Dy studentë janë arrestuar pasditen e sotme nga policia dhe janë në komisariatin numër 1, në Tiranë pas protestës së organizuar ditën e sotme para kryeministrisë. Bëhet e ditur se janë shoqëruar në polici studentët Vilson Kulemani dhe Gëzim Almeta.
Burime bëjnë të ditur se dy studentët janë shoqëruar në polici për shkak se në shenjë proteste u kanë vënë drynin fakulteteve.
Ndërkohë një grup studentësh, organizatorë të protestës po shkojnë drejt komisariatit nr.1 për të mbështetur dy të rinjtë e arrestuar.
Kujtojmë se ditën e sotme në shenjë proteste studentët i kanë vënë drynin dyerve të disa fakulteteve, ndërkohë kanë protestuar për disa orë para kryeministrisë.
Ata u shprehen të vendosur për të mos ndalur protestat deri në plotësimin e të gjitha kërkesave dhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë.
Ndërkohë që për mbylljen e dyerve me dryn, reagoi dhe vetë kryeministri Edi Rama i cili tha se kjo është prova se protesta e studentëve është marrë peng.
Dy studentë arrestohen nga policia për protestën para Kryeministrisë
28 vjetori i RD/ Basha: PD do të jetë gjithmonë në mbështetje të gazetarëve dhe lirisë së medias
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka marrë pjesë mbrëmjen e sotme në festën e 28-vjetorit të themelimit të gazetës së parë të lirë shqiptare, Rilindja Demokratike.
Në fjalën e tij ai ka uruar themeluesit dhe të gjithë bashkëpunëtorët ndër vite të RD-së. Ndërkohë që ka theksua se ai dhe PD do të jenë gjithmonë në mbështetje të gazetarëve dhe fjalës së lirë.
‘Dua të uroj të gjithë gazetarët sepse sot është një ditë feste për të gjithë median e lirë. Ju uroj duke e para gotën gjysmë plot, jo me të këqijat me të zezat që ky regjim ka derdhur mbi mediat gjatë këtij viti dhe vitin e kaluar, por me të mirat, me qëndresën e tyre të cilët u përballën me sfidat që lamë pas por do të përballen edhe këtë vit mjaft të rëndësishëm. PD do të jetë në krah të tyre, me ne nuk ka asnjë vijë ndarëse mes dallëndyshes së parë të fjalës së lirë RD-së, pdhe mes gazetarëve që punojnë sot. Ju garantoj mbështetjen time të nderuar gazetarë në të gjitha betejat tuaja. Një vit të mbarë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një vit të mbarë për lirinë e medias’, u shpreh Basha.
5 Janari ’91, të mbrojmë lirinë e fituar 28 vite më parë
Nga Bledi KASMI
Me të drejtë ngjarja e vitit të kaluar u shpall protesta e studentëve nga pjesa më e madhe e mediave dhe gazetarëve sepse ishte një furtunë që zgjoi nga gjumi një shoqëri të lodhur nga padrejtësia dhe ngjalli shpresën e një ndryshimi të madh duke e krahasuar këtë lëvizje me atë të 8 Dhjetorit ’90 që solli përmbysjen e diktaturës.
Po me aq të drejtë si ngjarja e vitit mund të ishte shpallur edhe revolta e kuksianëve që ishte një tjetër frymëzim i madh për shoqërinë dhe që dëshmoi se si mund të gjunjëzohej një qeveri që taksat e shqiptarëve i adreson në xhepat e pak njerëzve që tanimë njihen si oligarkët.
Ngjarja e vitit mund të jetë edhe revolta e gazetarëve të lirë që tani janë ngritur edhe mbi formatet zyrtare të mediave tradicionale nën presion nga qeveria për t’iu adresuar direkt qytetarëve dhe kjo është një pikë kulmore e zhvillimeve të sotme.
Mirënjohje për të gjithë ata gazetarë kurajozë që në 2018 zbardhën skandalet që i kanë kushtuar dhe do ti kushtonin shqiptarëve mjaft shtrenjtë.
A nuk ka PS njerëz, që nuk kanë vëllezër apo kushërinj të lidhur me drogën që të drejtojë Ministrinë e Brendshme?
Kjo ishte pyetja e gazetares Ambrosia Meta e cila hapi siparin e një beteje të gazetarëve me kryeministrin. Të gjithë e mbajnë mend atë ditë kur një lider global u rrëzua nga pyetja e një gazetareje të re. Ambrosia shumë mirë mund të konsiderohet edhe si gazetarja e vitit, një frymëzim për kurajon e treguar për shumë gazetarë të tjerë të rinj që mes nënshtrimit të joshjes së parave të pushtetit kanë zgjedhur të bëjnë detyrën e vështirë të gazetarit.
