21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Revolta në emisionin e mëngjesit, i gjithë populli me studentët dhe banorët e “Astir” kundër Ramës

Ndonëse kanë kaluar disa ditë që studentët protestojnë për plotësimin e disa kërkesave, ndër to uljen e tarifave të shkollimit, përmirësimin e kushteve në universitete e konvikte, mbështetja ndaj tyre tek qytetarët nuk është zbehur.
Edhe mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për t’u zgjuar” të gazetarit Bashkim Hoxha në Neës24, qytetarë të ndryshëm nuk kanë ngurruar të përshëndesin këtë protestë dhe të tregojnë mbështetje për studentët.
Ata janë ankuar dhe për probleme të tjera të jetës së përditshme, duke folur për një ekonomi të dobët në familjet e tyre.
Telefonues 1: Asgjë nuk ka këtu, vetëm Edi Rama është. Këtu nuk jetohet më. Ja studentët i zgjidhën po ne. Na ka zënë kërpusha, na ka vajtur fukarallëku në gjak. Nuk e dimë ça do bëhet në këtë vend, kështu do jetojmë ne?!
Telefonues 2: Çdo gjë rëndon në kurrizin e popullit. Edhe Unaza dhe studentët dhe taksat janë në kurrizin e popullit. I bëj thirrje kryeministrit të shohë të drejtat e studentëve. Rritja e çmimit të karburantit e ka përsëri kurrizi i popullit. Shqiptarët janë me ekonomi të dobët dhe nuk e bëjnë dot ballë çmimin e karburantit.
Kam punuar 35 vjet në SMT dhe marr 140 mijë lekë pension. I bëj thirrje kryeministrit që ta shohë ligjin, që kush ka dalë nga puna para 94 të marrë pension minimal se nuk mund të jetojmë kështu.

Telefonues 3: Jam dakord me studentët që protestojnë por edhe me popullin e Astirit se i kanë rregulluar dhe me djersë e gjak e emigracion ato shtëpia. E vraftë Zoti. Shtëpia është gjë e shenjtë. Ai njeri nuk ka urime.
Telefonues 4: I mbështes plotësisht studentët. Duhet t’u japë paratë banorëve të Unazës një më një, pa seleksionime.
Telefonues 5: Situata është tepër, tepër e vështirë për kombin shqiptar. Këto dëme që i kanë sjellë këto qeveri për 28 vite nuk i ka sjellë as turku, as serbi, as komunizmi. Njerëzit më të këqij të kësaj toke, më të ulët ngjiten lart. Që nga ky që priste diçka populli që kur u ngjit lart e për ta varrosur po e varros populli. Çdo njeri duhet të ndërgjegjësohet për gjendjen e kombit se s’do ketë më komb. Duhet ngritur kundër tiranisë, kundër këtij njeriu të ulët. I lutem gjithë popullit të zgjohet, të ngrihet kundër këtij personi që quhet Edvin Rama.
Telefonues 6: Jam dakord me protestën por unë investoj për nxënësit që mësojnë.
Telefonues 7: I gjithë populli është me studentët, i gjithë populli është me Unazën e Re. Ne jemi në rrugë mo Bashkim. 70 mijë lekë pension. Nuk dimë ku ngrihemi, nuk ka kush na ngre. Populli është në atë gjendje që nuk ka bukë në tavolinë more Bashkim.

“Balkanweb.com”

Ky është banditi i pushtetit në Elbasan që policia nuk e arreston

Del për herë të parë fotoja e Suel Çelës, 30-vjeçarit të akuzuar për tentativë vrasje të efektivëve të policisë së Elbasanit, në incidentin e rëndë të ndodhur në tregun agro-ushqimor të këtij qyteti më 18 shtator të vitit 2017.
Ai është shpallur në kërkim policor pasi gjykata ka vendosur “Arrest me burg” ndaj tij për veprën penale “Vrasje e punonjësve të policisë mbetur në tentativë”. Çela konsiderohet nga policia si një person me rrezikshmëri të lartë.
Në foton e publikuar nga Policia e Shtetit jepet dhe emri e mbiemri tjetër i 30-vjeçarit si: Marjus (Suel) Petrit Lulaj (Çela).
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda mjetin “Audi” që goditi policinë e ka drejtuar Suel Çela.
Incidenti, nga i cili u publikuan dhe video atë kohë shkaktoi një reagim të madh në radhët e strukturave të policisë së Shtetit dhe lëvizje dhe tërhoqi vëmendjen duke u bërë lajmi kryesor në mediat shqiptare.
Sot Policia e Elbasanit ka publikuar emrat e 32 personave, të cilët janë të shpallur në kërkim dhe për të kryer arrestimin e tyre kërkohet edhe ndihma e qytetarëve.

