16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Juventus hidhet në sulm për Mbappe

Thuhet se Juventus është interesuar për të marrë talentin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe. Francezi shihet si ylli global i së ardhmes, pasi në moshën 20 vjeçare ai ka fituar Kupën e Botës dhe është një komponent kyç në kampionët e Francës.
Ditët e fundit emri i tij është lidhur me ekipin kryesues të Seria A, ndërsa “Tuttosport” ditën e sotme ka zbuluar se marrëveshja është shumë e vështirë, por jo e pamundur.
PSG-ja po investigohet për Fair Play Financiar kështu që do të detyrohet të shesë një nga dy yjet e saj.
Mbappe mund të kushtojë rreth 200 milionë euro, duke menduar se kampionët francez kanë paguar 180 milionë pëe të nënshkruar me të nga Monaco.
Kjo do të jetë dyfishi i asaj që “Zonja e Vjetër” ka paguar për Cristiano Ronaldon, i cili është një rekord për transferimet në Seria A. Për të kryer lëvizjen atyre do t’iu duhet të shesin Paulo Dybala për të rritur marrëveshjen.

Trump, takim i dytë me Kim Jong Un gjatë 2019-ës

Presidenti Donald Trump thotë se shpreson ta takojë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un gjatë vitit 2019 edhe pse zoti Kim deklaroi për një audiencë kombëtare se vullneti i mirë i krijuar me Shtetet e Bashkuara në vitin që sapo u mbyll nuk mund të vazhdojë gjatë 2019-s.
Në një takim të kabinetit të mërkurën, zoti Trump tha se sapo kishte marrë një letër nga kreu i Koresë së Veriut.
Më parë gjatë ditës, Presidenti Trump shprehu në Twitter optimizëm për një takim të ri me udhëheqësin Kim.
Një ditë më parë, kreu i Koresë së Veriut paralajmëroi se Peniani mund të ndryshojë qëndrim ndaj bisedimeve bërthamore, nëse SHBA i vazhdojnë sanksionet ekonomike ndaj vendit të tij.
“Unë jam gjithmonë i gatshëm për t’u ulur përsëri me presidentin amerikan në çdo kohë dhe do të bëj përpjekje për të prodhuar një rezultat që komuniteti ndërkombëtar do ta mirëpriste. Megjithatë nëse SHBA luajnë me durimin e popullit tonë, dhe vazhdojnë sanksione apo presione pa mbajtur premtimin që kanë bërë përpara botës, ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveçse të eksplorojmë një rrugë të re për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe për të arritur paqen në gadishullin Korean”, tha Kim Jong Un.
Gjatë fjalimit me rastin e Vitit të Ri, zoti Kim shprehu gjithashtu “vullnetin e fortë,” siç e quajti ai, se Koreja e Veriut nuk do të prodhojë ose provojë armë bërthamore, as “do të përdorë ose përhapë” arsenalin e saj.
Negociatat midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut kanë ngecur që nga samiti i qershorit 2018 në Singapor.

Kina rrit presionin mbi Tajvanin, nuk përjashton përdorimin e dhunës

Presidenti kinez, Xi Jinping përforcoi në një fjalim të tij qëndrimin e Pekinit për çështjen e Tajvanit. Edhe më 2019, presioni mbi Tajvanin do vazhdojë të rritet, mendon Philipp Bilsky.
Qëllimi mbetet ribashkimi paqësor, deklaroi Xi Jinping në Sallën e Madhe të popullit, në Pekin. Por ai nuk mund të premtojë heqjen dorë nga përdorimi i dhunës. Kina, dëshiron të mos përdorë ndërhyrjen e “masave të domosdoshme” për të arritur ribashkimin me Tajvanin. Kina është e gatshme të zhvillojë bisedime. Por, vetëm me kushtin që përfaqësuesit e Tajvanit të pranojnë principin e një Kine.
Shumë media e vunë në faqen kryesore të tyre fjalimin e presidentit kinez, si ngjarjen më të rëndësishme të ditës. Por çfarë rëndësie ka fjalimi? Çfarë koseguencash mund të ketë ai? Nga pikëpamja përmbajtësore Xi tha pak gjëra të reja. Dhe nuk mund të pritet që Kina t’ i verë fjalët në vepra dhe të veprojë ushtarakisht kundër Tajvanit.

