32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

“Emigrantët janë pjesë e suksesit të Gjermanisë”- Kancelari gjerman fjalim tradicional për fundvit: Nuk duhet të lejojmë që askush të na ndajë

Në fjalimin e tij tradicional në prag të Vitit të Ri, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje rolin e rëndësishëm të të huajve për ekonominë gjermane: “Ne jemi 84 milionë – vetëm një për qind e popullsisë botërore! Dhe megjithatë, ne jemi fuqia e tretë më e madhe ekonomike në botë. Sepse jemi të zellshëm,” tha politikani socialdemokrat në fjalimin e regjistruar, teksa fliste për sfidat ekonomike që e presin Gjermaninë në vitin 2025: “Në mesin tonë janë edhe shumë të huaj që ndihmojnë dhe janë pjesë e historisë së suksesit të Gjermanisë. Nuk duhet të lejojmë që askush të na ndajë!”, shtoi ai.

Ngjarja në Magdeburg: “Atentat i një të çmenduri”
Sikurse një javë më parë presidenti në fjalimin e Krishtlindjeve, edhe kancelari reflektoi mbi ngjarjen tragjike të 20 dhjetorit në Magdeburg, Të tronditur qëndrojmë përballë këtij akti çnjerëzor. Si mund të shkaktojë një atentator i çmendur kaq shumë dhimbje? Shumë njerëz në Magdeburg dhe përtej saj po kërkojnë forcën për të vazhduar përballë një fatkeqësie të tillë.”

Scholz theksoi rëndësinë e solidaritetit: “Dhe ne jemi një vend që qëndron bashkë. Edhe kjo është ndjerë fuqishëm në ditët e fundit në Magdeburg.” Ai vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e ofruar nga qytetarët në këtë moment krize. “Prej kësaj mund të marrim forcë – sidomos në kohë të vështira si këto,” tha kancelari.

Të premten, më 20 dhjetor 2024, një shtetas saudit përplasi qëllimisht një makinë në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg, duke lënë pas pesë të vdekur dhe mbi 200 të plagosur. Kjo ngjarje u shfrytëzua nga grupe të caktuara për të nxitur dhunë ndaj të huajve.

Apel për pjesëmarrje në zgjedhje
Scholz bëri thirrje për përgjegjësi dhe pjesëmarrje aktive në zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen më 23 shkurt 2025. “Se si do të vazhdojë Gjermania, këtë e vendosni ju – qytetaret dhe qytetarët,” tha Scholz.

“Jo ata që zotërojnë mediat sociale,” shtoi ai, pa përmendur me emër pronarin e platformës X, Elon Musk. Miliarderi amerikan së fundmi kishte mbështetur partinë AfD në një opinion të botuar nga gazeta gjermane Die Welt, gjë që kishte shkaktuar kritika.

Në fjalimin e tij, Scholz vuri theksin edhe te sfidat e Gjermanisë, duke përmendur ekonominë, inflacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në përballjen me agresionin rus. Kancelari tha se të gjitha këto sfida mund të kalohen duke qëndruar së bashku: “Me respekt ndaj njëri-tjetrit, me besim dhe me angazhim për njëri-tjetrin, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha bashkërisht.”

Traditë prej vitit 1952
Tradita e mbajtjes së fjalimit të fundvitit nga kancelari gjerman daton që nga viti 1952, kur Konrad Adenauer mbajti për herë të parë një fjalim të tillë. Që atëherë, është kthyer në një moment të rëndësishëm të komunikimit politik në Gjermani. Fjalimi transmetohet në televizionet publike më 31 dhjetor në mbrëmje./DW

Kulisat/ Nxitimi i çiftit Rama-Balluku për të inauguruar Unazën e Madhe pa Veliajn thellon luftën e klaneve në PS

Nga Rigels Seliman

Unaza e Madhe e Tiranës, një segment i gjatë 29 kilometrash, një projekt që ka kushtuar miliona euro dhe është konsideruar si një ndër veprat më të rëndësishme infrastrukturore në historinë e kryeqytetit, u inagurua. Por, ndërsa rrugët lidhen, duket se lidhjet mes drejtuesve kryesorë të Partisë Socialiste po shkëputen gjithnjë e më shumë. Unaza e Madhe e Tiranës u hap pa praninë e kryebashkiakut Erion Veliaj, dhe kjo mungesë nuk është thjesht një detaj teknik. Ajo është një pasqyrë e qartë e tensioneve të brendshme në PS dhe e një lufte klanesh që po shfaqet gjithnjë e më hapur.

Erion Veliaj, nga lider shpresëdhënës te “dele e zezë”

Prej tre mandatesh në krye të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është prezantuar si fytyra urbane dhe progresive e Partisë Socialiste. Po ashtu ai është parë si një politikan që përpiqet të ndërtojë një narrativë të suksesit për kryeqytetin, shpeshherë me retorikë entuziaste dhe projekte ambicioze. Por, në sytë e Edi Ramës dhe të rivalëve të tij brenda partisë, kjo karrierë nuk është më një aset, por një kërcënim. Veliaj shihet si një figurë që po fiton pavarësi të rrezikshme dhe si një rival i mundshëm për kreun e partisë.

Në inaugurimin e Unazës së Madhe, fakti që Rama dhe Balluku shmangën kryetarin e Bashkisë së Tiranës është një sinjal i qartë i zhvendosjes së ekuilibrave të pushtetit. Nuk pati as falënderime formale për Veliajn, i cili, dashur pa dashur, ka pasur rolin e tij si administrator i qytetit në realizimin e këtij projekti.

Përplasja e hapur mes klaneve brenda PS

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Transporteve, Belinda Balluku, duket se po forcon pozitat e saj brenda PS-së dhe po ngjit shkallët drejt majës. Ajo çdo ditë po tregon se ka mbështetjen e plotë të kryeministrit Edi Rama dhe është kthyer në një figurë kyçe në projektet madhore të qeverisë. Komentet e saj triumfale për inaugurimin e Unazës së Madhe lënë në hije Veliajn dhe e vendosin atë si një zëvendësuese potenciale të tij në rolin e liderit të ardhshëm të Tiranës, ose edhe më gjerë, të Partisë Socialiste.

“Ja dolëm,” shkroi Balluku në rrjetet sociale, duke shpërndarë mesazhe krenarie për një projekt të realizuar nën drejtimin e saj dhe të qeverisë qendrore. Por në këtë narrativë, kryebashkiaku i Tiranës nuk ka vend. Përplasja mes klanit të Ballukut dhe atij të Veliajt ka dalë nga llogoret dhe po luhet haptazi në shesh, madje nën dritë e diellit. Të dyja palët kanë nxjerrë “shpatat nga këllëfi” dhe janë gati të luftojnë për të marrë kontrollin mbi PS-në në periudhën pas Ramës.

Edi Rama, një kryeministër që ruan kontrollin, por me çfarë çmimi?!)

