19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Shembja e banesave/ Deputeti thirrje banorëve: Nxirrni kryeministrin Rama nga zyra!

Deputeti i PD, Aldo Bumçi ka shkuar sot në mbështetje të banorëve të Shkozës, të cilët janë ngritur në protestë njesoj si tek Unaza e Re pas lajmërimit se do t’u shemben banesat. Ai u ka bërë thirrje banorëve si hap të parë, të mbrojnë banesat e tyre dhe si zgjidhje përfundimtare të problemit, të nxjerrin kryeministrin Edi Rama nga zyra e tij.
Bumçi tha: “Po prishen pa i çuar një vendim, sikur të mos jetë qeveri, por tërmet. Tërmeti nuk njofton – qeveria duhet të ketë një vendim, që të prishë shtëpinë, t’i japë kohë qytetarit ta kundërshtojë, të ketë fondin e kompensimit. Çdo shtëpi duhet kompensuar.
Nëse ka ligj legalizimi, qeveria ka shprehur vullnetin me ligjin e legalizimit. Nuk ka rëndësi a është legalizuar nëse njera shtëpi është legalizuar dhe tjetra jo. Këto janë arsye o korruptive, o vonesa administrative.
Nëse është legalizuar një shtëpi e vetme këtu, të gjitha janë të legalizuara dhe nuk ka zgjidhej tjetër veç kompensimit. Kompensimi është zgjidhja e vetme.
Nëse kushton 20 milionë euro një kilometër… Me ar po shtrohet ajo rrugë?! Aty ka lekë për të kompensuar të gjithë banorët, por edhe për të shtruar rrugën.

Ky projekt nuk prek vetëm 16 shtëpi. Gjithë gjurma e Unazës do të prekë me mijëra familje, nga Unaza e Re, përtej sheshit Shqiponja në Laprakë, përgjatë vijës duke dalë në Kinostudio, shkozë, janë me mijëra familje. Ky precedent këtu do të vlejë edhe për të tjerat.
I dha lekët këtu?! I dëmshpërbleu?! – Do t’i dëmshpërblejë të gjitha.
Nuk dëmshpërbleu këtu?! – Nuk do të dëmshpërblejë asnjë!
Qytetarët që mendojnë se nuk u shkoi rruga, se do të shpëtojnë…- do t’u shkojë rruga! Se do të bëhen rrugët lidhëse për projektin e dytë, lidhjen me Unazën e Madhe: nuk do të shpëtojë asnjë shtëpi këtu. Zgjidhaj e parë është të dalin të mbrojnë shtëpitë e parë, se po ra e para do të bien të gjitha dhe e dyta, zgjidhja e vetme, me dalë tek Kryeministria, tek shtëpia politike e Edi Ramës. Se ai merr vendime me prish shtëpi, pa letra, pa dëmshpërblim, si me qënë pushtues. Si duhet sjellë me një pushtues?! Duhet nxjerrë nga ajo zyrë!
Halli i parë i këtyre banorëve është të mbrojnë këtë këtu, zgjidhja përfundimtare është ta nxjerrin atë nga zyra, se është jo legjitim, po sillet si pushtues!”

Skandali/Një tjetër ministre e kabinetit Rama ka vjedhur tezën e doktoraturës

Lëvizja Për Universitetin denoncon përdorimin që po i bëhet dijes universitare si trampolinë për karrieristët e politikës. Drejtuesit e universiteteve publike – ata që duke kërcyer nga karrigia në karrige janë kthyer në bajraktarët dhe zaptuesit e përhershëm të tyre – partia në pushtet i përdori jo vetëm që të legjitimojë reformën famëkeqe në arsimin e lartë, por nga duart e tyre po dekorohen me tituj të pamerituar ushtarët e bindur të pushtetit që drejtojnë ministritë e këtij vendi. Para pak kohësh Taulant Muka denoncoi plagjiaturën e ish-zv/Rektorit të Universitetit të Tiranës, ish-anëtarit të Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë dhe Kërkim Shkencor, e tanimë edhe ish-zv/Ministrit të Arsimit në vend, Ervin Demos.
Lëvizja Për Universitetin po i kthen sytë nga doktoratura e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut. Pas shakasë së hidhur që ishte premtimi “shëndetësi falas”, ndërkohë që çdo vit dhjetëra të sapodiplomuar në mjekësi marrin valixhet për jashtë shtetit, drejtimi i një ndër ministrive më jetësore në vend i lihet dikujt që ka gënjyer për punën e vetë shkencore. Ka gënjyer sepse atë punë, siç tregojnë fotot më poshtë, në kapitujt hyrës e ka kopjuar thuajse në çdo gërmë nga puna shkencore e diplomantit për master shkencor nga Republika e Afrikës së Jugut, Fannie Mnisi. Herë pas here në tekst duket se është zëvendësuar emri i lokalitetit Albert Luthuli me emrin e Tiranës, për të dalë në konkluzionet “shkencore” për famëkeqin landfill të Sharrës që i mori jetën minorenit Ardit Gjoklaj – atij që punonte natën për të blerë libra – për përfitimet e miqve të kryebashkiakut të Tiranës.
A është ky bataku në të cilin qeveritë shqiptare e kanë lënë shkencën e këtij vendi? Në vend të punës shkencore me dinjitet, mashtrim dhe turp! Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Ogerta Manastirliut nga posti i Ministres së Shëndetësisë.
Lëvizja Për Universitetin është zotuar të luftojë ndër të tjera edhe për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë duke denoncuar abuzuesit me të, qofshin ata pedagogë që s’e meritojnë këtë emër, drejtues-bajraktarë, ministra a kryeministra. Ky është vetëm fillimi! S’keni parë gjë akoma!
P.S.: Më poshtë gjeni materialet e plota të punimeve në fjalë:
1. “Environmental risk assessment associated with unregulated landfills in the Albert Luthuli Municipality, Mpumalanga Province, RSA”
(http://uir.unisa.ac.za/…/handle/10500/2274/dissertation.pdf…)
2. “Krahasimi i monitorimeve të mjedisit në landfill-in e Sharrës, para dhe pas ndërhyrjes si dhe ndikimet në mjedis”
(http://www.doktoratura.unitir.edu.al/…/Doktoratura-Ogerta-M…)

