17.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

“Ekspozita Building”/ Kulla e Ervin Matës që ngrin në zemër të Tiranës, dyshime mbi financimin

Në kryqëzimin e Bulevardit “Gjergj Fishta” me Rrugën “Nikolla Jorga”, aty ku qyteti i Tiranës duket sikur lëviz më shpejt se kudo tjetër, qëndron e ngrirë një ndërtesë që nuk përputhet me ritmin e betonit përreth.

Një nga projektet më ambicioze të ndërtimit në kryeqytet, “Ekspozita Building”, ka mbetur në mes të punimeve, ndërsa kantieri ngjan i braktisur dhe pa shenja të qarta aktiviteti ndërtimor.

Në vitin 2019, qeveria shqiptare dha lejen e zhvillimit për këtë projekt. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama që, në cilësinë e kreut të Këshillit Kombëtar të Territorit, i dha dritën jeshile ndërtimit. Bashkë me të, firmën e hodhën edhe ministrja Belinda Balluku dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Leja iu dha kompanisë “Victoria Construction”, në pronësi të Luan Matës.

Zhvillues i projektit është po kompania “Victoria Construction” dhe pavarësisht se ndërtimet nisën me vrull, sot gjithçka ka ngrirë dhe ky ngërç duket se lidhet ngushtë me profilin e djalit të zotëruesit të kompanisë, Ervin Matës.

Ky i fundit është shpallur në kërkim nga SPAK që prej nëntorit 2023, për përfshirje në trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në Europë. Prokuroria e Posaçme dyshon se paratë e trafikut janë përdorur për të financuar projekte ndërtimore në Tiranë, një mënyrë klasike për pastrim parash.

Dokumentet që “shteg.org” ka siguruar, zbulojnë se pas këtij projekti fshihet një financim shumë më kompleks nga sa është paraqitur publikisht ndërkohë që gjatë viteve 2023-2024, ndërtimi dhe tregu i pasurive të patundshme mbajtën gjysmën e barrës së rritjes ekonomike, duke prodhuar 3.72 miliardë euro – ose 17.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 21.32 miliardë euro në total.

Sipas INSTAT volumi i lejeve të ndërtimit të dhëna në 12 vitet e fundit ka arritur në 12.3 milionë metra katrorë, nga të cilat 75% janë përqendruar vetëm në qarkun e Tiranës. Pas vitit 2017, ndërtimi në Tiranë ka përjetuar një bum të vërtetë: sipërfaqja e dhënë për leje është dyfishuar dhe trefishuar në vitet 2022-2023. Një shpërthim i pazakontë që e tejkalon kërkesën reale të tregut dhe ritmet natyrale të rritjes së popullsisë.

Ekspertët mendojnë se ky lulëzim i ndërtimeve është më shumë një reflektim i qarkullimit të parave in-formale, sesa një treg të shëndetshëm apo të orientuar nga nevojat reale të banorëve.

Kulla që po rrënohet

Dosja Projektit – Projekti Ekspozita Building

Braktisja ka zë: është zëri i skelave të zbrazëta dhe tullave të ekspozuara në zemër të kryeqytetit.

Në hyrje të kantierit sheh çdo ditë makina të shumta të parkuara. Biznesi i parkimit funksionon mirë në këtë nyje të ngarkuar të Unazës në Tiranë. Brenda tij është ndërtuar edhe një lavash modern, dhe janë të vetmet struktura të përfunduara në këtë hapësirë. Punëtorët mungojnë. Makineritë janë të heshtura. Kulla 24-katëshe, e planifikuar si pjesë e zhvillimit të zonës, është ndalur në gjysmë. Brenda ndërtesës, një tabelë që lajmëron “zbritje çmimesh” qëndron si një sarkazëm e zbrazët në një kantier të ngrirë.

Kjo ndërtesë qëndron mbi truallin e ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, një nga zonat më të lakmuara dhe më të diskutueshme për zhvillim urban në Tiranë. Vetëm pozicioni i saj pranë Unazës dhe në qendër të qytetit e bëjnë atë një pasuri të rrallë për çdo investitor.

Leja për këtë projekt ambicioz u dha më 8 nëntor 2019. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit, që i dha dritën jeshile. Miratimi mban gjithashtu dhe firmën e ministres Belinda Balluku dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kompania “Victoria Construction”, e drejtuar nga biznesmeni Luan Mata, u bë përfituesja e lejes për ndërtimin e një godine me 24 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokësore, mbi një sipërfaqe trualli prej 3,605 m² dhe një volum ndërtimi mbi 8,000 m².

Për të siguruar miratimin e lejes zhvillmore ka paraqitur një projekt prej 12 faqesh. Studioja e italianit Mario Cucinella në bashkëpunim me EKOPLAN shpk janë kontraktuar nga Luan Mata për të punuar maketin e prezantuar, që rezultoi si projekt fitues.

Megjithëse zyrtarisht kompania nuk kishte në rekordet e saj asnjë projekt të ngjashëm ndërtimi, ajo u shpall fituese dhe në dokumentacionin zyrtar të paraqitur për marrjen e lejes, projekti prezantohej si një kontribut estetik e funksional për qytetin.

“Ky projekt pretendon të vijë si një aset shtesë në ‘skyline’ e Tiranës, duke ofruar pamje unike dhe klimë ftuese ‘ndjellëse’ pranë hapësirave të tij për publikun, banorët dhe vizitorët.”

Dokumentet që “shteg.org” ka siguruar zbulojnë se pas këtij projekti fshihet një financim shumë më kompleks nga sa është paraqitur publikisht.

Sipas bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), kompania “Marketing Distribution” në pronësi të Vilma Nushit, ka investuar në këtë projekt përpara se leja e ndërtimit të jepej zyrtarisht.

Në vitin 2018, “Marketing Distribution” ka derdhur 116 milionë lekë të rinj (rreth 1.16 miliardë lekë të vjetër) në “Victoria Construction”, një vit përpara se Këshilli Kombëtar i Territorit të miratonte ndërtimin.

Në vitin 2020, emri i kësaj kompanie u zhduk nga pasqyrimet financiare të “Victoria Construction”, vetëm për t’u rikthyer sërish në 2021, me një shumë të investuar prej 351 milionë lekësh të rinj (3.5 miliardë të vjetër).

Përveç kësaj, në dokumentet zyrtare shfaqen edhe kreditorë të tjerë të paidentifikuar me emër, përfshirë një huadhënës të vetëm që figuron me një shumë prej afro 1 miliard lekësh, pa asnjë detaj identifikues përkatës.

