22.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Protesta e studentëve, Rama pranon se do bëjë “koka turku” disa ministra për të shpëtuar veten!

Pas 5 orë mbledhje ka thënë atë që dihej. Për të shpëtuar veten nga protestat e studentëve, Rama do të bëjë “koka turku” disa ministra.
Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së PS-së, ndërsa kryeministri Rama ka mbajtur një deklaratë të shkurtër përpara mediave. Mbledhja e Kryesisë zgjati pesë orë, ndërsa në fjalën e tij Rama u shpreh se PS-ja ka shumë për t’u korigjuar dhe përmirësuar.
Një nga pyetjet e gazetarëve do të ishte padyshim ajo për ndryshimet në qeveri, teksa kryeministri nuk e mohoi si opsion, por shtoi se në ditët në vijim pritet Asambleja Kombëtare, dhe aty mund të merren vendime të tjera.
‘’ Çdo gjë hap pas hapi. Unë nuk them fjalën e fundit të parë. Unë di radhën e lëvizjeve. Mendohem gjatë para se të bëj lëvizje, do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do ti përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve”, u shpreh mes të tjerave kryeministri.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Çdo ditë ka gjëra për të përmirësuar, se nuk jemi të pagabueshëm përkundrazi dhe në vakumin e lënë nga opozita boshllëkun e madh të një opozitë të besueshme është sfidë më vete që vetë korrigjohemi në vijim. Kemi folur për partinë, mekanizmat, domosdoshmërinë e një raporti me shoqërinë ku shoqëria e zëri i saj të gjej më shumë hapësirë dhe të gjejë dëgjimin që meriton në partinë tonë dhe partia të shkojë përtej vetes e të shtrihet në mënyrë të natyrshme dhe dobishme në shoqëri

Kam parasysh gjithë bazën e veprimtarisë sonë dhe përfaqësimit tonë, forumet dhe mekanizmat përfaqësues, parlamenti, qeveria që janë direkt të lidhura me raportin e krijuar në terren mes njerëzve.
Do kemi shumë për të korrigjuar, por është proces pozitiv.
Kemi diskutuar protestës, arsyet, faktorët, dobishmërinë e madhe të saj dhe domosdoshmërinë që ta mishërojmë si duhet atë që është shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori, nga shumë studentë që i thonë vetes apolitikë, por e kanë shkundur politikën në raport me të vërtetën i kanë dhënë shuplakë qeverisë, po ashtu si kam thënë e po bëjmë, që protesta ka dinamikën e vet, kurse shqetësimi ynë i domosdoshëm pas asaj shuplake do vazhdojë në funksion jo etëm të studentëve, por edhe të denjë e në lartësinë e ambicieve në funksion të vendit
Çdo gjë hap pas hapi. Unë nuk them fjalën e fundit të parë.
Unë di radhën e lëvizjeve. Mendohem gjatë para se të bëj lëvizje, do të bëjmë të gjitha gjërat e duhura dhe do ti përgjigjemi me dinjitet shqetësimit të studentëve por do të shkojmë përtej këtij, sepse e kuptojmë se ka ende shumë për të bërë, dhe pavarësisht rezultateve të padiskutueshme njerëzit meritojnë shumë më tepër akoma, kemi bërë gabimet tona, që i bëjnë të gjitha atë që ndërtojnë, përpiqen e punojnë, e të marrin përsipër sfidat, por e rëndësishme është që të mësojmë dhe të shkojmë para, ajo që është e sigurte është që kemi lexuar me shumë vëmendje dhe po e lexojmë me shumë respekt mesazhin e protestës. Do mbledhim asamblenë kombëtare dhe do flasim prapë.

Trump prezanton zëvendësuesin e Sekretarit të Mbrojtjes Mattis

Presidenti Donald Trump tha të dielën se Zëvendëssekretari i Mbrojtjes Patrick Shanahan do të bëhet shefi në detyrë i Pentagonit më 1 janar, duke zëvendësuar Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, i cili njoftoi dorëheqjen e tij javën e kaluar.
“Jam i kënaqur të njoftoj se zëvendës sekretari ynë i talentuar i Mbrojtjes, Patrick Shanahan, do të marrë titullin e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Mbrojtjes duke filluar nga 1 janari 2019,” shkroi presidenti Trump në Twitter, duke nxitur kështu Sekretarin aktual të Mbrojtjes Mattis të largohet nga posti i tij dy muaj më parë.
Shanahan, një ish-ekzekutiv i kompanisë Boeing, u emërua Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes në vitin 2017.
Në letrën e dorëheqjes së Mattisit, që ai ia paraqiti personalisht presidentit Trump të premten, ai kishte thënë se do të largohej nga posti më 28 shkurt.
Vendimi i sekretarit të Mbrojtjes erdhi një ditë pasi Trump njoftoi se do të tërhiqte rreth 2.000 trupa amerikane nga Siria, një veprim që Pentagoni e kundërshtoi.
Mattis nuk përmendi mosmarrëveshjet mbi Sirinë në letrën e tij, por vuri në dukje “besimin e tij themelor” se forca e Shteteve të Bashkuara është “e lidhur pazgjidhshmërisht” me aleancat e kombit me vendet e tjera.
Presidenti Trump njoftoi së pari largimin e sekretarit Mattis në Twitter, duke thënë se ish gjenerali me katër yje do të dalë në pension.
Ndërsa nuk e përmendi Trumpin me emër, letra nga Mattis përshkruan dallimet e mprehta mes pikëpamjeve të tij dhe atyre të presidentit, sidomos mbi rëndësinë e aleatëve dhe përdorimin e fuqisë së Shteteve të Bashkuara.