Kryeministri Edi Rama, i cili njëherësh është edhe kryetar i Partisë Socialiste, por edhe mjeshtër i balancave dhe i lojërave politike, duket se po përpiqet të neutralizojë çdo kërcënim për autoritetin e tij. Veliaj, me popullaritetin e tij në rritje, është kthyer në një figurë të pakontrollueshme, një kandidat që mund të sfidojë jo vetëm Ramën, por edhe trashëgimtarët e tij të preferuar.

Vendimi për të inauguruar Unazën e Madhe të Tiranës pa praninë e Veliajt është më shumë se simbolik. Është një mesazh i hapur për të gjithë ata që synojnë të sfidojnë hierarkinë brenda PS-së, se loja e pushtetit nuk do të tolerojë devijime.

A është ky fillimi i fundit për Erion Veliajn?

Me një histori politike të mbushur me rivalitete, tradhti dhe përplasje mes klaneve, Partia Socialiste ndodhet përballë një konflikti që mund të ketë pasoja të rënda për unitetin e saj. Përplasja mes klanit Veliaj dhe klanit Balluku nuk është më një sekret. Pyetjet që ngrihen janë: Kush do të fitojë në këtë betejë për pushtet? Dhe çfarë do të ndodhë me PS-në kur armët të bien dhe pluhuri të qetësohet? A do të shohim një Veliaj që largohet nga skena politike, apo do të jetë ai që do të triumfojë mbi rivalët e tij? Dhe, mbi të gjitha, cili është plani i Ramës? Megjithatë një gjë është e qartë: Unaza e Madhe e Tiranës nuk është thjesht një projekt infrastrukture. Ajo është skena e një “lufte” politike që sapo ka nisur.

“Nga izolimi i Berishës për 333 ditë te arrestimi i Ilir Metës” – Analiza e Zërit të Amerikës: SPAK protagonist i vitit në Shqipëri

Në Shqipëri, Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ishte dhe gjatë vitit 2024 protagonist i zhvillimeve në vend, me një seri vendimesh dhe hetimesh, që vunë në shënjestër mjaft zyrtarë edhe të niveleve më të larta. Ngjarje të tjera gjithashtu lanë gjurmë të rëndësishme, që nga vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken në Tiranë, te përparimi i vendit drejt BE-së, debatet që përfshinë Gjykatën Kushtetuese apo dhe luftën e ashpër politike të dominuar nga protestat e opozitës.

Një numër i lartë politikanësh, zyrtarësh e funksionarësh shtetërorë, hynë në godinën ku ndodhet Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme. Disa thjesht si dëshmitarë, disa të tjerë si të dyshuar. Por shumica do të dalin prej andej me akuza mbi shpinë apo dënime. Mes tyre dhe ish presidenti Ilir Meta.

Në daljet e tij të shpeshta publike, zoti Meta do të shfaqet gati mospërfillës ndaj hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, që përfshijnë atë vet, pasurinë e tij e të familjes. “Kam qenë gjithë jetën në hetim”, do të deklarojë ai në një konferencë shtypi me gazetarët.

Por ndërsa duket se hetimet po përparojnë, dhe në pyetje merret edhe vjehrra e tij (11 prill), zoti Meta intensifikon sulmet dhe epitetet fyese ndaj drejtuesit të Prokurorisë, Altin Dumani: “Unë jam Ilir Meta, o superbudallenj, e supertorollakë, kudo që jeni në politikë e në SPAK”.

Po në këtë kohë zoti Meta do të ndërmarrë një lëvizje për spastrime në nivelet drejtuese të partisë. Goditja kryesore, nën motivin e luftës kundër nepotizimit, do të bjerë mbi bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e cila mbetet jashtë strukturave drejtuese. Raportet mes tyre, janë në pikën që nuk druhen më ta fshehin krizën as në publik. Më 19 prill, ata do të përplasen hapur gjatë mbledhjes së Komitetit drejtues të Partisë së Lirisë. “Kam dhimbje kur shikoj se si shkërmoqet imazhi i Ilir Metës. Kam dhimbje kur shikoj se si një burrë Shteti firmos një letër paçavure të ndërtuar nga një administrator godine”, do të shprehej në mbledhje zonja Kryemadhi. Por zoti Meta do të këmbëngulë në dëmet që sipas tij, nepotizimi i ka sjellë partisë: “Nepotizimi ka përzënë gjysmën e atyre që na votuan”.

Marrëdhëniet mes tyre prej kohësh kanë pësuar një krisje të fortë. Në qershor zoti Meta do të qëndrojë për afro tre orë në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e pasurisë. Një ditë më parë, për të njëjtën çështje atje kishte qenë dhe zonja Kryemadhi. Në dalje ai do të deklarojë se ishte pyetur për çështje që nuk lidheshin me të, por “që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve, të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK-ut”.

Pak orë më pas, nga selia e partisë, ai do t’ia linte përgjegjësinë zonjës Kryemadhi: “As çështje pronash, as çështje financiare, nuk kam patur asnjë përgjegjësi. Të gjitha përgjegjësitë në mirëbesim i ka patur Monika”.

Ndarja mes tyre nuk është vetëm politike. Pak ditë më vonë ai do të kërkojë dhe divorcin në gjykatë, duke sqaruar se “nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. Por, për të përmbushur kauzat, që unë mbroj, dhe për të cilat, kjo marrëdhënie ishte kthyer në një pengesë serioze”.

Më 21 tetor, zoti Meta do të arrestohet në hyrje të Tiranës. Pamjet që tregojnë se si ai nxirret me forcë nga automjeti ku ndodhej, provokuan debate të forta. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, do të flasë për “një akt të pashembullt terrorist”. Ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha do të shprehej se “persekutimi i Ilir Metës, është politik, politik dhe vetëm politik”.

Por policia do të deklarojë se zoti Meta “ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese” në drejtim të përfaqësuesve të policisë dhe drejtësisë, ndaj “është nxjerrë nga automjeti dhe është shoqëruar forcërisht”.

Ish presidenti i vendit dyshohet për tre vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Ai do të mohojë në mënyrë kategorike të ketë shkelur ligjet, duke e konsideruar veten një objektiv politik të Prokurorisë.

Për të njëjtat dyshime, ndaj zonjës Kryemadhi do të vendoset detyrim paraqitje. Ndërsa një muaj më pas, vila ku ajo banon, në një zonë rezidenciale të Tiranës, do të vihet nën sekuestro.

BERISHA, MUAJT E GJATË TË IZOLIMIT

Mbështetësit besnikë të zotit Berisha poshtë pallatit ku ai banon, shoqëruan çdo pasdite qëndrimin e tij në arrest shtëpie. “Ju jeni misionarët e kësaj lufte, që nga kjo rrugicë do të shtrohet në të gjithë rrugët e rrugicat e Shqipërisë”, do t’u deklaronte e bija e tij Argita Malltezi, përkrahësve të ish kryeministrit më 2 janar.

Beteja e ish kryeministrit me Drejtësinë do të vijojë e pandërprerë gjatë gjithë vitit, duke shfrytëzuar çdo mekanizëm juridik. Kërkesat e tij të përsëritura për ndryshimin e masës së sigurisë, do të rrëzohen në të gjitha shkallët e gjyqësorit, sikundër dhe ajo për pjesëmarrjen e tij në punimet e parlamentit.

