16.5 C
Tirana
E martë, 13 Maj, 2025

Aksident tragjik/ 3 të vdekur, plagoset ambasadorja e Turqisë

Tre persona kanë ndërruar jetë dhe katër të tjerë janë plagosur, si pasojë e një aksidenti ku është përfshirë edhe eskorta e ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florije Ahmeti.
“Në ora 18:25 kemi pranuar informatën nga QKUK, se ka ndërruar jetë një nga personat e lënduar ne aksidentin qe ndodhi sonte ne fshatin Mramor”, shkruan Gazeta Express, ndërsa më pas është konfirmuar se numri i viktimave ka shkuar në 3 persona, ndërsa 4 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Mësohet se aksidenti tragjik ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Gjilan, konkretisht në fshatin Mramor, ndërsa mes të plagosurve është edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.
Nga të njëjtat burime bëhet e ditur se edhe ambasadorja ka marrë lëndime trupore dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Dash Shehi i bashkohet protestës: Rama kërkon të shypë deri në fund shqiptarët dhe t’i vërë kundër njëri-tjetrit

Deputeti Dashamir Shehi së bashku me deputetë të tjerë opozitarë i është bashkuar protestës që po zhvillojnë banorët e Unazës së Re prej dy javësh në mbrojtje të banesave të tyre.
Shehu i ka ftuar banorët të rezistojnë pasi janë në të drejtën e tyre, ndërsa ka shtuar se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj “duhet të mbajë gojën”.
Sipas tij, kryeministri Rama kërkon të shypë deri në fund shqiptarët dhe t’i vërë kundër njëri-tjetrit pasi ka “100 mënyra për t’i dëmshpërblyer këta banorë”.
“Mirëmbrëma gjithë zotërinjvë, duhet ta përmend fjalën ‘zotërinj’se këta janë zot të shtëpive të tyre në Tiranë, Tirana nuk është e Erjonit, i kanë ndërtuar me djersën e tyre. Jemi të gjithë për rrugët se këta janë njerëz me arsye, por rrugët duhen dëmshpërblyer.
Në këto 1.4 miliardë koncensione që ka ndarë Edi Rama nuk paska nja 14 milionë për këta, plus që ka shumë mënyra për dëmshpërblim.
Por ky njeri do t’i dhunojë deri në fund shqiptarët, praktikisht është kthyer Enver Hoxha. Shtëpitë janë atje prej vitesh dhe të llogaritet dëmshpërblimi. Ka 100 mënyra ër të dëmshpërblyer, janë në të drejtën e plotë këta banorë, janë qytetarë si gjithë ne, jemi bashkëqytetarë, bashkëhallexhinj në hallin e përbashkët, duam njësoj që ky vend të zhvillohet. Le të heqë një nga ato koncensionet dhe mbaron kjo punë. Unë ju ftoj të rezistoni, jeni në të drejtën tuaj, ne do t’ju mbështesim, nëse dikush ka edhe luks edhe tangërllik, që t’ju quaj me një emër ofendues, unë them këtu se jemi të gjithë njësoj, nga ne më të vjetrit fare deri tek i fundit fare, ai të mbajë gojën…”, tha ndër të tjera Dash Shehi.
“Përtej shtëpisë nuk ka çfarë të na marrë më shumë, shpirtin? Nuk duam të shfrytëzojmë për vota çështjen tuaj se nuk është çështja e 50 votave por qytetarët të shihen me solidaritet, ky njeri po na ndan, po na vë kundër njëri-tjetrit”, shtoi ai.

