11.5 C
Tirana
E premte, 2 Maj, 2025

Guardiola rrezikon dënimin absurd

As mirë dhe as keq, mjafton të mos flitet. Mund të sintetizohet kështu me ironi, pretendimi i Federatës Angleze, duke nisur nga sezoni aktual futbollistik anglez. Referimi është në mënyrë absolute për trajnerët dhe ultimatumin ndaj tyre për komentet e ndaluara në publik ndaj arbitrave, apo të performancës së tyre në drejtimin e ndeshjeve. Embargo nuk përfshin vetëm kritika eventuale.
Mund të pyesni trajnerin e Newcastle Rafa Benitez, i penalizuar me një gjobë prej 70.000 euro disa javë më parë, për shkak se artikuloi disa fjalë elozhe në adresë të arbitrit Andrew Marriner, para ndeshjes kundër Crystal Palace, dhe tashmë i njëjti fat mund të presë edhe Pep Guardiola, sikurse raporton “Sport”.
Trajneri katalanas, në një intervistë para ndeshjes për “BBC” i ka uruar punë të mbarë arbitrit Anthony Taylor, gjyqtar i zgjedhur për të drejtuar derbin e Manchester, të fituar nga City me rezultatin 3-1. “Ne duhet të përqendrohemi te loja jonë, jam i sigurtë se zotëria Taylor, do të bëjë më të mirën e mundshme, sikurse rajnerët dhe futbollistët që do të zbresin në fushë.
I uroj fat të mbarë, e gjithë Europa do të na shohë”, ishin fjalët e Guardiolas para ndeshjes, asgjë special por FA ka ndaluar rreptësisht referimin te arbitrat. Një gjobë e majme në horizont për Guardiolan, që do të gjykohet deri më datë 16 nëntor.

Dy vrasjet mafioze në Durrës, asnjë i arrestuar, lirohen të shoqëruarit

Policia e Durrësit ende nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me ngjarjen e vrasjes së 39-vjeçarit nga Vlora Edison Harizaj dhe të shokut të Tij, Genci Çaçi.
Edison Harizaj i njohur edhe si “padrino i Vlorës” u ekzekutua me breshëri armësh mesnatën e 7 nëntorit në dalje të Durrësit pasi u ndoq nga autorët teksa udhëtonte për në Vlorë. Bashkë me 39-vjeçarin humbi jetën nga plumbat edhe shoku i tij Genci Çaci, i cili ndodhej në makinë me objektivin e atentatit.
Makina e përdorur nga autorët e krimit, e cila u gjet e djegur pranë varrezave të Shën Vlashit, është lënë e braktisur në trotuar pranë godinës së policisë.
Edison Harizaj është hetuar nga policia dhe Prokuroria e Vlorës për disa ngjarje të rënda në këtë qytet përfshirë edhe zhdukjen e Albano Xhaferrit në qershor të këtij viti, por pa gjetur prova për ta arrestuar.
Më shumë se 40 persona janë shoqëruar pas atentatit të ndodhur pesë ditë më parë por më pas janë lënë të lirë, pasi policia nuk ka gjetur prova për implikimin e tyre. Pistat kryesore që po hetohen janë hakmarrja dhe eliminimi për konflikte mes grupeve kriminale.

Karafil-kryeministri e pranoi se shkeli Kushtetutën për Lleshin!

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani Manjani ka ironizuar Ramën, ndërsa e etiketon atë si, ‘karafil-kryeministër’ në një mesazh në faqen e tij të ‘Faceboook’ Sipas Manjanit, Rama e pranoi vetë se ka propozuar një gjeneral aktiv për detyrën e ministrit, duke shkelur ligjin.
Postimi i Mnjanit
Kush është dhunuesi i Kushtetutës?!
———————-
Karafil-Kryeministri e pranoi me në fund vetë, shkresërisht, se ka propozuar një Gjeneral aktiv për detyrën e Ministrit.
Për sqarim: sipas nenit 69.1/b të Kushtetutës, ushtarakët aktivë nuk lejohen as të kandidojnë për deputetë. Të zgjidhen jo e jo.
Nga ana tjetër neni 103.1 e Kushtetutës, barazon statusin juridik të ministrit me deputetin. Pra nëse nuk bëhesh dot deputet, nuk bëhesh as ministër.
Kjo është Kushtetuta!
Karafil-Kryeministri e pranoi se e ka shkelur këtë rregull të Kushtetutës, vetëm sot që propozon nxjerrjen e gjeneralit nga shërbimi aktiv!
Por nga ana tjetër do ti duhet ti japë llogari dikujt si e emëroi Zv. Ministër personin që nuk e bënte dot ministër në shkelje të Kushtetutës?!
E kujtoni sa helm ha hedhur gjithë këto ditë, për medemek “shkelje të Kushtetutës” nga Presidenti?! Nuk ka ndodhur vjet as para një muaji, por javën që kaloi.
Ja si u katandis Karafili! Mrekullia Kushtetuese e këtij vendi! Dhunuesi më u madh i Kushtetutës e ligjeve të këtij vendi. SPAK do të duhet të hetojë mirë këtë Kryeministër, praktika e punës e të cilit nisen dhe përfundon në injorim dhe dhunim total të Kushtetutës dhe ligjeve!
Nuk është vetëm çështja e marrëdhënieve emërim shkarkim, por ka gjëra të tjera që kanë sjellë pasoja të rënda, duke filluar nga tërësia territoriale e deri tek zhdukja e parave e pasurisë publike në mënyrë abuzive.

