19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Rrëfimi i Berishës: Si e binda Bush për Kosovën, vizita ime në Hjuston dhe ardhja e dinastisë në Shqipëri

Ish-presidenti i ndjerë Xhorxh Bush kishte jo pak miq edhe në Shqipërinë e sapodalë nga diktatura komuniste në fillim të viteve 90. Më i spikaturi midis tyre është ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili kujton me detaje bisedat me zotin Bush për Kosovën, Shqipërinë si dhe forcimin e demokracisë dhe paqes në rajon.
Me zotin Berisha bisedoi korrespondenti ynë në Tiranë, Ilirian Agolli.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha! Këto ditë ka ndërruar jetë në SHBA presidenti amerikan Xhorxh Bush. Ju jeni ndër politikanët e pakët shqiptarë, që e keni takuar qysh nga fillimi i pluralizmit shqiptar, në fillim të viteve 90. Çfarë menduat atë moment dhe si e përjetuar lajmin për ndarjen nga jeta të presidentit Bush?
Sali Berisha: Për mua lajmi për ndarjen nga jeta i presidentit Bush ishte një lajm i hidhur, i trishtuar. Presidenti Xhorxh Bush ka qenë politikani, me të cilin unë kam patur marrëdhëniet më miqësore gjatë gjithë karrierës time politike. Qysh nga dy muajt e parë të mandatit tim si president i Shqipërisë nga pranvera e 1992 e deri para pak muajsh unë kam ruajtur një komunikim të vazhdueshëm me të. Kam patur fatin e madh, privilegjin e veçantë të gëzoj miqësinë e tij. Ky është një lajm shumë i hidhur dhe i trishtuar.
Zëri i Amerikës: Çfarë kujtoni nga takimi i parë me presidentin Bush?
Sali Berisha: Nga takimi i parë me presidentin Bush përshtypja më e madhe ishte thjeshtësia me të cilën ai më priti. Xhorxh Bush në të vërtetë i përkiste pa diskutim fisnikërisë më të lartë të kohës, por nga ana tjetër ai ishte edhe njeriu më tokësor që mund të takoje në qarqet politike amerikane dhe botërore. Ftesa dhe pritja në Dhomën Ovale ishte një moment historik për jetën time, por brenda pak çastesh gjithçka u bë shumë e thjeshtë në komunikim. Presidenti Bush filloi bisedën me Kosovën; ajo që më bëri shumë përshtypje, por që edhe ishte problemi më kryesor. Ai u ngrit, mori një atlas në zyrën e tij, e hapi atlasin dhe u ulëm e folëm për Kosovën. Më pyeti: Çfarë mendon? Unë i shpjegova, e i thashë se plani i Milosheviçit është spastrimi etnik i Kosovës dhe ndarja e saj. Në atë kohë plani i Milosheviçit për ndarjen e Kosovës i binte mes për mes Prishtinës; e kishte pak më të madh planin se sa e kanë këta sot Milosheviçët e rinj.