Një ekspert tajvanez e interpretoi fjalimin kryesisht si mesazh dërguar SHBA, për të bërë të qartë se Kina nuk duron kërkënd të fusë hundët në “çështjen e Tajvanit”. Marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA, janë shumë të tensionuara jo vetëm për shkak të grindjeve të fundit tregtare. Në marrëdhëniet kinezo- amerikane bëhet fjalë për çështjen themelore: Kush do e dominojë nesër botën, si në fushën e teknologjisë ashtu edhe në çështjet gjeopolitike. Sipas pikëpamjeve amerikane, në garën me Kinën, Tajvani luan një rol të rëndësishëm.
Fjalimi i Xi-së jep edhe një sinjal se çfarë duhet pritur këtë vit nga politika e Pekinit për Tajvanin. Muajt e fundit Kina e ka rritur më shumë presionin mbi Tajvanin. Kështu për shembull, vetëm më 2018-tën Pekini bëri për vete tre partnerë aleatë të Tajpehut, kështu që tani kanë mbetur vetëm 17 vende që e njohin Tajvanin. Kina, po ashtu ka detyruar shoqëritë ajrore ndërkombëtare, që të ndryshojnë faqet e internetit dhe të mos e fusin Tajvanin në to si vend të pavarur. Ky presion pritet edhe më 2019 të rritet.

Ermal Mamaqi, si sapun i zhulit të fytyrave të korrupsionit!

Nga Ergys MERTIRI

Për të disatin vit rradhazi, Ermal Mamaqi hap dyert e emisionit të tij, duke ia kushtuar hapësirën televizive të festave Edi Ramës dhe Erion Velisë.
Detyra e Mamaqit është t’iu çojë shqiptarëve në tryeza, kontrabanduar mes humorit banal dhe batutave bajate, fytyrat e padëshiruara të këtyre dy personave, për të zbutur, mes gëzimeve të festës, neverinë e përgjithshme që i shoqëron. Mamaqi pranon të bëhet sapuni që shkumon zhulin, fytyrave të tyre të lyrosura nga korrupsioni.
Në klipin e emisionit të fundit, Rama paraqitet sikur po shkon tek Mamaqi i detyruar nga këmbëngulja e tij e papërballueshme, duke mos e lënë të qetë as në dush e në shtrat, me kërkesën për dialog. Në fakt, është Rama i dëshpëruar për të dalë në emisionin e tij, qoftë edhe pa brekë, për të zbutur e normalizuar sa të mundet, situatën e menderosur ku ndodhet, ku studentët i kthejnë krahët dhe e pështyjnë sa herë që ky i del përpara për dialog. Për këtë ai është gati të bëjë çdo lloj marrëzie, sepse çdo figurë tjetër, sado qesharake, e çliron sado pak nga kjo ku është.
Humori, si të gjithë format e tjera të artit është dhe duhet të jetë gjithmonë opozitar me pushtetin. Një humorist që pranon t’i shërbejë pushtetit është vetëm një klloun oborri.

Gjermania autorizon furnizim e Egjiptit me armë luftarake

Qeveria gjermane i ka dhënë me sa duket dritën jeshile një eksporti të madh armatimesh në Lindjen e Mesme. Sipas informacioneve të revistës gjermane “Spiegel”, Këshilli Federal gjerman, i mbledhur në fshehtësi ka dhënë lejen për eksportin e një fregate në Egjipt. Shitja duhet të jetë aprovuar pak para ndryshimit të vitit. Bëhet fjalë për një fregatë të tipit Meko 200, të ndërtuar nga firma Thyssen Krupp Maritime Systems. Vitin e ardhshëm, marina egjiptiane do të marrë edhe një fregatë tjetër të të njëjtit tip. Sipas të dhënave të specialistëve, një anije e tillë kushton 500 milionë euro.
Me lejen e re qeveria gjermane vazhdon t’i qëndrojë besnike linjës së saj, që lejon furnizimin me armë të vendeve me qeveri autoritare, nëse ato shihen si partnerë rajonalë, shkruan “Spiegel”. Në Egjipt në pushtet ndodhet ish-shefi i ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi i cili qeveris me dorë të fortë dhe godet ashpër opozitarët dhe ata që e kritikojnë.
Pakti i koalicionit i ndalon eksportet e armëve
Me këtë vendim qeveria gjermane ka shkelur paktin e koalicionit. Në të thuhet se Unioni kristiandemokrat, kristiansocial dhe Partia Socialdemokrate janë të detyruara të mos furnizojnë me armë shtetet që marrin pjesë në konfliktin e Jemenit. “Ne nuk do të lejojmë më furnizimin e vendeve, për sa kohë ato marrin direkt pjesë në luftën e Jemenit”, thuhet në tekstin e koalicionit. Egjipti është zyrtarisht pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër rebelëve huthi në Jemen.

