37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Për herë të parë, Siria emëron një grua në krye të Bankës Qendrore!

Maysaa Sabreen është emëruar guvernatore e përkohshme e Bankës Qendrore të Sirisë ditën e sotme, duke u bërë kështu gruaja e parë që drejton bankën qendrore të vendit.

Sabreen ka qenë anëtare e bordit të drejtorëve në bursën e letrave me vlerë të Damaskut që nga dhjetori 2018. Ajo ka shërbyer gjithashtu si zëvendësguvernatore dhe drejtuese e Divizionit të Kontrollit të Zyrave në kuadër të bankës. Ajo ka kryer studimet master në kontabilitet.

Sabreen është gruaja e dytë e emëruar nga administrata e re siriane e kryesuar nga Ahmad al-Sharaa.

Më herët, Aisha al-Dibs u emërua në krye të Zyrës së Çështjeve të Grave në administratën e përkohshme të Sirisë.

Bashar Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke shënuar fundin e sundimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Marrja e kontrollit erdhi pasi Hayat Tahrir Luftëtarët e al-Sham çliruan qytetet kryesore në një ofensivë të rrufeshme që zgjati më pak se dy javë.

Skema e “karuselit”, si u manipuluan zgjedhjet në Gjeorgji nga partia pro-ruse në pushtet

Nga Roman Udot

 

Metodat tradicionale për zbulimin e manipulimit të një procesi zgjedhor, analizojnë votimin anormal në qendrat e votimit, të cilar kanë pasur një pjesëmarrje të lartë, dhe kryesisht identifikojnë mbushjen e kutive të votimit apo raste të tjera të falsifikimit të plotë të procesit të numërimit të votave.

Në fakt, asnjë nga këto metoda nuk gjurmoi ndonjë anomali në rastin e zgjedhjeve parlamentare të tetorit në Gjeorgji. Por publikimi i të dhënave mbi përbërjen gjinore të votuesve nga Komisioni Qëndror Zgjedhor në Gjeorgji ndryshoi gjithçka.

Është interesant fakti që votuesit që i hodhën votat e tyre në favor të partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, ishin meshkuj në një mënyrë shumë disproporcionale. Pra analistët e zgjedhjeve përdorën çekuilibrin gjinor dhe jo pjesëmarrjen, si çelësin kryesor për të zbuluar manipulimin e madh që ka ndodhur në këto zgjedhje.

Duke zbatuar metodologjinë e analistit të njohur Sergey Shpilkin për një palë variablash, The Insider ishte në gjendje të llogariste numrin e votave anormale: afro 300.000 që të gjitha në mbështetje të Ëndrrës Gjeorgjiane.

Shpjegimi matematikor mbi këto anomali, mbështetet nga rrëfimet e dëshmitarëve okularë të “votimit me karusel” nga grupime kryesisht meshkujsh. Organizatorët e kësaj skeme mashtrimi, morën kartat e identitetit origjinal – ose të paktën numrat e tyre – nga votuesit e vërtetë që kishin garantuar se nuk do të shkonin në votime.

Më pas votuesit e “karuselit”, i përdorën ato për të hedhur në kuti shumë vota. Shifrat e pjesëmarrjes nuk treguan ndonjë anomali, pasi mbajtësit e kartave të identitetit që kishin marrë para, nuk u paraqitën në qendrat e votimit. Më 20 dhjetor, OSBE-ja publikoi raportin e saj paraprak të vëzhgimit mbi zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, dhe të dyja palët e interpretuan atë në favor të tyre.

Por analiza statistikore e të dhënave zyrtare të KQZ-së, mund të na japë një përgjigje më objektive ndaj pyetjes nëse shumica parlamentare e Ëndrrës Gjeorgjiane është vërtet apo jo legjitime. Të dhënat zgjedhore në Gjeorgji janë unike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, publikon vetëm votat që kanë marrë kandidatët nga çdo qendër votimi, pa treguar pjesëmarrjen apo numrin e votave të pavlefshme, duke i bërë të pazbatueshme shumicën e metodave konvencionale të zbulimit të manipulimit të zgjedhjeve.

Megjithatë, disa të dhëna shtesë të kërkuara nga vëzhgues të pavarur u dhanë nga KQZ. Ndaj u publikuan statistika që tregonin karakteristikat gjinore të pjesëmarrjes në votime për çdo qendër votimi. Dëshmia kryesore e manipulimit të votave, gjendet në çekuilibrin gjinor të elektoratit të raportuar, i cili anon fort nga meshkujt.

Kjo është një anomali statistikore. Nëse nuk do të kishte manipulime, pjesëmarrja mesatare e burrave dhe e grave, do të ishte afërsisht e njëjtë. Por të dhënat gjinore të KQZ-së, ngjallën menjëherë dyshime. Fillimisht, KQZ-ja raportoi se kishin votuar 961.751 gra dhe 1.098.661 burra, një shifër e pabesueshme për një vend ku ka 200.000 gra më shumë se burra.

Pas habisë së arsyeshme të vëzhguesve vendas, KQZ-ja, në një përpjekje për të mbuluar skandalin, i fshehu të dhënat origjinale. Megjithatë, organi qeveritar ka nxjerrë pa dashje një dokument me të dhëna të detajuara për çdo qendër votimi. Raporti i dytë, u përpoq të maskonte anomalinë fillestare duke shtuar 91.911 votues femra dhe duke fshehur 88.975 votues meshkuj.

Por analistët nuk u gënjyen. Dokumenti i ndryshuar i KQZ-së liston 3.088 qendra votimi, 65 prej të cilave nuk përmbajnë të dhëna gjinore (52 jashtë shtetit dhe 13 qendra votimi të veçanta). 3.023 qendrat e mbetura të votimit janë përdorur si bazë e analizës aktuale. Në total janë përcaktuar me të drejtë vote 1.626.171 burra dhe 1.863.223 gra, nga të cilët 1.006.170 burra  dhe 1.052.112 gra figurojnë si votues.

Një raport i tillë i votuesve meshkuj ndaj femrave është i pashpjegueshëm. Nëse votuesit meshkuj dhe femra, do të shfaqnin të njëjtin nivel pjesëmarrja në çdo qendër (i njëjti numër votash të hedhura për 100 zgjedhës të regjistruar të secilës gjini), do të kishin votuar gjithsej 913.584 votues meshkuj në mbarë vendin, në vend të 1.006.170 të regjistruarve.

Pra të dhënat e rishikuara të KQZ-së, tregojnë ende një tepricë anormale prej 92.586 votash nga ana e meshkujve. Për më tepër “entuziazmi’ i supozuar elektoral i burrave gjeorgjianë ndryshonte shumë sipas rajonit. Kontributin më të madh e ka dhënë qarku i Marneulit në pjesën juglindore të vendit, në kufi me Azerbajxhanin, ku numri i votuesve të tepërt meshkuj arriti në 9.310.

The Insider vëzhgoi më nga afër shkaqet e mundshme të kësaj dukurie. Nuk është për t’u habitur që ky rajon është i njohur në Gjeorgji dhe më gjerë për shkeljet gjatë proceseve zgjedhore: presion mbi votuesit, rrahje, dhe një rast i konfirmuar i mbushjes së fletëvotimeve , i cili është bërë objekt i procedimeve penale.

Në përvojën e vëzhguesve rusë, një çekuilibër i tillë gjinor është vërejtur në rastet e votimit “m karusel’, që u zbulua duke përdorur pamjet e qendrave të votimit të publikuara nga KQZ në Rusi. Në raste të tilla, çekuilibri mund të arrijë në 70 për qind, si në Shën Petersburg, ose 100 për qind, si në Dagestan.

Por si u organizua në Gjeorgji? Mjerisht, qendrat e votimit atje nuk kishin kamera ÇTV. Ndaj e dhëna erdhi nga rajoni i dytë më “hiperaktiv” i meshkujve në Gjeorgji, Gori, i cili tregoi një tepricë prej rreth 5.000 meshkujsh votues. Më 25 nëntor, kanali televiziv Mtavari Arkhi transmetoi dëshminë e Gocha Chalaurit.

Ai tregoi se si ai dhe bashkëpunëtorët e tij votuan në mënyrë të përsëritur për Ëndrrën Gjeorgjiane në zgjedhjet e 26 tetorit: “Ishim 4 veta në makinën time, që të gjithë burra, duke udhëtuar si pjesë e një grupi prej 5 automjetesh. Udhëtuam nëpër Gori, nga njëri fshat në tjetrin dhe votuam për ëndrrën Gjeorgjiane rreth 30 herë secili. Në total, 120 ose 130 makina si e jona qarkullonin rreth e rrotull rajonit të Gorit”.

Vlerësimet tregojnë se nëse 500 individë votojnë 30 herë secili, do të prodhonin 5000 vota shtesë. Gazetarët investigativë nga televizioni kryesor i Gjeorgjisë, Pirveli, kanë realizuar një dokumentar rreth mënyrës se si blihen dokumentet e identifikimit të votuesve.

Ose më saktë, sesi ato “merren me qira” për shuma prej 100, 150 ose 200 lari gjeorgjiane (afërsisht 35-70 dollarë amerikanë). Alexander Crevaux-Asatian, zyrtar i lartë i partisë opozitare Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, i ka vërtetuar këto raporte. Sipas gazetarëve gjeorgjianë, votuesit që “kanë dhënë me qira” letërnjoftimet ose të dhënat e tyre personale, premtuan se nuk do të paraqiteshin në qendrat e votimit për zgjedhjet e fundit.

