39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Blendi Klosi bëhet mashë e oligarkëve/ Propozon projektligj që zgjat përjashtimin nga tatim fitimi për hotelet luksoze

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka propozuar një projektligj, i cili shtyn afatin e përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje. Sipas ligjit ekzistues, të gjitha subjektet e hotelerisë, që përfitonin statusin special brenda datës 31 dhjetor 2024, përjashtohen nga tatimi mbi fitimin për 10 vitet e ardhshme.

Por përmes një projektligji të zbardhur një ditë më parë nga Top Channel, Blendi Klosi ka propozuar që ky afat të zgjatet deri në 31 dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se përjashtimin nga tatim fitimi në dhjetë vitet e ardhshme do ta përfitojnë edhe subjektet, të cilat marrin statusin special nga qeveria vitin e ardhshëm dhe vitin tjetër pas tij.

Përfituesit e kësaj nisme të propozuar nga ish ministri i mjedisit do të jenë subjektet të cilat do të marrin statusin special në dy vitet e ardhshme. Kjo e bën projektligjin një nismë klienteliste me një numër të ngushtë përfituesish. Në këtë rast nuk është shumë e vështirë të imagjinohet se cilët janë nismëtarët e vërtetë të këtij projektligji. Janë oligarkët ata që do të marrin statusin special për hotelet e tyre gjatë dy viteve të ardhshme.

Deri tani disa nga përfituesit e këtij ligji janë Armand Lilo, që ndërtoi 8 kate pa leje në mes të Tiranës dhe Gjikuriajt, që kanë përlarë gjithë Dhërmiun.

Veçanërisht gjatë viteve të fundit, Edi Rama duket se po përdor një instrument indirekt për të lëshuar favore publike tek rrethi i ngushtë i përhershëm i përfituesve. Tashmë këto favore nuk vijnë përmes projektligjeve qeveritare, por vijnë në formën e amendimeve ligjore të deputetëteve.

I njëjti mekanizëm u përdor edhe për çmontimin e zonave të mbrojtura, kur nisma u propozua nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste dhe jo nga vetë qeveria. Me pak fjalë, punët e pista, nuk kalojnë me nga qeveria, por nga kamikazët politikë të shumicës, të cilët në këtë rast bëhen mburoja e qeverisë përballë SPAK. Ose të sakrifikuarit me stofin e idiotëve të dobishëm të Partisë.

Qeveria shqiptare vazhdon të japë lejë ndertimi për hotele dhe restorte në Jug të vendit, një pjesë e mirë e të cilëve në toka shtetërore, që tjetërsohen përmes ligjit të famshëm të investimeve strategjike. Por me sa duket këta përfitues nuk mjaftohen vetëm me tokat publike që marrin falas, por duan edhe përjashtim nga taksat për një dekadë. Ndaj e vunë edhe Klosin në shërbim për të zgjatur afatin e përfitimit.

Përjashtimet fiskale për hotelet kanë qenë një nga pikat më të kontestuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili i ka bërë thirrje qeverisë disa herë publikisht që t’i shfuqizojë ato. Por në vend të ndjekë rekomandimet e FMN, maxhoranca ka zgjedhur rrugën e kundërt, atë të zgjerimit të oligarkëve përfitues të favoreve fiskale./Kapitali.al

Hetimet për Veliajn/ Përveshja e Ramës për të kapur SPAK

Nga Desada Metaj 

Edi Rama nuk e ka fshehur dot kënaqësinë që tashmë zgjatja e mandatit të prokurorëve të SPAK është në dorën e mazhorancës së drejtuar prej tij. Në konferencën e fundit për këtë vit, kryeministri u përpoq (sic ka bërë rëndom kohët e fundit) të marrë flamurin e reformës në drejtësi duke komentuar dhe propozimin e zëvendësndihmës sekretarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexandër Kasanof, i cili ditë më parë përcolli mesazhin e qartë nga Departamenti Amerikan se prokurorët e SPAK duhet të lejojnë të aplikojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual.

Me gurin që ka tashmë në dorë, Edi Rama po përpiqet fort të trokase në derën e SPAK, që së fundmi e ka gërryer fort rilindjen socialiste duke rënduar me 4 akuza kryetarin e bashkisë së Tiranës. Qartas, për të shpëtuar çka mund të shpëtohet nga reputacioni i shkatërruar dhe rreziku evident për të shkuar në qeli, Edi Rama deklaroi se nuk ka asnjë ngutje e nëse do të ketë një opinion, do ta formojë atë nga bisedat me ata që duhet të merren me këtë punë. Duke iu referuar SHBA dhe BE si vija e kuqe që nuk duhet shkelur për reformën, kreu i qeverisë më në fund pranoi qëllimin e vërtetë për formimin e komisionit Xhafaj: “Kemi një komision që do vazhdojë edhe mandatin tjetër dhe aty do të diskutohen të gjitha. Ai është graviteti i gjithë kësaj dhe pastaj do shohim,” tha Rama, që ndryshe nga sa ka këmbëngulur muajt e fundit, e pranoi se qëllimi i vërtetë i komisionit Xhafaj paska qenë ndërhyrja në reformën në drejtësi.

