29.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Ndërkombëtarët apel Ramës: Hiq dorë nga kapja e mediave!

Projektligjet e hartuara nga qeveria që parashikojnë krijimin e një regjistri të medias online pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) si dhe vendosjen e përmbajtjes së medias online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash, ka shtyrë organizatat ndërkombëtare të medieve të reagojnë. Kjo paketë parashikon se Këshilli i Ankesave do të jetë një komision pranë AMA, i cili do të ketë fuqinë të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon moralin publik apo jo dhe nëse e gjykon të arsyeshme, mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro si dhe të urdhërojë mbylljen e këtyre mediave.
Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufijë, me anë të një letre të përbashkët i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet nga ky vendim.
Në letrën e tyre ato shprehen: “Iniciativa juaj është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”.
Sipas organizateve të medieve, “Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”.

Në vijim të letrës së tyre, thuhet se “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit. Ne ju kërkojmë ju të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës në çfarëdolloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”.

Krimi bën ligjin/ Vritet me plumb në kokë 17 vjeçarja në Tiranë, një i plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen Laprakë, të Tiranës. Burime bëjnë të ditur se 17-vjeçarja e cila ka ndërruar jetë është identifikuar se Briselda Gjikola dhe 23 vjeçari i cili është i plagosur rëndë është identifikuar si Erion Bengo.
Burimet bëjnë të ditur se vajza 17 vjeçe është qëlluar më plumb në kokë, ndërkohë që djali 23 vjeç është qëlluar në shpatull. Dy të rinjtë janë goditur brenda një makine.
Dyshohet se i kanë qëlluar 2 persona të cilët më pas janë larguar në këmbë mes pallateve në errësirë.
Sipas policisë rreth orës 18:17, në Laprakë janë plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta shtetasit B. Gj., 17 vjeçe dhe E. B., 23 vjeç.
Policia tha se, Griselda Gjinkola ka ndërruar jetë në spital, ndërsa 23-vjeçari Erjon Denga ndodhet në gjendje të rëndë.
Dy të rinjtë kanë qenë në një makinë kur kane rene pre e një atentati, pasi ndaj tyre është qëlluar me breshërie plumbash. Nga të dhënat e para bëhet e ditur se makina ku ishin dy të rinjtë ishte e ndaluar.
Atentatorët kanë qenë në këmbë dhe të maskuar, dhe më pas kanë hapur zjarri ndaj makinës. Pak pas ngjarjes, një autoambulancë i ka dërguar dy të rinjtë në spital, ku vajza ishte ende në gjendje vitale. Ndërkohë, aktualisht i riu ndodhet në koma.
Policia tha se e ka pasur të vështirë si fillim të identifikojë dy të rinjtë, pasi ata u paraqitën në spital pa mjete identifikimi. Gazetarja Bezat tha mes të tjerash se djali dhe vajza kishin marrë edhe plumba në fytyrë, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e tyre.

Basha me banorët e Unazës së Re: Devijimi i Lanës, me firmën e Ramës dhe Veliajt

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sulmoi ashpër për të disatën herë qeverinë ‘Rama’ në lidhje me projektin e Unazës së Re për devijimin e lumi të Lanës. Teksa qëndronte përkrah protestuesve, lideri opozitar tha se, ky projekt u zhvendos në favor të një trafikanti droge. Po ashtu ai tha se ndryshimi i projektit erdhi me vendim dhe firmë të kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj.
“Edhe sot disa media thonë; sipas PD. Por nuk duhet të bëjnë mediat këtë? Por vetëm PD? I ftoi këto media që të hetojnë. Të hetojnë; ja si prishen shtëpitë e banorëve. Këto nuk janë gjëra të PD, por të vërtetat e këtij projekti. Ky projekt i hap rrugën pronës së tjetërsuar nga një trafikant droge. Media duhet të hetonte këtë aferë, dhe mos të behën pjesë e mashtrimeve, por ti tregojnë shqiptarëve se si është tjetërsuar rrjedha e një lumi. Ai i ka paguar 1.5 mln euro ministrisë së Ahmetajt. Mesazhi i dytë që kam për sot është; e dëgjuat si tha Rama; do kap edhe protestën. Siç ka kapur të gjitha. Jam i sigurt që studentët e kanë dëgjuar, dhe ata janë të bindur se nuk i kap kush. Ai duke kapur median, drejtësinë. Mësimi i qëndresës tek Unaza e Re, është se nuk ia ka dalë dhe s’do t’ja dalë. Unaza e Re ia theu hundën kësaj propagande mashtruese. Ai nxori në pah një të vërtetë. Po heton dhe Amerika, abuzimet e Ramës, Damian Gjinkurit e Ahmetaj, me pastrimin e parave në parajsa fiskale. Për 5 vite vegla e sundimit në vend, kanë qenë mashtrimi. Që kur u ngritën dhe studentët, iu thyhen hundën për herë të dytë kësaj qeverie. Ndaj ata ministra i pret burgu”, tha Basha.

