40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Macron premton uljen e taksave dhe rritjen e pagave në përpjekje për të qetësuar Francën

Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën rritjen e pagave për punëtorët më të varfër dhe uljen e taksave për pensionistët, si pjesë e përpjekjeve të tij për të shtendosur situatën e krijuar pas disa javë protestash shpesh të dhunshme që e kanë sfiduar autoritetin e tij.
Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit pas dy fundjavave me trazirat më të egra në Francë pas një kohe të gjatë, presidenti Macron u përpoq të rivendoste qetësinë dhe foli me një ton të përulur pas akuzave se stili i tij qeverisës dhe politikat ekonomike po ndanin vendin.
Por, ai refuzoi vendosjen e taksës mbi pronën dhe të heqë dorë nga agjenda e reformave të cilat tha se do t’i vazhdojë në vitin 2019, më përmirësimin e pensioneve, të përfitimeve për të papunët dhe shpenzimet publike.
“Ne do t’u përgjigjemi urgjencave ekonomike e sociale me masa të forta, duke ulur taksat me shpejtësi, duke e mbajtur shpenzimet nën kontroll, por nuk ka kthim parapa”, tha presidenti Macron në fjalimin televiziv 13 minutësh nga Pallati Elysee.
Ai mbajti fjalim 48 orë pasi që protestuesit u përleshën me policinë, dogjën makina e plaçkitën dyqane, në fundjavën e katërt të protestave të lëvizjes së “jelekëve të verdhë, që filloi si revoltë ndaj çmimit të karburanteve.

Me masat që ka të ngjarë t’i kushtojnë miliarda arkës së shtetit, presidenti Macron tha se njerëzit me pagën minimale, do të shohin një rritje prej 100 eurosh në muaj në vitin 2019 pa kosto shtesë të punëdhënësve.
Pensionistet që marrin më pak se 2 mijë euro, do të shohin këtë vit anulimin e taksës së sigurimeve sociale, tha presidenti Macron, duke folur për masën e cila kishte dëmtuar posaçërisht popullaritetin e tij në mesin e votuesve të moshuar.
“Nuk ka dyshim që gjatë një vitit e gjysmë nuk kemi ofruar përgjigje të forta dhe të shpejta. Unë e marr përsipër përgjegjësinë”, tha ish bankieri 40 vjeçar i cili është kritikuar shpesh edhe për qëndrim arrogant.
“Mbase kam krijuar përshtypjen se nuk jam brengosur dhe kam pasur përparësi të tjera. E di po ashtu se i kam lënduar disa prej jush me fjalë”, tha ai.
Rreth 2, mijë vetë u arrestuan të shtunën në të gjithë Francën. Ministria e Brendshme thotë se rreth 136, mijë njerëz u mblodhën për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës që u mbajtën në një numër qytetesh përveç Parisit, duke përfshirë Marsejën, Bordonë, Lionin dhe Tuluzën.
Protestat nisën në nëntor dhe drejtoheshin kundër rritjes së taksës së karburantit, që ishte pjesë e planit të presidentit Macron për të luftuar ngrohjen globale. Katër vetë kanë humbur jetën në aksidente që lidheshin me protestat.
“Këto janë masa gjysmake. E ndjejmë se Macron ka ende për të dhënë”, i tha televizionit France 2, Benjamin Cauchy, nga lëvizja e “jelekëve të verdhë” i cili e kishte takuar javën e kaluar presidentin francez.

Si të ruani komunikimin me fëmijët adoleshentë

Sa më shumë që përpiqeni të vendosni autoritet, aq më tepër i jepni mundësi fëmijës adoleshent ta përdorë fuqinë e tij negativisht. Disa këshilla si ta mbani hapur komunikimin.
Një nga veçoritë e adoleshencës është sfida ndaj autoritetit. Adoleshentët kërkojnë të kapërcejnë disa kufij, duke i kundërshtuar prindërit. Nëse u kundërviheni, atëherë keni nisur një betejë rraskapitëse.
Sa më shumë që përpiqeni të vendosni autoritet, aq më tepër i jepni mundësi fëmijës suaj adoleshent ta përdorë fuqinë e tij negativisht. E thënë në gojën e tij kjo do të kishte kuptimin: “Jam aq i fortë sa, megjithëse mundoheni të më shpërfillni, nuk do t’ia dilni dot.”
“Në luftën për pushtet” marrin pjesë dy persona. Tregohuni i matur. Kjo nuk do të thotë se po lëshoni pe. Mund ta kundërshtoni fëmijën tuaj adoleshent, por duke mos e fyer. Për shembull, me përgjigje të tilla: “Të kuptova, por nuk jam i një mendimi me ty”; “Nuk është e thënë të jemi gjithmonë në një mendje”; “Më vjen keq që ndihesh kështu”; “E respektoj dëshirën tënde për të patur ide të pavarura, por unë mendoj ndryshe”; “E zëmë se thua të vërtetën, por ç’nxorëm në dritë nga diskutimi ynë?”