Sëmundjet që rrezikohen gjatë transfuzionit të gjakut

Gjak për transfuzion japin vetëm personat e shëndoshë. Edhe pse personi i cili jep gjak duket i shëndoshë dhe ndihet mirë, mund të jetë i infektuar me ndonjë mikroorganizëm (virus, bakter, parazit). Sëmundja nuk mund të vërehet gjithherë.
Me anë të transfuzionit të gjakut personi në pamje të parë që duket i shëndoshë mund të bartë infeksionin te marrësi i gjakut, transmeton Telegrafi.
Sëmundjet më të njohura të cilat mund të barten me anë të transfuzionit janë:
• hepatiti B
• hepatiti C
• sindroma e imunitetit të munguar – SIDA
• sifilizi
Si ta pengojmë përhapjen e infeksionit?
Praninë e agjenteve infektive te personat në dukje të parë të shëndoshë mund ta zbulojmë me anë të testimit të gjakut të tyre. Dispozitat ligjore obligojnë që gjaku i çdo dhënësi patjetër të testohet çdo herë kur jep gjak.
Edhe pse përdoren testet më bashkëkohore dhe teknologjia më bashkëkohore e testimit, fatkeqësisht, mund të ndodhë që edhe me këtë teknologji të mos zbulohet çdo dhënës i gjakut i cili është i infektuar.
Dhënësit mund të ndihmojnë që të shmanget rreziku nga bartja e mikroorganizmave nga gjaku i dhënësit në gjak të marrësit me plotësimin e sinqertë të pyetësorit ose nëse kanë dhënë gjak me lajmërimin e mëvonshëm të transfuziologut të tyre që gjaku i tyre ndoshta nuk është për përdorim.
Si shkaktohet infeksioni?
• Nëpërmjet rrugëve seksuale – hetero dhe homoseksuale
• Me përdorimin disa herë të gjilpërës, shiringave, instrumenteve
• Marrjen e drogës nëpërmjet venave
• Nga nëna tek fëmija
• Me transfuzion të gjakut

Fakti që nuk i dini për qumështin

Qumështi është një nga përbërësit më të rëndësishëm të ushqyerjes sonë. Ai është i pandashëm te fëmijët e lindur prej pak kohësh, njëkohësisht i dobishëm edhe për të rriturit, përderisa bëhet fjalë për një lëng më shumë se energjik, i mirë dhe që përmban kripëra minerale të rëndësishme si kalciumi.
Por, a jeni të sigurt se dini vërtet gjithçka për qumështin? Më poshtë do të lexoni disa kuriozitete që ka shumë mundësi që të mos i dini për qumështin.
– Pasi të keni ngrënë ushqim pikant këshillohet të pini qumësht, sepse ai përmban një proteinë që i ftoh qelizat e shijes në gjuhë.
– Duhen 5 litra qumësht për të bërë një gjysmë kilogram djathë, 10 litra qumësht për të bërë një kilogram gjalpë dhe 6 litra qumësht për të bërë një kilogram akullore.
– Qumështi i devesë përmban një proteinë që quhet insulinë, e cila ndihmon për sëmundjen e diabetit.
Një këlysh qeni nuk do të mund të mbijetonte me qumështin e një lope
Ky lloj qumështi është i varfër nga përmbajtja e substancave ushqyese, nëse do ta krahasonim me atë të qenit dhe të maces, i cili përmban dyfishin e proteinave dhe yndyrave. Ndaj, cila është zgjidhja? Thyeni dy kokrra vezë për çdo litër qumësht, nëse do t’ju duhet të ushqeni kafshë të tilla.
Edhe zogjtë prodhojnë qumësht
Kafshët e klasifikuara si gjitarë ndahen kështu prej faktit se të vegjlit e tyre i ushqejnë me qumësht, që prodhohet nga gjinjtë, gjë që kafshët e tjera nuk e bëjnë. Por disa zogj, si për shembull pëllumbat, për të ushqyer të vegjlit e tyre dhe kanë krijuar një mënyrë paksa të veçantë, një sekrecion të ashtuquajtur “qumësht fyti” (edhe pse nuk është qumësht), shumë ushqyes, të cilin, siç kuptohet, e sekretojnë nga fyti i tyre për më të vegjlit e folesë, të cilët nuk arrijnë të ushqehen me asgjë tjetër.

