32.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Shkoza dy javë pa ujë të pijshëm, banorët: Ujësjellësi nuk zgjidh problemin, na thonë “lutuni Zotit se do u vijë uji”

Prej më shumë se dy javësh, banorët e lagjes “Idriz Seferi” dhe zonës së Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, Tiranë, po përballen me mungesë totale të ujit të pijshëm. Sipas denoncimeve të qytetarëve, furnizimi me ujë është ndërprerë pa asnjë paralajmërim apo shpjegim zyrtar nga institucionet përkatëse. Përpjekjet për të kontaktuar Ujësjellësin e Tiranës kanë qenë të kota, pasi nuk kanë marrë zigjdhje. Kjo situatë po prek drejtpërdrejt qindra familje, të cilat jetojnë në kushte të papërshtatshme për higjienën dhe shëndetin, sidomos në një periudhë ku temperaturat kalojnë 40 gradë. Banorët shprehen se janë detyruar të mbushin ujë me kova nga ndonjë pompë që funksionon në zona të tjera, duke qëndruar me orë në radhë, ndërsa familjet me fëmijë të vegjël, të moshuar apo persona të sëmurë po vuajnë më së shumti pasojat.

Denoncimi 1:

Pershendetje! Jam banor i lagjes Idris Seferi në Shkoze Tiran! Dua t’ju bëj me dije shqetësimin tim të lidhur me mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm në zonën tonë prej 2 javësh, pa asnjë njoftim zyrtar apo sqarim nga ana e institucionit. Jane marr çdo dite ne telefon dhe shprehja e tyre eshte, lutjuni zotit se do te vije uji. Kjo situatë po shkakton vështirësi serioze në jetesën tonë të përditshme, duke ndikuar në higjienën, shëndetin dhe mirëqenien e familjeve të tëra. Për më tepër, në këtë periudhë të verës, mungesa e ujit është edhe më problematike për shkak të temperaturave të larta. Është e papranueshme që në vitin 2025, banorët të detyrohen të jetojnë pa një shërbim bazë jetik siç është uji. Jo vetëm që nuk kemi asnjë lajmërim zyrtar apo komunikim por edhe kontaktet me institucionin. Janë bërë të pamundura – thirrje pa përgjigje dhe asnjë informacion zyrtar. Po jetojmë në kushte të papërshtatshme për higjienë, familjet kanë fëmijë të vegjël, të moshuar, të sëmurë – dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ju lutem bëjeni publike qe të merret parasysh me urgjencë dhe të ndërmerren masa për rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë, si dhe të jepet një sqarim zyrtar për shkaqet e kësaj ndërprerjeje të gjatë. Faleminderit! 450 familje asnje pik uje dhe pompa ndezur Me kova kemi qendruar duke mbushur here tek njeri here tek tjetri

Denoncimi 2:

Pershendetje Joq . Ju shkruaj per nje shqetesim ne Tirane ne lagjen shkoze uzina autotraktori . Kemi me shume se 10 dite pa uje ne shtepi . Eshte 40 grad dhe ne kemi 10 dite pa u lare dhe pa kryer nevojat tona normalisht . I marrim vazhdimisht ujesjellsit ne Tirane dhe vetem thone do rregullohet por ne nuk shofim askend duke u marr me ujin. Ju lutem postojeni sepse nuk eshte normale ne 40 grad te mos kemi uje ne lagjet e Tiranes. Faleminderit!

Qytetarët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të rikthyer furnizimin me ujë, si dhe një deklaratë zyrtare për shkaqet e kësaj ndërprerjeje të pazakontë. “Nuk është normale që në vitin 2025, në kryeqytet, të jetojmë pa një shërbim bazë jetik si uji i pijshëm,” thonë ata, duke e cilësuar këtë neglizhencë institucionale si të pafalshme./joq-albania.com

Shtetësi me 5 vite qëndrim në Itali? Vendet Europiane që japin më shumë shtetësi

Qytetarët italianë kanë votuar gjatë ditëve të fundit për të vendosur nëse duhet të ulet nga 10 në 5 vite kërkesa për qëndrimin e detyrueshëm për shtetësi për emigrantët jashtë BE-së, por rreth këtij votimi janë përhapur keqinformime.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini, dhe të tjerë kanë pretenduar se Italia është vendi evropian që jep më shumë shtetësi çdo vit.

