32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

ZYRTARE/ Milani shkarkon Fonsekën, drejtuesit e klubit e falenderojnë për kontributin e dhënë

Tani është zyrtare, Paulo Fonseka nuk është më trajner i Milanit.

 

Shkarkimi iu komunikua vetë trajnerit portugez mbrëmë vonë pas barazimit ndaj Romës, por u zyrtarizua sot.

“AC Milan zyrtarisht njofton se ka liruar Paulo Fonseka nga roli i tij si trajner i ekipit të parë të meshkujve. Klubi falënderon Paulon për profesionalizmin e tij të madh dhe i uron atij më të mirën për të ardhmen”, thuhet në deklaratën e bërë.

 

“Rama bashkëpunon me bandat”, Basha: Vetting-u në politikë, emergjencë kombëtare për ndarjen e politikës nga krimi

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se lidhja e pushtetit me krimin e organizuar tashmë është fakt pasi vetë mandati i Edi Ramës është produkt i bandave të Durrësit, si dhe falë kriminelëve të Elbasanit në shërbim të kryeministrit, u tjetërsua rezultati i zgjedhjeve të 2021-shit.

Në videon e postuar në facebook nga intervista e kryeministrit për Zërin e Amerikës ku pyetet për Jurgis Çyrbjan, Basha thekson se mandati i Ramës është produkt i këtyre lidhjeve që sipas tij, kanë dëmtuar rëndë proceset demokratike në vend. Ai e cilëson ndarjen e politikës nga krimi si një emergjencë kombëtare dhe për këtë ka depozituar në Kuvend një projektligj për vetting-un në politikë.

“Pastrimi i politikës nga lidhjet me krimin është hapi i parë për të ndërtuar një demokraci të vërtetë,” tha Basha, duke ftuar qytetarët që më 11 maj të mbështesin këtë nismë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Sipas tij, vetëm një politikë e pastruar nga krimi mund të sigurojë shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Postimi i plotë i Bashës:

Një pushtet i papërgjegjshëm dhe i pamerituar prodhon marrëzira të tilla, si kjo “larje duarsh” ndaj detyrës ekskluzive që ka kryeministri dhe kryetari i partisë qeverisëse, për të mos lejuar që krimi i organizuar të fusë ushtarët e tij në Parlament me firmën e Edi Ramës.

Tashmë është fakt se vetë mandati i Edi Ramës është produkt i bandave të Durrësit, po ashtu është fakt se, falë kriminelëve të Elbasanit në shërbim të kryeministrit, u tjetërsua rezultati i zgjedhjeve të 2021-shit, për të mbrojtur një pushtet të korruptuar, që nuk i shërben qytetarëve, por krimit.

Shqipëria nuk e meriton këtë papërgjegjshmëri, e aq më pak lidhjen simbiotike mes këtij pushteti dhe krimit, që ka shkatërruar proceset demokratike. Ndarja e politikës nga krimi është emergjencë kombëtare, prandaj kam dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë ligjin për vetting-un, si një mekanizëm të domosdoshëm për të pastruar politikën dhe për t’i hequr çdo alibi atij që bën sikur nuk di se cilat janë detyrat e tij.

Pastrimi i politikës nga lidhjet e errëta me krimin është hapi i parë për të krijuar një demokraci të vërtetë, ku vota respektohet dhe individi ka zë në vendimmarrje.

Më 11 maj, ju ftoj të mbështesni me votë nismën e vetting-ut, të penguar nga Edi Rama, për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë e një të ardhmeje më të mirë, ku triumfon shteti i së drejtës, ku rritet ekonomia dhe ku politika i shërben vetëm qytetarëve dhe mirëqenies së tyre.

Shqipëria meriton shumë

Erdhi radha jonë!

Nga Ardi Stefa

Apo “Është radha jonë!”

Nuk ka shumë rëndësi, në thelb është e njëjta gjë!

Po përpiqem të analizoj semantikën e kësaj shprehjeje, me të cilën mbyllen fjalimet e udhëheqësve realë, imagjinarë e fantazistë të PD!
Nuk e di se kush e artikuloi i pari këtë shprehje, por do të doja të ma shpjegoni kuptimin, se, pavarësisht shkollës dhe fjalës që e njoh, nuk po e zbërthej dot.

Çfarë do të thotë?
Po e nis nga përemri pronor “jonë”!
Në togfjalëshin “Radha jonë” përemri është në kontekstin gjithëpërfshirës, pra edhe për popullin apo në togfjalëshin “radha jonë”, përemri është në kontekstin për ju, si udhëheqës që do të uleni në karriget e pushtetit, por e thoni në vetën e tretë të shumësit?

Për çfarë erdhi radha?
Për të blerë qumështin?
Erdhi radha e vajgurit? E bukës? E kanatiereve të pambukut? Erdhi radha e pushtetit pasi kishit vënë bidonin?
Hmmmm….