LSI pyet Ramën: Për çfarë po të kërcënon Ndoka nga burgu?

Sekretari i Përgjithshëm dhe deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari në një konferencë për shtyp deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment kritik.
Teksa sulmoi kryeministrin Edi Rama, Braimllari tha se ai po bën gjithçka për të mbështetur krimin e organizuar. Ndërkohë ai i ka bërë disa pyetje publike Ramës, ndërsa e pyet për ‘kërcënimet’ që kryeministri ka marrë nga Arben Ndoka (i arrestuar), Dako apo dhe Tahiri.
“Shqipëria ndodhet në një moment kritik. Ligji dhe Kushtetuta e vendit janë marrë nëpër këmbë. Gjithçka në funksion të një kryeministri duke i dhënë mbështetje krimit të organizuar. Sot po i drejtohem publikisht kryeministrit për këto pyetje, përgjigjen e të cilave e pret e gjithë Shqipëria.
Cilat janë arsyet e dorëheqjes së Fatmir Xhafës, ish-ministër i brendshëm? Përse ka frikë Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë nga Avdylajt? Përse ka frikë Edi Rama nga Bajrat? Çfarë ju ka premtuar ai atyre si kryeministër i vendit? Deri ku shkon përfshirja e Edi Ramës në laboratorin e Hasit? A e gjeti Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, pronarin e 613 kg të kokainës në Maminas?
Për çfarë e kërcënon Ndokaj nga burgu Edi Ramën? A e kërcënon Vangjush Dako Edi Ramën? A është kthyer Edi Rama në një kredi të vërtetë bankare për Vangjush Dakon? Më çfarë materialesh e kërcënon Saimir Tahiri dhe deri ku shkon përfshirja e Edi Ramës në çështjen e Xibrakës?”, tha Braimllari.

Vasili: Rama përfaqësues i antiligjit, qytetarët janë në rrezik
Kreu i Grupit Parlamentar të LSI Petrit Vasili ka reaguar pas debatit Qeveri – Presidencë për dekretimin ose jo të Leshjat në detyren e Ministrit të Brenshdëm.
“Ç’kryeminister genjeshtar. S’la genjeshter pa thene per te emeruar çinovnikun e tij minister te brendeshem. Tani i pranon te gjitha”, shkruan Vasili në një shenim në rrjetet sociale.
Postimi i plotë i Vasilit në Facebok:
Kryeministri antiligj bie poshte, genjeu sheshit per Lleshin(aj).
Ç’kryeminister genjeshtar.
S’la genjeshter pa thene per te emeruar çinovnikun e tij minister te brendeshem.
Tani i pranon te gjitha.
Pranon qe ka bere propozim ministri antigj.
Antiligji do te vendose ligjin ne ministrine e brendeshme?
Antiligji do luftoje bandat e krimit te organizuar dhe trafiqet?
Antiligji do ndeze radaret qe i fiku per 5 vjet qe te kalonte nje det me droge?
Antiligji do luftoje parane e piset qe ngre kulla ne mes te Tiranes?
Antiligji qe ulet ne qeveri do luftoje vetveten?
Kryeministri eshte ai perfaqesuesi i antiligjit qytetaret jane ne rrezik.