Qumështi përmban rreth 4% yndyrë
Nëse nuk e pini qumështin e lopës, sepse mendoni se është me shumë yndyrë, me siguri nuk e dini se sa yndyrë ka në të vërtetë ai. Mjafton të lexoni etiketat e të dhënave për të zbuluar se qumështi përmban 3,8% yndyrë, ndaj pirja e një litri qumësht është e barabartë me katër gramë vaj. Pra, një lugë çaji.
Ekziston një qumësht i cilësisë së lartë
Shija e qumështit ndryshon në varësi të stinës, ushqimit që ka ngrënë lopa dhe në bazë të yndyrës. Në veçanti, për sa i përket kësaj të fundit, në treg ekziston qumështi me një cilësi të lartë, me më shumë yndyrë e proteina dhe që është më i shijshëm sesa qumështi normal. Ai përdoret në baret që bëjnë kapuçino shumë të mirë. Kushton më shumë sesa të tjerët, por sa ta provoni, do ta kuptoni menjëherë diferencën.
Lopa nuk bën qumësht përgjatë gjithë vitit
Janë të shumtë ata që mendojnë se lopa bën qumësht gjatë gjithë vitit, pa ndërprerje, por nuk është kështu. Mjafton të mendohet se për çfarë shërben ai së pari: për të ushqyer viçin. Për këtë, përpara se të prodhojë qumësht, një lopë fillimisht duhet të jetë e mbarsur për nëntë muaj. Ajo mund të japë qumësht për nëntë muaj dhe të fillojë sërish ciklin.

Drekat familjare, tepër të rëndësishme për shëndetin psikik të adoleshentëve

Dreka e përbashkët familjare është rast i shkëlqyer që prindërit, të cilët janë të mbingarkuar me punë, të flasin me fëmijët, sepse kjo me të madhe përcakton sjelljen e rrezikshme në të ardhmen.
Te adoleshentët, të cilët rregullisht drekojnë me familjen, rreziku nga depresioni, prirja ndaj alkoolit dhe drogave dhe marrëdhëniet e pambrojtura seksuale janë shumë më të vogla, kanë konstatuar ekspertët nga Universiteti i Aucklandit.
Po ashtu, ata më rrallë mendojnë për vetëvrasje për dallim nga të rinjtë që nuk shoqërohen shumë me prindërit gjatë drekës apo darkës. Ata po ashtu kanë zbuluar që gati 25 për qind e adoleshentëve që pinë duhan nuk hanë në rrethin e familjes, për dallim nga 10 për qind duhanpirës që darkojnë me prindërit.
Vaktet e përbashkëta familjare i kontribuojnë edhe komunikimit më të mirë të ndërsjellë dhe qëndrimit të të rinjve ndaj prindërve. Një e treta e adoleshentëve hanë me familjen shtatë apo më shumë herë në jave, ndërsa 40 për qind e tyre tri deri gjashtë herë.
Programet gjithnjë më të shumta televizive, nënat gjithnjë e më të punësuara dhe ushqimi i shpejtë dhe i lirë kanë ndryshuar statusin dhe rëndësinë e vakteve familjare, pohon hulumtimi.
“Vaktet familjare jane rast i përkryer për prindërit që të flasin me fëmijët dhe të marrin vesh se çka i mundon”, thekson udhëheqësja e hulumtimit, Jennifer Utter.
Vaktet e përbashkëta familjare janë ritual i shkëlqyer, thekson Stephen Bell nga organizata për të rinjtë Youthline.
Edhe pse nuk janë të shpeshta si dikur, darkat familjare janë të domosdoshme. Edhe prindërit, edhe fëmijët janë të punësuar, por vaktet e shpeshta familjare janë mënyrë e shkëlqyer për bisedë dhe lidhje, shpjegon psikologia, Jane Millichamp, nga Universiteti Otago.
Fëmijët që hanë me prindërit kanë shëndet më të mirë dhe më pak probabilitet që të bëhen depresivë. Vaktet familjare i kontribuojnë funksionimit më të mirë të familjes, pohon sekretari për familjen, Carkl Davidson.
Ngrënia e përbashkët u tregon fëmijëve që prindërit e tyre kujdesen për ta, thekson kuzhinieri, Len Baldwin

