28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Studentët i vënë shiritin Universiteteve: Mos kalo!

Në një kohë kur sot kanë paralajmëruar një protestë masive para Kryeministrisë, studentët e Universitetit të Tiranës kanë gjetur forma të veçanta se si të bllokojnë punën në fakultetet e tyre. Studentët kanë lidhur me zinxhirë dhe i kanë vënë kyçin dyerve të fakultetit të Ekonomisë.
Ndërkohë edhe studentët tek Universiteti Politeknik kanë vënë shiritin në hyrje të godinës duke shenjuar në mënyrë simbolike bojkotin e emisionit dhe vijimin e protestës.
Edhe studentët e ekonomikut i kanë vënë drynin tek fakulteti.
Pak me heret të rinjtë i kishin vënë shiritin Fakultetit të Drejtësisë për të ndaluar hyrjen në mësim. Një shirit me të cilin rrethohen zona për të mos kaluar.
Të rinjtë e universiteteve publike në vend kanë paralajmëruar sot një protestë masive përpara Kryeministrisë.
Protestatat do të vazhdojnë deri në realizmin 8 kërkeave te tyre.

Studentët nisin marshimin drejt Kryeministrisë: Ja çdo bëjmë nëse nuk plotësohen 8 kërkesat!

Studentët e Universiteteve të Tiranës kanë nisur marshimin në drejtim të kryeministrisë në ditën e 13-të të protestës dhe qëndresës së tyre. Për pak minuta studentët, që duhet thënë sot janë të shumtë në numër kanë bllokuar rrethrrotullimin duke shkaktuar kaos në trafik.
Ata kanë paralajmëruar se protesta do të intesifikohet dhe do të radikalizohet në rast se kërkesat e tyre që tashmë bëhen të ditura nuk do të plotësohen. Një prej studentëve tha për gazetarin e Fax Neës Sokol Dema se në rast se Rama nuk plotëson kërkesat e tyre ata nuk do të paguajnë tarifat e këtij viti akademik.
“Ne nuk do t’i paguajmë fare tarifat në rast se kryeministri nuk na i plotëson kërkesat. Ne jemi të gjithë dhe do të veprojmë të bashkuar. Sot do të ketë dhe qytetarë që do të na bashkohen, së bashku me prindërit tanë”, u shpreh studenti. Ndërkohë që sot drejt Tiranës janë nisur grupe studentësh dhe nga Korça, Elbasani dhe Shkodra.
Bashkimi i studentëve te kryeministria pritet të ndodhë pas pak, nga ku pritet të deklarohet dhe ecuria e mëtejshme e protestës.

Denoncimi i prindit: 100 mijë lekë vajzës studente për të shkuar në “dialogun” e Ramës

Një prind ka denoncuar se si vajzës së tij student në Fakultetin e Mjekësisë i janë ofruar 100 mijë lekë për t’u bërë farsë që të shkojë në dialog me kryeministrin, para të cilat ajo i refuzoi me neveri. Prindi i është drejtuar me një mesazh portalit JOQ ku shkruan se ka dy vajza në fakultetin e Mjekësisë njërësi i janë ofruar para.
Për këtë ngjarje ka reguar edhe ish-Kryeministri Berisha.
“Noriega dhe vasalet e tij perdorin narkoeurot per te blere studentet. Turpi i mbulofte! sb”, shkruan Berisha në Facebook.

Studentët e varfër që paguajnë më shtrenjtë: Si po shpenzohen fondet e mbledhura nga tarifat për pajisje luksi dhe makina të shtrenjta

Në Rrugën e Durrësit, studentët vijuan protestën pa u tërhequr me kusht realizimin e të gjithë kërkesave të tyre. Qeveria bëri një hap prapa, duke u tërhequr nga tarifat për provimet e mbartura. Shpenzimet për arsim u peshojnë familjeve shqiptare katër herë më shumë se familjeve europiane. Në shumë vende të Europës, tarifat e studimit janë bërë zero, kurse Shqipëria po shkon në kahun e kundërt në një kohë kur shumë të rinj po zgjedhin që të ikin jashtë. Si po shpenzohen fondet e mbledhura nga tarifat për pajisje luksi dhe makina të shtrenjta, ndërkohë që kanë shkuar zero lekë për shkencën dhe për studentët…

Nga Ledina Loga

Kur në të gjitha mediat kombëtare në vend u njoftua se qeveria pranoi një nga kërkesat e studentëve, atë të tarifës mbi provimet e mbartura, dy të rinj, teksa ecnin pranë stacionit të autobusit në zonën e stadiumit “Dinamo”, komentonin vendimin e qeverisë. Erinda është studente në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ajo tha për “Monitor” se u shokua kur mori vesh që për një provim të mbartur, të cilin e kishte që prej vitit të parë duhet të paguante 700 lekë për kredit. Lënda që duhet të rijepte provim kishte 10 kredite dhe në total duhet të paguante 7000 lekë, vetëm për t’u futur në provim. Ajo tha se i është bashkuar protestës së studentëve, të cilët kërkojnë që t’ju plotësohen disa nga pikat që kërkojnë.
Erinda ka ardhur të studiojë në Tiranë nga një qytet i jugut dhe thotë se prindërit e saj i përballojnë me vështirësi shpenzimet për t’u arsimuar në Tiranë. Përveç tarifës vjetore, studentët kanë edhe shpenzime për librat, strehimin, për të përballuar jetesën në Tiranë, që është shumë më e shtrenjtë se nga qyteti që vijnë. Një pjesë e mirë e tyre, në pamundësi që familja t’u mbulojë të gjitha shpenzimet për arsimin janë të detyruar të punojnë. Në të gjithë botën, studentët punojnë part-time, por në të njëjtën kohë, atyre si studentë iu ofrohen lehtësi të shumta.