Zoti Berisha do të thirret dy herë në Prokurorinë e Posaçme. Më 23 janar shkon për t’u marrë në pyetje. Në momentin e mbërritjes, ai pritet mes brohoritjeve të mbështetësve të tij, duke deklaruar se “jam sot këtu për të denoncuar Edi Ramën, dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë”.

Pas afro 90 minutash ai do të dalë duke deklaruar që dyshimet e ngritura ndaj tij, se duke shfrytëzuar pushtetin favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, janë vetëm “shpifje, trillime, mashtrime, falsifikime.”

Ai do të rikthehet në Prokurorinë e Posaçme në 11 shtator. I rrethuar sërish nga mbështetës të tij, dhe nën brohoritjet e tyre, ai do të deklarojë se “po shkoj të marr akuzën politike, dhe të njihem me materialet që kanë manipuluar”.

Zotit Berisha iu komunikua akuza e korrupsionit. Një muaj më pas Prokuroria e Posaçme do të dërgojë kërkesën për gjykim.

Më 21 nëntor ai do të humbasë një tjetër përballje me Drejtësinë, ndërsa Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Prokurorisë së Posaçme për masën fillestare të sigurisë, lëshuar pa e kërkuar më parë autorizimin e parlamentit.

Por pak ditë më pas, më 27 nëntor, Gjykata e Posaçme do t’i heqë atij arrestin në shtëpi, një vendim të cilin ai e konsideron si një fitore, ndërsa flet para simpatizantëve të tij, të mbledhur për ta pritur në selinë e Partisë: “Sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta, sot ka fituar ligji dhe Kushtetuta”.

GODITJET QË TRONDITËN BASHKINË E TIRANËS

Goditjen e parë kryebashkiaku Erion Veliaj do ta marrë në fund të vitit të kaluar, kur, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, do të arrestohej drejtori më i rëndësishëm i Bashkisë, Taulant Tusha.

Ndërsa në fund të muajit mars, të njëjtin fat do të kenë dhe dy ish drejtorë të tjerë, të cilët dyshohet se ishin pronarët realë të kompanisë së ndërtimit, “5D”, e cila kishte përfituar nga fondet publike të Bashkisë. Një urdhër i dytë arresti del dhe për Tushen, ndërsa masa më të lehta do të jepen për 4 drejtuesë apo ish drejtues të agjencive në varësi të Bashkisë.

Zoti Veliaj do të reagojë një javë më vonë, më 6 prill: “Asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur me ta dhe askënd tjetër”, do të deklaronte ai në një mesazh të gjatë publik.

Nën akuzat e opozitës për përfshirjen e tij dhe në inceneratorin e Tiranës, ai do të deklarojë se me atë projekt “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i këtij qyteti”.

Ndërkohë Partia Demokratike ka nisur protestat përpara Bashkisë për të kërkuar dorëheqjen e tij. Ato do të jenë të përjavshme e do të vijnë duke u përshkallëzuar, nga përplasjet e dhunshme te hedhja e molotovëve e djegia e gomave në javët e muajt që pasojnë, derisa fillojnë të zbehen.

Në fund të muajit prill, zoti Veliaj do të thirret në Prokurorinë e Posaçme. Pas 7 orësh, ai do të dalë i qeshur. Si për të relativizuar dhe arsyet e kohës tejet të gjatë të qëndrimit, ai do të shprehej se kishte qenë aty si bashkëpunëtor me prokurorët dhe hetuesit, të cilët madje i quajti kolegë. “Patëm një shterrim total të çështjes së inceneratorëve”. Ai do ta distancojë Bashkinë nga procesi i inceneratorëve.

Por deklaratat një ditë më pas të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në dalje nga Prokuroria për të njëjtën çështje, do të ngrenë shumë hamendësime: “Kjo është një dosje që ka bërë pis, të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet”.

Një shkresë e Prokurorisë drejtuar Bankave do të zbulojë se ndaj zoti Veliaj dhe familjarëve të tij të ngushtë po zhvillohet një hetim pasuror.

Në fillim të dhjetorit oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do t’i sekuestrojnë celularin bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Kontrolle do të ushtrohen dhe në zyrat e kompanive të saj dhe të vëllait të kryebashkiakut. Të gjitha në kuadër të një procedimi penal për “Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendorë”, por që ,siç do mësohet më pas, nuk do të jetë e vetmja vepër penale. Zoti Veliaj do të reagojë në mbrëmje, duke u shprehur se mbështet çdo hap procedurial të Prokurorisë.

Ndaj tij nuk ka një akuzë. Në ditët e fundit të vitit, më 26 dhjetor, ai do të paraqitet sërish në Prokuroinë e Posaçme. Pas 5 orësh qëndrim, ai del prej andej pa bërë komente, por do të flasë shkurtimisht pak orë më vonë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, duke deklaruar se ndaj tij ka një kallëzim anonim dhe “duke qenë se kryetari i Bashkisë ka në zotërim të gjithë rregjistrin civil, dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar, por kam qenë bashkëpunues”.

Të nesërmen Prokuroria e Posaçme do të bëjë të ditur se hetimi, që ka përfshirë kryebashkiakun, po kryhet dhe për veprat penale “Korrupsion aktiv”, “Pastrim parash” e “Fshehje të pasurisë”.

Pozita e tij edhe politike ka marrë tashmë tronditje të forta. Më herët, ai do të shmangej dhe nga drejtimi politik i Partisë Socialiste në Tiranë, si dhe do të lihej jashtë një angazhimi në vijë të parë, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

BEQAJ, JO VETËM STERILIZIMI

Nën masën Detyrim paraqitje, për rastin e konçensionit të Sterilizimit ish ministri i Shëndetësisë, do të shfaqej çdo të premte në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Ish zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj është në burg e po ashtu dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj, i cili zotëronte 40 përqind të aksioneve të konsorciumit, që kishte fituar konçensionin. Aksione të cilat do të vihen nën sekuestër (më 8 shkurt) së bashku me dy kompani, automjete dhe llogari rrjedhëse të tij.

Në përfundim të hetimeve, në 18 mars, zotit Beqaj do t’i komunikohet akuza për shpërdorim detyre. Ai do të deklarojë: “Unë, të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë”.

Por më parë, atij do t’i duhet të përballojë një tjetër hetim që çon në arrestimin e tij në fillim të muajit korrik, nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë. Urdhëra arresti do të lëshohen dhe për disa të tjerë, mes të cilëve dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i tij.

Një muaj më pas, në 21 gusht, atij dhe personave të përfshirë në këtë çështje do t’u sekuestrohen llogari e depozita bankare si dhe aksione në një restorant në Tiranë. Në tetor, po ashtu do t’i sekuestrohet dhe një apartament në zonën e Lungomares në Vlorë.