Gazetari tjetër Jetmir Olldashi paditet në Prokurori me akuzën për “Kallzim të Rremë” sepse zbardhi trafikun e drogës të vëllait të ministrit dhe sot vazhdon të jetë në proces gjyqsor dhe në ndjekje penale nga Prokuroria e kapur nga Kryeministri.
Me 30 Gusht shtëpia e prindërve të gazetares Klodiana Lala në të cilin ishin edhe fëmijët e saj u sulmua me breshëri kallashnikovi për shkak të detyrës së gazetares në investigimin e lidhjeve të krimit me pushtetin.
Dhjetori u mbyll me kërcënimin e gazetarit Ylli Rakipi pas denoncimit në emisionin “Të paekspozuarit” të skandalit të falsifikimit të letrës së Sekretarit të Shtetit të Delaëare për të transferuar 18 milionë eurot në Shtetet e Bashkuara nga një kompani fantazmë e përzgjedhur me kujdes nga qeveria dhe që nuk kishte asnjë punëtor dhe asnjë makineri dhe megjithatë rezultoi të ketë fituar dy tendera me vlerën e 30 milionë eurove.
2018 është viti i parë në këto 28 vite demokraci ku organizmat ndërkombëtarë kanë bërë të paktën 12 deklarata zyrtare në drejtim të qeverisë për të mos cënuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias dhe i kanë kërkuar Kryeministrit të dënojë dhunën ndaj gazetarëve. Në asnjë rast Kryeministri nuk ka denoncuar dhunën dhe në asnjë rast dhunuesit e gazetarëve nuk kanë dalë përpara drejtësisë. Kjo është shprehje e qartë për të kuptuar se kush qëndron pas dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.
Kjo është panorama e shkurtër e një viti të gjatë përballje të gazetarëve me integritet ndaj një regjimi që duke qenë në agoni mendon se mund të zgjasë jetën duke i mbyllur gojën gazetarëve. 2018 mund të konsiderohet një fillim i mbarë sepse vazhdimi i betejës që do të sjellë ditët e ardhshme edhe një luftë frontale në mbrojtje të lirisë të së fjalës nga gazetarët.
Qeveria i ka shpallur këtë vit një luftë frontale qeverisë me dy ligjet e reja të ashtuquajtuara “kundra shpifjes” dhe që synojnë mbylljen e portaleve kritike me qeverinë.
Eshtë e rëndësishme që gazetarët tani të bëhen të gjithë bashkë jo për të mbrojtur veten, por për të mbrojtur lirinë e fjalës. Sipas ligjit të ri Antishpifje ri një portal do të dënohet deri në 10 milionë lekë gjobë në rast se nuk do të zbatojë 11 rregullat që ka vendosur qeveria. Dhe në rast se nuk i paguan gjobën Ramës atëhere portali mbyllet.
Rregullat mund të jenë të vlefshme për gazetarët vetëm në rast se ato vijnë pas një diskutimi më gazetarët dhe shoqatat e tyre dhe vetëm kur pranohen prej tyre, por asnjëherë një ligj i tillë nuk do të pranohet kur gazetarët nuk pyeten dhe ligji i imponohet nga Kryeministri që urren gazetarët dhe mediat.
Po kush është institucioni që do të vendosë gjobat? Eshtë AMA, një institucion i kontrolluar nga Rama, i cili do të ngarkojë tre punonjës në varësi totale nga Kryeministri për të vendosur se kush portal duhet të mbyllet dhe se cili nuk do të mbyllet.
Një kusht që qeveria ka vendosur për të mos gjobitur me 10 milionë lekë një portal apo për të mos e mbyllur është që “raportimi duhet të jetë i drejtë” dhe se kush është e drejtë e vendos Rama.
Një kusht tjetër dhe ky është akoma dhe më qesharak që Portali të mos mbyllet është që “të marrë masa mbrojtëse për mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale”. Pra, një qeveri që funksionon si organizatë kriminale i jep të drejtë vetes që të përcaktojë qëllimet kriminale të një portali!
Kushti i tretë duhet të që portali të mos cënojë të Drejtat e Njeriut dhe sipas këtij kushti dhe standartit të Ramës të gjithë portalet duhet ti kërkojnë ndjesë Tahirit për akuzat që kanë bërë ndaj tij, në të kundërt gjobiten ose mbyllen.