Laureta studion prej dy vitesh në një universitet shtetëror në Gjermani. Ajo tregon se tarifa për t’u shkolluar është zero, pagesa për konviktin ku ajo qëndron është rreth 350 euro në muaj, të cilën ajo e konsideron të lirë për standardin e qytetit bavarez dhe ka shumë lehtësi të cilat i përfiton me anë të kartës së studentit. Në Shqipëri, ky projekt ka mbetur një premtim klishe.
Shqipëria nuk krahasohet as me rajonin për sa u përket tarifave të studimit. Tarifa e studimit për një semestër në universitetin publik në Kosovë është 25 euro, ndërsa tarifa për konviktin është 30 euro në muaj, ku përfshihen edhe dy vakte në ditë. Nuk kanë tarifa për provimet e prapambetura.
Në Maqedoni, tarifat e studimit për një semestër janë rreth 100 euro. Dr. Zylyftar Bregu, pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës mendon se gjendja aktuale në universitete, në tërësi, dhe sidomos aspekti financiar i studimeve të larta, është pasojë e koncepteve që diktoi ligji për Arsimin e Lartë, i miratuar rreth tre vjet më parë.
“Ky ligj, i cili ende nuk është zbatuar dhe ka paraqitur vështirësi të shumta në zbatim, ka sanksionuar norma dhe logjikë tregu, duke e nxjerrë Universitetin nga filozofia e publikes”, shprehet dr. Zylyftar Bregu për “Monitor”. Në vijim, profesori nuk i mbështet tarifat shtesë për ato që quhen provime të mbartura. Sipas tij, janë të paarsyeshme dhe për këtë shkak, edhe qeveria bëri një hap mbrapa.
Megjithatë dr. Zylyftar Bregu shtoi se edhe tarifat e studimit janë të papërballueshme për një familje mesatare shqiptare.
“Mendoj që ka ende vend për të aplikuar politika sociale që lidhen edhe me specifikën e zonave të ndryshme të vendit, nga ana e qeverisë”, përfundoi prof. Bregu.

Çfarë kërkojnë studentët
Edhe pse qeveria bëri një hap pas, duke tërhequr një nga vendimet, studentët kanë vijuar protestën edhe të premten e javës së shkuar dhe gjatë gjithë kësaj jave, ndonës këtë javë protesat e tyre kishte disa epiqendra. Të martën pas orës 16:00 ku përfundoi dhe për përmbushjen e kërkesave, studentë u ndanë në tre grupe. Një pjesë, e cila vijon deri në ditën e sotme, proteson përballë kryeministrisë. Për protestën, ata thonë se do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre megjithëse ka qenë disi më e vakët.
Studentët kanë kërkuar përgjysmim të tarifave të shkollimit dhe kushte më të mira. Ata kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga katër kërkesat e tyre.
Javën e kaluar Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, njoftoi se qeveria do të shfuqizojë VKM nr. 288, pika numër 4, e cila citon si më poshtë:
“Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik, si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet”.

Kërkesat që studentët kërkojnë që të plotësohen:
1. Rritja e buxhetit të arsimit në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto me qëllim përgjysmimin e tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës.
2. Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
3. Rritja nga 10% në 50% e peshës së votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe ccdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5. Mështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë, pika kërkojnë që bordi i administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash MASR dhe IAL, si dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6. Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)
7. Ndërtimi i biblotekave me standarte europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

Monitorimi, si abuzohet me fondet
Studentët shqiptarë, në krahasim me studentët europianë, të cilët kanë tarifa zero për sa i përket arsimit, nuk marrin asgjë mbrapsht nga investimi i tyre në dije. Qëndresa Qytetare, një organizatë e fokusuar te fuqizimi i rolit të qytetarit në shoqëri, nisur nga mungesa e shërbimeve ndaj studentëve në universitetet publike, ankesat e shumta të tyre dhe tarifat e larta nga ana tjetër, kryen një monitorim mbi Autonominë dhe Menaxhimin Financiar të Universiteteve Publike në Shqipëri.
Monitorimi është kryer gjatë periudhës 1 shtator 2017 dhe 13 qershor 2018. Valmira Kosova, koordinatore e Qëndresës Qytetare, shpjegon se universitetet publike i kanë përdorur paratë e tarifave të studentëve për sigurim godinash dhe pajisje luksi, ndërkohë që për kërkim shkencor janë shpenzuar 0 lekë dhe për shërbime ndaj studentëve shumë pak.
Sipas saj, paratë e universiteteve, pavarësisht autonomisë që kanë fituar universitetet nga reforma në arsimin e lartë menaxhohen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, pasi shumicën në Bordet e Administrimit e kanë ministria, borde në të cilat vendimet merren me 50% +1.
Qëndresa Qytetare beson se tarifat e studentëve duhet të përcaktohen bazuar në analizën e një kostoje të shërbimit të caktuar, siç ishte rasti i pikës 4 të VKM-së mbi riprovimet, ku ky shërbim pavarësisht se e ka koston zero, pasi pedagogu paguhet nga paga për të hartuar teza, universitetet shtuan kosto deri në 50 euro për riprovim.
Protesta e studentëve duhet të vazhdojë për të kërkuar përmirësim të cilësisë së shërbimeve, brenda universitetit, pasi krahasuar me vendet europiane dhe rajonin në Shqipëri, ata marrin shumë më pak shërbime, shumë më pak bursa dhe ligji nuk u jep të drejtën e kredisë studentore dhe kartës së studentit, shton Kosova për “Monitor”.
Qëndresa Qytetare ka bërë një krahasim midis kostove të arsimit në Gjermani dhe kostove të një familje shqiptare. Pavarësisht se paga mesatare mujore në Gjermani është 2200 euro dhe në Shqipëri 280 euro, Gjermania ka 0 tarifa për arsimin, ndërsa në Shqipëri tarifat variojnë nga 200 deri në 2000 euro. Sipas Qëndresës Qytetare, bursat e studimit në Gjermani përllogariten rreth 700 euro në muaj, në Shqipëri janë rreth 10 herë më të ulëta, 70 euro në muaj.
Nuk ekziston karta e studentit, shpërndahen 2000 abone studenti për 100 mijë studentë për të përfituar nga transporti publik me kosto të reduktuar, ndërsa në Gjermani transporti publik për studentët është falas. Sipas gjetjeve nga monitorimi i transaksioneve rezulton se tre universitetet publike janë më larg shkencës dhe më pranë luksit të zyrave, pasi nuk kanë shpenzuar asnjë vlerë për nënkategorinë studime dhe kërkime në një vit akademik.
Nga ana tjetër, Qëndresa Qytetare shton se paratë e tarifave të studentëve dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit janë shpenzuar përkatësisht për investime luksi dhe zyrash. Mbi 1 miliard lekë të vjetra ka shpenzuar Universiteti i Durrësit për rikonstruksione ndërtesash dhe pajisje zyrash, ndërsa Universiteti i Elbasanit ka blerë një automjet pranë kompanisë Hyundai, në vlerën 7.6 milionë lekë.
E ndërsa tarifat e studentëve shkojmë për shpenzime luksi, në universitetet shqiptare nuk ka akses në internet; nuk janë të pajisur me laboratorë shkencorë, mungojnë bibliotekat online; nuk ka sisteme informative; këshillimi i karrierës nuk është eficient; mungojnë kreditë studentore; mungon edhe karta e studentit.