Erdhi radha të uleni në kolltuqet e pushtetit, o udhëheqës?
Po në pushtet jeni edhe pse në opozitë.
34 vite të njëjtat emra, të njëjtat fytyra në parlament. Të njëjtat figura të konsumuara e të ricikluara, që i kanë mbyllur rrugën mendimit ndryshe e frymës së re. Të njëjtat qurravitje apo akte trimërie revolucionare dhe mosbindjeje të bindur ndaj pushtetit!
Në pushtet jeni, sepse votoni bashkë me qeverinë ato që ju leverdisin, bashkoni votat në pazare, paçka se digjni karrige, ndizni flakadanë e bërtisni si telendaret e lagjeve.
Të njëjtët njerëz, që rrotullojnë e artikulojnë 100 fjalë se aq dinë.

Erdhi radha e kujt?
E një partie, e cila duhet të ishte e lidhur ngushtësisht me Perëndimin, por që riciklon figura, që duhet të ishin larguar me kohë, që ringjall e kultit të individit dhe idhujve, të cilët e kanë larguar PD nga parimet dhe vlerat e vërteta demokratike e perëndimore!

Është radha e një partie të vjetëruar në moshë, të vjetëruar në ide dhe aksion politik; refraktare dhe pa kauza; me humbës kronikë që hiqen si fitues, armiqësore me çdo mendim ndryshe dhe e pazonja të shohë e të punojë për interesin madhor të shqiptarëve?

Erdhi radha të bëni para?
Po para keni, pavarësisht se keni 12 vjet në opozitë bizneset me pushtetin njëlloj i keni bërë, kullat njëlloj i keni ngritur, paratë njëlloj i keni ndarë, pushtetin po njëlloj.
Demokratët kanë 12 vjet që hiqen zvarrë pa punë e perspektivë.
Është radha juaj të talleni duke u vrarë edhe atë pak shpresë që u ka ngelur shqiptarëve?

Erdhi radha të vidhni?
Kjo është? Ngrihu prift të ulet hoxha?
Shikoni që të gllabëroni ju tani edhe ato pak pasuri që i kanë ngelur Shqipërisë? Të grabisni nga tenderat? Të bëheni miliarderë brenda natës? Sepse jeni po aq të korruptuar sa ata që godisni e sulmoni!
Të dëboni edhe ata pak të rinj që i kanë ngelur Shqipërisë?

Erdhi radha juaj të mbroni pandëshkueshmërinë e të godisni e trysnoni drejtësinë? Njëlloj po e sulmoni Drejtësinë!

Erdhi radha juaj për çfarë? Të na fusni në BE? Por ju jeni të izoluar totalisht dhe askush nuk ju takon, sepse jeni ata që keni bërë atë dhunë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në botë: në 1998 kur pushtuat institucionet dhe në 8 janar 2022 kur sulmuat selinë e partisë suaj.
Sepse e bëtë partinë institucionin që mbronte interesat e individit dhe jo të demokratëve, duke i shpallur luftë partnerit kryesor perëndimor.

Erdhi radha juaj për të vënë në vendin e merituar Demokracinë? Por si do ta vini në vend demokracinë, si do t’i jepni vlerë fjalës e votës së lirë kur mediet dhe analistët i blini me paga mijëra euro në muaj dhe listat i mbyllni sipas midesë së kryetarit? Kjo është demokracia përfaqësuese?

Erdhi radha juaj për çfarë? Të bëheni trima me policinë kur jeni të veshur me mandat deputeti dhe bllokoni rrugët me makina 200.000 euro? Zhvishuni nga mandati t’ju shikojmë sa trima të çartur jeni teksa sulmoni e godisni policinë për “drejtësinë e demokracinë”!
Për çfarë erdhi radha juaj? Të vendosni minimumin jetik 20.000 lekë, kur ju paguheni 25 herë më shumë se minimumi që doni të vendosni dhe 10-15 herë më shumë se paga e një intelektuali?

Mund të vazhdoj edhe më shumë me pyetjet retorike që shtroj për të m’u shpjeguar sllogani “Erdhi radha jonë!” apo “Është radha jonë”!, por po më sqaruan e më bindën për kaq sa thashë se është ndryshe atëherë votën time do ta kenë pa asnjë mëdyshje!