Serbi, protesta masive kundër Vuçiç

Mijëra veta morën pjesë në një protestë në Beograd kundër politikave të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kërkuan që t’i jepet fund dhunës politike si dhe raportim të më të drejtë nga televizioni publik.
Protesta e së shtunës ishte e treta me radhë që kur ndodhi një sulm mbi Borislav Strefanoviçin, udhëheqës i partisë së vogël E Majta serbe.
Stefanoviç ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta.
Protesta me sloganin “Një nga pesë milionë”, sipas organizatorëve mblodhi 35 mijë deri në 40 mijë veta, ndërsa ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç, tha se ishin më së shumti pesë mijë.
Në mesin e atyre që folën në protestë ishte edhe gazetari Milan Jovanoviç i cili pohon se për shkak të shkrimeve mbi korrupsionin i është djegur shtëpia.
Veprimtarët e opozitës thonë se presidenti Vuçiç është një autokrat dhe e cilësojnë partinë e tij të korruptuar. Ata thonë se presidenti Vuçiç, kontrollon pjesën më rë madhe të medieve në Serbi, gjë që i siguron atij përparësi të padrejtë.
Mbështetja për presidentin Vuçiç ka shënuar një rënie të vogël pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por ai mbetet udhëheqësi politik më popullor dhe koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të qëndrueshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.
Protestat e opozitës janë të rralla në Serbi që nga trazirat popullore të vitit 2000 që rrezuan ish presidentin Slobodan Milloseviç, i cili më pas vdiq në vitin 2006 në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Aleksndër Vuçiç, një nacionalist i zjarrtë gjatë shkatërrimit të dhunshëm të ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta, më vonë përqafoi vlerat evropiane dhe vendosi anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si qëllimin strategjik të vendit. Ai gjithashtu mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Skandali Ahmetaj, Bego i pagoi 1.5 milionë euro, roli i Veliajt

Partia Demokratike publikoi të tjera dokumente sot për çështjen e planit urbanistik të Tiranës për të favorizuar një projekt të biznesmenit Edmond Bego. Deputetja e PD Jorida Tabaku tha se kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i bashkon mashtrimi.
• Skandali i projektit rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe përfshin jo vetëm Erion Veliajn, por edhe Ministrin e Financave Arben Ahmetaj.
• Ndryshe nga sa mashtron Ahmetaj, dokumentat zyrtare provojnë se shitja është kryer për llogari të mikut trafikant droge të Taulant Ballës.
• Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave për privatizimin, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016.
Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike
Skandali i projektit rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe përfshin jo vetëm Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por edhe Ministrin e Financave Arben Ahmetaj.
Të dy këta i bashkon mashtrimi në mënyrë të pacipë se nuk kanë lidhje me projektin.
I pari, Erion Veliaj mashtroi, kur deklaroi se projekti nuk ekziston dhe se nuk ka leje ndërtimi për të. Ne kemi paraqitur dokumentat zyrtarë se projekti 60 milionë euro i trafikantit ndërkombëtar të drogës e ka kaluar fazën e parë të miratimit për leje ndërtimi. Tani leja është vetëm një formalitet.
Erion Veliaj është përgjegjës me firmën e tij për ndryshimin e planit urbanistik të Tiranës.

Sipas planit të 2013-ës, lumi Lanë zinte një sipërfaqe të konsiderueshme të tokës, ku Bego ka planifikuar të ndërtojë. Por plani u ndryshua në 2017-ën, pasi Bego kishte lidhur kontratë për ndërtimin e projektit 60 milionë euro.
Me firmën e Erion Veliajt dhe të Edi Ramës, Plani ndryshoi dhe Lumi Lanë u zhvendos duke mos prekur asnjë centimëtr nga toka ku do të ndërtojë trafikanti i drogës, miku i Taulant Ballës.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, Erion Veliaj që flet për gjithçka, nuk u ka shpjeguar shqiptarëve pse e ndryshoi projektin e Lanës për llogari të projektit 60 milionë euro të Edmond Begos. Kush fshihet pas trafikantit ndërkombëtar të drogës, i cili ka deklaruar publikisht se nuk disponon 60 milionë euro.
Këto pyetjeve duhet t’u japë përgjigje edhe Ministri I Financave Arben Ahmetaj. Ai është personi i dytë kyç në këtë aferë.
Arben Ahmetaj, mashtroi qytetarët, kur tha se ministria e drejtuar prej tij nuk ka patur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës, ku i dënuari me 21 vjet burg për trafik droge do të ndërtojë projektin rezidencial 60 milionë euro.
Ndryshe nga sa mashtron Arben Ahmetaj, dokumentat zyrtare provojnë se shitja është kryer për llogari të mikut trafikant droge të Taulant Ballës.
Ina Zhupa, zëdhënëse e Partisë Demokratike
Afera e projektit 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe me ndërtues trafikantin e drogës Edmond Bego, e ka pikënisjen tek Ministria e Arben Ahmetajt.
Përveç përmbylljes në një kohë rekord të privatizimit dhe shitjes së ish serave pranë Unazës së Madhe, ministria e Arben Ahmetajt ka patur marrëdhënie direkte financiare me Edmond Begon për këtë pronë.

Sot do të zbulojmë dokumentat zyrtarë që nxjerrin mashtrues Ministrin e Financave dhe përgënjeshtrojnë deklaratën e tij se nuk e ka kryer privatizimin dhe shitjen në shërbim të Mond Begos dhe se nuk ka asnjë fakt që e lidhin atë me procedurat e privatizimit.
Faktet ndodhen në dosjen e privatizimit.
Edmond Bego është përsoni që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016.
Pagesat janë bërë nga kompania Inerte Ekspres, në pronësi 100 përqind të Edmond Begos.
Faturat bankare që kanë dalë në ekran janë dokumenti zytar që provojnë mashtrimin e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.
4 pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat, njëra në 13 nëntor 2015, me vlerë 121 milionë lekë. 3 të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, më 11 Mars 2016.
Vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, Ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish Serat, pranë Unazës së madhe.
Me pagesën e 1.5 milionë eurove për Ministrinë e Arben Ahmetajt nga Edmond Bego, të gjithë e dimë si vijoi historia.
• Plani Urbanistik I Tiranës u ndryshua me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt,
• Projekti për Lumin e Lanës u ndryshua që të mos prekë tokën ku do të ndërtojë trafikanti i drogës
• Bashkia e Tiranës ka miratuar fazën e parë të miratimit për lejen e ndërtimit.
Projekti rezidencial 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe dhe projekti korruptiv 40 milion euro për zgjerimin e Unazës së Madhe janë modeli më i qartë se nën drejtimin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, Tirana është shndërruar në lavatriçen më të madhe në Ballkan për pastrimin e parave të pista.

