblyer edhe me një çmim kombëtar.

“Edhe ushtria ime ka qenë një gjë tronditëse për mua. Kam vajtur tek ata të cilëve iu kishin pushkatuar baballarët dhe ishin të njohur si armiq të popullit. Unë vajta të punoja me ta. Isha drejtor shkolle në Berat, kisha mik Kadarenë dhe rrinim çdo pasdite bashkë. U habita që vajta atje por unë kam pasur një lloj force. Aty ku isha bëra disa poezi por ato nuk ishin më të fortat, ishin ushtarake, për miqësinë në minierë, për ndarjen nga gruaja e familja, për ndarjen nga vendlindja. Ishin poezi njerëzore dhe ishin rreth shtatë poezi të tilla. Ishte bërë një konkurs aty pasi që ishte 25 vjetori i krijimit të Ushtrisë. Konkursi kërkonte një cikël poezish dhe aplikova aty me shkrim dore, në një zarf me një pullë. Më thërret komisari i gjithë fermës së Veriut në Burrel, i cili qe i vetmi që kishte televizor në gjithë vendin. Ai ishte i mirë dhe bënte punën e vetë. Unë isha një ushtar i thjeshtë atëherë por fitova çmimin kombëtar. Megjithatë, në vështirësi u bë ajo punë. Gjeta forcën në vështirësi për të bërë poezi”, rrëfen Bejko.

Dhe tashmë që i kemi ardhur fundit të kësaj interviste, poeti Bejko ka shpalosur se momentalisht e ka një libër në “thes”, por për të cilin akoma nuk dëshiron të tregojë shumë.

“Libri është si ai fëmija në bark, që kur të lind, do i vendoset emri. Do të shkojë të trokasë nëpër dyert e shtëpive botuese në Tiranë dhe kush të ma hap, do e them merre”, më përgjigjet Bejko me një ton humori, që në disa momente gjatë kësaj interviste, e shfaqte krejt natyrshëm.

Tashmë kur ne e realizuam këtë intervistë, ai ka qenë i pranishëm në Kosovë dhe me mua ka ndarë një paralele mes vuajtjeve të Shqipërisë, Kosovës dhe konceptit të lirisë.

“Vuajtjet tona kanë qenë të karakterit shoqëror të një pushteti distopik të dhunshëm, të mbrapshtë që i merrte frymën një populli dhe i hiqte lirinë, të ardhmen dhe të drejtën për të jetuar si njeri. E varfëronte, e terrorizonte dhe ndëshkonte njerëz pa faj, një nga ta jam unë. Kosova ishte tjetër. Kishte mungesë të lirisë dhe ishte e pushtuar nga regjimi serb. Dërgonte policinë me dhunë, vriste njerëz. Bënte gjyqe politike, bënte spastrime të njerëzve. Ishte regjim represiv. Kosova e ka pasur jashtëzakonisht më të rëndë nga ne. Ne e pësonim nga i yni dhe Kosova e ka pësuar nga tjetër njeri”, thotë ai.

Sipas tij, vuajtjet e Kosovës nuk mund të krahasohen me ato të Shqipërisë, dhe ai e konsideronte fat të madh që në këtë moshë ka ardhur në Kosovë, ngaqë si i ri e ëndërronte të vinte mirëpo rrethanat nuk ia mundësuan.

Krejt në fund të intervistës, biseduam më gjerë rreth letërsisë në Kosovë. Poetit Bejko i pëlqen shumë Ali Podrimja, të cilin edhe e ka pasur mik të mirë. Ai po ashtu ka përmendur edhe shkrimtarët e tjerë si: Azem Shkreli, Eqrem Basha, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu e Mehmet Kraja. Ndërsa, e përfunduam bisedën mbi madhështinë që qëndron prapa poezive të Martin Camajt./ KultPlus.com/

“Berisha dhe Rama kanë marrë peng vendin”, juristi: Këta po na rrjepin për së gjalli

Juristi Romeo Kara deklaroi se kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha kanë marrë Shqipërinë peng.

Juristi u shpreh në emisionin “3D” të dyja forcat politike, jo vetëm po na vjedhin, por na rrjepin për së gjalli.

