27.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Salvini: Të luftojmë Sorosin si Skëndërbeu turqit

Ministri i Brendshëm Italian, njëkohësisht edhe kreu i Lega Nord, Matteo Salvini gjatë një bashkëbisedimi ka treguar se është e qartë strategjia se si duhet luftuar Xhorxh Soros.
Salvini ka akuzuar Sorosin se ka hedhur 18 miliardë euro nëpër vende të ndryshme në Europë përfshirë edhe Italinë si dhe në SHBA, kundër të djathtës dhe konservatorëve.
Matteo Salvini ka marrë shembullin se si Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu luftoi dhe mundi perandorinë Osmane për më shumë se 25 vite, e cila sipas tij ishte më e fortë dhe e mirë organizuar se ajo e heroit të shqiptarëve.
Sipas tij “aty ku është besimi, fuqia, bashkimi, e vërteta, këta (armiqtë), mund të kenë edhe miliarda, por nuk do të fitojnë. Ti mposhtësh armiqtë me gjithë miliardat e tyre”.
Sipas Salvinit shembulli I Gjergj Kastriotit është edhe shembulli që duhet ndjekur për të mpushtur George Sorosin.
Pjesë nga deklarata e Salvinit
Ndërkohë është një zotëri që ka deklaruar publikisht se ka vënë në dispozicion të tij privat 18 miliard euro që është baraz me paketën fiskale të qeverisë. Shikoni dhe lexoni se çfarë është Fondacioni për Shoqërinë e Hapur i drejtuar nga Geroge Soros, ka filiale në të gjithë Europën. 900 milion euro investime në promovimin e demokracisë në botë, çdo vit.

Në Itali financon dhjetra OJQ. Po ju lë të imagjinoni për çfarë bëhet fjalë.
Kur isha në Romë, fola për një nga heronjtë e popullit shqiptar, Gjergj Kastriotin e shekullit të 15-të, i cili i rezistoi rrethimit, madje edhe dhjetra rrethimeve islamike. Islamike! Sepse historia përsëritet.
Në shekullin e 15-të, në të 18-tin, më 2017. Në atë kohë ata kuptuan që ishin në rrezik dhe u mbyllën në kështjellë e më pas dilnin e sulmonin.
Rezistuan dhe mposhtën një ushtri që ishte shumë më e pasur, më e fortë dhe më e mirëorganizuar. Por aty ku është besimi, fuqia, bashkimi, e vërteta, këta (armiqtë), mund të kenë edhe miliarda, por nuk do të fitojnë. Ti mposhtësh armiqtë me gjithë miliardat e tyre.

Pushteti i një njeriu që ka futur gjithë vendin në krizë

Nga Lutfi Dervishi

Nëse një njeri në Tiranë ka hall (të madh apo të vogël) dhe kërkon ta zgjidhë, në mendje ka vetëm një njeri që mund t’i mbarojë punë: Kryeministrin.
Nëse ka ndonjë njeri, grupim, shtresë, apo parti të pakënaqur, zemërimin duhet ta demonstrojë para një njeriu: Kryeministrit.
Nëse ka ndonjë oligark të kënaqur, por që do të kënaqet akoma më shumë, vetëm një njeri mund t’ia kthejë ëndrrën në realitet: Kryeministri.
Nëse ka ndonjë ndërkombëtar që do të çojë përpara një punë apo reformë, ka vetëm një adresë për të trokitur: zyrën e Kryeministrit.
Nëse dikush ëndërron të zgjidhë ngërçin apo krizën, njeriu i parë që ka në mendje është Kryeministri.
Nëse ka një njeri me një të drejtë që ligji ia njeh 100 për qind, ai nuk duhet t’i besojë ligjit, por duhet të shkojë te Kryeministri.
Para se mendja “të shkojë” tek partia, qeveria, ministria, institucioni, parlamenti, prokurori, polici, gjykatësi, gazetari, madje edhe te protestuesi, ajo vete te një individ: Kryeministri.
Vetë Kryeministri për çdo të interesuar ka vetëm adresën ShqipëriaQëDuam.al!
Në kushtet e rrënimit të institucioneve të vjetra të drejtësisë (3) dhe të përpjekjes për të ngritur (13) institucione të reja të drejtësisë së re; në kushtet e largimit të opozitës nga parlamenti, është krijuar një boshllëk ku nuk ka më asnjë pushtet në këmbë që kufizon dhe balancon pushtetin e një njeriu.
Nëse Lenini u mbajt mend për këmbënguljen “i gjithë pushteti sovjetëve” (partisë), kjo periudhë do të mbahet mend si koha kur të gjitha pushtetet i ka një njeri.
Kryeministri nuk ka partnerë në koalicion që të thotë se po e pengojnë; nuk ka më ministra ndaj të cilëve mund të bëjë protestë opozita apo studentët; nuk ka asnjë gardh kushtetues që ta fokusojë tek qeverisja dhe situata ndërkombëtare i lejon luksin të shqetësohet më shumë për të ardhmen e rajonit të Ballkanit sesa të ardhmen e opozitës në vend.

Pushtetit që nuk ka as kuletën dhe as shpatën – drejtësia e re – për fat të keq ende nuk i kanë dalë as dhëmbët, as thonjtë.
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese të shqyrtojë ligje që mund të cenojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut. Nuk ka Gjykatë të Lartë që të paktën të numërojë dosjet e reja që u shtohen 30 mijë dosjeve që presin për shqyrtim dhe mund të mos kemi as Gjykata Apeli për shkak të vetingut… Në fakt, me vendimet e fundit ndaj figurave të errëta të krimit të rrugës dhe atij të organizuar nuk ka më as Gjykatë Fakti. Tani gjithnjë e më shumë i ngjajmë njeriut që zgjohet dhe sheh vetëm epilogun e një filmi horror.
Vetingu provoi se pema e drejtësisë ishte kalbëzuar prej kohësh me rrënjë e me degë. Por edhe vetingu do të bëhet vetë për veting nëse nuk do të ndalohen kandidaturat flagrante që kanë kaluar shkallën e pare, si dhe nëse nuk u jepet fund standardeve të dyfishta në skanim.
Nuk kapërdihet që njërit “subjekt të rivlerësimit” i kërkohet të përgjigjet se sa banorë ka Tokio dhe tjetri pyetet për emrat e banorëve të Tokios.
Nxitimi nga miqtë për të vënë në lëvizje, sa më shpejt të ishte e mundur, trenin e ri të drejtësisë edhe në shkelje të ligjit, e ka bërë të “përhershme” prokuroren e përkohshme, kandidaturë që i madh dhe i vogël, i majtë dhe i djathtë, vendor dhe ndërkombëtar, duhet të jenë tashmë të bindur që, më e pakta, as nuk është dhe as nuk mundet të ngjitet në lartësinë e detyrës.
Dyshimi për drejtësinë e re do të davaritet vetëm ditën kur qeveria do të jetë “e frikësuar” dhe jo entuziaste për këtë reformë, nëna e të gjitha reformave; ditën kur njerëzit që janë kandidatë për t’u hetuar nga Gjykata Sepciale Kudnër Korrupsionit (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të dridhen dhe jo të tregojnë gishtin nga të tjerët… kjo ditë duhet shpallur “Dita e Drejtësisë”. Në këtë ditë mund të thuhet se beteja ia ka vlejtur, ia ka vlejtur se ka qenë betejë për drejtësi të pastër dhe jo drejtësi të kapur.