“Shtëpitë do t’i mbrojmë me gjak”, protestuesit në revoltë kundër qeverisë

Protestuesit të revoltuar kanë deklaruar se shtëpitë do ti mbrojnë me gjak dhe se nuk do të tërhiqen nga protesta.
Për ditën e 13-të me radhë vijon protesta e banorëve të zonës së ‘Astirit’ në Tiranë. Ata kanë bllokuar rrugën edhe sonte, duke kërkuar dëmshpërblim nga qeveria me vlerën e tregut për shtëpitë e tyre që do të prishen në kuadër të zbatimit të projektit të Unazës së Re. Në mbështetje të banorëve kanë shkuar edhe deputetë të opozitës. Një ditë më parë protestuasit ishin edhe para zyrës së kryebashkiakut Erion Veliaj. Gjatë protestës ata bënë thirrrje kundër qeverisë dhe kundër kryebashkiakut.
Banorët e Unazës së Re i kanë bërë thirrje kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj që të shkojë t’i takojë dhe të gjejnë zgjidhje, në të kundërt ata do të futen në grevë urie.
Banorët kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për shtëpitë dhe bizneset e tyre, të cilat qeveria dhe bashkia kërkon t’i prishë.
Banorët e Unazës së re kanë protestuar sërish sonte duke kërkuar dëmshpërblim për banesat që qeveria kërkon tu prishë për shkak të projektit për zgjerimin e rrugëve.
Nën thirrjet, ‘Qeveri hajdute’ dhe ‘Shtëpitë tona do t’i mbrojmë me gjak”, me qindra protestues kanë bllokuar rrugën në Unazën e madhe. Protestës i janë bashkuar edhe deputetë të opozitës.

7 të plagosur në aksidentin e Prrenjasit, si u përmbys autobusi me gjimnazistë nga Roskoveci

Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në dalje të Qafë Thanës, në aksin Pogradec-Prrenjas. Bëhet e ditur se një autobus me gjimnazistë nga Roskoveci është përmbysur duke rënë afër greminës e për pasojë kanë pësuar lëndime e janë plagosur disa prej tyre.
Ndërkohë një prej personave që ndodhej pranë autobusit ka njoftuar policinë e Pogradecit dhe të Prrenjasit por asnjë prej komisariateve nuk e ka marrë përsipër duke ia lënë përgjegjësinë palës tjetër.
Sipas telefonuesit, vetëm një ambulancë ka shkuar në vendin e aksidentit, ndërkohë që kanë qenë rreth 17 persona të plagosur apo me lëndime.
Policia e Librazhdit ka dhënë detaje e para pas aksidentit të ndodhur pasditen e sotme në Qafë Thanë. Sipas Policisë, një autobus me gjimnazistë të një shkolle në Roskovec ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë plagosur 7 nxënës të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Prrenjasit.
Njoftimi i policisë
Më datë 16.11.2018, rreth orës 17:00, në Qaf Thanë, Autobusi me targe AA 723 OP me drejtues shtetasin L. H, duke udhëtuar nga Korça në drejtim të Fierit, ku në këtë autobus udhëtonin nxënës të një shkolle të Roskovecit, për shkak të kushteve të këqija atmosferike dhe nga pakujdesi e drejtuesit te mjetit ka dale nga rruga ku për pasojë u lënduan lehtë shtetasit: L. V., 17 vjeçe, E. D., 15 vjeç, N. H., 17 vjeçe, B. Q., 18 vjeç, J. G., 17 vjeç, D. V., 17 vjeç, M. V., të cilët pas kontrollit mjekësor dhe marrjes së ndihmës së parë, janë në pritje të autobusit tjetër për tu larguar për në banesat e tyre.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkakut të aksidentit.

