34.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

Siguria ushqimore në ditë të hallit: si pesticidet, Aflatoksina dhe Salmonela po helmojnë shqiptarët!

Një tjetër skandal ushqimor ka shpërthyer në vend. Pas mandarinave e luleshtrydheve me pesticide dhe mishit me Salmonelë, pasiguria ushqimore ka prekur dhe fëmijët.

Në një kopsht shtetëror në Gramsh, afro 70 fëmijë janë helmuar nga ushqimi që u është shërbyer dhe dyshimet e para janë për prezencë të Salmonelës. Bëhet fjalë për një bakter që ndodhet te mishi, kryesisht ai i pulës, vezët, por edhe te perimet dhe ushqime të tjera.

Akoma nuk dihet se si ka përfunduar në stomakun e fëmijëve, pasi autoritetet kanë tentuar të fshehin ngjarjen. Pritet që në vijim të zbulohet se çfarë kanë konsumuar fëmijët.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Është një tjetër tregues mbi sigurinë ushqimore në vend, ku askush nuk e di se çfarë ha dhe çfarë pi.

Në fund të muajit mars, u zbulua se rreth 8 tonë mish pule nga Brazili, me përmbajtje të lartë Salmonele, u tregtua në vendin tonë. Mishi arriti të hidhej në treg dhe u konsumua i gjithi. Autoritetet vepruan me shumë vonesë, ndërkohë që papërgjegjshmëria u tregua edhe nga kompania që solli mishin, duke shmangur detyrimet. Fatmirësisht, nuk pati persona me probleme, pasi me shumë mundësi mishi është gatuar mirë dhe bakteri është asgjësuar.

Po ashtu, muaj më parë një skandal shpërtheu te rrjeti “KFC”, pasi edhe mishi i pulës që ata konsumonin rezultoi me Salmonelë. Edhe në këtë rast nuk pati asnjë asgjësim dhe asnjë marrje përgjegjësie nga dikush, por ushqimi u konsumua.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Para pak javësh doli që edhe qumështi që tregtohet në vend ka përmbajtje aflatoksine. Dy kompani të njohura (Lufra dhe Erzeni) rezultuan se tregtonin qumësht me përmbajtje të rrezikshme. Askush nuk u kujdes për asgjësimin e tij, por i gjithi u konsumua nga qytetarët.

Ky nuk është rasti i vetëm, pasi ka pasur edhe herë të tjera denoncime për aflatoksinë në qumësht, për të mos folur për përzierjen me qumësht pluhur. Vitin e kaluar Shqipëria importoi 1 mijë tonë qumësht pluhur nga jashtë. Ndërkohë, ka importuar mbi 3 mijë tonë vaj palme – një tjetër produkt që cenon sigurinë ushqimore nëse nuk përdoret si duhet.

Por, përveç Salmonelës dhe aflatoksinës, shqiptarët po hanë produkte me pesticide. Në shkurt, Kroacia ktheu mbrapsht rreth 10 tonë mandarina me pesticide. Po ashtu, u zbulua se dhe luleshtrydhet që vinin nga Greqia kishin përmbajtje të lartë pesticidesh. Për të mos folur për produktet e tjera, si shalqiri që shartohet me kungull apo domatet dhe kastravecët që denden me pesticide.

Pak kohë më parë, Ministria e Bujqësisë pranoi në media se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta e perime 7 pesticide të ndaluara si: “chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”. Bëhet fjalë për pesticide që Europa i ndalon, por në Shqipëri përdoren lirshëm. Dhe në fakt, të gjitha janë helme për organizmin e shqiptarëve.

Ekspertët e OBSH: Teknologjia po dëmton fëmijët, merrni masa urgjente

Rrjetet sociale dhe platfoma me inteligjencë artificiale janë rrezik në rritje për shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Alarmi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e cila bazuar në studime të ndryshme ka evidentuar lidhjen mes përdorimit të tepruar të rrjeteve sociale dhe zhvillimit të problemeve shëndetsore, si ankthi depresioni apo vetëbesimi i ulët tek të rinjtë.

Ekspertët vlerësojnë se një tjetër rrezik që ju kanoset fëmijëve dhe adoleshentëve është edhe ekspozimi ndaj bullizmit në internet, standardeve jorealiste të trupit, përmbajtjeve që nxisin vetëlëndimin dhe reklamave të dëmshme. Nisur nga kjo situatë alarmante, OBSH u bën thirrje vendeve që të ndërmartin veprime urgjente duke rekomanduar që mirëqenia dixhitale të bëhet një përparësi kombëtare e shëndetit publik, të fuqizohen profesionistët e shëndetësisë për të udhëzuar përdorimin e sigurt të teknologjisë si dhe një sërë rekomandimesh të tjera, përfshirë këtu interesat tregtare.

Mali i Zi drejt shkurtimit të orarit të punës, synimi për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për më shumë kohë me familjen

Qeveria e Malit të Zi është afër miratimit të shkurtimit të orarit të punës. Modeli, sipas kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajic, do t’i kënaqë punëdhënësit, por edhe sindikatat.

Orari i punës pritet të shkurtohet në shtatë orë në ditë.

Ai ka thënë se javën e ardhshme do të mbahen konsultime të gjera me partnerët socialë, ku do të kristalizohet versioni përfundimtar i kësaj reforme.

Qëllimi, sipas Spajic, është që përmes këtyre konsultimeve të gjera të realizohet një nga reformat më të mëdha, me synimin për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të ofruar më shumë kohë për familjen, por edhe një punë më efikase dhe produktive.

Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi megjithatë ka thënë se nuk ekzistojnë kushtet për të kaluar në orar pune shtatë orë, ndërsa Unioni i Sindikatave të Lira ka thënë se e kupton kundërshtimin e bizneseve, por se beson që shteti duhet të niset në këtë drejtim.