 

Francë, vazhdon të rritet presioni për Macronin

Më shumë ndjeshmëri – këtë presidenti e mori vesh. Prandaj ai ftoi gjithë kryetarët e bashkive të Francës të mblidheshin në Pallatin Elysée. Për herë të parë. Sepse herë të tjera politikanët lokalë e kanë takuar presidentin francez maksimumi në ambientet e thjeshta të panairit, Porte de Versailles. Kati i parë i Pallatit Elysée është zakonisht i rezervuar për diplomatët. Megjithë këtë xhest pajtimi, Macron nuk e ka kapërcyer momentin kritik. Ai vazhdon të ndodhet nën presion të madh.
Paqja sociale në rrezik
Nuk ka rëndësi nëse presidenti francez do të arrijë të qetësojë Lëvizjen e Jelekverdhëve për ditët e festave, sepse ka kohë që protesat masive të rrugës janë kthyer në një forcë politike reale në të gjithë vendin. “Ne kemi të bëjmë në këtë rast me një opozitë jashtë parlamentare”, thotë për lëvizjen eksperti i politikës, Jérôme Sainte-Marie nga Instituti PollingVox. Macron duhet të reagojë politikisht në vitin e ri, pëveç lëshimeve për njerëzit me të ardhura të ulta, që jepen në fund të vitit si paketa emergjence. Jelekverdhët, thotë Sainte-Marie, përbëjnë një moment kthese në presidencën e Macronit.
Kështu që viti 2019 do të jetë vit prove për presidentin e ri. Ai duhet t’i tregojë francezëve, se ka në dorë postin më të lartë të shtetit. Për këtë duhet të dëshmojë se ka aftësi mjeshtërore dhe të prezantojë nga e para politikën e tij, të cilën shumë vetë e quajnë autoritare dhe elitare. Të pushojë kryeministrin dhe të bëjë të ditur se do të ketë një fillim të ri? Kjo dredhi politike, e ofruar nga kushtetuta franceze dhe e përdorur me virtuozitet nga gjithë pasardhësit e tij, nuk do të mjaftojë në rastin e Macronit, vlerësojnë njerëz që merren me politikë. Macron është duke paguar tani për faktin që vetëm 24 përqind e francezëve e kanë zgjedhur me bindje president, thonë konservatorët e politikës së Parisit.
Nga Macron, që nuk vjen nga politika, priten shumë gjëra. “Ai duhet të zgjerojë shumicën politike, nëse do që të shpëtojë mandatin”, thotë Sainte-Marie në bisedë me Deutsche Wellen. Deri tani protestat kanë dashur të përfshijnë edhe Macronin, por ato nuk ia kanë hedhur dot grepin presidentit. Deri tani ai ka qenë mbështetur nga një shumicë në Dhomën e deputetëve.

Partia e Macronit është kthyer në bela?
Por ndërkohë po rriten edhe zërat nga radhët e veta që kërkojnë ndryshime në dialog me qytetarët, politikën sociale, në prezantimin e tij. “Macron duhet të ndalojë së foluri si shefi i personelit të një kombi që sapo është krijuar”, kritikon deputeti Patrick Vignal nga partia La République en Marche (LRM). Përveç kritikave në sjelljen e tij që shihet si arrogante, politikanët e LRM kërkojnë edhe një politikë të re sociale, që t’i përshtatet më mirë qytetarëve. Si përshembull njerëzit me të ardhura të pakta nuk duhet të paguajnë për shërbimet sociale. Shumë vetë në partinë e tij flasin edhe për ringjalljen e taksave mbi të pasurit, që Macron e hoqi. Dhuratat që bën Macroni me paratë shqetësojnë shumë ekonomë. Vitin e ardhshëm mungojnë në buxhet 4 miliardë euro prej heqjes së taksës mbi karburante. Qëllimi i qeverisë, për ta mbajtur deficitin e lejuar nga 3 përqind në 2,8 përqind është i kohës së shkuar.
Që jelekverdhët duan ta largojnë presidentin nga posti, është e paimagjinushme nga vëzhguesit politikë. Asnjë kushtetutë tjetër nuk e mbron presidentin e vendit aq shumë sa kushtetuta franceze. Viti tjetër do të sjellë sfidë të dyfishtë për presidentin, dedikim për francezët në përgjithësi, por edhe për ata në partinë e vetë. Nëse mbështetja në parti thyhet atëherë situata mund të bëhet e pakëndshme. Si shumë të tjerë edhe Jérôme Sainte-Marie mendon, se Macron nuk do e ndryshojë krejtësisht stilin e tij liberal dhe autoritar. Edhe në nivel europian ai do të duhet të paguajë në zgjedhjet parlamentare për mungesën e besueshmërisë si reformist.
“Nëse presioni në rrugë shtohet dhe pakënaqësia në parti rritet, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të shkohet në votëbesim”, thotë Sainte-Marie. Atëherë presidenti duhet të kërkojë një kryeministër nga opozita politik, të ashtuquajturën Co-Habitation. Një qeveri që në Francë urrehet. Dhe Macroni vetë nuk do të kishte pushtetin e mjaftueshëm për të dhënë përgjigjen e duhur Jelekverdhëve.

Tenderat, histori kompanish fantazmë, offshoresh dhe vendime tavoline nga Rama

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Energjise dhe Industrise, Damian Gjiknuri, gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me kultivimin e kanabisit ne Shqiperi./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama and Minister of Energy and Industry Damian Gjiknuri, during a parliamentary session, which was debated in the cultivation of cannabis in Albania.