Nuk ka pushtetarë që i gëzohen drejtësisë. Pushtetari i gëzohet pandëshkueshmërisë.
Deri tani fjala është “reforma”, kryefjala është PANDËSHKUESHMËRIA! Dhe jo vetëm pandëshkueshmëria!
Pandëshkueshmëri, plus tallje.
Që votat blihen në Shqipëri është njëlloj sikur të thuhet se “sot është e shtunë”. Pas 3 dekadash, zgjedhjet mbeten thembra e Akilit e demokracisë në Shqipëri. Zgjedhjet parlamentare janë kontestuar më 1991-shin, 1996-n, 1997-n, 2001-shin, 2009-n dhe tashmë edhe ato të 2017-s. Pranimi i zgjedhjeve (1992, 2005, 2013) ka qenë përjashtim. Zgjedhjet e fundit ishin model për qetësinë, fushatën pa shumë shpenzime në dukje dhe shpejtësinë me të cilën u mbyllën. Vetëm 3 ankesa sa për shenjë në KQZ (nga një nga PD, PS dhe LSI).
Por pjesa e padukshme për të cilën bëhet sot sherri është vendosja e fatit të zgjedhjeve jo më në ditën e votimit dhe as gjatë fushatës elektorale. Përgjimet e bëra publike të disa grupeve kriminale shfaqin lidhjen e shkurtër të krimit të organizuar me pushtetin politik. Ne vetëm mund të spekulojmë me përmasat e kësaj dukurie, por është revoltues reagimi si ndaj raportimit, ashtu edhe ca më keq ndaj vetë dukurisë së shëmtuar të shitblerjes së votës. Nuk ka distancim dhe dënim, por justifikim dhe shfajësim. Refuzimi është në një zë: “Nuk janë fakte, nuk janë prova, janë indicie, le të flasë drejtësia”. Shitblerja e votës nuk është çështje që duhet t’ia kërkojmë drejtësisë, është çështje që duhet t’ia kërkojmë Kryeministrit, në mënyrë që lista e njerëzve që duan “takim” me të të jetë më e shkurtër se ajo e përshkruar më sipër.
Dhe kur flasim për zgjedhjet dhe shitblerjen e votës nuk kemi përballë engjëjt me djajtë, por të kapurit me presh në dorë së paku nuk duhet të fluturojnë me presh.
Ku janë faktet? Ndonjëherë “fakti është brenda” dhe nuk ka nevojë ta shohë njeri. Zgjedhjet e parakohshme vendore në Dibër më 2016-n, përgjimet e grupeve kriminale, dosja 339 dhe ndonjë dosje tjetër e mbyllur tregojnë se frika për një mekanizëm shit-blerje vote është e përligjur dhe memecëria e prokurorisë është komprometuese.

Dhe kur drejtësia sillet si shërbëtore edhe për raste skandaloze të grabitjes së parave publike, kupa e mbushur plot nis të derdhet. Abuzimi pinderik me fonde publike në një anë dhe arroganca ndaj të pamundurit në anën tjetër (kujto tentativën apo prishjen e paligjshme të shtëpive) krijojnë mjaftueshëm “tritol” për të shpërthyer në formën e protestës së studentëve, protestës së kukësianëve apo “shpërthimeve” të kontrolluara para derës së Kryeministrit.
Opozita ka denoncuar një pjesë të abuzimeve pinderike në parlament dhe në media. Opozita ka organizuar edhe protesta masive. Protesta e 16 shkurtit ishte më e madhja e organizuar nga kjo opozitë që prej 2013-s. Përgjigjja e parë: tallja dhe shpotia. Përgjigjja e dytë: relativizimi: “Ne nuk vrasim protestues”.
Opozita në Shqipëri nuk është opozitë e shtypur, është opozitë e tallur. Dhe është tallja e bashkuar me pandëshkueshmërinë që çon në dëshpërim dhe veprime dëshpëruese.
“Gjuha eshtra nuk ka dhe eshtra thyen”—thotë një fjalë e urtë.
Opozitën nuk e fajëson dot se nuk po qeveris mirë, sikundër nuk e duartroket dot për gjuhën, për vezët, për miellin, për bojën në Kuvend dhe as për kokëfortësinë ndaj miqve.
S(A) duhen dëgjuar miqtë?
Sot ndërkombëtarët i kërkojnë opozitës të bëjë betejë në parlament dhe të denoncojë në gjykatë! Kështu duhet në çdo rrethanë dhe në çdo kohë. Kjo është receta standarde për një vend ku ekzistojnë gardhet kushtetuese dhe parimi i shenjtë i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Miqtë e Shqipërisë kanë investuar shumë për transformimin e vendit; kanë ardhur jo më larg se ‘97-a edhe me ushtri për të vendosur paqe, për shkak të marrëzisë sonë; kanë investuar miliarda me synimin që edhe ne të bëhemi si ata, të bëhemi një vend normal dhe i parashikueshëm, të bëhemi një vend me ekonomi tregu, ku mbizotëron konkurrenca dhe jo PPP-të dhe oligarkët. Miqtë kanë investuar për një drejtësi të pavarur dhe jo një drejtësi ku njerëzit e drejtësisë janë shërbëtorë ndaj politikanëve dhe kriminelëve dhe prokurorë e gjyqtarë ndaj atyre që nuk kanë paguar faturën e energjisë elektrike apo kanë shkelur vijat e bardha në rrugë. Miqtë kanë investuar prej 3 dekadash për një media të lirë dhe të pavarur dhe jo për një vend ku media bëhen politikanët. Miqtë kanë investuar për një vend ku ka ndarje dhe balancim të pushteteve dhe jo të gjitha pushtetet në dorë të një njeriu; kanë investuar për pluralizëm politik dhe jo për parti sulltanësh. Miqtë kanë investuar që vendi të ketë një parlament si bartës i sovranitetit të popullit dhe jo një parlament ku përbërja e tij është vullnet i listës që hartojnë 3-4 kryetarë partish.
Hapi i parë i zgjidhjes së krizës është njohja dhe pranimi se kemi krizë. Hapi i dytë, duke u marrë me rrënjët e problemit dhe jo thjesht me frutat e kalbura, që i shohim në ekranin e madh apo të vogël.
Miqtë kanë investuar dhe janë në të drejtën e tyre të “kërkojnë llogari” për investimin, sikundër duhet të kuptojnë se në kriza, të cilat ne i kemi ciklike, as nuk e kanë kapur demin për brirësh dhe as kanë parë për rrënjët e problemit.
Është koha për të dëgjuar miqtë e Shqipërisë, por është edhe koha që vetë miqtë të bëjnë bilanc.
Ne kemi kohë gjithmonë për të bërë bilancin e marrëzive tona. Madje kemi kohë të ulemi për të parë një film horror, të dremisim pak dhe kur të zgjohemi të habitemi me epilogun e tij.