Mediat thotë qeveria nuk duhet të cenojnë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e publikut dhe në këtë rast qeveria vetëm se ka sanksionuar nenin për Agjitacion e propagandë për armiqtë e brendshëm që rrezikojnë pushtetin e partisë-shtet.
Të gjitha nenet e përcaktuara nga Rama që një medial të mos gjobitet deri në 10 milionë lekë janë po aq qesharake sa ai vetë madje nuk ka harruar të shtojë se portalet mund të mbyllen në rast se të cënojnë shëndetin publik.
Një nen i tillë nuk funksionon për inceneratorët që helmojnë masivisht qytetarët, por vendoset si sankison për mediat.
Katër organizata të njohura ndërkombëtare si; Qendra Europiane për Lirinë e Medias, Federata Europiane e Gazetarëve, Reporterët pa Kufij dhe PEN International i kanë kërkuar kryeministrit të tërheqë menjëherë këto projekligje
Me këtë ligj ky që e ka bërë mendon se do të jetë viti i fundit i lirisë së fjalës dhe medias së lirë në një kohë që janë muajt e fundit të tij në krye të qeverisë.
28 vjet më parë doli numri i parë i gazetës së parë opozitare me diktaturën RD-së, dhe sot sot pas 28 vjetësh detyra e sicilit prej nesh është të mbrojmë lirinë që kemi fituar 28 vite më parë.
Shtëpia 400 milionë e Edi Ramës, përdor gruan si ‘mburojë’!
Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për fshehjen e pasurisë. Në një dalje publike nga selia blu, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa deklaroi se, Rama nuk ka ndërmend që të plotësojë kërkesat e studentëve që protestojnë, pasi nga kjo çështje nuk ka para për të vjedhur.
Po ashtu Zhupa në emër të PD tha se, Rama deklaroi se toka ku u ndërtua shtëpia në Surrël ishte blerë dhe ndërtuar me kursimet e gruas.
Ajo theksoi se, vlera reale e kësaj vilës, sipas ekspertëve të fushës, është më e madhe se ajo që ka deklaruar Rama.
‘Edi Rama ka bërë zgjedhjen më burracake, duke vendosur që për të gjitha akuzat mbi pasurinë e tij marramendëse, të përdorë gruan si mburojë.
Është koha që Edi Rama të mos fshihet me pas gruas, por t’i dale per zot dhe të japë llogari për luksin e paturpshëm’, deklaroi ndër të tjera, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa.
Deklarata e plotë e zëdhënëses së PD, Ina Zhupa
Edi Rama nuk ka ndërmend të plotësojë kërkesat e studentëve, për një arsye të thjeshtë: aty nuk ka aq shumë lekë për të vjedhur. Lekët e studentëve kryeministri i ka vjedhur prej kohësh përmes Ligjit të Arsimit të Lartë dhe sot vetëm tallet me studentët.
Për Edi Ramën ka rëndësi vetëm ruajtja e standardit të jetës mes luksit: Luks në shtëpinë e tij në Surrel, luks në zyrën kryeministrore me salla masazhi dhe dhoma puroje, luks me studion e punëve private me oxhak 18 mijë euro.
Sipas një dokumenti të brendshëm te OSBE-së, Edi Rama, për 11 vjet kryetar i Bashkisë së Tiranës, zotëronte në vitin 2015 një pasuri të fshehur 200 milionë euro. Imagjinoni sa është shtuar pasuria e fshehur e Edi Ramës, pasi ka dhënë çdo gjë me koncesion tek një grusht klientësh të oborrit të Surrelit.
Edi Rama e nisi karrierën me 10 milionë lekë dhe sot, vetëm vlera e shtëpisë superluksoze në Surrel është deklaruar 400 milionë lekë.
Ai thotë se tokën ku është ndërtuar shtëpia ia ka blerë gruaja. Dasmën e bën me kursimet e gruas, shtëpinë superluksoze e paska ndërtuar me kursimet e gruas. Madje edhe në bankën me pronarë fantazëm në parajsa fiskale e ka vënë në emër të gruas.
Edi Rama ka bërë zgjedhjen më burracake, duke vendosur që për të gjitha akuzat mbi pasurinë e tij marramendëse, të përdorë gruan si mburojë. Kryeministri ka detyrimin të shpjegojë pse luksi real dhe pasuria e tij nuk përputhen me deklaratën e pasurisë.