Nga Nertila Maho

Rasti i DH Albania, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e lotit të parë në projektin e Unazës, përforcoi edhe një herë faktin që prokurimet publike mbeten “Thembra e Akilit”. Kompania arriti t’u shpëtonte filtrave të dy institucioneve të rëndësishme, duke paraqitur dokumente të falsifikuara e për rrjedhojë, duke përfituar dhjetëra milionë euro.
Ekspertët vlerësojnë se ligji aktual i ka gjithë mekanizmat e kontrollit, por nuk është zbatuar. Lidhjet e ngushta të pushtetit me biznese të caktuara dhe marrëveshje në tavolinë, zhvillimi i garave fiktive me vetëm një ofertues, mungesa e stafeve të trajnuara, prania e lartë e kompanive me pronësi të paqartë dhe pandëshkueshmëria janë mjegulla që mbulon sot tenderët. Nëse ka nevojë për ndryshim ligjor në këtë fushë, ekspertët vlerësojnë se duhet të nisë nga këto pika.
Për shumëkënd, DH Albania dhe Biba X ishin një bashkim operatorësh normalë që kishin fituar një procedurë prokurimi lidhur me lotin 1 të projektit të rehabilitimit të Unazës së Re nga pallati me Shigjeta tek rreth-rrotullimi Shqiponja. Vëmendja gjatë nëntorit, kur u bë shpallja e fituesve, u përqendrua në dy boshte të tjera, që lidheshin me koston tejet të lartë të projektit, ku vetëm loti 1 llogaritet 20 milionë euro dhe ka një gjatësi vetëm 760 metra, si dhe përplasja e shtetit me banorët për shpronësimet.
Një muaj më pas, deklaratat për abuzimin me koston dhe përplasjet për projektin do t’i zbehte tërësisht një skandal i ri. Të dhënat e publikuara në media nxorën në dritë se kompania Dh Albania, si bijë e kompanisë Dunwell Haberman regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte falsifikuar dokumentacionin e paraqitur në ofertën e saj. Jo vetëm kaq, kompania kishte arritur t’ju shpëtonte të gjitha filtrave të kontrollit dhe jo një por dy autoriteteve kontraktore. Faktet treguan se përveç Autoritetit Rrugor Shqiptar kompania kishte fituar një procedurë me vlerë 12 milionë euro edhe nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Nga ajo ditë, dinamika me të cilën janë zhvilluar ngjarjet, paniku i përfshirjes së emrit Amerikë dhe hetimet për rastin kanë sjellë një mori deklaratash dhe veprimesh.

Por në finale ekuacioni prodhoi të njëjtin rezultat, të paktën për momentin. ARRSH hapi sërish procedurën e prokurimit për lotin e parë të projektit, me të njëjtin fond limit dhe duke lajmëruar operatorët e interesuar që të paraqesin ofertat deri më 14 janar 2019, duke kërkuar me çdo kusht që të çojë para projektin, duke qenë se dy lotet e tjera, 2 dhe 3, janë aktualisht me kontrata në fuqi.
Në total, projekti për ndërhyrjen nga Pallati me Shigjeta tek rreth-rrotullimi Shqiponja ka një kosto 40 milionë euro për tre lote dhe është një ndër akset me kosto dukshëm të lartë që institucionet e kanë argumentuar me numrin e lartë të veprave të artit që përfshin ky projekt.
MIE propozoi ndryshim në ligj, verifikim dokumenteve për çdo fitues tenderi
Në një dalje para mediave, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri, do të jepte vetëm një detaj me zë të plotë. “Nga konfirmimet e mbërritura nga institucionet e sipërpërmendura (Ambasada Amerikane në Tiranë dhe kërkesa e Ambasadës Shqiptare në Uashington) rezulton se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania DH Albania në procedurat e tenderit është i falsifikuar”, tha Gjiknuri. Ai nënvizoi se të gjithë materialet i janë referuar Prokurorisë për hetim ndërkohë që falsifikimi i dokumenteve, sipas tij, ka ndodhur jashtë territorit shqiptar. Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë, propozoi një ndryshim ligjor pranë APP.
“Kam propozuar që të sanksionohet qartësisht në ligj, detyrimi që ofertuesit fitues t’i verifikohet në çdo rast informacioni që vetëdeklaron përpara lidhjes së kontratës. Propozimi i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë së Prokurimit Publik, për të iniciuar këto ndryshime ligjore”, – tha Gjiknuri.
E ndërsa propozimi bën sens në kahun e ministrisë, në kahun e APP duket se do të jetë e pamundur të zbatohet dhe mund të kthehet në bumerang për sistemin në tërësi. Klodiana Cankja, ish-drejtore e APP shprehet se çdo vit lidhen mesatarisht 6000-7000 kontrata dhe është e pamundur të bëhet verifikimi për të gjitha, ndaj edhe ligji e saktëson që verifikimi bëhet kur ka raste të dyshuara. Ajo shton se fakti që sot, nëpër tenderë të rëndësishëm me vlerë dhjetëra miliona euro, bëhet vetëm një ofertë, nuk tregon për mungesë të nevojës së biznesit për para, por se mund të kenë hyrë në lojë mekanizma të tjerë, siç janë marrëveshjet e fshehta mes operatorëve ekonomikë.