Që prej vitit 2014, në Jemen sundon lufta që zhvillohet midis rebelëve huthi, që ndihmohen prej Iranit dhe trupat e presidentit Abd Rabbo Mansur Hadi, që përkrahet nga Arabia Saudie dhe shtetet e tjera arabe. Sipas të dhënave të OKB, deri tani janë vrarë 10 mijë vetë, mes të cilëve mijëra civilë.
E majta dhe Të gjelbërit kritikojnë qeverinë
Leja e sapodhënë për eksportin e armatimeve ka ndezur kritika. Politikania e Të majtës, Sevim Dagdelen tha: “Kush dërgon anije luftarake në shtete si Egjipti, që pranojnë shumë lehtë gjenocidin e Jemenit, nuk duhet të flasë në të ardhmen për përgjegjësi ndërkombëtare.” Qeveria gjermane e bën veten “bashkëfajtore për krimet kundër popullsisë civile në Jemen”. Politikani i Të gjelbërve, Jürgen Trittin tha: “Edhe këtë vit qeveria gjermane vazhdon me eksportet e armatimeve, sikur të mos ketë luftë në Jemen dhe Libi”.

Viti i ri nis me taksën e rëndë për qytetarët, denoncimi i Tabakut

Sado që kryeministri përpiqet të ndryshojë fasadën e qeverisjes ajo është e kalbur së brendshmi. Zëvendësimi i ministrave nuk zgjidh asgjë pasi filozofia drejtuese e qeverisë dhe kryeministrit nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, rrethi është bërë edhe më shumë personal duke shkuar kësisoj në një qorsokak edhe më të rrezikshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në janarin 2019 bizneset dhe qytetarët do të paguajne taksën e rritur të pronës. Mbi 100 mijë biznese dhe gjithashtu të gjitha familjet shqiptare do të detyrohen të paguajnë një taksë të rritur mbi pronën për të mbushur arkën e PPP-ve që qeveria do të shpërndajë. Rritja e taksave 2 deri në 4 herë për të gjitha bizneset rrezikon të rrisë numrin e bizneseve të mbyllura në mbi 60 biznese në ditë.
Në këto ditë,kur qeveria ndryshon makiazhin dhe vendos një fasadë të re ajo vazhdon të jetë e njëjta mollë e kalbur që po helmon me taksa të larta dhe PPP qytetarët e vendit.

Shpërthen rrjeti ndaj Fugës së Ramës: “Gjynah se dhe ti punëtor i thjeshtë je!”

Zyra e shtypit të kryeministrit e ka tashmë rutinë punën që të fshijë të gjitha komentet negative apo ato që kritikojnë kryeministrin në rrjetet sociale, kryesisht në Facebook, pasi në Instagram Rama i ka komentet e bllokuara.
Kështu ka ndodhur dy ditë më parë, me komentet në një postim të kryeministrit Rama në Facebook.
Rastin e ka bërë të ditur aktivistja e Lëvizjes për Universitetin, Liri Kuçi e cila shkruan se Endri Fuga ka fshirë 800 komente në 3 të mëngjesit.
“Është e zakonshme. Endri Fuga, na vjen keq qe nuk të la shefi të gëzosh si gjithë dynjaja. Gjynah se edhe ti punëtor i thjeshtë je, pastron “rrugët” dhe kujdesesh që AI të duket perëndia mbi tokë. Po si i fshive 800 komente në 3 të mëngjesit mër burr’! Puuu”, shkruan Liri Kuçi.

Mbajtja e ditarit, terapia më e mirë kundër stresit dhe depresionit

“I dashuri ditar, sot më kanë shqetësuar të gjithë në punë.” Pa marrë parasysh se sa ju ndikon kjo në ditët adoleshente, psikologët pohojnë se mbajtja e ditarit është shumë e këshillueshme.
Prandaj shumë psikologë ua përshkruajnë pacientëve të tyre terapinë me ditar, e cila, siç pohojnë ata, e redukton stresin, i zvogëlon simptomat e astmës dhe artritit, dhe madje ndihmon në shërimin e plagëve.
Kjo u referohet veçanërisht njerëzve të prirë që të gjithën ta mbajnë në vete, si dhe atyre që, pavarësisht nga biseda me njerëzit e afërm, nuk e shohin ndonjë rrugëdalje nga kriza aktuale në punë apo ajo emocionale.
Kur e vendosni çdo gjë në letër, do të mësoni më shumë për veten, dëshirat tuaja, nevojat dhe frikën më të thellë. Është e rëndësishme që t’i shihni disa gjëra të shkruara për ta kuptuar se sa janë ato në të vërtetë të parëndësishme.
Ky aktivitet do t’ju ndihmojë edhe në rastin e problemeve të tjera serioze, sepse do t’i largoni ndjenjat negative.
Nuk keni nevojë të shkruani çdo ditë, por vetëm kur është nevoja. Herë pas here, lexoni atë që e keni shkruar në ditar një apo dy muaj më parë.
Siç thonë psikologët, më së miri do të ishte nëse do të shkruanit për momentet e vështira, por edhe ato të mira. Kur ka një ekuilibër midis pozitives dhe negatives, terapia e ka efektin më të mirë.