Banorët e Unazës së Re kanë vazhduar protestën edhe mbrëmjen e sotme kundër projektit të Unazës së Madhe.
“Ta harrojnë që ne do t’i lirojmë shtëpitë tona. Ne ato i kemi bërë me shumë djersë në emigracion, ne nuk kemi nevojë për lëmoshë. Lëmoshat t’ia japin të pastrehëve. Qeveri hajdute. Populli është më i pakënaqur se kurrë nga kjo qeverisje. Këto që po bëjnë rilindësit nuk i ka bërë asnjë qeveri, vetëm Enver Hoxha i ka zili”, tha një nga banorët.
Prej rreth 2 muajsh banorët në formë qëndrese mblidhen çdo darkë për të ngritur zërin kundër këtij projekti dhe për të deklaruar se nuk do të lejojnë prishjen e banesave të tyre, duke bllokuar edhe rrugën kryesore.

 

Mashtrimi vazhdon, Rama devijon kërkesat e studentëve!

Luçiano BOÇI

Vendimet e deklaruara sot nga Rama, devijojnë kërkesat e studentëve dhe nuk zgjidhin situatën e Universiteteve publike.
Mashtrimi vazhdon.
-Nuk ka asnjë vendim konkret të bindë studentët që buxheti dedikuar arsimit do arrijë nivelin e 5%.
Kjo rritje konsiderohet nga studentët si çelësi themelor për kërkesat e tjera.
Madje vendimet si dhe rrëzimi në seancë i propozimeve amenduese, faktojnë qëndrimin negativist të Ramës për këtë pikë.
Studentët kërkojnë që kjo mbështetje të sanksionohet me ligj.
-Rama flet vetëm për tarifën e regjistrimit për ciklin e parë e bën sikur harron atë të ciklit të dytë.
Tarifa e masterit mbetet më shqetësuesja dhe e shtrenjta.
Nga kjo përjashtohen vetëm disa grupe, përfshirë ato me mesatare mbi 9, që numërohen me gishtat e dorës.
Studentët do vazhdojnë, përpos kësaj, të paguajnë të gjitha tarifat e tjera të përcaktuara në ligjin famëkeq të Arsimit të Lartë.
Rama nuk vendos të lëvizë tarifat e masterit.
-Rama nuk pranon të miratojë pjesmarrjen e studentëve në Bordin e Administrimit, pasi për një gjë të tillë duhet amendimi i Ligjit të Arsimit të Lartë.

-Kartën e studentit Rama e shtyn nën mashtrimin e një marrëveshje europiane, ndërkohë që dihet që pengesa për të janë interesat klienteliste të operatorëve ekonomikë afër tij që preken nga Karta e Studentit.
-Studentët kërkojnë, jo vetëm një bibliotekë dixhitale, por dhe konvencionale, me kushte bashkëkohore dhe ofruese shërbimesh.
-Plagjiaturën nuk e zgjidh dot Rama me ministra plagjiaturistë. Plagjiatura dhe rishikimi i titujve akademikë nuk realizohen as me kod sjellje e integriteti. Kjo lëvizje është hedhje hi syve.
Studentët kërkojnë skanim të plotë të gjendjes dhe vlerës shkencore të doktoraturave dhe titujve akademikë.
-Nuk ka asnjë vendim për ndërtim Kampusi Universitar që do zgjidhte problemin e gjendjes skadaloze të konvikteve.
-Nuk ka asnjë vendim që i rikthen dinjitetin e autoritetin e nëpërkëmbur Universiteteve publike e që përmirëson kushtet ne auditore dhe cilësinë e diplomimit.
Përsëri ato do mbeten “ndërmarrje tregtare” me synim fitimin, ku studenti mbetet klient e pedagogu një shitës malli në formë dije, në një ambjent me qera, të degraduar nga koha e keqpërdorimi.