Një tjetër goditje të fortë do ta marrë në ditët e fundit të vitit, kur me kërkesën e Gjykatës akuza për shpërdorim detyre, në rastin e sterilizimit do të ndryshojë në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, bashkë me Rrapajn dhe Rrjepajn

RADHA NË DYERT E SPAK-ut

Në dyert e Prokurorisë së Posaçme nuk do të mungojnë as deputetët, ndonëse në pozita të ndryshme. Ndërsa demokrati Asllan Dogjani do të akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë, lidhur me blerjen e një apartamenti vite më parë, kolegu i tij socialist Plarent Ndreca, do të duhet të përgjigjet në gjyq për shkeljet e procedurave të një tenderi, në kohën kur ai ishte Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Por rasti më i rëndë do të jetë ai i socialistit tjetër Ergys Çyrbja. Fillimisht ai jep dorëheqjen në mënyrë të papritur më 10 tetor, dy ditë pasi kishte qenë në Prokurorinë e Posaçme. Të nesërmen atij i komunikohet akuza e Shpërdorimit të detyrës, kur kishte drejtuar Hipotekën e Durrësit. Por pak ditë më vonë ai do të arrestohet, nën akuza të rënda. Hetimet zbulojnë lidhje të tij me elementë të krimit të organizuar, favorizim të tyre në këmbim të votave, por jo vetëm. Falë mbështetjes së tyre ai do të katapultohej në vendet e para të listës së kandidatëve socialistë në Durrës.

Kryebashkiakë dhe ish drejtuesë Bashkisë do të zënë numrin me të madh të zyrtarëve që do të përfundojnë në dosjet e SPAK-ut, kryesisht për shpërdorim detyre apo korrupsion. Mes tyre do të bjerë në sy dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, i cili do të vihet nën hetim, ndonëse për një çështje që nuk lidhet me detyrën e tij aktuale.

Për disa të tjerë, me llogari të hapura që një vit më parë, do të jepen dhe dënimet, si për ish kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, në të dy shkallët e gjykimit, apo Vangjush Dakon, i cili u dënua në shkallë të parë.

Në çështjen e inceneratorëve, për rastin e Elbasani, Apeli rëndon akuzat për ish ministrin Lefter Koka dhe shpall fajtor ish deputetin Bllako. Për atë të Fierit Apeli e kthen për rigjykim me një tjetër trupë gjyqësore, ndërsa për Tiranën, përfundojnë hetimet për pjesën më të madhe të të akuzuarve. Dosja në vetvete nuk është ende e mbyllur.

VIZITA E BLINKEN-IT DHE HAPAT PËRPARA ME BE-në

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë, do të përfaqësojë një moment kulmor në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa hapja konkrete e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, shënon një pikë kthese të rëndësishme drejt ambicies për anëtarësim.

Vizita e Sekretarit Blinken në Tiranë, më 15 shkurt, do të zgjasë 8 orë. Ai do të pritet nga presidenti Begaj si dhe do të ketë një takim të gjatë me kryeministrin Edi Rama. Në konferencën e përbashkët për shtyp ai deklaron se “partneriteti i SHBA-ve me Shqipërinë është më i fortë se ç’ka qenë ndonjëherë”.

Ndërsa zoti Rama e vlerësoi të veçantë vizitën e tij në Tiranë: “Është shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë dhe e vlerësimit, që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe këtij rajoni patjetër”.

Në fjalën e tij, Sekretari i Shtetit nuk u ndal as në zhvillimet në rajon as për çështjen e Kosovës. Por në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve ai theksoi se “dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Europian është shtegu i duhur dhe i vetmi nga palët duhet të kalojnë”.

Vizita e tij u shenjua dhe nga dy momente jo të zakonshme, për një shef diplomacie. Takimi, ndonëse i shkurtër me 4 drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë, i cili ishte qartazi një konfirmim i mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për reformën në Drejtësi. Dhe takimi i munguar me përfaqësuesit e opozitës, siç nuk kishte ndodhur më parë, me vizitat e pararendësve të tij në Shqipëri.

SAMITI PËR UKRAINËN

Dy javë pas vizitës së sekretarit Blinken do të presë presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, mbërritur në Tiranë për Samitin Ukrainë Europa juglindore më 28 shkurt. Takimi me kryeministrin Rama do të shënojë fillimin e një dite intensive në kryeqytetin shqiptar. Në një postim në rrjetin social X, presidenti ukrainas do të bënte të ditur se së bashku kishin diskutuar “ndër të tjera dhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve”.

Një ide të cilën ai do ta hidhte më pas si një ftesë drejtuar vendeve të rajonit, ndërsa theksoi nevojën e mbështetjes së vendit të tij në luftën kundër agresionit rus: “Ne shikojmë probleme me furnizimin me municione, të cilat ndikojnë situatën në fushën e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë”

Kryeministri Edi Rama, do të ketë po ashtu një thirrje për vendet më të mëdha e më të pasura të bashkësisë demokratike që të mos kursehen në mbështetjen e tyre: “ajo nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në të cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë”, tha ai.

RRUGA PËR NË BE “KALON” NGA BELERI

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit dhe përfaqësuesë të lartë të Komisionit Europian do të mblidhen në Tiranë, më 29 shkurt, për të diskutuar rreth Planit të rritjes, një instrument i ri në mbështetje të procesit të zgjerimit. Pavarësisht deklaratave të përsëritura të Brukselit se zgjerimi është ndër prioritetet e tij, procesi do të vijojë të mbetet shpesh, peng i qëndrimeve të njëanshme të ndonjë vendi anëtar. Problemet me Bullgarinë do të lënë në vendnumëro Maqedoninë e Veriut, ndërsa përparimi në bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë, do të lidhen me fatin e krebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

Komisioneri Varhelyi do të shprehej hapur se në Bruksel të gjitha janë dakortësuar me faktin se “Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup-kapitullin e parë”, duke shtuar se “unë nuk e kuptoj dot se pse nuk e marrim dot ne këtë vendim, edhe pse e kuptoj tërësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të tilla dhe të mira me fqinjët në rast se ti e bllokon tjetrin për të ecur përpara”.

Në të dy shkallët e gjyqësorit (më 5 mars në shkallë të parë dhe 25 qershor në Apel) zoti Beleri do të dënohet me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Akuzë të cilën ai do ta mohonte me këmbëngulje. Në ndërkohë (9 qershor), ai është zgjedhur dhe eurodeputet i Greqisë nën flamurin e partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Në mesin e korrikut, drejtoria e Burgjeve do t’i japë 5 ditë leje për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të parlamentit europian. Por përpara se të shkojë në Strasburg, ai do të bëjë një ndalesë në Athinë, ku kryeministri Mitsotakis, i rezervon një takim të posaçëm.

Në Tiranë janë të bindur se tanimë zhbllokimi i rrugës së Shqipërisë është vetëm çështje kohe. “Ma merr mendja se koha e pritjes së kalendave greke, i përket sot e gjithë ditën, të shkuarës”, theksoi më 26 gusht ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë takimit me ambasadorët e Shqipërisë në botë.

Në fillim të shtatorit, kur nga dënimi i kanë mbetur dhe 6 javë, zoti Beleri do të lirohet me kusht. Pak javë më pas, në mes të tetorit, Shqipëria do të ulet në tryezën e bisedimeve për grupkapitujt e parë. Për kryeministrin Rama, ky moment “shënon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian”.

Siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, në harkun e dy muajve Shqipëria do të hapë dhe një tjetër grupkapitulli, ndërsa ambicia e qeverisë është që bisedimet të mund të përmbyllen në vitin 2027.

KUSHTETUESJA, NGA MANDATI I XHAÇKËS TE MANDATI I ZAÇAJ

Gjykata Kushtetuese do të ketë në dorë një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me vendimmarrjet e qeverisë apo parlamentit, duke rrëzuar një pjesë të mirë të tyre. Por çështja e mandatit të ish ministres Olta Xhaçka, do ta fusë atë në konflikt me shumicën në pushtet. Ndërsa në fund të vitit, qëndrimi i kryetares Olta Zaçaj për përfundimin e mandatit të saj, rrezikoi një përplasje të fortë me Gjykatën e Lartë.

Ishte nëntori i vitit 2022, kur socialistët hodhën poshtë kërkesën e opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të ish ministres Olta Xhaçka. Në Janar të vitit 2023 Gjykata Kushtetuese, do të kërkonte që rasti t’i kalonte asaj për shqyrtim, por kjo kërkesë do të zvarritet për shumë kohë derisa vetëm në prill të këtij viti Këshilli i Mandateve do të përmbyllte procedurat. Socialistët e lënë të paqartë qëndrimin e tyre

“Do t’i propozojmë seancës plenare të vendosë në lidhje me dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese”, deklaron kryetarja e Komisionit të Ligjeve, socialistja Klotilda Bushka në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Në seancën e pak ditëve më pas, zonja Xhaçka do të shprehet: “Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, Zero”. Më pas vota e socialistëve bllokon sërish dërgimin e çështjesh në Gjykatën Kushtetuese, me arsyetimin se deputeti është i lirë në vendimmarrjen e tij. “39 vota pro, asnjë abstenim, 72 kundër”, njoftoi rezultatin e votimit kryetarja e e atëhershme e Kuvendit, Lindita Nikolla. Zoti Bardhi shprehet se kjo është një “ditë e zezë për Shqipërinë, një ditë e zezë për parlamentin”.

Gjykata Kushtetuese do të vihet sërish në lëvizje nga opozita (24 prill) dhe në vendimin e saj disa muaj më pas (10 korrik) do t’i përmbahet të njëjtit qëndrim. “Gjykata thekson se Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”, deklaroi Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Por dhe socialistët, po ashtu nuk ndryshojnë qasje, dhe në 12 shtator do të zgjedhin të mos votojnë kundër, e të abstenojnë në masë, për të marrë megjithatë, të njëjtin rezultat.

Të nesërmen kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Në dhjetor ajo do të jetë vetë në seancën plenare të këtij Komisioni. Në Opinionin e publikuar pak ditë më pas, Komisioni i Venecias ndonëse thekson qartë se deputeti nuk mund të detyrohet se si të votojë, thekson se “për rastin konkret, Gjykata kishte dhënë dy vendime, dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk mund të kushtëzohet nga votimi ose shumica parlamentare”.

Megjithatë socialistët zgjedhin të lexojnë vetëm pjesën që u përshtatej pozicionit të tyre, duke bërë që çështja të mbetet pezull.

MANDATI I ZAÇAJT

Dita e publikimit të opinionit, do të koincidojë me datën kur Gjykata Kushtetuese duhet të deklaronte përfundimin e mandatit të kryetares Holta Zaçaj.

Kjo e fundit mori detyrën në janar të vitit 2023, duke pasuar gjyqtaren Vitore Tusha, mandati i së cilës kishte përfunduar në 10 mars të vitit 2017. Emërimi i saj, përfshihej në skemën e parashikuar në dispozitat kalimtare të Kushtetutës, e cila garantonte ripërtëritjen e Gjykatës çdo tre vjet, me nga tre anëtarë.

Por zonja Zaçaj zgjodhi të bënte një interpretim personal të rastit të vet, duke deklaruar se sipas saj mandati i përfundonte në fund të vitit 2025, e duke iu drejtuar me urgjencë, po në emër personal, Komisionit të Venecias për një opinion.

Të nesërmen (11 dhjetor), Gjykata e Lartë, si organi që e kishte emëruar atë, do të hapë procedurat e zëvendësimit, duke deklaruar se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e kishte patur të qartë që në fillim se mandati i saj përfundon në 10 mars 2025.

Dy institucionet më të larta të gjyqësorit do të hyjnë kështu në një kurs përplasjeje të hapur. Por brenda 24 orëve, zonja Zaçaj bën një hap pas dhe i drejtohet trupës së anëtarëve për deklarimin e përfundimit të mandatit të saj.

Pas disa seancave të njëpasnjëshme që shtyhen, më 23 dhjetor trupa e anëtarëve të Gjykatës del në përfundimin se mandati i saj do të përfundojë më 10 mars 2025.

PS-PD, MES PROTESTAVE DHE MARRËVESHJEVE

Protestat e opozitës, si në sheshe ashtu dhe në sallën e parlamentit do të karakterizojnë përgjatë gjithë vitit marrëdhënien e vështirë me shumicën. Nuk mungojnë megjithatë dhe momente të shkurtra paqeje, të cilat sollën ndryshime në Kodin zgjedhor. Me zotin Berisha, të cilit iu njoh dhe zyrtarisht drejtimi i Partisë Demokratike, opozita do të këmbëngulë për një qeveri teknike para zgjedhjeve të majit 2025.

Protestat e opozitës brenda dhe jashtë sallës së parlamentit do të shoqërojnë jetën politike të vendit. Grupi i mbështetësve të zotit Berisha, të cilit i janë bashkuar dhe deputetët që përkrahin zotin Gazmend Bardhi, do të këmbëngulë në kërkesën për ngritjen e disa komisioneve hetimore dhe marrjen e bashkëkryesimit të Komisionit te Reformës zgjedhore, të mbajtur nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Mbledhjet e këtij komisioni, pamundësohen nga prania e deputetëve demokratë që zaptojnë sallën e mbledhjeve.

Në një përplasje të hapur me deputetët që kanë mbetur rreth zotit Basha, të cilët nuk e përkrahin aksionin e tyre, Rithemelimi dhe grupi i zotit Bardhi do të finalizojnë shpejt bashkimin me njëri tjetrin, duke gëlltitur lumin e akuzave që kishin shkëmbyer për një kohë mjaft të gjatë.

Pas një proteste jashtë parlamentit më 5 shkurt, kreu i grupit parlamentar dhe të tijët do të shfaqen për herë të parë poshtë banesës së zotit Berisha, ndërsa një javë më vonë, zoti Bardhi do të rikthehet, pas dy vitesh largim, në selinë e PD, të kontrolluar nga Rithemelimi, duke theksuar se “ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona”.

Ai dhe mbështetësit e tij do të bëhen shpejt, pjesë e strukturave drejtuese të Rithemelimit. Kreu i grupit parlamentar, do të bëhet nismëtar i një marrëveshje me shumicën e cila pranon ngritjen e dy komisioneve hetimore, si dhe të një strukture të përbashkët dialogu për diskutimin e ligjeve të rëndësishme.