Duke i ofruar SPAK-ut komisionin e Fatmir Xhafajt si zgjidhje (dhe zgjedhje) për të mundësuar një mandat të dytë për prokurorët specialë, Edi Rama jo vetëm që ka ngritur çarkun ku mund të bjerë SPAK, por nga ana tjetër ka trazuar dhe zjarrin e reformës. Atë zjarr që, në fakt, përtej deklaratave mburravece të kryeministrit, e mbajnë ndezur SHBA dhe BE. Të vetmet që kanë kundërshtuar publikisht, dhe jo vetëm, çdo tentativë të mazhorancës dhe komisionit Xhafaj për të futur duart në reformën në drejtësi (lexo SPAK) dhe për të gatuar një pazar politik në emër të amnistimit të atyre që deri më sot janë konsideruar të paprekshëm. Me këtë lëvizje kryeministri bën dhe një përpjekje të re për të amnistuar dhe vetë komisionin Xhafaj i cili muajt e fundit është kritikuar nga ndërkombëtarët për qëllimet për të cilat është krijuar dhe është bojkotuar publikisht nga institucionet e drejtësisë dhe vetë Prokuroria e Posaçme.

Duke i kujtuar SPAK-ut dhe ndërkombëtarëve se vetëm me votat e PS mund të ndryshohet Kushtetuta, Edi Rama ka lëshuar dhe sinjalet se, për ta bërë këtë, do t’i duhet së pari amnistia për Erion Velinë. Jo më kot, kreu i qeverisë i doli sot në krah kryetarit të bashkisë, jo më shumë për t’i bërë avokatin, se sa për të treguar se, sido të jenë dosjet, ai sërish ka në dorë të drejtojë fijet e ndërlikuara të SPAK.

Ndryshe nga sa përpiqet të duket, Edi Rama e di shume mirë koston elektorale që mund të ketë për të dhe PS prezenca e Erion Velisë në fushatë. Jo më kot ai e ka “zhdukur” atë nga Tirana dhe fushata e zgjedhjeve të ardhshme dhe sot e bëri të qartë nën rreshta se, nëse do të ketë ndryshime, ato do të ndodhin me parlamentin e ardhshëm, ku pritet që ai të ketë numrin e votave që duhen për ndryshime kushtetuese pa ndihmën e opozitës. Duke treguar supremacinë e tij elektorale, Edi Rama tashmë e ka vendosur veten në postin e negociatorit kryesor për të plotësuar vullnetin e SHBA që kërkojnë që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë të kandidojnë dhe njëherë për këtë detyrë. Por a do të pranojnë ideatorët dhe zbatuesit e reformës në drejtësi që Edi Rama, me gjysmën e qeverisë në hetime për korrupsion, t’u vendosë kushte për mandatin e SPAK? A do mundet që kryeministri t’u imponojë SHBA dhe BE një ndryshim të kursit të reformës në drejtësi me kusht që të amnistohen emra të veçantë ku Veliaj duket të jetë i pari në listë?

Këto pyetje do të marrin përgjigje në javët dhe muajt në vijim. Ndërkohë, shqetësimi i Edi Ramës për beniaminin e vet ishte i dukshëm, jo më shumë për Veliajn, se sa për atë që vjen pas tij. Të gjithë aktorët politikë sot e dinë mirë se pavarësisht mburrjeve apo sharjeve, SPAK është “fëmija” i llastuar i SHBA dhe BE. Ndaj, si i tillë, ai duhet trajtuar me kujdes për të mos u lënë në duart e  kujdestarëve hallexhinj që njëherë e përdorin si flamurin e betejës së tyre politike dhe njëherë si plaçkë lufte për pazarin e radhës.

Në fund të ditës qartas fati i SPAK tashmë nuk është më në dorë as të Xhafajt, as të Ramës apo në fund të fundit, në dorë të politikës shqiptare. Ai është thjesht në dorë të vetë SPAK dhe në mbështetjen e publikut për të. Ndaj në këto kushte Edi Rama e ka të qartë se pavarësisht dëshirës për të bërë  kryenegociatorin nuk ka shumë hapësirë për të. Kërkesa për mbështetje (zgjatje mandati) është aty, në tavolinë e mbërritur nga SHBA dhe në sytë e të gjithëve. E nëse mbështetja ndaj SPAK duhet të jepet, do të jepet tani, sa më shpejt dhe sa më larg nga Xhafaj, Rama, apo aleancat fluide të tyre me doktorin. Thënë ndryshe, mundësia për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të posaçëm duhet dhe do të bëhet, pa e lexuar fare…siç vetë Rama thoshte për dikur për reformën në drejtësi./vna.al

“Rama përdori rastin e pashpresë të Veliaj për të kërcënuar drejtësinë”, Basha: 11 maj të lëmë pas dinosaurët e tranzicionit për të shkruar një kapitull të ri për Shqipërinë

Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për përdorimin e rastit të Veliajt për të kërcënuar drejtësinë.

Në postimin e tij në facebook, Basha thekson se tre orë në televizion, nën shembullin e Vladimir Putinit, janë simptomë e anktheve të njeriut që erdhi në pushtet me mandat të krimit të organizuar dhe që është përgjegjës për rrënimin ekonomik, kur shumica e shqiptarëve sot jetojnë në kufij të varfërisë. Ai e cilëson Ramën si nyjën lidhëse të krimit dhe politikës, dhe përdor pushtetin për mbështetje nga grupe kriminale.

Basha fton shqiptarët që më 11 maj të shkruajnë një kapitull të ri për Shqipërinë, duke lënë pas “dinosaurët e tranzicionit”.