Tenderët histori kompanish fantazmë, offshoresh dhe vendime tavoline
Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik për vitin 2017 treguan se një në tre tenderë është vendosur në tavolinë, duke mos qenë i hapur për garë. Konkretisht, nga 7317 procedura të njoftuara, 2234 ishin me negocim pa shpallje paraprake. Përqindja që zë vlera totale e fituar ndaj fondit limit të prokuruar ishte rreth 92%. Të dy këto elemente, nga ana e ekspertëve, janë tregues të disa tenderëve.
Së pari, lidhja e disa bizneseve me pushtetin po bëhet gjithmonë e më evidente në kontratat që paracaktojnë fituesit kur në gara të rëndësishme paraqitet vetëm një ofertë, ose gjithçka negociohet pa shpallje paraprake.
Së dyti, vlerësimi për ofertat bëhet në mënyrë të përciptë, duke qenë se një pjesë e mirë e institucioneve nuk kanë kapacitete njerëzore të trajnuar dhe me formimin e duhur në këtë fushë. Janë pikërisht këto fenomene që, në shumë raste, kanë bërë që procedura nga më të rëndësishmet t’i mbulojë mjegulla dhe vetëm në ndonjë rast fatlum për publikun të zbulohet që fituesi nuk është një kompani me përvojë, por një kompani fantazmë e krijuar posaçërisht vetëm pak muaj më parë.
Shqipëria ka sot një numër të konsiderueshëm kontratash me kompani që janë të regjistruara në parajsa fiskale, apo që nuk kanë publike pronësinë e tyre, duke e bërë gjithmonë e më të vështirë mbikëqyrjen e tyre, fitimin që sigurojnë dhe taksimin e tij. Propozimi që vjen sot nga ekspertët është që kompanitë që kanë aktivitet dhe kanë përfunduar më shumë se gjysmën e afatit të kontratës në vend të detyrohen të publikojnë aksionerët e tyre dhe të bëjnë transparencë për aktivitetin. Duke ndjekur qasjen e Bashkimit Europian për moslejim të kompanive offshore në kontrata për punë dhe shërbime publike propozohet që edhe vendi ynë të orientohet në të njëjtin drejtim.

Transparenca e kompanive guacë, një premtim që e mori era
Disa prej koncesioneve më të rëndësishëm në vend sot kanë pas vetes kompani të regjistruara në parajsa fiskale.
Tre vjet më parë, me shpërthimin e Panama Papers, qeveria Rama 1 u vu në lëvizje pas lajmeve se në listë kishte dhe disa emra shqiptarë. Në atë kohë u lakua fakti se do të ndërmerrej një nismë ligjore për publikimin e emrave të aksionerëve nga kompanitë që operonin në Shqipëri.
Ministri Arben Ahmetaj do të nënvizonte, ndër të tjera, në atë kohë se do të kryhej edhe një monitorim në të paktën 1 mijë sipërmarrje për të nxjerrë situatën e tyre, por ashtu si një pjesë e mirë e deklaratave që bëhen nën presionin e një zhvillimi, edhe në këtë rast, fjalët duket se i mori era.
Sot, në treg vijojmë të kemi të njëjtat kompani me transparencë të limituar mbi pronësinë dhe me kontrata të rëndësishme. Për ekspertët sot është e rëndësishme që për kontratat që garantohen nga buxheti apo që kanë një vlerë të konsiderueshme, të bëhet një skanim të paktën për 10 vitet e fundit pasi gjasat e abuzimeve, falsifikimeve sikurse modeli i fundit i DH Albania të jenë me shumicë, duke sjellë kështu pasoja për taksapaguesit shqiptarë.
Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare të Kërkimeve Ekonomike është kategorik kur propozon, që kompanitë që nuk kanë publikë aksionerët e tyre, të kategorizuara si offshore, nuk duhet të lejohen të marrin pjesë në tenderë publikë. Ai kërkon të skanohen kontratat më të rëndësishme të 10 viteve të fundit, ku është e përfshirë garancia nga buxheti.

Taksa e rrugës “bllokon” turizmin, në dy muaj 40 mijë turistë më pak nga Kosova

Në tetor dhe nëntor, që përkon me periudhën që u vendos taksa e rrugës së Kombit, hyrjet e shtetasve nga Kosova kanë shënuar rënie të ndjeshme, në krahasim me të njëjtët muaj të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin nëntor, hynë në Shqipëri rreth 69 mijë shtetas nga Kosova, nga 93 mijë në të njëjtin muaj të një viti më parë, me një tkurrje të ndjeshme prej 27%, ose rreth 25 mijë persona më pak. Edhe në tetor numri I tyre kishte rënë me 11%, ose 15 mijë persona më pak, pra 40 mijë hyrje më pak të shtetasve nga Kosova vetëm për dy muaj.
Përjashtuar tetorin dhe nëntorin, fluksi i hyrjes së shtetasve nga Kosova kishte qenë shumë i lartë. Për 10 mujorin, në Shqipëri kanë hyrë 1.9 milionë shtetas nga Kosova, me një rritje gati 22% me bazë vjetore. Ndërsa në mes të muajit shtator filloi aplikimi i taksës së rrugës, prej 5 euro për një veturë, që duket se ka ndikuar në frenimin e lëvizjes së shtetasve nga Kosova, që edhe në periudhën e dimrit vijnë për fundjava në Shqipëri, këtë vit të favorizuar dhe nga moti relativisht i ngrohtë.
Në total, për 11 mujorin, Shqipërinë e vizituan gjithsej 5.6 milionë të huaj, me një rritje prej 16.2% me bazë vjetore. Por, në nëntor, hyrjet në total të të huajve ranë me 3.7%, në 247 mijë persona, si rrjedhojë e rënies së dukshme të hyrjeve të shtetasve nga Kosova.

Për 11 mujorin, shtetasit nga Kosova zinin peshën kryesore, me 36%, ose rreth 2 milionë persona dhe nëse vijon largimi I tyre pritet t’I japë një goditje të rëndë turizmit vendas, sidomos në zonën e Durrësit, që është destinacioni kryesor I tyre.
Në vend të dytë janë maqedonasit, me 640 mijë hyrje, ose 11.3% të totalit.
Të tretët renditen, me 498 mijë hyrje, ose 8.8% të totalit.
Në vend të katërt janë italianët, me 408 mijë hyrje ose 7.2% të totalit.
Më pas janë malazezët, me 330 mijë hyrje, ose gati 6% të totalit.
2.7 milionë të huaj kanë ardhur për turizëm në 11 muajt e parë të vitit, ose rreth 48% e totalit, me rritje prej 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Daljet
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi, gjatë muajit Nëntor 2018, janë 660.514 duke shënuar një ulje me 6,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Nëntor 2018, është 431.279 krahasuar me Nëntor 2017, ky numër është rritur 3,0 %. Numri i shtetasve të huaj të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Nëntor 2018, është 229.235. Krahasuar me Nëntor 2017, ky numër është ulur 20,1 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në njëmbëdhjtëmujorin 2018, është 4.969.039, duke u rritur 3,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, raporton INSTAT.