Dëshmitë e dëshmitarëve okularë dhe dëshmitë e atyre që morën pjesë në mashtrime, të kapur në kamerat e Pirveli, sugjerojnë se kjo skemë ishte orkestruar nga krerët e administratave lokale dhe anëtarë të partisë Ëndrra Gjeorgjiane. Në dokumentar transmetohen pamje, ku këto pasaporta dhe karta identiteti përfundojnë në duart e operativëve të “karuselit”.

Edhe pse rrallë, ata kapen në kamera nga vëzhguesit e zgjedhjeve në qendrat e votimit. Mjerisht, si në Rusi, skemat e “karuselit” mbeten të padukshme për vëzhguesit në terren në mungesë të regjistrimeve zyrtare në kamera. Është një mrekulli që KQZ-ja në Gjeorgji lejoi një rrjedhje të të dhënave gjinore, e cila bëri të mundur zbulimin dhe vlerësimin e shtrirjes së skemës së manipulimit.

Misioni më i madh i vëzhgimit të zgjedhjeve në vend, Vota Ime, shpjegoi në një deklaratë zyrtare metodat e manipulimit:“ Disa nga votuesit që u paraqitën në qendrën e votimit, kishin një copë letër me numrin personal të një personi tjetër, të vendosur në pasaportë ose të ngjitur në letërnjoftim.

Po ashtu, zgjedhësi mund të votonte edhe nëpërmjet fotokopjes së letërnjoftimit që e mbante në telefon. Votuesit mashtrues kishin regjistrues aleatë në qendrat e votimit, të cilët ose e fusnin me shpejtësi në makinën e verifikimit numrin personal të shkruar në letër, ose nuk e shënonin fare ose e regjistronin gabim.

Siç mundën të zbulonin gazetarët investigativë , këta “regjistrues” u zgjodhën me kujdes nga listat e dërguara nga KQZ-ja. Herë pas here, sistemi i mashtrimit funksiononte keq, dhe një votues zbulonte se dikush kishte votuar tashmë në emrin e tij.

Këto incidente nxitën shpërthimin e skandaleve, disa prej të cilave u përmendën në dokumentarin investigativ. Megjithatë në pjesën më të madhe të rasteve skema funksionoi, dhe po të mos ishin të dhënat anormale gjinore nga KQZ-ja, shkalla e mashtrimit do të kishte mbetur thjesht si një çështje spekulimi dhe dyshimi./Përshtatur nga “The Insider”

Personalitetet nga Ballkani që ndërruan jetë në 2024

Ismail Kadare: Gjiganti i letërsisë shqipe

Ismail Kadare, një nga shkrimtarët më të përkthyer të letërsisë shqipe dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare letrare, ndërroi jetë në korrik 2024, në moshën 88-vjeçare.

Pas vdekjes së tij, ‘The New York Times’ e përshkroi atë si “autorin më të shquar shqiptar të një brezi … një shkrimtar prodhimtar që shpesh gjente mënyra për të kritikuar shtetin totalitar të vendit, pavarësisht rreziqeve. Shpesh, ai maskonte përçmimin e tij në mite dhe parabola.”

Në libra të njohur si Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Kështjella dhe Pallati i Ëndrrave, Kadare i ofroi lexuesve perëndimorë “një pasqyrë të jetës në atë që për shumë vite ishte një shoqëri shumë e mbyllur,” sipas The New York Times.

Në Shqipëri, pas vdekjes së tij, janë hapur diskutime mbi jetën e tij gjatë regjimit shtypës komunist të Enver Hoxhës, kur Kadare u bë i njohur si shkrimtar, duke u shtruar pyetje për qëndrimin e tij ndaj regjimit.

Kadare vetë kishte thënë se nuk kishte pretenduar kurrë të ishte një “disident”, pasi një gjë e tillë nuk ishte e mundur në atë kohë.

“Opozita e hapur ndaj regjimit të Hoxhës, ashtu si opozita e hapur ndaj Stalinit gjatë sundimit të tij në Rusi, ishte thjesht e pamundur,” i tha ai gazetës The Jerusalem Post. “Disidenca ishte një pozicion që askush nuk mund ta mbante, as për disa ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit. Nga ana tjetër, librat e mi përbëjnë një formë shumë të qartë rezistence ndaj regjimit.”

Kadare u arratis në Francë në vitin 1990, pak para rënies së regjimit të Hoxhës, duke pretenduar se ishte vënë në shënjestër nga policia sekrete, Sigurimi.

Pas rënies së komunizmit, ai ndau kohën e tij midis Tiranës dhe Parisit. Në vitin 1996, u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze dhe vitin e kaluar u nderua me titullin Grand Officier të Legion d’honneur nga Presidenti francez Emmanuel Macron.

Budimir Lončar: Ministri i fundit i Jashtëm i Jugosllavisë Socialiste 

Budimir Lončar, një diplomat me një karrierë të shquar, luftoi përkrah lëvizjes antifashiste të partizanëve të Josip Broz Tito gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndihmoi në themelimin e Lëvizjes së të Paangazhuarve, shërbeu si ministri i fundit i Jashtëm i Jugosllavisë Socialiste dhe më pas loboi për njohjen e pavarësisë së Kroacisë.

Lončar ndërroi jetë në shtator, në moshën 100-vjeçare, ndërsa notonte në Adriatik pranë ishullit Ugljan, ku ndodhet qyteti i tij i lindjes, Preko. Pas ndarjes së tij nga jeta, dy ish-presidentë kroatë nderuan kujtimin e tij si një diplomat të shquar të epokës së Luftës së Ftohtë dhe një figurë kyçe të politikës së jashtme.

Ish-Presidenti Stjepan Mesić, i cili e angazhoi Lončarin si këshilltar të politikës së jashtme nga viti 2000 deri në 2010, e përshkroi atë si “të jashtëzakonshëm, eksperti më i madh i politikës së jashtme, jo vetëm në Europë, por në botë”. Pasuesi i tij, Ivo Josipović, e kujtoi atë si një “lojtar të madh nga një fushë e vogël … i aftë të debatonte në kushte të barabarta me udhëheqësit e vendeve të mëdha dhe të fuqishme”.

Historiani Tvrtko Jakovina, autor i biografisë Budimir Lončar – Nga Preko në Majën e Botës, tha për BIRN se Lončar “mbeti aktiv deri ditën e fundit të jetës së tij”. Ai shtoi: “Në ditën e vdekjes së tij, ai bisedoi me ish-ambasadorin Ivica Maštruko për rezultatet e zgjedhjeve amerikane, të cilat i kishte parashikuar me saktësi”.

Jakovina theksoi se Lončar mbajti lidhje me figura të rëndësishme nga rajoni dhe bota, dhe shumë kërkonin këshillat e tij.

“Një profil i tillë do të ishte mbresëlënës në çdo profesion, por është jashtëzakonisht i rrallë në diplomaci – të mbetesh kaq relevant dhe i angazhuar për një kohë kaq të gjatë. Jo sepse ishte pjesë e së kaluarës, por sepse mendonte edhe për të ardhmen,” tha Jakovina.

Ai kujtoi gjithashtu se si Lončar ruajti një kureshtje për botën edhe në moshë të avancuar. “Edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ai vazhdoi të punonte me organizata ndërkombëtare, përpara se të kthehej përfundimisht në Kroaci,” përfundoi ai.

Vasso Papandreou: ‘Zonja e Hekurt’ e Greqisë dhe pioniere politike 

Vasso Papandreou, një nga anëtaret themeluese të partisë qendër-majtiste PASOK në Greqi, ndërroi jetë në tetor pas një karriere të gjatë si një nga gratë politikane më të shquara të vendit. E lindur në vitin 1944, ajo shërbeu si ministre në disa poste dhe ishte komisionerja e parë greke në Komisionin Europian, nga viti 1989 deri në 1993.

Papandreou fitoi epitetin “Zonja e Hekurt e Europës” – një referencë për Margaret Thatcher-in e Britanisë, një herë kundërshtare politike e saj. “Shumë e përshkruanin si rivale të Thatcher-it,” tha për BIRN Effie Bekou, sekretarja e PASOK-ut për mirëqenien dhe kohezionin social dhe një mike e ngushtë e Papandreou-t.

Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1993, ajo mori 256,831 vota në distriktin e dytë zgjedhor të Athinës, shifra më e lartë e votave të marra ndonjëherë nga një politikan në Greqi.

“Papandreou kishte besim absolut te vetja dhe, si rrjedhojë, edhe te bashkëpunëtorët që zgjidhte, gjë që të krijonte një ndjenjë përgjegjësie. Ishte e drejtpërdrejtë, mbështetëse dhe me një dije të jashtëzakonshme,” kujtoi Bekou.

Në vitin 1999, Papandreou e emëroi Bekou Sekretare të Përgjithshme për Barazinë Gjinore. Nën drejtimin e saj, për herë të parë në Greqi u organizua një fushatë kundër dhunës në familje.

Veljko Bulajić: Regjisori Jugosllav i famshëm për epikat e luftës 

Veljko Bulajić, i lindur në Mal të Zi dhe një nga regjisorët më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë, u nda nga jeta në prill 2024. Ai është i njohur më së shumti për filmat e tij epikë mbi Luftën e Dytë Botërore.

Filmat e tij më të famshëm përfshijnë ‘Kozara’ (1962), ‘Bitka na Neretvi; (“Beteja e Neretvës”, 1969), i nominuar për Oscar, ‘Veliki Transport’ (“Transporti i Madh”, 1983), si dhe dokumentarin ‘Skopje 63;. Këto arritje ishin të suksesshme jo vetëm brenda Jugosllavisë, por edhe ndërkombëtarisht.