Londra përgënjeshtron shtyrjen e votimit për Brexitin

Qeveria britanike i ka hedhur poshtë raportimet për një shtyrje të votimit për Brexitin në parlament. Përgjithësisht pritet që kryeministrja May të pësojë disfatë në votimin në Parlament.
Zyra e kryeministres britanike, Theresa May kundërshtoi spekullimet për një shtyrje të mundshme të votimit për Brexitin në parlamentin britanik. “Votimi do të mbahet të martën”, tha një zëdhënës i Downing Street për agjencinë britanike të lajmeve PA.
Më parë mediet patën njoftuar se May dëshiron ta shtyjë votimin, përballë disfatës që e kërcënon. Me shtyrjen ajo do të përpiqej të fitonte kohë, ku me një “moment të çantës së dorës”, ajo do të përpiqej të negocionte kushte të reja. Sipas të dhënave të “Sunday Times”, May dëshironte të pengonte me këtë rrëzimin e mundshëm të qeverisë së saj.
Me “momentin e çantës së dorës” kuptohet dalja e ish-kryeministes britanike Margaret Thatcher, e cila në takimin e nivelit të lartë të vitit 1984 në Francë arriti lëshime më të mëdha në kontribute për Britaninë e Madhe. Në diskutim e sipër ajo e vendosi disa herë herë në mënyrë demonstrative çantën e saj të dorës mbi tavolinë.
Kërcënimi me shefin e laburistëve Corbyn
Në një intervistë me “Daily Mail”, May i paralajmëroi anëtarët e partisë së saj që të mos votojnë kundër marrëveshjes për Brexitin. Një Jo do t’i sillte pasiguri të mëdha vendit dhe rrezikun që Britania e Madhe të mos largohet nga BE.

“Po ta doni Brexitin, atëherë merreni, dhe për këtë bëhet fjalë në këtë marrëveshje”, tha ajo. Drejtuesi i opozitës Jeremy Corbyn vetëm pret sa të organizojë me çdo çmim zgjedhje të reja, tha May. “Unë besoj se Jeremy Corbyn në pushtet është një rrezik që nuk mund ta përballojmë”.
Për momentin konsiderohet pa gjasa, që parlamenti të martën e ardhshme të votojë në Londër pro marrëveshjes së Brexitit, për të cilën May ka negociuar në Bruksel. Alternativat do të ishin një dalje e çrregullt nga BE ose ndoshta edhe fare jo Brexit. Sipas “Sunday Times”, disa ministra po thurrin plane për një referendum të dytë.
Ministrja e Punës, Amber Rudd është shprehur tashmë për modelin Norvegji-Plus ose për një referendum të dytë si alternativa për planet e tanishme të Brexitit. Nëse marrëveshja për daljen nga BE për të cilën është rënë dakord nuk miratohet, modeli Norvegji-Plus mund të ishte plani B, i tha Rudd stacionit BBC dhe gazetës “The Times”. Asnjë ministër tjetër nuk është shprehur më parë kaq publikisht për këtë model.
Në rastin e modelit Norvegji-Plus, Britania e Madhe do të qëndronte në tregun e brendshëm dhe në bashkimin doganor. Ky model mund të marrë një shumicë tej kufijve të grupeve parlamentare në Parlamentin britanik. Norvegjia është anëtare e Hapësirës Ekonomike Evropiane, por jo anëtare e BE. Britania e Madhe mund të binte dakord për një bashkim doganor shtesë me Brukselin – pra Norvegji Plus. Kritikët nuk e pëlqejnë këtë zgjidhje, sepse e quajnë Brexit tepër të butë. Ata kanë frikë, se thuajse gjithçka do të mbetet si ka qenë, edhe liria e lëvizjes së personave.
Ruddi tha se e mbështet edhe më tej marrëveshjen. Por një dalje nga BE pa marrëveshje, mund të shkaktonte një kaos në Britaninë e Madhe, i tha ministrja BBC. Prandaj duhet vrarë mendja për alternativa. Këtu bën pjesë edhe një referendum i dytë. Ajo vetë do të votonte në një rast të tilllë për të qendruar në BE.