Kush është Xhevdet Amuli, kreu i ri i demokratëve në Shkodër

Me vetëm dy vota Xhevdet Amuli ia ka dalë të mund kryetarin aktual të PD-së Ramiz Çobaj në garën për kryetar të degës demokrate të Shkodrës. Biznesmeni i njohur ka triumfuar në Kuvendin e degës lokale, duke u zgjedhur për 4 vite si lider i PD-së shkodrane.
Amuli është një emër mjaft i njohur në Shkodër. Ai është ndër mbështetësit historikë të PD-së, ka qenë pjesë e strukturave për një kohë të gjatë por edhe i zgjedhur në nivelin e pushtetit lokal si përfaqësues i këtij subjekti politik. Amuli vjen nga rradhët e familjeve të ish-të persekutuarëve politike.
Në Shkodër Amuli njihet edhe si dashamirës i sportit, më konkretisht mbështetës i futbollit. Ai ka qenë zëvendëspresident i Vllaznisë por edhe donator për shumë vite. Edhe kohët e fundit madje, është shprehur i gatshëm të marrë kuqeblutë në rast privatizimi të klubit shkodran.
Në vigjilje të kësaj gare, e cila nisi të premten rreth orës 19.00 kur u zyrtarizuan emrat e Amulit dhe Çobës, për shkak të kohës së pakët në dispozicion, bisnesmeni konsiderohej i dizfavorizuar në garë. Por mesa duket, ka qenë një frymë e krijuar në mbështetje të tij, duke i dhënë fitoren surprizë, pavarësisht kohës së shkurtër për të bindur delagatët të votojnë për të.
Para Amulit tashmë është një detyrë e madhe: Unifikimi dhe sheshimi i qejfmbetjeve të mundshme pas garës për kryetar dege, por edhe pas garave për kryetarët e grupseksioneve të PD. Duket se ai do ta ketë të lehtë, nisur edhe nga raporti i baraslarguar nga të gjithë ato që mund të quhen grupime të PD në degën lokale.

Sytë në Francë, sot ndalet hegjemonia Messi-Ronaldo

Pritja merr fund sot në mbrëmje: në Paris revista prestigjioze France Football do të japë Ballon d’Or 2018, Topin e Artë që ëndërron çdo futbollist dhe që në dekadën e fundit ka pasur vetëm 2 pronarë, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo.
Bëhet fjalë për një prej objekteve më të çmuara në botën e futbollit, sepse Topi i Artë është kthyer tashmë në vlerësimin maksimal për çdo futbollist në aspektin individual. Pas 10 vitesh ku Messi e Ronaldo e kanë fituar nga 5 herë çmimin, sot do të ndryshojë gjithçka.
Çmimi, i krijuar në vitin 1956 nga revista franceze (Stanley Matthews ishte fituesi i parë), u shkri në vitin 2010 me FIFA World Player, marrëveshje që zgjati deri në 2015. Fillimisht Topi i Artë jepej vetëm për futbollistët europianë, ndërsa me kalimin e viteve rregullorja pësoi ndryshime dhe tashmë mund ta fitojë çdo futbollist, por me kushtin që të luajë në një klub europian.
Sot në mbrëmje jepet edhe Topi i Artë për femra, si dhe trofeu Kopa, për lojtarin më të mirë Under21.

FAVORITËT
Epoka Messi-Ronaldo merr fund sot dhe favoriti i madh për ta fituar çmimin është Luka Modric, i cili ka fituar Champions League këtë vit dhe shkëlqeu me Kroacinë në Kupën e Botës. Natyrisht, është një vit i çuditshëm, sepse asnjë futbollist nuk ka pasur një ecuri perfekte dhe ndoshta ka qenë votimi më i ndërlikuar prej shumë vitesh, edhe për faktin se sa vjen e shtohet presioni që çmimin ta fitojë dikush tjetër, pas 10 vitesh me dy aktorë.
Modric fitoi Topin e Artë të Botërorit, si dhe u nderua me çmimin FIFA Best Men’s Player në një ceremoni në Londër në shtator, duke lënë pas Ronaldo dhe Salah, ndaj zgjedhja e tij për Topin e Artë duket logjike.
Franca, triumfuese në Botëror, ka Antoine Griezmann, Raphael Varane e Kylian Mbappe në listën e kandidatëve, të kuotuar menjëherë pas Modric, por askush prej tyre nuk ishte mbi të tjerët te Franca, që ndoshta e meriton si ekip Topin e Artë.
Futbollisti i fundit që e fitoi çmimin para Messi e Ronaldo ishte braziliani Kaka, triumfues me Milanin në vitin 2007.

Topi i artë, tiparet, çmimi dhe pesha
Topi i artë ka karakteristika të përcaktuara shumë qartë: 31 cm i lartë, 23 i gjerë dhe 23 i gjatë, si dhe peshon 7.2 kg. Vlera financiare është vendosur diku te 3.000 eurot. Edhe pse quhet ‘i artë’, realisht topi përpunohet dhe mbushet me një substancë të ngjashme me dyllin, ndërsa vetëm në fund lahet në ar, pasi i është vendosur edhe logoja e France Football, ndërsa në fund vendoset edhe emri i fituesit të trofeut.
Fituesit në të shkuarën
Ronaldo e Messi janë mbretërit e Topit të Artë, me nga 5 triumfe. Michel Platini, Johan Cruyff e Marco van Basten e kanë fituar çmimin nga 3 herë, duke qenë legjendat e këtij çmimi deri sa nisi epoka Ronaldo-Messi.
Barcelona ka më shumë çmime Ballon d’Or, 11 të tillë, një më shumë se Real Madridi. Futbollistët nga Juventusi dhe Milani e kanë fituar trofeun nga 8 herë.