“Mendoj që ajo që mungon në politikë dhe që ka bërë të pamundur të gjithë kalimin e gjithë këtij tranzicioni dhe mendoj që ajo që duhet të jetë tema është se çfarë duhet të ofrojë politika sot.

Çfarë i mungon dhe çfarë përfaqëson dhe çfarë duhet të ofrojë. Në analizën time është morali, mungesa e drejtësisë dhe kapja e institucioneve të drejtësisë. Të dyja forcat politike, këta që janë tani dhe ata që ishin nuk bindin askënd në Shqipëri.

Këta jo vetëm po na vjedhin, por na rrjepin për së gjalli. Shqiptarët duan ndryshim. Na duhet një aleancë e qartë.

Flenë apo jo bashkë ata, unë vlerësoj produktin dhe ky i fundit është që të dy kalorësit e zinj të politikës Rama dhe Berisha kanë marrë peng vendin”, tha Kara.

“Dhurata” e madhe e qeverisë për fundvitin/ Pako 4 miliardë euro koncesionesh, miratohen kontratat e Milot-Fier

Qeveria zgjodhi ditët e fundit të vitit 2024 për të miratuar tre koncesionet e autostradës Shkodër-Fier. Përmes tre vendimeve të posaçme, Këshilli i Ministrave miratoi kontratat koncesionare segmenteve nga Miloti deri në Fier.

Vendimi i parë miraton kontratën e segmentit Miloti-Thumanë. Aksi me gjatësi 13.5 kilometra, i ndërtuar nga ish qeveria e Partisë Demokratike tashmë i jepet me koncesion për 35 vjet bashkimit të shoërive “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “I.D.K- Konstruksion”. Këto kompani do të investojnë 44.6 milionë euro për përmirësimin e rrugës dhe në këmbim do të arkëtojnë tarifën 0.67 euro për çdo automjet.

Kontrata e dytë e miratuar është ajo e segmentit nga Kashari deri në Lekaj. Rruga me gjatësi 26.6 kilometër do të ketë një kosto projektimi, ndërtimi dhe mirëmbajtje prej 474,8 milionë euro për 35 vitet e ardhshme. Ajo do të ndërtohet nga bashkimi i shoqërive “Gjoka Konstruksion” sh.a, “Junik” sh.p.k., “Cobial” sh.p.k, “Pepa Group” sh.p.k, “UDHA” sh.p.k., “Geoportal” sh.p.k. dhe “A&E Engineering” sh.p.k.

Kjo rrugë nuk ka asnjë gjurmë dhe do të ndërtohet e gjitha nga paratë e kompanive private të shpallura fituese. Në këmbim ato do të arkëtojnë për 35 vjet tarifën 3.8 euro për çdo automjet.

Kontrata e fundit e miratuar është ajo e segmentit nga Lekaj në Fier. Kjo rrugë me gjatësi 46 kilometra është pjesërisht e ndërtuar, por jo në kategorinë e autostradës. Gjurma e kësaj rruge fillon pranë zonës së Luzit të Vogël me mbarimin e aksit Kashar-Lekaj dhe përfundon në fillimin e Bypassit të Fierit pranë zonës së Mbrostarit. Kompanitë e shpallura fituese në këtë koncesion janë “Fusha”, “Agbes” “Construksion” “Albavia” “Kupa” “Ante-Group”, “Klodioda” “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera”.

Këto kompani do të investojnë 320 milionë euro për shndërrimin e rrugës në autostradë, mirëmbajtjen e saj për 35 vjet dhe ndërtimin e rrugëve dytësore, pasi gjurma e kësaj autostrade kalon thuajse e gjitha në zona të banuara. Në këmbim kompanitë do të arkëtojnë tarifën 2.5 euro për automjet.

