25.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

“Perezi do Mourinhon”

Shkarkimi i Jose Mourinhos nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit të martën ka ngjallur shumë diskutime jo vetëm në Angli, por edhe në Spanjë, pasi që tani raportohet se portugezi mund të kthehet në pozitën e trajnerit të Real Madridid.
Ish-ylli i Real Madridit, Pregrag Mijatovic, ka thënë se kthimi i portugez në klubin madrilen është i mundur pasi që presidenti i klubit, Florentino Perez, është një tifoz i madh i Mourinhos, transmeton Gazeta Express.
Ish-sulmuesi serb e bëri një intervistë në radion Cadenar SER, në emisionin Carrusel Deportivo, dhe e theksoi marrëdhënien e mirë që e ka Mourinho dhe Perezit.
“Nuk e di se sa përqind është e mundur të ndodhë kthimi i Mourinho në Real Madrid, por ka shumë mundësi për në gjë të tillë”, ka thënë ish-sulmuesi i “Los Blancos”.
“Pse e them një gjë të tillë. Sepse e di që Florentino Perezit i pëlqen shumë Mourinho dhe mendoj se çdoherë që ka ndryshim trajneri, ai e ka kontaktuar atë [Mourinhon]. Kjo gjë ka shumë mundësi të ndodhë”.
Diego Torres, i cili e shkroi një libër për periudhën e parë të Mourinhos në “Santiago Bernabeu”, raportoi për El Paisin se drejtuesit e Realit dhe presidenti Florentino Perezi janë të etur ta kthejë portugezin.
Reali po ashtu planifikon ta emërojë Mourinhon më 1 korrik, sepse kështu do ta shmangte pagimin e një gjobe prej 5 milionë euro Manchester Unitedit. Drejtuesit e Realit besojnë se emërimi përsëri i Mourinhos – i cili ishte pjesë e Realit mes viteve 2010 dhe 2013 – do të ishte vendim i duhur.

Allegri tek Real Madrid, Zidane tek Juve?

Max Allegri po planifikon që të drejtojë Real Madridin sezonin e ardhshëm me Zinedine Zidane që pritet ta zëvendësoi atë në Juventusa, ka thënë sot Luciano Moggi
Kjo thashetheme që një kohë për këtë gjë, por ato janë rritur më shumë kohëve të fundit.
Manchester United shkarkoi Jose Mourinhon, duke shkruar se Zidane është kandidat, por raportet e fundit thonë se ai ia ka dhënë fjalën Juves që do ti drejtojë, pasi që në këtë ekip luajti nga viti 1996-2001.
Moggi ishte drejtor i Juventusit kur Zidane ka luajtur aty dhe ai e ka argumentuar këtë lajm kur ka folur sonte për televizionin 7 Gold.
Allegri kishte konfirmuar se e ka refuzuar një lëvizje në Madrid verën e kaluar, përderisa ai ende s’e ka përfunduar punën në Torino, derisa ende po kërkon një Ligë të Kampionëve me këtë skuadër.
Julen Lopetegui mori këtë skuadër në drejtim por ai u shkarkua pas fillimit të dobët të sezonit duke u zëvendësuar me Santiago Solarin.

Basha: Mbështetje për shpalljen “non grata” dhe dëbimin e diplomatëve iranianë

Kryetari i opozitës, Basha mbështet dënimin e diplomatëve iraninë që kanë vënë në rrezik sigurinë kombëtare.
“Në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, shpreh mbështetjen për shpalljen “non grata” dhe dëbimin e diplomatëve iranianë, me veprimtari në cenim të “statusit të diplomatit” dhe që vë në rrezik Sigurinë Kombëtare. Partia Demokratike kërkon prej strukturave shtetërore të Sigurisë Kombëtare, përkushtim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të sinqertë e pa zvarritje me aleatët strategjikë si e vetmja garanci për parandalimin dhe neutralizimin e aktiviteteve te tilla ne territorin e RSH. Lufta kundër terrorizmit si formë e krimit të organizuar ndërkombëtar, kompromentohet kur ngjashëm nuk zhvillohet luftë pa kompromise ndaj krimit të organizuar brenda vendit. Çdo bashkëjetesë shtetërore me krimin e organizuar është kompromentim i luftës ndaj terrorizmit”, thuhet në reagimin e Bashës.