Regjisori malazez Andro Martinović vuri në dukje se çmimet e shumta të fituara nga Bulajić flasin më së miri për punën e tij. “Por më e rëndësishme se kaq është se Veljko ishte një regjisor me një dhunti të padiskutueshme për kinemanë, për emocionin, për një plan të gjerë, për strukturën epike të filmit – për atë që përbën një panoramë të fatit njerëzor,” tha Martinović për BIRN.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Bulajić studioi regji filmi në Romë, ku punoi si asistent me regjisorë të mëdhenj si Federico Fellini dhe Vittorio De Sica, përpara se të kthehej në Jugosllavi.

Karrierën e tij regjisoriale e nisi me filma të shkurtër si ‘Stone and Sea’ dhe ‘The Wandering Boat’. Në vitin 1959, ai realizoi filmin e tij të parë artistik, ‘Train Without a Timetable’, i cili u shfaq në Festivalin e Filmit në Kanë.

Epika e tij më e famshme e luftës, ‘Beteja e Neretvës’, përfshinte yje të Hollywood-it si Yul Brynner dhe Orson Welles, aktorin e famshëm italian Franco Nero dhe yllin sovjetik Sergej Bondarchuk. Filmi u nominua për një Oscar në vitin 1970, dhe posteri i tij u dizajnua nga vetë Pablo Picasso.

Kiril Marichkov: Legjenda e rokut Bullgar dhe kampion i demokracisë 

Kiril Marichkov, një nga muzikantët më të njohur të Bullgarisë dhe lider i grupit legjendar të rokut të epokës komuniste The Crickets (Щурците), u nda nga jeta në tetor, në moshën 79-vjeçare, pas një rrëzimi gjatë një provë tingulli me super grupin e tij The Foundation, ku performonte me artistë të tjerë të njohur vendas.

The Crickets, i formuar në Sofje në vitin 1967, ishte një pionier i rokut bullgar, duke u bërë një nga grupet më të njohura të vendit. Me një referencë të qartë për The Beatles, grupi theu barrierat kulturore të kohës dhe frymëzoi breza të rinjsh.

Marichkov mbeti aktiv deri në fund, duke ruajtur statusin e një “plaku të urtë” të rokut bullgar. Ai mbahet mend jo vetëm për muzikën e tij, por edhe si një zë i fuqishëm për një të ardhme më të mirë gjatë tranzicionit të Bullgarisë drejt demokracisë pas vitit 1989.

“Marichkov ishte një frontman që udhëhoqi grupin e tij ndërsa shteti komunist mbikëqyrte muzikantët e rokut, dhe ai arriti të ruante karizmën e tij gjatë viteve të tranzicionit politik të Bullgarisë,” tha për BIRN gazetari i kulturës, poeti dhe fotografi Vladislav Hristov.

The Crickets ishin një pjesë e kulturës së protestës në Bullgari, dhe Marichkov u shqua si një lider për çështje sociale,” shtoi Hristov.

Përveç muzikës, Marichkov kompozoi kolonat zanore të disa filmave dhe në vitin 1992 ishte një nga bashkëthemeluesit e radios popullore muzikore Tangra.

Stojan Andov: Politikan i zoti që la gjurmë në Maqedoninë e Veriut 

Me një talent për pragmatizëm politik, diplomaci dhe ekonomi, Stojan Andov, presidenti i parë i parlamentit të Maqedonisë që nga shpallja e pavarësisë, i cili ndërroi jetë në qershor në moshën 89-vjeçare, la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit.

Të thuash se Andov ishte një shtyllë e politikës maqedonase do të ishte pak. Si politikan i respektuar, ai ndihmoi vendin të kalojë me sukses tranzicionin e ndërlikuar nga komunizmi në demokraci dhe nga një republikë federale jugosllave në një shtet të pavarur.

I lindur në qytetin Kavadarci në vitin 1935, ekonomisti dhe eksperti i shkencave politike përparoi me shpejtësi në hierarkinë politike të ish-Jugosllavisë falë aftësive të tij si negociator dhe mbështetës i ekonomisë së tregut.

Gjatë dekadës së parë të pavarësisë së vendit në vitet 1990, Andov themeloi Partinë Liberale dhe në vitin 1991 u bë kryetari i parë i parlamentit të Maqedonisë, një rol që e ushtroi edhe dy herë të tjera.

Si kryetar parlamenti, Andov u vlerësua për aftësinë e tij në drejtimin e asamblesë së parë pluraliste shumëpartiake, e cila shpesh përbëhej nga politikanë të papërvojë dhe grupe me opinione të ndara thellësisht për të ardhmen e vendit.

“Andov gjithmonë tregonte qartë rrugën drejt Brukselit dhe integrimit të plotë të vendit në Bashkimin Europian dhe NATO. Është për të ardhur keq që ai nuk drejtoi kurrë diplomacinë maqedonase, megjithëse kishte një rol mbresëlënës dhe të shquar diplomatik si kryetar i parlamentit, një rol që asnjë kryetar tjetër maqedonas nuk e ka përsëritur,” tha ish-zëvendëskryeministri për çështjet europiane të Maqedonisë së Veriut, Ivica Bocevski.

Nën drejtimin e tij, parlamenti miratoi kushtetutën e parë kombëtare të vendit dhe shumë akte të tjera themeluese të shtetit. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në pavarësinë e Maqedonisë së Veriut, Andov u nderua me Urdhrin prestigjioz “8 Shtatori”.

Fethullah Gulen: Udhëheqësi fetar Turk që ra në konflikt me Erdogan 

Fethullah Gulen, udhëheqësi i Lëvizjes Globale Gulen, ndërroi jetë më 20 tetor në moshën 83-vjeçare në Shtetet e Bashkuara, ku kishte jetuar në mërgim të vetëimponuar që nga viti 1999.

Dikur një aleat i ngushtë i Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Gulen drejtonte një rrjet transnacional, por më vonë u etiketua si udhëheqës terrorist në Turqi. Erdogan e akuzoi për organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016, akuzë të cilën Gulen e mohoi. Përplasja mes tyre dhe goditja ndaj të ashtuquajturve “gulenistë” kanë pasur një ndikim të madh dhe afatgjatë në jetën politike të Turqisë.

I lindur në vitin 1941 në Erzurum, Turqia Lindore, idetë e Gulenit u formësuan nga Said Nursi, themeluesi i Lëvizjes Nur. Nisma e tij filloi në vitet 1970 me një konvikt studentësh në Izmir dhe u zgjerua në një rrjet global shkollash, universitetesh, mediash dhe OJQ-sh. Shkollat guleniste lulëzuan në mbarë botën, veçanërisht në Ballkan, me mbështetjen e Ankarasë gjatë aleancës me Erdogan.

Në Turqi, gulenistët supozohet se fituan ndikim në ushtri, gjyqësor dhe polici. Kur Erdogan erdhi në pushtet në vitin 2002, ai u mbështet te rrjeti i Gulenit për të plotësuar pozicionet shtetërore. Megjithatë, aleanca u prish në vitin 2013 pas hetimeve për korrupsion ndaj aleatëve të Erdogan, të udhëhequra nga zyrtarë të dyshuar si gulenistë. Erdogan u kundërpërgjigj, duke e quajtur lëvizjen një “shtet paralel” dhe më vonë “FETO” (Organizata Terroriste Fethullah).

Përplasja u përshkallëzua pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016. Në një goditje masive, mbi 150,000 punonjës të sektorit publik u pushuan nga puna, 500,000 persona u hetuan dhe mijëra institucione – përfshirë shkolla, banka dhe OJQ – të lidhura me Gulenin u sekuestruan.

Pavarësisht rënies së saj në Turqi, rrjeti global i shkollave të Lëvizjes Gulen mbetet një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së saj. Dhjetëra mijëra njerëz kanë ikur nga Turqia, kryesisht në Europë dhe SHBA, për të kërkuar strehim.

Kritikët kanë akuzuar Erdoganin për shfrytëzimin e tentativës për grusht shteti për të heshtur opozitën, ndërsa kanë fajësuar edhe Gulenin dhe lëvizjen e tij për shmangien e përgjegjësisë dhe për dështimin në adresimin e rolit të tyre të mundshëm në këto ngjarje.

“Gulen themeloi dhe drejtoi lëvizjen më të madhe të Turqisë, të rrënjosur në arsim, tolerancë dhe paqe, të cilën më vonë e zgjeroi në një nismë globale. Sot, pavarësisht goditjeve të pamëshirshme nga qeveria e Erdogan, lëvizja mbetet rezistente dhe ruan ndjekës në mbarë botën,” tha për BIRN një gulenist i lartë me bazë në SHBA, duke folur në kushte anonimiteti.

“Tani që Hoca [udhëheqësi fetar] ynë ka ndërruar jetë, përpara nesh qëndron një përgjegjësi e madhe. Duhet ta mbrojmë këtë lëvizje dhe të sigurojmë që trashëgimia e tij të vazhdojë,” shtoi ai.

Bora Đorđević: Rokeri Serb që e mbylli karrierën në një notë të çuditshme 

Borisav “Bora” Đorđević, i lindur në Serbi, ndërroi jetë në shtator në moshën 72-vjeçare në Lubjanë, Slloveni. Ai ishte një legjendë e rokut – vokalisti kryesor i grupit ‘Riblja Čorba’, që krijoi disa nga këngët më të njohura në ish-Jugosllavi dhe më vonë në Serbi.

Në vitet e mëvonshme, ai u bë një figurë kontroverse, i kritikuar për qëndrimet e tij nacionaliste serbe.

Grupi ‘Riblja Čorba, i formuar në vitin 1978, pati një sukses kritik dhe komercial në të gjithë Jugosllavinë e atëhershme. Kritiku i muzikës Dragan Ambrozić tha për faqen serbe ‘Nova.rs’ se Đorđević luajti një rol vendimtar në vendosjen e rokut si pjesë të kulturës lokale. Sipas Ambrozić, “për shkak të tij, rokenrolli në rajonin tonë u përjetua si pjesë e kulturës sonë”.

