Protetsuesit përpara kryeministrisë i janë drejtuar me thirrje të forta studentëve nga i gjithë vendi për të mos u shqetësuar nga fakti se ku protestohet, te Kryeministria apo te Ministria e Arsimit, pasi e rëndësishme është të protestohet.
Njeri prej studentëve që e mori fjalën në megafon tha: “Rama ende ai s’ka kërkuar falje për ngelësit. Premton se do të bëjë më shumë se duam ne. Po pse s’e bën o burrë?! E thjeshtë, se do të bëhet pjesë e kësaj dhe t’u mburret shqiptarëve se e zgjidhi ai këtë. Ai nuk heq dorë nga “dialogu’ dhe merret me FRESSH-in dhe Dudushin, po ne nuk jemi budallenj. Rama do të jetë pjesë e zgjidhjes kur të kërkojë falje, kur të plotësojë kërkesat minimaliste dhe pasta t’i dyfishojë dhe trefishojë po të dojë”!
Studentët thirrje Ramës poshtë zyrës së tij: Mos u merr me FRESSH-in dhe Dudushin, por zgjidh 8 kërkesat!
Studentët e Shkodrës rrethojnë gjimnazin “28 Nëntori”, pasi drejtuesit kërcënuan nxënësit mos dalin protestë
Mëngjesi i sotëm e ka gjetur edhe qytetin e Shkodrës të përfshirë nga protesta e studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, me ata do të bashkoheshin edhe gjimnazistët, të cilët e kanë mbajtur fjalën dhe janë grumbulluar përpara shkollave. Por një “incident” duket se ka ndodhur me nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori”, të cilët janë kërcënuar nga disa mësues dhe veçanërisht drejtuesit e shkollës se nëse do të bashkoheshin me protestën e studentëve, do të përjashtoheshin nga shkolla.
Pasi studentët kanë mësuar këtë lajm janë nisur në bllok drejt këtij gjimnazi, duke e rrethuar dhe hedhur parulla; Turp, turp, lërini nxënësit të protestojnë se nesër edhe ata do të jenë studentë.
Studentët e Elbasanit bllokojnë rrugën kryesore të qytetit (Foto)
Studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan janë mbledhur fillimisht para hyrjes së universitetit dhe më pas kanë marshuar në bulevardin kryesor të qytetit.
Me pankarta në duar dhe këngë patriotike studentët kanë mbushur rrugët e qytetit duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria.
Studentët nuk e kanë vendosur ende nëse do i bashkohen protestës në Tiranë. Ndërkohë është bllokuar përkohësisht qarkullimi në rrugën ku marshojnë studentët e Elbasanit.
Policia nis presionin, procedohet këngëtari Robert Aliaj, profesori Edmond Tupja dhe 23 studentë
Pas protestës së studentëve Policia ka proceduar penalisht 25 persona mes tyre këngëtari Robert Aliaj, profesori Edmond Tupe si edhe aktivistë të forumeve rinore të partive politike.
Zyrtarisht mësohet se më datë 11.12.2018 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për shtetasit:
1. Edmond Tupe,
2. Robert Aliaj,
3. Altin Goxhaj,
4. Mirela Ruko,
5. Klodian Leka,
6. Estela Nazarko,
7. Xhuljano Bregasi,
8. Henri Fero,
9. Liri Guci,
10. Gentian Doci,
11. Malbor Duka,
12. Nehbi Bushaj,
13. Klajdi Bello,
14. Redi Muci,
15. Luan Myrtaj,
16. Erdi Bërxulli,
17. Agron Pepaj,
18. Migen Qiraxhi,
19. Bledar Hysa,
20. Adriatik Lapaj,
21. Nerid Shehu,
22. Bislim Lakna.
Po kështu gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanËeb” se janë proceduar edhe aktivistët politikë:
23. Gaetano Doci (LSI)
24. Andrea Gjini (LSI)
25. Kristina Tonaj (FRPD)
Ata akuzohen se dje në orën 09:00, tek sheshi “Nënë Tereza”, në rrugën “Muhamed Gjollesha”, e më pas në rrugën e “Durrësit”, përpara Ministrisë së Arsimit, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente duke prishur rendin e qetësinë publike, penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, duke hedhur sende të forta në oborrin e institucionit.