Por, sa kushton edukimi në Shqipëri?
Tarifat vjetore në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 20 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 45 mijë lekë maksimalja për ciklin e parë të studimeve. Në Universitetin e Tiranës, tarifat për ciklin e parë të studimeve variojnë nga 25 mijë lekë në 40 mijë lekë, ndërsa për ciklin e dytë të studimeve master, tarifat e studimit variojnë nga 60 mijë lekë deri në 210 mijë lekë për një vit.
Tarifat më të larta për një vit studimi në ciklin e parë i ka Universiteti i Mjekësisë, ku për një vit, studentët paguajnë 45 mijë lekë, ndërsa për ciklin e dytë të studimeve, rreth 240 mijë lekë. Në universitetet private, viti shkollor kushton duke filluar nga 1500 euro në 3500 euro.
Studentët kanë kërkuar përgjysmimin e tyre.

Studentët shqiptarë, me shpenzimet më të larta për arsim në të gjithë Europën, gati 4 herë më shumë
Edhe pse Shqipëria nuk ka shkollat dhe universitetet më të mira të Europës, në raport me moshatarët e tyre europianë, arsimi u kushton më shtrenjtë studentëve shqiptarë. Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.
Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës, treguan se pesha e shpenzimeve për arsim ishte 3.9% e totalit të shpenzimeve të familjeve shqiptare, gati katër herë më e lartë se e familjeve europiane. Mesatarja e Bashkimit Europian është 1.1%, ndërsa një familje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero.

Të varfërve iu rëndon më shumë
Për Kukësin, qarkun më të varfër të vendit, duket se shpenzimet për arsim rëndojnë më shumë se në qarqet e tjera të vendit. Për familjet kuksiane, shpenzimet për arsim kanë një peshë të konsiderueshme në totalin e shpenzimeve që ato bëjnë, me rreth 9.1% të totalit, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqim, sipas INSTAT.
Pas Kukësit, qarku që shpenzon më shumë për arsim është Fieri, me 6.8% ndaj totalit. Më pas renditet kryeqyteti, Tirana, me 5.2% të totalit të shpenzimeve për arsim dhe Lezha me të njëjtën peshë të shpenzimeve. Me një diferencë të ngushtë nga mesatarja kombëtare renditet Korça me rreth 3.1% të totalit të shpenzimeve për arsim. Durrsakët dhe gjirokastritët shpenzuan për arsim përkatësisht 2.4 dhe 2.3% të totalit të shpenzimeve të tyre.

Të rinjtë rritën shpenzimet për arsim, u kushtoi dyfish më shumë në 2017-n
Arsimi merr për familjet e reja çerekun e shpenzimeve, madje më shumë se për t’u ushqyer dhe për t’u strehuar. Gjatë vitit 2017, sipas statistikave mbi shpenzimet e familjeve të publikuara nga INSTAT, familjet me kryefamiljarë deri në 24 vjeç përdorën për arsim 25.1% të shpenzimeve.
Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet për arsim janë rritur me 2.3 herë për familjet në moshë të re. Në 2016-n, sipas të dhënave të INSTAT në Anketën e Shpenzimeve të Familjeve, arsimi zinte 10.5% të totalit të shpenzimeve.
Ndërkohë që kanë rritur shpenzimet për arsim, familjet e reja kanë ulur ato për ushqim dhe strehim, të cilat në strukturën e shpenzimeve të tyre zinin peshën kryesore. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në 2016-n pesha e shpenzimeve për ushqim ishte 31.3%, ndërsa në 2017-n, ajo do të ulej në 22.5% Familjet e reja kanë ulur shpenzimet edhe për strehim. Shpenzimet për banesë zinin në 2017-n rreth 21.5% të totalit të shpenzimeve, nga 24.8% që ishin gjatë 2016-s.
Në total, këto tre grupe, arsimi, strehimi dhe ushqimi, kanë një peshë totale në strukturën e shpenzimit të tyre prej 69%. Ndërsa kanë ulur shpenzimet për veshje dhe këpucë, familjet e reja shqiptare kanë rritur shpenzimet për restorante dhe hotele. Rreth 9.5% e totalit të shpenzimeve në 2017-n shkuan për restorante dhe hotele, nga 6.4% që ishin një vit më parë. Kurse për sa u përket veshjeve dhe këpucëve, në 2017-n pesha e shpenzimeve për to ra me gati 1 pikë përqindje në krahasim me një vit më parë, në 4.8% të totalit të shpenzimeve.
Shpenzimet për argëtim kanë pasur gjatë 2017-s një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë. Familjet me kryefamiljar deri në 24 vjeç shpenzuan për t’u argëtuar rreth 3.5% të të ardhurave. Gjatë 2017-s, ato ulën edhe shpenzimet për komunikimin, ku sipas INSTAT shpenzimet për komunikim kishin një peshë prej 2.7% nga 3.1% një vit më parë.