“Đorđević arriti jo vetëm të përkthejë një pjesë të rëndësishme të mesazhit të rokenrollit në gjuhën serbe, por edhe ta përfshijë atë në mënyrë të natyrshme në perceptimet dhe karakteret lokale tashmë ekzistuese,” shpjegoi ai. “Në këtë mënyrë, ‘rokeri’ u bë pjesë e mjedisit serb, i njohur si i tillë edhe nga ata që nuk dinin asgjë për muzikën rock.”

Gazetari Teofil Pančić shkroi në një kolumne për revistën Vreme se Riblja Čorba u bë “gjithnjë e më shumë politikisht e drejtpërdrejtë” gjatë viteve 1980, gjë që i dha grupit një lloj “besueshmërie punk”.

Megjithatë, popullariteti i Đorđević dhe Riblja Čorba ra gjatë viteve 1990, pasi ai shprehu pikëpamje nacionaliste serbe. Në vitin 2012, ai u nderua me titullin “Duka Çetnik” nga lëvizja ultra-nacionaliste Çetnike. Në vitin 2019, grupi ishte kryesor në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, edhe pse Đorđević këmbënguli se nuk ishte mbështetës i partisë.

Fansat e tij preferojnë ta kujtojnë për këngë si “Pogledaj dom svoj anđele” (“Shiko shtëpinë tënde, Engjëll”) dhe “Lutka sa naslovne strane” (“Kukulla në faqen e parë”), dhe jo për faktin që, siç shkroi Pančić, pikëpamjet e tij politike “në një moment dolën krejtësisht nga binarët”.

Abdulah Sidran: Poeti dhe skenaristi boshnjak i klasikëve jugosllavë 

Abdulah Sidran, poeti, shkrimtari dhe skenaristi boshnjak, u nda nga jeta në mars në moshën 79-vjeçare. Ai ishte një autor i shquar i vargjeve dhe një figurë qendrore në kinematografinë jugosllave.

Sidran është i njohur për skenarët e tij të filmave ikonike si ‘Do You Remember Dolly Bell?’ dhe ‘When Father Was Away on Business’ të Emir Kusturicës, i cili fitoi çmimin ‘Palme d’Or’ në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1985, si dhe për filmin ‘Kuduz; të Ademir Kenović.

Megjithatë, miqësia e tij me Kusturicën përfundoi për shkak të qëndrimit nacionalist serb të regjisorit, që binte ndesh me kundërshtimin e Sidranit ndaj konceptit të një “Serbie të Madhe”.

Për veprat e tij letrare dhe kinematografike, Sidran fitoi shumë çmime prestigjioze, përfshirë çmimin e Lirisë nga PEN Qendra Franceze për përmbledhjen poetike ‘Sarajevo Coffin’, shkruar gjatë luftës së Bosnjës 1992-95.

Poemat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, dhe edicioni italian i poezive të tij për rrethimin e Sarajevës i dha çmimin e shquar ‘Premio Letterario 1996 della Fondazione Laboratorio Mediterraneo’, duke përforcuar statusin e tij si një figurë madhore letrare.

Në shtator, në atë që do të kishte qenë 80-vjetori i lindjes së tij, Sidran u nderua pas vdekjes me edicionin e parë të festivalit kulturor ‘Sidranovi Dani’ (Ditët e Sidranit) në qytetin e tij të lindjes.

“Sidran ishte ai lloj personi që, kur je i ri, dëshiron dikë si ai në rrethin tënd sepse të tregon që suksesi i madh letrar është i mundur. Kjo është njëra anë,” tha Boris Lalić, një shkrimtar i ri që pati një sukses të madh falë mbështetjes së Sidranit, gjatë hapjes së festivalit.

“Por, nga ana tjetër, ajo që e bën Abdulah Sidran të rëndësishëm si njeri është fakti që ai ishte një shkrimtar jashtëzakonisht frymëzues – në poezinë, prozën dhe skenarët e tij.”/BIRN

BIRN: Politikanët përballë Drejtësisë në 2024

Nga Vladimir Karaj 

Arrestimet e Ilir Metës, ish-president dhe ish-kryeministër dhe Ilir Beqajt, ish-ministër i Shëndetësisë dhe një prej zyrtarëve të afërt të kryeministrit Edi Rama ishin momentet kryesore të përballjes së politikanëve me drejtësinë gjatë vitit 2024.

Beqaj, i akuzuar si i përfshirë në aferat kontradiktore të koncesioneve në shëndetësi, u arrestua në të nxehtin e korrikut për përvetësim të fondeve të Bashkimit Europian përmes një restoranti. Ndërkohë Ilir Meta u arrestua në mes të autostradës që lidh Tiranën me Durrësi në tetor 2024, pasi një hetimi të gjatë që sipas Prokurorisë së Posaçme provoi përfshirjen e tij dhe bashkëshortes deputetes Monika Kryemadhi në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Gjatë vitit një mori zyrtarësh të nivelit të dytë, përfshi ish-drejtorë të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës u arrestuan po ashtu nën akuzat e korrupsionit e abuzimit me tendera. Ndërkohë, për një sërë politikanësh, për të cilët përballja me drejtësinë ka filluar më herët, janë marrë vendime dënimi. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako u dënuan nga Gjykata e Posaçme e Apelit me vendim të formës së prerë për abuzimet në aferën e inceneratorit të Elbasanit. Po ashtu pas një procesi të gjatë u dënua ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i akuzuar për shpërdorim detyre.

Ish-kryeministri Sali Berisha, u dërgua për gjykim për akuzën e Korrupsionit Pasiv në 16 tetor 2024. Berisha, 80 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore. Gjatë vitit 2024 Berisha ishte për pjesën më të madhe me masën e arrestit shtëpiak. Masa ndryshoi vetëm në fund të vitit, pai dosja ndaj tij u dërgua për gjykim.  Berisha është nën akuzë bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi. Biznesmeni Xhimi Begeja  dhe financierja Andia Pustina do gjykohen për pastrim parash. Si të pandehur për pastrim parash janë marrë dhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.  Ata i kanë mohuar akuzat dhe akuzojnë SPAK se po i përndjek politikisht.

Ilir Meta, Ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, u arrestua në 21 tetor të këtij viti.  Ai akuzohet sëbashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi për korrupsion, pastrim të parave dhe mosdeklarim e fshehje të pasurive. SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi deputeten Monika Kryemadhi, e cila është bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e Metës për dekada, por tashmë ata ndodhen në proces divorci. Meta akuzon prokurorinë e Posaçme për përndjekje politike.

Monika Kryemadhi, deputete dhe ish-kryetare partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, tashmë e shkrirë,  është nën masën e sigurimit detyrim paraqitje prej 23 tetorit. Kryemadhi, sëbashku me ish-presidentin Ilir meta akuzohen për  korrupsion, pastrim të parave dhe mosdeklarim e fshehje të pasurive. Kryemadhit iu sekuestrua edhe një vilë në kryeqytet. Kryemadhi këmbëngul se akuzat janë politike dhe të pabazuara në prova.

Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë dhe ish-depuet i Partisë Socialiste u arrestua në korrik 2024, i akuzuar për abuzim me fondet e BE-së gjatë kokës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC. Gjykata e Posaçme caktoi ndaj Beqajt masë sigurimi arresti në burg, ndërsa ai po hetohet paralelisht edhe për akuzat në lidhje me atë që njihet si afera e sterilizimit të paisjeve dhe sallave të operacioneve në spitale.

Arben Ahmetaj, ish-deputet dhe ish-zëvendëskryeministër, është nën akuzë për dy çështje. Për shkak se u arratis pas urdhërarrestit, Ahmetaj humbi mandatin e deputetit në fillim të vitit 2024. Ai  ishte një ndër figurat kyçe të kabinetit të kryeministrit Edi Rama përgjatë një dekade, derisa Prokuroria e Posaçme kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij në korrik të vitit 2023 nën akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.  Ahmetaj iu shmang drejtësisë dhe pasi u arratis nga vendi, aplikoi për azil në Zvicër në shtator të vitit 2023. BIRN gjeti se Ahmetaj e financonte jetën në arrati me para të lidhura me aferën e inceneratorëve.

Lefter Koka, ish-Ministër i Mjedit dhe ish-deputet u dënua me vendim të formës së prerë në nëntor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për atë që njihet si afera e inceneratorit të Elbasanit. Koka ishte gjetur fajtor në shkallë të parë, por Apeli i ashpërsoi dënimin ndaj tij dhe i sekuestroi edhe një sërë pasurish të tjera. Koka është i pandehur edhe në aferat e inceneratorëve të Fierit dhe Tiranës, por këto dy çështje janë ende në shqyrtim gjyqësor.

Alqi Bllako, ish-deputet i Partisë Socialiste u dënua bashkë me Kokën dhe të tjerë në nëntor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Apelit për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Bllako ishte shpallur i pafajshëm në shkallë të parë, por Apeli vendosi ta dënojë atë me 4 vjet burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Me reduktimin e dënimit nga gjykimi i shkurtuar, Bllako do të vuajë 2 vjet e 8 muaj burg për incineratorin e Elbasanit. Bllako është i pandehur në këtë çështje për vendimmarrjen në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Ashtu si Koka ai është i pandehur edhe në çështje të tjera, ende në proces gjyqësor.