Skandal/ Veliaj i jep tender të dënuarit me burg për korrupsion me tendera

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka shndërruar në praktikë tashmë që të shpërndajë fonde publike për persona të dënuar. Pas ndryshimit të planit rregullues të qytetit, në favor të të dënuarit për nark-trafik, Edmond Bego, Lali Eri i ka shpallur fitues të një tenderi për ushqime kompaninë “Dogel”, pronari i së cilës u dënua vetëm pak javë më parë me 2 vjet e gjysëm burgim për “korrupsion aktiv”.
Kompania ‘Dogel” rezulton fituese e tenderit për blerje fruta-perime për Konviktet e Shkollave të Mesme, Tiranë, institucion nën varësinë e Bashkisë së Tiranës. Tenderi është zhvilluar në fund të Tetorit 2018, kohë kur pronari i “Dogel”, Elidjan Laskaj, ishte në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, ku ishte i pandehur për “korrupsion aktiv”.
Elidjan Laskaj u arrestua në Korrik të vitit 2016, në vijim të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria për Krime të Rënda për korrupsionin në tenderat e ushqimeve të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Laskaj, së bashku me administratorët e disa kompanive të tjera akuzoheshin se, në bashkëpunim me drejtues të Burgjeve, kishin krijuar një skemë fiktive për fitimin e tenderave dhe ndarjen e të ardhurave. Administratori i “Dogel”, pas disa javësh në arrest, doli nga paraburgimi dhe hetimi ndaj tij vijoi në gjendje të lirë.

Në nëntor 2018, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e shpalli përfundimisht fajtor dhe e dënoi me dy vjet e 6 muaj burgim, duke ia pezulluar dënimin në “shërbim prove”.
Pavarësisht se administratori i “Dogel” është dënuar për “korrupsion aktiv”, kjo nuk e ka penguar aspak administratën e Lali Erit për ta shpallur fitues të tenderit për furnizimin me fruta-perime të konvikteve të Shkollave të Mesme të Tiranës.
Në këtë tender kanë marrë pjesë 7 kompani, 2 prej të cilave i kanë pasur administratorët të arrestuar së bashku me Elidjan Laskajn për “korrupsion aktiv” në tenderat e burgjeve. Konkretisht, në tenderin për ushqimet e konvikteve të Shkollave të Mesme kanë marrë pjesë edhe kompanitë “Nelsa” shpk dhe “Dajti Park 2007” shpk.
Administratori i “Nelsa”, Nexhmi Balla (sot administratore është Lizeta Balla) dhe ai i “Dajti Park 2007”, Ylber Kalaja, janë dënuar gjithashtu në nëntor 2018 me nga 2 vjet e 6 muaj burg secili, në përfundim të procesit gjyqësor për korrupsionin në tenderat e ushqimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Këta persona, aktualisht të dënuar, por jashtë qelisë, ribashkohen sërish në tenderat e zhvilluar nga Bashkia Tiranë.