Denoncimi i Berishës: Rama mashtroi shqiptarët për mbylljen e kazinove dhe lojërat e fatit, bixhozi vazhon

Rama mashtroi shqiptarët për mbylljen e bixhozit pasi ai vijon ende. Denoncimi është bërë nga një qytetari i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha.
Sipas tij, biznesi i bixhozit vijon ende në vendin tonë dhe kjo me bekimin e njerëzve pranë kryeministrit Edi Rama.
Postimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha
Bixhozi i siçilistëve lulëzon krenar!
Per kakistokratet ligji nuk ekziston!
Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. sb
Ai i gjati qe thote i kemi mbyllur gjithe kazinote dhe lojerat e fatit. Te lutem zoti Berisha beje publike keta dy pika jane duke u zhvilluar cdo dite se ai Sander Lleshi thote fetyra e cdo polici a fetyra ime po ai keka fetyre dhe i pa burre qenka nje mashtrus i lindur ala sott e kesaj dite jane lojerat e fatit dhe aparatat ne pronesin e Sander Lulit ne Shengjin 10 m larg 9 vjeqares ne Shengjin ngjitun me restorant Detarin po zhvillohen,e di pse se Sanderi eshte miku i Gjergj Luces qe i bleu shkollen dhe e futi me inspektimin e peshkut ne det dhe nga miku i forte i tij qe eshte Gjergj Luca ai mban ala lojera te fatit,kurse ne Lezhe i mban Gjon Noka djali i agjes Arben Nokes.Ju lutem shperndaji qe ti shofe “i nershmi” Sander Lleshaj. Anonim ju lutem edhe nese policia nuk vepron do te dergoj prap foto dhe vidio duke i zhvilluar prape lojerat e fatit.

Veq duhet per te hecur per Gjergj Lucen dhe ai te lejon te beje cfare te duash me ligjin ky me te kuqe eshte Sander Luli kurse te ajo fotja tjeter eshte Sanderi me mikun e tij Gjergj,edhe aq mik te forte qe ka i mban te hapur 10 m larg shkolles 9 vjeqare At Zef Pllumi Shengjin ti shkoje nje kontroll edhe ta shikojme a ka nuk ka dhe mbas pubilikimit tend do te dergoj foto e vidio prap mbas nje jave duke i zhvilluar prap se ato nuk i ndalon policia se jane miku i Gjergj Luces Ju lutem anonim

Lubonja: Shqiptarët do të shpërthejnë, të shpëtojmë vetveten me lëvizje demokratike

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar aktualitetin politik në vend si dhe djegien e mandateve nga opozita. Lubonja u shpreh se, problemet e shqiptarëve duhet ti zgjedhin vetë shqiptarët me levizje demokratike dhe jo ndërkombëtarët.
“Rrugëdaljet mund të jenë të shumta. Varet ku na nxjerr dalja. Daljet janë të ndryshme. Të tjera dalje mendon kryeministri, të tjera opozita dhe të tjera qytetarët. Rrugëdalja do të thotë rikthim në normalitet. Çështja e rrugëdaljes është pak komplekse. Gjykimi që kam unë për ndërkombëtarët besoj e ata janë më të lumtur për status quon. Unë i konsideroj si pjesë e problemit më shumë sesa e zgjidhjes.
Zgjidhjen duhet ta gjejmë vetë. Turqia, Polonia ka probleme, por nuk u bëjnë thirrje ndërkombëtarëve. Ne kemi gjithmonë këtë defekte se themi Amerika, por ka shumë Amerika. Ka Amerikë të Trump të Clinton etj. Ashtu është edhe Evropa me shumë faqe. Shqipëria është ende nën sundimin e establishmentit të vjetër. Brukseli është identifikuar si establishment i vjetër. Shqipëria përdor narrativën e tranzicionit drejt Evropës. Ne na thonë keni bërë ca hapa, por duhet të bëni më shumë. Unë mendoj se nuk kemi bërë hapa para”, tha Lubonja ne nje lidhje direkte me emisionin “Opinion” në News 24.
I pyetur se si do shkojë situtat politike mes palëve nëse do ketë luftë pa kompromis apo një pikë takimi mes palëve, Lubonja u shpreh se më shumë mundësi mund të ndodhë e dyta.