Studentët në universitetet shqiptare, në rënie të fortë
Në vitin 2018, numri i studentëve të regjistruar në arsimin e lartë është 129.3 mijë, prej të cilëve rreth 23.3 mijë janë të regjistruar në universitetet private. Në krahasim me disa vjet më parë, numri i studentëve në Shqipëri ka rënë ndjeshëm, teksa në vitin akademik 2012-2013 kishte të regjistruar 172.6 persona. Pra në pesë vjet, numri i studentëve ka rënë me rreth 43 mijë persona (-25%). Dy janë arsyet të kësaj rënieje.
-Së pari, është tendenca e plakjes së popullsisë. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e grupmoshës 15-24 vjeç u reduktua me 55 mijë persona në 2017-n, në krahasim me vitin 2014. Pesha e kësaj grupmoshe ka zbritur në 16% të totalit në vitin 2017, nga 19% që ishte një dekadë më parë (në 2007-n).
-Arsyeja e dytë lidhet me tendencën e të rinjve shqiptarë për të studiuar jashtë shtetit, ku tradicionalisht Italia ka qenë e preferuar, ndërsa dy vitet e fundit, një fluks i lartë po shkon në Gjermani, çka shihet dhe nga interesi i lartë për të mësuar gjuhën gjermane.

Protesta e dijes dhe vetëdijes që po i kthen nderin demokracisë

“Monitor”
Protesta e studentëve këtë dhjetor është kurorëzimi i qeverisjes që vetë Rilindja projektoi. Në krye të listës së pakënaqësisë së studentëve qëndrojnë tarifat e larta të shkollimit, por thelbi i saj duket qartë në atë që ne të revistës “Monitor” më herët në një editorial, e kemi quajtur “kriza e dijes” por që sot, kjo krizë ka shpërthyer me më shumë dimensione.
Sot, qeveria shqiptare shpenzon për arsimin më pak se çdo qeveri e një vendi të varfër, në mënyrë të vazhdueshme nën 3.4% të PPB-së. Jemi të fundit në rajon për këtë tregues që vlerësohet edhe si rreziku më i madh për korrupsion dhe politika të dobëta.
Aktualisht, studentët shqiptarë, edhe pse janë ndër më të varfrit në Europë, kanë shpenzimet më të larta për arsim se çdo vend tjetër.
Shpenzimet për arsim u peshojnë familjeve shqiptare katër herë më shumë se çdo familje europiane. Në shumë vende të Europës, tarifat e studimit janë bërë zero, kurse Shqipëria po shkon në kahun e kundërt, në një kohë kur shumë të rinj po zgjedhin që të ikin jashtë. Dhe po të analizojmë më thellë brenda vendit, sipas rajoneve, të varfërve shkollimi iu rëndon më shumë. Ndaj mund ta quajmë edhe protesta e të varfërve.
Një tjetër problem është cilësia e arsimit. Duket sikur shqiptarët rrinë në kafe shumë, por në fakt, sipas OECD, jemi populli i dytë në botë që punojmë më shumë orë në vit (2231 orë/vit), por vlera bruto e shtuar për punonjës është 10 mijë dollarë në vit, më e ulëta edhe në rajon, kur mesatarja e Ballkanit është 15 mijë dollarë. Ky është një tipar i vendeve të pazhvilluara dhe me produktivitet të ulët.
Nga ana tjetër, kuotat e frekuentimit në shkolla kanë rënë dhe kërkesa për studime të larta mbetet e keqorientuar nga tregu. Këta tregues të përgjithshëm, të marrë së bashku, kanë prodhuar një krizë të dijes që po mban në lak edhe varfërinë.
Pra mund të quhet edhe protesta e pasigurisë dhe papunësisë në të ardhmen.

Revolta e Rrugës së Durrësit (ku ndodhet Ministria e Arsimit) në kryeqytet, shpërtheu më e madhe pas një mori mini protestash e përplasjesh që popullata e Rrugës së Astirit, Rrugës së Kombit etj., kanë pasur me qeverinë, e cila ka qenë mospërfillëse e arrogante, sa herë ka marrë vendime të dyshimta për përfitimet që ka publiku.
Piktura qeverisëse e Rilindjes ka shumë njolla të errëta edhe më herët. Kur ulën taksat për kumarin, që pas tij fshihej krimi, kur me kokëfortësi vijon me koncesionet dhe kur të gjithë i tërheqin veshin për projekte të paleverdishme që do të rrënojnë buxhetin e shqiptarëve. Kur miraton projekte që, siç po rezulton, shpesh fshihen interesa klienteliste dhe mashtrime (rasti i Unazës së Re të Tiranës), kur ndryshon shpeshherë planet e korrigjon shpesh gabimet që, në fakt, krijojnë kosto. Pra një qeverisje që ecën më shumë mbrapsht, për të arnuar gabimet e së shkuarës.
Studentët, janë bijtë e familjeve shqiptare. Ata e shikojnë dhe provojnë çdo ditë se taksat për familjet e tyre nuk ulen, janë të zhbalancuara, ku i varfëri paguan më shumë. Ata po e shikojnë se të ardhurat reale të familjes së tyre edhe zyrtarisht nuk janë rritur. Por ndryshe nga prindërit, e “trembur” nga mungesa apo humbja e një pune, janë më të lirë, ata janë brezi i internetit, ku liria shfaqet me të gjitha dimensionet dhe nuk kanë se çfarë të humbasin nëse kundërshtojnë ndaj çdo forme mediokriteti, paaftësie, inkriminimi e korrupsioni, edhe në emër të prindërve të tyre, të cilët disa prej tyre ishin edhe në protestë. Ndaj kjo mund të quhet edhe protesta e familjeve shqiptare.
Studentët që protestojnë nuk janë të përkëdhelurit, por të dhunuarit e ardhshëm. Ndaj ashtu si në përvjetorin e ftohtë të dhjetorit të ‘90 “të privilegjuarit” e asaj kohe që ndezën flakën e demokracisë, që i bënë nderin e madh Shqipërisë, për të gjitha arsyet bashkë, kjo mund të quhet protesta e dijes dhe vetëdijes së shqiptarëve, që po i kthejnë nderin demokracisë së fituar dekada më parë.