Reagimi i plotë i Bashës:

Çyrbe-kryeministri ka hallin e tij ndonëse bën sikur vajton për Veliajn. Ai përdori rastin e pashpresë të Veliajt për të kërcënuar drejtësinë me kode mafioze për interesat e tij.
Sepse të gjitha gjurmët e qeveritarëve dhe deputetëve të tij, të zhytur në llumin e krimit dhe korrupsionit, të çojnë tek ai.
Tre orë në televizion, nën shembullin e Vladimir Putinit, janë simptomë e anktheve të njeriut që erdhi në pushtet me mandat të krimit të organizuar dhe që është përgjegjës për rrënimin ekonomik, kur shumica e shqiptarëve sot jetojnë në kufij të varfërisë, s’kanë mundësi as të ngrohin shtëpitë e tyre apo të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për natën e ndërrimit të viteve, si dhe depresionin ku e ka futur vendin me emigrimin masiv të shqiptarëve.
Halli i madh i Edi Ramës është “Sky ECC”, ku tregohet se nyja lidhëse e krimit me politikën, e krimit me zgjedhjet dhe e pastrimit të parave të krimit përmes korrupsionit të qeverisë së tij është vetë ai. Rama nxiti dhe garantoi grupet kriminale që e sollën dhe e mbajtën në pushtet, ndërsa pushtetin e përdori për interesat e krimit.
Prandaj 11 maji është dita e shqiptarëve , për të shkruar një kapitull të ri për Shqipërinë, duke lënë pas dinosaurët e tranzicionit dhe luftën anakronike për mbijetesë personale.
Shqipëria meriton më shumë

GJKKO pranon zgjatjen e afateve të paraburgimit për Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn

GJKKO pranon zgjatjen e afateve të paraburgimit për Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn.

 

NJOFTIMI

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
me datë 16.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zgjatjen e afateve
të paraburgimit për një periudhë tre mujore në lidhje me masën e sigurimit “Arrest në
burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj dhe
Ermal Kurtulaj, caktuar me vendimin Nr. 65 datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme
të shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Rudina Palloj, bazuar në
nenet 112, 238, 263 dhe 264 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 731, datë 30.12.2024,
vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit
të Organizuar me Nr. 731 regjistri themeltar, datë regjistrimi 16.12.2024, me
kërkues Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me
objekt “Zgjatjen e afateve të paraburgimit për një periudhë tre mujore në lidhje
me masën e sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale
për personat nën hetim Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulaj, caktuar me vendimin Nr.
65 datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin
dhe Krimin e Organizuar”.

2. Zgjatjen e afatit të paraburgimit, përkatësisht të kohëzgjatjes së masës së sigurimit
personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin Nr. 65 datë 03.07.2024,
vazhduar me vendimin Nr. 73 datë 06.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës
së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit
penal Nr. 190 të vitit 2023, për personin nën hetim Ilir Hamid Beqaj, për një
periudhë prej 3 (tre) muajsh, duke filluar ky afat nga data 04.01.2025.

3. Zgjatjen e afatit të paraburgimit përkatësisht të kohëzgjatjes së masës së sigurimit
personal “Arrest në burg”, caktuar me vendimin Nr. 65 datë 03.07.2024,
vazhduar me vendimin Nr. 73 datë 06.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës
së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit
penal Nr. 190 të vitit 2023 , për personin nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj,
për një periudhë prej 3 (tre) muajsh, duke filluar ky afat nga data
04.01.2025.
Rruga “Jordan Misja” Nr.1, 1057 Tiranë; tel/fax 0035542231527; www.gjp.gov.al

4. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke
filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, më datë 30.12.2024

vijon…

Pesë ushqime që rrisin imunitetin gjatë ditëve të ftohta

Dimri sjell ftohje, por edhe rritje të rrezikut të ftohjes dhe gripit. Në mënyrë që të forconi imunitetin tuaj dhe të qëndroni të shëndetshëm, ushqimi i duhur është thelbësor.

 

Ju prezantojmë pesë ushqime të fuqishme që do t’ju ndihmojnë të përballoni sfidat e dimrit.

  1. Agrumet – Burim natyral i vitaminës C

Portokallet, grejpfruti, limonët dhe mandarinat janë aleatë të vërtetë të imunitetit. Ato janë të pasura me vitaminë C, e cila ndihmon në prodhimin e qelizave të bardha të gjakut, të cilat janë thelbësore për luftimin e infeksioneve. Përveç forcimit të sistemit imunitar, agrumet ndihmojnë në rikuperimin nga ftohjet dhe ofrojnë një shije freskuese gjatë dimrit.

  1. Hudhra – Antibiotik natyral

Hudhra është e njohur për vetitë e saj të fuqishme antibakteriale dhe antivirale. Ai përmban allicin, një përbërës që ndihmon në luftimin e infeksioneve dhe rritjen e imunitetit. Shtoni në supa, zierje ose si erëz në pjatat e përditshme për mbrojtje shtesë në ditët e ftohta.

  1. Xhenxhefili – Një aleat i ngrohtë kundër ftohjes

Xhenxhefili është një zgjedhje e shkëlqyer për dimër sepse ka veti anti-inflamatore dhe antioksiduese. Ndihmon në reduktimin e simptomave të ftohjes, lehtëson dhimbjet e fytit dhe rrit energjinë. Bëni një pije të ngrohtë me xhenxhefil të freskët, limon dhe mjaltë për një dozë natyrale të imunitetit.

  1. Kosi – Burim i probiotikëve

Kosi është i pasur me probiotikë, “baktere të mira” që ruajnë shëndetin e florës së zorrëve. Duke qenë se një pjesë e madhe e sistemit imunitar ndodhet në zorrë, konsumimi i rregullt i kosit mund të kontribuojë ndjeshëm në rezistencën tuaj ndaj sëmundjeve. Zgjidhni kos natyral pa sheqer të shtuar për efekt maksimal.

  1. Arra dhe fara – Të mbushura me yndyrna dhe minerale të shëndetshme

Bajamet, arrat, lajthitë dhe farat e lulediellit apo kungulli janë të pasura me vitaminë E, zink dhe yndyrna të shëndetshme, të cilat ndihmojnë në rritjen e imunitetit. Një grusht arra në ditë mund t’ju japë energjinë dhe mbrojtjen që ju nevojitet në ditët e ftohta.