“Referendumi më i rrezikshëm është ai që do të shtrinte shtetësinë për qindra mijëra njerëz pa kriter, me Italinë si vendin numër një në Evropë për dhënien e shtetësisë çdo vit,” tha ai në maj.

Megjithatë, nuk është e vërtetë që Italia miraton më shumë kërkesa për shtetësi çdo vit, dhe këtë mund ta verifikojmë duke parë të dhënat më të fundit nga Eurostat.

Sipas Eurostat, në vitin 2023, Spanja ka dhënë më shumë shtetësi – mbi 240,000 – që përfaqëson 22.9% të totalit të shtetësive të dhëna në BE.

Italia ishte në vendin e dytë me 214,000, më pas Gjermania me 200,000, Franca me 97,000 dhe Suedia me 68,000.

Mbretëria e Bashkuar dha 202,000 shtetësi në vitin 2023, sipas të dhënave të qeverisë britanike.

Renditja ndryshon kur numri i shtetësive të dhëna analizohet në lidhje me popullsinë e një vendi.

Në këtë rast, Luksemburgu renditet i pari në BE në vitin 2023, me 8.8 shtetësi për çdo një mijë banorë, ndjekur nga Suedia (6.4), Spanja (5), Belgjika (4.7) dhe Italia (3.6), e cila sapo hyn në pesëshen e parë.

Sllovakia, Bullgaria dhe Lituania japin më pak shtetësi për 1,000 banorë – të gjitha nën 0.5, sipas Eurostat.

Eurostat llogarit gjithashtu normën e natyralizimit për çdo vend, duke krahasuar numrin e shtetësive të dhëna me popullsinë jorezidente që nuk është shtetase.

Sipas këtij treguesi, norma më e lartë e natyralizimit është në Suedi (7.9), më pas në Rumani (5.9) dhe Itali (4.1).

“Në vitin 2023, në të gjithë BE-në, 2.6 banorë të zakonshëm për çdo 100 banorë joshqiptarë u natyralizuan,” tha Eurostat.

Prandaj, është e vërtetë që Italia vazhdimisht renditet ndër vendet me numrin më të lartë të shtetësive të dhëna, dhe ka qenë në krye në disa vite, si në 2022 dhe 2020.

Në vitin 2022, Italia sërish natyralizoi rreth 214,000 persona, dhe në vitin 2020 dha shtetësi për rreth 132,000 persona.

Megjithatë, për momentin dhe ndërsa priten rezultatet e referendumit, Italia ka disa nga kërkesat më të rrepta për shtetësi në Evropë, me emigrantët që duhet të jetojnë atje për 10 vjet përpara se të bëhen zyrtarisht shtetas italianë.

Vende të tjera, si Zvicra, Lituania dhe Sllovenia, kanë kërkesa të ngjashme, ndërsa një numër i konsiderueshëm vendesh evropiane kërkojnë vetëm 5 vjet qëndrim. Për shembull, Finlanda, Franca, Irlanda dhe Portugalia.

Ndërkohë që Italia po shqyrton uljen e kërkesave për natyralizim, disa vende të tjera po mendojnë të bëjnë të kundërtën ose tashmë e kanë bërë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se synon të vendosë rregulla të reja që rrisin kohën e qëndrimit të nevojshme për të kërkuar shtetësi nga 5 në 10 vjet, përveç nëse aplikanti mund të dëshmojë një “kontribut të vërtetë dhe të qëndrueshëm për ekonominë dhe shoqërinë”.

Ndërkohë, Belgjika së fundmi e ka rritur koston e aplikimit për shtetësi nga 150 € në 1,000 €.

Vjosa Osmani cakton datën e zgjedhjeve lokale, kur do të zhvillohen votimet në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale.

“Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore”, u tha në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Caktimi i kësaj date, sipas Presidencës, synon që të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe institucionet e tjera relevante, “me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor”.

Osmani u ka bërë thirrje subjekteve politike, organizatave dhe shoqërisë civile që t’i qasen “me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë”.

Më 4 qershor, Osmani ishte takuar me përfaqësuesit e partive politike për t’u konsultuar rreth datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Në takim nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Gjatë këtij takimi ishin përmendur datat 5, 12 dhe 19 tetor për mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit lokale, Kosova i ka mbajtur në tetor të vitit 2021.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte fituar në më së shumti komuna, pasur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës./REL

Krizë për mësues në shkollat e fshatrave të Kukësit, arsimtarët: Kërkojmë zgjidhje për transportin!