“Ka më shumë mundësi që mund të arrihet një pikë takimi mes palëve, por varet me çfarë rrethanash dhe kushtesh. Çfarë do fitojë njëra palë dhe pala tjetër. Por nuk përjashtohen edhe skenarë më të vështirë siç është skenari që Rama të vazhdojë në rrugën e partisë shtet dhe partisë e tjera të mbeten jashtë sistemit. Nuk dimë nëse mund të lindë gjë e re apo jo sepse edhe nëse lind ndonjë gjë e re është destinuar të vdesë. Nga Lëvizjet mund të pritet vetëm diçka që mund të jetë më konsistente dhe qe të jetë më e fortë. Jemi në një kërcim në errësirë që nuk e dimë ku do bien këmbët. Unë jam skeptik se mund të na shpëtojnë ndërkombëtarët. Duhet të shpëtojmë vetveten me lëvizje demokratike”, tha Lubonja.
Sipas Lubonjës dhuna që ndodhi në protestë, pati efekte sepse tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe se Ramën do ta destabilizonte një heqje e mbështetjes së ndërkombëtarëve.
“Dhuna që u ushtrua pati një efekt se tërhoqi proxhektoër se çfarë po ndodh në shtëpi. Shqiptarët herët ose vonë do të shpërthejnë. Ramën do ta destabilizonte një heqje e mbështetjes së ndërkombëtarëve. Ai po mundohet që kjo të mos ndodhë. Rama e donte opozitën si fasadë, por vendimmarrjet e tij kanë qenë të njëanshme. Kriza është një krizë imazhi e Shqipërisë që nuk e dimë se sa mund ta turpërojnë Ramën. Por ai nuk e njeh turpin. Kemi rastin e Astirit. Ai hoqi nja 7 ministra për të treguar që unë jam i ndjeshëm. Ai bën operacione fasadë”, tha Lubonja.

Rama fali Eskobarin, Berisha: Tani e ka radhën Aldo Bare!

Pas vendimit të Gjykatës Për Krime të Rënda për gjykim të shkurtuar ndaj Klement Balilit, ish-Kryeministri Berisha përmes një postime në rrjetet sociale ka deklaruar se “krye kreu Ediskobari fali për dënimin e rëndë që meritonte Eskobari i Ballkanit” (Klement Balili).
Sipas Berishës, kjo bëhet për shkak të videove që disponon Balili si dhe sjellja e mirë e tij sipas ish-kryeministrit që për një vit arrati do ti njihen tre vite burg nga gjykimi i shkurtuar.
Berisha shton më tej se, së fundi radhën tashmë të gjykimit të shkurtuar e ka Aldo Bare.
Statusi i plotë i Berishës
Ediskobari fali Eskobarin!
Te dashur miq, sot ashtu siç ishte njoftuar, premtuar dhe parashikuar, krye krye kreu Ediskobari fali per denimin e rende qe meritonte Eskobarin e Ballkanit, Klement Balilin. Shkaqet e faljes jane:
1-Thesaret e Balilit, dmth Videot me orgji te regjistruara ne Santa Quaranta te vet Ediskobarit dhe narkoqeritareve te tij.
2- Sjellja e mire dy vite ne arrati e Eskobarit çka detyroi Ediskobarib ti njohe 1 vit arrati per tre vite burg dhe ti rezervoje gjykimin e shkurtuar.

Kjo e fundit u thote te gjithe krimineleve qendroni ne arrati po deshet qe te keni lehtesi, natyrisht po patet video me orgji.
Se fundi radhen e gjykimit te shkurtuar e ka tani Aldo Bare.
Miq, kjo eshte drejtesia e Edvinit, duhet ta shporrim nje minute e me pare.
Revolucioni do te fitoje! Sb
Kujtojmë se gjatë paraditës së sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar gjykim të shkurtuar për Klement Balilin, i akuzuar për trafik të lëndeve narkotike. Pretenca e Prokurorisë për Balilin do të jepet me 12 mars.
Gjykata ka pranuar kërkesën e Klement Balilit për gjykim të shkurtuar me arsyetimin se është një e drejtë që e ka një person duke qenë se ai ishte në rregull me të gjitha rregullat e kërkesës për gjykim të shkurtuar.
Gjykimi i shkurtuar i jep të drejtën Balilit të përfitojë ulje të dënimit, në rast të shpalljes fajtor.
I cilësuari si “Eskobari i Ballkanit” akuzohet për “trafik të lëndëve narkotikeve”, “grup të strukturuar kriminal”, “mosdeklarim të pasurisë” dhe “pastrim parash”.
Kujtojmë se Klement Balili u vetëdorëzua në polici, pikërisht gjatë momentit që dosja ishte dorëzuar në Gjykatë nga ana e Prokurorisë.

Basha: Po përgatitet arrestimi i Dakos, asnjë përpjekje fasadë nuk do ta shpëtojë dot Edi Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë prononcimit për mediat pas takimit me krerët e degëve të PD-së në Tiranë, u shpreh se kryeministri Edi Rama duhet të largohet.
Basha u shpreh se po përgatitet arrestimi i kryebashkiakut Vangjush Dako dhe sipas tij, arrestimi i tij duhet të kishte ndodhur shumë kohë më para, që më publikimin e dosejse 339 që faktoi blerjen e votave.
Kreu i opozitës ftoi ndërkombëtarët të mos gënjejnë veten, se nuk është çështja vetëm tek arrestimi si koka turku i Vangjush Dakos apo Qazim Sejdinit
“Ajo që dua të ndaj me ju është një paralajmërim për Edi Ramë, asnjë fasadë nuk do ta shpëtoj dot nga përgjegjësia që ka. Orët e fundit janë intensifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Arrestimi duhet të ndodhej që kur doli dosja 339, që u kap në përgjimet për të tjetërsuar votat e Durrësit. Mosarrestimi është bërë nga Edi Rama për këtë ai flijoi edhe Fatmir Xhafën.
Çdo shqiptar e kupton që zgjidhja e problemit në këtë vend vjen vetëm me largimin e Edi Ramës. Mund të flijohet Vangjush Dako, apo edhe njerëz të tjerë edhe më afër tij. Vendi nuk mund të mbetet më peng i njerëzve që e kanë plaçkitur. Edi Rama duhet të largohet.

Mjaft është mjaft! Tani që jemi krah shqiptarëve pa imunitet, përkrahja do vazhdojë. Kërkojnë një parlament që del nga vota e njerëzve. Prandaj është e rëndësishme që Dako të arrestohet në mënyrë që mos i shkoj më ndërmend asnjë deputeti të asnjë lloj ngjyre.
Beteja po avancon, po avancon edhe aty ku është, i strukur nga frika është gati të dorëzojë bashkëpunëtorët në krim. Edi Rama duhet dhe do të largohet. Opozita do vazhdojë e vendosur deri në çlirimin e Shqipërisë, drejtësisë dhe partisë socialiste”, u shpreh Basha.
Sipas Bashës, arrestimi i tij nuk e shpëton kryeministrin Edi Rama.

