21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Studentët mesazh Ramës: Ta kemi krijuar lehtësinë, kemi ardhur këtu pranë!

Studentët që po protestojnë para kryeministrisë shprehen se, nuk kanë më punë para ministrisë së Arsimit, ndërkohë që paralajmërojnë kryeministrin se do të përshkallzojnë protestën në bllokim të disa pikave.
‘Kryeministrit ja kemi krijuar lehtësinë, i kemi ardhur këtu pranë. Nuk di të them se çfarë do të ndodhë. Por tek ministria e Arsimit mbaruam punë dhe tani jemi vendosur këtu tek kryeministria. Kjo ishte një strategji e jona për të bllokuar rrugët.
Pasi kjo është një tallje, dhe qeveria nuk po na jep një zgjidhje. Duam zgjidhje. Protesta do të përshkallzohet dhe më shumë. Do të bllokohen disa pika. Nuk jemi të përçarë.
Ne duam të kemi një protestë sa më paqësore. E kam thënë vazhdimisht jemi me kazuën e vërtetë dhe nuk ka pse të ketë përçarje”, u shprehen studentët për Fax News.

Video/ Si drejtoresha e ‘Sami Frashërit’ kërcënoi gjimnazistët mos dalin në protestë

Provohen me zë dhe figurë se si drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, ka kërcënuar gjimnazistët që të shkojnë në protestën e studentëve tek Ministria e Arsimit.
Kjo është video nga mbledhja që drejtoresha Dobi ka zhvilluar me Senatin e klasës.
Herë me tone miqësore, duke i folur si ‘shoqe’ por herë në pozitat e titullares, Dobi u thotë nxënësve, se do garantojë me jetën e saj që askush të mos marrë pjesë në protestë.
‘Jua garantoj me jetën time, se unë nuk do lë asnjë këmbë nxënësi që të dalë atje, sa ka mësim’ dëgjohet të thotë drejtoresha Dobi në mbledhje me Senatin e Shkollës, ndërsa lexon thirrjet e bëra në rrjetet sociale, për pjesëmarrjen në protestën e sotme.

Thirrja e gazetarit: Rrethojeni përbindëshin dhe rrëzojeni përtokë, shpëtoni Shqipërinë!

Albanian Prime Minister Edi Rama attends a summit to support regional integration in the Western Balkans region in Sofia on December 7, 2017. / AFP PHOTO / Dimitar DILKOFF (Photo credit should read DIMITAR DILKOFF/AFP/Getty Images)

Erl KODRA
A jeni të hutuar? Domethënë, a ndodheni saktësisht si në ato ditët kur nuk dini nga t’ia mbani? Të humbur?!
Prisni pak, se jam aq larg sa të shoh mjegullën që ju ka zanë dritat e syve, atë lloj mjegulle helmuese, e trashë, fyryfyçkë, sa duket se spata s’e pret.
E për këtë nuk më nevojitet fort mundim.
Po ju pyes juve të pamundurve, ju që njëherë e një kohë ishit në majë, e papritmas jeni rrëzu përtokë. A erdhi kush me ua dhanë dorën të ngriheni në kambë. Kushërinjtë, komshinjtë, të afërmit, vllezërit apo motrat? A ju kujtohet se si kthenin rrugë njerëzit, bash kur ju kishit ma shumë nevojë për një fjalë, për një mbështetje? A e kujtoni se bash në atë moment kur shoku ose shoqja më e ngushtë, të ka kthye krahët, keni ndjerë një “krrau” mu këtu, diku mes stomakut dhe zemrës?!
Po ju të ngriturit e të ndriturit, që jeni ngritë lart, aq lart, sa njerëzia tjetër, masa, lagjja dhe qyteti të duket një hiç, një gjë e vogël, e parëndësishme?! A e dini se çfarë do të thotë të biesh nga lartësia?
Do të thoni; pse e fillova këtë tekst në këtë mënyrë? Po shpjegohem.
Kush e ka fajin për këtë gjamë që j’ua ka tretë cilësinë ma të mirë njerëzore, siç është ndjeshmëria, dhe ju ka kthye në do drunjë pa ndërgjegje?