Pse me kryehajdutin e “Astir” do bëjnë dialog studentët?!

Kryeministri Edi Rama, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar per disa ndryshime ne ligjin “Per pensionet shteterore suplementare te punonjesve te universiteteve dhe institucioneve te tjera kerkimore”./r/n/r/nPrime Minister Edi Rama, speaks during a parliamentary session.

Pas refuzmit të studentëve për të takuar kreun e qeverisë ka reaguar kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili i cili shtron pyetjen, “Pse me kryehajdutin e Astir do bejne dialog studentet”??
“Me një kryehajdut duhet të flasë ligji dhe fort fare bile dhe jo studentët”, shkruaa drejtuesi i lartë të LSI.
Psotimi i plotë i Vasilit në Facbook
Pse me kryehajdutin e Astir do bejne dialog studentet??
Hajduteria e 40 milion euro te Unaza e Re eshte ne mes te sheshit.
Edhe kryehajduti i qeverise, qe ka mbyllur gojen dhe nuk guxon te thote asnje fjale per kete hajduteri eshte ne mes te sheshit.
Me ke do dialogojne studentet???
Me kryehajdutin do flasin?
Pse studentet do ti besojne zgjidhjen dhe te ardhmen kryehajdutit?
Me nje kryehajdut duhet te flase ligji dhe fort fare bile dhe jo studentet.

Parisi në flakë, francezët presin përgjigjet e Macronit

Automjete në flakë, barrikada, dyqane të bastisura: pas protestave të dhunshme kundër politikës reformiste, presidenti i Francës do të mbajë një fjalim drejtuar kombit. A do të mund t’i zbusë ai “jelekët e verdhë”? Automjete në flakë, barrikada, dyqane të bastisura: shumë sy pritet t’i drejtohen të hënën në darkë Presidentit Emmanuel Macron që ndodhet nën presion: shefi i shtetit francez do t’i drejtohet në orën 20 nga rezidenca e tij zyrtare popullit, bëri të ditur pallati Elize në Paris.
Ministrja e Punës Muriel Penicaud deklaroi se Macroni do të shpallë në fjalimin e tij drejtuar kombit masa “konkrete dhe të menjëhershme”. Midis tyre megjithatë nuk do të jetë ngritja e pagës minimale, sepse kjo do të kushtonte vende pune. “Shumë sipërmarrje të vogla nuk e përballojnë dot këtë dhe do të falimentonin”, tha Penicaud.
Presidenti dëshiron të dëgjojë me vëmendje
Qeveria me sa duket e ka nënvlerësuar nevojën e francezëve për t’i dëgjuar, pranoi një zëdhënës i Macronit. Njëkohësisht ai paralajmëroi për shpresat e tepruara në fjalimin e tij: “Jo të gjitha problemet e demonstruesve “jelekverdhë” mund të zgjidhen me shkop magjik”.
Që të hënën në mëngjes, Macroni dëshiron të takojë ndër të tjera përfaqësues të sindikatave, të punëdhënësve, si dhe të Presidentes së Asamblesë Nacionale dhe të senatit, siç konfirmojnë qarqe të Elizesë. Presidenti dëshiron të mbledhë në këtë kohë të vështirë të gjitha forcat politike, lokale, ekonomike dhe sociale, për të dëgjuar zërat dhe propozimet e tyre, u bë e ditur.

Qyteti në gjendje rrethimi
Protestat e “jelekverdhëve” në Paris, të shtunën kaluan sërish në dhunë. Në afërsi të bulevardit Champs-Elysées demonstruesit e qëlluan policinë me lëndë plasëse dhe me gurë kalldrëmi. Ata u vunë flakën barrikadave dhe automjeteve. Disa persona madje u përpoqën t’i vënë flakën një supermerkati luksoz. Disa dyqane u plaçkitën. Policia përdori gaz lotsjellës, ujëhedhës dhe plumba plastikë kundër huliganëve. Një sërë atraksionesh të turistëve si Kulla Eifel dhe Luvri si dhe një sërë stacionesh metroje qëndruan të mbyllura.
Në të gjithë vendin, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në fundjavën e katërt radhazi të protestave, morën pjesë 136.000 vetë. Ata patën gjithsej 89.000 forca të sigurisë përballë. Numri i të arrestuarve përkohësisht ishte 2000, numri i të plagosurve mbi 250 vetë.
Jelekverdhët u takuan në mes të nëntorit përballë rritjes së taksave për karburantët. Këtë plan qeveria e Macronit ndërkohë e ka ngrirë. Por kërkesat e demonstruesve shkojnë ndërkohë shumë më larg – nga rënia e taksave deri te fuqia më e madhe blerëse deri te dorëheqja e kreut të shtetit.