Fjali si këto i lënë fëmijës suaj adoleshent të kuptojë se ju e vlerësoni, edhe nëse nuk jeni i të njëjtit mendim me të. Kjo ndihmon në krijimin e një mjedisi të hapur, në të cilin ai do të ndihet më mirë dhe do të bëjë të gjitha llojet e pyetjeve, duke përfshirë edhe ato mbi seksin. Kjo i forcon ndjenjën e barazisë në dialogun me partneren.
Adoleshenti ka nevojë të marrë vlerësimin e duhur për sjelljen dhe mendimet e tij. Vetëm kështu do të fitojë autoritetin e një të rrituri, që i dëgjohet zëri.
Bisedoni bashkë mbi tema të ndryshme, mbrojeni mendimin tuaj, por mos harroni asnjëherë të tregoni vullnet të mirë për të dëgjuar edhe mendimin e tij. Do të shihni se mendimet tuaja ndryshojnë. Nuk është ndonjë çudi e madhe. Një mosmarrëveshje e trajtuar me mençuri, mund të jetë më e dobishme se të qenit në një mendje.
A ka kufij për tema të caktuara apo mund të flisni për gjithçka? Sa më të hapur të jeni ju, aq më i lirshëm do të ndihet fëmija juaj adoleshent për të folur me ju mbi temën e seksit.
Nëse ju bën pyetje mbi aktivitetin seksual, nuk do të thotë se ai vetë kryen marrëdhënie seksuale. Por edhe nëse nuk ju pyet, nuk mund të thoni me bindje se nuk bën jetë aktive seksuale. Prandaj, nuk duhet të prisni derisa ta marrë ai iniciativën. Kjo është përgjegjësia juaj si prind. Mundësitë për të diskutuar me fëmijën tuaj adoleshent janë të pafundme. Dhe s’ka asgjë për t’u frikësuar!

Studentët përzënë të rinjtë e FRESSH-it, largohen kokëulur…

Ashtu si në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, edhe në Gjirokastër, pavarësisht pengesave nga ana e policisë që ata nuk mund të protestonin pa leje, studentët janë mbledhur dhe po protestojnë për plotësimin e kërkesave të tyre.
Gjatë protestës është regjistruar edhe një ‘incident’ mes tyre dhe të rinjtë e forumit rinor socialist FRESSH. Studentët ashtu siç shihet në këtë video i kanë përzënë nga protesta të rinjtë e FRESSH, duke thirrur “Turp turp, turp”.
Mijëra studentë të ardhur edhe nga rrethet po protestojnë para ministrisë së Arsimit me pankarta dhe brohoritje për plotësimin e kërkesave të tyre.
Në ditën e shtatë të kësaj proteste, studentëve u janë bashkuar edhe gjimnazistë si dhe qytetarë të ndryshëm të cilët i mbështesin.

Ankthi mund të jetë shenjë e inteligjencës së lartë

Kjo ide ka qenë për shumë kohë: Fjala e urtë se “injoranca është lumturi” sugjeron të kundërtën, se dituria përfshin ankth.
Kjo thënie është vërtetuar së fundmi edhe nga ana shkencore.
Gjatë një studimi të kryer në Universitetin Lakehead në Ontario të Kanadasë, psikologu Alexander Penney dhe kolegët e tij anketuan më shumë se 100 studentë, ku u kërkuan të raportonin mbi nivelet e shqetësimit.
Në fund të studimit, hulumtuesit shkencorë zbuluan se studentët me shumë ankth (ata që pranuan se shqetësoheshin dhe për gjënë më të vogël), shënuan rezultate më të larta në testin verbal të inteligjencës.
Perceptimi se personat që shqetësohen shumë janë më inteligjentë është përforcuar nga një eksperiment i kryer në vitin 2012, nga psikologët Tsachi Ein-Dor dhe Orgad Tal në Qendrën Ndërdisiplinore Herzliya në Izrael.
Në eksperiment u përfshinë 80 studentë, të cilëve iu kërkua të vlerësonin një punë artistike nga një program softuerik.
Ndërkohë që po bënin punën që u kishin kërkuar, pjesëmarrësit aktivizuan “aksidentalisht” një virus në kompjuter (Kjo në fakt ndodhi automatikisht).
Krijuesit e eksperimentit u kërkuan studentëve të kërkonin menjëherë mbështetje teknikë. Ata panë se studentët më inteligjentë u shqetësuan më shumë dhe këmbëngulën që të gjenin një zgjidhje, krahasuar me studentët e tjerë më pak inteligjentë.
Prandaj, herës tjetër, kur dikush ju thotë që të qetësoheni, i shpjegoni se nervozizmi ka virtytet e tij.