Dhjetëra mësues dhe nxënës, kanë mbetur pa transport për të shkuar në shkollat e fshatrave. Shërbimi i transportit është pezulluar për shkak të përfundimit të kontratës mes një kompanie private dhe drejtorisë rajonale të arsimit në Kukës. Kompania nuk është rifutur në garë për tenderin e ri, për shkak se drejtoria e arsimit ka ndryshuar tipologjinë e rrugëve në zonat e thella malore.

Duke nisur nga kjo e hënë, nxënësit dhe mësuesit e shkollave në fshatrat e Bashkisë Kukës kanë mbetur pa mjetet e nevojshme të transportit.

Shërbimi i transportit është pezulluar, pasi kontrata e firmës që e ofronte këtë shërbim ka përfunduar. Sipas përfaqësuesit të kompanisë, Fatmir Halilaj, shërbimi nuk është përfshirë në tenderin e ri për shkak të mënyrës së gabuar të kategorizimit të rrugëve nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Lezhë (DRAP Lezhë).

Përballë kësaj situate, mësuesit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe rivendosjen e transportit të organizuar, pasi udhëtimi me automjete private është ekonomikisht i papërballueshëm dhe i rrezikshëm për shkak të infrastrukturës së keqe.

Drejtoria Rajonale e Arsimit, i ka konsideruar rrugët e zonave të thella si rrugë të kategorisë së parë me asfalt, ndonëse në realitet ato janë në gjendje të rëndë, të paasfaltuara dhe me terren të vështirë.

Rama hap 450 vende pune për patronazhistët: Administrata kthehet në bunker elektoral!

Edi Rama, vetëm dy javë pas zgjedhjeve të 11 majit, nisi skemën e shpërblimit të patronazhistëve përmes vendeve të reja pune në administratën shtetërore. Me një vendim të qeverisë të datës 4 qershor 2025, ai miratoi një projekt të paraqitur si “Program Kombëtar i Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore”, i cili, në realitet, është një mekanizëm klientelist për të futur njerëzit e partisë në shtet. Duke filluar nga 1 korriku, mbi 600 të rinj të moshave 21-29 vjeç do të nisin një praktikë tre-mujore në institucionet qendrore dhe lokale të qeverisë. Nga këta, 450 do të përzgjidhen për t’u punësuar me kontrata njëvjeçare, por që, sipas praktikës së ndjekur më parë nga Rama, do të shndërrohen në kontrata të përhershme.

Vendimi parashikon 250 punësime në administratën qendrore dhe 200 në institucione të tjera shtetërore, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet nga komisione të brendshme të drejtuara nga titullarët e institucioneve. Megjithatë, gjithçka do të kalojë nga filtri i Ramës, i cili ka urdhëruar që listat përfundimtare të përfituesve të vijnë nga patronazhistët që kanë kontribuar në zgjedhje, drejtpërdrejt ose përmes familjarëve të tyre. Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, do të jetë figura formale drejtuese e këtij programi, por drejtimi real është në duart e kryeministrit dhe stafit të tij të ngushtë.

Burime nga Ministria e Financave konfirmojnë se urdhri që ka mbërritur në këtë dikaster nuk është për 250 vende, siç thuhet zyrtarisht, por për 450 punësime të reja, të financuara nga buxheti i shtetit për periudha afatgjata, duke rritur më tej fryrjen e administratës publike. Përveç kësaj, do të paguhen dhe 60 persona të tjerë si mbikëqyrës të praktikantëve, të cilët do të marrin bonuse shtesë nëse janë zyrtarë aktualë apo të emëruar me vendim politik.

Ky veprim bie ndesh me një nga kushtet thelbësore të kapitullit të negociatave me Bashkimin Europian, që ka të bëjë me racionalizimin dhe zvogëlimin e administratës shtetërore. Që nga viti 2016, numri i punonjësve në administratë është rritur me mbi 60%, ndërkohë që BE ka kërkuar uljen e saj dhe rritjen e efiçencës. Megjithatë, Rama vazhdon të përdorë administratën si bankë votash dhe sistem shpërblimesh, duke krijuar një strukturë të fryrë, klienteliste dhe politikisht të kontrolluar. Patronazhistët e PS-së rekrutohen, sistemohen dhe shpërblehen, gjithmonë me para publike.