Karrenbauer: Strategjia e re e CDU-së me Rusinë

DW: Zonja Kramp-Karrenbauer, ju arritët një fitore me diferencë shumë të vogël votash. Ka shumë njerëz në parti, të cilët do të kishin dëshiruar që partia të merrte një pozicion më konservator. Si i kënaqni këta të zhgënjyer, çfarë u ofroni?
AKK: Ne përjetuam një kongres partie, i cili me të vërtetë qe i polarizuar në debate, pikërisht në alternativa. Por më parë konstatuam gjithashtu, që përmbajtjet nuk dallohen midis kandidatëve. Kështu që njësoj si Friedrich Merzi dhe Jens Spahn-i unë përfaqësoj një pozicion, që e drejta për shembull duhet të zbatohet në mënyrë shumë konsekuente. Kjo buron nga historia ime si ministre e Brendshme: dhe këtë do ta vëmë në rrugë për shembull në kuadër të një seminari për temën e migrimit, për temën e sigurisë së brendshme pranverën e ardhshme.
Vitin e ardhshëm keni tri zgjedhje të rëndësishme në landet lindore të Gjermanisë. Në Gjermaninë lindore partia populiste AfD është veçanërisht e suksesshme. Si doni t’i rifitoni zgjedhësit e AfD-së?
AKK: Me fuqinë tonë vetjake. E para është që edhe në këto fushata elektorale, që ne e pranojmë që nuk do të jenë të lehta, nuk do të orientohemi te partitë e tjera, por do të paraqitemi fort si CDU lokale. Për këtë ekzistojnë një sërë temash rajonale, bilance të mira, dhe përsa u përket landeve ku jemi në opozitë, edhe kritika të justifikuara ndaj qeverisë. Me siguri që do të dalin edhe tema më të përgjithshme, si çështja sociale, tema e pensioneve, këtu duhet t’i koordinojmë mirë pozicionet edhe në pikëpamje organizative. Por, siç e thashë, pozicioni bazë është: ne duam t’i bindim njerëzit me fuqinë tonë dhe ta bëjmë këtë në një mënyrë të tillë që zgjedhësit të kthehen edhe njëherë te ne.

Në Francë rrugët janë në flakë, njerëzit dalin në rrugën sepse luftojnë kundër pabarazisë sociale. A mund të mësoni gjë nga kjo për Gjermaninë?
AKK: Unë besoj se Gjermania është në një situatë tjetër, sepse ne kemi një sistem, me ekonominë sociale të tregut, për shembull me sistemin e partneriteteve tona sociale, ku shumë çështje dhe konflikte diskutohen dhe rregullohen me njëri-tjetrin edhe në struktura të rregullta. Shpresoj shumë që paqen, paqen sociale, të cilën e kemi në këtë mënyrë, të mund ta ruajmë vërtet edhe në Gjermani, sepse e shohim, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Francën apo për shtete të tjera, se sa e vështirë është, kur thyhen rregullat për të cilat në thelb është rënë dakord, dhe kur konfliktet, krejtësisht të justifikuara në tematikë, shkallëzohen dhe kalojnë në dhunë.
Muajt e fundit ju jeni pozicionuar edhe në politikën e jashtme, për shembull në drejtim të Rusisë, ku kërkoni sanksione më të forta, që shkojnë më larg.
AKK: Ne duhet të mbajmë edhe njëherë parasysh, edhe tani përballë ngjarjeve më të fundit në Ngushticën e Kerçit, që fillesa si të thuash e diskutimit dhe e konfliktit është aneksimi në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare i Krimesë, përzierja në Ukrainën Lindore dhe që ne duhet të bëjmë shumë të qartë, si përmes sanksioneve, që kemi, por edhe në reagim të incidentit, që këtë mënyrë të marrjes së tokës në Evropë nuk e durojmë dhe se nuk mund ta durojmë. Është shumë e qartë që Deti Azov nuk është det i brendshëm rus dhe është edhe në interesin evropian, në interes ndërkombëtar që kjo të sqarohet dhe të kujdesemi për këtë.
Ju thatë që ndiheni pa asnjë problem e aftë për të qenë kancelare. A besoni megjithatë se kancelarja Merkel do ta përfundojë legjislaturën dhe do të jetë edhe tre vjet të tjera kancelare?
AKK: Atëherë: ne kemi një qeveri federale që është zgjedhur për këtë legjislaturë. Angela Merkeli ka thënë se është në dispozicion për ta përfunduar këtë legjislaturë. Dhe kongresi i partisë e bëri shumë të qartë, se edhe e dëshiron këtë dhe kjo është edhe dëshira ime personale. Dhe detyrën time si shefe e partisë në pushtet unë e shoh edhe që të kujdesem, që kjo qeveri të ketë stabilitetin e nevojshëm, në mënyrë që të plotësojë mandatin e zgjedhësve.