Përveç këtyre ushqimeve, mos harroni të pini mjaftueshëm ujë, sepse hidratimi luan një rol kyç në ruajtjen e sistemit imunitar. Gjithashtu, përpiquni të shmangni stresin dhe të siguroni gjumë cilësor, pasi ato gjithashtu forcojnë rezistencën tuaj ndaj sëmundjeve të dimrit.

Duke përfshirë këto ushqime në dietën tuaj të përditshme, ju mund ta prisni dimrin të fortë dhe të shëndetshëm, të gatshëm për të gjitha sfidat që sjell moti i ftohtë.

“Jo vetëm në Dubai, shumë nga objektivat tanë janë në Shqipëri”- Drejtori i Policisë Antwerp: “Sky ECC” zbuloi përbindëshin e krimit të organizuar

Në Bruksel, bandat e drogës zhvilluan një betejë të ashpër, vdekjeprurëse dhe të dukshme për territor vitin e kaluar. Tonelatat e kokainës vazhdojnë të hyjnë në Evropë përmes portit të Antwerpen.

 

Në një intervistë për De Standaard, Yve Driesen, drejtori i policisë gjyqësore federale të Antwerpit, fokusohet në krimin e organizuar pas atij trafiku. Shifrat për vitin 2024 shfaqen pozitive për herë të parë pas shumë vitesh. Një muaj para se të mbyllej përfundimisht viti, në port u kapën gjithsej rreth 40 tonë kokainë. Kjo është e njëjtë me totalin e vitit 2017 (40 tonë). Për krahasim: 121 tonë kokainë u kapën në vitin 2023. “Optimistët do të thonë se problemi në Antwerp është reduktuar”,- thotë Driesen, duke shtuar “kam frikë se ka më shumë për të.

Çmimet në rrugë janë historikisht të ulëta, ndaj nuk ka mungesë. Nëse të gjithë papritmas ndalojnë përdorimin në 2024 dhe për këtë arsye ka mjaft koka në treg. Por unë nuk e besoj këtë dhe nuk është e dukshme nga analizat e ujërave të zeza në Antwerp”. “Përveç kësaj, konfiskimet në vendet e burimit dhe tranzitit kanë mbetur në nivelet e vitit të kaluar”,- vazhdon Driesen. “Rreth 80 tonë kokainë u kapën përpara se të hipnin në anije për në Antwerp. Pra, shumë kokainë është ende duke u futur në anije.”

Z.Driesen! Si e shpjegoni kapjen më të vogël në Antwerp?

“Ne kemi frikë se trafikantët kanë përshtatur teknikat e tyre. Për shembull, ne shohim se relativisht më pak kokainë vjen nga vendet tradicionale të burimit dhe tranzitit si Kolumbia, Ekuadori dhe Brazili, por më shumë përmes Republikës Domenikane, Perusë dhe vendeve të Afrikës Perëndimore. Duket se trafikantët zgjedhin të dërgojnë kokainën e tyre nga vende, anijet e të cilave janë më pak të shënjestruara në portet tona.” “Ekziston edhe tendenca për trafik në sasi më të vogla. Është më e lehtë të largohesh nga porti me pesëmbëdhjetë çanta sportive që përmbajnë kokainë sesa me një kontejner të tërë çanta sportive. Trafikantët, gjithashtu, fokusohen më shpesh në terminale të caktuara ku kontrollet janë më pak të rrepta. Unë, gjithashtu, mendoj se një pjesë e kokainës po përdoret për trafikun ajror.” “Dhe pastaj ka edhe përparim teknologjik. Kokaina përpunohet në materiale të tjera duke përdorur procese kimike. Gjithashtu, është i përpunuar kimikisht, i cili ndryshon ngjyrën, erën dhe pamjen e tij. Këto përzierje, të quajtura ‘mezclados’, e bëjnë më të vështirë zbulimin e barnave me skaner. Si rezultat, qentë e drogës kanë më pak gjasa të jenë në gjendje të njohin kokainën. Kriminelët janë shumë shpikës, duhet të jemi edhe ne.”

Më 9 mars 2021, bota e krimit u trondit tërësisht pas plasaritjes së Sky ECC, shërbimi i mesazheve të botës së krimit. Rezultuan mijëra arrestime dhe qindra dënime. E prisnit që të arrinte përmasa të tilla?

“Krimi i organizuar shpesh shihet si problem nga qytetarët vetëm kur bëhet i dukshëm. Në Antwerp kjo ndodhi në vitin 2022 dhe 2023 kur ndodhën një sërë sulmesh, siç po shohim tani në Bruksel. Megjithatë, në vitin 2024 ne numëruam, gjithashtu, 108 krime të dhunshme në Antwerp që mund të lidhen me trafikun e kokainës, të dukshme dhe të padukshme. “Sky ECC” na ka lejuar të nxjerrim të gjithë përbindëshin e krimit të organizuar që ishte nën vijën e ujit. Pikërisht atëherë e pamë me të vërtetë sa i madh ishte. Falë Sky ECC, ne kemi qenë në gjendje të krijojmë një dosje kundër shumë të ashtuquajturave objektiva me vlerë të lartë që dukeshin të pakapshme dhe banonin në Dubai ose diku tjetër jashtë vendit.” (Ndër të tjera, ‘Fat’ Nordin EH u ekstradua në vendin tonë nga Emiratet dhe Othman El Ballouti ndodhet në burg në Emiratet dhe u dënua në mungesë me njëzet vjet burg në vendin tonë, red.). “Fakti që ne ishim në gjendje teknikisht ta kryenim atë operacion pa erë telashe nga kriminelët është diçka për të cilën mund të jemi ende krenarë. Po aq e rëndësishme, hetimet tona mbeten ligjërisht të vlefshme edhe sot e kësaj dite, pavarësisht përpjekjeve të avokatëve për të anuluar mbledhjen e Sky ECC. Sot – gati katër vjet pas operacionit madhor – ne ende po fillojmë skedarët me të dhënat e Sky ECC.”