“Pa rregulla, pa kufij”, një dokumentar për gjurmët shqiptare në zinxhirin global të kokainës

Dokumentari “Pa rregulla, pa kufij” trajton mënyrën sesi grupet shqiptare janë bërë lojtarë kyç në tregtinë globale të kokainës, veçanërisht në Ekuador dhe Kolumbi, përmes një rrjeti emisarësh dhe bashkëpunëtorësh lokalë.

Në dokumentar flasin gazetarët kolumbianë Diana Durán dhe Felipe Morales Sierra, të cilët japin një panoramë të evolucionit të krimit të organizuar në Kolumbi, nga koha e karteleve të njohura të Medellín dhe Cali, deri tek grupet e reja të lidhura me struktura paramilitare.

Durán dhe Morales theksojnë se lidhjet me krimin shqiptar filluan pas viteve 2000, kur emisarë shqiptarë nisën të shfaqen në Amerikën Latine për të porositur drejtpërdrejt dërgesat e kokainës.

Prokurori i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Alfred Shehu, tregon për punën që është bërë së fundmi për të luftuar këtë prirje të grupeve kriminale.

Gazetarët shqiptarë Fatjona Mejdini nga Global Initiative against Transnational Organized Crime (GI-TOC) dhe Xhevahir Zhabina analizojnë me detaje përfshirjen në rritje të grupeve shqiptare në trafikun ndërkombëtar, veçanërisht në Ekuador, ku operojnë gjithnjë e më shpesh me bashkëpunëtorë lokalë dhe rrugë të sigurta drejt Evropës.

Ndërsa eksperti i ekonomisë Vehap Kola flet për sfidat e sistemit shqiptar në përballjen me pastrimin e parave që vijnë nga ky trafik. Ai paralajmëron për rreziqet e mëdha që ky aktivitet paraqet për ekonominë dhe sigurinë publike në vend.

Dokumentari përbën një thirrje për reflektim mbi mungesën e kontrollit institucional dhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar për të goditur këto rrjete kriminale që veprojnë “pa rregulla, pa kufij”.

Kliko këtu për të lexuar versionin e transkriptuar të dokumentarit./citizens.al

NRG e ‘mushkonjave’ nën hetim për kontrabandë, fiton tendera me “ndihmë” nga Jonaid Myzyri i KPP

Tenderët e spërkatjes kundër mushkonjave të zonave bregdetare dhe urbane janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Tiranës, ku janë regjistruar procedime penale. Para pak kohësh, kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, u paraqit disa herë para hetuesve dhe prokurorëve të SPAK-ut, teksa atë e “pickuan” insektet e vogla. Ai dyshohet për shpërdorim detyre dhe favorizim te kompanive pjesëmarrëse në tendera, teksa shpalli fitues ato që ofruan më shumë. Madje, Myzyri guxonte dhe nuk zbatonte as vendimet e Gjykatës Administrative të Apelit, pavarësisht se ishte një vendim i formës së prerë.

Një arrogancë e frikshme e Myzyrit, teksa ndaj tij dhe kompanisë që ai favorizon gjithmonë, NRG, janë regjistruar procedime penale. VoxNews ka ndjekur në vijimësi këto procedura dhe hetime, teksa në këto radhë do të ndalemi te një tjetër aferë e Myzyrit dhe NRG-së, ku ai me vendime të befta, ka arritur të favorizojë dukshëm persona nën hetim për kontrabandë.

VoxNews ka mësuar se pronarët e kompanisë NRG, italiani Marco Genicco dhe bashkëshortja e tij shqiptare, Flutura Nuredini, janë nën hetim të thelluar nga Prokuroria e Tiranës për kontrabandë medikamentesh, me të cilat realizojnë spërkatjen kundër mushkonjave. Pra, nga njëra anë firma fiton me influencat e Myzyrit tendera me shumë zero dhe nga ana tjetër, medikamentet me të cilat duhet të spërkasë zonat, futen në mënyrë të paligjshme.

Një skemë sa kriminale aq edhe në dëm të shtetit, i cili humb dy herë. Myzyri e shpall fitues NRG-në me oferta më të larta dhe firma fituese as nuk paguan doganë!