Rama ashpërson gjuhën me studentët: S’doni të dialogoni? Rrini atje…!

Pasi u refuzua sërish nga studentët, kryemninistri Rama ka ashpërsuar gjuhën me studentët. Rama ka thënë se ai është i gatshëm për t’i dëgjuar studentët dhe nga dialogu sipas tij mes palëve lind dhe zgjidhja.
Por kryeministri ka patur edhe një paralajëmrim të ashpër ndaj tyre. Rama ka thënë se kush synon që këtë protestë, apo nëse e ka nisur që në fillim me qëllimin për ta kthyer në një “revolucion të atyre pa popull”, le ta provojnë.
“Unë jam i gatshëm në sekondën e parë që dikush thotë dua të dëgjohem, i them: Po dua të dëgjoj. Për të dëgjuar edhe atë pensionisten në fund të botës, që falë platformës i rregullohet pensioni, dhe për të ndjekur dhe këmba-këmbës burokratët që e pengojnë atë mësuesen të bëhet mësuese, që i mohohet e drejta”, tha ai.
“Sa i përket protestuesve, kam një pyetje: Është politike apo nuk është politike, apo është e orkestruar në mënyrë të tillë që disa që i pash që kanë venë edhe maska që thonë ‘larg poltikës dhe janë telefoni i prishu i politikës. Dialogu nuk është akt martese me zor, është moment kur palët flasin, palët dëgjojnë dhe dëgjohen, unë nuk them hajde të dialogojmë pasi të ndaloni protestën, vazhdoni të protestoni.
Si mundet dot të jemi sot në fund të vitit 2018 në shekullin e 21, kemi bërë një rrugë të gjatë e të vështirë, si mund të jemi kundër dialogut mes studentëve dhe qeverisë dhe kryeministrit, pse qa është kjo, dyqan, magazinë?

Unë besoj se prindërit nëpër shtëpi më kuptojnë këtë që po them. Më duket se nuk e keni mësuar që në vitin 2013 kur erdha në qeveri kërkesa ulëritëse për autonomi ishin ulëritëse, ato tarifa u rritën si produkt i autonomisë. Jam dakord me ju sa i përket tarifave por duhet të ulemi të diskutojmë se nuk e zgjidhim problemin në themel.
Kushdo që e ka nisur apo nëse e ka nxitur që në fillim, me idenë që ta kthejë në revolucion të atyre pa pupull është i lirë ta provojë,
Por duhet të kuptohet që qëllimet e përbashkëta nuk arrihen me forma dhe ultimatume, eksperienca demokratike njeh shumë raste kur protesta nuk dëgjohet, edhe rasti i fundit në Francë vonesat në reagim dhe mosgadishmëria për ti dëgjuar ata që janë në rrugë çon në veprime të padëshiruara”, deklaroi kryeministri.
“S’doni dialog, rrini atje”, u shpreh Rama duke shtuar sërish se është i gatshëm për t’i dëgjuar studentët.

Krye-i-paafti me karrema ne dorë!