Reagon ish-ministri: Ç’punë ka shteti që prish shtëpi kuturu?!

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka komentuar për debatin mes maxhorancës dhe opozitës tek “Unaza e Re”, ndërsa palët hedhin akuza të ndërsjella duke treguar edhe gishtin e fajësisë.
Sipas PD-së, aty do të ndërtohen komplekse pallatesh duke favorizuar Edmon Begon, por pretendime të tilla janë hedhur poshtë nga Partia Socialiste.
Manjani shprehet se nuk është kundër ndërtimeve në Tiranë, por kjo duhet të behët sipas një plani të saktë urban dhe jo me plane pjesore.
“Dje mësova se tek Unaza e Re do ndërtohen komplekse pallatesh. Shumë mirë! Ajo zonë vetëm me komplekse banimi të tilla urbanizohet dhe e rregullon edhe pamjen urbane. Ndaj kush ka takat, zanat e hesap mirë është të lejohet të ndërtojë. Natyrisht sipas një plani urban dhe jo me studime pjesore, siç ndërtonte Rama.
Le të bëhet edhe ana tjetër e atij segmenti të Unazës si ana përballë, ku mirë apo keq, u ndërtuan komplekse banimi të larta shumë herë më të rregullta se ndertimet kaotike me blloqe betoni.
Ajo që nuk justifikohet është pyetja: ç’punë ka shteti që prish shtëpi kuturu?! Në kësi rastesh shtëpitë e vjetra i prish ndërtuesi, i cili merret vesh me pronarët e shtëpive me apo pa legalizim. U bënë 28 vite që ndërtohet në Tiranë dhe ndërtuesit e dinë shumë mirë si gjendet gjuha e bashkëpunimit me pronarët e shtëpive.
Realisht futja e shtetit në këto gjëra, mban erë të rëndë. Erë e cila kur bashkohet me erën e supër qelbur nga korrupsioni 40 milionësh i rrugës, qelb gjithë dynjanë”, shkruan ai.

Bashkëshortja e politikanit të lartë në PS, koka e kontrabandës së cigareve në Librazhd

Një hetim i filluar nga zyra e riskut të doganave britanike, zbulon se një fabrikë në Librazhd vazhdon të prodhojë miliona cigare të ‘falsifikuara’ çdo vit.

Nga Lindita Çela, Ahmed ElShamy, Visar Prebreza, Naima Chougui, Lawrence Marzouk, Yen Dyong-BIRN

Është shumë e vështirë që të nxirren në shesh sekretet në qytetin e varfër të Librazhdit, sidomos kur janë në lojë vendet e punës.
Por aktiviteti kontrovers i një fabrike cigaresh në periferi të qytetit me 50 të punësuar, duket se ka kaluar pa u vënë re që nga koha kur ajo filloi të prodhojë pa bujë miliona cigare në pako që bartin profilin e sundueses së fundit Ptolemeike të Egjiptit, Kleopatra.
Kleopatra është marka më e njohur e cigareve në Egjipt dhe një nga më të shiturit në botë.
Dokumentet e gjykatës në Shqipëri, raportet e rrjedhura të doganave britanike, kontratat dhe intervistat me drejtuesit e fabrikës, zbulojnë se që nga viti 2014 rreth 22 milionë paketa cigare janë prodhuar çdo vit në fabrikën Albania Tabak në Librazhd, përpara se të dërgohen në Libi.
Sipas pronarit të markës Cleopatra – ‘Eastern Company’ me seli në Giza, cigaret që eksportohen në Libi shpesh kontrabandohen nëpërmjet kufirit të gjelbër në Egjipt, ku një pako me 20 cigare shitet në treg për 1 USD.
Autoritetet doganore britanike e kanë gjurmuar prodhimin në Librazhd duke e shënuar atë si të falsifikuar. Paralajmërimet e tyre nxitën një hetim penal në Shqipëri në vitin 2015, i cili e ndali prodhimin për një vit. Hetimi më pas u pezullua pasi prokurorët prisnin informacione nga juridiksionet e huaja.
Sipas një kontratë të siguruar nga BIRN, e lehtësuar nga telashet ligjore fabrika nënshkroi një marrëveshje në 2017 me firmën Eques Holding Group – me seli në Ishujt Virgjin Britanik, për të prodhuar deri në 175 milionë paketa në vit.
Prokurorët shqiptarë deklaruan se e kanë rihapur rastin në vitin 2017. Të pashqetësuar, personat që po udhëheqin aferën po kërkojnë të zgjerohen.
Ata përfshijnë figura nga Ballkani, Lindja e Mesme dhe Qipro, disa nga të cilët kanë qenë të lidhur me raste të mëhershme të kontrabandës, dhe disa të tjerë përfshirja e të cilëve në këtë operacion ka qenë e fshehur përmes strukturave ‘offshore’ të cilat i kanë gjetur nga gazetarët e Rrjetit Ballkanik për Investigative, BIRN, dhe të Gazetarëve Arabë për Gazetari Investigative, ARIJ.
Në mesin e atyre që përfitojnë nga biznesi që po lulëzon me cigaret Kleopatra gjithashtu është edhe gruaja e një figure të fuqishme politike në Shqipëri nga Partia Socialiste në pushtet, edhe pse ajo insiston që nuk ishte në dijeni për dyshimet për kontrabandë.
Krimi i organizuar dhe sundimi i ligjit janë çështje madhore me të cilën po përballet Shqipëria ndërsa ajo tenton të bëjë progres në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi i është bashkuar NATO-s në vitin 2009.
Menaxheri i fabrikës në Librazhd, Servet Dauti, tha se ajo punon tërësisht në harmoni me ligjin shqiptar dhe se çfarë ndodhi me cigaret pasi ato u larguan nga Shqipëria nuk është problem i tij.
‘Nga momenti kur prodhimi del nga Shqipëria, ne nuk kemi përgjegjësi ose obligim të dimë se çfarë ndodh me të’, tha ai.
‘Eques Holding Group’ refuzoi të komentojë për gjetjet e këtij investigimi.