Policia deklaron se pop punon për identifikimin e personave të tjerë që kanë bllokuar rrugën tek sheshi “Rilindja” pasi janë të fotografuar.
Nis protesta e studentëve: Mesazhi është i qartë: Nuk do të ketë dialog!
Qindra student janë mbledhur përpara Kryeministrisë duke pritur zgjidhjen e kërkesave të tyre nga qeveria. Ndërkohë, numri tyre po shtohet.
Deklaratës së kryeministrit për dialog, studentët i janë përgjigjur se nuk do të ketë asnjë bisedim por veç plotësim të kërkesave të tyre. “Nuk ka konsensus, plotësoni kërkesat tona. S’ka dialog, s’ka negociata. Është vetëm një firmë. Mjafton të plotësohen 8 kërkesat, është shumë e thjeshtë”, tha një prej studentëve.
Një tjetër studente para kryeministrisë deklaroi se ata nuk duan dorëheqjen e ministres së Arsimit por të plotësohen kushtet. “Nuk duam dorëheqjen e ministres. Kushdo që të vijë do bëjë të njëjtën gjë. Ne duam të plotësohen kërkesat tona”, tha ajo.
Në ditën e nëntë të protestës së tyre, studentët kanë ndryshuar strategjinë e betejës që ata nisur për të fituar të drejtat e tyre.
Ata sot do të protestojnë me heshtje, pa folur, vetëm duke mbajtur libra në duar, përpara Ministrisë së Arsimit.
Po ashtu, sot nuk ka pankarta, por vetëm fleta të bardha. Mesazhi është i qartë: Nuk do të ketë dialog. Kemi folur mjaft. Nesër duhet të heshtim dhe të presim ata të flasin!’
Në Tiranë, një grup studentët janë mbledhur tek Korpusi universitar, ndërkohë që disa studentë kanë qëndruar gjatë gjithë natës para Kryeministrisë. Studentët e mjekësisë dhe shkencave kanë shkuar drejt Kryeministrisë, ndërsa Gjeologjiku, Filologjiku dhe Artet tek Ministria e Arsimit.
Tek fakulteti i Mjekësisë gjithashtu janë mbledhur studentë. Nga gjimnazi “Harry Fults” nxënësit, kryesisht maturantët kanë braktisur mësimin për t’iu bashkuar studentëve. Ata kanë shkuar para kryeministrisë ashtu si edhe studentët e Bujqësorit dhe një pjesë e Inxhinierisë.
Rama frikë nga studentët, RENEA dhe Garda rrethon Top Channel
Edi Rama sonte do të jetë në emisionin Top Show në Top Channel, gjoja pas ftesës së bërë nga Alban Dudushi.
Në këtë studio, Rama do të përballet me disa studentë, të gjithë të përzgjedhur nga organizata socialiste FRESSH dhe që janë futur me listë.
Por ajo që ka bërë në sy është fakti, se Rama është kapur nga paniku dhe ka frikë nga studentët protestues.
Siç edhe mund të shikoni në foto, në studiot e TCH më shumë se 1 orë e gjysëm para, kanë mbërritur forcat e gardës, por edhe forcat RENEA-s.
Frika dhe paniku e ka përfshirë Ramën nga protestat e studentëve, aq sa merr edhe RENEA-n me vete kur i duhet me dalë në ekran.