E bujshme nga Italia, Napoli arrin akordin me Kevin De Bryjn

Një lajm i bujshëm vjen nga Italia. Kevin De Bryjn duket se do të jetë goditja “big” në merkato e kampionëve të Napolit. Sipas eksperitit të merkatos Xhanluka Di Marcio, negociatat mes palëve janë në detajet e fundit, me avokatët që po punojnë për të përcaktuar gjithçka. 

Bëhet me dije se belgu ka vendosur të blejë një shtëpi në Napoli, ndërkohë që në ditët në vijim pritet të zbulohen edhe detajet për sa i përket marrëveshjes ekonomike.  

Screenshot_2

Si i ruajmë bimët aromatike në mënyrë që të qëndrojnë të freskëta për javë të tëra

Bimët i shtojnë aroma dhe shije të pasura çdo recete, megjithatë, ato janë veçanërisht delikate dhe nuk mund të ruhen për një kohë të gjatë.

Shpesh, ne nuk e përdorim të gjithë tufën e majdanozit, koprës ose selinos, duke rezultuar në një pjesë të madhe të tyre që përfundon në plehra. Për fat të mirë, ka mënyra për t’i ruajtur ato për një periudhë më të gjatë kohore.

Nëse planifikoni t’i konsumoni bimët brenda 4-5 ditëve, një mënyrë efektive për t’i mbajtur të freskëta është si më poshtë: lajini mirë, thajini me kujdes, mbështillini me letër kuzhine, lidheni në një qese plastike dhe vendosini në frigorifer.

Në këtë mënyrë, ato mbahen të freskëta dhe gati për t’u përdorur. Gjithashtu, për shkak se janë të pastruara tashmë, janë më të lehta për t’u përdorur në më shumë pjata, madje edhe në sallata.

Ngrirja është një mënyrë e shkëlqyer për të pasur bimë aromatike në dispozicion gjatë gjithë vitit, ideale për ditët kur doni t’i shtoni shije ushqimit pa e përgatitur më parë.

Laini, thajini dhe copëtoni bimët së bashku me kërcejtë e tyre, nëse dëshironi, ndajini sipas llojit dhe ruajini në qese hermetike.

Një zgjidhje e zgjuar është t’i ngrini ato si kube akulli. Më konkretisht, vendosni copat e prera në tava akulli, shtoni pak ujë ose vaj ulliri dhe vendosini në frigorifer. Në këtë mënyrë, do të keni sasi të vogla gati për supa, salca ose ushqime të gatuara.

Majdanozi, kopra dhe selinoja ngrijnë shumë mirë. Menteja e ruan aromën e saj, megjithëse mund të ndryshojë pak ngjyrën.

“Rama ka bërë masakër se mundet”, gazetari: Patronazhistët të shpallen të jashtëligjshëm

Gazetari Poli Hoxha bëri në “Off the Record” një analizë të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit dhe pretendimit të opozitës për vjedhjen dhe grabitjen e tyre.

Hoxha ishte kritik dhe me opozitën, e cila sipas tij duhet ta pengonte mazhorancën që me ndryshimet kushtetuese dhe kodin zgjedhor dhe jo pas shpalljes së rezultatit.

Ai përmendi dhe rastin e patronazhistëve, për të cilët mendon se duhet të shpallen të jashtëligjshëm.

“Patronazhistët duhet të shpallen të jashtëligjshëm. Duhet të shpallen me ligj. Ne kemi një demokraci jo të zakonshme. Ligji i dekriminalizimit nuk është normal. SPAK nuk është normal. Shkel shumë të drejta. Nuk është patronazhim militantësh. Nëse vendos doganierin, tatimorin, në fakt ke vendosur patronazhist shtetin, policin. Nuk mund të jesh patronazhist me funksione. Jam dakord që ka bërë masakër. Por them që atë e ka bërë se mundet se lejohet”, tha Hoxha.

Preç Zogaj: Neni i shumëbrohoritur i dorëheqjes që nuk do të zbatohet ndonjëherë nga Berisha

Nga Preç Zogaj

Mban numrin 45 në statutin e Rithemelimit të PD-së, miratuar mes brohoritjeve në stadiumin e ‘Air Albania’ në 11 dhjetor të vitit 2021. Flet për Kryetarin e Partisë. Thotë: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.

Formulimi në fjalë përbënte një ndryshim të madh në raport me statutin e mëparshëm ku largimi i kryetarit mbetej në vullnetin e tij edhe po t’i humbte pambarimisht zgjedhjet. Nga kjo pikëpamje delegatët në shkallët e stadiumit kishin të drejtë të brohorisnin. Ishte si një festë e së nesërmes së re me norma të reja demokratike, me primare të barabarta për të gjithë kandidatët, me ligjërim të fraksioneve, me qarkullim të elitave dhe, qershia mbi tortë, me largim të kryetarit në rast humbjeje.

Kishte vend edhe për humor gjithëpërfshirës. Barra për batutën e këtij formati nuk mund të mos binte mbi të zotin e punës. I cili, duke komentuar nenin 46, tha: Ky do të quhet “neni Basha”. Ovacionet dhe të qeshurat ishin pa sens, në fakt, duke qenë se rithemeluesit kishin mbaruar punë me Bashën, e kishin shkarkuar. Por kishte ndërkaq një kuptim në dritën e rezultatit që kishte arritur PD në zgjedhjet e atij viti: largimi i kryetarit ishte taksativ edhe po t’i afrohej fitores, edhe po të merrte një rezultat ndër të mirët e historisë së partisë siç ishe dyzet përqindëshi, edhe po të kishte mbetur bashkë me partinë tjetër opozitare simotër, LSI-në e Monika Kryemadhit, vetëm 37 mijë vota larg PS-së.
Ose fitore, ose largohu! Ky ishte verdikti i ri i Rithemelimit për krytarin e PD-së.