Drejtuesi i Gallup: Shqiptarët po ikin nga vendi për shkak të varfërisë, korrupsionit e krimit

Në një anketë, Shqipëria renditet e katërta në një listë me 152 vende përsa i përket dëshirës së qytetarëve për t’u larguar nga vendi. Në anketën botërore të Organizatës Gallup, 60% e pjesëmarrësve nga Shqipëria shprehen se do të donin të largoheshin; Kosova renditet e trembëdhjeta me 46% të pjesëmarrësve që shprehin dëshirë për t’u larguar. Mes shteteve të Evropës, Kosova dhe Shqipëria ishin vendet me përqindjen më të lartë përsa i përket dëshirës për imigrim. Kolegia Ardita Dunellari bisedoi me zotin Jon Clifton, një ndër analistët e Gallupit.
Zëri i Amerikës: Në anketën e re të Gallupit mbi dëshirën e njerëzve që të emigrojnë, cilat ishin përfundimet më interesante?
Jon Clifton: Pyetja që u drejtuam njerëzve në botë është nëse kishin dëshirë të largoheshin nga vendi. Në krye të listës ka vende si Sierra Leone ku 75% e njerëzve thanë se duan të largohen. Ndërkaq Shqipëria është e katërta në listë. 60% e njerëzve thonë se do të donin të largoheshin përgjithmonë nga vendi.
Zëri i Amerikës: Cilat janë arsyet që i shtyjnë njerëzit të duan të largohen nga vendet e tyre në përqindje kaq të larta?
Jon Clifton: Dy shkaqet kryesore që vërejmë është se njerëzit duan të largohen pasi ka një formë krize. Për shembull Siria është një ndër 10 vendet me përqindjet më të larta për shkak të konfliktit. Një tjetër arsye është ekonomia. Në shumë vende të varfra njerëzit duan të largohen për të gjetur mundësi ekonomike. Dy faktorë të tjerë të rëndësishëm që njerëzit duan të largohen nga vendi janë korrupsioni dhe siguria vetjake.
Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek Ballkani, rajoni më problematik në Evropë në anketën tuaj. Në rajon nuk ka pasur konflikte prej dekadash, në një vend si Shqipëria ekonomia ka vazhduar të rritet gjatë vitesh. Si shpjegohet kjo dëshirë kaq e madhe për t’u larguar?

Jon Clifton: Kur shohim GDP-në për frymë, në një vend si Shqipëria apo nëse shohim fuqinë blerëse të qytetarit në Shqipëri, ky vend renditet i 100-ti në botë. Pra shumë njerëz besojnë se në Shqipëri nuk u ofrohen mundësitë ekonomike që mund të gjejnë diku tjetër. Shohim se tërheqja më e madhe për t’u vendosur në vende të tjera është ekonomia. Vendi që tërheq më shumë njerëz në botë është Amerika. Njerëzit duan të vijnë në Shtetet e Bashkuara pasi këtu ka mundësi ekonomike si dhe pasi kanë njerëz të afërm këtu. Vendi tjetër ku duan të shkojnë shqiptarët është Gjermania, pas Shteteve të Bashkuara.
Zëri i Amerikës: Përse kjo rritje tani? Përse jo disa vite më parë?
Jon Clifton: Nuk do të thoja medoemos se është ndonjë rritje në vetvete. Shqiptarët kanë vite që shprehin dëshirën për t’u larguar nga Shqipëria.
Zëri i Amerikës: Në anketën e Gallupit thohet se këto përqindje reflektojnë dëshira dhe jo shifra reale të emigrimit, apo njerëz me plane konkrete për emigrim. Si krahasohen këto shifra me lëvizjet konkrete të njerëzve?
Jon Clifton: Kur shohim prirjet në Shqipëri, vërejmë se popullata në pesë vitet e fundit po ndjek kahjen e gabuar. Që në atë kohë ka filluar tendencën e tkurrjes me 0.1%. Pra mund të shihet se të dhënat reale ndjekin të njëjtën prirje si dëshirat që shprehin njerëzit.
Kjo është e vërtetë për të gjitha vendet e Ballkanit, në të gjitha këto vende mbi 25% e njerëzve shprehen se do të donin të largoheshin. Në Kosovë kjo shifër është rreth 45%.

Zëri i Amerikës: Si do të ndikonte kjo prirje tek potenciali i këtyre vendeve për zhvillim?
Jon Clifton: Kur shohim vendet e Ballkanit, problemi kryesor është rrjedhja e trurit. Kur pyesim njerëzit nëse duan të vendosen në Shqipëri, ata që shprehin dëshirë nuk janë njerëz të arsimuar, po ashtu nuk janë të rinj. Kur të rinjtë e arsimuar të një vendi duan të largohen dhe njerëzit që duan të vijnë në këtë vend nuk janë të arsimuar, atëherë vendi përballet me rrjedhje truri që duhet të përbëjë shqetësim serioz për udhëheqësit.
Zëri i Amerikës: Çfarë qëndrimi mbajnë ballkanasit ndaj emigrantëve?
Jon Clifton: Nëse shohim Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe i krahasojmë nga qëndrimi i tyre ndaj imigrantëve, këto vende janë shumë të ndryshme dhe kështu kanë qenë gjatë viteve të fundit. Kur i pyesim njerëzit “A mendoni se qyteti apo komuniteti juaj është vend i mirë për imigrantët?
A do të pranonit që imigrantë të vendosen në vendin tuaj? A do të konsideronit të pranueshme që një i afërm i juaji të martohej me një imigrant”, Maqedonia është e fundit në listë ndër 150 vende.
Kurse në Shqipëri gjejmë një nga kulturat më të hapura. Shqipëria renditet e 15 në botë. Në Maqedoni, vetëm 10% e pjesëmarrësve e quajnë të pranueshme që imigrantë të vendosen në vendin e tyre; në Shqipëri 75% e pjesëmarrësve në anketë shprehen pozitivish.
Pra dy vende që janë kaq pranë gjeografikisht por që janë dy botë krejt të ndryshme.