Shqiptarët duan të dinë pse ata kanë fëmijët pa ngrohje në shkolla dhe konvikte, ndërsa Edi Rama ngrohet në oxhak 18 mijë euro.
Shqiptarët duan të dinë pse 290 mijë fëmijë ushqehen vetëm 1 herë në ditë, ndërsa kryeministri i tyre jeton si sulltan mes luksit, në një shtëpi që profesionistët e llogarisin me vlerë 2 milionë euro.
Fshehja e pasurisë marramendëse është arsyeja përse Edi Rama votoi kundër vettingut të politikanëve.
Ndërsa përdorimi si mburojë politike e gruas së tij është prova e degradimit të një kryeministri që e ka përdorur pushtetin për të varfëruar edhe më shumë shqiptarët, për t’i detyruar të largohen të pashpresë nga vendi dhe për t’u pasuruar me babëzi e lakmi të pafundme për vete.
Është koha që Edi Rama të mos fshihet me pas gruas, por t’i dale për zot dhe të japë llogari për luksin e paturpshëm në të cilin jeton!
Policia hyn në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës Urbanistike, Berisha publikon videon
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka vijuar me publikimin e denoncimeve të mbërritura në adresë të tij nga studentët për terrorin që po ushtrohet nga policia për të ndalur protestën.
Me anë të një postimi në rrjetet sociela, Berisha ka publikuar një video në të cilën shihen dy punonjës të policisë brenda ambienteve të Fakultetit të Arkitekturës Urbanistike.
Berisha shkruan: “Ja se si Narkos me uniforme perdhosin tempullin e Universitetit konkretisht mjediset e FAU! sb”
Ja se si Narkos me uniforme perdhosin tempullin d Universitetit konkretisht mjediset e FAU! sb
Gepostet von Sali Berisha am Montag, 7. Januar 2019
Mbyllet protesta e studentëve, çfarë parashikohet për ditën e nesërme
Eshte drejt mbylljes për ditën e sotme protesta e studentëve para godinës së Kryeministrisë. Studentët kanë njoftuar se do mblidhen sërish nesër në të njëjtën orë. Ata duken të vendosur për bojkot dhe protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Gjatë ditës së sotme studentët bojkotuan sërish auditorët duke dalë në protestë për plotësimin e 9 kërkesave të tyre. Studentët kërkuan sot edhe anulimin e ligjit të arsimit të lartë.
Studentët janë mbledhur nga ora 08-09:30 para fakulteteve për t’u bashkuar më pas në orën 10:00 para Kryeministrisë. Ata kanë gozhduar dhe kyçur dyert e disa fakulteteve. Në protestën e sotme, studentët kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.
Studentët janë shprehur se ka numër të ulët të studentëve në shesh krahasuar me protestat e para, pasi sipas tyre po protestohet në dy fronte. Fronti i parë vetëm bojkot i auditorëve dhe fronti i dytë bojkot dhe protestë në sheshe.
Pavarësisht disa vendimeve të Këshillit të Ministrave si dhe paktit për Universitetin të propozuar nga qeveria, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, jo me VKM por me votë në parlament. Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë.
Kujtojmë se ishte 5 dhjetori i vitit të kaluar, kur studentë të universiteteve publike të Tiranës marshuan para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar fillimisht shfuqizimin e pikës 4 të VKM 288, që përcaktonte një tarifë shtesë për provimet e mbartura.
Por pas plotësimit të kësaj pike, studentët shtuan edhe kërkesa të tjera siç janë rritja e buxhetit për arsimin, ulja e tarifave, si dhe përmirësimi i kushteve në universitete dhe konvikte.
Kush dëbohet nga Gjermania dhe kur?
Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer synon dëbime më të shpejta të atyre azilkërkuesve që kryejnë vepra penale. Por rregulloret se kur një azilkërkues duhet të dëbohet janë mjaft të detajuara.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer (CSU), azilkërkuesit duhet të dëbohen menjëherë, në rast se ata shkelin ligjin në Gjermani. Së shpejti, Seehofer do t’i paraqesë qeverisë gjermane propozime të reja për ndryshime të caktuara ligjore. Kërkesat e tij vijnë pas një sulmi të javës së kaluar në qytetin bavarez Amberg. Më 29 dhjetor, katër azilkërkues të alkoolizuar nga Siria, Afganistani, Irani të moshës 17-19 vjeç sulmuan kalimtarë në rrugë duke i qëlluar. 12 vetë u lënduan.