‘Made in’ Librazhd
Të prodhuara më shumë se një mijë kilometra larg nga vendi i faraonëve, paketat e dyshuara si të falsifikuara megjithatë mbajnë profilin e njohur të Mbretëreshës Kleopatra, dashnores së Jul Cezarit, dhe bartin mbishkrimin në gjuhën arabe ‘Made in Egypt by Eastern Company S.A.E.’ Paket janë të mbuluara me paralajmërime shëndetësore të autoriteteve Egjiptiane.
Eastern Company S.A.E. e krijoi markën Kleopatra për Presidentin Egjiptian Gamal Abdel Nasser në vitet 1960, si një version vendas i markës të kontrabanduar amerikane Kent, të cilën ai pëlqente ta konsumonte. Kjo markë është prodhuar që nga atëherë, kryesisht për konsum vendor.
Taksat në rritje të cigareve që nga vitet 2010 e këtej krijuan një treg të zi të lulëzuar për produktin; mungesa e ligjit në Libinë fqinje – që nga rrëzimi i diktatorit Muammar Gadaffi në vitin 2011, e ka kthyer vendin në një parajsë të kontrabandës.
Cigaret ‘e falsifikuara’ nga Shqipëria – siç janë të përshkruhen nga doganat britanike në një letër të majit 2015 drejtuar doganave të Egjiptit dhe të cilën e ka siguruar BIRN/ARIJ, janë të prodhuara për ‘Eques Holding Group,’ një kompani nga në pronësi të një biznesmeni iraken 38 vjeçar të quajtur Faris Al-Rifai.
Eques Holding Group ka një licencë për përdorim e markës Kleopatra në Bashkimin Europian dhe Shqipëri, të fituar nga një tjetër firmë nga Ishujt Virgjin Britanik, Worldwide Spirit Supply.
Eastern Company nuk ka qenë e suksesshme në rrëzimin e këtyre markave tregtare, pasi nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë se e kishte përdorur markën së fundmi në këto shtete.