/Syri.net
Lucas Zeise: Jetë e dyfishtë
Është një prej gazetarëve më të mirë financiarë gjermanë. Por deri në vitin 2014 ka arritur të mbajë një sekret të madh: ishte i anëtarësuar prej 40 vitesh në Partinë Komuniste Gjermane, dikur e financuar nga Republika Demokratike Gjermane
Lucas Zeise ka zgjedhur të më takojë në Café Laumer, në lagjen Westend të Frankfurtit. Në vitet ’50 e ’60, Theodor W. Adorno dhe eksponentë tjerë të së majtës gjermane qenë klientë fiksë të kësaj kafeneje, atëhere e quajtur Café Marx. Vendi nuk ka sesi mund të bëhet më i përshtatshëm për të dëgjuar historinë e 74 vjeçarit Zeise, i cili ka pasur një jetë të dyfishtë. Është një njeri tërheqës, inteligjent dhe me humor thumbues. Dikur, kur ishte drejtor i seksionit Kapitalmärkte (tregjet financiare) i së përditshmes ekonomike “Börsen-Zeitung”, hynte shpesh në redaksi me një vëllim të Homerit në sqetull. Në vitin 1999 ka qenë pjesë e grupit themelues të “Financial Times Deutschland”, ku mbante edhe një rubrikë. Kjo karrierë nuk do të kishte qenë e mundur sikur për dekada të tëra të mos kishte mbajtur të fshehur diçka: teserën e Partisë Komuniste Gjermane (DKP). Kur ka dalë zbuluar, duke kandiduar për DKP-në në zgjedhjet europiane të 2014, në dhomat e “Börsen-Zeitung” duhet të ketë pasur ndonjë tërmet. Një i njohur i vjetër, që sot ka një rol të spikatur në financë, psherëtin: “Po pse duhej të anëtarësohej pikërisht në DKP?”. Përpara ribashkimit, partia ishte financuar nga Bashkimi Sovjetik dhe kontrollohej nga Republika Demokratike Gjermane. Sot pothuajse është zhdukur. Zbulimi që Zeise ishte anëtarësuar në DKP ka qenë një surprizë, thotë një ish koleg i tij që preferon të jetë anonim. Ama një gjë është e qartë: “Lucas nuk është stalinist, është bujar”.
Zeise u afrua me marksizmin në vitin 1968. I ardhur nga një familje borgjeze nga Bavaria, pas diplomës studioi Filozofi në Edimburg të Skocisë, ku bënte edhe aktorin teatral. Frekuentoi një kurs të dytë për Ekonomi në Universitetin e Ratisbonës.
Aty u bë pjesë e organizatës studentore marksiste “MSB Spartacus”, e afërt me DKP-në, dhe fitoi një reputacion të caktuar. Një herë pedagogu i tij i teologjisë Josef Ratzinger, që do të bëhej më pas Papa Benedikti i XVI-të në vitin 2005, e ftoi në një seminar. “Flitej për bashkëekzistencën paqësore të sistemeve dhe unë duhej të eksopozoja pozicionin e Bashkimit Sovjetik”, kujton Zeise. “Dhe e bëra: komunistët mendojnë se socializmi është ekonomikisht dhe ideologjikisht superior, kështu që paqja është në interesin e tyre. Qe një diskutim i bukur, por më pas erdhën dy pedagogë Sociologjike që më pyetën të tërbuar se kush më autorizonte të thoja budallallëqe të tilla”.
Në atë kohë Zeise do të kishte qëndruar me dëshirë në universitet, por e dinte se, duke qenë i majtë, nuk do të mundëte kurrë të bënte karrierë akademike. Veç kësaj, metoda e tij e punës ishte “jashtëzakonisht kaotike”, thotë sot. Do të mund të bëhej edhe maoist – në atë kohë grupet maoiste qenë shumë të pranishme në universitet – por orientimi praktik i DKP-së në fund ia ka dalë ta bindë. Në vitin 1973 hyri në parti, falë të cilit arriti edhe të gjejë një punë sapo mbaroi studimet. Një shok që punonte në Jetro-n e Düsseldorf, organizata japoneze për tregëtinë e jashtme, i tha se aty po lirohej një vend pune. Zeise e siguroi vendin e punës, nisi të lezojë gjithnjë e më shpesh gazetat, relacionet e Bundesbank-ut dhe të Institutit Gjerman të Kërkimit Ekonomik. Nganjëherë lexonte edhe shtypin britanik. Një punë e mërzitshme për një njeri ambicioz. Darkave shkonte në selinë lokale të DKP-së, por nuk shikohej asnjëherë në publik me partinë, për shembull në manifestimet. “Është kjo norma të cilës i jam përmbajtur edhe më pas. U kam thënë vetëm pak shokëve se ku punoja. Përndryshe do të ishte përhapur fjala”.