Lista e kandidatëve
Sergio Aguero (Man City)
Gareth Bale (Real Madrid)
Alisson Becker (Liverpool)
Karim Benzema (Real Madrid)
Edinson Cavani (PSG)
Thibaut Courtois (Real Madrid)
Cristiano Ronaldo (Juventus)
Kevin De Bruyne (Man City)
Roberto Firmino (Liverpool)
Diego Godin (Atletico Madrid)
Antoine Griezmann (Atletico Madrid)
Eden Hazard (Chelsea)
Isco (Real Madrid)
Harry Kane (Tottenham)
N’Golo Kante (Chelsea)
Hugo Lloris (Tottenham)
Mario Mandzukic (Juventus)
Sadio Mane (Liverpool)
Marcelo (Real Madrid)
Kylian Mbappe (PSG)
Lionel Messi (Barcelona)
Luka Modric (Real Madrid)
Neymar (PSG)
Jan Oblak (Atletico Madrid)
Paul Pogba (Manchester United)
Ivan Rakitic (Barcelona)
Sergio Ramos (Real Madrid)
Mohamed Salah (Liverpool)
Luis Suarez (Barcelona)
Raphael Varane (Real Madrid)

Tre segmente të Autostradës Adriatiko-Joniane 1.2 miliardë euro, fizibiliteti: Kushtojnë më pak se gjysma

Blerina Hoxha

Projekte kryekëput gabim, të tjera me fizibilitet të ulët dhe kostot super të larta në projektet me PPP kanë krijuar një histori të errët për investimet në rrugë, të cilat momentalisht janë në një fazë që sinjalizojnë një krizë fiskale në vitet në vijim. Si u kontraktuan tre segmente të Autostradës Adriatiko-Joniane me PPP, me vlerë 1.2 miliardë euro, ndërkohë që një studim fizibiliteti është në proces, i cili i vlerëson këto segmente me jo më shumë se 600 milionë euro.
Ndërtimi i rrugëve është një histori e errët në ekonominë e tranzicionit të Shqipërisë, për shkak se planifikimi dhe ndërtimi i tyre është bërë pa pasur fillimisht një model zhvillimi, çka solli më tej projekte kryekëput të gabuara, me fizibilitet të ulët dhe së fundmi, kosto të larta nëpërmjet investimeve PPP (Partneritet Publik-Privat) që rrezikojnë ta çojnë vendin në një katastrofë fiskale.
Të vetmet akse që janë konsideruar me rëndësi për lidhjet me rrjetin europian të transportit, të cilat do të ishin në dobi të vendit për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave me partnerë tregtarë të zhvilluar, ishin Korridori 8 dhe së fundmi autostrada joniane Veri-Jug, që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë, në një autostradë kryesisht të kategorisë A, që i shërben edhe zhvillimit të turizmit në këto shtete.
Autostrada Adriatiko – Joniane ishte e vetmja që u vlerësua me fizibilitet edhe nga Nisma e Berlinit 2014 për Ballkanin Perëndimor, ku BE u angazhua për financimin e saj. Por historia shqiptare e kësaj rruge ndërlikohet, donatorët kanë financuar një studim fizibiliteti për pjesën shqiptare, i cili është në fazë pune, ndërsa qeveria, nga ana tjetër, ka nënshkruar tre kontrata me Partneritet Publik-Privat, që synojnë ndërtimin e 83 kilometrave, me një kosto 159 miliardë lekë (1.2 miliardë euro) të kësaj autostrade ende pa dalë rezultati i fizibilitetit.
Një kompani shqiptare është nënkontraktuar për studimin e fizibilitetit të autostradës Adriatiko – Joniane. Burime konfidenciale pohuan se deri më tani, rezultojnë tre vlera që mund të merren në konsideratë për përfundimin e autostradës ku, më e ulëta është 2.6 miliardë euro, një variant tjetër me 2.9 miliardë euro dhe një i tretë ku përfshihen edhe PPP-të, kalon shifrën 3.6 miliardë eurove.