Por markat tregtare kanë vlerë në baza strikte gjeografike, dhe kompania ‘Worldwide’ nuk e mbulon Libinë ose Egjiptin, aty ku Eastern Company e ka të regjistruar markën e tyre.
Megjithatë, një hulumtim i BIRN/ARIJ ka zbuluar se Kleopatra e prodhuar në Shqipëri është eksportuar përmes portit të Durrësit në Libi edhe te një firmë e quajtur Al Zain International Company. Kërkesat për koment drejtuar kompanisë nuk morën përgjigje.
Një raport i brendshëm nga Eastern Company, i siguruar nga BIRN/ARIJ, përshkruan se si cigaret Kleopatra që arrinin në Libi nga shtetet si Vietnami dhe Mali i Zi, kontrabandoheshin në Egjipt ku mund të shiteshin krahas paketave origjinale, që kushton më pak se 1 dollar.
Edhe pse nuk ka prova të drejtpërdrejtë që Kleopatra-t e prodhuara në Shqipëri kanë gjetur rrugën drejt Egjiptit, zyrtarët kanë raportuar konfiskime të rregullta të markës në shtetin e Afrikës së Veriut gjatë viteve të fundit. Të ardhurat për Eastern Company dhe qeverinë e Egjiptit gjithashtu janë goditur rëndë nga cigaret e falsifikuara.
Cigaret e prodhuara në Shqipëri gjithashtu pretendojnë se prodhohen nga ‘Eastern Company S.A.E.’, dhe kjo e drejtë ishte dhënë nga një kompani me emër të njëjtë por me seli në Ishjut Virgjin Britanik dhe me adresë të njëjtë me Eques Holding Group. Nuk ka një lidhje të dukshme me Eastern Company-n origjinale që e ka selinë në Giza – shtëpi e piramidave të Gizës në jugperëndim të Kajros.
Letra që konfirmon të drejtat e prodhimit ishte lëshuar disa muaj përpara se prokurorët shqiptarë të hapin një hetim ndaj operacioneve të fabrikës, të nxitur nga doganat britanike, HRMC.
Hetimi penal rreth ‘shkeljes së të drejtës së pronësisë industriale’, ‘pastrimi i të ardhurave nga veprat penale ose aktiviteti kriminal’ dhe ‘prodhim ilegal i artikujve/mallrave industriale apo ushqimore’ u hap në fillim të vitit 2015.

Sipas raporteve të lajmeve nga ajo kohë, 9 milionë cigare të falsifikuara ishin kapur në një bastisje në fabrikë por artikujt nuk e përmendnin markën – Kleopatra – edhe pse ato dukeshin mjaft mirë nga fotografitë e bëra publike.
Pas bastisjes, rasti ishte pezulluar ndërkohë që prokurorët prisnin përgjigje nga juridiksione të ndryshme të huaja, përfshirë edhe Ishujt Virgjin Britanik dhe Egjipti.
Sipas një raporti të Eastern Company, pezullimi i dha mundësi Albania Tabak-ut që ta rifillojë prodhimin, megjithë kontaktet ndërmjet doganës së Shqipërisë dhe ambasadorit të Egjiptit në Tiranë, dhe sipas letrave zyrtare të siguruara nga BIRN/ARIJ shqetësimeve të doganës britanike dhe monitorimit të saj të vazhdueshëm. Britania është një nga tregjet më të mëdha në Europë për cigaret e falsifikuara dhe të kontrabanduara.
Në korrespondencë me doganat e Egjiptit pak kohë pas bastisjes në maj të vitit 2015, HMRC përshkroi se si një punonjës në Sofje por me përgjegjësi në Shqipëri, ‘ka qenë i suksesshëm së fundmi në mbylljen e një fabrike të prodhimit të cigareve që prodhonte markën e falsifikuar të Kleopatra-s’.
‘Qëllimi i HMRC është që ta çrrënjosë prodhimin e falsifikuar të markës Kleopatra me ndihmën e Eastern Company, bartësin e licencës legjitime të markës’, thuhej në letër.
Deri tani, as Albania Tabak, as Eques Holding Group dhe Worldwide Spirit apo ndonjë punonjës i këtyre firmave nuk janë është për ndonjë krim.