Aktualisht në Gjermani nuk ka të dhëna, se sa vetë dëbohen pas kryerjes së një vepre penale, në tërësi vitin e kaluar ka rënë numri i dëbimeve. Në gjysmën e parë të vitit 2018 u dëbuan 12.300 vetë, krahasuar me vitin 2017, një rënie me 2%. Edhe ligji gjerman si rregull i ndalon dëbimet, nëse personi që do të dëbohet, kërcënohet nga tortura apo vdekja në vendin e origjinës, ose nëse jeta e tij vihet në rrezik për shkak të fesë, racës, nacionalitetit, bindjes politike apo përkatësisë në një grup social.
Kush dëbohet nga Gjermania?
Të huajt që duan të jetojnë në Gjermani kanë nevojë për një leje qëndrimi, refugjatët dhe azilkërkuesit marrin vetëm një leje të përkohshme qëndrimi, për sa kohë, që trajtohet kërkesa e tyre. Në rast se kërkesa e azilit refuzohet, ata nuk kanë më të drejtë qëndrimi dhe duhet ta braktisin Gjermaninë brenda një afati të caktuar, (jo më larg se 6 muaj). Nëse ky afat skadon, atëherë ata dëbohen me detyrim nga Gjermania në vendin e origjinës.
Çfarë ndodh me të huajt që kryejnë krime?
Një person, i cili gjatë kohës së trajtimit të kërkesës së azilit dënohet me burgim të paktën deri në tre vjet, duhet teorikisht të dëbohet. Për personat e tjerë, që dënohen për vepra penale të vogla, ose nëse ata shihen si kërcënim për rendin publik, vendosin autoritetet vendore për dëbimin e tyre. Vendimi i tyre bazohet në dy faktorë: Sa e rëndë ka qenë vepra penale e kryer dhe sa e lartë është nevoja për mbrojtjen e të dënuarit që duhet dëbuar? Një person, që ka kryer vetëm shkelje ligjore, dhe që në vendlindje kërcënohet nga tortura apo vdekja nuk dëbohet. Tek një i huaj me familje gjermane me një vend pune të caktuar, shansi për dëbim është po ashtu i vogël, nëse ai nuk ka kryer një krim të rëndë.
Një rregullore e përgjithshme thotë, se të huajt që të paktën dënohen me dy vjet heqje lirie mund të dëbohen. Edhe një vit dënim përbën arsye dëbimi, nëse vepra penale e kryer është pjesë e një katalogu veprash penale, që u krijua pas sulmeve të Vitit të Ri 2015/2016 në Köln. Atëherë një grup migrantësh afrikanoveriorë apo arabë sulmuan apo ngacmuan seksualisht femrat. Ky katalog përmban vepra penale si lëndim trupor, delikte seksuale apo rezistencë kundër autoriteteve përmbaruese.
Kush vendos se kush dëbohet?
Dy autoritete e kanë kompetencën për dhënien e vendimit të dëbimit nga Gjermania – zyra e te huajve, që është pjesë e qeverive të landeve federale dhe Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët, BAMF. Në shumicën e rasteve zyra e të huajve është përgjegjëse për dhënien e zbatimin e urdhëresave të dëbimit, por në procesin e trajtimit të kërkesës së azilit, është BAMF, që ka po ashtu të drejtë, pas refuzimit të kërkesës, të kërkojë dëbimin. Edhe në raste të tilla, zbatimin e bën zyra e të huajve të landit federal, ku qëndron personi.
Për shkak se ka shumë njerëz që nuk duan të largohen vullnetarisht, zyra e të huajve thërret si ndihmë policinë. Procesi i dëbimit është detyrë e kontrollit kufitar, dëbimet kryhen nga Policia Federale, që siguron kufijtë e vendit. Por autoritetet mund të bëjnë edhe kërkesë në gjykatë për „mbajtje në burg para dëbimit” që mund të zgjasë deri në 18 muaj. Kjo, në rast se ata kanë të dhëna se personi mund të fshihet.
A kanë të drejtë të prekurit të apelojnë vendimin?
Po. Personat, të cilëve iu është refuzuar kërkesa e azilit, mund të ankohen tek Gjykata Administrative, që verifikon vendimin e autoriteteve. Por atyre që iu është refuzuar kërkesa „dukshëm e pajustifikuar”, kanë vetëm një javë kohë të apelojnë, të tjerët vetëm dy javë. Vitet e kaluar, punonjësit e mbingarkuar të BAMF duket se kanë marrë vendime të gabuara vitet e fundit. Shumë azilkërkues ankimojnë vendimet, e deri në vendimin e gjykatës mund të qëndrojnë në Gjermani.
