39.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Dëmet që i shkaktoni trupit nëse pini alkool çdo ditë për një muaj

Konsumimi i rregullt i alkoolit ka ndikime të mëdha në shëndetin dhe trupin e njeriut.
Ndonëse shumë njerëz kënaqen nga shija freskuese e një birre, alkooli është ‘helm’.
Konsumimi afatgjatë i alkoolit sjell shumë rreziqe dhe dëme në trupin e njeriut.
Shkencëtarët më poshtë kanë treguar se çfarë i ndodhë trupit nëse konsumoni alkool çdo ditë radhazi për një muaj.
Zemra
Konsumimi i alkoolit shkakton shtypje të lartë të gjakut, rrahje të çrregullta të zemrës dhe, në raste ekstreme, vdekje të papritur si pasojë e mosfunksionimit të zemrës.
Shtimi i peshës
Alkooli ka shumë kalori dhe sasi të lartë të sheqerit. Dhe, nëse pini çdo ditë për një muaj, padyshim se kjo do të ketë ndikim në vijën tuaj të trupit.
Vlen të ceket se shtimi i tepërt i peshës shpie në diabet dhe shtypje të lartë të gjakut.
Shëndeti seksual
Dehja i rritë shanset për të bërë seks pa mbrojtje, e kjo shpie në shtatzëni të paplanifikuar ose në sëmundje të transmetueshme seksualisht.
Veshkat
Alkooli është diuretik, gjë e cila i nxitë veshkat të prodhojnë më shumë urinë. Kjo shpie në dehidratim dhe në nivele të rrezikshme të sasisë së vogël të kripës, kaliumit dhe mineraleve tjera.
Pankreasi
Vetëm një natë e shpenzuar duke pirë shumë alkool shpie në nivelet ë rrezikshme të niveleve të ulëta të sheqerit në gjak. Aq shumë saqë kjo shkakton presion në pankreas.
Mungesa e vitaminës B
Absorbimi i vitaminës B12 nga mishi, produktet e bulmetit dhe vezët mund të ndikohet nga alkooli, dhe shenjat e mungesës së kësaj vitamine përfshijnë lodhjen, problemet me frymëmarrje, dhimbjet e kokës, zverdhjen e lëkurës dhe dridhjet e zemrës.

Komisioni i Venecias rrëzon Ramën: Vetting në politikë!

Komisioni i Venecias i jep të drejtë opozitës shqiptare për vettingun në politikë. Ndryshimet janë miratuar nga komisioni. Sipas Venecias, qëllimi i amendamenteve të PD është legjitim, ndaj parlamenti duhet të dialogojë për mekanizmin si do bëhet vettingu.
Komisioni i Venecias ka bërë ndryshime në draft opinionin për Shqipërinë, duke saktësuar se shtetet kanë të drejtë të kufizojnë të drejtën për tu zgjedhur.
Sipas Komisionit të Venecias, në varësi të situatës politike, një kufizim për një rrethanë të caktuar, që mund të jetë i nevojshëm për një shtet, mund të mos aplikohet për një shtet tjetër.
Amendamentet janë miratuar pa kundërshtime.
Komisioni i Venecias i hapi rrugë vettingut në politike duke aprovuar opinionin për Shqipërinë.

Si Rama kërkoi të braktisë emisionin pas përballjes me pedagogun Marku: ‘’Ika unë Fevzo”!…

Kryeministri Edi Rama dhe pedagogu Mark Marku kanë pasur dje një përbalje të fortë në emisionin e gazetarit Blendi Fevziu teksa flitej për studentët dhe protestën e tyre.
Pika më e nxehtë e debatit mes të dyve ishte pas përballjes së Ramës me një student që kishte problem me shikimin, dhe kryeministri i dha atij shkopin e Fevziut në mënyrë që ta godiste në rast se nuk mbante premtimet.
Pas kësaj Marku kërkoi fjalën në studio, duke deklaruar se protestonte ndaj kësaj parodie të kryeministrit me studentin me aftësi të kufizuar.
Ai tha se kjo është gjëja më e ulët dhe më e ndyrë që një kryeministër bën me një njeri që shkon aty për t’iu zgjidhur një problem.
“Kjo është një fyerje e madhe njerëzore që po bëhet aty. Ju lutem mos bëni shfaqje”,- tha Marku.
Po kjo duket se acaroi Ramën., i cili i tha Fevziut se do të largohej nga emisioni në rast se Marku nuk kërkonte falje, çka detyroi pedagogun që ta bënte, në mënyrë që kryeministri i vendit të qetësohej dhe të ulej në karrigen e tij.