I thashë zotit Bush se Milosheviçi synon që qindra e mijëra shqiptarë që janë banorë në zonat e tyre prej mijëra vitesh t’i shpërngulë, t’i sjellë në pjesën tjetër dhe pastaj thotë le të bëjnë çfarë të duan, le të bashkohen me Shqipërinë ose le të bëjnë tjetër çfarë të duan. – Por kjo, i thashë unë, krijon luftë. – Pse, tha, krijon luftë? – Ne, i thashë unë, nuk e sulmojmë Jugosllavinë, por nëse Milosheviçi e ndërmerr një plan të tillë, kufi më nuk do të ketë. Ndaj dua të jem i sinqertë; edhe nëse dëshiroj të parandaloj një konflikt në shkallë të gjerë midis shqiptarëve dhe serbëve, nuk do të mund ta parandaloj atë. As nuk mund ta ndërmarr një gjë të tillë, përkundrazi, unë do të hap kufirin dhe do të bëj gjithçka që ata njerëz të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. – Right point, më tha Bush. – Ke të drejtë, është çështje e drejtë. Mënyra se si e parashtrova me vërtetësi çështja u pranua nga presidenti Bush. Pas kësaj ai luajti një rol kapital në bllokimin e këtij plani, pasi në dhjetor ai i dërgoi një ultimatum Milosheviçit me një të dërguar special, ku ia qartësoi që në rast se ti zbret ushtritë në Kosovë (sepse korparmatën e kishte në Nish dhe ishte bërë gati të zbriste), ti do të përballesh me bombardimin me të gjitha llojet e armëve amerikane, përveç atyre të shkatërrimit në masë, përveç armëve nukleare. Në të vërtetë Milosheviçi nuk e lëvizi ushtrinë.
Zëri i Amerikës: Po për rajonin më gjerë?
Sali Berisha: Përveç Kosovës, një vendim morën SHBA-të edhe për Maqedoninë, …sepse Maqedonia fillimisht nuk ishte bindëse, ndaj SHBA-të nuk e kanë njohur fillimisht Maqedoninë, por e njohën më vonë. SHBA-të bënë një gjë shumë të madhe: SHBA ndërhynë nëpërmjet OKB-së dhe shpalosën dy batalione ushtarësh; një batalion ushtarësh amerikanë në flamurin e OKB-së dhe një batalion tjetër me ushtarë të vendeve nordike. Milosheviçi fillimisht besonte se e ka në xhep Maqedoninë dhe e kishte këtë plan, por SHBA-të ia dështuan këtë plan.
Ishin SHBA-të dhe mençuria e Presidentit Gligorov bënë që Maqedonia të mbetet, të mos sulmohet e të ndahet paqësisht nga federata jugosllave. Në atë periudhë kam lobuar, me sa kam patur mundësi, të mos lejohet Millosheviçi të zbresë në Maqedoni dhe të krijohej një konflikt në Maqedoni, i cili do të ishte më i tmerrshëm se sa konfliktet në veri. Interesi i administratës së presidentit Bush për rajonin ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Amerikanët po studionin, siç ma kishte thënë Igëllberger, nëse rajoni ka apo jo interes strategjik për SHBA-të për paqen, sepse SHBA-të gjithnjë kanë përparësi ruajtjen e paqes dhe promovimin e demokracisë në botë. SHBA-të konkluduan që rajoni është i një rëndësie strategjike për SHBA-të dhe u angazhuan. Presidenti Bush është arkitekt i kësaj politike të vazhduar pastaj nga presidenti Klinton, i cili e rimori në mënyrë ekspliçite pas inaugurimit vijën e kuqe të hequr ndaj Millosheviçit, mbajti qëndrime shumë të qarta për paprekshmërinë e Maqedonisë. U bë kështu një kuadër i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili pengoi përhapjen e luftës në jugun e Ballkanit.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, çfarë keni biseduar me presidentin Bush në këto takime të para në fillim të viteve 90 lidhur me mbarëvajtjen e demokracisë së re shqiptare pas gati gjysmë shekulli diktaturë komuniste?
Sali Berisha: Pas pritjes së parë në Shtëpinë e Bardhe unë pata edhe shumë takime me presidentin Bush. Në këto takime presidenti Bush ishte mjaft i habitur dhe ndjente keqardhje të thellë për atë që kishin pësuar shqiptarët gjatë diktaturës. Një nga aktet e tij ishte kur na dha klauzolën e kombit më të favorizuar në tregti. Përtej eksporteve të papërfillshme të Shqipërisë, ai ishte një gjest inkurajues shumë miqësor që të ngjallte optimiziëm. Ndërkohë, temat kryesore kishin të bënin me demokracinë. Mes të tjerash, ai më kishte treguar se si në kohën kur ishte ambasador në Kinë zoti Bush në pritje diplomatike përpiqej të komunikonte edhe me ambasadorin shqiptar, i cili çuditërisht i largohej dhe nuk pranonte të komunikonte me të. Si drejtues i agjencisë së informacionit ai kishte njohuri të gjera për Shqipërinë, sepse përbënte shembullin më të zi të pasojave të një diktature e të një regjimi. Interesimi i tij ishte i madh dhe mbështetja e tij politike kishte rëndësi shumë të madhe.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, çfarë ndihmese mendoni ju se ka dhënë presidenti Bush në fillimin dhe më tej në fuqizimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në shumë fusha?
Sali Berisha: Presidenti Bush ka vendosur themelet e reja në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Në atë periudhë ka patur një dialog shumë intensiv midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së SHBA-ve për të gjitha zhvillimet në rajon. U krijuan bazat e një bashkëpunimi shumë të mirë në shumë fusha, midis tyre edhe në fushën e sigurisë. Mos të harrojmë se dronët e parë në Europë janë vendosur në Gjadër.

Ato ishin drone të cilat mbikëqyrnin me një precizion, fotografonin me një precizion shumë të madh të gjitha zhvillimet në luftën e Bosnjes dhe i transmetonin në kohë reale në qendrën e tyre. Pra, atë kohë dhe më vonë u vendos një bashkëpunim sensitiv në fushën e sigurisë, ushtrisë e në të gjithë fushat.
Zëri i Amerikës: A kujtoni ndonjë detaj të veçantë nga takimi që keni patur më vonë në Vlorë me Presidentin Bush dhe me sekretarin Poëell?
Sali Berisha: Para se të vinte në Vlorë, ai erdhi në Tiranë. Presidenti Bush, si ish-president ka ardhur dy herë në Shqipëri. Në të dy herët ai ka ardhur në mbështetje të demokracisë shqiptare. Në vizitën e tij në Tiranë unë i kam akorduar Medaljen e Lirisë, në atë kohë ishte titulli më i lartë. Pastaj më ftoi në Texas, dhe unë shkova në Hjuston, mik i tij në familje. Edhe unë e ftova të vijë prapë. Ai erdhi në Vlorë me të gjithë dinastinë Bush, përveç Xhorxh Ë. dhe me sekretarin Poëell. Kjo ishte një vizitë miqësore, ishte një udhëtim turistik me jahtin Alexander. Ndalimi në Vlorë ishte një gjest miqësor ndaj Shqipërisë dhe ndaj meje. Unë e njoha atë me të gjithë zhvilimet dhe problemet që përballje Shqipëria. Unë mund të them se kam patur gjithnjë mbështetjen e tij. Edhe ajo vizitë synonte një mbështetje, pasi ai kishte besim tek unë në bisedat dhe në paraqitjen që unë u bëja problemeve.
Zëri i Amerikës: Shumë njerëz besojnë se presidenti Bush erdhi në Vlorë të bisedonte me ju për zhvillimet e brendshme të Shqipërisë.
Sali Berisha: Pa diskutim që edhe ato ishin dhe ai erdhi për të shprehur mbështetje ndaj Sali Berishës. Kjo është e vërteta. Erdhi me të gjithë familjen dhe me sekretarin Poëell në vilën e Vlorës. Pastaj ai shtroi një darkë në jahtin Alexander, ku ishin Xhef Bush dhe djemtë e tjerë, përveç Xhorxh Ë. Kaluam një pasdite dhe një darkë të paharrueshme në Vlorë dhe në jahtin me të cilin ata erdhën.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, përmendet pak më parë fisnikërinë e presidentit Bush dhe miqësinë dhe bashkëpunimin e tij me presidentin Klinton më pas. Çfarë mund të mësojë politika shqiptare nga fisnikëria e presidentit Bush dhe bashkëpunimi i tij me demokratët? Politikanët shqiptarë janë shumë agresivë, gjuha e tyre është shumë e ashpër. Si mund të përfitojë politika shqiptare nga kjo përvojë e presidentit Bush?