Cilat janë arsyet që sjellin shtyrjen e dëbimit?
Mes atyre që janë të detyruar të braktisin Gjermaninë, shumë nuk dëbohen, kur janë të sëmurë fizikisht apo kanë probleme psikike, ose sepse u mungojnë dokumentet e identitetit, si pasaporta apo karta e identitetit. Por edhe personat që fillimisht lejohet të qëndrojnë, mund të dëbohen. Kjo ndodhi me refugjatët e luftërave të Ballkanit në vitet 90-të. Refugjatët nga ish-Jugosllavia duhet të ktheheshin në shtëpi, pas stabilizimit të situatës në vendlindje.
Lojërat e rrezikshme me kufijtë në Ballkan
Ndryshimet e kufijve dhe krijimi i shteteve të mëdha në Ballkan nuk janë të mundura pa luftë, mendojnë analistët në Sarajevë. Ata flasin edhe për krahasimet mes Kosovës dhe Republikës Srpska.
Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili tha se “kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është hequr sipas parimit të Shengenit”. Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin thotë se kjo është një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila sipas tij, “nuk mund të krijohet pa konflikte në mbarë Ballkanin, e jo vetëm me Serbinë“. Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq ka akuzuar autoritetet në Prishtinë për “cënimin e stabilitetit rajonal”. Ajo shfrytëzoi rastin për të krahasuar Kosovën me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.
“Duket qartë se tani po flitet për kufijtë, e si është e mundur që kjo të vlejë vetëm për disa, e jo edhe për Republikën Serpska“, tha Brnabiq.
Menjëherë pas këtyre deklaratave kanë reaguar edhe autoritetet në Sarajevë. Anëtari i Presidencës së B-H, Zhelko Komshiq tha se “kufijtë e B-H nuk mund të kontestohen në asnjë mënyrë, pavarësisht se çfarë ndodh mes Kosovës dhe Shqipërisë“. „Pse dikush mendon se politika e viteve 90-të tani mund të japë rezultate të tjera? Në vend se t’i kthehen bashkëpunimit, integrimeve evropiane dhe stabilizimit të rajonit, ata me këmbëngulje po përpiqen të tërheqin paralele totalisht të paqëndrueshme mes B-H dhe Kosovës”, thotë anëtari kroat në Presidencën e B-H, Zhelko Komshiq. Ndërsa anëtari boshnjak, Shefik Xhaferoviq pohon se përpjekjet për cënimin e integritetit territorial apo ndryshimet e kufijve, “nuk do të kontestonin ekzitencën e B-H, por do të cënonin paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit, sepse kjo do t’i jepte fund Marrëveshjes së Dejtonit, pra edhe strukturave të brendshme etnike të B-H”.
Korrigjimet e kufirit nuk janë të mundshme pa konflikte?
Bashkëkryetari i Iniciativës së Igmanit për Serbi, Aleksandar Popov, në një deklaratë për Deutsche Wellen rikujton tezat e diplomatit dhe gjeopolitologut britanik Timothy Less, i cili thoshte se pa krijimin e një “Serbie të madhe”, “Shqipërie të madhe” dhe “Kroacie të madhe”, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Ai mendon se këta skenarë nuk janë të mundur pa luftëra të reja.
„Kur flitet për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se këtu janë të përzier shumë amerikanët dhe se ata kanë dhënë idenë për heqjen e kufirit. Nëse kjo ide vërtet realizohet, atëherë i tërë rajoni do të ketë probleme serioze, sepse e gjithë historia nuk përfundon me kaq. Serbisë menjëherë do t’i bashkohet Republika Serpska, ndërsa ‘Herceg-Bosna’ (pjesa e Hercegovinës e banuar me shumicë kroate) do të bashkohej me Kroacinë. Nga B-H që e njohim sot nuk do të mbetej asnjë gurë mbi gurë. E ndryshime të tilla territoriale nuk janë realizuar kurrë pa luftë. Idetë të tilla realizohen në ndonjë konferencë paqësore pas luftërave”, thotë Popov.