Skandali i Gjiknurit, rrëzon ligjin Kushtetues me udhëzimin personal, afera me patentat

Disa muaj më parë u njoftua nga qeveria se me një udhëzim kontrolli fizik i mjeteve nga shteti do ti kalonte privatit. Duke qënë se nuk e ndryshonte dot ligjin, pasi do t’i duheshin 84 vota në parlament, ministri Damian Gjiknuri e filloi proçesin me një udhëzim duke u justifikuar me faktin se po bëhej ndërhyrje duke bërë derregullimin, sepse kërkohej që shtetit t’ju ofrojë më shumë shërbime qytetarëve, duke e kaluar në duart e privatit, sepse kontrolli fizik i automjeteve bëhet nga një apo dy persona në disa drejtori rajonale. Dhe tani, privati do ta bëjë më shpejt.
Por, ku qëndron abuzimi, skandali dhe akuzat për korrupsion, të cilat kompanitë private apo të tretë mund të kenë ndërhyrë nëpërmjet ministrit apo institucionit përkatës, që është DPSHTRR?
Ndërkohë që ministri këtë udhëzim e ka bërë sa për të larë duart, sepse ligji nuk e lejon që kontrollin fizik të automjeteve ta ketë private, por e ka shteti. Privati ka vetëm kolaudimin e automjeteve. Kontrolli fizik, dhënia e patentave, ndryshimi i pronësisë së mjetit dhe të gjitha këto kaq qënë bashkë dhe bëheshin nga drejtoritë rajonale.
Ministri duke qënë se nuk ka votat e duhura në parlament, në kundërshtim të hapur me ligjin nxjerr një udhëzim, i cili gjithësesi ngelet një udhëzim, nuk ngelet as urdhër dhe as ndryshim. Udhëzimi ka dalë kohë më parë nga ministri Damian Gjiknuri, por ish-drejtori i DPSHTRR, Arben Isaraj nuk e zbatoi këtë udhëzim.
Pra, me argumenta, ish-drejtori i larguar nga detyra, i është drejtuar eprorit të tij ministër se kjo është në shkelje të ligjit dhe për këtë duhet ndryshuar ligji. Por, ndryshimi i ligjit bëhet në parlament.

Ndërkohë, drejtori aktual, Azbi Arapi, pa ngrohur mirë karrigen, me shpejtësi skëterrë ka zbatuar udhëzimin e ministrit duke nxjerrë, udhëzimin e mëposhtëm.
Pra, nga udhëzim i ministrit ka shkuar menjëherë në zbatim. Ndërkohë që vetë udhëzimi i ministrit është antiligjor dhe vetë drejtori aktual Azbi Arapi, gjatë kohës që mbante detyrën e nëndrejtorit të këtij institucioni, është personi që ka përgatitur relacionin e institucionit, drejtuar ministrit, i cili kundërshtonte me argumenta ligjorë udhëzimin e eprorit, duke thënë se me kalimin e kontrollit fizik të automjeteve tek private, do të humbte miliona dollarë të ardhura dhe se ky shërbim ofrohej shumë mirë nga qeveria dhe nuk kishte nevojë për ndërhyrje.
Pra, për të bërë këtë duheshin bërë ndryshime ligjore në Kodin Rrugor dhe për këtë duheshin 84 vota. Në pamundësi për të pasur numrin e nevojshëm të votave në parlament për të kryer ndryshimet ligjore, ministri Gjiknuri gjen hapësirën e një udhëzimi. Nuk ka dhënë urdhër dhe nuk e ka bërë me ligj në parlament.
Ndërkohë që ish-drejtori Arben Isaraj e bllokoi për disa muaj, kamikazi i tij, i cili është edhe njeriu që ka firmosur të kundërten në relacionin drejtuar ministrit, tashmë zbaton udhëzimin e ministrit, ku orjenton përfaqësuesit e drejtorive rajonale që të fillojnë procedurat për përgatitjen e të gjithë dokumentacionit zyrtar për dhënien me qira të ambjenteve të kontrollit fizik, nën administrimin tuaj, konform VKM nr.54, dt 05.02.2014 “Për përcaktimin e kritereve të pricedurës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore, të ndryshuar.
Ky është një akt i pastër korrupsioni dhe shkelje e ligjit sepse ekzistojnë të gjitha provat, që nga relacioni, që nga firma, që nga bllokimi i ish-drejtorit dhe që nga nxitimi i drejtorit të ri për ta bërë fakt të kryer.
“CNA”

Cirku Bayern, Ribery dhunon gazetarin!