Sali Berisha: Mendësi tjetër ajo e politikanëve amerikanë. Kurse këtu dominon një mendësi fondamentaliste. Konstatohet letë se të gjithë qëndrimet e sotme bëjnë gjithçka që të nxijnë me çdo gjë të djeshmen dhe përpiqen të paraqesin se gjithçka fillon me ta. Kjo të rikujton historinë e vjetër të udhëheqjes shqiptare që bënte çdo gjë për të demonizuar mbretërinë, në mënyrë që të mos kishin referencë. Faktikisht këtë mentalitet e trashëgon sot edhe kjo maxhorancë me në krye Edi Ramën. Nuk ndërtohet duke mohuar. Në radhë të parë duhet të ndërtosh. Mënyra më e mirë për të folur është se duhet të flasësh me vepra. Por sot nuk flitet me vepra.
Zëri i Amerikës: Si mund të dalë Shqipëria dhe politika e saj nga kjo vorbull e nihilizmit dhe e mohimit të rezultateve të pararendësve dhe si mund të bëhet politika më të dobishëm për qytetarët?
Sali Berisha: Pavarësisht nga momentet e acarta që kanë ekzistuar në marrëdhëniet midis forca të mëdha politike, e vërteta është që konstantja e tyre ka qenë bashkëpunimi. Kjo sot nuk është kuptuar nga Edi Rama, që bashkëpunimi midis forcave të mëdha politike është jetik, por që të bashkëpunojë qeveria me opozitën kjo ka një kusht themelor: Qeveria detyrimisht duhet të ndjejë domosdoshmërinë e këtij bashkëpunimi. Kjo qeveri nuk e ndjen këtë domosdoshmëri.
Zëri i Amerikës: Për shkak të numrave në parlament?
Sali Berisha: Në radhë të parë për shkak të mendesisë. Le të krahasojmë dy periudha: në periudhën 2007 unë kisha votat dhe nuk kisha shtrëngicë për numra. Por për të ecur drejt NATO-s pa opozitën nuk ecje dot. Një ditë më erdhi në zyrë Marsi Ris, ambasadorja amerikane dhe më thotë: – Zoti Berisha ka shumë kohë që nuk bëni më politikë. I them: – Zonja ambasadore, ashtu është, por qëllimi im kryesor është të realizohet ajo vizitë e presidentit Bush në Shqipëri dhe nuk doja që të kishte sherre midis, përkundrazi doja që atë ta përjetonim të gjithë si një ngjarje të madhe.
Zëri i Amerikës: Ndërsa sot…?
Sali Berisha: Sot kreu i maxhorancës bën gjithçka për të denigruar, për të kufizuar, për të demonizuar opozitën. Ai nuk ndjen nevojën, ai nuk kupton se është pikërisht kjo betejë e tij që bëri që Shqipëria të hmbasë dy herë trenin e BE-së: një herë në 2016 duke mos hapur negociatat, dhe në 2018 të mos hapë negociatat sërish. Ai fajëson opozitën, duke thënë se “është opozita që trillon dhe përcjell tek të tjerët, tek ndërkombëtarët, një situatë që nuk ekziston në Shqipëri”. Në të vërtetë është ai që nuk percepton realitetin shqiptar ashtu si është. Ka një problem madhor Shqipëria për të gjithë partnerët ndërkombëtarë nga Uashingtoni e me radhë: Krimi i organizuar, i cili gjendet kudo në botë. Në Shqipëri ai është në kulme, por Shqipëria ka një kryeministër, që është i vetmi në botë që thotë se ne Shqipëri nuk kemi banda, kemi keqbërës, por banda nuk kemi (!). Ky shembull tregon se ku gjendet Rama në raport me realitetin shqiptar. Edhe opozita për të nuk ka asnjë vlerë dhe duhet vetëm denigruar.