Në një përgjigje që “shteg.org” mori nga kompania “Marketing Distribution” thuhet se ekziston një kontratë noteriale “financimi në ndërtim” me kompaninë “Victoria Construction”, në bazë të së cilës “Marketing Distribution”, do të përfitojë sipërfaqe ndërtimore në raport me vlerën e investuar. Po sipas deklaratës, transferimet janë kryer në mënyrë të rregullt nëpërmjet sistemit bankar.

“Marketing Distribution” nuk iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme përsa i përket detajeve të kontratës. Mbeten pa përgjigje pyetjet se cila është saktësisht sipërfaqja ndërtimore totale që shoqëria Marketing & Distribution sh.p.k do të përfitojë nga kjo marrëveshje, si në terma të sipërfaqes neto ashtu edhe asaj bruto, e shprehur në metra katrorë. A përfshin kjo sipërfaqe vetëm njësitë tregtare dhe banesat, apo edhe hapësirat e përbashkëta.

Pyetjet mbeten pa përgjigje edhe në lidhje me të drejtën eventuale të transferimit të pronësisë në favor të shoqërisë apo palëve të treta, si dhe për ekzistencën e një afati të përcaktuar për dorëzimin e sipërfaqeve të përfituara.

Po ashtu, edhe kompania “Victoria Construction”, deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi nuk komentoi asnjë prej gjetjeve të “shteg.org”.

Ndërkohë që “Ekspozita Building” ngrihet në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, në sfondin e këtij investimi ngrihen dyshime mbi burimin e këtij investimi.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur një hetim për pastrim parash që përfshin edhe djalin e pronarit të “Victoria Construction”, Ervin Matën.

Ky i fundit i shpallur në kërkim nga SPAK për pjesëmarrje në trafikim lëndësh narkotike në nëntorin e 2023, i hetuar për 4 akuza të rënda.

Nga luksi i betonuar tek trafiku ndërkombëtar

Google satellite – Ish-ekspozita satellite imagery

Në gusht të vitit 2021, një dokument i siguruar nga strukturat e sigurisë, mbërriti në zyrën e Drejtorit të atëhershëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Talo Çela, një prej personave më të rrezikshëm në kërkim për vrasje, ishte parë duke qëndruar në ambientet e hotelit “Victoria” në Tiranë, një biznes i regjistruar në emër të babait të Ervin Matës.

Emri i Matës në këtë dokument nuk përmendej rastësisht. Ai shfaqej në sfondin e një përplasjeje të madhe që kishte ndodhur vetëm disa vite më herët në zonën e ish-Bllokut, ku u vra një person dhe u plagos vetë Mata, pas një konflikti me Ervis Martinajn (një tjetër emër i botës së krimit), ngjarje që për shumëkënd zbuloi për herë të parë lidhjet e Matës me rrjetet kriminale.

“Talo Çela ka marrë kontakt me shtetasin Ervin Mata. Sipas burimit, Ervinit i kanë thënë se me këtë duhet pasur kujdes se ka shumë kundërshtarë dhe se mund ta vrasin. Ervini i është përgjigjur që le të bëjnë çfarë të duan, për mua ka rëndësi që të mos më ndodhë  ngjarje tek objekti im. Burimi i informacionit dyshon se Ervin Mata mund ta përdorë Talon për të eleminuar ndonjë nga kundërshtarët e tij” – thuhet në dokumentin e disponuar nga “shteg.org”.

Por ndryshe nga ajo që mund të pritej, dokumenti nuk çoi në veprime konkrete. Dosja mbeti në sirtarët e institucioneve dhe emri i Matës u zhduk nga vëmendja deri në vitin 2024, kohë më të cilën ai u shpall në kërkim nga SPAK me akuzën e përfshirjes në organizatë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike.

Hetimet kishin nisur më herët, në vitin 2021, kur autoritetet gjermane iu drejtuan zyrtarisht SPAK-ut për të ndarë informacione mbi një sasi prej 244 kg kokainë të sekuestruar në Aeroportin e Frankfurtit, më 29 shtator 2020. Ngarkesa vinte nga Brazili dhe kishte lidhje me shtetas shqiptarë që komunikonin përmes aplikacioneve të koduara si SkyECC dhe ANOM. Në qendër të komunikimeve, sipas dosjes hetimore të SPAK, rezultonte “Boli”, nofka e përdorur nga Ervin Mata.

Ai jepte urdhra të drejtpërdrejtë për transfertat ndërkombëtare dhe menaxhonte shpërndarjen e drogës në tregjet evropiane. Në një nga mesazhet e përgjuara thuhej:

“Vëlla, m’u kapën 244 copë… do lexosh në gazetë nesër”, – citohen komunikimet në dosje. Ndërsa në një mesazh tjetër dyshohet se Mata të ketë urdhëruar edhe për shpërndarjen e parave: “Ai i Frankfurtit mos i japë njeri lekë pa thënë unë.” – citohet në dokumentin e prokurorisë.

Sipas SPAK, paratë që rridhnin nga ky aktivitet, të vlerësuara në mbi 8.5 milionë euro, u kanalizuan përmes lidhjeve të Matës në Holandë dhe Shqipëri. Në një komunikim tjetër të përgjuar ai thoshte: “Veç në Shqipëri i du lekët unë, t’i kaloj 1 milion në Holandë po të duash.”

Po nga dosja, që përfshin të paktën tre episode të trafikut të kokainës (Ekuador–Holandë, Brazil–Gjermani), del në pah bashkëpunimi i Matës me figura të njohura të botës së krimit si Ergys Dashi (i vrarë në Ekuador më 2022) dhe Suel Çela (i shpallur në kërkim). Sasia totale e drogës që lidhet me këtë grup, sipas hetimeve, shkon përtej 700 kg kokainë.

Pikërisht për këto ngjarje Prokuroria e Posaçme ka regjistruar hetimet ndaj Matës, ka shpallur emrin e tij në kërkim dhe pse nuk dihet  vendndodhja e tij.

“Në ngarkim të personit nën hetim Ervin Mata dhe bashkëpunëtorëve të tij, për të cilët hetimet vijojnë, është bërë regjistrimi i procedimi penal nr.78/2 i vitit 2024 është për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i Strukturuar Kriminal” si edhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” – thuhet në përgjigjen e zyrës së shtypit të Prokurorisë së Posaçme.