Basha: Urime Kosovë për Ushtrinë! Kombi shqiptar i integruar e më i fortë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përshëndet krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ Basha uron Kosovën për krijimin e Ushtrisë. Basha thekson se tashmë Kosova duhet të jetë më e sigurt, rajoni më në paqe, kombi shqiptar i integruar dhe më i fortë.
“Urime Kosovë për Ushtrinë!
Pas Pavarësisë, ngjarja e dytë e përmasave kombëtare dhe historike. Me Ushtrinë e saj Kosova do të jetë më e sigurt, rajoni më në paqe, kombi shqiptar i integruar dhe më i fortë.
Nderim të rënëve për liri, mirënjohje miqve të mëdhenj që na mbështetën!”, shkruan Basha.

Historike! Kosova bëhet me ushtri pas 10 vitesh pavarësi

Në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të dytë Projektligjin për transformimin e Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes
Me 106 vota pro dhe asnjë kundër dhe një abstenim është votuar Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes.
Ky është Projektligji i parë nga pakoja e projektligjeve që e bëjnë Kosovën me ushtri. Tri projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri kanë kaluar në lexim të parë në Kuvend gjatë muajit tetor.
Kosova tashmë ka ushtrinë e saj. 10 vite pas shpalljes së pavarësisë së saj Kuvendi i Kosovës ka votuar për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Ky vendim i Kosovës kishte mbështetjen e SHBA-së, por kundër ishin NATO dhe disa vende të Bashkimit Europian, që e kanë konsideruar si një veprim të nxituar.

Studentët, të vendosur për të vijuar rezistencën e tyre për plotësimin e 8 kërkesave

Studentët vijojnë rezistencë para kryeministrisë. Sot protesta e studentëve hyn në ditën e 10. Disa prej tyre nuk i janë ndarë për asnjë moment protestës duke e gdhirë tërë natën në të ftohtë e shi para Kryeministrisë.
Siç kishin paralajmëruar, studentët u mblodhën sërish në Fakultetet e tyre për të marshuar më pas drejt godinës së kryeministrisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Me thirrjet: “Ejani mblidhuni këtu! Nuk na ndal bora, nuk na ndal shiu, jemi rracë e fortë jemi frymë veriu!”, studentët shprehen të vendosur për të vijuar rezistencën e tyre për plotësimin e 8 kërkesave.
Moti i keq dhe me shi nuk i favorizon shumë megjithatë ata vijojnë të qëndrojnë para kryeministrisë edhe pse në orën 10: 45 nuk janë të shumtë aq sa ditët e tjera.

Qytetarët shpërthejnë ndaj Ramës: Po na tremb fëmijët, mos e pranoni atë delenxhi në panele

Mbështetja e qytetarëve për studentët sa vjen dherritet. Në emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar” në News24, qytetarët kanë shprehur indinjatën e tyre për çështjen e studentëve.
Ndërkohë ka pasur dhe qytetarë që kanë folur për Unazën e Re. Një prej tyre tha se banesat do prisheshin për të bërë pallate dhe se faji nuk është i firmës por i shtetit, duke përmendur ministrin dhe ARRSH si institucion.
Telefonues 1: A tallet me popullin, tallet me studentët. Kryeministri tallej me atë të verbrin, i thoshte nëse s’ta plotësoj më bjer me atë shkopin kokës. Jam pensioniste, jetoj me 100 mijë lekë, çfarë do bëj më para. Bravo i qoftë atyre djemve të nënave, t’i shkojnë deri në fund.
Telefonues 2: Jam një qytetar nga Vlora, invalid, është miratuar statusi i naftëtarit. Kemi marrë kartonët dhe po i mbajmë aty. Nuk kemi asnjë përgjigje. Të paktën të na thonë një përgjigje, po ose jo.
Telefonues 3: Zoti Edi Rama thotë ka 3 vjet që nuk ka prurë 50 mijë lekëshin për nënat e reja. Dëgjova përfaqësuesin gjerman që tha nafta është më e shtrenjtë këtu, pse nuk ngrihet ky popull.
Telefonues 4: Ne jemi me studentët dhe i mbështesim fort. Tallet me banorët e Unazës së Re, Astiri me bojë, tallet me ata që protestojnë për naftën. Nga doli ky kryeministër, kush është ky. Edhe ta kishin nxjerrë nga kazani i plehrave do diltë më i mirë.
Është kthyer Unaza e Re në kazan plehrash. Ku kanë hequr pemët po hedhin plehrat.