A do të mbetet goditja e sistemeve të komunikimit të botës së krimit një majë shtize në luftën kundër mafies së drogës?

“Po, por kjo nuk mjafton. Pas Encrochat dhe Sky ECC, Ghost dhe Matrix gjithashtu janë plasaritur kohët e fundit. Por ne duhet të aplikojmë edhe teknika të tjera që na lejojnë të kontrollojmë përbindëshin. Kjo duhet të jetë ambicia jonë për vitin 2025. Dhe e gjithë kjo në një kontekst ku burimet financiare janë të kufizuara.” “Ndër të tjera, ne duam të forcojmë pozicionin tonë të informacionit. Shumë nga objektivat tanë me vlerë të lartë qëndrojnë jashtë vendit, për shembull në Emiratet e Bashkuara Arabe, Marok, Turqi ose Shqipëri. Ne, gjithashtu, kemi nevojë për më shumë sy dhe veshë në ato vende. Kriminelët tanë nuk janë prioritet për autoritetet lokale. Për ne është, kështu që duhet të punojmë vetë për të”. Një tjetër gjë për të cilën dëshironi të punoni janë paratë e krimit në qarkullim. “Dëmi i padukshëm i shkaktuar nga krimi i organizuar është i madh. Paratë kriminale futen në ekonomi dhe në këtë mënyrë çojnë në konkurrencë të pandershme, duke përfshirë edhe industrinë e hotelerisë. Zyrtarët dhe punonjësit e kompanive portuale po korruptohen. Të rinjtë inkurajohen të kryejnë sulme.” “Në nivel evropian, unë shoh diçka në homologun e listës amerikane OFAC (Office of Foreign Assets Control), e njohur më mirë si lista e sanksioneve amerikane. Sot, kjo listë përfshin vende, kompani, organizata dhe individë që kanë qenë subjekt i sanksioneve ekonomike ose ligjore në Shtetet e Bashkuara. (Othman El Ballouti dhe një numër i bashkëpunëtorëve të tij janë në listën Ofac, red.) “Kjo ka pasoja të rëndësishme për kriminelët. Kompanitë amerikane, si bankat apo lëshuesit e kartave të kreditit, nuk lejohen më të bëjnë biznes me to. Edhe kompanitë e huaja që operojnë në SHBA rrezikojnë probleme nëse bëjnë biznes me to. Diçka e tillë duhet të jetë e mundur edhe për Evropën.” “Por ne, gjithashtu, mund të shtrëngojmë politikën tonë ‘Ndiq paratë’ në Belgjikë. Ne duhet ta bëjmë më të vështirë për kriminelët që të nxjerrin paratë e tyre. Gjykatat shpesh vendosin konfiskime të larta, por deri atëherë kriminelët tashmë kanë nxjerrë ose fshehur paratë dhe pasuritë e tyre. Për shembull, duke kombinuar informacionin nga autoritetet tatimore dhe policia, ne mund të zbulojmë më mirë praktikat e pastrimit të parave dhe mashtrimin e organizuar tatimor. Dhe pastaj është rritja e monedhave kripto. Ne shohim që kriminelët po punojnë gjithnjë e më shumë me kripto. Kjo është shumë më e vështirë për t’u identifikuar dhe gjurmuar.”

Me fjalë të tjera, policia federale duhet të rinovojë edhe më shumë për të rritur luftën?

“Duhet të tregojmë guxim dhe të mos kemi frikë të përdorim teknologjinë. Ne duhet të testojmë se sa larg mund të shkojmë brenda kornizës ligjore.” “Tani jemi duke punuar në një projekt të quajtur “Të thyejmë ndërmjetësin”, me para nga BE-ja. Gjatë hetimeve tona shohim se kriminelët po punojnë gjithnjë e më shumë me të ashtuquajturit ‘brokerë’. Njëri është ‘ndërmjetës’ në dhunë dhe i vë njerëzit në dispozicion kur dikujt i duhet ‘t’i jepet një mësim’. Tjetri është një ‘broker’ që ka në portofol teknikat e pastrimit të parave dhe një tjetër kujdeset për logjistikën. Duke luftuar ndërmjetësit, ne duam të prishim funksionimin e organizatave kriminale. Synimi është të krijojmë një mjet së bashku me universitetet që na lejon të gjejmë lidhje në skedarët e njëri-tjetrit përtej kufijve kombëtarë duke përdorur teknologjinë. Por për të krijuar atë mjet na duhen specialistë, ndër të tjerë kriptografë. Ne po e kërkojmë atë tani.”

Shoqatat e biznesit paralajmërojnë: Gjermania ka nevojë urgjente për politikë tjetër ekonomike

“Tashmë ka filluar zhvendosja e impianteve jashtë Gjermanisë. Dhe kur kompanitë e mëdha largojnë fabrikat e tyre, kompanitë e vogla dhe furnitorët gjithashtu pësojnë dëmtime ose mbyllin dyert e tyre. Kjo është shpallja e falimentimit për hapësirën ekonomike të Gjermanisë”, përmbledh presidenti i Shoqatës së Tregtisë dhe Shërbimeve me Shumicë dhe të Jashtme Gjermane (BGA), Dirk Jandura në një deklaratë për agjencinë Reuters. Para së gjithash, sektorët industrialë kanë probleme të mëdha. Nuk shoh ndonjë të ardhme të qartë në Gjermani, nuk shoh se cili është koncepti për industrinë kimike, përpunimin e metaleve dhe inxhinierinë mekanike. Shpenzimet këtu janë thjesht shumë të larta,” beson Jandura.