I mbetur me një grusht deputetësh, kryetari demokrat do të flasë për një pazar mes palëve. “Beteja, revolucioni, shashkat, bilbilat dhe gjithçka u bëkan për karrigen e deputetit”, ironizon zoti Basha, gjatë një takimi me anëtarë të PD-së.

Në qershor ai do të humbasë dhe përfaqësimin zyrtar të partisë, pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila ia njeh atë zotit Berisha. “Ketë betejë as nuk e kemi nisur, as nuk e vazhdojmë për logo, për vulë apo për karrige”, do të shprehet zoti Basha.

Por pas kësaj dite, ai braktiset dhe nga deputetë të tjerë. Ndërsa shumica mbyll ndryshimet në kodin zgjedhor me demokratët e Berishës. Për herë të parë njihet e drejta e emigrantëve për të votuar. Ndryshon dhe formula e listave ku një e treta do të jetë e mbyllur. Partitë e vogla do të kundërshtojnë.

Marrëdhëniet në sallën e parlamentit do të acarohen sërish në fund të shtatorit pasi Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për deputetin Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë, në rastin e audiopërgjimit të vëllait të ish ministrit të brendshëm socialist Fatmir Xhafa.

“Një vendimmarrje politike, një dënim politik”, do të shprehej zoti Salianji, menjëherë pas vendimit. Ndërsa zoti Bardhi do ta konsiderojë “një shpallje lufte ndaj grupit tonë parlamentar, një shpallje lufte ndaj opozitës në tërësi”.

Ndërsa të nesërmen zoti Salianji paraqitet në polici, pak ditë më pas në parlament, në hyrje të tij, deputetët demokratë do t’i vënë flakën karrigeve të tyre. Për javë të tëra parlamenti do të jetë thuajse i bllokuar, mes tensioneve, kaosit dhe përplasjeve të forta. Një situatë e cila do të vazhdojë deri në fillim të nëntorit kur do të nisnin diskutimet për buxhetin.

Jashtë, protestat do të shpeshtohen, duke u shfaqur në mënyra të ndryshme, nga molotovët dhe djegiet nëpër Tiranë, te bllokimi i akseve rrugore deri në ditët e fundit të vitit, si një formë e asaj që opozita e quan mosbindje civile e që synon arritjen e një qeverie teknike.

Por shumica dhe kryeministri Rama nuk do duken aspak të ndikuar nga protestat e opozitës. Në fillim të vitit zoti Rama bëri dy ndryshime në qeveri. Fillimisht ai do të njoftojë (më 8 janar) krijimin e ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila i besohet, Blendi Gonxhes. Tre ditë më pas, një tjetër ndryshim, duke emëruar Adea Pirdenin si ministër për Administratën dhe Antikorrupsionin.

Por një ndërhyrje e fortë do të ndodhë pas 7 muajsh, kur më 28 korrik, ai do të prekë, pa dhënë asnjë shpjegim, tre institucione kyçe për një qeveri, Financat, Mbrojtjen dhe Ministrinë e Brendshme, të cilat ua beson emrave të rinj, të gjithë profile jo politike, Petrit Malja, Pirro Vengu dhe Ervin Hoxha. Një lëvizje e papritur, aq më tepër që drejtuesit e Financave dhe Ministrisë së Brendshme nuk kishin më shumë se 1 vit në detyrë.

Ndërsa befasues do të shihej ç’gradimi i zotit Balla, po aq surprizë duket dhe katapultimi nga ministër shteti në krye të parlamentit, i zonjës Elisa Spiropali, pas dorëheqjes së beftë, por të motivuar për arsye personale, të Lindita Nikollës, dy ditë më parë.

Zoti Rama do të bëjë të ditur disa javë më vonë se ai synon emra të rinj dhe për parlamentin e ardhshëm, ndërsa i bën të qartë të tijëve se kush ka më shumë se një mandat deputeti nuk do të jetë në listën e mbyllur për zgjedhjet e reja.

Shpenzime të ulëta për festa, shumica më pak se 100 euro, shqiptarët përqendrohen tek ushqimet

Atmosfera e festave të fund -vitit shoqërohet me shpenzime, të cilat shkojnë për dhurata, ushqime, udhëtime etj. Por një sondazh i Monitor me 504 persona përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting- Angazhimi i qytetarëve në raportim) me kampion rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore evidentoi se shumica do të shpenzojnë jo më shumë se 100 euro për të gjithë shpenzimet e festave.

Rezultatet e sondazhit treguan se 142 persona ose 28.2%, do të shpenzojë 50-100 euro, 27 për qind do të shpenzojnë 100-200 euro, rreth 20% kanë programuar 200-500 euro dhe një pakicë 11 për qind pohuan se do të shpenzojnë më shumë se 500 euro.

Një pjesë 13.9 për qind pohuan se do të shpenzojnë më pak se 50 euro.

Më së shumti shpenzimet do të përqendrohen për ushqimet e darkës tradicionale dhe dhurata. 62 për qind e të anketuarave pohuan se ndjehen të limituar financiarisht për shpenzimet që kërkon festa.

Shumica e shpenzimeve shkojnë për ushqim dhe pije

Të dhënat e sondazhit tregojnë se pjesa ma e madhe e shpenzimeve të shqiptarëve do të kanalizohen për ushqime dhe pije. 62 % e të anketuarave ose 314 persona pohuan se shpenzimet më të mëdha gjatë ndërrimit të viteve do të jenë për ushqime dhe për pije. Shumica e tyre pohuan se rritja e kostos së jetës ka qenë një sfidë e madhe për vitin e që shkoi.

Një kategori tjetër, 22 për qind pohuan se shpenzimet më të mëdha do të jenë për dhurata, një pjesë tjetër 9.7% pohuan se shpenzimet kryesore gjatë ndërrimit të viteve ishin për udhëtim dhe akomodim. Një pjesë tjetër 4.6 për qind pohuan se shpenzimet më të mëdha do të bëheshin për aktivitetet sociale (p.sh., festa, evente) etj.

62% të limituar në shpenzimet festive

Anketa tregoi se shumica, 62 % ndjehen të limituar për shpenzimet që kërkon festa e fund vitit. Një pjesë tjetër gati një e katërta pohuan se ndjehen në një masë të limituar për shpenzime dhe vetëm 18% pohuan se gjenden në vështirësi për shpenzimet e festës.

30 % nuk planifikojnë dhurata, shumica jo më shumë se 50 euro

Një pjesë e madhe e të anketuarve 30 për qind pohuan se nuk do të bëjnë asnjë dhuratë për fund vit dhe 17% pohuan se nuk ishin të sigurt. Pak më shumë se gjysma 53% pohuan se do të bëjnë dhurata.

Shumica e të anketuarve 52 % pohuan se do të bëjnë dhurata nga 20-50 euro, 20% pohuan se do të bëjnë dhurata 50 deri në 100 euro, 20 për qind më pak se 50 euro dhe vetëm 8% do të bëjnë dhurata me shumë se 100 euro.

Shumica, më shumë se 56% pohuan se nuk kanë shpenzuar për dekorime këtë vit dhe vetëm 43 për qind kishin blerë.