Premtimet, narrativat, fjalët e bukura në politikë dhe jo vetëm nuk e shmangin dot momentin e takimit me të vërtetën. Në rastin e Rithemelimit berishist të PD-së, është bërë e qartë tashmë si përfunduan përcaktimet e bukura për diversitetin dhe fraksionet, çfarë ndodhi me primaret, ku përfunduan premtimet solemne për një parti fituese, më të madhe e më të bashkuar, që ka rezultuar dukshëm më e vogël se e parithemeluara e Lulzim Bashës para katër vitesh në një terren elektoral edhe më të minuar se ky i 11 majit 2025.

Radhën tani e ka takimi me nenin 46. Nga pikëpamja formale dhe sipas statutit të PD-së, neni aktivizohet pas shpalljes përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ. Çertifikimi i tyre qark pas qarku po shkon drejt përfundimit, me shumë pak ankimime zyrtare nga PD pranë këtij institucioni, siç ka deklaruar kreu i tij, Ilirjan Celibashi.
Opozita e ka detyrën e saj të grumbullojë e ankimojë prova të parregullsive, manipulimeve dhe shitblerjes së votës. Prezupozohet se me komisionerët dhe vëzhguesit e shumtë në terren, opozita të ketë mbledhur një numër të konsiderueshëm provash për t’i ankimuar brenda kohës që jep ligji pranë institucioneve zyrtare të akimimit, siç janë KAS dhe Kolegji Zgjedhor.
Ankimi në vetvete është prova e provave të mbledhura. Vërtetësinë e të cilave e provon arbitri, palët e treta. Jashtë provave gjithçka mbetet retorikë, fiksim. Megjithatë, opozita mund ta vazhdojë kërkimin e provave edhe pas djegies së afateve të ankimit. Provat e vërteta flasin gjithmonë, gjykohen në çdo kohë.

Nga kjo pikëpamje, Berisha mund ta shtyjë zbatimin e nenit 4 të statutit të tij edhe pas shpalljes përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ. Korrekte, e detyrueshme në fakt, do të ishte të mblidhte Kuvendin Kombëtar që e ka miratuar atë statut. Për ta amenduar ose shfuqizuar fare nenin e dorëheqjes. Pa bërë ketë, Berisha do të ishte automatikisht i shkarkuar dhe do të qëndronte në krye të PD-së në kushtet e paligjshmërisë flagrante.

Ligji është zbatimi, jo formulimi, thotë një sentencë e njohur. Historia e drejtimit të PD-së qoftë nga Berisha, qoftë nga Basha është e mbushur me raste kur kjo parti ka shkelur çfarë ka shkruar e ka bërë çfarë nuk ka shkruar. Nëse rasteve të mëparshme u shtojmë farsën e primareve apo shkeljen e nenit 46 të statutit në fuqi, rezulton se Berisha rithemeloi traditën me të keqe të paparimësisë në PD-së, që konsiderohej e kapërcyer nga vetë ai në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli. Por që u rithirrr në skenë në një përiudhë të keqe për të, kur partia i duhej me çdo kusht si mburojë për hallin e tij.

Ky motiv i dhjetorit 2011 është në fuqi, madje është përforcuar me vështirësitë që Berisha po has për të çarë në SHBA me lobime të paguara shtrenjtë pranë administratës së re të Presidentit Tramp apo me procesin gjyqësor në ngarkim. Do të thotë se ai nuk do ta zbatojë kurrë me dorën e vet nenin katër. Qofsha i gabuar.

Së fundi, për kënaqësinë e lexuesve të mi këtë fundjavë, dëshiroj t’i bashkangjis këtij shkrimi pjesë të një eseje brilante për paparimësinë të shkrimtarit ruso-hebre të epokës sovjetike, Vitali Grozman.
Shkruan Grozman në librin “Gjithçka kalon”:
Këta njerëz janë fiziologjikisht të privuar nga skrupujt dhe kush nuk ka skrupuj nuk beson në asgjë, nuk mundet. Kush nuk ka skrupuj udhëhiqet në veprimet e tij vetëm nga pragnatizmi dhe rrethanat.
Janë njerëz cinikë, pa fe ose ateizëm, sepse edhe ateizmi është një fe.
Janë njerëz që nuk njohin as të vërtetën, as gabimin, duke qenë gabimi sëmundje supreme e një mendje kërkuese.
Morali i tyre është amoraliteti; u përmbahen vetën rrethanave empirike-kalimtare në funksion të nevojave të momentit. Sapo nevojat praktike ndryshojnë, sapo binden se marritë ideologjike që kanë konceptuar nuk i ndihmojnë për të mbajtur pozicionin e fituar, mohojnë pa siklet e pa turp, madje me një lehtësi të paimagjinueshme, vetë ligjet e tyre, njëlloj si marrëveshjet që kanë nënshkruar solemnisht”.
Ka patur parasysh Leninin, Stalinin dhe idhtarët e tyre./liberale.al

Si i përdori Edi Rama dhe PS profilet online anonime nga Vietnami për fushatën e 11 Majit

“Një tjetër problematikë e konstatuar gjatë fushatës, ishte dhe përdorimi i bot-eve – profileve false për të amplifikuar në mënyrë joautentike përmbajtjen në Facebook. Vetëm gjatë intervistës së fundit të kryeministrit Edi Rama, qindra profile nga preardhje nga vendet aziatike, kryesisht nga Vietnami, u angazhuan duke postuar komente identike në faqen e tij në Facebook.” – kështu konstaton në një investigimin e saj agjensia e lajmeve BIRN.