Studentët thirrje qytetarëve: Na mbështesni në protestën tonë, ja axhenda për ditët në vijim

Këshillat studentorë, kanë njoftuar sot, mbajtjen të hënën e një proteste kombëtare të studentëve. Duke ftuar në këtë protestë, jo vetëm studentë e pedagogë, por edhe çdo prindi e qytetari, “që të na bashkohen në këtë kauzë të drejta e cila po hedh bazat e një arsimi cilësor për ne dhe brezat që po vijnë”.
Studentët bëjnë të ditur edhe axhentën e protestës.
Sipas axhentës, studentët e do të mblidhen në orën 10 në fakultetet respektove.
Në orën 11 do të vijojnë marshimin drejt Kryeministrisë.
Në 11.30 do të fillojë protesta kombëtare.

Basha: Pas 30 milionë eurove. tjetër aferë korruptive me Unazën e Re do publikohet

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka qenë sërish mbrëmjen e sotme në krah të banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë për mbrojtjen e shtëpive të tyre.
Basha u ka bërë apel gjithë shqiptarëve që të dalin në protestë dhe të mbështesin studentët në kauzën e tyre, dhe për t, i treguar Ramës se shqiptarët janë më të fortë se bandat e krimit.
‘Sot e gjithë Shqipëria është në protestë, ajo e studentëve, e Unazës së re, për naftën dhe energjinë, janë shenjat më të qarta të gjendjes se ku ndodhet vendit. U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve mbështetësve të PD, opozitës që të dalin pasivisht në mbështetje të studentëve. Ram,a po luan me nervat e tyre me shëndetin e tyre. Unë dua tu drejtoj një ftesë gjithë shqiptarëve të bashkohen me studentët. Ne mbështesim 8 pikat e tyre, kemi 3 vjet që kërkojmë anulimin e këtij ligji. Të bashkohemi për ti treguar Ramës se ne nuk i lëmë vetëm studentët. Kjo është ftesa që kam sot për gjithë shqiptarët”, tha Basha.
Basha shtoi se tek projekti i Unazës së Re ka edhe një aferë të re korruptive, të cilën PD po e shqyrton dhe në ditën në vijim tha se do të bëhet publike. “Tek Unaza e Re ka edhe një aferë tjetër, dhe ne po merremi me shqyrtimin e dokumenteve, ne do t’i bëjmë publike në ditët në vijim. Ne jemi në radhë të parë në mbështetje të banorëve dhe studentëve, jam i bindur se Edi Rama do të largohet një orë dhe më parë”, u shpreh Basha.
Basha: U bënë 6 javë që banorët protestojnë për shtëpitë e tyre. U bënë dy javë që ëshntë zbuluar se ashtu siç denoncuam ne që prej ditës së parë, ky nuk është një projekt zhvillimi por një projekt vjedhjeje. Në këtë projekt vjedhjeje është përfshirë drejtëpërdrejtë Edi Rama dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse nuk ka përgjigje.

Afrim Qendro është masha e Edi Ramës dhe përmes tij është zbuluar një aferë ndërkombëtare e pastrimit të parave të pista me hapjen e kompanisë në SHBA me falsifikim të letrave zyrtare.
Nuk ka përgjigje sepse Edi Rama që është planifikuesi, ideatori dhe përfituesi i vjeshjes tek Unaza, kontrollon totalisht prokurorinë. Pra ka rënë drejtësia. Banorët e dinë këtë, por ata kanë qendruar në ditët më të vështirë dhe ne kemi qendruar krah tyre edhe kur ndaj tyre ushtruan dhunë ne ishim këtu me ta dhe i sprapsëm dhe qendresa e tyre e bashkuar nxorri të vërtetën në pah.
Sot e gjithë Shqipëria është ngritur në protestë, nga ajo më madhështorja kryengritja e studentore, protesta e unazës, protësta tek Teatri, e biznesit të vogël për çmimin e naftës dhe të energjisë, janë shenja më e qartë e gjendjes së emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi.
Sot banorët e unazës kanë protestuar bashkë me studentët. Ka dy ditë që studentët i bëjnë thirrje qytetarëve tu bashkohen ndaj këtu nga unaza e re, dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, mbështetësve të opozitës, së PD dhe partive të tjera opozitare të dalin masivisht në mbështetje të protestës së studentëve. Edi Rama po luan me shëndetin e tyre, me nervat e tyre në këtë kohë të ftohtë dhe po luan me fatin e tyre. Të mos i lëmë fëmijët tanë vetëm, të mos i lëmë studentët vetëm. Protesta e tyre është e sinqertë ndaj dhe unë dua sot që që ti drejtoj një ftesë të gjithë qytetarëve të bashkohen me protestën e studentëve. Ne mbështesim plotësisht 8 pikat e tyre dhe kërkojmë realizimin e tyre ndërkohë vetë PD ka 3 vite që kërkon shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë i cili është burimi i krizës dhe degjenerimit të arsimit.