Bisedoi: Ilirian AGOLLI
“VOA”

Fotoja që përloti gjithë botën, Sully nuk i ndahet arkivolit të George H. W. Bush

Dy ditë pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit të SHBA-ve,, ka një foto që ka tërhequr vëmendjen dhe ka bërë xhiron e rrjeteve sociale në të gjithë botën.
Bëhet fjalë për Sully, qenin labrador, i cili ishte qeni i shërbimit që i bënte shoqëri ish-presidentit të SHBA.
Ai është fotografuar shtrirë pranë arkivolit të ish-presidentit, ndërkohë që zedhenesi i Bush ka bërë me dije se ai do të jetë pjesë e fluturimt për ceremoninë e fundit në Hjuston të Teksasit.
“Misioni i plotësuar”, shkruan zëdhenësi, teksa ka ndarë me ndjekësit këtë foto.
Tashmë qeni i Bush do të kthehet në shërbim të të tjerë veteranëve të luftës, dhe mungesa e tij do të ndihet nga e gjithë familja.
‘’Sa shumë do t’i mungojë familjes sonë ky qen, ne jemi të lumtur që ai do t’iu shërbejë të tjerë veteranëve”, ka shkruar George Bush, djali i presidentit tashmë të ndjerë.

Revolta e banorëve të Shkozës: Hienat na kanë rrethuar! Po na grabisin ditën për diell

Banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjë lloj dokumenti zyrtar se pse duhet që të lirojnë shtëpitë e tyre, dhe mbi ta po ushtrohet një terror psikologjik.
“Na vjen një letër dhe na përjashton nga procesi i legalizimit, asgjë nuk na është ofruar. Vjijnë hienat dhe punojnë në mes të shtëpive, ndërkohë që krisen dhe banesat e tjera.
Në Hollandë të sjellin njoftimin 90 ditë më përpara dhe të pyesin se ku do të banosh, këtu nuk do t’ia dijë njeri, ne nuk kemi qenë kundër projekteve po jo të na grabisin ditën për diell.
Në vitin 2018 po na çojnë drejt vetëgjyqësisë, dhe ne akoma kemi frikë të dalim apo jo të protestojmë për të drejtat tona. Të vijë një ekspert dhe të na sqarojë se pse dy banesa më tutje kanë marrë legalizimin dhe ne jo, trualli ka qenë i njëjtë i Bashkisë. Këta janë kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi”, shprehet një prej banorëve që kërcënohet se do ti prishet banesa.
‘’Fëmijët më janë stresuar, pa anjë dokument vijnë këtu dhe nathonë që të largohemi nga shtëpitë tona. Ku të shkojmë ne?!”, shprehet një tjetër prej banorëve.
Banorët këmbëngulin se projekti është ndryshuar në dëm të tyre, dhe se ata janë konsultuar dhe me ekspertë se mund të kishte zgjidhje të tjera. Banorët thonë se Bashkia e Tiranës nuk mund t’i hedhë në rrugë të madhe, pasi ata kanë qenë taksapagues të rregullt të pushtetit lokal.
‘’Edhe taksën e gjelbërimit e kemi paguar, edhe pse pemë s’na ka mbjellë kush këtu”, shprehet një prej qytetarëve për gazetaren e Fax News Mirilda Tili.

Shembja e banesave nga projekti i dyshimtë, edhe banorët “Shkozës” në protestë!

Pas banorëve të “Astirit”, ditën e sotme edhe banorët e lagjes “Shkozë” në kryeqytet janë ngritur sot në protestë, për të mbrojtur shtëpitë e tyre të cilat preken nga i njëjti projekt i dyshimtë, i Unazës së Madhe.
Aktualisht banorët janë grumbulluar pranë shkollës, menjëherë pasi kanë konstatuar se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në varësi të Bashkisë, ka shkuar me mjete të rënda për të shembur banesat e tyre. Në mbështetje të banorëve prezent është edhe deputeti i PD, Aldo Bumçi.
Për të njëjtin projekt për të cilin ka akuza të rënda se është korruptiv dhe klientelist, prej rreth 1 muaji janë ngritur dhe banorët e Unazës së Re duke protestuar në rrugë kundër shembjes së banesave të tyre.

Ajo që quhet “mafia e së nesërmes” në Itali, sot përcakton rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri!

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri duke iu referuar deklaratave të Prokurorit të Antimafias italiane sulmoi ashpër maxhorancën.
Sipas Strazimirit, në një intervistë të dhënë për mediat, prokurori italian ka deklaruar se mafia shqiptare po fuqizohet dhe ajo do të jetë mafia e së nesërmes.
Përmes një deklarate për mediat, deputeti Strazimiri përmendi edhe dosjen 339, e cila është tregues që përcakton rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri.
“Ajo që për anti-mafian italiane është “mafia e së nesërmes” në Itali e madje deri në Amerikën e Jugut, në Shqipëri është qeverisja e së sotmes!
Dosja “339” provon se ajo që quhet “mafia e së nesërmes” në Itali, sot përcakton “me influencën” e saj rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri!
Shkëmben favore dhe “zgjidh hallet” reciprokisht me Edi Ramen dhe partinë e tij, falenderohen me mirenjohje për “hallet e zgjidhura” dhe mbeshtetjen e dhënë po ashtu reciprokisht!
“Mafia e së nesërmes” sot drejton Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s!
“Mafia e së nesërmes” sot ka qeverinë dhe padrinon e saj në Shqipëri, pastron paratë drogës përmes “lehtësive” me “ligj të posaçëm”, merr konçesione “të pakërkuara” nga askush, blen banka, hap banka e mbyll banka, bën PPP me ortakëri me qeverinë e saj (jo të shqiptarëve)!
“Mafia e së nesërmes” në Itali a Amerikën e Jugut, luftohet sot në Shqipëri, në strofkullën e saj me adresat: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nr.3, ose thjesht “Edi Rama, Surrel, Tiranë”, tha Strazimiri.