Plarent Ndreca, deputet i Partisë Socialiste, ish-Sekretar i Përgjithshëm në disa ministri u mor i pandehur dhe u dërgua për gjykim nga Prokuroria e Posaçme në nëntor 2024. Ndreca dhe një grup zyrtarësh e ish-zyrtarësh të një sërë institucionesh akuzohen se favorizuan në shkelje ligjore arkitektin Gjon Radovani për të fituar tendera me vlerë 34 milionë lekë. Prokuoria bën me dije se nga hetimet ka rezultuar se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nën drejtimin e Ndrecës bashkëpunuan “në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike”.

Jurgis Çyrbja – Ish-deputeti socialist u arrestua në tetor 2024 Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017. Çyrbja akuzohet  për ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’; ‘Përkrahja e autorit të krimit’ si dhe ‘Tregëtimi i sekretit shtetëror”. Pas hetimit të komunikimeve të kryera përmes aplikacionit Sky EÇ SPAK gjeti se ish-deputeti shërbeu si ndërmjetës mes një numri të lartë zyrtarësh shqiptarë të paidentifikuar dhe strukturave të krimit të organizuar në Durrës e Shijak.

Vangjush Dako, ish-kryebashkiak i Durrësit dhe një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste u gjet fajtorë dhe u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg nga Gjykata e Posaçme në 25 nëntor 2024.  Gjykata e Posaçme e gjeti fajtor ish-kryetarin e Bashkisë Durrës, për shpërdorim detyre në dy raste. Dako u arrestua më 6 qershor 2023, por u lirua nga qelia tetë muaj më vonë pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve. Ai qëndron në masën e sigurimit personal “arrest shtëpie”.

Jorgo Goro, Ish-kryebashkiaku i Himarës akuzohet se është pjesë e një skeme tjetërsimi pronash nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara. SPAK e dërgoi çështjen ndaj Goros për gjykim në shtator 2024 ai u arrestua në fillim të vitit. Veç Goros nën akuzë është edhe ish-kryetari i komanduar  i bashkisë që i zuri atij vendin. Pronat e dyshuara të tjetërsuara nga Goro aktualisht janë në zotërim të bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i shpallur si investitor strategjik nga qeveria “Rama”.

Eduart Kapri, ish-kryetar i Bashkisë së Pogradecit, në vitet 2015-2019, i propozuar nga Partia Demokratike akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK se në bashkëpunim me dy vartës së tij kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me ligjin në një pallat 14-katësh të kompanisë së themeluar nga Kapri, që administrohet nga vëllai i tij.

Fatos Tushe, ish-kryetar i Bashkisë së Lushnjes u dënua në tetor 2024 me akuzën e fshehjes së pasurisë me 1 vit burg, por dënimi u pezullua. Gjykata e Posaçme po ashtu vendosi konfiskimin e një apartamenti në Vlorë si pasuri e fshehur e Tushes. Ish-kryebashkiak i Lushnjës për gati 12 vjet, Tushe u shkarkua në vitin 2021 kur u arrestua nga SPAK. Para dënimit për fshehje pasurie ai u gjet fajtor për shpërdorim detyre.

Fran Frrokaj, ish-kryetar i Bashkisë së Lezhës u dënua 2 vjet e 8 muaj burg më 23 dhjetor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për akuzën e shpërdorimit të detyrës në një çështje tjetërsimi pronash në bregdet. Frrokaj ishte dënuar më herët edhe nga Gjykata e Apelit në Shkodër për një çështje të ngjashme.

Safet Gjici, ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit u dënua në qershor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Apelit me tre vjet burg për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Gjici pranoi favore seksuale në zyrë dhe premtoi në këmbim fonde publike të bashkisë.

Rajmonda Balilaj, ish-kryebashkiake e Patosit u dërgua në gjyq nga SPAK me akuzën e paracaktimin të tenderave. Ish-kryetarja e Bashkisë dhe gjashtë zyrtarë të tjerë akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, paracaktuan si fitues në dy tendera të njëjtën kompani, që rezultonte se përgjatë tre viteve kishte fituar 32 pocedura prokurorimi të kësaj njësive vendore.

Luiza Mandi, ish-kryetare e Bashkisë së Libohovës u gjet fajtore për shpërdorim detyre, pasi u vërtetua se gjatë zbatimit të një projekti të njësisë vendore që ajo drejtonte, u dëmtua prona e një qytetari, i cili e denoncoi në SPAK. Ajo u dënua në qershor 2024 me 8 muaj burgim.

Kreshnik Hajdari, ish-kryetari i Bashkisë së Kuçovës u gjet fajtorë për fshehjen e dënimit në Greqi dhe u dënua në janar 2024 me 9 muaj burgim nga Gjykata e Posaçme. Dënimi për Hajdarin u konvertua në 150 orë punë në komunitet.

Ervin Salianji, deputet i Partisë Demokratike, u dënua në shtator 2024 nën akuzat e kallëzimit të rremë ndaj vëllait ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe po vuan dënimin në burg. Ndryshe nga politikanët e tjerë të kësaj liste Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit të Përgjithshëm për një çështje të filluar në vitin 2018. Dënimi ndaj Salianjit lidhet me një audio-përgjim të publikuar prej tij në Partinë Demokratike në maj të vitit 2018, ku aludohej se vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës, Fatmir Xhafajt bisedonte me një shtetas të quajtur Albert Veliu në lidhje me trafikun e drogës. Pas publikimit të audio-përgjimit, Geron Xhafaj kreu kallëzim për akuzuesit e tij, duke pretenduar se audio-përgjimi ishte i sajuar. Pas shpalljes së vendimit, Salianji e denoncoi procesin si të montuar nga fillimi në fund dhe e quajti veten një të dënuar politik.

Edison Memolla, kryebashkiak i Rrogozhinës, u akuzuar për korrupsion në zgjedhje, pasi dyshohet ndikoi tek një elektricist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Me 27 dhjetor, SPAK kërkoi dënimin e tij me 1 vit heqje lirie.

Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, po hetohet nga SPAK për veprat e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pastrimit të parave dhe deklarimit të rremë të pasurisë. Me 26 dhjetor ai u mor në pyetje për më shumë se 5 orë nga SPAK.

“Nuk e mas punën e SPAK nëse ka goditur majtas apo djathtas”- Ngjarjet e 2024, gazetarja Lala: Prokurorët kanë përballuar një presion të jashtëzakonshëm

Gazetarja Klodiana Lala, teksa ka komentuar ngjarjet kyçe të vitit 2024, ku SPAK duket se ka pasur një rol kryesor, është shprehu se Prokuroria e Posaçme ka dy fusha ku vepron: luftën ndaj korrupsionin në nivele të larta dhe luftën ndaj krimit të organizuar.

Në emisionin “Open” në Neës24, ajo u shpreh se “luftën ndaj krimit të organizuar, e kemi një luftë frontale”.

Lala u shpreh se ekziston një panoramë e qartë e lidhjeve mes krimit dhe politikës, ku përfshihen investime të parave të krimit, përfshirë lingotat e arit dhe kriptomonedhat.

Megjithatë, ajo nënvizoi se ende nuk ka politikanë të arrestuar për lidhje me krimin e organizuar, dhe kjo mbetet një çështje që vazhdon të hetohet.

“Mbi bazën e të dhënave nga partnerët ndërkombëtarë kemi një luftë të grupeve kriminale në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan. Ka një panoramë të qartë të lidhjeve të krimit me politikën. Ka një panoramë që të qartë se investohen paratë e krimit, përfshi edhe lingotat e arit apo kriptomonedhat. Ende nuk ka politikan atë arrestuar për lidhje me krimin e organizuar dhe është një çështje që është ende duke vijuar”
, tha ajo.

Sa i përket luftës ndaj korrupsionit, Lala theksoi se nuk duhet të vlerësohet nëse SPAK ka goditur më shumë persona të majtë apo të djathtë, por se çdo organ akuze duhet të hetojë të gjithë ata që dyshohet se kanë kryer vepra penale.

“Sa i takon korrupsionit, nuk e mas punën e SPAK nëse ka goditur majtas apo djathtas. Jam e parimit që SPAK apo çdo organ akuze të hetojë çdo kënd që ka konflikt me ligjin apo që dyshohet se ka kryer vepra penale. Në 1 vit e gjysmë, SPAK ka dhënë sinjale pozitive dhe goditur njerëz të njohur të politikës, i ka nën akuzë apo nën hetim, duke nisur me Sali Berishën, Ilir Metën, Kryemadhi, Ilir Beqajn, Aben Ahmetaj në arrati, Erion Veliaj, Ervis Berberi, dosja 5D etj. Por a do të arrijë SPAK të kalojë edhe testin e çështjeve të rëndësishme, sikundër është ajo e inceneratorëve?”, tha Lala.

Sipas saj, çështja e inceneratorëve është një gur prove. Po kështu, gazetarja Lala, tha se “kemi konçensionin e sterilizimit, që po konsiderohet si grup i strukturuar kriminal, dhe kreu i grupit cilësohet Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë”.

Ajo tha se SPAK ka përballuar një seri sulmesh që i kanë ardhur nga segmente të caktuara duke u vënë në shënjestër të akuzave dhe duke u bërë linçime publike.

“SAPK ka dhënë sinjale pozitive, por ka shumë punë për të bërë. Ama, prokurorët e SPAK, kanë përballuar një presion të jashtëzakonshëm që u ka ardhura nga segmente të caktuara. Janë vënë në shënjestër të akuzave, u janë bërë linçime publike. Nuk ka pasur në asnjë vend akuza të kësaj natyre si në Shqipëri ndaj organeve të drejtësisë. Kjo strukturë është lënë vetëm nga të gjitha institucionet, nuk dërgojnë asnjë referim. Se po nisi një hetim në dogana, në tatime, apo kudo, dihet ku përfundon, te kreu”, tha ajo.