Procesi i dhunshëm i ndryshimit të kufijve në Ballkan ka filluar në vitet 90-të, e ka përfunduar me Marrëveshjen e Dejtonit dhe krijimin e RS, thotë bashkëbiseduesi ynë. “Vazhdimi i këtij procesi mund të bëhet vetëm me luftë, por duhet ditur se konfliktet sot do të përfshinin një hapësirë shumë më të madhe, duke përfshirë edhe Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë. Këto janë lojëra luftërash ballkanike pa kufi. Luftërat e viteve 90-të kanë përfunduar brenda kufijëve të ish-repbulikave jugosllave. Konfliktet e reja për ndryshimin apo heqjen e kufijëve të tanishëm, me qëllim krijimin e shteteve të mëdha në Ballkan, do të ndiznin një zjarr i cili kësaj radhe do të përfshinte hapësira edhe më të mëdha”, thotë Popov.
Destabilizimi i Ballkanin cënon edhe BE
Popov beson se jashtë kontinentit të vjetër ekzistojnë fuqi, të cilat duan të cënojnë edhe Bashkimin Evropian (BE). „Presidenti i paparashikueshëm amerikan Donald Trump ka ndërmarrë ndërkohë shumë hapa për destabilizimin e BE dhe atë në momentin kur Evropa është më e plagosur se kurrë më parë, sepse brenda BE ekzistojnë kundërthënie të mëdha. Kam frikë se kjo mund të cënojë edhe vetë ekzistencën e BE”, pohon Aleksandar Popov.
Analisti politik në Sarajevë Almir Terziq mendon se krahasimet mes Kosovës dhe B-H, respektivisht RS si pjesë e B-H dhe Kosovës, janë një përpjekje e liderëve serbë që qytetarët e tyre në Serbi t’i bindin se ata nuk janë humbësit më të mëdhenj të territoreve në Ballkan dhe se Beogradi ende ka çfarë të thotë jashtë territorit të Serbisë. „Kur kemi parasysh proceset e tjera evropiane të cilat detyrimisht do të pasojnë, një politikë e tillë më së shumti do të dëmtojë pikërisht Beogradin. Përveç kësaj, Serbia edhe në kohën e sundimit të Aleksandar Vuçiqit po insiston për nënshkrimin me B-H të një marrëveshje, me të cilën lumi Drina përfundimisht definohet si kufiri me B-H dhe gjërat me kaq përfundojnë“, nënvizon Terziq.
Reaksion zinxhir
Ai kritikon edhe masat e Kosovës “të cilat nuk janë në funksion të forcimit të stabilitetit në rajon“. „Prishtina duhet të respektojë marrëveshjet ekzistuese, ndërsa autoritetet serbe, në radhë të parë kryeministrja Brnabiq, do të bënin mirë sikur të fokusohehesin tek zgjidhja e problemeve në Vojvodinë dhe Sanxhak, që të mos përballen me gjëra që nuk do të ishin të mira për Serbinë, rajonin dhe Evropën. Kohën e ndarjeve, nxitjeve dhe në veçanti kërcënimeve me luftëra të reja dhe me ndryshimin e kufijëve, duhet ta lëmë pas nesh. Ka ardhur koha e bashkimeve, në kuadër të BE”, thotë Terziq.
Ndryshimet, respektivisht “korrigjimet” e kufijve në Ballkan, nuk kanë pasur mbështetje në BE dhe në SHBA, që nga koha e viteve 90-të – ndonëse disa analistë thonë se Uashingtoni ka qenë i gatshëm të mbështesë parimin e korrigjimit të kufijve në kuadër të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Por shumica e vendeve anëtare të BE mendon se ndryshimi i kufijve sipas parimeve etnike mund të shkaktojë konflikte të reja dhe dhunë. Ekspertët thonë se ndryshimet e këtilla të kufijve do të ishin një projekt i cili do të rezultonte me “reaksione zinxhir”.
Protestë edhe në Vlorë, ish-punonjësit e transportit urban në rrugë
Ish-punonjësit e parkut urban të Vlorës kanë protestuar këtë të hënë përpara institucionit.
Rreth 60 punonjës kanë kërkuar pagat e prapambetura të Nëntorit dhe Dhjetorit, pasi Bashkia e Vlorës mori vendimin për shkrirjen e institucionit dhe njohu detyrimet e prapambetura. Por Janari, pavarësisht premtimeve të kreut të Bashkisë së Vlorës, se do ti punësoj, punonjësit prej 30 vitesh të parkut urban, çështja e tyre nuk ka marr rrugën e zgjidhjes.
Teksa kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestës para bashkisë, punonjësit kanë theksuar se falimentimi i parkut urban ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit dhe dhënies së lejes për dublimin e shërbimit nga një kompani private qysh në 2012-tën.