Përbindëshi e nxori kokën!…

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e ka sulmuar ashpër qwndrimin e kreut të qeverisë për ndëshkimin e portaleve që përhapin ‘lajme të rreme’.
“Përbindëshi i fjalës së lirë e nxori kokën”, shprehet Manjani. Propozon që shpifjen ta dënojë qeveria jo gjykata. “Nuk ka pse të mundohemi deri në gjykatë…”, thotë zotëria. Propozon të vendosë gjoba shumë të larta për ata që shpifin dhe nxjerrin lajme të rreme. Dakort me gjobën por pyetja është si do konstatohet shpifja ose edhe lajmi i rremë?!
Që një deklarim publik të quhet shpifje ose jo, duhet ta konstatojë një gjykatë e pavarur dhe me një proces të rregullt gjyqësor, ku shqyrtohen fakte e prova në këtë funksion.
Kryeministri thotë se, “s’ka nevojë të shkojmë në gjykatë”, por ta dënojmë vetë! Domethënë, departamenti anti-shpifje i partisë urdhëron agjensinë publike x të dënojë me gjobë gazetarin, gazetën, portalin apo qytetarin për shpifje! Kjo quhet pushkatim pa gjyq i cilitdo që shpreh një mendim!
Sipas kësaj llogjike edhe veprat e tjera penale s’ka pse t’i gjykojë gjykata, por partia dhe komisarët e saj në polici.
Madje as për zgjedhje nuk do kemi nevojë sepse kemi sondazhet! Kjo është fiks partia shtet! Demokracia tashmë po shpallet shfaqje e huaj…”,përfundon ish-ministri i Drejtësisë.

George H. W. Bush, një homazh për atë brez politikanësh të papërsëritshëm

Nga Erl KODRA

Në gusht të vitit 1991 gjendesha në Gjermani, në një qytet të vogël afër Nürnberg. Unë duhet të udhëtoja medeomos deri në qytet, kur marr vesh se udhëtimi me tren ishte i pamundur; të gjitha linjat në Gjermaninë e sapobashkuar atë ditë ishin pezulluar. Pas disa përpjekjeve, bashkë me tim vëlla dhe një mikun e tij u nisëm për Nürnberg me makinë. Në disa vende autostrada kalonte paralel me rrugën e hekurt. Trenat transportonin tanke dhe trupa amerikane, kamiona të rëndë dhe armë të të gjitha llojeve. Gjermania dhe Evropa ndodhej nën panik; në Bashkimin Sovjetik komunistët fanatikë kishin kryer grusht shteti kundër Mikhail Gorbachev. Në Gjermaninë Lindore gjendeshin akoma rreth 200.000 trupa sovjetike të armatosura rëndë, të cilat duhet të largoheshin sipas një plani – kalendarë, miratuar mes të dy vendeve.
Atë ditë të gjitha televizionet gjermane transmetonin pandërprerje lajmet që vinin nga Moska, ndërkohë, në qytezën tonë, sheshi kryesor po mbushej me njerëz. Grumbuj qytetarësh ndiznin qirinjë dhe luteshin rreth portretit të Mikhail Gorbachev. Një frikë që unë nuk e kuptoja mirë kishte pushtuar krejt qytetin.
Në lajmet që televizionet gjermane transmetonin papushim, flitej se ka mundësi që Z. Gorbachev ka humbur kontrollin mbi të ashtuquajturën “Valixhja e Zezë”. Gazeta New York Times e datës 24 Gusht 1991 shkruan se:
“Zyrtarët e Administratës Bush kërkuan sot të hedhin poshtë njoftimet se Presidenti Michail S. Gorbachev kishte humbur kontrollin e forcave bërthamore sovjetike gjatë grushtit të shtetit kësaj jave, por ata shprehën shqetësime rreth stabilitetit afatgjatë të arsenalit bërthamor të Moskës.
Pentagoni dhe agjencitë e inteligjencës të Shteteve të Bashkuara nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë një raport të Washington Post që citoi Vladimir Lysenko, një ligjvënës rus.