“Monitor”

Berisha paralajmëron Ramën: “Një qime floku po u preke studentëve do mjerohesh!”

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi mbështetje të plotë për protestën e studentëve, dhe lëshoi akuza të forta ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Këto deklarime, z. Berisha i bëri në fjalën e mbajtur në Akademinë Politike 2018 të FRPD, i organizuar me mbeshtetjen e fondacionit Konrad Adenauer
Më tej ish-kryeministri u ndal tek qeverisja e Edi Ramës, të cilën e quajti në greqisht si “Kakistoraci”, që sipas Berishës do të thotë më i keqi ndër të këqijtë. Sipas tij, sistemi që duan të ngrenë studentët është i duhuri për vendit dhe Shqipëria tha ai, nuk mund të bëhet zonjë e Europës përmes drogës dhe krimit.
Iu bëj thirrje çdo qytetari, të rinjve dhe të rejave, prindërve që të bashkohem me studentët. Flamuri i tyre duhet të fitojë, e drejta e tyre duhet të fitojë. Sistemi i tyre që duan të fitojnë, është sistemi i duhur. Shqipëria nuk bëhet zonjë e Europës me krim dhe drogë”, tha mes tjerash Berisha.
Postimi i ish-Kryeministrit dhe fjalimi i tij i plotë
“Flamuri i studentëve është flamur i shpresës, flamur i të drejtës!” Një paralajmërim për Ramën: “Një qime floku po u preke studentëve do mjerohesh!”
– Fjala e mbajtur në Akademinë Politike 2018 të FRPD, i organizuar me mbeshtetjen e fondacionit Konrad Adenauer dhe PD, me pjesëmarrjen e 120 studentëve nga i gjithë vendi, të anëtarit të Bundestagut, deputetit gjerman të CDU-së Andreas Lammel si dhe të zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të PPE, Christian Kremmer. Sb

sb

“Flamuri i studentëve është flamur i shpresës, flamur i të drejtës!" Një paralajmërim për Ramën: "Një qime floku po u preke studentëve do mjerohesh!” – Fjala e mbajtur në Akademinë Politike 2018 të FRPD, i organizuar me mbeshtetjen e fondacionit Konrad Adenauer dhe PD, me pjesëmarrjen e 120 studentëve nga i gjithë vendi, të anëtarit të Bundestagut, deputetit gjerman të CDU-së Andreas Lammel si dhe të zëvendës Sekretarit të Përgjithshëm të PPE, Christian Kremmer. sb

Gepostet von Sali Berisha am Montag, 24. Dezember 2018

Eksperimenti vdiq, tani të rikthehemi te politika!

Çim PEKA

Shihni me vëmendje se çfarë po ndodh në skenën e politikës shqiptare, veçanërisht nën dritën e zhvillimeve të fundit. Një paradoks logjik dhe moral, po bluhet me mjeshtëri nga makineria gjigante e propagandës së Rilindjes dhe punëtorët “e pavarur” mediatik të saj.
Qeveria dhe media pranë saj po i kërkojnë Presidentit të Republikës, që të mos politizojë (mos) dekretimin e ministr(ave)it, apo ligjeve të miratuara nga mazhoranca, madje as të mos bëjë deklarata politike. Në të njëjtën logjike i kërkojnë opozitës, që të mos politizojë protestën e banorëve të Zharrës, Unazës së Re, apo dhe protestën e studentëve. Madje sipas tyre, nuk duhen politizuar as aferat e korrupsionit, koncensionet dhe dosjet e trafikut të drogës. T’u kërkosh aktorëve dhe faktorëve politike që të mos bëjnë politikë është njësoj, sikur t’u thuash futbollistëve të çdo lige profesioniste; mos luani futboll, por bëni sikur vërtiteni pas topit në fushë.
Duke shfrytëzuar pakënaqësinë dhe zhgënjimin e qytetarëve ndaj klasës politike në përgjithësi (Për hir të së vërtetës, simptomë kjo jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha demokracitë perëndimore), propaganda e qeverisë kërkon të de-politizoje reagimin qytetar, duke shkuar aq larg sa bëhet thirrje për një klasë të re politike që nuk duhet të vijë nga politika!
Thuhet hapur se studentët duhet të marrin vetë fatin e tyre në dorë, por me një kusht; nuk duhet të përzihet politika!
Por se çfarë mund të bëhet duke marrë fatin në dore pa u përzier me politikë, këtë nuk e thonë. Skema është e qartë. Nuk duhet që kriza e gjithanshme që ka kapluar vendin, të kanalizohet drejt një zgjidhje politike. E ashtuquajtura Klasë e Re Politike, që duhet të dalë mbi ujë, nuk duhet të përfshijë partitë politike dhe politikanët opozitare; vetëm Ai më i gjati duhet të rrijë i pacenuar.