Media gjermane: Në Shqipëri, meritokracia është zëvendësuar me paranë dhe partinë

Kur skandalet në një vend plasin në mënyrë periodike, kur akuza për afera të larta korruptive mbushin kryetitujt e mediave, por në fund i lihen harrimit e jo marrjes së përgjegjësisë, njerëzit vërtet mësohen me të keqen, por humbasin besimin tek ata që kanë në krye. Shoqëria mpaket e rritet dëshira për t’u larguar nga një vend, siç po ndodh në Shqipëri. Ankesa më e shpeshtë – ky është një vend, ku postet nuk merren me meritë. Skandali i fundit i plagjiaturave që goditi si një dallgë e re e ftohtë shoqërinë e forcoi edhe më shumë këtë mungesë meritokracie. Jo se fiktiviteti nuk njihej , por përmasat e tij e nivelet që kapte ishin shokuese.
Radhazi dolën në media kapituj doktoraturash të kopjuara, diploma fiktive, zbulime deklarimesh të pasakta për studime në universitete. Personat pas tyre ishin ndër emrat më të njohur të Shqipërisë. Deputetë, funksionarë të lartë, zëvendësministra, një ish-ministre, një ministre e qeverisë aktuale. „Numri i individëve me diploma të diskutueshme është rreth një e treta e parlamentit, numri i individëve që është provuar që kanë diploma fiktive, tituj fiktivë ose kurse fiktive të deklaruara është provuar të paktën në 10-15 raste”, thotë drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, i marrë gjatë me këtë temë. Që praktikisht do të thotë se në Shqipëri tanimë një kastë politikanësh me integritet të dyshimtë merr vendimet për një popull që pret kaq shumë nga politika. Për shkrimtarin e njohur, Moikom Zeqo, një nga deputetët e parlamentit të parë pas rënies së diktaturës, ky është “një mashtrim kombëtar”. Në një intervistë për gazetën “Dita”, ai e cilëson këtë fenomen në politikë si fabrikim të personaliteteve të rremë.
Të zbukurohesh me tituj për të rritur prestigjin
Plagjiatura, një virus që prek më shumë politikanët? Politologja e Shoqatës Gjermane për Politikën e Jashtme, që merret me Ballkanin Perëndimor, Dr. Natascha Ëunsch thotë për DË, se „titujt si ai i doktorit shkencor shihen në shumë vende si një kualifikim pozitiv për poste publike, e kjo i shtyn herë pas here politikanët që gabimisht të duan të zbukurohen me tituj të tillë dhe/ose të dorëzojnë edhe plagjiatura.”

Edhe në Gjermani pati disa raste të zbulimit të plagjiaturave, nga qytetarë që i verifikuan rastet e dyshimta, por ato rezultuan me disa heqje titujsh dhe me dorëheqje, madje edhe të ministrit gjerman të Mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg dhe ministres së Arsimit Annete Schaëan asokohe. Në Shqipëri, veҫ dorëheqjes së një zëvendësministri arsimi, publikimet e plagjiaturave me fotografim të kapitujve të kopjuar janë mohuar nga gati të gjithë emrat e përmendur të deputetëve të parlamentit shqiptar. Edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i mohoi akuzat për plagjiaturë. Shkrimtari dhe ish-deputeti, Moikom Zeqo kërkon hapur dorëheqjen për raste të tilla. “Cilido deputet që ka marrë një titull e që është vërtetuar plagjiatura duhet të japë menjëherë dorëheqjen.”
Qeveria zyrtarisht e dënon fenomenin, por sipas drejtorit të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi qeveria nuk i kushton rëndësi të madhe, megjithëse aktualisht kemi një ish-ministre dhe një ministre aktuale me diploma fiktive. “Paradoksi bëhet edhe më absurd, kur zyrtarisht qeveria ka mbajtur retorikë kundër fiktivitetit në titull dhe karrierë…e në krah qëndrojnë ministra të akuzuar për plagjiatura.”
Si u futën “të fortët” në politikën shqiptare?
Por pika e kthesës në politikën shqiptare, kur madje në parlament u futën jo vetëm njerëz me diploma jo të marra me meritë, por edhe elementë kriminalë, që siç dihet, shkaktoi debate për vite me radhë, i ka rrënjët më të thella. Politologu Afrim Krasniqi shpjegon se në një moment të caktuar, kur politika kishte probleme përfaqësimi, ajo iu afrua njerëzve që njihen si “të fortët”, biznesmenëve të tranzicionit. “Ata kishin dy cilësi, dominimin në zona elektorale dhe paranë, por jo statusin social. Këtë ata u munduan ta krijojnë përmes CV-ve fiktive.” E për shkak se Parlamenti Shqiptar e merr si të mirëqenë deklarimin e deputetit dhe nuk bën verifikime të mëtejshme, valën e fiktivitetit që iu sul parlamentit shqiptar këto vite nuk e ndali kush.