Kujtim nga Revolucioni rumun 1989

Nga Fahri Musliu

Këto ditë i gjeta disa shënime të vjetra që ma kujtuan një ngjarje të rëndësishme politike dhe shumë provokuese për profesionin e gazetarisë.
Më 18 dhjetor 1989 duke pa se çka po ndodh në Rumani, ku patën nisur protestat kundër qeveritare dhe antikomuniste, i propozova redaksisë së Rilindjes që unë me ndonjë kolegë të shkojmë e të raportojmë.
Redaksia kishte marrë vendim që bashkë me mua të vjen edhe kolegu kolegu Avni Spahiu redaktor i rubrikës së jashtme dhe shoferin Fazli Gashi. Më 20 dhjetor ata erdhën me makinë tek unë në Beograd dhe pas mesnate u nisëm për Temishoar meqë aty njoftogej për gjendjen dramatike. Gjatë rrugës hasëm në shumë barikada dhe kontrolle si të policisë sekrete ashtu edhe të revolucionarëve që ishte rrezik i madh por me të dy palët i përshëndesnim me “Libertate”.
Në Temishoar mbërritëm diku kah ora 06:00 e mëhjesit kur ende ishte terr por në qytet dëgjoheshin krisma armësh. Shkuam drejtë në konzullatën jugosllave ku ishte konzulli Atanacnoviq, e ku takuam edhe kolegë tjerë të mediave të Beogradit. Aty konzulli na njoftoj me gjendjen por disa gjërave nuk u besuam dhe dolëm të shohim vet se çka po ndodh. Ishin propagandë shifrat për të vrarët, të plagosurit që gjoja ishin shtrirë në spital. Por gjatë vizitës në spital thanë se numri të vrarëve por edhe i të plagosurve është minor.
Vendosem të shkojmë për Bukuresht por konzulli Atanackoviq na tërhoqi vërrejtjen se rruga është e rrezikshme në kontrollin e forcave të Çausheskut. U kthyem prap në Serbi për ta vazhduar rrugën në anën e kundërt. Natën e kaluam në qendrën turistike Tekija dhe në mëngjes e kaluam urën sipër hidrocentralit Gjerdap, në orët e pasdites mbërritëm në Bukuresht pa ndonjë telashe dhe u vendosem në hotel Patria në qendër të qytetit afër godinës i pompoze të parlamentit rumun (340.000 metra, katror) , më e madhja në Evropë.
Pastaj me koleë tjerë serish shkuam në ambasadën e Jugosllavisë ku ambasadiri Jeftiq jepte informata për rrjedhën e ngjarjeve. Aty pash se dirigjuese e protestave ishte politika jugosllave që dëshmon edhe transmetimi direkt i ngjarjeve nga TV Beogradi kurse moderator kryesor ishte shkrimtari Adam Puslloiq serb i Beogradit me prejardhje rumune.
Në qytet nuk kishte shumë lëvizje pos njerëzve të armatosur, kurse qendra ku zhvilloheshin aktivitetet e organizatorëve të protestës dhe revolucionit ishte zonë e mbyllur jo larg hotelit, por hyrja në te ishte e ndaluar.
Në mbëmje u njoftuar për arrestimin e Nikollae Çaushesku me bashkëshorten Elena në një qytet larg Bukureshtit ku kishin ikur.
Protestat vazhdonin dhe përkraheshin me të madhe, kurse kulmi i tyre ndodhi më 25 dhjetor, kur gjoja pas tre dite gjykimi dhe shpalljes fajtor, ekzekutohet mizorisht Çaushesku me bashkëshorten. Për ekzekutimin e tyre në mbrëmje njoftoj tv rumun. Me këtë akt pushtetin e morën forcat revolucionare të drejtuara nga bashkëpunëtori i Çausheskut, Jon Iliesku i cili pas disa vitesh në pushtet akuzohet dhe dënohet me burg për keqpërdorime.
Në këtë revolucion të plisht i pari i këtij lloji në Evropën lindore komuniste, e që u shoqërua me propagandë të hatashme, ndodhën rreth 1400 vrasje mes forcave kundërshtare, pa pasoja tjera materiale.
Në qytet nuk funksiononte gati asgjë pos disa dyqaneve tregtare por pa artikuj ushqimor. Kurse ushqim nuk kishte as në hotel, për çka gati 8 ditë i kemi kaluar me supë, djath e raki (si infuzion) të cilën e patëm blerë në Serbi.
Me Avniun e Fazliun, të rraskapitur më 29 dhjetor në orët e mëngjesit u nisëm për në Kosovë por kah Bullgaria. E kaluam pikën kufitare në Ruse, në restorant ngrënëm drekë pas tetë dite, u pastruam në hotel dhe u nisëm drejtë Sofjës ku pasi blemë ca gjëra e vazhduam rrugën për Pirot. Në Dimitrivgard policët e doganierët filluan të na kontrollojnë por kur iu thash “se jemi gazetar dhe po kthehemi nga Bukureshti dhe rrini rehat se edhe kryetarin tuaj Zhivnov po e pret fati i Çaushesku”, na përshëndeten gëzueshëm duke thënë “daj bozhe bratko, sretan put i nova godina”

Nga gjeli i detit te bakllavaja, sa i kushton shqiptarëve darka e Vitit të Ri?

Darka e Vitit të Ri është një nga traditat më të dashura për shqiptarët, ku familjet mblidhen për të festuar dhe për të shijuar ushqime të përgatitura me kujdes.

Por sa mund të kushtojë një darkë tradicionale për një familje prej katër personash në ditët e sotme?

Për të dhënë një vlerësim të përafërt, Monitor ka analizuar çmimet mesatare të përbërësve dhe pijeve kryesore, bazuar në të dhënat aktuale të tregut.

Nga sallatat, gjeldeti dhe përsheshi, deri te bakllavaja dhe pijet, ky artikull ofron një përmbledhje të detajuar për koston e kësaj feste të veçantë.