Ndërsa Prokuroria ka ende çështjen nën hetim ekspertët ngrënë shqetësime mbi injektimin e parasë së “pisët” në sektorin e ndërtimit.

“Në vende ku krimi i organizuar pastron para, ndërtimi ka qënë gjithnjë vëmendja e tyre. Në Shqipëri ka lulëzuar kjo veprimtari. Fakti që prej vitesh shtohen ndërtimet dhe shtohen biznesmenët e kësaj fushe duke e ndërthurur me të shkuarën e tyre e kupton lehtë që nga arat me kanabis kanë mbërritur në sheshet e ndërtimit. Ata njerëz kontigjent për trafik narkotikësh thjesht kanë marrë emrin e ndërtuesit dhe sigurisht që e shohin si aktivitet më të lehtë për të pastruar para”, thotë ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi.

Armand Mala, ekspert kontabël, shprehet për “shteg.org” se paratë e gjeneruara nga aktivitetet kriminale dhe të investuara në sektorin e ndërtimit mund të identifikohen, por kjo kërkon një vullnet të hekurt nga autoritetet.

Sipas tij, gjurmimi i këtyre fondeve të dyshimta duhet të përfshijë verifikimin e burimeve të të ardhurave, analizimin e detajuar të transaksioneve bankare, përfshirë ato ndërkombëtare, si dhe kontrollin e hollësishëm të të ardhurave dhe shpenzimeve të kompanive të ndërtimit dhe të blerësve të pronave. Për më tepër, Mala thekson rëndësinë e analizave forensike financiare dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si mjete të domosdoshme në këtë proces.

Gjatë vitit të kaluar, sektori i ndërtimit dhe ai i pasurive të patundshme kanë qenë motorët kryesorë të rritjes ekonomike në vend, duke mbajtur pothuajse gjysmën e peshës që ndryshe shpërndahej mes nëntë degëve të tjera të ekonomisë.

Në terma realë, ekonomia shqiptare prodhoi 21.32 miliardë euro përgjatë vitit 2023, ndërsa vetëm ndërtimi dhe tregu imobiliar gjeneruan 3.72 miliardë euro – ekuivalente me 17.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Një shifër që tregon jo vetëm fuqinë ekonomike të këtij sektori, por edhe ndikimin disproporcional që ai ka në strukturën e ekonomisë shqiptare.

Tendenca është e përqendruar kryesisht në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 12 viteve të fundit janë dhënë leje për ndërtimin e 12.3 milionë metrave katrorë ndërtim të ri në të gjithë vendin, nga të cilat 75% – ose 9.2 milionë metra katrorë – janë përfituar vetëm në Qarkun e Tiranës. Të dhënat historike të INSTAT-it zbulojnë se pas vitit 2017 ka ndodhur një shpërthim i vërtetë: sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në kryeqytet është dyfishuar, ndërsa në vitet 2022 dhe 2023 është trefishuar.

Sipas Raportit të Vlerësimit Kombëtar të Riskut 2023, përditësuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, ndërtimi është sektori më i ekspozuar ndaj aktivitetit të paligjshëm financiar. “Sektorët ekonomikë më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë sektori i pasurive të paluajtshme, ndërtimi, tregtia, shërbimet telefonike (Call Center) dhe konsulenca në fushën ekonomike dhe ligjore,” thuhet në raport.

Sipas Agjencisë, shumica e pasurive kriminale që përfundojnë në tregun shqiptar të ndërtimit gjenerohen jashtë vendit. Paratë e pista vijnë nga veprimtari të paligjshme si trafikimi i drogës, krimi i organizuar, korrupsioni, falsifikimi, mashtrimi dhe vepra penale në fushën fiskale.

Lufta për sheshe ndërtimi

Sheshe ndërtimi

“Me siguri, aty do të ndërtohet më herët se sa vonë pallati që do të qërrojë dhe syrin tjetër të ballkonit tonë… Unë nuk munda ta shëroj atë plagë të turpshme urbane…”, shkruante Edi Rama në librin e tij Kurban në vitin 2011, ndërsa përshkruante zonën e ish-Ekspozitës “Shqipëria Sot”, vetëm 200 metra larg shtëpisë së tij, ku jetonte gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Godina e ndërtuar në vitin 1970 shërbente për dekada si sallë ekspozitash, përpara se të jepej me qira nga Ministria e Ekonomisë për “Top Channel” në vitin 2005. Në 2009-n, në ditën e fundit të mandatit, ministri Genc Ruli e anuloi kontratën me median, duke lënë pas debate, reagime publike dhe një godinë të boshatisur.

Në vitin 2011, qeveria demokratike e kohës mori vendimin për shembjen e objektit, duke lënë pas një gropë ndërtimi që për vite u mbush me baltë, mbeturina dhe premtime të pa-mbajtura.

“Zhurma e bretkosave që jetojnë në kënetën gjithë plehra. Është një nga ato pak raste ku sytë e bashkëudhëtarëve më zënë me faj dhe zërat kritikë të mi gjejnë provat e fajësisë sistematike të lidhur fëtefët me qëllimin e shumëherëpërgojuar të përfitimit prej lejeve të ndërtimit”- shkruante Rama.

Tetë vite më vonë, në vitin 2019, panorama ndryshoi.

Pikërisht Edi Rama, tashmë si kryeministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit vendosi të miratojë ndërtimin e një kulle të re në po të njëjtin vend.

Dokumentet tregojnë se zhvillimi i këtij objekti ka kaluar nëpër përplasje të ashpra ligjore dhe negociata të mjegullta.

Fillimisht, kompania “Vision Construction”, e përfaqësuar nga Arian Tartari, kishte arritur më 13 mars 2018 një marrëveshje bashkëpunimi me një pjesë të pronarëve të truallit. Por për shkak se nuk arriti të bindte të gjithë pronarët për të zhvilluar zonën, Vision Construction u tërhoq.

Më 20 mars 2018, përmes një kontrate noteriale, kompania deklaroi se i linte të lirë pronarët të zgjidhnin ndërtues të tjerë.

Në këtë moment, në skenë hyri “Victoria Construction”, kompania e Luan Matës, babai i Ervin Matës.

Luan Mata

Duke blerë një pjesë të truallit nga një ish-pronar dhe më pas duke bindur të gjithë bashkëpronarët, Luan Mata përfitoi të drejtën për të ndërtuar. Me firmat në dorë, dhe mbi të gjitha duke bindur edhe instancat ligj-zbatuese për të miratuar lejen, kompania siguroi zhvillimin e projektit luksoz.