Shkencëtarët shumë afër ilaçit që shëron virusin e HIV-it

Shpresat u janë rritur miliona pacientëve të diagnostikuar me HIV, pasi që hulumtuesit besojnë se një ilaç shërues mund të jetë shumë afër.
Për momentin, virusi mund të fshihet në nivele që nuk mund të detektohet, andaj edhe nuk mund të vritet – që do të thotë se një pacient asnjëherë nuk mund të konsiderohet i shëruar.
Por, hulumtuesit e Universitetit illinois tani besojnë se kanë bërë një hap para drejt shërimit të tërësishëm të pacientëve me HIV.
Ata pohojnë se targetimi i një gjeni brenda trurit mund ta zbulojë virusin që fshihet dhe ta lë sistemin e imunitetit apo ilaçet ta luftojë atë.
Organizatat e shumta i kanë mirëpritur këto zbulime, duke i përshkruar rezultatet si “shpresëdhënëse”.
Avancimet mjekësore përgjatë katër dekadave kanë bërë që pacientët me këtë virus të bëjnë seks të pambrojtur pa frikën se e transmetojnë sëmundjen.
Por, qëllimi kryesor gjithmonë ka qenë zbulimi i një kure për HIV-in, sëmundje që i prek mbi 30 milionë njerëz anë e mbanë botës.
Hulumtuesit, që janë udhëhequr nga profesori Jie Liang, deklarojnë se gjeni, i cili quhet Tat, që e nxjerr nga fshehja HIV-in, mund ta ekspozojë virusin në sistemin e imunitetit.
Kjo pastaj u mundëson ilaçeve ta sulmojnë virusin dhe ta largojnë krejtësisht.
Vlen të ceket se ky studim është publikuar në revistën ‘PNAS’.

Protesta madhështore!

Uragani i protestës së rinisë shqiptarë ka pushtuar kryqytetin, por edhe të rretheve të ndryshme
Më mijra janë nisur për në shesh nga të gjithë drejtimet e shkollave të tyre për të mbërritur në qender tek korpusi i Universitetit dhe me pas në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Studentët kanë mbërritur tek Ministria e Arsimit, që do të jetë edhe stacioni i tyre i protestës masive që zhvillohet në të gjitha Universitetet e vendit. Ata kanë marshuar fillimisht në Bulevard dhe nga të gjitha fakultetet në Tiranë dhe më pas janë mbledhur tek ministria.
Studentët e Politeknikut, Arteve dhe Gjeologji Minierave u mblodhën tek Korpusi dhe më pas kanë parakaluar në Bulevard para kryeministrisë ku ka pasur ovacione dhe thirrje për kryeministrin Edi Rama.
Ata e kanë nisur me këndimin e Himnit Kombëtar dhe më pas me parulla për plotësimin e kërkesave të tyre, kryesisht uljen e tarifave. Studentët e gjeologji minierave janë me kaska të verdha, ndërsa studentët e arteve kanë marrë veglat muzikore.

Kusarët e qeverisë në burg!

Qeveria shqiptare është detyruar të pranojë sot se kompania fituese e Unazës së Re është një falsifikatore, e konfirmuar kjo zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas publikimit të këtij lajmi, dhe konfirmimit zyrtar të akuzave të bëra deri më sot nga opozita se në Unazën e Re po luhej një megaaferë vjedhjeje dhe korrupsioni prej 40 milionë eurosh, një nga drejtuesit e LSI, Petrit Vasili ka bërë thirrjen që prokuroria të fillojë arrestimet duke filluar nga Kryeministri.
Mesazhi i plotë i Vasilit
Tenderat me konkurentë me zero lekë, me kompani mashtruese dhe me rekorde të zeza dhe vjedhja kriminale është sheshit dhe e orkestruar nga Qeveria.
Asnjë justifikim, asnjë alibi, thjesht vjedhje kriminale.
30 milionë euro, mafiozët e Qeverisë i vjedhin dhe kanë bërë gati edhe ku do t’i çojnë deri në Amerikë.
Hetimi i Qeverisë fillon nga arrestimi i qeveritarëve dhe drejtorëve.
Çdo sekondë që këta rrinë nëpër zyra fshehin dhe bëjnë pis provat e korrupsionit.
Prokuroria të shpëtojë veten, të veprojë shpejt dhe të nisë arrestimet nga ministri, Kryeministri drejtorët. Kusarët e qeverisë në burg – kjo është më e pakta”.