Faksimile: Dy nenet e Kodit Penal që është nën akuzë NRG, rrezikon 10 vite burg

Dosja 3443\25 kundër NRG-së

Në vitin 2011, italiani Marco Genicco dhe bashkëshortja e tij shqiptare, Flutura Nuredini, themeluan kompaninë NRG, fillimisht me një emër tjetër. Kjo shoqëri operon në fushën e dezisektimeve dhe dezinfektimeve, madje importon edhe produkte që përdor.

Shpesh herë, firma është lakuar se favorizohet dukshëm në procedura tenderuese që zhvillonte fillimisht Instituti i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe tashmë Operatori i Blerjeve të Përqendruara. Një nga rastet më flagrante ka qenë tenderi i spërkatjes së zonave bregdetare, i ndarë në disa lote në vitin 2023, teksa ka pasur një “luftë” të ashpër mes firmave. Procedurat e zhvilluara patën të tjerë fitues në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe të tjerë (NRG-ja) në Komisionin e Prokurimit Publik. Pra, në shkallë të parë APP fitonte gjithmonë oferta më e ulët, ndërkohë në KPP fitonte oferta që kishte ofruar më shumë, firma NRG, me një “ndihmë” të madhe nga Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit. Firmat që ofronin më pak skualifikoheshin!

Jonaid Myzyri

Pikërisht këto procedura kanë dërguar disa herë në SPAK Myzyrin dhe anëtarët e tjerë, teksa përveç dëmit financiar dëm të madh kanë edhe pushuesit apo strukturat akomoduese në bregdet, të cilat “luftojnë” çdo verë me insektet bezdisëse, të cilat shumohen me shpejtësi. Sipas të dhënave nga ISHP-ja, në 12 vitet e fundit, bregdeti është dezinfektuar 4 herë dhe në këto 3 herë, tenderët janë fituar nga kompania NRG shpk, me ofertën më të lartë.

Ndërkohë, çuditërisht me zhvillimin e tenderëve, ka pasur edhe një “luftë” të fortë në organet ligjzbatuese apo edhe në gjykata. Policia dhe Prokuroria kanë vepruar disa herë, madje ka pasur edhe kallëzime ndaj firmës NRG për kontrabandë.

Në Prokurorinë e Tiranës firma NRG Shpk, dhe pronarët e saj, janë nën hetim. Ata kanë dosje për kontrabandë produktesh, ndërsa po hetohen me nenet 171 dhe 173 të Kodit Penal, të cilat parashikojnë deri në 10 vite burg. Mësohet se dosja mban numrin 3443/25 dhe është në fazën e hetimit paraprak. Sipas të njëjtave burime, kontrabanda e produkteve është faktuar edhe nga hetimi doganor dhe antikontrabanda e Drejtorisë së Doganës së Tiranës. Mësohet se firmës NRG i janë sekuestruar në flagrancë 93 litra produkt kontrabande. Ky produkt, pa leje importi dhe përdorimi në Republikën e Shqipërisë (pasi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe kriminale), po të shkrihet në ujë përkthehet në tonelata insekticid, i cili do të përdorej në mjedise të ndryshme.

Faksimile: Kallëzimi i NRG-së për firmat konkurrente, pavarësisht se është vetë nën hetim për kontrabandë

NRG ka luftë me drejtësinë, por fiton miliona nga Myzyri!

Më sipër faktuam se firma NRG, që ka fituar në vitet e fundit tenderët e spërkatjes kundër mushkonjave, është nën hetim të thelluar për kontrabandë. Ndërkohë, çuditërisht e njëjta firmë ka bërë kallëzim për firma të tjera se kanë shkelur ligjin. Një “luftë” absurde, e cila bëhet për të humbur gjurmët.

Por nëse bën vetë kontrabandë, kapesh me “presh në duar”, hetohesh, për çfarë mund të favorizosh? Skema është e qartë, e “mjeshtrave” italianë që, pasi vijnë në Shqipëri, krijojnë një rrjet dhe arrijnë të depërtojnë deri në institucione të rëndësishme. Marco, italiani i NRG, ka depërtuar deri te KPP-ja, duke kapur Jonaid Myzyrin, i cili e ka qejf t’a kapësh, pasi ka krijuar edhe ai një rrjet firmash që i favorizon gjithmonë, edhe këto të denoncuara nga VoxNews.