Aktualisht këshilli bashkiak i Vlorës ka marr vendimin për shkrirjen e parkut urban të Vlorës dhe pagesën e detyrimeve të prapambetura nga buxheti i bashkisë për këtë vit, ndërsa shërbimi përgjatë muajit Janar do të mbulohet nga operatori privat më shpënzime të mbuluara nga bashkia e Vlorës, por pa kontratë të rinovuar pqas ende nuk janë caktuar kërkesat e Bashkisë për kompanitë që do të duan të hyn në garë.
Trump nuk tërhiqet nga kërkesa për murin
Presidenti amerikan Donald Trump nuk dha shenja të dielën se do tërhiqej nga kërkesa për një mur përgjatë kufirit jugor me Meksikën, duke thënë se “nuk do të ketë asnjë përkulje” nga ana e tij.
“Duhet të ndërtojmë një mur, një barrierë. Mund të jetë edhe prej çeliku”, u tha gazetarëve Presidenti Trump gazetarëve, para se të nisej në rezidencën presidenciale Camp David në Merilend, për diskutime me zyrtarë të lartë të administratës për sigurinë kufitare dhe politikat që kanë në plan të ndjekin këtë vit.
Ndërkohë, zoti Trump është në një mosmarrëveshje me ligjvënësit demokratë të opozitës lidhur me kërkesën e tij për fonde prej mbi 5 miliardë dollarë për barrierën, një bllokim që ka mbyllur rreth një të katërtën e operacioneve qeveritare për 16 ditë, ndër mbylljet më të gjata të qeverisë në historinë amerikane.
“Kjo mbyllje mund të përfundojë nesër, ose mund të vazhdojë për një kohë të gjatë”, tha zoti Trump said, duke vënë në dukje se demokratët që po refuzojnë kërkesën e tij për murin, kanë votuar pro barrierave në kufirin SHBA-Meksikë në të kaluarën.
Zoti Trump tha se ai nuk pret ndonjë rezultat në ditën e dytë të negociatave mes zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë nënpresidentin Mike Pence, dhe këshilltarëve të lartë të Kongresit, rreth mënyrës se si t’i japin fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, e cila po ndikon tek mijëra punonjës federalë dhe po shkakton vonesa dhe vështirësi për qytetarët amerikanë. Mbyllja e qeverisë amerikane është tashmë në javën e tretë.
Trump thotë se ende po mendon të shpallë një emergjencë kombëtare duke u përpjekur të anashkalojë Kongresin dhe të ndërtojë barrierën në kufirin me Meksikën.
Ai thotë se kjo është një “betejë shumë e rëndësishme që duhet fituar”.
Demokratët e Kongresit janë zotuar të mos miratojnë fonde për ndërtimin e murit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e ka quajtur murin “të pamoralshëm”.
Presidenti Trump njoftoi përmes Twitter-it se do të shkonte në Camp David për të diskutuar me stafin çështjet e sigurisë kufitare. Në vazhdim botoi një poster ku ai shfaqet pas sfondit të një gardhi të hekurt kufitar dhe me mbishkrimin me gërma kapitale “MURI PO VJEN”.
Bisedimet që u zhvilluan të shtunën u mbyllën pas disa orësh pa arritur progres.
Këshilltari i Lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe dhëndër i Presidentit, Jared Kushner, si dhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, ishin gjithashtu të përfshirë në takime. Demokratët kërkuan të dhëna të detajuara për nevojat buxhetore të kësaj agjensie, për të cilat Shtëpia e Bardhë premtoi se do t’i përgatisë.
Nënpresidenti Mike Pence, i cili gjithashtu mori pjesë në takimin e së shtunës, i përshkroi diskutimet si “produktive”.
Por, vetëm pak më vonë, Presidenti Trump reagoi duke shkruar në Twitter se “nuk pati progres sot” dhe duke njoftuar se do të vazhdonte të dielën takimi i dytë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u shpreh përmes një deklarate se “pasiguria e pakuptimtë dhe kaosi i mbylljes së qeverisë nga Presidenti Trump duhet të mbarojë, tani”. Ajo informoi se demokratët do të fillojnë miratimin e ligjeve individuale për financimin e agjensive federale, duke filluar me financimin e Agjensisë së Taksave, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin rimbursimin nga taksat që kanë paguar gjatë vitit.
Presidenti Trump ka kërcënuar se do të anashkalojë Kongresin dhe do të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare për të ndërtuar murin kufitar. Deri më tani, rreth 800 mijë punonjës federalë janë të pezulluar nga puna, ose janë të detyruar të punojnë pa pagesë.