Për të bërë një vlerësim të përafërt për një darkë të Vitit të Ri për 4 persona në Shqipëri, do të përfshijmë çmimet mesatare për përbërësit kryesorë, bazuar në të dhënat aktuale të tregut:

Sallata (ruse ose të tjera)
Përbërës: patate, karrota, bizele, majonezë, vezë./ sallatë perime
Kosto mesatare: 2,000 lekë.
Mishra të ndryshëm (mish viçi dhe sallam)
Mish viçi: rreth 1 kg, 1,200 – 1,500 lekë.
Sallam dhe proshutë: 0.5 kg, 600 – 800 lekë.
Djathra miks: 1000 lekë.
Kosto mesatare: 3300 lekë.

Gjeldeti dhe përsheshi
Gjeldeti (6 kg, për familje mesatare): 6000 lekë. (një kg gjeldeti kushton 1000lekë, ndërsa pulë deti 1200lekë/kg)
Përsheshi (miell misri, erëza, gjalpë): 1,000 – 1,500 lekë.
Kosto mesatare 7500 lekë.

Bakllavaja (e bërë vetë ose e blerë)
Përbërës (miell, sheqer, arra, gjalpë) apo e gatshme: 1,500 – 3,500 lekë.
Kosto mesatare 3,000 lekë.

Pijet (verë, raki, lëngje)
Verë: 1 shishe mesatare, 800 – 1,500 lekë.
Raki: 0.5 litra, 500 – 1,000 lekë.
Lëngje dhe ujë: 1,000 lekë.
Kosto mesatare 3,500 lekë.

Kosto totale e përafërt për darkë për 4 persona: 19,300 lekë.
Ky është një vlerësim për përbërës dhe pije me cilësi mesatare. Kostoja mund të ndryshojë në varësi të përzgjedhjeve të familjes (produktet e përdorura, origjina e mishit, dhe nëse bakllavaja bëhet vetë apo blihet)./ Monitor

Zgjedhjet presidenciale në Kroaci/ Si u renditën kandidatët, kush janë dy prej tyre që do të përballen në raundin e dytë më 12 janar

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) presidenti aktual i Kroacisë, Zoran Milanoviç fitoi 49,11% të votave, ndërsa kandidati i HDZ-së Dragan Primorac fitoi 19,36%.

Kandidatja Marija Selak Raspudiç fitoi 9,21% dhe Ivana Kekin 8,84%.

Kandidati Tomislav Jonjiç pasoi me 5,01% të votave dhe Miro Bulj me 3,79%, shkruajnë mediat kroate.

Branka Lozo mori 2,41% të votave dhe kandidati Niko Tokiç Kartelo 0,88%.

Kjo nënkupton që Zoran Milanoviç dhe Dragan Primorac po hyjnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 12 janar.

Operacioni “fshesa”, Bajerni largon “senatorët” që plotësuan ciklin

Klubi gjerman Bajern Mynih po punon për të nënshkruar me një lojtar të klasit botëror në pozicionin e krahut, siç përmendi gazetari Florian Pletenberg. Ideja e klubit bavarez është që kjo të plotësojë vijën kryesore sulmuese.

Me Mishel Olize, Herri Kejn dhe Xhamal Musiala. Rekordmenët nga Mynihu dëshiron të heqë qafe “gardën e vjetër” të përbërë nga Tomas Myler, Serzh Gnabri, Kingsli Koman dhe Leroi Sane. Për shkak të dëmtimeve të shumta të kësaj kuarteti dhe rënies së nivelit, aftësia e tyre për të bërë diferencën është bërë dukshëm më e vogël. Bajerni mund të mos e “heqë qafe” katërshen njëherësh, por dëshiron ta bëjë këtë në kohën më të shkurtër të mundshme, ndoshta brenda dy periudhave të transfertave.

TOMAS MYLER – Padiskutim Myler është idhulli i tifozëve në Bajern për gjithçka ka arritur. Por në drejtimin e trajnerit Vinsent Kompani ai është kthyer në një rezervë “shterpë”. Nuk e ka më freskinë për të rrezikuar rivalin apo të zgjidh ndeshje si pykë. Mëse e kuptueshme se koha e tij te klubi më i titullar në Gjermani ka mbaruar, aty ku mosha dhe aftësitë e kanë “tradhtuar” para kohe. Ende nuk ka një destinacion të sigurtë, ku aludohet mbyllja e karrierës ose transferimi në MLS.

SERZH GNABRI – Dëmtimet dhe mungesa e qëndrueshmërisë janë komponentët negativë në rendimentin e Gnabrit. Gjermania në sezonin debutues të Tuhel luajti rol thelbësor në triumfin e kampionatit, por prej asaj periudhe ai ka harruar të jetë “vrasës” në zonën e rreptësisë. Në epokën “Kompani”, Serzh ka marrë profil “inferiori”. Shumë pak minuta dhe besim nga trajneri belg, tregues se Gnabri i ka “larë duart” me bavarezët dhe largimi është çështje kohe. Nëse i referohemi statistikave, ato nuk gënjejnë, 17 prezenca në edicionin aktualë, 2 gola dhe 4 asist, shumë pak krahas pritshmërive. Mançester Junajtid e ka vënë në “radar” disa herë lojtarin e Bajernit gjatë dritares së merkatove.