/Boldnews.al

Trump fajëson Rezervat Federale për “dhjetorin e zi” të Wall Street-it

Indeksi Dow-Jones të hënën ra me gati tre pikë përqindjeje ndërsa Nasdaq me rreth dy përqind. Bursën amerikane e kërcënon në këtë mënyrë sërish dhjetori më i zi që prej vitit 1931, në kohët e krizës së atëhershme ekonomike të përbotshme.
Prej fillimit të tetorit, Dow Jones humbi rreth 18 përqind, S&P 500 ka humbur prej mesit të shtatorit rreth 20 përqind dhe Nasdaq prej fundit të gushtit më pak se 25 përqind.
Shkaku për këtë gjendje është bllokimi i pjesshëm i punës të autoriteteve qeveritare të SHBA përballë grindjes për murin kufitar me Meksikën, siç e dëshiron atë Presidenti Trump. Investorët druhen se kjo situatë mund ta dobësojë ekonominë e SHBA.
Njëri tashmë e ka gjetur fajtorin
Veç kësaj, Trumpi e ka sulmuar sërish ashpër Bankën Qendrore të pavarur Fed, sepse druhet se rritjet e interesave bankare prej saj do të rëndojnë konjukturën. “I vetmi problem, që ka ekonomia jonë, është Fed”, shkroi Trump të hënën në twitter.

Banka Qendrore, sipas Presidentit të SHBA, është si një “lojtar i fuqishëm golfi, i cili nuk është në gjendje të shënojë pikë, sepse nuk ka ndjesi – ai nuk e fut dot topin në vrimë!” Presidenti pati shfaqur më parë zemërimin që Fed i ngriti të mërkurën për të katërtën herë radhazi këtë vit lehtë interesat bankare.
Në kuadër të sjelljes së pazakonshme për një President të SHBA ndaj Bankës Qendrore të pavarur, ai e ka sharë Federal Reserve ndër të tjera si të çmendur, qesharake dhe kaqole.
Shefi i Fed nuk preferohet në Shtëpinë e Bardhë
Përballë ekonomisë amerikane që po përjeton një bum dhe të një tregu pune aktiv, Banka Qendrore amerikane këtë vit i ka ngritur katër herë interesat bankare, për të mbajtur nën kontroll inflacionin. Herën e fundit interesat bankare u ngritën të mërkurën, nga 2,25 në 2,5 përqind. Me këtë Fed synon të plotësojë mandatin e saj, për të nxitur punësimin e plotë dhe çmimet e qendrueshme. Përballë ftohjes së konjukturës ekonomike që pritet, ajo ka sinjalizuar edhe dy ngritje të reja interesash bankare për 2019-ën.
Fed në thelb duhet të veprojë e pavarur nga Shtëpia e Bardhë, por Trumpi në të kaluarën i ka thyer disa herë këto barriera. Sipas medieve, ai i ka pyetur anëtarët e kabinetit të tij qeveritar, nëse mund ta shkarkojë shefin e Fed Jerome Powell, të cilin ai e emëroi vetë si pasardhës të Janet Yellen.

Japoni, trazirat në Amerikë shkaktojnë rënie drastike të bursës

Vlera e aksioneve në bursën kryesore të Japonisë, ra në mënyrë drastike të martën, duke nxjerrë në pah frikat e investitorëve për trazirat politike në Uashington dhe humbjet masive në bursën e Nju Jorkut.
Indeksi Nikkei 225 humbi 1,000 pikë, pesë për qind të vlerës, duke u mbyllur me 19, 155 pikë, hera e parë që mbyllej nën 20 mijë pikë që nga shtatori 2017. Shifrat e së martës paraqesin një vlerë 21 për qind më të ulët se ato të tetorit, që ishin më të lartat.
Indeksi Shangai i Kinës, përfundoi me një vlerë 1 për qind më të ulët të martën. Tregjet në Hong Kong, Australi, Korenë e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, ishin të mbyllura me rastin e Krishtlindjes.
Humbjet e Nikkeit ishin në vazhdimësi të rënies së bursës të hënën në Shtetet e Bashkuara, kur indeksi mesatar i Dow Jones Industrial dhe i S&P 500 ra afro tre për qind dhe indeksi i përzier i NASDAQ-ut ra me mbi 2 për qind. Këtë muaj bursa ka pasur pothuajse çdo ditë humbje, dhe ka gjasa që tregjet amerikane të jenë duke përjetuar dhjetorin më të keq që nga viti 1931, gjatë Depresionit të Madh.
Kjo gjendje në prag të Krishtlindjeve, u shkaktua pjesërisht nga sulmet e Presidentit Donald Trump në Twitter ndaj Bankës Qendrore, Rezervës Federale dhe kryetarit të saj, pas një rritjeje të fundit të përqindjeve të interesit, si edhe mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane.
Investorët u shqetësuan gjithashtu nga telefonatat e Sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin’s me krerët e gjashtë bankave më të mëdha të vendit të dielën për të përcaktuar nëse kishin capital të mjaftueshëm për të vazhduar funksionimin normal.