Natyrisht ky ligj nuk është e keqja e vetme e Shqipërisë. Janë ata që bënë këtë ligj për të vjedhur dhe zhvatur xhepat e prindërve të studentëve sepse nga njëra anë shqiptarët paguajnë taksa por me këto taksa në vend që të bëhen konviktet, në vend që të bëhen biblioteka, auditore, në vend që të financohet cilësia e mësimdhënies financohet fasdat e luksit, financohen zyrat e ministres, kryeministria.
Vetëm me aq para sa ka hedhur tek kryeministria dhe godina e Lindita Nikollës, do të mjaftonin për të financuar shumë shkolla apo auditore, biblioteka, etj. Rama financon më shumë për luksin e vetë seç financon për kopshtet dhe shkollat e shqiptarëve. Vetëm kolltuqet e Ramës dhe lindita Nikollës bëjnë më shumë se sa pajisjet e domosdoshme për konviktet e studentëve.
Ndaj ftesa ime sot tek unaza është ndaj çdo shqiptari: Solidarizim ndaj studentëve dhe t’u bashkohemi masivisht protestës së tyre për tu treguar së pari atyre dhe së dyti Ramës së nuk i lëmë vetëm, se së bashku me ata jemi më të fortë sesa tinëzia, makutëria, propaganda e tij mashtruese. Kjo është ftesa që ka sot nga Unaza e Re bashkë me përshëndetjen e banorëve të Unazës së Re që pavarësisht prej halleve të tyre që skanë mbaruar, jo vetëm që kanë qendruar por qendrojnë ditë për ditë këtu dhe i janë bashkuar protestës së studentëve. Është koha që gjithë shqiptarët ta bëjnë këtë.
Pyetje: Zoti Basha, përveç deklarimeve dhe prezencës tuaj në protestën e banorëve të Unazës së Re dhe pas skandalit, a ka nisur PD një padi në prokurori për këto skandale?
Basha: Kërkesa e banorëve ishte t’i ndihmonin për padinë që ata do të çonin në prokurori. Pra ka një padi në prokurori dhe padyshim që PD me eskpertët e saj ka ndihmuar banorët në këtë padi por PD ka paralajëruar që prej vitit të kaluar se vendosja e Arta Markut në krye të prokurorisë nga Rama u bë pikërisht të mbulojë afera të tilla korruptive.

E kuptoni se çfarë ka ndodhur apo jo. Ka vendosur një garanci të vjedhë pa i hyrë gjemb në këmbë. Por planin ia kanë prishur studentët, ia kanë prishur banorët e unazës së re, ia kanë prishur rehatinë, ndaj është vërsulur me propagandë, shpifje, mashtrime, përçarje, abuzime, me sjelljen e një hajduti psiqik që do me çdo kush të mbulojë vjedhjen e tij. Por nuk ka për t’ia dalë dot.
Pyetje: A ka projekte të tjera që ju i konsideroni korruptive?
Basha: Çdo projekt i Autoritetit Rrugor Shqiptar, që nga Afrim Qendro që komandohet nga Rama, shikoni se çfarë ndodh; të gjitha tenderat fitohen në kushte dyshimta, afër çmimit tavan, në shumicën e rasteve në konkurecë fallso si këtu, me kompani që njëra tërhiqet për të lejuar që ta marrë ajo që ka caktuar Rama. Ndërkohë që Rama ka përfshirë ARRSH-në dhe institucionet shqetërore në skemën më të madhe korruptive në Ballkan të projektit të PPP-ve një miliardë euro që tani ka shkuar në 2.2 miliardë euro. Kjo është një skemë e hapur vjedhjeje.
Edi Rama me 5 oligarkë po vjedhin taksat e shqiptarëve ndërsa këtu tek Unaza ka edhe një aferë tjetër me të cilën ne po merremi me shqyrtimin e dokumenteve që tregon se plani urbanistiK ka ndryshuar këtu për të favorizuar krimin e organizuar që do të ndërtojë pallate shumëkatëshe. Menjëherë pasi të kemi analizën e plotë dhe disa dokumente shtesë do t’i bëjmë publike.
Afera e aferave është që ne sot kemi nëj qeveri grabitqare e cila nuk ka asnjë politikë, dhe politika e vetme e tyre është vjedhja dhe përsos kësaj cinizmi dhe tallja.

Ka 11 ditë që tallet me studentët, ka 6 javë që tallet me banorët dhe ka ardhur koha që shqiptarët ta kuptojnë se ka ardhur koha që e vetmja mundësi për ti dhënë fund kësaj situate është bashkimi dhe qendresa në një protestë kombëtare pa pushim.
Pyetje: Në këto kushte të vendit a mund të kemi një skenar për zgjedhje të parakohshme?
Basha: Dua tu bëj të qartë se ne jemi në krah të banorëve dhe për zgjidhjen e problemeve të tyre. Ne mbështesim totalisht protestën e studentëve dhe kërkojmë zgjidhjen e halleve të tyre. Nuk ka opozita asnjë nevojë të instrumentalizojë këto protesta për qëllimet apo objektivat e veta politike. Jam i bindur që Rama duhet të largohet një orë e më parë. Pa largimin e tij Shqipëria do të vazhdojë të zhytet në mjerim ekonomik dhe padrejtësi. Padyshim që largimi i tij nuk është zgjidhja por është atëhere kur shqiptarët të kenë mundëis të zgjedhin me votë dhe të delegojnë përgjegjësinë e qeverisjes tek një qeveri e ndershme, transparente dhe që u shërben atyre dhe jo xhepave të vetë.
Nuk kam ndërmend të flas nga Unaza për programin dhe strategjinë e PD, sepse do të ishte e pandershme në raport me praninë time këtu. Por opozita dhe aleatët janë në faz ëtë avancuar të formulimit të zgjidhjeve politike afatgjata, por tani është koha për të qendruar në krah të këtyre banorëve, në krah të studentëve dhe për tu bërë thirrje qytetarëve të bashkohen me studentët dhe të mos lënë Edi Ramën që protesta studentore që nisi për padrejtësitë në arsim, por që vrau frikën, apatinë dhe u hapi sytë shqiptarëve ta mbysë apo më keq ta përdorte siç do të përdorte Emiljano Shullazin për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës.