Janë 18 individë që zotërojnë pjesë nga kjo pronë, mes tyre edhe vetë Luan Mata, por pjesa më e madhe e tyre kanë refuzuar të flasin për “shteg.org”, ose nuk kanë dhënë përgjigje, edhe pse janë kontaktuar disa herë.

Një prej tyre, vajza e një prej bashkëpronarëve, pranon se ndjen pasiguri. “Frika që objekti mund të mos mbarojë në kohë ekziston”, thotë Uarda në një bisedë telefonike.

“Kemi rënë dakord me firmën sipas kushteve që ata kanë ofruar. Marrëveshja është ligjore dhe e noterizuar. Deri më tani, zotëria ka respektuar kontratën. Leja mbaron në 2026. Nuk mund të flas për pakënaqësi kur jemi ende brenda afateve.”

Megjithatë, frika e saj është e kuptueshme në një sektor ku zvarritja e punimeve është kthyer në normë, dhe ku vonesat çojnë shpesh në konflikte gjyqësore.

Ish-kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, inxhinieri Maksim Muçaj, shpjegon për “shteg.org” se zvarritja e punimeve në objekt rregullohet mes kërkesave për shtyrje të afatit të përfundimit të punimit.

“Një muaj përpara afatit të përfundimit të lejes kërkohet zgjatja e afatit në mënyrë të argumentuar. Kur kërkon miratimin e zgjatjes së lejes brenda afateve nuk ka problem. Duhet thënë se ka plot raste që miratohet, edhe nëse ka neglizhencë.” – thotë Muçaj.

Kompania “Victoria Construction” dhe Luan Mata refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të dërguara nga “shteg.org” për koment. Po ashtu, pavarësisht përpjekjeve të shumta, redaksia nuk arriti të kontaktojë as me Matën dhe as me përfaqësuesit e tij ligjorë deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. Ndërkohë, përveç urdhër-arrestit të lëshuar ndaj të riut Mata, institucionet ligj-zbatuese nuk kanë ndërmarrë ende asnjë veprim për sekuestrimin e pasurive të zotëruara nga familja Mata, edhe pse Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se hetimet për akuzën e pastrimit të parave ndaj Ervin Matës janë në vijim.

Eksperti kontabël Armand Mala e sheh mungesën e ndërhyrjes ndaj pasurive si një nga hallkat e dobëta në luftën kundër pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit. Ai thekson se, ndonëse është e mundur të identifikohen fondet që burojnë nga aktivitetet kriminale, kjo kërkon një vullnet të fortë dhe veprime të koordinuara nga autoritetet.

“Pasuritë e paluajtshme kanë qenë dhe mbeten një nga format më të përdorura për pastrimin e parave,” thotë ai për “shteg.org”. “Sektori i ndërtimit karakterizohet nga investime të mëdha dhe transaksione të ndërlikuara, ku përfshihen shumë palë – kompani, individë blerës, profesionistë të fushës – dhe shpesh përdoren marrëveshje të komplikuara që e bëjnë të vështirë gjurmimin e burimit të fondeve. Në këto kushte, krijimi i faturave fiktive dhe fryrja e kostove bëhen mjete të zakonshme për të mbuluar gjurmët e parave të pista,” shton Mala.

/ Eraldo Harlicaj / Shteg.org

Operacioni “Ura”, si funksiononte grupi kriminal dhe degët e tij; si përdorën sistemin “Hawala” për transferimin e parave

Është siguruar dosja e plotë të operacionit “URA” ku jepet një panoramë më e qartë sesi funksiononte grupi kriminial dhe nënndarjet e tij. Në një rast u tentua të trafikohej kokainë nga Peruja në valixhet e trupave diplomatik ndërsa në Rotherdam u kap një sasi prej 2.2 tonësh drogë.

Zbardhen episodet e tjera në dosjen e plotë e SPAK për grupin e Durrësit të drejtuar nga Elvis Doçi i njohur si “Visi i Pojës” i cili i shpëtoi arrestimit gjatë operacionit “ura” në bashkëpunim me antimafien e Barit.

Në bisedat e zbardhura në SKY ECC rezulton se grupi u investua me veprime konkrete për të trafikuar drogë edhe me valixhet e disa personave me pasaportë diplomatike që në korrik të vitit 2020 ishin me shërbim në Lima, Nikaragua dhe Guatemalë.

Nga hetimet, por dhe fotot që shkëmbenin në chatin e enkriptuar rezulton se anëtarët e grupit kishin informacion mbi numrat e kontenierëve, kompanitë që i transportonin, anijet ku ishin ngarkuar si dhe datat e nisjes dhe mbërritjes.

Në një rast janë paguar 500 mijë dollarë amerikanë për sigurimin e 500 kg kokainë në Guajakil të Ekuadorit që do të trafikoheshin në Evropë.

Paratë janë kaluar nëpërmjet sistemit informal të njohur “ Hawala”, që është një metodë e transferimit të parave pa lëvizur në të vërtetë të holla fizike.

Po ashtu janë zbardhur edhe episodet e dërgimit të parave me autobusë në Shqipëri, ku shumat varjojnë nga 42 mijë euro deri në 280 mijë euro në dhjetëra episode me një total prej 4 milion eurosh.

Elvis Doçi në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar deri më tani, dyshohet nga SPAK edhe për trafikimin e një sasie prej 2.2 tonësh kokainë, sekuestruar në Rotherdam të Hollandës./ Euronews.albania

Monumenti i Stalinit në metronë e Moskës, pse e “riktheu” Putini

Një monument për diktatorin sovjetik Joseph Stalin i ngritur në metronë e Moskës ka mbjellë përçarje, me disa rusë që e mirëpresin atë si një homazh historik, por të tjerë thonë se është gabim të nderosh dikë që i shkaktoi kaq shumë vuajtje popullit të tij.

Skulptura murale në madhësi reale në stacionin e metrosë Taganskaya të Moskës përshkruan Stalinin duke qëndruar në Sheshin e Kuq të Moskës i rrethuar nga një turmë qytetarësh sovjetikë admirues dhe është një riprodhim i një monumenti të zbuluar në të njëjtin stacion në vitin 1950, tre vjet para se të vdiste Stalini.