Shqiptarët me pensionet më të ulëta në Rajon

Partia Demokratike e ka konsideruar buxhetin e vitit 2019 si buxhetin më antisocial. Grida Duma, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, tha se ‘Buxheti antisocial 2019 godet profesionistët me taksim gjobitës në paga, godet më të varfrit në ndihmën ekonomike dhe në pagën minimale, mohon borxhin historik të të përndjekurve politikë dhe favorizon një pakicë shërbyesish të pushtetit.”
Buxheti i Rilindjes nga viti në vit ka vetëm një synim, godet profesionistët me taksim gjobitës në paga, godet më të varfrit në ndihmën ekonomike dhe në pagën minimale mohon borxhin historik të të përndjekurve politikë dhe favorizon një pakicë që nuk janë më të fortët, por shërbyesit e pushtetit.
Varfëria në Shqipëri nuk është më varfëri ekonomike, është plakje popullsie dhe shkretëtim i kapitalit human dhe burimor.
Me këtë buxhet rilindas që, vit pas viti e shet Shqipërinë në koncensione për tre dekadat e ardhshme, arratia e të aftëve, e profesionistëve, e krahut më vital të punës është varrosja e mirëqenies dhe zhvillimit.
NDIHMA EKONOMIKE
Buxheti i Rilindjes godet më të pamundurit në Shqipëri, ata që jetojnë pa asnjë të ardhur dhe që nuk u është dhënë asnjë mundësi për të punuar. Vetëm në dy vite familjet në mjerim janë shtuar me 50 mijë.
Jemi në vitin e dytë të të ashtuquajturës “Reformë e Ndihmës Ekonomike” dhe mbahen të fshehura pikët e përcaktimit dhe përllogaritjes së varfërisë.

Nga 103 mijë para 5 vitesh, sot përftojnë afërsisht 80 mijë dhe pjesa tjetër mbahet varur çdo muaj nën presionin dhe iluzionin se do t’i mëshirojnë ose do t’i përdorin si peng vote.
Jemi në vitin e gjashtë të buxhetimit rilindas dhe duket sikur shqiptarët s’kanë qënë të gjallë, por të vdekur në shifra, se çdo vit e njëjta shifër fikse për varfërinë. 6 vite rradhazi po e njëJta shifër asnjë rritje dhe asnjë zbritje. Sipas rilindjes në 6 vite asnjë nuk u bë as më pak i varfër, as më më shumë i varfër.
Kur këto familje abandonohen, siç po ndodh, janë po xhepat shqiptarëve që do ta paguajnë me shtrenjtë e shumëfish braktisjen e tyre. Ky nuk është kursim, por shpenzim edhe më i madh. Sepse varfëria deri në mbijetesë do të prodhojë krimin dhe krimi mbajtjen e burgjeve e gjykatave e kostove të ndëshkimit. Varfëria e 50 mijë familjeve të braktisura do të kushtojë jo vetëm jetët e tyre, por edhe shumëfish nga taksat e shqiptarëve.
PAGA MINIMALE
Paga minimale parashikohet të rritet me 10 mijë lekë, në një kohë kur shtrenjtimi i jetës kërkon një rritje minimale me 40 mijë lekë në muaj për të përballuar rritjen e çmimeve. Ashtu si është paraqitur nga Konfederata e Sindikatave, rritja e pagës minimale duhet të ishte 280 mijë lekë në muaj, nga 240 mijë që është aktualisht.

PENSIONET
Në buxhetin 2019 deklarohet se pensionet do të indeksohen sipas inflacionit, pra maksimumi rritja vjetore do të jetë 2%. Gjatë këtyre pesë viteve, pensionet janë indeksuar si breshka me nga 2 %, ndërsa çmimet dhe faturat e pensionistëve janë rritur deri në 42%.
Një pensionist që sot paguan bukën 10% më shtrenjtë, ushqimet bazike deri në 35 % më shtrenjtë, ujin 40% më shtrenjtë, energjinë 23% më shtrenjtë dhe i është shtuar edhe taksa e pronës, e për ironi në disa Bashki paguan edhe taksë arsimi, me 2 përqind të indeksimit të pensionit, nuk mund të përballojë rritjen mbi 42% të shpenzimeve të jetesës.
Pensionistët duhet ta dinë se as këtë indeksim minimal nuk do ta marrin që nga 1 janri, por vetëm dy muaj para zgjedhjeve.
Shqipëria renditet e fundit në rajon sa i përket vlerës mesatare të pensionit ( rreth 98 euro), në një kohë kur Maqedonia e ka rreth 191 euro dhe Bosnja rreth 179 euro.
TË PËRNDJEKURIT POLITIKË
Përgjatë një viti beteja e përfaqësuesve të të përndjekurve politikë u përcoll me premtime nga qeveria se “askush nuk do të mbetej pa paguar, sidomos trashëgimtarët e parë”.
Buxheti i 2019 i përgjysmon fondet për shtresën e ish të përndjekurve politikë nga 20 milion dollarë në 10 milionë dollarë. Me këtë ritëm do të duhen 3 dekada për të shlyer faturën financiare ndaj kësaj shtrese të përvuajtur në histori.