Telefonues 5: Jam habitur mbrëmë me kryeministrin. Paneli shumë i dobët për t’iu përgjigjur atij delenxhiu. Tek Astiri ishin 194 banesa para projektit për t’i prishur. Tani janë 119 banesa. Këto banesa të tjera çfarë do i bënte, do i bënte pallate. Prish shtëpitë e fukarenjve e bëj grataçela. Kush mund ta besojë atë barbon. Si nuk e njeh drejtori i ARRSH kush fshihet pas asaj firme, si nuk e njeh Gjiknuri, si mund të gënjejë kaq hapur.
Mua s’më intereson kush fshihet pas saj, më intereson shteti. Ne shqiptarët nuk e kemi ndjenjën e revoltës, ndjenjën e përgjegjësisë personale. Sikur vetëm prindërit e atyre studentëve të shkonin. Ne shohim nga televizori. Njerëzit që janë pa bukë, jo ata që janë të lidhur. Dilni o qytetarë të Tiranës, s’keni kosto, jeni afër. Këta në pushtet janë kthyer në përbindësha. Kaq keq të bën pushteti?
Telefonues 6: Studentët i dhanë një leksion si politikës si shoqërisë dhe njëkohësisht i dhanë një faqe të bardhë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Studentët na kanë dhënë edhe ne që jemi mbi 18 vjeç një leksion. Mua nuk më ka shkuar kurrë në mend që studentët shqiptarë të ishin kaq të kulturuar dhe të protestonin në mënyrë kaq demokratike.
Telefonues 7: Do ishte në nderin tuaj si gazetarë të mos e pranonit atë kryeministër në panele. Po na tremben fëmijët. Do i bëj thirrje atij doktorit të madh, Petrelës që t’i bëjë një vizitë falas.

Studentët para Kryeministrisë edhe natën në shi

Rezistenca e studentëve ka vijuar pa ndërprerje edhe gjatë natës edhe pse temperaturat ishin shumë të ulëta e të shoqruara edhe me reshje shiu.
Një grup i vogël studentësh e kaluan natën përpara Kryeministrisë në shenjë proteste për tetë pikat.
Rikthimi i reshjeve të shiut nuk i ka penguar ata që të qëndrojnë në Bulevard gjatë gjithë natës me çadra dhe mushama mbi supe.
Megjithatë siç shihet edhe nga pamjet, numri i studentëve që ka qëndruar jashtë, ka qenë simbolik kjo për të treguar se revolta vazhdon dhe nuk ndërpritet për asnjë moment.
Studentët kanë paralajmëruar edhe sot protestë para Kryeministrisë. Mbledhja e studentëve ka nisur që në orën 08:30 pranë Fakulteteve respektive dhe në 10:00 do të jenë te Kryeministria.
Bashkimi Kombëtar Studentor bën thirje për protesta të qeta. “Për asnjë moment nuk duhet të përshkallëzohet protesta deri në një njoftim të dytë” thuhet në një postim në fb, teksa përjashtohen në mënyrë kategorike negociatat me Kryeministrin për 8 kërkesat e parashtruara prej tyre.

Marku: Je mashtrues, Rama: Mbaj gojën me mua…debati

Kryeministri Edi Rama ka qenë sonte përballë një paneli gazetarësh e analistësh, ku temë e debatit ka qenë protesta dhe kërkesat e studentëve.
“Studentët nuk negociojnë me ju se jeni mashtrues”, ju drejtua që në fillim të ndërhyrjes së tij, analisti dhe pedagogu Mark Marku.
Kjo irritoi kryeministrin Edi Rama, i cili pas minutash monologu, brenda skemës së tij, për të mos lënë të vazhdonte më tej pedagogun, bënte zhurmuesin, duke deklaruar, në mënyrë të përsëritur, “,os më thuaj mua mashtrues…”.
Debati
Mark Marku: Studentët nuk negociojnë me ju se jeni mashtrues
Edi Rama: Mos më thuaj mua mashtrues.
Mark Marku: Nëse në një universitet publik, ti heq fondet, si mundet…
Edi Rama: Cilin fond?
Mark Marku: S’keni fond për pagat, 9 muaj paguan pagat. Ja pra pse s’duhet negociuar, sepse studentët e dinë këtë që nuk duhet negociuar me ata që nuk negociojnë vetëm mashtrojnë.