Prodhimi rifillon dhe zgjerohet
Dauti, menaxheri i fabrikës, tha se ajo ishte mbyllur për gati një vit ndërkohë që vazhdonte hetimi, pas të cilit ata u lejuan që ta rihapnin.
Më pas, në dhjetor të vitit 2016, HMRC informoi kolegët e tyre egjiptianë se tetë dërgesa me cigare Kleopatra ishin dërguar në Libi për Eques Holding Group.
Në mars të vitit 2017, ajo edhe një herë raportoi në Egjipt se 11.5 milionë cigare Kleopatra do të eksportoheshin në Libi, përmes Maltës.
Kontrata e fundit, e nënshkruar në mars të vitit 2017 dhe e siguruar nga gazetarët, thotë se Albania Tabak do të prodhojë deri në 3,500 tonë cigare në vit për dy vjet, çfarë nënkupton se do të prodhoheshin 3.5 miliardë cigare çdo 12 muaj, ose 175 milionë paketa cigare. Dokumenti i vendos një vlerë prej 15 milionë euro porosisë.
Në një intervistë për BIRN/ARIJ, Dauti mohoi të ketë bërë ndonjë gjë gabim.
‘Ne punojmë dhe procedojmë në harmoni të plotë me ligjin shqiptar’, tha ai.
‘Markat tregtare regjistrohen në Europë dhe Shqipëri, prandaj ligjërisht asgjë nuk na pengon që ta prodhojmë atë. Por edhe nëse nuk janë të regjistruara në Shqipëri, nuk ka asgjë që na ndalon ta prodhojmë atë sipas ligjit shqiptar, pasi ne funksionojmë si kompani prodhuese dhe të gjitha hyrjet e daljet monitorohen’.
Eques Holding Group u pajtua t’i paguajë Albania Tabak-ut shumën prej 0.014 për pako, ose 300 mijë euro në vit.
‘Sipas kontratës, ne vetëm duhet t’i paketojmë ato dhe t’i dërgojmë në Durrës’, tha Dauti.
Dauti tha se makineria në fabrikën e Librazhdit ishte e vjetër dhe në gjendje për të prodhuar vetëm 1.8 milion pako në muaj, ose 21,6 milionë për vit.
Ai dhe pronari zyrtar i Eques Holding Group, Al-Rifai, kanë themeluar një kompani të re, Eques Trading Company Shpk, në afërsi të Elbasanit ku kanë aplikuar për të hapur një fabrikë të re.
‘Ne kemi kapacitet për tre kontejnerë në muaj’, tha Dauti për fabrikën aktuale. ‘Nuk mund të bëjmë më shumë se kaq edhe pse kontraktuesi kërkon sasi më të madhe. Ne nuk mund të bëjmë më shumë sepse nuk kemi pajisje në dispozicion’.
I intervistuar për herë të dytë, Dauti e mohoi planin për të hapur fabrikë të re, duke thënë se do ta rishikojnë idenë pas 6 muajsh.

Lidhjet me kontrabandën
Fabrika Albania Tabako ka qenë në pronësi të familjes Jasharit nga dhjetori i vitit 2010, kur është blerë nga Ilir Jashari për 3 milionë euro para se të kalonte në pronësi të gruas dhe djalit të tij.
Ilir Jashari është dënuar për trafikim droge në Itali në qershor të vitit 2010 dhe i është dhënë një dënim fillestar prej më shumë se 15 vjet burgim, dënim i cili më vonë iu zvogëlua, ndërsa ai filloi ta vuajë atë vetëm pas arrestimit në vitin 2014. Në vitin 2016 ai u transferua në një burg shqiptar dhe në vitin 2017 u lirua nga burgu, sipas një burimi të afërt me procesin.
I kontaktuar përmes telefonit, ai refuzoi të komentojë.
Pronësia e ‘Worldwide Spirit,’ ndërkohë, është mbështjellë me sekret në Ishujt Virgjin Britanik, dhe asnjë shenjë nuk është dhënë në informacionin e ofruar për BIRN/ARIJ nga parajsa fiskale.
Por aplikimit për markë tregtare të paraqitura në Zyrën e Pronësisë Intelektuale të BE-së zbuluan se firma është në pronësi të një kompanie të quajtur ‘Middle East Tobaço Co’, ‘Metco’, me seli në Qipro (Metco është pronare e Worldwide Spirits) me një qarkullim prej rreth 28 milionë dollarë në vitin 2014, duke iu referuar llogarive të kompanisë.
Sipas dokumenteve nga çështje e vitit 2008 në Gjykatën e Lartë në Londër, ndërmjet prodhuesit britanik të cigareve Gallagher dhe firmës qipriote të quajtur Tlias, përgjatë 18 muajve duke filluar nga maji i vitit 2002, 20 mijë koli të cigareve Gallagher ishin dërguar në Belgjikë, Mal të Zi, Holandë, Singapor, Slloveni dhe Tenerife nga distributori kryesor i Tlias te METCO pa ndonjë kufizim në destinacionin e tyre final, në shkelje të kontratës së Tlias.
Cigaret më pas të shitura nga METCO përfunduan duke u kontrabanduar në Britani të Madhe dhe kjo rezultoi me pesë persona të dënuar. Gjykatësi tha: ‘Duhet të besojmë se METCO nuk kishte të bënte asgjë me kriminelët’.