Aktiviteti kryesor i fetës për 93% mbetet darka tradicionalë. /Monitor

Shqiptarët nuk i besojnë njëri-tjetrit, më shumë se çdo vend në Rajon, as shtetit

Shqiptarët gjithnjë me shumë po bëhen dyshues në marrëdhëniet me të tjerët. 89 për qind e tyre nuk i besojnë njëri -tjetrit dhe tregohen shumë të rezervuar në marrëdhënie me njerëzit.

Sipas anketës se Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) që mati perceptimin e sigurisë në Rajon, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës shfaqen nivele më të larta të mosbesimit në marrëdhënie me njerëzit (shiko grafikun e mëposhtëm).

Në të kundërt qytetarët e Serbisë dhe Malit të Zi ishin më pak mosbesues së pjesa tjetër në Rajon. Psh 27% e serbëve pohojnë se njerëzit e tjerë mund të besohen kundrejt vetëm 11 për qind të shqiptarëve.

Shqiptarët ndryshe nga Rajoni shfaqen nivele të larta të besimit te familja. 95% e të anketuarve pohuan se i besojnë familjes, në përqindje më të lartë se në Rajon, ku përgjithësisht vetëm 77% besojnë të familja.

Gjithashtu shqiptarët spikatën për besim e ulët që kanë tek komuniteti që i rrethon. Vetëm 7 për qind besojnë plotësisht tek lagjia ku jetojnë, teksa mesatarja rajonale është 17%.

Gjithashtu 65 % e të anketuarve nuk besojnë tek administrata publike, niveli më i lartë ne Rajon. Vetëm 1 % e të anketuarve kanë besim tek administrata publike në raport me 4% që ishte mesatarja rajonale.

93 për qind e shqiptarëve nuk u besojnë njerëzve që takojnë për herë të parë.

Besimi institucional është dukshëm i ulët në të gjithë rajonin, ku partitë politike, mediat sociale, parlamentet, shtypi dhe televizioni janë institucionet më pak të besuara.

Ka pak përjashtime ku shumica e të anketuarve kanë besim: organizatat fetare (60% shumë dhe mjaft besim); forcat e armatosura (55%); policia (54%); universitetet (53%); Bashkimi Europian (55%) dhe NATO (54%). Në rajon, ka më pak besim te partitë politike (80% nuk kanë fare ose jo shumë), mediat sociale (75%), parlamenti (72%), shtypi (71%) dhe televizioni (65%), megjithëse ka më shumë se 50% mosbesim në të gjitha institucionet e tjera.

Të dhënat e SecuriMeter 2024 theksojnë se korrupsioni mbetet një çështje e përhapur në Ballkanin Perëndimor, me 83% të qytetarëve që e perceptojnë atë si të përhapur, megjithëse më pak besojnë se është “shumë i përhapur” në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërsa ka një rënie të lehtë në raportet e ryshfetit, veçanërisht në kujdesin shëndetësor dhe ndërveprimet e policisë, korrupsioni i nivelit të lartë mbetet një shqetësim i rëndësishëm./Monitor

Sulm kibernetik ndaj departamentit të Thesarit në SHBA, dyshohet se është kryer nga hakerat kinezë

Një sulm kibernetik nga shteti kinez ka hyrë në departamentin e thesarit të SHBA-së në fillim të këtij muaji dhe ka vjedhur dokumente.

Reuters shkruan se sipas një letre drejtuar ligjvënësve amerikanë, sulmi kibernetik është kryer përmes softuerit BeyondTrust.

“Pasi ofruesi i shërbimit njoftoi Thesarin, ne kontaktuam Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) dhe punuam me organet e zbatimit të ligjit për të përcaktuar pasojat” e sulmit kibernetik, thuhet në deklaratën e Thesarit .

Theksohet se malware është hequr dhe se “nuk ka prova që sugjerojnë se sulmuesi ka mundur të vazhdojë të aksesojë sistemet e informacionit të Ministrisë së Financave”.

Hakerët dyshohet se vodhën fjalëkalime që u jepnin atyre akses në softuerin në fjalë, gjë që i lejonte ata të anashkalonin sistemet e sigurisë dhe të fitonin akses në distancë në disa kompjuterë.

Departamenti Amerikan i Thesarit pranon se kjo është një shkelje e “rëndësi të madhe” në fushën e sigurisë kibernetike, për të cilën duhet të kishte njoftuar Kongresin. Ai garanton se do të përditësojë më tej kur të ketë mbledhur më shumë informacion.

Atribuimi i përgjegjësisë për një sulm kibernetik është jashtëzakonisht i vështirë për shkak të teknikave të sofistikuara që hakerët përdorin për të mbuluar gjurmët e tyre dhe është një çështje e ndjeshme politikisht. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që SHBA ka akuzuar Kinën se qëndron pas këtij lloji sulmi.

Marsin e kaluar, SHBA , Britania dhe Zelanda e Re akuzuan Kinën për një seri sulmesh kibernetike në vitet e fundit, një akuzë që Pekini e hodhi poshtë si “plotësisht të pabazë” dhe “shpifëse”.

Zhbllokohet Lautaro: Rëndësi ka që të fitojë skuadra ime

Lautaro Martinez më në fund u zhbllokua. Atëherë kur duhet, për ta mbyllur vitin 2024 në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për të qenë i karikuar në prag të Superkupës. Sulmuesi argjentinas gjeti golin kundër Kaljarit në transfertën e fituar 0-3.

Përveç tij, Bastoni dhe Çalhanoglu nga penalltia rezultuan vendimtarë në sfidën e Sardenjës. “Jam shumë i lumtur, sidomos për faktin që Interi fitoi. U përballëm me një ekip që po kalon formë pozitive dhe për ne ishte si një betejë përpara nisjes në Arabi për Superkupë. Ishte shumë e rëndësishme që të riktheheshim në Milano me 3 pikët dhe ia dolëm. Por unë e them gjithmonë që e rëndësishme është të fitojë Interi, pastaj nëse vjen goli është më mirë”, tha Lautaro. Ai foli gjithashtu edhe për objektivat që ka skuadra në vitin 2025.

“Duam të fitojmë gjithçka. Ne luajmë dhe zbresim në fushën e lojës për këtë objektiv. Duam të sjellim sa më shumë trofe tek Interi. E rëndësishme është që kushdo që zbret në fushë të bëjë atë që kërkon trajneri, për të mirën e skuadrës. Siç e thotë Barela, ne jemi një grup i jashtëzakonshëm. Luftojmë për njëri-tjetrin në fushën e lojës dhe kjo na bën të bashkuar. Jemi të lumtur dhe duhet të vazhdojmë kështu edhe në vitin 2025, ashtu siç kemi bërë në vitin 2024”, përfundoi Lautaro Martinez.

Ndikimi i Reumatizmës te Kyçet e Këmbëve – Kurat Natyrale dhe Ushqimet e Duhura

Reumatizma mund të prekë kyçet në të njëjtën mënyrë siç ndodh me gjymtyrët.

Ajo shkakton mpirje, enjtje dhe dhimbje.

Prekja e kyçeve nga reumatizma është e rrallë por jo e pazakontë.