Temat më të rëndësishme në Kongresin Amerikan gjatë vitit 2018

2018-a ishte një vit zgjedhor i rëndësishëm për zgjedhjet e Kongresit dhe republikanët e filluan vitin me synimin për të nxjerrë në pah shkurtimet e taksave dhe rritjen e fortë ekonomike. Por debatet në Kongres gjatë vitit 2018 u dominuan nga shqetësimet në lidhje me privatësinë e të dhënave në internet, reformën e imigracionit dhe betejën për emërimin e kandidatit për në Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson i hedh një vështrim këtij viti të rëndësishëm në Kongress.
Ishte momenti kulmor për lëvizjen MeToo në Kongres.
Akuzat e zonjës Ford për sulm seksual e vunë në pozita mbrojtëse gjykatësin federal Brett Kavanaugh, kandidatin e Presidentit Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Përkundër protestave dramatike, Kavanaugh u konfirmua me një rezultat të ngushtë nga senati i kontrolluar nga republikanët. Debatet e ashpra për emërimin e tij nxorën në pah ndarjet partiake dhe pothuajse bllokuan Uashingtonin. Republikanët dhe demokratët shkëmbyen akuza me njëri-tjetrin në luftën për miratimin e buxhetit.
“A do ta mbyllin ata qeverinë për imigracionin e paligjshëm?”, pyeste udhëheqësi i pakicës demokrate, senatori Chuck Schumer.
Politika partiake u la mënjanë tre herë për t’u bërë nderime shtetërore në ndërtesën e kongresit pastorit Billy Graham, Senatorin John McCain dhe ish-Presidentin George Herbert Walker Bush, të cilët u ndanë nga jeta këtë vit.
Ligjvënësit shpenzuan shumicën e vitit duke bërë fushatë për rizgjedhje, por republikanët mësuan se arritja e tyre legjislative e vitit 2017 nuk krijoi entuziazëm tek votuesit.
“Miratimi i një ligji për një shkurtim të madh taksash për individët dhe korporatat e pasura thjesht nuk është diçka që shihet me përparësi nga shumë votues”, thotë Molly Reynolds nga Instituti Brookings.

Në Uashington, krerët e mediave sociale u përpoqën të riparonin dëmin e shkaktuar nga lajmet e rreme dhe ndërhyrjet e huaja, ndërkohë që ligjvënësit po përpiqeshin të gjenin zgjidhje për probleme të reja.
“Kam frikë se jemi në prag të një epoke të re të shfrytëzimit të padrejtë në internet”, tha Mark Warner, senator demokrat nga Virxhinia.
Politika e ndarjes së familjeve nga administrata e Presidentit Trump në kufirin SHBA-Meksikë ushqeu betejat e vazhdueshme mbi imigracionin. Presidenti Trump tha se politika ishte vendosur nga presidentët e mëparshëm, por demokratët nuk ishin dakord më këtë.
“Kur Presidenti tha se këto veprime nuk ishin si pasojë e vendimeve të tij, ai nuk tregoi të vërtetën”, tha udhëqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Dhe fati i të ashtuquajturve Endërrimtarë (Dreamers), më shumë se 800,000 të rinj pa dokumente të sjellë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, vazhdon të jetë në rrezik.
“Nuk ka logjikë që të trajtojmë një simptomë të politikës sonë të shkatërruar të imigracionit”, tha Mitch McConner, udhëheqësi i shumicës republikane në senat.
Republikanët në senat kanë bërë përparim në miratimin e emërimeve të rëndësishme në sistemin gjyqësor, por kanë patur edhe dështime.
“Ne pamë se si republikanët dështuan të realizonin premtimin e tyre më të madh të fushatës në tetë vitet e fundit, shfuqizimin e Ligjit të Kujdesit Shëndetësor të ish presidentit Obama”, tha Molly Reynolds nga Instituti Brookings.
Kjo shpresë mori fund kur demokratët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit për kongres. Viti po përfundon ashtu siç filloi, me një betejë mes dy partive për financimin e qeverisë, që është dominuar nga mosmarrëveshjet mbi çështjen e imigracionit.