Komunist i infiltruar
Edhe puna e mëpasme e Zeise, ajo e përgjegjësit për marketingun e Aluminium-Zentrale, kompanisë nga Düsseldorf që bënte biznes në sektorin e aluminit, nuk i pëlqente shumë. Por aty pati rastin që të mbante seksionin ekonomik të revistës së specializuar “Aluminium”. Kështu u vu në kontakt me gazetarët ekonomikë: ishte i tërhequr nga profesioni dhe nga mundësia për të fituar më shumë. Në vitin 1984 Zeise, i cili kishte tashmë 3 fëmijë (më vonë do t’i vinte edhe një i katërt), arriti të kalojë në “Börsen-Zeitung”. Fillimisht punoi në seksionin kushtuar kompanive dhe më pak në atë qendrore të gazetës, që merrej me tregjet financiare, aksionare dhe monetare. Një komunist i infiltruar në shtëpinë e armikut. Ishte ndonjë strategji sekrete? “Jo”, thotë Zeise me një shfryrje, “as e imja, as e partisë”. Si gazetar ju përkushtua një teme që e apasionon akoma sot: paratë. “Shpesh qëdronim përpara terminaleve të Reuters mbi të cilat lëviznin kuotimet, pinim duhan dhe e pyesnim: “Çfarë është para?””, kujton kolegu i tij i vjetër duke menduar për vitet e kaluara bashkë. Përgjigjen Zeise ia ka dhënë në librin e tij të dalë në vitin 2010, me titull Geld. Der vertrackte Kern des Kapitalismus (Paraja. Zemra e pakapshme e kapitalizmit). Paratë, ka shkruar ai, janë “vepër e njeriut dhe, në të njëjtën kohë, një mister”.
Kurioziteti për tregjet krijoi një lidhje midis Zeise, lexuesve dhe burimeve, midis të cilëve kishte bankierë të rëndësishëm. Prej tyre merrte informacione të dorës së parë lidhur me funksionimin e sistemit. Por për këtë duhej t’i fshihte opinionet e tij, për shembull mbi ribashkimin e Gjermanisë. Kur bisedat preknin argumentin, skërmitej dhe qëndronte i heshtur. Fundi i Republikës Demokratike Gjermane qe një goditje e rëndë për të, pasi bëri t’i venitej ëndërra e socializmit. Me mbarimin e ditës së punës, Zeise e kalonte pjesën tjetër të kohës duke shkruar për gazetat e DKP-së, përkatësisht “Unsere Zeitung” dhe “Marxistischen Blättern” (Faqe marksiste), me pseudonimet Margit Antesberger dhe Manfred Szameitat. Ato që i lexonin këto shkrime qenë shokët dhe Zyra Federake për Ruajtjen e Kushtetutës.
Artikujt e firmosur me një pseudonim nuk qenë ndryshe nga ato të firmosura me emrin e tij të vërtetë: në të dyja rastet, në qendër të vëmendjes qenë lëvizjet e parave. U bë “një prej analistëve më të mirë të kapitalizmit”, siç e quajti ish kolegu i tij. Fakti që janë sidomos opinionistët e majtë ata që kanë një publik besnik varet edhe nga “gropat” e korrentit ekonomik dominues. Në teorinë neoklasike, para është vetëm një mjet shkëmbimi në tregjet të përcaktuara ekskluzivisht nga ligji i kërkesës dhe i ofertës. Nuk pyetet sesi paraja ka ardhur në këtë botë dhe se çfarë rreziqesh fshehin lëvizjet spekulative të kapitalit. Është ky motivi kryesor për të cilin edhe ekonomistët më të afirmuar nuk e kanë parashikuar krizën financiare të vitit 2008. Në mënyrë banale nuk përfshihej nga modelet e tyre, të largët nga bota reale.
Ariu financiar
Në vitin 1999, kur tashmë ishte 55 vjeçar, Zeise hyri në “Financial Times Deutschland”, që sapo kishte lindur dhe do të mbyllej në 2012. Ende sot është një vlerësues i “Financial Times” londinez. Ish kolegët e tij e “Financial Times Deutschland” flasin mirë për të. Stefanie Burgmaier, që në atë kohë ndante me Zeise zyrën në Frankfurt dhe sot drejton grupin editorial “Springer Fachmedien Wiesbaden”, e gjente “kompetent dhetë pëlqyeshëm. Ishte skeptik lidhur me tregun financiar, në zhargonin bursist është ari. Me krizën do të bëhet akoma edhe më shumë”. Dirk Benninghof, një koleg i “Financial Times Deutschland”, sot kryeredaktor i agjencisë së shtypit “FischerAppelt” në Berlin, ka një opinion të ngjashëm: “Ishte inteligjent dhe i rezervuar. Nuk ishte shitës tymi”, thotë ai. Ama pyet: “Pse një komunist duhej të punonte në një gazetë liberale? Është sikur dikush që urren futbollin të donte të shkruante për kampionatin gjerman”.