KINGSLI KOMAN – Viti më i artë i Koman, koçidon me finalen e vitit 2020 në Ligën e Kampionëve. Ai u bë “hero” në duelin ndaj PSG-së, duke vulosur fatet. Megjithatë kemi të bëjmë më kujtime të së shkuarës. Kingsli nuk e ka të rregull rolin e titullarit, ndërsa lëndimet e rëndomta janë një “aset” negativ në “CV” e francezit në muajt e fundit. Katër gola dhe 2 asiste në 19 ndeshje nuk e justifikojnë pagën e majmë që përfiton anësori 28-vjeçar. Hansi Flik gjatë verës së kaluar e vuri në “shënjestër” Koman.

LEROI SANE
– Erdhi me bujë të madhe në Mynih, ama jo në lartësinë e duhur për të lënë gjurmë. Vinsent Kompani i ka besuar në këtë sezon plotë 915 minuta në të gjitha kompeticionet, ndonëse Leroi nuk ka grumbulluar më shumë se 5 gola dhe 1 asist. Tej mase mbrapa statistikave të Mishel Olize dhe Xhamal Musiala, pavarësisht se kanë detyra të ngjashme. Në pistën “Sane” ka një numër të lartë klubesh të interesuar, çka nënkupton edhe sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme në arkat e rekordmenëve të Gjermanisë. Liverpul, Barcelona dhe Mançester Junajtid janë duke e ndjekur me kujdes situatën e sulmuesit të djathtë.

Ja kur është koha më e mirë për të pirë kafe, sipas ekspertëve

Kur është koha më e mirë për të pirë kafe dhe sa konsiderohet e tepruar? Nëse pyesni një dashamirës të kafesë, përgjigja do të ishte: “Sa herë që keni nevojë ose dëshironi”.

Cila është koha më e mirë për kafe?

Kafja përmban kafeinë, një stimulues natyral. Kjo do të thotë se mund të nxisë metabolizmin duke rritur rrahjet e zemrës dhe harxhimin e energjisë. Prandaj është ideale të pini kafe në mëngjes, rreth 90 minuta pas zgjimit, për t’u sinkronizuar me ritmin natyral të kortizolit të trupit.

Nëse ushtroni në mëngjes, një kafe e zezë para stërvitjes mund të përmirësojë performancën dhe të nxisë djegien e yndyrës, ndërsa pas stërvitjes mund të mbështesë rikuperimin e muskujve.

Megjithatë, është më mirë të shmangni pirjen e tij menjëherë pas zgjimit dhe me stomakun bosh. Një kafe e mëngjesit në shtrat mund të nxisë prodhimin e acideve të stomakut, duke shkaktuar parehati. Filloni me një vakt të lehtë ose meze të lehtë para kafesë për të zvogëluar rrezikun e rritjes së niveleve të kortizolit, të cilat tashmë janë në nivelin më të lartë në mëngjes.

Kafe pasdite? Me moderim!

Pas drekës, nivelet e energjisë janë më të ulëta dhe një filxhan kafe në këtë pikë mund t’ju japë energji. Një kafe në orët e hershme të pasdites është më efektive sesa një kafe e vonë gjatë ditës.

Në mënyrë që kafeja të mos ju shqetësojë gjumin, është mirë të shmangni pirjen e saj pas orës 16:00, veçanërisht nëse keni vështirësi për të fjetur. Me një gjysmë jetë prej rreth tetë orësh, kafeina mund të qëndrojë në sistemin tuaj deri në orët e vona të natës, duke ndikuar në ciklin tuaj natyral të gjumit.

Spahiu: Hetimi ndaj Erion Veliajt nxori bllof ata që thonë ‘SPAK komandohet nga Soros’! Prokuroria e Posaçme pati sukses këtë vit

Viti që po mbyllet u shënjua edhe nga një numër i madh hetimesh dhe arrestimesh apo dënimësh nga drejtësia e re.

Arrestimet e SPAK më 2024, arrestimi i ish-presidentit, por edhe zyrtarëve të tjerë, si i sheh juristi Kreshnik Spahiu këto zhvillime, në intervistën e dhënë sot (29 Dhjetor) për Report TV?“Përsa i përket SPAK-ut mund të themi për pjesën që ka arrestuar dhe hetuar një numër të madh zyrtarësh, kryetarësh bashkish, ministrash, deputetësh, sot bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit si Sajmir Tahiri, Ilir Beqaj, Arben Ahmetaj, deri te zoti Veliaj janë nën rrjetën e SPAK-ut.
Dhe duke kaluar pastaj te shumë deputetë dhe 7-8 kryetarë bashkish. Më parë ka qenë e paimagjinueshme.