OBSH-ja thirrje Kinës t’i japë qasje në të dhënat origjinale për COVID-19: Është nevojë morale dhe shkencore

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë sërish thirrje Kinës që t’i ndajë të dhënat që ka për të kuptuar më shumë për koronavirusin, pasi kanë kaluar pesë vjet prej shpërthimit të pandemisë në gjithë planetin.

Sëmundja që e shkakton koronavirusin, COVID-19, ka shkatërruar ekonomi dhe sisteme shëndetësore në shumë vende të botës.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kinës që të na japë qasje, që të kuptojmë më shumë për origjinën e COVID-19. Është nevojë morale dhe shkencore”, ka thënë OBSH-ja përmes një deklarate.

“Pa transparencë, këmbim të dhënash, dhe bashkëpunim mes shtetesh, bota nuk mund të parandalojë dhe të përgatitet në mënyrë adekuate për epidemitë dhe pandemitë e së ardhmes”.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara e kanë përmendur disa herë që nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes së virusit nga ndonjë laborator në Kinë, ndonëse autoritetet kineze insistojnë që virusi është përhapur në një treg kafshësh.

OBSH-ja ka rikujtuar se si më 31 dhjetor të vitit 2019, zyra e saj në Kinë e ka pranuar një deklaratë të lëshuar nga autoritetet shëndetësore në Vuhan, me shqetësimet për raste të “pneumonisë virale” në qytet.

“Në javët, muajt dhe vjetët që kanë pasuar, COVID-19 i ka formësuar jetët dhe botën tonë”, ka thënë kjo agjenci e OKB-së për shëndetësi.

Agjencia ka bërë thirrje për kujtim të atyre që e kanë humbur jetën nga virusi, apo që përballen me pasojat e infektimit me të.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili./rel

Ramadani e mbyll vitin si spektator, Leçe mposhtet nga Komo dhe rrezikon përsëri mbijetesën

Mungesa e Medon Berishës për shkak dëmtimi, nuk ka ndihmuar Ylber Ramadanin që të rifitojë vendin e tij në radhët e formacionit titullar të Leçes. Mesfushori i Kombëtares, ka qenë edhe dje spektator në duelin që ekipi i tij luajti përballë Komos.

Një duel i cili u mbyll me disfatë përballë një rivali direkt në renditje, me Komon që triumfoi në këtë ndeshje të cilën e dominoi duke kërkuar më me ngulm fitoren. Niko Paz humbi penallti në pjesën e parë, por shleu gabimin duke tundur rrjetën në të dytën (VIDEO).

Më pas ishte Patrik Kutrone ai i cili dyfishoi shifrat për skuadrën e drejtuar nga Cesk Fabregas (VIDEO), duke i siguruar tre pikë që e largojnë nga zona e ftohtë e klasifikimit, teksa lë Leçen vetëm 2 pikë larg saj.

Aleat në luftën kundër kolesterolit të lartë dhe presionit të gjakut, ja perimet që duhet të konsumoni

Për njerëzit me kolesterol të lartë dhe presion të lartë të gjakut (hipertension), një perime mund të jetë veçanërisht e dobishme.

Sipas WebMD, mbi 60% e njerëzve me hipertension vuajnë gjithashtu nga kolesteroli i ngritur (hiperkolesterolemia).

Të dyja këto kushte mund të çojnë në bllokimin e arterieve. Kur kolesteroli grumbullohet në arterie, zemra duhet të pompojë gjak më fort, duke çuar në një rritje të presionit të gjakut.

Nga ana tjetër, presioni i lartë i gjakut mund të dëmtojë arteriet, duke lejuar që kolesteroli të krijohet më lehtë.

Për të ulur kolesterolin e lartë dhe presionin e gjakut, shpesh rekomandohet konsumimi i peshkut, drithërave, arrave, farave, frutave dhe perimeve. Megjithatë, lakra shquhet si një perime jashtëzakonisht e dobishme në këtë luftë.

Ekspertët theksojnë se lakra mund të ulë kolesterolin dhe presionin e gjakut në të njëjtën kohë. Hulumtimet e publikuara në vitin 2016 në “Journal of Agricultural and Food Chemistry” treguan se plotësimi i dietës me lakër të kuqe çoi në një reduktim të ndjeshëm të kolesterolit “të keq” LDL te minjtë që ushqeheshin me një dietë me yndyrë të lartë.

Lakra – një aleat në luftën kundër kolesterolit të lartë dhe presionit të gjakut

Lakra është e pasur me kalium, një çelës mineral për rregullimin e presionit të gjakut, sipas Klinikës Cleveland. Një filxhan lakër të papërpunuar të copëtuar përmban 119 miligramë kalium, ndërsa lakra e kuqe përmban 170 miligramë për racion, sipas USDA.

Gjithashtu, lakra është e pasur me antocianin , përbërës që kanë përfitime të shumta shëndetësore. Një studim i vitit 2012 i botuar në The American Journal of Clinical Nutrition zbuloi se gratë që konsumonin më shumë anthocyanine kishin presion më të ulët të gjakut sistolik. Marrja e antocianinës shoqërohet gjithashtu me një reduktim të ngurtësisë arteriale, gjë që redukton rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Përveç këtyre përfitimeve, lakra është lehtësisht e disponueshme dhe mund të konsumohet në forma të ndryshme – të freskëta, të gatuara ose të fermentuara – duke e bërë atë një shtesë të lehtë për dietën tuaj të përditshme. Nëse dëshironi një mënyrë natyrale për të ulur kolesterolin dhe presionin e gjakut, lakra është një zgjedhje e shkëlqyer.

I porsalinduri i zhvendosur në Gaza ngrin për vdekje pasi shiu përmbyt tendat

Yahya Al-Batran u zgjua në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për të gjetur gruan e tij, Noura duke u përpjekur të zgjonte djemtë e tyre binjakë të porsalindur, Jumaa dhe Ali, ndërsa ishin shtrirë së bashku në tendën e improvizuar që familja kishte zënë në një kamp në Rripin qendror të Gazës.

I ftohti intensiv i dimrit dhe reshjet e dendura të shiut në të gjithë enklavën bregdetare në ditët e mëparshme e kishin bërë jetën e tyre një mjerim, por ajo që ai dëgjoi ishte më e rëndë.

“Yahya Al-Batran tha se po përpiqej ta zgjonte Xhumaan, por ai nuk po zgjohej, dhe unë pyeta për Aliun dhe ajo tha se as ai nuk po ecte”. “E mbajta Xhumanë, ai ishte i bardhë dhe i ngrirë si bora, si akulli, i ngrirë.”

Jumaa, një muajshe, vdiq nga hipotermia, një nga gjashtë palestinezët që kanë vdekur nga ekspozimi dhe të ftohtit gjatë ditëve të fundit në Gaza, sipas mjekëve. Ali ishte në gjendje kritike të hënën në terapi intensive.

Në dimrin e dytë të luftës në Gaza, moti u ka shtuar një element vuajtjeje qindra mijëra njerëzve tashmë të zhvendosur, shpesh herë të shumta, ndërkohë që përpjekjet për të rënë dakord për një armëpushim nuk shkojnë askund.

Vdekja e Jumaa al-Batran tregon se sa e rëndë mbetet gjendja me të cilën përballen familjet në nevojë.

Agjencitë ndërkombëtare të ndihmës thonë se forcat izraelite kanë penguar dërgesat e ndihmave, duke e bërë edhe më të rëndë krizën humanitare.

Familja e Yahya al-Batran, nga qyteti verior i Beit Lahiya, u largua nga shtëpia e tyre në fillim të luftës për al-Maghazi, një zonë e hapur me shkurre në Gazën qendrore të cilën autoritetet izraelite e dekretuan si zonë humanitare.

Më vonë, ndërsa al-Maghazi bëhej gjithnjë e më i pasigurt, ata u zhvendosën në një kamp tjetër në qytetin e afërt Deir al-Balah.

“Meqenëse jam i rritur mund ta marr këtë dhe ta duroj, por çfarë bëri i riu për ta merituar këtë? Nëna e Xhumasë, Noura al-Batran tha, ndërsa ajo mbajti dhe përqafoi batanijen shumëngjyrëshe të djalit të saj në gjoks. “Nuk e duroi dot, nuk duroi dot as të ftohtin, as urinë dhe këtë mungesë shprese”.

Përreth zonës, dhjetëra tenda, shumë prej të cilave tashmë janë copëtuar prej muajsh përdorimi, janë hedhur në erë ose janë përmbytur nga erërat e forta dhe shiu, duke i lënë familjet të luftojnë për të riparuar dëmet, duke rregulluar fletët e grisura plastike dhe duke grumbulluar rërë për të frenuar ujin.

“Uji depërtoi brenda dhe mbi dyshekët dhe rrobat e fëmijëve të mi. Unë ua ndërrova rrobat fëmijëve këtë mëngjes,” tha Sabreen Abu Shanab, një nënë e tre fëmijëve, tenda e së cilës u përmbyt.

“Ata ishin duke fjetur dhe të lagur në të brendshme. Të betohem. Pantallonat dhe të brendshmet (ishin të gjitha të lagura). Gjithçka është lagur, batanijet, jastëkët, gjithçka”, shtoi gruaja.

Ebu Shaneb vuan nga astma dhe përkundër mjekimeve, ajo nuk po ndihet më mirë prej një muaji për shkak të motit të ftohtë dhe mungesës së batanijeve dhe rrobave.