Nuk e ndali as Ministria e Arsimit. Kërkesës së Institutit të Studimeve Politike kjo ministri, i përgjigjet se ka të drejtë të verifikojë vetëm individët që kanë trokitur në ministri dhe kanë bërë regjistrimin me sjelljen e diplomave. “Kur i kemi paraqitur listën e deputetëve me diploma të deklaruara, ata na kanë thënë, nga këta kaq persona kanë deklaruar dhe ia kemi njohur, për të tjerë që nuk kanë bërë kërkesë nuk mbajmë përgjegjësi.”, thotë Afrim Krasniqi. Vërtet që Ministria e Arsimit e ka një rregullore për kontrollin antiplagjiaturë të disertacioneve.”Ministria siguron softëare për kontroll automatik apo pajisje të tjera që i shërbejnë kontrollit për plagjiaturë”, thuhet në një nga vendimet e Këshillit të Ministrave të vitit të kaluar, por duket se këto janë më shumë fjalë të bukura në letër.
Dështimi i institucioneve përgjegjëse për produktin shkencor
As institucionet më të rëndësishme të verifikimit të vërtetësisë e cilësisë së produktit shkencor, universitetet nuk kanë arritur me sa duket ta kryejnë detyrën e tyre. Universitetet duhet të bënin verifikimin e secilit nga rastet e përmendura, por universitetet nuk e bëjnë, thotë Afrim Krasniqi. „Sistemi është shumë i mbyllur, bordet dhe drejtuesit e universiteteve zgjidhen nga qeveria. Ata janë zyrtarë të vegjël, ndërkohë që akuzat janë bërë për nivele të larta.”
Nuk ishin universitetet, ato që zbuluan skandalin e plagjiaturave në diplomat apo doktoraturat e politikanëve, por individë të angazhuar. Vladimir Kola, i cili ka përfunduar doktoraturën për të drejtën publike në Itali është njëri nga personat, që zbuloi një seri plagjiaturash, mes tyre edhe të politikanëve. Për Deutsche Ëellen ai shpjegon pse i hyri një rruge të tillë: „Motivet janë të shumta, por së pari nga fakti se në konkurset, ku kam konkurruar për personel akademik, kam vënë re qartazi mungesë meritokracie dhe serioziteti, ku kandidatë pa doktoraturë apo pa ndonjë shkrim shkencor me cilësi, gjendeshin të listuar te fituesit, apo të punësuar, ndërsa të tjerë me doktoraturë, si në rastin tim, nuk dilnin fitues. …Jam shtyrë të zbuloj plagjiaturat e ndryshme, pasi kam vënë re se kishte edhe interes publik mbi probleme të tilla.”
Fenomeni i masterizimit
Fenomeni nuk është i pranishëm vetëm në politikë. Sipas Vladimir Kolës ”fenomeni është i pranishëm tek të gjitha kategoritë, por natyrisht njerëzit që janë të pushtetshëm, në përgjithësi “gardhin” që duhet të kapërcesh për të marrë doktoraturën e shohin ose e kanë më të ulët se të tjerët.”

Ky fiktivitet shqetësues në Shqipëri duket se rrënjët i ka ekonomike. Ka qenë një ligj i arsimit të lartë i vitit 2007, i cili i hapi rrugën masterizimit masiv të viteve të fundit, “sepse doli një vendim i Këshillit të Ministrave, sipas të cilit individët që kanë gradë shkencore në mënyrë automatike nëse punojnë në administratën publike marrin rritje rroge. E pothuaj se e gjithë administrata publike qendrore u fut në master apo nivele të tjera të kualifikimit”, shpjegon Afrim Krasniqi.
Një master sillte rrogë më të mirë, edhe nëse ai nuk bëhej në profesionin që ushtrohej. Një master të ndihmonte të ruaje vendin e punës. Reforma e re arsimore e ka ndryshuar këtë, por pasojat nuk janë zhdukur. Zhytjen në fiktivitet e pranojnë jashtë mikrofonit të gjithë, por megjithatë një “veting” në këtë drejtim nuk është i dëshirueshëm. “Fenomeni prek një një numër të madh personash. Askush nuk ka interes”, thotë Afrim Krasniqi.
Shija e hidhur e humbjes së besimit
Quo Vadis Shqipëri? Drejt Europës me elita fiktive? Drejt Europës me shitblerje masterash e plagjiatura? “Në Shqipëri është krijuar ideja se gjithçka shitet, edhe shkenca, i gjithë sistemi krijon impaktin, se kur e kanë bërë këta, e kanë bërë karrierë, pse duhet ta vrasë mendjen unë, të bëj studime të thelluara, kur e marr të gatshme”, kritikon Afrim Krasniqi. Me “ata” nënkuptohen politikanët, elita drejtuese e vendit. Me “unë” të rinjtë që janë në prag të karrierës.
Pasoja – një zhgënjim i madh i brezit të ri për një vend, ku meritokracia zëvendësohet nga paraja apo partia. Protestat studentore të muajit të fundit në Tiranë e shprehën qartë këtë zhgënjim. 79% e të rinjve në Shqipëri duan të largohen nga vendi, sipas një vrojtimi të institutit Gallup. Politologja gjermane, Dr. Natascha Ëunsch shikon tek përhapja e rasteve të plagjiaturave rrezikun e deziluzionimit në shoqëri. “Përhapja e rasteve të plagjiaturës jo vetëm varros besimin tek një politikë nxitëse e meritokracisë, por ajo mund të ketë si pasojë edhe emigrimin e personave të mirëshkolluar. Ky problem është shumë më i gjerë, sepse në tërësi procedurat meritokratike në vendet në tranzicion nuk janë të zhvilluara mirë, dhe postet publike zihen shpesh me lidhje personale apo përkatësi partiake. Kjo jo vetëm çon në zhgënjim nga popullata, por ka efekt negativ edhe në cilësinë e vendimmarrjes në proceset politike. Prandaj ka rëndësi që të jenë lart në axhendë të reformave politike procedurat transparente në administratën publike.”
Kërkohet një mekanizëm efektiv i parlamentit shqiptar, me kompetenca vepruese për të shmangur në të ardhmen infiltrimin e individëve me diploma fiktive, kërkon Afrim Krasniqi. Skandali i plagjiaturave në Shqipëri hodhi edhe një hije tjetër të errët mbi politikën shqiptare, që vuan nga imazhi i korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar. Por e pati edhe një një anë të mirë: Ishte hera e parë që në Shqipëri u fol kaq hapur e gjatë për një problem të tillë. Plagjiaturat i kanë sensibilizuar të gjithë. “E kush do të publikojë tani në të ardhmen, apo do të hyjë në politikë, do të ketë vëmendje më të madhe”, shpreson Afrim Krasniqi.