Zeise nuk e gjen veten tek krahasimi. “Nuk e urrej ekonominë, thjesht refuzoj kapitalizmin, domethënë formën me të cilin ai është organizuar. Ekonomia është e rëndësishme. Është vetë zemra e shoqërisë tonë dhe interesi im për të është autentik”. Është ky motivi për të cilin vazhdon të shkruajë. Për një periudhë ka qenë kryeredaktor i gazetës komuniste “Uz” në Essen, ku është ndeshur më të njëjtat probleme. “Gjetja e autorëve të zot është e vështirë”. Ndërkohë ia ka lënë vendin një pasuesi më të ri dhe “shumë të aftë”. Tani po shkruan një libër të titulluar Das Finanzkapital (Kapitali financiar), që do të dalë në pranverë. Mbetet për të pyetur se pse i ka qëndruar besnik DKP-së edhe pas shembjes së Republikës Demokratike Gjermane, kur pjesa më e madhe e shokëve e lanë partinë. “Nuk kam hyrë që ta bëja pjesë të Republikës Demokratike Gjermane, por sepse doja të abrogoja kapitalizmin. Dhe e dua akoma”. Ndoshta ka edhe një motiv tjetër, më romantik: i kishte ardhur në majë të hundës fshehja e një marrëdhënieje të vjetër të mbajtur sekret kaq gjatë.
Biografia
◆ 1944 Lind në Bavari të Gjermanisë.
◆ 1968 Ndërsa studion në Universitetin e Edimburgut afrohet me teoritë marksiste.
◆ 1973 Hyn në Partinë Komuniste Gjermane.
◆ 1984 Nis të punojë për “Börsen-Zeitung”, një prej gazetave kryesore financiare gjermane.
(Jens Bergmann për Brand Eins)
Përgatiti
ARMIN TIRANA
Temperaturat nën zero gradë, studentët nuk e ndalin protestën para Kryeministrisë
Ndonëse temperaturat janë tepër të ulta dhe nën zero gradë, studentët po vijojnë protestën të bashkuar para Kryeministrisë. Janë të vendosur dhe këmbëngulës në arritjen e qëllimit të tyre për të realizuar të gjitha kërkesat që I kanë vendosur qeverisë.
Çdo minutë që kalon rrit numrin e studentëve që protestojnë tek kryeministria.
Ndërsa protesta tek ministria e Arsimit është mbyllur për ditën e sotme, numri i studentëve që i bashkohen shokëve të tyre tek kryeministria është në rritje.
Ka një numër studentësh që vazhdojnë të protestojnë tek Zogu i Zi, por numri më i madh është poshtë zyrës së Edi Ramës.
Te kryeministria, ashtu paqësisht, duhet të vijnë të gjithë studentët e këtyre 7 ditëve në mënyrë që Rama te mos justifikohet se ‘ja, u ndanë në grupe!’.
Kryeministria mbetet zgjidhja finale, sepse ashtu duke u parë me kryeministrin, përballë, paqësisht, ai do të detyrohet të firmosë 8 kërkesat dhe më pas studentët fitojnë.
Te kryeministria efekti mediatik vendas dhe ndërkombëtar është shumë më i madh se kudo.
KLP, zgjidhen “të besuarit” e Arta Markut. PS merr kontrollin absolut
Prokurorët e Republikës së Shqipërisë kanë zgjedhur të martën 6 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke plotësuar numrin prej 11 personash të strukturës që do të zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm dhe prokurorët e SPAK.
Pak kohë më parë, Parlamenti i Shqipërisë zgjodhi, vetëm me votat e maxhorancës, 5 anëtarët e tjerë jo-prokurorë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një nga strukturat e reja të parashikuara në Reformën në Drejtësi dhe ka për detyrë trajtimin e karrierës, emërimet, transferimet e komandimet e prokurorëve.