A nuk e kuptoni se nesër edhe ju do të bini nga lartësia ku keni hypë, duke u përpjekë me mbajtë fort atë vend pune, atë standart të dyshimtë, atë privilegjin e vogël, me atë rrogën e vogël, që përditë e ma shumë zvogëlohet, tretet, shuhet, derisa të katandiset në një asgjë, në një kothere buke të vockël?
Po ju “intelektual” që rrini e bani sehirë; ju inxhinierë, avokatë, jurista, pedagogë universitetesh, mjekë, ushtarakë, policë, doktora dhe profesora, ku jeni??
Ku e keni futur kryet e strucit, në cilën bythë po ushqeheni, me shpresën se ushqimi i flliqtë do t’u mjaftojë gjithë jetën, pa e kuptuar se shumë shpejt skamja, ajo kolera që e ka përla gjysmën e popullsisë së vendit, do të mbërrijë për ju, në lagjen dhe në shtëpinë tënde?
A e keni ba ndonjëherë llogarinë e asaj pjese të popullsisë që jeton me 1 dollarë në ditë, se ai 100 lekëshi nuk mund të mbush barkun e një qenie njerëzore? A e dini se ajo pjesë po rritet frikshëm, e shumë shpejt, komshiu yt i parë, do të jetë një zombi, e ti do të jesh viktima e tij e parë?!
M’u sosën fjalët. Por nëse ju ka mbetë një pikë gjak ndër deje, dilni në Sheshin Skënderbej.
Rrethojeni përbindëshin Edi Rama dhe rrëzojeni përtokë. Nderoni veten dhe shpëtoni Shqipërinë.
Shënim: Unë ju lutem ta shpërndani këtë tekst aq herë, sa ta lexojnë të gjithë ata që duan të rrëzojnë Kryeministrin Edi Rama. Sot, tani.

Zëri i Amerikës: Dyshime të forta se Ulaj qëndron pas 30 milionë eurove me falsifikim të kompanisë amerikane

Në Shqipëri janë shtuar pyetjet rreth firmës së regjistruar në Delaëare të SHBA, Dunëell Haberman, e cila përmes falsifikimit të dokumenteve të regjistrimit kompani kishte arritur të siguronte dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë eurosh nga qeveria shqiptare.
Firma kryente biznes me emrin DH Albania dhe në regjistrat kombëtarë si përfaqësues i saj figuron 26-vjeçari Avdjol Dobi.
Kur këto fakte u bënë publike, lindën dyshimet se si një firmë pothuajse anonime mundi që me kaq lehtësi dhe falsifikime, të siguronte kontrata të kësaj natyre. Për të fituar një kontratë të tillë, firma fituese duhet të depozitonte një shumë prej 10 për qind të vlerës së investimit, ndërsa zoti Dobi nuk dihet të ketë patur biznese për të bërë këtë depozitë.
Ndërkohë, ka dyshime të forta se pas kompanisë DH Albania fshihet biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj. Para një muaji, përfaqësuesi i firmës e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj. Zëri i Amerikës ka mësuar se zoti Dobi, ka lidhje familjare me biznesmenin Ulaj.
Zëri i Amerikës u lidh me zotin Ulaj për t’i kërkuar konfirmim për këto informacione, por përpjekjet rezultuan pa sukses. I pyetur në telefon zoti Ulaj nuk pranoi të përgjigjet, duke thënë se ishte i zënë. Po ashtu, ai nuk ka kthyer ende përgjigje për mesazhet ose e-mailet me të njëjtën kërkesë.
E njëjta përpjekje e Zërit të Amerikës për të marrë më shumë informacion dërguar disa ditë më parë në emailin e firmës Dunëell Haberman rezultoi e pasukseshme. Kompania nuk ka pranuar të kthejë përgjigje.
Bilanci i kompanisë Dunëell Haberman, i dorëzuar në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, rezulton të jetë përkthyer nga zonja Shenda Kruja, e cila nuk figuron në listën e përkthyesve zyrtarë, të miratuar nga Ministria e Drejtësisë. Ajo rezulton në rrjetet sociale si specialiste pranë kompanisë GENER 2 të zotit Ulaj.