Raporti tha se z. Lysenko pohoi se kur ai dhe ligjvënësit e tjerë u takuan me zotin Gorbaçov të mërkurën, kreu sovjetik shprehu mosbesim tek zyrtarët e K.G.B. dhe se ata kishin marrë valixhen presidenciale që mbante kodet me urdhrat për përdorimin e armëve bërthamore”.
Presidenti George H. W. Bush dënon ashpër aktin grushtit të shtetit në Bashkimin Sovjetik. New York Times, mes të tjerash shkruan se:
“Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër grushtin e shtetit që përmbysi Presidentin Michail S. Gorbachev. Presidenti Bush bëri një kërkesë të hapur për rivendosjen e pushtetit të zotit Gorbaçov dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë legjitimitetin e qeverisë së re sovjetike të vetëshpallur.
Deklerata e fortë vjen pas një dite konsultimi me udhëheqës të tjerë të aleancës perëndimore dhe një përpjekje të bashkërenduar për të shtypur “udhëheqjen e re sovjetike”. Ai e dënoi grushtin e shtetit si një “përpjekje e paligjshme” që “anashkalon ligjin sovjetik dhe vullnetin e popujve sovjetikë”.
Ato ishin kohë të tjera, ku punët e botës perëndimore gjendeshin në duar të sigurta; të burrështetasve të njëmendtë dhe serioz. George W. H. Bush i cili pasoi një President si Ronald Reagan, Helmut Kohl në Gjermani, François Mitterrand në Francë, ndërsa në Britaninë e Madhe madhështia e Margaret Thatcher nuk do të zhdukej kurrë.
E shkrova këto rradhë si një homazh për atë brez politikanësh të papërsëritshëm, që i dhanë njerëzimit aq shumë në të drejtat njerëzore, në ekonomi dhe politikë, në teknologji dhe zhvillim. Me sigur pa Ronald Reagan, pa George W. H. Bush, pa Margaret Thatcher, Helmut Kohl dhe François Mitterrand, bota do të ishte shumë më e keqe se ç’është sot.
Liderat e sotshëm ngjajnë me gagarela krahasuar me gjigandët e viteve 80. Politika me tre fjali në Twitter ose facebook është vertetë komike dhe tragjike njëkohësisht; kur mendon se një twitter qesharak ose i hackuar, shkakton një luftë tregtare, e me gjasë edhe luftë reale.
Rest in peace, Mr President George W. H. Bush!

Kompania e fallsifikimit të dokumentave e Sadriut merr nga Veliaj 4 milionë euro!

Kompania Alko-Impex, e cila u përfshi në një sërë skandalesh me fallsifikim dokumentash për të përfituar tendera publike, vazhdon të fallsifikojë dokumenta dhe të fitojë tendera publikë. Madje edhe kur fallsifikimet e saj zbulohen, Alo-Impex vazhdon të mbajë kontratat e fituara padrejtësisht.
Rasti më i fundit është në lidhje me fitimin e një kontrate tre vjeçare nga Bashkia Tiranë për pastrimin e një pjese të qytetit.
Më datën 9 mars 2018, Alko-Impex u shpall fituese e tenderit për pastrimin e zonës Tirana III, për periudhën 2018-2021, më vlerë rreth 4 milionë euro dhe më 12 mars 2018 Bashkia Tiranë lidhi me të kontratën e shërbimit.
Tenderi ishte hapur më datën 19 korrik 2017, dhe pavarësisht periudhës së papërshtatshme të zgjedhur për konkurim nga Bashkia Tiranë, deri më 4 shtator 2017, afati i fundit për ofertat, paraqitën ofertat nëntë kompani. Më 27 shtator 2017, Bashkia Tiranë vlerësoi ofertat. Alko-Impex kishte paraqitur çmimin e pestë më të lartë në konkurim mes nëntë ofertave të paraqitura. Por Bashkia Tiranë skualifikoi të tetë kompanitë e tjera, për mos plotësim të kushteve tenknike ose dokumentacionit dhe shpalli automatikisht fituese Alko-Impex.
Pas shpalljes së fituesit, dy nga kompanitë pjesëmarrëse Victoria Invest shpk dhe Shpresa shpk u ankimuan në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP) pranë Kryeministrisë.
Në hetimin e vet, KPP gjeti se Shpresa shpk ishte përjashtuar padrejtësisht nga tenderi pasi plotësonte të gjitha kushtet e kërkuara. Ndërsa Victoria Invest shpk ndonëse u ankimua nuk paraqiti arsyetim dhe dëshmi për të mbështetur ankimin e saj, ndaj ai nuk u mor në shqyrtim nga KPP.

Si përfundim, me vendimin 781/2017, KPP urdhëroi autoritetin kontraktor Bashkia Tiranë, “të anullojë vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) për skualifikimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë Shpresa shpk & Dion Texnikh A.E., si dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara…duke e kualifikuar këtë bashkim operatorësh ekonomikë”.
Kualifikimi i Shpresa shpk, e cila kishte oferte ndjeshëm më të lirë se Alko-Impex, duhet të çonte në shpalljen e saj fituese të tenderit, por Bashkia Tiranë vendosi të mos e zbatojë vendimin e detyrueshëm të KPP-së. Kështu, Bashkia Tiranë nënshkroi kontratën me Alko-Impex, më 12 mars 2018.
Për shkak të këtij injorimi të vendimit të KPP, Shpresa shpk i bën kërkesë të re APP-së për nisjen e hetimit administrativ kundër Alko-Impex për “keqinformim dhe për paraqitje të dokuementave që përmbajnë të dhënë të rreme për qëllime kualifikimi”.
Mbas hetimit admisitrativ, APP arriti në përfundim se Alko Impex shpk kishte paraqitur dokumente me të dhëna të rreme në tenderin për pastrimin e zonës III Tiranë dhe me vendimin 103 datë 09.10.2018 vendosi përjashtimin për tre vjet nga çdo lloj konkurimi publik të kompanisë Alko-Impex.
Si rezultat i këtij vendimi, Bashkia Tiranë duhet të ndërpresë menjëherë kontratën me Alko-Impex dhe të këkrojë ndjekje penale të administratorëve të saj.
Por, Bashkia Tiranë ka refuzuar ta bëj këtë gjë dhe Alko-Impex vazhdon të paguhet nga Bashkia Tiranë për një kontratë 4 milion euroshe të fituar në mënyrë të paligjshme.