Situatë kaotike te Bayern Munchen, që po përjeton një sezon skandaloz, jo thjesht për rezultatet dhe lojën aspak të mirë, por edhe për problemet jashtë fushe, ku duket qartë se skuadra ka dalë jashtë kontrolli.
Dëshmitarë të ndryshëm kanë raportuar një grindje të egër mes mesfushorit Franck Ribery dhe një gazetari francez pas ndeshjes luajtur të shtunën në Dortmund.
Bold raporton se Ribery u takua me Patrick Guillou, i cili punon si analist për beIN Sports, duke dalë nga dhomat e zhveshjes, në rrugën drejt autobusit në Signal Iduna Park.
Guillou, një ish-futbollist dhe në një periudhë të shkurtër edhe ndihmëstrajner i Willy Sagnol, kërkoi një deklaratë nga Ribery në lidhje me ndeshjen. Ribery nisi të ofendonte gazetarin dhe më pas e goditi me shpulla tre herë, para se ta shtynte dhunshëm, në një kohë që Guillou ishte me duar në xhepa dhe u kap në befasi nga sulmi.
Guillou në komentin direkt në beIn fajësoi pjesërisht Ribery-në për dy nga golat e Dortmundit, ndaj me sa duket Ribery e kishte marrë vesh. Rafinha dhe ish-ylli i futbollit francez Jean-Pierre Papin vrapuan për të ndalur sherrin, ndërsa Ribery hipi në autobus.
Më pas, mesfushori francez informoi klubin për incidentin, ndërsa drejtori sportiv i Bayern-it, Hasan Salihamidzic, ishte i vetmi që lëshoi një koment për Bild: “Franck Ribery na informoi për një grindje me bashkëkombasin e vet Patrick Guillou, me të cilin njihet prej shumë vitesh. Ramë dakord me Patrick Guillou që të takohemi së shpejti për ta zgjidhur në mënyrë private këtë çështje. Edhe zoti Guillou na ka bërë të ditur se është në interesin e tij që çështja të mbyllet me një takim privat”.
Natyrisht, takimi privat mund të përfshijë ndonjë çek nga Bayern-i, për t’i kërkuar falje dhe për të evituar polemikat mediatike.

Panucci, çfarë kritike për Kamer Qakën: Nuk e dua, kam arsye të fortë!

Kamer Qaka dhe Shqipëria, një “martesë” e dështuar që në start, të paktën për sa kohë në drejtim është Christian Panucci.
Mesfushori i Poli Iasi-t në Rumani u grumbullua vjet nga Shqipëria dhe ka qenë pjesë e jona vetëm nëpër miqësore, por aty e ka zhgënjyer keqas trajnerin e kombëtares sonë, i cili në konferencën e sotme për shtyp shpjegoi pse Qaka nuk është grumbulluar, edhe pse pas aventurës së shkurtër e të shëmtuar te Steaua në verë, është kthyer dhe po shkëlqen në Iasi.
“Qaka duhet të rritet pak, për të luajtur në arenën ndërkombëtare, sepse aty duhet më shumë karakter. E kam hedhur në fushë tre herë, dy herë më ka kërkuar ndërrim pas 10 minutash. Uroj ta bëjë hapin e madh, sepse përndryshe nuk më shërben. Duhet të rritet shumë si personalitet”, tha Panucci, duke lëshuar një deklaratë të bujshme, për një futbollist që deri në vitin 2014 luante për moshat e Norvegjisë dhe tashmë është i djegur, sepse nuk lejohet të shkojë askund (Norvegjia apo Kosova), duke qenë se ka bërë një herë kërkesë për ndërrim kombësie.

I kuqi ndaj Higuain, zbulohet fjalia që arbitri nuk toleroi!

Ka kërkuar falje, zyrtarisht në faqen zyrtare në profilin Instagram, por sidomos menjëherë pas ndeshjes Milan-Juventus 0-2, në dhomat e zhveshjes, ku ka shkuar të takojë arbitrin e ndeshjes Mazzolleni. “Nuk i thashë asgjë të rëndë, ai e di mirë!”, u shpreh Pipita pas ndeshjes, ndërsa të njëjtën gjë konfirmoi edhe Cristiano Ronaldo, që ndodhej aty.
“Higuain nuk tha asgjë të rëndë ndaj nuk duhet të dënohet”. Një mendim që të gjitha kanë pasur, por deri tani ende nuk dihej se çfarë në të vërtetë ndikoi te i kuqi që arbitri nxorri nga xhepi.
Zbulimi bëhet vetëm sot nga mediet italiane. Pipita, i revoltuar për faullin e shkaktuar ndaj Benatias, që sipas tij mund edhe të kishte marrë të verdhën e dytë pas prekjes me dorë në rastin e penalltisë me VAR, ka reguar duke i thënë arbitrit “nuk është faull ky, nuk është faull”.
Më pas, ka vijuar duke i bërtitur në fytyrë: “T’i vetëm kundër meje vërshëllen, gjithmonë kështu është”. Pikërisht këto fjalë nuk janë toleruar nga Mazzolleni, që ka nxjerrë të kuqin.