Sepse vetëm atij i plas shpirti për studentet dhe sot pas 5 vitesh në pushtet gati absolut është jo vetëm “mbështetës” i kërkesave të studenteve (Vetë ka krijuar problematikën, po vetë nuk i ka realizuar kushtet dhe të drejtat), por edhe më agresiv se vetë kryengritësit.
Pra sipas këtij paradoksi logjik, politik dhe mbi të gjitha moral, ai që ka shkaktuar sëmundjen malinje në sistemin imunitar është njësoj viktimë, sa dhe studentët që u ngritën pasi kapën fundin. Por pavarësisht kësaj të vërtete, ata nuk duhet ta politizojnë sepse kanë Edi Ramen jo vetëm në krah, por edhe si “mjekun” e vetëm që mund të bëjë operacionin shpëtimtar.
Në fillim e nisi qeverisjen, me idenë e ‘emergjencës kombëtare’. Nëse ju kujtohet, në vitet 2013-2014, si emergjencë kombëtare ishin rendi dhe siguria, financat, ekonomia, arsimi, mjedisi, bujqësia, infrastruktura…
Pra me një fjalë; gjithçka!
Pasi ‘emergjencës kombëtare’ i doli boja shumë shpejt, pakënaqësia në rritje e qytetarëve duhej të kanalizohej tek armiku i përbashkët, jo vetëm i popullit por edhe i qeverisë (sepse nuk e linte qeverinë të punonte siç donte): sistemi gjyqësor. E keqja nga buronte gjithçka që nuk shkon mirë në këtë vend, ishte drejtësia dhe vetëm ajo. Prandaj pakënaqësia popullore duhej të kanalizohej drejt saj, dhe jo qeverisë e cila ishte “viktimë” për vete.
Në muajin Korrik të vitit 2016, më në fund u miratua Reforma në Drejtësi. Duke qenë se edhe kjo kauzë u ezaurua shpejt duhej gjetur një armik tjetër, këtë herë më specifik: gjykatës dhe prokurorë individualë që ishin të korruptuar. Për një vit me radhë, e gjithë makineria e propagandës qeveritare i lëshoi bataret drejt tyre dhe procesit ‘shpëtimtar’ të vettingut.
Aq shume u banalizua dhe u fut në paradoks logjik e moral kjo fushatë si pjesë e diskursit politik dhe mediatik, sa që edhe trafikanti e përdhunuesi, Elvis Roshi, sulmet e opozitës ndaj tij i konsideronte si përpjekje të opozitës për t’ju shmangur vettingut!

Vazhdojmë më tej. Gjatë fushatës së vitit 2017 dhe deri në vjeshtën e po këtij viti pjesë e diskursit ishte faji i LSI, e cila nuk e paskësh lënë PS-në të qeveristë siç donte dhe si duhej. Me këtë rast u shpikën një turli termash populistë si; tepsia, tenxherja, kusia, legeni, e me radhë.
Por ndërkohë që koha kalonte dhe qeverisja e Rilindjes shkonte keq e me keq, sulmi ndaj LSI nuk po ngjiste më. Duhej një “armik i ri” dhe ai do të ishte; media e kazanit. Tashmë ajo i kishte të gjitha fajet, që “punët e mira” të qeverisë kritikoheshin dhe pasqyroheshin si një makineri që punonte për një grusht njerëzish dhe jo për qytetarët.
Kur edhe kësaj alibie i doli boja dhe shqiptarët filluan të ngrenë krye nëpër sheshe, kryeregjisori Edi Rama, më në fund e kuptoj se të gjithë “personazhet-fajtorët” të këtyre 5 viteve të mbushur me filma-propagandë nuk i pinin më ujë. Paradokseve të shndritshme të simuluara fortë në eterin mediatik u doli varaku; zullumi shpërtheu nën dritën e diellit, kurse qytetarët e çliruan mllefin e ndryrë në shpirt dhe filluan, ta marrin vetë situatën në dorë. Fajtori me emër të përveçëm, nuk ka më as edhe një gjethe ku të fshehë “veglat”, me të cilat për 5 vite rresht ka “përdhunuar” dinjitetin dhe mirëqenien e nënshtetasve të vet.
Dhe ja ku erdhëm te faza e fundit, që të kujton fundin e historisë së çdo autokrati dhe kleptokrapi në pushtet. Në mungesë të armiqve jashtë oborrit të vetë, nis të gërmosh për mëkatarë të brendshëm; brenda politikës.
Qytetarët e revoltuar “kanë të drejtë” që të bëjnë gjithçka, por sërish vetëm me një kusht; nuk duhet të përzihet politika në kauzat e tyre. Kështu FRESSH-ët dhe marksistët e tij të infiltruar në protestën studentore u ngarkuan me vetëm një mision: të mbanin politikën dhe opozitën larg. Aq shumë u stimulua fryma anti-politikë, sa që u hodhën teza që të shkrihej e gjithë klasa politike (opozitare), vetëm e vetëm që opozita në tërësi dhe Lulzim Basha në veçanti, të kompleksoheshin dhe të mos “guxonin” që të bëheshin faktorë.
Fabula dhe synimi është i qartë: duhet një lëvizje popullore (lexo; populiste). ku reagimin qytetar duhej ta drejtonin njerëz dhe formacione jo politike, njësoj si me Lëvizjen “5 Yjet” në Itali, Makronin në Francë, apo me Tcipras në Greqi. Pra, sipas Edi Ramës dhe propagandës së tij, edhe Shqipëria duhet të eksperimentojë me lëvizje dhe individë, që vijnë jashtë politikës.