Shafran me mjaltë, antibiotiku natyral më i fuqishëm

Përderisa antibiotikët konvencionalë janë duke u përdorur së tepërti, ilaçet natyrale si mjalti dhe shafrani janë tejet fitimprurës dhe e përmirësojnë shëndetin në shumë mënyra.
Mjalti në mënyrë efektive i lufton infeksionet pa shkaktuar baktere rezistente, ndryshe prej antibiotikëve konvencional.
Një studim i publikuar në revistën ‘European Journal of Clinical Microbiology and Infectious Diseases’ ka zbuluar se mjalti e ka shkatërruar çdo baktere apo patogjen në të cilin e kanë testuar.
Hulumtuesit kanë zbuluar se kjo mund të aplikohet në përditshmëri.
Sipas ekspertëve, produktet e bazuara me mjaltë në shumë raste mund t’i zëvendësojnë kremrat me antibiotikë për plagë.
Në anën tjetër, edhe shafrani është një mrekulli tjetër natyrore që sjell shumë përfitime shëndetësore.
Përbërësit më të rëndësishëm të shafranit quhen curcuminoide, dhe kanë fuqi shëruese, antioksiduese, antipezmatuese, antiseptike, antibakteriale dhe veti antikërpudhore.
Kombinimi i këtyre dy produkteve – pra mjaltës e shafranit – mund të shpie në krijimin e një antibiotiku natyral shumë të fuqishëm.
Ekspertët thonë se ilaçi natyral me këta dy përbërës mund të përdoret për luftimin e shumë sëmundjeve, duke përfshirë problemet me tretje, gripin, astmën, hipertensionin, sheqerin në gjak, artritin, diabetin, sëmundjet e zemrës, depresionin dhe ankthin, inflamacionin e plagëve dhe djegiet, ekzemën, aknet, etj.
Përbërësit:
– Një lugë gjelle shafran
– ¼ e gotës mjaltë
– Dy pika vaj esencial limoni
Përgatitja:
I përzieni mirë përbërësit dhe i mbuloni me diçka. Produktin e vendosni në temperaturë dhome dhe e përzieni para çdo përdorimi. Për ta luftuar gripin apo ftohjen, merrni gjysmë lugë gjelle nga ky ilaç disa herë në ditë.

Si të eliminoni sekrecionet nga fyti dhe kraharori

Pengesat në hundë dhe fyt janë shkaktarë të mëdhenj të problemeve me frymëmarrje dhe koll, për shkak të akumulimit të gëlbazës në mushkëri.
Gëlbaza është substancë ngjitëse e cila sekretohet nga sistemi i frymëmarrjes si mënyrë për ta mbrojtur veten, dhe roli i saj është t’i bllokoj viruset, alergjenët dhe pluhurin.
Sidoqoftë, sasitë e tepërta të gëlbazës shpijnë në koll, infeksione bakteriale, grip, etj.
Kjo simptomë shoqërohet me një trup të ligësht, hundë që ju shkojnë, vështirësi me frymëmarrje, etj.
Nëse nuk eliminohet me kohë, gëlbaza e akumuluar mund të shkaktojë pengesa edhe në tubat bronkit, dhe rrjedhimisht të shpie në probleme shtesë shëndetësorë.
Megjithatë, ilaçet e mëposhtme natyrale janë mënyrë e shkëlqyeshme për ta eliminuar gëlbazën e tepërt nga trupi dhe për t’i parandaluar komplikimet e tilla.
Shafrani
Përbërësi aktiv i shafranit, curcumini, ofron veti të fuqishme antiseptike dhe antibakteriale, të cilat e eliminojnë bakteren që shkakton mukozë dhe e zvogëlon gëlbazën duke e forcuar sistemin e imunitetit. Shtojeni një lugë gjelle shafran në një gotë të ngrohtë me ujë, pastaj shtojeni gjysmë lugë gjelle kripë dhe përzieni. Produktin gargarisni në gojë tri herë në ditë për nga pak minuta.
Mjalti me limon
Kombinimi i limonit me mjaltë i trajton problemet respiratore dhe ofron veti antibakteriale dhe antikërpudhore. Ky kombinim e forcon edhe sistemin e imunitetit dhe e parandalon kapsllëkun. Në një tas, përzieni një lugë gjelle mjaltë organike me 2 lugë gjelle lëng limoni, dhe konsumojeni tri herë në ditë.