Nga Aurel Plasari

Krye-i-paafti, që bën sikur qeveris, nuk të lë mundësi të heshtësh, të shtyn të flasësh e të shkruash.
‘Përgjigja ime’: poston Krye-i-paafti. Përgjigje kujt? Studentëve? Po pse: i kanë bërë gjë pyetje studentët? Studentët i kanë bërë kërkesa. Kërkesat atyre ose ua plotëson ose jo. Me karrema për ‘pyetje-përgjigje’ nuk qeveriset. Dhe, meqë ra fjala, shkruhet ‘përgjigjja’ dhe jo ‘përgjigja’.
‘Të bashkëqeverisim’: guxon e u thotë ky Krye-i-paaftë studentëve. Ka mësuar një term, ‘bashkëqeverisje’, që i duhet si shkop magjik për të magjepsur budallenj. Ç’ne studentët të bashkëqeverisin me të?! Mandatin për të qeverisur e ka kërkuar Krye-i-paafti, votat qytetarëve ua ka lypur, duke u puthur duart dhe ndonjë send tjetër, Krye-i-paafti. Jo studentët. Dhe votat për të qeverisur ia kanë dhënë Krye-të-paaftit, jo studentëve. T’u hedhësh studentëve karremin për t’i joshur si ‘bashkëqeverisës’ nuk do të thotë veçse orvatje tinëzare për të ndarë dështimet me ta, kur nuk e kanë studentët përgjegjësinë për dështimet me radhë të gjata të qeverisë që Krye-i-paafti drejton. Të tjera detyra, të tjera ngarkesa kanë mbi vete studentët, kur duan ata edhe të tjera misione.
Përkatësisht numrit të votave, Krye-i-paafti ka marrë mandatin për të qeverisur dhe prandaj e ka detyrë të dijë t’ua plotësojë studentëve kërkesat që i kanë bërë qeverisë që ai drejton. Është detyrë që e ka marrë përsipër vetë, duke e lypur, nuk ia ka ngarkuar kush me pahir. Mundet që unë të di diçka se si mund t’u plotësohen kërkesat studentëve, një më një, duke ruajtur njëkohësisht edhe ekuilibrin mes kërkesave të tyre dhe interesit publik të masës së qytetarëve, që nuk bën të cenohet. Por nuk kam kërkuar të qeveris, siç ka kërkuar tash e shumë mot zotëria e tij, ngaqë mendoj se bëj më mirë të tjera punë.

Kur përmend ruajtjen e ekuilibrit mes kërkesave të studentëve dhe interesit publik të masës së qytetarëve, nuk llogaris entitetin e tretë, oligarkinë. Sepse kush qeveris në aleancë me oligarkë nuk mund të plotësojë as kërkesa të studentëve, – e shumta mund t’ia dalë t’i përçajë a t’i gënjejë ata, – dhe as të mbrojë interesin publik të qytetarëve. Oligarkët ka në ‘bashkëqeverisje’, nuk mund të ketë qytetarët, aq më pak studentët.
Dhe, meqë këtu në Shqipëri shtiren kinse nuk e bëjnë dot dallimin e oligarkisë nga ‘sipërmarrësit’, ja një përkufizim bashkëkohor i oligarkisë së kohës sonë, siç mund të lexohet në librin që ndonjëherë e kam rekomanduar për lexim, ‘Përdhuna e të pasurve: Kronikë e një thyerjeje të stërmadhe sociale’, me autorë dy sociologë të ditëve tona Michel Pinçon & Monique Pinçon-Charlot (Paris 2013):
‘Kur të gjitha pushtetet janë në duar personash që mbajnë lidhje të ngushta dhe formojnë një grup de facto, mund të flitet për oligarki. Politika, sipërmarrjet, financa, mediat, tregu i artit kontrollohen prej agjentësh socialë që njihen mes tyre dhe e gjejnë veten si të tillë, në kuptimin që kooptojnë njëri-tjetrin në instancat ku ndodhen. Lidhjet janë familjare dhe rrënjosen nëpër kurse shkollore ose me prejardhje gjeografike të përbashkëta. Ideologjikisht të afërt, anëtarët e rrjetit kanë dalë nga i njëjti mjedis shoqëror. Fijet e endura mes tyre të kujtojnë një cergë merimange ose, më mirë, ato konstruksionet tredimensionale në të cilat të gjitha pikat vijnë e bashkohen me gjithë të tjerat’.