Por, si me çdo gjë që ka bërë deri më tani duke ja hedhur fajin të tjerëve dhe duke u kujdesur që veten ta mbajë të distancuar nga skena, ai është sërish në paradoks historik, politik dhe moral. Po kërkon që të shpikë diçka, e cila tashmë ka ndodhur në Shqipëri.
Madje edhe më herët se në Itali, Greqi, Francë, SHBA, Angli (me Brexit). Shqipëria e ka tejkaluar këtë eksperiment, pikërisht me Edi Ramën dhe Rilindjen e tij. Me Erion Veliajn dhe G99 e tij (karroceri e Rilindjes).
A nuk startoi Rilindja si një lëvizje populiste, ‘Pertej së Majtës dhe të Djathtës’?!
A nuk është Edi Rama, ai artisti që po bën politikë?!
A nuk kemi për kryeministër një individ, i cili deri vonë nuk linte intervistë në mediat ndërkombëtare dhe këmbëngulte tu mbushte mendjen shqiptarëve këtu brenda, se nuk është politikan race, tipik, tradicional, por artist?!
Njësoj si Bebe Grillo në Itali; Filozof, njësoj si Makroni në Francë; marksist i moderuar dhe i përshtatur në këtë epokë të kapitalizmit, si Tzipras në Greqi?!
Slogani, ‘Përtej së Majtës dhe të Djathtës`, i Rilindjes së Edi Ramës nuk ishte thjesht elektoral, por shqipërim i filozofisë së re politike, ‘Rruga e Tretë’ e shpikur nga Bill Clinton e Tonny Blair (mentori dhe këshilltari i tij politik), dhe i vazhduar me Macron, Tzipras, Grillo. Filozofia e ‘Rrugës së Tretë’ ose ndryshe ‘As majtas dhe as djathtas’, doli si nevojë e adoptimit të partive të majta ndaj degradimit të socializmit, i cili përthithi parime nga dy krahët politike dhe ideologjike: majtas dhe djathtas.
Nga rruga majtas merrte parimin e shtetit social dhe nga ajo djathtas, më të mirat e kapitalizmit. Në mes si pykë, ishte futur parimi i Partneritetit Publik-Privat (PPP e famshme apo koncensionet). Edi Rama si biznesmen i ushtruar fort në këtë profesion si kryetar i bashkisë së Tiranës për 3 mandate, nga të gjitha parimet e ‘Rrugës së Tretë’, përzgjodhi vetëm PPP-të. Pra koncesionet, që tashmë çdo shqiptarë e dinë se çfarë janë.
Edi Rama pra, së bashku me Rilindjen e tij dhe Erion Veliaj së bashku me ‘G99’ e tij, e kanë ezauruar eksperimentin e populizmit dhe drejtimin e vendit nga jo-politika. Eksperiment, që dështoi në mënyrë spektakolare!
Ky model nuk ka çfarë të japë e të mbledhë më, në skenën politike të Shqipërisë. I ka ngelur vetëm një fazë e fundit për të konsumuar dhe ajo mund të zhvillohet, vetëm në bankat e drejtësisë!

Tani është koha, të hedhim pas krahëve këtë eksperiment dhe të kthehemi tek politika tradicionale. Tek Partitë Politike tradicionale dhe tek politikanët tradicionalë. Tek opozita dhe lidershipi i saj. Nëse edhe këta si pjesë e establishmentit duhet të pastrohen, ka vetëm një mënyrë efikase: dekriminalizimi dhe vettingu në gjithë shtresëzimet e politikës shqiptare. Le të bëhet, sepse është jo vetëm gjëja më e mirë që mund të bëhet për këtë vend, por edhe e vetmja si zgjidhje përfundimtare.
Studentët, le të vazhdojnë të protestojnë. Janë në të drejtën më themelore të tyre, por kërkesat që kanë nuk janë dhe nuk mund të jenë dot, thjeshtë ekonomike. Formën le ta kenë “ekonomike, por thelbin nuk jua ndryshon dot askush dhe aq më shumë Edi Rama; janë politike dhe pikë!
Prandaj si të tilla, mund dhe duhet të zgjidhen vetëm politikisht. Shfuqizimi apo ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Lartë është akt politik, ndaj vetëm si i tillë duhet të trajtohet. Eksperimenti me artistë në qeverisje, e ka mbyllur ciklin. Çfarë la pas e dinë shumica e shqiptarëve, që e vuajnë në xhepat dhe shpirtin e tyre. Tani ka vetëm një kohë; ajo për t`ju kthyer politikës reale dhe të bëri politikë sipas traditës më të mirë të demokracive në botë. Dhe këtë e ka për detyrë dhe mund ta bëjë, vetëm opozita.
Në parlament; Në rrugë; Në sheshe… Edhe në marrëdhënie të kushtëzuara, apo djegie mandatesh nëse është nevoja. Opozita është e dënuar që ti dalë zot, pakënaqësisë dhe revoltës popullore, që po rritet në mënyrë të paparashikuar nga “profesorët”.
Kjo është zgjidhja. Eksperimenti dhe e shkuara, e kishte emrin Edi Rama; politika e ka emrin Lulzim Basha!

Protesta/ Kërcënohet me jetë studenti: I ka kapur frika e Janarit, u kërkoj ndihmë ndërkombëtarëve!

Studenti Klajdi Bello i cili prej nisjes së protestës vijon të jetë aktiv në vijimin e kauzës për plotësimin e 8-të pikave të kërkesës së studentëve ndaj qeverisë, u shpreh për Fax Neës se është kërcënuar me jetë ai dhe familja e tij.
“Më kanë kërcënuar me jetë për protestën. Më kanë kërcënuar edhe me mësazhe në facebook që të ndaloj protestën. Kërkoj mbrojtje ligjore për familjen time, unë e kam marrë përsipër rriskun, e di përballë kujt jam vënë, unë nuk trembem ata duhet të tremben dhe kanë filluar ju siguroj”, u shpreh ai.
Ai denoncoi se janë të njëjtët njerëz që donin të shuanin kauzën dhe po të njëjtët që më e kanë kërcënuar edhe drejtpërdrejt në bulevard.
Klajdi iu bëri thirrje ndërkombëtarëve që t’i mbështesin studentët në kauzën e tyre e sidomos të hetojnë për rastet e kërcënimeve ndaj tyre sepse ai nuk ka më besim tek institucionet shqiptare. Klajdi argumentoi se kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët sepse studentët që po protestojnë nuk ndjehen të sigurtë.
“Kemi një kauzë madhore, i jemi kundërvënë një sistemi që ka miliarda lekë në dorë. Ne duhet të vijojmë të sjellim shpresë dhe bashkim. Me datën 7 janar do të jenë me mijëra njerëzit që do të dalin në protestë në mbështetje të studentëve”, përfundoi ai.