Edhe presidentja e Shoqatës së Bizneseve Familjare, Marie-Christine Ostermann, është ngopur me këtë lloj politike ekonomike. “Nëse korniza ekonomike nuk ndryshohet menjëherë pas zgjedhjeve, edhe më shumë kompani do të shkojnë jashtë vendit”, thotë një drejtuese e një kompanie për furnizimet spitalore, e themeluar nga gjyshi i saj. Ajo në radhë të parë vë në dukje problemet e kompanive në industrinë përpunuese në Gjermani, siç janë energjia shumë e shtrenjtë për prodhim, varësia nga kosumi dhe probleme të tjera.

Nuk ka rritje pa investime

Për kryetarin e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHT) Peter Adrian, Gjermania ka arritur në një moment krize të të gjithë strukturës ekonomike. “Në vitet e fundit kompanive vendore u është dashur të durojnë shumë ngarkesa të reja dhe ndërhyrje shtetërore”, vlerëson kryetari i Dhomës. Kjo shihet më së miri nga investimet e kompanive në këtë vend: pandemia ka kaluar prej kohësh, por investimet këtë vit ishin ende 6% nën nivelin para pandemisë – investimet janë shumë më të vogla.

Sipas një sondazhi të kryer nga Dhoma mes anëtarëve të saj, një e treta e kompanive planifikojnë të reduktojnë investimet e tyre. “Këto nuk janë perspektiva të mira për rritje ekonomike”, paralajmëron Adrian, sepse nuk është shteti, por ekonomia që drejton pothuajse 90% të investimeve në Evropë. Adrian është i bindur se vetëm ndryshimi i politikës ekonomike në Berlin mund ta kthejë këtë vend në binarët e rritjes ekonomike.

Infrastruktura nga e kaluara

Politika ekonomike e shtetit është vendimtare edhe për infrastrukturën. Ndaj shoqata e sektorit të IT-së, Bitkom, kërkon një politikë tjetër dhe masa të tjera që nxisin investimet dhe mbetjen e kompanive në Gjermani. Kryetari i kësaj shoqate, Ralf Wintergerst, paralajmëron se edhe ata janë të prekur nga çmimi i lartë i energjisë elektrike. Qendrat e kontabilitetit konsumojnë shumë energji elektrike, por problem janë edhe ekspertët dhe “mentaliteti i letrës” i këtij vendi. Në këtë vend akoma mungon identiteti digjital dhe e gjithë infrastruktura digjitale ka nevojë për investime serioze. Gjermania ka nevojë për investime edhe në infrastruktura të tjera, në rrugë dhe në sigurimin e fuqisë së nevojshme punëtore. “Infrastruktura jonë nuk është infrastruktura e së ardhmes, por infrastruktura e së shkuarës”, paralajmërojnë ekspertët./DW

“Burrë shteti dhe humanist i jashtëzakonshëm”- U nda nga jeta në moshën 100-vjeçare, politikanët botërorë përkujtojnë ish-Presidentin e SHBA-së, Jimmy Carter

Politikanët në mbarë botën kanë përkujtuar ish-presidentin e ndjerë amerikan, Jimmy Carter, që ndërroi jetë në moshën 100 vjeçare. Presidenti Biden e quajti atë “një njeri parimor dhe të thjeshtë”.

Politikanët në mbarë botën reaguan të tronditur pas vdekjes së ish-presidentit amerikan Jimmy Carter, por edhe me mirënjohje për trashëgiminë e tij. Presidenti amerikan,  Joe Biden e vlerësoi kolegun e tij demokrat si një “njeri të parimeve, besimit dhe thjeshtësisë”. Në një deklaratë, Biden dhe gruaja e tij Jill shkruan, se  “Amerika dhe bota kanë humbur një lider, burrë shteti dhe humanist të jashtëzakonshëm”. Nëse dikush po kërkon se çfarë është një jetë me kuptim dhe rëndësi – një jetë e mirë – të shikojë Jimmy Carter, vlerësuan Biden dhe bashkëshortja e tij. ” Presidenti amerikan njoftoi një funeral shtetëror për Carter.

Obama: Model për “dinjitet dhe drejtësi”

Ish-presidenti demokrat i SHBA-së,  Barack Obama, vlerësoi Carter-in si një model për “dinjitetin dhe drejtësinë”. Jimmy Carter “na mësoi të gjithëve se çfarë do të thotë të jetosh një jetë me mirëdashësi, dinjitet, drejtësi dhe shërbim” për të tjerët, shkroi Obama në shërbimin online X.  “I dërgojmë mendimet dhe lutjet tona familjes Carter dhe të gjithë atyre që e deshën dhe mësuan nga ky njeri i jashtëzakonshëm”, shkroi Obama.

Edhe presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së,  Donald Trump e nderoi ish-presidentin Carter, si president që “bëri gjithçka në fuqinë e tij për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve” gjatë një kohe sfiduese. Të gjithë i detyrohen atij një borxh të madh mirënjohjeje për këtë. Carter, ndryshe nga rregulli i pashkruar, i kritikoi vazhdimisht presidentët e mëvonshëm – përfshirë edhe republikanin Trump. Ish-presidenti republikan amerikan Xhorxh W. Bush e quajti Carterin një “njeri me bindje të thella”. Trashëgimia e tij do të frymëzojë amerikanët “për breza”.