Metroja e Moskës tha se monumenti origjinal i Stalinit kishte “humbur” në vitin 1966, kur stacioni i metrosë Taganskaya ku ishte vendosur u rikonstruktua.

Diktatori sovjetik ishte përgjegjës për vdekjen e miliona njerëzve të pafajshëm, në spastrime, zi buke dhe për kampet e tij famëkeqe të punës në gulagë.

Por kjo nuk përmendet në skulpturën e re. Në vend të kësaj, ai portretizohet si një udhëheqës i dashur nga populli i tij.

“Është shkëlqyeshëm,” thotë Olga, duke shtuar “kjo është një histori arti, kulture, kuptimi, bukurie”.

Për Denisin ky është “vendimi i duhur”. “Kjo është historia e shtetit tonë”, thotë ai.

Ky është një aspekt, pasi ka zemërim për atë që duket se është përpjekja e fundit e Rusisë për të rivendosur tiranin.

“Çfarë mendojnë ata?”, pyet Svetlana, e cila shton “sa veta vdiqën nën udhëheqjen e tij?”.

Dhe papritmas ai shfaqet këtu, i etur për gjak. Si është e mundur kjo?!

“Ne duhet të kujtojmë dhe nderojmë disa nga veprimet e tij”, thotë Oleg, duke shtuar “por ta poshtërosh në atë mënyrë është mungesë respekti. Ai bëri shumë gjëra të këqija për popullin sovjetik”.

Edhe pse statujat e Stalinit ishin shfaqur në zona jashtë kryeqytetit rus nën sundimin e Putinit, kjo është hera e parë që kjo ndodh në Moskë.

Shpjegimi për këtë ka të bëjë me shtetin.

“Ky trend reduktohet në idenë e madhështisë së shtetit”, thotë Jan Raczynski, një aktivist i të drejtave të njeriut që punon për të ekspozuar krimet e Stalinit në degën e Memorial në Moskë, një organizatë e njohur për të drejtat e njeriut që tani vepron në nivel lokal pas mbylljes së degës së saj ndërkombëtare.

“Për qeverinë aktuale, gjëja kryesore është shteti. Shteti është i shenjtë, shteti është mbi të gjitha, shteti është i pagabueshëm. Kjo është arsyeja pse kritikat ndaj Stalinit po zvogëlohen vazhdimisht”, vëren ai.

Në vijim Raczynski shton “udhëheqësi aktual i Rusisë i ka dënuar më parë represionet e Stalinit. Por ai tha gjithashtu se vendi nuk duhet të ndihet fajtor për të kaluarën e tij”.

“Deklarata e vjetër e Putinit se duhet të jemi krenarë për historinë – ja ku është. Çdo gjë që na pengon të jemi krenarë për historinë, zbehet”, thekson Rachinsky.– Cnn

Dy lidershipë, një dështim: Pse shqiptarët po zgjedhin heshtjen dhe largimin

Nga Spartak Ngjela

Kur një lidership drejtues i një shteti nuk ka ide, ky shtet, intelektualisht, nuk jeton.

Dhe kjo është një aksiomë për shtetin mesjetar në Evropë.

Po sot në Shqipëri, në dy lidershipet e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, a ka ide?

Jo, fare: të dy këta lidershipë janë krejt pa ide.

Askush!

Ide të reja nuk ka asnjëri nga këta lidershipë, prandaj nuk flasin, por vetëm llomotisin.
Domethënë asgjë.

Po shqiptarët pse i durojnë?

Nuk kanë rrugë tjetër, veç të durojnë të mërzitur dhe të shtojnë abstenimin në votime. Pjesëmarrja në votimet e muajit maj 2025, ka qenë shumë e ulët.

Por çfarë tregon kjo?

Kjo tregon se shqiptarët nuk kanë më besim te politika aktuale, në të dy lidershipët e të dyja partive të mëdha.

Atëherë?

Duhet të presim e të shohim me vëmendje se si do të precipitojnë ngjarjet politike; sepse është shpejt të konkludojmë.

Por pyetja mbetet kjo:

A do ta durojnë ende edhe më gjatë shqiptarët e Shqipërisë krizën politike që e ka sjellë gjendjen në Shqipëri, sipas këtij gjykimi:

Edhe kryeministri Rama flet; Edhe opozitari Berisha flet; Por shumica e shqiptarëve nuk i dëgjojnë, dhe një përqindje e madhe kërkon të largohet nga Shqipëria.

Dhe shumë kanë ikur. Sepse nga Shqipëria për në Perëndim kanë ikur rreth dy milionë shqiptarë.

Atëherë?

Asgjë!

Rini me Ramën dhe Saliun; dhe zini radhën për të kërkuar punë në vendet e Bashkimit Evropian.

Trishtim i madh është ky.

Po, natyrisht që një trishtim i madh është. Por ky është realiteti në Shqipërinë e sotme.

Analiza e The Times/ ‘Një krizë ekzistenciale’: A do të mbijetojnë universitetet nga ChatGPT?

Ishte shtatori i vitit 2023 kur avokati Rhys Palmer mori telefonatën e parë nga një student i universitetit, i alarmuar, i akuzuar se kishte përdorur një chatbot me inteligjencë artificiale për të kopjuar në detyrat e tij. Ishte e para nga shumë të tjera.

Më pak se një vit më parë, ChatGPT i OpenAI ishte lançuar dhe studentët tashmë po e përdornin atë për të përmbledhur artikuj shkencorë dhe libra. Por gjithashtu edhe për të shkruar ese.

“Që nga telefonata e parë, menjëherë mendova se kjo do të ishte një çështje e madhe,” thotë Palmer, nga zyra e tij në Robertsons Solicitors në Cardiff, ku ai është i specializuar në të drejtën e arsimit. “Për atë student të veçantë, universiteti kishte përdorur vetë inteligjencën artificiale për të zbuluar plagjiaturën. Unë pashë të metat e mundshme në atë proces dhe parashikova se një valë studentësh do të përballeshin me çështje të ngjashme.”

Ndërsa përdorimi i chatbot-eve po bëhet gjithnjë e më i përhapur, ajo që fillimisht ishte një rrjedhë e lehtë problemesh, është kthyer në një sfidë të thellë për universitetet. Nëse një numër i madh studentësh po përdorin chatbot për të shkruar, kërkuar, programuar dhe menduar për ta, cili është qëllimi i arsimit tradicional?