Rama 105 milionë USD për 7 oligarkë në 2019, asnjë fond shtesë për studentët!

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për mediat, duke komentuar deklaratat e sotme të Edi Ramës. Basha u shreh ndër të tjera, se Edi Rama ka planifikuar 105 milionë USD për 7 oligarkë në 2019 dhe asnjë fond shtesë për studentët! Sipas Bashës, Rama është në panik total nga protesta studentore dhe me deklaratat e sotme, ai vetëm kërkon ti mashtrojë studentët.
‘Edi Rama në panik total dhe përpiqet të mashtrojë studentët. Ai nuk ka asnjë plan për të plotësuar kërkesat e studentëve.
Deklaratat e sotme të Edi Ramës, janë një riciklim i atyre që ka thënë gjatë këtyre ditëve.
Ai nuk ka dhënë asnjë zgjidhje për studentët dhe për prindërit e tyre’, tha ndër të tjera kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Më tej Basha u shpreh se Rama nuk ka asnjë plan dhe asnjë vullnet për të ndryshuar gjendjen e studentëve, dhe se zanafilla e të gjitha problemeve është Ligji i Arsimit të Lartë.
Basha premtoi se nga Janari PD-ja do të nisë konsultimet me pedagogët dhe me studentët për hartimin e një ligji të ri, që i jep fund favorizimit të Universitete Private.
“Ai nuk ka asnjë plan dhe vullnet për të ndryshuar gjendjen e studentëve, cikërrimat me të cilat doli sot nuk zgjidhin çështjet që shqetësojnë realisht studentët. Ligji i Arsimit të Lartë është zanafilla e të gjitha problemeve, për shkak se është një proces i hapur korruptiv.

Sot kemi arsimin e lartë më të shtrenjtë ne europë dhe kemi cilësinë më të dobët”, u shpreh Basha.
“Hapi i parë që ne kërkojmë që të ndërmerret është anulimi i ligjit dhe hartimi i një ligji për arsimin e lartë në konsultime me pedagogë, ku të mëshirohen standardet e Europës. Demokratizim dhe jo centralizim, më shumë autonomi, rol më i madh për pedagogët e studentët.
Një rikonceptim i mënyrës si do të rritet cilësia e mësimdhënies në universitete. Rritja financiare nuk con në përmirësim të cilësisë. Mbështetje për infrastrukturën akademike që sot është në ditën e saj më të zezë, rankimi i universtiteteve. Janë kolona për një ligj të arsmit të lartë”, tha më tej Basha.
Sipas Bashës rruga e dytë që PD do të kërkojë të ndiqet është: Dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Rama nuk tha sot një të vërtetë që totali i buxhetit për arsimit është afërsisht 2 mln $ cfare do zgjidhi me kaq”?
Basha u shpreh se nga Janari PD-ja do të nisë konsultimet me pedagogët dhe me studentët për hartimin e një ligji të ri, që i jep fund favorizimit të Universitete Private.
‘Ai nuk ka asnjë plan dhe vullnet për të ndryshuar gjendjen e studentëve, cikërrimat me të cilat doli sot nuk zgjidhin çështjet që shqetësojnë realisht studentët.
Ligji i Arsimit të Lartë është zanafilla e të gjitha problemeve, për shkak se është një proces i hapur korruptiv. Sot kemi arsimin e lartë më të shtrenjtë në Europë dhe kemi cilësinë më të dobët’, u shpreh Basha.