Studimi i fizibilitetit ende nuk ka përfunduar, por qeveria shqiptare ka vendosur të ndërtojë nëpërmjet kontratave me Partneritet Publik – Privat tre akse të Korridorit Jonian, si Milot-Balldren, Thumanë-Kashar dhe Kashar–Rrogozhinë, me të paktën 1.2 miliardë euro teksa ekspertët që janë të përfshirë në studim pohojnë se ndërtimi i akseve në fjalë nuk kushton në realitet më shumë se 600 milionë euro me çmimet aktuale në manualet e ndërtimit.
Qeveria shqiptare po ndërton këto akse nga propozimet të pakërkuara të kompanive, të cilat përveç kostos së punimeve, përfshijnë edhe interesat bankare dhe normat e fitimit. Një ekspert i njohur i rrugëve, i cili pranoi të prononcohet në kushtet e anonimatit, tha se aksi strategjik që duhej të ndërtohej i pari në vend është Thumanë – Rrogozhinë, por ndër vite, qeveritë shqiptare nuk morën në konsideratë ndërtimin e tij. Një kompani kroate i ka propozuar qeverisë shqiptare në vitin 2013 që të ndërtonte këtë aks, kundrejt vlerës 480 milionë euro, por oferta përkoi me zgjedhjet e përgjithshme dhe diskutimet për projektin u shtynë.
Projektet e shtrenjta të autostradës Adriatiko-Joniane dhe të paktën katër të tjerë do të sjellin ndërlikime negative në borxhin publik të vendit. Një situatë e ngjashme ka ndodhur më parë. Në vitin 2007, borxhi publik i Shqipërisë ishte 53.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por angazhimi i qeverisë së kohës për të investuar në Rrugën e Kombit dhe Tiranë – Elbasan dhe akseve të tjera kufitare dhe turistike ishin një ndër faktorët kryesorë që e çuan borxhin e vendit në fund të vitit 2013 në 65%, sipas të dhënave kombëtare.
Ky borxh nuk ishte i saktë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili pas nënshkrimit të një marrëveshje të re me qeverinë e re Rama 1, e rishikoi duke e çuar në 70% të PBB-së, pasi përfshiu në përllogaritje edhe detyrimet e akumuluara ndër vite.
Ndërsa kompania që kreu punimet kryesore në rrugën Durrës-Kukës Bechtel Enka, në periudhën 2008-2010 kishte fitime rreth 29 miliardë lekë (rreth 210 milionë euro), me një normë mesatare fitimi prej 31%. Fitimet e Bechtel Enka në tre vjet janë sa 2.3% e prodhimit të brendshëm bruto vjetor të ekonomisë shqiptare. Shoqata e ndërtuesve deklaronte në atë kohë se norma e fitimit të kompanive të ndërtimit të rrugëve është 10% dhe ajo mund të arrijë maksimumi në 21%, kur kompania bën dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Kosto e rrugës Durrës Kukës vlerësohet të ketë kaluar në 1 miliardë euro, apo gati 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (nga të cilat një e pesta ka shkuar fitim për kompaninë kryesore ndërtuese). Shpenzimet e larta në 2008-2009 çuan në rritjen e borxhit publik të vendit, që arriti në kufirin maksimal, rreth 60% të PBB-së në 2009-n, më i larti në rajon, nga 53% që ishte në 2008-n, sipas të dhënave publike të Ministrisë së Financave. Fillimi i krizës globale, në 2009-n, që ngadalësoi rritjen ekonomike në vend ia vështirësoi punën financave për uljen e borxhit, që dhe sot e vendos Shqipërinë në një nga vendet me nivele më të larta borxhi në rajon dhe si rrjedhojë dhe me risk më të lartë.
Situata po përsëritet, por këtë herë, më rëndë, pasi qeveria shqiptare ka nënshkruar të paktën 16 kontrata në sektorin e rrugëve, impianteve të përpunimit të mbetjeve dhe disa shërbimeve në shëndetësi me vlerë (210 miliardë eurosh) sa 12.7% e PBB-së, duke e çuar borxhin real të vendit në rreth 83% të PBB-së.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, pohon se edhe nëse infrastruktura rrugore do të ndërtohej e gjitha pa krijuar borxh, nuk është gjithmonë një kusht për rritjen ekonomike. Ai përmendi rastin e Greqisë, kur vendi përjetoi një krizë të thellë ekonomike pas 2008-s edhe pse tashmë, kishte një infrastrukturë krejt të rinovuar me mbështetjen e BE-së. Malaj tha se zhvillimi ekonomik i një vendi në ditët e sotme varet më së shumti nga funksionimi i shtetit ligjor dhe reforma strukturore që lehtësojnë klimën e biznesit.
Ndërkohë, bankat vendase nuk i vlerësojnë investimet PPP në rrugë të leverdishme për t’i kredituar. Spiro Brumbulli, nga Shoqata Shqiptare e Bankave, tha se projektet PPP në infrastrukturën rrugore shihen të rrezikshme nga bankat tregtare, të cilat nuk kanë shprehur interes për financimin e tyre. Kreditë e mëdha janë të pamundura të jepen nga një bankë e vetme, për shkak të kufizimeve që ato kanë në raport me kapitalin, ndaj do të duhej një hua sindikatë. Por, bankierët kanë pohuar se kjo do të ishte e vështirë, pasi kompanitë e mëdha të ndërtimit janë të ekspozuara, pasi e kanë nga një kredi në një bankë.