Të tre këto koncesione pritet të realizojnë një qarkullim nga 1 miliardë deri në 1.3 miliardë euro secila për gjithë periudhën 35 vjeçare./Kapitali.al

“Degradimi i shoqërisë në turmë”

NGA BEN ANDONI

Një nga shqetësimet më të mëdha, në ditët ku po jetojmë, është fshirja e jetës private dhe bashkimi me atë publike. E ushqyer nga media për “reality shoë”, ajo ka përfshirë intensivisht dhe atë pjesë të shoqërisë jashtë platformave të saj. Nxjerrja e privates dhe shfrytëzimi i saj po bëhet më shumë se bezdisës: gati linçues. Dhe, nuk është fjala vetëm për komentet e anonimëve dhe përfoljet e shumta, që shoqëria jonë i toleron. Kjo duket dhe një nga arsyet sesi goditen një pjesë e mirë e kundërshtarëve politikë apo edhe vetë njerëzit publikë, që ua adresojnë dhe u bëjnë publike gjithçka, të ndodhur apo të pandodhur. Arsyeja pse sot ka një krizë të madhe morale është pikërisht, sepse sa fillon një kauzë, ajo mbaron e mbytur nga një turmë e etur për thashetheme. Cilido që nis një udhëtim emancipimi mundohet ta fshehë pjesën private të tij, që jo pak herë merret nga kundërshtarët për ta goditur.

Në rastin e Shqipërisë problemi po bëhet shumë kompleks këto ditë dhe pak jashtë këtij realiteti, sepse SPAK-u po shkon thellësisht deri te figurat më të njohura publike, kryesisht duke ua hulumtuar pjesën e tyre private. Pak ditë më parë, interesit të publikut për kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarëve të tij, institucioni tregoi se po hetohej për “korrupsion pasiv”, por edhe vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”, referuar VOA-s. Pak orë më vonë, mëtuesi i tij i Bashkisë Belind Këlliçi, që vazhdimisht ka qenë përballë SPAK për të akuzuar, doli me të njëjtën fytyrë të mërzitur nga institucioni. Ajo, që ishte private, dhe që habitshmërisht njihet nga shumë njerëz, tashmë ishte kthyer në minus për personazhet e njohura, që në rast se SPAK-u do ua argumentojë akuzat, do u duhet të nisin një përballje bajagi të gjatë me Drejtësinë.

Njësoj, si për ata, një sërë personazhesh të njohur të dy krahëve të politikës, duket se kanë përballje të vështira, veç atyre që tashmë janë rehatuar në burg. Argumenti ynë shtrihet në një aspekt tjetër, kur të dhënat e publikut janë bërë tashmë domen i shumë duarve. Pak kohë më parë, ishin publike të dhënat e rrogave, të dhënat bankare dhe shumë elementë të tjerë. Jo më kot, çka ua vështirëson më shumë jetën partive të vogla dhe personaliteteve që janë në opozitë sot, sidomos nga shoqëria civile, është pikërisht jeta private. Të çudisin, që telefoni është pjesë e lloj-lloj agjencive që të marrin sistematikisht, për të pyetur!

Ndaj, personazhet që dëshirojnë ose aspirojnë të kenë një jetë publike, duhet që mbi të gjitha, t’i kenë punët sa më të kopsitura me ligjin. A jemi në një lloj totalitarizmi të ri? Hannah Arendt, si një nga aspektet kryesore të totalitarizmit, përshkruante faktin që sinonimi i tij nuk ishte “shteti i plotfuqishëm”, por thjesht fshirja e diferencës mes jetës publike dhe asaj private. Në rastin e Shqipërisë kanë kaluar pothuaj të pandjera të gjitha rrjedhjet e informacioneve për publikun e gjerë dhe keqpërdorimi i tyre, duke u bërë shumë personazhe pjesë e linçimeve publike. “Cilido që mund të copëtojë privatësinë tënde, mund të të poshtërojë dhe të shkatërrojë marrëdhëniet e individit sipas dëshirës së vet”, thotë Timothy Snyder në serinë e eseve-(leksione) të tij për Tiraninë, në sythin “Krijo një jetë private”. Përpjekja për të nxjerrë çdo gjë private të individëve, sidomos atyre që janë të dobët dhe pa mbështetje, nuk shoqërohet asnjëherë me kontekstin, se kur janë marrë gjëra të caktuara. Shoqëria nuk përgjigjet për këtë fakt, që është domethënës.