Financat “humbin” vulën e thesarit, s’ka kontroll mbi shpenzimet publike, nuk dihet kosto reale e kontratave

Drejtoria e Përgjithshme Thesarit ka humbur kontrollin mbi shpenzimet buxhetore, pasi sipas një auditimi që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) prokurimet publike bëhen në masë pa vulën e thesarit. Kështu vlerat e tenderëve nga Agjencia e Prokurimeve Publike (APP) raportohen me vonesë në thesar dhe shpesh vlerat e prokurimit nuk i përgjigjen vlerës së kërkuar në thesarin e shtetit.
Në përputhje me Ligjin nr.9936 “ligjit nr.9936 dt.26.6.2008 “Mbi zbatimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, neni 149 i tij, çdo institucion shpenzues duhet të paraqitet në Degën e Thesarit për të marrë vulën e konfirmimit të fondeve disponibël përpara se të fillojë procesin e prokurimit. Për institucionet pa akses direkt në SIFQ ( sistemi online i thesarit) ky proces nuk dokumentohet pasi nuk ekziston mundësia (fusha) për regjistrimin e këtij dokumenti, rrjedhimisht nuk ka informacion nëse çdo prokurim ka filluar pasi janë konfirmuar fondet disponibël në Thesar, gjë do të shmangte marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore dhe rrjedhimisht krijimin e stokut të faturave të prapambetura, konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Sipas KLSH-së, aktualisht, Drejtoria e Thesarit nuk ushtron kontroll, nuk mbledh informacion për prokurimet e shpallura dhe kontratat e pritshme, informacion që duhet raportuar në zbatim të Nenin 37, të të Udhëzimit të Ministrisë së Financave nr. 8 datë 13.01.2017, në të cilin citohet se: “Dega e Thesarit informon strukturën përgjegjëse të në Ministrinë e Financave, një herë në muaj, brenda 10 ditëve të para të muajit pasardhës, mbi urdhrat e prokurimit të miratuara prej saj, sipas strukturës buxhetore”.

Sipas KLSH-se, ky informacion do të shërbente për monitorimin e zbatimit të buxhetit, menaxhimin e likuiditetit, planifikimin koherent të programeve buxhetore të ardhshme, shmangien e rishpërndarjeve buxhetore të shumta.
Nga auditimi i të dhënave të urdhër–prokurimeve të regjistruara gjatë 7 mujorit të parë të vitit 2018, KLSH konstaton se problemi i mosrregjistrimit të të gjithë urdhër-prokurimeve nga të gjitha institucionet dhe mosrregjistrimi në afatet e përcaktuara me qëllim konfirmimin dhe bllokimin e fondeve buxhetore disponibël vazhdon të mbetet.
Kështu, Drejtoria e Thesarit vazhdon të mos ketë rekorde nëse institucionet pa akses direkt në SIFQ janë paraqitur pranë Degëve të Thesarit për të konfirmuar fondet disponibël përpara shpalljes së procedurës së prokurimit në APP.
Vetë drejtoria e Thesarit nuk ka kontroll, informacion për prokurimet e shpallura dhe kontratat e pritshme, gjë që duhej paraqitur në raportimet faktike të planit buxhetit, në pasqyrat financiare të konsoliduara si angazhime të pritshme dhe duhej të monitorohej në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Buxhetit me qëllim planifikimin koherent të programeve buxhetore të ardhshme, shmangien e rishpërndarjeve buxhetore të shumta si dhe menaxhimin e likuiditetit, vëren me tej KLSH.
Nga krahasimi i të dhënave të SIFQ me të dhënat e APP, nga 41 raste të zgjedhura në 16 prej tyre rezulton se urdhër-prokurimet janë të regjistruara në vitin 2017 në APP ndërsa në SIFQ janë regjistruar në vitin 2018. Dhe në 9 raste vlera e kontratës e rregjistruar në APP është e ndryshme nga ajo e rregjistruar në SIFQ me një diferencë prej 1.7 miliardë lekë (më pak).