Një punëtor i METCO, i cili refuzoi ta identifikojë veten, tha se ata ‘nuk ishin të interesuar për të marrë pyetje apo për t’u përgjigjur pyetjeve të BIRN/ARIJ rreth markës tregtare të Kleopatra-s.
Sipas një kontrate të nënshkruar ndërmjet Eques Holding Group dhe Worldwide Spirit Supply, firmës nga Ishujt Virgjin Britanik, bartëse e ‘markës tregtare’, Eques u pajtua t’i paguajë Worldwide një dollar për çdo 10 mijë cigare të prodhuara. Kjo shumë përllogaritet afërisht 44 mijë dollarë në vit.
Një tjetër kompani që nxirrte para nga bumi i cigareve në Librazhd është agjencia doganore Ujori, e cila është në pronësi të Xhuliana Sejdinit, gruaja e kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, një aleat i kryeministrit Edi Rama.
Sipas raportit të prokurorit shqiptar, të siguruar nga BIRN/ARIJ, menaxheri i fabrikës Dauti u kishte thënë prokurorëve se ‘e tërë procedura e import-eksportit (ishte bërë) përmes agjencisë doganore Ujori’.
Dauti tha për BIRN/ARIJ se Ujori-t i ishte dhënë detyra sepse ‘ajo është kompania e vetme që bën gjithçka në Elbasan kështu që ne nënshkruam një kontratë me të’.
Nuk dihet se sa ka fituar Ujori nga dërgesat e cigareve të dyshuara si të falsifikuara.
Sejdini tha për BIRN se ajo nuk ishte në dijeni për hetimin ndaj Albania Tabak, duke shpjeguar se firma e saj ishte e përfshirë vetëm në rregullimin e letrave.
‘Ne nuk hapim ndonjë kamion dhe nuk e dimë çfarë ka brenda tyre dhe nuk ka arsye pse ta dimë këtë’, tha ajo.
Kryebashkiaku i Librazhdit, Kastriot Gura, tha se dinte pak rreth aktiviteteve të fabrikës në këtë qytet, përtej frymëmarrjes shumë të nevojshme për ekonominë e sëmurë lokale.

‘E di se ata prodhojnë cigare dhe se ato kanë sjellë vende pune në qytet’, tha ai. ‘ata rregullisht paguajnë obligimet bashkiake dhe për ne kjo është ajo që ka rëndësi’.
Gura tha se nuk i interesonin dyshimet për shkelje. ‘Kjo është përgjegjësi e pjesëve tjera të shtetit’.
Më 12 dhjetor, pak para publikimit të këtij artikulli, Prokurorja Armanda Xhaferri, zbuloi në një deklaratë me shkrim për BIRN se zyra e saj në Elbasan, e kishte rihapur çështjen e vitit 2017, pasi kishte administruar dokumente të reja nga Ishujt Virgjin Britanik, por se hetimi ende po priste për të dhëna nga Egjipti.
‘Nën këto rrethana, hetimi ynë nuk ka përfunduar ende’, tha Xhaferri.
Duke iu përgjigjur pyetjes pse dogana ka lejuar një firmë nën hetime të eksportojë mallra që pretendojnë të jenë ‘Made in Egypt’ drejt Libisë, dogana e Shqipërisë tha në një deklaratë se Eques Holding Group po operonte me një markë tregtare shqiptare për Kleopatra, edhe pse ata pranuan se Eastern Company e kishte regjistruar ‘Kleopatra Lux’ si markë të veten.
Dogana shtoi: ‘Rasti po vazhdon të hetohet nga Prokuroria e Qarkut të Elbasanit ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Doganave po pret rezultatet e hetimit’.
Raportimi shtesë nga Ivan Angelovski