Siç njoftoi fondacioni i tij, ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter vdiq të dielën në shtetin amerikan të Xhorxhias i rrethuar nga familja e tij. Demokrati Carter ishte president i SHBA nga viti 1977 deri në 1981. Pas mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë, ai u vlerësua në botë si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare në zona të tilla si Lindja e Mesme, Koreja e Veriut dhe Ruanda. Në vitin 2002 ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Jimmy Carter jetoi 100 vjet.

Scholz: “Luftëtar i përkushtuar për demokracinë”

Kancelari gjerman, Olaf Scholz e përshkroi Carterin si “një luftëtar të përkushtuar për demokracinë”. Scholz shkroi në X se “bota po humb një ndërmjetës të madh që punonte për paqen në Lindjen e Mesme dhe të drejtat e njeriut. Ne mbajmë zi me miqtë tanë amerikanë”.

Kurse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vlerësoi mbështetjen e Carter për Ukrainën. Gjatë mandatit të Carter-it, Ukraina nuk ishte ende e pavarur, shpjegoi Zelensky në shërbimin online X. Por “zemra e tij ishte fort në anën tonë në luftën tonë të vazhdueshme për liri”. “Ne e vlerësojmë shumë përkushtimin e tij të palëkundur ndaj besimit të krishterë dhe vlerave demokratike, si dhe mbështetjen e tij të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar të Rusisë,” vazhdoi kreu i shtetit ukrainas, duke iu referuar Carter.

Nga ana e tij, kryeministri britanik, Keir Starmer kujtoi “përkushtimin gjatë gjithë jetës të Carter për paqen”. Carter “me angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për drejtësi sociale dhe të drejtat e njeriut e ripërcaktoi kohën pas presidencës së tij”, shkroi Starmer.

Mendimet e popullit francez janë gjithashtu me amerikanët, deklaroi presidenti francez Emanuel Macron. “Jimmy Carter luftoi gjatë gjithë jetës së tij për të drejtat e më të dobtve dhe pa u lodhur për paqen. Franca i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij dhe popullit amerikan.”/DW

Do të ndikojnë drejtpërdrejtë në mirëqenien globale, pesë sfidat kryesore të ekonomisë botërore në vitin 2025

Ekonomia botërore po përballet me sfida që pritet të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë mirëqenien globale

1. Donald Trump 2.0 fillon në janarMënyra se si do të shkojë viti 2025 për ekonominë botërore varet kryesisht nga një njeri: Donald Trump, presidenti i zgjedhur i ekonomisë më të madhe në botë. Kjo do të thotë se zhvillimet e mëtejshme – edhe përtej vitit 2025 – janë të paparashikueshme dhe të vështira për t’u vlerësuar. 

Pasojat e të ashtuquajturit koncept “Amerika e Para” do të shtrihen shumë përtej kufijve të SHBA-së dhe humoret e Trump-it do ta ndryshojnë rendin global që njohim.

Prosperiteti, globalizimi dhe luftërat e largëta do të vendosen kryesisht në kryeqytetin amerikan të Uashingtonit. E re është vetëm pasiguria dhe kaosi që mund të shoqërojë vendime të tilla.

Trump ka vënë në dyshim bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ka kritikuar ashpër aleatët dhe NATO-n. Aleanca të reja tregtare dhe një Amerikë e orientuar nga vetja mund të kenë pasoja të gjera. Mungesa e një roli të qartë udhëheqës të SHBA-së do t’u japë mundësi vendeve si Kina, India dhe Rusia të mbushin boshllëqet ushtarake, politike dhe ekonomike.

2. Doganat, luftrat tregtare dhe çmime më të larta

Kompanitë preferojnë të planifikojnë paraprakisht dhe prandaj kërcënimi që mund t’u vijë nga rritja e doganave është shqetësues. Trump e sheh idenë e tij si një mundësi për të ndëshkuar vende të tjera për deficitet tregtare të SHBA-së. “Fjala tarifë doganore është fjala më e bukur në fjalor”, tha ai në tetor.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Trump kërcënoi me tarifa të përgjithshme prej 10 deri në 20 përqind për të gjitha mallrat e importuara në SHBA dhe deri në 60 përqind për mallrat kineze që nga dita e tij e parë në detyrë. Kohët e fundit, ai ka thënë se synon një tarifë prej 25 përqind për të gjitha mallrat nga Meksika dhe Kanadaja. Për mallrat kineze do të vendosej vetëm një tarifë prej 10 përqind. Meksika ndërkohë ka kërcënuar me tarifa doganore për prodhimet amerikane. Kina mund të bëjë të njëjtën gjë. Kryeministri i Kanadasë vizitoi Trump-in në Florida për të parandaluar një gjë të tillë.

Për kompanitë e përfshira në zinxhirët globalë furnizimit, një rritje e taksave doganore do të ishte një lajm i keq. Ato do të dëmtonin fqinjët e Amerikës dhe me gjasë do të shkatërronin marrëveshjen e tregtisë së lirë midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë (USMCA), e cila u përfundua gjatë mandatit të parë të Trump-it.

Aktualisht, rreth 80 përqind e eksporteve meksikane dhe mbi 75 përqind e eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Më shumë se gjysma e importeve amerikane të frutave dhe perimeve vijnë nga Meksika. SHBA importon çdo ditë dru dhe miliona fuçi naftë të papërpunuar nga Kanadaja.

Në fund, konsumatorët amerikanë do të përballen me çmime më të larta ose me rafte bosh nëpër dyqane. Ka zëra që pretendojnë se Trump do ta përdorte kërcënimin e tarifave kryesisht si mjet negocimi. Por një blof i tillë mund të çojë në masa hakmarrëse dhe të përshkallëzohet shpejt në një luftë globale tregtare.