ALTERNATIVA E PD
Shqipëria po përballet me sfidën më të madhe të 30 viteve të fundit, shkretimin plakjen e popullsisë së vet nga shterimi i njerëzve më aktive më vitale për ekonominë e vendit. Kjo sepse rilindja ka vetëm një mision, të pasurojë një pakicë shërbyesish duke shteruar shumicën që e vjel.
Programi ynë që nis me taksimin e sheshtë, jep zgjidhje çlirimit të ekonomisë dhe uljes së informalitetit, i jep zgjidhje motivimit të profesionistëve dhe mosavantazhimit të pakicës në kurriz shumicës.
Masat që Partia Demokratike do të marrë për ndalimin e koncensioneve që e kanë shitur të ardhmen e vendit duke i kthyer ato në mbështetje të të pamundurve; ku cdo familje në nevojë do të marë ndihmë ekonomike dhe paga minimale do të pasqyrojë shtrenjtimin e jetës.
Aplikimi i një vizioni ekonomik të thjeshtë e transparent duke ndalur koncensionimin e Shqipërisë duke e kaluar atë në investime për të ndërtuar shanset e barabarta për arsim dhe kujdes shëndetësor është zgjidhja e vetme e domosdoshme dhe e menjëhershme për të ndaluar shkretimin e Shqipërisë në mundësi dhe në njerëz.

Myftiu i Shkodrës jep alarmin: Krimi po mban peng qytetin

Nga fjala e tij në inaugurimin e xhamisë tek Ura e Vjetër e Bunës, Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari, u ndal tek krimi që ka goditur Shkodrën këtë periudhë.
Ai tha se krimi, fajdet dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen e qytetit. Sipas myftiut, kjo nuk është rruga që i shërben vendit.
Fjala e plotë:
Një thirrje të ngjashme bëri dy muaj më parë edhe meshtari i Shkodrës, Dom Artur Jaku. Duke iu drejtuar kriminelëve, Jaku tha se ata mund t’i shpëtojnë policisë, mund t’i shpëtojnë drejtësisë por nuk kanë për t’i shpëtuar një gjykimi më të madh, atij të Zotit, i cili nuk fal marrjen e një jete.
“Sot nuk e kam një apel për qeverinë sepse ajo do të gjykohet ditën e zgjedhjeve, por e kam për ata që vrasin, marrin një jetë. Mos harroni ju mund t’i shpëtoni policisë, drejtësisë, mund të jeni të lirë pas një krimi, por mos harroni se ka një Zot që nuk fal marrjen e një jete”,- u shpreh ai.
Në 5 muajt e fundit, në Shkodër janë shënuar 7 vrasje, 6 prej të cilave të tipit mafioz, autorët e të cilave nuk dihen. Dy persona rezultojnë ende të zhdukur prej muajsh në rrethana misterioze për të cilët mendohet më e keqja.