Është një tjetër aspekt i krizës humanitare me të cilën përballet popullsia 2.3 milionëshe e Gazës, e kapur nga fushata e pamëshirshme izraelite kundër mbetjeve të Hamasit dhe e varur nga një sistem ndihme i çrregullt, gjithnjë e më i prekshëm ndaj plaçkitjeve ndërsa rendi është prishur.

Fushata e Izraelit kundër Hamasit në Gaza ka vrarë më shumë se 45,500 palestinezë, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë, dhe e ka kthyer enklavën në një shkretëtirë rrënojash dhe ndërtesash të shkatërruara.

Lufta u shkaktua nga një sulm i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin 1200 njerëz u vranë dhe 251 u dërguan në Gaza si pengje, sipas të dhënave izraelite.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmë për palestinezët, UNRWA, tha se ndihma nuk është aq afër sa duhet dhe një armëpushim ishte dëshpërimisht i nevojshëm për t’u ofruar pasi uria po afrohej.

Në fillim të këtij muaji, udhëheqësit izraelitë dhe të Hamasit shprehën shpresat se bisedimet e ndërmjetësuara nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara mund të çojnë në një marrëveshje për të ndalur luftimet dhe për të kthyer pengjet izraelitë të mbajtur nga Hamasi, duke hapur potencialisht rrugën për një marrëveshje të plotë të armëpushimit.

Por bisedat optimiste për një marrëveshje para fundit të vitit janë zbehur dhe mbetet e paqartë se sa afër janë të dyja palët për një marrëveshje.

Edhe pse të zhvendosurit vuajnë, trupat izraelite janë duke luftuar me luftëtarët e Hamasit në zonën e rrënuar rreth qyteteve veriore të Beit Hanoun, Jabalia dhe Beit Lahiya, tani jashtë mundësive të shërbimeve të urgjencës të ndërprerë nga luftimet.

“Profesori thërriste për ndihmë mjekësore, por askush nuk e dëgjonte”- Dëshmia e trishtë e ish-të dënuarit politik: Na lidhën së bashku dhe prej hekurave, që na ishin futur në mish…

Nga Reshat Kripa

Qyteti zhurmëronte nga lëvizja e qytetarëve dhe makinave të shumta, si dhe sirenave të vazhdueshme të automjeteve të policisë apo ambulancave që qarkullonin nëpër rrugët e mbuluara nga pluhuri dhe mbeturinat e plehrave, apo gjethet e fishkura të pemëve dekorative që shtriheshin në të dy anët. Një smog tymi dhe mjegulle e kishte zaptuar atë mëngjes qytetin. Qielli ishte gjysmë i mbuluar nga retë. Por shiu kishte harruar të binte. Qytetarët ishin të etur për një pikë shi. Mendonin se ai do të sillte ndryshimin e gjendjes shpirtërore të tyre. Në mes të kësaj turme qarkulloja edhe unë. As vetë nuk e dija se ku shkoja. Kisha dalë nga shtëpia dhe dija vetëm se duhej të ecja dhe të ecja.

Rreth e rrotull më kalonin tipa të ndryshëm. Dikush ecte krenar, me kokën lart, thua se ishte ndonjë kokë e madhe që kishte kontribuar në ngritjen e qytetit. Një tjetër lëvizte sa te njeri tek tjetri, me dorën e zgjatur, duke lipur lëmoshë. Një i tretë, kalonte duke fishkëllyer dhe qeshur, ndërsa një i katërt, duke qarë. Në mes të këtyre njerëzve, pashë një burrë të moshuar të veshur mirë dhe me një borsalino në kokë.

Papritmas m’u duk se fytyrën e tij diku e kisha parë. Ktheva kokën për ta vështruar më mirë dhe vura re se edhe ecja e tij më dukej e njohur. Ishte shumë më i madh se unë megjithatë, çuditërisht, më dukej shumë i njohur. Shtrydhja trurin për të gjetur se ku e kisha njohur atë njeri, por ishte e kotë. Mosha, skleroza apo ku e di unë se çfarë e kishin bërë punën e tyre. Ndërkohë dëgjoj një zë që më foli:

– “Hajde tutkun, hajde! E paske humbur si Xhaferi simiten”!

Ktheva kokën dhe pashë Pirron, shokun tim të fëmijërisë. Dikur ishim shokë klase, por stuhitë që na përfshinë, na ndanë për shumë vite. Më pas u takuam dhe vazhduam shoqërinë tonë. E ftova të pimë një kafe.

– “Di unë një vend ku bëhet kafe e mire”, – tha Pirrua. U nisëm dhe pas pak mbërritëm te një kafe në qendër të njërës nga lagjet më të njohura të qytetit. – “Dy kafe dhe dy raki”, – porosita unë. Po pinim kafet dhe bisedonim për çështjet e ndryshme, që kishte secili prej nesh. Papritmas para tavolinës tonë, qëndroi një burrë i moshuar. Hodha vështrimin nga ai. Njoha burrin që kisha parë pak më parë në rrugë. Përsëri m’u duk si një fytyrë shumë e njohur.

– “Profesor, – i foli dikush nga një tavolinë pranë. – Ejani uluni, t’ju ofrojmë një kafe”. Burri ktheu kryet nga erdhi zëri dhe buzëqeshi. Pastaj hodhi vështrimin nga unë dhe po më shikonte, duke qëndruar në këmbë. –“Uluni”! – e ftuam. U ul. E pyetëm se, me çfarë dëshironte ta qerasnim. Nuk foli por vazhdonte të na vështronte me një shikim, ku shprehej një mall i madh. Na u duk sikur edhe ai na njohu. Formuam bindjen se diku duhej të ishim parë.

– “Mund të prezantohemi”? – i thashë, duke i treguar emrin tim. Të njëjtën gjë bëri edhe Pirrua. Fytyra filloi t’i shkëlqejë. Sytë i shndrisnin. Diçka donte të thoshte, por nuk mundte. Kapi duart tona dhe filloi t’i puthë. Me siguri që diku ishim njohur me të, por çuditërisht, kujtesa e jonë, ishte shuar. Vitet kishin bërë punën e tyre.

Megjithatë, nga gjesti i tij, kuptuam se mysafiri duhet të kishte qenë, ndonjë nga ish-të dënuarit politikë të regjimit totalitar. Intuita, na shtyu të besojmë, se duhej të kishim qenë së bashku, në ndonjë nga kampe-burgjet e punës së detyruar, nëpër të cilët kishim kaluar.

– “Ju lutem, – iu drejtova, me zë të ulur, që të mos më dëgjonte ai, personit në tavolinën pranë, që e kishte ftuar për kafe. – A mundeni të më thoni, kush është zotnia”? – “Nuk e di. Dikush më ka thënë se ka qenë profesor i njohur i letërsisë. Ka mbaruar studimet në perëndim. Në këtë kafe vjen vazhdimisht. Nuk flet. Qëndron në këmbë dhe vështron. Pastaj largohet përsëri. Nuk pranon nga asnjë, që ta qerasë. Është hera e parë që pranoi nga juve. Ndonjëherë vjen edhe e shoqja, një zonjë grua, që e merr”.

Ndërkohë na afrohet një zonjë e vjetër shumë e mbajtur. – “Më falni! – na drejtohet. – Është im shoq. Ju faleminderit shumë për gjithçka keni bërë për të”! – “Oh, asgjë! – iu përgjigja. –Urdhëroni uluni”. Nuk ngurroi. U ul dhe ne porositëm kafen.

– “Më falni, e nderuar zonjë! – i thashë me një ndjenjë respekti. Kam përshtypjen se burrin tuaj, diku e kam njohur”.

– “Nga jeni”? – më pyeti me kureshtje. I thashë emrin e qytetit

– “Si ju quajnë”? Përsëri i ktheva përgjigje.

Më përqafoi sikur të isha një fëmijë i vogël dhe me një buzëqeshje të ëmbël më tha: – “Ju qenkeni ‘çapkëni’ im i vogël? Oh, sa kënaqësi, që po ju takoj përsëri, pas kaq vitesh”! Zonja kishte përmendur nofkën që më kishin ngjitur në fëmijërinë time. Me këtë nofkë, më thërrisnin mësuesit e mi dhe pas tyre edhe të gjithë nxënësit e shkollës. – “Më thoni, ju lutem, kush jeni”! – pyeta unë i habitur nga fjalët e saj.

– “Jam mësuese Bardha, ndërsa im shoq profesor Hektor Kelmendi”. U ngrita në këmbë. Mora duart e tyre dhe fillova t’i puth, me respekt të madh. Të njëjtën gjë bëri edhe Pirrua. Bardha ishte mësuesja jonë e shkollës fillore, ndërsa Hektori profesori i letërsisë, në shkollën unike. Nuk ishin nga qyteti ynë. Në atë kohë gati pjesën më të madhe të mësonjësve, e përbënin të ardhurit nga qytetet e tjera. Kështu Bardha, kishte ardhur nga kryeqyteti, ku kishte kryer shkollën Normale “Nana Mbretëreshë”, ndërsa Hektori, që kishte kryer studimet e larta në Paris, ishte emëruar edhe ai në qytetin tonë.

Dy vjet pas ardhjes në qytet, Hektorin e arrestuan për agjitacion dhe propagandë. E akuzuan se kishte propaganduar në nxënësit, për poetët e shpallur armiq, si; At Gjergj Fishtën, Pater Xanonin, Mikel Prendushin, Faik Konicën, e të tjerë. Një gjë e tillë, ishte e vërtetë. Shpesh herë ai na recitonte poezi të tyre të cilat, ne i dëgjonim me etje. Nuk kishe se si të mos i dëgjoje me kënaqësi, kur në to ngrihej në tempullin hyjnor, thirrja për lirinë e atdheut dhe për flamurin.