Situata oligarkike në Shqipëri tanimë nuk është më çështje librash. Pra as teorish. Afërmendsh as postimesh të Krye-të-paaftit. Është trashja e një zullumi që, siç ndodh rëndom në histori, vjen momenti dhe provokon shpërthime: ato shpërthime që asnjë teori mandej nuk i shkoklon dot. Atëherë shteti bie copash, sepse nuk ka më as ‘të majtë’ dhe as ‘të djathtë’, që ta mbajnë me paterica në këmbë.
Në atë copëtim e sipër, na mëson historia, kthjellohet ndonjë pushtetar i çmeritur, si konti Ëitte kryeministër i Carit. Ky, në përmbysjen e 1905-s, aq e kishte humbur shqisën e realitetit sa shpallte se nëntë të dhjetat e popullsisë qenë çmendur, ndërsa një e dhjeta përbëhej prej idiotësh.
Kur ia kam lexuar këtë më ka kujtuar pikërisht gjuhën e Krye-të-paaftit të Shqipërisë dhe pres ta dëgjoj të postuar edhe prej tij.
/Ky shkrim është konceptuar enkas për Hashtag.al

Studentët i thonë jo Ramës: ‘’Në takimin me kryeministrin të shkojnë FRESSH-istat që hanë sufllaqe”

Në ditën e gjashtë të protestës përpara ministrisë së Arsimit studentët e thonë me këmbëngulje se ata nuk do të pranojnë asnjë takim dhe dialog me kreun e qeverisë.
Përgjigja e tyre është e qartë se ata presin vetëm zgjidhjen e kërkesave që tashmë janë bërë publike, dhe askush prej tyre nuk mund të formojë një përfaqësi.
‘’Në takimin me kryeministrin të shkojnë FRESSH-istat që hanë sufllaqe. Protesta jonë do të jetë pa përfaqësi, kemi marrë kërcënime pas denoncimit që iu kemi bërë pedagogëve, po nuk do të ndalemi”, u shpreh për Fax News një prej studentëve.
Ndërkohë që një prej taktikave që po ndiqet sot në protestë është dhe identifikimi me emër dhe mbiemër i çdo folësi, për të mbajtur sa më larg të rinjtë e forumeve politike, që kanë tentuar që të përçajnë protestën në këto ditët e fundit.
“Ne nuk jemi për takim në Facebook dhe në Twitter, t’i mblidh qeverinë dhe plotëso 8 kërkesat që ne kemi bërë. Ne nuk bëjmë politikë, por ne jemi vetë politika”, shprehet një tjetër prej studenteve që ishte pjesë e protestës.

Ushqimet që shkaktojnë fryrjen e stomakut

Fryrja e stomakut nuk është vetëm një siklet që ju pengon të mbani xhinset tuaja të preferuara për mbrëmje, por gjithashtu mund t’ju shkaktojë shqetësim të madh.
Ndonjëherë e dini saktësisht se çfarë e ka shkaktuar fryrjen, të tilla si darkën e madhe që sapo keni pasur, por në raste të tjera, shkaku nuk është aq i qartë.
Ne ju sjellim ushqime që më shpesh shkaktojnë fryrjen e stomakut.
Lakra jeshile
Ka vlera të larta ushqyese dhe është një mundësi e shkëlqyer për sallata, por në të njëjtën kohë mund të jetë një nga shkaqet e fryrjes së stomakut. Lakrat jeshile përmbajnë shumë fibra dhe sheqer që mund të shkaktojnë fryrje.
Ushqim me yndyrë
Ushqimet e tilla si patate të skuqura mund të shkaktojnë fryrje, pasi stomaku ka nevojë për më shumë kohë për tretje.
Djathi i freskët
Djathi si produkt i qumështit ka një nivel të lartë të laktozës. Ekspertët paralajmërojnë se njerëzit që janë jo tolerant ndaj laktozës mund të kenë probleme, pasi djathi i freskët shkakton fryrje, transmeton KosovaPress.
Çamçakëzi
Mund të shkaktojë gëlltitjen e një sasie më të madhe të ajrit që shkon poshtë në stomakun tuaj. Ata përmbajnë alkool dhe sheqer që gjithashtu shkaktojnë fryrje.
Mollët
Nëse nuk e keni zakon të konsumoni ushqime me fibra, duhet të shmangni konsumimin e tepërt të mollëve dhe të kufizoni sasinë.