Edi Rama: Mbaj gojën, sepse jam këtu prezent, fjalën mashtrim përdore kur të mos jem unë këtu.
Mark Marku: Çfarë fjalë duhet të përdor?
Edi Rama: Përdor çfarë të duash. Fjalën mashtrim mos e përdor më.
Mark Marku: Mirë e lemë, që bëjnë propagandë gjithë kohës.
Edi Rama: Propaganda është opinion, mund ta thuash, është problemi yt. Ke opinionin tënd, thuaje. Ti fjalën mashtrim këtu në syrin tim nuk e thua.
Mark Marku: Mashtron more qeveria. E them dhe po ta thonë ata gjithë ditën.
Edi Rama: Jo nuk ma thua mua.
Mark Marku: Unë po ia them qeverisë time, ti je kryeministri këtu.
Edi Rama: Jo, unë nuk jam ti, jam ju sepse nuk ta kam dhënë këtë mundësinë që të flasësh me ti.
Mark Marku: Po të them, ti dhe qeveria ime jeni mashtrues. Keni hequr fondet e pagave për petagogët, keni 9 muaj pa na kaluar pagat. Keni deklaruar sedo e bëni buxhetin e arsimit 5 për qind, Karta jeshile e studentit, e premtuar, nuk përmendet më
Rama: Mos e thuaj atë tjetrën
Marku: Je qesharak

Lubonja: Studentët të rrëzojnë regjimin e oligarkisë, çfarë duhet të ndodhë që të mos dështojnë

Analisti Lubonja i ka bërë thirrje studentëve se duhet të rrëzojnë regjimin oligarkik që është instaluar ku të gjithë punojnë për një pakicë dhe jo të mjaftohen me disa kërkesa minimaliste.
Lubonja tha se ato kërkesa të studentëve mund të plotësohen, por nuk do të sjellin asgjë positive për shoqërinë pasi paratë që do të merren për të përmbushur kërkesat e tyre mund të vijnë nga oligarkët dhe më pas Rama do t’ua kthejë ato para përmes taksave të rritura shqiptarëve.
Regjim e ka quajtur analisti Fatos Lubonja, lidhjen e kryeminsitrit me biznese të caktuara, të akuzuara për afera korruptive në bashkëpunim me qeverinë Rama.
Në emisionin Të paekspozuarit, analisti Lubonja, thotë se ajo që ne kemi quajtur deri tani Oligarki, ka shkuar një hap më përpara duke u kthyer në regjim fashistoid.
Këtë kalim sipas Lubonjës, vjen për shkak edhe të përdorimit të dhunës.

“Regjimi perdoret ateherë kur në një farë mënyrë ai që mund të quhet sistem, degjeneron në dhunë dhe autoritarizëm dhe atëherë themi regjim në një sens pezhorativ, sic e themi regjimi komunist, fashist etj. Artikulli synon të sqarojë ccfarë është ky sistem, demokratik apo është një regjim?
A po shkon drejt një regjimi? Ajo që ne e kemi quajtur oligarki, degjeneron kur shkon në hapa të mëtejshëm kur fillon të përdorë dhunën, degjeneron në një regjim fashistoid, është një kombinim i pushtetit financiar plus forca shtrënguese të pushtetit.
Tek kombinimi Rama Ulaj unë shoh pikërisht këtë regjim.
Referuar të gjitha përfitimeve që ka marrë Ulaj, është rasti tipik, dhe nuk është vetëm ai, ku ne shohim një dejgenerim të sistemit, në fashistoid”, thotë Lubonja.
Analisti thekson se këto probleme të oligarkisë kanë ekzistuar edhe në qeverisjet e mëparshme por në qeverisjen aktuale të Ramës është bërë akute më e rrezikshme sepse gjithçka është përqëndruar në pak duar. Duke komentuar rastin e fundit të aferës korruptive me unazën e re, Lubonja i bën thirrje prokurorsë të hetojë me urgjencë këtë cështje.