VOA reagon për takimin e Thaçit me Putin: Rusia mbështet Serbinë kundër Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi të hënën në rrjetet sociale se është takuar në Paris me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Të dy presidentët ishin në Paris për të marrë pjesë në ceremonitë qendrore më rastin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Në një postim në rrjetin tëiter ai shkroi se takimi u përqendrua në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje detyruese gjithëpërfshirëse.
“Për këtë çështje, Putin ishte i qartë: Nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë”, shkroi ai.
Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë, e cila po ecën nëpër vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për t’i integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Moskën.
Ajo mbështetë qëndrimin serb ndaj çështjes së Kosovës dhe nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve dhe gjatë verës presidenti i Kosovës dhe ai Serbisë, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje që do të mund të përfshinte edhe prekjen e kufijve.
Por, këto ide, që janë shmangur në ligjërimin politik të ditëve të fundit nga të dy presidentët, nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të Ballkanit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

“VOA”

Macron: Bota duhet të ngrihet në luftë për të arritur paqen

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka mirëpritur rreth 70 liderë botërorë në Paris, të cilët morën pjesë ceremoninë për të shënuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Armëpushimi hyri në fuqi më 11 nëntor, 1918, duke i dhënë fund kështu luftës katërvjeçare, që la të vdekur të paktën 10 milionë ushtarë dhe miliona civilë.
Macron mbajti një fjalim te Harkun e Triumfit, ku është varrosur një ushtar i panjohur që është vrarë gjatë luftës.
Në këtë ceremoni, ku morën pjesë rreth 70 liderë botërorë ishin edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ai rus, Vladimir Putin dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Në fjalimin e tij, Macron u bëri thirrje liderëve botërorë që të bashkojnë forcat për të “luftuar për paqe”, duke thënë “le të ndërtojmë shpresat tona, në vend se të luajmë me frikë kundër njëri tjetrit”.
“Shkatërrimi i kësaj shprese me një magjepsje për tërheqje, dhunë apo dominim, do të ishte një gabnim për të cilin gjeneratat e ardhshme do të na bëjnë ne përgjegjës”, shtoi presidenti francez.
Macron e përshkroi nacionalizmin si një “tradhti të patriotizmit”.
Trump dhe Putin kanë shtrënguar duart kur lideri rus erdhi në ceremoni.
Më herët, teksa konvoji i Trumpit po udhëtonte nga Pallati Elize për në Harkun e Triumfit, një protestuese ka vrapuar drejt makinës me të cilën po udhëtonte Trump, përpara se të ndalohej nga policia.
Sipas fotografive, që kanë kapur momentin e këtij incidenti, protestuesja ka shkruar në trupin e saj “paqebërës i rremë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kancelarja gjermane, Angela Merkel, presidenti rus, Vladimir Putin, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, janë në mesin e udhëheqësve botërorë që pritet të marrin pjesë në drekën e shtruar nga presidenti francez në Pallatin Elize.
Në ceremonitë për shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ftesë të Macronit, po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, Thaçi në një konferencë për media nga Parisi një ditë më parë, ka thënë se nuk ka të planifikuar një takim me Vuçiqin në Paris.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në Pallatin Elize nga presidenti Macron.
Më 10 nëntor, gjatë një darke morën pjesë shumë liderë. Presidenti Macron paralajmëroi se paqja po merret si e mirëqenë.
“Disa nga ne kanë qenë në fronte të kundërta në atë kohë (gjatë Luftës së Parë Botërore) dhe ne jemi bashkuar sonte. Ky është homazhi më i madh që ne mund të bëjmë” për ushtarët e vrarë, tha ai.
Sot në Paris do të mbahet Forumi i Paqes, ku Macron ka thënë se dëshiron të promovojë një qasje multilaterale për sigurinë dhe qeverisjen.
Merkel tha se Forumi tregon se “sot ka vullnet, dhe këtë gjë unë e them në emër të Gjermanisë me bindje të plotë, se do të bëjmë gjithçka që të kemi një rend më paqësor në botë, megjithëse e dimë se ende kemi shumë punë për të bërë”.
Presidenti Trump nuk pritet që të marrë pjesë në ceremoninë e forumit, ndonëse homologu i tij rus, Putin do të jetë i pranishëm.
Trump ka thënë se nuk do të mbajë një samit dypalësh me Putinin në Paris, teksa Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk kanë dashur që një takim kokë më kokë Trump-Putin, të lë në hije ceremonitë për Luftën e Parë Botërore.
Dy liderët me gjasë do të takohen sërish në samitin e G-20, që do të mbahet në Buenos Aires të Argjentinës më vonë gjatë këtij muaji.