Studentët i drejtohen Kryeministrisë…

Studentët në ditën e 16 të protestës janë larguar nga revolta para Kuvendit dhe i janë drejtuar Kryeministrisë. Studentët këmbëngulin që qeveria të plotësojë 8 kërkesat e tyre, pasi ata nuk do te ndalen nga bojkoti i Universiteteve dhe protestat.
Ka patur prezencë të shtuar të policisë përgjatë perimetrit rrethues të Parlamentit. Gjithashtu studentët kanë vendosur një foni afër Kuvendit dhe kanë marrë fjalët të gjithë me radhë për të folur. Protestës priten t’i bashkohen edhe studentë të tjerë të ardhur nga rrethet.
Banorët e “Unazës së Re” i bashkohen protestës së studentëve
Banorët e “Unazës së Re” i janë bashkuar në protestës së studentëvepara ambienteve të Kuvendit të Republikës. Ata komentuan lirimin e Dorian Protuduarit, ndërsa theksuan se kjo ishte një drejtësi e e vonuar.
Sipas tyre, autorët e vjedhjes tek Unaza e Re janë Damian Gjiknuri dhe Afrim Qendro, duke shtuar se po të kishte prokurori, të dy sot do të ishin në burg.
“Vijmë dhe mbështesin studentët, se sot ishim tek gjykata e Apelit. Protesta jonë vazhdon dhe do vijojë deri në fund. Sot Dorian Protuduari u lirua, por kjo është një drejtësi e vonuar. Autorët e vjedhjes së unazës së re është Damian Gjiknuri dhe Afrim Qendro. Po të kishte sot prokurori ata do ishin në burg”, tha një nga banorët.

Studentët shprehen se do të vazhdojnë protestat edhe në janar nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, ndërsa e kanë konsideruar si manovër për të shuar protestën e tyre paktin për Universitetin të propozuar nga qeveria.
“Takimet e Ramës janë të shtirura. Shiten sikur bëhet takim me studentët, pasi studentet nuk pranojë dialog. Studentët e thanë edhe para Ramës se nuk ka dialog. Pakti për Universitetin, mendoj se janë manovra për të shuar protestën. Bojkoti do vazhdojë edhe në janar. Do qëndrojmë deri sa të marrim zgjidhje për kërkesat tona”, thotë një student.
Një tjetër student ka komentuar tentativën e deputetit Endri Hasa në Kuvend, i cili ka tentuar të qëllojë me vezë në emër të studenteve kryeministrin Edi Rama në foltoren e Kuvendit.
“Shumë mirë e ka bërë deputeti që ka qëlluar Ramën me vezë. Besoj se çdo student do donte të hidhte vezë ndaj Ramës sepse po tallet me monologjet që po bën”, tha studenti.
Protestës së studentëve i janë bashkuar edhe qytetarë të ndryshëm.

Ruçit nuk i del komunizmi nga shpirti: “U vendos në Bironë e Partisë”!

Kuvendi edhe sot është karakterizuar nga përplasje të ashpra mes deputetëve, teksa deputeti i PD-së Endri Hasa nuk del nga salla pasi qëlloi me vezë kryeministrin Rama.
Ai që ka bërë një lapsus me rinisjen për disa minuta të seancës ka qenë kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili duket se e ka të vështirë që të shkëputet nga regjimi komunist.
Teksa po komunikonte vendimin për Hasën, Ruçi u shpreh: Është vendosur në mbledhjen e Byrosë së Partisë (e kishte fjalën për Byronë e Kuvendit).
Seanca është ndërprerë për herë të katërt gjatë ditës së sotme, ndërsa Ruçi është shprehur më tej se Kuvendi nuk mund të mbahet peng as nga një deputet dhe as nga një grup parlamentar.
Pas kësaj në debate është përfshirë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa seanca e Kuvendit është shtyrë në orën 18:00.

Studentët kërkojnë arrestimin e Gjiknurit: Ai është ‘stacioni’ për të gjithë bastardët

Studentët kanë guxuar dhe e kanë ‘arrestuar”, ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri.
Një pankartë e tyre sot përpara parlamentit, aty ku kalon dhe gjiknuri, flet qartë:
Në pranga, ai është ‘stacioni’ për të gjithë bastardët.
Në një kohë kur pas zbulimit të kompanisë fantazëm, që ishte gati t’i grabiste 40 milionë eurot e Unazës së Re, askush nuk u ngarkua me përgjegjësi dhe Gjiknuri vetë madje, nuk ia ndjeu vetes as përgjegjësinë morale që e kishte zgjedhur qorrazi, sot, të vetmit që kanë pasur kurajon për t’i treguar vendit përgjegjësit të parë, kanë qënë vetëm të rinjtë e papërlyer.