Që nga ajo telefonatë e parë në vitin 2023, Palmer ka krijuar një specializim të veçantë duke ndihmuar studentët e akuzuar për përdorimin e AI për të kopjuar në detyrat e kursit apo në provimet online. Ai thotë se shumica e studentëve janë shpallur të pafajshëm pasi kanë paraqitur prova si, ese të shkruara paraprakisht, shënime për përgatitje dhe punë të mëparshme.

 

“‘Kopjimi me AI’ është… një çështje më vete,” thotë Palmer. “Shpesh janë prindërit ata që telefonojnë në emër të fëmijëve të tyre. Shpesh ndihen se fëmijët e tyre nuk kanë marrë udhëzime apo trajnim të qartë mbi mënyrën si mund apo nuk mund të përdorin AI.”

Në raste të tjera, Palmer ka ndihmuar studentë që e pranojnë përdorimin e AI të shmangin dënimin duke argumentuar se politikat e universitetit mbi AI nuk ishin të qarta, ose se ata kishin probleme të shëndetit mendor si depresioni apo ankthi.

“Ata vijnë duke thënë, ‘Kam gabuar,’” thotë ai. “Në raste të tilla, marrim një letër nga mjeku i familjes apo një raport nga ndonjë ekspert që konfirmon se gjykimi i tyre ishte i dëmtuar.”

‘Ishte formuluar vërtet mirë’

Disa studentë raportojnë se ChatGPT është tani programi më i zakonshëm që shfaqet në laptopët e studentëve në bibliotekat universitare. Për shumë prej tyre, është tashmë një pjesë thelbësore e jetës së përditshme.

Gaspard Rouffin, 19 vjeç, student në vitin e tretë për histori dhe gjermanisht në Universitetin e Oksfordit, e përdor atë çdo ditë për gjithçka, nga gjetja e sugjerimeve për libra deri te përmbledhja e artikujve të gjatë për të kuptuar nëse ia vlen t’i lexojë të plotë. Për modulet e gjuhës, përdorimi i AI është padyshim më i diskutueshëm.

“Kam pasur një pedagoge në vitin e dytë, në një klasë përkthimi [në gjermanisht], dhe ajo vuri re se shumë përkthime ishin gjeneruar nga AI, kështu që refuzoi të vlerësonte përkthimet atë javë dhe na tha të mos e bënim kurrë më,” thotë ai.

Pedagogë të tjerë kanë qenë më pak vigjilentë. Një studente tjetër e vitit të tretë në Oksford kujton një tutorial ku një bashkëstudent po lexonte një ese që ajo ndjente se ishte qartazi e krijuar nga AI. “E kuptova menjëherë,” thotë ajo. “Kishte diçka në sintaksën, mënyrën se si ishte ndërtuar dhe mënyrën se si ajo po e lexonte.”

Reagimi i pedagogut? “Tha ‘Wow, ishte një hyrje vërtet e shkëlqyer, ishte formuluar shumë mirë dhe më pëlqeu saktësia e saj.’ Unë thjesht po rrija aty, duke menduar ‘si nuk e kupton që kjo është produkt i ChatGPT?’ Mendoj se kjo tregon një mungesë njohurish për këtë çështje.”

Një studim nga kompania e akomodimit për studentë Yugo tregon se 43 për qind e studentëve në Mbretërinë e Bashkuar po përdorin AI për të korrigjuar punën akademike, 33 për qind e përdorin për të ndihmuar me strukturën e eseve dhe 31 për qind për të thjeshtuar informacionin. Vetëm 2 për qind e 2,255 studentëve thanë se e përdorin për të kopjuar në detyra.

Megjithatë, jo të gjithë kanë një qëndrim pozitiv ndaj këtij softueri. Claudia, 20 vjeç, e cila studion “shëndeti, mjedisi dhe shoqëritë”, ndonjëherë ndihet e pafavorizuar. Ajo thotë: “Ndonjëherë ndihem e zhgënjyer, si për shembull në modulet e gjuhëve moderne, kur e di me siguri që e kam shkruar gjithçka nga e para dhe kam punuar shumë për ta realizuar, dhe pastaj dëgjoj për të tjerë që thjesht e kanë përdorur ChatGPT dhe në fund marrin nota shumë më të larta.”

Studentët gjithashtu kanë frikë nga pasojat nëse chatbot-i i zhgënjen. “Kam frikë të gaboj dhe të bëj plagjiaturë,” thotë Eva, 20 vjeç, e cila studion “shëndet dhe mjedis” në University College London. Në vend të kësaj, ajo fut shënimet e saj të përsëritjes në ChatGPT dhe i kërkon të bëjë pyetje për të testuar njohuritë e saj.

“Sigurisht që është pak bezdisëse, kur dëgjon: ‘Ah, unë mora këtë notë,’” thotë ajo. “Dhe ti mendon: ‘Po ti e përdore ChatGPT për ta marrë atë.’ [Por] nëse të tjerët duan të përdorin AI tani dhe më pas të mos dinë asgjë nga lënda, është problemi i tyre.”

Si duhet të përgjigjen universitetet?

Universitetet, disi me vonesë, po përpiqen të hartojnë kode të reja etike dhe të sqarojnë se si mund të përdoret AI në varësi të kursit, modulit apo llojit të vlerësimit.

Qasjet ndryshojnë ndjeshëm. Shumë universitete lejojnë përdorimin e AI për qëllime kërkimi ose për ndihmë në drejtshkrim dhe gramatikë, por disa të tjera e ndalojnë plotësisht. Dënimet për shkeljen e rregullave variojnë nga paralajmërime me shkrim deri në përjashtim.

“Universitetet janë në pozicionin e dikujt që përpiqet të mbyllë derën e hambarit pasi kali ka ikur,” thotë një pedagog ndihmës në një universitet të grupit Russell. “Universiteti ynë po reagon vetëm tani ndaj AI duke vendosur politika, si për shembull cilat vlerësime nuk lejojnë përdorimin e saj.”

Ka disa shenja të dukshme të shkrimit të krijuar nga robotë që profesori i vëren: “Nëse shoh një punim shumë të ngarkuar me fjalë të mëdha ose me shumë mbiemra, filloj të dyshoj.”

Disa studentë padyshim po kapen. Të dhënat e marra nga Times Higher Education tregojnë se rastet e sjelljes së pahijshme lidhur me AI në universitetet e grupit Russell janë në rritje, ndërsa AI po bëhet e zakonshme. Në Universitetin e Sheffield, për shembull, pati 92 raste të dyshuara për shkelje të lidhura me AI në vitin akademik 2023–24, ku 79 studentë u ndëshkuan. Kjo krahasohet me vetëm 6 raste të dyshuara dhe 6 ndëshkime në 2022–23.