Juncker, në konferencë shtypi me këpucë të ndryshme

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i njohur për historitë e tij me alkolin, është bërë sërish lajm në mediat ndërkombëtare.
Ketë herë presidenti i Komisionit Europian është konstatuar nga njëra nga asistentet e tij e cila i thotë kishte veshur këpucë që ishin në ngjyra të ndryshme.
Ai mban në konferencë shtypi një këpucë të zezë dhe një ngjyrë kafe.
uncker, disa kohë më parë u shfaq i dehur në samitin e NATO-s. Udhëheqësi i BE-së u pa të pengohej dhe të humbiste balancën e tij disa herë përpara një darke gala.

VIDEO/ Juncker ‘lë nam’ sërish, në konferencë shtypi me këpucë të ndryshme

Në gjendje të rëndë në spital, kush është pronari i lokalit ku shpërtheu tritoli në Elbasan

Pronari i një lokali në Elbasan, Albert Alterziu, po lufton për jetën në gjendje të rëndë në spitalin e Elbasanit që nga orët e para të mëngjesit të sotëm.
32-vjeçarit i hodhën granatë kur sapo kishte hapur lokalin mëngjesin e sotëm, në lagjen Partizani. Me të ishte edhe nipi i tij, por ai nuk ka pësuar dëmtime.
Në kuadrin e hetimit që Policia ka nisur për zbulimin e autorit, zbulohet edhe e kaluara e errët e Alterziut: Në moshën 15-vjeçare ai ka vrarë moshatarin e tij Elton shuli. për vrasjen u dënua me 10 vite burg, por ai kreu 7 vite për shkak të moshës së mitur.
Në vitin 2013, Albert Alterziu është plagosur edhe më thikë gjatë një konflikti. Ai njihej si person problematik.
Ja ç’njoftoi paraprakisht Policia për ngjarjen që ndodhi sot:
Informacion paraprak
Në orët e para të mëngjesit në lagjen “Partizani”, Elbasan në ambjentet e një lokali është hedhur një granate dore e cila ka shpërthyer, dhe për pasojë është dëmtuar pronari i lokalit shtetasi A.A., rreth 32 vjeç, i cili ndodhej në lokal në ato momente.
I dëmtuari është transportuar në Spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e kapjen e autorit/ve.

Beyer: Merkel do të përveshë mëngët me Ballkanin Perëndimor, SHBA, shqetësim për ndarje të Kosovës

Deutsche Welle: Ju ishit në Beograd para pak kohësh dhe thatë se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa njohur Kosovën. E thatë vërtetë kështu, apo ju cituan gabim?
Peter Beyer: Kjo nuk është ndonjë gjë e re. Unë thashë se nuk mund të ketë anëtarësim në BE pa njohje të Kosovës. Për realizimin e kësaj ka disa modele, e di që nuk është e lehtë. Ka qenë një parakusht që u vu para se të nisnin bisedimet. Çdokush e kishte të qartë që në fillim. Prandaj më habit vala e madhe e reagimeve që erdhi pasi e thashë këtë.
Besoni se kjo do të ndodhë me të vërtetë?
Kjo nuk është çështje besimi, por është çështje se si mund të arrihen përparime thelbësore në procesin e dialogut me Serbisë dhe Kosovës dhe se si mund të përparohet në procesin e negaociatave të anëtarëisimit në BE. Jo më kot në negociata është futur edhe kapitulli 35. Në se duan seriozisht të hyjnë në BE, të dyja palët duhet të hyjnë në bisedime. Nuk është e lehtë, por kur ke një qëllim përpara, nganjëherë duhet dalë jashtë kuadrit zakonshëm.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha të hënën në Berlin se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet…
E kuptoj se përse zonja kryeministre Brnabiq, e thotë këtë. Është ende herët të flitet për format konkrete se si do të bëhet njohja. E di që kjo do të kërkojë edhe ndryshimin e kushtetutës nga ana e Serbisë. Prandaj edhe bëjmë mirë që ta kujtojmë herë pas here, se cilat janë kushtet e anëtarësimit në BE. Kjo ishte edhe arsyeja se përse unë e thashë në intervistën time me Tanjug-un, se përse dialgou midis Serbisë dhe Kosovës, përfshirë edhe njohja e Kosovës, është pjesë integrale shumë e rëndësishme e hapave që duhen bërë në rrugën drejt BE-së.