Edi Rama, në emër të Shqipërisë, dënohesh me rrjepje!

Erl KODRA

Ti je zyrtarisht Kryeministër. Me çitjane apo me atlete, me brekë apo pa brekë, ti prapë je Kryeministri i Shqipërisë. Me aftësi dhe cilësi të veçanta për të mashtruar dhe vjedhur drejtëpërdrejt qytetarët e Republikës. Ndaj po të drejtohem, sepse në rrethana të tjera, nuk do të harxhoja asnjë minutë me ty.
I ke hypë një Shqipërie në qafë, duke ia shkoqur copa copa trupin e mjerë! E mbushe vendin me drogë dhe kriminalizove 25 % të popullsisë. Përzure 500 mijë shqiptarë nga Atdheu, ndërsa 500 mijë të tjerë jetojnë në zgrip të ekzistencës fizike. I zhbëre institucionet themelore të shtetit, dhe rilinde ish Sigurimin e Shtetit në detyrë. Mblodhe rreth vetes llumin e Shqipërisë, qeniet më të pështira, jashtëqitjen e kombit dhe i bëre deputetë, ministra, prefektë, drejtora dhe bashkiakë.
Ndërtove një piramidë me butakë që zbatojnë vetëm urdhëra, pa qenë në gjendje të artikulojnë një gërmë kundër vullnetit tënd. Pushtove dhe nënshrove mediat, me qenie të pamoralshme, që për Zot kanë lekun dhe ves babëzinë.
Në emër të “shtetit” burgose të pamundurit, i mashtrove, i bleve, i shite si gjënë e gjallë. Për një thes miell u bleve dinjitetin, o birë i djallit.
Ndaj, sot, në emër të Shqipërisë, dënohesh me rrjepje!

Rama thërret ushtarë dhe policë ta ruajnë nga studentët dhe gjimnazistët

Studentët që janë nisur nga Universiteti Politeknik i Tiranës këtë herë nuk e kanë shmangur kryeministrinë.
Ata po marshojnë drejt Bulevardit ”Dëshmorët e Kombit” dhe ende nuk dihet nëse ka një plan për të qëndruar poshtë zyrës së Edi Ramës.
Ndërkohë që vihet re një prani e shtuar e efektivëve të Policisë në ambientet e jashtme të kryeministrisë.
Protesta është shtrirë në të gjithë rrugët e kryeqytetit, ndërsa entuziazmi është mjaft i madh për shkak të lartë të pjesëmarrësve në protestë.
Studentët kanë refuzuar dje dhe sot thirrjet e kryeministrit Rama për dialog me ta, pasi thonë se kërkesat e tyre janë të qarta dhe nuk kanë nevojë që të diskutohen.

Tirana kumbon nga thirrjet: “Bashkohuni me ne”! “Bashkohuni me ne”!

“Bashkohuni me ne”! “Bashkohuni me ne”! Këto janë thirrjet e mijëra studentëve përpara ministries së Arsimit.
Mijëra studentë janë grubmulluar përpara Ministrisë së Arsimit në këto momente dhe të tjerë vazhdojnë të vërshojnë drejt tyre.
Mbizotëron thirrja “Bashkohuni me ne, bashkohuni me ne” ndërkohë që në pankarta bëhet e ditur se nuk pranohen negociata me qeverinë, por vetëm plotësim i kërkesave.
Studentët e rretheve po vijnë nga Rruga e Kavajës drejt ministrisë së Arsimit.
Në ditën e shtatë të kësaj proteste pjesëmarrja duket të jetë e jashtëzakonshme, ndërsa ka ndeshur në një sensibilizim mjaft të madh dhe nga ana e qytetarëve.
Ka pasur plot risi kjo protestë, ashtu siç janë plot ngjyra dhe shpirtrat e të rinjve. Studentët e Akademisë së Arteve kanë vendosur që protestën e tyre ta nisin me himnin kombëtar, studentët e Gjeologji Minierave kanë dalë me kapelet e verdha, ndërsa marshuesit kanë kaluar sot dhe përpara kryeministrisë, ndryshe nga ditët e mëparshme.
Ndërkohë risitë nuk kanë munguar dhe nga Shkodra, protestës së tyre iu janë bashkuar dhe tregtarët, të cilët iu kanë dhuruar studentëve dhe flamuj kuqezi.
Nga ana tjetër protesta në ndryshim nga ditët e para ka gjetur përkrahje mjaft të madhe dhe në Gjirokastër, ndërsa një pjesë e studentëve kanë bllokuar rrugët kryesore të qytetit.
E paprecedentë ka qenë ajo që ka ndodhur në Elbasan, ku studentët kanë nisur marshimin në këmbë drejt Tiranës, pasi nuk janë lejuar autobusat që të nisen.