Ndoshta ishte fryma që na edukoi profesori ynë, që më shtyu mua dhe dy shokë të mi të ndiqnim rrugën e tij. Kështu përfunduam edhe ne në humnerë. Atje takova profesorin tim. U endëm nga kampi në kamp. Nga Ura Vajgurore, në Vlashuk dhe nga Shtyllasi, në Bulqizë. Edhe atje ai ishte profesori im. Nuk më linte të gaboja. Ai më zëvendësoi prindërit e mi. Në kampin e Bulqizës, u ndamë. Unë u lirova, ndërsa ai vazhdoi edhe për disa vjet dënimin.

– Ejani ndonjë ditë nga shtëpia”, – tha mësuesja, duke më treguar adresën. – “Shkojmë Hektor”! – i foli të shoqit. Ai nuk u përgjigj. U ngrit duke buzëqeshur, i bindur në fjalën e saj. Pasi na përshëndeti, ajo i futi krahun dhe u larguan ngadalë ngadalë. Ai vazhdonte të mos fliste.

Një mbrëmje vendosëm t’u bëjmë një vizitë mësuesve tanë. I gjetëm në sallonin e ndenjjes. Profesorin të ulur në një kolltuk, duke parë televizorin, që transmetonte një emision me ngjarje historike, ndërsa mësuesen, duke lexuar diçka.

Ajo u ngrit dhe mbylli televizorin duke i thënë me një zë të butë:- “Tani na kanë ardhur djemtë tanë. Do bëjmë edhe pak muhabet”. Ai u kthye nga ne dhe buzëqeshi. Fytyra filloi t’i ndriçonte. – “Si e pini kafen”? – pyeti mësuesja. – “Shqeto”.

Në pak minuta kafja ishte gati. I pimë pa folur. Së fundi, mësuesja foli: – “Kur i fola për juve, në fillim nuk reagoi. Duket sikur i ishte fshirë nga kujtesa. Por nuk ishte ashtu. Mori fletoren ku, në pamundësi për të folur, shkruan ato që do të thotë dhe me dorën që i dridhej, shkruajti emrat e Urës Vajgurore, Bulqizës, Spaçit dhe Qafës së Barit.

– “Kur ishim në kampin e Spaçit, e goditi një ishemi cerebrale, e cila u bë shkak që, pas disa vitesh, ta lironin nga burgu”, – foli Pirrua. – “Është pikërisht ishemia cerebrale që e solli në gjendjen që ndodhet sot”, – u përgjigj mësuesja.

– “Ura Vajgurore, ishte kampi i parë ku u ri-takuam, ndërsa me Bulqizën, na lidh një ngjarje që nuk mund ta harroj kurrë”, – ndërhyra unë. Fillova t’i tregoj ngjarjen, ashtu siç kishte ndodhur. Ishte shtator. Me nismën e profesorit dhe doktor Isuf Hysenbegasit, kishim organizuar një mbrëmje përkujtimore me rastin e tridhjetepesë vjetorit të luftës së Vlorës.

Ndërsa unë po recitoja poezinë; “Një ditë vjeshte”, të poetit të burgosur vlonjat Kudret Kokoshi, kushtuar kësaj ngjarje, vjen toger Ademi, një xhelat i vërtetë dhe kur më sheh mua duke recituar, urdhëron të më lidhin duart me hekura dhe të më fusin në qeli. Profesori filloi të protestojë me forcë. – “Mos vallë qenka krim t’i këndosh atdheut dhe luftërave të tij për liri? – thërriste ai me zë të lartë. – Ju jeni kriminelë”!

Profesorin e mbyllën së bashku me mua në qeli. Atë natë e gdhimë pa fjetur. Hekurat që na ishin futur në mish nga shtrëngimi i tepërt dhe të ftohtit e Bulqizës, në atë natë vjeshte, kur ne ishim në fill të këmishës, bënë që pas mesit të natës, të më zinin një palë ethe të forta. Profesori thërriste për ndihmë mjekësore, por askush nuk e dëgjonte. Atëhere hoqi këmishën e tij dhe më mbështolli. Më fërkonte fort me duar dhe më fliste që të mos humbisja vetëdijen.

Të nesërmen temperatura e lartë, vazhdonte ende. Xhelatët donin të më nisnin në punë. Por ishte ndërhyrja e vendosur e profesorit dhe doktor Isufit, që më shpëtoi. Më shtruan në atë që ne e quanim infermieri. Gjenia e tyre, më shpëtoi. Mësuesja më dëgjonte me vëmendje dhe dy pika lot rrodhën prej syve të saj.

– “E gjithë jeta e tij ishte një vetëmohim, – më tha së fundi. – Ndodhesh kudo ku ndjente se vuanin. A dëshironi t’ju tregoj historinë tonë”? E pritëm me kureshtje propozimin e saj. Kishim një dëshirë të madhe, për të mësuar gjithçka mbi jetën e këtij çifti të përsosur. Pranuam me kënaqësi. – “U dashuruam që kur ishim në shkollë, në qytetin tuaj, – filloi. – Po bëheshim gati për t’u martuar, kur atë e arrestuan. E prita plot dymbëdhjetë vjet. Kur u lirua u martuam. Megjithëse në kondita të vështira, e ndjenim veten të lumtur.

Ai punonte si punëtor në ndërmarrjen bujqësore. Me të u bashkova edhe unë, që më pushuan nga puna si arsimtare. Qëndronim të veçuar. Nuk bisedonim me asnjeri. Hektori, filloi t’u jepte mësimet e gjuhës frënge, disa të rinjve. Ishin bijtë e disa të njohurve tanë. Shpesh here, u lexonte atyre edhe poezi nga poetë tanë të ndaluar.

Një gjë e tillë, ra në sy të Sigurimit të Shtetit, që e survejonte hap pas hapi. Nuk kaloi më shumë se dy vjet, kur e arrestuan përsëri. E dënuan me pesëmbëdhjetë vjet. Nuk kishim fëmijë. Mendonim të merrnim pak veten dhe pastaj të mendonim për trashëgimtarë. Kështu që mbeta përsëri e vetme”!

Mësuesja heshti. Mori frymë thellë dhe nga gjoksi i doli një psherëtimë e dhimbshme. Ne qëndronim të heshtur dhe prisnim që ajo të vazhdonte. – “Më pas e çuan në kampin e Spaçit, – vazhdoi mësuesja. – Me gjithë gjendjen e vështirë, bëja si bëja dhe i shkoja me një trastë me ushqime në takim. Një ditë më thanë se e kishin shtruar në spitalin burg të Tiranës. Gati sa nuk u çmenda. Shkova në kryeqytet. E takova. Ishte në një gjendje shumë të rëndë. U interesova me disa miq të familjes.

Më rekomanduan disa barna që vinin nga jashtë. Bëra si bëra dhe ia gjeta dhe ato. Ia dërgova në spital. Filloi të merrte veten.

Pas kësaj ngjarje, e çuan në kampin e Qafës së Barit. E njëjta gjendje. E mbajtën deri në ditën që u lirua. Kur doli m’u duk sikur para meje, qëndronte një hije, një fantazmë. Duhej të bëja diçka. Me ndihmën e disa miqve e shtrova në një klinikë në Milano. Kur doli prej andej kishte një pamje më ndryshe. Megjithatë, mbeti në gjendjen që shihni”.

U larguam me zemër të thyer. – “A e di përse i ndodhi ishemia”? – pyeti Pirrua. – “Përse”?! – Ishim në kampin e Spaçit. Operativ të Sigurimit, kishim një kanibal të vërtetë. Donte me çdo kusht, që profesorin ta bënte vegël të tij. Ditëziu harronte, se para vetes, kishte një titan. Në atë kohë në kamp, kishin arrestuar tre të burgosur. Njeri prej tyre, Xhemili, ishte një nacionalist i vërtetë. Katër herë ishte dënuar më parë. Dy të tjerët, Vasili dhe Faslliu, gazetarë të njohur. I kishin shkruar një letër proteste diktatorit.

Operativi kërkonte me çdo kusht, të sajonte dëshmitarë për dënimin e tyre. Viktimë u bë profesori. Por a mund të përulet mali. E arrestuan, e torturuan egërsisht, por ai vazhdoi të qëndronte si hero. Ishte pikërisht në birucat e Sigurimit, kur e goditi ishemia. U detyruan ta shtronin në spitalin e burgut, në Tiranë. Për këtë shkak, nuk e dënuan.

Shokët e tij i pushkatuan. Sëmundja e paskësh transformuar aq tepër, sa nuk mundëm as ta njihnim. Megjithatë, kanë kaluar tridhjet vjet që atëhere”. – “Kurse unë kam pesëdhjetepesë vjet”, – plotësova unë. Pas disa ditësh, tingëlloi zilja e telefonit. Ishte mësuesja. – “Ejani! – na tha me një zë të dridhur. – Hektori mbaroi”!

U nisëm menjëherë. E gjetëm të shtrirë në shtrat me sytë mbyllur, të mbuluar me një jorgan atllas. E puthëm në ballë dhe dy pika lot, na rrodhën nga sytë. – “Lërini lotët! – na tha mësuesja. – Njerëzit e vërtetë, nuk qahen dhe ai ishte i tillë”.

U ngritëm dhe i shtrënguam duart mësueses, pa thënë asnjë fjalë.

Lajmëruam të gjithë shokët që e njihnin. Të nesërmen e përcollëm në banesën e fundit. Një grup shumë i madh njerëzish shoqëronin kortezhin. Një numër kurorash prinin para. Dikush mbajti një fjalim mortor para varrit. Kishte vdekur një njeri! Nuk e di sepse, por në mendje më vinin rrotull fjalët: “Përse të ndodhte kështu? Përse”?!/Memorie.al