Në mediat serbe dialogu është shpallur që tani i vdekur. A do ta shihnit edhe ju kështu?
Jo, natyrisht. E shoh që nuk po bëhen përparimet thelbësore në këtë pikë. Kjo më shqetëson, por nuk mund të them se dialogu ka vdekur. Por unë apeloj tek të gjithë përgjegjësit, dhe këtu hyjnë jo vetëm pala serbe dhe pala kosovare, por edhe zonja Mogherini, që të mbledhin forcat e ta shohin me kujdes edhe njëherë rrugëtimin që kanë për të bërë bërë dhe ta vazhdojnë atë. Pra, nuk është kurrsesi i vdekur, ndoshta ka nevojë sërish për një impuls të ri, ky impuls ndoshta mund të vijë nga Gjermania. Këtë unë nuk e di, por detyra ime ishte t’ua kujtoja.
Mendoni se pikërisht në këtë moment, kur edhe dialogu ka ngecur hapja e procesit të krijimit të shtrisë së Kosovës ka qenë kontraproduktiv?
Unë e kuptoj shqetësimin e Serbisë, por askush nuk ka përse ta ndiejë veten të kërcënuar nga Ushtria e Kosovës. Apeli im për të dyja palët: Ruajeni qetësinë dhe përqëndrohuni te temat. Është në interes të përbashkët dhe në interes të BE-së dhe të Gjermanisë që këto vende të shkojnë mirë me njëri-tjetrin, në fund që të dy do të jenë anëtare të plota të BE-së.
Ushtria e Kosovës kërkon 300 milionë euro investim. A janë këto para të investuara mirë?
Ne këtë po e diskutojmë aktualisht edhe në Europë. Kancelarja gjermane dhe ministri i jashtëm Heiko Maas e kanë theksuar në ditët e fundit se na duhet një ushtri. Por në fund të ditës çdo vendi do t’i duhet vetë të kujdeset për sigurinë e vet, por tekefundit është një çështje e krenarisë kombëtare që të jesh në gjendje ta mbrosh vetë sigurinë e vendit tënd. Prandaj unë mendoj se ky është një zhvillim i mirë, por që duhet të ecë ngadalë dhe shpresoj që ushtria të mos jetë e detyruar të angazhohet për mbrojtjen e territorit.