Në shkrimin me titull “Kandidatët për deputetë shkelën heshtjen zgjedhore me reklama politike në Facebook”, veç të tjerash, flitet edhe se si një “faqe e themeluar më 19 mars – në prag të hapjes së fushatës elektorale, arriti të siguronte më shumë se 4.6 milionë shikime në videot e saj deri më 11 maj.”

“Më aktivja mes tyre ishte një profil i titulluar ‘Team Edi Rama,” me faqe në Facebook, Instagram dhe TitkTok, i cili bëri një fushatë reklamash në mbështetje të Partisë Socialiste.”
– thuhet më tej në shkrim.

Më poshtë pjesë nga shkrimi i BIRN:

Gjatë fushatës zgjedhore, përveç partive politike, në rrjetet sociale bënë propagandë elektorale edhe palë të treta – profile kryesisht anonime, të cilat edhe pse nuk janë të lidhura formalisht me një parti politike apo kandidat, mbështesin subjekte zgjedhore të caktuara ose sulmojnë rivalët e tyre.
Monitorimi i mediave sociale zbuloi se të paktën 19 faqe Facebook-u ose profile Instagrami operuan si ‘palë të treta’ gjatë gjysmës së dytë të fushatës zgjedhore, duke shpërndarë postime dhe reklama në favor të disa subjekteve politike.
Më aktivja mes tyre ishte një profil i titulluar ‘Team Edi Rama,” me faqe në Facebook, Instagram dhe TitkTok, i cili bëri një fushatë reklamash në mbështetje të Partisë Socialiste.
Vetëm në Facebook, kjo faqe e themeluar më 19 mars – në prag të hapjes së fushatës elektorale, arriti të siguronte më shumë se 4.6 milionë shikime në videot e saj deri më 11 maj. Një pjesë e reklamave të kësaj faqe u publikuan pa shënim shpjegues për financuesin (disclaimer), ndërsa pjesa tjetër përmbanin një adresë email të Partisë Socialiste.
Një tjetër problematikë e konstatuar gjatë fushatës, ishte dhe përdorimi i bot-eve – profileve false për të amplifikuar në mënyrë joautentike përmbajtjen në Facebook. Vetëm gjatë intervistës së fundit të kryeministrit Edi Rama, qindra profile nga preardhje nga vendet aziatike, kryesisht nga Vietnami, u angazhuan duke postuar komente identike në faqen e tij në Facebook.

Fundi i shkrimit dhe leximit, do të jetë fundi i lirisë sonë!

Nga Nicole Krauss

Për një vit, kam jetuar larg shtëpisë sime në Amerikë, në Romë, mes arritjeve dhe rrënojave të 3000 viteve histori. Kjo përvojë më ka bërë të ndiej thellësisht harkun e gjatë të historisë, që ka parë ngritjen dhe rënien e pothuajse çdo gjëje: demokracisë dhe diktaturës, perëndive dhe njerëzve, luftëra dhe paqe, ajo që u frikësua dhe ajo që u dashurua e u çmua.

Edhe pse udhëkryqet e panumërta ku njerëzit debatuan se cilën rrugë të zgjidhnin mund të jenë zbehur në rrugën e pashlyeshme të zgjedhur, unë jam plotësisht i vetëdijshëm se tani qëndrojmë para një tjetër udhëkryqi. Drejtimi që do të zgjedhim do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e fëmijëve tanë, por edhe kuptimin e të qenit njeri dhe kushtet në të cilat do të zhvillohet jeta njerëzore.

A do të mbijetojnë vlerat ende relativisht të reja të liberalizmit? A do të vazhdojnë leximi dhe shkrimi të jenë shtyllat e kulturës? A do të zëvendësojnë algoritmet dhe strukturat e inteligjencës artificiale liritë e individualitetit? A do ta dominojmë dhe shkatërrojmë natyrën, apo do ta shpëtojmë dhe mbrojmë atë? Tani qëndrojmë para këtyre pyetjeve. Qëndrojmë dhe, shpresoj, ndalemi. Sepse në qetësinë e kësaj pauze, leksionet e historisë ndonjëherë na flasin.

Kohët e fundit, kam gjetur një mësim të tillë në historinë e popullit tim. Në shekullin e 5-të para Krishtit, kur hebrenjtë në mërgim në Babiloni u lejuan të ktheheshin në Jerusalem, ata u thirrën të rindërtonin veten, qytetin dhe jetën e tyre në atdhe. Në mërgim, pa tokë dhe pa Tempull, hebrenjtë shkruan dhe transkriptuan Torahun. Mundësia për t’u kthyer dhe për të rindërtuar Tempullin solli një pyetje jetike: Çfarë lloj populli do të jemi?

Librat e Ezrës dhe Nehemias japin dy rrëfime të këtij kthimi dhe pyetjes themelore. Ezra, një prift, qan rënien morale dhe shpirtërore të komunitetit të sapoformuar dhe bën thirrje për reforma fetare dhe udhëheqje priftërore. Por në Nehemia gjejmë diçka vërtet të jashtëzakonshme: regjistrimin e parë të leximit publik të Torahut. Ezra nxori rrotullën dhe lexoi prej saj “përballë sheshit para Portës së Ujit, nga drita e parë deri në mesditë, për burrat, gratë dhe ata që mund të kuptonin; veshët e të gjithë popullit ishin të drejtuar nga rrotulla e Torahut. … Ata lexuan prej saj, duke e përkthyer dhe duke shpjeguar kuptimin; kështu populli e kuptoi leximin.”

Është e pamundur të mbivlerësohet rëndësia e këtij momenti. Në ndoshta udhëkryqin më të madh që hebrenjtë kanë përballur ndonjëherë, Tempulli u zëvendësua nga Torah. Flijimi u zëvendësua nga leximi, mësimdhënia dhe studimi. Judaizmi u bë i pavarur nga vendi dhe u bë i lëvizshëm, duke siguruar mbijetesën e tij deri sot.