Cila është arësyeja që kjo kompani është mbi ligjin? Shpjegimi më i mundshëm është se fakti se, sikurse kemi bërë të njohur më parë, kompania është në pronësi formale të Arbër Abazit, nipit të deputetit socialist Sadri Abazi.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se Alko-Impex ka një histori të përsëritur të fallsifikimit të dokumentave për të përfituar në mënyrë të paligjshme kontrata publike.
Në prill të 2018, po APP kishte përjashtuar Alk-Impex nga konkuriemt publike ëpr një periduhë 1-3 vjecare, pasi kishte përdorur dokumenta të rreme në një tender të Bashkisë Elbasan për pastrimin e qytetit të Elbasanit.
Vendimi i APP-së për këtë rast shprehet se Alko-Impex kishte ndërmarrë veprime veprime korruptive dhe ka patur dënime penale dhe mospërmbushje të detyrimeve penale.
Pas vërtetimit të dokumentave të rreme, Bashkia Elbasan paditi penalisht kompaninë, por nuk është e qartë se cila ka qenë fati i padisë.
Nga viti 2014 deri më 2017, kompania Alko Impex Construction ka përfituar rreth 10,8 milionë euro kontrata publike nga 7 bashki të majta, kryesisht me objekt pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit. Ndër to 6 kontrata i ka fituar nga Bashkia Tiranë, me vlerë totale prej afërssiht 6 milionë euro.
Ligjërisht, Bashkia Tiranë duhet të anullojë të gjitha tenderat me Alko-Impex, por me sa duket kjo gjë nuk do të ndodhë për shkak të lidhjeve politike të kompanisë me qeverinë dhe kryebashkiakun Veliaj.

Skandali me Donika Prelën, bleu tokë në Petrelë me çmimin e një paketë cigare!

Donika Prela, drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton pronare e një sipërfaqe prej 1 mijë metra katrorësh tokë në zonën e preferuar të Petrelës në Tiranë, të cilën e ka blerë me vlerën e 350 mijë lekëve të reja, ose 350 lekë/m2, aq sa kushton një paketë cigare.
Kjo blerje, shumë interesante për financat e Donika Prelës, por shumë e dyshimtë për shkak të cmimit anomalisht të ulët është realizuar në vitin 2013 dhe toka është regjistruar në emër të bashkëshortit të saj, Vangjel Prela.
Në deklaratën e pasurisë për vitin 2013, të dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), “personi i lidhur” me prokuroren Prela, bashkëshorti i saj, ka deklaruar: “Blerje sipërfaqe toke 1000 m2, vendondodhja Petrelë, Tiranë, me vlerë 350.000 lekë“. Formularët e pasurisë së shefes së Prokurorisë për Krime të Rënda gjenden të publikuara në portalin informativ “Opendata.al”
Çmimi i deklaruar nga Vangjel Prela për blerjen e tokës në Petrelë, rreth 2 euro për metër katror, rezulton të jetë shumë herë më i ulët se sa vlera e pronës në atë zonë të Tiranës, e preferuar për ngritjen e komplekseve rezidenciale të banimit apo të shërbimeve restorant e hoteleri.
Madje, ky çmim, me të cilin familja Prela është bërë pronare e 1000 m2 në Petrelë, është shumë herë më i ulët edhe se sa është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave në kohën e kryerjes së këtij transaksioni.
Në një Udhëzim të muajit Mars 2013, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar se vlera e tokës në zonën e Petrelës është mesatarisht 3560 lekë/për metër katror.