Reagimi i qytetarëve në televizion: Të ngrihet i gjithë populli, Rama i urren shqiptarët

Protesta e studentëve vijon të jetë në fokus të vëmendjes dhe komenteve të qytetarëve. Edhe mëngjesin e sotëm qytetarë të ndryshëm kanë telefonuar në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ të Bashkim Hoxhës në Neës24 dhe kane shprehur mbështetjen për studentët.
Qytetarët thonë se duhet të ngrihet gjithë populli në protestë, pasi janë rritur taksat, ndërsa ka nga ata që thonë se Rama nuk plotëson kërkesat sepse nuk është shqiptar dhe i urren shqiptarët. Përveç çështjes së studenteve, disa qytetarë kanë treguar edhe problemet e tyre të ndryshme për të cilat kërkojnë zgjidhje.
REAGIMET:
Qytetari 1: Flas nga Dumreja dhe jam në solidaritet me studentët.
Qytetari 2: Unë desha të bëj publike dy problem. Ne na shkatërruan me këto dokumentet e invalidëve sepse duan çdo vit të njëjtat dokumente. Na sorollasin zyrë më zyrë. E dyta, a do ketë mëshirë për ne që jemi në pikë të fundit. A do ketë mundësi qeveria për të na rritur pagesën. Mua më shkojnë 450 mijë lekë ilaçet?
Qytetari 3: Flas nga rrethi i Lezhës. Kemi 5 muaj që nuk vijnë elektricistët në lagjen tonë dhe i fusin aforfe gjithë lagjes. Ne jemi dy pensionistë. Kemi shkuar jemi ankuar, por askush nuk merr masat.
Qytetar 4: Kam një hall familjar. Më është ndërprerë pensioni i gruas dhe nuk gjej zgjidhje. Nuk më japin asnjë shpjegim. Ata thonë ke bashkëpunuar me atë zonjën qe punon aty, por unë s’kam lidhje.
Qytetar 5: Të ngrihet gjithë populli sepse nuk janë vetëm kërkesat e studenteve, por rritja e taksave. Rritja e energjisë, e ujit, abonesë etj. Punë nuk ka dhe ky popull duhet të ngrihet që të mos shkelet me këmbë.
Qytetar 6: Po pse nuk u plotëson kushtet ky kryeministri këtyre studentëve se nuk janë serbë. I lë në të ftohtë aty. Rama nuk është shqiptar dhe i urren shqiptarët. Po të mos kishte urrejtje nuk i çonte në këtë pikë. Rama nuk është shqiptar.
Qytetar 7: Spitalet janë përtokë. Jam nga Divjaka dhe poliklinika këtu nuk bën dot një serum. Është një problem shqetësues.

Lirohet protestuesi i Unazës së Re, Dorian Protoduari

Gjykata e Apelit ka liruar protestuesin e vetëm të mbajtur në burg të Unazës së Re, Dorian Protoduarin. Ndaj tij është caktuar masa e re “Detyrim paraqitjeje”.
Protoduari u arrestua më 22 nëntor para syve të të gjitha mediave, kur ai, pas përfundimit të protestës së Unazës së Re përpara Kuvendit, kishte shkuar të vizitonte në Spitalin e Traumës nënën e tij.
Ky vendim është pritur me brohorima nga ana e familjarëve dhe banorëve të Unazës së Madhe, të cilët ishin vendosur pranë gjykatës së Apelit teksa kanë thërritur: Fitore, fitore, fitore!
Banorët kanë kërkuar arrestimin e kreut të ARRSH-së Afrim Qendro, pasi sipas tij vendi në qeli i takon atij.
”Në burg Afrim Qendro”, shprehen banorët.
Ndërkohë që prindërit e Dorjanit u shprehën të lumtur me vendimin e dhënë nga ana e Gjykatës, ndërsa kanë këmbëngulur se do të vijojnë protestat e tyre për padrejtësinë që iu është bërë.