Një propozim për zgjidhjen e çështjes se konfliktit e që vjen nga të dyja palët është ndryshimi i kufijve. Këtë e mbështet Amerika kurse Gjermania është rreptësisht kundër. Përse?
Sepse ne mendojmë se këmbimi i territoreve, sado i strukturuar që të bëhet, mund të prishë stabilitetin e rajonit. Po përmend Republika Srpskan,Bosnjë-Hercegovinën, por ka edhe vende të tjera. Ky është një shqetësim që ndajnë edhe partnerët amerikanë. Pra, nuk është se ata janë tërësisht pro këtij propozimi. Unë sapo u ktheva nga Shtetet e Bashkuara, ku u takova edhe me përfaqësues të lartë të administratës amerikane. As aty askush nuk është euforik ndaj këtij propozimi. Pra, kur thuhet se këtë propozim e mbështet edhe amerikanët, duhet parë se sa aktivë janë.
Edhe në takimet që pata në rajon, përveç presidentit Thaçi, nuk gjeta askënd që ishte pro këmbimit të territoreve. Veç kësaj mendoj se në shekullin 21 i kemi lënë ndarjet e territoreve në bazë të përkatësisë etnike. Por edhe nëse ky propozim do të ndodhte me të vërtetë: Janë vetëm 35 mijë serbët në veri të Kosovës që do të ishin të prekur nga ky kompromis. Por çfarë do të ndodhë me serbët që janë në pjesë të tjera të Kosovës? Ata janë më të shumtë në numër. Pra, ky propozim nuk është kurrsesi zgjidhje.
Në mediat serbe thuhet se Gjermania në fakt, për shkaqe të politikës së brendshme nuk është e interesuar në anëtarësimin e Serbisë në BE. Sa e vërtetë mund të jetë kjo? Janë thashetheme. Në biznesin politik, sidomos në Ballkan ka shumë shpesh thashetheme. Si për shembull, për çështjen e liberalizimit të vizave. Kur isha në Kosovë, takova politikanë që thoshin se na është premtuar liberalizimi i vizave brenda vitit. Nuk e di se kush mund t’ua këtë thënë.
Pra ju nuk mendoni se do të ketë liberalizim vizash brenda këtij viti, megjithëse Komisioni dhe Parlamenti Europian kanë dhënë dritën e gjelbër?
Ne jemi në një proces. Është e vërtetë që Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian janë shprehur për liberalizimin e regjimit të vizave.Tani e kanë radhën 27 vendet anëtare që ta komentojnë këtë dhe të pozicionohen. Në fund do të jetë Këshilli i Ministrave të BE-së, që do të vendosë. Por për këtë duhen dërguar në Bruksel të gjitha qëndrimet e 27 vendeve. Gjermania nuk ka dalë ende me një pozicion. Për këtë duhet të bien dakord Ministria e Punëve të Brendshme me atë të Jashtme. Se kur do të bëhet publik ky qëndrim, kjo nuk dihet. Por nuk besoj se do të ketë një vendim brenda këtij viti, mendoj se kjo do të ndodhë vitin e ardhshëm.

Pas zgjedhjeve të Europës?
Ç’është e vërteta duhet të jemi realistë. Unë për vete jam me gjithë zemër për liberalizimin e vizave. Por këtë nuk e vendos unë, por përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së. Prandaj është e vështirë të jepet një datë. Kjo më duket edhe e rrezikshme. Por unë për vete nuk pres vendim para zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, gëzon një reputacion të lartë në Ballkan. A ka shanse që tani që ajo do të tërhiqet nga kryesia e Partisë të angazhohet me shumë aty?
Kancelarja, për sa lejohem ta shoqëroj unë atë këtu, është shumë e interesuar në përparimin dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ajo është shumë e informuar, edhe pse nuk shprehet gjithnjë në publik. Unë do të përpiqem që ta nxisë atë që ta shprehë dhe përfaqësojë edhe më me forcë pozicionin gjerman dhe që të ndërhyjë pak më shumë në mënyrë konstruktive. Ajo e ka bërë këtë edhe më parë në të kaluarën, megjithëse ndoshta më pak në vitin e kaluar dhe këtë vit, sepse vështrimi i i saj ishte më i fokusuar në politikat e brendshme. Por dhe guxoj të parashikoj se në të ardhmen e afërt do ta përjetojmë ndoshta të përzihet më shumë.
Ç’duhet të bëjnë krerët e Ballkanit për ta bërë më të mundshëm angazhimin e kancelares në Ballkan?
Apeli im është të bëjnë gjithçka në interes të vetin. Prandaj ne na duhet një agjendë pozitive dhe përparime, dhe jo diçka që ngre fronte.
A do të ketë ndryshime të politikës ndaj Ballkanit Perëndimor kur të përfundojë epoka e Merkelit?
Era e Merkelit nuk ka përfunduar. Ne shohim se çfarë do të ndodhë pas saj. Do të kemi një kokë të re në krye të partisë, prandaj kancelarja në fillim do të bëjë punën e saj si më tej, ndoshta do të ketë më shumë kohë që të merret me Ballkanin Perëndimor, kjo si mesazh pozitiv. Ne në Bundestag, në CDU/CSU kemi një grup joformal për Ballkanin Perëndimor që e ka krijuar Andreas Schockenhoff, i cili para ca vitesh vdiq shumë parakohe. Këtu mblidhen të gjithë ata që janë raportues për Ballkanin Perëndimor në të gjitha Komisionet Parlamentare.
Ne takohemi, angazhohemi, sepse besojmë në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Dhe këtu luan një rol shumë të fortë edhe Grupi Parlamentar CDU/CSU. Dhe meqë ra fjala, të rrallë, sepse grupet e tjera parlamentare nuk e bëjnë në mënyrë kaq të strukturuar ndër vite, siç e bëjmë ne. Ne ndërhyjmë në mënyrë kritike dhe në interes të mirëkuptuar të njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor dhe këtë do ta bëjmë edhe më tej, ndoshta më me forcë.