Por Palmer thotë se shumë universitete janë bërë tepër të varura nga softuerë të AI si Turnitin, i cili krahason punën e studentëve me miliarda faqe në internet për të zbuluar plagjiaturë të mundshme. Turnitin jep një “pikë për ngjashmëri” — përqindjen e tekstit që përputhet me burime të tjera. Vetë kompania thotë se rezultatet nuk duhet të përdoren të izoluara.

“Bara e provës bie mbi universitetin për të vendosur nëse, sipas gjasës, studenti ka kopjuar, por kjo barrë është mjaft e ulët krahasuar me një rast penal,” thotë Palmer.

Studentët e mjekësisë dhe të shkencave biomjekësore duket se janë më të cenueshmit ndaj akuzave, sipas Palmer, sepse ata shpesh mësojnë përmendësh përkufizime teknike dhe terminologji mjekësore drejtpërdrejt nga AI.

Rasti i Andrew Stanford ilustron se sa i ndërlikuar mund të jetë ky problem. Në vitin 2023, Stanford, 57 vjeç, u akuzua nga Universiteti i Bath për përdorim të AI në kopjim gjatë provimeve të vitit të parë. Ai kishte paguar 15,000 £ për t’u regjistruar në një kurs MSc në ekonomi të aplikuar (banking dhe tregje financiare) nga shtëpia e tij në Tajlandë. Megjithatë, nëntë muaj pas fillimit të diplomës, u akuzua për përdorim të AI për të formuluar përgjigjet në provim. Nuk është e qartë se si universiteti arriti në këtë përfundim.

Stanford ngul këmbë se paragrafët në fjalë ishin punë e tij personale. Ai kërkoi në aplikacione të njohura të inteligjencës artificiale për të parë nëse kishte ndonjë formulim të ngjashëm me të tijin, por nuk gjeti asgjë, thotë ai. Megjithatë, dy muaj më vonë, në nëntor 2023, iu komunikua se ishte shpallur fajtor dhe do t’i hiqeshin 10 për qind nga notat e vlerësimit.

“Nuk më shqetësoi aspak zbritja prej 10 për qind, por më shqetësoi fakti që do të mbetesha me një shënim për sjellje të pahijshme akademike,” thotë Stanford, i cili jep mësim në matematikë dhe ekonomi në Tajlandë. “Ishte jashtëzakonisht dëshpëruese për mua, kur nuk kisha bërë asgjë të keqe. Ndihej si një gjykim i padrejtë.”

Stanford, i cili do të përfundojë diplomën e tij master prej dy vjetësh e gjysmë në Bath më vonë këtë vit, e çoi ankesën e tij në Zyrën e Arbitrimit të Pavarur për Arsimin e Lartë. Këtë muaj ai u shpall i pafajshëm/

“Studentët do të kenë nevojë për këto aftësi”

Rreziku për studentët — dhe universitetet — është shumë i madh. “Universitetet po përballen me një krizë ekzistenciale,” thotë Sir Anthony Seldon, ish-rektor i Universitetit të Buckingham. Por nëse sfidat kapërcehen, kjo mund të jetë edhe një mundësi.

“AI mund të jetë gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë arsimit, por vetëm nëse i paraprijmë të metave që sjell. Dhe problemi më i madh për momentin është mashtrimi,” thotë ai. “AI gjeneruese po përmirësohet më shpejt sesa softuerët që përdoren për ta zbuluar. Mund të personalizohet sipas stilit të përdoruesit, që do të thotë se edhe një mësues shumë i mirë do ta ketë të vështirë ta dallojë. Shumica dërrmuese e studentëve janë të ndershëm, por është shumë e vështirë të mos mashtrosh kur e di që të tjerët po e bëjnë.”

Disa akademikë kanë propozuar rikthimin e provimeve me mbikëqyrje dhe dorëzimin e punimeve me shkrim dore si zgjidhje. Por Seldon nuk mendon se zgjidhja është kalimi nga detyrat në provime, sepse ato nuk i mësojnë studentëve aftësi të mëdha për jetën. Në vend të kësaj, ai thotë se duhet të ketë më shumë fokus në seminare ku studentët inkurajohen të “mendojnë në mënyrë kritike dhe bashkëpunuese”.

Profesori Paul Bradshaw, pedagog kryesor i gazetarisë së të dhënave në Universitetin Birmingham City, thotë se AI është një “problem masiv” për pedagogët që tradicionalisht i kanë bazuar vlerësimet në aftësinë e studentëve për të përthithur tekstin dhe për të nxjerrë përfundime të tyre.

Megjithatë, ai mendon se është thelbësore që universitetet t’u mësojnë studentëve si të përdorin AI me sy kritik, duke kuptuar përfitimet dhe mangësitë e saj, në vend që ta ndalojnë.

“Ke një grup studentësh që nuk duan t’ia dinë fare për AI,” thotë ai. “Problemi për ta është që do të dalin në një treg pune ku këto aftësi do t’u nevojiten. Pastaj ke një grup tjetër që e përdorin, por nuk i tregojnë askujt dhe në të vërtetë nuk e dinë çfarë po bëjnë.”

“Mendoj se ndodhemi në një situatë shumë të pakëndshme ku po na duhet të përshtatemi në ecje e sipër, dhe do të shohësh shumë gabime — nga studentët, nga pedagogët dhe nga kompanitë e teknologjisë. AI ka potencialin ose ta çojë arsimin përpara ose ta shkatërrojë atë.”

Silvinjo e dërgoi në tribunë pas zhurmës së madhe, mesfushori i Kombëtares merr për herë të parë ftesë nga…

Etnik Brruti ishte temë e nxehtë në muajin mars, pasi vendosi të kalojë nga Kosova U-21 te Kombëtarja e Shqipërisë. Silvinjo i rezervoi mesfushorit të Malishevës një ftesë tek ekipi i parë.

 

Kjo lëvizje prodhoi zhurmë të madhe në opinionin sportiv. Megjithatë Silvinjo nuk e preferoi për kualifikueset e Botërorit, duke e lënë në tribunë ndaj Anglisë dhe Andorrës.

Mesfushori i Kombëtares tashmë ka marrë ftesë për herë të parë nga Alban Bushi. Trajneri i Kombëtares U-21 e ka përfshirë në listë për miqësoret me Hungarinë dhe Turqinë.