Askush nuk mund të përgjigjet sot se kush do të kishte qenë reagimi i Berishës nëse do të ishte kryeministër, siç është Rama sot.

Nëse Berishës do i arrestoheshin 6 ministra, 7-8 deputetë, 10 kryetarë bashkish, a do kish qenë i hapur me SPAK, a do thoshte se po bën arrestime të ligjshme, apo do e konsideronte grusht shteti dhe pu dhe puç politik? Apo do i konsideronte të sponsorizuara nga Soros, apo do i konsideronte të korruptuar, do mblidhte Parlamentin ta shpërndante SPAK-un, apo do mblidhte Parlamentin dhe ta shkarkonte Altin Dumanin me ceremoni dhe çfarë do ndodhte pas kësaj, kush do ta ndalte?

Do e ndalte ambasada Amerikane që s’ka ambasador dhe nuk ka asnjë reagim këto muajt e fundit? Pra askush nuk jep përgjigjen se çfarë do ndodhte nëse do kishim një situatë tjetër politike”, tha Spahiu.Më tej shton se Prokuroria e Posaçme pati sukses.“Them se është sukses i SPAK që ka ndërmarrë një sërë masash për të goditur pushtetin, sepse ka qenë e paimagjinueshme deri dje.

E dyta, është sukses që nuk ka më përplasje me qeverinë, pra të dukshme, se sigurisht se ka pasur të nivelit që Rama ishte kundër emërimit të Dumanit, kjo qe shkak edhe i përplasjes me ish-ambasadoren Yuri Kim, por kjo duhet parë si vlerë, si aspekt negativ apo pozitiv. Po ta marrësh në të gjithë kontekstin e vetë, është më shumë fenomen pozitiv sesa negativ”, u shpreh ai.

I pyetur se Kryeministri tha në një intervistë se SPAK është meritë e imja, pra e mazhorancës, PS-së, juristi ndan një mendim se kjo është normale për një parti në pushtet.“Çdo kryeministër kërkon që të marri meritë. Nga ana tjetër ai i çon edhe një mesazh SPAK, për t’i thënë që ju ekzistoni fal PS-së dhe tolerancës, anës liberale që kam unë si kryeministër. Unë do bëja një pyetje hipotetike. Vitin që vjen, siç ka dalë publikisht, pritet që SHBA-të dhe trupa diplomatike të kërkojë një zgjatje të afatit dhe të mandateve të SPAK. Dhe do të kërkohet edhe zgjatja e mandatit të Altin Dumanit. Në këto kushte unë kam një pyetje për publikun. Nëse mandati i SPAK varet nga PS, nëse votohet zgjatja, a kanë meritë politike këta që e votojnë apo nuk kanë? Dikush do thotë do e votojnë nga presioni. Por fakti se kërkohet vota për një institucion do të thotë që pa vullnetin politik ky institucion nuk ekziston.

A bëhet me hir apo me pahir? Marrim dhe pjesën tjetër, që bëhet me pahir, ama kemi dhe disa që e pranojnë një vullnet të imponuar. Se mund të kemi dhe rastin tjetër që nuk e votojnë. Unë jam nga ata që mendoj se gjatë 2025 nuk do e zgjasin mandatin e SPAK. Pra Rama dhe Berisha kanë një lloj pakti për t’i dhënë një lloj mesazhi qoftë ndërkombëtarëve, qoftë dhe Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës, që këta duhet të kenë një limit. A do funksionojë kjo logjikë? Mbetet për t’u parë”, shpjegon ai.Por çfarë ndodh pas zgjedhjeve, sipas numrave të deputetëve, a do zgjatet apo jo mandati?“Nëse Rama fiton 90 mandate në zgjedhje, do e ketë e vështirë të bëjë lojëra me amerikanët sepse amerikanët do i thonë se e ke ti në dorë për ta votuar dhe do vihet në vështirësi, nuk bën dot lojëra me amerikanët.

Por nëse Rama merr 75 a më pak, 65 le të themi dhe i duhen votat e opozitës, sepse nuk e ka mazhorancën, atëherë Rama do justifikohet që nuk i bëj dot votat me Sali Berishën, sepse qëndrimi i Berishës dihet, që nuk e pranon as SPAK-un dhe as drejtuesin, sepse i konsideron me pretendimet e tij si bandë kriminale”, argumenton Spahiu.Mbi të gjitha ai vë në pah blofin me rastin Veliaj dhe Soros, i trumbetuar nga opozita dhe faktori kundërshtar ndër vite.“Por unë do thoja diçka tjetër, do bëja një pyetje për publikun. Psh. çështja e Erjon Veliaj, ka nxjerrë blof të gjithë ata politikanë, analistë, gazetarë, militantë, mitingashë, të cilët thonin se SPAK-un e komandon Aleks Soros.