Vrasja e Khashoggit, SHBA miraton sanksione kundër 17 sauditëve të dyshuar

Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve ndaj 17 shtetasve sauditë lidhur me dyshimet për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, në konsullatën e Riadit në Stamboll.
Në mesin e atyre ndaj të cilëve u vendosën sanksione është një ish-ndihmës i lartë i Princit të Kurorës, Saud al-Qahtani si dhe konsulli i Përgjithshëm i Arabisë Saudite Mohammed Alotaibi.
“Këta individë të cilët vendosën nën shënjestër dhe vranë brutalisht një gazetar që jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara, duhet të përballen me pasoja për veprimet e tyre,” tha në një deklaratë të enjten sekretari amerikan i Thesarit Steve Mnuchin.
Sanksionet do të zbatohen nën Aktin Global Magnitsky për Lirinë dhe të Drejtat e Njeriut, i cili vë në shënjestër ata që kryejnë abuzime të rënda me të drejtat e njeriut dhe akte korrupsioni. Njoftimi ishte disi i papritur për shkak se Shtetet e Bashkuara vendosin rrallë sanksione ndaj Arabisë Saudite.
Zoti Mnuchin tha gjithashtu se Uashingtoni po vazhdon përpjekjet për të përcaktuar se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe që të gjithë ata që janë përgjegjës për vdekjen e gazetarit të japin llogari.
Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve disa orë pasi Prokurori Publik i Arabisë Saudite kërkoi dënimin me vdekje të pesë personave të dyshuar për vrasjen e gazetarit Khashoggi.
Gazetari i Washington Postit dhe kritiku i Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, u vra më 2 tetor gjatë një vizite në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë.
Një zëdhënës i zyrës së prokurorisë tha të enjten se Khashoggit iu injektua një substancë vdekjeprurëse dhe pasi vdiq, trupi i tij u pre në copa.
Zyrtarët sauditë kanë ndryshuar disa herë variantin e tyre mbi ngjarjen. Fillimisht ata thanë se ai ishte larguar nga konsullata, më pas se kishte vdekur gjatë një përleshje në konsullatë duke mbritur tek varianti se ai u vra gjatë një “operacioni që shkoi keq”.
Prokurori tha se dënimi me vdekje kërkohet për pesë persona “të cilët akuzohen se kanë urdhëruar dhe kryer vrasjen”, ndërsa gjashtë të tjerët, të akuzuar për lidhje me vrasjen, do të marrin siç u tha, “dënimet e duhura”.
Arabia Saudite kërkoi gjithashtu ndihmën e Turqisë për sigurimin e provave dhe informacioneve nga hetimet që ata po kryejnë.
Prej muajit të kaluar Turqia ka publikuar herë pas here detaje lidhur me ngjarjen. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se urdhri për të vrarë Jamal Khashoggin ka ardhur nga “nivelet më të larta” të qeverisë saudite.
Zyrtarët sauditë i kanë hedhur poshtë akuzat që Princi i Kurorës të jetë përfshirë në vrasjen e gazetarit.