Copëzohet vlera e kontratave, nuk dihet kosto reale
Duke vlerësuar si tepër shqetësues dhe me risk të lartë për raportimet e zbatimit të buxhetit, menaxhimit të likuiditetit kontratat u investiguan me qëllim identifikimin e shkakut të një praktike të tillë të rregjistrimit të pjesshëm (copëzuar) të vlerave të tyre, raporton KLSH.
Për këtë qëllim, u kërkua informacion nga KLSH në lidhje me çeljet buxhetore të secilit prokurim/kontratë të përzgjedhur nga kampioni i të dhënave të APP dhe regjistruar në SIFQ nga ku u konstatua se në momentin e prokurimit të kontratës çelja buxhetore disponibel ishte shumë më e vogël se vlera e prokurimit dhe kontratës së nënshkruar.
Kështu, rezultuan 6 raste me diference në vlerë prej 1.38 miliardë lekë midis vlerës së prokuruar dhe çeljes buxhetore nga të cilat 5 raste janë të projekteve të Bashkisë Tiranë me diferencë në vlera të çeljeve buxhetore prej 0.667 miliardë lekë.
Nga auditimi në Aparatin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë u konstatuan dy kontrata të lidhura gjatë vitit 2017 me vlerë rreth 174 milinë lekë të paraportuara në SIFQ, të pambështetura plotësisht me çelje buxhetore dhe për më tepër procedura e prokurimit fillon pa u rregjistruar urdhër- prokurimi në SIFQ.
KLSH ve ne dukje se, këto veprime janë në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH. Për më tepër, kur angazhimet e marra janë të pambështetura me fonde buxhetore sipas ligjit, nuk njihen si detyrime të shtetit.
Mbartja e kontratave shumëvjeçare me vlera jo të plota dhe të copëzuara sipas faturave të lëshuara
Në zbatim të Udhëzimit nr.8 datë 13.01.2017, neni 37, kontratat për investime duhet të regjistrohet për vlerën e saj të plotë dhe e shoqëruar me planin e pagesave në vite (angazhimet për 3 vite).
Në vitin 2016 me lindjen e detyrimit të të gjithë njësive për regjistrimin e kontratës në SIFQ, çdo kontratë duhej të regjistrohej në SIFQ për vitin korrent 2016 me vlerën e barabartë me çeljen buxhetore vjetore dhe planin e pagesave sipas PBA.

Nëse projekti nuk kishte plan buxhetor të miratuar diferenca regjistrohej në vitin 2017 me qëllim mospërfshirjen në treguesit fiskal. Kjo kërkoi gjithashtu dhe pastrimin e balancave të kontratave të lidhura para vitit 2016. Për këtë qëllim u bënë rakordimet me degët e thesarit me qëllim evidentimin e vlerave të mbetura të secilës kontratë në vazhdim.
Nga investigimi i balancave hapëse për disa projekte dhe i pagesave të kryera më pas përgjatë vitit 2017 rezultoi se këto vlera nuk janë marrë nga kontrata fizike të depozituara në Degët e Thesarit azhornuar me pagesat e kryera por në të vërtete ato janë bazuar në llogaritjen : fatura të paguara (për pjesën e zbatuar të projekteve) + fatura të prapambetura (të papaguara për punime tashmë të kryera).
Në vijim regjistrimi i çdo faturë e re apo deklarimi (pagesa) e faturave të prapambetura (të pa përfshira me parë në fazën e rakordimit, azhurnon dhe vlerën totale të angazhimit. Pra rakordimi i fillim vitit 2017 nuk ishte në të vërtetë regjistrim i vlerave reale të mbetura sipas kontratës fizike. Ky fenomen u konstatua kryesisht për projektet e ndërtimit të rrugëve me institucion kontraktor: Autoritetin Rrugor Shqiptar, Fondi i Zhvillimit Shqiptar dhe shumë Bashki. Nga një vështrim i kujdesshëm i veprimeve për pagesat e lidhura me këto kontrata dhe vlerat e regjistruara konstatohet se në më të shumtën e rasteve ato identifikohen apo mbarten vetëm në momentin e regjistrimit të faturës në sistemin SIFQ. Kjo pasi sistemi kushtëzon që çdo urdhër-shpenzim, verën KLSH.
“Në këto kushte nuk dihet apo nuk mund të konkludojmë se sa në të vërtetë është vlera totale e këtij angazhimi dhe detyrimet e prapambetura të lidhura me të”, konstaton KLSH.