Pse Soros i tha SPAK që hetoni Erjon Velinë? Kjo është e pamundur, sepse ai është bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Soros. Dhe nuk ka sesi Soros të urdhëroj SPAK të hetojë Veliajn. Dalim në konkluzionin tjetër, se është një luftë e brendshme? Atëherë Soros qenka më i dobët se PS-ja?! Pra Aleksi merrka urdhra nga PS dhe kjo e Rama nuk pyesin për Aleks Sorosin. Nuk shkojnë të dyja këto. Nuk konceptohet që Soros bën ç’i thotë Rama! Kjo rri ngushtë, sepse ai është një njeri që vetëm në 2024 ka hyrë 102 herë në Shtëpinë e Bardhë. Duhet të jemi korrekt në analizat që bëjmë dhe argumentet për të akuzuar një institucion.

Ama di të them një gjë, se ra një alibi, për të cilën kishin 7 vjet na lodhën kokën”, shprehet opinionisti për Report TV.Teksa më tej thellon mendimin e tij:“Që gjykatat, prokuroria, drejtësia komandohen nga Aleks Soros? Po mirë, Soros ia dha vulën Sali Berishës? Ai e urdhëroi gjykatën që të lirohet Berisha nga tarraca dhe të jetë në gjendje të lirë e të hyjë prapë në parlament? Soros po e heton Velinë? Unë jam nga personat që kam marrëdhënie jo të ngrira, por tërësisht kundërshtare me fondacionin Soros. Kurrë në karrierën time s’kam pas asnjë lidhje me këtë fondacion, që dihet publikisht.

Dhe ideologjikisht e politikisht jam kundër rrymës së Sorosit, unë jam me bindje të djathta. Por është e papranueshme për përralla që janë ndërtuar në dekada për të krijuar këtë iluzion”, mbyll ai mendimin për këtë temë.

Gazetari i njohur mbështet propozimin e Bashës për vetting-un në politikë: Të gjithë të kalojnë në sitë

Botuesi i gazetës “Tema”, Mero Baze, në editorialin e tij të sotëm, i është rikthyer idesë së Lulzim Bashës për vettingun në politikë, gjë që do të bënte të kalonte në sitë e gjithë pasuria e politikanëve të niveleve të larta.

“Do të ishte më e ndershme të miratojmë një ligj për vettingun e pasurisë së politikanëve dhe të kalonin të gjithë në atë sitë, që të mos kishim drejtësi selektive.” – shkruan Baze.

Më tej gazetari njohur shprehet se “pushtetarët duhet të hetohen dhe ndëshkohen për përgjegjësitë publike në punën e tyre. Deri tani, shumica e proceseve po përfundojnë si procese vetting”.

Kujtojmë se i pari që ka propozuar vettingun në politikë është kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i cili ka sfiduar të gjithë klasën politike duke u shprehur më shumë se një here që është i gatshëm të vetofrohet për të filluar me të i pari ky proces.

Propozimi i Bashës vijon të mbahet në sirtaret e Kuvendit, për arsye se nuk i intereson as Ramës as Berishës, të cilët vijojnë përballjen e tyre me drejtësinë.

Shkrimi i plotë i Mero Bazes:

Viti që po mbyllet do të hyjë në histori si viti në të cilin politika shqiptare ka pasur përballjen më të ashpër të saj me drejtësinë. Në krye të kësaj beteje ka qëndruar Prokuroria Speciale Antikorrupsion (SPAK), e cila ka meritën historike që i ka dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe ka krijuar një besim të shtuar në opinionin publik.

Për këto dy arritje, SPAK ka meritën historike dhe ky është padyshim viti i tij.

Pandëshkueshmëria ishte gangrena më e madhe e Shqipërisë në këto 33 vite demokraci. E shoqëruar me arrogancën e politikës, ajo kishte krijuar kultin e politikës si një biznes të të paprekshmëve në Shqipëri.

Kjo betejë ka rritur besimin publik ndaj SPAK-ut dhe ka krijuar një klimë optimiste, si për sa i përket luftës kundër korrupsionit, ashtu edhe për përballjen me bandat agresive të trafikut të drogës dhe grupet kriminale në Shqipëri. Zbërthimi i aplikacioneve si SKY dhe EncroChat zbuloi në sytë e të gjithë shqiptarëve grupe kriminale agresive, njëkohësisht banale dhe të neveritshme për nga niveli i veprimtarive të tyre kriminale. Lidhjet e tyre të shpeshta me njerëz të politikës dhe medias tregojnë se ata më shumë përfitime kanë marrë nga bashkëpunimi me politikën dhe median sesa kanë vuajtur presion nga to.

Vendosmëria e SPAK-ut në betejën me ta, përfshirë dhe përpjekjet ligjore për njohjen e përgjimeve nga këto aplikacione si prova, i ka dhënë një dimension të ri distancës së shoqërisë nga krimi dhe ka krijuar kushtet për një pastrim më të madh të politikës nga krimi.

Sa i përket ndëshkimit të politikanëve, SPAK ka provuar se më në fund ka një mekanizëm që mund të çojë para drejtësisë çdo politikan përmes kontrollit të pasurisë. Kjo është një metodë efikase, por ka një problem: kur fokusi i përndjekjes së një politikani ulet tek kontrolli i pasurisë dhe jo tek përgjegjësitë publike të tij, atëherë kemi një standard që e bën drejtësinë paksa selektive.