Projektet gabim, milionat e çuara dëm
Përveç rrugëve me PPP ka disa projekte rrugore në proces ndërtimi që janë bërë gabim. Kostot e investimeve të gabuara kanë shtrirë efektin negativ edhe në akse të tjera. Eksperti i transportit rrugor përmendi aksin e ri Qukës Qafë-Plloçë si të tillë. Rreth 200 milionë euro janë hedhur në një trase krejt të re, e cila nuk është as dy kilometër më e shkurtër se aksi ekzistues rreth 43 kilometra.
Rruga e re kalon në një lartësi që arrin deri në 1300 metra mbi nivelin e detit dhe e bën të pamundur mirëmbajtjen e saj për periudhën e dimrit. Ky është investim kryekëput gabim, tha eksperti, pasi rruga e re kalon në një terren më të vështirë se aktualja dhe për më tepër, ka të njëjtën gjatësi sa ajo aktuale.
Investimi tjetër i gabuar me kosto zinxhir renditet edhe bypass-i i Fierit. Eksperti tha se ndërtimi i tij duhej bërë në anën tjetër të qytetit të Fierit, sipas një varianti më të shkurtër. Ndërtimi sipas variantit aktual, përveçse ka kushtuar 60 milionë euro më shumë, ka imponuar vijimin e autostradës Fier – Vlorë, në një mënyrë të gabuar, me nevojë për ndërtimin e Bypass-i të madh në Vlorë, i cili nuk do të ishte i nevojshëm nëse do të merrej në konsideratë varianti i kundërt i bypass-it aktual në Fier.
Eksperti tha janë bërë gabime të rënda edhe në projektin e Autostradës Tiranë-Elbasan, të cilat krijuan kosto të konsiderueshme gjatë zbatimit të projektit. Eksperti shpjegoi se janë gjithsej 13 projekte rrugore, me gabime të rënda në projektim dhe fizibilitet që i kanë shkaktuar miliona euro dëme ekonomisë shqiptare. E gjithë kjo situatë, sipas tij, është krijuar nga mungesa e një strategjie të qartë për zhvillimin e transportit rrugor në vend, ku shumica e investimeve janë bërë nga lobime politike dhe për interesa të ngushta lokale, pa marrë në konsideratë lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve me vendet e zhvilluara.
Edukimi është në krye të axhendës botërore të zhvillimit në vitin 2018. Banka Botërore zhvilloi një monitorim mbi pikëpamjet e ekspertëve në mbarë globin dhe konstatoi se “arsimi” perceptohet si çelësi i zhvillimit të një vendi.
Gjatë pesë viteve të fundit, Programi i Vlerësimit të Opinionit të Bankës Botërore anketoi më shumë se 25 mijë liderë në fusha të ndryshme, thuajse në të gjitha vendet anembanë globit. Në disa vende, anketimet janë kryer dy ose tri herë gjatë 2012-2016.
“Cila është përparësia më e rëndësishme e zhvillimit për vendin tuaj?” ishte një nga pyetjet ndaj përfaqësuesve të qeverive kombëtare dhe lokale, agjencive shumëpalëshe, dypalëshe, mediave, akademisë, sektorit privat dhe shoqërisë civile në vendet në zhvillim.