Banorët e Unazës së Re: Poshtë qeveria hajdute, nuk dalim nga banesat

Pavarësisht reshjeve të shiut banorët e Unazës së Re kanë dalë sërish mbrëmjen e sotme në protestë, ku kërkojnë anulimin e projektit, i cili rezultoi se ishte një vjedhje e hapur. Banorët u shprehën se nuk tërhiqen nga mbrojtja e banesave të tyre.
“Qeveri Hajdute” dhe “Poshtë projekti’, ishin disa nga thirrjet e banorëve të Unazës së Re. Ndërkohë që në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe kreu i PD, Lulzim Basha si dhe deputetët e opozitës.
Basha u ka bërë apel gjithë shqiptarëve që të dalin në protestë dhe të mbështesin studentët në kauzën e tyre. “U bënë 6 javë që banorët protestojnë për shtëpitë e tyre. U bënë dy javë që ëshntë zbuluar se ashtu siç denoncuam ne që prej ditës së parë, ky nuk është një projekt zhvillimi por një projekt vjedhjeje. Në këtë projekt vjedhjeje është përfshirë drejtëpërdrejtë Edi Rama dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse nuk ka përgjigje.
Afrim Qendro është masha e Edi Ramës dhe përmes tij është zbuluar një aferë ndërkombëtare e pastrimit të parave të pista me hapjen e kompanisë në SHBA me falsifikim të letrave zyrtare. Nuk ka përgjigje sepse Edi Rama që është planifikuesi, ideatori dhe përfituesi i vjeshjes tek Unaza, kontrollon totalisht prokurorinë. Pra ka rënë drejtësia. Banorët e dinë këtë, por ata kanë qendruar në ditët më të vështirë dhe ne kemi qendruar krah tyre edhe kur ndaj tyre ushtruan dhunë ne ishim këtu me ta dhe i sprapsëm dhe qendresa e tyre e bashkuar nxorri të vërtetën në pah.
Sot e gjithë Shqipëria është ngritur në protestë, nga ajo më madhështorja kryengritja e studentore, protesta e unazës, protësta tek Teatri, e biznesit të vogël për çmimin e naftës dhe të energjisë, janë shenja më e qartë e gjendjes së emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi”, u shpreh Basha.

Skandal me drejtësinë politike/ Kunati i Mimit do drejtojë Prokurorët në krye të KLP-së

Mbledhja e parë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë pritet të formalizojë zgjedhjen e kryetarit të saj, njeriun e paracaktuar që para shumë muajsh dhe që përfaqëson interesat e fondacionit Soros.
Gent Ibrahimi, konstitucionalist dhe ekspert i shumë projekteve të Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” është emri që pritet të drejtojë strukturën përgjegjëse për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, të prokurorëve të SPAK-ut, si edhe për emërimet, transferimet e penalizimeve të prokurorëve të Republikës.
Pak orë pasi disa prokurorë u zgjodhën si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorë, në adresë të tyre kanë mbërritur sinjalet nga persona të rëndësishëm të maxhorancës socialiste që duhet të votojnë kandidaturën e Gent Ibrahimit për pozicionin e kryetarit të KLP.
Këto “sinjale” në favor të Gent Ibrahimit shoqërohen me termin se “është njeriu i Ambasadës Amerikane”, kjo për faktin se bashkëshortja e tij është një prej këshilltareve të misionit OPDAT.
Ibrahimi ka nisur karrierën e tij si jurist në fondacionin Soros dhe shërbeu si Ekspert i Nivelit të Lartë gjatë hartimit të Reformës në Drejtësi, nën siglën e grupit të multimiliarderit Xhorxh Soros. Gjithashtu, ai ka lidhje të ngushta familjare me një eksponente të rëndësishme të Partisë Socialiste, ish-ministren e Mbrojtjes dhe sot deputeten Mimi Kodheli.
Gent Ibrahimi u zgodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë disa muaj më parë, së bashku me 4 të tjerë, si pjesë e shoqërisë civile. Ai tashmë është në pritje për të marrë zyrtarisht drejtimin e KLP-së, një përzgjedhje e cila është diskutuar prej shumë muajsh në ambjentet politike dhe juridike.

Mbledhja e parë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë është parashikuar të zhvillohet paraditen e së Hënës, 17 Dhjetor, pavarësisht se është ende e paqartë se në cilin ambjent do të zhvillohet. Në një takim të zhvilluar paraditen e së Enjtes nga EURALIUS dhe OPDAT, me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqësuesi i qeverisë, zv.ministri i Drejtësisë Toni Gogu, deklaroi se ende nuk është përcaktuar një godinë se ku do të ushtrojnë funksionet dy strukturat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë.
KLP përbëhet nga 11 anëtarë, 5 prej të cilëve përfaqësues të avokatisë, pedagogjisë e shoqërisë civile, ndërsa 6 vijnë nga radhët e prokurorëve. Më herët këtë javë, Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhi 6 anëtarë, të cilët i bashkohen 5 të tjerëve, të zgjedhur në Shkurt 2018 nga Parlamenti i Shqipërisë vetëm me votat e maxhorancës socialiste.
Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” parashikon se kryetari i KLP-së zgjidhet në mbledhjen e parë konsituuese, me votim të thjeshtë nga anëtarët jo-prokurorë. Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka kompetenca të gjera për organizimin dhe funksionimin e institucionit.
Ndryshimet Kushtetuese, në kuadër të Reformës në Drejtësi, parashikuan ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë si institucioni që do të trajtojë karrierën e prokurorëve. Reforma në Drejtësi u hartua sipas projektit të hartuar nga fondacioni Soros, nëpërmjet të cilit sistemi gjyqësor kalonte nën kontrollin e plotë të kryeministrit Edi Rama.
Gjithashtu, ka pasur akuza të forta se edhe ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, një prej mbështetësve më të fortë të këtij varianti të Reformës në Drejtësi, për lidhjet me fondacionin Soros. Diplomati Lu i ka mohuar këto zëra, por dokumenta të publikuar gjatë muajve të fundit kanë provuar lidhjet e forta ndërmjet ambasadorit, kryeministrit shqiptar dhe fondacionit Soros, të gjithë të angazhuar për miratimin e Reformës në Drejtësi.

“Boldnews.al”