Në një rast, Komisioni i Prokurimit Publik skualifikoi një firmë nga gara e tenderit, pasi kishte “falsifikuar” dokumentet. Por, s’kishte asnjë vendim prokurorie, gjykate, policia apo edhe të ministrive të ndryshme që faktonin falsifikimin. Myzyri në mënyrë tepër të dyshimtë mori rolin e prokurorit, gjyqtarit, policit apo edhe të ministrit.

Faksimile: Vendimi i KPP që i dha fitoren në tavolinë firmën NRG për tenderin e lotit 4 në Durrës

VoxNews hulumtoi një tjetër vendim tepër të dyshimtë dhe me të njëjtën skemë të Komisionit të Prokurimit Publik. Bëhet fjalë për lotin numër 4, të spërkatjes së zonave bregdetare në qarkun Durrës. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka renditur sipas ofertave kompanitë, ku shpalli normalisht dhe në mënyrë ligjore firmën që ofroi më pak. Në dokumente përcaktohet se fitues u shpall firma “Flofarma” me ofertë 100 mijë euro. Ndërkohë, oferta e NRG-së ishte më e larta, me plot 140 mijë euro. KPP-ja, me në krye, shtatshkurtrin Jonaid Myzyri, skualifikoi ofertat më të ulta dhe shpalli fitues firmën e tij të “preferuar”, NRG, e cila kishte ofertë shumë më të lartë ekonomike.

 
Ndërkohë, e njëjta skemë edhe në lotin numër 5, të Qarkut Fier. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara shpall fitues kompaninë “Egian”, e cila kishte si ofertë 170 mijë euro. KPP e skualifikoi “Egian” dhe shpalli fitues NRG me ofertë 200 mijë euro. Vendime kurajoze të Myzyrit, i cili shpërfill këdo dhe i jep aforfe paratë kësaj kompanie. Madje, ai arrin që të vendosë se kujt do t’ia shpërndajë paratë, sikur të ishte një bankë dhe jo një institucion shtetëror, i cili vepron me ligje dhe rregullore. Por, Myzyri duket se s’ka frikë as Prokurorinë e Posaçme dhe tashmë Prokurorinë e Tiranës, të cilat i kanë hapur hetime dhe ai as do t’ia dijë!

Faksimile: Bilanci i kompanisë NRG në vitin 2023, ku deklaroi një fitim prej 19 mijë eurosh

NRG, fiton miliona por me fitime minimale

Paradoksi i firmës NRG, e cila në 12 vitet e fundit ka fituar shumicën e tenderëve të spërkatjes së bregdetit, qëndron se nga njëra anë marr miliona euro nga shteti dhe vetë shtetit i deklaron të ardhura minimale. Të ardhura që nuk i kanë as kafenetë e vogla të lagjeve në një vit kalendarik.

VoxNews ka shfletuar bilancet e kompanie NRG, të vitit 2023, vit në të cilën ka fituar shumicën e tenderëve të hapur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Megjithëse arkëtoi miliona, firma ka deklaruar një fitim prej 19 mijë eurosh. Nëse do ta pjesëtosh në dy, pronarët kanë fituar në atë vit as 10 mijë euro secili. Bilancet tregojnë shumëçka, pasi lënë vend për abuzim dhe fryrje të kostove të tjera. Por nëse një firmë ka futur mallra kontrabandë, s’ka paguar doganë, fiton miliona euro tendera, a mund të ketë një bilanc të tillë?!

Natyrisht, këtu lindin shumë dyshime se gjithçka ka qenë formale për të mos paguar divident apo edhe doganë dhe tatime. Skema e ndërtuar duket se funksionon me influenca dhe fitime procedurash, ku vetëm punë në terren nuk mund të bëjnë. Dhe, e gjitha kjo ka sjellë që në këtë Shqipërinë tonë turistike, kryesisht në zonat bregdetare, të ketë prani shumë të shtuar të mushkonjave, pavarësisht se shteti vetë hedh miliona euro./ Vox News

HISTORIA E NJЁ FOTOJE/ Çeta e udhëheqësit rebel Sali Butka në vitin 1912

Çeta (banda e armatosur) e udhëheqësit rebel Sali Butka (1857-1938) në vitin 1912. Sali Butka është në mes me dorën në brez. Kolonjë, Shqipëri (foto: Dhimitër Vangjeli).

Salih Tahir Aliçka ose Sali Butka (1852-1938) ishte një nga udhëheqësit dhe luftëtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare.