“Deutsche Welle”

Analiza e VOA: Vetëm 4 në 10 qytetarë europianë besojnë tek BE, megjithëse…

Një poster në selinë e Tubimit Kombëtar pranë Parisit, tregon Marine Le Pen duke buzëqeshur pranë Ministrit të Brendshëm italian dhe ushëheqësit të Ligës Veriore, Matteo Salvini.
“Kudo në Evropë, idetë tona po vijnë në pushtet”, lexohet në poster.
Mesazhi nuk është thjesht një aspiratë. Ndërsa nxehet fushata për zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj, ekspertët parashikojnë që dy udhëheqësit e së djathtës së skajshme dhe ata të lëvizjeve të tjera nacionaliste të marrin mbështetje të fortë dhe gjasat janë që pasojat në Bashkimin Evropian të jenë të ndjeshme.
“Në këto zgjedhje vetëkënaqësia do të ishte e rrezikshme”, thotë analistja Susi Dennison, e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë. Ajo vlerëson se partitë “anti-evropiane” mund të sigurojnë deri në një të tretat ose edhe më shumë të votave. “Ideja e ndryshimit, se sistemi politik është jofunksional, ka shumë peshë mes votuesve evropianë”, thotë ajo.
Edhe Le Pen parashikon një ndryshim të thellë, duke e quajtur votimin e majit, një “pikë kthese historike”.
“Bashkimi Evropian ka vdekur. Rroftë Evropa”, tha ajo në një intervistë së fundmi me gazetarët anglishtfolës.
Nëse pritshmëria e saj realizohet. Zgjedhjet do të konsolidojnë një prirje që ka sjellë euro-skeptikët në pushtet në Hungari, Itali, Austri dhe Poloni, duke dobësuar edhe më tej një Bashkim që është i tronditur nga ndasitë e brendshme dhe dalja e pritshme e Britanisë.
Në Francë, forca politike e Marinë Le Pen, është rimëkëmbur nga humbja e thellë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare para dy vitesh, duke u bërë forca kryesore opozitare në vend.
Nga periferikë në pothuajse forcë tradicionale
Dikur Tubimi Kombëtar – që e ndryshoi emrin nga Fronti Kombëtar që quhej më parë – ishte një forcë politike e jashtme, por tani pothuajse është bërë pothuajse pjesë e rrjedhës qendrore, falë dobësimit të së djathtës së qendrës dhe së majtës së qendrës në vitin 2017 dhe një zhvendosjeje të mbështetjes së votuesve në tek periferitë politike.
Në një shenjë suksesi për këtë force, partia konservatore Republikanët, ka adoptuar një pjesë të retorikës së saj të skajshme, veçanërisht për temëm e emigracionit.

Le Pen ka përfituar gjithashtu nga rënia drastike e mbështetjes për Presidentin, Emmanuel Macron dhe programit të tij reformist, që vihet re në protestat e “jelekëve të verdhë”.
Për zgjedhjet e Bashkimit Evropian, ajo ka zgjedhur luajalistin 23 vjeçar Jordan Bardella, të kryesojë listën e partisë, për të konsoliduar apelin ndaj votuesve të rinj. Anketat e fundit kanë treguar se partia e saj gëzon të njëjtën mbështetje si edhe partia e Macronit Republika në Lëvizje, megjithëse një sondazh i së premtes arrinte në përfundim se përkrahja për të po bie.
Megjithatë tradicionalisht, ajo ka pasur rezultate të mira në zgjedhjet e Parlamentit të Bashkimit Evropian, duke dalë e para në vitin 2014, me pothuajse një të katërtën e votave. Këtë radhë, Le Pen parashikon një fitore edhe më të thellë.
“Mendoj se Evropa po lëviz drejt kthimit të shteteve-kombe dhe ne jemi pjesë e kësaj lëvizjeje të madhe politike. Synimi ynë është ta kthejmë Bashkimin Evropian në një bashkëpunim mes shteteve dhe jo ky lloj super-shteti evropian”, tha ajo.
Rënie e mbështetjes për partirë pro BE
Një parashikim i Parlamentit të Bashkimit Evropian javën e kaluar, duket se e përforcon pritshmërinë e saj. Ndërsa dy blloqet kryesore të parlamentit, Kristian-demokratët dhe socoalistët do ta ruajnë epërsinë e tyre, pritet që numri i anëtarëve të tyre dhe mbështetja për ta, të bjerë.
Ndërkohë, partitë nacionaliste, përfshirë Ligën italiane partinë e Le Penit, pritet që ta zgjerojnë përfaqësimin e tyre.
Kur filluan fushatën për Parlamentin Evropian në Romë në tetor, Le Pen dhe Salvini parashikuan se fitorja e partive nacionaliste do të rikthente “logjikën” në Evropë dhe i denoncuan zyrtarët kryesorë të Komisionit Evropian, përfshirë Presidentin Jean-Claude Juncker, si “armiq të popullit”.
Ashtu si udhëheqës të tjerë populistë evropianë, të dy ata kanë kërkuar këshilla nga Steve Bannon, një skeptik i Bashkimit Evropian dhe ish-këshilltar i presidentit Donald Trump.
Populistët evropianë kanë gjetur terren tek mosbesimi, madje deri antipatia e qytetarëve ndaj BE-së që shumë e shohin si të dobët ndaj imigracionit dhe tepër burokratik.
Anketat e fundit të Eurobarometrit tregojnë se ndërsa dy të tretat e evropianëve besojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësia në BE, shifra më e lartë ndër 35 vjet, vetëm katër ndër 10 kanë një pikëpamje pozitive ose besim tek organizata.

“VOA”

Zëri i Amerikës, jehonë ekspozitës për Trump që u bojkotua nga qeveria

Në Tiranë, piktori i njohur Avni Delvina ia kushtoi ekspozitën e tij “The Donald” marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe zhvillimeve në SHBA dhe Ballkan.
Në shumicën e veprave autori paraqiti presidentin amerikan Donald Trump dhe ngjarje që lidh
Edhe pse nisi me modestinë tipike të autorit, ekspozita “The Donald” e piktorit të njohur Avni Delvina u bë menjëherë ngjarja më e rëndësishme artistike e kryeqytetit shqiptar gjatë kësaj jave.
46 pikturat e kësaj ekspozite i kushtohen SHBA-ve, presidentit Trump dhe politikës amerikane si dhe dashurisë së veçantë të popullit shqiptar për popullin amerikan.
Ekspozita qëndroi e çelur në Muzeun Historik si një ftesë për gjithë kryeqytetasit nga artisti, që la Tiranën në korrik 1990, por që përditë jeton me mendje në Tiranë dhe u kushtoi bashkëkombasve të tij pothuaj gjithë krijimtarinë e vet.
“Këtu në Shqipëri është plot ngjarje dhe negativiteti është i pranishëm kudo. Krahas sarkazmës që unë ndërthurr në krijimtarinë time, Shqipëria është vendi më i mirë dhe frymëzuesja më e mirë, në njëfarë mënyre, sepse të gjithë jemi pjesëmarrës në dramës që kalojmë” – tha autori Avni Delvina.
Autori është kritik me zhvillimet në Shqipëri, ku njerëzit nuk reagojnë për hallet që kanë, por e kërkojnë zgjidhjen te emigrimi.
“Është vrasja e shpresës, një lloj pasiviteti. Njerëzit nuk gjejnë entuziazëm tek ata që na drejtojnë. Njeriu do entuziazëm, ai të mban. Duhet shpresë, diçka pozitive: “Do të rregullohet”. Mungon pozitiveti, dhe kjo ndihet qysh në zërin e atyre që na drejtojnë.