Në këtë rast, fjala nuk është për ata që po shkojnë para SPAKut dhe kanë ditur ta fshehin si pakkush pjesën private të tyre, atë që “të dobëtit” e kanë të pamundur në një shtet me elementë tipikë paratotalitarë. Ndaj, Drejtësia sot, po shkon afër familjeve, miqve dhe sidomos lloj-lloj bashkëpunëtorësh si në rastet e sipërme që flitet për njerëzit e Bashkisë, ndërkohë që “vëmendja” e burimeve të ndryshme mediatike shpesh dhe më shpesh bie mbi privatësinë e njerëzve të thjeshtë, që mundohen të mbijetojnë apo ata që kanë një jetë fare normale. “Uria jonë për sekretin, mendonte Arendt, është në mënyrë të rrezikshme politike. Totalitarizmi heq dallimin mes jetës private dhe asaj publike jo vetëm për t’i bërë individët të robëruar, por gjithashtu për të tërhequr të gjithë shoqërinë larg politikës normale dhe drejt teorive të komplotit”, marrë nga citimi i Snyder. Dhe, kjo e ka bërë Shqipërinë të mbyllet me teoritë e konspiracionit, me individët që flasin sikur të kenë në zotërim dosjet dhe çështjet e SPAK-ut, apo Nostradam-asit e pafundëm që na rrethojnë. Ndodh shpesh e më shpesh, që nuk dimë asgjë më sesi jeton shqiptari i zakonshëm, për të mos thënë sesi mbijetojnë fshatra dhe qytete që po braktisen. Rasti i këngëtares së njohur shqiptare në SHBA ishte edhe më i dhimbshëm, kur personazhe të ndryshëm iu futën deri në aspektet më intime, ashtu si shumë personazheve të tjerë (para saj), sulmet ndaj të cilëve kanë qenë të frymëzuar nga smira.

Vazhdimi është i njëjtë: kur e gjithë kjo vëmendje te privatja teprohet, pas pak kuptohet se shoqëria futet në spirale kotësie, që nuk kanë asnjë impakt. Pikërisht, kjo është mënyra sesi sot kinse regjimet demokratike në Evropë po e mbajnë publikun në terr për punët e tyre dhe mbi të gjitha për drejtimet totalitare, që po ngrihem ballë syve tanë. Një i tillë, për çdo ditë, është edhe ai që sot shqiptarët kanë para syve me qeverisjet respektive të Ramës e Kurtit në Tiranë e Prishtinë. Publiku vazhdon të përcjellë ato që sjell qeveria dhe shumë herë dhe opozita (tandemi), që mban një pushtet të tillë, por jo shqetësimet.

Ne mësojmë për përplasjet e tyre (shpesh false), por nuk dimë asnjëherë shumë për sferën private, si për shembull interesat ndërtimore në kryeqytet përfshijnë bashkë të Majtë e të Djathtë. Pse publiku e ka dorëzuar vallë privaten e tij dhe pse nuk i bën më përshtypje? Në masë, duket se publiku ynë, është i kënaqur të jetë pjesë e linçimeve dhe histerive kolektive ndaj personazheve të ndryshme, pikërisht i sens që i mungon kur duhet të ngrejë probleme për korrupsionin, çmimet, energjinë (në Kosovë vetëm tani “u kuptua” se do kishin dimër të vështirë!). Kjo të bën të mendosh se mbrojtja e të drejtave të njeriut mes shqiptarësh është më shumë se detyrë, është mënyrë që shoqëria jonë të shërohet nga ajo që po i ndodh para syve, që tashmë ashtu të zhveshur, e kanë vendosur thjesht si publiku entuziast i arenave të lashta të Romës, që të kënaqet me spektaklin bosh, që ofrojnë “të fortët” e qeverisë që tashmë po tranden, falë edhe zgjimit të SPAK. Ky moment, që po kalojnë shqiptarët, i takon vërtetë asaj, që Arendt e quante dikur “Degradim i shoqërisë në turmë” dhe rasti i Shqipërisë e Kosovës po e tregon më së miri këtë. (Homo Albanicus)

Revolta e heshtur në PS: Baza nuk i përgjigjet të dërguarve të Ramës

Bablokut po i has ‘sharra në gozhdë’ në strukturat bazike të Partisë Socialiste në territor. Nga Tirana, në të gjithë vendin, një pjesë e mirë e militantëve janë rebeluar ndaj të deleguarve të Edi Ramës, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me bazën.

Siç mësohet nga burime në PS, shqetësimi ka arritur deri në kupolë dhe kjo e ka tërbuar shefin e socialistëve, i cili për 11 vjet ka shpërndarë pushtet dhe punësime vetëm për rrethin e tarafit të tij, që rezulton edhe nga SPAK, një pjesë e lidhur fort me krimin.