Sali Butka lindi në vitin 1852 në fshatin Butkë, në rajonin e Kolonjës në jug të Shqipërisë. Ai ishte një nga figurat më të shquara të Zgjimit Kombëtar Shqiptar dhe luftës për çlirim nga sundimi osman. Në fund të shek. XIX. ai punoi ngushtë me Petro Nini Luarasin për të promovuar gjuhën shqipe dhe për të mbrojtur shkollat ​​dhe mësuesit shqiptarë.

Në vitin 1905, ai u bë anëtar themelues i Komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë” në Manastir, i cili organizoi bandat e para patriotike. Po atë vit, ai themeloi bandën e parë kombëtare në shtëpinë e tij në Butkë dhe u shpall fillimi i kryengritjes së armatosur kundër osmanëve.

Në maj të vitit 1912, Sali Butka mori pjesë në Kuvendin e Pejës, i cili vendosi të niste një kryengritje të përgjithshme kundër Perandorisë Osmane. Pasi u kthye nga Kosova, ai, bashkë me Tajar Tetovën, organizuan në fshatin Frashër një mbledhje të madhe, ku morën pjesë krerët kryesorë të çetave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut. Gjatë rrugës për të shkuar në atë mbledhje, çetës së Sali Butkës, i zunë pritë forcat turke dhe në grykën e Rrungajës, aty mbeti i vrarë, djali i dytë i Sali Butkës, Iljazi, i cili më pas u shpall dëshmor i atdheut. Në krye të forcave të bashkuara kryengritëse, Sali Butka çliroi Ersekën dhe më pas, bashkë me çetat e Spiro Ballkamenit e të Kajo Babjenit në gushtin e vitit 1912, ato çliruan Korçën.

Në vitin 1920, Sali Butka u zgjodh delegat i Korçës në Kongresin e Lushnjës, ku ai mbështeti formimin e shtetit të ri shqiptar. Ai vdiq në vitin 1938, duke lënë pas një trashëgimi të fuqishme patriotizmi dhe rezistence kombëtare.

Dhimitër Kristo Vangjeli (8 shtator 1872 – 1 prill 1957) ishte një fotograf shqiptar nga fshati Prodan në rajonin e Kolonjës. I shtyrë nga një pasion i fortë për fotografinë, ai e transformoi shpejt dyqanin e tij në një laborator fotografik megjithëse jo një studio të plotë , i cili sipas pasardhësve të tij, daton që nga fillimi i viteve 1900.

Vangjeli me pasionin e tij për fotografinë shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf udhëtues, ai është ndër të paktët puna e të cilit u ndal në kapjen e jetës së përditshme të pothuajse të gjitha fshatrave në rajon, duke dokumentuar të gjitha fazat e jetës nga lindja dhe pagëzimi deri te martesa dhe madje edhe funeralet.

Ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi merret i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre

Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi është zyrtarisht i pandehur.

Roshi u paraqit sot në SPAK bashkë me avokatin ku iu komunikua akuza “shpërdorim detyre” lidhur me një kallëzim që KLSH kishte bërë ndaj tij për parregullsi me tenderat në Bashkinë e Kavajës.

Ish-kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi u kallëzua në Prokurorinë e Kavajës nga KLSH në shtator të vitit 2015, ku sipas dy kallëzimeve të ndara Rroshi dhe 10 zyrtarë të tjerë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh me tenderat e rikonstruksionit të qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve.

Shkeljet u zbuluan pas një auditi të kryer në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Në listën e shkeljeve u renditën 12 tendera, të zhvilluar kryesisht për rikonstruksionin e qendrës së qytetit, të disa rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative.

Në dy raste, KLSH e akuzoi bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Posaçme, në vitin 2017 është regjistruar procedim penal për këtë kallëzim për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, por pa autor.  Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar pushimin e hetimeve ndaj ish-kryebashkiakut të Kavajës, por Gjykata e Posaçme vendosi që çështja t’i kalojë SPAK.

Nga ana tjetër kujtojmë që më 17 maj SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë, që kandidonte për PD-ADSHM-në e Sali Berishës.

“Jam armik i pushtetit!”- “Gjyqi i deputetëve” më 27 shtator 1947, çfarë deklaroi deputeti Shefqet Beja para se të dënohej me varje në litar