3. Imigrimi në kritikë në mbarë botën

Nuk janë vetëm mallrat që mund të përballen me një mur tarifash ndëshkuese. Edhe migracioni global po përballet gjithnjë e më shumë me mure – në kuptimin e plotë të fjalës. Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive në mbarë botën ndiejnë nevojën për të treguar se kanë kontroll mbi kufijtë e tyre, duke vepruar më ashpër ndaj emigrantëve. Kjo do ta bëjë botën më pak të hapur dhe më pak dinamike.

Gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, republikanët premtuan të kryejnë “deportimin më të madh në historinë amerikane”. Këtë ide e ka përvetësuar edhe Trump.

Përveç deportimeve dhe një qëndrimi më të ashpër në kufirin me Meksikën, ai premtoi në një intervistë në fillim të dhjetorit se do të heqë shtetësinë automatike për të gjithë ata që lindin në SHBA.

Presidenti amerikan ka kompetenca të gjera kur bëhet fjalë për migracionin e parregullt. Megjithatë, shumica e propozimeve të tij pritet të përfundojnë në gjykatë. Ai gjithashtu ka fuqinë për të vështirësuar migracionin e ligjshëm, duke kufizuar numrin e migrantëve ose duke ndërlikuar procesin e dhënies së vizave apo të Green Cards.

Mbajtja larg e imigrantëve – ose kthimi i tyre në vendet e origjinës – do të ndikonte në tregun e punës në vend. Të korrat mund të kalben dhe sipërmarrësit mund të zhvendosen në vende të tjera.

Një kufi më i mbyllur me Meksikën do të ketë ndikime tek njerëzit nga Amerika Latine, veçanërisht nga vende si Kuba, Haiti dhe Venezuela.

SHBA-të nuk janë të vetmet që i bëjnë rezistencë migracionit. Bashkimi Evropian ka premtuar të luftojë kundër migracionit të parregullt. Italia po përpiqet të trajtojë kërkesat për azil të refugjatëve në Shqipëri dhe në zgjedhjet e ardhshme në Gjermani, imigracioni do të jetë një temë e rëndësishme.

4. Lufta në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe përtej

Gjatë kalimit në vitin 2025, bota po përballet me një seri konfliktesh të armatosura. Këto luftëra kanë shkaktuar shkatërrime dhe katastrofa humanitare. Përveç kësaj, ato konsumojnë fonde që mund të përdoren në mënyrë më produktive.

Trump ka deklaruar se do ta përfundojë luftën e Rusisë në Ukrainë brenda 24 orëve. Ai mund të ndërpresë ndihmën financiare amerikane që ka mbajtur vendin në këmbë që nga pushtimi tre vjet më parë. Meqenëse SHBA-ja është financuesi më i madh i Ukrainës, kjo mund ta detyrojë Ukrainën të ulet në tryezën e negociatave.

Lufta e Izraelit kundër Hamasit, e cila po zhvillohet në Rripin e Gazës dhe kohët e fundit edhe në Liban, gjithashtu vazhdon dhe mund të përhapet më tej. Në Azi, Republika Popullore e Kinës vazhdon të kërkojë të drejta mbi Tajvanin demokratik, i cili ka frikë nga një pushtim i afërt.

Për dekada, lidershipi i SHBA-së ka formësuar politikën botërore. Megjithatë, Trump ka vënë në pikëpyetje rolin e Amerikës si “polici i botës”. Nëse Amerika nuk i ndihmon aleatët e saj të mbrohen, kjo politikë e trashëguar ndër dekada mund të shuhet. Një rend i ri botëror i tillë mund të inkurajojë Iranin ose Korenë e Veriut të testojnë kufijtë e veprimeve të tyre ushtarake.

5. A do të shpërthejë tani bota e Inteligjencës Artificiale (IA)? 

Lansimi i ChatGPT nga OpenAI në fund të nëntorit 2022 shënoi fillimin e një përdorimi më të gjerë të Inteligjencës Artificiale (IA). Brenda pak javësh, kjo platformë arriti 100 milionë përdorues.

Megjithatë, IA ka ndryshuar jetën e punonjësve dhe bizneseve vetëm gradualisht. Përdorimi i kësaj teknologjie për zhvillimin e ilaçeve ose mbështetjen e mbrojtjes ushtarake mbetet një sfidë e madhe. Kompanitë duhet të përcaktojnë si dhe kur të përdorin IA – dhe të nxisin punonjësit e tyre ta përqafojnë atë.

Për të mbajtur hapin me zhvillimet, ofruesit e IA-së po investojnë masivisht në qendra të mëdha të dhënash. Për t’i ftohur dhe mbajtur ato në funksion, nevojiten sasi të mëdha energjie. Microsoft po mbështet planet për rifillimin e një centrali bërthamor në Pensilvani, ndërsa Google po investon në reaktorë të vegjël bërthamorë për të furnizuar qendrat e tij të të dhënave.

A do të jetë viti 2025 ai kur IA më në fund do të sjellë ndryshimin e premtuar nga mbështetësit e saj? Investitorët, zhvilluesit dhe përdoruesit do të duhet të presin për të parë nëse i gjithë ky konsum energjie do të justifikohet – ose thjesht mund të pyesin ChatGPT për këtë./DW

Pëllumb Gjoka kërkoi pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në ‘Sky’ dhe ‘EncroChat’, Kushtetuesja merr vendimin

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili kërkoi pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në ‘Sky’ dhe ‘EncroChat’.

 

Deskriptimi i bisedave nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre.

Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve.

Pëllumb Gjoka, i shpallur investitor strategjik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pas refuzimit të Gjykatës së Lartë për t’i rrëzuar si prova dhe hequr masën e sigurisë të vendosur nga GJKKO.

Gjoka kërkoi nga Kushtetuesja pavlefshmërinë e komunikimeve “Sky ECC”.