Pjesë e listës është po ashtu një tjetër lojtar i Kombëtares, që akoma nuk ka debutuar me ekipin e parë. Bëhet fjalë për Feta Fetain, i cili regjistron paraqitje me ekipin U-21.

Sulmi masiv i Rusisë ndaj Ukrainës me 12 viktima, Kaja Kallas: T’i bëhet presion maksimal Moskës për t’i dhënë fund luftës

 

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaia Kalas, bëri thirrje për “presion maksimal ndërkombëtar” mbi Rusinë pas sulmit masiv ajror gjatë natës në Ukrainë që vrau 12 persona.

 

“Sulmet e natës së kaluar tregojnë edhe një herë se Rusia është e vendosur të rrisë vuajtjet dhe të shkatërrojë Ukrainën. Është e tmerrshme të shohësh fëmijë midis viktimave të pafajshme të plagosura ose të vrara”, tha Kaya Kalas nëpërmjet X.

“Ne kemi nevojë për presion maksimal ndërkombëtar mbi Rusinë për të ndaluar këtë luftë.”

Papunësia në Elbasan, gratë dhe të rinjtë më të prekurit

Në Elbasan, rreth 8% e popullsisë rezulton e papunë,përqindje pak më e ulët se mesatarja kombëtare prej 8.8%.

Pjesa më e madhe e të papunëve në qytet përbëhet nga gra dhe të rinj.Sipas drejtoreshës së Zyrës së Punës në Elbasan, Marsida Haxhiu, 65% e të papunëve të regjistruar janë gra, ndërsa të rinjtë i penalizon mungesa e formimit profesional.

Zyra e Punës në Elbasan synon që deri në fund të vitit të ndihmojë 1800 persona të gjejnë punë, përmes bashkëpunimit me sektorin privat, për të cilat thotë se ekzistojnë disa programe mbështetëse.

Nga ana tjetër, sektorë të ndryshëm ekonomikë në qytet raportojnë mungesë të fuqisë punëtore, për shkak të emigrimit të të rinjve drejt vendeve të tjera./

Riviera Franceze goditet për herë të dytë nga ndërprerja e energjisë elektrike, ja çfarë dyshojnë autoritetet

 

Një ndërprerje e dytë e energjisë elektrike brenda dy ditësh goditi rajonin e Rivierës Franceze pas një zjarri në një nënstacion në Nicë gjatë natës, të cilin autoritetet thanë se u shkaktua nga një akt keqdashës.

 

Energjia elektrike u ndërpre përkohësisht për rreth 45,000 familje, si dhe në aeroport, një nga kryesorët e Francës, sipas kompanisë së menaxhimit të rrjetit Enedis dhe bashkisë.

Siç njoftoi zyra e prokurorit, zjarri shpërtheu gjatë natës në një instalim të rrjetit elektrik në Moulins, në perëndim të Nicës, një lagje e prekur nga gangrena e trafikimit të drogës.

Kjo ndërprerje e energjisë ndodhi disa orë pas një ndërprerjeje tjetër, më të rëndësishme, e cila goditi qytetin e Kanës dhe rrethinat e tij, disa dhjetëra kilometra larg Nicës. Autoritetet nuk i lidhin dy incidentet me njëra-tjetrën.

Presion psikologjik…

Nga Shefqet Gjana

Me 25 maj 1973 pas 48 orësh në pranga , pas turturave çnjerzore , pas komunikimit nga dy pesona nga minisria e mbrendshme , se nga grupi i parë prej 12 vetash janë ekzekutuar 4 veta për pjesmarrje në rrrevoltën e Spaçit , më thirrin në hetuesi .
Në zyrë më presin 3 hetues , mes tyre edhe hetuesi im 1970 Fejzi Aloçi .
Më prezenohet ai përball :
Jamë drejtori i sigurimit të shtetit
I pandehur ju e dini pozicionin tuaj të veqantë .
Më 1970 jeni shkarkue nga neni 67 …..atentat Enver Hoxhës dhe tani pjesëmarrja në rrevoltën e Spaçit iu rrezikon jetën .
Për të shpëtue kokën keni vetëm nji mundësi dhe kjo është :
Të bashkëpunoni me organet tona të sigurimit .
Po dridhesha i tani nga dhimbjet e turturave dhe frika bashk .
Ashtu i trullosur më çfaqen para fytyra e babit të dekuruem si patriot , gjyshit , stergjyshit Isam Spahiut , që kishte udhëheq Lumën në 3 betejat e Çafës së Kolesianit .
Këta më qartësuan mendimin dhe flas :—
Mësoje ti dhe partia e juaj , se unë kam vendos , që më mirë të jetojë 24 orë njeri sesa 100 vjtë maskara , më mirë i vdekur sesa kufomë e gjall .
Në esfel të gomerve ta shkoftë koka …..merreni !!!
Unë jetova atëherë dhe jetojë dhe sot .
Kjo nga memoristika … Ferri i të gjallëve botue 2006 , ndërsa si i shpëtova ndëshkimit të tyre e kam spjegue në memoristikën ….Demon …martir dhe hije .

Pak fjalë për situatën politike të sotme :—
Janë rrjeshtue disa të vetëquajtur deputet .
Falën e kam për ata , që braktisën qëndrimin e tyre të 18 dhjetorit , parimet që arshivuan po vet , qëndresën e 8 janarit të tyre , por që sot lëvrijnë si pula të lagura , apo zvarrisen si kacibuj nën thundrat kastës komuniste të Sali Berishës .
Ndigjova tek Blendi Fejziu Berishën duke thanë , që unë kam mision .
Po ….po … por ate mision të dhanë nga Ramizi më duket se e keni krye , pasi ju shkatrruat opozitarizmin , coptuat Pd .
Akoma më rrinë në mendje fjlët e Pashkos , të Azemit , kur u përjashtue nga kshilli kombtar i pd , lotët e Aben Imamit , fjalët , që ju drejtuam në aktiv unë , Dashamir Shehu dhe Bashkim Kopliku më 1993 .
Lere fushën e lirë , hiqni prangat atyre demokratëve , që i keni trullos me fjaorin tuaj demagogjik , se vetëm pëkohësisht do u shërbejnë interesave tuaja persoale dhe familjare .
Ajo pazmore një ditë do të bjer , pasi ajo është vetëm maskë artificiale .