Dayenu, siç themi ne. Por ka edhe më shumë në ato rreshta të mahnitshëm të Nehemias. Ajo që gjejmë është një hap radikal drejt demokratizimit: drejt idealeve demokratike që brezat e mëvonshëm të hebrenjve jo vetëm do t’i përqafonin, por edhe do të vdisnin pa to, dhe do të vdisnin për t’i krijuar dhe rrezikimi i të cilave tani po protestohet në rrugët dhe sheshet e qyteteve dhe vendeve të tyre. Në ato pak rreshta të Nehemias, gjejmë refuzimin e një sistemi hierarkik të bazuar në pushtetin e trashëguar të pakicës, drejt sheshit të qytetit, ku të gjithë burrat dhe gratë u ofrohet mundësia të marrin pjesë, të dëgjojnë, të mësojnë dhe të kuptojnë vetë mësimet. Mund të thuhet se, nga ajo ditë e tutje, gjithçka që nevojitet për të jetuar si hebre janë fjalët. As më shumë, as më pak.

Unë jam një shkrimtar në një linjë të gjatë shkrimtarësh, mes popullit tim dhe të gjithë njerëzve që kanë shkruar këto mijëvjeçarët e fundit. Dhe unë shkruaj, ashtu siç lexoj, sepse besoj se në fushën e letërsisë ne jemi, secili prej nesh, të lirë. Të lirë të imagjinojmë, të krijojmë, të ndryshojmë mendje, të udhëtojmë nëpër kohë dhe hapësirë, të ndiejmë dhe të përjetojmë tërësinë e vetvetes, dhe të bëjmë atë që besoj se nuk mund të bëhet në asnjë fushë, medium apo dimension tjetër: të hyjmë në mendjen e një tjetri. Të ndiejmë se çfarë do të thotë të jetosh brenda një tjetri dhe, në këtë proces, të zgjerojmë veten përtej kufijve të individualitetit, në fushat më të gjera të mirëkuptimit dhe empatisë reciproke. Si e tillë, letërsia është thelbësisht demokratike, por me një përjashtim të madh: për të hyrë në liritë e saj, ne duhet të mësohemi të lexojmë, të vlerësojmë dhe të angazhohemi me letërsinë.

Në udhëkryqin ku qëndrojmë tani, mes shumë gjërave në rrezik, është e ardhmja e leximit, shkrimit dhe letërsisë, dhe e gjithë liria e gjerë që na ka ofruar.

Gjatë jetës sime, kam parë shkatërrimin e aftësisë për të lexuar dhe për t’u angazhuar me libra. Jo vetëm te fëmijët tanë, që janë bërë pa dashje subjekte eksperimentale të rritjes brenda një telefoni, por mes të gjithë njerëzve. Ne kemi humbur jo vetëm aftësinë për t’u përqendruar në deshifrimin e pasazheve të gjata të gjuhës së shkruar; unë besoj se kemi filluar të humbasim lidhjen me kuptimin e fjalëve dhe fjalive, të cilat dikur i besonim për të mbartur ngarkesën e çmuar të komunikimit të asaj që jemi, për veten dhe për njëri-tjetrin.

Fjalimet haptazi pa kuptim të liderëve tanë aktualë nuk janë shkaku, por vetëm shembulli më i ekzagjeruar i asaj që ndodh kur një kulturë e tërë gjithnjë e më shumë, heq dorë nga përpjekja për të kanalizuar kuptimin në gjuhë, për të përkthyer veten, mendimet dhe idetë e tyre në fjalë që të tjerët mund t’i lexojnë dhe ndajnë. Shkrimi dhe leximi nuk janë të lehta. Por, pa atë përpjekje, ne do të rrëshqasim gjithnjë e më thellë në kaos, errësirë, dhunë, liri të zvogëluar për të gjithë dhe një gjendje të zvogëluar të qenies njerëzore.

Këtë muaj, qindra mijëra studentë po diplomohen nëpër Shtetet e Bashkuara, nga kolegje dhe universitete ku puna e jetës e profesorëve të panumërt është të sigurojnë që ata të kenë qasje në lirinë që vjen nga të qenit lexues, nga aftësia për të shkruar për veten dhe për të marrë pjesë në një kulturë të letërsisë dhe ideve. Kjo, për mua, është thellësisht inkurajuese.

Dhe unë besoj se historia është e gjatë, dhe aty ku ka shkatërrim, ka edhe potencial për tikkun, për riparim. Për mijëra vjet, ne kemi gjetur fjalë për veten, kemi shkruar historinë tonë, dhe në këtë proces kemi bërë diçka shumë më radikale se sa të shprehim veten: ne kemi shpikur veten. Kemi shtruar pyetjen themelore: Kush jemi ne, dhe çfarë lloj njerëzish duam të jemi? Dhe, besoj, vetëm si lexues dhe shkrimtarë, vetëm si njerëz të edukuar në lidhjen e gjuhës dhe kuptimit, kemi ndonjë shpresë për t’iu përgjigjur kësaj sfide./ “TheWashingtonPost

Yje të pashuar të lirisë-binjakë të historisë-vërsnikë të amshimit

Nga Azgan Haklaj

Kurbanë të lirisë së Dardanisë “Kosovës”, Luginës së Preshevës dhe Iliridës.

Misionarë të ëndrrës nacionale-apostuj të shtetit komb panshqiptar.

Tigri i maleve- rrufe e qiellit.

Akili i kohërave moderne.

“Deshmor ose jo, si të duani më quani, por amanetin për lirinë vëllezër t’ma ruani”, Fadil Nimani “Komandant Tigri”.