Në fillim sëmundja nis tek kockat e gishtërinjve të këmbës dhe më pas shpërndahet tek kyçet.

Në këtë mënyrë, sëmundja luan një rol pengues për lëvizjen dhe shkakton një parehati të madhe.

Në këtë artikull të AgroWeb.org, do të mësoni se si reumatizma mund të ndikojë tek kyçet, simptomat dhe zgjidhjet natyrale kundër dhimbjes.

Ndikimi i Reumatizmës Tek Kyçet

Reumatizma shkakton inflamacion dhe ky i fundit ngurtësim të kyçeve.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, me kalimin e kohës, struktura kockore e kyçeve mund të preket dhe të pësojë ndryshime të përhershme.

Për më tepër, reumatizma shkakton fërkime të forta mes kockave të ndërlidhura të kyçeve.

Zonat më të prekura të këmbëve dhe kyçeve janë pjesa e thembrës, shputës, pjesa e sipërme dhe gishtat.

Me avancimin e sëmundjes, dhimbjet bëhen më të forta gjatë ecjes ose qëndrimit në këmbë.

Po ashtu, këmba bëhet shënjestër e lehtë e nodulave, nyjeve kockore, kallove e problemeve të tjera.

Përveç tyre, një person që preket nga reumatizma tek kyçet, vuan edhe nga lodhja, temperaturë e ulët, dobësim të muskujve dhe rënie në peshë.

Trajtimi i Reumatizmës Së Kyçeve

Shkaqet e vërteta të reumatizmës që prek kyçet janë ende pjesë e studimeve.

E megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar ekspertët e mjekësisë të zbulojnë trajtimet më të mira për këtë problem mjekësor.

Këtu përfshihet ndjekja e një aktiviteti fizik jo të rëndë që vë në punë kyçet, ushqyerja me produkte që luftojnë inflamacionin dhe medikamentet e rekomanduara nga mjeku.

Duhanpirja është një faktor rreziku për këtë problem, ndaj përfitimet në shëndet janë afatgjata nëse e lini duhanin.

Sipas ekspertëve, pacientët duhet t’i mbajnë kyçet në lëvizje për të përmirësuar fleksibilitetin e tyre.

Ushqimi dhe Kurat Natyrale

Kafeja

Pirja e 2 deri në 3 filxhanëve të kafesë në ditë i dobëson ndjeshëm kockat. Me kalimin e moshës kafeina pengon përthithjen e kalciumit, sidomos tek femrat.

Nëse nuk ndiheni gati për të hequr dorë nga kafeja, atëherë duhet të siguroheni që të konsumoni të paktën 1,000 mg kalcium në ditë.

Kjo vlen për femrat e moshës 19-50 vjeç. Hapi tjetër është që ta pini kafenë me qumësht të skremuar, që ka më shumë kalcium se qumështi me yndyrë të plotë.

Zgjidhni ushqime të shëndetshme për kocka të forta

Kalcium. Qumështi dhe produktet e tjera të bulmetit nuk janë të vetmet burime të kalciumit.

Asimilimi i kalciumit kërkon shumë vitaminë K, magnez dhe një sërë mineralesh.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, këto ushqyes të dobishëm mund t’i gjeni te boronicat dhe barishtet si spinaqi, lakrat e vogla, pazia dhe brokoli.

Mos hezitoni t’i përfshini këto ushqime në gatimet tuaja të përditshme, duke shtuar hudhrën dhe vajin e ullirit.

Bashkë me të, veshja e këpucëve ortopedike është e domosdoshme bashkë me mbajtjen e një peshe të mirë trupore./AgroWeb.org

Bilanci i punës së drejtësisë në 2024/ Eksperti i Sigurisë: Bashkëpunimi i SHBA dhe SPAK ka sjell kapjen e grupeve kriminale!

Goditja e grupit të Suel Çelës, në Elbasan, ka qenë një nga goditjet më të mëdha që ka bërë SPAK, për ekspertin e Sigurisë, Fatjon Softa.

I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, teksa foli për bilancin e punës së drejtësisë gjatë 2024, ai u shpreh se goditja e këtij grupi nxorri në pah lidhjet e krimit me drejtësinë dhe pushtetin lokal.

 ‘Goditja e grupit të Elbasanit. Ishin bërë bashkë punonjës të drejtësisë, policisë dhe nga pushtetit lokal dhe kjo tregoi se ata kontrollonin territorin në këtë qytet dhe nëpërmjet financave i kishin bërë bashkë të gjithë këta në aktivitetin e tyre kriminale. Kemi bashkëpunimin edhe me të penduarit e drejtësisë siç është ndër ta Nuredin Dumani që ka treguar shumë ngjarje kriminale. Aplikacion ‘Matrix’, do ta kemi në duart e prokurorisë dhe do të kemi zbulimin e ngjarjeve të mëdha kriminale’, tha ai.

Vendimi i Kushtetueses/ VOA: Të dhënat e “Sky Ecc” do të përdoren si provë në proceset gjyqësore

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese vendosi sot njëzëri që të rrëzojë kërkesat e biznesmenit Pëllumb Gjoka për të shpallur si të papajtueshme me Kushtetutën disa vendime të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë lidhur me masën e sigurimit ndaj tij “arrest me burg”.

Biznesmeni Gjoka, i angazhuar më herët në lojërat e fatit, për më shumë se 3 vite me statusin e investitorit strategjik në turizëm, u arrestua një vit e gjysmë më parë në kuadër të Operacionit “Metamorfoza”, së bashku me ish drejtuesin e prokurorisë së Kukësit dhe ish drejtuesin e Forcës Operacionale të Policisë.

Ai dyshohet për vrasje për maramendim, si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal. Gjoka dyshohet se është përdorues i aplikacionit të koduar SkyECC, dhe arrestimi i tij erdhi pasi agjencitë europiane deshifruan komunikimet përmes telefonave të koduar midis personave të botës së krimit dhe ia përcollën ato Prokurorisë së Posaçme.

Disa muaj pas arrestimit Prokuroria e Posaçme i sekuestroi atij afro 40 hektarë pyje në zonën e Velipojës.

Biznesmeni Gjoka e ankimoi në Gjykatën Kushtetuese si të paligjshëm arrestin e tij me burg bazuar në prova të siguruara nga SkyECC, por kërkesa e tij u rrëzua sot unanimisht nga kjo Gjykatë.

Bazuar në vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetueses, sistemi i drejtësisë në Shqipëri do të pranojë dhe do të përdorë si prova në proceset gjyqësore të dhënat e nxjerra nga SkyECC, si një procedurë tashmë në përputhje me Kushtetutën dhe me standartet ndërkombëtare.

Pasi ky sistem i koduar i SkyECC u zbërthye, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka goditur nëntë grupe të fuqishme kriminale, ka arrestuar një numër të konsiderueshëm të dyshuar për veprimtari kriminale, si dhe ka ndriçuar ngjarje të rënda kriminale përgjatë shumë viteve.

Prandaj, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka një ndikim të gjerë dhe thelbësor në luftën e SPAK-ut kundër krimit të organizuar./VOA