Nga ky moment, Këshilli i Lartë i Prokurorisë merr kompetencat e plota, duke i dhënë fund arrogancës dhe abuzimit të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, e cila ka ndjekur një politikë kuadri “kulaçi” për miqtë e saj dhe “kërbaçi” për ata që nuk i bindeshin.
Por, nga ana tjetër, Këshilli i Lartë të Prokurorisë tashmë kalon nën “administrim” e njerëzve të emëruar apo me afërsi të dukshme me Partinë Socialiste.
Në një vit si Kryeprokurore e Përkohshme, Arta Marku ka kryer lëvizje prokurorësh, të barabarta ose edhe më të shumta se sa tre paraardhësit e saj në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme të marrë së bashku.
Kryeprokurorja e Përkohshme largoi një pjesë të madhe të drejtuesve, si edhe transferoi, pa asnjë bazë ligjore, një numër të konsiderueshëm prokurorësh. Përtej betimit të saj në Parlament se do të stabilizonte situatën e komandimeve, Arta Marku ndoqi një rrugë tërësisht të ndryshme.
Ajo vendosi në krye të prokurorive kryesore të vendit miqtë e saj ose njerëz të bindur, vendime këto që nuk gjenin askund bazë ligjore. Gjithashtu, të tjerë njerëz të bindur të saj i afroi në Prokurorinë e Përgjithshme, me argumentin zyrtar se nevojiteshin për të kryer procesin e Vetingut, në ndihmesë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Paralelisht me këto “ngritje në detyrë”, Arta Marku transferoi, gjithnjë në kundërshtim me ligjin, disa prokurorë, të cilët nuk ishin pjesë e tarafit të saj. Ndër këto largime, më skandalozet janë transferimi i prokurores së Krimeve të Rënda, Sonila Muhametaj, nga Krimet e Rënda në drejtim të Pukës. Prokurorja Muhametaj, për shkak të gjendjes së rënduar që pasoi ky vendim, humbi fëmijën e saj, në muajin e katërt të shtatëzanisë.
Gjithashtu, nëpërmjet një mekanizmi anti-ligjor, Arta Marku realizoi dëshirën e maxhorancës, duke “degdisur” drejt Pogradecit ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, prokurorin që po hetonte Saimir Tahirin.
Pas votimit të së martës, maxhoranca socialiste merr nën kontroll të plotë Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të paktën 8 nga 11 anëtarët e KLP janë njerëz të zgjedhur apo të mbështetur nga Partia Socialiste.
Pesë anëtarët jo-prokurorë janë zgjedhur vetëm me votat e socialistëve në Parlamentin e Shqipërisë, në një proces të kundërshtuar ashpër nga opozita PD-LSI.
Gjithashtu, 3 nga anëtarët prokurorë të zgjedhur sot, Besnik Cani, Gentian Osmani e Antoneta Sevdari, siç ka raportuar edhe më parë “Boldnews.al” janë njerëz që kanë dëshmuar se janë të bindur ndaj vullnetit qeveritar.
Pra, me 8 anëtarë nën kontrollin e Partisë Socialiste, praktikisht maxhoranca kontrollon jo thjeshtë vendimmarrjen, por edhe kuorumin e nevojshëm për t’u zhvilluar mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ndaj, fati i karrierës së prokurorëve të Shqipërisë, nga arroganca e Arta Markut, përfundon në duart politike të Partisë Socialiste.
Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorërve, e zhvilluar paraditen e së Martës, zgjodhi këta anëtarë prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas skemës 1 anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme, dy anëtarë nga niveli i Apelit dhe 3 anëtarë nga prokuroritë e shkallës së parë:
1. Kosta Beluri, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
2. Bujar Sheshi, prokuror në Apelin për Krime të Rënda
3. Arben Dollapaj, prokuror në Apelin e Shkodrës
4. Gentian Osmani, prokuror tek Krime të Rënda
5. Besnik Cani, këshilltar i Arta Markut, prokuror në Elbasan
6. Antoneta Sevdari, prokurore në Tiranë
Më herët, Parlamenti i Shqipërisë, vetëm me votat e maxhorancës, ka zgjedhur 5 anëtarët jo-prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
/Boldnews.al