Në peligrinazhin patriotik, dosjer u ndala tek Besëlidhja e Junikut, mbledhur me dt 21-25 maj të vitit 1912-të.
Ky Kuvend i madh panshqiptar mori vendime shumë të rendësishme, hartoj programin politik, platformën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme e strategjinë për realizimin e saj, me betimin solemn:
“Liri a vdekje”
“Bajmë be me besë burrash se kemi me ba fli gjithçka.
N’koftë nevoja edhe femijët tanë me duart tona kemi me i ba kurbanë për liri”
Patriotët shqiptarë nga të katër anët e Atdheut u mobilizuan dhe organizuan kryengritjen e përgjithshme.
Mijëra kryengritës të udhëhequr nga prijësit shqiptarë Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri hyjnë ngadhnjimtarë në Shkup në gusht të vitit 1912-të dhe e çliruan nga pushtuesit otomanë.
Në kryeqytetin e dardanëve në tetor të vitit 1912-të, në Kuvendin e Shkupit, truri i levizjes kombëtare, konstruktori i shtetit komb panshqiptar Hasan Prishtina shpalosi 14-të pikat e programit politik.
Lejtmotivi i këtij programi ishte bashkimi i katër vilajeteve në një vilajet të vetëm me kryeqytet Shkupin.
Kjo kryengritje e përgjithshme u konkretizua me shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe ngritjen e flamurit nga Plaku i Vlorës Ismail Qemali.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër çertifikoj Shqipërinë Londineze.
Shqiptarët mbetën përsëri të ndarë.
Trojet arbërore u kthyen në sheshe betejash në luftërat ballkanike e luftërat botërore.
Lakmitarët shekullorë u turrën si hienat për të shqyer çfarë të mundin nga trungu shqiptar.
Ashtu si spata e Berlinit, gijotina e Londres edhe heshtat e Versajës dhe dhëmbët e helmtë të Jaltës copëtuan pamëshirshëm trupin e Shqipërisë.
Edhe pse besuan fort për realizimin e ëndrrës nacionale pas Luftës së Dytë Botërore, sepse ishin të rreshtuar me fituesit e kesaj lufte shqiptarët mbetën përsëri të ndarë.
Ata u çliruan nga fashizmi, por ranë nën kthetrat e komunizmit.
Kosova, trojet shqiptare të Iliridës, Lugina e Preshevës, apo Kosova lindore, ashtu siç kishin provuar regjimet gjakatare të perandorive barbare të zhupanëve të Serbisë, të mbretërisë së dhunshme serbo- kroato -sllovene të krijuar në Konferencën e Versajës iu desh të provojnë edhe dhunën e regjimeve gjakatare te Jugosllavisë Titiste të Konferencës së Jaltës dhe Serbisë së Millosheviçit.
E gjithë Kosova, por në veçanti Rrafshi i Dukagjinit u shqua në dekada për qendresën titanike për mbijetesë.
Në fund të mileniumit të dytë lindi shpresa e madhe UÇK-ja e lavdishme.
Sot në ditëlindjen e Kuvendit të Junikut, të shpalljes së vendimeve historike të tij, në përvjetorin e renies së tyre në fushën e nderit do të flas për dy misionarë, dy persenofikime të qëndresës për liri, dy simbole, dy ikona të shqiptarizmit, dy portrete të shendritshme të historisë kombëtare, dy binjakë të historisë, dy versnikë të Idealit Kombëtar e të amëshimit Fadil Nimani “Komandant Tigri”, “Rrufeja” dhe Ridvan Qazimi “Komandant Lleshi”.
Krejt natyrshëm për shkak të lidhjes organike me këtë binom të lirisë, kontributit të tij për finalizimin e ëndrrës nacionale objekt i këtij shkrimi bëhet edhe Ismet Jashari “Komandant Kumanova”.
Më sipër theksova se Malësia e Gjakovës, Rrafshi i Dukagjinit në shekuj është shquar për qëndresën heroike në përballjen me pushtuesit e huaj.
Kjo tokë e bekuar lindi trima të shquar që kontribuan deri në sakrificën sublime, të dhenies së jetës së tyre, por dhe sakrifikimit të familjes së vet për çlirim kombëtar.
Në këtë përvjetor të tij sot do të përpiqem, përtej surrealizmit, hiperbolizimit, larg sentimentalizmit për shkak të miqësisë me të, por me realizëm, natyrisht me dhimbje, por me krenari do të përshkruaj portretin e Fadil Nimanit, do të flas për kontributin e tij për çlirimin e Kosovës, çlirimin e trojeve shqiptare, ëndrrën e tij për bashkimin kombëtar dhe krijimin e shtetit komb.
Komandant Tigri lindi në Gërgoc të Dushkajës së Gjakovës.
Ky fshat tre herë është shpërngulur dhunshëm nga pushtuesit e ndryshëm por përsëri është populluar.
Është i shquar në rezistencën për mbijetesë dhe për çlirimin kombëtar.
Të parët e Fadil Nimanit qëndruan të pamposhtur e të paepur dhe kurrë nuk iu nënshtruan regjimeve sllave, por i kundërshtuan me forcë, si gjatë Luftës së Dytë Botërore ashtu edhe pas saj.
Më vonë ata u rreshtuan në rradhët e patriotëve e nacionalistëve shqiptar për të mbajtur të pashuar kauzën kombëtare e gjallë shpresën e besimin për realizimin e saj.
Fazli Met Nimani sëbashku me vellanë e tij Kamberin u arrestuan nga gestapoja e Rankoviçit e u derguan në burgun e Goliotokut ku u dënuan me vdejke.