Deri tani, raste si ato të Arben Ahmetajt, Sali Berishës, Ilir Metës, Ilir Beqajt, apo akuzat ndaj Veliajt lidhen kryesisht me pasurinë apo transaksione të dyshimta, ndërkohë që të gjithë këta personazhe janë hetuar për afera publike. Do të ishte shumë dinjitoze që, kur ngrihet një akuzë për një politikan të lartë, i cili është i zgjedhur nga populli shqiptar, të kihet parasysh përgjegjësia e tij para publikut për detyrën që ka pasur.

Unë nuk jam kundër që Sali Berisha të hetohet për çështjen e Klubit Partizani, por shpërdorimi më i madh i detyrës së tij është 21 Janari dhe vrasja e katër qytetarëve. E njëjta gjë vlen për Ilir Metën, përgjegjësia kryesore e të cilit lidhet me detyrat që ka ushtruar.

Arben Ahmetaj u vu nën akuzë për inceneratorët, por hetimi përfundoi me një çështje periferike rreth një vile. Po ashtu, për Ilir Beqajn, akuza për një koncesion në shëndetësi përfundoi pas katër vitesh me një arrestim për një faturë në një restorant në Tiranë.

Nuk jam kundër dënimit të politikanëve për pasurinë, por në këtë mënyrë është selektive.

Do të ishte më e ndershme të miratojmë një ligj për vettingun e pasurisë së politikanëve dhe të kalonin të gjithë në atë sitë, që të mos kishim drejtësi selektive. Pushtetarët duhet të hetohen dhe ndëshkohen për përgjegjësitë publike në punën e tyre. Deri tani, shumica e proceseve po përfundojnë si procese vettingu.

Edhe procesi i vettingut te gjyqtarëve apo prokurorëve, në 90% të rasteve, ka larguar gjyqtarë e prokurorë për shkak të mosjustifikimit të 5 mijë apo 50 mijë eurove, pra vetëm për pasurinë. Ndërkohë, vettingu kishte tre kolona, ku më e rëndësishmja ishte dhe duhet të jetë performanca profesionale.

Prandaj, duhet ta largojmë nga puna një gjyqtar apo prokuror në radhë të parë nëse ai nuk është i aftë dhe shkel ligjin në ushtrimin e detyrës, dhe në fund, nëse ka abuzuar financiarisht me të ardhurat. Vettingu përfundoi tërësisht si vetting pasurie. Dhe siç po shkon, dënimi i politikanëve po ndjek të njëjtën rrugë: një vetting pasurie për politikanët.

Nuk është gabim, por si vetting duhet bërë për të gjithë, me një ligj të veçantë, dhe SPAK të ketë duart e lira për të hetuar përgjegjësitë publike të tyre.

Në këtë aspekt, duhet të vendoset një standard i hetimit dhe gjykimit të politikanëve, ku detyrimi për paraqitje deri në shqiptimin e dënimit të bëhet normë, siç ndodh në shumë raste, p.sh., me Salianjin, Mediun apo Tahirin. Arrestimet paraprake për dyshime korrupsioni natyrisht që kënaqin turmat, por nuk e ndihmojnë drejtësinë. Përkundrazi, e fusin atë nën presione politike dhe e politizojnë.

SPAK dhe Gjykata e Posaçme janë më të qeta në punën e tyre kur hetojnë dhe gjykojnë politikanë me detyrim paraqitjeje sesa me politikanë në qeli, të cilët e kthejnë procesin në një betejë politike kundër drejtësisë.

Përtej kësaj, Shqipëria ka arritur me SPAK të thyejë mitin e pandëshkueshmërisë politike dhe të rrisë besimin e shqiptarëve tek drejtësia.

Tani që kjo betejë është fituar, Shqipëria ka nevojë të konsolidojë standardin e drejtësisë së re, që të jetë precedent për çdo politikan të hetuar dhe gjykuar në të ardhmen. Fjala vjen, të krijohet standardi i hetimit dhe ndëshkimit të një politikani që vret demonstrues, dhe ai të shërbejë si pikë referimi për çdo dënim të tillë në të ardhmen.

Po ashtu, të ketë një referencë për ndëshkimin e politikanëve që shkelin besimin publik për korrupsion, dhe të jetë një model për çdo politikan në të ardhmen. Të ketë një standard për dënimin e atyre që vjedhin votat dhe në fund edhe të atyre që hapin rrugë pa leje për fshatarët në pyll.

Ky standard, përveç ndëshkueshmërisë, do t’i sjellë Shqipërisë dhe drejtësi. Kështu, beteja e drejtësisë së re nuk do të jetë vetëm një fushatë ndëshkimore, por mbi të gjitha një rrugë afatgjatë për të vendosur standardet e drejtësisë së re në këtë vend. Falë edhe SPAK!