Basha: Eshtë Dhjetori i dytë, një ndryshim po lajmërohet këto ditë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në ditën e themelimit të PD-së ka falenderuar studentët për protestën e tyre. Basha shprehu mbështetje ndaj studentëve që protestojnë prej 7 ditësh dhe protestat e tjera që po zhvillohen në vend. “Gjithë respekti sonte është për ta, kjo është liria, kjo është demokracia, kjo është beteja për të mbrojtur demokracinë.
Ne jemi me ta, prandaj sot nuk është një ditë për të festuar. Shpresoj që ekrani të vazhdojë të shfaqë dhjetorin e dytë që shpirti rinor ka sjellë këto ditë në Tiranë, edhe në qytetet e tjera.
Këtu në këtë shtëpi ndodhet një parti që mori jetë nga studentët e dhjetori, 28 vite më parë, vranë frikën, siç po e vrasin këta të rinj sot”, tha Basha. “Shqiptarët e thjeshtë javë braktisur. Sfida vendimtare e PD-së është kthimi i besimit të njerëzve se politika do veprojë në interesin e tyre. Me këtë barrë të rëndë jemi mbledhur këtu.
Bashkimi i qytetarëve ka bërë ndryshime të mëdha. Një ndryshim i tillë po lajmërohet këto ditë në Shqipëri. Kjo lëvizje është shumë më shumë sesa tarifat universitare, është shumë më shumë sesa kjo që shohin sot. Është armatosja me kurajo që të mos heshtin më kur qeveria i merr nëpër këmbë. Prej 8 ditësh shohim thirrjen e të rinjve. Lëvizja studentore është bekim për Shqipërinë”, u shpreh Basha.

Studentët rrethojnë Kryeministrinë: Do ta gdhijmë, kemi marrë bukë!

Pas skadimit të ultimatumit të vendosur për qeverinë në lidhje me plotësimin e 8 kërkesave, studentët kanë nisur përshkallëzimin e protestës.
Teksa një pjesë vendosi të bllokonte rrethrrotullimin tek “Zogu i Zi”, një pjesë e tyre nisën marshimin drejt Kryeministrisë.
Një prej studentëve tha se grupi është ndarë nga militantët e partisë dhe se do qëndrojnë pa afat përpara kryeministrisë.
“Kemi marrë bukë me vete, na kanë sjellë e qytetarët, dhe ne do rrimë tërë natën këtu mbi libra, do lexojmë,” tha ai.
Ndërkohë, pjesa tjetër do të vijojë të qëndrojë para Ministrisë së Arsimit.

8 kërkesat
1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.
2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.
3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)
7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

 

Nesër prindërit bojkot punës në administratë, i bashkohen protestës së studentëve

Bojkot jo vetëm për studentët, por edhe për prindërit e tyre. Kështu deklaroi sot nga protesta para Ministrisë së Arsimit, një prej studentëve.
Në një prononcim për mediat, studenti tha se, ditën e nesërme është rënë akord me prindërit që punojnë në administrata por dhe në institucione të shërbimit publik.
“Nesër prindërit do bojkotojnë punën. Në uzinën e Ballshit, në Fierzë, Koman, Vau i Dejës, duke shkaktuar ngërç shtetëror, që kryeministri t’i bindet studentëve”, tha studenti. Ndërkohë një tjetër studente tha se 8 kërkesat duhet të plotësohen nga qeveria, si detyra shtëpie për ta.
“Nëse do shkonim të Kryeministria, do të politizohej çështja. Ne nuk jemi në dorë të askujt, as të opozitës. Kryeministri kërkon dialog me ne. Ne kemi shumë ide për të dhënë, por s’jemi ekspertë të çështjes. Ne nuk e kemi për detyrë të tregojmë se si zgjidhen detyrat e shtëpisë”, tha studentja, e cila shprehej kundër faktit që protestuesit të shkonin drejt Kryeministrisë.