Në këtë shtepi lindi, u rrit, u edukua e u brumos me ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, u ushqye me ëndrrën nacionale dhe iu ndez në gji qysh herët zjarri i lirisë, Akilit të kohërave moderne, Fadil Nimanit.
Qysh fëmijë demostroj aftësi të rralla e inteligjencë të jashtëzakonshme.
U brumos me Eposin e Kreshikëve, Epokën e Lavdishme të Gjergj Kastriotit, Epopenë e ndritur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendin e Junikut, vendimet historike të tij, shpalljen e pavarësisë në Vlorë, mësoj shpejt padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve të kongreseve, konferencave, marrëveshjeve të fshehta dhe të hapura të perandorive botërore të kohërave në kurriz të tyre.
U arsimua, u edukua, u diploma në Gjakovë.
Gjatë rrugëtimit të tij arsimor mori dy vite mesime ushtarake, por ai gjatë gjatë kohës do të deshmonte se ishte ushtarak i lindur.
Sapo erdhi momenti i krijimit të bërthamave të UÇK-së u rreshtua menjëherë në rradhet e saj, që në gusht të vitit 1996-të, me nofkën ‘Drini” ku u shqua për aftësi të rralla, përgatitje të lartë ushtarake, trimeri të jashtëzakonshme në aksionet guerilase të saj duke i shkaktuar pushtuesit deme të mëdha e duke e çoroditur atë, pasi e godisnin ku ai nuk e priste.
Ai ishte i bindur se vetëm me grykën e pushkës mund të vinte liria.
Në portretin e tij universal ishin të mshiruara e të gershetuara, në harmoni të plotë, trimëria, inteligjenca, forca fizike, fuqia intelektuale, lartësia e përgatitjes ushtarake dhe psikologjike, karakteri i pathyeshëm, i shpejtë si rrufeja, i lehtë si era, i fortë si shkëmbi.
Këto cilësi të tij bindën shpejt Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së që menjëherë ta emërojë komandant të Njesitit “Tigrat”, i cili operonte në rajonin e Dushkajës.
Epopetë legjendare të Jasharajve dhe Haradinajve e gjejnë tek Njesiti “Tigrat”
Fillimi i luftës frontale në vitin 1998-të kërkonte me ngut furrnizimin me armë të luftëtarëve të lirisë, çka e detyronte Fadilin për ta thyer kufirin shpesh për tu sjellë armë shokëve.
Ai ishte i kudo ndodhur, sa në Kosovë, sa në Shqipëri.
Në vitin 1998-të Zona Operative e Dukagjinit që drejtohej nga Kalorësi i Lirisë Ramush Haradinaj e emëroj Komandant të Policisë Ushtarake.
Në këtë kohë ai drejtonte Batalionin Rrufeja dhe përgatiste ushtarët e UÇK-së në Dobrej të Malësisë së Gjakovës “Tropojë”, për betejat me bajlozët e Serbisë.
Komandant “Drini”, “Tigri”, “Rrufeja” ka kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës martire e lirinë dardane.
Pas çlirimit të Dardanisë “Kosovës” u rreshtua në TMK por ndihej i brengosur se nuk kishte përmbushur betimin ndaj Flamurit Kuqezi.
Ai e ndiente dhe e vuante në shpirt dhe në zemer dhe e shprehte dhimbjen për dhunën barbare që ushtronte makineria ushtarake sllave mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Nën thundrën sllavo- maqedonase është Ilirida shprehej me dhimbje Fadili atëkohë.
Ua kemi borxh jetën shokëve të atyre anëve që ranë për çlirimin e Kosovës deklaronte ai, koshient se do ta jepte edhe jetën e vet për çlirimin e trojeve shqiptare që mbetën akoma të pushtuara, ashtu siç e dhanë shokët e tij për Kosovën.
Sapo u shpall UÇPMB-ja me dt 26 janar të vitit 2000 u angazhua menjëherë në mbështetje të saj.
Por sapo shpërtheu konflikti në Maqedoni nuk duroj dot më, zhveshi shpejt rrobat e TMK-së dhe u rreshtua si ushtar i thjeshtë në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Iliridë.
Menjëherë pas demostrimit dimensional të aftësive të tij u emërua komandant i brigadës 113-të Ismet Jashari komandant “Kumanova” dhe komandant i Njesitit “Skenderbeu” nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Ismet Jashari ishte nga Likova, fshati Orizare dhe kishte rënë në gusht të vitit 1998-të në betejat e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
Me dt 25 maj të vitit 2001 fshati Vaksincë në Likovë, Kumanovë ishte rrethuar nga trupa të shumta sllavo -maqedonëse.
Sapo mori njoftimin Tigri i maleve niset si rrufeja e qiellit, së bashku me njësitin e tij “Skënderbeu”.
U zhvilluan luftime të ashpra për disa orë.
Furia e sulmeve të tij dermuese u shkaktoj humbje të mëdha armikut, duke u ngjallur frikë dhe panik dhe i detyroj oficerët elitë komandantë të njësitit “Ujqit” të dezertonin.
Me topin e tij të dorës shkatërroj dy tanke maqedonase në fushëbetejë.
Papritmas u qellua për vdekje nga një predhë tanku.
Kështu u shua jeta e Tigrit të maleve, Rrufesë së qiejve.
Ai ra në Likovën e Ismet Jasharit.
Ismet Jashari ishte rreshtuar në UÇK- në e lavdishme që në vitin 1998-të.
A vraponte si maratonomak në Likoc, Drenoc, Lladroc’, Kleçkë, Qafë Dule, Jezerc përmes flakëve të barotit.