Njeriu ka nevojë për mirësi, për pozitivitet, ka nevojë për entuziazëm. Të gjitha këto mungojnë dhe përveç dramës ekonomike që kalojnë, vetvetiu njerëzit, ku iu mungojnë edhe këto elementë, shpresojnë, tentojnë, luajnë pokerin e jetës, që është i vështirë, dhe shpërngulen” – tha zoti Delvina.
Kuratori i ekspozitës është artisti dhe studiuesi Ardian Devolli. Ai thotë se veprat e Avni Delvinës janë thellësisht të vërteta dhe të sinqerta, megjithëse të mbushura me metafora, hiperbola dhe shpesh edhe me ironi dhe humor.
“Nëpërmjet këtyre veprave autori tregon edhe kulturën e gjerë artistike që zotëron qysh nga arti i lashtë grek, romak, Rilindja italiane, romantizmi, surrealizmi, poparti. Gjithë rryma dhe korrente i kanë shërbyer Delvinës si mjete për të dhënë maksimumin e idesë së tij në mënyrë të sintetizuar dhe me një gjuhë të pastër artistike” – tha zoti Devolli.
Autori Delvina i shkruan mesazhet e tij me një seri mjetesh; nga tablot me ngjyra, grafikat e deri te fotomontazhi, duke nxitur qytetarët të reagojnë për të përmirësuar jetën e tyre, duke lënë pas vanitetin dhe indiferencën.
“Në Shqipëri vëmë re korrupsionin dhe të gjithë problemet që thuhen edhe në raportin e DASH-it edhe nga organizata europiane. Më lindi vetvetiu një lloj kundërshtimi dhe kjo m’u bë e përditshme gati gati; gjithmonë do të gjeja tematika dhe do të godisja me artin tim. Njerëzit duhet të reagojnë, brenda gjithë normave demokratike, dhe të ndihet toni, nervi dhe indinjata, sepse të gjithë kemi nevojë” – tha zoti Delvina.
Ekspozita “The Donald” u vizitua nga mijëra njerëz dhe organizatorët u befasuan nga numrat e vizitorëve, po ashtu edhe nga komentet e ndryshme që u bënë për veprat e Avni Delvinës.
Edhe pse i larguar nga Shqipëria prej afro 3 dekadash, ai vazhdon të revoltohet për hallet e atdheut të tij dhe asnjëherë nuk e ka harruar atë.

“Le Temps” për protestat: Qytetarët po ngrihen kundër regjimit autoritar e të korruptuar

Shqipëria, Serbia, Mali i Zi… Një valë protestash të mëdha që po përhapur në të gjitha vendet e Ballkanit.
Kudo, qytetarët denoncojnë regjimet autoritare, klienteliste dhe të korruptuara’.
Kështu e nis artikullin e saj gazeta zvicerane ‘Le Temps’, që bën një panoramë të situatës politike në Ballkan. Gazeta kritikon BE-në se në funksion të stabilitetit të Ballkanit është duke mbështetur qeveri jo demokratike.
Në Shqipëri ishin studentët të parët që nisën protestat kundër ligjit të Arsimit të Lartë të miratuar nga qeveria e Edi Ramës.
Ata kanë kërkuar heqjen e tarifave të arsimit të lartë. Studentët arritën një fitore të pjesshme, kur në 28 dhjetor Edi Rama shkarkoi gjysmën e kabinetit qeveritar.
Por tani Rama po përballet me protesta nga opozita, që organizoi dy tubime të mëdha, të nisura në datën 16 shkurt. Të enjten në 21 shkurt deputetët e PD-së të shoqëruar edhe nga mijëra e mijëra shqiptarë dorëzuan mandatet e tyre. Shqipëria tani është në krizë politike.
Edhe në Serbi, partitë opozitare janë në protestë prej më shumë se 2 muajsh. Ata kanë mbledhur mijëra qytetarë në rrugë dhe protestojnë kundër Aleksandër Vuçiç.
Ashtu si edhe në Shqipëri edhe opozita serbe kërkon ngritjen e një qeverie të përkoheshme dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Opozita proteston kundër korrupsionit që ka përfshirë qeveritë e Serbisë që pas vitit 2000.

‘Milo, hajdut, dorëhiqu!’ Natën e të shtunës mijëra njerëz dolën në protesta nëpër rrugët e Podgoricës, kryeqytetit të Malit të Zi. Kjo dita e tretë e protestave të organizatave të shoqërisë civile të cilat bëjnë thirrje për mobilizim kundër ‘diktaturës’ së Presidentit Milo Gjukanoviç. Në mes të janarit, biznesmeni Dushko Knezeviç tha se kishte financuar për vite Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila është në pushtet që nga viti 1991.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale tregohet se si ish-kryebashkiaku i Podgoricës merr një zarf me 97 mijë euro. Tani protestuesit mbajnë në dorë zarfe ku shkruhet shuma prej 97 mijë eurosh. Edhe në Mal të Zi është e njëjta problematikë si në Shqipëri. ‘Askund nuk mund të punësohesh nëse nuk je anëtar i partisë së Milos’, tregon Milena, një mësuese nga qyteti i Budvës.
Të gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit janë të përfshira nga një papunësi dhe valë të mëdha emigrimit, sidomos të të rinjve.
Shumë protestues në Tiranë, Beograd dhe Podgoricë kanë mbajtur në duar parulla: ‘Unë nuk dua të emigroj’.
Ndërsa nga Bashkimi Europian i cili është kapur në befasi nga kjo valë e madhe protestash, nuk vjen asnjë përgjigje apo zgjidhje, veç se politika e drejtuesve të këtij bashkimi prej vitesh ka ruajtur ‘stabilitetin’, duke mbajtur mbi vete edhe kostot e mbështetjes së regjimeve jo demokratike që tani po sfidohen haptasi në rrugë e sheshe nga vetë qytetarët e vendeve të Ballkanit.

Përgatiti: SYRI.net