Në nivel global, “Arsimi” është shfaqur në mesin e të anketuarve në studim, si një nga dy prioritetet e zhvillimit në të gjithë rajonet. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Që të zhvillohet, një vend përcakton fillimisht një prioritet dhe pastaj përgatit burimet njerëzore në mbështetje të tij dhe paralel nis me infrastrukturën.
Shqipëria, në të gjithë periudhën e tranzicionit, ka dhënë financime vjetore në më pak se 3% e PBB-së, për sektorin e arsimit, teksa vendet në tranzicion me kushte të njëjta japin të paktën 5% të PBB-së. Mes arsimit dhe infrastrukturës që konsiderohen si prioritete që një vend të zhvillohet, Shqipëria ka zgjedhur infrastrukturën, por investimet në këtë drejtim, duke mos u bërë në shërbim të një modeli zhvillimi, kanë rezultuar joeficente. Rruga e Kombit, me vlerë 1.3 miliardë euro, nuk e justifikon trafikun normal për një autostradë, tani 10 vite pas ndërtimit, teksa shqiptarët duhet të paguajnë 380 milionë euro të tjera taksa të drejtpërdrejta në 30 vitet në vijim për mirëmbajtjen e saj.
Rruga e Arbrit u projektua që në fillim si një projekt jofizibël për trafikun. Nga ana tjetër, shumat e frikshme janë projektuar që të shkojnë në rrugë pa fizibilitet si aksi Orikum-Dukat dhe Dukat-Himarë. Ekspertët pohojnë se janë shpenzuar miliarda në dhjetëra projekte pa vlerë dhe të hartuara gabim.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, pohon se qeveria duhet të përcaktojë së pari një model ekonomik për zhvillimin e vendit dhe në shërbim të këtij modeli, të zhvillojë infrastrukturën. Kjo mënyrë, sipas tij, zbatohet më së shumti në vendet që në zhvillim. Kur shpalli prioritet turizmin, Turqia i orientoi investimet në infrastrukturën turistike, rrugë, kanalizime, ujësjellësit dhe aeroporte.
PPP dyfishojnë kostot, ka mënyra të tjera
Eksperti i infrastrukturës rrugore pohoi se, ndërtimi i autostradave me PPP pothuajse dyfishon kostot në të gjitha projektet. Kostot e dyfishuara nuk vijnë nga vlera e punimeve tha ai, por nga interesat e kredive bankare dhe fitimet që përllogarisin koncesionarët. Zgjedhja e kësaj mënyre për të investuar në rrugë do të ngarkojë me pagesa të padrejta të gjithë qytetarët shqiptarë në dy dekadat në vijim.
Ekspertët pohojnë se qeveria mund t’i zhvillonte këto kontrata me financime publike, qoftë edhe me borxh për të shmangur kostot e larta. Aktualisht, qeveria merr borxh me një interes jo më shumë se 3%, ndërsa privatët jo më pak se 10%. Ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, përllogarit se në një shumë 1 miliard euro nëpërmjet një projekti PPP në rrugë, vetëm 490 milionë euro janë investim real.
Një kredi 13-vjeçare me 12% interes që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. Ndryshe mund të thuhet: për çdo lek që biznesi do të investojë “veresie” sot, do të marrë mbrapsht 2.2 lekë ose më shumë se dyfish. Pra fatura e projekteve të ndërtuara “veresie” nga biznesi është dy herë më e madhe se sa kostoja e tyre. “Meqenëse dikush mund të thotë se edhe Qeveria do të merrte kredi për këto projekte, duhet të konsiderojmë që kostoja e kredive që merr qeveria është nën 5%.
Dhe në këtë rast, përsëri nuk do të paguanim 2.2 lekë, por vetëm 1.2 lekë për çdo lek të investuar nga vetë Qeveria”, përllogariti Shehu. Fatura që bizneset koncesionare do t’i bëjnë qeverisë do të jetë të paktën 2.2 herë më e lartë se sa kostoja e investimit, ose nga një faturë 1 miliard euro që do të paguajë qeveria, vetëm 490 milionë do të jenë investime reale. Përvoja na tregon se gjatë zbatimit të projekteve publike, fatura shtohet nga “pengesat” që krijon qeveria dhe “domosdoshmëria” për ndryshimin e projekteve, shtoi Shehu.

Foto/ Tirana mbushet me “trakte” kundër Veliajt, ja çfarë shkruhet

Tirana është gëdhirë me ‘trakte’ kundër kreut të Bashkisë, Erion Veliaj. Në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit janë vendosur disa parrulla kundër Veliajt nga persona të panjohur.
Në to, shfaqet një foto e kryebashkiakut të Tiranës me mbishkrimin ‘Mjaft’ dhe disa fjalë fyese që ai ka përdorur ndaj protestuesve të ‘Unazës së Re’ dhe qytetarëve të tjerë, si: Shpellar, dështak, vandal, nazist dhe sharlatan. Parrullat janë ngjitur nëpër shtyllat e ndriçimit të rrugës apo në koshat e plehrave.
Veliaj është vënë në qendër të kritikave së fundi, për mënyrën sesi ka tentuar që të interferojë te protesta e banorëve të Astirit, të cilët tashmë prej një muajsh dalin në rrugë në mbrojtje të pronave dhe të banesave të tyre.
Veliaj është munduar me të gjitha mënyrat që të joshë disa prej tyre në mënyrë që t’i përccajë ata dhe më pas të arrijë të realizojë qëllimet e tij finale, që janë prishja e banesave dhe nisja e punimeve për 2.2 kilometra rrugë që do të na kushtojnë 40 milionë euro nga buxheti i shtetit.

“Po flet Fake kryeministri”!

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, me pretendimin se ai bën premtime ‘fake’.
Teksa rendit disa nga premtimet që kreu i Ekzekutivit ka dhënë se sipas tij nuk i ka mbajtur, Vasili pyet se kush e dënon në këtë rast Ramën. Vasili mes ironisë shton se: “Ky kryeministër eshte i vertete vetem kur eshte fake”.
Postimi i Vasilit
Kryeministri eshte i vertete vetem, kur ben fake premtime.
Kush e denon kryeministrin e shpifur, qe beri premtimin fake shendetesi falas dhe mashtroi.
Beri premtimin fake per 300 mije vende pune dhe ne vend te saj 400 mije shqiptare kane ikur nga syte nga Shqiperia.
Beri premtimin fake, qe do ule taksat dhe i trefishoi ato duke filluar qe nga uji i pijshem.
Qe beri premtimin fake se do luftoje drogen krimin dhe parane e piset dhe i kemi te teja kembekryq ne mes te qeverise dhe atij vete.
Po flet Fake kryeministri i fake premtimeve per gjoja fake lajmet qe ja vene ne dukje.
Ky kryeminister eshte i vertete vetem kur eshte fake.