Me dt 25 gusht të vitit 1998-të në një betejë të UÇK-së me forcat sllave- serbe ballë për ballë ra në fushën e nderit për tu prehur në amshim, në Altarin e Lirisë.
Në gushtin e vitit 2009 është shpallur “Hero i Kosovës”.
Fadil Nimani ra në Likovën e Ismet Jasharit, Komandant Kumanovës për të mbetur flakadan i pashuar i lirisë, burim frymëzimi për brezat që vijnë për përmbushjen e ëndrrës nacionale, çlirimin e trojeve shqiptare, bashkimin e tyre e finalizimin e Shtetit Komb Panshqiptar.
Vepra e tij e pavdekshme si misionar i kombit dhe amaneti i tij është gdhendur në këngën e interpretuar me mjeshtëri nga kollosi Ilir Shaqiri:
“Nga Gërgoci del një djalë
Para tij përkulet mali
Zjarr ka n’zemër nuk ka fjalë
Tigri vet’ Fadil Nimani
E ngjyn’ penën n’gjak të plagës
Amanetin len mbi borë
Se lira n’gjuh’ të flakës
E shton shtatin me deshmor’
Deshmor ose jo si të duani më quani
Por amanetin për lirin’ vllezër t’ma ruani”
Apo vargjet lapidare të këngës së Hysni Kelmendit:
“Që nga djepi e gjer tek pushka
Atdheu shpirtin ma rrembeu
Diell’ ndriçon nëpër kulla
Agroni, Pirroja, Skënderbeu
Nga Tropoja gjer n’Likovë
Tiger malesh thonë për ty
Dy ushtri një ideal
Zemra e tyre ishe ti”.
Deshmorëve të Gërgocit, Selim Salihu, Muhamet Alia, Xheladin Salihu, Taf’ Nimani, të cilët ranë për çlirimin e Kosovës iu shtua dhe Tigri që ra në Iliridë.
Fadil Nimani ra me dt 25 maj të vitit 2001, në të njëjtën ditë që Lugina e Preshevës, por dhe qindra atdhetarë nga të gjitha trojet shqiptare po përcillnin për në banesën e fundit strategun e luftës, arkitektin e paqes, artistin e shquar, sportistin e talentuar, filantropin e madh, studentin e shkelqyer të Universitetit të Prishtinës, interlekutorin e besuar të institucioneve ndërkombëtare, simbolin e lirisë së Luginës së Preshevës, persenofikimin e ngritjes së flamurit Kuqezi, në Tërnoc, në natën e vitit të ri, me dt 31 dhjetor të vitit 2000, Ridvan Qazimin “Komandant Lleshi”.
Ai ishte vrarë një ditë më parë.
“Plumbat janë për trimat.
Misioni i UÇPMB-së është liri a vdekje deri në fitore.
Në paqe rreziku është më i madh se në luftë sepse serbëve nuk u zihet besë se nuk kanë besë”.
Keto janë fjalët e Ridvan Qazimit, “Komandant Lleshit”, katër ditë pas nënshkrimit të paqes së Konçulit, vetëm pak orë para atentatit vdekjeprurës të organizuar nga forcat snajperiste sllovo- serbe, te gurt’ e Bujve, në kodrat e Tërnocit.
Ndodhi shumë shpejt ajo që kishte parashikuar Komandant Lleshi.
Koha i vertetoj fjalët e tij.
Gjatë betejave të UÇPMB-së me ushtritë sllavo- serbe u vranë 28-të heronj, ndêrsa pas lufte u vranë 30-të shqiptarë, mes të cilëve edhe deputeti, inxhinieri, filantropi, biznesmeni Isuf Azizi.
Për këto vrasje askush nuk ka mbajtur përgjegjesi deri më sot.
Me vrasjen me pusi të Ridvan Qazimit barbarët sllavo- serbë, vranë paqen e arritur me investim ndërkombëtar.
Me këtë veprim gjakatar ata mbyllen kapitullin e paqes dhe e rihapen kapitullin e vjetër të luftës ndaj shqiptarëve për të zbatuar platformën e hershme e skenarët ogurzi të shpërnguljes me dhunë nga trojet e tyre.
Falë qendresës së bijëve dhe bijëve të Luginës së Preshevës ende ruhet qenësia kombëtare.
Ridvan Qazimi është burim frymëzimi për qendresë.
Vepra e tij është përjetësuar në pavdekësi.
Ajo është skalitur në këngën e Ilir Shaqirit:
“N’kamb’ Preshevë se s’ka me prit’
Se ka ardh’ e mbramja dit’
Jemi shkep’ si lis prej guri
Po na ndajn’ prej flamuri
Pasha plisin tand të bardh’
Pasha gjakun ton’ shqiptar
Qiell e tok bashk’ i plagojm’
Gjallë Preshevën nuk e lshojm’
O me mbet si zog n’shkretin
O me u lidh me shqiptarin’, apo në këngën e Violeta Kukajt:
“Mu në ball’ Komandant Lleshi
Ligjeron me fjal’ t’urtis’
K’tu i thon’ Kosovë Lindore
Duam hisen e liris’
N’gurt e Bujve ku vlon gjaku
Dielli i majit bëhet hije
Komandanti pran’ çdo pragu
Bëhet lule e frym’ lirie.
Në Akademinë perkujtimore organizuar në Prishtinë me rastin e 10-vjetorit të renies së Komandant Lleshit Unioni Artistik i Kombit Shqiptar e nderoj me Titullin:
“Misionar i Kombit”, për kontrubutin e tij shumëdimensional për çështjen kombëtare.
Për fjalën time përshëndetëse në Preshevë rusët, serbët, sllavët bënë notë proteste.
Jeta e deshmorëve të Atdheut që e deshën lirinë më shumë se jetën, Atdheun më shumë se veten u shua, por vepra e tyre shendrit si rrezja e Diellit dhe e Hënës.
Sot mbarë shqiptaria i nderon me pietet e përkulet me respekt tek varret e tyre dhe para shtatoreve madhështore që simbolizojnë pavdekësinë e veprës së misionarëve të Kombit.
Lavdi deshmorëve të Kombit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.
Lavdi.