Pra, sipas këtyre përcaktimeve, rezulton se Vangjel Prela, bashkëshorti i Donika Prelës, e ka blerë tokën me një çmim 10 herë më të lirë se sa çmimi i referencës i përcaktuar nga Qeveria.
Ndërkohë, në terren, çmimi i një metri katror tokë në zonën e Petrelës është edhe më i lartë se sa ai që ka përcaktuar qeveria në vitin 2013. “Boldnews.al” verifikoi të dhëna të publikuara në agjencitë imobiliare, nga të cilat rezulton se çmimi i tokës në zonën e Petrelës varion nga 35-45 euro për metër katror.
Petrela është një nga zonat më të preferuara në vitet e fundit nga biznesmenët e fuqishëm, të cilët e shohin si një hapësirë me potencial të lartë zhvillimi. Shumë afër Tiranës, në një zonë të gjelbëruar, Petrela vlerësohet si një nga perlat e natyrës së kryeqytetit shqiptar. Për shkak të pozitës gjeografike, si edhe bukurive të saj, çmimet e tokës në zonën e Petrelës janë ndër më të lartat në periferinë e Tiranës.
E megjithatë, shefja aktuale e Prokurorisë për Krime të Rënda, në kohën që ka qenë prokurore e Anti-Korrupsionit në Prokurorinë e Durrësit, ka arritur të sigurojë një tokë 1000 m2, me një çmim minimal prej 350 lekë për metër katror, aq sa kushton një paketë cigare ose një kafe në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Donika Prela, që prej muajit Mars 2018, është në verifikim, në kuadër të procesit të Vetingut. Në një shkrim të mëparshëm, “Boldnews.al” publikoi një tjetër transaksion të dyshimtë të kryer nga familja Prela. Në vitin 2014, Donika Prela dhe bashkëshorti i saj blenë një apartament në Durrës, në vlerën 1.4 milionë lekë dhe e shitën brenda 10 muajve për një çmim disa herë më të lartë, 4 milion lekë.
“Boldnews.al”

Presidenti Trump shpall 5 dhjetorin, ditë zie kombëtare për Xhorxh H.W.Bush

Ish presidenti amerikan, Xhorxh Herbert Walker Bush vdiq në shtëpinë e tij në Hjuston, të Teksasit. Ai ishte 94 vjeç. Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, një republikan që shërbeu një mandat nga viti 1989 në vitin 1993, mbahet mend për dëbimin e trupave pushtuese irakiane
Kur ushtria irakiane aneksoi Kuvajtin në gusht të vitit 1990, presidenti Bush krijoi një koalicion ndërkombëtar të forcave ajrore dhe tokësore për të çliruar vendin e pasur me naftë dhe për të siguruar aleatët në rajonin e Gjirit. Operacioni për të liruar Kuvajt nisi në janar të vitit pasues.
“Pesë muaj më parë Saddam Husseini filloi këtë luftë mizore kundër Kuvajtit. Sonte fillon beteja”, u shpreh atëherë presidenti George H.W.Bush.
Operacioni Desert Storm i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i sprapsi forcat irakiane brenda gjashtë javësh dhe presidenti Bush vendosi të ndalë ofensivën. Shumë e kritikuan atë vendim si të parakohshëm, por prestigji i Bushit u ngrit lart në vend dhe jashtë tij. Ai e përdori këtë për të ringjallur procesin e paqes arabo-izraelite, dhe kjo përpjekje rezultoi me Konferencën e Madridit më vonë në të njëjtin vit. Përpjekja e tij për të rivendosur rendin në Somalinë e shkatërruar nga dhuna në dhjetor 1992, javët e fundit të presidencës së tij, ishte më pak e suksesshme dhe luftimet vazhduan gjatë presidencës së zotit Klinton.
Presidenti Bush pasoi Presidentin Ronald Reagan në vitin 1989, pasi shërbeu dy mandate si nënpresident i tij. Presidenca e tij përjetoi ndryshime të mëdha botërore, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit gjatë vitit të tij të parë në detyrë.

Pastaj Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991 dhe presidenti Bush dhe presidenti i fundit sovjetik Mikhail Gorbaçov njoftuan një partneritet strategjik amerikano-rus, duke sinjalizuar fundin e Luftës së Ftohtë.
Por në frontin e brendshëm, presidenti Bush i zhgënjeu votuesit duke mos realizuar premtimin e fushatës së tij për të ulur taksat.
Presidenti republikan u detyrua nga shumica demokratike në Kongres të ngrinte taksat për të frenuar defiçitin buxhetor në rritje. Recesioni ekonomik dhe pyetjet e vazhdueshme në lidhje me përfundimin e Luftës së Gjirit kontribuan në rënien e vlerësimit të punës së tij duke bërë që ai të humbiste garën për t’u rizgjedhur në vitin 1992.
Pas humbjes së zgjedhjeve, Bush u tërhoq nga politika dhe e bëri Teksasin shtëpinë e tij të përhershme, aty ku kishte bërë pasurinë e tij në biznesin e naftës. Por, ai nuk u zhduk nga syri i publikut. Presidenti Bush ishte aktiv në fushatën presidenciale të djalit të tij 8 vjet më vonë.
” Ky djalë, ky biri ynë nuk do t’ju lërë në baltë. Ai do të bëjë çdo përpjekje dhe do të shërbejë me nder të madh – gjatë gjithë rrugës!”
Në vitin 2005, me kërkesën e djalit të tij Xhorxh, i cili u bë presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara, Bushi i vjetër u bashkua me ish-rivalin Bill Clinton për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit pas Uraganit Katrina.
Midis nderimeve të ndryshme, ai ka marrë atë të kalorësisë nga Mbretëresha Elizabet e Britanisë dhe Medaljen e Lirisë nga presidenti Barak Obama.
Ish-aviator i Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe veteran i dekoruar i Luftës së Dytë ai festoi disa prej ditëlindjeve të tij duke ushtruar sportin e hedhjes nga avioni në fluturim, madje edhe kur mbushi 90 vjeç.

“VOA”