Në Tiranë për shembull, Blendi Gonxhe nuk ka arritur dot të mbledhë organizatat e Kombinatit, pasi një pjesë e mirë e militantëve i kanë bërë të ditur se socialistët historikë janë më të braktisurit nga qeveria.

Madje në një mbledhje organizate të njësisë 6, zërat janë ngritur në maksimum, dhe i kanë bërë të ditur ministrit të Edi Ramës, se të gjithë të deleguarit në vite, nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie me anëtarët, por në fund janë lidhur vetëm me të fortit e zonës.

Militantët i kanë kujtuar ministrit, se në fushatën e vitit 2021, parardhësja e tij e deleguar e kombinatit, ka punësuar në polici dhe administratë vetëm njerëz që kanë lidhje me krimin në zonë, e që janë të atashuar edhe nga agjencitë e specializuara, si të lidhur me trafiqet.

Janë përmendur emra dhe mbiemra “bejlerësh”, të cilët u janë punësuar nga më shumë se 3 persona në familje, ndërsa socialistë, edhe pse të diplomuar janë braktisur.

Kurioz është fakti, se kjo revoltë ka nisur të bëhet edhe më praktike, pasi janë përmendur emra dhe përvoja. Një socialist i njohur i njësisë 6 ka bërë të ditur se të gjithë personazhet e krimit, që janë takuar me deputetë e ministra, madje kanë marrë marrë dhe shërbime prej tyre, urrejnë vetëm një person në PS; Lali Erin.

Sipas militantëve, kryebashkiaku i Tiranës, ka qenë i vetmi deri tani ndër vite që nuk i ka qasur horrat e gangsterët e lagjeve, madje i ka mbajtur larg.

Në të vërtetë, kjo skenë nuk ka ndodhur vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin; nga Vlora në Shkodër, ku socialistët e organizatave në territor, u kanë kërkuar të deleguarve se nuk do të marrin pjesë as në zgjedhje, nëse shohin kriminelë e skizofrenë që dikur si ka qasur njeri në fushatën e Partisë Socialiste.

“Mirë ne s’na përfillni, djemtë nuk na i fusni në punë, po të paktën mos na i sillni në mbledhje organizate”, i ka thënë Blendi Klosit një socialist dibran, të cilit i kishte ardhur në majë të hundës nga ‘i forti’ që ka pagëzuar Edi Ramën me noftën “Babloku”.

Edhe në Shkodër, socialistët i kanë kërkuar Benet Becit që të mos i japë liri strukturave kriminale, çka realisht kryebashkiaku i Shkodrës e ka bërë.

Në takimin e fundvitit, PS e Shkodrës nuk ka pasur në festë asnjë intoksikim të personazhit Non- grata apo të të fortëve të lagjeve të qytetit.

Në Tropojë, PS-ja i ka kërkuar Pandeli Majkos që të propozojë për deputetë djem e vajza socialistësh që janë shkolluar e janë punësuar në kompani nga më të njohurat në SHBA, Kanada dhe Evropë.

Është interesante në këtë zhvillim që socialistët e bazës nuk i kanë bërë më thirrje Edi Ramës, pasi e dinë lidhjen e tij direkte me personazhet e krimit. Ja kanë kërkuar të deleguarve që i konsiderojnë si socialistë, ndërsa njerëzit që i konsiderojnë thjesht të Edi Ramës i kanë bojkotuar dhe nuk u kanë shkuar në mbledhje.

Një statistikë e frikshme ka arritur në sekretarinë e PS-së, ku më shumë se 20 përqind e organizatave socialiste nuk janë mbledhur thjesht nga revolta ndaj njerëzve që ka emëruar Edi Rama.

Ministrja e Arsimit, Manastirliu është izoluar vetëm në njësinë 9, ndërkohë që në njësinë 1 dhe 2 nuk i kanë shkuar në takim, duke e bojkotuar.

Socialistët e njësisë numër 2 i kanë bërë të ditur ministres se nëse do të vijë në takim, duhet të shoqërohet nga Erion Veliaj. Ky duket se është vetëm fillimi dhe Edi Rama nuk ka parë gjë akoma…/Pamfleti