Edhe Kryebashkiaku i Ramës i bashkohet revoltës: Protesta deri në vdekje!

Rruga e Kombit u bllokua për rreth një orë nga banorët e Milotit dhe Kurbinit e zonave për rrethe duke shprehur mbështetjen e tyre ndaj studentëve, si dhe duke kërkuar uljen e cmimit të naftës,energjisë,investime për bujqësinë,investime në shëndetës etj.
Në protestë ra në sy dhe prania e ish kryetarit të Bashkisë Mamurras, Ded Ndreca i cili si përfaqësues i Partisë Socialiste ka drejtuar 8 vite bashkinë Mamurras. Ai kërkoi largimin e Rames si e keqja e këtij vendi.
“Unë jam kundër Edi Ramës, dhe kundër qeverisjes së keqe të Edi Ramës. Jam në mbështetje të studentëve, dhe po protestoj për çmimet që kanë shkuar në stratosferë. Do të vazhdojmë protestën deri në vdekje”, u shpreh Ded Ndreca, për Fax News.
Të veshur me jelekë shumë nga protestuesit thanë se Rama i ka të numëruara ditët si kryeministër,ndaj dhe duhet të dorëhiqet.

Studentët nisen drejt Kryeministrisë, reagimi: Jemi bashkë, s’ka ndarje, po përshkallëzojmë protestën

Studentët janë nisur drejt Kryeministrisë për të protestuar dhe kanë sqaruar opinionin se nuk ka ndarje dhe se të gjithë janë bashkë, por janë ndarë në tre grupe protestuesisht duke e përshkallëzuar kështu protestën. Studentët thonë se nuk janë të ndarë në grupe, por se kjo ëhstë një strategji e vendosur nga vetë studentët për të protestuar në pika të ndryshme.
Mijëra studentë kanë pushuar zonën e Zogut të Zi, duke e bllokuar lëvizjen e makinave.
Studentët tashmë kanë marrë kontrollin e gjithë rrugës së Durrësit, nga fillimi i saj deri në sheshin Skëndërbej.
Ka përfunduar ultimatumi i studentëve për kryeministrin Rama. Prej këtij të fundit nuk ka asnjë përgjigje për kërkesat e tyre. Një pjesë e studentëve janë zhvendosur drejt rrethrrotullimit të Zogut të Zi, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të qëndrojë përballë Ministrisë së Arsimit. Bllokimi i Zogut të Zi, një pikë nevralgjike e Tiranës, pritet të sjell kaos me trafikun.

Banorët e Astirit kërcënojnë kompanitë e Lali Erit: “Mos guxoni t’u afroheni shtëpive tona, ju pret benzina”

Ndërkohë që thuajse i gjithë vendi gëlon nga protestat, banorët e “Astirit” kanë dalë edhe sot në protestë në ditën e 38-të të tyre, ku kërkojnë tashmë jo vetëm dëmshpërblim të plotë për pronat e tyre, por anulim projekti.
Banorët kanë bërë thirrje kundër qeverisë, teksa e kanë quajtur atë si qeveri hajdute dhe e krimi.
Banorët kanë kërcënuar edhe kompanitë zbatuese të projektit të “Unazës së Madhe”, duke u thënë që të mos guxojnë që të sjellin makineritë për të shembur pronat e tyre, pasi i pret benzina.
“Ju pret benzina. Ju bëjmë thirrje të mos tentoni të afroheni për të prekur pronën tonë”, tha një banor.
Ndërkohë në kor ata kanë sfiduar kryeministrin Rama që të shkojë në zonën e prekur duke thënë: “Hajde po ta mbajti”, “Shpiat do t’i mbrojmë me gjak”.
Ndërkohë kujtojmë se nga ana tjetër një pjesë studentësh vijojnë të jenë para Ministrisë së Arsimit si dhe një pjesë tjetëër kanë bllokuar qarkullimin tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”.